VOAL

VOAL

Kushtet e Bullgarisë- Pse po sulmohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

July 11, 2022
blank

Komentet

blank

Opozita maqedonase kundër Ballkanit të Hapur, bllokon ligjet në Kuvend

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë samitit të Ballkanit të Hapur në Beograd. 2 shtator 2022.

 

Isuf Kadriu

Opozita maqedonase ka bllokuar miratimin e disa ligjeve në Kuvend që kanë të bëjnë me nismën Ballkani i Hapur.

Marrëveshjet për qasje të lirë në tregun e punës, për bashkëpunim në fushën e mjekësisë veterinare dhe të sigurisë ushqimore, si dhe për ndërlidhje dhe identifikim elektronik, janë bllokuar në komisionet e Kuvendit maqedonas që drejtohen nga partia opozitare, VMRO DPMNE.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha të mërkurën se propozim-ligjet nuk do të kalojnë për miratim në seancë plenare derisa Qeveria nuk e informon opozitën se për çfarë nisme bëhet fjalë dhe cili është qëllimi i Ballkanit të Hapur.

Ai tha se pret nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, që ta ftojë në takim dhe t’i sqaroj se çfarë kërkon Maqedonia [e Veriut] në një grupi rajonal me Serbinë dhe Shqipërinë.

“Kur të marrim të dhëna se cili është qëllimi i iniciativës dhe çfarë sjell ajo për vendin tonë, atëherë mund të ulemi dhe të flasim më konkretisht për mbështetje apo mos mbështetje”.

“Kam dëgjuar në një sqarim se nisma se është për bashkëpunim të fqinjësisë së mirë, por shpesh shtroj pyetjen se si kufizohn dy nga këto tre vende që janë në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Mickoski, duke aluduar në Shqipërinë dhe Serbinë të cilat nuk kufizohen me njëra tjetrën.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate, e cila drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, kërkoi të mërkurën nga VMRO DPMNE-ja që t’ua mundësojë ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

“Bëhet fjalë për marrëveshje me ratifikimin e të cilave qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë do të kenë mundësi të punojnë në cilindo nga tre vendet pa marrë leje pune, pa asnjë pengesë, pa aplikime dhe pritje, pa kosto administrative. Këto marrëveshje do të ofrojnë vende të reja pune, duke plotësuar mungesën e personelit në sektorin privat në secilin prej tre vendeve”, ka deklaruar Mile Taleski, deputet i LSDM-së.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.

blank

Sa shqiptarë duhet të ketë në institucionet e Maqedonisë së Veriut?

Zërijeta Hajro Jajaga

Në bazë të përditësimit të të dhënave të Ministrisë për Shoqëri Informative dhe Administratë, në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik në institucionet e shtetit, shqiptarët duhet të përfaqësohen në administratë me 30 për qind në përputhje me të dhënat e regjistrimit të realizuar në tetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës më 30 mars, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente dhe jorezidente në Maqedoninë e Veriut është 2.097,319, prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllahë.

Ndërkohë, si popullsi rezidente pa përfshirë këtu qytetarët me shtetësi maqedonase që jetojnë në diasporë, Maqedonia e Veriut ka vetëm 1.836,713 banorë, prej tyre 58.44 për qind maqedonas dhe 24.3 për qind shqiptarë.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simonovski, tha se tashmë e ka informuar Ministrinë për Shoqëri Informative dhe Administratë, se si kategori relevante për përfaqësimin e bashkësive etnike në institucionet e shtetit mbetet vetëm ajo pjesë e popullsisë që është e regjistruar si rezidente në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Shoqërisë Informative, Admirim Aliti, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për të punësuarit në sektorin publik ku është e inkorporuar dhe çështja e përfaqësimit të etniteteve të ndryshme në institucionet e shtetit, qartë përcakton se për bazë merret numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar, pa bërë ndarjen mes asaj rezidente dhe jorezidente.

“Ajo që ne e kemi për detyrë, si Ministri, është të respektojmë ligjin. Në ligj theksohet ‘qytetarët’ askund nuk bëhet dallimi rezident ose jorezident. Edhe në data-bazën paraprake në bazë të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2002 është përfshirë edhe qytetarët rezident dhe ata jorezident. Të njëjtën gjë e bëmë edhe tani. Por, qarqe të ndryshme maqedonase dëshirojnë të nxjerrin probleme nga kjo. Drejtori i Entit të Statistikave thirret në disa standarde të OKB-së ku i jepet prioritet popullatës rezidente, por nuk thirret në Kushtetutë. E, ne gjithsesi primare kemi respektimin e Kushtetutës së vendit para respektimit të standardeve të organizatave ndërkombëtare”, thotë Aliti.

Çka thotë ligji?

Ligji për të punësuarit në sektorin publik, i cili filloi të zbatohet në vitin 2015, parashikon një mekanizëm për shpërndarjen e punësimeve të reja me përfaqësim adekuat dhe të drejtë të përfaqësuesve të bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Me përditësimin e fundit të të dhënave nga dikasteri i Shoqërisë Informative, shpërndarja e punësimeve të reja bëhet në mënyrë elektronike përmes mekanizmit të quajtur ‘balancues’.

Balancuesi si mekanizëm ka filluar të zbatohet në vitin 2016, metodologji kjo për planifikimin e punësimeve në sektorin publik. Në bazë të kësaj metodologjie, çdo institucion obligohet të hartojë planin vjetor të punësimit dhe të zbatojë procedurat e punësimit në përputhje me planin vjetor duke respektuar përfaqësimin e drejtë e adekuat të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Versioni i fundit i balancuesit me përditësimin e të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë që u realizua në tetor të vitit të kaluar ka filluar të zbatohet nga gushti këtij viti.

Ndërkohë që ekspertët janë të ndarë nëse duhet të jetë përkatësia etnike apo përgatitja e tyre profesionale ajo që hap dyert për punëtorët e rinj të administratës.

Dragan Gocevski, ligjërues i së Drejtës Administrative në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e shqiptarëve në institucione në përputhje me rezultatet e regjistrimit, u tregua e pasuksesshme, për sa i përket funksionimit të administratës.

Gocevski konsideron se nëse duhet respektuar balancuesi, atëherë duhet të merret si bazë vetëm përqindja e popullsisë rezidente.

“Do të duhet të shfrytëzohen të dhënat nga regjistrimi i fundit dhe më e rëndësishmja të merret parasysh qëndrimi organeve përkatëse, në këtë rast Entit Shtetëror të Statistikave, institucion ky i cili ka bërë të ditur se duhet të merren parasysh vetëm të dhënat e popullsisë rezidente”, thotë Gocevski.

Me këtë qëndrim nuk pajtohet Isak Sherifi, profesor në Universitetin e Tetovës, ish i burgosur politik.

“Përderisa diaspora shqiptare është e pranishme në vendlindje përmes remitancave, dhe investimeve, në vendlindje duhet të shërbehet nga një administratë e cila është në përputhje me përqindjen e popullsisë së përgjithshme, përfshirë këtu dhe personat që jetojnë në diasporë” vlerëson Sherifi.

Në anën tjetër, Gocevski shton se balansuesi ka arritur që vetëm pjesërisht të prodhojë efektet e pritura, përkatësisht t’u hapë dyert bashkësive të ndryshme etnike në formë të barbartë në përputhje me të dhënat e regjistrimit të popullsisë.

“Balancuesi si mekanizëm u tregua i pasuksesshëm, pasi efektet e dëshiruara arritën të realizohen pjesërisht. Pse e them këtë? Gjatë punësimit askujt nuk mund t’i tregohet se si ndihet, cilës bashkësi etnike i takon. Përkatësisht, abuzohet me vendet e garantuara për bashkësitë e caktuara etnike, pasi gjithsesi thotë se ndihet se i përket përkatësisë së caktuar etnike në varësi se për kë është i garantuar ai vend pune”, thotë Gocevski.

Por, Sherifi vlerëson se shumë institucione edhe pas dy dekadave nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit e shmangin përfaqësimin e shqiptarëve në përputhje me përbërjen e përgjithshme të popullsisë.

“Pa mekanizmat që prodhoi Marrëveshja e Ohrit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha etniteteve në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët në administratën e shtetit do të mbeteshin të përfaqësuar në mënyrë provizore”, thekson Sherifi.

Nga ana tjetër, Neda Malevska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të hiqet plotësisht mekanizmi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në bazë të përkatësisë etnike në institucionet e shtetit, dhe në vend të kësaj të vendoset matës për efikasitetin e kryerjes së detyrave nga administratorët.

“Vlerësoj se qasja e ministrit Admirim Aliti, i cili në përditësimin e të dhënave ka përfshirë dhe popullsinë jorezidente, është joadekuate sepse ajo përqindje nuk jeton këtu dhe si e tillë nuk duhet të përfshihet si përqindje që duhet të jetë e përfaqësuar në institucione”, thotë Maleska.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, vlerëson se duhet të hiqet mekanizmi i balancuesit pasi ka ndikim negativ për sa i përket kualitetit dhe profesionalizmit të punonjësve në administratë.

Sipas të dhënave nga regjistri i të punësuarve në sektorin publik deri në dhjetor të vitit 2021, në gjithsej 1 mijë e 346 institucione të pushtetit qendror dhe atij lokal, ka të punësuar 132 mijë e 88 administratorë. Nga ky numër 82 mijë e 975 janë maqedonas, 22 mijë e 954 shqiptarë, 2 mijë e 203 turq, 1 mijë e 34 romë etj, që në esencë shqiptarët në institucionet e shtetit janë të përfaqësuar me rreth 20 për qind.

blank

Nis gjyqi për zjarrin vdekjeprurës në spitalin e Tetovës

Një polic duke qëndruar para spitalit të djegur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Shtator, 2021.

Isuf Kadriu

Një vit pas zjarrit vdekjeprurës në spitalin modular të Tetovës, nis gjykimi i tre personave të akuzuar për këtë ngjarje.

Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vecevski, dalin të martën para Gjykatës Themelore në Tetovë.

Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.

Për këto vepra, sipas ligjeve në Maqedoninë e Veriut, personat e dyshuar, nëse shpallen fajtorë, mund të dënohen deri në 5 vjet burgim.

Zjarri në spitalin ku trajtoheshin pacientë me sëmundjen COVID-19, ka shkaktuar vdekjen e 14 personave.

 

Në mesin e viktimave ka pasur pacientë të infektuar dhe familjarë që kujdeseshin për ta.

Ngjarja ka ndodhur më 8 shtator të vitit 2021.

Sipas ekspertizave të bëra në Maqedoninë e Veriut dhe në Gjermani, zjarri është shkaktuar nga mbinxehja e një kablloje vazhduese, ku kanë qenë të lidhura disa pajisje elektronike, përfshirë defibrilatorin – mjet për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak.

Në Maqedoni të Veriut ka pasur disa protesta për këtë rast, ndërsa ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ish-zëvendësministri Ilir Hasani kanë dhënë dorëheqje, edhe pse ato janë refuzuar nga kryeministri i asaj kohe, Zoran Zaev.

Dorëheqje kanë dhënë edhe tre të akuzuarit.

Maqedonia e Veriut ka 19 spitale modulare për pacientët me COVID-19 – dy prej të cilave janë donacion, ndërsa për ndërtimin e të tjerave janë shpenzuar 3.6 milionë euro.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 341.000 raste me COVID-19 dhe mbi 9.400 viktima.

blank

Shkup, Ekspozitë me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës

VOA/Isak Ramadani

Instituti për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut çeli një ekspozitë me fotografi për Nënën Terezë, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së shenjtores me origjinë shqiptare nga Shkupi. Instituti do ta paraqesë ekspozitën me fotografi të njohësve dhe shoqëruesve të Nënës Terezë edhe nëpër kryeqendra të tjera.

Në 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITKSH) në Maqedoninë e Veriut e shënoi këtë datë me një ekspozitë të fotografive me Nënën Terezë të bëra nga Dom Lush Gjergji dhe monsinjor Zef Gashi.

Ekspozita përkon edhe me datëlindjen dhe datën e kanonizimit të Nënës Terezë, teksa ekspozita një ditë më parë u shfaq edhe në Selanik të Greqisë.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Skender Hasani tha se ekspozita e titulluar “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, është një lajtmotiv që ngërthen në vetvete udhëtimin nëpër kohë të gjithë filozofisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë:

“Nëse zbërthejmë thënien e njohur – Një fotografi vlen sa 1000 fjalë -, mund të them lirisht se edhe këto fotografi që sot i kemi para nesh shprehin në vetvete linjat karakterologjike të një personaliteti kompleks, siç ishte Nënë Tereza, me gjithë botën e saj të pasur shpirtërore që manifestoi me vepra konkrete dedikuar të sëmurëve dhe të braktisurve. Ne që qëndrojmë në kujtime për qytetin e saj të lindjes dhe në të gjitha qytetet ku emri dhe vepra e saj lartësohen, mundohemi të ruajmë disa nga thesaret e trashëgimisë së saj jetësore, duke nxjerrë mësime dhe guxime që Nënë Tereza na i la si testament të shtrenjtë”, tha z. Hasani.

Zëvendës-kryeministri Artan Grubi përkujtoi përpjekjet e disa viteve më parë për imponimin nga qarqe të ndryshme në Shkup për një identitet të tjetërsuar ndaj së shenjtës Nëna Terezë dhe lirinë e mundësinë e tanishme që datat lidhur me shenjtoren të shënohen në mënyrë institucionale. Ekspozita u mbajt në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik, në krye të së cilës është zoti Grubi:

”Dhe kjo, unë vlerësoj se është e arritura më e madhe e gjithë asaj rezistence dhe gjithë atij besimi në vlerat hyjnore të Nënës Terezë dhe veprës së saj dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar politikat tjetërsuese monoetnike, monofetare, monokulturore. 25 vite bëhen pa prezencën fizike të Nënës Terezë, por 25 vite që ne me krenari e themi se është nga Shkupi, që është shqiptare, por që i takon gjithë botës” u shpreh Zëvendës-kryeministri Grubi.

“Nëna Terezë si dimension universal është shumë pak e njohur nga ne dhe këtu do të mundohemi të bëjmë një kombinim… atë që është pak e njohur për botën, siç është jeta, fëmijëria dhe rinia e Gonxhe Bojaxhiut ne t’ia prezentojmë botës, ndërkaq, atë që nuk e njohim boll ne si departament ta zbërthejmë e ta shkoqisim në forma të tilla siç është kjo ekspozitë”, tha Emin Azemi, studiues i ITKSH-së.

blank

Partia BESA fiton zgjedhjet në Tetovë, BDI-ja e Ali Ahmetit pranon humbjen

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

RFE/RL

Lëvizja Besa ka fituar në zgjedhjen për asamblenë komunale në qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet që janë mbajtur më 20 gusht.

Kjo parti që drejtohet nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami ka fituar ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, parti kjo që është pjesë e qeverisë së kryeministrit social demokrat, Dimitar Kovaçevski.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, me popullatë dominuese shqiptare që ndodhet në pjesën perëndimore të vendit janë mbajtur për shkak të problemeve në funksionimin e saj për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe pamundësisë për të miratuar raportin përfundimtar vjetor të buxhetit, që sipas ligjit për vetëqeverisje lokale është i obligueshëm, në të kundërtën shpërndahet kuvendi komunal.

Këshilli komunal në Tetovë ka 31 këshilltarë dhe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, lëvizja Besa fituar mbi 30 për qind të votave nga rreth 27 mijë qytetarë që kanë dalë në votime. Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 25 për qind të votave. Në vend të tretë është radhitur VMRO DPMNE-ja, pastaj LSDM-ja, Partia Demokratike Shqiptare, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarë.

“Tetovarët pa dallim të përkatësinë etnike, poetike apo fetare të dielën votuan për vazhdimin e ndryshimit në Tetovë, për zhvillimin e qytetit, ku rinia do të ketë të ardhme dhe perspektivë”, ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pranuar disfatën e partisë së tij në këto zgjedhje, duke theksuar se për të më me rëndësi se fitorja është demokratizimi dhe sundimi i ligjit në Maqedoninë e Veriut.

“Për ne me rëndësi janë proceset, më me rëndësi është që të vazhdojmë të investojnë në standardet demokratike, në sundimin e ligjit dhe shtetit juridik”, ka deklaruar Ahmeti.

VMRO DPMNE-ja ka shpallur fitoren ndaj LSDM-së në Tetovë me rezultatin 3 me 1 dhe ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare meqë sipas deputetit të kësaj partie Vllatko Gjorçev “në Tetovë është deligjitimuar pushteti LSDM-BDI”.

Përveç në Tetovë, të dielën zgjedhje janë mbajtur edhe në dy komuna të vogla, Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë ku nuk ka pasur kryetar të komunave për shkak të mos arritjes së pragun për daljen ë votime në zgjedhjet e vitit 2021. Këto dy komuna janë fituar nga Lidhja Social Demokrate.

Zgjedhjet e së dielës, në veçanti ato në Tetovë si një nga komunat më të mëdha të Maqedonisë së Veriut shihen si test për partitë në pushtet dhe pas fitores së lëvizjes BESA tek elektorati shqiptar dhe VMRO DPMNE-së tek ai maqedonas, pritet të rritet kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

blank

Pritje disaorëshe në kufirin serbo-maqedon, me gjithë marrëveshjet e Ballkanit të Hapur

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Zërijeta Hajro Jajaga

Pritje me orë të tëra për të hyrë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, përmes pikës kufitare Tabanoc.

“…kur arrin, të them te pragu i shtëpisë, nuk është e drejtë të pritet kaq gjatë për kot, sepse në sytë e mi kjo pritje prej orësh është e kotë”, thotë Azir Hani, i cili bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët tregon se ka udhëtuar nga Zvicra, për t’i kaluar pushimet në Maqedoni të Veriut.

“Gjithë Evropën e kalova dhe ja, tani këtu po qëndrojmë me orë. Kjo nuk ka kuptim”, thotë një tjetër mërgimtar, i cili u identifikua vetëm si Jane.

“Në kufijtë e tjerë rastis që të kesh një ose, e shumta, tri vetura para teje, kurse këtu shihni se sa e gjatë është kolona”, thotë ai.

Pritjet në territorin e Serbisë në pikën e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Pritjet në territorin e Serbisë në pikën e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Shqipe Ameti, nga Presheva – komunë në jug të Serbisë – thotë se i ndodh që brenda javës të vizitojë dy herë familjarët që i jetojnë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

“Nga Presheva deri në Kumanovë rruga është një orë, kurse tri orë i humb në kufi”, thotë Shqipja, sipas së cilës, këto pritje në temperatura mbi 35 gradë celsius ndodhin “pa nevojë”.

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Megjithatë, sipas autoriteteve maqedonase, pritjet janë pasojë e fluksit më të madh të qytetarëve që kalojnë kufirin gjatë muajve të verës.

Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë së Veriut tha në njoftimin e së mërkurës se pritja në vendkalimin e Tabanocit zgjat rreth një orë.

Aktualisht, në këtë pikë funksionojnë pesë korsi për makina, dy për kamionë dhe një për autobusë.

Nga fillimi i korrikut ka qenë e paraparë që kontrollet e udhëtarëve dhe makinave të bëheshin vetëm në njërën pikë – domethënë, ata që hyjnë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut të kontrollohen vetëm në pikën doganore të Maqedonisë së Veriut.

Por, marrë parasysh se sistemi i integruar i kalimit kufitar nuk është ende në funksion, pasagjerët i nënshtrohen kontrollit të pasaportave në pikat e kontrollit edhe të Serbisë, edhe të Maqedonisë së Veriut.

Hapja e sistemit “One Stop” apo “Një ndalesë” në Tabanoc është promovuar qysh në vitin 2019 nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Atëbotë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tha se kishte ndarë 2.8 milionë euro nga arka e shtetit për realizimin e këtij projekti.

Megjithatë, gjendja në terren duket ndryshe.

Kolona në pritje e automjeteve transportuese në pikën e kalimit kufitar Tabanoc më 26 korrik 2022.

Kolona në pritje e automjeteve transportuese në pikën e kalimit kufitar Tabanoc më 26 korrik 2022.

“Kamionin e kam të ngarkuar me kumbulla… Më thoni ju tani, në këto temperatura që janë mbi 35 gradë, nëse është në rregull që të pres… Malli sa s’është prishur nga i nxehti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Goran Tanev, transportues, duke treguar se është lënë të presë për më shumë se dy orë.

Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë – si vende të nismës së njohur si Ballkani i Hapur – kanë rënë dakord, madje, edhe për një korsi të veçantë në Tabanoc për qytetarët e këtyre tri vendeve.

Ndonëse nga zyrtarët është thënë se ajo do të përshpejtojë qarkullimin e udhëtarëve dhe të mallrave, një shofer kamioni shprehet pesimist:

“Çfarë Ballkani i Hapur, asgjë nuk funksionon në praktikë. Radhët mbeten të gjata”, thotë Time Iliev.

Drejtoresha e Drejtorisë së Doganave në Maqedoninë e Veriut, Sllavica Kutirov, thotë se po punohet në drejtim të hapjes së një korsie të veçantë për vendet anëtare të Ballkanit të Hapur, por nuk saktëson se kur do të mund të vihet në funksion.

Në anën tjetër, Bilana Muratoska, nga Asociacioni i Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, Makam-Trans, thotë se nuk pret që transportuesit të kenë ndonjë përfitim të dukshëm nga marrëveshjet që bëjnë udhëheqësit e Ballkanit të Hapur sa i përket lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.

“Në Tabanoc kemi dyfishim të detyrave, inspektimi bëhet nga njëra palë, ashtu siç bëhet edhe nga pala tjetër – pra ajo maqedonase dhe ajo serbe dhe anasjelltas, pavarësisht se tani janë në një pikë të përbashkët kufitare”, thotë Muratovska për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, gjendjen e përmirëson vetëm kontrolli përmes një sistemi të unifikuar të të dhënave – e, nëse ndonjëherë do të arrihet deri këtu, mbetet të shihet.

blank

Familja nga Kosova me kallëzim penal kundër spitalit “Zhan Mitrev”

Sanija me djalin e saj, Edonin – Fotografi nga arkivi i Sanijas.

Zërijeta Hajro Jajaga

“Djalin e dërgova në spitalin ‘Zhan Mitrev’, në tetor të vitit të kaluar, në këmbë të veta. Aspak në gjendje kritike. Dhe u desh ta marr në arkivol”.

Kështu nis rrëfimin për Radion Evropa e Lirë Sanija Gjakova, një grua nga Prishtina, e cila është në mesin e së paku tetë familjeve të tjera që kanë ngritur kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, “Zhan Mitrev”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas vdekjes së të afërmve të tyre.

Djali i Sanijas, Edoni, 43 vjeç, ka vdekur në dhjetor të vitit të kaluar, pas, siç thotë e ëma, një trajtimi prej rreth dy muajsh në “Zhan Mitrev”.

Ky spital ka përbërë tituj lajmesh këtë javë, pasi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetime kundër tij, nën dyshimet për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve që kanë vdekur, përfshirë disa të sëmurë me sëmundjen COVID-19.

Hetimet kanë nisur pasi rrjeti i gazetarisë hulumtuese, IRL, ka transmetuar më 18 korrik një emision me titull “Gjaku i papastër”.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar, i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti.

Ky trajtim, sipas IRL-së, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

“Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë gazetarja Sashka Cvetkovska, pjesë e grupit hulumtues.

Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”

Sashka Cvetkovska

Në reagimin e parë, spitali i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato janë “të fabrikuara” për të krijuar “një imazh të rremë”.

Nga IRL-ja kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se rasti i Edon Gjakovës nga Kosova është përfshirë në raportin e tyre hulumtues “Gjaku i papastër”.

Edoni është infektuar me baktere, thotë e ëma

Nëna e Edonit, Sanija, thotë se djali i saj ka bërë kontrolle të rregullta vjetore në spitalin “Zhan Mitrev”, pasi, 13 vjet më herët, kishte pësuar arrest kardiak.

Në tetor të vitit të kaluar, kujton ajo, Edoni ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin në Shkup, për shkak të disa shqetësimeve në bark.

Kanë kaluar disa ditë derisa u është nënshtruar kontrolleve dhe trajtimeve të ndryshme, të cilat, siç thotë ajo, i ka vetëfinancuar me mijëra euro.

“Pas laparoskopisë, Edonit ka filluar t’i përkeqësohet gjendja. Unë e pyeta doktoreshën se përse kollitet… Më tha se qëndron i shtrirë…”, thotë Sanija.

Këtë kontroll mjekësor, Edoni e ka kryer në mes të nëntorit, sipas nënës së tij. Mjekët, tregon ajo, i kanë thënë se dyshojnë se pacienti ka “ndezje të zorrës së trashë”.

Gjendja e tij ka vazhduar të rëndohet dhe, më 13 dhjetor, pas konfirmimit të marrë nga familja, mjekët në “Zhan Mitrev” kanë vendosur ta trajtojnë Edonin me filtrim gjaku – pas të cilit trajtim Edoni ka vdekur.

Nëna e tij dyshon se ai është infektuar me baktere vdekjeprurëse, që, siç thotë, ka dëgjuar se kanë qarkulluar në spital në atë kohë.

Ajo thotë se dyshimet i janë rritur edhe më shumë kur në fletëlëshimin e spitalit, pas vdekjes së Edonit, ka parë të ketë shkruar se ky institucion “e ka trajtuar mirë të ndjerin dhe familja e tij nuk do ta padisë për asgjë”.

Pas këmbënguljes së familjes, thotë Sanija, spitali e ka hequr këtë fjali nga raporti.

Në prill të këtij viti, familja Gjakova, përmes avokatit nga Shkupi, Asmir Alispahiq, ka ngritur kallëzim penal kundër punonjësve të spitalit “Zhan Mitrev” për trajtim joadekuat të Edonit.

Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore”

Asmir Alispahiq

“Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore [gjatë trajtimit të Edonit]”, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati Alispahiq, pa ofruar shumë detaje.

“Autoritetet e spitalit e kanë hartuar dokumentacionin mjekësor në atë mënyrë që palët e dëmtuara të mos kenë mundësi të informohen për arsyen që ka çuar te vdekja e pacientit”, thotë Alispahiq dhe shton se për këtë rast, ka informuar edhe rrjetin hulumtues, IRL.

Pas transmetimit të hulumtimit të këtij rrjeti, kanë dalë edhe qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut që kanë paralajmëruar hapa ligjorë kundër spitalit “Zhan Mitrev”.

“Mjekët më jepnin informacione kundërthënëse”

Një ndër ta është Valentin Allçev, 43 vjeç, nga qyteti i Velesit, nëna e të cilit, 72 vjeçe, ka vdekur në spitalin “Zhan Mitrev”, në janar të këtij viti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjatë qëndrimit disaditor të nënës së tij në spital, është përballur me informacione kundërthënëse nga vetë mjekët.

“Mjekët në telefon më thoshin një gjë dhe, kur shkoja në vizitë, më thoshin diçka tjetër”.

“Ua kërkova rezultatet e gjakut, por nuk m’i dhanë. Një mjek më tha se nënës i është rritur njësia e leukociteve… Mjekja tjetër më tha se nëna ka bakter në gjak”.

Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thanë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit”

Valentin Allçev

“Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thënë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit”, thotë Valentini.

I dyshimtë, sipas tij, është fakti se në fletëlëshimin që i ka dhënë spitali, pas vdekjes së nënës, nuk përmendet askund se pacientja ka pasur bakter.

“Fletëlëshimin e kam marrë pas tri javësh, nuk thuhet gjëkundi se ka pasur bakter, por vetëm se është trajtuar për COVID-19”, thotë Valentini.

Çfarë thonë nga “Zhan Mitrev”?

Nga spitali “Zhan Mitrev” thonë për Radio Evropa e Lirë se të gjithë pacientët marrin fletëlëshime të plota, ku janë të shënuara të gjitha trajtimet, medikamentet dhe procedurat e trajtimit, por nuk komentojnë raste individuale.

Ata shtojnë se bashkëpunojnë me institucionet dhe se do të ofrojnë gjithçka që kërkohet prej tyre.

Institucionet kërkojnë më shumë kohë për hetime

Përgjegjësia mjekësore apo institucionale në rastin e spitalit “Zhan Mitrev”, aktualisht, nuk është përcaktuar.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, kërkoi më shumë kohë për hetimin e rastit dhe marrjen e informacioneve konkrete.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë konferencës me gazetarë.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë konferencës me gazetarë.

Në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Shkup, Sali nuk dha përgjigje konkrete mbi pretendimet për eksperiment, e as për përdorimin e metodës së filtrimit të gjakut, e cila aplikohet te pacientët me sëmundje të rënda dhe lejohet te pacientët me COVID-19.

Ai tha se gjatë pandemisë COVID-19, asnjë sistem shëndetësor nuk ka përdorur trajtime të bazuara në fakte. Sipas tij, “trajtimet janë bazuar vetëm në rekomandime”.

Nga inspektimi i Agjencisë për Barna dhe Pajisje Mjekësore të Maqedonisë së Veriut, e cila duhet të konstatojë nëse është ndjekur procedura e testimeve klinike të pastrimit të gjakut ose jo, nuk ka ende rezultate.

“Është logjike që të jepet pak kohë për të përcaktuar gjithçka sipas protokolleve, rregulloreve dhe ligjeve”, tha Lirim Shabani, drejtor i kësaj agjencie.

Gazetarja e IRL-së, Sashka Cvetkovska, që ka hulumtuar rastin, thotë se shpreson, ashtu si edhe gjithë publiku, që institucionet ta zgjidhin atë.

“Do të isha shumë e zhgënjyer nëse kjo nuk ndodh”, thotë Cvetkovska për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë treguan inspektimet e mëparshme?

Në tre vjetët e fundit, Inspektorati Sanitar Shtetëror i Maqedonisë së Veriut ka kryer 45 inspektime të rregullta dhe 52 inspektime të jashtëzakonshme në 12 institucione shëndetësore private.

Detajet i bëri të ditura drejtoresha Irinka Sotirovska Buhova, e cila tha se në “Zhan Mitrev” janë kryer tri kontrolle të rregullta dhe nëntë të jashtëzakonshme – pesë prej të cilave për raportim të trajtimit jashtë protokollit. Por, sipas saj, pas inspektimit, këto mangësi janë sanuar.

blank

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez

Isuf Kadriu

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitë nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim.

Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.

Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.

Çka përmban propozimi francez?

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.

Por deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhduan me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.

Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

blank

Kushtet e Bullgarisë- Pse po sulmohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Në Shkup ende vazhdojnë protestat kundër “sakrificave” që u kërkohen maqedonasve në këmbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Organizatorë janë opozitarët e VMRO-DPMNE dhe grupime proruse, kryesisht nacionalistë që përdorin retorikën e rrezikut nga bullgarizimi i vendit. “I bëjmë thirrje çdo familjeje të shpalosë flamurin maqedonas në ballkonin apo dritaren e tyre” kërkuan organizatorët e protestës së radhës, me moton “Ulitmatum, JO faleminderit!”

blank

 

blank

Çfarë kërkojnë protestuesit

Opozita kërkon të refuzohet “propozimi francez”, që bëri të mundur heqjen e vetos së Bullgarisë për negociatat. Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të njohë zyrtarisht se gjuha e saj ka rrënjë bullgare, të njohë pakicën bullgare në vend dhe të heqë “gjuhën e urrejtjes” kundër Bullgarisë.
Dokumenti i njohur si “Propozimi francez” premton se Maqedonia e Veriut do t’i përfshijë pakicat bullgare në Kushtetutën e saj. Opozita kundërshton.

“VMRO DPMNE nuk do të mbështesë asnjë ndryshim të Kushtetues për këtë të jeni të sigurtë dhe edhe qytetarët të jenë të sigurtë se çfarëdo që të ndodh me këtë tradhëti kombëtare që e përgatit qeveria LSDM-BDI, VMRO-DPMNE nuk do ta pranojë asesi. Për këtë janë të nevojshme 81 deputetë”, tha Micksoki.

blank

Protestat dhe shqiptarët

Kulmi i tensioneve ishte të mërkurën,. Gati 50 policë u plagosën nga bombat molotov, fishekzjarret dhe goditjet me gurë. Të maskuar me kapuçë, protestuesit sulmuan policët, hodhën lëndë djegëse dhe tentuan të hyjnë me forcë në Kuvend në një përpjekje të ngjashme me 27 prillin e vitit 2017.
Por mes dhunës dhe kaosit të protestës në Shkup, mori vëmëndje të madhe një incident në rrugët e Shkupit. Shqiptari, i quajtur Isuf Koka doli me pistoletë në dorë dhe iu drejtua turmës së maqedonasve duke qëlluar në ajër.

Protestuesit u larguan të trembur, ndërsa Isuf Koka u arrestua megjithëse armën e mbante me leje.
Akti u krye në një moment tensioni. Pas shqiptarit me pistoletë në dorë duket statuja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Lëvizja e turmës së maqedonasve në atë kah ishte e qëllimshme. Aty pranë qenë bizneset e shqiptarëve, që ishin të detyruar t’i dalin për zot pronës së tyre, përballë një turme nacionalistësh të dalë nga kontrolli. Por përse sulmohen shqiptarët, për kushtet që u vendos Bullgaria?

blank

Shakaja e pamenduar e Edi Ramës

Shkëndia që u shfrytëzua për të ndezur flakën e urrejtjes kundër shqiptarëve, qe një shaka e kryeministrit të Shqipërisë. Kur Edi Rama prezantoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitri Kovaçevski para kancelarit gjerman, Sholc ai nuk i rezistoi dot batutës dhe u shpreh: Në të ardhmen Bullgaria Perëndimore.

Kovaçevksi qeshi.

Disa ditë më pas, rrugët e Shkupit u mbushën plot. Atë që Rama e tha me shaka, opozita maqedonase e përdor si retorikë frike për të nxitur njerëzit të dalin në rrugë. “Dje kur u prezantua si kryeministër i Bullgarisë së ardhshme perëndimore, Kovaçevski po të kishte një gram dinjitet do të reagonte në mbrojtje të vendit të tij” u shpreh kreu i VMRO-DPMNE.

blank

Qëndrimi i partive shqiptare për propozimin francez

Politikisht, partitë shqiptare e kanë përshëndetur propozimin francez, pasi nuk kanë asnjë ndjesi në lidhje me identitetin maqedonas, për të cilin kundërshton opozita.

Ali Ahmeti i BDI-së pas takimit me Kovaçevskin thase tha se vendi duhet ta pranojë propozimin dhe me të të vuloset ardhmëria evropiane.

“Për të mirën e të gjithëve, për ardhmërinë e sigurtë dhe progresive le ta shfrytëzojmë këtë mundësi historike dhe të vulosim njëherë e përgjithmonë fatin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian” tha Ahmeti.

Edhe Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët e pranoi propozimin francez, megjithëse në opozitë.

“ASh është në anën e vazhdimit të rrugëtimit evropian, jemi në anën e mos krijimit të alternativave të tjera çfarëdo qofshin, qofshin të quajtura Ballkani i Hapur. Alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe asgjë tjetër hiç” u shpreh Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

Me gjasë, propozimi francez diskutohet të hënën në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Forcat që e kundërshtojnë kanë mbetur pakicë dhe në qendër të sulmeve të tyre janë shqiptarët.

blank

Pas zmbrapsjes spektakolare që u bëri turmës së ekstremistëve maqedonas, Isuf Koka u arrestua nga policia. Vëllai i tij që ishte punonjës i Bashkisë së Shkupit u largua nga puna. Kreu i VMRO-DPMNE, Kristian Mickovski tha se shqiptari i armatosur ishte nisur për ta vrarë, por pas daljes së pamjeve në rrjetet sociale u duk se e gjitha ishte një gënjeshtër. Filmimet tregonin se drejt hotelit të Isuf Kokës në hyrje të Çarshisë ishte nisur një turmë që qëllonte me gurë. Pas tij dukej busti i Skënderbeut.

“Unë nuk jam për dhunë, nuk jam për armë, jam për mënyrë të qetë për protestat, por kur ka parë se i rrezikohej jeta dhe pronat, ai është çuar. Nuk e arsyetoj përdorimin e armëve, por s’ka pas ku me shku. Te ne është problem, se në vend të arrestohet sulmuesit, arrestohet mbrojtësi. Nuk reagoi polici, çfarë duhet të bëjmë? T’i lëmë të hyjnë?” tha babai i Isuf Kokës, duke shpjeguar se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me problemet mes bullgarëve dhe maqedonasve, por kjo nuk është hera e parë që janë dëmtuar nga protestat e ekstremistëve antishqiptarë.

blank

SHBA i bën thirrje Shkupit të miratojë propozimin francez

RFE/RL

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin e Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, gjë që do t’i hapte derë integrimit evropian.

Në letrën e hapur, ambasadorja Byrnes ka thënë se “populli dhe institucionet e këtij vendi (Maqedonisë së Veriut) kanë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së në rrugëtimin drejtë BE-së, për marrjen e një vendimi, i cili sado që mund të jetë i rëndë, është i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”.

“Anëtarësimi në BE do ta bëjë vendin tuaj më të fortë. Anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare, aq më pak pjesëmarrja në ato procese, është punë e vështirë dhe vjen me vendime të vështira… Por, pranimi i këtij propozimi do të thotë që më në fund do të keni një vend në tryezën e negociatave të anëtarësimit. I vendos vendet anëtare të BE-së, shumë prej të cilave janë partnere dhe aleate tuaj të ngushta, në një dhomë me ju… Pasi të filloni negociatat, do të keni më shumë mjete dhe falë metodologjisë së re, qasje më të hershme në fondet dhe programet e BE-së – të cilat mund t’i përdorni për të realizuar qëllimet tuaja dhe për të ndërtuar të ardhmen që dëshironi për veten dhe fëmijët tuaj”, ka shkruar ambasadorja amerikane.

Sipas saj, propozimi i ri francez nuk cenon gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe se përmbajtja e tij më shumë është teknike.

“Ai (propozimi) njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe i mbron ato nga sfidat e mëtejshme. Megjithëse mund të mos jetë i përsosur, propozimi bën atë që është e domosdoshme: mbron interesat tuaja thelbësore dhe nis negociatat dhe procesin dinamik të shqyrtimit. Në këndvështrimin tonë pragmatik, ai përfaqëson realisht mundësinë më të mirë për ta çuar, më në fund, vendin tuaj përpara në rrugën e tij drejt BE-së, duke forcuar kontrollin mbi të ardhmen tuaj”, vlerëson Byrnes

Ajo shton se “zgjedhja për të ecur përpara është vendimi juaj si një komb sovran – dhe ne e dimë se është një zgjedhje e vështirë”

“Në tryezën e bisedimeve, nëse mendoni se shqetësimet tuaja nuk po trajtohen, mund të bëni zgjedhje të tjera. Ju duhet të bëni hapin e parë për të arritur në të dytin”, thotë ambasadorja amerikane, Kate Marie Byrnes, në letrën e hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Të mërkurën edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre i është drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, i cili sipas Macronit, i hap rrugën integrimit evropian.

“Një mundësi historike po hapet, zgjedhja është e juaja”, u tha qytetarëve maqedonas presidenti francez Macron, në letrën e publikuar të enjten nga ambasada franceze në Shkup.

Macron nuk pretendon se propozimi francez është i përsosur, por thotë se e fut vendin në Bashkimin Evropian.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se Bashkimi Evropian do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Poashtu në këtë propozim thuhet që Maqedonia e Veriut duhet të “nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Propozimi francez është mbështetur nga Bullgaria, e cila edhe vendosi të heq veton ndaj Shkupit për nisjen e bisedimeve me BE-në, të cilën e kishte vendosur në nëntor të vitit 2020.

Partitë qeverisëse në Shkup mbështetin propozimin francez, por ai kundërshtohet nga opozita maqedonase e cila për çdo ditë po organizon protesta, të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë nëpër rrugët e Shkupit.

 

blank

Protestuesit maqedonas i sulmuan biznesin, shqiptari nuk duron dhe shkreh armën

Protesta e opozitës maqedonase kundër propozimit francez, u shoqërua me incidente në Shkup.

Mbështetësit e VMRO-DPMNE sulmuan edhe bizneset, mes tyre edhe të shqiptarëve.

Pronari i hotel De Koka, Isuf Koka u arrestua nga policia maqedonase pasi gjuajti dy-tre plumba në ajër, kur hoteli i tij dhe dy dyqanet në sheshin Skenderbeu u sulmuan nga protestuesit maqedonas.

Dhjetëra huliganë maqedonas filluan të gjuanin gur në drejtim të dyqaneve te parkingu i Skenderbeut, ndërsa u dëmtuan edhe disa vetura të parkuara. Pasi policia po reagonte me vonesë dhe turma tentoi të futet në Çarshi, pronari i hotel De Koka dhe dy dyqaneve tjera, Isufi nxori pistoletën me leje dhe gjuajti dy-tre plumba në ajër.

Protestuesit u larguan, ndërsa pas disa minutave, ai u arrestua.

Në ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, është munduar që nëpërmjet këtij incidenti, ta kthejë vëmendjen nga ai.

Në profilin e tij në Facebook, Mickoski shkruan se “ky është personi që sonte deshi të më vrasë”.

Megjithëse e vërteta është krejtësisht tjetër – në kohën kur Mickoski dhe turma e madhe kaloi urën dhe arritën gati te Ministria e Punëve të Jashtme, dhjetëra huliganë provokuan situatën në Çarshi dhe Isufi gjuajti në mbrojtje të pronës private./ Koha.net

blank

Protestuesit në Shkup thyejnë xhamat e MPJ-së dhe sulmojnë policinë

Protesta para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku protestuesit gjuajnë me mjete të forta drejt policisë. Shkup, 5 korrik 2022.

Zërijeta Hajro Jajaga

Në ditën e katërt të protestave me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, protestuesit maqedonas kanë thyer xhamat e Ministrisë së Jashtme dhe kanë sulmuar policinë.

Si rrjedhojë, dy protestues janë arrestuar, ndërsa ende nuk dihet nëse ka policë të lënduar. Gjatë protestave të ditës së hënës, katër policë ishin lënduar.

Protesta, e cila ka filluar para objektit të qeverisë, ka vazhduar më pas tek MPJ, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe gjësende të forta, duke thyer xhamat e përparmë të ministrisë.

Protesta kundër pranimit të propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në. Foto gjatë arrestimit të një protestuesi. Shkup, 5 korrik 2022

Protesta kundër pranimit të propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në. Foto gjatë arrestimit të një protestuesi. Shkup, 5 korrik 2022

Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që “ta mësoj historinë maqedonase”.

Në pankartat e protestuesve emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osmani.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen Kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit.

Protestuesit mbajnë në duar pankartë ku emri i ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani është deformuar në Bugar Osmani. Shkup, 5 korrik 2022.

Protestuesit mbajnë në duar pankartë ku emri i ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani është deformuar në Bugar Osmani. Shkup, 5 korrik 2022.

Protestuesit në fund kanë ndaluar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në protestën që vazhdoi deri rreth orës 22:00 të 5 korrikut.

Një grup i maskuar i protestuesve kanë thyer kordonin e policisë dhe në drejtim të tyre kanë hedhur gjësende të forta, lëndë piroteknike, letër tualeti dhe vezë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, ishte dëshmitar i arrestimit të dy protestuesve, të cilët kishin sulmuar policinë.

Policia ka arritur që t’i shpërndajë protestuesit para Kuvendit, duke vendosur situatën nën kontroll.

Këto protesta janë kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare rreth të kaluarës dhe çështjes së identitetit maqedonas.

Protestuesit hedhin thyejnë xhamat dhe hedhin mjete të forta në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shkup, 4 korrik 2022.

Protestuesit hedhin thyejnë xhamat dhe hedhin mjete të forta në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shkup, 4 korrik 2022.

Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Sipas tyre, francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.

Gjatë protestës s, policia maqedonase tha se janë lënduar katër policë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka bërë thirrje për protesta të qeta dhe demokratike duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe këtë të drejtë askush nuk guxon tua mohojë.

“Dhuna ndaj atyre që kujdesen për rendin – policisë maqedonase , ndaj institucioneve nuk do të sjell asgjë. Dje kishim tentim për eskalim të situatës, kemi 4 polic të lënduar”, ka thënë ai.

Gjatë protestës së një ditë më parë, një grup i qytetarëve të udhëhequr nga lideri i partisë ‘E Majta’, Dimitar Aapsiev, i cili njihet për qëndrimet e tij nacionaliste, theu rrethojën e vendosura para Qeverisë dhe në drejtim të Policisë dhe ndërtesës qeveritare hodhën letra tualeti, shishe plastike, topa uji, mjete piroteknike dhe vezë.

Kovaçevski: E pa tolerueshme të protestohet me maska

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski gjatë ditës ka thënë se protestat e dhunshme nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Po, protestojnë njerëz që mbajnë maska , të cilët godasin policinë. Po, kemi polic të lënduar. çdo kush mund të protestoj për çdo çështje. Por qëllimi që të shkohet në protesta me maska është I pa tolerueshme për një shtet që kaloi 27 prillin. Kjo nuk guxon të na ndodhë. Mbrëmë e patë se policia u tërhoq. Këtu bisedohet për propozim të ofruar nga Bashkimi Evropian” ka deklaruar kryeministri I Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethuar nga forca policore gjatë protestave që po mbahen në Shkup kundër propozimit francez

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethuar nga forca policore gjatë protestave që po mbahen në Shkup kundër propozimit francez

Ndryshe, përmes propozimi francez i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues.

Bullgaria tashmë dy vjet, përmes vetos, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, me këtë edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.


Send this to a friend