VOAL

VOAL

Beograd: Protestë kundër projektit të Emirateve të Bashkuara Arabe

June 12, 2016

Komentet

Vdes shqiptarja gjatë lindjes në Vranjë, rasti nuk raportohet në polici e prokurori nga spitali

Një grua shqiptare nga Komuna e Preshevës, ka vdekur gjatë lindjes në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.

Ngjarja ka ndodhur më 17 prill, ndërsa foshnja ka mbijetuar dhe është në gjendje të mirë, raporton Luginalajmi.

Por sipas medias lokale, vdekja e 37-vjeçares shqiptare M.A. nuk është raportuar në polici apo në prokurori nga mjekët kujdestar, por Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë, ka nisur hetimet në bazë të shkrimeve në rrjetet sociale, e cila ditën e shtunë ka urdhëruar policinë që të kontrollojë Qendrën Shëndetësore të Vranjës.

‘Pas hetimeve, policia ka konfirmuar në Prokurori se autopsia e gruas në lindje është kërkuar që të zhvillohet në Institutin për Mjekësi Ligjore në Nish’ – thuhet në deklaratën e kryeprokurores publike, Danijela Trajkoviq.

Megjithatë, sipas mediave nga Vranja tanimë po përcaktohen rrethanat në të cilat ka vdekur lehonia shqiptare, ndërsa kontrolli i brendshëm, autopsia klinike dhe mjeko-ligjore ka përfunduar në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.

Siç ka paralajmëruar drejtori, Sasha Gjorgjeviq, të hënën pritet ardhja e inspektorit shëndetësor në ketë institucion shëndetësor.sn

Ish-presidenti slloven: Do të ofroj plan dhe referenca për dialogun Kosovë-Serbi nëse BE më përzgjedh si ndërmjetës

Ish-presidenti slloven Borut Pahor, i cili po synon pozitën që do ta lërë emisari Miroslav Lajçak në gusht, ka treguar pikëpamjen e tij se dialogu “ka ngecur për shkak të mungesës së besimit” dhe tha se ai ofron planin e tij për ta rikthyer besimin e tij.

I pyetur nga Kosovo Online se çfarë do të ndryshojë në dialog në rast se merr pozitën e synuar dhe ku e sheh zgjidhjen, Pahor është përgjigjur se nuk mund ta thotë këtë tani, por se është i interesuar për postin e të dërguarit special të BE-së.

“Nuk mund ta them këtë tani, derisa të fillojë procesi. Unë kam vendosur të shkoj në atë proces dhe pastaj, nëse e pranojnë atë vendim, do të them dhe do të ofroj të gjitha referencat e mia, do të jap planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, tha Pahor.

Ai theksoi se pa progres në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt. I pyetur nëse është e mundur që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë në BE në vitin 2030, ai pranon se ndoshta nuk është e mundur, por pa optimizëm as 2050 nuk do të jetë as një vit realist.

“Optimizmi ka ekzistuar në vitin 2004, nuk ekziston sot. Prezantimi im në takim, kur thashë për vitin 2030, nuk u prit me duartrokitje, sepse askush nuk beson se as BE-ja dhe as vendet e rajonit nuk do të jenë gati në 2030. Por, nëse vazhdojmë kështu, atëherë rajoni nuk do të jetë në BE as në vitin 2050. Dhe koha po ikën”, tha Pahor në Lubjanë, ku Instituti i tij “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” organizoi një konferencë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE.

Për shkak të të gjitha sfidave gjeopolitike, si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme, paqja duhet të ruhet, tha ai.

“Le të mos bëjmë shaka. Ne jemi përgjigjka për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së njerëzve në këtë pjesë të Europës. Vetëm zgjerimi i Bashkimit Europian është një garanci e qëndrueshme e paqes dhe sigurisë”, përfundoi Pahor./Express/

Serbi: Hetohen kërcënimet në internet ndaj ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill

VOA

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi, ka filluar hetimet lidhur me kërcënimet në internet drejtuar ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill.

Kërcënimet pasuan një vizitë të ambasadorit amerikan me 15 prill në Fakultetin Filozofik në Novi Sad, ku u takua me profesorin e atij fakulteti dhe gazetarin Dinko Gruhonjiç, të cilin grupet e djathta në Serbi e akuzojnë për “përhapjen e urrejtjes” në paraqitjet e tij publike, në të cilat ai kritikon rritjen e nacionalizimit në Serbi.

Pas kësaj ambasadorit Hill dhe profesorit Gruhonjiç u janë drejtuar kërcënime, kryesisht përmes rrjetit Telegram. si “Plumb për të dy”, “Do ta vrisja këtë Hillin pa një grimë keqardhjeje”, “Vrite Hillin” etj., ndërsa u publikua edhe një fotografi e ambasadorit amerikan nën shënjestrën e një pushke snajper.

Kërcënime ndaj ambasadorit amerikan në Beograd, Chris Hill

Kërcënime ndaj ambasadorit amerikan në Beograd, Chris Hill

As ambasadori Hill, as ambasada amerikane në Beograd dhe as Departamenti i Shtetit, nuk kanë bërë ndonjë koment lidhur me kërcënimet.

Gjatë vizitës ambasadori Hill kishte qëndruar edhe në studion televizive multimediale, e cila është ndërtuar me ndihmën e ambasadës amerikane dhe ka biseduar me profesorët dhe studentët për gjendjen e lirisë së mediave në Serbi dhe kërcënimet ndaj tyre në Novi Sad.

Vizita e tij në Fakultetin Filozofik u bë dy javë pas bllokadës katërditëshe të këtij fakulteti, të organizuar nga grupet e djathta: “Eco Çetniks”, Rinia Mbretërore Serbe e Novi Sadit dhe Shoqata e Studentëve të Republikës Serbe.

Një ish diplomat serb, Zoran Milivojeviç i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se, duke pasur parasysh se këto janë kërcënime serioze, pret që autoritetet përgjegjëse “të identifikojnë kërcënimet, të parandalojnë pasojat e mundshme negative që lidhen me këto kërcënime dhe të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e plotë të ambasadorit”.

Zoti Hill u emërua në postin e ambasadorit amerikan në Serbi në vjeshtën e vitit 2021. Një diplomat karriere, ai ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në tetor të vitit 2016, ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani, e nderoi zotin Hill me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në vitet e 90-ta ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.

Gjatë luftës në Kosovë, zoti Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.

Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”.

Republika Sërpska miraton raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e ka miratuar të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Ky vendim u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se rezoluta mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.

Rezoluta është pjesërisht e ngjashme me rezolutën për gjenocidin e Ruandës, ku rreth 800.000 tutsi dhe hutu ishin vrarë. Drafti i saj është zhvilluar nga një grup vendesh, përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.

Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu. Radio Evropa e Lirë

Biserko: Komuniteti serb në Kosovë po instrumentalizohet për interesat e Beogradit

Kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko ka folur për integrimin e serbëve të Kosovës. Gjatë fjalës së saj Biserko u shpreh se komuniteti serb në Kosovë po përballet me presion të ashpër nga Beogradi.

Sipas saj, ata po instrumentalizohen për interesat e Beogradit dhe jo për interesat e tyre. Biserko ka deklaruar se ideja për ndarje të Kosovës është ende në tavolinë kur flitet për qëllimet e Serbisë por jo edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

“Pas rastit të Banjskës dhe luftës në Ukrainë, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar dhe siç e dini, është përfolur për një front të dytë në Ballkanin perëndimor, dhe që atëherë komuniteti perëndimor e ka rritur prezencën e tij”, tha ajo.

Biserko foli edhe në lidhje me sulmin  eregjistruar para disa muajsh në Banjskë ku u shpreh se ka një qasje të re ndaj Serbisë.

“Ka një qasje të re anipse ata janë ende duke mbajtur derën hapur ndaj Serbisë për të iu bashkangjitur anës perëndimore në vend të lindjes. Janë disa ndryshime që diskutohen në Serbi dhe që përshkruhen si akte armiqësore nga perëndimi ndaj Serbisë”, ka thënë ajo për KTV.

Lirohen kosovarët që u ndaluan në kufirin Kroaci-Serbi

Pas orësh të tëra të bllokuar, janë liruar udhëtarët nga Kosova që ishin ndaluar nga autoritetet kufitare serbe në vendkalimin Kroaci-Serbi.

Ata u ndaluan pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u dha drita e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ndalimi i tyre ka nxitur reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.

Ndërkohë ende nuk dihet për kosovarët e ndaluar në vendkalimin kufitar Serbi – Hungari.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar edhe për ndalimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës te “Dheu i Bardhë”.

Ai tha se qytetarët atje po mbahen me orë të tëra nga autoritetet serbe.bw

Vuçiq dhe Dodik filmohen duke fyer gazetaren: Shiko lopën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjendet në panairin ekonomik në Mostar, Bosnje-Hercegovinë.

Vuçiq ka shprehur nervozizëm gjatë ditëve të fundit për Rezolutën që do të miratohet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ku një sërë vendesh me ndikim janë pro njohjes së gjenocidit në Srebrenicë.

Gazetarja tha se në Srebrenicë ka pasur gjenocid dhe se në Hagë është vërtetuar se Serbia është fajtore për mos parandalimin e gjenocidit.

Vuçiq e ndërpreu atë duke pohuar se “nuk është e vërtetë, mos e shpik. Është vërtetuar se Serbia nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për gjenocidin, vetëm për ta mbajtur parasysh. Mos i mashtroni njerëzit si ju i mashtroni njerëzit në Sarajevë që kam bartur një snajper, se kam qëlluar dikë”.

“Problemi është se ju vazhdimisht shpikni, se nuk mund t’i përmbaheni fakteve, se ju në Sarajevë duhet të shpikni diçka,” vazhdoi ai. “Dhe ti duhet të më dëgjosh mua”, i preu përsëri ai fjalën.

Dodik iu bashkua duke thënë se më shumë serbë u vranë në Sarajevë gjatë rrethimit sesa u vranë në Srebrenicë.

Vuçiq dhe Dodik më pas, mjaft të revoltuar, u larguan nga panairi.

Është regjistruar biseda e tyre në të cilën ndër të tjera Dodik e quan gazetaren lopë.

Vuçiq dhe Dodik kritikojnë gazetaren për pyetjen në lidhje me Srebrenicën, dhe më pas i referohen deklaratës së mëparshme të Dodikut në panair, në të cilën ai la të kuptohet për daljen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina nëse rezoluta miratohet, për të cilën Vuçiq, para konflikti me gazetaren, ka reaguar para gazetarëve serbë me njëfarë indinjate ndaj deklaratës së Dodikut, ndonëse ka shtuar se në disa gjëra kishte të drejtë.sn

Transkripti i bisedës mes Dodik dhe Vuçiqit

Më poshtë transkripti i gjithë bisedës mes Dodik dhe Vuçiqit pas bashkëveprimit me gazetarie.

Dodik: Shikoni ato lopët e N1, si quhen. Ajo ka të vërtetën e saj, të thotë dhe largohet.

Vuçiq: Çfarë do të bësh…

Vuçiq: Dhe e keni parë ndërtimin? Fillimisht ju thotë se çfarë fajtore ka Serbia, por pastaj ju thotë se Serbia nuk përmendet.

Dodik: Po…

Vuçiq: E di, duhet të jesh i lumtur, mendoj…

Dodik: Epo, kjo është historia e tyre që ju nuk e përmendni, po, po. Dhe si “po, cili është problemi”.

Vuçiq: Po…

Vuçiq: Por e pashë, Mile, se gazetarët në Serbi janë të kënaqur me njoftimet e tua. Nuk më intereson çfarë u thashë…

Dodik: Hahaha

Dodik: Dhe çfarë tjetër, nuk ka të bëjë me vullnetin… Të lë me një zgjedhje, çfarë? Dëshiron të qëndrosh e të vuash…? Mendoni se netji do të ndalet këtu? Ata kurrë nuk do të…

Vuçiq: Të vizitojmë vëllezërit tanë hungarez këtu? (duke iu referuar pjesës së panairit ku ekspozojnë hungarezët)

Dodik: Që të mos ndihen vetëm…

Vuçiq: Ku jeni? Përderisa ka serbë, hungarezët nuk janë vetëm.

 

https://www.voal.ch/wp-admin/post.php?post=511353&action=edit

Si u rekrutua ish-kryeprokurori special i Malit të Zi nga bandat kriminale

Ish-kryeprokurori special i Malit të Zi, Milivoje Katniç u arrestua së bashku me një ish-zyrtar të lartë policor, të quajtur Zoran Lazoviç.

Lajmi bëri shumë bujë në mbarë rajonin, ndërsa raportohet se hetimet ishin nxitur nga Bashkimi Europian. Edhe në këtë rast, zbërthimi i komunikimeve në rrjetin SKY duket se ka luajtur një rol vendimtar për hetimin e tyre.

Mediat e Malit të Zi raportojnë se ishte pikërisht zyrtari i lartë policor Zoran Lazoviç që kishte formuar një organizatë kriminale në vitin 2020.

Ai kishte rekrutuar në këtë organizatë të birin e tij, Petar, që vepronte si ‘agjent i maskuar’; kryeprokurorin special Katniç dhe prokurorin special Sasha Cadenovic, të arrestuar më herët.

Qëllimi i bandës ishte të bashkëvepronte me grupin kriminal famëkeq të Radoje Zvicer nga Kotori me qëllim përfitimesh të paligjshme.

Lazoviç dhe Katniç ndihmuan edhe kriminelët famëkeqë serbë Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç që të futeshin në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, edhe pse ndaj tyre kishte një urdhër-ndalimi.

‘Vëllezërit’ Belivuk dhe Miljkoviç njihen si njerëz të ngushtë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Pasi i ndihmuan të futen në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, Lazoviç u dërgoi një mesazh në SKY.

“Tani jeni të sigurtë. Tani mund të udhëtoni. Ky është një vend i sigurt. Faleminderit që udhëtuat me SBPOK (sektori i luftës kundër krimit të organizuar)”.

Lazoviç i dërgonte mesazhe kryeprokurorit special dhe ky i fundit udhëzonte prokurorin special Cadenoviç se si duhej të vepronte. sn

Vuçiçi: Serbia do të dalë nga Këshilli i Evropës sapo të pranohet Kosova!

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra të gjithë liderëve evropianë në lidhje me njoftimin se Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës, tha më 12 prill ministri i Financave Sinisha Mali.

“Serbia do të bëjë gjithçka që ai pranim të mos ndodhë… Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe ajo betejë që na pret,” tha Mali për Happy TV.

Sipas tij, Serbia është objekt i presionit më intensiv deri më tani.

Mali tha se problemet më të mëdha në rajon ishin çështja e marrëdhënieve midis Republikës Srpska dhe autoriteteve qendrore në Bosnje dhe Hercegovinë, situata në Kosovë dhe Metohi, çështja e vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë dhe mundësia e miratimit të një rezolute të OKB-së. për gjenocidin në Srebrenicë.

Vuçiç: Përgjigja e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë e fortë

Reagimi i Serbisë ndaj pranimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë i fortë dhe i përgjegjshëm, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një fjalim më 29 mars. Vuçiç nuk pranoi të thotë saktësisht se cili do të jetë reagimi i Serbisë, por tha se Beogradi mbetet i gatshëm të negociojë.

“Ne do të vazhdojmë të flasim. Jam i gatshëm të dëgjoj mendimin e Kuvendit dhe të qeverisë. Do të përgatitemi dhe do të presim”, tha Vuçiç, shkruan RFERL.

Vuçiç më 28 mars hodhi poshtë vlerësimet se Serbia po e braktis rrugën e saj evropiane pasi shpalli një dalje të mundshme nga Këshilli i Evropës nëse kjo organizatë pranon Kosovën, një ish-krahinë e Serbisë, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.

Ai në fjalën e tij vlerësoi se një iniciativë evropiane për ta futur Kosovën në Këshillin e Evropës vjen pa kushte për Prishtinën.

“Edhe pse sanksionet evropiane ndaj Kosovës janë zyrtarisht në fuqi për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Brukselit], në vitin e kaluar Prishtina ka marrë pjesë në të gjitha forumet ndërkombëtare perëndimore”, tha Vuçiç.

Vuçiç po i referohej një marrëveshjeje të arritur nga vendi në 2013 në Bruksel për të normalizuar marrëdhëniet rreth pesë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, veçanërisht një angazhim për të krijuar një Asociacion të Komunave Serbe për të përfaqësuar komunitetet me shumicë serbe.

Vuçiç shpalli më 22 mars se Serbia do të largohet nga Këshilli i Evropës pas më shumë se 20 vitesh anëtarësim nëse do të pranohej Kosova.

Ideja e tij u mbështet nga ish-kryeministrja Ana Brnabiç, e cila tani është kryetare e parlamentit.

“Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të shkelte statutin e atij institucioni dhe do të rrezikonte rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Ana Brnabiç.

Këshilli i Evropës, një organizatë e pavarur evropiane, u themelua në Londër në vitin 1949 dhe merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Janë 46 vende anëtare, duke përfshirë 27 shtetet e Bashkimit Evropian. Anëtarët janë nënshkrues të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut./SYRI.NET

Serbia në fushatë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kundër rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë

VOA

Zyrtarë të qeverisë serbe thanë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u ka nisur të premten letër presidentit francez Emanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe udhëheqësve të tjerë evropian për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithë thirrjet perëndimore për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Po të premten, presidenti serb takoi ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës në përpjekjet e Serbisë kundër miratimit të mundshëm të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi gjenocidin në Srebrenicë.

Presidenti Vuçiç, i ka cilësuar këto dy çështje si “sfida të rënda” para Serbisë. Javën e kaluar urdhëroi qeverinë e tij të themelojë një grup punues për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi pritet të votojë me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave.

Të enjten në mbrëmje presidenti serb i cili mblodhi në Beograd udhëheqësit e qeverisë së tij dhe ata të Republikës Serbe, sërish përvijoi mundësinë qe vendi i tij të tërhiqet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare e tij, ndërsa kritikoi ashpër vendet kryesore perëndimore që kritikuan Listën Serbe në Kosovë për shkak të thirrjeve të saj për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.

“Ata duhet të turpërohen”, tha ai, duke i akuzuar perëndimorët se duan ta bëjnë Kosovën pjesë të Këshillit të Evropës “pa plotësimin e kushteve”, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 27 mars Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër.

Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një levë për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Presidenti serb Vuçiç, takoi të premten ambasadorin kinez në Beograd për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës “në luftën për të vërtetën para Kombeve të Bashkuara”.

Me 17 prill në OKB pritet të prezantohet një projekt-rezolutë që shpall 11 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje, por sipas informacioneve që ka siguruar Zëri i Amerikës, pjesë e kësaj nisme janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia, Franca dhe vende të tjera.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Megjithë vendimin e gjykatave ndërkombëtare se në Srebrencië është kryer gjenocid, Beogradi e mohon një gjë të tillë.

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ai ushtarak Ratko Mladiç, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë.

Presidenti serb e cilësoi nismën për rezolutën në OKB, si “të pafytyrë” duke theksuar se Serbia “do t’u kundërvihet vendeve të NATO-s, nga Gjermania në Turqi”.

Presidenti pro rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, paralajmëroi se parlamenti i entitetit të tij do të ndërmarrë veprime për t’i braktisur institucionet vendimmarrëse në Bosnje, nëse kalon rezoluta, që sipas tij “synon t’i bëjë serbët kolektivisht fajtorë për gjenocid”, duke mohuar sërish që kjo të ketë ndodhur në Srebrenicë.

Milorad Dodiku është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përpjekjeve për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë.

Qeveria e Republikës Serbe nisi në fund të marsit procesin e miratimit të ligjit të saj zgjedhor me të cilin synon të marrë kompetencat nga autoritetet qendrore të Bosnjës.

Të premten ambasada amerikane në Sarajevë tha se krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga qeveria e Republikës Serbe do të ishte antikushtetues dhe kundër marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë me 1995.

“Milorad Dodik gabon nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë ndërsa ai ndjek agjendën e tij ndarëse dhe e shtyn Bosnjën drejt konfliktit”, thuhet në një postim të ambasadës amerikane të shpërndarë në rrjetin X, duke nënvizuar se “çdo përpjekje e një entiteti apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore për t’u shkëputur është një veprim kundër Dejtonit që nuk do të tolerohet”.

Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Bosnje për të shmangur një pjesë të vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Bosnja mbetet etnikisht e tensionuar dhe politikisht e brishtë pas luftës së viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

‘Serbinë e pret lufta, jemi në presion!’ Vuçiçi u dërgon letër liderëve europianë për Kosovën

Presioni ndaj Serbisë nuk ka qenë kurrë më i madh. Kështu pretendon ministri i Financave në serbi Sinisha Mali, i cili konfirmoi se presidenti Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra liderëve europianë këtë mëngjes për çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës.

Siç pretendon, Vuçiç u ka shkruar kancelarit të Gjermanisë Olaf Sholc, presidentit francez Emanuel Macron dhe liderëve të tjerë.

“Nuk e kam parë presidentin më të shqetësuar se këto ditë. Presionet dhe problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, deklaroi ministri i Financave që përmendi si sfida,  Kosovën, sanksionet ruse dhe rezolutën për Srebrenicën.

“Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe lufta që na pret”, tha Mali , duke shtuar se Serbia do të bëjë gjithçka që anëtarësimi i Kosovës të mos ndodhë. Ai theksoi se kushdo që e njeh Vuçiçin e di se dorëzimi për të nuk është një opsion dhe se ai gjithmonë. sn

Fitër Bajrami- Përdorej si galeri arti, hapet pas 102 vitesh për besimtarët Xhamia e Re në Selanik

Pas 102 vitesh në Selanik është hapur sot për herë të parë Xhamia e Re për kremtimin e Fitër Bajramit nga myslimanët e këtij qyteti. Monumenti historik, i cili përdoret si hapësirë ekspozite e Galerisë së Arteve Komunale, u është dhënë për herë të parë që nga viti 1922 myslimanëve për faljen e namazit, pas agjërimit të Ramazanit. Vendimi është marrë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Feve dhe sipas ligjit, imami që kryen namazin është zgjedhur nga shteti grek. Namazi i parë në Xhaminë e re ka nisur herët në mëngjes në orën 7.30.

Prej orëve të para të mëngjesit ka pasur një prezencë të forcave policore dhe masa të rrepta sigurie, mes të cilave kontrolli në të gjithë zonën dhe brenda xhamisë para se të hapej.

Kujtojmë se pas një sërë pengesash burokratike, xhamia e parë në Athinë ku jetojnë mbi 300 mijë myslimanë, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, është hapur në vitin 2021.

Sipas të dhënave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Feve, në Atikë, përveç xhamisë islame të Athinës, funksionojnë 15 xhami të licencuara, ndërsa ato jozyrtare llogariten nga 55 deri në 60. Në Thrakë ka rreth 300 xhami dhe një në Kos, Rodos, Thebë dhe Selanik.

Qytetarët myslimanë grekë janë afërsisht 125,000 dhe jetojnë kryesisht në Traki. Në Atikë, refugjatët dhe emigrantët myslimanë vlerësohen në 250,000 kryesuar nga pakistanezët.bw


Send this to a friend