VOAL

VOAL

Steinmeier në Shkup: BE-ja pret normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

November 29, 2022
blank

Komentet

blank

Ekspertët ngrenë alarmin në Maqedoninë e Veriut: Ditëlindja e revolucionarit Dellçev mund të shkaktojë tensione

Më 4 shkurt shënohet data e lindjes së revolucionarit Goce Dellçev. Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të realizojë kremtim solemn.

Me këtë rast, kryeministri Kovaçevski tha: “e siguroj publikun maqedonas se Ministria e Punëve të Brendshme do të bëjë gjithçka, në përputhje me të gjitha ligjet dhe kushtetutën e vendit, që 4 shkurtin – datën e lindjes së Goce Dellçevit, ta kremtojë në mënyrë të qetë dhe të dinjitetshme, duke garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve në shtet.”

Kovaçevski e theksoi këtë nga foltorja e parlamentit, duke u përgjigjur në pyetje të deputetit Antonio Milloshoski nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Qeveria në përputhje me nenin 11 të Ligjit për të Huajt e ka shqyrtuar rekomandimin për shpalljen persona non grata të disa shtetasve të Republikës së Bullgarisë, kryeministri tha të huajit që synon të qëndrojë në vend deri në 90 ditë ose për çdo periudhë deri në 180 ditë, mund t’i ndalohet hyrja në vend nëse është person për të cilin në sistemin e kontrollit të pasagjerëve është dhënë paralajmërim për ndalim hyrjeje nëse paraqet kërcënim për rendin publik, sigurinë kombëtare, marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit ose kërcënim për shëndetin publik.

Sipas raporteve dhe analizave që kanë shërbimet e sigurisë dhe që ka MPB-ja, në ditën e kremtimit dhe në ditët më parë, MPB-ja do të veprojë sipas informacioneve dhe të dhënave që ka nga burimet e veta dhe normalisht nga shërbimet dhe në përputhje me konkluzionin e Qeverisë, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jetë përgjegjëse të sigurojë kremtim të qetë dhe dinjitoz të 4 shkurtit, datëlindjes së Goce Dellçevit, theksoi Kovaçevski.

Ngjarja, siç tha ai, karakterizohet si një ngjarje me rrezikshmëri të lartë për sa u përket deklaratave që vijnë nga brenda dhe jashtë, dhe sipas kësaj, Ministria e Brendshme, shtoi ai, është përgjegjëse sipas procedurave dhe ligjit që ka të organizojë një kremtim paqësor dhe për këtë Ministria e Brendshme tashmë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Javët e fundit janë shtuar tensionet mes Shkupit dhe Sofjes, pas deklaratave nacionaliste të disa politikanëve bullgarë dhe rrahjes së sekretarit të Klubit të Bullgarëve në Ohër. Autoritetet në Shkup druajnë nga eskalimi i tensioneve më 4 shkurt, në ditën e lindjes të Goce Dellçevit – figurë historike për të cilën ka kontest mes maqedonasve dhe bullgarëve.

Politikani nacionalist bullgar, njëkohësisht eurodeputet, Angel Xhambaski, paralajmëroi se do të marrë pjesë në shënimin e ditës së lindjes të Goce Dellçevit në Shkup. Presidenti Stevo Pendarovski bëri thirrje që Xhambaskit t’i ndalohet hyrje në vend, për shkak të deklaratave të tij të vazhdueshme të cilat Shkupi i konsideron provokuese./ TRT Balkan

blank

Bullgaria tërheq ambasadorin nga Maqedonia e Veriut

Ambasadori bullgar në Maqedoni, Angel Angelov, do të qëndrojë jashtë vendit derisa Sofja të shohë shenja ndryshimi. Është cinike të diskutosh projekte me RMV-në ndërsa Hristijan Pendikov është i shtrirë në spital, tha Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollai Milkov, njofton “BGNES”.

Milkov është intervistuar sot në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme. Kryetarja e Komisionit, Ekaterina Zakharieva, në seancë ftoi edhe ambasadorin Angel Angelov. Seanca zhvillohet në sfondin e rrahjes brutale të Hristijan Pendikov.

“Nëse RMV vazhdon të sillet kështu, është e mundur që ne të vendosim sërish veton. Është cinizëm të diskutosh për projektet e eko-shtigjeve me vendin derisa Pendikov është në spital”, tha Milkov.

Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të vazhdojë në rrugën evropiane, duhet t’i përmbushë obligimet e veta, Bullgaria duhet vetëm ta ndjekë këtë realizim”, theksoi ai.

Millkov sqaroi se “ne jemi të hapur për dialog nëse në RMV diskutohen projekte për mbrojtjen e bullgarëve dhe ato do të jenë në rend dite”. syri.net

blank

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi dënohet me 2 vite burg

Gjykata Themelore Penale e Shkupit shpalli vendimin për rigjykimin e rastit ‘Titanik 2’ lidhur me parregullsitë në zgjedhjet e vitit 2013.

Sipas vendimit, lideri i partisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, PDSH, Menduh Thaçi, u shpall fajtor për shkatërrimin e një qendre votimi, duke marrë dënimin me dy vite burg.

Të njëjtën masë ndëshkimore mori edhe ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës, Sasho Mijallkov dhe 4 ish zyrtarë të tjerë.

Në seancë nuk morën pjesë as Thaçi dhe as Mijallkov.

Në aktgjykimin e parë në 2019, të gjithë të akuzuarit u dënuan në total me 19 vite dhe 8 muaj burg. Por në dhjetor të atij viti, apeli në Shkup rrëzoi vendimin dhe e ktheu çështjen për rigjykim. syri.net

blank

Pendarovski: Ballkani Perëndimor në rrezik nga ndikimet e mundshme ruse

Isuf Kadriu

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e përshkroi Ballkanin Perëndimor si një “vend të butë” në arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe të brishtë ndaj fushatave të mundshme të ndikimit nga Rusia.

Në fjalimin në Davos, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, Pendarovski tha se “Kremlini përbën rrezik për stabilitetin e rajonit”, por tha se beson që Shtetet e Bashkuara do t’i kushtojnë më shumë vëmendje situatës në rajon.

Sipas tij, përveç Ukrainës, Ballkani Perëndimor është një pikë e ndjeshme në arkitekturën e sigurisë evropiane.

“Ekzistojnë dy pika të ndjeshme në rajon – Republika Sërpska dhe veriu në Republikën e Kosovës, ku tentohet të cenohet integriteti i këtyre vendeve, andaj NATO-ja dhe Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojnë vëmendje”, tha Pendarovski.

Ai iu referuar entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, që ka shpeshtuar thirrjet për shkëputje nga shteti dhe veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në pjesën veriore të Kosovës në fund të vitit 2020 tensionet u rritën dhe disa serbë lokalë, për 20 ditë, përmes barrikadave bllokuan rrugët kryesore në këtë pjesë.

Kosova ka fajësuar Rusinë se po e shtynë Serbinë që të nxisë tensione në Kosovë, por këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini. Madje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në barrikadat në veri ka pasur prani të elementeve ushtarake paramilitare, sikurse të grupit mercenarë rusë, Vagner. Ky grup po ashtu merr pjesë në luftën që Rusia ka nisur kundër Ukrainës në fund të shkurtit të vitit të kaluar.

“Nuk jam i shqetësuar nëse do të kemi unitet dhe solidaritet transatlantik dhe panevropian edhe këtë vit, por pyes veten nëse do të ruhet kur të përfundojë lufta në Ukrainë dhe ky është çelësi që demokracia të mbizotërojë mbi autokracinë”, theksoi Pendarovski.

Lideri maqedonas mori pjesë në debatin me temën “Në mbrojtje të Evropës”, ku kërkoi që të forcohet uniteti, në mënyrë që sipas tij, të fitojë demokracia ndaj autokracisë.

“Nëse demokracitë nuk qëndrojnë së bashku, duke respektuar të njëjtat vlera dhe duke luftuar për to ndonjëherë fjalë për fjalë, atëherë autokracitë do të mbizotërojnë. E pamë vitin e kaluar kur filloi lufta në Ukrainë dhe më parë në Bjellorusi se dilema dhe beteja bazë është midis demokracisë apo autokracisë, pra diktaturës siç është sot në Rusi. Prandaj duhet të kemi unitet dhe solidaritet të plotë edhe pas luftës në Ukrainë. Kemi nevojë për një botë më të mirë”, tha Pendarovski.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos, i titulluar “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, zhvillohet nga 16 deri më 20 janar dhe ka tubuar liderë nga politika, biznesi dhe shoqëria civile për të debatuar sfidat botërore që nga paqëndrueshmëria gjeopolitike e deri te ndryshimet klimatike.

blank

I dënuar 40 vite për vrasje, zbulohet emri i shqiptarit të arratisur nga burgu në RMV. Si ia doli t’u shpëtonte “sy më sy” efektivëve

Arratisje spektakolare e të dënuarit në Maqedoninë e Veriut, ka ngritur pista të shumta dyshimesh. Nga Burgu i Idrizovës, siç mëson ALSAT, një i dënuar me 40 vjet heqje lirie, është arratisur gjatë dërgimit të tij për në spital. I dënuari për vrasje, 6 vjet më parë, siç mëson ALSAT është nga Tetova, me emrin Bekim Memeti.

Sipas të dhënave, i dënuari i arratisur ka kërkuar të dërgohet në spital, dhe drejtuesit e burgut ia kanë mundësuar një gjë të tillë, por gjatë rrugës, ai rrëmben pistoletën dhe plagos njërin prej shoqëruese, konkretisht shoferin e ambulancës, duke i mundësuar vetes arratisjen.blank

 

Ende mbetet e paqartë dinamika dhe rrjeti që e ka ndihmuar Memetin në arratisje, ndihmesa e mundshme që i është dhënë nga persona të tjerë nga jashtë, ndërkohë që hetimet do të shtrihen tashmë edhe në dy pista.

Për profile të tilla si Mehmedi, burgu i Idrizovës ka kërkuar gjithnjë ndihmë dhe shoqërim nga njësitë speciale, kjo bëhet thuajse për cilindo të dënuar me mbi 10 vjet burg, por për Memedin burgu nuk ka kërkuar ndihmë. Përveç hetimit të brendshëm nga drejtoria e burgjeve, hetim pritet të ngrejë për përgjegjësi edhe Ministria e Brendshme.

Sipas informacioneve të Alsat, burgu nuk ka dërguar kërkesë pranë MPB-së për ndihmë shoqërimi të të dënuarit, duke ngritur edhe dyshimet për inskenim dhe prapavijë të rastit.bw

blank

E denjë për skenë filmi aksion- Persona të armatosur rrëmbejnë të burgosurin në Maqedoninë e Veriut

Një arratisje spektakolare ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku një i burgosur në “Idrovicë” është rrëmbyer nga persona të armatosur.

Gjithçka ka ndodhur gjatë shoqërimit të një të burgosuri të sigurisë së lartë nga burgu në spital. Policia e burgut hasi në disa persona të armatosur, furgoni që transportonte të burgosurin u ndalua, pati të shtëna, një polic u plagos në fshikëz. Ndërsa i burgosuri u nxor dhe iku bashkë me personat e armatosur.

Aksioni i arratisjes ishte planifikuar. Këtë e tregon edhe fakti se personat e armatosur e dinin saktësisht se kur do të dërgohej i burgosuri në spital, e njihnin mjetin dhe megjithëse nuk konfirmohet, ndoshta kishin të dhëna shtesë se sa ishte numri i policëve që do ta merrnin të burgosurin, trajtimi dhe rruga e lëvizjes. I burgosuri jozyrtarisht ka vetëshkaktuar një plagë, për të cilën ka kërkuar mjekim.

Nuk dihet nëse është thirrur ambulancë apo është transportuar direkt. “A1on” kërkoi informacion nga Administrata e Zbatimit të Sanksioneve se kush ishte komandanti në detyrë gjatë turnit kur ndodhi rrëmbimi, nëse është e vërtetë që i burgosuri i arratisur vuan dënimin për vrasje, si dhe sa efektivë policie e kanë transportuar të burgosurin. Deri në publikimin e lajmit nga aty nuk pati asnjë përgjigje.

Nga MPB kanë paralajmëruar informacione në kohë sa më të shkurtë. Në një intervistë për “A1on”, Marjan Spasovski, drejtor i Administratës për zbatimin e sanksioneve, ka pranuar se në burgje mbretëron korrupsioni endemik. Aksioni i arratisjes së të burgosurit ka lënë edhe te organet kompetente dyshimin se ka qenë i koordinuar me persona të burgut, duke pasur parasysh informacionet që posedonin personat e armatosur. Ky është vetëm një nga disa incidentet që kanë ndodhur muajt e fundit, lidhur me sistemin e burgjeve./Alsat

blank

Pendarovski: Ka kaluar koha kur Shqipëria shihej si armike e maqedonasve

Isuf Kadriu

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i ka quajtur të “panevojshme” dhe të “vjetërsuara” reagimet lidhur me takimin në Tiranë të kryeministrit Edi Rama me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me këtë takim, në të cilin sipas pjesmarrëvesve është diskutuar kryesisht për çështjet që kanë të bëjnë me përshpejtimin e integrimit evropian të të dyja vendeve, ka pasur reagime të shumta në Shkup, në veçanti nga opozita maqedonase, e cila e ftesën e kryeministrit shqiptar e ka vleresësuar si “përpjekje për shpëtimin e qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski”, por edhe si të “dëmshme për interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

VMRO DPMNE-ja ka reaguar edhe për debatin në këtë takim për ndryshimin e kushtetutës maqedonase, si kusht që del nga marrëveshja me Sofjen për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë.

Por, presidenti Pendarovski në një prononcim për mediat ka thënë se “ka ikur koha kur proceset politike, ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shikojmë si kërcënim për sigurinë tonë.

“Dekada më parë, Republika e atëhershme Socialiste e Shqipërisë ishte një kërcënim sigurie për ne. Ka kohë që ka kaluar koha kur proceset politike apo ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shohim si një kërcënim sigurie për ne. Të mos harrojmë, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s dhe ka nisur negociatat me BE-në bashkë me ne. Shqipëria është miku ynë dhe nuk kam fare dyshim për ndonjë qëllim të fshehtë të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Unë e di shumë mirë, po ashtu edhe ju. Nuk mendoj se aty po krijohet ndonjë skenar antimaqedonas”, ka deklaruar Pendarovski.

Lidhur me komentet se liderët shqiptarë janë thirrur në Tiranë për t’u marrë vesh për ndryshimet kushtetuese, Pendarovski tha se për këtë çështje nuk ka pasur nevojë të shkojnë në takim, pasi siç tha ai, të gjithë liderë politikë që kanë qenë në Tiranë edhe më parë kanë thënë se do të mbështesnin ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në Preambulë, si kusht i domosdoshëm për të mos u përsëritur vetoja bullgare ndaj procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Takimi që liderët e partive nga blloku shqiptar e patën me kryeministrin e Shqipërisë është vlerësuar pozitivisht nga kryeministri Dimitar Kovaçevski i cili të mërkurën tha se “çdo takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama është i mirëseardhur” sepse sipas kryeministrit Kovaçevski , “Edi Rama është një mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut dhe një euroatlantist i dëshmuar”.

Takimi i zhvilluar të martën në Tiranë u iniciua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku morën pjesë liderët e të gjitha partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut, përveç kreut të lëvizjes Besa, Bilal Kasami, i cili edhe pse i ftuar, refuzoi të merrte pjesë me arsyetimin se nuk dëshironte të ulej në një tavolinë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Kasami takimin e kishte vlerësuar si “përpjekje për shpëtimin e Ahmetit pas përçarjeve në partinë e tij”.

Por, pas takimit, liderët e partive të shqiptare vlerësuan se takimi ishte relaksues dhe në “frymë vëllazërore” dhe se në fokus ishte e ardhmja e përbashkët evropiane e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

blank

Pse po e viziton kleriku rus Shkupin?

Vizita e mitropolitit rus, Antoni, më 11 janar në Maqedoninë e Veriut. Ai është takuar me kryetarin e Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefanin.
Zërijeta Hajro Jajaga

Kisha, edhe pse është e ndarë nga shteti, ajo ka për detyrë që në mënyrë konstruktive të ndjekë drejtimin e zhvillimeve të shtetit, duke mbetur përkrah politikave euroatlantike, ashtu siç e kanë ndjekur dhe ndihmuar Kishën Ortodokse Maqedonase të gjitha qeveritë e mëparshme maqedonase, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërmjet bashkësive fetare dhe shtetit.

Këto komente pasojnë vizitën e mitropolitit rus, Antoni, më 11 janar në Maqedoninë e Veriut me ç’rast është takuar me kryetarin e Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefanin.

Mitropoliti rus, Antoni, nuk ka dhënë shumë informacione për mediat lidhur me qëllimin e kësaj vizite. Megjithatë, pas takimit me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Maqedonase ka thënë se në Maqedoninë e Veriut ka ardhur për ta uruar personalisht kryepeshkopin maqedonas, Stefanin për festën e emrit (“imen den” festë që ndërlidhet me festën e shenjtorëve që kanë emrin e ndjetë) dhe me këtë rast për të përcjellë urimet nga Patriarku rus, Kirili.

Gjatë takimit që ka realizuar mitropoliti rus, Antoni, me zyrtarët e Kishës Ortodokse Maqedonase është shoqëruar nga ambasadori i Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin.

Mitropoliti rus, Antoni, është pritur nga kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefani.

Mitropoliti rus, Antoni, është pritur nga kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefani.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, tha se për momentin vizita e klerikut rus bëhet vetëm në kuadër të diplomacisë kishtare dhe nëse mbetet në ato korniza, nuk është problematike.

“Nëse diplomacia kishtare, e cila pa diskutim e dimë se po përdoret nga presidenti rus [Vladimir]Putin, si një nga mjetet e tij për të justifikuar luftën në Ukrainë dhe për të justifikuar mizoritë që po kryen atje, atëherë nuk do ta mbështesja këtë, por deri në këtë moment mendoj se takimet kanë qenë vetëm në kuadër të kishës dhe është biseduar vetëm për çështjet kishtare”, tha Pendarovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fjalimit në një ngjarje të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve.

Vizita e klerikut të lartë mund të shkaktojë probleme, si për vendin, ashtu edhe për vetë kishën

Por, Aleksandar Spasenovski, ligjërues në Fakultetin Juridik, njohës i marrëdhënieve ndërmjet bashkësive fetare dhe shtetit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se takimi i mitropolitit rus me krerët e Kishës Ortodokse Maqedonase paraqet “ofsajd për vendin, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë gjeopolitik”.

“Maqedonia [e Veriut] është anëtare e NATO-s, po ndërton një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është interesi ynë themelor strategjik që duhet mbështetur dhe ndihmuar. Vizita e Kishës Ortodokse Ruse në vendin tonë, paraqet një largim nga një interes i tillë strategjik dhe mund të shkaktojë probleme, si për vendin, ashtu edhe për vetë kishën”, thotë Spasenovski.

Nga ana tjetër, edhe Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se ardhja e klerikut të lartë rus në Maqedoninë e Veriut në asnjë mënyrë nuk është me qëllim të mirë.

“Për vetë faktin se Kisha Ortodokse Ruse është përkrahëse e fortë e politikave të Putint dhe agresionit në Ukrainë dhe kështu, meqë është e përfshirë në rrjedha politike, pra nuk është jashtë politikave institucionale shtetërore të Rusisë si shtet, atëherë ardhja e tij dhe mesazhi që mund të sjellë mund të jetë problematike. Vetë Kisha Ortodokse këtu duhet të jetë e kujdesshme që mos bjerë në grackën e ndonjë premtimi”, vlerëson Ramadani.

Finalizimi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase

Vizita e klerikut të lartë rus në Maqedoninë e Veriut përkon me kohën kur Kisha Ortodokse Maqedonase pret një akt konfirmues kishtar (tomos) nga Patrikana e Euminike në Stamboll. Kjo pasi Kisha Ortodokse Serbe më 24 maj të vitit të kaluar ka pranuar autoqefalin e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke i dhënë fund kontestit prej disa dekadash mes tyre, përkatësisht nga viti 1067. Rikujtojmë se problemet ndërmjet dy kishave, serbe dhe asaj maqedonase kishin dalë në sipërfaqe sidomos pas pavarësisë së Maqedonisë (së Veriut) më 1991 pasi Kisha Serbe konsideronte se ndarja e Kishës Maqedonase nuk është bërë sipas rregullave kishtare.

Më 9 maj të 2022, Patrikana Ekumenike e Stambollit pranoi Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë të pavarur. Më 25 gusht 2022 edhe Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë motër autoqefale.

Kjo është vizita e parë e një kleriku të lartë rus që kur Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë autoqefale. Mitropoliti Antoni paraprakisht ka vizituar Serbinë dhe Bullgarinë.

Rreziku për prishjen e raporteve me Patrikanën e Stambollit

“Në aspektin kishtar, atë religjioz apo fetar, kjo vizitë është e paarsyeshme pasi Kisha Ortodokse Maqedonase rrezikon t’i prishë raportet me Patrikanën Ekumenike në Stamboll pas vendimit historik të Patriarkut Bartolomeu të njohë Kishën Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, si kishë kanonike dhe të njohur në botën ortodokse”, thekson Aleksandar Spasenovski.

Ismet Ramadani rikujton se Kisha Ortodokse Maqedonase u bë autoqefale, (e pavarur) nga Patrikana e Stambollit dhe në këtë vijë duhet të mbetet.

“Ky veprim i tyre (Kishës Ortodokse Maqedonase) duhet të kultivohet edhe më tutje pasi në një mënyrë na distancon nga krejt ajo që është politikë ruse dhe veprimet e Putinit në Ukrainë” thotë Ramadani.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, është mbështetës i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e ka “bekuar” invazionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë me pretendimin se ushtria ruse po bën një “akt heroik”.

blank

Lufta kundër korrupsionit, prioritet i SHBA-së në Maqedoninë e V.

Zërijeta Hajro Jajaga

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ka bërë të ditur se për Uashingtonin, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të ketë prioritet në Maqedoninë e Veriut, krahas çështjeve që lidhen me energjetikën dhe ekonominë.

Ajo i ka bërë këto deklarata pak para vizitës së Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet në rajonin e Ballkanit.

“Me Chollet do të diskutohen prioritetet e përbashkëta, ndërkohë që çështja e korrupsionit mbetet primare për Uashingtonin. Ai do të ngre më shumë çështje gjatë vizitës brenda kësaj jave. Viti 2023 do të jetë shumë intensiv për ju dhe ai do të konfirmojë angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në çdo mënyrë të mundshme”, ka thënë Aggeler në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Osmani ka thënë se çdo ndihmë që vjen nga Uashingtoni paraqet një shtytje të rëndësishme sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Çdo mbështetje nga Shetet e Bashkuara është e mirëseardhur, mbetet që ato të vendosin se në çfarë mënyre do ta ofrojnë atë bashkëpunim”, ka theksuar Osmani, duke kujtuar se në periudhën e kaluar vendi ka marrë ndihmë financiare dhe ekspertizë për reformat në drejtësi.

Ndryshe, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut ka qëndruar një ekip për sanksione nga Uashingtoni për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Siç pati njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ky ekip ka pasur për detyrë “të ketë një qasje më agresive për aktorët e korruptuar, si për ata në të kaluarën, ashtu dhe ata aktualë”.

I pyetur nëse është diskutuar për rezultatet e hulumtimit që ka realizuar ekipi amerikan për korrupsionin dhe krim të organizuar, Osmani ka thënë se “korniza që përcakton marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është dialogu strategjik dhe plani aksional”.

Në bazë të anketës së fundit që ka realizuar Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), në dhjetor të vitit të kaluar, qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë humbur besimin në sistemin gjyqësor.

Sipas rezultateve të aneketës, vetëm 4 për qind e të anketuarve i besojnë plotësisht gjyqësorit.

“Vendimi për ndryshimin e kushtetutës duhet të merret në interes të qytetarëve”

Ambasadorja amerikane Aggeler ka përsëritur të hënën edhe një herë qëndrimin e SHBA-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimet e kushtetutës u imponuan pas miratimit të “propozimit francez” nga Shkupi dhe Sofja zyrtare, në bazë të të cilit pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të njihej si popull shtetformues.

Për ndërhyrjen në kushtetutë nevojiten dy të tretat e votave, përkatësisht 80 prej 120 votave të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarët e lartë të Maqedonisë së Veriut nuk japin ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë procesi për ndryshimet kushtetuese, por kujtojnë se procesi i skriningut duhet të përfundojë deri në nëntor të këtij viti.

“Kjo është çështje e rëndësishme. Në radhë të parë është e rëndësishme për udhëheqësinë e Maqedonisë së Veriut. SHBA mbështet lëvizjen e vendit drejt integrimit euroatlantik. Ne besojmë se anëtarësimi në BE është i një rëndësie vendimtare dhe do të ketë përfitime të mëdha për vendin. E inkurajojmë udhëheqësinë dhe funksionarët e zgjedhur të këtij vendi të veprojnë në interes të qytetarëve të tyre dhe të veprojnë sa më parë, të bëjnë ndryshimet e duhura që do të mundësojnë hapjen e negociatave aderuese drejt BE-së”, ka theksuar Aggeler.

Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005.

Por, procesi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim është bllokuar për 17 vjet për shkak të kontestit për çështjen e emrit me Greqinë dhe së fundmi në kontekstin me Bullgarinë, për shkak të çështjeve që lidhen me gjuhën dhe identitetin maqedonas.

blank

Steinmeier në Shkup: BE-ja pret normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, Shkup, 29 nëntor 2022.

Isuf Kadriu

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në agjendën evropiane, ashtu si edhe pritjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Steinmeier i bëri këto komente në Shkup, ku të martën qëndroi për vizitë zyrtare.

Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ai tha se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i arritshëm.

Ai nuk dha ndonjë afat për këtë, por theksoi nevojën e zbatimit të reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.

Kreu i shtetit gjerman tha se vizita e tij në Shkup është në funksion të përcjelljes së mesazhit se rajoni është në agjendën evropiane.

Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Steinmeier tha se normalizimi sa më i shpejtë i tyre është në interesin e BE-së.

“… për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha presidenti gjerman.

Propozimi që përmendi ai – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

Procesi i Berlinit “i rëndësishëm për rajonin”

Gjatë qëndrimit në Shkup, presidenti gjerman tha se rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka edhe bashkëpunimi mes shteteve që bëjnë pjesë në nismën e njohur si Procesi i Berlinit.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si platformë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – për të përshpejtuar përafrimin e tyre me BE-në.

Në kuadër të kësaj nisme u arritën edhe disa marrëveshje, të cilat i përmendi Steinmeier.

“Mendoj se udhëtimi me karta identiteti, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e BE-së për të ndihmuar në problemet energjetike paraqesin një progres të rëndësishëm dhe etablimin e rajonit në një treg të përbashkët”, tha presidenti gjerman.

Duke folur për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe paralajmërimet e zyrtarëve maqedonas se ky proces mund të rrumbullakohet deri në vitin 2030, Steinmeier tha se askush nuk mund të premtojë diçka të tillë.

Ai i inkurajoi drejtuesit e institucioneve që të punojnë në përmbushjen e reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.

“Do të doja që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet që procesi i reformave të lëvizë me shpejtësinë e nevojshme, shikuar nga këndvështrimi evropian. Shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Nuk mund të them nëse kjo do të ndodhë në vitin 2030”, tha Steinmeier.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, në Shkup, 29 nëntor 2022.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, në Shkup, 29 nëntor 2022.

“Ju duhet ta kuptoni se, për momentin, askush nuk mund ta thotë këtë, asnjë nga politikanët në Maqedoninë e Veriut, në Gjermani apo në Bashkimin Evropian. Këtë askush nuk mund ta premtojë, por duhet të punoni që të arrihet ky synim”, tha presidenti gjerman.

Ai, po ashtu, tha se e mirëpret mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus.

“Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm dhe si shtet anëtar i NATO-s po jep një kontribut të çmueshëm, të cilin ne e vlerësojmë lart”, u shpreh Steinmeier.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha se “vizita e presidentit gjerman në kushtet e ndryshimit të gjeopolitikës, kërcënimeve të sigurisë nga agresioni rus në Ukrainë dhe sfidave energjetike në kontinentin evropian, është konfirmim i miqësisë dhe vendosmërisë së Gjermanisë për të mbështetur rajonin”.

Ai theksoi se e vlerëson shumë përkushtimin e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Ne, tani 17 vjet, po përgatitemi për këto bisedime [për anëtarësim në BE]. Është periudha më e gjatë e përgatitjeve në historinë e BE-së. Ne jemi kandidati më i përgatitur për anëtarësim në BE në historinë e kësaj organizate. Unë jam i bindur se nëse ky proces nuk bazohet në aspektet historike dhe nëse bazohet në kriteret elementare evropiane dhe në vlerat evropiane, ne, në një afat rekord, do t’i mbyllim këto bisedime”, deklaroi Pendarovski.

Ai tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë partnere e besueshme e BE-së dhe NATO-s – si alternativa të vetme për të ardhmen e popullit dhe të shtetit në përgjithësi.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, mbajti një fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si dhe disa takime me drejtues të partive politike.

Maqedonia e Veriut ka nisur formalisht negociatat për anëtarësim në BE në muajin korrik.

blank

Bujar Osmani: Nëse dikush dëmtohet nga Ballkani i Hapur, ne s’do të jemi pjesë e nismës

Isuf Kadriu

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të dielën në Shkup se nisma e Ballkanit të Hapur synon thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, por ajo, sipas tij “nuk do të jetë e plotë pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Në një aktivitet me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dyja vendeve, Osmani tha se Maqedonia e Veriut mund të largohet nga Ballkani i Hapur nëse ndonjë nga shtetet do të dëmtohej nga kjo një nismë.

Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 16 tetor të vitit 2009

“Ballkani i Hapur është një nismë organike, një nismë e vendeve të rajonit, që krijon ndjesinë se ne edhe vet mund të bashkëpunojnë pa na ftuar dikush tjetër në ndonjë nismë tjetër. Por, problem i Ballkanit të Hapur është se aty nuk janë të gjitha gjashtë shtetet”, tha Osmani.

“Vlerësoj se janë legjitime qëndrimet e tri shteteve tjera që kanë vendosur të mos jenë pjesë e nismës. Detyra jonë është që të bëjnë përpjekje që t’i bindim, por ne përmes rezultateve duhet të dëshmojnë se jemi vlerë. Nëse nuk tregojmë rezultate atëherë s’ka se pse dikush të na bashkohet”.

“Ne, si Maqedoni Veriut nuk do të lejojmë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet. Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së cilit do shtet në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut i jep mbështetje Kosovës në të gjitha nismat dhe përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si në NATO, Këshillin e Evropës si dhe liberalizimin e vizave

“Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm Republikën e Kosovës në rrugën e njohjeve ndërkombëtare. Ne para disa ditëve i bëmë thirrje Bashkimit Evropian që menjëherë, pa asnjë vonesë të miratoj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ne po i japim mbështetje Kosovës edhe në Këshillin e Evropës për pranimin e saj në këtë institucion evropian, por edhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Sipas tij, kjo është rruga e vetme për të stabilizuar rajonin që të vazhdojë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Si vend anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në këtë kuadër i japim mbështetje përpjekjeve të Kosovës që të bëjë pjesë e aleancës”, tha ai.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.

blank

Opozita maqedonase kundër Ballkanit të Hapur, bllokon ligjet në Kuvend

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë samitit të Ballkanit të Hapur në Beograd. 2 shtator 2022.

 

Isuf Kadriu

Opozita maqedonase ka bllokuar miratimin e disa ligjeve në Kuvend që kanë të bëjnë me nismën Ballkani i Hapur.

Marrëveshjet për qasje të lirë në tregun e punës, për bashkëpunim në fushën e mjekësisë veterinare dhe të sigurisë ushqimore, si dhe për ndërlidhje dhe identifikim elektronik, janë bllokuar në komisionet e Kuvendit maqedonas që drejtohen nga partia opozitare, VMRO DPMNE.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha të mërkurën se propozim-ligjet nuk do të kalojnë për miratim në seancë plenare derisa Qeveria nuk e informon opozitën se për çfarë nisme bëhet fjalë dhe cili është qëllimi i Ballkanit të Hapur.

Ai tha se pret nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, që ta ftojë në takim dhe t’i sqaroj se çfarë kërkon Maqedonia [e Veriut] në një grupi rajonal me Serbinë dhe Shqipërinë.

“Kur të marrim të dhëna se cili është qëllimi i iniciativës dhe çfarë sjell ajo për vendin tonë, atëherë mund të ulemi dhe të flasim më konkretisht për mbështetje apo mos mbështetje”.

“Kam dëgjuar në një sqarim se nisma se është për bashkëpunim të fqinjësisë së mirë, por shpesh shtroj pyetjen se si kufizohn dy nga këto tre vende që janë në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Mickoski, duke aluduar në Shqipërinë dhe Serbinë të cilat nuk kufizohen me njëra tjetrën.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate, e cila drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, kërkoi të mërkurën nga VMRO DPMNE-ja që t’ua mundësojë ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

“Bëhet fjalë për marrëveshje me ratifikimin e të cilave qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë do të kenë mundësi të punojnë në cilindo nga tre vendet pa marrë leje pune, pa asnjë pengesë, pa aplikime dhe pritje, pa kosto administrative. Këto marrëveshje do të ofrojnë vende të reja pune, duke plotësuar mungesën e personelit në sektorin privat në secilin prej tre vendeve”, ka deklaruar Mile Taleski, deputet i LSDM-së.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.


Send this to a friend