VOAL

VOAL

Mbështetja e Lavrovit për ‘Ballkani i Hapur’ shqetëson edhe Shkupin

June 7, 2022
blank

Komentet

blank

Pritje disaorëshe në kufirin serbo-maqedon, me gjithë marrëveshjet e Ballkanit të Hapur

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Zërijeta Hajro Jajaga

Pritje me orë të tëra për të hyrë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, përmes pikës kufitare Tabanoc.

“…kur arrin, të them te pragu i shtëpisë, nuk është e drejtë të pritet kaq gjatë për kot, sepse në sytë e mi kjo pritje prej orësh është e kotë”, thotë Azir Hani, i cili bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët tregon se ka udhëtuar nga Zvicra, për t’i kaluar pushimet në Maqedoni të Veriut.

“Gjithë Evropën e kalova dhe ja, tani këtu po qëndrojmë me orë. Kjo nuk ka kuptim”, thotë një tjetër mërgimtar, i cili u identifikua vetëm si Jane.

“Në kufijtë e tjerë rastis që të kesh një ose, e shumta, tri vetura para teje, kurse këtu shihni se sa e gjatë është kolona”, thotë ai.

Pritjet në territorin e Serbisë në pikën e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Pritjet në territorin e Serbisë në pikën e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Shqipe Ameti, nga Presheva – komunë në jug të Serbisë – thotë se i ndodh që brenda javës të vizitojë dy herë familjarët që i jetojnë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

“Nga Presheva deri në Kumanovë rruga është një orë, kurse tri orë i humb në kufi”, thotë Shqipja, sipas së cilës, këto pritje në temperatura mbi 35 gradë celsius ndodhin “pa nevojë”.

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Megjithatë, sipas autoriteteve maqedonase, pritjet janë pasojë e fluksit më të madh të qytetarëve që kalojnë kufirin gjatë muajve të verës.

Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë së Veriut tha në njoftimin e së mërkurës se pritja në vendkalimin e Tabanocit zgjat rreth një orë.

Aktualisht, në këtë pikë funksionojnë pesë korsi për makina, dy për kamionë dhe një për autobusë.

Nga fillimi i korrikut ka qenë e paraparë që kontrollet e udhëtarëve dhe makinave të bëheshin vetëm në njërën pikë – domethënë, ata që hyjnë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut të kontrollohen vetëm në pikën doganore të Maqedonisë së Veriut.

Por, marrë parasysh se sistemi i integruar i kalimit kufitar nuk është ende në funksion, pasagjerët i nënshtrohen kontrollit të pasaportave në pikat e kontrollit edhe të Serbisë, edhe të Maqedonisë së Veriut.

Hapja e sistemit “One Stop” apo “Një ndalesë” në Tabanoc është promovuar qysh në vitin 2019 nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Atëbotë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tha se kishte ndarë 2.8 milionë euro nga arka e shtetit për realizimin e këtij projekti.

Megjithatë, gjendja në terren duket ndryshe.

Kolona në pritje e automjeteve transportuese në pikën e kalimit kufitar Tabanoc më 26 korrik 2022.

Kolona në pritje e automjeteve transportuese në pikën e kalimit kufitar Tabanoc më 26 korrik 2022.

“Kamionin e kam të ngarkuar me kumbulla… Më thoni ju tani, në këto temperatura që janë mbi 35 gradë, nëse është në rregull që të pres… Malli sa s’është prishur nga i nxehti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Goran Tanev, transportues, duke treguar se është lënë të presë për më shumë se dy orë.

Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë – si vende të nismës së njohur si Ballkani i Hapur – kanë rënë dakord, madje, edhe për një korsi të veçantë në Tabanoc për qytetarët e këtyre tri vendeve.

Ndonëse nga zyrtarët është thënë se ajo do të përshpejtojë qarkullimin e udhëtarëve dhe të mallrave, një shofer kamioni shprehet pesimist:

“Çfarë Ballkani i Hapur, asgjë nuk funksionon në praktikë. Radhët mbeten të gjata”, thotë Time Iliev.

Drejtoresha e Drejtorisë së Doganave në Maqedoninë e Veriut, Sllavica Kutirov, thotë se po punohet në drejtim të hapjes së një korsie të veçantë për vendet anëtare të Ballkanit të Hapur, por nuk saktëson se kur do të mund të vihet në funksion.

Në anën tjetër, Bilana Muratoska, nga Asociacioni i Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, Makam-Trans, thotë se nuk pret që transportuesit të kenë ndonjë përfitim të dukshëm nga marrëveshjet që bëjnë udhëheqësit e Ballkanit të Hapur sa i përket lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.

“Në Tabanoc kemi dyfishim të detyrave, inspektimi bëhet nga njëra palë, ashtu siç bëhet edhe nga pala tjetër – pra ajo maqedonase dhe ajo serbe dhe anasjelltas, pavarësisht se tani janë në një pikë të përbashkët kufitare”, thotë Muratovska për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, gjendjen e përmirëson vetëm kontrolli përmes një sistemi të unifikuar të të dhënave – e, nëse ndonjëherë do të arrihet deri këtu, mbetet të shihet.

blank

Familja nga Kosova me kallëzim penal kundër spitalit “Zhan Mitrev”

Sanija me djalin e saj, Edonin – Fotografi nga arkivi i Sanijas.

Zërijeta Hajro Jajaga

“Djalin e dërgova në spitalin ‘Zhan Mitrev’, në tetor të vitit të kaluar, në këmbë të veta. Aspak në gjendje kritike. Dhe u desh ta marr në arkivol”.

Kështu nis rrëfimin për Radion Evropa e Lirë Sanija Gjakova, një grua nga Prishtina, e cila është në mesin e së paku tetë familjeve të tjera që kanë ngritur kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, “Zhan Mitrev”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas vdekjes së të afërmve të tyre.

Djali i Sanijas, Edoni, 43 vjeç, ka vdekur në dhjetor të vitit të kaluar, pas, siç thotë e ëma, një trajtimi prej rreth dy muajsh në “Zhan Mitrev”.

Ky spital ka përbërë tituj lajmesh këtë javë, pasi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetime kundër tij, nën dyshimet për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve që kanë vdekur, përfshirë disa të sëmurë me sëmundjen COVID-19.

Hetimet kanë nisur pasi rrjeti i gazetarisë hulumtuese, IRL, ka transmetuar më 18 korrik një emision me titull “Gjaku i papastër”.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar, i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti.

Ky trajtim, sipas IRL-së, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

“Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë gazetarja Sashka Cvetkovska, pjesë e grupit hulumtues.

Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”

Sashka Cvetkovska

Në reagimin e parë, spitali i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato janë “të fabrikuara” për të krijuar “një imazh të rremë”.

Nga IRL-ja kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se rasti i Edon Gjakovës nga Kosova është përfshirë në raportin e tyre hulumtues “Gjaku i papastër”.

Edoni është infektuar me baktere, thotë e ëma

Nëna e Edonit, Sanija, thotë se djali i saj ka bërë kontrolle të rregullta vjetore në spitalin “Zhan Mitrev”, pasi, 13 vjet më herët, kishte pësuar arrest kardiak.

Në tetor të vitit të kaluar, kujton ajo, Edoni ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin në Shkup, për shkak të disa shqetësimeve në bark.

Kanë kaluar disa ditë derisa u është nënshtruar kontrolleve dhe trajtimeve të ndryshme, të cilat, siç thotë ajo, i ka vetëfinancuar me mijëra euro.

“Pas laparoskopisë, Edonit ka filluar t’i përkeqësohet gjendja. Unë e pyeta doktoreshën se përse kollitet… Më tha se qëndron i shtrirë…”, thotë Sanija.

Këtë kontroll mjekësor, Edoni e ka kryer në mes të nëntorit, sipas nënës së tij. Mjekët, tregon ajo, i kanë thënë se dyshojnë se pacienti ka “ndezje të zorrës së trashë”.

Gjendja e tij ka vazhduar të rëndohet dhe, më 13 dhjetor, pas konfirmimit të marrë nga familja, mjekët në “Zhan Mitrev” kanë vendosur ta trajtojnë Edonin me filtrim gjaku – pas të cilit trajtim Edoni ka vdekur.

Nëna e tij dyshon se ai është infektuar me baktere vdekjeprurëse, që, siç thotë, ka dëgjuar se kanë qarkulluar në spital në atë kohë.

Ajo thotë se dyshimet i janë rritur edhe më shumë kur në fletëlëshimin e spitalit, pas vdekjes së Edonit, ka parë të ketë shkruar se ky institucion “e ka trajtuar mirë të ndjerin dhe familja e tij nuk do ta padisë për asgjë”.

Pas këmbënguljes së familjes, thotë Sanija, spitali e ka hequr këtë fjali nga raporti.

Në prill të këtij viti, familja Gjakova, përmes avokatit nga Shkupi, Asmir Alispahiq, ka ngritur kallëzim penal kundër punonjësve të spitalit “Zhan Mitrev” për trajtim joadekuat të Edonit.

Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore”

Asmir Alispahiq

“Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore [gjatë trajtimit të Edonit]”, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati Alispahiq, pa ofruar shumë detaje.

“Autoritetet e spitalit e kanë hartuar dokumentacionin mjekësor në atë mënyrë që palët e dëmtuara të mos kenë mundësi të informohen për arsyen që ka çuar te vdekja e pacientit”, thotë Alispahiq dhe shton se për këtë rast, ka informuar edhe rrjetin hulumtues, IRL.

Pas transmetimit të hulumtimit të këtij rrjeti, kanë dalë edhe qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut që kanë paralajmëruar hapa ligjorë kundër spitalit “Zhan Mitrev”.

“Mjekët më jepnin informacione kundërthënëse”

Një ndër ta është Valentin Allçev, 43 vjeç, nga qyteti i Velesit, nëna e të cilit, 72 vjeçe, ka vdekur në spitalin “Zhan Mitrev”, në janar të këtij viti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjatë qëndrimit disaditor të nënës së tij në spital, është përballur me informacione kundërthënëse nga vetë mjekët.

“Mjekët në telefon më thoshin një gjë dhe, kur shkoja në vizitë, më thoshin diçka tjetër”.

“Ua kërkova rezultatet e gjakut, por nuk m’i dhanë. Një mjek më tha se nënës i është rritur njësia e leukociteve… Mjekja tjetër më tha se nëna ka bakter në gjak”.

Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thanë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit”

Valentin Allçev

“Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thënë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit”, thotë Valentini.

I dyshimtë, sipas tij, është fakti se në fletëlëshimin që i ka dhënë spitali, pas vdekjes së nënës, nuk përmendet askund se pacientja ka pasur bakter.

“Fletëlëshimin e kam marrë pas tri javësh, nuk thuhet gjëkundi se ka pasur bakter, por vetëm se është trajtuar për COVID-19”, thotë Valentini.

Çfarë thonë nga “Zhan Mitrev”?

Nga spitali “Zhan Mitrev” thonë për Radio Evropa e Lirë se të gjithë pacientët marrin fletëlëshime të plota, ku janë të shënuara të gjitha trajtimet, medikamentet dhe procedurat e trajtimit, por nuk komentojnë raste individuale.

Ata shtojnë se bashkëpunojnë me institucionet dhe se do të ofrojnë gjithçka që kërkohet prej tyre.

Institucionet kërkojnë më shumë kohë për hetime

Përgjegjësia mjekësore apo institucionale në rastin e spitalit “Zhan Mitrev”, aktualisht, nuk është përcaktuar.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, kërkoi më shumë kohë për hetimin e rastit dhe marrjen e informacioneve konkrete.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë konferencës me gazetarë.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë konferencës me gazetarë.

Në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Shkup, Sali nuk dha përgjigje konkrete mbi pretendimet për eksperiment, e as për përdorimin e metodës së filtrimit të gjakut, e cila aplikohet te pacientët me sëmundje të rënda dhe lejohet te pacientët me COVID-19.

Ai tha se gjatë pandemisë COVID-19, asnjë sistem shëndetësor nuk ka përdorur trajtime të bazuara në fakte. Sipas tij, “trajtimet janë bazuar vetëm në rekomandime”.

Nga inspektimi i Agjencisë për Barna dhe Pajisje Mjekësore të Maqedonisë së Veriut, e cila duhet të konstatojë nëse është ndjekur procedura e testimeve klinike të pastrimit të gjakut ose jo, nuk ka ende rezultate.

“Është logjike që të jepet pak kohë për të përcaktuar gjithçka sipas protokolleve, rregulloreve dhe ligjeve”, tha Lirim Shabani, drejtor i kësaj agjencie.

Gazetarja e IRL-së, Sashka Cvetkovska, që ka hulumtuar rastin, thotë se shpreson, ashtu si edhe gjithë publiku, që institucionet ta zgjidhin atë.

“Do të isha shumë e zhgënjyer nëse kjo nuk ndodh”, thotë Cvetkovska për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë treguan inspektimet e mëparshme?

Në tre vjetët e fundit, Inspektorati Sanitar Shtetëror i Maqedonisë së Veriut ka kryer 45 inspektime të rregullta dhe 52 inspektime të jashtëzakonshme në 12 institucione shëndetësore private.

Detajet i bëri të ditura drejtoresha Irinka Sotirovska Buhova, e cila tha se në “Zhan Mitrev” janë kryer tri kontrolle të rregullta dhe nëntë të jashtëzakonshme – pesë prej të cilave për raportim të trajtimit jashtë protokollit. Por, sipas saj, pas inspektimit, këto mangësi janë sanuar.

blank

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez

Isuf Kadriu

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitë nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim.

Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.

Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.

Çka përmban propozimi francez?

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.

Por deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhduan me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.

Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

blank

Kushtet e Bullgarisë- Pse po sulmohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Në Shkup ende vazhdojnë protestat kundër “sakrificave” që u kërkohen maqedonasve në këmbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Organizatorë janë opozitarët e VMRO-DPMNE dhe grupime proruse, kryesisht nacionalistë që përdorin retorikën e rrezikut nga bullgarizimi i vendit. “I bëjmë thirrje çdo familjeje të shpalosë flamurin maqedonas në ballkonin apo dritaren e tyre” kërkuan organizatorët e protestës së radhës, me moton “Ulitmatum, JO faleminderit!”

blank

 

blank

Çfarë kërkojnë protestuesit

Opozita kërkon të refuzohet “propozimi francez”, që bëri të mundur heqjen e vetos së Bullgarisë për negociatat. Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të njohë zyrtarisht se gjuha e saj ka rrënjë bullgare, të njohë pakicën bullgare në vend dhe të heqë “gjuhën e urrejtjes” kundër Bullgarisë.
Dokumenti i njohur si “Propozimi francez” premton se Maqedonia e Veriut do t’i përfshijë pakicat bullgare në Kushtetutën e saj. Opozita kundërshton.

“VMRO DPMNE nuk do të mbështesë asnjë ndryshim të Kushtetues për këtë të jeni të sigurtë dhe edhe qytetarët të jenë të sigurtë se çfarëdo që të ndodh me këtë tradhëti kombëtare që e përgatit qeveria LSDM-BDI, VMRO-DPMNE nuk do ta pranojë asesi. Për këtë janë të nevojshme 81 deputetë”, tha Micksoki.

blank

Protestat dhe shqiptarët

Kulmi i tensioneve ishte të mërkurën,. Gati 50 policë u plagosën nga bombat molotov, fishekzjarret dhe goditjet me gurë. Të maskuar me kapuçë, protestuesit sulmuan policët, hodhën lëndë djegëse dhe tentuan të hyjnë me forcë në Kuvend në një përpjekje të ngjashme me 27 prillin e vitit 2017.
Por mes dhunës dhe kaosit të protestës në Shkup, mori vëmëndje të madhe një incident në rrugët e Shkupit. Shqiptari, i quajtur Isuf Koka doli me pistoletë në dorë dhe iu drejtua turmës së maqedonasve duke qëlluar në ajër.

Protestuesit u larguan të trembur, ndërsa Isuf Koka u arrestua megjithëse armën e mbante me leje.
Akti u krye në një moment tensioni. Pas shqiptarit me pistoletë në dorë duket statuja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Lëvizja e turmës së maqedonasve në atë kah ishte e qëllimshme. Aty pranë qenë bizneset e shqiptarëve, që ishin të detyruar t’i dalin për zot pronës së tyre, përballë një turme nacionalistësh të dalë nga kontrolli. Por përse sulmohen shqiptarët, për kushtet që u vendos Bullgaria?

blank

Shakaja e pamenduar e Edi Ramës

Shkëndia që u shfrytëzua për të ndezur flakën e urrejtjes kundër shqiptarëve, qe një shaka e kryeministrit të Shqipërisë. Kur Edi Rama prezantoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitri Kovaçevski para kancelarit gjerman, Sholc ai nuk i rezistoi dot batutës dhe u shpreh: Në të ardhmen Bullgaria Perëndimore.

Kovaçevksi qeshi.

Disa ditë më pas, rrugët e Shkupit u mbushën plot. Atë që Rama e tha me shaka, opozita maqedonase e përdor si retorikë frike për të nxitur njerëzit të dalin në rrugë. “Dje kur u prezantua si kryeministër i Bullgarisë së ardhshme perëndimore, Kovaçevski po të kishte një gram dinjitet do të reagonte në mbrojtje të vendit të tij” u shpreh kreu i VMRO-DPMNE.

blank

Qëndrimi i partive shqiptare për propozimin francez

Politikisht, partitë shqiptare e kanë përshëndetur propozimin francez, pasi nuk kanë asnjë ndjesi në lidhje me identitetin maqedonas, për të cilin kundërshton opozita.

Ali Ahmeti i BDI-së pas takimit me Kovaçevskin thase tha se vendi duhet ta pranojë propozimin dhe me të të vuloset ardhmëria evropiane.

“Për të mirën e të gjithëve, për ardhmërinë e sigurtë dhe progresive le ta shfrytëzojmë këtë mundësi historike dhe të vulosim njëherë e përgjithmonë fatin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian” tha Ahmeti.

Edhe Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët e pranoi propozimin francez, megjithëse në opozitë.

“ASh është në anën e vazhdimit të rrugëtimit evropian, jemi në anën e mos krijimit të alternativave të tjera çfarëdo qofshin, qofshin të quajtura Ballkani i Hapur. Alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe asgjë tjetër hiç” u shpreh Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

Me gjasë, propozimi francez diskutohet të hënën në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Forcat që e kundërshtojnë kanë mbetur pakicë dhe në qendër të sulmeve të tyre janë shqiptarët.

blank

Pas zmbrapsjes spektakolare që u bëri turmës së ekstremistëve maqedonas, Isuf Koka u arrestua nga policia. Vëllai i tij që ishte punonjës i Bashkisë së Shkupit u largua nga puna. Kreu i VMRO-DPMNE, Kristian Mickovski tha se shqiptari i armatosur ishte nisur për ta vrarë, por pas daljes së pamjeve në rrjetet sociale u duk se e gjitha ishte një gënjeshtër. Filmimet tregonin se drejt hotelit të Isuf Kokës në hyrje të Çarshisë ishte nisur një turmë që qëllonte me gurë. Pas tij dukej busti i Skënderbeut.

“Unë nuk jam për dhunë, nuk jam për armë, jam për mënyrë të qetë për protestat, por kur ka parë se i rrezikohej jeta dhe pronat, ai është çuar. Nuk e arsyetoj përdorimin e armëve, por s’ka pas ku me shku. Te ne është problem, se në vend të arrestohet sulmuesit, arrestohet mbrojtësi. Nuk reagoi polici, çfarë duhet të bëjmë? T’i lëmë të hyjnë?” tha babai i Isuf Kokës, duke shpjeguar se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me problemet mes bullgarëve dhe maqedonasve, por kjo nuk është hera e parë që janë dëmtuar nga protestat e ekstremistëve antishqiptarë.

blank

SHBA i bën thirrje Shkupit të miratojë propozimin francez

RFE/RL

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin e Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, gjë që do t’i hapte derë integrimit evropian.

Në letrën e hapur, ambasadorja Byrnes ka thënë se “populli dhe institucionet e këtij vendi (Maqedonisë së Veriut) kanë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së në rrugëtimin drejtë BE-së, për marrjen e një vendimi, i cili sado që mund të jetë i rëndë, është i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”.

“Anëtarësimi në BE do ta bëjë vendin tuaj më të fortë. Anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare, aq më pak pjesëmarrja në ato procese, është punë e vështirë dhe vjen me vendime të vështira… Por, pranimi i këtij propozimi do të thotë që më në fund do të keni një vend në tryezën e negociatave të anëtarësimit. I vendos vendet anëtare të BE-së, shumë prej të cilave janë partnere dhe aleate tuaj të ngushta, në një dhomë me ju… Pasi të filloni negociatat, do të keni më shumë mjete dhe falë metodologjisë së re, qasje më të hershme në fondet dhe programet e BE-së – të cilat mund t’i përdorni për të realizuar qëllimet tuaja dhe për të ndërtuar të ardhmen që dëshironi për veten dhe fëmijët tuaj”, ka shkruar ambasadorja amerikane.

Sipas saj, propozimi i ri francez nuk cenon gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe se përmbajtja e tij më shumë është teknike.

“Ai (propozimi) njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe i mbron ato nga sfidat e mëtejshme. Megjithëse mund të mos jetë i përsosur, propozimi bën atë që është e domosdoshme: mbron interesat tuaja thelbësore dhe nis negociatat dhe procesin dinamik të shqyrtimit. Në këndvështrimin tonë pragmatik, ai përfaqëson realisht mundësinë më të mirë për ta çuar, më në fund, vendin tuaj përpara në rrugën e tij drejt BE-së, duke forcuar kontrollin mbi të ardhmen tuaj”, vlerëson Byrnes

Ajo shton se “zgjedhja për të ecur përpara është vendimi juaj si një komb sovran – dhe ne e dimë se është një zgjedhje e vështirë”

“Në tryezën e bisedimeve, nëse mendoni se shqetësimet tuaja nuk po trajtohen, mund të bëni zgjedhje të tjera. Ju duhet të bëni hapin e parë për të arritur në të dytin”, thotë ambasadorja amerikane, Kate Marie Byrnes, në letrën e hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Të mërkurën edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre i është drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, i cili sipas Macronit, i hap rrugën integrimit evropian.

“Një mundësi historike po hapet, zgjedhja është e juaja”, u tha qytetarëve maqedonas presidenti francez Macron, në letrën e publikuar të enjten nga ambasada franceze në Shkup.

Macron nuk pretendon se propozimi francez është i përsosur, por thotë se e fut vendin në Bashkimin Evropian.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se Bashkimi Evropian do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Poashtu në këtë propozim thuhet që Maqedonia e Veriut duhet të “nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Propozimi francez është mbështetur nga Bullgaria, e cila edhe vendosi të heq veton ndaj Shkupit për nisjen e bisedimeve me BE-në, të cilën e kishte vendosur në nëntor të vitit 2020.

Partitë qeverisëse në Shkup mbështetin propozimin francez, por ai kundërshtohet nga opozita maqedonase e cila për çdo ditë po organizon protesta, të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë nëpër rrugët e Shkupit.

 

blank

Protestuesit maqedonas i sulmuan biznesin, shqiptari nuk duron dhe shkreh armën

Protesta e opozitës maqedonase kundër propozimit francez, u shoqërua me incidente në Shkup.

Mbështetësit e VMRO-DPMNE sulmuan edhe bizneset, mes tyre edhe të shqiptarëve.

Pronari i hotel De Koka, Isuf Koka u arrestua nga policia maqedonase pasi gjuajti dy-tre plumba në ajër, kur hoteli i tij dhe dy dyqanet në sheshin Skenderbeu u sulmuan nga protestuesit maqedonas.

Dhjetëra huliganë maqedonas filluan të gjuanin gur në drejtim të dyqaneve te parkingu i Skenderbeut, ndërsa u dëmtuan edhe disa vetura të parkuara. Pasi policia po reagonte me vonesë dhe turma tentoi të futet në Çarshi, pronari i hotel De Koka dhe dy dyqaneve tjera, Isufi nxori pistoletën me leje dhe gjuajti dy-tre plumba në ajër.

Protestuesit u larguan, ndërsa pas disa minutave, ai u arrestua.

Në ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, është munduar që nëpërmjet këtij incidenti, ta kthejë vëmendjen nga ai.

Në profilin e tij në Facebook, Mickoski shkruan se “ky është personi që sonte deshi të më vrasë”.

Megjithëse e vërteta është krejtësisht tjetër – në kohën kur Mickoski dhe turma e madhe kaloi urën dhe arritën gati te Ministria e Punëve të Jashtme, dhjetëra huliganë provokuan situatën në Çarshi dhe Isufi gjuajti në mbrojtje të pronës private./ Koha.net

blank

Protestuesit në Shkup thyejnë xhamat e MPJ-së dhe sulmojnë policinë

Protesta para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku protestuesit gjuajnë me mjete të forta drejt policisë. Shkup, 5 korrik 2022.

Zërijeta Hajro Jajaga

Në ditën e katërt të protestave me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, protestuesit maqedonas kanë thyer xhamat e Ministrisë së Jashtme dhe kanë sulmuar policinë.

Si rrjedhojë, dy protestues janë arrestuar, ndërsa ende nuk dihet nëse ka policë të lënduar. Gjatë protestave të ditës së hënës, katër policë ishin lënduar.

Protesta, e cila ka filluar para objektit të qeverisë, ka vazhduar më pas tek MPJ, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe gjësende të forta, duke thyer xhamat e përparmë të ministrisë.

Protesta kundër pranimit të propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në. Foto gjatë arrestimit të një protestuesi. Shkup, 5 korrik 2022

Protesta kundër pranimit të propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në. Foto gjatë arrestimit të një protestuesi. Shkup, 5 korrik 2022

Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që “ta mësoj historinë maqedonase”.

Në pankartat e protestuesve emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osmani.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen Kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit.

Protestuesit mbajnë në duar pankartë ku emri i ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani është deformuar në Bugar Osmani. Shkup, 5 korrik 2022.

Protestuesit mbajnë në duar pankartë ku emri i ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani është deformuar në Bugar Osmani. Shkup, 5 korrik 2022.

Protestuesit në fund kanë ndaluar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në protestën që vazhdoi deri rreth orës 22:00 të 5 korrikut.

Një grup i maskuar i protestuesve kanë thyer kordonin e policisë dhe në drejtim të tyre kanë hedhur gjësende të forta, lëndë piroteknike, letër tualeti dhe vezë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, ishte dëshmitar i arrestimit të dy protestuesve, të cilët kishin sulmuar policinë.

Policia ka arritur që t’i shpërndajë protestuesit para Kuvendit, duke vendosur situatën nën kontroll.

Këto protesta janë kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare rreth të kaluarës dhe çështjes së identitetit maqedonas.

Protestuesit hedhin thyejnë xhamat dhe hedhin mjete të forta në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shkup, 4 korrik 2022.

Protestuesit hedhin thyejnë xhamat dhe hedhin mjete të forta në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shkup, 4 korrik 2022.

Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Sipas tyre, francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.

Gjatë protestës s, policia maqedonase tha se janë lënduar katër policë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka bërë thirrje për protesta të qeta dhe demokratike duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe këtë të drejtë askush nuk guxon tua mohojë.

“Dhuna ndaj atyre që kujdesen për rendin – policisë maqedonase , ndaj institucioneve nuk do të sjell asgjë. Dje kishim tentim për eskalim të situatës, kemi 4 polic të lënduar”, ka thënë ai.

Gjatë protestës së një ditë më parë, një grup i qytetarëve të udhëhequr nga lideri i partisë ‘E Majta’, Dimitar Aapsiev, i cili njihet për qëndrimet e tij nacionaliste, theu rrethojën e vendosura para Qeverisë dhe në drejtim të Policisë dhe ndërtesës qeveritare hodhën letra tualeti, shishe plastike, topa uji, mjete piroteknike dhe vezë.

Kovaçevski: E pa tolerueshme të protestohet me maska

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski gjatë ditës ka thënë se protestat e dhunshme nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Po, protestojnë njerëz që mbajnë maska , të cilët godasin policinë. Po, kemi polic të lënduar. çdo kush mund të protestoj për çdo çështje. Por qëllimi që të shkohet në protesta me maska është I pa tolerueshme për një shtet që kaloi 27 prillin. Kjo nuk guxon të na ndodhë. Mbrëmë e patë se policia u tërhoq. Këtu bisedohet për propozim të ofruar nga Bashkimi Evropian” ka deklaruar kryeministri I Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethuar nga forca policore gjatë protestave që po mbahen në Shkup kundër propozimit francez

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethuar nga forca policore gjatë protestave që po mbahen në Shkup kundër propozimit francez

Ndryshe, përmes propozimi francez i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues.

Bullgaria tashmë dy vjet, përmes vetos, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, me këtë edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

blank

Bujar Osmani: Propozimi i ri francez e njeh maqedonishten si gjuhë zyrtare në BE

Isuf Kadriu

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi të shtunën se propozimi i modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, e mbyll çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase, të cilat, sipas tij pranohen si të tilla nga Bashkimi Evropian.

“Bullgaria mund të mbajë qëndrimin e saj për gjuhën maqedonase, por kjo nuk do të jetë e pranueshme për BE-në në kuadër të negociatave. Propagandistët thonë se kjo është një qorrsokak, ne do të bullgarizohemi, por ne jemi këtu për të çmontuar narrativë të tillë ”, ka deklaruar Osmani duke sqaruar propozimin francez për të cilin në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen konsultimet me të gjithë faktorët në vend.

Osmni ka thënë se propozimi mund të kaloj vetëm me vendim të qeverisë pa pasur nevojë për votim nga Parlamenti, siç kishte deklaruar më parë kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Për kreun e diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, “dallimi më i madh” ndërmjet propozimit të ri dhe atij të vjetër francez është se “gjuha maqedonase mbetet e mbrojtur në BE dhe propozimet e deritanishme si “gjuha e Maqedonisë së Veriut”, “gjuha sipas Kushtetutës” dhe fusnota me një yll se “gjuha maqedonase për Bullgarinë është e papranueshme, janë refuzuar”.

Ai tha se maqedonishtja njihet nga BE-ja dhe me procesin e anëtarësimit, do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së”.

Bullgaria në vazhdimësi ka insistuar se gjuha maqedonase është një dialekt i gjuhës bullgare, sikur edhe identiteti i saj, që sipas Sofjes ka “rrënjë bullgare”.

Kjo ka bërë që Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 të përdorte veton për bllokimin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Bullgaria me propozimin e parë të Francës ka insistuar edhe në përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut para se të nisin bisedimet e anëtarësimit, por me modifikimin e propozimit, sipas Ministrit Osmani, kjo do të ndodhë para hapjes së kapitullit të parë të bisedimeve.

“Propozimi që ishte më herët parashikonte që fillimisht të miratohen ndryshime kushtetuese, pastaj të fillonin negociatat. Tani ka fillim të negociatave, konferencë të parë ndërqeveritare, hapja e negociatave, procesi i plotë i skriningut dhe para hapjes së kapitullit të parë, duhet ne të bëjmë ndryshime kushtetuese”, ka theksuar Osmani.

Drejtuesit e institucioneve ka thënë se propozimi i ri nuk përfshin çështjet historike që janë gjithashtu një kontest i hapur mes Shkupit dhe Sofjes.

Opozita maqedonase propozimin e ka vlerësuar “të dëmshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase.

Sipas VMRO DPMNE-së, propozimi i ri nuk dallon nga propozimi i parë, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike.

Kjo parti konsideron se ndryshimet janë “kozmetike” apo se ka “ndryshim të terminologjisë që nuk i ndryshon kuptimin propozimit të parë”.

Gjuha maqedonase dhe identiteti jonë nuk njihen nga pala bullgare. Ato kanë prejardhje bullgare. Për të gjitha personalitetet historike do të themi se janë bullgarë”, ka thënë VMRO DPMN-ja.

Opozita për të shtunën në mbrëmje ka paralajmëruar një protestë para qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

blank

Lëkundet qeveria në Shkup, opozita këmbëngul për zgjedhje të parakohshme

Opozitarë dhe qeveritarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut janë kundër propozimit francez, i cili mundëson heqjen e vetos bullgare që vendi bashkë me Shqipërinë të marrin datën për fillimin e negociatave me BE-në.

Partitë e vogla të koalicionit Partia Liber Demokrate (PLD), DOM dhe Lidhja Demokrate e Pavle Trajanovit kanë bërë të qartë dje se nëse kryeministri Dimitar Kovaçevski e pranon propozimin francez, atëherë ata do të braktisin koalicionin qeverisës, përcjell INA.

Kryetari i PLD-së, Goran Milevski, tashmë ka deklaruar se e kundërshton planin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Sofjes dhe Shkupit dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Si argument pse është kundër, Milevski në Facebook ka shkruar se mosmarrëveshjet bilaterale nuk duhet të bëhen kushte evropiane, se çdo zgjidhje e propozuar duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit të Maqedonisë, gjuha nuk mund të jetë kompromis, sepse tashmë është çështje e zgjidhur me Marrëveshja e Prespës. Qëndrime të ngjajshme kanë shprehur edhe krerët e partive të tjera, që nëse do dalin atëherë Qeveria e Kovaçevskit do ta ketë fatin e njëjtë me ate të Petkovit në Sofje.

Nga ana tjetër, kjo çarje brenda Qeverisë është shfrytëzuar nga opozitarja VMRO-DPMNE, e cila sërish ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE në një konferencë për media kërkoi nga partnerët e koalicionit në Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së që ta refuzojnë propozimin dhe i bëri thirrje Kovaçevskit, nëse mendon se propozimi është i mirë, të shkojë në zgjedhje. Nga kjo parti thonë se propozimi francez ka marrë pëlqimin edhe nga kryeministri Kovaçevski dhe ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe se ai duhet të ketë kaluar nëpër kanalet e komunikimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Republikës Franceze.

“VMRO-DPMNE e refuzon propozimin e Parisit dhe mendon se ai çon vetëm në asimilimin e maqedonasve dhe bullgarizim të shtetit. Por, nëse Kovaçevski mendon se propozimi është i mirë, atëherë shkoni në zgjedhje. Pra le të zgjedhë populli”, deklaroi VMRO-DPMNE. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje përmes rrjeteve sociale porositi se formalisht ende nuk e kanë marrë propozimin e Francës, të harmonizuar nga ana e 27 vendeve-anëtare të BE-së. Ai thekson se çfarëdo që të jetë teksti i harmonizuar përfundimtar, duhet të plotësohen disa kushte që i njëjti të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Maqedonisë.

Kushtet e kërkuara nga Kovacevski: Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas, Çështjet historike nuk mund të jenë kriter në kornizën negociuese, Negociatat mes RMV-së dhe BE-së duhet të fillojnë para nisjes së procedurës për ndryshime kushtetuese për futjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës, Patjetër të ketë garanci të forta edhe nga Bullgaria, edhe nga BE-ja se nuk do të vendosen kushte të reja jashtë asaj që do të dakordohet në kornizën negociuese dhe protokollin dypalësh. -Çdo zgjidhje do të duhet të konsultohet edhe me institucionet e RMV-së.

blank

VIDEO/ 50 mijë njerëz në shesh! Protesta në Shkup nga opozita kundër deklaratës së Edi Ramës

Protesta në Maqedoninë e Veriut nga opozita kundër deklaratës së Rames për Kryeministrin e Bullgarisë Perëndimore.

Janë më shumë se 50 mijë mbështetës të opozitës maqedonase në këtë protestë kundër Edi Ramës dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Gjatë takimit të Selanikut, Edi Rama e prezantoi kryeministrin maqedonas, Kovaçevski si kryeministër të Bullgarisë Perëndimore.

Kjo deklaratë e Ramës, e quajtur prej tij si batutë, ndezi tensionet politike në Shkup, nga ana e opozitës, të cilët kanë nisur protestat. syri.net

blank

Avionët luftarakë amerikanë F-35 zbarkojnë në Shkup

Avionët luftarakë F-35 që i përkasin Gardës Kombëtare të shtetit të Vermont të SHBA-së kanë arritur sot në Shkup. SHBA ka dërguar këta avionë luftarakë për herë të parë në Maqedoninë e Veriut.

Dy avionët amerikanë F-35 u mirëpritën në Aeroportin e Shkupit edhe nga ministrja e Mbrojtjes Slavjaka Petrovska raporton Gazeta Express.

“Aterimi i këtyrë avionëve në territorin maqedon që është teknologjia e fundit është provë e lidhjes së pathyeshme që ekziston mes neve dhe aleatëve të NATO-s”, tha ajo

Kolonel Lejtnant John McRae nga Garda Kombëtare e Vermont tha se partneriteti afatgjatë është i bazuar në këtë e që garanton sigurinë e përbashkët.

“Pikërisht përshkak të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, si një aleat ne mund të ndajmë sigurinë që vie nga kontrolli i hapësirës ajrore dhe zbarkimin e shpejt dhe të avancuar për avionët F-35”, tha ai.

blank

Nis punimet Forumi i Prespës për Dialog

Mikpritës i Forumit të Prespës për Dialog është presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Zërijeta Hajro Jajaga

Udhëheqës të vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot e nesër në Forumin e Prespës për Dialog, që zhvillon punimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Tema e forumit është: “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne evropiane të sigurisë”.

Nikoqir i ngjarjes është presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Nga Kosova merr pjesë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe presidentët apo kryeministrat e Sllovenisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Nga personalitetet ndërkombëtare marrin pjesë: kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel, komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, si dhe sekretarja e përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid.

Personalitete nga komuniteti akademik, biznesi, media dhe sektori qytetar do të marrin pjesë po ashtu.

Këtë vit, Forumi i Prespës për Dialog përkon me katërvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila i ka dhënë fund një kontesti për emrin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Marrëveshja e Prespës, e cila është nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, i ka hapur më pas rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Sipas autoriteteve në Shkup, Forumi i Prespës për Dialog paraqet një platformë për t’i mbrojtur, promovuar dhe kanalizuar përfitimet e marrëveshjeve politike.

Por, në opinionin publik ka mendime të ndara nëse Marrëveshja e Prespës, krahas largimit të bllokadës për anëtarësim në NATO, i ka hapur edhe perspektivat e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, vazhdimisht kritikon pushtetin për ndryshimin e emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut – pa marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar për integrimin evropian.

Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeminstër për Çështje të Integrimeve të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja e Prespës i ka zhgënjyer qytetarët.

“Tani, disa vite më vonë, ne shohim se të gjitha ato pritje ishin joreale, gjë që në formë plotësuese e përforcon ndjenjën e frustrimit te qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dëshpërimin nga procesi i përgjithshëm i integrimeve”.

“Nëse edhe më tej mbetet e paqartë perspektiva evropiane, vlerësoj se do të përforcohen të gjitha tezat se Marrëveshja e Prespës duhet të pësojë adaptime të caktuara”, thotë Naumovski.

Por, sipas ish-diplomatit, Muhamed Halili, nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës paraqet një hap shumë të rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Halili thotë se zhvillimet në Ukrainë, pas pushtimit rus, vënë edhe më shumë në shprehje rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, e cila ka mundësuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Imagjinoni ju që në këtë fazë të krizës ukrainase, Maqedonia e Veriut të mos ishte shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s! Dhe, me një strukturë të tillë të dobët financiare, ekonomike, ushtarake, a do të mund t’u bënte ballë synimeve ruse për zgjerim, jo vetëm në atë pjesë të Rusisë së dikurshme, por edhe në Ballkan…”, thotë Halili.

Maqedonia e Veriut, që nga viti 2005, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Edhe pse ka hapur dyert për fillimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2018, Bashkimi Evropian nuk i ka nisur ende ato, as me Maqedoninë e Veriut, as me Shqipërinë.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka vënë bllokadë, për shkak të disa kontesteve midis dy vendeve, që lidhen me gjuhën dhe identitetin.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Forumi i Prespës për Dialog është lansuar vitin e kaluar si platformë për ndërtimin e mirëbesimit dhe dialogut politik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.


Send this to a friend