VOAL

VOAL

Gjykata e Shkupit vendos për rastin e Tomor Morinës

Isuf Kadriu

Gjykata Penale e Shkupit ka dhënë mendimin lidhur me ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, i cili, sipas saj, nuk duhet të ekstradohet në Serbi.

Gjykata konsideron se në rastin në fjalë nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Morinës, ndërsa mendimin, me gjithë dokumentacionin, përfshirë edhe kërkesën serbe, e ka dërguar për shqyrtim të mëtejmë në Gjykatën Supreme.

“Këshilli Penal pranë Gjykatës Penale në Shkup pasi ka shqyrtuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, si dhe duke marrë për bazë praktikën e vendosur gjyqësore dhe të drejtën ndërkombëtare, ka marrë vendimin se nuk janë përmbushur kushtet e ekstradinmit në Republikën e Serbisë si palë që ka paraqitur kërkesën për ekstradim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykatat Penale gjithashtu e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit deri në përfundimin e gjithë procedurës.

Morina, ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, bazuar në një fletarrest të INTERPOL-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, që aktualisht gjendet në burgun e Shkupit, dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, ka kryer krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Ish luftëtari i UÇK-së mbahet në paraburgim në Shkup

Autoritetet maqedonase kanë pranuar të hënën kërkesën e Serbisë për ekstradimin e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim në Shkup, që prej datës 25 korrik. Ndalimi i ish luftëtarit Tomorr Morina është bërë me urdhër të Interpolit sipas kërkesës së Serbisë.

Vendimi duhet të merret nga Gjykata e Penale në Shkup e cila duhet të dëgjojë së pari mendimin e prokurorisë. Vendimi përfundimar do të merret nga Ministria e Drejtësisë për ekstradimin ose jo në Serbi të zotit Morina.

Ish luftëtari Tomor Morina ka dy nënshtetësi, të Kosovës dhe të Britanisë së Madhe, ndërsa Kosova ka këmbëngulur në lirimin e tij.

Të hënën gjykata në Shkup i ka dhënë leje Ambasadës së Kosovës për ta vizituar të ndaluarin, ndërkohë që nuk lejoi para pak ditësh zv/Kryeministrin Bujar Osmani dhe zv/Ministrin e Rendit të Maqedonisë së Veriut, Agim Nuhiu që ta vizitonin atë.

Shkupi është vënë në një situatë “në mes dy zjarresh” me Beogradin që pret ekstradimin e ish pjestarit të UÇK-së, për të cilin thotë se “ka kryer shumë krime ndaj civilëve në vitin 1999” dhe Prishtina, nga ana tjetër, që kërkon respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që një qytetar, si në këtë rast, të dërgohet në shtetin amë dhe jo në një shtet të tretë.

Autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut thonë se kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Interpol, por lidhur me rastin në fjalë do të lejojnë organet gjyqësore të zbatojnë procedurat.

Nuk ka parashikime se sa do të zgjasin procedurat, duke marrë parasysh edhe mundësinë e ankesave.

Pse erdha në Iliridë? – Nga Genc Sefa – Lushnja

Unë erdha në Iliridë për tre arsye.

Së pari, sepse këtu nënat e baballarët, motrat e vëllezërit e mi diskriminohen, nuk kanë liri. për të mbrojtur e dalë zotë atdheut, ashtu si kam bërë gjithmonë për lirinë motrave e vëllezërve të mi.

. Së dyti, erdha këtu për respektin tuaj, sepse nuk doja që të jetë dikush tjetër sundues i popullit e vendit tim.

Së treti, erdha këtu sepse Ilirida është pjesë e atdheut tim, dhe mua s`më dhimbet jeta të luftoj për atdhe e bashkim kombëtarë. Kur ju, këtu, çdokush, fëmijë e të rritur e ëndërroni lirinë, të fituar gjatë gjithë kohës vetëm me sakrificë e gjak.

Nuk do ta vrisja mendjen fare për jetën time, Ja pse shqiptarët ja kanë dalë të mos humbin plotësisht, nuk kanë humbur asnjëherë dhe asnjëherë nuk do ta humbasin një luftë; sepse ideja e humbjes është e urryer për një shqiptarë. Por fundja ne provuam, nuk vdiqëm të gjithë. jemi këtu sot luftojmë në një betejë të madhe. Nuk duhet të kini frikë nga vdekja. Vdekja, në kohë, i vjen të gjithë njerëzimit. Po, çdo burrë ka frikë në betejën e tij të parë. Nëse thotë se nuk ka, është gënjeshtar. Disa burra janë frikacakë, por luftojnë njësoj si trimat ose frikësohen edhe më shumë kur shohin se si luftojnë burrat që janë po aq frikacakë sa ata. Heroi i vërtetë është një burrë që lufton edhe pse është i frikësuar. Disa burra e kalojnë frikën e tyre në minutën e parë pasi hapin zjarr. Disa, e kalojnë orën e parë. Disave u duhen ditë. Por një burrë i vërtetë nuk do të lejojë që frika nga vdekja ta kalojë nderin e tij, ndjenjën e detyrës ndaj vendit të tij dhe forcën burrërore të lindur prej natyre.

Beteja është gara më e rëndësishme në të cilin mund të përfshihet një njeri. Ajo nxjerr gjërat më të mira dhe heq ato të ulëtat. Mos harro se armiku është po kaq i frikësuar sa edhe ju, dhe ndoshta edhe më shumë. Ata nuk janë supermenë. Të gjithë heronjtë e vërtetë nuk janë luftëtarë të librave me histori. Çdo burrë në këtë jetë për Çështjen kombëtare luan një rol thelbësor. Mos u demoralizoni. Mos mendoni se puna juaj është e parëndësishme. Çdo burrë ka një punë për të bërë dhe duhet ta bëjë. Çdo burrë është një hallkë jetësore e zinxhirit të madh të çështjes kombëtare. Po sikur çdo shqiptarë të vendosë se nuk i pëlqen rënkimi i plumbave mbi kokë, dhe të hidhet në kanal? Ai frikacaku mund të thotë: “Nuk do t’i marrë malli për mua, jam vetëm një person në një mijë”. Po sikur të gjithë burrat të mendonin kështu? Ku do të ishim ne tani?

Ku do të ishte vendi ynë, të dashurit tanë, shtëpinë tona, madje dhe e gjithë Shqipëria.?

Jo, shqiptarët nuk mendojnë kështu. Çdo burrë duhet të bëjë punën e tij në emër të Atdheut. Çdo burrë i vërtetë e atdhetar i shërben kombit në çdo kohë pa marr parasysh, se sa është çmimi a po kosto e këtij ideali madhorë. Çdo shqiptarë, është i rëndësishëm në skemën e gjerë të kësaj lufte deri në realizimin e plotë të amanetit e aspiratave shekullore për bashkim kombëtarë. mos të harrojmë vëllezër, se kjo tokë buron gjak në çdo pëllëmbë të saj.

Patjetër që duam të jetojmë në paqe, në shtëpi, pranë fëmijëve. Por dikush duhet sakrifikoj gjithmonë për këtë luftë në emër të lirisë kolektive kombëtare, në emër të Shqipërisë. Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund është të mobilizohemi, të ngremë zërìn për të drejtën tonë.

Ti tregojmë bastardëve që na mbajnë të pushtuar e të ndarë në robëri, se rruga e nisur me shekuj nuk ndalet, deri në realizimin e bashkimit kombëtarë.

Sa më shpejt të vetëdijesohemi, aq më shpejtë do të jemi një bombë.

Rruga më e shkurtër është përmes revolucionit e luftës, se askush sta dhuron lirinë.

Vetëm kështu do të mund të realizojmë të drejtën tonë, me armë në dorë.

Ju mundë të thoni kjo luftë ka përfunduar jemi mirë në shtëpi.

Por unë do tu thosha se nëse sakrifikojmë për idealet kombëtare sot, do tju jenë mirënjohës se njëzet vite më pas, kur të jeni ulur pranë oxhakut dhe nipërit në gjunjë dhe ata do t’ju pyesin se çfarë bëtë ju për çështjen kombëtare, nuk duhet të kolliteni, të ndërroni pozicion dhe të thoni: “Gjyshi juaj nuk bëri asgjë për atdheun”. Jo, zotëri, do ta shihni drejt e në sy dhe do t’i thoni: “Bir, gjyshi juaj u bashkua me Ushtrinë e luftoi për kombin e atdheun.

Të shihni fëmijët krenar e tu thoni, birë un bëra sa munda, nuk u ndala kurrë për atdhe, nuk e kurseva kurrë jetën.

Ja pra edhe unë kështu e shohë veten.

Unë të paktën u mundova tê japë më të mirën për atdheun, për ju e të ardhmen e fëmijëve tanë. Për idealet e bashkim kombëtarê dhashë gjithçka nga vetja. por nuk më mbet merak.

Të paktën u mundova.

Vetëm kështu vëllezër, kur secili tē japë diçka nga vetja për të mirën e përbashkët, atëherë besomëni se mundemi.

Atëherë do e kemi Shqipërinë e bashkuar.

Atëherë do tu themi dëshmorëve, amaneti juaj e aspirata shekullore u krye.

Jemi populli ma fisnik e ma liridashës ne botê.

U mundova të përcjell tek ju disa fjalë zemre.

Zoti e bekoftë popullin shqiptarë,zoti e bekoftë Shqipërinë dhe bashkimin kombëtarë.

Lavdi dëshmorëve të kombit brez pas brezi.

Me respekt Genc Sefa – Lushnja.

Letër nga Burgu ,Shkup 05.08.2019

Palmer: Akuzat për shantazh mund të minojnë përpjekjet e Shkupit për anëtarësim në BE

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer tha se një hetim i pazgjidhur për shantazh në Maqedoninë e Veriut mund të minojë perspektivën e vendit për hapjen e bisedimeve të shumëpritura për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ish-kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, papritmas dha dorëheqjen muajin e kaluar, pas akuzave kundër saj për organizim të një skeme për të zhvatur miliona euro nga një biznesmen i paditur në këmbim të uljes së një dënimi.

Zyra e Prokurorisë Speciale (SPO) që drejtohej nga zonja Janeva, u krijua për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta dhe ka qenë prej kohësh simbol i aspiratave transatlantike të kësaj ish republike jugosllave. Me drejtimin e hetimeve ndaj ish-kryeministrit autoritar Nikolla Gruevski, zyra e saj ishte e mandatuar kryesisht për të rivendosur sundimin e ligjit në vend.

“Këto janë akuza serioze dhe të gjitha akuzat e tilla serioze kërkojnë një përgjigje serioze,” i tha zoti Palmer Zërit të Amerikës. “Ne mbështesim një hetim të plotë dhe transparent për këto akuza dhe, nëse provat ekzistojnë, atëherë duhet të ketë ndjekje penale. Kjo është një mundësi për autoritetet në Maqedoninë e Veriut që të demonstrojnë besnikërinë e tyre ndaj sundimit të ligjit.”

Vendi ndryshoi emrin nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut në fillim të këtij viti, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje më shumë se dy dekadëshe me Greqinë mbi çështjen e emrit, dhe duke hequr një pengesë për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.

Javën e kaluar, Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn tha se Shkupi duhet të reformojë gjyqësorin që të mund të trajtojë rastet e nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit përpara se BE-ja të mund të caktojë datën e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit, por se ai ishte “i sigurt se vendimi (për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE) do të merret në tetor. “

Zoti Palmer tha se ai është optimist se negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE mund të hapen këtë vjeshtë, por zgjidhja e çështjes së prokurores Janeva do të jetë thelbësore për këtë vendim.

Dy partitë më të mëdha politike të Maqedonisë së Veriut janë grindur në lidhje me hartimin e një ligji të ri për kodin penal, i cili do të vendoste mbi fatin e zyrës së prokurorisë speciale që drejtohej nga zonja Janeva.

“Ne besojmë se Maqedonia e Veriut e ka fituar atë mundësi [për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE këtë vit], por … sinjalet që dërgon qeveria dhe suksesi i ligjit për Zyrën e Prokurorit të Posaçëm, do të jenë të rëndësishme për këtë çështje.”

Miratimi i legjislacionit të ri, një parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, do të përcaktojë ritmin e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Prandaj, zyrtarët amerikanë dhe ata të BE-së vazhdimisht u kanë bërë trysni të dyja palëve, opozitës së krahut të djathtë, VMRO-DPMNE dhe Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Takimet mes zyrtarëve të dy partive në fillim të kësaj jave dhanë sinjale përparimi, por grupet e punës janë ende në negociata.

“Është e rëndësishme që të gjitha palët të negociojnë, të zgjidhin dallimet mes tyre dhe të arrijnë një marrëveshje mbi atë se si mund të reformohet ose modifikohet Zyra e Prokurorit të Posaçëm në një mënyrë që avancon interesat e vendit,” tha Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer.

“Ka patur mjaft lojë politike. Koha për lojra politike ka mbaruar. Tani është koha për treguar aftësi politike të shtetndërtimit,” tha ai.

Zaev: Në rastin e Tomor Morinës do të respektohet ligji

Me kërkesë të Prokurorisë, një gjyqtar i procedurës paraprake ka vendosur 30 ditë paraburgim ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, njoftoi Gjykata Themelore e Shkupit.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 165, pika e parë të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, thuhet se për çështjen e ekstradimit do të vendosë Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina, u arrestua të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.

“Pas dëgjimit të personit në praninë e avokatit të tij, si dhe vlerësimit të fakteve dhe provave , gjyqtari i procedurës paraprake lëshoi një vendim që pranonte kërkesën e prokurorisë dhe urdhëroi qëT.M të paraburgoset për 30 ditë ndërkaq në lidhje me procedurën e ekstradimit vendos Ministria e Drejtësisë”, tha deklarata.

I pyetur për të komentuar çështjen e arrestimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se do të respektohet ligji.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare është normë evropiane, të cilën unë dhe të gjithë ju e përfaqësojmë”, tha Zaev.

“Procedura kryhet nga prokurori kompetent, dhe për këtë vendos gjykatësi kompetent, as Zaev as Oliver Spasovski (ministri i Brendshëm), Agim Nuhiu (zëvendësministër i bBendshëm), dhe askush tjetër nga qeveria”, shtoi Zaev, duke thënë se Maqedonia e Veriut, sikurse Serbia, është anëtare e Interpolit.

Ai përmendi me këtë rast, faktin se Shkupi ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës, në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Organet e drejtësisë në Austri dhe Maqedoninë e Veriut, sikurse në Greqi dhe Britani të Madhe marrin vendimin për ekstradim. Institucionet përgjegjëse marrin vendimin në bazë të së drejtës për ekstradim ose jo. Kjo e drejtë e thotë qartë se ai është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë dhe duhet të lirohet nga paraburgimi dhe të mos ndodhë ekstradimi”, ka thënë Zaev.

Sipas kryeministrit maqedonas, Interpoli tha se ai është shtetas i Serbisë.

“Kjo nuk është e vërtetë. Vendi ynë konfirmon se ai është një shtetas i Kosovës dhe ka një pasaportë nga Britania e Madhe dhe Kosova. Më së paku nga ajo që pres është të respektohen ligjet e këtij vendi”, tha Zaev.

Lidhur me arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, të enjten, ka reaguar edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli, duke thënë se Kosova nuk do të lejojë ekstradimin e Morinës.

Kryediplomati kosovar tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë për lirimin e tij, si dhe i bëri thirrje Shkupit të hedhë poshtë “urdhërat politike për arreste të lëshuara nga Beogradi”.

“Nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tonë bazuar në fletë-arrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën” ka thënë Pacolli.

Maqedoni e Veriut, arrestohet një zyrtar qeveritar nga radhët e BDK

Është arrestuar Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Adminisratës të qeverisë së Maqedonisë nën akuzat për korrupsion. Jahi Jahija, përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili e ka ushtruar prej vitesh këtë funksion, akuzohet nga Prokuroria maqedonase për çështje të korrupsionit së bashku me një ish-kolege të tij për marrje ryshfeti prej disa dhjetëra mijë eurosh në vitin 2014/15 nga një firmë e cila kishte fituar në një tenderim.

Çështja ka marrë dimensione edhe jashtë shtetit me Shërbimin evropian për pengimin e mashtrimeve – OLAF (European Anti-Fraud Office), i cili është kyçur në hetime. Hetime janë bërë edhe në Itali. Policia maqedonase ka lënë të kuptohet se në këtë rast janë shpërdorur mjete të fondit evropian – IPA.

Dy të akuzuarit i kanë zbuluar informata të fshehta firmës që ka konkurruar në tenderin prej mbi një milion eurosh, në lidhje me tenderimin, sipas autoriteteve në Shkup. Firma e njejtë në vitin 2016 kishte filluar ta zbatojë projektin IPA kur dhe, sipas akuzës, i kishte shpërblyer dy zyrtarët e ministrisë maqedonase.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka komentuar shkurt se do ta lënë që prokuroria të merret me çështjen dhe nëse Jahija gjendet fajtor atëherë ai le të bartë përgjegjësitë.

Jahija u arrestua të hënën në shtëpinë e tij në komunën e Likovës, afër Kumanovës. E akuzuara e dytë, emri i së cilës nuk bëhet publik, nuk është e kapshme për organet hetuese.

Pendarovski shprehet kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë: ide të këtilla nuk i takojnë shekullit të 21-të

Shkup

Tensionet në Republikën e Kosovës nuk mund të rrezikojnë stabilitetin Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit, deklaroi Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidenti i vendit realizoi vizitën e parë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtatmadhorinë e Armatës, pas çka mbajtën një konferencë për media me ministren Radmilla Shekerinska ku u pyetën rreth tensioneve të fundit në Republikën e Kosovës dhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.

Presidenti Pendarovski tha se institucionet kompetente me vëmendje e kanë ndjekur gjendjen në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe se kanë qenë në bashkëpunim me forcat e KFOR-it.

“Vlerësimet e shërbimit të KFOR-it në Kosovë dhe të faktorëve kyç ndërkombëtarë, si dhe të institucioneve tona që bashkëpunojnë me ta, janë se në të ardhmen, edhe po të ketë situata të ngjashme, ato nuk do të jenë me proporcione të tilla që ta rrezikojnë sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e as të rrezikojnë sigurinë në rajon”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu u shpreh kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ide të këtilla nuk i takojnë shekullit të 21-të.

Duke komentuar tensionet e fundit në Kosovë, ministrja e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO.

“Për këtë në vitin 2017 e vendosëm fokusin në anëtarësimin tonë në NATO, në mënyrë që të sigurojmë që shteti ynë të ketë garanci shtesë të sigurisë, madje edhe në rast të jostabilitetit rajonal. Pikërisht për këtë nuk presim as ndikim të drejtpërdrejtë në siguri, e as ndikim ndaj treguesve ekonomikë”, tha Shekerinska.

Tensionet në Republikën e Kosovës u përshkallëzuan pas operacionit policor të realizuar të martën, ku u arrestuan 19 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të dyshuar për disa vepra penale, mes tjerash “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”.

Aksioni u karakterizua me rezistencë të caktuar, ku si pasojë gjatë aksionit u lënduan pesë policë, njëri prej të cilëve mori plagë nga armë zjarri. aa

Autostrada Shkup-Bllacë e gjatë vetëm 12.5 kilometra as që ka filluar

Derisa Kosova përfundoi projektin e autostradës prej 65 km deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, autoritetet vendase shtyjnë edhe për disa muaj afatin e tenderimit të projektit prej 12,5 km të autostradës Shkup-Bllacë.

Në vend se këtë pranverë, siç u paralajmërua, njoftimi i fundit është se dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë do të fillojnë të ndërtohen gjatë vjeshtës.

“Afatet janë më të mëdha në tenderët ndërkombëtarë në pjesën e autostradave, mendoj se janë mes 45 dhe 60 ditë, prandaj, deri në shtator, nëse të gjitha procedurat përfundojnë siç duhet të jetë në pjesën e tenderimit, do të duhet të fillojë” deklaroi Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Pjesa tjetër e mbetur prej 10 kilometra e gjysmë të autostradës, nëse projekti përfundon deri në fund të vitit, do të fillojë të ndërtohet në sezonin e ardhshëm ndërtimor.

“Nuk dua të spekuloj me afatet, pritjet tona janë diku në tetor-nëntor që të përfundojë projekti, kështu që pas kësaj, menjëherë do të shkojmë me tenderim” tha Goran Sugarevski.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani verën e kaluar premtoi se këtë pranverë do të fillojë ndërtimi i autostradës Shkup-Blacë, e cila është kërkesa e një dekade nga komuniteti i biznesit, shkruan Alsat.

Sipas paralajmërimeve nga Qeveria plani është që ndërtimi i këtij seksioni të bëhet në dy faza.

Faza e parë nga kalimi kufitar Bllacë deri në rrugën lidhëse drejt Bllacës, me një gjatësi rreth dy kilometra dhe duhet të ndërtohet në 18 muaj.

Pjesa e dytë, deri në Shkup, është e gjatë 10.5 kilometra, ndërtimi duhet të fillojë vitin e ardhshëm dhe të zgjasë rreth 36 muaj.

Pritjet janë që kjo autostradë të vihet në përdorim në vitin 2023. Autostrada, e cila do të ketë katër tunele dhe tetë ura, kushton rreth 110 milion euro.

Qeveria e RMV-së miratoi propozim-ligjin për regjistrim të popullsisë

Shkup

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 137-të ka miratuar tekstin e Propozim-ligjit për Regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e rregullt për media që mbahet për mbledhjet e qeverisë, përpos zëdhënësit Muhamet Hoxha, i pranishëm ishte edhe drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS), Apostol Simovski, i cili në detaje sqaroi nevojën e miratimit të propozim ligjit dhe përmbajtjen e tij.

Simovski tha se për herë të parë në Maqedoninë e Veriut zbatohet e ashtuquajtura metodë e kombinuar, respektivisht përdorimi i informacioneve nga bazat e të dhënave dhe grumbullimi i të dhënave nga terreni. Ai gjithashtu theksoi se regjistrimi në terren do të bëhet në mënyrë elektronike me përdorim të laptopëve, që gjithashtu është një risi tjetër në vend, për të cilin Simovski tha se do të mundësojë grumbullim më të shpejtë dhe më cilësor të të dhënave.

“Në këtë regjistrim, për dallim nga regjistrimi i mëparshëm i cili fatkeqësisht ishte i pasuksesshëm, do t’i përfshijë të gjithë personat si njësi të regjistrimit. Domethënë, përfshihen edhe personat që janë të pranishëm në shtet, por edhe personat që janë jashtë shtetit”, tha Simovski, duke theksuar se gjithnjë do të respektohen standardet e parapara nga Kombet e Bashkuara dhe nga Drejtoria evropiane e statistikave – Eurostat.

Ai sqaroi se personat që ndodhen jashtë shtetit, do të kenë mundësi të vet-regjistrimit nëpërmjet web-aplikacionit i cili në faqen e internetit të ESHS-së do të jetë gati një muaj para fillimit të regjistrimit.

Regjistrimi i popullsisë do të përmbajë edhe pyetjet për përkatësinë fetare dhe etnike, edhe pse fillimisht kishte dilema për këto çështje.

Simovski gjithashtu tha se sipas planit të paraparë, regjistrimi duhet të realizohet në periudhën nga 1 deri më 21 prill të vitit 2020. Në të do të angazhohen rreth 6.000 persona ndërsa do të kushtojë rreth 8,5 milionë euro.

Në konferencën për media u tha se në Republikën e Maqedonisë së Veriut për 16 vite nuk është zbatuar regjistrim i popullsisë ndërsa regjistrimi i vitit 2011 ishte i pasuksesshëm për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike.

Përpos propozim-ligjit për regjistrim të popullsisë, zëdhënësi Hoxha njoftoi edhe për vendimet tjera në mbledhjen e 137-të qeveritare.

Mes tjerash, ai tha se Qeveria miratoi Propozim-ligjin për menaxhim me trashëgiminë kulturore dhe natyrore në rajonin e Ohrit si dhe miratoi Strategjinë Fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020-2022.

UNESCO kërkon moratorium për ndërtimet në Ohër

UNESCO në raportin e saj të fundit rekomandon që Ohri dhe rajoni të vendosen në listën e vendeve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore.

UNESCO po kërkon të deklarohet moratorium për çdo lloj transformimi urban në brigjet e liqenit, por gjithashtu për çdo lloj transformimi urban. Arsyeja për këtë është përparimi i pamjaftueshëm deri në zgjidhjen e problemeve mjedisore, duke marrë parasysh kërcënimet e vazhdueshme dhe projektet e mëdha të ndërtimit në qytet dhe në rrethinat e saj.

Në raport rekomandohet të vlerësohet ndikimi i ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur dhe rrënimin e atyre që paraqesin kërcënim, për trashëgiminë natyrore dhe kulturore.

“Luftëtarët kibernetikë” të SHBA-së edhe në Maqedoninë e Veriut

Një qendër në Evropë për mbrojtje nga sulmet kibernetike. Fotografi nga arkivi.

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar bashkëpunimin me komandën kibernetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas informacionit të ditës së hënë se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa kundër sulmeve të internetit (kibernetike) ndaj demokracisë dhe institucioneve demokratike në disa shtete të Evropës Lindore, në mesin e të cilave është edhe Maqedonia e Veriut.

Në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se bashkëpunimi me komandën kibernetike amerikane ka nisur në vitin 2018, me qëllim që t’u ndihmohet subjekteve kompetente nga Ministria e Mbrojtjes për arritjen e standardeve të NATO-s në këtë sferë.

“Me ndihmën e ekspertëve është shqyrtuar gjendja lidhur me rrjetin e apostrofuar për qasje në internet dhe në bazë të ekspertizës së bërë janë ndërmarrë masa për përmirësimin dhe mbrojtjen e rrjetit informatikë të Ministrisë së Mbrojtjes nga aktivitetet e padëshiruara”, thonë nga ky dikaster, duke u përgjigjur nëse janë pjesë e planit aksional të komandës kibernetike të SHBA-së në rritjen e sigurisë kibernetike dhe sulmeve ndaj internetit.

Sipas informacioneve që janë konfirmuar edhe nga ambasada amerikane në Mal të Zi , SHBA-ja po vendos të ashtuquajturit “luftëtarë kibernetikë” në disa shtete të saj mike në Evropën Lindore, si në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Ukrainë, që t’i “ndihmojnë në përballjen me sulmet e vazhdueshme dhe kërcënimet kibernetike ndaj demokracisë”.

“Komanda kibernetike amerikane që kontrollon operacionet në hapësirën kibernetike për mbrojtjen e interesave amerikane, po bashkëpunon me autoritetet e këtyre vendeve që t’i pengojë kërcënimet potenciale. Komanda amerikane evropiane dhe komanda kibernetike amerikane bashkëpunojnë ngushtë me aleatët e NATO-s”, kanë deklaruar për BIRN nga ambasada amerikane në Mal të Zi, por pa saktësuar detaje tjera.

Kohë më parë, sipas portalit të specializuar “SaberScoop”, gjenerali amerikan Timothy Haugh, komandant i forcave të misionit kombëtar të komandës kibernetike, kishte deklaruar se si pjesë e operacionit të koduar “Teologjia sintetike”, komanda ka vendosur “luftëtarë kibernetikë” në Ukrainë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, që të ndihmojë këto vende që të “mbrohen dhe të mblidhen të dhëna për armiqtë”.

Sipas profesorit të sigurisë në universitetin Fon të Shkupit, Bashkim Selmani, sulmet kibernetike dhe kërcënimet e këtij lloji paraqesin “terrorizëm bashkëkohor” mes shteteve dhe se nga këto sulme nuk përjashtohet as Maqedonia e Veriut.

“Është fakt se nëse analizohet funksionaliteti i këtij vendi, në këtë vakum që ka pasur si një shtet i ndjeshëm sa i përket problemeve si brenda ashtu edhe jashtë, tash po i paraqitet edhe sulmi i radhës Maqedonisë së Veriut, apo sulmet kibernetike. Realisht dyshohet se ato vijnë nga Rusia, megjithatë ato nuk mund të argumentohen, por duke e ditur synimin e saj për anëtarësim në NATO dhe BE, ajo ende më shumë do të jetë e rrezikuar në këtë formë të sulmeve”, thotë Selmani.

Sipas Selmanit, Maqedonia e Veriut nuk është aq e përgatitur që të përballet me këto sulme, andaj edhe është e logjikshme të kërkojë ndihmë.

Në raportin e “SaberScoop” thuhet se SHBA-ja ka synuar “që të mënyrë aktive të pengojë përzierjen eventuale në zgjedhje nga vendet si Rusia”.

Në kontekst të kërcënimit të sigurisë kibernetike janë edhe zgjedhjet presidenciale amerikane dhe hetimi për përzierjen e mundshme ruse. Në këtë hartë është edhe Maqedonia e Veriut me lajmet e rreme nga qytetit i Velesit në mbështetje të Donald Trump.

Edhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg kishte përmendur Maqedoninë e Veriut si burim të lajmeve të rreme dhe kjo çoi që më vonë Facebook të mbyllë 212 faqe interneti në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, për shpërndarje të materialit në kundërshtim me politikat e kompanisë.

Maqedonia e Veriut i njeh lejet e vozitjes të Kosovës

Isuf Kadriu

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ratifikoi marrëveshjen me Republikën e Kosovës për njohjen reciproke të lejeve për vozitje, bazuar në marrëveshjen e arritur mes dy shteteve më 28 janar 2019.

“Me qëllim përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor në territoret e shteteve nënshkruese të marrëveshjes, dy palët, në mënyrë reciproke, i njohin lejet e vozitjes, të lëshuara në territoret e shteteve të tyre në bazë të qëndrimit të rregullt të përcaktuar nga institucionet përkatëse”, thuhet mes tjerash në nenet e marrëveshjes së ratifikuar.

Marrëveshja është mbështetur nga të gjithë deputetët, përfshirë edhe ata të partisë opozitare VMRO DPMNE, por vërejtja e tyre ka pasur të bëjë me zvarritjen e procedurave për nisjen e punimeve ndërtimore për autostradën Shkup-Bllacë, që lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës.

Deputeti Ilija Dimovski tha se janë të pakuptimta vonesat e autoriteteve kur kihet parasysh fakti se pala kosovare e ka përfunduar pjesën e saj të autostradës Prishtinë-Shkup.

Me këtë, sipas deputetit të opozitës maqedonase, qeveria ka dështuar në premtimin e saj për ndërtimin e infrastrukturës me shtetin fqinj.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është njoftuar se projekti është në përfundim e sipër, ndërsa punimet pritet të nisin gjatë këtij viti.

Të dënuarit e “Kumanovës”: Fol shqip, këtu është Shqipëri (video)

MAQEDONI E VERIUT

Në atmosferë të tensionuar ka filluar seanca e sotme e Gjykatës së Apelit, në të cilën shqyrtohen ankesat e Grupit të Kumanovës, të cilët janë dënuar me burg për ngjarjet në Lagjen e Trimave. Seanca filloi me një minutë heshtje për pjesëtarët e vdekur nga Grupi i Kumanovës, të cilën në emër të të gjithëve e kërkoi Genci Sefa.

Më pas ai së bashku me të akuzuarit e tjerë kërkoi që të lexohet deklarata e përbashkët e tyre, por nga gjykata u paralajmëruan se janë në seancë publike, e jo në gjykim. Pas kësaj, pjesëtarët e Grupit të Kumanovës kërkuan që gjykatësja të flasë shqip. “Katër vjet presim të flasim. Kërkojmë hetim ndërkombëtar, nuk jemi të kënaqur nga avokatët, një vit nuk kemi pasur komunikim. Kjo është Shqipëri, ne jemi autokton”, kanë thënë disa nga të akuzuarit në seancë, raportojnë mediat në gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore.

Pasi gjykatësja nuk ju lejoi të lexojnë deklaratën e përbashkët, ata u çuan në këmbë dhe kërkuan të mos e vazhdojnë seancën, ndërsa gjykatësja i lejoi pasi prania nuk është e detyrueshme. Në deklaratën e përbashkët të tyre, të akuzuarit për ngjarjet në Kumanovë kërkojnë nga kryeministri Zoran Zaev t’i nxjerrë dëshmitë e vërteta, për këtë rast, të cilin ata e quajnë të montuar politikisht.

Në deklaratën e lexuar, shihet se Grupi i Kumanovës si dëshmitarë për këtë rast ka propozuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Gordana Jankulloskën, Musa Xhaferin, Gjorge Ivanovin, Bekir Asanin dhe disa ish-funksionarë tjerë shtetërorë. Seanca në Gjykatën e Apelit do të vazhdojë sot dhe nesër pa praninë e disa të akuzuarve. Ndërsa ankesat e tyre do t’i përfaqësojnë avokatët e tyre. Jashtë Gjykatës së Apelit ka forca policore, ndërsa familjarëve e të akuzuarve nuk u është lejuar të fusin në gjykatë lëndë të forta.

Të dënuarit e Grupit të Kumanovës kërkojnë hetim ndërkombëtar

Isuf Kadriu

Gjykata e Apelit në Shkup ka nisur shqyrtimin e ankesave të 33 pjesëtarëve të njohur si Grupi i Kumanovës, të cilët gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar me 746 vjet burgim për veprën penale, terrorizëm.

Prokuroria ka mbrojtur gjykimin e shkallës së parë, ndërsa të dënuarit vetëm për pak çaste kanë qëndruar në seancë, pasi u larguan nga policia për shkak të reagimeve të zëshme dhe brohoritjeve të ndryshme në shenjë revolte, për, siç kanë thënë, dënimin e shqiptuar dhe mosmarrjen në konsideratë të reagimeve të tyre gjatë katër vjetëve të kaluar.

Valdet Zekaj, në emër të të dënuarve, edhe një herë ka kërkuar hetim ndërkombëtar të rastit, si dhe dëshmitë e shumë ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar, e që janë pjesë edhe e Qeverisë së tanishme duke i akuzuar për tradhti për rastin në fjalë.

Ai ka akuzuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe shumë ministra e zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe ata shqiptarë si Ali Ahmetin, Musa Xhaferin e të tjerë.

“Ne, por edhe avokatët tanë, para gjykatës së shkallës së parë kemi propozuar dëshmitarët krucial që të vijnë këtu dhe të dëshmojnë me qëllim që të zbardhet çdo detaj dhe të hiqet çdo dilemë rreth këtij rasti…Por, gjykata i refuzoj të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe njërin që kishte pranuar të fliste”, ka thënë Zekaj.

Edhe pala mbrojtëse ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa ka përsëritur qëndrimet se rasti ka qenë i orkestruar nga Qeveria e kaluar për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet, me të cilat përballej ajo, në veçanti me aferën e përgjimeve dhe raste tjera.

“Sot, djemtë ishin decid, të saktë. Nuk kanë besim në këtë gjykatë, andaj edhe kërkojnë hetim dhe gjykim ndërkombëtar, që të kuptohet se çfarë konkretisht ka ndodhur më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë, dhe të vërtetën ta dinë, si ata, ashtu edhe opinioni”, ka deklaruar Mefail Arsllani, një nga avokatët e të dënuarve.

Sa i përket kërkesës për hetim ndërkombëtar, nga Qeveria kanë thënë se mbeten në qëndrimin mbi nevojën e zbardhjes së këtij rasti dhe se pasi të ketë një epilog gjyqësor, do të mund të inkuadrohen ekspertët ndërkombëtar. Por njohësit e çështjeve juridike thonë se ndërkombëtarët mund vetëm të ndihmojnë me informacione, nëse posedojnë, por jo edhe ta hetojnë rastin.

“Nëse ka indikacione se e gjitha ajo që ka ndodhur, është planifikuar apo nxitur nga jashtë, apo nga shtete tjera, atëherë mund të kërkohet ndihmë nga shërbimet më të zhvilluara nga jashtë. Ata në këtë rast do të na ndihmonin që të arrijmë tek e vërteta. Kjo do të ishte edhe në interesin tonë si shtet. Pra, konsultime mund të ketë, por jo edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të jashtme në hetimin e asaj që ka ndodhur në Kumanovë”, ka vlerësuar Borçe Davitkovaki, njohës i çështjeve juridike.

Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, më 2 nëntor të vitit 2017, ishin shpallur fajtorë për veprën terrorizëm lidhur me luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku kishin mbetur të vdekur 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur, që ishin prezantuar si ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e që kishin nisur konfliktin për, siç kanë thënë, “tërheqjen vërejtjes autoriteteve maqedonase për gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe mosrealizimin e të drejtave të tyre kombëtare”.

*Video nga arkivi: Shpërthime e të shtëna në Kumanovë

Shtatë anëtarë të grupit janë dënuar me burgim të përjetshëm; Dem Shehu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Fejzulla Rushitovski, Andi Krasniqi, Fadil Fejzullahu dhe Bek Bajra. Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burgim, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me 13 vjet dhe dy me nga 12 vjet burgim.

Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës dhe konsiderohen si organizatorë të ngjarjes së rëndë. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy ish- komandantë të UÇK-së, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, por pala mbrojtëse, familjarët si dhe disa nga të dënuarit, në vazhdimësi kanë deklaruar se këta dy persona janë vrarë pasi ishin dorëzuar.

Stevo Pendarovski inaugurohet president i Maqedonisë së Veriut

Isuf Kadriu

Në Kuvendin e Maqedonisë, të dielën, është bërë inaugurimi i presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, fitues i zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 5 maj.

Pendarovski është betuar para deputetëve dhe përfaqësuesve më të lartë të institucioneve shtetërore e fetare, se gjatë mandatit pesëvjeçar do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, dhe se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë së Veriut.

Në seancën solmne kanë marrë pjesë edhe presidentë e përfaqësues të lartë të më shumë shteteve, si presidentët e Shqipërisë e Kosovës, Ilir Meta e Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Malit të Zi si dhe zyrtarë tjerë të jashtëm.

“Publikisht e them dhe obligohem se do të jem president i të gjithëve, edhe i atyre që votuan për mua, edhe i atyre që votuan për ndonjërin nga kundër kandidatët e mi, por edhe i atyre që për çfarëdo arsyeje nuk dolën të votojnë. Në sferën politike, punën e parë që do ta bëjë, e për të cilën shpesh herë kam folur gjatë dy muajve të kaluar, është shtrirja e dorës opozitës për bashkëpunim. E ndjej se përgjegjësia ime e parë si president që isha propozuar nga partitë në pushtet është që të mbroj të drejtat dhe statusin e pakicës, pasi demokracia ekziston vetëm kur të gjithë të jenë të barabartë nga veprimet e pushtetit”, ka deklaruar Pendarovski, duke theksuar edhe përkushtimin e tij për ruajtjen dhe zhvillimin e raporteve ndëretnike në shtet.

“Raportet ndëretnike dhe baraspesha mes të gjitha mes të gjitha etniteteve gjithmonë ka qenë fryt stabilitetit dhe sigurisë tonë të brendshme. Problemi më i madh ka qenë dhe mbetet sjellja e partive më të mëdha politike, të cilat shpeshherë pozicionin e tyre ndaj raporteve ndëretnike e kanë shprehur varësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, andaj edhe për çdo veprim apo sjellje do të kërkoj përgjegjësi politike”, është shprehur kreu i ri i shtetit, duke u ndalur më parë në procesin e integrimit euroatlantik, si prioritet kryesor i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit.

“Raportet e shkëlqyera me të gjitha pesë shtetet fqinje dhe bashkëpunimi i frytshëm rajonal janë parakusht themelor për zhvillimin e një shteti me pozitë specifike gjeografike. Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë janë shembuj pozitiv dhe paraqesin guxim politik për lënien anash të stereotipeve politike dhe ruajtjen e interesave nacionale dhe në të njëjtën kohë të promovohen interesat strategjike të shtetit”, ka deklaruar Pendarovski.

Ai në fjalimin e tij ka theksuar nevojën për ngritjen e ekonomisë së vendit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, krijimin e kushteve për parandalimit e ikjes së të rinjve nga vendit, pa të cilët siç tha shteti nuk mund të ketë të ardhme.

Në postin e presidentit, Stevo Pendarovski zëvendëson kreun e deritanishëm Gjorge Ivanov, i cili për dy mandate ishte president i Maqedonisë së Veriut. Pendarovski në zgjedhjet presidenciale mundi kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova.

Pendarovski shpallet kryetar i shtetit me certifikatë në gjuhën shqipe dhe maqedonase

Stevo Pendarovski është Presidenti i parë i Maqedonisë së Veriut që cetrifikatën nga KSHZ e merr edhe në gjuhën shqipe.Siç duket, KSHZ është një nga institucionet e para që ka filluar zyrtarizimin e gjuhës shqipe, siç është e paraparë edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili pas shumë tensioneve dhe problemeve arriti të miratohet në Kuvend.

Certifikata e KSHZ=së në gjuhën maqeodnase dhe në gjuhën shqipe për Presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Gazeta Express mëson se anëtarët e KSHZ-së fillmisht kanë hezituar që certifikata të shkruhet në dy gjuhë, por pas insistimit të dy anëtarëve shqiptarë në KSHZ, Enver Salihi dhe Ditmrire Shehu, ka rezultuar që certifikata të shkruhet edhe në gjuhën shqipe.

Ivanov shkon në histori, nuk ka më mundësi të amnistojë askënd

Presidenti në largim Gjorgji Ivanov nuk do t’u kthehet amfiteatrove të universitetit. Ai zgjodhi të gëzojë të drejtat që i takojnë si ish president, pension aq sa e kishte edhe rrogën, pra rreth 1500 euro, një zyre në rrokaqiejt në lagjen aerodrom dhe 3 të punësuar.

Megjithatë, Ivanov ka dhe 48 orë mandat dhe të drejta të plota si President. Ende nuk dihet nëse Ivanov do t’i falë të dënuarit për terrorizëm në ngjarjet e 27 prillit, pasi ata pak kohë parë kërkuan nga presidenti që ti amnistojë.

Televizioni Alsat edhe njëherë herë adresoi pyetje në kabinetin e tij në lidhje me faljen e mundshme, por ai përsëri zgjodhi të heshtë, si shumë herë më parë.

Juristi Sejfulla Osmani thotë se është thuajse e pamundur që Ivanov të falë në këto orë mandat që i kanë mbetur. Megjithatë, Osmani thotë se Ivanov do të duhet të përgjigjet edhe për shkeljet ligjore që i ka bërë në të kaluarën, siç ishte rasti me mos-dekretimin e ligjeve të miratuara në Kuvend.

“Mendoj se mundësia është shumë e vogël që të ndodhë një gjë e tillë. Kryetari në ikje mendoj se edhe teknikisht nuk ka mundësi që për 24 orë t’i kompletojë të gjithë këto procedura të sjell një akt të tillë, së paku ai duhet vendimet që i sjell edhe t’i shpall në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë, një mundësi e tillë nuk ekziston. Po që se bën një veprim të tillë ai do të bëj edhe shkelje ligjore, gjë e cila nuk i ka munguar edhe në të kaluarën në disa raste ne kemi pasur evidente kur ai nuk ka respektuar as kushtetutën e as ligjin e posaçërisht kur bëhet fjalë për ligje që për së dyti herë janë lexuar dhe votuar në Parlament, mendoj se në në të ardhmen organet përgjegjëse duhet të marrin veprime adekuate ligjore” tha Sejfulla Osmani – Jurist

Kryetarja e Komisionit për Sistem Politik në VMRO-DPMNE Tanja Karakamisheva ka kërkuar nga Ivanov që orët e fundit si President t’i shfrytëzojë duke i amnistuar të dënuarit e 27 prillit.

Megjithatë ekspertët juridikë janë të ndarë rreth asaj nëse neni 11 i ligjit për falje ekziston në sistemin e drejtësisë apo jo.

Prandaj edhe funksionarët qeveritarë me opozitarët interpretojnë në mënyrë të ndryshme këtë çështje.

Protestë në Shkup: Drejtësi për rastin e Kumanovës dhe proceset e tjera të montuara politike!

Në protestë morën pjesë shumë familjarë të të arrestuarve në rastin e Kumanovës, përfshi edhe të afërm të të arrestuarve në rastet tjera. Pjesë e kësaj protestë ishte edhe vajza e Arsim Bajramit (ish-pjesëtar i MPB-së) i dënuar me 13 vite burg për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”.

Lënda gjyqësore për “Lagjen e Trimave” dhe të gjitha proceset tjera të montuara politike të rigjykohen, ndërsa rastet e inskenuara në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, të mbështetur nga gjykatës të partizuar, të ripërsëriten nga fillimi… janë disa nga kërkesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilën dje, për të satën herë me radhë, protestuan në sheshin e “Skënderbe” dhe para Gjykatës Penale të Shkupit. Kryetari i Këshillit të familjarëve të të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani, në fjalimin para të pranishmëve, në protestën për rastin e Kumanovës dhe rasteve tjera të montuara, tha se në Maqedoninë e Veriut njëherë e përgjithmonë duhet të ndalohet gjykimi dhe shqyrtimi i lëndëve sipas standardeve të dyfishtë, shkruan gazeta KOHA.
“Të bëhet balistika dhe ekspertiza profesionale e të gjitha të dhënave dhe fakteve materiale që i propozon mbrojtja. Të merren parasysh të gjitha shkeljet dhe lëshimet e qëllimshme procedurale. Në botën demokratike, të akuzuarit edhe për vepra më të rënda lirohen shkaku i lëshimeve procedurale. Me një venting në gjyqësor të largohen të gjitha ata gjykatës që për interesa partiake dhe karrieriste janë pjesë e proceseve të montuara dhe dënimeve drakonike ndaj shqiptarëve. Të përmirësohen kushtet në burgjet e vendit”, tha Pollozhani.

Ndodhitë në Kumanovë në vitin 2015 dhe më pas trajtimi institucional i këtyre ngjarjeve, për organizatorët e protestës “Stop standardeve të dyfishta”, është kulminacioni i montimit të rasteve kundër shqiptarëve. Megjithatë, siç tha Pollozhani, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe raste tjera, të cilët janë gjykuar sipas përkatësisë etnike.
“Jemi të revoltuar për injorimin dhe lirinë e shqiptarëve në krahasim me madhërimin e jetëve të joshqiptarëve, sikur të ishin ata lopët e shenjta të Indisë. Jemi të indinjuar se si një vrasje me paramendim, siç ishte rasti me Almirin e vogël, të interpretohet si një vrasje e paqëllimtë. Edhe pse vrasësi është i dënuar me katër vjet burg, ai nuk ka qëndruar as një vit prapa grilave. Jemi shumë të indinjuar për dënimin me nga 19 vite burg të dy djemve të ri shqiptarë, të cilët pa paramendim dhe pa dashje, ia morën jetën një joshqiptari. Të indinjuar jemi se si autorët e djegies së pronës shqiptare në Gjorçe Petrov të Shkupit nuk u dënuan dhe aq më pak – afaristët shqiptar u dëmshpërblyer”, theksoi Pollozhani. Toga e zeza (gjykatësit), siç tha Pollozhani, janë shpirt zinj. Me veprimet e tyre ata paraprakisht e montuan rastin e “Sopotit”, më pas atë të alfës “Alfën”, “Monstrën” e plot tjera, shtoi ai, njofton Koha.mk.

Në këtë protestë, morën pjesë shumë familjarë të të arrestuarve në rastin e Kumanovës, përfshi edhe të afërm të të arrestuarve në rastet tjera. Pjesë e kësaj protestë ishte edhe vajza e Arsim Bajramit (ish-pjesëtar i MPB-së) i dënuar me 13 vite burg për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”. Para të pranishmëve ajo shprehi dëshirë që babai i saj të lirohet sa më shpejtë dhe të kthehet në shtëpi. Ndryshe, edhe pse Qeveria e re në krye me Zoran Zaevin, para dhe pas marrjes së pushtetit pati paralajmëruar hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës, ajo deri më tani nuk është realizuar dhe me gjasë, nuk do të realizohet asnjëherë. Këtë situatë më së mirë e sqaron mungesa e informacionit që e kishte ministrja e Drejtësisë, Renata Desksoska, e cila tha se nuk ka të dhënë se deri në cilën fazë është kjo procedurë. Ngjashëm u deklarua edhe shefja e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva, e cila shtoi se deri më tani, nga “bombat” e shqyrtuara kanë zbuluar vetëm indikacione të vogla, por jo edhe dëshmi të forta. Ajo u shpreh skeptike se PSP-ja do të marrë përsipër këtë lëndë./GazetaExpress/

Organizohen protesta kundër diskriminimit të shqiptarëve, jepet përkrahje për Lagjen e Trimave

Me rastin e 9 majit, ditën kur u bënë luftimet në Kumanovë në “Lagjen e Trimave”, organizohet protestë me moton “Kundër standardeve të dyfishta dhe kundër diskriminimit dhe segregacionit të shqiptarëve”.

Siç bën të ditur Shpëtim Pollozhani, protesta organizohet nga Shoqata e të Burgosurve Politik së bashku me Këshillin e familjarëve që janë të burgosur me dënime të rënda, duke përfshirë aty edhe grupin e “Lagjes së Trimave”.

Protesta nis në orën 13:00, nga sheshi “Skenderbeu” në Shkup dhe do të vazhdojë deri te gjykata.

Nipi i Nënës Terezë në Shkup do ta takojë Papa Françeskun

Familja e shenjtores dhe nobelistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza nuk ka ndonjë shenjë të theksuar që mund të evidentohet në Shkup. Ajo dikur ishte në zemër të Shkupit, sot lokacioni afër Qendrës së Vjetër Tregtare apo vetëm pak hapa afër përmendores së Aleksandrit të Madh në shesh.

Aty ka ngelur vetëm një pllakë me mbishkrimin “këtu ka qenë shtëpia e Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiu”. Kjo pllakë është vendosur në një qoshe, dhe disa herë ka qenë pre e akteve vandale.

Një shenjë e Nënë Terezës është familja Gombar, gjegjësisht kryefamiljari i saj Alojz Gombar, që është një famijar, apo disa e konsiderojnë si nipi i Gonxhe Bojaxhiut.

Ai thotë se gjyshja e tij dhe babai i Nënë Terezë ka qenë motër dhe vëlla, pra një lidhje e afërt familjare. Sipas tij bëhet fjalë për një familje të pasur e cila ka pasur shumë pasuri në Shkup dhe në Kosovë, që janë marrë me artari dhe filigrane.

“Por familja jonë ka qenë shumë humane dhe se Nëna Terezë e humanizmin e ka trashëguar nga nëna e saj, e cila gjithmonë kishte përgatitur dreka me kazane për të varfërit. Fryma e ndihmës ndaj të varfërve ka mbetur edhe tek ne”, theksoi Gombar. Ai shton se është një moment i veçantë që për së dyti herë takon Papën dhe se ndjehet shumë i emocionuar. “Me shumë gëzim e presim ardhjen e tij unë dhe familja ime”, theksoi Gombar.

Papa Françesku arrin në Maqedoninë e Veriut, Shkupi nën masa të rrepta sigurie

Isuf Kadriu

Papa Françesku arriti të martën në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në vizitën e parë në këtë shtet të një drejtues të kishës kalotike ku do të drejtojë një meshë në përkujtim të Nënë Terezës, humaniste e njohur botërore dhe fituese çmimit Nobel, e lindur në Shkup.

Ati i shenjtë gjatë qëndrimit njëditor në Maqedoninë e Veriut do të takohet presidentin në largim, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës në Shkup, e ka vlerësuar si historike dhe që mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

Përgatitjet për vizitën e Papës në Shkup

Zyra e shtypit të Selisë së Shenjtë në Vatikan ka bërë të ditur se Papa do të takohet edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik, si dhe me udhëheqës fetarë e njerëz të varfër.

Meshën e cila do të drejtohet nga kreu i Kishës Katolike Romake, sipas autoriteteve pritet ta ndjekim rreth 15 mijë persona në sheshin kryesor të Shkupit, jo vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe vende tjera që janë akredituar për të marrë pjesë në aktivitetet e atit të shenjtë.

Vizita e Papës ka ngritur në këmbë thuajse gjithë aparatin shtetëror që masa të jashtëzakonshme të sigurisë. Për mbarëvajtjen e vizitës janë angazhuar qindra forca policore e ushtarake si dhe njësitet speciale anti-terror.

Komunikacioni nëpër rrugët ku pritet të kalojë Ati i shenjtë që të hënën është bllokuar për qarkullimin e automjeteve ndërsa të gjithë banorët e zonës qendrore janë udhëzuar që të mos dalin pa nevojë. Dita e martë në Shkup është shpallur ditë jopune me qëllim të mos shkaktimit të rrëmujës, por edhe si masë për mbarëvajtjen e vizitës.

Para se të nis vizitën në Shkup, Papa nëpërmjet një video-mesazhi kishte shprehur besimin e thellimit të marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë. Unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë. Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra”, kishte deklaruar Papa duke theksuar se vizitën ia kushtonte në radhë të parë, Nënë Terezës.

“Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve”, ka theksuar Papa Françesku.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Atit i Shenjtë do të pranojë edhe një dhuratë të Kosova, shtatoren e Nënë Terezës, të punuar nga familja e Isë H.Buzukut nga Tygjevci i Kamenicës. Njoftimi është bërë nga ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.

Para vizitës në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku ka qëndruar në Bullgari ndërsa vizita thuhet se kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse si pjesë e planeve të Vatikanit për të arritur një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishterimit nga Lindja dhe Perëndimi që u ndanë në vitin 1054.

Papa dhe Selia e Shenjtë shpresonin se gjatë kësaj vizite do të mbahej një lutje e përbashkët në qendër të Sofjes, por drejtuesit e Kishës Ortodokse bullgare kishin refuzuar një kërkesë të tillë.

Pendarovski: Do të jem president për të gjithë

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeson me 51,66 për qind të votave kundrejt kandidates Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka grumbulluar 44,73 për qind të votave, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëmarrja e qytetarëve në votim në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46,70 për qind, respektivisht 844.365 qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës nga gjithsej 1.808.131 të regjistruar në listën e votuesve.

– Siljanovska: Duhet menduar seriozisht për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Pendarovski i cili mbështetej nga koalicioni qeveritar (LSDM, BDI, Alternativa dhe 28 parti tjera), grumbulloi 436.212 vota, ndërsa Siljanovska-Davkova, e cila mbështetej nga partia opozitare e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, grumbulloi 377.713 vota.

Në konferencën e parë për media pas mbylljes së procesit të votimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, falënderoi të gjitha partitë politike që mbështetën kandidaturën e Stevo Pendarovskit, por edhe të gjithë qytetarët.

“Rezultati i zgjedhjeve të sotme, është vërtetim se zhvillohemi akoma më shumë, se sollëm vendim të përgjegjshëm dhe se meritojmë të ecim para. Vendi ynë është në NATO. Vendi ynë është në Bashkimin Evropian”, tha Zaev.

Ndërkaq, kandidati për president, Stevo Pendarovski, u zotua se do të jetë president për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësitë etnike, fetare, apo partiake.

“Miq të nderuar, falënderimi më i madh i takon qytetareve dhe qytetarëve maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët, të cilët më dhanë nderin, përgjegjësinë dhe detyrën që të president për të gjithë. Do të jem president për të gjithë”, theksoi Pendarovski, i cili po ashtu falënderoi kundërkandidatët për pjesëmarrjen në atë që e quajti “zgjedhje demokratike të kristalta”.

Në konferencën për media të mbajtur në selinë e LSDM-së, të pranishëm ishin edhe kryesia e BDI-së dhe partnerëve tjerë të koalicionit qeveritar, si dhe simpatizues të shumtë të cilët pas përfundimit të konferencës vazhduan festën para selisë partiake.

Rrethi i parë i zgjedhjeve parlmentare u zhvillua më 21 prill kur Pendarovski me 323.892 vota dhe Siljanovska-Davkova me 319.364 vota kaluan në rrethin e dytë. Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, mori 79.921 vota dhe nuk u plasua për të garuar në rrethin e dytë.

Së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sot u zhvillua edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme lokale për kryetarë të komunave të Ohrit dhe Novo Sellës.

Sipas listës së votimit të KSHZ-së, 52.303 qytetarë kishin të drejtë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Ohër, ndërsa 11.365 në Novo Sellë. Sipas rezultateve paraprake në këto dy komuna kryesojnë kandidatët e LSDM-së, Konstatin Georgievski në Ohër dhe Nikolla Andonov në Novo Sellë.

Zgjedhjet lokale u thirrën edhe në Dibër, por aty u zgjodh kryetari i komunës në rrethin e parë, kur fitoi kandidati i BDi-së, Hekuran Duka.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, kryeson Pendarovski

 

Nga rreth 93,31% e kutive të numëruara deri më tani, ose e përthyer në vota 756.961 të tilla, kryeson kandidati i mazhorancës, Stevo Pendarovski me 52,24 për qind (395.416 vota) kundrejt kandidates së opozitës Gordana Siljanovska me 44,19% për qind (334.508 vota).

Pjesëmarrja e votuesve, duke u bazuar në 98,63 për qind të vendvotimeve të procesuara, është 44,55 për qind apo 802.797 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës nga gjithsej 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën e votuesve.

Pendarovski mbështetet nga koalicioni qeveritar (LSDM, BDI, Alternativa dhe 28 parti tjera), ndërsa Siljanovska-Davkova mbështetet nga partia opozitare e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

Ndryshe, sot u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të gjashta në Maqedoninë e Veriut, ndërsa rrethi i parë u zhvillua më 21 prill kur Pendarovski me 323.892 vota dhe Siljanovska-Davkova me 319.364 vota kaluan në rrethin e dytë. Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, i cili mori 79.921 vota nuk pati të drejtë të garojë në rrethin e dytë.

Së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sot u zhvillua edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme lokale për kryetarë të komunave të Ohrit dhe Novo Sellës.

Sipas listës së votimit të KSHZ-së, 52.303 qytetarë kishin të drejtë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Ohër, ndërsa 11.365 në Novo Sellë.

Zgjedhjet u thirrën edhe në Dibër, por aty u zgjodh kryetari i komunës në rrethin e parë, kur fitoi kandidati i BDi-së, Hekuran Duka.

Në Maqedoninë e Veriut po mbahet balotazhi për zgjedhjet presidenciale

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet e gjashta presidenciale që nga pavarësia e këtij vendi. Pak mbi 1 milion e 808 mijë votues figurojnë në regjistrin zgjedhor, një shifër kjo që ka qenë e debatueshme prej vitesh në shtetin e vogle prej 2 milionësh.

Votuesit mund të zgjedhin në mes njërit garues, i konsideruar si i moderuar dhe properëndimor dhe tjetrit që mund të bllokojë proceset integruese të vendit. Stevo Pendarovski është kandidat i Lidhjes Social Demokrate i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe një sërë partish të tjera më të vogla e organizata joqeveritare. Ndërsa, Gordana Siljanovska Davkova garon si kandidate presidenciale e VMRO-DPMNE-së së opozitës, e vlerësuar si nacionaliste.

Të dy garuesit dhe përkrahësit e tyre e kanë të qartë se pa votat e shqiptarëve nuk bëhen presidentë dhe ata kanë zhvilluar një fushatë në këto dy javët e fundit duke u përqendruar në tërheqjen e votuesve shqiptarë.

Stevo Pendarovski ofron konceptin “Një shtet për të gjithë”, një shtet ku nuk do të ketë padronë dhe qiraxhinj apo të nënrenditur, as qytetarë të rendit të parë e të rendit të fundit, siç shprehej ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ndërkaq, Gordana Siljanovska ka zhvilluar një fushatë me sulme ndaj kundërkandidatit presidencial Pendarovski dhe Lidhjes Social Demokrate në pushtet, duke i paraqitur ata si përgjegjës për shitjen, sipas saj të emrit, të popullit dhe identitetit maqedonas. Ajo është shprehur se ajo vetë nuk do ta përdorë emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” nëse bëhet presidente, dhe se do të kërkojë mënyra për kthimin e emrit Republika e Maqedonisë. Siljanovska po ashtu mund të paraqesë probleme, sipas analistëve, ndaj ligjit që i mundëson një shtrirje të gjerë përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Në balotazh duhet të dalin mbi dyzet për qind e votuesve, përndryshe zgjedhjet quhen të pavlefshme.

Në atë rast, Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi do të merrte përgjegjësitë si ushtrues i detyrës së presidentit deri në organizimin e zgjedhjeve të radhës, pas një periudhe prej gjashtë deri nëntë muajshe. Zoti Xhaferi ka lënë të kuptohet se kjo do të paraqiste një barrë për të dhe për institucionet dhe nuk do t’i ndihmonte aspak proceset.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 3300 përfaqësues vendas dhe 520 vëzhgues të organizatave të huaja me ODIHR-in në krye.

Qendrat e votimit mbyllen në ora 19 dhe pas pak orësh mund të dihen rezultatet e para që zakonisht publikohen nga shtabet zgjedhore të garuesve apo edhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve para mesnate.

Blerim Reka bën thirrje për pjesëmarrje në votimet e 5 majit

Isuf Kadriu

Të dielën (më 5 maj) në Maqedoninë e Veriut mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Kandidatë janë: Stevo Pendarovski nga koalicioni qeveritar i udhëhequr nga social demokratët e kryeministrit, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DMPNE-së opozitare. Mirëpo, këto zgjedhje do të jenë të vlefshme vetëm nëse në votime dalin mbi 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues.

Pikërisht dalja e votuesve vlerësohet të jetë shumë kritike për këto zgjedhje duke marrë parasysh se në rrethin e parë të votimeve pjesëmarrja ka qenë vetëm 41.79 për qind.

Në rrethin e parë të mbajtur më 21 prill në garë ka qenë edhe kandidati që ka pasur mbështetjen e opozitës shqiptare, Blerim Reka.

Reka të enjten iu bëri thirrje votuesve të tij që të dalin në votime në rrethin e dytë të zgjedhjeve pasi, sipas tij, në këtë mënyrë do të shpëtohet procesi i integrimit euro-atlantik të vendit.

Ai mohoi të ketë pasur takime me kandidatët apo liderët partiak për të mbështetur ndonjërin nga kandidatët për president.

Dalja e ulët e votuesve në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut, ka hapur debatet se çfarë do të ndodhë nëse në raundin e dytë nuk arrihet pragu zgjedhor prej 40 për qind.

Nga Qeveria në disa raste nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në rast të dështimit, zgjidhjen ta kërkojnë në Kuvend, por pa përjashtuar edhe mundësinë e heqjes së pragut zgjedhor.

Në rast të dështimit të zgjedhjeve, postin e presidentit të përkohshëm do të ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që do të ishte shqiptari i parë në postin më të lartë shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Ai këtë post do ta ushtronte deri në gjetjen e mekanizmave për formën e zgjedhjes së presidentit të ri.

Shpalosi flamurin Kombëtar në Ohër, ja dënimi që merr shqiptari

Me 1100 euro dhe ndalesë për mos të hyrë në Maqedoni për 5 vite është dënuar Gjergj Prekoçaj, nga udhëheqësit e grupit të Arbëreshëve që shpalosi flamurin në Kalanë e Ohrit.
Megjithatë ai ka thënë se do të vazhdojnë të shpalosin flamurin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Më kanë ndaluar për pesë vite hyrjen në Maqedoninë e Veriut. Kjo është toka jonë. Nuk do të ndalemi. Na jemi në tokën tonë arbërore dhe ne jemi për bashkim kombëtar”, ka thënë Gjergj Prekoçaj.

Kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Shpëtim Pollozhani tha se është një dënim drakonik 1100 euro dhe paratë i ka paguar menjëherë që të lirohet, edhe atë falë avokatit Ardian Demiri, sepse për shkak të festave do të detyrohej të shkonte në burg.

AGJENDAT SERBE DHE RUSE NUK MUND TË JENË TË PRANUESHME PËR POPULLIN SHQIPTAR NË MAQEDONINË VERIORE – Nga Abdulla Mehmeti

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore

 

(Mbi filozofitë politike tepër të vjetruara, të deklasuara, jodemokratike, antihistorike dhe të pafuqishme për t’ia lënë kësaj radhe “këmbët e arushës” popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore)

 

OBRM-PDUKM e pareformuar thellësisht nuk mund të mendohet si partner politik i shqiptarëve

 

Zgjedhja e presidentit shqiptar në Maqedoninë Veriore, jo që është e pamundur dhe nuk është ide e pranueshme për shqiptarët vendës dhe shumicën e qytetarëve të tjerë të këtij shteti, por është një përrallë për një kohë tjetër, prandaj, si e tillë nuk mund të jetë pjesë e agjendës aktuale të lëvizjes politike shqiptare.

OBRM-PDUKM, nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991 e deri më sot, gjithmonë ka qenë pengesa kryesore, ana më e errët dhe destruktive për realizimin e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, si dhe pengesa kryesore për orientimin evropian të këtij shteti. Kjo mund të dëshmohet përmes këtyre veprimeve të derisotme të saj:

– kundërshtimin për avancimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve (me sjelljen e Kushtetutës dhe ndryshimet e plotësimet e saj, më 1991, 2001, 2018);

– kundërshtimin me formimin e qeverisë së parë “demokratike” pas pavarësimit të këtij shteti (1991), për pjesëmarrjen e partive shqiptare në atë qeveri;

– promovimin e idesë dhe tentimin për ndarjen e Maqedonisë, shkëmbimin e popullsisë dhe të territoreve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, sipas elaborateve, projekteve dhe interesave serbe dhe ruse (2001);

– falsifikimin e numrit të banorëve shqiptarë përmes regjistrimit të popullsisë (nga qeveria e ekspertëve, e VMRO-së), më 1991 dhe kundërshtimin e regjistrimit të popullsisë me mbikëqyrje ndërkombëtare (1994);

– kundërshtimin e arsimimit universitar të shqiptarëve në gjuhën amtare, përmes protestave të njohura më 1995, 1997 dhe obstruksionet për formimin e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe në Shkup, kundërshtimin e Ligjit për zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 2004, dhe të ngjashme);

– kundërshtimin e Ligjit për ndarjen territoriale dhe krijimin e komunave të reja me shumicë të popullsisë shqiptare (organizimi i Referendumit për ndalimin e tij), më 2004;

– kundërshtimin e sjelljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (2017);

– kundërshtimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit nga radhët e partive shqiptare;

– falsifikimin e historisë, përmes projekteve “Enciklopedia maqedonase”, “Shkupi 2014”, mbushja e librave shkollorë me të pavërteta historike në dëm të popullit shqiptar, etj.;

– obstruksionet dhe ndërprerja e regjistrimit të popullsisë më 2011;

– kundërshtimin e proceseve integruese euroatlantike, anëtarësimin në NATO dhe BE (në pespektivë), kundërshtimin e Marrëveshjes së Prespës dhe organizimin e Referendumit në lidhje me këtë çështje; etj.

– të gjitha parullat armiqësore, me përmbajtje shoviniste dhe raciste kundër shqiptarëve, si: “Vdekje shqiptarëve”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” etj., për tri dekada me radhë kanë qenë pjesë të agjendës politike të kësaj partie.

Cili është motivi, cila është agjenda e individëve, grupeve, medieve, qendrave të propagandës dhe disa forcave politike shqiptare, në vend dhe jashtë, për ta ndihmuar drejtpërdrejtë dhe në forma të sofistikuara, rikthimin e OBRM-PDUKM-së në pushtet, të diktaturës, korrupsionit, krimit të organizuar, politikës antishqiptare, krizës politike dhe kaosit, me këtë edhe forcimin e influencës serbe dhe ruse në Maqedoninë Veriore dhe në rajon?!

 

Shqiptarët duhet të dinë ta bëjnë dallimin

 

Nga kush koordinohet dhe kush e mbështet dhe financon këtë fushatë politike-propaganduese në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore për rikthimin e OBRM-PDUKM (VMRO-së) në pushtet?

Fatkeqësisht, vërehet qartë që në këtë lojë janë përfshirë pa dashje edhe një numër i qytetarëve shqiptarë, të manipuluar dhe mashtruar, disa ndoshta edhe të paguar, në koordinim me këto qendra të propagandës, brenda dhe jashtë Maqedonisë Veriore.

Parulla e hedhur në këtë fushatë presidenciale se ka ardhur koha që ky shtet të ketë president shqiptar është vetëm një mbulesë, demagogji e kulluar, mashtrim dhe propagandë, e cila ka për qëllim rënien e pushtetit aktual, rikthimin e pushtetit të mëparshëm të OBRM-PDKM, të krizës politike dhe kaosit, si dhe rikthimin e influencës serbe e ruse në Maqedoninë Veriore.

Këto qendra të propagandës, duke e njohur mirë situatën e brendshme të bishtë në këtë shtet dhe raportin e forcave mes këtyre dy partive më të mëdha politike në vend, me ideologji dhe orientime të ndryshme, se LSDM-ja asnjëherë në historinë e këtij shteti, pas pavarësisë së tij në vitin 1991, nuk ka mundur ta fitojë partinë OBRM-PDUKM, në asnjë cikël zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare, komunale dhe presidenciale, pa votat e shqiptarëve dhe të bashkësive të tjera etnike, prandaj, këto qendra të propagandës dhe forca destruktive janë përqendruar të godasin fuqishëm pikërisht në këtë pikë, heqjen dhe neutralizimin, ndërprerjen dhe heqjen e mbështetjes së shqiptarëve ndaj LSDM-së.

Çfarëdo kundërshtimi, bojkotimi, apo indiference e votuesve shqiptarë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 5 maj të këtij viti, do ta nxjerrin humbëse LSDM-në përballë OBRM-PDKM.

Matematika është tepër e thjeshtë pse mund të ndodhë kështu, duke pasur parasysh frymën proserbe që ka dominuar në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në Maqedoni, nga viti 1943, përkatësisht nga viti 1991 e deri më sot.

 

LSDM-ja dhe qëndrimi i saj ndaj shqiptarëve

 

LSDM, si parti e dalë nga nënsjetullat e ish Partisë Komuniste Jugosllave, nga viti 1991 e deri më sot, ka bërë gabime dhe lëshime në raport me shqiptarët, por saherë që në këtë parti ka dominuar fryma konstruktive shumetnike, gjatë qeverisjes së saj edhe janë shënuar disa ndryshime pozitive në avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, si për realizimin e të drejtës për arsimim universitar në gjuhën amtare (zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 2004), decentralizimi i pushtetit dhe krijimi i disa komunave të reja me shumicë të popullsisë shqiptare (2004), sjellja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (2018), zgjedhja e kryetarit të Parlamentit nga radhët e partive shqiptare (2017) dhe çështje të tjera, të cilat premtojnë se mund të arrihet edhe shumë më tepër në të ardhmen, në këtë frymë mirëkuptimi, tolerance dhe bashkëpunimi mes dy popujve shumicë në këtë shtet, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Gabimet e kësaj partie (LSDM) në të kaluarën duhet të diskutohen dhe kritikohen hapur, siç janë, distancimi dhe kërkimfalja nga kjo parti e dalë nga ish Partia Komuniste e Maqedonisë (PKM), për shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, diskriminimi i hapur i shqiptarëve, krimet dhe gjenocidi i ushtruar gjatë asaj periudhe.

Duhet të kritikohen hapur edhe gabimet pas vitit 1991, me degradimin e statusit juridik-kushtetues të popullit shqiptar, politikat e gabueshme edhe gjatë qeverisjes së fundit të kësaj partie, 2017-2019, me tendenca për degradimin e lëvizjes politike të shqiptarëve, sidomos me avancimin e disa kuadrove shqiptarë në radhët e saj, pa kredibilitet ndër shqiptarët, me rikthimin e frymës së vëllazërim-bashkimit sipas modelit komunist ish jugosllav, me tendencën për tkurrjen etnike të shqiptarëve, ndërhyrjen në zgjedhjet vendore në komunat shqiptare, Haraçinë, Likovë, si dhe përkrahjen e disa kandidatëve për kryetarë të disa komunave shqiptare, e politikanëve me të kaluar të papastër, të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, për bashkëpunimin pa kritere me disa forca politike të deklasuara dhe komprometuara ndër shqiptarët, ndërhyrjen dhe rritjen e kontrollit mbi mediet, pengimin dhe ngulfatjen e fjalës së lirë dhe të mendimit ndryshe për rrjedhat aktuale shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore gjatë qeverisjes së fundit (2017-2019), si dhe gabime të tjera për të cilat duhet të diskutohet hapur, të kritikohet kjo parti (LSDM), si dhe të kërkohen zgjidhje të drejta në të ardhmen, për të mirën e shtetit të përbashkët, të qytetarëve dhe sidomos në interes të proceseve integruese, anëtarësimin në NATO dhe BE (në perspektivë), të sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.

Por, ana e kundërt e saj, politikat e udhëhequra nga OBRM-PDUKM (VMRO), fillimisht në partneritet “strategjik” me PDSH-në, edhe më vonë me BDI-në, gjatë tri mandateve të qeverisjes së saj (2006 – 2017), asgjë të mirë dhe të dobishme nuk u ka sjellë shqiptarëve në këtë shtet.

Asnjë parti politike, nga viti 1991 e deri më sot, nuk ka qenë më destruktive dhe më armiqësore se OBRM-PDUKM ndaj shqiptarëve, të drejtave të ligjshme dhe perspektivës së popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore. Mjafton t’i hidhet një sy të kaluarës jo të largët, qëndrimeve të kësaj partie ndaj të drejtave politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, siç u theksuan në pjesën e parë të kësaj analize.

 

Ku janë votuesit shqiptarë dhe votat e tyre?

 

Sipas numrit real të popullsisë (35-40%), shqiptarët në Maqedoninë Veriore duhet të kenë mbi 630 mijë vota.

Sipas të dhënave zyrtare (joreale) për numrin e popullsisë (2002), së paku ka mbi 450 mijë votues shqiptarë në këtë shtet.

Jo 80 mijë vota, as 180 mijë vota, nuk janë vota reale të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

Kush duhet të kujdeset dhe jep llogari për këtë?

Çfarë bëjnë partitë politike të shqiptarëve nëse nuk dinë ta numërojnë dhe mbrojnë votën shqiptare?

Cili është funksioni dhe dobia e partive politike të shqiptarëve nëse nuk janë të afta ta numërojnë, mbrojnë, mobilizojnë, orientojnë, efektuojnë dhe mirëpërdorin votën e qytetarëve shqiptarë, në emrin e të cilëve thirren, bëjnë karrierë dhe aktrojnë pushtet në Republikën e Maqedonisë Veriore?

Kjo është përgjigja që duhet ta japin partitë politike të shqiptarëve, jo të bëjnë sikur merren me politika të mëdha, me çështjen globale të integrimeve euroatlantike dhe me çështjen kombëtare, të cilën e kanë shndërruan në pazar të plaçkave!

Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, sipas të dhënave statistikore jozyrtare, se shqiptarët në Maqedoninë Veriore përbëjnë 35-40 % të popullsisë në këtë shtet.

Secili që ka pak njohuri mbi krijimin dhe funksionimin e shteteve ballkanike, për pushtetet e tyre deri më sot, e ka të qartë se shumica e këtyre shteteve janë ngritur në rrethana të pazakonshme, përmes pushtimeve, dhunës, mashtrimeve dhe falsifikimeve, dhe më tepër se kudo tjetër në botë ky rajon është dalluar gjatë historisë me shpërngulje të dhunshme të popullsive, zhvendosjen e tyre nga një shtet në tjetrin, nga një rajon në tjetrin, me shfarosje masive, gjenocide, dhunë e terror.

Këto çështje, shumica individë thonë që duhet t’ia lëmë historisë, por edhe sot falsifikimet në këto shtete, sidomos numri i popullsisë së tyre janë ende në lojë për interesat e tyre politike dhe strategjike, me qëllim të dominimit të një populli mbi të tjerët. Këtë fat e kanë pasur sidomos shqiptarët nën ish federatën jugosllave dhe po këtë fat vazhdojnë ta kenë edhe sot në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Sidoqoftë, sipas të dhënave statistikore zyrtare, sado që ato janë të pasakta, të manipuluara dhe falsifikuara, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoni, thuhet se shqiptarët përbëjmë mbi 25% të popullsisë së përgjithshme në këtë shtet.

Atëherë, nëse Lista e përgjithshme e votuesve për mbajtjen e zgjedhjeve ka gjithsej 1.808.131 votues, e cila është përdorur edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 21 prill, dhe nëse shqiptarët sipas statistikave zyrtare janë 509.083 (25,17%) banorë në këtë shtet, i bie që në Maqedoninë Veriore të ketë së paku 450 mijë votues shqiptarë!

Në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve presidenciale, për kandidatin shqiptar kanë votuar vetëm 79.921 votues shqiptarë, prej të cilëve 10% besohet se kanë qenë vota nga qytetarë me përkatësi të tjera etnike.

Meqë dalja në këto zgjedhje llogaritet se ka qenë 41,79%, i bie që në këto zgjedhje është dashur të ketë së paku 180 mijë vota nga qytetarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në këto votime.

Për cilin kandidat kanë votuar mbi 100 mijë votues shqiptarë, përveç atyre afër 80 mijë qytetarëve që kanë votuar për kandidatin shqiptar?

Në Republikën e Maqedonisë Veriore, sipas Listës së përgjithshme me 1.808.131 votues, dhe sipas numrit real të banorëve shqiptarë, prej 35-40 %, i bie të ketë mbi 630 mijë votues shqiptarë.

Edhe sipas të dhënave zyrtare (jo të sakta për numrin real të banorëve shqiptarë në këtë shtet), me të gjitha kalkulimet, megjithatë i bie të ketë mbi 450 mijë votues shqiptarë, jo 80 mijë, as 180 mijë votues dhe vota shqiptare! Ku janë votuesit dhe votat e shqiptarëve?!

 

Gjendja që nuk duhet ta tolerojnë shqiptarët me asnjë kusht

Tepër e rëndë është gjendja aktuale e shqiptarëve në Maqedoni, në të cilën e kanë sjellë partitë politike, kur të gjitha njëkohësisht mendojnë se kanë të drejtë.

Nuk mund të krijohen dhe ekzistojnë shumë realitete, kur shqiptarët kanë një qëllim të vetëm: barazinë e plotë kombëtare në Maqedoni.

Përqendrimi në një qëllim të vetëm duhet t’i shkrijë këto realitete të sajuara, ku secili me arsyetimet e veta e mbron të vërtetën të tij, edhe kur ajo është e rrejshme.

E drejta dhe e vërteta janë një dhe ato mund të mbrohen dhe triumfojnë vetëm kur përqendrohen në një qëllim të përbashkët.

Shqiptarët duhet që përmes partive politike dhe subjekteve të tjera ta mbështesin një Platformë të vetme (të përbashkët), e cila vazhdimisht duhet të pasurohet, ndryshohet dhe plotësohet me përmbajtje të reja, të përcaktuara me kompetencë shkencore, varësisht nga rrethanat e reja.

Për këtë qëllim, deri në formimin dhe funksionimin normal të një organi të përmbashkët, në formatin e një Tryeze, Forumi, apo Këshilli bashkërendues (koordinues) të partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, asnjë partie politike nuk duhet t’i lejohet si e vetme të vendosë për çështje të rëndësishme në emër të popullit shqiptar në Maqedoni.

Deri në arritjen e këtij qëllimi, mos pritni se mund të ketë ndonjë hap përpara në realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në këtë shtet, ndërsa për gjendjen në të cilën janë shqiptarët sot, mbajmë përgjegjësi të gjithë, pa përjashtim, jo vetëm drejtuesit e partive politike.

 

(29 prill 2019)

Pollog, shumica e rrugëve janë pa emra dhe pa numra

Rreth 90 për qind e rrugëve të fshatrave të Pollogut janë pa emra dhe pa numra. Gjitha rrugët dhe numrat e shtëpive janë të regjistruar me numrin 101.

Përveç mungesës së numrave dhe emrave, problem tjetër në fshatrat e Pollogut, është edhe mungesa e sinjalistikës. Situata e tillë më së tepërmi iu sjell telashe postierëve, të cilët, shkaku i mungesës së adresave, shpesh letrat i grumbullojnë në një lokal, shkruan Alsat.

“Kemi problem me mos përcaktimin e rrugëve. Çdo fshat ka rrugën numër 101 pa numër pra kjo është një rrugë standarde që na krijon probleme neve” theksoi Murtezan Iljazi, drejtor i Postës së Tetovës

Komunat rurale, mos emërtimin e rrugëve e arsyetojnë më koston e lartë dhe pengesat nga regjistri Qendror.

“Ne si komunë dorëzuam në Regjistrin Qendror të Maqedonisë në vitin 2015, por nga atëherë na u refuzua shkaku se edhe me ligj nuk ishte e rregulluar se si duhet të duket kjo”. tha Gani Fetai, Komuna e Zhelinës.

“Për fat të keq, shkaku i mungesës së fondeve këtë punë nuk mund ta realizojmë. Kemi kërkesë prej Qeverisë se duhet të bëhet por do e përpilojmë projektin për shkurt dhe do aplikojmë në Qeveri  dhe Ministritë që të shohim se çfarë mund të na ndihmojnë për këtë punë. Kemi probleme se shumë letra na kthehen që janë me emër mbiemër sepse nuk dihet ku jeton në cilën rrugë”, u shpreh Darko Bllazhevski. Kryetar i komunës së Jegunocit

Banorët ankohen se shpesh shkaku i mungesës së numrave dhe emrave të rrugëve, vonohen me pagesat e faturave që nga postierët, lihen në kafenetë e fshatit, apo furrat e bukës.

Zaev i urdhëroi familjarët e funksionarëve të punësuar të japin dorëheqje

Pas seancës së Komisionit të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, n të cilën është konfirmuar dyshim për nepotizëm gjatë punësimeve të familjarëve të funksionarëve, kryeministri Zoran Zaev tha se po dërgon urdhër direkt te të gjithë që punësimet e tyre janë konstatuar si të parregullta të tërhiqen nga vendet e punës.

Duke folur në tribunën në Prilep, ai mbrëmë i ftoi në përgjegjësi politike dhe profesionale edhe ata që kanë bërë nepotizëm.

“Qytetarët reagojnë, institucionet e pavarura kontrollojnë dhe veprojnë. Sistemi funksionon dhe ja vendimet. Ky është mesazh për të gjithë punësimet e të cilëve janë konstatuar si të parregullta. U dërgoj urdhër të gjithëve të tërhiqen nga vendet e punës ku janë. Vetëm kështu do të funksionojë sistemi. Gjithsesi, ftoj në përgjegjësi politike dhe profesionale të çdonjërit që ka bërë nepotizëm dhe e ka shkurtuar të drejtën e qytetarëve”, tha Zaev.

Megjithatë, si tha se Komisioni e Antikorrupsionit pret vendime edhe për rastet e, siç tha, anës tjetër, të VMRO-DPMNE-së

“Pres vendime dhe procedura për nepotizmin masiv të VMRO-DPMNE-së që e përhapur në shtet dhe me të cilin tani përballet gjithë shoqëria”, tha kryeministri dhe lideri i LSDM-së./GazeteExpress/

Sulejman Rexhepi kthehet në vendin e punës

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi sot në ora 10:50 minuta u paraqit në vendin e tij të punës.

“Ardhja ime është krejt normale, vazhdojmë me punë, së shpejti do të kryejmë detyrat tona të përditshme. Tani Kam një takim me Peshkopin e Kishës Katolike, Kiro Stojanovski”, tha Sulejman Rexhepi.

Gjykata shkarkon reis.ul. Sulejman Rexhepin, prani e shtuar e forcave policore pranë objektit

Gjykata Themelore Shkup 2 ka pranuar kërkesën që reis i ri i Bashkësisë Fetare Islame të jetë Skender Buzaku, në vend të reis ul. Sulejman Rexhepi. Nëdrkaq pranim dorëzimi i postit është bërë në prani të forcave të shtuara policore dhe nuk dihet nëse brenda objektit ka eskaluar sitauta.

Në vendimin që ka siguruar Lajm thuhet se pranohet kërkesa që Buzaku të emërohet reis i ri i Shoqates se Personave Fizikë “Bashkësia Fetare Islame me adresë Çairska 1000”.

Nga BFI mes tjerash shprehen se këto ndodhi po vijnë nga sturktura të ndryshme që dëshirojnë përçarjen e komunitetit fetar islam në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq tentime për shkarkim të reis ul. Sulejman Rexhepi ka pasur edhe në të kaluarën por të njëjtat kanë përfunduar pa sukses. Rexhepi ka qenë cak edhe i disa akuzave të njëpasnjëshme të deputetit të LSDM-së Muhamet Zekiri.

Orëve në vijim presim sqarim nëse bëhet fjalë për vendim fuqiplotë të Gjykatës dhe për të njëjtën Bashkësi Fetare Islame./GazetaExpress/

Presidenti i Maqedonisë së Veriut zgjidhet në balotazh, kandidati shqiptar Blerim Reka fitoi 79 812 vota

Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate, i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe partitë e tjera të koalicionit qeveritar, dhe Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së do të përballen në balotazh më 5 maj, pas një rezultati të ngushtë në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Maqedoninë e Veriut.

Kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave, Stevo Pendarovski, prinë me 42.84 për qind, ndërsa Gordana Siljanovska Davkova, ka fituar 42.24 për qind të votave.

Blerim Reka i mbështetur nga partitë shqiptare të opozitës Aleanca Shqiptare dhe Lëvizja Besa, ka fituar 10.57 për qind të votave.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në zgjedhje morën pjesë 41.9 për qind e votuesve të regjistruar.

Rezultati i ngushtë i dy kandidatëve që do të përballen në raundin e dytë është pasqyrim i dallimeve të thella rreth marrëveshjes që qeveria e kryeministrit Zoran Zaev arriti me Greqinë për emrin e Maqedonisë së Veriut, një marrëveshje që u kundërshtua nga VMRO-DPMNE.

“Jam i bindur se në raundin e dytë do të kemi një president evropian për shtetin tone”, tha kryeministri Zaev të dielën mbrëma.

“Ne fituam”, tha ndëraq Hristijan Mickoski, udhëheqës i VMRO-DPMNE-së në opozitë që mbështeti zonjë Siljanovska-Davkova.

Procesi u vëzhgua nga rreth 3 mijë e 100 pjesëtarë të organizatave vendase dhe 419 vëzhgues të huaj, prej tyre më së shumti nga OSBE-ODIHR, ndërkohë që Ambasada amerikane pati 42 vëzhgues.

Blerim Reka fitoi në komunat shqiptare

Kandidati shqiptar për president, Blerim Reka, thuaj se në shumicën e vendbanimeve shqiptare kryeson kundrejt kundër kandidatëve të tij, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska.

Përveç vendbanimeve më të vegjël të pastra me popullsi shqiptare, Reka kryeson edhe në komunat më të mëdha shqiptare, Tetovë (7.000), Gostivarë (9 mijë), Dibër (3.200), Likovë (3.000), Strugë (6200), etj.

Pas kandidaturës së profesor Rekës, u rreshtuan edhe dy partitë opozitare shqiptare ASH dhe Lëvizja BESA./GazetaExpress/

Blerim Reka flet pas daljes së rezultateve të para të zgjedhjeve

Kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, ka mbajtur një konferencë për medie.

“Ne jemi shumë të kënaqur, bile kjo i ka tejkaluar pritshmëritë tona, kemi një rezultat të shkëlqyeshëm, në komunat shqiptare udhëheqim 3:1”.

Kështu ka deklaruar kandidati i opozitës shqiptare Blerim Reka në konferencën për shtyp.

“Në të gjitha komunat maqedonase kemi vota. Kjo është për tu shënuar, sepse koncepti ynë është koncept për të cilën do të votojnë gjithë qytetarët. Në komunat e Maqedonisë ku kemi marrë vota, ne nuk kemi degë. Kjo më jep shpresë se Maqedoni do të jetë shtet i të gjithëve. Ne menduam se në një shtet, të cilin ne e quajtëm të kapur. Menduam se do të promovojmë një filozofi të re. Ne nuk menduam se kemi edhe elektorat të kapur. Në këto momente ne kemi mbi 60 mijë vota për momentin, ndërsa deri në fund presim 80 mijë vota. Këto vota deligjitimuan politikat e partive shqiptare në pushtet. Ky korpus i votave paralajmëron një pranverë të re politike”, tha Reka, raporton SHENJA.

Ai tha se ata janë skeptik se do të arrihet censusi në rrethinë e dytë.

Blerim Reka nuk arriti të kandidohet në rrethin e dytë zgjedhor, kundër tij u zhvillua fushatë e ashpër politike nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që mbështeste kandidatin e LSDM-së për president, Stevo Pendarovskin.

Reka gjeti mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët, BESË-s së Bilall Kasamit dhe vetë simpatizantët e tij.

Mësohet sa vota i ka fituar Blerim Reka në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Kandidati i pavarur për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqiptari Blerim Reka. sipas të dhënave jozyrtare të shtabit analitik të tij ka fituar mbi 80 mijë vota.

Kjo është bërë e ditur për INA nga përfaqësues të partive opozitare ASH dhe BESA, që përkrahin kandidatin Blerim Reka.

Sipas të dhënave të KSHZ, deri në ora 18.30 në komunat me shumicë shqiptare kanë votuar mbi 160 mijë votues.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Blerim Reka

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar procesi i votimeve për zgjedhjen e presidentit. Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale që nga pavarësia e këtij vendi në vitin 1991.

Pak mbi 1 milion e 808 mijë qytetarë me të drejtë vote mund të zgjedhin një nga tre kandidatët në garë. Blerim Reka e ka mbështetjen e partive opozitare shqiptare Aleanca dhe Lëvizja Besa. Stevo Pendarovski është kandidat i Lidhjes Social Demokrate dhe i partive të koalicionit qeveritar, përfshirë Bashkimin Demokratik për Integrim, i mbështetur edhe nga 30 parti dhe shoqata të tjera. Gordana Siljanovska Davkova është kandidate e VMRO-DPMNE-së opozitare. Që të tre janë profesorë universiteti dhe të njohur për publikun e gjerë.

Procesin e vëzhgojnë 3150 pjesëtarë të organizatave të vendit dhe

419 të huaj, prej tyre OSBE-ODIHR me 240 vëzhgues, Ambasada e SHBA-së me 42, ndërsa Delegacioni Evropian 16 vëzhgues.

Autoritetet nuk kanë arritur prej vitesh ta pastrojnë regjistrin zgjedhor që është çështje debatesh si brenda po ashtu edhe nga vëzhguesit e huaj.

Të dielën nuk pritet të zgjidhet presidenti, sepse një garuesi për të fituar këtë post në raundin e parë i duhen gjysma, ose mbi 900 mijë vota. Por dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në balotazhin e 5 majit.

Mandati i presidentit zgjatë pesë vjet. Megjithëse ai zgjidhet me vota popullore, kompetencat i ka të kufizuara që kanë të bëjnë kryesisht me ushtrinë dhe politikën e jashtme, por presidenti në largim Gjorgje Ivanov ka provuar se mund të bllokojë proceset dhe politikat e pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës gjë që ka nxitur debate nëse presidenti në të ardhmen do të duhej të zgjidhet nga parlamenti me dy të tretat e votave.

Selanik: Qindra emigrantë po tentojnë të hyjnë në Maqedoninë e Veriut

Qindra emigrantë nga pjesë të ndryshme të Greqisë janë mbledhur afër një kampi në Selanik dhe po planifikojnë të kalojnë kufirin me Maqedoninë Veriore, në mënyrë që prej rajonit të Ballkanit, të shkojnë në vendet evropiane për të kërkuar azil.

Policia thotë se më shumë se 500 persona, duke përfshirë edhe familje me fëmijë, janë mbledhur në një fushë misri, dhjetë kilometra në perëndim të Selanikut.

Njoftohet se në këtë pjesë migrantët kanë ngritur tenda.

Ata thanë se iu përgjigjen një thirrje anonime në rrjete sociale për të shkuar në kufirin grek me Maqedoninë e Veriut.

Atyre iu është thënë të përpiqen ta kalojnë kufirin për të vazhduar rrugën drejt vendeve të Ballkanit.

Ky korridor i emigrantëve u mbyll në vitin 2016.

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka paralajmëruar emigrantët që të mos bëjnë ftesa nëpërmjet rrjeteve sociale, duke thënë se kalimi i parregullt është “i rrezikshëm”.

“Gylenistët”, kusht i Ankarasë për Maqedoninë e Veriut në NATO?

Isuf Kadriu

Autoriteteve të Maqedonisë së Veriut u bëhet thirrje që të veprojnë në përputhje me ligjet vendore dhe marrëveshjet ndërkombëtare sa i përket kërkesës së Turqisë për dorëzimin e personave, që sipas Ankarasë, kanë lidhje me Lëvizjen Hizmet të klerikut fetar Fetullah Gulen, apo siç e quan Turqia, “organizata terroriste FETO”, e akuzuar për tentimet e dështuara për puç në vitin 2016.

Kështu thotë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, në mungesë të informacioneve zyrtare lidhur me bisedimet e së mërkurës në Shkup ndërmjet ministrit të Mbrojtjes të Turqisë, Hulusi Akar, dhe ministres së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Radmilla Sheqerinska.

“Me sa unë jam në rrjedha me këto zhvillime, Qeveria jonë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera, insistojnë në procedura gjyqësore. Kjo do të thotë se nëse për cilindo qoftë person në Turqi udhëhiqen procese gjyqësore, apo nëse ndaj tyre ka fletë-arreste ndërkombëtare, atëherë organet tona janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave të tyre në mënyrë adekuate duke pasur për bazë konventat ndërkombëtare”, ka thënë Trajanov.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, duke komentuar deklaratën e homologut të saj turk se ka listën me emrat e personave që duhet të dorëzohen tha se me ministrin Akar “është biseduar në drejtim të zgjidhjes së problemeve dhe sfidave, me të cilat përballen dy vendet, përfshirë edhe çështjen e ngritur”.

“Nuk kemi biseduar për afate, çështje ditësh apo javësh, por për çështje që janë të rëndësishme për dy vendet”, ka deklaruar të mërkurën, Sheqerinska.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, e vlerëson si jo të drejtë apo në kundërshtim me normat ligjore dorëzimin e tyre vetëm mbi bazën e supozimeve për përfshirjen e tyre në ndonjë veprimtari kundërligjore.

“Ne nuk mund të veprojmë vetëm në bazë të ndonjë emri, apo të ndonjë liste për arrestime. Mendoj se vendi ynë, si anëtar i NATO-s dhe aspiruese për anëtarësim në BE, nuk mund të veprojë në bazë të ndonjë kërkese të tillë. Pra, duhet respektuar normat ndërkombëtare. Ajo mund të veprojë vetëm nëse ka një procedurë juridike dhe atëherë ajo mund të vendosë nëse dikush do të ekstradohet ose jo. Kjo do të ishte shkelje e të drejtave ndërkombëtare, të drejtave të njeriut. Nuk është e mjaftueshme që emri i dikujt të jetë në listë dhe ne ta dorëzojmë. Diçka të tillë vështirë se do ta pranojë vendi ynë”, ka theksuar Trajanov.

Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska, kishte deklaruar se nuk pret përkeqësim të raporteve me Turqinë, përkundrazi, pret së shpejti ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO.

Por, Erol Rizaov, njohës i çështjeve politike, ka thënë se në politikë gjithçka është e mundur. Sipas tij, kërkesa e palës turke për dorëzimin e “gylenistëve” duhet të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese të Maqedonisë së Veriut.

“Në politikë gjithçka është e mundur, por nëse gjithë procesin e analizojmë me koka të ftohta, apo nëse shohin rrjedhën e deritanishme të raporteve mes dy vendeve, diçka e tillë nuk do të duhej të ndodhte. Kjo duhet të trajtohet nga institucionet tona nëse do të pranojnë ose jo diçka të tillë dhe nëse kërkesat e tilla janë ose jo në përputhje me ligjet tona”, ka thënë Rizaov, duke i vlerësuar si shumë të mira të raporteve ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Çështja e strukturave që konsiderohen të afërta me klerikun Fetullah Gulen, në Maqedoninë e Veriut, ishte hapur para tre vjetësh , por autoritetet e Shkupit nuk iu përgjigjën kërkesës së Ankarasë dorëzimin e tyre.

Ndërkohë, agjencia turke Anadolu kishte publikuar një listë me emrat e shkollave dhe firmave të afërta me klerikun Gulen, si shkollat fillore dhe të mesme “Jahja Kemal”, javorja “Zaman Maqedoni”, organizata “Sedef”, agjencia në fushën e turizmit “Bashak”, një zinxhir i marketeve “EVAR’, shoqata e individë të tjerë.

Kryeministri i Greqisë sot vizitë historike në Shkup, zbret në aeroport i shoqëruar nga 10 ministrat

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras mbërrin në Shkup. Në aeroport pritja bëhet nga ministrja e Mbrojtjes, Severinska, ministri i Ekonomisë, Bekteshi. Tsipras shoqërohet nga 10 ministra, biznesmenë të Greqisë, dhe nga bashkëshortja Beti Baziana. Vizita është e para zyrtare pas ndërrimit të emrit të Maqedonisë.

Pika kulmore e vizitës së Jorgos Varemenos, nënkryetar i Parlamentit të Greqisë, në Australi ishte mbajtja e një fjalimi në ditën ditën e festës kombëtare me 25 mars, para grekëve që jetojnë në këtë vend. Por fjalimi në Melbourne u ndërpre nga të ashtuquajturit patriotë. Varemenos u quajt “tradhëtar”, sepse “bashkëpartiakët e tij e kanë shitur Maqedoninë”. Ndërsa politikani majtist më pas në një intervistë tha se fjalimin e tij e ka ndërprerë “një grup i vogël fashistësh”. Kjo protestë nuk ishte e vetmja, sepse protesta të ngjashme ka pasur edhe në shumë qytete të Greqisë, pas kompromisit për emrin e Maqedonisë.

 

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras nuk shqetësohet shumë për këtë punë. Të martën (2.04) ai do të vizitojë Shkupin së bashku me me një delegacion ekonomik, ku do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev. Në rend dite janë këshillimet për çështje ekonomike dhe të sigurisë. Tsipras do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi. “Kjo është vizitë historike”, pohon Konstantinos Filis, drejtor i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Athinë, në një bisedë me Deutsche Wellen.

Në veçanti i rëndësishëm paraqitet bashkëpunimi i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e mbrojtjes, në kuadër të NATO-s. Filis mendon se oficerët nga Shkupi në të ardhmen do të përgatiten edhe në Athinë. Ndërkohë që Greqia mund të ndihmojë Maqedoninë e Veriut edhe në fushën e kontrollit të hapësirës ajrore. “Raportet ekonomike kanë ekzistuar edhe më parë, ndërsa tani do të kemi edhe bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që ka të bëjë me vet esencën e sovranitetit të një shteti”, thotë eksperti.

Marrëveshja “nuk është zbatuar sa duhet”?
Në verën e vitit 2018, kryeministrat Tsipras dhe Zaev janë dakorduar për emrin e ri: “Republika Maqedonia e Veriut”. Athina ka pranuar që të mos pengojë anëtarësimin e vendit në NATO. Pas mosmarrëveshjeve të shumta, vendimi është miratuar edhe në Parlamentin e Greqisë, në janar të vitit 2019. Opozita e cila në sondazhet e fundit është në epërsi, ende është kundër marrëveshjes. Por lideri opozitar Kyriakos Mitsotakis thotë ndërkohë, se ai nuk do të kontestojë marrëveshjen e arritur me fqinjin verior.

Protestat megjithatë kanë vazhduar në veri të Greqisë. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut nuk e ka zbatuar në tërësi marrëveshjen, thotë Filis. Kryeministri Zaev ka folur disa herë për minoritetin maqedonas në Egje, që do të thotë se ai flet për minoritetin maqedonas në Greqi – e kjo nuk është në përputhje me marrëveshjen e arritur, mendon analisti. Pas hapjes së ambasadave në Athinë dhe Shkup, diplomatët janë ata, të cilët në të ardhmen do të merren me këto çështje. “Por do të duhet edhe ca kohë deri në zbatimin e plotë të marrëveshjes”.

Mometi i përshtatshëm
Ajo që bashkon të dy palët është perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, pohon Miltos Kyrkos, europarlamentar i partisë To Potami. “Fqinji ynë verior shprehet i gatshëm të bëhet pjesë e BE dhe tani duhet të shfrytëzohet momenti i përshtatshëm”, thotë Kyrkos në bisedë me DW. Nëse Shkupi ndryshon politikën, në rast ndërrimi të qeverisë, atëherë BE ka të gjitha mundësitë për veprim.

Politikanët në këtë moment angazhohen për një bashkëpunim më të mirë ekonomik. Ekspertët e ekonomisë thonë se marrëveshja duhet të shfrytëzohet për thellimin e marrëdhënieve. Pak kohë pas nënshkrimit të marrëveshjes janë vendosur edhe linjat e drejtpërdrejta të fluturimeve me avionë, të shoqatës Aegean Airlines. Në takimin e ditës së martë në delegacion do të jenë përfaqëusesit e më shumë se 50 sipërmarrjeve greke, të cilët mund të investojnë në shtetin fqinj. Por ka pasur edhe disa refuzime. Kryetari i odës ekonomike në Selanik, Michalis Zorpidis nuk ka pranuar të udhëtojë në delegacion me Tsiprasin, me shpjegimin se “emri i Maqedonisë është i shenjtë” dhe se ata “do të bëjnë gjithçka për ta mbrojtur këtë emër”./DW/


Send this to a friend