Më 27 Gusht 2026, ish kongresmeni dhe presidenti i LQSHA JoeDioGuardi u dërgoi nga një letër me të njëjtën përmbajtje Albin Kurtit, Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut e Ardian Gjinit ku propozonte për president konsensual Faton Bislimin, një personalitet me të cilin Joe DioGurdi dhe LQSHA ka bashkëpunuar që kur Bislimi vazhdonte studimet në SHBA. Dhe ky bashkëpunim midis tyre në interes të shtetit të Kosovës nuk ka rreshtur kurrë. Faton Bislimi i ka qendruar në krah Skënderbeut modern të Shqiptarëve në lobimin me administratat Amerikane, qofshin Republikane apo Demokrate, si një interlokutor i plotbesueshëm.
Të njëjtin propozim publik me Joe DioGuardin, njëkohësisht, bëri edhe Ambasadori William Walker, për të njëjtin emër.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë moderne të shtetit që dy nga Figurat më të shquara me ndikim thelbësor në arritjet që Kosova gëzon sot,
sikur Ambasadori Walker që e ktheu rrotën e historisë në favor të viktimës
dhe Kongresmeni JoeDioGuardi që e vuri temën e Kosovës si çështje për t’u zgjidhur në kryemetropolin e demokracisë Washington D.C
në favor të Kosovës e popullit të saj të nëpërkëmbur, të shtypur e konsideruar i dorës së fundi nga regjimi kriminal serb,
bashkë që të dy,
dy Zëra të Fuqishëm që vijnë nga SHBA,
të propozojnë të njëjtin emër si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.
Emrin e Faton Bislimit i cili ka filluar bashkëpunimin me administratat Amerikane, me Kongresin e SHBA dhe Komitetin për Punë të Jashtme që kur drejtohej nga Kongresisti i shquar Miku i paharruar i kombit shqiptar Tom Lantosh.
Këto dy figura të ndritura, DioGuardi dhe Walker dhe dy zëra të fuqishëm direkt me ndikim në Administratat e SHBA, bëhen garant për kandidaturën e Faton Bislimit si President i Republikës së Kosovës
ndërsa politika e dështuar e Kosovës bën syrin qorr e veshin shurdh duke sanksionuar falimentin e saj.
Po i kthehem letrës së 27 Gushtit 2026 që kongresmeni dhe presidenti i LQSHA i ka dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderëve të opozitës e cila është mbajtur në heshtje, diçka e papranueshme.
Kësaj letre që asnjë nga katër liderët nuk marrin mundimin ta vendosin në qendër të vemendjes, kur do të duhej të mbanin qendrim publik, i shtohet edhe Letra e Hapur që Joe DioGuardi i dërgon para dy ditëve lidërshipit aktual të Kosovës,
duke paraqitur kërkesën e tij të vetme, të parën e të fundit, si amanetin e tij, propozimin e Faton Bislimit, si kandidat për Republikën e Kosovës, si një figure tashmë të mirënjohur për aktivizmin e tij të pandalshëm me Administratat e SHBA në interes të Republikës së Kosovës dhe Çështjes Shqiptare në përgjithësi.
Joe DioGuardi i lutet klasës politike ta mbyllë këtë krizë institucionale në dëm të shtetit të Kosovës me një emër që meriton respekt për të qenë President konsensual.
Deri më tani ka heshtje.
Por kjo heshtje duhet të marrë fund.
Liderët politikë janë të detyruar të respektojnë një lutje apo kërkesë nga Zëra të fuqishëm që përfaqësojnë SHBA.
Partitë e Kosovës janë tepër të vogla përpara kontributit dhënë për Kosovën nga Joe DioGuardi.
Deputetët e partive të ndryshme, një pjesë e madhe me moshë të re dhe pa fare kontribute, duhet të bëhen të përgjegjshëm se roli i tyre si përfaqësues të popullit nuk ka vlerë që t’i binden kryetarëve të partive, por votuesit nga ku kanë marrë votbesimin që të mbrojnë interesin e shtetit të Kosovës, që sot është më i nëpërkëmbur se kurrë nga kjo klasë politike që ka mbetur peng e Katërshes së Hagës.
O sot o kurrë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të marrin përgjegjshmërinë që u takon,
duke e krahasuar veten se çfarë kanë bërë seicili nga ata për Kosovën
dhe çfarë roli kanë pasur dhe çfarë kanë bërë për Kosovën Kongresmeni JoeDioguardi dhe William Walker,
i cili i tha Perëndimit se UÇK nuk ishte organizatë terroriste sikur i kish etiketuar i dërguari special i SHBA në Ballkan dhe se kryekasapi i Ballkanit në 15 janarin e 1999 në Reçak kish kryer krime kundër njerëzimit.
Të dy këta burra, DioGuardi dhe Walker propozojnë Faton Bislimin si kandidat për president të Republikës së Kosovës.
Asnjëri prej jush që jeni pjesë e atij Parlamenti nuk e gëzoni këtë privilegj moral, as nuk keni të drejtën ta anashkaloni, por e keni për detyrë të respektoni propozimin dhe pastaj seicili prej jush të tregojë përgjegjshmërinë e vet ndaj shtetit të Kosovës.
Mos ia vini veshin kurrë as folklorizmave për tradhëti të Edi Ramës apo ndonjë shkrimtari që vjen nga oborri famëkeq i partisë së tij.
SHBA janë Aleati ekzistencial i kombit shqiptar, dmth i përhershëm,
për inat të gjithkujt që ia do të keqen Kosovës
apo e mat Kosovën qoftë me kutin e lakmive të vjetra mitomane
apo me kutin e politikanëve minukë dhe anonimë që mjerisht duan të dalin, diçka e pamundur, mbi interesat kombëtare dhe Euro-Atlantike të Kosovës.