VOAL

VOAL

Komisioni i Venecias, thirrje për rishqyrtimin e ligjit të ri për gjuhët në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Komisioni i Venecias i bën thirrje Maqedonisë së Veriut ta rishqyrtojë ligjin e ri mbi përdorimin e gjuhëve dhe të heqë dorë nga dispozitat e dygjuhësisë në procedimet gjyqësore.

Në opinionin e miratuar të premten, 6 dhjetor, Komisioni u sugjeron autoriteteve në Shkup që rishqyrimi të bëhet përmes konsultimeve me të gjitha palët e përfshira.

Ekspertët ligjorë të Këshillit të Evropës nënvizojnë se në krahasim me legjislacionin e vitit 2008, ligji i ri e zgjeron në mënyrë të konsiderueshme përdorimin e gjuhës shqipe dhe në më shumë aspekte shkon përtej standardeve të vendosura nga Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave.

Ndërkohë që Komisioni i Venecias e përshëndet vullnetin e autoriteteve për të përmirësuar gjendjen e gjuhëve të komuniteteve, nga ana tjetër konstaton se “në disa fusha ligji i ri mund të shkojë aq larg sa për të imponuar atë që mund të dëshmohet si detyrim joreal ligjor ndaj institucioneve publike, në veçanti për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe gjatë procedimeve gjyqsore, të lidhur me sanksione të rënda në raste të moszbatimit dhe mundësisë së kthimit të vendimeve gjyqësore, nëse ka mungesë të përkthimit dhe shqiptimit gjatë procedimeve”.

Komisioni vlerëson se kjo qasje do ta ngadalësojë dukshëm funksionimin e të gjithë gjyqësorit, “duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të ndershëm të garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Komisioni nënvizon më tej se ka mungesa në ligjin e gjuhëve lidhur me atë se cilat dispozita aplikohen vetëm për gjuhën shqipe dhe cilat për komunitetet e tjera gjuhësore.

Komisioni i bën një sërë rekomandimesh autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, në veçanti për të hequr dorë nga dispozitat që kanë të bëjnë me procedimet gjuhësore.

Po ashtu rekomandon që detyrimi mbi përdorimin e shqipes në komunikim ndërkombëtar dhe ndër-institucional ndërmjet shërbyesve civilë duhet të kufizohet në komunikimet zyrtare me shkrim ose të shtyhet hyrja e tij në fuqi deri sa zbatimi i përshtatshëm i asaj dispozite të duket real.

Sa i përket detyrimit të gjobave në para, ekspertët ligjorë të Këshillit të Evropës sugjerojnë se kjo duhet të shtyhet derisa ligji të ndryshohet, në mënyrë që të ofrojë një qartësi të mjaftueshme ligjore, për të ulur shumat e gjobave si dhe për të paraqitur elementin e fajit dhe parimet e proporcionalitetit. Autoriteteve në Shkup po ashtu u sugjerohet të bëjnë një analizë të ligjit të vitit 2008 dhe llogaritjes së impaktit të burimeve buxhetore dhe njerëzore nga ligji i ri i gjuhëve.

Ligji i miratuar më 11 janar thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”. Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.

Kjo kishte shkaktuar debate disa muajshe nëse gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni apo vetëm avancohet përdorimi i saj.

Sidoqoftë, gjuha shqipe me ligjin e ri pritet të ketë avancim në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale.

Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 përqind të popullsisë së Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, ngërtheu brenda vetes një sërë ligjesh që ngritnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe pati mbetur gjatë kohë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare në Maqedoni.

Një histori suksesi- 34 vjeçarja Ajser Ademi sot u emërua prokurore në Maqedoninë e Veriut

Juristja 34 vjeçare Ajser Ademi nga Shkupi sot edhe zyrtarisht u emërua prokurore në Prokurorinë Themelore në Shkup. Ajo dha betimin para Këshillit të Prokurorëve  të Maqedonisë së Veriut se do të angazhohet që të ndaj drejtësinë në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët,  konform kushtetutës dhe ligjit.

Ajseri ka zgjedhur profesionin e drejtësisë të cilës ia ka kushtuar gjithë jetën duke shpresuar se është e gatshme që të kontribuojë edhe më shumë në pozitën e prokurores për të ndëshkuar shkelësit e ligjeve në Maqedoni.

Ajo ka mbaruar me sukses të dalluar Akademinë prestigjioze 2 vjeçare për gjykatës dhe prokurorë në Shkup “PAVELL SHATEV”  ku është përgatitur në mënyrë profesionale  nga profesorë dhe ekspertë të prokurorisë, gjykatave, policisë dhe fushave të ndryshme.

Ajser Ademi ka studiuar drejtësinë në Universitetin më të mire në Maqedoni, ndërsa ishte fituese e bursës në Universitetin e UEJL-së për master në diplomaci nga Ambasada Holandeze në Shkup.

Në afat rekord me notat me larta ka mbaruar drejtësinë, ku profesor eminent të fushës së drejtësisë kanë vërejtur talentin e rrallë të studentes së dikurshme, se një  ditë do të bëhet prokurore dhe do të jetë gardiane e ndarjes se drejtësisë.

Që nga viti 2007, një kohë të gjatë ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, si një nëpunese e shkëlqyeshme.

Ajser Ademi, një vajzë e lindur dhe rritur në qytetin e bukur të Shkupit, që vjen nga vendbanimi Haraçinë, nga një familje me tradita dhe vlera njerëzore, njihet nga të gjithë për bujarinë e humanizmin që e karakterizon familjen nga babai, Ibush Ramadani nga Haraçina e Shkupit.

Ajseri ka rrëfyer per sfida, triumfet e saj,pasi vazhdoi karrierën menjëherë edhe pas lindjesë së fëmijës së tretë, Ronës, duke u regjistruar në Akademin prestigjioze per gjykatës dhe prokurorë në Shkup.

Ajo tregón për vrullin e një nëne të re me 3 fëmijë të vegjël, por të plotësuar ëndrrën e saj që të jetë  e dobishme për familjen dhe shoqërinë.

Si arriti BE ta ballkanizojë Ballkanin – Nga Katerina Kolozova

Ky është momenti i duhur kur Europa Perëndimore duhet të kuptojë se ka më shumë se një mënyrë për t’u bërë europian.

Më 18 tetor, Franca ishte e vetme në kundërshtimin që i bëri pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të BE-së, si Donald Tusk, Jean-Claude Junker dhe Komisioneri Johannes Hahn shprehën keqardhje ndaj vendimit të qeverisë franceze.

Studiues dhe vëzhgues të ndryshëm e përshkruan votën e Presidentit francez Emmanuel Macron si një “gabim të madh”, analizon Katerina Kolozova.

Justifikimi që z. Macron i bëri “jo-së së tij historike” në pranimin e hapjes së negociatave të pranimit të dy shteteve të mësipërme ishte se ai nuk mund t’i siguronte njerëzit e tij se gjithçka “po shkonte vaj”, sa ai të pranojnë të hapë negociatat, kur ndërkohë numri i shqiptarëve që po aplikojnë për azil në Francë po rritet nga dita në ditë.

Kjo frikë e emigracionit nga brenda Europës nxjerr në pah faktin se jo të gjithë europianët shihen si të barabartë, p.sh., disa europianë janë dukshëm më europianë se të tjerët.

Nuk është çudi që instrumentet dhe nismat e ndryshme që kanë qenë pjesë e procesit të integrimit europian quhen “Europianizim”.

T’i përkasësh të njëjtit kontinent dhe të ndash trashëgimi kulturore të ngjashme, mesa duket nuk është ajo çka europianizmi do të thotë.

Përkundrazi, elementet që të bëjnë një europian të vërtetë, duket se ende i përkasin një shteti kapitalist dhe neoliberal të pasur, veçanërisht një fuqie të mëparshme koloniale, e cila ende gëzon disa përfitime pas koloniale.

Të gjitha shtetet ish-komuniste të këtij kontinenti pritet të imitojnë këtë model përmes procesit të ashtuquajtur të integrimit, duke miratuar “masa”, “instrumente” dhe “reforma” të diktuara nga teknokratët perëndimorë. Premisa e këtij procesi tradhton një supozim të fshehtë në lidhje me tendencat drejt shkeljes së ligjeve dhe korrupsionit në vendet e Europës Lindore, dhe veçanërisht Ballkanit.

Ashtu siç e ka theksuar edhe historiania bullgare, Maria Todorova, në librin e saj “E ardhmja e Ballkanit”, Europa Perëndimore e ballkanizoi Ballkanin në të njëjtën mënyrë siç veproi edhe me Lindjen (këtë teori e mbështet edhe Edward Said). Pas pohimit të këtij mendimi, për disa europianë mund të jetë krijuar perceptimi se znj. Todorova ka shkruar nga këndvështrimi i një “emigranteje” potenciale. Por ajo na siguron se ka shkruar nga këndvështrimi i një qytetareje europiane.

 “Në të njëjtën kohë, si pasojë e bindjeve të majta, pranimi im për të qenë një europiane e vërtetë, mund të tingëllojë për shumë të majtë, si një tradhti ndaj idealeve të këtij krahu politik, që zakonisht është shumë europskeptik. Sidoqoftë, kjo nuk është tradhti e asnjë lloj forme dhe ne nuk duhet të harrojmë se socializmi si ide bazohet në modernizmin europian. Unë u rrita në Jugosllavinë socialiste, ku edukimi ynë dhe i gjithë këndvështrimi ynë mbi botën, sidomos për shkak të inkuadrimit të tij ideologjik, ishte europian sa i takon traditës dhe vizionit të së ardhmes.

Për më tepër, teksa e forconte brandin e vet të regjimit socialist, Federata jugosllave ishte mjaft e hapur ndaj Europës Perëndimore dhe u krijonte mundësinë qytetarëve të saj që të lëviznin lirisht në Perëndim. “Pas shpërbërjes së saj, të gjithë banorët e Jugosllavisë menduan se do të hynin menjëherë në Bashkimin Europian, sepse, në fund të fundit, ata ishin europianë, ishim nga Europa dhe gjithmonë kishin menduar se ishin pjesë e saj”, u shpreh znj. Todorova. Ajo thotë më tej se “kjo ishte një pritshmëri më se spontane dhe ne u ndiem të gjithë të tradhtuar në momentin kur në vitet 1990, BE-ja na kërkoi që t’i nënshtroheshim ‘europianizimit’ para se të quheshin zyrtarisht ‘europianë’. Ndiheshim të poshtëruar por duhej ta pranonim këtë ‘shuplakë’ nga vëllezërit dhe motrat tona më të sofistikuara, më të zhvilluara dhe më të pasura nga Europa.

Ne filluam t’i referohemi “demokracisë së tyre të përparuar” sikur të ishte modeli më i mirë dhe i vetëm drejt mirëqenies dhe zhvillimit të mëtejshëm (i cili kohët e fundit është vërtetuar se është shumë më i prekshëm, i paqëndrueshëm dhe i ndjeshëm ndaj sundimeve të ekstremit të djathtë). Por, aq e fortë ishte trysnia e europianizmit, sa ne vërtet filluam të besojmë në inferioritetin tonë të lindur.

Prandaj, ne ndërmorën rrugën e transformimit kolosal, çmontuam sistemin tonë socialist, privatizuam të gjitha industritë tona, shkurtuam buxhetet për shërbimet themelore si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, mësuam se si të jemi konservatorë të vërtetë, duke braktisur idealet e barazisë gjinore dhe sekularizmin e fortë që i kishim trashëguar nga gjysmë shekulli socializëm.

Mbi themelet e një sistemi tjetër, edhe pse bëhej fjalë për një sistem të zhvilluar dhe në mes të situatës kaotike që sollën vitet e konfliktit, ne pritej që të ndërtonim nga e para një demokraci liberale, plotësisht të zhvilluar perëndimore, edhe pse ne po përballeshim me barrën e rëndë të thellimit të nivelit të varfërisë dhe të traumës që na shkaktoi një transformim i tillë.

Shoqëria jonë po shkatërrohej, ndërkohë që ne pritej që të ndërtonim një shoqëri të re, të krijonim institucione të reja dhe të formësonim një mentalitet të ri, sikur të kishte diçka thellësisht të gabuar ose ‘jo-europiane’ në lidhje me mentalitetin tonë të mëparshëm”.

Ky proces gjatë të cilit shkatërrohej një sistem i mëparshëm dhe ndërtohej një sistem krejtësisht i ri, u quajt me eufemizëm “tranzicion”. Ashtu siç shumë prej nesh mund të kishin parashikuar, një proces i tillë nuk u krye as brenda një kohe shumë të shkurtër dhe mbi të gjitha, as në mënyrë të suksesshme, sepse konkurrenca nuk ishte aspak e drejtë.

Hapja e tregjeve tona drejt kapitalizmit të zhvilluar të Perëndimit dhe ndërmarrja e reformave neo-liberale i shteroi burimet tnjerëzore dhe ekonomike ndërsa ne vazhdonim të përpiqeshim me të gjitha forcat tona. Ndërkohë, ndikimet konservatore “jo-europiane” u përhapën kryesisht në rajonet laike dhe ato multikulturore të ish-Jugosllavisë.

Forcat e tjera gjeopolitike, ndikimi i të cilave e frikësonte BE-në si Rusia, Kina, Turqia, Arabia Saudite, etj, arritën të ndërhyjnë dhe sabotojnë procesin e panevojshëm të “europianizimit”, që Perëndimi e kishte kërkuar me aq insistim. Në këtë periudhë të gjatë pritjeje, teksa ne bënim hapa para dhe mbrapa në Dhomën e Pritjes së BE-së, nisëm dalëngadalë “t’i largoheshim europianizimit”.

Sot, pas gjithë asaj që ndodhi, është e qartë se BE-ja nuk do të arrijë stabilitet dhe prosperitet, vetëm nëse ajo do të përpiqet të krijojë një territor me të vërtetë të unifikuar në kontinent. Bashkimi i territoreve të pazhvilluara, që nuk janë pjesë e BE-së dhe janë ende të hapura ndaj ndikimeve konservatore “jo-europiane” do të shoqërohet, në mënyrë të pashmangshme, me pakënaqësi të shumta.

Në mënyrë që Bashkimi Europian të arrijë të funksionojë ashtu siç duhet, ai duhet të rikrijojë fillimisht veten.

Në vend që ta shohë veten si një klub elitar, ai duhet të përdorë një qasje gjeopolitike më integruese dhe të pranojë faktin se mund të bëhet shumë më shumë se sa thjesht nocioni i “Europianizimit”.

Katerina Kolozova është profesore e filozofisë dhe teorisë politike në Maqedoni

Zaev: Pas asaj që ndodhi në Shqipëri, BE më detyroi të pezulloja Vettingun

Eksperienca shqiptare me vetting-un në drejtësi dhe problemet që ajo shfaqi kanë detyruar BE të pezullojë aplikimin e të njëjtës reformë në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë ekskluzive për A2, kryeministri Zoran Zaev pranon se ishte Brukseli që e frenoi në nisjen e këtij procesi.

“Unë e pata premtuar në zgjedhje, jo vetting, por atë që e cilësoj njohje e së drejtës për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por, kur mora detyrën, BE nuk dha mundësi të nisja procesin. Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte në Shqipëri, si do të mbyllej. Ata na thanë se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh” – tha Zaev.

Nuk e mohon se bashkimi në të ashtuquajturin Shengen Ballkanik synon shtimin e presionit ndaj Unionit Europian për të përshpejtuar procesin e integrimit.

“Të bësh presion është mirë. Shpresoj, presion pozitiv. Por ata do të shohin më shumë luftë ndaj korrupsionit. Do të shohin se vlerësojmë taksat e paguara nga qytetarët në Francë apo Gjermani, si ne ndërtojmë rrugë, autostrada, sepse ata kanë shpenzuar shumë para në rajon. Ata do të shohin se ne vlerësojmë. Ne shpresojmë që të ketë impakt pozitiv tek Bashkimi Europian, por më së pari ne e bëjmë këtë për qytetarët tanë”.

Zbulon se ideja e Shengenit Ballkanik lindi gjatë një takimi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

“Ne u takuam aty, po pinim verë dhe nisëm të flisnim për këtë. Biseduam për procesin e Berlinit, për integrimin europian, Vuçiç na tha se do të zhgënjeheni, ndërsa ne besonim kaq shumë. Gjatë këtyre diskutimeve, folëm për krijimin e One Stop Shop me Maqedoninë dhe të përgatiteshim dhe me Shqipërinë. Dhe vlerësuam se nuk është mjaftueshëm. Disa e quajnë Mini Shengen, disa Mini Jugosllavi, disa të tjerë nuk e di se çfarë. Është përshpejtim i bashkëpunimit rajonal”.

Konfirmon se asnjëherë nuk e ka mbështetur idenë e ndarjes së Tiranës dhe Shkupit në rrugën drejt BE.

“Ka patur shumë diskutime nga vendet anëtare. Kur më kanë pyetur, qëndrimi im ka qenë: mos e bëni këtë. Ne duhet të shkojmë bashkë. Pse të diskutojmë? Miqtë kujdesen për njëri-tjetrin”.

Mik konsideron dhe Edi Ramën dhe thotë se nuk kishte arsye për të dhënë dorëheqjen, njësoj siç veproi Zaev.

“Ishte një situatë ndryshe. Edi ka më shumë shanse të fitojë në Shqipëri. Unë e di, e ndjek, sepse është fqinji im. Unë kam më pak shanse të fitoj në zgjedhje. Shqipëria ka reformat e saj, sukseset e saj. Është ndryshe”.

Zoran Zaev këmbëngul disa herë se është krenar që ka mbështetjen e shqiptarëve dhe shfaqet optimist se njësoj do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Në shtëpinë e deputetes Remenski janë gjetur materiale për lëndët “Monstra” dhe “Kumanova”

Dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me rastin “Monstra” dhe rastin e Kumanovës janë gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së deputetes së LSDM-së, Frosina Remenski, e cila është në mesin e të dyshuarëve në rastin “Reket”, shkruan portali MKD. Prokuroria ka konfirmuar informacionet, por duke mos dhënë detaje.

Remenski është e dyshuar në rastin “Reket”, pasi që ajo ishte kryetare nderi e organizatës joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare” të Bojan Jovanovskit – Boki. Prokuroria në përgjigjen e saj ka thënë se gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuares janë gjetur dokumente dhe se për këtë janë njoftuar institucionet përgjegjëse, se nga kanë dalur ato dosje. Megjithatë Prokuroria përgënjeshtron dhe nuk di se a bëhet fjalë për dokumente për rastin “Monstra” dhe rastin e Kumanovës të 9 majit të 2015. Sipas portalit MKD, bashkëshorti i deputetes Remenski, Jovçe Remenski deri pak muaj më parë ishte ndihmës drejtor në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Kryeministri Zaev mori pjesë në forumin e biznesit Maqedoni e Veriut-Rusi

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka marrë pjesë në forumin e biznesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, i cili mbahet në kuadër të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili zyrtarisht fillon nesër në Ohër, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij hyrëse, Zaev tha se raportet mes dy vendeve kanë traditë të miqësisë, duke shtuar se ka potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Zaev gjithashtu shprehi kënaqësinë e organizimit të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili aktivizohet pas një pauze 5-vjeçare.

 

“Është një nder i veçantë që sot të përshëndes edhe punën e sesionit të 9-të të komisionit ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik, tregtar, shkencor dhe teknik mes vendit tonë dhe Rusisë mike. Raportet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse janë tradicionalisht miqësore dhe ato i karakterizon një frymë pozitive, por edhe potenciale të pashfrytëzuara”, tha Zaev.

Duke përmendur të dhënat statistikore që thonë se shkëmbimi tregtar me Rusinë përbën vetëm 1 për qind nga shkëmbimi i përgjithshëm tregtar i Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zaev theksoi se kjo është tejet e ulët dhe paraqet një sfidë për bashkëpunim më thelbësor.

I pyetur pas ngjarjes nëse riaktivizimi i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë paraqet ndonjë lloj përgjigje ndaj Bashkimit Evropian (BE), Zaev tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë porosi të këtillë dhe se alternativa e vetme e vendit mbetet BE dhe NATO.

Në forumin e biznesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, përpos kryeministrit Zaev, të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, dhe ministra tjerë. Nga pala ruse, të pranishëm ishin zv/ministri i industrisë dhe tregtisë i Rusisë, Alexey Gruzdev, ambasadori i Rusisë në Shkup, Sergei Bazdnikin, si dhe afaristë të shumtë.

Presidenti maqedonas: Nuk ka ‘vdekur’ ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ‘vdekur’ ende.

Pendarovski ka thënë në RTSH se kjo ide vazhdon të diskutohet nga politikanë e ekspertë të rajonit.
“Jo, ende jo (nuk ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve). Ju e dini që kjo ide erdhi publikisht nga nivelet më të larta të mundshme politike, erdhi nga ish-këshilltari për Sigurinë kombëtare i presidentit amerikan, z. John Bolton. Ai tashmë nuk është pjesë e administratës për arsye krejt të tjera, por aty-këtu dëgjoj njerëz nga rajoni, politikanë, ekspertë, që ende rreken me këtë ide”, -tha Pendarovski, ndërsa ka theksuar se “kjo është ide e rrezikshme”.

Ai ka thënë se mënyra për t’i bindur bashkëbiseduesit, gjegjësisht Kosovën dhe Serbinë, se kjo është një ide e rrezikshme, është se shpërndarja etnike e popullsisë në rajon nuk guxon të ndodhë pasi që ajo sjell efektin domino.

“Së pari, nuk mund të ndjekësh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajon. Nëse ti e nis diku, për shembull në Kosovë dhe do të vijosh pastaj me zona të tjera, çdokush e di që në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë në vetvete, ne jemi heterogjenë në pikëpamjen etnike dhe fetare. Prandaj, teza ime kryesore është se do të doja të shihja që problemi i Kosovës, problemi ndërkombëtar i Kosovës, të zgjidhet. Pse?! Sepse të dyja këto vende janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. E njëjta gjë me Serbinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira me të dyja vendet, dhe për ata që të kenë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me njëri-tjetrin. Por nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh 2 apo 3 probleme të tjera në rajon. Ju e dini, sikundër dhe unë, që rreth 30 vjetët që kanë kaluar na kanë treguar se pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE-ja e vetme t’i zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre. Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi”, -deklaroi presidenti maqedonas, Pendarovski.

Çfarë po fshihet? Maqedonia e Veriut i vetmi vend në Evropë pa regjistrim të popullsisë

“Për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen më 12 prill regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut mund të shtyhen për vitin 2021”. Kështu u shpreh sot kryeministri i vendit, Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Siç shkruajnë mediat fqinje, Zaev paralajmëroi takim me drejtorin e Entit Shtetëror për Statistikë, në të cilin, siç tha ai, do të konfirmohen rregullat dhe do të sillet vendim për nënshkrimin.

Maqedonia e Veriut ka shënuar një rekord të pa parë. Ajo është vendi i vetëm në Evropë në të cilin nuk është realizuar regjistrimi i popullsisë për më shumë se një dekadë, raporton INA.

Por sa banorë ka Maqedonia? Këtë askush nuk e di me saktësi. Sipas një vlerësimi të Entit Shtetëror të Statistika në Maqedoninë e Veriut tregohet se në këtë shtet jetojnë 2.072.490 banorë të regjistruar, ndërsa dendësia e popullsisë është 80.6 banorë për kilometër katror.

Por këto nuk janë statistika të sakta dhe zyrtare për faktin se tashmë 15 vite nuk është bërë regjistrimi i popullsisë, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar nga Bashkimi Evropianë. Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë 2.022.547 banorë, prej të cilëve 65 % maqedonas, 25,17 % shqiptarë, 3,85 % turq, 2,66 % romë, 1,78 serbë % dhe komunitete tjera pakicë.

Organizatat ndërkombëtare, por edhe ato vendore kërkojnë që të realizohet regjistrimi për të pasur një pasqyrë të saktë për popullsinë si dhe aspektet se sa komunitete jetojnë, si janë trendet ekonomike dhe sociale si dhe shumë çështje tjera. Por problem në vend është edhe fakti se sa është numri i votuesve në Maqedoni, pasi që nga 2.1 milionë banorë, rreth 1.8 milionë janë votues.

Shkup: Gjykata Kushtetuese së shpejti shqyrton Ligjin e gjuhëve

Dhjetëra iniciativa të përfshira në një lëndë, të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese nga persona të cilët kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, së shpejti do të vendosen në rend dite. Ndër ata që kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është edhe partia politike“ E majta”, të cilët ligjin në fjalë e quajnë kontrovers.

Sipas tyre ligji mori mendim negativ nga Komisioni i Venecias, kaloi ilegalisht në Kuvendin e Maqedonisë dhe më pas u publikua në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e nevojshëm të presidentit. Nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë për Alsat se do të shqyrtohen të gjitha aspektet e iniciativave të dorëzuara nga dhjetëra personë fizik, por se më shumë detaje do të kenë vetëm pasi lënda të kalojë në rend dite.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut mbahen më 12 prill

Partitë e pushtetit dhe të opozitës në Maqedoninë e Veriut ranë dakord të dielën në mbrëmje për datën e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe kjo do të jetë 12 prilli i vitit të ardhshëm.

Në takimin e thirrur nga presidenti Stevo Pendarovski çështja e zgjedhjeve ishte si temë e dytë pas asaj të dështimit për marrjen e datës së bisedimeve nga Bashkimi Evropian.

Data e zgjedhjeve është pranuar me konsensus nga të gjithë pjesëmarrësit në takim: Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së opozitare, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Zijadin Sela kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Afrim Gashi i Alternativës, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa dhe Menduh Thaçi i Partisë Demokratike Shqiptare.

Në bazë të marrëveshjes së para disa viteve të njohur si e “Përzhinës”, tre muaj para datës së zgjedhjeve Kryeministri duhet të japë dorëheqje dhe të formohet një qeveri teknike, ku do të përfshihet edhe opozita. Kështu, qeveria teknike duhet të formohet më 3 janar.

Zoti Zaev ka theksuar në takim se partia e tij është e gatshme të pranojë një njësi të vetme zgjedhore ose listat e hapura.

Maqedonia e Veriut aktualisht ka gjashtë njësi zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlamentin republikan.

Drejtuesi i opozitës, Hristijan Mickovski u tha gazetarëve se me rëndësi është që u caktua data e zgjedhjeve të parakohëshme, teksa hodhi poshtë akuzat që i ishin bërë nga zyrtarë të LSDM-së se ai të ishte gëzuar që vendi nuk mori datën për negociatat me BE-në.

Kryetari i BDI-së, Ai Ahmeti u shpreh se takimi kishte kaluar në mënyrën më të mirë të mundëshme. Ai, si edhe shumica e drejtuesve të tjerë partiakë, vlerësoi se çështja e censusit nuk do të jetë lehtë të realizohet, sipas planeve paraprake, përkatësisht në pranverën e vitit 2020 për shkak të zgjedhjeve të parakohëshme, por i vetmi Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët konsideron se censusi do të mund të bëhej në mënyrë paralele me përpagtitjet e zgjedhjeve.

Partitë e opozitës për muaj të tërë kanë kërkuar zgjedhje të parakohëshme, duke e kritikuar qeverinë e zotit Zaev për skandale korrupsioni, nepotizëm dhe paaftësi për realizimin e reformave që do ta çonin vendin drejt integrimit evropian.

Nga ana tjetër, ka analistë të cilët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohëshme do të zvarrisin reformat në vend. zëri i amerikës

Shkup – Takimi i parë i liderëve pa ndërmjetësim ndërkombëtar

Takimi i parë i organizuar nga kryetari Stevo Pendarovskit sot në orën 17:00, është takimi i parë në këtë format që nga pavarësia e Maqedonisë.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, takim liderësh të organizuar nga kryetari i shtetit nuk ka ndodhur asnjëherë.

Ndryshe, takime liderët muajin e kaluar ka pasur Zaevi dhe Mickoski rreth Ligjit për Prokurori Publike ndërsa në janar të vitit 2018 kishte takim liderë për emrin e shtetit.

Gjatë vitit 2015 kishte takim liderësh në Përzhino ku mori pjesë edhe euro komisari për zgjerim, Johahnes Hahn.

Zaev propozon zgjedhje të parakohshme

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev: Propozoj të organizohen zgjedhje të parakohshme sa më parë që të jetë e mundur.

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Qeveri sot tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ky propozim i tij vjen pasi që dje nuk u mor data për fillimin e negociatave me BE-në.

“Duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultave që kam zhvilluar zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë janë zgjedhjet e parakohshme”, theksoi Zaev.

Ai tha se me këtë propozim do të shkojë edhe në takimin e nesërm të liderëve të thirrur nga presidenti Pendarovski.

“Para dy dite Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”- tha mes tjerash Zaev.

“Duhet më shumë të vazhdojmë me reformat pasi që aspiratat tona për BE nuk janë vetëm për tu anëtarësuar ne duhet të sjellim Evropën tek qytetarët . Nëse jemi të mençur do të iu tregojmë të gjithëve se kështu të de-motivuar do të vazhdojmë me reformat. Sepse vetëm kështu qytetarët do të ndjejnë Evropën. Marrëveshja e Prespës gjithsesi se do të vazhdon me siguri që është bërë për Evropën por që kemi lëvërdi ekonomike, Marrëveshja duhet të vazhdoj të implementohet.

Në pyetjen për qëndrimin skeptik të Makronit për zgjerimin e BE-së, Zaev tha se nuk ka dilema dhe se vendi ynë do të bëhet anëtare një ditë dhe këtu s`ka dilema.

“Këtu do të bëhet si Evropë këtë duhet ta vazhdojmë. Delegacioni evropian qendrën këtu. Unë e kuptoj dilemat e Francës por 27 shtete ishin pro. Evropa është bërë me qëllime të jetë e fortë. Mbrëmë më janë lajmëruar gati se të gjithë liderët për të na inkurajuar”-tha mes tjerash Zaev.

Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjen.

“Kjo është ajo që mësohet nga burimet diplomatike evropiane në margjinën e samitit të BE-së, ku Shtetet Anëtare nuk kanë arritur një marrëveshje për të filluar negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë”, shkruan “ANSA”.

Grupi i Kumanovës shfaqet live në “Facebook”: Do qëndrojmë si luanë, do vdesim faqebardhë

Grupi i Kumanovës janë lidhur live në “Facebook” nga burgu në Maqedoninë Veriore, ku ata po qëndrojnë. Në video ata tregojnë sesi po kalojnë në qeli.

“Do të qëndrojmë si luanë, do të vdesim faqebardhë”, thonë ata ndër të tjera. Kurse në sfond dëgjohen këngë patriotike shqiptare.

Gjykata e Apelit në Shkup muajin e kaluar ka refuzuar ankesat e të akuzuarve në tërësi dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë për rastin e Kumanovës.

Gjykata Themelore Shkupi 1, më 2 nëntor të vitit 2017 shqiptoi shtatë dënime të përjetshme me burg për të akuzuarit e Lagjes së Trimave, 13 të akuzuarve u shqiptoi dënim me burg prej 40 vjetëve, gjashtë të akuzuarit janë të dënuar me nga 20 vjet burg, një i akuzuar u dënua me 18 vjet burg, dy me nga 14 vjet burg, dy me nga 13 vjet burg, ndërsa katër prej tyre për shkak të mungesës së dëshmive u liruan nga akuzat.

Kushtet e Bullgarisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut mund të llogaris në mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por mbështetja nuk do të jetë pa kushte, kanë deklaruar drejtuesit e shtetit bullgar pas një takimi në Sofje ku është diskuar për qëndrimin që do të mbajnë në Samitin e Këshillit Evropian, në tetor.

”E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe ajo nuk duhet të luaj me këtë mundësi. Ne nuk kemi popull më të afërt. Është me rëndësi që të pranohen në BE, por me rëndësi është që ta kuptojnë se kjo varet nga vet ata. Andaj apeloj që t’i japin fund lojërave me historinë, të kaluarën dhe të përqendrohen nga e ardhmja”, ka deklaruar kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, duke aluduar në mosmarrëveshjet me Shkupin lidhur me prejardhjen e disa personaliteteve historike nga e kaluara, në veçanti të Goce Dellçevit, të cilin dy shtetet e konsiderojnë si hero.

Presidenti bullgar Rumen Radev, ka thënë se Sofja nuk dëshiron që të jetë pengesë për datën e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, por edhe ai ka kërkuar reflektim nga Shkupi zyrtar.

“Asnjëherë nuk kemi thënë se pa kushte do të mbështesim anëtarësimin e saj në BE. Kemi 71 instrumente që këtë ta bëjmë gjatë procesit të hapjes së kapitujve. Prandaj, apeloj që t’i japin fund lojërave me historinë dhe të kaluarën dhe të koncentrohen tek e ardhmja”, ka deklaruar Radev.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, duke komentuar këto qëndrime të zyrtarëve bullgarë ka shprehur besimin e arritjes së një marrëveshjeje mes dy shteteve për çështjen kontestuese, por Zaev ka thënë se më së paku pret që Bullgaria të jetë pengesë për datën e bisedimeve.

“Besoj se edhe ky kapitull i historisë do të mbyllet dhe do të gjejmë zgjidhje përfundimtare pasi me këtë ne forcojmë miqësinë që është edhe qëllimi ynë. Ne seriozisht do t’i marrim parasysh mesazhet nga Sofja, por konsideroj se nuk ka vend për brengosje. Besoj se Bullgaria do të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të procesit integrues të Maqedonisë së Veriut në Samitin e Këshillit Evropian, që pas 15 vjet pritjeje me statusin kandidat të marrim datën e bisedimeve”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria më 1 gusht të vitit 2017, arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por zbatimi i saj ende nuk është arritur për shkak të dallimeve mes dy vendeve për prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara.

Mbrojtja e të dënuarve në rastin e Kumanovës kritikon vendimin e Gjykatës së Apelit

Isuf Kadriu

Pala mbrojtëse e të dënuarve në rastin e Kumanovës ka kritikuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkup të një dite më parë, që la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore, e cila më 2 nëntor të vitit 2017 kishte dënuar me 746 vjet burgim, 37 persona, shumica shtetas të Kosovës për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në ‘Lagjen e Trimave’, në Kumanovë.

“Vendimi erdhi me inercion ashtu siç ka është gjykuar në shkallën e parë. Asnjë provë prej 200 sa kishim propozuar nuk është pranuar. Është një aktgjykim që e kemi pritur pasi që gjithçka ndikohet nga vendimi i shkallës së parë. Ju e dini se edhe rastet e tjera janë zgjidhur tek Gjykata Supreme dhe besojmë se shansi jonë është në këtë gjykatë. Këtë vendim ne do të ankimojnë në Gjykatën Supreme”, ka deklaruar avokati, Naser Raufi.

Gjatë luftimeve dy ditëshe në lagjen e Trimave në Kumanovë ishin vrarë tetë pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Shtatë pjesëtarë të grupit ishin dënuar me burgim të përjetshëm, 13 me 40 vjet burgim, derisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me 20 vjet burgim. Të akuzuarit tjerë janë dënuar me nga 18 vjet apo më pak vjet.

Pjesëtarët e grupit, gjatë procesit të gjatë gjyqësor kanë hedhur poshtë akuzat për terrorizëm, duke theksuar se në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, kanë shkuar për t’ua tërhequr vërejtjen autoriteteve maqedonase, për siç kanë thënë, “mosrealizimin e drejtave të shqiptarëve” siç ishte paraparë në Marrëveshjen e Ohrit.

Fatime Fetai udhëheq rastin “Monstra”

Ish-prokurorja e Speciales Fatime Fetai e udhëheq lëndën “Monstra” në cilësinë e prokurores së autorizuar nga prokurori shtetëror Lubomir Joveski, raporton TV21.

Prokurorja Fatime Fetai në hyrje të Gjykatës Penale tha se vazhdon lufta për drejtësi, ndërsa e pyetur nëse sot do të jenë më të pafuqishëm, Fetai u shpreh “absolutisht jo”.

Në Gjykatën Penale sot pritet të dëgjohen “bombat” për rastin “Monstra”.

Gjykata e Apelit konfirmon dënimet për grupin e Kumanovës

“Lagja e Trimave” në Kumanovë. Maj, 2015.
Isuf Kadriu

Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore për grupin e njohur si i Kumanovës, i cili më 2 nëntor 2017 ishte dënuar me 746 vjet burgim. Për veprën terrorizëm ishin dënuar gjithsej 37 persona, shumica shtetas të Kosovës, të cilën ishin shpallur fajtorë për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në ‘Lagjen e Trimave’, në Kumanovë.

Gjatë luftimeve që kishin zgjatur dy ditë ishin vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Shtatë pjesëtarë të grupit ishin dënuar me burg të përjetshëm, 13 janë dënuar me nga 40 vjet burg, derisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg. Të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë.

Pjesëtarët e grupit, gjatë procesit të gjatë gjyqësor kanë hedhur poshtë akuzat për terrorizëm, duke theksuar se në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, kishin shkuar për t’i tërhequr vërejtjen autoriteteve maqedonase, për siç kanë thënë, “mosrealizimin e drejtave të shqiptarëve” sipas asaj që ishte paraparë në Marrëveshjen e Ohrit.

Pjesëtarët e grupit dhe pala mbrojtëse ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa ka përsëritur qëndrimet se rasti ka qenë i orkestruar nga qeveria e kaluar për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet, me të cilat përballej ajo, në veçanti me aferën e përgjimeve dhe raste tjera.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se mbeten në qëndrimin mbi nevojën e zbardhjes së këtij rasti dhe se pasi të ketë një epilog gjyqësor, do të mund të inkuadrohen ekspertët ndërkombëtarë.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj në një prononcim për media kishte kërkuar që grupi të ekstradohet në Kosovë për vuajtjen e dënimit më burg. Pas vërtetimit të dënimit, pala mbrojtëse ka të drejtën e ankimimit të vendimit të Apelit në Gjykatën Supreme.

Gjykatësi shqiptar u zgjodh kryetar i Gjykatës Supreme në Maqedoni

Gjykatësi suprem, Faik Arsllani, është shqiptari i parë i cili është zgjedhur për ushtrues detyre kryetar i Gjykatës Supreme, pas shkarkimit të kryetarit Jovo Vangellovski.

Pas dy vitesh tentime të pasuksesshme, Këshilli Gjyqësor e ka shkarkuar Vangellovskin edhe nga funksioni gjykatës. Shkarkimi i Vangellovskit është propozuar së bashku me dy gjyqtarë të tjerë suprem, të cilët së bashku i mbivotuan dy kolegë në këshillin penal të Gjykatës Supreme, me çka ia hoqën paraburgimin Sead Koçanit, i cili atëherë ishte i arratisur.

Ndryshe, opinioni e dëgjoi Vangellovskin në bombat duke kurdisur një lëndë gjyqësore me ish-ministrin Mile Janakieski, pastaj në diskutimin e një zyrtari të qeverisë me bashkëbisedues ku shpalosin momente komprometuese për të.

Në një raport të veçantë e ka theksuar edhe prokurorja speciale Katica Janeva si gjykatës, kryetari i gjykatës më të lartë, i cili kryen ndikime partiake dhe direktiva, por deri më sot, ai nuk ka dhënë dorëheqje.

Ende nuk është shpallur tenderi për rrugën Shkup – Bllacë

Vonesa një muajshe për shpalljen e tenderit, për ndërtimin e dy kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë, ka ardhur si pasojë e terrenit të vështirë që ka ngadalësuar hartimin e projektit. Kështu thotë Drejtori i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov, duke shtuar se ekspertët vazhdojnë me analizat edhe projektimin e pjesës së mbetur prej 10 kilometrave. Kitanov nuk parasheh vonesa tjera pos procedurave ligjore për realizimin e pjesës së parë.

PËR NJË MUAJ ËSHTË PROLONGUAR PËRPUNIMI I PROJEKTIT, NE DHE GJITHË INSTITUCIONET TJERA SË BASHKU ME FAKULTETIN E NDËRTIMTARISË KISHIM QËNDRIM SE MË MIRË ËSHTË QË TË VONOHET 1 MUAJ PROJEKTI DHE TË JETË I MIRË QË TË BËHET EDHE RRUGA E MIRË. TENDERI ECË, MË 12 SHTATOR BËHET HAPJA, INTERES KA MJAFTË, THEMI KËSHTU NË BAZË TË THIRRJEVE TË KOMPANIVE TË NDËRTIMIT TË CILAT PARAQITEN PËR PAQARTËSITË NË TENDER- DEKLAROI ZORAN KITANOV – DREJTOR I NDËRMARRJES PUBLIKE PËR RRUGË SHTETËRORE.

Sa i përket pjesës së dytë të autostradës, pra 10 kilometrat tjera, Kitanov thotë se po bëhen analiza të detajuara në terren për shkak se do të ketë ura, tunele dhe viadukte të majme që e vështirësojnë përpilimin e të njëjtit. Kitanov paralajmëron se në pranverë do të fillojë edhe rikonstruktimi i tërësishëm i rrugës së vjetër që të shpie nga Shkupi në Bllacë.

Autostrada është komplet trasë e re, por nga pranvera do të fillojë realibitimi total edhe i rrugës ekzistuese- tha Zoran Kitanov – Drejtor i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore

Autostrada Shkup-Bllacë është premtuar prej vitesh madje është përdorur edhe si karrem për vota nëpër fushata zgjedhore nga parti të ndryshme politike. Derisa institucionet e këtushme vazhdojnë me premtimet për ndërtimin e kësaj pjese të autostradës që lidhe Shkupin me Prishtinë, pala kosovare tani disa mua ka lëshuar në qarkullim pjesën e saj të autostradës që ka urën më të gjatë në gjatë në rajon.

“Grupi Kumanova”, pala mbrojtëse mirëpret kërkesën e Haradinajt (video)

Avokatët e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës të cilët po vuajnë dënimin në burgjet e Maqedonisë së Veriut, në pritje të vendimit të shkallës së dytë, kërkojnë që Kosova të nisë iniciativën për ekstradimin e tyre. Duke komentuar qëndrimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj që të dënuarit të ekstradohen pasi të përfundojë procedura gjyqësore, avokati Naser Raufi tha se shteti i Kosovës nuk duhet të presë edhe shumë për të kërkuar ekstradimin, për shkak se procedura e ankimimit mund të zgjasë me vite. Si zgjidhje, Raufi ofron dy opsione:

“Pa marrë parasysh nëse rikthehet lënda, apo shkojmë në seancën ankimore në Gjykatën Supreme, sigurisht intervali kohor do të jetë mes 4 dhe 6 vite. D.m.th është më praktike që të zgjidhet njëra prej këtyre dy opsioneve, të vazhdoje me gjykim në Republikën e Kosovës për gjysmën e të akuzuarve që janë me nënshtetësi kosovare ose si opsion i dytë që thash, që të mbajnë paraburgimin në Kosovë, me atë që të ketë marrëveshje, sepse e dimë që është rast politik dhe marrëveshja duhet të jetë politike”-tha Naser Raufi, avokat i disa të burgosurve nga rasti i Kumanovës”, deklaroi Raufi.

Pos ekstradimit, avokatja Artene Iseni kërkon edhe rikualifikimin e veprës penale dhe uljen e dënimeve.

Mbajtja e mëtutjeshme në burgjet e Maqedonisë e djemve nga Kosova nuk përmbush asnjë qëllim që parashohin ligjet e Maqedonisë e para ndëshkimi dhe e dyta resocializimi. Këta djem janë ndëshkuar përtej ligjit dhe sigurisht burgjet e Maqedonisë nuk ofrojnë asgjë për socializmin e tyre, përkundrazi dëmtojnë rëndë shëndetin e tyre. Ekstradimi në Kosovë do të ishte zgjidhja ma e mirë bashkë me rikualifikimin e veprave penale dhe uljen e dënimeve”-theksoi Artene Iseni, avokate e disa të burgosurve nga rasti i Kumanovës.

Vendimin e shkallës së parë mbrojtja e ka ankimuar në Gjykatë të Apelit. Në rast të një vendimi për rigjykim, të njëjtit duhet të lirohen deri në ngritjen e akuzës tjetër, gjë që është thuajse e pamundur të ndodhë. Nëse Apeli vërteton vendimin e shkallës së parë, të dënuarit kanë të drejtë të ankesës në Gjykatën Supreme, procedurë kjo që mund të zgjasë mbi katër vite deri në vendimin final. Për ngjarjet në lagjen e trimave në Kumanovë 37 persona u dënuan me 746 vjet burg.

Më 5 shtator publikohen “bombat” për rastin “Monstra”

Rreth 38 biseda të përgjuara dhe SMS porosi të ndërlidhura me rastin “Monstra”, tanimë janë në duart e Gjykatës.

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin e vrasjes së pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës, është bërë e ditur se me 5 shtator kur edhe pritet të vazhdoj seanca e radhës do të fillohet me publikimin e “bombave”.

“Në gjykatë do të porezantohen të gjitha materialet që na i ka dorëzuar LSDM-ja, por do t’i publikojmë edhe bisedat që mua mi kanë dërguar”, tha Fatime Fetai.

Një emigrant i vdekur dhe 13 të lënduar në Maqedoninë e Veriu

Një emigrant e ka humbur jetën ndërsa 13 janë lënduar në një aksident komunikacioni në autostradën Demir Kapi- Negotinë në jug të Maqedonisë së Veriut.

Katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spitalin shtetëror në Shkup.

Aksidenti ka ndodhur kur automjeti me emigrantë është përplasur një një mjet transportues që lëvizte në drejtim të njejtë dhe pas përplasjes është ndezur në flakë. Migrantët janë nga Pakistani dhe Bangladesh të moshës mes 22 dhe 25 vjeç.

Lëvizja e emigrantëve ilegalë ka alarmuar drejtuesit e institucioneve të cilat kanë ndërmarrë masa në parandalimin e tyre. Të enjten policia maqedonase ka kapur 45 migrantë nga Afganistani dhe Siria në një furgon afër kufirit me Serbinë. Sipas policisë, ata dyshohet të kenë hyrë ilegalisht nga Greqia ndërsa si destinacion të fundit kanë pasur ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Policia gjithashtu ka arrestuar drejtuesit e mjetit nën dyshimin e kontrabandës me njerëz. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti nga Greqia në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë rreth 10 mijë emigrantë ilegalë.

Shqiptari emërohet zëvendës-kryetar në LSDM-në e Zoran Zaevit

Ish-gazetari, tani më deputet i LSDM-së, Muhamed Zekiri, pas rizgjedhjes për nënkryetar të LSDM-së ka përcjellë një porosi në rrjetet sociale, të cilin ia ka dedikuar kryetarit të tij, Zoran Zaev.

“Rrespekti meritohet. Sinqeriteti çmohet. Besimi fitohet. Besnikëria kthehet”, ka shkruar Zekiri në facebook.

Ai u përkrah nga Këshilli Qendror i kësaj partie, si dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zekiri nga profesioni i gazetarit kaloi në politik duke u përfshirë si pjesë e LSDM, duke fituar edhe mandatin e deputetit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Maqedoni: Arrestohet prokurorja e posaçme, Katica Janeva

Isak Ramadani

Policia maqedonase ka arrestuar të mërkuren prokuroren e posaçme Katica Janeva, e cila mund të jetë përfshirë në skandalin e korrupsionit të njohur si “zhvatja”. Policia bllokoi rrugën që çonte tek shtëpia e saj në një lagje në jugperëndim të Shkupit. Hollësitë rreth ngjarjes pritet së shpejti të njoftohen nga Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut.

Prokuroria publike tha se prokurorja Janeva ka kryer vepër penale duke keqpërdorur detyrën e saj zyrtare. Prokuroria kërkon masën e paraburgimit për zonjën Janeva.

Prokurorja e posaçme ka ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit për biznesmenin Jordan Kamçev dhe zëvendësimin me masën e arrestit shtëpiak. Ajo, sipas prokurorisë republikane, ka ndikuar në zhvillimin e veprimit që nuk duhej të ndodhë e që është kërkesa nga ana e dy personave të tjerë të dyshuar në këtë rast të tetë milionë eurove prej biznesmenit Kamçev.

Dy të dyshuarit të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, kanë arritur që në muajin shkurt të këtij viti t’i marrin biznesmenit një milion euro dhe t’i nxjerrin ato me një valixhe Louis Vuiton nga shtëpia e tij, ndërsa 500 mijë euro i kanë marrë nga gruaja e tij.

Kryeprokurori Lubomir Jovevski dhe prokurorja e Prokurorisë për luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska bënë të ditur se edhe persona të tjerë jan nën hetime, por ato i hodhën poshtë zërat se po bëhen bastisje në shtëpitë e disa politikanëve.

Prokurori Jovevski tha se nuk ka indicje që mjetet të kenë përfunduar tek politikanë vendas apo të huaj.

Prokurorët republikanë thanë se ngjarjet e sotme dëshmojnë se prokuroria punon në mënyrë joselektive.

Zonja Janeva u mor në pyetje të marten në Prokurorinë publike, ndërkohë që vetë ajo tha se atje shkoi në cilësinë e dëshmitarit. Ajo mohoi të kishte faj lidhur me këto zhvillime. Në prokurori ajo ishte me një avokat të njohur, i cili mbron të akuzuar në raste që po procedon pikërisht Prokuroria e posaçme në krye të cilës ndodhet Katica Janeva.

Skandali i publikuar në gazetën italiane La Verita ka tronditur themelet e gjyqësorit në Shkup, ndërsa në një video regjistrim duket tashmë Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 duke dalë së bashku me një ndihmës të tij nga shtëpia e biznesmenit Jordan Kamçev me dy valixhe të mbushura me para. Boki 13 në kët rast shikohet si një lloj ndërmjetësi i prokurores Katica Janeva në këtë skandal të madh korrupsioni. Ndërkaq, biznesmeni Kamçev është i akuzuar për larje parashë dhe vepra kriminale.

Komunikimi i tij me njeriun e afërt të kryeprokurores së posaçme dhe korruptimi apo zhvatja, varësisht kush si e komenton, kishte të bënte me lehtësimin e rrethanave të arrestit të tij, sipas audio-regjistrimeve të publikuara në shtypin italian.

Shkup: Kryeprokurorja e Posaçme dëshmon për rastin “zhvatja”

Isak Ramadani

Prokurorja në largim e Prokurorisë së Posaçme në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva u paraqit të martën para Prokurorisë publike për të dëshmuar lidhur me rastin gjyqësor të njohur si ‘zhvatja’, një skandal korrupsioni ky që ka tronditur themelet e gjyqësorit atje. Zonja Janeva u tha gazetarëve se nuk ndjehet fajtore. Megjithatë, në një publikim në shtypin italian dëgjohet zëri i saj duke biseduar me një biznesmen maqedonas, i cili dyshohet të ketë dhënë më tepër se një milion euro në këmbim të rrethanave lehtësuese për sa i përket paraburgimit të tij.

Shefja në dorëheqje e Prokurorisë së Posaçme, Katica Janeva për disa orë dëshmoi para prokurores së Prokurorisë publike për luftë ndaj kriminalitet të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska në lidhje me rastin gjyqësor “zhvatja”. Prokuroria publike në Shkup nuk ka dhënë hollësi se në çfarë cilësie ishte ftuar zonja Janeva, si dëshmitare apo e dyshuar në skandalin e përfolur të korrupsionit prej më tepër se një milion eurosh. Publikimi i skandalit nga gazeta italiane La Verita e implikon zonjën Janeva madje pretendon edhe përfshirjen e Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev në të.

Katica Janeva në prokurori erdhi me avokatin e saj, që la hapsirë për komente shtesë nëse ajo do të ishte ftuar vetëm për të dëshmuar.

Kryeprokurorja në largim Janeva u tha gazetarëve se nuk ndihet fajtore ndërsa shpresonte që me paraqitjen e argumenteve dhe deklaratës së saj do të bënte përshpejtimin e hetimeve të rastit ‘zhvatja’.

Lidhur me këtë rast, që padyshim ka tronditur jo vetëm opinionin publik këtu por edhe elitat politike, kanë dëshmuar deri tash edhe prokurorët e Prokurorisë së posaçme Lile Stefanova, Burim Rrustemi dhe Elizabeta Josifovska.

Dy të dyshuarit e parë për rastin, Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 dhe Zoran Milevski tashmë ndodhen në paraburgim. Vetëm Milevski deri tash ka dalë para prokurorit.

Rasti ka zgjuar interes, veç Maqedonisë së Veriut, sidomos në Serbinë fqinje me shtypin e atjeshëm që këmbëngul përfshirjen e Kryeministit maqedonas Zoran Zaev në skandal.

Në video dhe audio-regjistrimin e publikuar në gazetën italiane La Verita duken dy të dyshuarit Boki 13 dhe Zoran Milevski duke dalur nga shtëpia e biznesmenit Jordan Kamçev me dy valixhe të mëdha në të cilat mendohet se kishte mbi një milon euro me që më parë vdeoja shfaqte numërimin e shumave të mëdha të parave në këto valixhe. Në një audio, ndërkaq dëgjohej zëri i prokurores Katica Janeva duke folur me biznesmenin Jordan Kamçev të dyshuar për një rast tjetër gjyqësor duke i thënë atij: “Mos u shqetëso se gjithçka do të jetë Okej”. Në po të njejtën bisedë dëgjohej edhe Boki 13. Biznesmeni synonte lehtësime rreth situatës me paraburgimin, sipas prokurorisë. Ai ende nuk është marrë në pyetje.

Nga ana tjetër, autoritetet qeveritare e cilësojnë autorin e publikimit të skandalit në gazetën italiane si të afërt me partinë maqedonase të opozitës VMRO-DPMNE, ndërkohë që dyshojnë se vetë drejtuesi opozitar Kristijan Mickovski mund të ketë gisht në kurdisjen e skandalit.

Shkup, probleme me zbatimin e marrëveshjes së Prespës

Përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të riemërtuar statujat publike të figurave historike, bazuar në një marrëveshje me Greqinë fqinje, kanë pasur një fillim të vështirë.

Gjatë natës, si pasojë e disa akteve të vandalizimit, u hoqën pllakatet e instaluara të enjten në tre statuja në Shkup, të mbretit të lashtë grek Aleksandrit të Madh dhe familjes së tij, të cilat sqaronin se ato i përkasin historisë antike greke. Një prej pllakateve të hequra u rikthye më vonë gjatë ditës së premte. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.

Greqia ka akuzuar për një kohë të gjatë vendin fqinj, që më parë quhej “Maqedoni”, se përpiqej për të përvetësuar kulturën e lashtë greke si dhe për pretendime territoriale ndaj pjesës veriore të Greqisë.

Shkupi i ka mohuar këto pretendime, por në të njëjtën kohë qeveria e mëparshme, konservatore ngriti disa statuja të Aleksandrit të Madh dhe familjes së tij në zona të njohura publike.

Në një zhvillim të rëndësishëm, me qëllimin për të normalizuar marrëdhëniet pas rreth 30 vitesh, vendi u riemërtua këtë vit si Maqedonia e Veriut. Nga ana tjetër Greqia ra dakord ta mbështesë atë në proceset për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Rreth 10 statuja në të gjithë Maqedoninë e Veriut po emërtohen sërisht.

Ambasada e Turqisë në Shkup dënon qëndrimin e Gjergj Dedajt

Ambasada e Turqisë në Shkup ka dënuar postimin e fundit që bëri ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në rrjetet sociale kundër Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ambasadorja e Turqisë në Shkup ka theksuar se dënojnë fuqishëm pretendimet e pabaza dhe retorikën armiqësore me objektiv presidentin Erdogan që Dedaj ka përdorur në postimin e tij lidhur me memorialin që ndodhet në Parkun “Dëshmorët e 15 Korrikut” në Tiranë.

“Postimi i fundit tregon saktësinë e vendimit tonë për të mos u takuar me Ambasadorin e Kosovës në Shkup, Dedaj, i cili edhe më parë ka bërë deklarata kundër vendit tonë dhe i cili nuk është në dijeni të përgjegjësisë që i është ngarkuar nga titulli që mban”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Turqisë në Shkup.

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në llogarinë e tij në rrjetin social ka bërë postim lidhur me memorialin e përbërë nga një pllakatë e vendosur në Liqenin Artificial në Tiranë mbi të cilën ndodhen emrat e 251 dëshmorëve të rënë gjatë tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 në Turqi.

Pendarovski: Institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski thotë se institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin në mënyrë drastike, saqë mund të minojnë perspektivat për hapjen e shumëpritur të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne kemi dekada – jo vite – por dekada keqfunksionimi të institucioneve, përfshirë institucionet politike,” i tha zoti Pendarovski Shërbimit Maqedonas të Zërit të Amerikës në një intervistë ekskluzive në Shkup të enjten.

“Nuk flas këtu vetëm për sistemin gjyqësor,” tha ai, duke iu referuar një skandali zhvatjeje që ka tronditur qeverinë si dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale, të krijuar në 2015 për të hetuar krimin e nivelit të lartë në vend.

“Këto institucione jetike nuk po u shërbejnë njerëzve ashtu siç duhet,” tha Presidenti Pendarovski. “Ato nuk e luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelin që duhet ta bëjë një demokraci e pjekur.”

Skandali shtrihet

Muajin e kaluar, kryeprokurorja e posaçme në largim, Katica Janeva, paraqiti papritur dorëheqjen, në klimën e akuzave se ishte implikuar në një skemë për të zhvatur miliona nga një biznesmen i akuzuar në këmbim të një uljeje dënimi. Ajo ka mohuar përfshirjen “në çfarëdo trajte apo forme”.

Zyrtarët e BE-së dhe të SHBA-së kanë kërkuar që Shkupi të bëjë një hetim të plotë dhe transparent të akuzave dhe, nëse është e nevojshme të ndjekë ligjërisht fajtorët.

Por gjatë disa ditëve të kaluara zhvillimet në skandalin e supozuar të ryshfetit morën përmasa të reja, kur gazeta italiane La Verita publikoi një video ku duket se bëhet fjalë për dhënie e marrje parash mes të dyshuarve – të cilët që të dy thonë se kanë qasje te zonja Janeva – dhe biznesmenit të akuzuar, e që zyra e saj do ta ndiqte penalisht.

Të dyshuarit, të cilët tani janë në paraburgim, i thanë biznesmenit se do të merrte trajtim më të butë nga prokurori përgjegjës për çështjen e tij nëse u jepte atyre para. Ende nuk dihet nëse Janeva kishte ndonjë dijeni për skemën e zhvatjes, por ajo konfirmoi se zëri i dëgjuar në regjistrimin e videos është i saji.

Një mundësi e veçantë

Presidenti Pendarovski e përshkroi skandalin si një turp me përmasa ndërkombëtare, por edhe si një mundësi të veçantë që zyrtarët e qeverisë së Shkupit dhe ligjvënësit të shkojnë përtej grindjeve politike dhe t’i përmbahen zbatimit të ligjit.

“Ne nuk mund ta lejojmë veten të lëmë hapësirë për hamendje,” tha ai duke iu referuar pikëpyetjeve nëse vendi mund ta zgjidhë me shpejtësi çështjen. “Mënyra se si do të reagojmë për skandalin – jo si do të reagojnë individët, por ne si vend – do të përcaktojë vendimin e vendeve anëtare të BE-së këtë vjeshtë për ta pranuar Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në bllok”.

Ai tha gjithashtu se është i skandalizuar që disa nga “aktorët kryesorë në këtë dramë”, siç janë hetuesit, ishin me pushime.

“Kjo nuk është një çështje e zakonshme,” tha ai. “Është sfiduar thelbi i sundimit të ligjit në vend.”

Të martën, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev u kritikua brenda dhe jashtë vendit për përdorimin e një fyerjeje ndaj homoseksualëve ndërsa përpiqej të mbronte qeverinë e tij ndaj skandalit të korrupsionit, i cili ka përfshirë shumë zyrtarë të drejtësisë.

Ai po i referohej pronarit gej të një kanali televiziv, Bojan Jovanovski, që është në qendër të aferës “Zhvatja”.

Zoti Zaev, i cili sapo ishte kthyer nga pushimet, postoi menjëherë në Twitter një ndjesë, që disa thanë se ishte po aq fyese.

Të dy partitë më të mëdha politike të Maqedonisë së Veriut, opozita VMRO-DPMNE dhe Unioni Social Demokrat në pushtet, vazhdojnë të grinden lidhur me hartimin e një ligji për rregullimin e ndjekjes penale, i cili që do të përcaktonte fatin e zyrës së prokurorisë speciale që drejtonte Janeva.

Nëse legjislacioni i ri ratifikohet – një parakusht për bisedimet e pranimit në BE – kjo do të përcaktojë ritmin e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. za

Lirohet Tomor Morina

Isuf Kadriu

Autoritetet maqedonase kanë njoftuar për lirimin e Tomor Morinës, nga burgu i Shkupit.

Familjarët janë parë teksa kanë marrë atë, dhe një familjar, Bujar Xërxa nga Gjakova është dëgjuar të ketë thënë se “drejtësia ka fituar”.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi.

“Në përputhje me përcaktimet e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtare në materien penale dhe Konventës Evropiane për ekstradim…Këshilli Penal ka gjetur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Tomor Morina nuk do të ekstradohet në Serbi

Isuf Kadriu

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatën Penale Shkup se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi.

“Në përputhje me përcaktimet e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtare në materien penale dhe Konventës Evropiane për ekstradim… Këshilli Penal ka gjetur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Vendimi i Gjykatës Supreme duhet t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë e cila edhe përgatit vendimin final për refuzimin e kërkesës së palës serbe për ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Arrestimi i tij ka shkaktuar reagime të shumta nga autoritetet në Kosovë dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Morinës.

Clark: Gligorovi më tha më 1999 se shqiptarët nuk janë si boshnjakët, nuk durojnë, do të luftojnë

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka treguar se si gjatë një bisede me presidentin e atëhershëm të Maqedonisë, Kiro Gligorov

Gligorov i kishte thënë se “shqiptarët nuk janë si boshnjakët” dhe se “ata nuk durojnë, do të luftojnë”.

“Presidenti maqedonas, Kiro Gligorov, më thirri dhe më tha: ‘E dini, do të keni problem të madh në Kosovë. Atje do të bëhet luftë, sepse shqiptarët nuk janë si boshnjakët: ata nuk durojnë. Ata do të luftojnë’. Dhe, kështu ndodhi, luftimet nisën”, thotë Clark në këtë bisedë, transmeton Gazeta Metro.

Më tej, ai tregon se si Ambasadori Richard Hoblrooke kishte shkuar në qershorin e vitit 1999 për takim me Slobodan Milosheviqin.

“Më lidhi me telefon me Millosheviqin, të cilin e njihja nga koha e Daytonit dhe i thashë: ‘Ju lutem, mos ia bëni këtë popullit shqiptar’. Ai më tha: ‘Gjeneral Clark, këta janë njerëzit e mi. Unë nuk do t’i lëndoj’. Natyrisht, kjo ishte gënjeshtër, sepse spastrimi etnik tashmë po ndodhte”, ka deklaruar Clark.

Tetëmbëdhjetë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Shkup

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po përfundojnë 18 vite që nga nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend dhe u vendosën kornizat për bashkëjetesë ndëretnike.

Konflikti i armatosur në Maqedoni i vitit 2001 filloi në fillim të vitit, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë. Konflikti vazhdoi në pjesën më të madhe të vitit 2001, ndërsa përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit në gusht të po të njëjtit vit, me çka u avancuan fillimisht të drejtat e shqiptarëve, por edhe bashkësive tjera jo shumicë në vend (turqve, boshnjakëve, serbëve, vllehëve dhe romve).

Negociatat filluan në Shkup, më pas vazhduan në Ohër, ku përfunduan me parafimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në rezidencën presidenciale në Shkup.

Marrëveshja kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit, u mbajtën nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të shtetit, Boris Trajkovski, ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga ana e liderëve të atëhershëm të partive politike, Branko Cërvenkovski, lider i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), Arben Xhaferit, lider i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Lubço Gjeorgievski i VMRO-DPMNE-së dhe Imer Imerit nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD).

Nënshkrues të Marrëveshjes, në cilësinë e garantuesve, ishin edhe përfaqësuesi special i BE-së, Fransoa Leotar dhe përfaqësuesi special i SHBA-ve, James Perdue, të cilët morën pjesë në negociatat.

Përgjatë viteve, nga implementimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, janë miratuar mbi 130 ndryshime dhe plotësime ligjore, prej të cilave pjesa më e madhe janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, ndërsa një pjesë e tyre janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Në muajin mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për avancimin e gjuhëve, pa debat amendamentesh.

Me ligjin parashihet që në të gjitha organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik që ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonishte dhe alfabeti të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabeti i saj, (gjuha shqipe).

Përfaqësimi i drejtë i pjesëtarëve të bashkësive etnike në institucionet publike po ashtu është segment i Marrëveshjes kornizë, implementimin e plotë të së cilës e kërkojnë liderët politik të bashkësive etnike.

Sipas raportit vjetor për vitin 2018 të Ministrisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Administrimit të Maqedonisë së Veriut, në institucionet e sektorit publik nga 112.164 të punësuar 83.993 ose 74,88 për qind janë maqedonas, 22.060 ose 19,67 për qind janë shqiptarë, 2.110 ose 1,88 për qind janë turq, 1.355 ose 1,21 për qind janë romë, 1.019 ose 0,91 për qind janë serb, 754 ose 0,67 për qind janë të tjerë, si dhe 450 ose 0,40 për qind janë boshnjakë dhe 423 ose 0,38 për qind janë vllehë.

Krahasuar me raportin e vitit 2017, gjendja ishte si vijon: 82.374 ose 75,36 për qind ishin maqedonas, 21.112 ose 19,31 për qind janë shqiptarë, 2.012 ose 1,84 për qind ishin turq, 994 ose 0,91 ishin serb, 1.245 ose 1,14 për qind ishin romë, 429 ose 0,39 për qind ishin boshnjakë, 408 ose 0,37 ishin vllehë, ndërsa 730 ose 0,67 për qind të tjerë.

18 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, opinioni i ekspertëve dhe publikut të gjerë për marrëveshjen është i ndarë.

Për disa, kjo marrëveshje kontribuoi në ndërtimin e Maqedonisë së Veriut multi-etnike, garantoi dhe promovoi të drejtat e komuniteteve më të vogla etnike, ndërsa të tjerët mendojnë se duhet ende shumë të bëhet për ta zbatuar atë.

Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, vlen të përmendet se në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionon në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Sekretariat i për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka për detyrë të zbatojë plotësisht Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. aa

“Nesër fakte të reja”, shtohet paniku në politikën maqedonase

Maqedonia e Veriut nuk gjen qetësi, teksa skandali me korrupsionin gjigant “Zhvatja” vijon të zgjerohet dhe në dritë paralajmërohet se do të dalin të tjera detaje.

Këtë lajm e ka dhënë gazetari italian, Larsi Gajser, i cili publikoi me video super-skandalin, në të cilin ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut. Gazetari Gajser ka paralajmëruar se nesër do të publikojë fakte të reja për këtë rast, të quajtur “Reket”.

“Maqedonia: Nesër 13 gusht, prej ora 11, në Raido Kapodistrija. Do të kyçem brenda në faktet drejtpërdrejtë në studio”, njofton Gajser, përmes statusit të tij në “Facebook”.

PSE KJO HESHTJE? – Opinion nga Genc Sefa Lushnja

Ç’po ndodh me shqiptarët ?

Heshtje për çështjen e Çamërisë!

Heshtje për Iliridën!

Heshtje për Kosovën Lindore!

Heshtje për Malësi.

Heshtja vazhdon me humbjen e territoreve të tjera, humbi Çakori, humbëm hektar të tërë me sllavo-maqedonët.

Po tentojnë të grabisin e të ndajnë Mitrovicën, përsëri heshtje.

Humbim zona të tëra ekskluzive ekonomike detare me Greqinë, përsëri heshtje!

Vriten e burgosen me dënime drakonike shqiptarët e pafajshëm në trojet e tyre etnike, përsëri heshtje!

Lirohen kriminelët sllavë që vrajnë me vetëdije shqiptar, deri dhe fëmijë, përsëri heshtin shqiptarët!

Ende u mohohen të drejtat elementare kombëtare, përsëri heshtje!

Por deri kur o popull do të heshtim?

Mos vallë duhet të heshtim gjithë jetën para padrejtësive?

Jo unë nuk dua të hesht para padrejtësive që i janë bërë kombit e popullit tim.

Heshtja nuk është për mua. Nuk kërkoj diçka që s`na takon si popull, apo diçka që nuk është e jona . Por nuk do të ndalem kurr të kërkoj e luftoj , për atë që më takon, për atë që i takon popullit tim.

Gjithmonë e kam ngritur zërin, gjithmonë kam luftuar me armë në dorë. Jam munduar ti dal zot atdheut e të luftoj për liri e bashkim kombëtar. E s’do të ndalem deri në realizimin e aspiratave e amanetin e dëshmorëve,deri në bashkimin e Shqipërisë Natyrale.

Prandaj nuk mundë të heshtë.

Në të vërtetë do të doja që çdo shqiptar të mos heshti e të japë ndihmën e tij, të ngrejë zërin para padrejtësive të çështjes kombëtare, të ngrejë zërin e tij për aspiratën shekullore.

Por fatkeqësisht tek shqiptarët vetëm një përqindje e vogël preferojnë të sakrifikojnë jetën e lirinë e tyre. Shumica kanë zgjedhur heshtjen e nënshtrimin.

Unë gjithmonë jam munduar të mos heshtë, të ngre zërin, e të rrok armën sa herë që është dashur, të japë më të mirën për popullin tim.

Nuk u ndala ashtu si shumë shokë të idealit për të korrigjuar padrejtësitë ndaj popullit tonë, ti japë lirinë, ti japë bashkimin e kombit në një shtet në një flamur.

S’duam luftë,s’duam të urrejmë,as të shkatërrojmë e të vrasim
popujt fqinjë.

Edhe ne dëshirojmë te kemi paqe e mardhanje të mira me fqinjët, në kushte normale ashtu si e do tradita e shqiptarit.

Por me cilët fqinjë shqiptarët mundë të bashkëjetojmë, pas shekujsh vrasjesh e gjenocidi nër okupim?

Si mundet që hasmin e vjetër ta bëjmë mik të ri?. Hasmi i vjetër nuk bëhet mik i ri.

Si mundet kur ata ende bejnë plane për të shfarosur shqiptarët e t`na rrëmbejnë akoma pjesê të atdheut.

Edhe unë si çdo shqiptarë e e dua paqen.

Edhe unë do të doja të isha pranë fëmijëve.

Por atëherë do të duhej të heshtja, të pranoja padrejtësinë, të pranoja nënshtrimin.

Do më duhej të hiqja dorë nga aspirata e amaneti shekullor për liri e bashkim kombëtar.

Por unë nuk mundë të heshtê, nuk mundë të heqë dorë nga e drejta për të parê atdheu të lirë e të bashkuar.

Jo, un e urrej heshtjen, unë e urrej të shoh popullin tim të nënshtruar e robëruar, të copëtuar.

Secili prej nesh ka detyrime ndaj vendit. Çdo shqiptar ka rolin e tij në këtë tokë të shenjtë Arbërore, në çështjet kombëtare.

Nga natyra edhe mua më pëlqen të jetoj i qetë pranë familjes, pranë fëmijëve.

Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur e të rehatshme në shtëpitë tona, por me çfarë çmimi, sigurisht me heshtje e nënshtrime, të copëtuar ndër shtetet fqinje e të robëruar. pa të drejta elementare, që na takojnë që nga lindja. e që janë të garantuara me ligje e konventa ndërkombëtare.

Fatkeqësisht lakmia e ka helmuar shpirtin edhe të politikanëve tanë, na kanë bërë të biem në gropë të varfërisë e në rreket e gjakut, e të mos mendojmë për komb, të mos mendojmë për ideale, ashtu si do të duhej të mendoj çdo shqiptar i vërtetë.

Lakmia na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon sjellja njerëzore, na mungon atdhe-dashuria.

Sot sillemi si më të shkolluar, më të vetëdijshëm, për të filozofuar në emër të çështjes kombëtare, me patriotizëm virtual në rrjetet sociale, sa të zëmë një karrige.

Por për të drejtat e mohuara e lirinë e kombin e cunguar, po na mungon ideali e gatishmëria për të sakrifikuar në emër të atdheut.

Kemi përqafuar heshtjen e nënshtrimin.

Pa cilësi e virtyte kombëtare e njerëzore, jeta s’është veçse të jetosh në instinkte e pa ndjenja, dhe gjithçka është e humbur.

Vendin e vlerave kombëtare e kanë zënë antivlerat.

Në këtë moment dëshiroj që zëri im të arrin miliona shqiptarë në të gjithë kombin tonë, në miliona burra, gra e fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i burgos të pafajshmit.

Ja ku ua them te gjithë atyre që kanë vesh të më dëgjojnë:Mos u ndalni, mos u dëshpëroni !

Ta largojmë këtë mallkim shekullor që është mbi ne.

Sepse nuk është gjë tjetër, veçse produkte kalimtar i sjelljeve tona, e i atyre që ne zgjedhim ta na udhëheqin.

Produkte i atyre që u shërbejnë sllavo- grekëve e që kanë frikë nga progreset që arrihen nga bashkimi i popullit tonë, nga liria e shqiptarëve.

Të mos heshtim,po tu themi të gjithëve me zë të lartë,se paqja do të mbretëroj mes nesh dhe fqinjëve në gadishullin Ilirik,vetëm kur neve shqiptarëve të na kthehet e drejta e mohuar,për të jetuar të lirë e të bashkuar në tokën e të parëve.

Mos heshtë, por thuaju se për lirinë e kombit, ende ka shqiptarë që japin jetën e sakrifikojnë lirinë e tyre!

Mos heshtë po thajuni me zë të lartë, se aspirata për liri e bashkim kombëtar s’ka për t’u mposhtur kurrë. Mjafton të mos heshtim.

Shqiptarë,mos ua lini ardhmërinë e fëmijëve tanë pushtuesve sllavo-grekë,e politikanëve tanë që ju përçmojnë dhe që ju duan skllevër partiakë, që ju duan gjithë jetën tju mbajnë nën kontroll. Ju tregojnë ç’të bëni e ç’të mendoni, që ju drejtojnë,ju manovrojnë, që ju përdorin si mish për top e ju trajtojnë si numër votash, për remitanca për arkat e shtetit e për të mbushur xhepat e tyre.

Mos u dorëzoni para këtyre ardhacakëve nga Karpatet dhe Azia e vogël,mos u jepni e mos heshtni para këtyre barbarëve e qenie jo-njerëzore.

Këtyre njerëzve-makineri, me një makinë në vend të kokës dhe një tjetër makineri në vend të zemrës.

Ne s’jemi makineri !

Ne s’jemi skllevër !

Ne jemi populli autoktonë i këtij gadishulli.

Ne jemi pellazgët-ilirët-arbërorët-shqiptarët,

Ne jemi zotë të këtij trualli të lashtë.

Ne jemi njerëz, me gjithë dashurin e botës në zemër. Ne s’kemi urrejtje, veçse për atë që është jo-njerëzore, dhe që na prekë lirinë, na prekë atdheun.

Shqiptar mos heshtë.

Lufta për liri e bashkim kombëtar , nuk eshtë qështje individuale, e imja apo e jotja. Por është çështje që duhet të angazhohet e shqetësohet çdo shqiptar, i gjithë populli.

Ju o popull e keni fuqinë për ta bërë ndryshime.

Ju e keni fuqinë për të realizuar aspiratat e amanetin e të parëve.

Ju keni fuqinë për ta bërë jetën më të mirë, më të mrekullueshme për fëmijët tuaj.
Prandaj në emër të lirisë, e bashkimit kombëtar, në emër të ardhmërisë e demokracisë, mos heshtni, zgjohuni, që të kthejmë dinjitetin, të rikthejmë krenarin kombëtare.
Duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë të gjithë për një Shqipëri të fortë e të bashkuar.

Për një Shqipëri në kufijtë që na i ka caktu zoti e na i lanë trashëgim të parët.

Sunduesit e sotëm na kanë premtuar shumë gjera që ne t’ua jepnim pushtetin: ata gënjejnë. Ata s’i kanë mbajtur premtimet e tyre të mrekullueshme, asnjëherë s’do t’i mbajnë.

Diktatorët shfaqen me marrjen e pushtetit, dhe bëjnë skllevër popujt.

Por ne na duhet të luftojmë,mos ti lejojmë.

Ne duhet të luftojmë për të liruar kombin , për t’i shkatërruar kufijtë dhe përmbysur dallimet racore, për t’i dhënë fund njëherë e mirë lakmisë, urrejtjes dhe jo-tolerancës. Na duhet të luftojmë për të ndërtuar një botë më të mirë e më të sigurt për fëmijët tanë.

Shqiptarë, në emër të lirisë e Demokracisë, të bashkohemi të gjithë! Retë po zhduken! Dielli shpon! Ne po dalim nga terri për të gjetur dritën ! Duhet të shkojmë drejt aspiratave tona kombëtare.

Drejt një rilindje të re, drejt një jete më të mirë, ku shqiptarët do të jetojnë të lirë e të bashkuar.

Ku lakmia e politikanëve tanë, e urrejtja, e brutaliteti sllavo- grekë, nuk kan vendê.

Zgjohuni nga ky gjumë letargjik qe kemi rënë ! mos heshtni, që shpirti i dëshmorëve të atdheut të flijuar brez pas brezi, më në fund të gjej qetësi, që shqiponja më në fund të nisë fluturimin me flatrat e saj dhe të fluturojë.

Të fluturon drejt ylberit, drejt dritës së shpresës. drejtë lirisë e bashkimit kombëtar.

Shqiptar mos heshtni.

Zoti e bekoftë Shqipërinë e bashkuar.

Zoti e bekoftë popullin shqiptarë.

Lavdi dëshmorëve të kombit.

Shkruar në burgjet sllave.

 

Shkup,11 gushtë 2019

Maqedoni e Veriut: Qytetarët posedojnë 621 mijë armë, vetëm një e katërta janë të regjistruara

Rreth 621 mijë armë posedojë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht 29.79 copë për kokë banori. Prej tyre vetëm 169.687 janë të regjistruara ndërsa 451.313 mbeten të paregjistruara, tregojnë të dhënat e hulumtimit të organizatës “Small Arms Survey” (SAS).

Më këto numra, Maqedonia është në vendin e tetë në Evropë, dhe e 13-ta në botë në posedim të armës për kokë banori. Në vend të parë dhe të dytë janë dy vende të rajonit tonë, Mali i Zi dhe Serbia.

Në vend ka evidencë se kush posedon armë legale, por nuk ka informacione për armët ilegale. Parashtrohet pyetja a respektohen në mënyrë maksimale Ligji për armë dhe procedurat dhe a është që secili që kërkon leje për armë shkon në kontroll, dhe a mund të blihet armë zjarri në tregun e zi.

 

Vitin e kaluar u regjistruan vetëm 83 armë

Sipas evidencës së Sektorit për armë, materie të rrezikshme dhe shpërthyese, në Sektorin për punë civile pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2018 janë regjistruar rreth 180.000 copë armë.

Në pjesën e tregtisë ilegale me armë, MPB për MEDIAL-n informoi se në periudhën nga janari i vitit 2019 deri në qershor të vitit 2019 janë regjistruar 102 vepra penale për të cilat janë denoncuar 117 kryerës të veprave penale, me ç’rast janë sekuestruar gjithsej 83 armë zjarri dhe janë marrë 1.742 copë municioni, 192 gram eksplozivë, dy kapsolle detonatore, 100.168 kapsolla, 8.111 raketa piroteknike dhe raketa ndriçuese, 14 fishekzjarre dhe dy topa.

BFI: Pasiguria po largon popullatën nga Maqedonia e Veriut

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut në mesazhin me rastin e festës së Kurban Bajramit ka bërë thirrje për paqe, solidaritet, mirëkuptim e tolerancë mes bashkësive etnike e fetare në vend si, alternativë e vetme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit në përgjithësi.

Në mesazhin e BFI-së thuhet se “Kurban Bajrami është festë e dashurisë dhe e mirëkuptimit mes besimtarëve dhe një rasti i mirë për unitetin e popullit”, por institucioni islam shpreh shqetësimin për siç thuhet gjendjen e rëndë politike e ekonomike që po godet çdo ditë e më shumë popullatën e Maqedonisë së Veriut.

“Këtë festë po e presim në një atmosferë zymtësie që po e kaplon vendin tonë e që detyrimisht po reflektohet edhe tek besimtarët. Shqetësimet dhe paqartësitë politike po ndikojnë në jetën tonë. Kriminaliteti dhe korrupsioni po ndjellin pasiguri tek njeriu i rëndomtë. Gjendja ekonomike po vështirësohet dhe varfëria po godet pikërisht ata që janë në gjendje më të rëndë. Si pasojë e këtij ambienti rinia jonë po largohet nga vendi në kërkim të një jete më të mirë”…

“Druajmë se Bajramet tona në të ardhmen do t’i festojmë me më pak bijë e bijat tonë”, ka thënë Shaban Sulejmani, përfaqësues i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut në mesazhin me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe të partive politike, kanë uruar besimtarët duke bërë thirrje për unitet e tolerancë mes njerëzve pa dallim përkatësinë etnike.

Zaevi mohon të jetë përfshirë në zhvatje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mohon të jetë përfshirë në skandalin e njohur si “reketi” ku dyshohet të jetë përfshirë edhe prokurorja speciale, Katica Janeva. Dy bashkëpunëtor të Janevës i kanë kërkuar afaristit Orce Kamçev 1.5 milion euro që ta shpëtojnë nga paraburgimi lidhur me një aferë tjetër korruptive me godinën e VMRO-së opozitare.

Lidhur me këtë skandal, një gazetë italiane, “La Verita”, ka publikuar video incizime në të cilat shihen protagonistët e skandalit duke marrë paratë e premtuar ndërsa në një prej tyre dëgjohet një bashkëpunëtor i Janevës se si i premton se për këtë çështje ka biseduar dhe do të bisedojë edhe me kryeministrin, Zoran Zaev që të mos ketë probleme lidhur me këtë aferë.

“Në mënyrë kategorike i hedhë poshtë këto gënjeshtra apo çfarëdo qoftë lidhje, bashkëpunim ose komunikim me të dyshuarin Bojan Jovanovski në lidhje me rastin ‘Zhvatja.

Pres që hetimet për këtë çështje të përfundojnë sa më shpejtë dhe fajtorët të dalin para ligjit. Përgjegjësit apo trilluesit dhe ata që bëjnë gjithçka për të shpëtuar, nuk mund të hiqen si viktima. Ato që thuhen në audio-përgjim janë gënjeshtra dhe marrëzi të qëllimshme për të përforcuar pozicionin dhe fuqinë para bashkëfolësit ”, ka shkruar Zaev në llogarinë e tij në Facebook..

Në audio-përgjimin që është publikuar këtë të shtunë, dëgjohet se si Bajon Jovanovski i njohur si Boki 13 e që është edhe pronar joformal i një televizioni, afaristi Orce Kamçev dhe prokurorja speciale Katica Janeva, janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. JOvanovski flet per miqësinë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe fotot që ai ka bërë me të në studiot televizive.

Partia opozitare, VMRO DPMNE edhe njëherë ka dalë me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe arrestimin e kryeministrit, Zoran Zaev dhe të prokurores, Katica Janeva. Opozita akuzon edhe prokurorinë publike se qëllisht po zvarrit hetimin për këtë skandal.

“Në një situatë të tillë, mbetet dyshimi se i gjithë procesi hetimor nga prokuroria është një farsë e madhe që synon mbrojtjen e zyrtarëve të lartë që janë pjesë e krimit. Duke lënë aq shumë hapësirë për shkatërrimin e provave, nuk është hetim, por shkatërrim i tij”, thuhet në reagimin e opozitës maqedonase.

Tronditet Maqedonia e Veriut – Video ku prokurorja speciale kapet në afera miliona euroshe

Video që po trondit politikën në Maqedoninë e Veriut, prokurorja e vlerësuar nga Mogherini kapet në skemën e zhvatjes së miliona eurove


Gazeta italiane “La Verita”, e cila njihet për raportimet e detajuara për Maqedoninë e Veriut ka publikuar së fundmi një material filmik, ku sipas saj tregohet skema e zhvatje së miliona eurove. Kjo media, duke skanuar rrugën që po ndjek Maqedonia për t’u bërë pjesë e strukturave të BE-së, tregon  as më shumë dhe as më pak, por të vërtetën që sipas saj politikanët në vendin fqinj janë përdorur dhe përdoren si “marioneta” të mekanizmave ndërkombëtar.

Në videon e publikuar dhe që është regjistruar në shkurt të këtij viti, siç bën të ditur gazeta, shihen euro të paketuara me specifikime të shënuara me dorë në fleta, ndërsa dëgjohet edhe një pjesë nga biseda mes Orce Kamçevit dhe Boki13, në të cilën Boki i tregon Kamçevit se nga orët e vona të së hënës deri të martën do të lirohet nga paraburgimi, ndërsa përmendet edhe prokurorja speciale publike, Katica Janeva. Më 2016, Gjermania e drejtuar nga Kancelarja  Angela Merkelit, përmes degës lokale të Deutsche Telekom, ka përgjuar mijëra orë bisedash telefonike midis anëtarëve të qeverisë konservatore dhe ia ka dorëzuar transkriptimet direkt liderit të opozitës, Zoran Zaev. Kjo një  formë për ta favorizuar atë në rrugën drejt pushtetit e për të kryer më pas “manipulime” sipas dëshirës.

Ky plan gjerman, bashkë me atë të George Soros që financoi për shumë muaj protestat në rrugë arriti rezultatin e dëshiruar. Megjithëse ndërhyrja nga jashtë pati sukses, qeveria konservatore e VMRO-DPMNE e kundërshtoi vërtetësinë, përmbajtjen dhe mënyrën e përgjimeve. Për të qetësuar protestat e shumicës qeverisëse, Komisioni Evropian dhe përfaqësuesja për politikën e jashtme, Federica Mogherini, kërkuan që në Maqedoni të krijohej një Prokurori Speciale, e cila të kishte si detyrë ekskluzive verifikimin e përgjimeve dhe ndjekjen penale të krimeve. Prokuroria Speciale duhej edhe të shërbente për vendosjen e shtetit ligjor dhe një demokracie funksionale që do të gëzonte besimin e shtetasve maqedonas. Si rezultat i kompromisit mes palëve, në krye të prokurorisë u emërua një gjyqtare deri atëherë e panjohur, Katica Janeva.

Zoran Zaev i dorëzoi menjëherë gjithë dokumentacionin që kishte në zotërim. Në pak muaj, Janeva nisi proceset që çuan në burgosjen e shumë eksponentëve politikë, përfshirë edhe ish-kreun e shërbimit sekret, Saso Mijalkov, të gjithë të lidhur me qeverinë e mëparshme. Hetimet dhe proceset gjyqësore ndryshuan krejtësisht skenën politike. Zaev arriti të zgjidhej kryeministër dhe Maqedonia kapitulloi ndërkombëtarisht, duke pranuar të modifikonte gjithë kushtetutën e saj në favor të grekëve, duke marrë emrin Maqedonia e Veriut. Duke kundërshtuar legjitimitetin e vendimeve të qeverisë socialiste të Zaevit, presidenti i atëherëshëm Gjorge Ivanov refuzoi të nënshkruante modifikimin e Kushtetutës.Megjithatë koalicioni qeverisës, i galvanizuar mediatikisht nga mbështetja e gjithë establishmentit evropian për prokuroren Janeva, shfrytëzoi skenarin duke zgjedhur edhe një kryetar të ri të shtetit në prill, socialistin Stevo Pendarovski, i cili firmosi gjithë aktet e mbetura pezull. Por çfarë të mbjellësh do të korrësh dhe ashtu siç Zaev u ngjit në majë të pushtetit me përgjimet e ofruara nga palët e interesuara, tani rrezikon të bjerë në të njëjtin kurth.

Disa javë më parë, një drejtues i njohur televiz maqedonas, Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13, u arrestua me akuzën e zhvatjes. Meqënëse zhvatja e plot 8 milionë eurove u krye mbi bazën e dokumentacionit në zotërim ekskluziv nga zyra e Janevës e supozohet në dëm të sipërmarrësit të madh maqedonas Jordan Kamçev, i hetuar në vitet e kaluara nga superprokurorja për çështjen “Impero” skandali u bë menjëherë publik.

Fakti që djali i Janevës ishte një nga manaxherët e shoqatës bamirëse në emrin e Boki 13 nuk bëri gjë tjetër veçse e përkeqësoi situatën e prokurores, e cila, pa pranuar ndonjë përgjegjësi, dha gojarisht dorëheqjen, por duke qëndruar në detyrë deri në emërimin e zëvendësuesit që do të vendoset nga kryeministri.“La Verità” ka siguruar pamjet dhe disa përgjime, dorëzuar para disa javësh në zyrën e Prokurorisë për krimin e organizuar në Maqedoninë e Veriut nga ana e avokatëve të viktimës, që për herë të parë do të provonte publikisht përfshirjen e Boki 13 në bashkëpunim me prokuroren speciale Katica Janeva.Akuza është skemë zhvatjeje në dëm të milionerit Kamçev, si edhe përfshirjen e supozuar të politikanëve të lartë maqedonas. Videoja, e cila është e gjitha në duart e sistemit të drejtësisë maqedonas, tregon përgatitjen e ryshfetit dhe Boki 13 që del bashkë me një koleg nga shtëpia e Kamçevit ndërsa përgjimi ambiental, me datë 20 shkurt 2019, tregon se si shoëmani i premton vitimës lirimin nga arresti shtëpiak. Liri që i erdhi në ditën e premtuar..


Send this to a friend