VOAL

VOAL

Vuçiç: Serbia nuk është mundur

Voal – Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vendimit të UNESCO-s për mosanëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ka theksuar se “Serbia nuk është mundur”.

“Me rastin e refuzimit që i është bërë kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO, dëshirojmë që të gjithëve tu themi dy gjëra, e para: Serbia nuk është mposhtur dhe e dyta, kjo më nuk është lajm i madh. Serbia, ngadalë, por sigurtë po mëson që të paktën të mos humbë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se Serbia më nuk është vend që mund t’i imponohet vullneti i dikujt tjetër./rel

Greqia i shtrëngon masat ndaj shqiptarëve

Autoritetet  greke po kthejnë në pikat e kalimit kufitar disa dhjetëra të rinj shqiptarë të cilët synojnë të udhëtojnë drejt Greqisë. Sipas  burimeve shqiptare në Pikën kufitare të Kakavijës, më e madhja që lidh dy vendet , është rritur ditët e fundit  numri i emigrantëve që kthehen pas që në sportelet e  policisë greke.

Sipas burimeve paraprake vetëm gjatë ditës së sotme  janë kthyer pas rreth 100 emigrantë. Të rinjtë e kthyer nuk arrijnë të provojnë në kufi se do të qëndrojnë për qëllime  turistike në Greqi dhe nuk kanë garancitë financiare.

Sipas burimeve greke policia ka ndërmarrë ditët e fundit edhe operacione në thellësi të Greqisë për të riatdhesuar emigrantët  shqiptarë që gjenden pa dokumente të rregullta  qëndrimi. Pak ditë më parë në Greqi nisi zbatimi i një Ligji të ri për Emigracionin ku edhe emigrantët e paligjshëm mund të përfitojnë statusin e qëndrimit.

Sipas analistëve nga Athina autoritetet greke i druhen një dyndjeje të emigrantëve nga Shqipëria për të hyrë në Greqi dhe për t’u përfshirë më pas në praktikat e legalizimit. Sipas njoftimeve të mjeteve greke të informimit shifrat e riatdhesimit të shqiptarëve nga operacionet policore greke janë rritur ditët e fundit në disa rajone të Greqisë.

Burimet greke njoftuan për bllokimin e rreth 1700 emigrantëve shqiptarë të gjendur pa dokumente qëndrimi në  Greqi.

AA hap sot në Shkup qendrën e publikimeve në gjuhën shqipe dhe maqedonase

SHKUP – Anadolu Agency (AA), e cila ka për qëllim për t’u bërë një nga pesë agjencitë e lajmeve më me ndikim në botë, të hënën, më 9 nëntor 2015 hap Qendrën e publikimeve të gjuhës shqipe dhe maqedonase në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup.

AA e cila publikon lajmet në nëntë gjuhë për opinionin botëror dhe për abonentët, me Zyrën në Shkup do të fillojë publikimin e lajmeve edhe në gjuhën maqedonase. Teksa gjuha maqedonase bëhet gjuha e dhjetë e publikimeve të AA-së, zyra e Shkupit do të ketë funksionin e Qendrës së publikimeve të gjuhës shqipe dhe maqedonase.

Në ceremoninë e fillimit të publikimeve të lajmeve në gjuhën maqedonase dhe hapjes së qendrës në Shkup, që mbahet sot, krahas zëvendëskryeministrit të Turqisë, Ayçun Akdoğan, kryetarit të Bordit Drejtues dhe drejtorit të Përgjithshëm të AA-së, Şenol Kazancı, drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Turqisë (TRT), Şenol Göka, marrin pjesë zyrtarë nga vendi dhe jashtë, personalitete nga fusha të ndryshme dhe gazetarë.

Më 1 tetor të këtij viti u mbushën një vit nga fillimi i publikimit zyrtarisht të lajmeve në gjuhën shqipe. Me fillimin e transmetimit të qendrës së gjuhës shqipe dhe maqedonase në Shkup, AA pritet të fitojë një tjetër dimension më aktiv dhe më pranë mediave të rajonit, si dhe më gjerë, duke patur edhe praninë e saj në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni.

Anadolu Agency (AA) është një nga dhjetë agjencitë më të mëdha në radhitjen botërore, e cila në vizionin e saj të 100 vjetorit të themelimit synon publikimin e lajmeve në 11 gjuhë të botës, për t’u bërë një nga pesë agjencitë më me ndikim në botë.

AA krahas gjuhës turke, publikon lajme në gjuhën angleze, arabe, BHS (boshnjake, kroate, serbe), ruse, frënge, shqipe, kurde dhe në persisht.

Transferoi 1 milion euro në Shqipëri, Greqia kërkon hetimt të biznesmenit shqiptar

Prokuroria greke i kërkon Shqipërisë të kryejë hetime për një biznesmen që rezulton të ketë dërguar në Shqipëri shuma të mëdha parash.

Organi i akuzës mësohet se i ka dhënë rrugë letërporosisë së ardhur nga Greqia në datë 8 shtator 2015, ku është kërkuar ndihmë juridike për hetimin e shtetasit shqiptar Dhimitër P. Prokuroria e Apelit, Greqi, mësohet se po kryen atje hetime për shtetasin shqiptar Dhimitër Poti, në lidhje me procedimin penal për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Evazionit Fiskal”, sipas legjislacionit penal grek.

Sipas Prokurorisë, kërkesa e autoriteteve të drejtësisë greke ka të bëjë me një hetim paraprak mbi pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal nga shtetasi shqiptar Dhimitër Poti, banues në Tiranë.

Në harkun kohor të viteve 2001, 2007, 2008 dhe 2009, ai rezulton të ketë dërguar në Shqipëri nga Greqia, përmes agjencive të transfertave shumat 160.000 euro, 80.000 euro, 220.000 euro, 266.000 euro dhe 100.000 euro.

Pala greke kërkon nga prokuroria shqiptare kryerjen e verifikimeve nëse shtetasi në hetim prej tyre ka precedentë penalë apo dënime në Shqipëri. Pala greke kërkon që prokuroria shqiptare “të verifikojë dhe të japë të dhëna për aktivitetin e shtetasit nën hetim në vendin tonë.

“Nëse nuk ka vendime gjyqësore të formës së prerë të jepet informacion për statusin e çështjes së vitit 2012 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë; si dhe të sqarohet nëse nga hetimet të ketë rezultuar se Dhimitër Poti ka dyshime të ketë konsumuar veprën penale edhe me transferimet e kapitaleve nga Greqia në Shqipëri dhe anasjelltas, duke bërë përshkrimin përkatës, për veprën penale në hetim në Shqipëri dhe detajimin e të gjitha transaksioneve”, thuhet në kërkesën e mbërritur nga Greqia.

Kësaj letërporosie, prokuroria shqiptare i ka dhënë rrugë me anë të paraqitjes së saj para Gjykatës së Tiranës, e cila ka aprovuar kryerjen e veprimeve hetimore e më pas vendosjen e provave në dispozicion të palës greke. Biznesmeni në fjalë ka pasur aktivitet me një subjekt që është marrë me tregti farmaceutike dhe mjetesh motorike.

Administratori i “Chim Prod” Dhimitër Potioti, sipas hetimeve të deritanishme dyshohet se ka pastruar një shumë prej 826 mijë euro, e cila është transferuar nga Greqia në drejtim të Shqipërisë dhe në dy raste ka bërë dy transferta, 100 e 266 mijë euro nga Shqipëria në drejtim të shtetit grek.

Përfundojnë stërvitjet e përbashkëta amerikano-turke në Mesdhe

“Ne jemi këtu sepse SHBA dhe Turqia janë aleatë të ngushtë”, deklaroi njeriu i dytë në zinxhirin komandues të anijes amerikane, Tim Moore

ANTALIA, TURQI – Shkatërruesi raketor i marinës amerikane “USS Donald Cook” ka përfunduar stërvitjen e përbashkët me forcat detare turke në Mesdhe.

Shkatërruesi i cili mban emrin e një marinsi amerikan që ka vdekur si peng gjatë luftës së Vietnamit, do të vazhdojë të operojë afër ujërave territoriale turke edhe për disa javë të tjera.

“Ne jemi këtu sepse SHBA-të dhe Turqia janë aleatë të ngushtë”, deklaroi për Anadolu Agency njeriu i dytë në zinxhirin komandues të anijes, Tim Moore.

“Ky është një rast i mirë që vendet tona bashkërisht të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha më tej ai.

Mesdheu lindor, në pesë vitet e fundit po shfaqet si njëri nga vendet më problamatike në botë.

Përveç konfliktit mbi katër vjeçar në Siri, i cili ka tërhequr Perëndimin, Rusinë dhe fuqitë tjera si Arabia Saudite dhe Irani, në këtë rajon është rritur dhuna në Palestinë, sidomos me bombardimet izraelite mbi Gaza vitin e kaluar.

Ndërkohë, gadishulli i Sinait në Egjipt është përballur me një rezistencë të vogël kundër shtetit në vitin 2013, atëherë kur presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike u rrëzua me një grusht shtet.

Më vonë gjatë këtij muaji qyteti i Turqisë, Antalia, do të pret liderët e grupit G20 në Samitin botëror në axhendën kryesore të të cilit do të jenë lufta në Siri dhe kriza me refugjatët në Evropë.

Sidoqoftë, Moore mohoi që misioni të ketë lidhje me çështjet e lartpërmendura.

“Operacioni ynë ka të bëjë me përkrahjen që ia bëjmë stërvitjes”, deklaroi ai.

Manovrat mes datave 27 tetor dhe 6 nëntor përfshinë shkatërruesin “Donald Cook” dhe dy avionë patrollues të SHBA-ve si dhe 17 anije dhe 14 avionë të Turqisë për stërvitjen “Dogu Akdeniz 2015”. aa

Libi: Janë rrëmbyer dy nëpunës të Ambasadës së Serbisë

Dy nëpunës të Ambasadës së Serbisë në qytetin Sabrata në Libi, janë rrëmbyer sot pasidte, ka njoftuar Ministria e jashtme e Serbisë.

Sipas njoftimit, janë rrëmbyer teknikja e lidhjeve, Sllagjana Stankoviq, dhe vozitësi, Jovica Stepiq.

Ministria i ka informuar shërbimet e sigurisë dhe theksohet se “po bëhet çdo gjë e mundshme, që në situatën e komplikuar në terren, të sigurohen sa më shumë informacione dhe kthim i sigurt i shtetasve” të Serbisë.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, për këtë çështje ka biseduar me ministrin e jashtëm të Libisë, Mohamed Abdulaziz.

Tadiçi: Serbia ‘de facto’ e ka njohur Kosovën

BEOGRAD – Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka zyrtarizuar ditën e djeshme koalicionin me Partinë Liberal Demokratike të Çedomir Jovanoviçit. Qëllimi i kësaj aleance politike, siç thanë ata, është t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ata kanë thënë se në planprogramin e tyre do të kenë orientimin evropian, bisedimet me NATO-n, përgjigjen për çështjen e Kosovës, marrëdhëniet me Bosnjën dhe Hercegovinën, e çështje të tjera.

Në fjalën e tij, Tadiç ka thënë se qeveria aktuale, edhe pse de jure nuk e ka njohur Kosovën, de fakto e ka bërë një gjë të tillë, ndërsa ka theksuar se gjendja ka ndryshuar pas Marrëveshjes së Brukselit.

“A do të bëhet Kosova shtet i pavarur përmes kësaj politike? Me siguri se po, pavarësisht asaj se çfarë do Serbia, sepse numri i shteteve anëtare të OKB-së që e kanë njohur Kosovën është më i madh se gjysma e anëtarësisë së plotë [të OKB-së]”, ka thënë Tadiç, shkruan “koha.net”.

Ish-presidenti serb ka thënë gjithashtu se situata pas marrëveshjes së Brukselit ka ndryshuar pasi, sipas tij, me atë marrëveshje nënkuptohet se sistemi i drejtësisë në Kosovë funksionin në tërë territorin.

Tadiç ka theksuar se çështje e koalicionit SDS-LPD nuk do të jetë pranimi ose jo i pavarësisë së Kosovës, por do të luftojë për interesat minimale kombëtare në Kosovë, pa parulla demagogjike dhe pa politika të pamenduara e luftarake.

Ai ka folur edhe në lidhje me “luftën” e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, që është pranimi i Kosovës në UNESCO, duke thënë se gjatë arritjes së marrëveshjes së Brukselit, nuk janë përmendur çështjet e identitetit dhe për këtë arsye, siç ka thënë Tadiç, sot ekziston problemi i UNESCO-s.

“Tani identiteti duhet të mbrohet me mjete diplomatike, përmes diplomacisë kulturore”, ka thënë Tadiç.

Kurse lideri i LDP-së, Çedomir Jovanoviç ka thënë para gazetarëve se pavarësia e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë në platformën e tij politike, por ka theksuar se ndryshimi i Serbisë duhet të bëhet edhe përmes ndryshimit të qëndrimit karshi Kosovës.

Duke përmendur se Kosova është e pranuar nga mbi 100 shtete të OKB-së, është e pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Jovanoviç ka thënë se Serbia duhet t’i pranojë edhe disa të vërteta të hidhura, në mesin e të cilave është edhe ajo se “Kosova sot veten e sheh si plotësisht të pavarur”.

Ulqin: Mbyllet e vetmja librari shqipe e qytetit shqiptar

 Shkolla, kinemaja, teatri, spitali, farmacia, xhamia, kisha, zyrat e pushtetit vendor, etj. janë disa objekte të veçanta që na tregojnë shumë për jetën e një bashkësie. Janë më shumë se shërbime. Përbëjnë çelësa leximi të territorit, janë legjenda e hartës komunitare. Prania ose mosprania e tyre në qytet, lagje apo fshat, na flet më tepër se shumë manuale ose udhëzues të specializuar.

Libraritë janë pa dyshim një nga pikat më të rëndësishme për të kuptuar një territor të caktuar dhe jetën e qytetarëve. Sepse bashkësia ka vërtet nevojë për dyqane byrekësh dhe qoftesh për të ushqyer barkun, sikurse ka nevojë për dyqane brekësh e veshmbathjesh për të veshur lakuriqësitë, ose për ambulanca e farmaci për të shëruar trupin. Por bashkësia ka nevojë edhe për librari për të ushqyer mendjen.

E pikërisht mospasje e një librarie në një qytet tregon shumë. Deri para pak kohe mund të thonim se në Ulqin kishim një librari, “Libraria Arti”, dhe kjo falë pasionit për librin të pronarit të saj Gazmend Çitaku.

“Libraria ARTI” në Ulqin është mbyllur ndërsa veprimtaria botuese vazhdon me të njejtin “tempo”. kështu shprehet në një postim të tij në rrjetin social proanri Çitaku në një bashkëbisedim me një nga miqtë e tij duke treguar për këtë veprim të dhimbshëm, mbylljen e librarisë së vetme me libra në gjuhën shqipe në qytetin e Ulqinit.

“Krizë leximi”, do të shprehej kohë më parë poeti Basri Çapriqi, mosinteresim për librin, çmimi i librit i papërballueshëm  për lexuesin apo edhe ndonje arsye tjetër që e kanë detyruar Çitakun të ndërmarrë një veprim të tillë ka sjellur faktin që Ulqini përsëri do të vazhdojë të jetë pa librari në qytet. /Ulqini-Online/

Katër avionë të Greqisë shkelin hapësirën ajrore të Turqisë

ANKARA – Katër avionë F-16 të Greqisë e kanë shkelur hapësirën ajrore turke në jugperëndim të qytetit Antali për një minutë.

Në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë thuhet se katër avionë F-16 të Greqisë, dje mes orës 13.19 dhe 15.15 në rajonin Kash i cili ndodhet në jugperëndim të Antalias shkelën hapësirën ajrore turke. Shkelja e hapësirës ajrore nga avionët grekë zgjati një minutë.

Me arritjen e 2 avionëve F-16 të Turqisë të cilët janë nisur nga qyteti veriperëndimor i vendit Balikesir avionët grekë i dhanë fund shkeljes ajrore turke.

Nga ana tjetër me 12 avionë F-16 u zhvilluan fluturime patrulluese përgjatë kufirit ndërmjet Turqisë dhe Sirisë.

‘Për një serb do të vrasim 100 myslimanë’ – fjalia që Vuçiç s’do ta përsëriste më

BEOGRAD – Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se fjalia e tij “Për një serb do të vrasim 100 myslimanë” e thënë në vitin 1995 kur ka qenë deputet i Partisë Radikale serbe, është nxjerrë nga konteksti, por thotë se këtë me siguri nuk do ta thoshte më.

“Nuk jam shprehur ashtu dhe këtë me siguri e keni nxjerrë nga një shtojcë në RTS. Ajo është nxjerrë nga koha e fushatës më të keqe të regjimit të Milosheviqit”, ka thënë Vuçiç për televizionin N1, pa treguar se edhe vetë ka qenë pjesë e këtij regjimi, shkruan “Koha.net”.

Ai në një emision bashkë me Bekir Izetbegoviçin, ka theksuar se ky nuk është thelbi i kësaj fjalie, por se ka folur edhe gjëra të tjera për të cilat atere ka menduar të jenë të mira, e të cilat tani me siguri nuk do t’i përsëriste.

“Unë edhe sot gaboj, dhe mendoj se nuk ka njeri që nuk gabon, sikur që atëherë që kam qenë i sinqertë, duke menduar se mbroj interesat e popullit tim, edhe sot sinqerisht mendoj që këto interesa t’i mbroj dhe vërtet mendoj se marrëdhëniet e serbëve dhe të boshnjakëve janë shumë të rëndësishme”, ka thënë Vuçiç.

Mbyllet agjencia e lajmeve Tanjug

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për mbylljen e agjencisë shtetërore të lajmeve Tanjug, të themeluar 72 vjet më parë nga autoritetet komuniste të ish-Jugosllavisë, dhe largimin nga puna të 200 punëtorëve të saj.

Ministria e Kulturës së Serbisë tha të mërkurën se dy në përpjekje për të privatizuar këtë agjenci, ato kanë dështuar, duke mos tërhequr asnjë ofertues.

Serbia ka lëvizur në privatizimin e shumicës së mediave shtetërore, si pjesë e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Agjencia Telegrafike e Jugosllavisë së Re (Tanjug), ka pasur një rrjet global të korrespondentëve, por ajo ka pasur një rënie të madhe, pas shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, në vitet 1990.

Ajo gjithashtu është kritikuar se ka qenë një zëdhënës, e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviq, gjatë luftërave të viteve ’90-ta, në ish- Jugosllavi.

Varësia ushtarake e Serbisë nga Rusia

Përderisa Kroacia po merr armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Serbia po blen armë nga Rusia, mbetet pikëpyetje se a është ky sinjal që atmosfera e luftës së ftohtë është zhvendosur në Ballkan dhe se Serbia, e rrethuar me vende anëtare të NATO-s, po kthehet drejt aleancës ushtarake me Rusinë.

Ndonëse ende nuk dihen detajet e blerjes së armatimit rus nga Serbia, Marko Milosheviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se armatimi që po blihet, që nënkupton, sipas tij, pesë apo gjashtë armë artilerie, dy apo tre hedhës raketash, katër helikopterë dhe disa aeroplanë, janë shifra qesharake që nuk i çrregullojnë raportet në rajon.

Sipas tij, Serbia nuk po blen armë vetëm nga Rusia.

“Po blihen dy helikopterë nga Rusia dhe dy nga Gjermania. Kjo vërteton neutralitetin ushtarak të Serbisë”, ka theksuar Milosheviq, duke shtuar se Serbia nuk po orientohet kah Rusia, përderisa vendet tjera në rajon janë orientuar kah Perëndimi.

“Këto janë banalitete të politikës ditore pa ndonjë vështrim më të thellë në realitetin. Pjesa më e madhe e vendeve përqark, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Shqipëria, si anëtare të NATO-s, apo Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, si vende që mëtojnë të hyjnë në NATO, në inventarin e tyre, kryesisht kanë teknikë të lindjes”, tha Milosheviq.

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Majkl Kirbi, duke u përgjigjur në pyetjet e medieve lidhur me porosinë e Serbisë për armë në Rusi, ka deklaruar se nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme dhe se Serbia ka të drejtë të blejë armë nga kushdo.

Jovan Teokareviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se rajoni i Ballkanit është larg nga vendet e konfliktit, si Siria dhe Ukraina. Por, megjithatë, duhet përkujtuar, siç ka thënë ai, prognozën kohë më parë, të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry.

“Më duket se po realizohet prognoza e para disa muajve, se Ballkani, e veçanërisht sikur Serbia, Bosnjë e Hercegovina apo Maqedonia, janë në vijën e zjarrit ndërmjet blloqeve kundërshtare, NATO-s dhe Rusisë”, theksoi Teokareviq.

Përkujtojmë se gjithë rrëfimin për raportin e forcave në rajon, e ka nisur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Porositë për armatim në Rusi, ai i ka vendosur në kontekstin rajonal, duke ndërlidhur armatosjen e Kroacisë fqinje, e cila nga Amerika ka marrë dërgesa ushtarake pa pagesë.

“Është interesant që të gjithë flasin për Serbinë, ndërkaq heshtin thuajse nuk ka ndodhur asgjë në rrethinë. Pra, thuajse është normale që dikush të blejë topa të koracuar, është normale që të marrë dhe granata hedhëse dhe raketa balistike dhe ne duhet të themi: Po, mirë është, bëhuni sa më të fortë dhe ne dëshirojmë të jemi të dobët. Këtë lloj rrëfimi nuk do ta dëgjoni nga ne”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, profesori Teokareviq vlerëson se polemika e hapur lidhur me blerjen e armatimit nga Kroacia dhe Serbia, është vetëm për konsum të brendshëm politik.

“Kjo shërben për nevojat e brendshme politike, për të fryrje të vazhdueshme të patriotizmit nga ana e qeverive të të dyja shteteve”, ka theksuar Teokareviq.

Njohësi i zhvillimeve gjeopolitike nga Mali i Zi, Blagoje Grahovac, gjeneral në pension, shpreh mendimin se vendimi i Serbisë për të blerë armë në Rusi është i gabuar.

“Serbia duhet të qëndrojë aty ku përket me civilizim dhe në mënyrë gjeografike dhe kjo nënkupton, në Evropë. Tentimi i tashëm apo më mirë të themi, akti politik, që të bëjë aranzhime ushtarake me Rusinë, është gabim strategjik. Është një formulë e vjetër që thotë se ‘shteti që mbrojtjen e vet e bazon në fuqinë e armëve, në esencë është shtet i pambrojtur”, tha Grahovac.

Ai ka shtuar se Serbia është çelësi për largimin e lojtarëve gjeopolitik nga Ballkani. Sipas tij nuk ka Evropë të qëndrueshme pa Ballkanin e qëndrueshëm dhe siç ka thënë Grahovac, Ballkani mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm në rast se Serbia është e qëndrueshme dhe e integruar në Evropë.

Për një gjë të tillë, ka thënë ai, Serbia duhet të ketë politikë të re.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Dorëhiqet Qeveria e Rumanisë, pas protestave lidhur me tragjedinë në një klub nate

Kryeministri rumun Ponta njoftoi sot dorëheqjen e qeverisë së tij, pas protestave të mëdha të organizuara për shkak të zjarrit në një klub nate

BUKURESHT – Kryeministri i Rumanisë Viktor Ponta njoftoi sot dorëheqjen e qeverisë së tij, pas protestave të mëdha të organizuara për shkak të zjarrit në një klub nate ku jetën e humbën mbi 30 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

“E dorëzoj mandatin tim, jap dorëheqjen, kuptohet edhe qeveria ime gjithashtu”, ka thënë Ponta në paraqitjen e tij para opinionit publik.

Rusia do të ndërtojë sistem raketash pranë Preshevës

Përfshirja e Rusisë në Ballkan përmes sistemit të raketave tronditi Perëndimin.

Medvedev, Beogradi ka lidhur një marrëveshje prej 2.5 miliardë dollarësh për të blerë armë ruse, të paspecifikuara nga qeveria serbe.

Por nga media ruse dhe serbe thuhet se, sisteme të fuqishme të raketave ruse, BUK dhe S-400 Triumf, priten të instalohen pranë Luginës së Preshevës, ndërkohë që jo shumë kilometra më larg, në rajonin e Ferizajt në Kosovë, ndodhet baza më e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e “Bondstill”-it.

Marrëveshja që firmosi Vuçiq në Moskë është cilësuar si një politikë “e uljes në dy karrige”, pasi nga njëra anë ai betohet për marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe bëhet gati të firmosë me BE-në, e nga ana tjetër sjell kërcënimin e armatimit rus në Ballkan, duke rritur tensionet në rajon.

Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Ranko Ostojiq, deklaroi dy ditë më parë se, “ne e ndjejmë veten të sigurt, pasi jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk i frikësohemi asnjë lloj sulmi”.

Ndërkaq, ekspertë të njohur në Serbi i kanë bërë thirrje Vuçiqit të heq dorë nga politika e dyfytyrësisë me Perëndimin, pasi kështu mund të tensionojë marrëdhëniet në rajon, shkruan Shekulli.

Profesori i Shkencave Politike, Ivo Viskoviq, ish-diplomat, e shikon marrëveshjen e fundit me Moskën si një “lojë me zjarrin”, që do të ndikojë në marrëdhëniet me fqinjët, e se ajo minon politikën e nisur për pajtimin mes fqinjëve ballkanikë. Kjo politikë e promovuar nga Vuçiq merr fund në momentin e instalimit të mbrojtjes së raketave ruse, që do të sjellë edhe ndërhyrjen e NATO-s.

Zyrtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut pritet që të reagojnë me sqarimin e situatës dhe nuk përjashtohet mundësia e instalimit të mbrojtjes në vendet anëtare të NATO-s.

Shtëpia e Bardhë e uron Turqinë për zgjedhjet e realizuara

Qeveria amerikane do të vazhdojë të bashkëpunojë me qeverinë e cila gjatë periudhës së ardhshme do të formohet në Turqi

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë uroi Turqinë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën të dielën në këtë vend.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest gazetarëve në Washington u tha se administrata amerikane uron Turqinë dhe popullin e saj për zgjedhjet e realizuara.

Ai shtoi se qeveria amerikane do të vazhdojë të bashkëpunojë me qeverinë e cila gjatë periudhës së ardhshme do të formohet në Turqi.

Më pas theksoi se është shumë e rëndësishme që autoritetet në vend të respektojnë vlerat demokratike të garantuara me Kushtetutë.

Kujtojmë, se në Turqi gjatë të dielës u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat, sipas rezultateve preliminare pas përfundimit të numrimit të votave, Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) korri fitore bindëse, duke fituar 49.48 përqind të votave, gjegjësisht 317 vende deputeti në Parlamentin i cili numëron gjithsej 550 deputetë.

Opozita më e fortë Partia Popullore Republikane (CHP) fitoi 25.31 përqind të votave, gjegjësisht 134 deputetë në Parlament.

Partia majtiste prokurde Popullore Demokratike (HDP) fitoi 10.75 përqind të votave dhe do të ketë 59 vende në Parlament.

Edhe Partia opozitare e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) kaloi pragun zgjedhor dhe fitoi 11.9 përqind të votave, që i garantojnë 40 vende përfaqësimi në Parlament.

Ndërkohë që 12 partitë tjera politike nuk kaluan pragun zgjedhor prej 10 përqind. aa

Mustafa pret të dërguarin amerikan për të drejtat e komunitetit LGBTI

Në Kosovë, sot po qëndron i dërguari i parë i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBTI, Randy W. Berry.

Zoti Berry do të zhvillojë një sërë takimesh të martën në Prishtinë, me udhëheqës të institucioneve qendrore në Kosovë.

Në takimin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i dërguari amerikan citohet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit, të ketë vlerësuar “progresin në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e plotë të të drejtave të secilit individ në Kosovë”.

“Berry, po ashtu, çmoi punën e Qeverisë së Kosovës në adresimin e çdo forme diskriminimi ndaj çdo grupi shoqëror, duke ofruar përkrahjen e plotë të Qeverisë Amerikane për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme që çdo komunitet në shoqërinë kosovare, të realizojë lirshëm të drejtat e tij”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Zoti Mustafa ndërkaq citohet të ketë thënë se “Republika e Kosovës ka nxjerrë një varg ligjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e të drejtave të njeriut, si Ligji kundër diskriminimit, që rregullon dhe parandalon çfarëdo forme të diskriminimit, nga çfarëdo lloj baze apo përkatësie”.

Erdogan: Bota të respektojë fitoren e AKP-së

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha të hënën se bota duhet të respektojë fitoren e partisë së tij për drejtësi e zhvillim (AKP) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilën ai e cilësoi si votim të popullit turk për stabilitet.

Zgjedhjet e së dielës rikthejnë qeverisjen një partiake në Turqi, vetëm pesë muaj pasi që AKP humbi shumicën parlamentare, për herë të parë pas më shumë se një dekade. AKP fitoi diç më pak se 50 për qind të votave duke siguruar kësisoj 316 vende në parlamentin 550 anëtarësh.

Partia kryesore opozitare CHP, fitoi rreth 25 për qind të votave, një dallim shumë i thellë me AKP-në sesa ishte parashikuar.

Kryeministri Ahmet Davutoglu, shprehu dëshirën për bashkim, në një fjalim para mbështetësve të tij në Ankara të dielën mbrëma. Ai bëri thirrje për “një Turqi të re ku politika është e normalizuar”.

Gjatë fushatës, nëse edhe pa dashje, ka ndonjë që i kemi thyer zemrën, e kemi fyer apo zemëruar, e lusim të na japë bekimin e tij”, tha ai.

Davutoglu përsëriti thirrjet për kushtetutë të re, një kërkesë e AKP-së që synon t’i jap presidentit Erdogan më shumë pushtet ekzekutiv. Sido që të jetë, edhe me shumicën në parlament, partia nuk ka vota të mjaftueshme për ta kaluar kushtetutën.

Votat e së dielës pasuan muaj tensionesh dhe humbje e aleancës me majtistët pro kurd, feministët dhe nacionalistet kurd. Lidhjet jo të drejtpërdrejta të opozitës me Partinë Punëtore Kurde, e shpallur e jashtëligjshme, u vu nën sulmet e presidentit Erdogan dhe aleatëve të tij gjatë fushatës para zgjedhjeve të së dielës.

Disa orë pas mbylljes së vendvotimeve, Erdogan i quajti zgjedhjet si një mesazh për kryengritësit kurd në Turqinë Juglindore se “dhuna nuk mund të bashkëjetojë me demokracinë”.

Përveç, partitë kryesore opozitare CHP, liberalët e Partisë Demokratike pro kurde HDP dhe Partia Lëvizja Nacionaliste MHP, do të kenë ulëse në parlament.

Në korrik, krahu i armatosur i PKK-së, braktisi armëpushimin trevjeçar me Ankaranë, pasi që avionët e Turqisë sulmuan bazat e stërvitjeve ushtarake të grupit në Irakun Verior, ndërsa PKK po luftonin militantët e Shtetit Islamik. Ankaraja po ashtu bombardoi disa baza të PKK-së. Kryeministri Davutoglu tha se sulme do të vazhdojnë “për aq kohë sa ekzistojnë kërcënimet ndaj Turqisë”.

Muajin e kaluar, qeveria e Ankarasë fajësoi PKK-në për sulme vetëvrasëse në një tubim paqësor në Ankara, që la pas vetes mbi 100 të vrarë dhe mbi 160 të plagosur.

Votimet e së dielës u përmbyllen edhe me protesta në qytetin Diarbakir i banuar me shumicë kurdë. Forcat qeveritare të sigurisë përdorën gazin lotsjellës kundër protestuesve që hodhën gurë në mbështetje të opozitës pro kurde.

Daçiçi: Do të luftojmë deri në fund që Kosova të mos bëhet anëtare e UNESCO-s

“Shtetet e rajonit duhet të kuptojnë se një qëndrim i tillë ndaj Serbisë nuk është miqësor dhe ata nuk mund të presin që ne të jemi miq të tyre më shumë se ata janë ndaj nesh”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiçi

BEOGRAD – Prioritet i aktiviteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë në javët e ardhshme do të jetë që një numri të vendeve t’iu paraqesë argumentet se pse Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ka thënë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, në konferencën e rregullt mujore për mediat në Beograd.

“Mënyra e votimit është e ndryshme nga Këshilli Ekzekutiv, kësaj radhe nevojiten dy të tretat e votave, por të atyre që marrin pjesë në votim. Kjo do të thotë se abstenimet nuk numërohen, numëron vetëm votat pro dhe kundër. Llogariten votat e dy të tretave të shumicës së votuesve. Në këtë situatë, nëse  do të votohej kështu në Këshillin Ekzekutiv, kërkesa e Shqipërisë nuk do të ishte miratuar”, tha Daçiç.

Ai shtoi se Serbia është duke bërë përpjekje të mëdha që t’ju sqarojë sa më shumë vendeve të botës argumentet dhe qëllimi kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Çdo herë i kemi treguar këto foto, Hashim Thaçi thoshte se kjo është propagandë. Çfarë propagandë është kjo kur shikoni kisha të shkatërruara, manastire dhe kisha të djegura, kur shikoni skenat e shkatërrimit, kur shihni mijëra shqiptarë para kishës, ku njëri prej demonstruesve thyen kryqin dhe hedhur atë në tokë për të kënaqur të pranishmit dhe ai që e bëri këtë nuk është dënuar. Cila është garancia që kjo nuk do të ndodhë nesër”, tha Daçiç.

Në vazhdim të paraqitjes së tij kritikoi edhe vendet perëndimore për mbështetjen e tyre që po ia japin Kosovës duke shtuar se akoma nuk e ka të qartë se pse gjithë kjo mbështetje, në një kohë që Evropa dhe bota po ballafaqohen me probleme të shumta, si kriza e refugjatëve, terrorizmi dhe të tjera.

Ai më tej shtoi se kishte marrë një ftesë për të marrë pjesë në takimin e Grupit të Vishegradit, në Pragë, por nuk ishte i sigurt nëse do të merrte pjesë në këtë takim, pasi që Republika Çeke, pavarësisht të gjitha paralajmërimeve të bëra solli vendim për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Dhe vendet që janë në rajonin tonë duhet të kuptojnë se një qëndrim i tillë ndaj Serbisë nuk është miqësor dhe ata nuk mund të presin që ne të jemi miq të tyre më shumë se ata që janë ndaj nesh. Ne do të kemi ‘marrëdhënie paqësore’, do të vazhdojmë bashkëpunimin, por si me çdo vend tjetër. Serbia nuk është shtet aq budalla që të mos shikojë. Do të kenë edhe ata ndonjë kërkesë”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se kjo vlen edhe për Malin e Zi, Maqedoninë, Bullgarinë, Slloveninë.

“Nuk mund të kuptoj se Japonia dhe Koreja kanë më shumë arsye për të abstenuar, nga miqtë dhe vëllezërit tonë të rajonit. Ose, Papua Guinea e Re, të cilët ndoshta nuk e dinë se ku ndodhemi. Këto janë vendet që e kanë njohur Kosovën. Ne nuk presin që vendet e rajonit tonë të tërheqin njohjen e Kosovës, kjo është një çështje krejtësisht tjetër”, tha Daçiç. aa

U mbajtën zgjedhjet në Turqi – prin partia e Erdoganit

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të sotme në Turqi tregojnë se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Recep Tayyip Erdogan është në epërsi.

Me gati gjysmën e votave të numëruara, televizioni shtetëror TRT ka raportuar se Partia e Erdoganit ka fituar 53.2 përqind të votave.

Pas saj radhitet Partia Republikane Popullore me 20.7 përqind.

Zgjedhjet e sotme në Turqi kanë qenë të dytat në pesë muaj.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka dështuar të sigurojë shumicën në zgjedhjet e qershorit, ndërsa përpjekjet për të formuar koalicion qeveritar kanë qenë po ashtu të pasuksesshme.

Banka Evropiane 200 milionë euro Serbisë për sektorin energjitik

Banka Evropiane ka investuar në Serbi rreth 4 miliardë euro në 190 projekte të ndryshme

LONDËR – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) me 200 milionë euro do të përkrahë sektorin energjetik të Serbisë, thuhet në deklaratën me shkrim të lëshuar nga banka.

Huaja e EBRD-së do të shkojë për kompaninë “Elektro-ekonomia e Serbisë” kompani shtetërore që prodhon, shpërndan dhe furnizon me energji elektrike krejt vendin, thuhet në deklaratë.

Kjo hua do të ndihmojë “Elektro-ekonominë e Serbisë” që të ristrukturohet dhe rikoperohet pas përmbytjeve që përfshinë Ballkanin në vitin 2014.

“Financimi i EBRD-së do të përkrahë reformat e mëtejme në sektorin energjetik të Serbisë dhe to të ndihmojë për liberalizim të tregut, një kriter i rëndësishëm për negociatat aderuese për në BE” thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet poashtu se EBRD-ja ka investuar në Serbi rreth 4 miliardë euro në 190 projekte të ndryshme. aa

Mbyten në Egje 22 emigrantë, kryesisht fëmijë

Të paktën 22 emigrantë, pjesa më e madhe fëmijë gjetën vdekjen kur dy anijet me të cilat udhëtonin nga Turqia u mbytën gjatë lundrimit për në ishujt e Rodit dhe Kalimnosit në detin Egje.

Zyrtarët grekë thanë se 19 vetë gjetën vdekjen dhe 138 u shpëtuan të enjten dhe sot pranë Kalimnos. Tre të tjerë u mbytën pranë Ishullit të Rodit dhe gjashtë u shpëtuan. Tre persona figurojnë të zhdukur.

Vdekjet e fundit pasojnë mbytjen e 17 personave, 11 prej të cilëve fëmijë të mërkurën pranë ishujve të Lesbos dhe Samos po në detin Egje.

Mijëra azil-kërkues nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë marrë udhëtimin drejt Evropës në kërkim të një jete më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras tha se ndjehej i turpëruar nga paaftësia e Evropës për t’iu përgjigjur me efektivitet kësaj drame njerëzore. Ai tha se ka rëndësi të madhe që Egjeu të mos shndërrohet në varrezë për njerëz që ikin nga lufta dhe tmerret.

Ushtria serbe merr 20 e sa avionë dhe helikopterë luftarakë nga Rusia

Aviacioni ushtarak serb së shpejti do të përforcohet me së paku 20 aeroplanë luftarakë rusë dhe helikopterë.

Rusia Serbisë do t’i japë aeroplanët gjuajtës „Mig-29“ dhe helikopterë sulmues „mi-24“, njoftojnë medie të Beogradit, transmeton Koha.net.

Marrëveshja për këto mjete fluturimi lufte dhe për armatime të tjera për Serbinë është arritur gjatë vizitës së kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në Moskë e cila përfundoi sot.

Republika e Turqisë kremton 92-vjetorin

ANKARA – Turqia sot feston 92-vjetorin e shpalljes së Republikës, dhe me atë rast në mbarë vendin si dhe në Republikën Turke të Qipros Veriore do të mbahen ceremonitë komemorative.

Manifestimi filloi me vizitën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Anitkabir në Ankara, në mauzoleun e themeluesit të Republikës, Mustafa Kemal Ataturk.

Përvjetori i themelimit të Republikës së Turqisë do të shënohet edhe me organizimin e pritjeve solemne në ambasadat e këtij vendi në rajonin e Ballkanit.

Pas intonimit të himnit kombëtar me atë rast presidenti Erdoğan vendosi kurora lulesh në mauzoleun e themeluesit të Republikës, Mustafa Kemal Ataturk.

Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe kreu i Parlamentit të Turqisë, Ismet Yilmat, kryeministri Ahmet Davutoglu si dhe krerët e institucioneve të shumta të këtij vendi.

Manifestimi i shënimit të Ditës së Republikës do të vazhdojë me festimet e ndryshme.

Turqia është republikë demokrate, laike, unitare, kushtetuese ndërsa sistemin e saj politik e themeloi Mustafa Kemal Ataturk në vitin 1923. aa

Tensione në relacionin Podgoricë – Moskë

Protestat e një pjese të opozitës, e cila është tubuar në të ashtuquajturin Fronti demokratik, i kanë acaruar marrëdhëniet zyrtare në relacionin Podgoricë – Moskë deri në masën që nga vet Kremlini është akuzuar pushteti malazez për demonizim të Rusisë.

Ndërkaq, Podgorica është përgjigjur se është e dukshme që Moska po i mbështetë protestat në mënyrë që ta pamundësojë hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë vizitës së tij në Lublanë, të martën, ka deklaruar se mbështetja e tillë e Moskës zyrtare për protestat ka qenë e qartë.

“Nuk ka nevojë për interpretim. Rusia ka dërguar tri porosi të qarta dhe të drejtpërdrejta përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Porositë kanë qenë më shumë se të drejtpërdrejta dhe më shumë se eksplicite”, ka thënë Gjukanoviq.

Vetëm disa orë pas kësaj deklarate të Gjukanoviqit, i cili po ashtu ka theksuar se Moska po provokon trazira në Podgoricë, për t’ia zvogëluar shanset e malit të Zi për të hyrë në NATO, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme të Rusisë.

Në deklaratën e saj, Moska e ka fajësuar Gjukanoviqin se ai dëshiron ta bartë përgjegjësinë për përplasjet në Podgoricë, për siç thuhet “injorimin e tërësishëm të mendimin të pjesës së rëndësishme të shoqërisë malazeze”.

Në këtë deklaratë për shtyp, gjithashtu thuhet se “Gjukanoviqi, në asnjë mënyrë nuk provuar qëndrimet e tij për përzierjen e Rusisë në nxitjen e tensioneve sociale në Mal të Zi, pasi që fakte të tilla nuk ka”.

Kremlini zyrtarë gjithashtu ka folur për protestat disa javore të një pjese të opozitës duke konstatuar se është mjaft i brengosur për “dhunë të tepërt, të cilën autoritetet e Malit të Zi e kanë përdorur për të ngulfatur protestat e qeta”.

Ndaj deklaratave të autoriteteve Ruse, ka reaguar Qeveria e Malit të Zi, duke konstatuar se deklaratat e fundit të Ministrisë së Jashtme ruse janë vërtetim i bazimit të pretendimeve të Gjukanoviqit për përzierjen e Rusisë në protestat kundër NATO-s.

Në anën tjetër, senatori amerikan, Jon McCain, duke folur për mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, ka theksuar se ky do të nënkuptonte një përparim për Malin e Zi, por edhe për NATO-n.

“Jam i lumtur që administrata amerikane e ka mbështetur Malin e Zi dhe e ka mbështetjen e plotë të Kongresit. Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne që këtë proces ta inkurajojmë. Kjo është një kohë e rrezikshme, me Putinin në hov dhe besoj që Malit të Zi i nevojitet anëtarësimi në NATO. Rusia po vazhdon ta inkurajoj opozitën që të jetë mjet i propagandës së saj”, ka theksuar senatori Mc Cain.

Por, çfarë thonë analistët politik lidhur me situatën e krijuar në relacionin Podgoricë – Moskë?

Kryetari i Qendrës për studime ndërkombëtare në Zagreb, Rradovan Vukadinoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se është e dukshme që Rusia ka interes afatgjatë dhe strategjik për Malin e Zi, gjë që e ka treguar me një numër shembujsh.

“Këtu në Ballkan, Mali i Zi, së bashku me Serbinë, është pika e vetme ku Rusia eventualisht mund të kërkoj marrëdhënie miqësore. Prandaj, hyrja e Malit të Zi në NATO, për Rusinë do të thotë që një ide e tillë është e shlyer në mënyrë definitive”, theksoi Vukadinoviq.

Boshko Jakshiq, njohës i zhvillimeve politike nga Serbia, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia mund të pajtohet me faktin që vendet e Evropës juglindore të hyjnë në Bashkimin Evropian, por kurrsesi nuk pranon që NATO-ja të zgjerohet në Ballkan.

“Është e qartë që Moskës në asnjë mënyrë nuk i konvenon afrimi në NATO i Malit të Zi, dhe nëse ndërlidhen gjërat, natyrisht që i konvenon e gjithë ajo që është dëgjuar në protestat e opozitës në Mal të Zi dhe pastaj, ajo i mbështet qëndrimet e opozitës”, ka theksuar Jakshiq.

Ai parasheh që marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Podgoricës dhe Moskës, do të jenë mjaft të këqija dhe të tendosura, për një kohë të gjatë.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Një institut i Shqipërisë dhe një institut i Serbisë nisin bashkëpunimin

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Lëvizja Europiane e Serbisë ngritën sot një qendër të përbashkët studimore për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në takimin e përbashkët morën pjesë diplomatë dhe studiues nga të dy vendet, si dhe ambasadorë nga vendet e Bashkimit Europian.

Drejtuesi i Institutit Albert Rakipi, thotë se nisma synon të ndikojë në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Qendra e përbashkët studimore do të punojë për integrimin europian të dy vendeve.

Me këtë rast u publikuan të dhënat e një sondazhi mbi raportet shqiptaro-serbe.

Studiuesja Alba Çela thotë se ende ka pengesa dhe paragjykime, por nga sondazhi u zbulua edhe një qasje e gjerë pozitive, se e ardhmja është e përbashkët e të dy vendeve është në BE dhe pranë njëri-tjetrit.

Konferenca e sotme arriti në përfundimin se nevojitet një proces i përshkallëzuar bashkëpunimi në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, sepse potenciali pozitiv është aty, derisa të dy vendet dhe shoqëritë të normalizojnë raportet.

Dy institutet e Shqipërisë dhe Serbisë pritet të afrojnë pas pak kohësh edhe institute studimore nga Kosova për t’iu bashkuar projekteve mes vendeve fqinje në rajon.

Turqia konfirmon sulmet ndaj kurdëve në Siri

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka konfirmuar se ushtria turke ka sulmuar luftëtarët kurdë në veri të Sirisë.

Njësitë e Mbrojtjes Popullore Kurde kanë thënë se Turqia ka qëlluar forcat e tyre në qytetin Tal Abjad të dielën.

Këto njësi kanë qenë aleate kryesore të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri.

Turqia ka frikë se avancimi i forcave kurde në Siri mund të nxisë ndjenjat separatiste në mesin e kurdëve në Turqi.

“E kemi thënë se Njësitë e Mbrojtjes Popullore Kurde nuk do të shkojnë në perëndim të Eufratit dhe se do t’i qëllojmë në momentin që e bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Davutoglu.

Vuçiçi sot në Moskë takon Medvedievin

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiçi do të takojë sot në Moskë homologun rus Dmitry Medvedev për të diskutuar marrëdhëniet tregtare dhe dypalëshe.

Dy zyrtarët do të bisedojnë për projekte të përbashkëta në sektorin e energjisë, transportit, prodhimit dhe bujqësisë, ka bërë të ditur Qeveria ruse.

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Chepurin, ka thënë se takimi do të fokusohet në çështje ekonomike.

“Delegacioni serb do të përfshijë disa ministra që mbikëqyrin ekonominë”, ka thënë Chepurin.

Turqia renditet e 16-ta në botë për prodhim të automobilëve

Në periudhën e fundit, Turqia ka prodhuar 667 592 vetura, që shënon rritje prej 18.4 përqind nga viti 2014.

ANKARA – Turqia renditet e 16-ta në botë sa i përket prodhimit të automobilëve, thuhet në raporitn e Organizatës Ndërkombëtare të Prodhuesve të Mjeteve Motoristike (OICA) të lëshuar të hënën.

Në periudhën e fundit, Turqia ka prodhuar 667 592 vetura, që shënon rritje prej 18.4 përqind nga viti 2014.

Prodhimi global është rritur për  0.5 përqind në gjashtë muajt e parë të vitit 2015 krahasuar me vitin e kaluar.

Të dhënat flasin se prodhimi botëror ka shkuar në 45.6 milionë nga janari deri në qershor kë këtij viti, nga 45.4 milionë sa kishte një vit më herët.

Kina përsëri kryeson listën e 20 prodhuesve më të mëdhenj me rreth12 milionë vetura, ndërsa ndiqet nga SHBA-të me rreth 6 milionë dhe Japonia me rreth 4.5 milionë vetura të prodhuara.

Italia ka rritur prodhimin për 43 përqind, me mbi gjysëm milioni vetura të prodhuara këtë vit. Irani poashtu shënon rritje të prodhimtarisë me 14 përqind deri në këtë periudhë të vitit.

Të hënën kompania Toyota, njoftoi se ka shitur afërsisht 7.5 milionë vetura në nëntë muajt e parë të vitit, që është më shumë se çdo prodhues tjetër.

Dilema e Malit të Zi: NATO apo Rusi, Lindje apo Perëndim?

Voal – Mijëra vetë në Malin e Zi kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Djukanoviç, protestojnë kundër anëtarësimit në NATO e kundër korrupsionit. Kreu i qeverisë i hedh poshtë kritikat, duke parë pas tyre një komplot kundër tij.

Kryeministri malazez Milo Djukanoviç

Asnjë politikan europian nuk qeveris më gjatë se Milo Djukanoviç – madje ai qeveris më gjatë se pushtetmbajtësi bjellorus, Lukashenko. Me përjashtim të dy ndërprerjeve të shkurtra, Djukanoviç është nga viti 1991 oser kryeministër ose president i vendit të vogël buzë Adriatikut me vetëm 600.000 banorë. Pushtetari i fortë i Malit të Zi i është përshtatur gjithmonë asaj që ka kërkuar fryma e kohës: funksionar i ri komunist, bashkëudhëtar i autokratit nacionalist, Slobodan Millosheviç, ideolog i shkëputjes së vendit nga Serbia dhe në fund partner i perëndimit, që kërkon ta fusë Mali e Zi në BE dhe NATO.

Kundërshtarë nga të gjitha shtresat

Në vizitën e tij të fundit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lëvdoi përparimet e Malit të Zi dhe u shpreh se deri në fund të vitit do të jetë vendosur, nëse NATO i jep Malit të Zi dritën e gjelbër për anëtarësimin. Ekspertët e shohin këtë si një vendim të sigurtë. Më pak e sigurtë është nëse qeveria gëzon mbështetjen e popullsisë për këtë vendim. Sipas sondazheve, përkrahësit dhe kundërshtarët e anëtarësimit bëjnë një garë kokë më kokë, kjo në varësi të asaj se kush e ka porositur sondazhin. „Një pjesë e kundërshtarëve e argumentojnë refuzimin e tyre me intervenimin e NATO-s në Serbi dhe Mal të Zi në 1999-n“, thotë Milica Kovaçeviç nga Qendra për Tranzicionin Demokratik. Por ekspertja është e mendimit se gjithnjë e më shumë qytetarë mendojnë në mënyrë „racionale“ për aleancën e NATO-s.

Montenegro Proteste Demonstruesit me gurë, policia me gaz lotsjellës

Për disa javë qindra opozitarë qëndruan në një kamp me çadra në kryeqytetin Podgoricë jo vetëm për shkak të kontestimit të anëtarësimit në NATO. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Djukanoviç, qeveri të përkohshme dhe zgjedhje të reja. Protestuesit ishin të përzierë: Përkrahës të aleancës opozitare, Fronti Demokratik, përfaqësues nga shoqëria civile si edhe klerikë serbë-ortodoksë që e refuzojnë largimin e Malit të Zi nga Beogradi. Fundjavën e fundit situata u shkallëzua, kur policia hoqi çadrat. Aksioni protestues vazhdoi edhë në fundjavë me moton: „I gjithë Mali i Zi në Podgoricë“.

Marko Milaçiç, kreu i Lëvizjes së Neutralitetit- një organizatë joqeveritare është krah protestuesve kundër anëtarësimit në NATO. Sipas tij „tani, kur po afrohet vendimi për marrjen ose jo të ftesës për në NATO duket qartë. Qeveria dhe mediat e kontrolluara prej saj po përpiqen fort të bindin opinionin për avantazhet e hyrjes në NATO.“

Revoltë kundër gjendjes së vështirë

Ndërkohë kreu i qeverisë, Djukanoviç shikon pas protestave qarqe „serbomadhe“ dhe klerike pas. Qëllimi i vërtetë i opozitës është marrja në mënyrë jo demokratike e pushtetit dhe pengimi i afrimit të vendit me perëndimin, u shpreh kryeministri në një intervsitë për televizionin. Sipas tij organizatorët e protestës gëzojnë mbështetjen e Kremlinit, që nuk e do forcimin e NATO-s në Ballkan.

Por kritikët thonë se Djukanoviç e thjeshtëzon shumë gjendjen me këto argumente. Shumica e qytetarëve nuk shohin si problem kryesor orientimin gjeopolitik të Malit të Zi, por mjerimin ekonomik, korrupsionin dhe shpërndarjen e vendeve të punës në administratën publike sipas oreksit të partisë qeverisëse. Rroga mesatare qëndron në kufijtë e 480 eurove, 15% e qytetarëve janë të papunë, sipas statistikave, që jo pak vetë i shohin si të zbukuruara. Për vite me radhë kritikat kundër Djukanoviçt kaluan pa asnjë pasojë, madje as akuzat e drejtësisë italiane që e cilësonin atë personalisht si kreun e kontrabandës së cigareve në vitet 90-të. Edhe BE ka kritikuar gjendjen e shtetit të së drejtës në Malin e Zi, si edhe sulmet e pazbardhura kundër gazetarëve.

Montenegro Proteste gegen Regierung in Podgorica Në protestat në Podgoricë u shfaq edhe flamuri serb

Shoqëri e ndarë

Një sërë aferash, arrogance dhe “një hajdutëri e shëmtuar” e kanë dobësuar qeverinë mendon shkrimtari i njohur malazez Andrej Nikolaidis. Por protestat aktuale ai i sheh, ashtu si Djukanoviçi, si një përpjekje për të dështuar anëtarësimin. „Anëtarësimi në NATO do të thoshte dalje nga influenca serbe dhe ruse. Kjo nënkupton një kthesë radikale civilizuese, politike dhe kulturore”, shkruan Nikolaidis në një opinion tij për një portal online.

Opinionisti Blagoje Grahovac mendon ndryshe. Ish-gjenerali mendon se protestat nuk duhen reduktuar me dilemën e NATO-s. “Për shumicën e qytetarëve Milo Djukanoviç është simboli I fundosjes së plotë. Për një pjesë tjetër simbol i suksesit të plotë, shpresa dhe krenaria e tyre. Mali i Zi është mbërthyer në dy ekstreme: Pro ose kundër Djukanoviçit. Qytetarët janë të përçarë”, shkruan Grahovac në gazetën kritike “Vijesti”.

Shihet si me pak gjasa që ta marrë fjalën në fund kjo qytetari. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ka deklaruar Djukanoviç, dhe ai shfrytëzoi momentin për të tallur opozitën që nuk e mund dot prej “një çerekshekulli”. Edhe një referendum për anëtarësimin në NATO, kryeministri malazez e sheh si të panevojshëm./DW

Albulena Haxhiu: Qeverinë do ta largojmë me protesta gjithëpopullore

Deputetja e VV’së, Albulena Haxhiu, paralajmëron protesta gjithëpopullore për rrëzimin e Qeverisë.

“Sot bëhen dy muaj prej kur Isa Mustafa nënshkruajti marrëveshjen për “Zajednicën”!

Përgjatë gjithë këtyre dy muajve i njëjti injoroi kërkesat e opozitës, shpërfilli ato. Dhe jo vetëm kaq! Isa Mustafa poashtu injoroi 200 mijë qytetarë që nënshkruan peticionin (madje tha që ata janë të padijshëm) e poashtu u deklarua se nuk do të ketë referendum për këto marrëveshje të dëmshme!

Si duhet të veprojmë me kryeministër të tillë?!

Natyrisht që duhet hequr me protesta e demonstrata gjithëpopullore!

Së shpejti….”, shkruan ajo.

Sulejman Ugljanin: Sanxhaku i ka dokumentet për shtet

 Sulejman Ugljanin: duam autonomi dhe shkëputje nga Serbia

Ai, në ceremoninë me rastin e “Dana samoopredeljenja” – Dita e Vetëvendosjes , ka thënë se Këshilli i Myslimanëve në Sanxhak, kryetar i të cilit ka qenë, më 25 tetor 1991 ka mbajtur referendum për autonominë e Sanxhakut.

“Në atë referendum kemi vënë themelin e fortë në të cilin të rinjtë duhet ta ndërtojnë stabilitetin dhe autonominë territoriale ku boshnjakët do të jetojnë të lumtur e të pa shkelur nga askush. Për këtë arsye, fëmijët tanë, keni të drejtë dhe dokumente në bazë të të cilëve keni të drejtë në shtet. Bëjeni dhe ne do t’ju ndihmojmë”, ka thënë Ugljanin, raporton portali serb N1, transmeton Koha.net.

Sulejman Ugljanin ka thënë se boshnjakët edhe dy herë të tjera ishin deklaruar për autonomi dhe shkëputje nga Serbia: Në vitin 1917 dhe në vitin 1943.

Qeveri e Serbisë bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri të Kosovës

Mbi 350 shtëpi të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, janë blerë nga qeveria serbe duke u ofruar shuma marramendëse parash.

Më së shumti shtëpi, sipas gazetës “Zëri”, shqiptarët i kanë shitur në “Lagjen e Boshnjakëve” mbi 120, por numër të madh të shtëpive të shqiptarëve Qeveria serbe i ka blerë edhe në lagjet tjera veriore.

Shqiptarët e veriut thonë se janë shitur mbi 60 për qind e pronave të tyre, në mesin e të cilave edhe banesa, të cilat paraprakisht janë uzurpuar nga serbët.

Në këtë mënyrë, duke blerë shtëpitë e shqiptarëve, Serbia bën spastrimin etnik në veri të Mitrovicës.

Protesta e opozitës në Mal të Zi: goditet me gurë Ambasada e Shqipërisë

Të shtunën në mbrëmje, gjatë protestave që po zhvillohen në Podgoricë është goditur me gurë Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi.

Ministria e Punëve të Brendëshme në Mali të Zi bëri të ditur se një grup protestuesish që vinin nga Nikshiqi, qytet afër Podgoricës, gjuajtën me gurë në drejtim të Ambasadës së Shqipërisë, duke shkaktuar dëme të vogla në godinë.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, komentoi në twitter, duke thënë se “ky ishte një sulm i papranueshëm ndaj ambasadës sonë në Mal të Zi nga demonstruesit. I kam kërkuar autoriteteve malazeze që të marrin masa për sigurinë e ekipit të ambasadës sonë”.

Protesta e opozitës malazeze “Fronti Demokratik” nisi mbrëmë në orën 19 dhe zgjati deri në orën 6 të mëngjesit. Sipas të dhënave të mediave të pavarura në protesta marrin pjesë afro 5 mijë protestues të ardhur nga disa qytete të Malit të Zi.

Protestuesit  kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Gjukanoviq dhe formimin e një qeverie të përkohëshme, e cila do të kishte një përfshirje të gjerë të partive politike parlamentare.

Opozita e Bashkuar Malazeze, kohë më parë, organizoi edhe një protestë kundër anëtarësimit në NATO gjë që sipas analistëve malazezë, tregon qëllimin e vërtetë të opozitës, destabilizimin e Malit të Zi dhe rajonit.

Përmes një komunikate për opinion, policia malazeze shprehu shqetësimin se protestat që po zhvillohen në Podgoricë mund të bëhen të dhunshme, pasi sipas tyre marrin pjesë edhe persona të dyshuar dhe të lidhur me krimin.

Protestat e opozitës po shkallëzohen në kohën kur Mali i Zi është kandidat për anëtarësim në BE dhe pritet që brenda këtij viti të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO.

Kriza e refugjatëve. Propozohet një mision kontrolli në kufirin Greqi-Maqedoni-Shqipëri

Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit po e shqyrtojnë çështjen e mbështetjes së krijimit të një misioni të ri për kontroll në kufirin e Greqisë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, thuhet në një propozim-deklaratë të përgatitur për bisedimet për krizën e emigrantëve nesër në Bruksel.

Ky operacion i ri i Agjencisë së kufirit të Bashkimit Evropian, Frontex, do të fokusohej në kontrollin në dalje dhe “regjistrimin e refugjatëve dhe migrantëve të cilët ende nuk janë regjistruar në Greqi”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve, raporton agjencia DPA.

Ky dokument fton për “implementim të menjëhershëm të masave bilaterale të mirëbesimit të ndërlidhura me kufirin” ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë.

Të dy vendet ende janë në një armiqësi të gjatë, pasi Greqia thotë se ky është emër i një province të saj.

Propozim-deklarata ende mund të ndryshoj para takimit të jashtëzakonshëm, që mbahet nesër në Bruksel. Ky takim është thirrur nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Erdogan: Sulmi në Ankara, vepër e përbashkët e disa organizatave terroriste

“Kjo është vepër kolektive terroriste. Këtu kemi edhe ISIS-in, PKK-në, al-Muhaberat dhe organizatën terroriste në veri të Sirisë, PYD. Të gjitha këto bashkarisht kanë planifikuar këtë sulm”, tha Erdogan

ANKARA – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se sulmi terrorist në Ankara është vepër e përbashkët e organizatave terroriste, përfshirë këtu ISIS-in, PKK-në, al-Muhaberat dhe PYD.

“Sulmi para stacionit hekurudhor në Ankara është tregues sesi terroristët të bashkuar dhe në mënyrë kolektive veprojnë. Disa thonë se këtë e ka bërë ISIS apo dikush tjetër. Megjithatë, kjo është vepër kolektive terroriste. Këtu kemi edhe ISIS-in, PKK-në, al-Muhaberat dhe organizatën terroriste në veri të Sirisë, PYD. Të gjitha këto bashkërisht kanë planifikuar këtë sulm”, tha Erdogan gjatë fjalimit të sotëm në Kuvendin e rregullt të 13-të të sindikatës HAK-IS.

Duke u drejtuar në një tubim të mbajtur në sallën e sportit “Ataturk” në Ankara, Erdogan foli për situatën aktuale në vend dhe rajon, ndërsa komentoi edhe kritikat në të cilat ai quhet “diktator” duke i pyetur se ku kanë qenë ata gjatë zgjedhjeve demokratike presidenciale apo parlamentare të këtij viti. Ai shtoi se këto kritika janë vetvetiu kontradiktore sepse asnjëherë dhe askund diktatorit të vërtetë kjo nuk është guxuar publikisht t’i thuhet.

Presidenti i Turqisë me këtë rast përsëriti se “vëllezërve të tij kurdë u qaset me zemër dhe qëllime të sinqerta”, dhe shtoi se nuk mund askujt t’i tregojë se për kë të votojë në zgjedhjet e përsëritura parlamentare më 1 nëntor, porse u bën thirrje të gjithëve që të jenë të guximshëm në luftën kundër terrorizmit, terroristëve dhe organizatave terroriste të cilat kanosin paqen dhe stabilitetin global.

Dy vetëvrasës me bomba të shtunën e 10 tetorit, kryen sulmin terrorist para stacionit hekurudhor në Ankara ku ishin tubuar disa mijëra qytetarë për të marrë pjesë në mitingun e paralajmëruar për mbështetje të paqes. Gjatë shpërthimit humbën jetën rreth 99 persona, ndërsa disa qindra të tjerë u plagosën. Forcat turke të sigurisë realizuan hetim të gjerë për autorët e sulmit. Deri tani është identifikuar vetëm një sulmues.

Njërin nga sulmet më tragjike terroriste në historinë moderne të Turqisë e dënuan shumë zyrtarë vendas dhe të huaj, si dhe organizata ndërkombëtare. aa

Hagë – Gjendet i vdekur dëshmitari i mbrojtjes i çështjes ‘Ratko Mladiç’

Eksperti i Forenzikës, Dushan Dunjiç i cili do të dëshmonte në mbrojtje të Ratko Mladiçit, është gjetur i vdekur në një hotel në Holandë mirëpo shkaqet e vdekjes nuk dihen ende.

Gjykata Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë ka njoftuar se dëshmitari për çështjen e Ratko Mladiçit, Dushan Danjic është gjendur i vdekur në një hotel të Hagës gjatë ditës së sotme, shkruan Balkaninsight.

Gjykata ka njoftuar se e ka gjetur trupin e Danjicit në hotel derisa ka thënë se ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së tij, transmeton zeri.info.

Ish komandanti serb, Mladiç po gjykohet në Hagë për krimet e luftës në Bosnje, apo më saktësisht për vrasjen e 7 mijë boshnjakëve në Srebrenicë më 11 korrik të vitit 1995.

Mladiç poashtu po akuzohet për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga Bosnja, e cila thuhet se ka arritur shkallën e gjenocidit në gjashtë qytete të tjera, transmeton zeri.info.

Ndërkohë dëshmitari i vdekur, Dunjic, më herët kishte dëshmuar si ekspert i mbrojtjes në disa raste të tjera në tribunalin e Hagës.

Në dëshminë e tij për gjyqin e Radovan Karaxhiçit në vitin 2013, Dunjic kishte thënë se ka ekzistuar dëshmi e firmosur se vetëm 450 deri 500 trupa të nxjerr nga varret masive pas rënies së Srebrenicës më 1995 kanë qenë viktimë e vrasjeve me armë.

Ndërkohë gjyqi për Ratko Mladiçin do të vazhdon të hënën./Zeri/

Refugjatët tensionojnë gjendjen në kufirin Serbi-Kroaci

Qindra njerëz, të lodhur nga pritja në shi dhe të ftohtë zonën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë u përpoqën të futen me forcë në Kroaci.

Në rrëmujën e krijuar pati edhe përleshje e incidente dhune, kur njerëzit e stresuar përpiqeshin të futeshin përmes kufirit, ndërkohë që autoritetet kanë lejuar vetëm pak veta, kryesisht familjarë me fëmijë të vegjël të kalojnë.

Disa nga refugjatët u përpoqën të ngrinin fëmijët mbi turmën që të mos shtypeshin nga njerëzit që shtynin drejt kufirit.

Kampet në Kroaci janë mbushur me refugjatë që presin të vazhdojnë rrugën drejt Evropës, dhe si rezultat kalimi i kufirit për emigrantët që vijnë nga Serbia është bllokuar thuajse tërësisht. Hungaria mbylli javën e kaluar kufirin me Kroacinë, duke ndalur lëvizjen e emigrantëve. Tani Kroacia po i dërgon turmat drejt Sllovenisë. Bllokimet e kalimeve po krijojnë turma të nervozuara në pikat kufitare të Ballkanit.

Ndërkaq, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar Çekinë për mbajtje të refugjatëve dhe emigrantëve në kushte poshtëruese. Komisioneri thotë se njoftimet nga kampet e refugjatëve dëshmojnë shkelje të të drejtave të njeriut në shkallë sistematike dhe jo aksidentale. Sipas zyrtarit të OKB-së duket se këto masa bëhen për të dërguar një sinjal që emigrantët e tjerë të mos tentojnë të futen në Çeki.

Pas historianes Perović edhe 100 intelektualë serbë mbështesin kryeakademikun e Serbisë Kostić se “Kosova është e humbur”

Voal – Përpara disa ditësh deklarata e Kryetarit të Akademisë së Shkenca dhe Arteve Vladimir Kostić u shoqërua me një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër nga presidenti i Serbisë Nikolić. Në deklaratën e lëshuar nga kabineti i Presidentit të Serbisë  thuhet se deklarata e kryeakademikut Vladimir Kostić është befasuese. “Presidentin Nikolić e ka befasuar shumë, që të mos përdorim ndonjë fjalë më të ashpër, deklarata e Presidentit të ASHAS Vladimir Kostić, se Kosova de facto është e pavarur dhe de jure e humbur për Serbinë dhe se aleanca me Rusinë është një alternativë artificiale dhe se Serbia duhet të hyjë në parajasën e BE-së”, thuhet në reagim. “Profesori Kostić e ka thënë këtë dhe ka mbetur i gjallë” vazhdon më tej reagimi.

Pas këtij reagimi të ashpër nga Nikolić, kryeakademiku Vladimir Kostić, një shkencëtar i njohur në neurologji, që e sheh të ardhmen e Serbisë vetëm tek integrimi në BE, deklaroi se nuk tërhiqet nga qendrimi i tij.

Në mbështetje të tij u deklarua menjëherë historiania serbe Latinka Perović, që  i ka thënë gazetës “Danas” se kryetari i Akademisë serbe ka thënë të vërtetën në lidhje me pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se me atë rast ai ka pasur sjellje të intelektualit të pavarur dhe të përgjegjshëm.

Dhe pas zonjës Perović tani në mbështetje të akademikut Kostić kanë dalë mbi njëqind personalitete të jetës publike të Serbisë, intelektualë dhe profesorë universiteti, përafqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë. Dialogplus ka sjellë një letër  nga Qendra për Politikë Praktike, në të cilën mes të tjerash thuhet se “Është e drejtë e secilit të shprehë qëndrimin e tij për Kosovën dhe për çdo temë tjetër. Kjo e drejtë nuk mund dhe nuk guxon të cënohet mga individët apo pushteti që e shpallin si interes nacional”. Këtë letër e kanë nënshkruar, mes të tjerëve, profesorët universitarë Dragan Popadiq, Dubravka Stojanoviq, Ratko Bozhoviq, Ilija Vujaçiq, Milena Dragiçeviq Sheshiq, Radina Vuçetiq, Jovan Teokareviq, Slobodan Markoviq, Svenka Saviq, akademiku Julijan Tamash, gazetarët Gordana Susha, Branko Çeqen, Rade Radovaniq, Grujica Spasoviq, Jelka Jovanoviq, Mijat Lakiçeviq, Misha Brkiq, Nadezhda Gaçe, Vukashin Obradoviq, Nebojsha Spaiq, Slavisha Lekiq, Vojkan Ristiq, Vesna Malishiq, sociologët Vesna Peshiq, Sreçko Mihajloviq, regjisorët Kokan Mladenoviq, Anja Susha, Goran Markoviq dhe të tjerë.

“Kjo është një përkrahje për gjestin e guximshëm të një njeriu, i cili ka thënë atë që e mendon shumica”, deklaroi Ljubinka Trgovçeviq, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Beogradit dhe po ashtu nënshkruese e letrës. “Njerëzit tanë, e sidomos politikanët tanë, më shumë duan të fshihen pas frazave patriotike të tipit , duke mos e pranuar se de fakto Kosova qëmoti është e humbur për Serbinë”, deklaroi Trgovçeviq në një kronikë të Radio Evropa e Lirë.  Po ashtu në mbrojtje të akademikut Kostiq ka dalë edhe PEN Qendra e Serbisë.

 

22-10-2015 15-11-57

Daçiçi: Ka ende shanse për Kosovën jashtë UNESCO-s

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se beson se ka shanse që Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në muajin nëntor, të mos e pranojë Kosovën si anëtare të kësaj organizate.

Duke folur për mediat serbe, Daçiç ka thënë se është e rëndësishme që Serbia të vazhdojë aktivitetet politike dhe se në Konferencën e Përgjithshme, në mesin e 60 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, do të jetë një numër i caktuar i atyre që do të votojnë kundër pranimit të Kosovës.

“Besoj se ka shanse që propozimi të mos kalojë. Ne do të jemi në Paris (aty ku ndodhet selia e UNESCO-s). Pasi duhen dy të tretat e votave që vendimi për pranimin e Kosovës të miratohet, shpresoj se në mesin e 60 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, një numër do të votojë kundër”, ka thënë Daçiç, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Të mërkurën, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, apo Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka miratuar rezolutën që rekomandon pranimin e Kosovës në këtë agjenci.


Send this to a friend