VOAL

VOAL

SHQIPTARËT NË MAQEDONI DUHET T’I KTHEHEN KËRKESËS PËR SHTETIN DY KOMBËSH Nga Jusuf BUXHOVI

Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonas për emërtimin e shtetit “Maqedonia e Veriut” nga shqiptarët duhet të kushtëzohet me kërkesën për definimin e Maqedonisë shtet dy kombesh, pra të shqiptarëve dhe të maqedonasve. Pajtimi pa reagim do t’i ngarkonte me një qendrim antihistorik dhe antikombëtar
Marrëveshja e midis Greqisë dhe Maqedonisë për emërtimin e ri të shtetit nga ai i deritanishmi në “Maqedonia e Veriut”, ndonëse hoqi “frikën” e përligjjes së karakterit sllavo-maqedonas të shtetit që do ta kishte atributin “Maqedonia e Ilindenit”, megjithatë, edhe me këtë marrëveshje, me gjuhën zyrtare maqedone, simbolet dhe të tjerat, shteti ruan karakterin sllavo-maqedonas, ndërsa shqiptarët përfundimisht degradohen në pozitën e pakicës, paçka se me kozmetikën e Marrëveshjeve të Ohrit rreth gjuhës shqipe në përdorim zyrtar në vend të gjuhës zyrtare si dhe përfaqësimit në institucione, do të përpiqen që këtë ta shpjegojnë si gjendje “të barazisë”.
Pa hyrë në ato që kanë ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit si dhe mashtrimet që klasa politike shqiptare në pushtet me oreolin “e luftës” është munduar që opinionit t’ia shesë për “suksese”, pa përjashtuar këtu as luftën në vitin 2001, që nuk solli tjetër pos ndërrimin e një garniture në pushtet me tjetrën, megjithatë, gjendja e re kërkon që shqiptarët inferioritetin dhe vasalitetin e deritanishëm politik në ndaj maqedonasve ta kthejnë në një deponim politik, në mënyrë që. më në fund, të dëshmojnë subjektivitetin e tyre si etni historike dhe politike, që duhet ta thotë fjalën kryesore për shtetin e tyre, në vend se të hesht dhe të nëpërkëmbën.
Meqë, me marrëveshjen e tanishme midis Athinës dhe Shkupit, është paraparë që ndryshimet të kalojnë nëpër parlament dhe në referendum, shqiptarët duhet këtë ta shfrytëzojnë që emërtimi i Maqedonisë doemos të kushtëzohet me kërkesën për definimin e Maqedonisë shtet i dy kombeve të barabarta: shqiptarëve dhe maqedonasve, gjegjësisht maqedonasve dhe shqiptarëve. Tek e fundit, ky qëndrim është në përputhje me atë të UÇK-së të shkurtit të vitit 2001, ndonëse prej tij do të hiqet dorë me kumtesën 6 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kur, pa një pa dy, do të kërkohet Maqedoni “demokratike e qytetarëve të barabartë”!
Rikthimi i kësaj kërkese, pra i karakterit të shtetit të Maqedonisë mbi parimin e dy kombeve të barabarta: shqiptar -maqedonas, gjegjësisht maqedonas-shqiptar, duhet të ndjek një rrugë legjitime, që do të thotë se nënkupton mbajtjen e një Kuvendi të Përgjithshëm Kombëtar, që do të thirrej nga një Këshill Nismëtar, ku do të merrnin pjesë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në strukturat parlamentare dhe ato shtetërore, pastaj do të merrnin pjesë përfaqësuesit e institucioneve arsimore (universiteteve), ato shkencore (të instituteve) si dhe përfaqësuesit e besimeve (religjionit).
Kuvendi Kombëtar do të duhej të aprovonte vendimin për ridefinimin e Maqedonisë shtet të të dy kombeve të barabarta (shqiptar-maqedonas, gjegjësisht maqedonas–shqiptar) në përputhje me aprovimin e një Platforme Politike, në të cilën parashihet një Marrëveshje e re e të dy popujve për shtetin e përbashkët (Maqedoninë), e cila duhet të përcillet edhe me ndryshimet e duhura kushtetuese (preambula) dhe aktet tjera, ku parashihet edhe organizimi i strukturave të pushtetit mbi këto parime në të gjitha nivelet.
Këto qëndrime duhet t’i paraqiten faktorit ndërkombëtar, të arsyetuara nga aspekti historik, ai etnik, e mbi të gjitha nga ai shoqëror dhe politik, me ç’rast duhet të theksohet se ky është një kompromis i domosdoshëm që garanton shtetin e përbashkët me përkatësi perëndimore dhe frymë evropiane. Ndërsa, nga Shqipëria dhe Kosova, duhet të kërkohet mbështetje e plotë, në mënyrë që të mos shfaqen shpërputhjet si deri më tani, kur Tirana zyrtare vazhdimisht ka përkrahur qëndrimet e Shkupit (maqedonasve), ndërsa Prishtina ia ka mbajtur ison.
Platforma që do të aprovohej nga Kuvendi Kombëtar duhet t’i paraqitet Kuvendit të Maqedonisë dhe të mbrohet nga spektri i gjithëmbarshëm politik shqiptar në Kuvend dhe qeveri. Nëse do të refuzohej, atëherë, mbet që shqiptarët, të mos pajtohen të japin pëlqimin për këtë ndryshim dhe njëherësh t’u kthehen formave të tjera, kryesisht demokratike në përputhje me rrethanat, me të cilat Maqedonia do të vihej para sprovës ekzistenciale nga shkaku i injorimit të të drejtës së gjysmës popullatës që shteti i përbashkët të pasqyrojë edhe identitetin e tyre historik dhe etnik me rrënjët e thella nga antikiteti e deri te koha jonë.
Deponimi i faktorit politik shqiptar për ridefinimin e Maqedonisë në përputhje me të drejtën e tyre historike dhe jetësore në rrethanat e tanishme, kur është më se e qartë se Serbia, Bullgaria dhe Rusia, me demonstratat sllavo-maqedonase kundër këtij emërtimi, do të krijojnë rrethana për dështimin e tij, po edhe për kthimin e një gjendje krize në vend në mënyrë që të destabilizohet rajoni në përputhje me interesat e tyre, ka rëndësi të madhe, ngaqë çarqeve të jashtme antishqiptare po edhe miqve perëndimore (SHBA-ve dhe NATO-s të interesuara që me anën e kompromisit të emrit Maqedonia të përfshihet në NATO), u jepet një atu e fortë që atë ta mbajnë në jetë vetëm me vullnetin e shqiptarëve.
Ndonëse rikthimi i kërkesës për redifinimin e Maqedonisë shtet dy-kombesh, mund të mos pranohet nga klasa e tanishme politike shqiptare në pushtet, e cila u ka shërbyer interesave të politikës maqedonase, me arsyetimet se “nuk dëshirohet destabilizimi i Maqedonisë” nga shqiptarët, ngaqë kjo “u shkon për shtati interesave ruse në Ballkan” e të ngjashme, megjithatë, Këshilli Kombëtar nuk duhet të heq dorë prej saj. Duhet të gjenden format, që si nismë qytetare ose ndryshe t’i paraqitet Kuvendit të Maqedonisë dhe faktorit ndërkombëtarë. Kjo do të kishte rëndësi të madhe, ngaqë, pavarësisht sjelljes së papërgjegjshme të faktorit politik shqiptar shumanshëm të shantazhaur, shqiptarët nuk do të nënshkruanin kapitullimin para një çështje jetike për ardhmërinë e tyre.

Protesta të dhunshme në Shkup kundër ndryshimit të emrit

Protesta kundër marrëveshjes për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë u përshkallëzua të dielën mbrëma në dhunë mes policisë dhe një grupi të protestuesve, të cilët tentuan të thyejnë kordonin policor para Kuvendit të Maqedonisë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë përdorën gazin lotsjellës dhe bomba paralizuese për t’i shpërndarë demonstruesit.

Nuk ka informacione për të plagosur, ndërkohë që objekti i Kuvendit është blinduar nga forca të shumta policore.

Protestuesit, në numër të vogël, gjatë tërë ditës kanë qëndruar para Kuvendit, ku kanë mbajtur të bllokuar rrugën, në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjes së arritur.

Ata e kanë cilësuar atë si “kapitulluese për popullin maqedonas”.

Me marrëveshjen e nënshkruar të dielën midis ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Maqedonia do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Protesta u rrit në numër rreth orës 21:00 kur dhe kaloi në dhunë me policinë.

Gjatë ditës, në qytetin e Manastirit është mbajtur edhe një tjetër protestë nga partia e opozitës, VMRO DPMNE.

Lideri I kësaj partie, Hristijan Mickovski, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, duke e quajtur “tradhtar të interesave kombëtare maqedonase”.

Ai ka thënë se partia që ai përfaqëson asnjëherë nuk do të njohq marrëveshjen e arritur në Prespë të Greqisë, duke paralajmëruar kështu bllokim në Kuvend, ku për ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave, por edhe gjatë referendumit që parashihet të mbahet në vjeshtë.

Protesta janë paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.

Zaev: Me paga të larta do të parandalojmë braktisjen e mjekëve nga vendi

SHKUP – Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të bëjë ç’mos për të mbajtur mjekët e rinjë në vend, respektivisht, të parandalojë braktisjen e vendit nga kuadri mjekësor, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në panelin “Investojmë në mjekë të rinj, e ardhmja e Shëndetësisë së Maqedonisë”.

Kryeministri Zaev, tha se fatkeqësisht, në të kaluarën Maqedonia ka humbur shumë mjekë të talentuar dhe të arsimuar të cilët në kërkim të kushteve më të mira të punës, janë shpërngulur në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Ai tha se kjo praktikë duhet ndaluar, ndërsa mjekëve të rinjë, dhe atyre të ardhëshëm të pranishëm në panel diskutimin, u tha se vendi ka nevojë për praninë e tyre këtu.

Qeveria e Maqedonisë, tha Zaev, ka miratuar një propozim-program për vitin 2019, dhe i njëjti ka të bëjë me edukimin e mjekëve dhe personelit mjekësor dhe për bashkëfinancim të specializantëve, të subspecializantëve dhe punonjësve shëndetësor në ordinancat private.

“Si rrjedhojë e zbatimit të këtij programi, pacientët do të marrin shërbime mjekësore me standarde të larta, mjekët e rinj do të përsosin njohuritë e tyre, me çka diagnostifikimi i sëmundjeve do të bëhet në kohë. Për këtë, kemi paraparë mjete të mjaftueshme financiare nga buxheti i vitit 2019. Në mënyrë shtesë, në programin e punës së qeverisë 2017-2020, me një sërë masash garantojmë se do të kemi një sistem të qëndrueshëm për mbrojtje shëndetësore, të arritshëm, cilësor dhe afatgjatë”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, premtoi edhe rritjen e pagave, për motivim shtesë në punë, për të shtuar se deri në vitin 2020, pagat e mjekëve specialistë do të rriten shkallë shkallë, për të arritur në 100.000 denarë, ose 1600 euro.

“Me paga më të larta dhe me kushte më të mira për specializim dhe mësim praktik do të krijojmë atmosferë që të mos dëshironi ta braktisni vendin dhe të mbeteni në Maqedoni. Kjo është një dëshirë e jona, shpresoj të jetë edhe e juaja”, tha Zaev, sipas të cilit vetëm në Shkup, ka mungesë prej 100 mjekësh, ndërsa në tërë territorin e Maqedonisë, ky numër është të paktën trefishi më i lartë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Flipçe, nga ana e tij tha së mbajtja e kuadrit mjekësor po bëhet fillimisht përmes rritjes së pagave, rritjes së pagesës për kujdestaritë, punës së natës dhe jashtë orarit të punës dhe rritjes së kuotave për specializim shtetëror.

“Numri i specializantëve do të caktohet në bazë të vlerësimeve në terren, konkursi për të cilin do të shpallet në shtator. Me paga më të larta dhe përmirësimin e kushteve të punës, synojmë një atmosferë në të cilën mjekët dhe kuadri tjetër mjekësor do të motivohen të qëndrojnë në shtëpi”, tha Filipçe.

Pas fjalimeve hyrëse, vijoi debati ku mjekët e rinjë dhe specializantët kishin mundësi të bashkëbisedojnë me kryeministrin Zaev, ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipce, deputeten në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Meri Lazarova, kryetarin e Klubit të Mjekëve të Rinj, Nikola Brzanov dhe kryetaren e Shoqatës së mjekëve specializantë, Biljana Dodeva, për të gjitha shqetësimet që prekin angazhimin e tyre profesional. aa

Ligji për gjuhën shqipe pret zgjedhjet e reja presidenciale?

Isuf Kadriu

Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnive vazhdon të zvarritet për shkak të refuzimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov për ta dekretuar zgjidhjen e miratuar nga shumica parlamentare, më 14 mars.

Bazuar në qëndrimin e fortë të presidentit, nuk përjashtohet mundësia që ligji të mos dekretohet deri në fund të mandatit të tij, vitin e ardhshëm. Ndërsa, një gjë të tillë nuk e kanë përjashtuar edhe partitë në pushtet, të cilat thonë se nuk po gjejnë mekanizëm juridik për fuqizimin e ligjit, me të cilët avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivelit qendror, përskaj atyre në nivel lokal ku shqipja përdorej me zgjidhjen e deritanishme ligjore.

Vendimi mund të fuqizohet, apo të shpallet në gazetën zyrtare vetëm nëse nënshkruhet nga kreu i shtetit dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por ky i fundi ka përjashtuar mundësinë që të vë firmën e tij pa atë të presidentit, për shkak se një veprim i tillë paraqet shkelje ligjore apo se edhe vetë institucioni “Gazeta Zyrtare” nuk do ta publikonte.

Ekspertët thonë se partitë sikur nuk janë shumë të përkushtuar për të gjetur zgjidhjen, me qëllim lënien e rastit deri në zgjedhjet e reja presidenciale.

“Derisa vetë kryeparlamentari tha se pret hapësirë politike për të vepruar, del se është e vërtetë se ligji do të mbetet për më vonë. Por, kjo në aspektin ligjor është e padrejtë pasi nuk ka asnjë pengesë për zvarritjen e tij, pasi që nga momenti që është miratuar ai duhet të dekretohet”, thotë Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike.

Edhe Vllado Dimovski, njohës i çështjeve ndëretnike, thotë se partitë duhet të gjejnë mënyra për të mbyllur këtë çështje që të mos mbetet pas zgjedhjeve presidenciale.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve vlerësoj se deri tani duhej të mbyllej pasi ishte ngritur shumë pluhur deri në miratimin e tij, madje kishte edhe reagime, protesta e pakënaqësi të shumta. Mendoj se janë harxhuar të gjitha mekanizmat dhe ligjit duhet të hyjë në fuqi. Por, si duket partitë mendojnë ndryshe, apo sikur kjo u konvenon që këtë çështje të djeshme sërish ta shfrytëzojnë për pikë politike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, thotë Dimovski duke shtuar se çështja e gjuhës është e ndjeshme dhe nuk duhet të keqpërdoret nga partitë për qëllime politike.

“Mendoj se kjo çështje duhet të mbyllet që të mos lihet e pazgjidhur për t’u keqpërdorur në zgjedhjet e ardhshme, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën me çështjet që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike. Marrëdhëniet ndëretnike në vend ende janë të brishta dhe shumë pak nevojitet që ato të marrin përmasa të paparashikuara, andaj duhet të kenë kujdes që të mos luhet me gjëra të ndjeshme. Pra, vlerësoj se çështja e gjuhës nuk duhet të keqpërdoret nga partitë për pikë politike”, thotë Dimovski.

Nga ana tjetër, Bashkim Selmani thotë se përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar dhe se partitë sipas tij këtë çështje e kanë keqpërdorur vite me radhë për qëllime politike.

“Është dëm shumë i madh pasi humbet e drejta jetike, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Mendoj se pak kanë rëndësi format e abuzimit në aspektin juridik apo sa partitë tentojnë të përfitojnë. Por, këtu kemi një situatë kur e drejta natyrore cungohet dhe ky është dëshpërimi më i madh te qytetarët. Me këtë edhe partitë shqiptare kanë humbur, pasi kanë rrënuar imazhin e tyre, qoftë pozita apo opozita, pasi kanë nënshkruar një kapitullim total, moral, politik, juridik e kështu me radhë”, thotë Selmani.

Përveç presidentit, Ligji për gjuhët kundërshtohet edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e cila kishte organizuar edhe protesta me arsyetimin se zgjidhja e miratuar rrënon karakterin unitar të shtetit, ku sipas kësaj partitë, gjuhë zyrtare në shtet është vetëm se maqedonishtja. Por, partitë shqiptare kanë thënë se qëndrimi i opozitës maqedonase, përkundër ndryshimeve në kreun e saj, po dëshmon se kur janë në pyetje shqiptarët nuk dallon nga udhëheqësia e kaluar.

Osmani rreth çështjes së emrit: Orët e ardhshme kyçe për vendosjen e epilogut të negociatave

SHKUP – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, në prezantimin e Planit 18 reformues të Qeverisë, në lidhje me mosmarrëveshjen rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë deklaroi se “Maqedonia ndodhet në metrat e fundit të një maratone 25-vjeçare”.

“Orët e ardhshme do të jenë kyçe për vendosjen e epilogut të këtyre negociatave. Unë mendoj se është shumë herët për të thënë se cili do të jetë epilogu, mirëpo mendoj se janë metrat e fundit të një maratone 25-vjeçare, ndërsa zakonisht metrat e fundit janë më kritike, të cilat mund të vërtetojnë epilogun në një drejtim pozitiv apo negativ”, u përgjigj Osmani në pyetjen e gazetarëve.

Osmani shtoi se ekziston vullnet dhe angazhim aktiv nga të dyja anët, ndërsa në ndërkohë edhe inkurajim, ndihmë dhe përpjekje nga miqtë ndërkombëtarë për të lehtësuar mosmarrëveshjen midis dy vendeve.

“Ndjenja ime është se dallimet më shumë janë në interpretimin e të shkruarës se sa në parimet e përgjithshme, të cilat i shprehin palët në bisedime”, tha zv/kryeministri i Qeverisë.

Osmani Planin 18 e prezantoi para sektorit civil dhe mediave në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane. Ai tha se fokusi i këtij plani reformues do të jetë në shtyllat kryesore, të tilla si gjyqësori, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike si dhe në shërbimet e sigurisë.

Siç njoftoi ai, ky plan i ri qeveritar do të lansohet këtë javë dhe do të mbulojë periudhën nga përfundimi i Planit 3-6-9 deri në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian, përkatësisht siç tha ai, deri në fillimin e negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë.

Plani 18 reformues vijon pas Planit 3-6-9, i cili është miratuar në muajin korrik të vitit të kaluar, bazuar në programin e Qeverisë së Maqedonisë, në Marrëveshjen e Përzhinës, Raportin e Pribes, Komisionin e Venecias, Komisionin e Grekos si dhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR-së. aa

A do të bëhet Maqedonia vend satelit i Rusisë?

Maqedonia është shndërruar gjithnjë e më shumë në destinacionin e strategëve politikë të Kremlinit, ideologëve që mbështesin veçantinë e Rusisë, apo misionin ortodoks të Moskës në botën sllave dhe në Euroazi.

Lektorët dhe instruktorët që marrin pjesë në mësimdhënie dhe trajnime në Maqedoni janë të njëjtët që Kremlini angazhoi gjatë luftës hibride përpara aneksimit të Krimesë dhe më tej gjatë destabilizimit të pjesës lindore të Ukrainës, si dhe gjatë përpjekjes për grusht shteti në Malin e Zi.

Ashtu si në Ukrainë, strategët rusë të luftës informative identifikojnë pikat kryesore të dobëta të vendit që vendosin në objektiv, për t’i përdorur në favor të interesave të Moskës. Në Maqedoni, strategët e Kremlinit nënvizojnë në shkrimet e tyre problemet ekzistuese etnike dhe politike me shqiptarët e Maqedonisë, si dhe çështjet që ndërlidhen me aspiratat e Maqedonisë për integrimin në NATO dhe në BE.

Sipas shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, strategu kryesor i luftës informative të Rusisë në Maqedoni është Leonid Savin, i cili në muajin maj ofroi trajnim për 50 anëtarë të grupimit politik të së djathtës së skajshme, Partisë për Maqedoninë e Bashkuar, e cila kundërshton ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe e percepton kursin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së, si fundin e shtetformimit dhe pavarësisë së Maqedonisë.

Leonid Savin, sipas vetë biografisë së tij, është “Komisar i Bashkimit të Rinisë Euroaziatike”, një degëzim i grupit ultra-nacionalist Bashkimi Euroaziatik, i krijuar nga Alexander Dugin dhe bashkëudhëtarët e tij ideologjikë.

“Platforma” e Bashkimit të Rinisë Euroaziatike përfshin seksione të tilla, si:

  • “Qëllimi juaj”
  • “Ti je një burrë”
  • “Ti je një grua”
  • “Displina jonë”
  • “Besimi ynë”

Ekziston edhe seksioni “Armiku ynë”, i cili i kushtohet tërësisht Shteteve të Bashkuara. Paragrafi i fundit i këtij seksioni konkludon se: “Bashkimi ynë ka një armik absolut. Është SHBA-ja. Është alfa dhe omega e urrejtjes sonë”.

Krahas bashkërendimit me Alexander Dugin, edhe lidhjet e tjera të zotit Savin e identifikojnë atë si një personazh kryesor në politikën ekspansioniste të Kremlinit.

Savin paraqitet si kryeredaktor i dy agjensive: “Katehon” dhe “Geopolitica”, si dhe bashkëpunëtor i rregullt i Fondit Strategjik të Kulturës, të mbështetur nga shteti.

“Katehon” është një faqe interneti e themeluar nga Konstantin Malofeev, një multi-milioner rus, ndaj të cilit SHBA-ja ka vendosur sanksione për shkak të mbështetjes logjistike, financiare, ideologjike dhe materiale ndaj operacioneve të Rusisë në Krime dhe në Ukrainën lindore.

Megjithatë, Ukraina është vetëm një pjesë e vogël e interesave gjeopolitike të zotit Malofeev.

Një investigim i vitit 2015 i gazetës gjermane “Die Zeit” zbuloi lidhjet që Malofeev dhe Dugin mbanin me figurat kryesore politike të Greqisë, duke u siguruar kështu lidhje të mëtejshme me Vladimir Putinin.

Malofeev dhe Dugin & Co., u shfaqën të përfshirë në përpjekjen për grusht shteti në Malin e Zi në vitin 2016, si dhe në disa operacione të tjera të errëta të Rusisë në Ballkan.

Shkup: VMRO-DPMNE në protestë kundër ndryshimit të emrit të vendit

Isak Ramadani – Disa mijë përkrahës të opozitës maqedonase protesuan të shtunën në mbrëmje para ndërtesës së qeverisë duke kundërshtuar mundësinë e ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Në protestën e organizuar nga VMRO-DPMNE mbaheshin pankarta ku shkruhej “Maqedonia do të fitojë”.

Kryetari i VMRO-së, Kristijan Mickovski bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbaheshin së bashku me ato presidenciale vitin e ardhshëm.

Ai tha se kryeministri Zoran Zaev “po i bën një dëm të papërmirësueshëm vendit, ndërsa VMRO-DPMNE është kundër çdo ndryshimi të kushtetutës që synon ndryshimin e emrit tonë”.

“Historia, – vazhdoi Mickovski, – do të gjykojë se kush ka të drejtë“.

Ai bëri dhe premtime për një TVSH më të ulët, ulje të taksave për kompanitë e vendit dhe të huaja e investime në sistemin shëndetësor.

Përmes një video-lidhjeje protestuesve iu drejtua edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, duke shprehur mbështetje për VMRO-DPMNE-në dhe simpatizuesit e saj.

Para se të fillonte tubimi, kryeministri Zaev u tha gazetarëve se do t’i dëgjonte me kujdes kërkesat e protestuesve. Ai, ndërkaq pritet të flasë me telefon me kolegun e tij grek Alexis Tsipras për t’u sqaruar në lidhje me marrëveshjen kornizë për çështjen e emrit.

Media në Athinë spekulon se bëhet fjalë për referencën “Republika e Maqedonisë Veriore” si emri i ri i mundshëm për republikën ish-jugosllave, por autoritetet qeveritare në Shkup nuk kanë komentuar në lidhje me këtë.

Greqia ka bërë të ditur se kërkon një përdorim të përgjithshëm, “erga omnes” siç e quan Athina, për emrin e ri të fqinjit të saj verior dhe ndryshime të kushtetutës, po ashtu.

Autoritetet në Shkup kanë rënë dakord me këto kërkesa, por marrëveshjen eventuale do ta nxjerrin në referendum popullor në shtator ose tetor, siç ka paralajmëruar kryeministri maqedonas, Zaev.

Problemi i emrit e ka mbajtur të bllokuar vendin e vogël ballkanik në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Nga ana tjetër, të dy palët nuk kanë qenë asnjëherë më afër zgjidhjes së problemit më se dy dekadësh.

Maqedoni: Riformatohet kabineti qeveritar

Isak Ramadani – Katër vende ministrash dhe po aq zëvendës-ministra ndryshojnë në kabinetin e tij. Koalicioni qeveritar zgjerohet me njërin krah të Lëvizjes “Besa”, me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Lidhjen e Romëve.

Asaf Ademi i Lëvizjes Besa, krahu i Shkupit, siç njihet në opinionin publik, do ta drejtojë ministrinë e Kulturës; ai mori mbështetjen e 66 deputetëve, ndërsa 23 votuan kundër. Bardhyl Dauti i PDSH-së është ministër i ri, pa portofol. Atë e votuan 65 ligjvënës. 25 ishin kundër tij dhe 1 abstenim.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social Demokrate shkëmbejnë postet e ministrave të Drejtësisë dhe të Arsimit. Renata Deskoska e LDSM-së nga Arsimi e merr në drejtim ministrinë e Drejtësisë prej nga është larguar para pak muajsh Bilen Saliji (BDI), ndërsa Arbër Ademi i BDI-së nga zëvendës-ministër bëhet ministër i Arsimit dhe Shkencës. Pro Deskoskës votuan 67 ligjvënës kurse 23 kundër. Ademin e votuan 67, ndërsa 25 kundër.

Kryeministri Zaev gjatë ekspozesë në parlament, duke folur për nevojën e ndryshimeve në kabinet, tha se “krizën e thellë politike po e lëmë pas vetes duke hapur procese serioze reformash për ta kthyer besimin tek institucionet dhe ambienti demokratik”. Ai shtoi se vendi nga izolimi me tensione të mëdha politike arriti tek pragu i anëtarësimit të vërtetë në NATO dhe tek një datë e pritshme për bisedime me Bashkimin Evropian.

Zoti Zaev vlerëson se ministrat e rinj kanë kapacitetin e duhur për ta kryer detyrën e tyre me sukses.

Por, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE kërkoi dorëheqjen e vetë kryeministrit sepse, sipas saj, po e çon vendin drejt greminës dhe po “shet interesat shtetërorë të Maqedonisë”.

Ata cituan Zaevin të jetë shprehur para shumë muajsh se “në kabinetin e tij ka ministra të cilët nuk dinë të punojnë, të tjerë që nuk duan dhe të tretë që nuk dinë, por duan të mësojnë” dhe së këndejmi ligjvënësit e VMRO-së kërkuan llogari dhe përgjigje nga kryeministri maqedonas se kush janë këta ministra dhe pse vazhdon t’i mbajë në kabinetin e tij qeveritar. VMRO-ja e quan këtë si “riformatim pazaresh”, pa përmbajte dhe mesazhe politike.

Ndërkohë, zëvendës-ministra të rinj në qeverinë e kryeministrit Zaev janë Andrej Zhernovski për punë të jashtme, Asim Musa -Shëndetësi, Gjonul Bajraktar, politikë sociale dhe Sadik Beqiri i Transportit.

Zoran Zaev e bëri riformatimin pikërisht në njëvjetorin e marrjes së detyrës së kryeministrit.

Koalicioni i shumicës u zgjerua për gjashtë deputetë, por ende larg numrit të nevojshëm për një shumicë të kualifikuar, përkatësisht 2/3 në parlament të nevojshme sidomos për ndryshime kushtetuese dhe për një sërë reformash të tjera.

‘Skopje East Gate’ investimi më i madh i një biznesi shqiptar në Maqedoni

Një investim me vlerë rreth 350 milionë euro, 10 blloqe me komplekse rezidenciale dhe 5 blloqe ndërtesash për qëllime biznesi, një qendër tregtare me mbi 250 dyqane me markat më të njohura botërore dhe mbi 2.000 vende të reja pune, ky është projekti Skopje East Gate (SEG), të cilin Grupi Balfin e prezantoi dje në Maqedoni si vizionin e tij për një simbol të Shkupit të ri dhe modern.

Grupi Balfin që ka ideuar dhe realizuar historinë e suksesit në Maqedoni me Neptun – rrjeti më i madh i pajisjeve elektro-shtëpiake në vend – dhe me Skopje City Mall (qendrën më të madhe tregtare) paraqiti konceptin e Skopje East Gate që do të jetë i pari i llojit të tij në rajon dhe që do të bashkojë konceptin e shopping, të jetuarit dhe të bërit biznes në një të vetëm.

“Skopje East Gate (SEG) është investimi i përveçëm privat më i madh në Maqedoni që do të krijojë mundësi të mëdha biznesi, do të garantojë një punësim të shkëlqyer, do të forcojë tregtinë, do të tërheqë firmat botërore si dhe do të ofrojë një qasje të re të jetesës në qytet.” – tha Samir Mane, presidenti i Grupit Balfin i pranishëm në këtë event.

Për realizimin e këtij projekti, Grupi Balfin do të investojë rreth 350 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e investimit do të garantohet përmes financimit të institucioneve financiare lokale dhe ndërkombëtare.

“Skopje East Gate është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Shkupin, por për të gjithë vendin” – tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili me praninë e tij në event dëshmoi rëndësinë strategjike që ka për Maqedoninë një investim i tillë.

Skopje East Gate planifikohet të ndërtohet në një hapësirë prej 143.000 metrash katrorë, në të cilën do të ngrihen 458.000 metra katror ndërtim.

E ndodhur vetëm dy kilometra nga qendra e qytetit dhe pranë arterieve kryesore rrugore, projekti do të përfshijë një qendër tregtare, segmentin për apartamente banimi si dhe një park zyrash të klasit të lartë. Pritet që e gjithë kjo të sjellë një impuls të mëtejshëm për aktivitetin ekonomik në Shkup, që është në fuqizim e sipër.

Punimet do të jenë të ndara në tre faza dhe i gjithë projekti pritet që të përfundojë brenda një periudhe që shkon nga pesë deri në shtatë vjet.

Faza e parë parashikon ndërtimin e qendrës tregtare dhe të 4 godinave rezidenciale. Qendra tregtare do të ketë një hapësirë prej 51.000 metrash katrorë. Ajo do të jetë më e madhja në rajonin ndërmjet Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë së jugut dhe përveç një numri të madh markash të njohura botërisht, do të përfshijë edhe një gamë të gjerë mudësishë për t’u zbavitur, do të ketë qendra fitness-i si dhe hapësira parkimi për mbi 2.000 automjete.

Zona rezidenciale do të ketë 1.600 banesa, si dhe parqe, zona dëfrimi, dy amfiteatre, dhe një hapësirë të gjelbër.

Në fazën e dytë do të përfundohen edhe 6 godinat e tjera të banimit.

Ndërsa në fazën e tretë dhe të fundit do të realizohet ndërtimi i 5 blloqeve të godinave për qëllime biznesi në një hapësirë totale prej 67.000 metrash katrorë. Bëhet fjalë për parkun e parë të zyrave të “Klasit A” në Maqedoni.

Sipas parashikimeve, pritet që Skopje East Gate të vizitohet nga rreth 12 milionë njerëz në vit.

Projekti u zhvillua nga një prej studiove më të mëdha të arkitekturës në Turqi, “Yazgan Design Architecture Inc.”, që ka fituar një sërë çmimesh si “LEAF”, Çmimin Evropian dhe Ndërkombëtar për Pronat për projekte si Ura Urbane “Hamamyolu” në Eskisehir, “YDA Center” në Ankara dhe “Volkswagen Arena” në Stamboll.

Grupi Balfin është një ndër grupet private më të mëdha investuese në rajon, portofoli i të cilit përfshin investime në qendrat tregtare, zhvillimet e zonave rezidenciale dhe tregtare si dhe aktivitetet e shitjeve me pakicë me rrjetin e dyqaneve Neptun, Jumbo, apo veprimtaritë në sektorin e turizmit dhe në industrinë e fashion-it, etj.

Shqiptarët dhe maqedonasit ende kanë marrëdhënie të brishta

Shqiptarët dhe maqedonasit ende i kanë marrëdhëniet e brishta mes vete dhe për këtë gjë fajtor më i madh janë politikanët të cilët e nxehin gjakun e të dy palëve, sidomos gjatë fushatës politike.

Kjo është konkluza e rrjetit “E kaluar e ndarë, ardhmëri e përbashkët” bazuar në disa ankesa të realizuara në fokus grupe. Sipas kësaj analize, Marrëveshja e Ohrit pas vitit 2001nuk e ka dhënë rezultatin e paqes, dhe kjo duket me polarizimin e vazhdueshëm gjatë viteve.

Sasho Dodovki, moderator :

“Një numër i madh i qytetarëve të anketuar problemin e shohin tek institucionet dhe politika. Tek liderët politikë dhe retorika e tyre parazgjedhore, dhe në joprofesionalizmin e institucioneve. Por duhet theksuar se flasin edhe për sundimin e së drejtës që thonë se duhet të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Kur vjen koha e fushatave, mënyra më e lehtë që të mobilizioni votues është nëpërmjet retorikës nacionaliste pasi njerëzi më së lehti bien në këtë. Por pas zgjedhjeve duket se kjo retorikë ngadalë shuhet shkaku i koalicioneve”

Dodovski thotë se gjatë gjithë viteve kur ka patur krizë politike, shoqëria ka qenë edhe më e brishtë dhe më e ndarë etnikisht dhe se Marrëveshja e Ohrit nuk e ka arritur qëllimin e saj.  E dallon vetëm procesin e Revolucionit të Larmë kur bashkësi të ndryshme etnike kanë protestuar së bashku kundër pushtetit të atëhershëm.

Sipas Toshe Zafirovskit nga Instituti Progres,politikanët duhet ta ruajnë gjuhën dhe të ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike por apeloi edhe deri tek mediumet që të mos transmetojnë lajme me natyrë ndarëse dhe urrejtjeje.

Toshe Zafirovski, Instituti Progres

“Ka shumë mënyra dhe hapësirë për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike. Mendoj se edhe në projektet e ardhshme por edhe në vazhdimin e këtij projekti do të jepet kontribut në tejkalimin e këtij problemi. Por institucionet shtetërore dhe individualisht çdo qytetarë duhet të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet mes dy etnive më të mëdha në shtet…Shkaqet janë të natyrës së ndryshme. Edhe shkaku i politikanëve të pa arsyeshëm por edhe shkaku i personave vendimmarrës të pandërgjegjshëm”

Të anketuarit nga rrjeti “E kaluar e ndarë, e ardhme e përbashkët”kanë treguar forma të ndryshme në shoqëri ku duket ndarja dhe polarizimi mes dy etnive më të mëdha në shtet. Sipas anketës, ndarje ka në punësime, në biseda,  në vendbanime, parti politike e të tjerë, por se pa marrë përgjegjësi individuale çdo qytetarë, kjo situatë nuk mund të tejkalohet pasi politikës i shkon në favor një gjendje e tillë e cila pastaj liron terrenin për manipulime më të lehta. Anketuesit kanë propozuar përmirësimin e modelit të shkollimit dhe investimin në lëndë dhe biseda për bashkëjetesën dhe gjërat e përbashkëta,  por edhe në zhvillimin ekonomik, pasi kanë thënë se vetëm kështu ata nuk do të ishin të brishtë ndaj retorikave nacionaliste./SHENJA/

Sipas Georgievskit, Maqedonia perëndimore duhet të jetë pjesë e Shqipërisë

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Lubço Georgievski duket se po shfaqet me deklarata dhe intervista gjithmonë në kohën kur vendi kalon në faza shumë të vështira politike dhe gjeostrategjike.

Në një intervistë të fundit dhënë për gjermanen “Huffingtonpost”, ai ka dhënë deklarata intriguese, që po zgjojnë shumë pluhur në opinionin maqedonas e njëkohësisht po sulmohet me të madhe, pasi ka thënë se dëshiron ndryshime të kufijve të Maqedonisë. Ai thotë se “Maqedonia perëndimore duhet të jetë pjesë e Shqipërisë së Madhe”.

Më tej, ai parashikon se në Maqedoni “do të ndodhë një marsh i vdekjes”, ndërsa për momentin vendi donimohet me mbi 30% të popullatës së fesë myslimane, e në të ardhmen Maqedonia mund të bëhet vend mysliman./zhurnal/

Ali Ahmeti: BDI është kontribuuese në arritjen kompromisit për emrin e shtetit

SHKUP – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, deklaron se BDI mbështet mbylljen e menjëhershme të çështjes dhe është kontribuese në arritjen e kompromisit të pranueshëm nga të dyja palët.

 

Në një takim me u.d. zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, Met Palmer, Ahmeti ka diskutuar rreth negociatave mes Shkupit dhe Athinës, si dhe mundësitë për mbylljen e kontestit me emrin, në mënyrë që të zhbllokohen dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë.

 

“Kompromisi i menjëhershëm na mundëson marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Pikërisht integrimi euroatlantik i Maqedonisë është prioriteti ynë sepse garantohet paqja, stabiliteti dhe siguria, por edhe hapen perspektiva të reja dhe konkrete ekonomike”,- ka thënë Ahmeti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe inkurajojnë tejkalimin e të gjitha pengesave në këtë rrugë, ka potencuar Palmer në takim.

Nikolla Gruevski dënohet me dy vite burg

Nikolla Gruevski dhe Gjoko Popovski u shpallën fajtor për lëndën “Tanku”. Ish-kryministri u dënua me dy vite burg, ndërsa Popovski me 6 vite dhe 6 muaj.

Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska dhe Gjoko Popovski në këtë lëndë janë të akuzuar për blerje të paligjshme të makinës “Mercedes” për siç kanë thënë, nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në leximin e aktgjykimit gjykatësja lexoi të gjitha dëshmitë të cilat janë thënë gjatë gjykimit nga Prokuroria Speciale dhe nga pala mbrojtëse.

Gjykatësja tha se të akuzuarit së pari kanë zgjedhur makinën dhe kanë bërë porosinë e saj, ndërsa më pas edhe është shpallur tenderi nga MPB.

E akuzuara Gordana Jankulloska në këtë lëndë është gjykuar me procedurë të veçantë, ndërsa vendimi për të do të merret në seancë tjetër.

Kurse i akuzuari Gjoko Popovksi edhe gjatë ditës së djeshme nga Gjykata Penale u dënua me nëntë vite burg në lëndën “Treqind”, e cila ka të bëjë poashtu me blerjen e 300 makinave për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Mosregjistrimi i popullsisë pamundëson projektimet zhvillimore

Maqedonia tash 16 vjet nuk ka realizuar regjistrimin e popullsisë dhe kjo në vazhdimësi ka hapur debate me kërkesën për realizimin e këtij operacioni statistikor, jo vetëm që të dihet numri i popullatës, por edhe për planifikimin e politikave ekonomike, arsimore, sociale si edhe të nevojave tjera, ashtu siç veprohet thuajse në të gjitha shtetet në botë.

Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me përqindjen e popullatës shqiptare, e cila rezultoi të jetë 25.17 për qind. Nga numri i përgjithshëm dhe në bazë të kësaj përqindjeje, u përcaktuan edhe dispozitat kushtetuese mbi të drejtat e bashkësive etnike.

Tentim për regjistrimin e popullsisë kishte dhjetë vjet më vonë, në vitin 2012, por që nuk arriti të përfundojë pikërisht për shkak të përplasjeve nëse duhet ose jo të përfshihet në regjistrim edhe diaspora, që në rast se lihej jashtë, siç kërkonte pala maqedonase, rrezikonte që përqindja e shqiptarëve të binte në mënyrë të ndjeshme.

Nga Qeveria shprehen të përkushtuar për realizimin e regjistrimit, por nuk japin detaje konkrete se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Një proces tjetër i realizuar, ai i regjistrit të popullatës, sipas Qeverisë, “nuk nënkupton edhe regjistrimin e popullatës, por se do të shërbejë vetëm për nevoja tjera të institucioneve”.

Ish-drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Donço Gerasimovski thotë se gjatë këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, duhet të miratohen Ligji për regjistrim, që më pas të përgatiten materialet metodologjike dhe më së voni në vitin 2020 të bëhet regjistrimi i popullsisë.

“Edhe vendi ynë si çdo shtet anëtar i OKB-së është i obliguar të fillojë me përgatitjet për regjistrim, kushtet teknike ekzistojnë. Qeveria dëshiron të ketë regjistrim duke marrë parasysh nevojën për realizimin e projektimeve të saj, e që shumë prej tyre varen jo vetëm nga numri i popullatës, por edhe të dhëna tjera që dalin nga regjistrimi, si arsimimi, gjendja ekonomike e sociale, shtrirja gjeografike e faktorë të tjerë”, thotë Gerasimovski.

Sipas ekspertëve, regjistrimi i popullsisë është më se i nevojshëm për shkak se të gjitha të dhënat ende përpunohen në bazë të regjistrimit të vitit 2002, e që nuk korrespondojnë aspak më gjendjen momentale. Fatmir Bytyçi, njohës i çështjeve ekonomike, shpreson se kësaj radhe, kur do që të mbahet regjistrimi, të mos politizohet por të shpërbejë për projektimin e politikave për të mirën e popullatës.

“Ne akoma operojmë me një numër të popullsisë prej 2 milionë banorë. Kur flasin për nivelin e papunësisë ne supozojmë se ata dy milionë banorë kanë ngelur në atë nivel ose ka një rritje progresive bazuar sipas përllogaritjeve statistikore. Pra, vlerësoj se janë supozime që e bëjnë shumë të vështirë që të themi se politikat momentale apo ato që janë vendosur kanë qenë relevante për popullatën momentale. Shpresoj se përfundimisht do të kemi regjistrim të popullsisë dhe se ai nuk do të politizohet në parim, por se do të merret vetëm se nga aspekti i përfitimeve ekonomike dhe atyre afatgjate”, thotë Bytyçi.

Edhe Jane Dimevski, nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” flet për nevojën e regjistrimit të popullatës.

“Nuk ka informacione të mjaftueshme e që janë të nevojshme për analiza të ndërlikuara socio-ekonomike. Maqedonia është një nga shtetet e rralla ku nuk është realizuar regjistrimi i popullatës. Këtë ne nuk e kemi bërë tani 20 vjet, që nuk është vetëm se e turpshme, por edhe e dëmshme për të gjitha proceset, pasi me këtë pamundësohet planifikimi i politikave në bazë të parametrave të popullatës, numrit, arsimimit e kështu me radhë”, thotë Dimeski.

Profesori, Risto Malçevski thotë se evidencat mbi popullatën janë të domosdoshme, edhe pse ato sipas tij ekzistojnë bazuar me letërnjoftimet dhe pasaportat e lëshuara për qytetarët. Por, ai nuk e përjashton mundësinë e politizimit, në rast të ndryshimeve të mëdha sa i përket përqindjes së popullatës apo pjesës që ka të bëjë me përkatësinë entike.

“Ky problem mund të na çojë në rrugë tjetër. Mbrojtësit e maqedonizmit thënë kushtimisht, këtë mund ta shfrytëzojnë nëse do të dalin të dhëna tjera sa i përket aspektit etnik mbi bazën e të cilave përkufizohen të drejtat e gjuhës dhe të drejta tjera, dhe në këtë rast regjistrimit do të merrte një kahje krejt tjetër”, thotë Malçevski duke aluduar për shqiptarët, të drejtat e të cilëve kanë për bazë përqindjen e tyre në shtet.

Ndryshe, për dështimin e regjistrimit të popullatës në vitin 2012, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet nën dyshimin se partitë në pushtet regjistrimin e kanë dështuar qëllimisht për evituar pasojat e mundshme ndaj subjekteve të tyre politike.

Zaev: Republika Ilinditase e Maqedonisë është emri për kompromis të mundshëm me Greqinë

“Ilinden është garanci edhe për Maqedoninë multietnike. Maqedonia Ilinditase është shtet, shoqëri, por edhe mirësi dhe zhvillim nën të cilën janë të angazhuar edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe turqit…”

SHKUP – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me krerët shtetëror dhe liderët e partive politike në Klubin e deputëve në Shkup, deklaroi se “Republika Ilinditase e Maqedonisë (Republika Ilindenska Makedonija – Republic of Ilinden Macedonia) është emri për kompromis të mundshëm me Republikën e Greqisë”.

“Informova se qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë biseduan për opsion dhe zgjedhje që mund të jetë e pranueshme për të dyja anët. Republika Ilindenska Makedonija është emri për kompromis të mundshëm me Greqinë, në anglisht Republic of Ilinden Macedonia, në shqip Republika Ilinditase e Maqedonisë”, deklaroi kryeministri Zaev, pas takimit tre orësh me krerët shtetëror.

Kryeministri maqedonas shtoi se Ilinden është e kaluara e lavdishme e vendit dhe Ilinden është e ardhmja e ndritshme e vendit. Ai poashtu theksoi se se me këtë zgjidhje të mundshme vendi e ruan dinjitetin, si dhe dëshmon dhe përforcon identitetin maqedonas.

“Ilinden është garanci edhe për Maqedoninë multietnike. Maqedonia Ilinditase është shtet, shoqëri, por edhe mirësi dhe zhvillim nën të cilën janë të angazhuar edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe turqit, edhe serbët, vllehët, romët, boshnjakët, si dhe të gjithë të tjerët që kanë luftuar për Maqedoni të lirë dhe të pavarur”, u shpreh Zaev, duke iu referuar historisë së vendit.

Në vijim, duke dërguar mesazh ndaj qytetarëve të Greqisë, kryeministri Zaev tha se, “Me këtë emër bëjmë dallim të plotë me rajonin e Maqedonisë në Greqi, dallim në çdo aspekt. Kryengritja e Ilindenit është luftë e përbashkët e popullit tonë multietik për të drejta dhe liri sociale, dhe nuk ka kurrë far aspirata territoriale ndaj asnjë vendi fqinj, përfshirë edhe Greqinë”.

Zaev poashtu bëri të ditur se me marrëveshjen e mundshme do të marrin konfirmim për gjuhën maqedonase, garanci për identitetin dhe kodet ndërkomëbëtare.

Duke paralajmëruar referendum të cilin pala greke e ka pranuar, Zaev tha se “do të pranojmë përdorimin e përgjithshëm të këtij emri, ndërsa për përdorim të brendshëm do të zbatohet në faza”.

Ndryshe takimi vjen pas takimit të së enjtes mes kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Alexis Tsirpas në kryeqytetin bullgar, Sofje, pas të cilës kryeministri maqedonas deklaroi se të dy vendet kanë një opsion për zgjidhjen e çështjes së emrit, që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët.

Në takimin e inicuar nga Zaev në Shkup i pranishëm ishte edhe presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski.

Presidenti Ivanov, pas takimit nuk tha se propozimi i ri për emrin është i pranueshëm nga ana e tij, por shtoi se pasi të marrë propozimet në formë të shkruar do të dalë me qëndrim.

“Siç edhe u paralajmërua, ky takim ishte i karakterit informativ në të cilën kryeministri dhe ministri i jashtëm informuan për ngjarjet e fundit të procesit për gjetjen e zgjidhjes së mundshme për problemin që ka fqinji ynë me emrin tonë kushtetues. U informuam për disa çështje të cilat për herë të parë i dëgjojmë. Ata janë transmetuar gojarisht, kështu që presim që të gjitha këto ide dhe propizime t’i marrim në dokument të shkruar, që të mund të ndërtohet një qëndrim”, deklaroi Ivanov.

Ndërkaq, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, tha se partia e tij mban qëndrimin e njëjtë dhe nuk do të pranojë ndryshim të Kushtetutës së vendit me qëllim ndryshim të emrit. Ai shtoi se propozimi do të paraqitet dhe prezantohet para organeve të partisë dhe të njëjtin do ta shqyrtojnë.

Vajza e Mirsad Ndrecajt alivanoset gjatë homazheve, nga dhimbja për babain e rënë në Kumanovë

Vajza e Mirsad Ndrecajt alivanoset gjatë homazheve, nga dhimbja për babain e rënë në Kumanovë

Me rastin e trevjetorit të Kumanovës janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë. Edhe pas tre viteve dhimbja e familjarëve për më të dashurit ende është e madhe, kurse humbjen e prindërive më rëndë po e përjetojnë fëmijët.

Vajza e Mirsad Ndrecajt, Ilirida Ndrecaj nga dhimbja e madhe I ka rënë të fikët gjatë homazheve. Dhimbje të madhe për humbjen e vëllait Arben Rexhaj ndien edhe motra e tij, Merita Rexhaj.

Ajo thotë se dhimbjen ua shton paqartesia qe ende mreteron për atë se çka ndodhi me te vertete para 3 viteve në Kumanovë dhe apelon që autoritetet kosovare të kujdesen për lirimin sa më të shpejtë të arrestuarëve në Kumanovë.

 

Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare (ISPN) organizon në Shkup “Ditët e Evropës” 2018 – Nga Entela Binjaku*

 

Në shumë shtete të Evropës kjo javë ka në qendër  integrimin evropian dhe në nderim të konceptit përbashkues që ky organizëm i madh përfaqëson, këto ditë njihen edhe si “Ditët e Evropës”.  Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe Politikë me qendër në Shkup të Republikës së Maqedonisë organizoi për të katërtin vit “Javën Evropiane – Ditët e Evropës”.  Në kuadër të saj  ISPN organizoi një seri aktivitetesh që kanë në qendër aspektet shumë dimensionale të integrimit.  Dita e parë e kësaj jave nisi me ndarjen e  shpërblimeve dhe mirënjohjeve për  studentët pjesëmarrës në konkursin e  eseve i njoftuar javë më parë me temë mbi Unionin Evropian. Në ditën e parë që përkonte me hapjen e një serie aktivitetesh  morën pjesë: Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, zëvendës kryeministri për çështje europiane z. Bujar Osmani dhe Prof. Dr. Ylber Sela – Drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare. Në ditën e dytë Java Evropiane vijoi me një ligjëratë  nga ambasadorja kroate Danijela Barisic mbi përvojat dhe sfidat e Kroacisë në Unionin Evropian dhe NATO. Kjo ligjëratë u mbajt në Qendrën për Informim të BE-së në Shkup.  Një ndër ditët e kësaj jave ju kushtua konferencës Ndërkombëtare Shkencore me titull “Ballkani Perendimor dhe vlerat euroatlantike – rast studimi Maqedonia“. Kjo konferencë u mbajt  ditën e hënë në  mjediset e Sekretariatit për Çështjet e Evropës (SEA).  Konferencën e hapi drejtuesi i ISPN prof.dr. Ylber Sela i cili e vlerësoi si një temë me rëndësi për shkak se sivjet pritet të hapen negociatat deri në çelje të Samitit të KE dhe të NATO-s. Në këtë konferencë mori pjesë ministri  i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i cili foli në emër të kabinetit qeverisës mbi strategjitë rajonale me synimin e arritjeve të larta në përputhje me strategjitë e Evropës Juglindore deri në vitin 2020. Ai foli për konceptet e një ekonomie të mbështetur në dije,  përkushtim, angazhim dhe u përqëndrua në mbështetjen  që qeveria po ndërmerr vecanërisht në drejtim të Ndërmarrjeve të Vogla të Mesme (SME).

Aktualisht Bullgaria është shteti që kryeson presidencën e Këshillit të Evropës. Në këtë konferencë ishte e pranishme zv.ambasadorja e Republikës së Bullgarisë në Maqedoni Daniella Budinova e cila foli për vlerat e përbashkëta që ndan kjo presidencë. Nën moton “Të bashkuar jemi më të fortë” ajo foli për angazhimin bullgar për një presidencë të mirë. Znj.Budinova tha “ne besojmë se ambiciet tona duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë”. Sa i takon zgjerimit të bashkësisë evropiane zv.ambasadorja Budinova e  cilësoi edhe një herë parimin e mbështetur mbi meritën që paraqitet edhe në raport progreset.

Në këtë konferencë mori fjalën edhe ambasadorja e Republikës së Austrisë në Maqedoni znj. Renate Kobler e cila theksoi se në korrik do të nisë presidenca austriake.  Kjo është hera e tretë që Austria merr kryesimin e kësaj presidence pas vitit 1998 dhe 2006. Ambasadorja e vendit qe pritet të marrë presidencën e Këshillit te Evropës u shpreh se Austria do të japë kontributin e saj për një presidencë të mirë. Më tej ajo përmendi edhe  kategoritë në të cilat kontribuon integrimi siç janë siguria, stabiliteti, konkurueshmëria, duke cituar edhe sloganin e përzgjedhur nga Austria për këtë presidencë: “ Për një Evropë që të mbron!”.

Në  konferencë i pranishëm ishte dhe prof. Dr. Radovan Vukadinovic nga Keshilli i Atlantikut Verior.  Ai tha se edhe herë të tjera ka qenë i ftuar por nuk ka mundur të jetë i pranishëm dhe në fjalën e tij ai foli rreth NATO-s dhe vlerave të saj. “NATO-,  tha ai,  u ndërtua mbi këto parime: paqe, siguri dhe forcë. Sipas tij të gjitha shtetet duhet të  jenë pjesë e NATO-s. Ai foli edhe për raste të veçanta si përshembull Portugalia e cila në kohën kur u pranua në NATO nuk ishte një demokraci i konsoliduar por situata me ishujt Azore e përshpejtoi këtë përfshirje. “Një Evropë më e mirë,-  tha ai,-  nuk mund të jetë pa një NATO më të mirë”.  Zv.Ministri i Mbrojtjes, Dr.Bekim Maksuti i pranishëm në panel tha në fjalën e tij se problemet e kësaj kohe do të mund të zgjidhen nëpërmjet këtyre organizimeve të mëdha siç janë NATO dhe BE. Sipas tij Evropa nuk mund te jetë e lirë pa integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I ftuar në këtë konferencë ishte dhe z. Arjan Starova nga Shqipëria  i cili foli për vlerat e NATO-s si vlera euro-atlantike. Ai nisi fjalën e tij nisur nga kontributi që NATO jep në bashkësinë evropiane. “Të gjitha këto parime qëndrojnë në themel të demokracive  evropiane,  ndaj vlerat e NATOS janë vlera europiane” u shpreh Starova. Ai foli për rëndësinë që ka edukimi i të rinjve me vlerat e NATO-s pasi ata janë që do të na udhëheqin nesër dhe disa prej dukurive negative të ditëve të sotme mund të ndikojnë negativisht tek të rinjtë sa i takon edukimit mbi NATO-n.

I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe zoti Dusan Janic nga “Forumi për Marrëdhëniet Etnike” në Serbi. Në fjalën e tij ai u shpreh se nuk ishte ekspert i çështejve të Maqedonisë por puna e tij në vitin 2001 në Suedi pranë përfaqësuesit të Maqedonisë i dha mjaft njohje mbi këtë temë. Ai gjeti disa pika të përbashkëta mes Serbisë dhe Maqedonisë sa i takon integrimit evropian. Sipas tij “të dyja shtetet tona janë mjaft të vonuara, kanë nivele të larta të korrupsionit, kanë segmente të partive të korruptuara, ndikimi rus, turk në Ballkan është i fortë, ndërkohë që Serbia ka edhe çështjen e negociatave me Kosovën. Ai pohoi se në Maqedoni situata është mjaft më e thjeshtë për shkak se ky shtet ka ngritur institucione që do ta përfundojnë punën e nisur, por në Serbi situata është më e paqartë. Sipas tij Serbija është ose në mes të diçkaje, ose në mes të asgjëje. “Nga ana tjetër  lind pyetja:  Kosova a është në drejtim të NATO-s apo në drejtim të kujt? Sipas tij integrimi në Maqedoni dhe Serbi është shumë i ngadaltë dhe nuk po mbaron. Ai tha se në këtë periudhën e fundit prej 1 vit e gjysmë ka çështje në raport-progreset qe flasin për situata dramatike si përshembull kapitulli IV –që është rendi i ligjit. Serbia tha ai është një nga 9 shtetet që financon terrorizmin. Nuk është e lehtë!  Shumë njerëz besojnë se kjo do të marrë një zgjidhje, madje në korrikun e kaluar presidenti Vucic mori nismën për dialog të brendshëm për Kosovën dhe pati shumë intelektualë që menduan se kishte ardhur koha për një marrëveshje historike, por kur ai u përpoq të mbyllte këtë dialog, ishte e vështirë të mbyllte opinionin publik rreth saj”, u shpreh ai. Sipas tij në Serbi Kosova nuk është kauzë, por është pretekst dhe kjo për dy çështje: 1. Për shkak të përdorimit politik nga forcat e interesuara për të marrë pushtetin 2. Koalicioni qeverisës nuk arriti dot të ndërtojë një opinion mbështetës në drejtim të mbi marrëdhënieve me Brukselin.  “Atëherë,  tha ai.-  lind pyetja: Cila është e ardhmja jonë? A është Evropa apo është status-quoja”? Sipas z. Janic “opinioni publik në Serbi nuk është gati për një rrugë drejt BE-së”.

Në fjalën e saj znj. Ljubica Pendarovska nga Qendra “Marshall” në Maqedoni u shpreh se kur “ke mbjellë një lule, ke mbjellë një jetë” dhe rruga e Maqedonisë është Evropa dhe asnjë alternativë tjetër nuk shtrohet përveç kësaj. Sipas saj ky është një proces që vijon por ajo që nevojitet është një qasje e ndershme ndaj këtij procesi. Sipas znj. Pendarovska  raportet e fundit të BE flasin për një ndërgjegjësim të politikanëve të Maqedonisë mbi rëndësinë e reformave por njëherëzi ju kujton atyre se ka ende punë për tu bërë.  Në mbrëmjen e së hënës aktivitetet në kuadër të Ditëve të Evropës  u vijua me një ceremoni vlerësimesh me mirënjohje për disa nga figurat që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të kulturës, shkencës dhe politikës. Me rastin e  Ditës së Evropës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut në të cilin ndodhemi në këtë edicion të katërt të Javës Evropiane që po organizohet në Shkupin e vjetër,  Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare  në bashkëpunim me Komunën e Çairit akordoi mirënjohjen për 7 personalitete. I pranishëm në këtë takim në marrje të vlerësimit Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi u shpreh i gëzuar dhe i nderuar për këtë respekt dhe shprehu angazhimin e tij në të mirë të zhvillimit të kulturës dhe të vendit. Të tjera vlerësime ju akorduan  Institutit Shqiptar në Zvicër, z. Albert Ramaj; Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, z. Dorian Koci; Drejtores së Qëndres Informative për Kulturë znj. Sermine Purrini; Drejtorit te ITSHKSH- se z.Skender Asani si dhe dy studiesve Prof. Nuri Bexhetit dhe Prof. Izer Maksutit. Kjo mbrëmje nisi me një duet për flaut dhe violinë ku dy instrumentistë interpretuan pjesën e njohur këngën kushtuar Hajredin Pashës.

Dita e pestë e aktiviteteve në kuadër të “Ditëve të  Europës”, ju kushtua një promovimi libri.  Në Qendrën Informative të BE-së në Shkup u promovua libri i Dr. Arben Fetoshit “Media dhe Integrimi Europian”. Në recensionet e tyre për këtë botim folën profesorët Demush Bajrami dhe Qashif Bakiu të cilët theksuan vlerat e tij shkencore, duke e cilësuar atë një vepër të munguar dhe tejet të rëndësishme për mediet dhe komunikimin. Ndërkaq, Prof. Dr. Ylber Sela, drejtor i ISPN, duke vlerësuar librin dhe punën e autorit, tha se në procesin e Integrimit Europian mediat kanë rol të pazëvendësueshëm, si në aspektin e informimit ashtu edhe në atë të krijimit të opinionit publik. Në këtë promovim folën edhe publicisti Emin Azemi, Agron Hoti nga Ministria e Integrimit Europian në Prishtinë dhe Arben Veselaj në cilësinë e botuesit nga Shtëpia Botuese “Orfeu”. Këto ditë të plota aktivitetesh të larmishme përfundojnë në  datën 9 maj që përkujtohet dhe nderohet si Dita e Evropës.

*M.A. në Institucionet dhe Menaxhimi i Projekteve të Bashkimit Evropian

Formohet Grupi i Ohrit, do të ndihmojë rrugëtimin e Maqedonisë në NATO

Kryeministri Zaev tha se grupi i Ohrit do të angazhohet për të përfunduar punët e nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE

SHKUP – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë të përbashkët për mediat me ish-sekretarin e NATO-s, George Robertson, të mbajtur në Shkup, promovoi Grupin e Ohrit që ka për qëllim të mbështes vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).

Gjatë shpalosjes së punës së këtij grupi, kryeministri Zaev tha se grupi i Ohrit do të angazhohet për të përfunduar punët e nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE.

Ai tha se grupi përbëhet nga miq të konfirmuar të Maqedonisë, të tillë si ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Robertson, ish presidenti i Bulgarisë, Rosen Plevneliev, por edhe Havier Sillana, Carl Bildt, Robert Gelbart, Alen Leroa, Wolfgang Ishinger dhe të tjerë.

“Grupi i Ohrit për mbështetje të Maqedonisë është një grup joformal me anëtarë me përvojë të ndryshme, me një të kaluar të jashtëzakonshme politike. Aktivitetet e anëtarëve të grupit të cilët kanë vulosur karierën e tyre diplomatike do të paraqesin mbështetje të madhe për tentimet e vendit për një Maqedoni demokratike dhe evropiane”, tha Zaev, duke shtuar se Maqedonia dhe NATO tashmë janë miq për 22 vite, gjatë të cilave Maqedonia dëshmoi përkushtimin ndaj këtij partneriteti.

Kryeministri Zaev u ndal edhe tek hapi i madh që ka bërë vendi, pasi siç tha, nga një shtet i kapur u bë një shtet demokratik, ku sundon ligji. Ai shprehu shpresë që viti 2018 të jetë vit historik për Maqedoninë, por edhe për rajonin.

“Dëshirojmë që gjatë këtij viti të marrim ftesën për në NATO dhe të bëhemi anëtari i 30-të i NATO-s. Prandaj, kërkojmë mbështetjen nga të gjithë anëtarët e NATO-së, BE-së dhe miqve të shtetit tonë. Ky grup paraqet sinjal të fuqishëm për një Maqedoni demokratike dhe të orientuar kah Evropa”, theksoi Zaev.

Ish-sekretari i NATO-s Robertson, nga ana e tij, evokoi kujtimet nga viti 2001 kur ka pasur një rol për dhënien fund të konfliktit të armatosur në Maqedoni. Ai tha se rëndësia e qytetit të Ohrit ka vendosur edhe emrin e grupit.

“Shteti i cili ishte në prag të luftës civile u shndërrua në një vend i cili po troket në portat evropiane”, tha Robertson.

I pyetur të komentojë çështjen e emrit dhe rrezikun nga mosanëtarësimi në NATO, Robertson tha se grupi i tij do të këshilloj qeverinë e Maqedonisë dhe ministrat, por theksoi se çështjet e rëndësishme vendi do të duhet t’i zgjidh vet.

“Janë disa çështje të cilat do të duhet të zgjidhen nga Maqedonia dhe Greqia dhe fqinjët, të cilët do të duhet të parashtrojnë pyetjen se si do të dëshironin gjeneratat e ardhshme që ne të votojmë dhe të veprojmë sot”, tha Robertson.

Ai shtoi se është me rëndësi që Maqedonia dhe qytetarët e saj të angazhohen, të marrin vendime, që mund të mos jenë të lehtë, por të rëndësishëm për të ardhmen. aa

Rasti ‘Monstra’, Zaev jep detajet për telefonatën në mes Azirit dhe Bejtës

Të gjitha materialet, jo vetëm për “Monstrën”, të gjitha që i kam poseduar, përfshirë këtu edhe Zoran Zaevin, Branko Cervenkovskin, Sugarevskin, Shekerinskën, gjithçka është dorëzuar atje”, kështu është përgjigjur sot kryeministri i Maqedonisë dhe lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev pyetjes se do të dëshmoni për rastin “Monstra” meqë kjo është kërkuar nga famijarët e të akuzuarve, tha Zaev në fjalimin e tij.

Duke komentuar edhe deklaratën e ditë më parë të të akuzuarit të rastit “Monstra”, Fejzi Aziri se është zhvilluar bisedë mes këtij të fundit dhe ish kryetarit të Gostivarit, Nevzat Bejta, Zaev ka thënë se biseda ka pasur të bëjë për marrje të subvencionit në vlerë prej 400 eurove nga Aziri.

“Deri tash për shkak të ndjenjës së humbjes së prindërve që kanë humbur fëmijët kam treguar biseda në hapësirat e LSDM-së, ku pamë se si njëri nga të dyshuarit, Aziri, bisedon në telefon me ish atëherë kryetarin e Gostivarit, Nevzat Bejtën dhe e lut për 400 euro subvencione në bujqësi, të dhive, ka disa stallë, unë e kam treguar atë bisedë dhe kam treguar edhe se prindërit kanë biseduar. I kanë parë bisedat të gjithë, dhe në fund tërë ajo është dorëzuar. Zoran Zaev nuk mund të jetë hetues, as prokuror e që do të japë vlerësime apo të ngjashme. Prandaj edhe procesi është duke u zhvilluar nga fillimi sepse kam dëshmuar se aty ka dëshmi bazike”, tha Zaev.

Përndryshe, pas seancës së rastit “Monstra” që u mbajt më 17 prill, vëllai i të akuzuarit Fejzi Aziri, Bejdiu kërkoi që publikisht të publikohet biseda mes vëllait të tij, Fejzi Aziri dhe ish-kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. Ai shtoi se biseda është private dhe do të ishte qesharake nëse publikohet.

Në lidhje me këtë, Zaev tha sot: “Shpresoj se materiale private nuk do të dalin, dhe deri tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë”./Gazeta Express/

Zaevi flet për rastin “Monstra”

Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se do të paraqitet si dëshmitar në rastin „Monstra„ në një gjë të tillë e kërkon nga unë gjykata.

Kjo deklaratë e Zaevit vjen pas akuzave të familjarëve të fëmijëve të vrarë duke thënë se ai nuk ka ndërmend të luajë rolin e hetuesit dhe këtë ua le gjykatave të bëjnë punën e tyre.

Zaev ka thënë se edhe familjarëve u ka thënë se biseda telefonike mes Azirit dhe Bejtës në të cilin Fejzi Aziri ka kërkuar subvencione për bujqësi.

Si po boshatisen shkollat shqipe në Maqedoni, familjet ikin drejt perëndimit

SHKUP – Viti i ardhshëm shkollor rrezikon mbylljen e shumë shkollave fillore periferike për shkak të mungesës së nxënësve. Fshati Dikavec i komunës së Zelenikovës në Shkup më nuk ka asnjë nxënës. Rijad Tahiri është i fundit nga ky fshat që përfundon arsimin fillor, por me këtë përfundon së funksionuari edhe shkolla në këtë fshat.

“Ky fshat për mua është i mirë se ne jemi të mësuar vet me jetuar por, këtu në shkollë është keq veç për një nxënës, është pak mërzi, mëson vetëm një nxënës, as shokë nuk kam, vetëm me Omerin”– u shpreh Rijad Tahiri, nxënës.

Mësuesi Xhezmi Qahili me keqardhje thotë kushtet e rënda për jetesë, mungesa e infrastrukturës dhe shumë shkaqe tjera kanë çuar në boshatisjen e fshatit.

“Sa për kushtet e rrugës me të vërtet rruga është katastrofë, në stinën e dimrit është në gjendje shumë të mjerueshme. Rrogën e matim veç, për ushqim edhe për transport nuk marim asgjë, atë rrogë ne vetëm për rrugë e lëmë”– theksoi Xhezmi Qahili, mësues.

Situatë e ngjashme është edhe në disa fshatra të Pollogut. Në shkollën qendrore dhe periferike“Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Poroj të Tetovës, viteve të fundit numri i nxënësve është përgjysmuar. Mësuesi Afrimi Emini thotë se klasa e tij numëron vetëm se 15 nxënës për dallim nga vitet e para të punës kur klasat ishin me nga 40 e më tepër nxënës.

“Kur kam ardhur këtu si fillestar kam pas 40-41 nxënës, mirëpo gradualisht duke kaluar koha edhe numri i nxënësve është zvogëluar, ja tash si e shikoni numri I nxënësve është shumë i vogël. Tash unë kam 15 nxënës” u shpreh Afrim Emini, mësues.

“Thuajse çdo vit po ndryshon numri i nxënësve. Sa i përket numrit të nxënësve, para 18 viteve në bazë të statistikave që i kemi nga shërbimi pedagogjik kemi pas 1.250 nxënës, ku tash kur flasim kemi gjithsejtë 720 nxënës”– tha Naim Kurtishi, drejtor i Sh.f “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Poroj, Tetovë.

Edhe këtu largimi i fëmijëve nga bankat shkollore bëhet për arsyeje të shpërnguljes së banorëve, qoftë jashtë vendit apo në zonat urbane në kërkim të kushteve më të mira për jetë. Një dukuri e tillë është e pranishme edhe në shkollat fillore të fshatrave të Strugës.

Zini Jusufi, përgjegjës i shkollës fillore “Ekrem Jakupi” të fshatit Koroshishtë tha se shkollat do të mbeten pa asnjë nxënës nëse nuk ndërmerren masa urgjente për krijimin e kushteve për të rinjtë që të mos e braktisin vendin.

“Ata kthehen dhe marrin fëmijët dhe familjet e tyre gjë që është në rregull por për ne si shkollë bëhet zvogëlimi i nxënësve. Për vitin kalendarik 2017-18 janë larguar 5 nxënës, bëhet fjalë për nxënës solid, nxënës shembullor, të shkëlqyeshëm. Kjo na brengos së tepërmi por nuk jemi faktor që ne ta zgjedhim këtë problem”– dekalroi Zini Jusufi, përgjegjës i sh.f “Ekrem Jakupi”, fshati Koroshishtë.

Të dhënat e Entit shtetëror të statistikës tregojnë se në 8 vitet e fundit numri i nxënësve në shkollat fillore është ulur për rreth 15 mijë nxënës. Më kritik paraqitet viti shkollor 2014-15 dhe 2016-17 ku numri i nxënësve është zvogëluar për më shumë se 3.804 dhe 2.490 filloristë, njofton Alsat M.

Kryeparlamentari Xhaferi për vizitë zyrtare në Turqi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Turqi. 

Ai është planifikuar të takohet sot me homologun e tij turk Israil Kahraman, kryetar i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, kryeministrin Binali Yildirim dhe presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Xhaferi do të vizitojë Mazoelumin e Ataturkut, si dhe pjesën që u bombardua gjatë përpjekjes për grushtshteti më 15 korrik 2016. Marrëdhëniet diplomatike midis Maqedonisë dhe Turqisë u vendosën në 1992 kur Turqia e njohu Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues./Gazeta Express/

Bullgarizohen maqedonasit, për tre muaj 1200 shtetësi

Ndryshojnë rregullat, tani më lehtë deri tek pasaporta bullgare. Prej janarit e deri tani, 1200 shtetas të Maqedonisë kanë marrë shtetësi bullgare, ndërkohë që prej vitit 2001, 71.524 persona kanë marrë shtetësi bullgare në Republikën e Maqedonisë.

Kështu ka deklaroi nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova, ndërsa ka thënë se nga fillimi i mandatit të kryetarit Rumen Radev, në janar të këtij viti, edhe 1184 qytetarë të Maqedonisë janë pajisur me shtetësi bullgare.

Me këtë rast, ajo ka thënë premtime se në të ardhmen, do të lehtësohet regjimi për të arritur deri tek shtetësia bullgare.

“Ju premtojmë se së shpejti do të lehtësohen procedurat për të fituar shtetësi bullgare”, është shprehur Jotova për televizionin shtetëror bullgar./KOHA

Në Ohër protestohet për Ligjin e gjuhëve dhe negociatat për emrin

Një grup qytetarësh nga Ohri sot në sheshin e qytetit mbajtën protestën e tretë, të organizuar nga iniciativa qytetare “Maqedonia para së gjithash”.

Ata sërish kanë protestuar siç thonë, kundër keqpërdorimit të institucioneve shtetërore nga ana e pushtetit, në dëm të popullit dhe shtetit.

Kërkesat e tyre janë që të tërhiqet Ligji për përdorimin e gjuhëve, anulimi i Marrëveshjes me Bullgarinë, ndërprerja e bisedimeve për emrin, si dhe lirimi i të paraburgosurve, të cilët janë të dyshuar për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë vitin e kaluar./Express/

Ligji për shqipen, ambasadorja e OSBE: Gjuha, çështje e rëndësishme në një shtet shumetnik

SHKUP- Ambasadorja e OSBE-së në Shkup, Nina Soumalainen, ka deklaruar se liria e mediave në Maqedoni është përmirësuar, por ka ende çështje kritike.

Në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ambasadorja e OSBE-së thotë se gjuha është çështje e rëndësishme në një shtet shumetnik, dhe se shteti duhet të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim të prejardhjes së tyre. Si shembull e përmend Finlandën, nga ku ajo vjen, duke thënë se atje gjuhë zyrtare janë finlandishtja dhe suedishtja, edhe pse suedezët janë më pak se 6%.

Në intervistën e saj për agjencinë AIM, Soumalainen thotë se përparimi në media është përmendur edhe në misionin mbikëqyrës të OSBE/ODIHR-it.

Megjithatë, ajo thotë se pikë kritike është çështja me RTVM-në, zgjidhjet kadrovike dhe mosdënimin e veprave kriminale të kryera ndaj gazetarëve.

Në lidhje me gjyqësinë, Soumalainen thotë se e mbështet gjyqësinë e pavarur, të paanshme dhe profesionale, duke e përshëndetur punën e Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Studentët e albanologjikut studiojnë shqip, diplomojnë maqedonisht

Ndërsa studentët e Fakultetit Filologjik në Shkup, katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe kryejnë studimet në gjuhën shqipe, punimet e magjistraturës dhe doktoratës vazhdojnë t’i shkruajnë dhe ti mbrojnë në gjuhën maqedonase, sepse kështu e kërkon ligji për arsim të lartë.

Studentët që preken drejtpërdrejtë nga kjo çështje nuk deshën të flasin para kamerës se Alsat, por sqarojnë se përballen me vështirësi të mëdha, punë të dyfishtë dhe shpenzime shtesë. Këtë e dëshmon edhe profesori Asllan Hamiti I cili sqaron se shumë herë kanë ngritur zërin për ndryshime në Ligjin ekzistues por deri më sot çdo kërkesë e tyre ka hasur në veshë të shurdhër.

“Assesi nuk kemi arritur që këtë punë ta përmirësojmë, përkatësisht të fitojmë të drejtën që ti shkruajmë dhe ti mbrojmë edhe në gjuhën shqipe. Ajo që ka kaluar deri më tani, koha që ecën nuk kthehet mbrapa por unë mendoj që tani do të ishte mirë që në propozimin e ligjit për arsimin e lartë atëherë të kemi kujdes që këto gjëra të përmirësohen, përkatësisht të ndryshohen në mënyrë që edhe ne të kemi mundësi që mbrojtjet dhe punimet ti dorëzojmë edhe në gjuhën shqipe” – deklaroi profesor Asllan Hamiti,

Me vështirësi më të mëdha përballen studentët që vijnë nga Kosova, Presheva, Shqipëria të cilët nuk kanë aspak njohuri për gjuhën maqedonase. Sipas profesorit Hamiti, detyrimi I përkthimi të punimeve të tyre humb vlerën dhe shpesh herë kuptimin e temës së caktuar.

“Origjinali megjithatë është origjinal, përkthimi asnjëherë ose shumë vështirë mund ti afrohet origjinalit dhe shpesh herë ne kemi vërejtje në këtë punën e përkthimit që bëhet sepse nuk jemi në gjendje ta shohim këtë origjinalin që kemi. Disa kandidatë të cilët janë më të kujdesshëm ata arrijnë ose na sjellin ne si anëtarë komisioni që jemi, na sjellin dy versione, në versionin zyrtar që e kemi në maqedonisht dhe në versionin tjetër që e kemi versionin e zemrës që e kemi në shqip” – theksoi profesori Asllan Hamiti.

Hamiti apeloi deri tek institucionet kompetente dhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare të përdorin çdo mundësi të tyre për avancimin e gjuhës shqipe njëjte me atë maqedonase, përfshirë edhe shkrimin e punimeve të magjistraturës dhe doktoratës si dhe mbrojtjen e tyre edhe në gjuhën shqipe, posaçërisht në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik.

Projekt Rezolutë për eliminimin e diskriminimit në bazë etnike të shqiptarëve në Maqedoni

Ndryshuar më 12:32, 7 Prill, 2018

Duke pasur parasysh se Karta e Kombeve të Bashkuara mbёshtetet në parimet e dinjitetit dhe të barazisë sё të gjithё njerëzve, dhe se të gjitha shtetet anёtare janё zotuar të veprojnё pёr tё realizuar një nga objektivat e Kombeve të Bashkuara, qё ёshtё nxitja dhe inkurajimi i respektimit të të drejtave dhe të lirive themelore tё njeriut, pa dallim race, kombi, feje, gjuhe dhe përkatësie tjetër;

Duke marrë parasysh se Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, e datёs 20 nёntor 1963 (Rezoluta 1904 (XVII) e Asamblesë sё Përgjithshme) thekson domosdoshmërinë e zhdukjes së tё gjitha formave tё diskriminimit në të gjitha rajonet e botёs;

Duke pasur parasysh Konventën për Luftёn Kundër Diskriminimit në Fushёn e Arsimit të cilёn Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencё dhe Kulturё e miratoi nё vitin 1960, si dhe Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, të miratuar dhe hapur për nënshkrim e ratifikim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutёn 2106 A (XX) të datës 21 dhjetor 1965;

Duke marrё parasysh se tё gjithë njerëzit janё të barabartё pёrpara ligjit dhe se kanë të drejtë të mbrohen në mёnyrё të barabartё nga ligji kundër çdo diskriminimi, si dhe kundër çdo nxitjeje për diskriminim;

Duke konsideruar se diskriminimi midis njerёzve për arsye race, ngjyre ose prejardhjeje etnike është pengesë për marrёdhёniet miqёsore e paqedashёse midis kombeve dhe mund tё prish paqen dhe sigurinë midis popujve, si dhe bashkёjetesën midis qytetarëve të një shteti;

Me qëllim të inkurajimit të Qeverisë aktuale të Maqedonisë në realizimin e programit të saj të reformave, me këtë edhe zgjidhjen e çështjeve të trashëguara nga e kaluara, të cilat kanë të bëjnë edhe me diskriminimin e qytetarëve shqiptarë të cilët janë trajtuar egërsisht nga regjimet e mëparshme të këtij shteti,

Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Seksioni për Maqedoni,

Konferencës ndërkombëtare në Bon, i propozon: 

PROJEKT REZOLUTË 

PËR ELIMINIMIN E DISKRIMINIMIT NË BAZË ETNIKE TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

  1. Republika e Maqedonisë, që nga pavarësimi i saj në vitin 1991, në mënyrë sistematike nuk i ka respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut, me këtë edhe konventat ndërkombëtare kundër diskriminimit mbi baza etnike, fetare dhe gjuhësore, sidomos të qytetarëve të saj me përkatësi etnike shqiptare.
  2. Maqedonia si shtet i ri në Ballkan i krijuar në vitin 1944, kryesisht me motive për dominimin e rajonit nga elementi sllav-ortodoks për mbrojtjen e interesave ruse, prandaj, integrimi sa më shpejtë i këtij shteti në strukturat euroatlantike do të kontribuojë për stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme në këtë vend dhe në rajon.
  3. Ju përkujtojmë se, shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton, jetojnë në vazhdimësi historike dhe gjeografike në më tepër se gjysmën e territorit të këtij shteti dhe përbëjnë shumicë të konsiderueshme, afër 40% të popullsisë së përgjithshme, megjithatë shqiptarët trajtohen si pakicë kombëtare dhe jo si popull shtetformues, element konstituiv i shtetit, në bazë të Kushtetutës së vitit 1991 dhe sipas ndryshimeve të saj në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, në vitin 2001.
  4. Edhe përkundër përbërjes shumetnike të Maqedonisë, me mbi 29 nacionalitete të ndryshme, ky shtet ende funksionon mbi konceptin e shtetit unitar, përmes të cilit populli maqedonas ushtron dominim absolut mbi të tjetër. Në frymë të unitarizmit është konceptuar dhe kushtetuta e shtetit dhe si rrjedhojë e saj janë sjellë shumica e ligjeve diskriminuese për qytetarët që nuk janë me përkatësi etnike maqedonase, siç janë shqiptarët në Maqedoni.
  5. Edhe pse shqiptarët kanë marrë pjesë aktive në krijimin dhe ndërtimin e këtij shteti, ndërsa sipas kushtetutës së vitit 1974 kanë pasur statusin e popullit shtetformues, plotësisht të barabartë me popullin maqedonas, nga pavarësimi i këtij shteti dhe deri më sot shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë dhe janë diskriminuar në të gjitha sferat e jetës, politike, ekonomike, sociale, kulturore, arsimore, gjuhësore dhe të tjera.
  6. a) Proceset e montuara politike

Pas pavarësimit të Maqedonisë, shqiptarët u janë nënshtruar shumë proceseve të montuara politike, ekpeditave ndëshkuese policore-ushtarake, në të cilat kanë pësuar shumë qytetarë të pafajshëm, ku dhjetëra qytetarë e kanë humbur jetën, qindra të tjerë janë dënuar me burgje të përjetshme dhe janë dëmtuar në forma të ndryshme, duke u etiketuar si ,,nacionalistë”, ,,ekstremistë” dhe “fundamentalistë”, me qëllim të diskreditimit të shqiptarëve para faktorit ndërkombëtar, dhe për pengimin e avancimit të të drejtave qytetare dhe kombëtare të tyre si popull me histori, kulturë, gjuhë dhe tradita dhe veçori të veçanta. Disa nga këto procese të montuara politike kanë marrë epilog pozitiv gjatë muajve të fundit nga pushteti aktual, në bazë të dëshmive të siguruara nga përgjimet e publikuara në procesin e njohur të përgjimeve të para dy viteve.

  1. b) Falsifikimi i numrit të popullsisë

Për ta ruajtur konceptin unitar të shtetit, pushteti në Maqedoni vazhdimisht e ka falsifikuar numrin e popullsisë, sidomos të shqiptarëve, të cilët asnjëherë nuk kanë pasur qasje në Entin shtetëror të statistikave dhe institucionet tjera kompetente për realizimin e këtij operacioni statistikor. Kështu, shqiptarët zyrtarisht konsiderohet se përbëjnë afër 25% të popullsisë së përgjithshme, ndërsa sipas të dhënave alternative të besueshme ata përbëjnë afër 40 % të popullsisë së përgjithshme në këtë shtet.

  1. c) Mohimi i të drejtës së shtetësisë

Me qëllim të paraqitjes sa më të vogël të numrit të shqiptarëve në Maqedoni, organet e pushtetit në kundërshtim me kushtetutën, ligjet dhe konventat nëdrkombëtare, me mijëra qytetarëve shqiptarë ua kanë mohuar të drejtën e shtetësisë, edhe pse pjesa dërmuese e këtyre qytetarëve kanë lindur në këtë shtet ku dhe pasedojnë shtëpi dhe pasuri të patundshme të trashëguara nga prindërit e tyre, kanë krijuar familje dhe i pagujnë të gjitha kontributet ndaj shtetit.

ç) Ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë

Pushteti në Maqedoni në mënyrë sistematike ka zbatuar politikë demografike diskriminuese ndaj popullatës autoktone shqiptare, përmes presionit, shtypjes, dhunës dhe shantazheve, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të popullsisë, sidomos në rajonet, qytetet dhe vendbanimet me popullsi të përzier, duke i pastruar ato nga elementi shqiptar dhe duke e rritur numrin e popullsisë maqedonase, me masa administrative, plane dhe metoda të tjera johumane. Kështu, qytetet me shumicë shqiptare deri në vitin 1913, si Manastiri, Ohri, Prilepi, Kumanova dhe sidomos Shkupi, kryeqyteti aktual i Maqedonisë, gati janë zbrazur nga shqiptarët, më herët duke i shpërngulur me dhunë për në Turqi, ndërsa më vonë përmes ndryshimit të strukturës etnike të këtyre qyteteve përmes zhvendosjes së popullsisë maqedonase nga rajonet lindore dhe jugore të vendit në këto qytete. Efektet e kësaj politike demografike në dëm të shqiptarëve kanë lënë pasoja të ndjeshme edhe në zhvillimin ekonomik të shtetit. Kjo vërehet qartë nga numri i përgjithshëm i popullsisë sipas rajoneve, kur realiteti i krijuar është fatal për zhvillimin ekonomik dhe social të shtetit, nga fakti se në dy rajonet me shumicë të popullsisë shqiptare, në Rajonin e Shkupit dhe Rajonin e Pollogut, të cilët përbëjnë afër 5% të territorit të përgjithshëm të shtetit, aktualisht jetojnë mbi 50% e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë.

  1. d) Falsifikimi i listave të zgjedhësve dhe i zgjedhjeve për pushtetin qendror dhe lokal

Duke marrë parasysh dëshmitë e paraqitura më lartë për numrin e popullsisë dhe politikën demografike, proceset zgjedhore në Maqedoni janë falsifikuar vazhdimisht, me këtë dhe përfaqësimi i shqiptarëve në pushtet rezulton tejet i disfavorshëm dhe diskriminues. Aktualisht, ërfaqësimi i shqiptarëve në administratën e shtetit nuk arrin mbi 17%, ndërsa kjo përbën gjysmën sipas përqindjes së shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të popullsisë.

  1. e) Diskriminimi ekonomik, kulturor, arsimor dhe shkencor

Në të gjitha sferat e jetës, shqiptarët janë të diskriminuar, që vërehet nga mos decentralizimi i plotë i pushtetit dhe ndarja administrative e padrejtë e komunave në Maqedoni, nga rezulton se në komunat ku dominon popullsia shqiptare, numri i banorëve është mesatarisht nga 20 – 40 mijë banorë, ndërsa në komunat me popullsi shumicë maqedonase ky numër sillet mesatarisht nga 2-10 mijë banorë. Ndërkohë që në shumicën e komunave me popullsi shqiptare mungojnë institucionet përkatëse për zhvillim ekonomik dhe kulturor.

  1. f) Mospërfshirja e shqiptarëve në njësitë speciale të policisë dhe ushtrisë

Përmes diskriminimit të hapur, pushteti i trajton shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, si element i ,,rrezikshëm” dhe ,,armiqësor” për shtetin. Këtë e dëshmon edhe mospërfshirja e qytetarëve shqiptarë në njësitë speciale të ushtrisë dhe policisë në Maqedoni. Në disa nga këto njësi përfshirja e shqiptarëve është në nivelin zero (o)!

Përfundime

Këto dhe fakte të tjera na obligojnë që të kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare të ndërmarrin masa konkretet për tejkalimin e kësaj gjendje, duke e dënuar hapur këtë diskriminim, si shkeleje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke pasur parasysh se shqiptarët në Maqedoni asnjëherë gjatë historisë nuk kanë ushtruar dhunë, nuk kanë shprehur tendenca pushtimi, sundimi dhe diskriminimi ndaj popujve me të cilët bashkëjeton ndër shekuj, sidomos ndaj fqinjëve të tyre sllavë në Maqedoni.

Shqiptarët kanë qenë dhe janë faktor stabiliteti, paqeje dhe progresi në këtë shtet, duke kontribuar maksimalisht në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura të trashëguara nga e kaluara, në interes të paqes, stabilitetit, mirëbesimit, sigurisë dhe integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, duke dëshmuar orientimin e tyre evropian, përkrah popujve të qytetëruar e paqedashës.

*Drejtuar Konferencës së IGFM, në Bon të Gjermanisë, e cila mbahet më 6- 8 prill 2018

https://www.tetovasot.com/2018/04/projekt-rezolute-per-eliminimin-e-diskriminimit-ne-baze-etnike-te-shqiptareve-ne-maqedoni/

“Ura e Drerit” pret të zbulohet nga vizitorët

Ura e Drerit bën që vizitorët të ndihen njëlloj sikur në rajonin e Detit të Zi në Turqi me malet, rrugët, ujëvarrat dhe rrëketë. Ajo i ngjan Urës së Mostarit, ndërkohë që është ndër shembujt më të rrallë të arkitekturës osmane në rajon

DIBËR – Ura historike e Drerit në fshatin Mogorçë të Dibrës në perëndim të Maqedonisë, pret të zbulohet nga vizitorët. E shtrirë mbi Lumin e Vogël (Mala Reka), ura ka arritur të sfidojë vitet e shumta që kanë kaluar që nga ndërtimi i saj.

Ura me një hark thuhet se është ndërtuar kah mesi i shekullit 18 ose nga ana e arkitektit Mimar Hayreddin, i cili po ashtu është arkitekti i Urës së Mostarit dhe nxënës i arkitektit Mimar Sinan.

Ura e Drerit bën që vizitorët të ndihen njëlloj sikur në rajonin e Detit të Zi në Turqi me malet, rrugët, ujëvarrat dhe rrëketë. Ajo i ngjan Urës së Mostarit, ndërkohë që është ndër shembujt më të rrallë të arkitekturës osmane në rajon.

Për urën nuk ka të dhëna të sakta në çështje si data e ndërtimit dhe forma e saj, ndërkohë që rreth saj ekzistojnë legjenda të shumta.

Sipas njërës nga legjendat, siç rrëfehet, një bej vendas i kohës ballafaqohet me një dre shumë të bukur dhe magjepsës teksa ishte në gjueti. Beji, i cili vazhdimisht vrapon pas drerit i cili ik, e zë më në fund në brigjet e Lumit të Vogël.

“Ura e Drerit” pret të zbulohet nga vizitorët

Ura historike e Drerit në fshatin Mogorçë të Dibrës në perëndim të Maqedonisë, pret të zbulohet nga vizitorët. E shtrirë mbi Lumin e Vogël (Mala Reka), ura ka arritur të sfidojë vitet e shumta që kanë kaluar që nga ndërtimi i saj. ( Vedat Abdul – Anadolu Agency )

 

 

Legjenda e cila flet për guximin e drerit vijon:

“Dreri i plagosur nuk e di saktë çfarë të bëjë, por në fund vendos të kërcejë në anën tjetër të lumit. Me një të kërcyer të papritur kalon në anën tjetër të lumit dhe aty ngordh. I mahnitur nga guximi i drerit, beji urdhëron ndërtimin e urës në atë zonë për nder të tij. Në këtë mënyrë, kjo urë simbolizon kërcimin e drerit drejt fatit”.

“Parajsa në tokë”

Ura, për të cilën janë thurur legjenda të ngjashme, paraqet atraksion në rajon me pamjen e saj mahnitëse.

Nga ana tjetër, rajoni sot është i famshëm me mjeshtërinj të ndërtimit, fama e të cilëve arrin edhe jashtë vendit.

Ura gjendet 120 kilometra larg kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup, në mes Mavrovës dhe fshatit Koxhaxhik.

Megjithëse në disa periudha janë realizuar programe të ndryshme për promovim dhe rritjen e numrit të vizitorëve, ura ende nuk e gëzon interesimin e merituar.

Popullata lokale e cilëson këtë vepër historike si “parajsë në tokë”, ndërsa thonë se këtë vend e vizitojnë shpesh për të kaluar kohë të këndshme.

“Ura e Drerit” pret të zbulohet nga vizitorët

Ura e Drerit bën që vizitorët të ndihen njëlloj sikur në rajonin e Detit të Zi në Turqi me malet, rrugët, ujëvarrat dhe rrëketë. Ajo i ngjan Urës së Mostarit, ndërkohë që është ndër shembujt më të rrallë të arkitekturës osmane në rajon

11.04.2018

Gruevski në gjykatë, plot 11 orë dëgjoi “bombat” e përgjimeve

Ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski për 11 orë ka dëgjuar “bombat” e përgjimeve. Ai kishte hyrë në gjykatë në orën 9:30 dhe ka dalur sonte rreth orës 21:30, informon INA.

Në këtë seancë janë dëgjuar materialet e përgjimeve që kanë të bëjnë me rastin “Tanku” që ka të bëjë me blerjen e Benzit 600 mijë euro gjatë qeverisjes së tij.

Avokati I tij, Shterjo Zikov ka theksuar se në praktikën e gjyqësisë në Maqedoni deri tani nuk ka pasur seancë të tillë maratonike. Sipas tij me këtë po bëhet presion ndaj të akuzuarve dhe mbrojtjes së tyre.

Nëse nuk zgjidhet çështja e emrit, Maqedonia do të jetë vëzhguese në NATO

Nëse palët negociouse nuk arrijnë marrëveshje të plotë për zgjidhjen e kontestit bilateral për emrin, ekziston mundësia që Shkupi të marrë vetëm statusin e vëzhguesit në NATO.

Këto janë parashikimet e deputetit të partisë opozitare greke Demokracia e Re, Nikitas Kaklamanis. Në një intervistë për radion 247, Kaklamanis, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit të Greqisë, ka thënë se vështirë mund të arrihet marrëveshje e plotë deri në korrik.

“Parashikimi im është se në Samitin e NATO-s, pasi që mendoj se deri atëherë nuk do të arrihet marrëveshje, mund të bjerë propozimi në tavolinë, siç ka kërkuar Greqia, posaçërisht për ndryshimet në Kushtetutë, mund të bjerë propozim në tavolinë dhe qeveria e Ciprasit dhe Kamenosit të pranoj atë, se në rregull, nuk është arritur marrëveshje e tërësishme por ta vendosim Shkupin në NATO si vëzhgues”, thotë Nikitas Kaklamanis, Demokracia e Re.

Ai ka kritikuar Qeverinë greke se nuk ka informuar partitë opozitare dhe nuk ka formuar linjë nacionale, posaçërisht para vizitës së Kociasit në Shkup.

“Do të ishte e udhës që zotri Cipras, personalisht ai t’i ftonte liderët e partive politike të thotë, kjo është ajo që e propozojmë ne, këtu gjëra na kanë propozuar shkupjanët, a mund të krijojmë një strategji nacionale para se Kocias të shkoj në Shkup? Kjo nuk ndodhi dhe ishte gabim”, thotë Nikitas Kaklamanis, Demokracia e Re.

Ndërkohë, bashkëpartiaku i tij Jorgos Kumucakos, pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kocias, deklaroi dje se pas këtij takimi është intensifikuar shqetësimi i tyre, duke shtuar se partia e tij mbetet fuqishëm në qëndrimin për nevojën e një zgjidhje komplete, gjithpërfshirëse dhe përfundimtare.

Një i vrarë dhe dy të plagosur nga një incident në Reçicë të Vogël

Organet e rendit njoftojnë se një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën të enjten në mbrëmje në Reçicë të Vogël të Tetovës. Por, nuk dihen hollësitë dhe motivet e këtij incidenti që ka ndodhur në afërsi të selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim në spitalin e Tetovës dhe në Klinikën universitare të Shkupit.
Policia njofton se ka ndaluar dy persona të dyshuar për sulmin me armë zjarri ndërkohë që është vënë në ndjekje të një makine.
Burime jozyrtare thonë se viktima dhe dy të plagosurit janë nga Kumanova.
Në rrjetet sociale dhe nëpër disa gazeta e portale në gjuhën shqipe thuhej se pjesëmarrësit në këtë incident ishin aktivistë të BDI-së, por partia shqiptare në pushtet i hodhi poshtë këto njoftime.
BDI-ja përmes një komunikate përgënjeshtron “çdo informacion lidhur me atë se sot në Bashkimin Demokratik për Integrim ka patur përleshje apo incident.”
“Ne si subjekt politik nuk kemi dhe nuk mund të kemi përgjegjësi për incidentet eventuale që nuk kanë të bëjnë me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe për Bashkimin Demokratik për Integrim”, thekson komunikata.

Avokati i familjarëve të Almirit reagon ndaj vendimit të gjykatës

Avokati i familjes së Almir Aliut, Asmir Alispahiq është shprehur i dëshpëruar nga dënimi prej vetëm 6 viteve për Boban Iliqin, vrasësin e Almirit katërvjeçar nga Kumanova.

Sipas tij gjykata nuk i mori parasysh rrethanat se bëhet fjalë për rast me viktimë fëmijë i pafajshëm.

“Madje gjykatësja guxoi të dënojë edhe babain, xhaxhin dhe kushëririn e Almirit. Ky është edhe një rast i montuar në vargun e rasteve të montuara, fillimisht nga Prokuroria në Kumanovë, e sot edhe në Gjykatën e Kumanovës.

Si jurist do të vazhdoj të luftoj edhe më tej të dëshmoj se kjo që po e them është e vërtetë”, theksoi Alispahiq, raporton Gazeta Lajm.

Alispahiq tha se vërehet qartë se gjykatat në Maqedoni shqiptojnë dënime tendencioze kur bëhet fjalë për viktima shqiptare.

Rasti “Almiri”, Boban Iliq dënohet me 6 vjet burg

Gjykata e Kumanovës sapo shpalli aktgjykimin përmes të cilit të akuzuarit Boban Iliq i shqiptoi dënim me 6 vjet heqje lirie. Ndërkohë babai i Almirit, Sedat Aliu u dënua me 6 muaj burg, Abdulla Aliu, 9 muaj burg dhe Sami Demiri 9 muaj heqje lirie.

“Është turp që për një vepër të këtillë serioze të shqiptohet dënim prej 6 vitesh. Gjykata nuk ka marrë parasysh shumë fakte, përfshi edhe jetën e vogëlushit Almir Aliu, madje që vendimi të jetë edhe më skandaloz, gjykata shqiptoi dënim edhe për babin dhe familjarët e Almirit”, Asmir Alispahiç, avokat duke konstatuar se  ekziston  problem serioz kur vjen në shprehje drejtësia ndaj përfaqësuesve të etnitetit shqiptarë.

Maqedoni: Tërhiqen nga qarkullimi tekstet me albanofobi dhe seksizëm

Drejtori i Agjencisë për të rinj dhe sport, Darko Kaevski në konferencën e sotme për shtyp theksoi se komisioni që ka bërë zgjedhjen e materialit për botim ka qenë e detyruar të bëjë zgjidhje të poezive dhe ta informojë atë si drejtor, në rast se ka sugjerime ose vërejtje. Ai i dënoi tekstet që përhapin diskriminim dhe urrejtje.

“Detyrimisht të ketë përgjegjësi profesionale, duhet të dihet kush ka heshtur në lidhje me këto përmbajtje dhe ka lejuar kjo të ndodhë. Nuk ka më vend për përhapje të urrejtjes dhe diskriminimit. Do të bëjmë çka është e mundur nën ingerencat tona për të gjetur fajtorin.”, tha Kaevski, shkruan Telegrafi.

Pasi që kërkoi falje për veprimin skandaloz të botimit të teksteve me përmbajtje albanofobe dhe seksiste, Kaevski tha se botimet do të hiqen nga qarkullimi dhe diçka e këtillë nuk do të përsëritet në të ardhmen.

Burgu i Manastirit në Maqedoni si i Guantanamos, torturohen tre të burgosur shqiptarë

Burhan Saliu, Osman Osmani dhe Rexhep Memishi, janë tre të burgosurit të cilët që të enjten kanë filluar grevë urie në burgun e Manastirit. Ata ankohen për kushtet e vështira, torturë psikologjike dhe diskriminim në bazë religjioze dhe etnike. TV21 në telefon bisedoi me të burgosurit që po mbajnë grevë.

“Dua të ju them se kushtet janë shumë të këqija. Po më mbajnë të izoluar dy vite në dhomë 4 me 4. Kushtet janë shumë të këqija. Gjithashtu familja ime është shumë larg, nga Shkupi udhëtojnë për në Manastir.

400 kilometra me fëmijë të vogël. Djali më nuk më njeh. Edhe kjo gjithashtu ndikon shumë në psiken time dhe andaj kam filluar grevë.” “Më mbajnë katër muaj të izoluar. Nuk kanë të drejtë të më mbajnë të izoluar, por ja, po më mbajnë. Dhe ju lutem, shikoni nëse mundeni të bëni diçka për ne.

Të dalim prej këtu dhe të na transferojnë në Kumanovë”, thanë disa të burgosur në burgun e Manastirit. Nga burgu i Manastirit thonë se nuk kanë të drejtë të japin deklarata për mediat, andaj na udhëzuan që pyetjet tona t‘i parashtrojmë në Drejtorinë për zbatimin e sanksioneve, por deri më sot nga drejtoria, nuk morëm përgjigje. “Sipas tre të burgosurve, kushtet në burgun e Manastirit janë të ngjashme me burgun famëkeq “Guantanamo”.

Ata kërkojnë që të gjithë të solidarizohen për përmirësimin e gjendjes. Burgu i Manastirit ka kapacitet për 60 persona në pjesën e burgut dhe 22 persona në repartet për paraburgim”. Imami, Rexhep Memishi është dënuar me shtatë vjet burg pas aksionit anti-terrorist të MPB-së në vitin 2015. Ai ankohet se në mënyrë të padrejtë mbahet në burgun komunal, për shkak se në këtë burg dënimin e vuajnë vetëm personat e dënuar deri në tre vjet.

“Për dënim prej shtatë viteve po e vuaj dënimin në këtë burg që është burg komunal. Nuk ka kushte për dënimet që zgjasin shtatë vjet. Andaj do ju lusja që të dërgoni kërkesë deri tek avokati i popullit të Maqedonisë, që të vijë të na vizitojë”, tha Rexhep Memishi, i burgosur në burgun e Manastirit.

Avokati i popullit Ixhet Memeti, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2017 dje deklaroi se nuk ka pasur përmirësim të të drejtave të njeriut në vitet e kaluara. Edhe pse ka ngritur pesë padi penale kundër pjesëtarëve të MPB-së, megjithatë nuk ka pasur epilog juridik. Memeti thotë se kanë reaguar edhe për sjelljen e nëpunësve nëpër burgje. “Vetëm për njërën ka akuzë, të tjerat janë refuzuar.

Flas vetëm për vitin 2017. Të mos flas për paditë tona kundër nëpunësve të cilët punojnë nëpër burgje. Të njëjtë me arsyetime të çuditshme dhe pa hetim, refuzohen. Ministria për punë të brendshme, shpesh herë informon se kanë vepruar në përputhje me ligjet”, tha Ixhet Memeti, Avokati i Popullit.

Kushtet e mjerueshme në burgjet e Maqedonisë u përmendën edhe në raportin vjetor të vitit të kaluar të Avokatit të popullit. Për problemet në qelitë e burgjeve, Avokati i popullit i ka njoftuar edhe Kombet e Bashkuara./Tv21

Zaev: Ligji i gjuhëve do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Shumica parlamentare do të ngrejë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov, i cili vazhdon të refuzojë të nënshkruajë dekretin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Këtë e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev në një konferencë për shtyp.

Ai druan se Ivanovi mund të bllokojë në këtë mënyre edhe ligjet e tjera reformuese. Por sipas Zaevit, Kushtetua obligon presidentin që ta nënshkruajë dekretin e ligjit të gjuhëve që është rivotuar në Kuvend me shumicë votash, pas kthimit të parë nga ana e presidentit, transmeton alsat –m.

“Gjykata Kushtetuese të na tregojë se çfarë mundë të bëhet në një rast të tillë, për arsye se siç thash, se mund të ndodhë që Presidenti të vendosë që të mos i nënshkruaj 30 ligjet e ardhshme dhe të njëjtat duhet që përsëri të votohen.

E pas rivotimit, Kushtetuta është e qartë. Presidenti është i detyruar që ta nënshkruaj dekretin.

Ai mund të vendosë edhe që mos ta nënshkruajë dhe në këtë rast ne e bllokojmë demokracinë. Pra një nga mundësitë është edhe iniciativa para Gjykatës Kushtetuese”, tha Zaev.

Regjistrimi i popullsisë në vitin 2020

Regjistrimi i popullsisë planifikohet të mbahet në vitin 2020 dhe do të shfrytëzohet metodë e kombinuar, që nënkupton njëkohësisht implementim në terren përmes intervistës në katër sy dhe shfrytëzim të të dhënave nga bazat e të dhënave të cilat tashmë ekzistojnë në shtet.

Këtë e thotë drejtori i Entit shtetëror për statistikë, Apostoll Simovski në intervistë për BIRN.

Ai pohon se nuk do të shfrytëzojë kurrfarë presionesh, posaçërisht jo politike, sepse vlerëson se regjistrimi nuk duhet të japë pasqyrë vetëm për gjendjen etnike në një shtet, por përfshin shumë segmente nga të cilat mund të shihet zhvillimi, stagnimi ose kthimi prapa i një shoqërie.

“Në vitin 2019 do të kemi zgjedhje presidenciale, ndërsa në vitin 2021 zgjedhje parlamentare, prandaj vendosëm se më mirë regjistrimi të bëhet në vitin 2020, kur nuk do të ketë turbulenca të mëdha politike”, thekson Simovski, duke shtuar se në vitin 2019 do të bëhej regjistrim provë në disa pjesë të vogla territoriale të shtetit, me qëllim që të testohet se si do të rrjedhë procesi.

Regjistrimi do të kushtonte 8,5 milionë euro dhe sipas njeriut të parë të Entit shtetëror për statistikë fusha për “përkatësinë etnike” aspak nuk duhet të jetë pjesë e materialit regjistrues, siç është rasti në shumë shtete.

“Nga pikëpamja statistikore, përkatësia etnike dhe fetare nuk luajnë kurrfarë roli, sepse këto janë kategori të ndryshueshme dhe unë angazhohem këto dy kategori të mos jenë pjesë e rregullores së ardhshme, por vetëm pjesa për gjuhën amë të personave të cilët do të regjistrohen. Gjuha që flitet në familje është kategori e obligueshme dhe ajo gjithsesi do ta regjistrojmë. Gjuha, para së gjithash, është e nevojshme për shkak të planifikimit të arsimit”, thotë Simovski.

Për regjistrimin e pasuksesshëm të vitit 2011, Simovski thekson se nëse nuk do të ishte ndërprerë, do të merrej numër joreal prej rreth tre milionë banorë.

“Ai ishte regjistrim politik, u formua Komisioni Shtetëror për Regjistrim, i cili ishte trup politik, ndërsa i cili konfom Ligjit të miratuar duhej ta zbatojë Regjistrimin, derisa ne si Ent për Statistikë praktikisht ishim vetëm dhënës të shërbimeve të atij Komisioni. Për dallim prej atëherë, tani ne do ta udhëheqim punën, ne do të jemi ata që do ta zbatojnë regjistrimin, konform Ligjit për statistikë shtetërore”, thekson Simovski.

Ai pohon se nuk do të shfrytëzojë kurrfarë presionesh, posaçërisht jo politike, sepse vlerëson se regjistrimi nuk duhet të japë pasqyrë vetëm për gjendjen etnike në një shtet, por përfshin shumë segmente nga të cilat mund të shihet zhvillimi, stagnimi ose kthimi prapa i një shoqërie.

Sipas tij, një pjesë e regjistrimit duhet të jenë edhe personat të cilët nuk jetojnë në vend, që të fitohet fotografi për numrin e mërgimtarëve.

“Pritjet e mia janë se se në regjistrim që vijon do të marrim fotografi për popullatën që nuk do të na pëlqejë. Do të zbulojmë se kemi shpërngulje të madhe nga shteti, që është realitet të cilin duhet ta pranojmë”, thotë Simovski.

Mali i Zi, për herë të parë një grua kandidate për postin e presidentit

Ne duhet ta forcojmë Malin e Zi dhe ta përshpejtojmë rrugën e tij drejt integrimit në BE, tha mes tjerash Vuksanoviç

PODGORICË – Draginja Vuksanoviç nga Partia Socialdemokratike e Malit të Zi (SDP), ka dorëzuar sot kandidaturën e saj për zgjedhjet presidenciale në këtë vend, që pritet të mbahen më 15 prill, me çka është bërë gruaja e parë e cila do të sfidojë postin e kreut të shtetit.

Draginja Vuksanoviç, ështe bërë gruaja e parë kandidate në Mal të Zi, që kur vendi ka vendosur sistemin shumpartiak, meqë sot së bashku me bashkëpartiakët e saj, dorëzoi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve rreth nëntë mijë nënshkrime.

“Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi. Faleminderoj të gjithë që mbështetën kandidaturën time. Ne duhet ta forcojmë Malin e Zi dhe ta përshpejtojmë rrugën e tij drejt integrimit në BE”, tha mes tjerash Vuksanoviç.

Ajo tha se nuk do të heqë kandidaturën e saj, pavarësisht disa zërave që thonë se duhet tërhequr për të mirën e opozitës.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi mbahen më 15 prill, ndërsa kandidaturat mund të dorëzohen deri më datën 26 mars. aa

Bora pranverore befason Maqedoninë

Më së shumti borë dhe më ftohtë është në Mavrovë, ku shtresa e borës është shtatë centimetra dhe me temperaturë prej minus 6 gradë celsius

SHKUP – Moti sot në mëngjes në Maqedoni është i vrenjtur dhe i ftohtë me reshje të kohëpaskohshme të borës ndërsa në viset jugore reshjet janë kryesisht me shi.

Siç informojnë nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike të Maqedonisë, më së shumti borë dhe më ftohtë është në Mavrovë, ku shtresa e borës është shtatë centimetra dhe me temperaturë prej minus 6 gradë celsius. Në Shkup temperatura është minus një gradë.

Sipas paralajmërimeve të meteorologëve, deri në fund të ditës do të mbajë mot i vrenjtur dhe i ftohtë me reshje të kohëpaskohshme të borës. Në viset jugore do të ketë reshje shiu dhe borës ndërsa në pjesën juglindore do të ketë shi.

Në më shumë vende reshjet do të jenë më të rrëmbyeshme dhe do të bie mbi 15 litra shi në një metër katror. Në pjesën më të madhe të shtetit do të formohet shtresë dëbore.

Temperatura maksimale sot në vend do të arrijë prej 1 deri në 6 gradë celsius. Në Shkup do të ketë mot të vrenjtur, me reshje të borës dhe me erë të dobët dhe të mesme nga drejtimi verilindor. Temperatura do të arrijë deri në 2 gradë celsius. aa


Send this to a friend