VOAL

VOAL

Pendarovski: Ka kaluar koha kur Shqipëria shihej si armike e maqedonasve

January 13, 2023
blank

Komentet

blank

Presidenti austriak në Shkup: Mos humbni kohë, ndryshoni Kushtetutën

Presidenti austriak, Aleksandar Van der Belen, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski. 29 mars 2023.

Isuf Kadriu

Presidenti i Austrisë, Aleksandar Van der Belen, ka kërkuar nga autoritetet maqedonase veriore që sa më parë të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme sipas tij në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovaki, ai tha se Shkupi duhet të vazhdojë të jetë shembull në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por me të gjitha pakicat tjera. Që procesi integrimit evropian të ecë përpara duhet të bëhet edhe një hapë tjetër, të miratohen ndryshimet kushtetuese, ashtu siç jeni marrë vesh”.

“Unë i kuptoj frustrimet sa i përket zgjatjes së procesit të integrimit evropian, por pikërisht për shkak të kësaj është me rëndësi që të shfrytëzohet momenti aktual dhe mos të humbet edhe më shumë kohë. Ju keni mbështetjen tonë të plotë”, tha presidenti austriak gjatë konferencës për media, më 29 mars, në Shkup.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Van der Belen i bëri thirrje opozitës maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, që t’i mbështes ndryshimet, për të cilat nevojiten dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.

Pendarovski tha se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen, pasi sipas tij nuk do të ketë kornizë negociuese më të mirë se kjo që është arritur me BE-në.

“Korniza për të cilët është biseduar disa muaj parasheh përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë dhe ajo duhet të miratohet. Këto ditë besoj se do të formohet grupi i ekspertëve, i cili do të nis punën për hartimin e amendamenteve kushtetuese – të cilat më pas duhet të miratohen në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, nëse këto ndryshime nuk kalojnë atëherë Sofja sërish mund të bllokojë procesin e bisedimeve.

“Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në botë që ndryshoi emrin e shtetit që të fillojë bisedimet me BE-në për anëtarësim, por akoma pret në oborrin e unionit edhe pse formalisht ka nisur bisedimet. Me qëllim të ruajtjes së kredibilitetit në rajon dhe më gjerë, Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që ndonjë anëtare e saj të paraqes ndonjë kërkesë apo të problematizojë ndonjë çështje me kritere që nuk kanë asnjë lidhje me anëtarësimin në BE. Të bllokoni një shtet për shkak të çështjeve me identitetin apo çështje historike është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet”, tha presidenti maqedonas.

Ndërsa presidenti austriak shprehu i mirënjohje për Maqedonisë së Veriut, e cila i mbështeti sanksionet e bllokut kundër Rusisë dhe ofroi ndihmë për Ukrainën.

“Maqedonia e Veriut është shembull shumë i mirë edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe procesin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Para dhjetë ditëve këtu ishte nikoqir i bisedimeve mes dy vendeve. Ajo po jep rol të rëndësishëm edhe me kryesimin e OSBE-së”, tha ai.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

blank

Maqedonia e Veriut i dhuron Ukrainës 12 helikopterë luftarakë

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut ka vendosur që t’i dhurojë Ukrainës 12 helikopterët e saj luftarakë, të llojit Mi-24.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavajnka Petrovska, tha për mediat në Shkup se dhurimi i tyre bëhet me kërkesë të Qeverisë ukrainase, por edhe vlerësimeve të Armatës maqedonase se “lirimi nga këto pajisje ushtarake nuk do të dëmtojë kapacitetet mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut”.

“Të gjitha pajisjet që janë dhuruar deri më tani, kanë të bëjmë me kërkesën e autoriteteve ukrainase, të cilat janë të afta t’i përdorin, por edhe t’i mirëmbajnë. Sipas planeve tona të modernizimit, këto pajisje tashmë janë në fund të përdorimit të tyre dhe nuk do të jetë pjesë përbërëse e armatimit tonë. Nëse nuk do t’i dhuronim, jemi të sigurt që në një periudhë të shkurtër kohe do të na duhej t’i asgjësonim”, tha Petrovska.

Ajo tha se Ministria e Mbrojtjes do të blejë të paktën tetë helikopterë të rinj për më shumë qëllime, të cilët do të kenë në radhë të parë rol transportues, dhe jo luftarak.

“Kur kemi bërë planet për transformimin e ushtrisë sonë, bazuar në aftësitë tona ushtarake dhe planet e NATO-s, komponenti luftarak i njësisë së helikopterëve nuk do të ishte më operacional dhe do të orientohemi në helikopterë transportues që do të kishin në radhë të parë si obligim plotësimin e nevojave të ushtrisë, por sigurisht që do të mund të kryejnë edhe detyra të tjera që janë me interes më të gjerë për qytetarët”, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska.

Maqedonia e Veriut i ka dhuruar Ukrainës edhe tanket të gjeneratës së tretë, që duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsideroheshin jokonkurruese dhe jokompatibile.

Ndihma e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën arrin në 30 milionë dollarë.

Maqedonia e Veriut që në ditët e parë të agresionit rus i ka dhënë mbështetje Qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.

Helikopterët e parë Mi-24 e parë Maqedonia e Veriut i bleu nga Ukraina në vitin 2001 në kohën e konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pas përfundimit të konfliktit, numri i helikopterëve u rrit në 12 dhe paralelisht u bë modernizimi i tyre, proces ky që u ndërpre dy vjetët e fundit për shkak të vlerësimeve të Shtabit të Përgjithshëm se ushtria në zhvillimin e saj të ardhshëm nuk ka nevojë për këtë lloj helikopterëve luftarakë, por avionë të prodhimi i Evropës Perëndimore ose Shteteve të Bashkuara.

Helikopterët Mi-24 janë përdorur në luftën në Afganistan, në atë ndërmjet Irakut dhe Iranit, në konfliktet në Amerikën e Jugut, gjatë luftërave ruso-çeçene, por edhe në Ballkan gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

blank

Maqedonia e Veriut i dërgon Kievit 4 avionë luftarakë Su-25

Maqedonia e Veriut i ka ofruar Ukrainës avionë luftarakë Su-25, të cilët ia kishte blerë Kievit në vitin 2001. Më konkretisht, mediat e rajonit raportojnë se bëhet fjalë për katër avionë Sukhoi Su-25 të cilët ishin në përdorimin e Forcave Ajrore të Maqedonisë së Veriut.

Siç raportohet, Ukraina i ka marrë tashmë mjetet fluturuese, por lajmi është konfirmuar më 14 mars nga Slavjanka Petrovska, ministrja e Mbrojtjes.

Shkupi ka heshtur për një kohë të gjatë për dërgimin e avionëve edhe pse informacionet qarkullojnë që nga gushti i vitit të shkuar. Autoritetet maqedonase as nuk i mohuan zërat aso kohe, por as nuk i konfirmuan raportimet e mediave.

Megjithatë, thuhet se avionët avionët luftarakë të Maqedonisë së Veriut janë të papërshtatshëm për fluturim dhe besohet se forcat e armatosura të Ukrainës mund të jenë duke i përdorur për pjesë zëvendësuese për avionët e tyre Su-25.

Përveç avionëve Sukhoi, Petrovska konfirmoi se Shkupi ka dërguar në Kiev ndihmë ushtarake si sisteme artilerie, tanke, raketa-hedhëse antitanke dhe raketa kundërajrore, si dhe pajisje dhe municione për avionët e Forcave Ajrore të Ukrainës. syri.net

blank

REL: Pesë gjërat kryesore nga takimi i Ohrit

Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.

BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Por, edhe kësaj radhe nuk kanë munguar interpretimet e ndryshme të palëve rreth asaj se çfarë marrëveshje është arritur.

Më poshtë i kemi renditur pesë gjërat kryesore nga rezultati i takimit në Ohër.

1. Marrëveshja nuk është nënshkruar dhe duket se është hequr dorë nga diçka e tillë, edhe pse zyrtarë të BE-së kanë insistuar deri në momentin e fundit në nënshkrim, si të Marrëveshjes, ashtu edhe të aneksit. Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Kjo, në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim. Me këtë, kushtëzimi i procesit të integrimeve evropiane me normalizimin e raporteve, bëhet edhe më i qartë, edhe më i gjerë.

2.Nuk do të jetë e lehtë që deklarata e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, ta ketë peshën e marrëveshjes së arritur. Ajo, pa nënshkrim të palëve, nuk është formalisht Marrëveshje ligjërisht obliguese, por është vetëm një deklaratë politike. Prandaj edhe implementimi do të varet nga vullneti politik i palëve, nga presioni politik i bashkësisë ndërkombëtare, më shumë sesa si obligim ligjor. Kjo paraqet sfidë të madhe, sepse palët nuk i kanë zbatuar as obligimet për të cilat e kanë vënë nënshkrimin më parë.

3.Për Kosovën, me rëndësi të veçantë është pjesa e aneksit, e cila sqaron se renditja e pikave në Marrëveshje nuk reflekton prioritetet sipas rëndësisë, dhe se të gjitha pikat duhet të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Pra, nuk do të mund të bllokohet zbatimi i një pike, me arsyetimin se ndonjë tjetër nuk është zbatuar. Kjo vlen edhe për obligimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

4.Për Serbinë, rëndësi të veçantë ka kërkesa që Kosova të nisë menjëherë punën për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë. Kjo besohet se ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse nuk përmendet me emër, as në aneks, as në Marrëveshje. Megjithatë, në aneks thuhet se kjo duhet të bëhet në përputhje me obligimet nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog, që besohet i referohet detyrimit për të krijuar Asociacionin.

5.Edhe pse nuk përmendet fjala “sanksione“, ato janë përfshirë në porosinë se mosimplementimi nga ana e palëve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Edhe Kosova, edhe Serbia, janë përfituese të mëdha të ndihmave nga fondet e Bashkimit Evropian, dhe kjo do të rritet edhe më shumë përmes një konference të donatorëve që do të duhej të zhvillohej brenda 150 ditëve. Diçka e tillë është e rëndësishme, sepse BE-ja do të ketë mundësi më të mëdha, sesa në të kaluarën, për të sanksionuar palët, në rast se ato nuk i zbatojnë obligimet e tyre.

blank

Kurti konfirmon marrëveshjen: Pala serbe po i ikën nënshkrimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti është deklaruar pas përfundimit të takimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit, në fjalën e tij për mediat, Kurti tha se pala serbe po i ikë kësaj marrëveshjeje.

Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshejn bazë, me aneksin e zbatimit, kemi arritur një marrëveshje publike në aneksin që do të drejtojë realizimin…pala tjetër po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes…Sa për aneksin e zbatimit, ai do të publikohët në uebfaqen e Bashkimit Evropian, përkatësisht EAS-it dhe aty do ta lexoni dhe kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka” tha kryeministri.

Kurti theksoi gjithashtu se Serbia po i ikë nënshkrimit pjesës që do ta bëntë marrëveshjen ndërkombëtarisht të obligueshme.

Ne kemi qenë të gatshëm me 27 shkurt, ishim të gtashëm edhe sonte me 18 mars… Kjo është njohje de-facto mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

blank

Vuçiçi: Njëfarë marrëveshje është arritur, por nuk kam nënshkruar asgjë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha për mediat se “njëfarë marrëveshjeje është arritur”.

“Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.

“Ka një lloj marrëveshjeje. Jam i kënaqur, ka disa pika për të cilat do duhet të diskutojmë. Prioritet mbetet formimi i Asociacionit, pala shqiptare insistoi për nënshkrimin e marrëveshjes. Unë nuk kam nënshkruar asgjë. Do të diskutoj në Serbi për atë që kam rëndë dakord. Nesër do të raportoj për atë se çfarë ka ndodhur. Do të kemi edhe deklaratat edhe të Borrell e Kurtit. Duhet të qëndrojmë në rrugën evropiane. Kurti ka kërkuar dokument, por unë kam kërkuar që asgjë nuk mund të bëhet në kundërshtim me kushtetutën e Serbisë. Ka shumë gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar, sepse është puna jonë që të trajtojmë mospajtime. Nuk besoj që ka qenë ndonjë ditë D, megjithatë ka qenë një ditë goxha e gjatë”, tha presidenti serb.

“Ende flitet për personat e pagjetur, për disa konferenca të donatërve, por kjo do të varet se si plani i implementimit do të përpunohet tutje”, shtoi presidenti serb.

Takimet në Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiç, nisën në orën 10:30.

Fillimisht, Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas nisi takimi trepalësh, ku u diskutua për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve. syri.net

blank

Nis takimi trepalësh në Ohër

Ka filluar takimi në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në kuadër të dialogut mes dy vendeve, takim ku jan ëtë pranishëm edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisari për dialogun Miroslav Lajçak.

Fillimisht përfaqësuesit e BE-së takuan ndaras Kurtin e Vuçiçin, ndërsa takimi trepalësh ishte parashikuar të niste në orën 13:30, por ka nisur me rreth dy orë vonesë.

Në agjendë janë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media, por ende nuk ka informacionb se kur do të mbahet konferenca.bw

blank

Albin Kurti në Ohër takohet me Bujar Osmanin dhe Ali Ahmetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin për Punë të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe kryetarin e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, një orë para fillimit të takimeve me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Ohër për dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti është parë duke folur shkurt me ta, ndërsa në takim ka qenë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njoftoi Koha.net. Gazetarët kanë tentuar të marrin disa përgjigje nga ai, por Kurti ka thënë se “është vonë”. syri.net

blank

BE publikon axhendën e takimit Kurti – Vuçiç në Ohër: Në orën 10, në fillim tek e tek

Zyra e Shtypit e BE njoftoi të premten, më 17.3.2023, se të shtunën më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë/Zv.presidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër në Maqedoninë e Veriut.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.

Dialogu në Ohër do të fillojë në mëngjes në ora 10:00 me ardhjen e secilit pjesëmarrës.

Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojë takime të veçanta dypalëshe me liderët njërin pas tjetrit, duke filluar nga ora 10:30, e më pas do të ketë një takim të përbashkët trepalësh.

Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë.

Koha e saktë do të përcaktohet gjatë pasdites. Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt në Evropë.syri.net

blank

Escobar merr pjesë në takimin e Ohrit

RFE/RL

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kështu konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ambasada amerikane në Shkup.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces”, thanë për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.

Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka më nevojë për negociata për propozimin dhe shprehën gatishmërinë për të punuar në planin e zbatimit.

Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.

Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiq ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Propozimi i BE-së synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, që ka argumentuar se “nuk ka marrëveshje më të mirë”.

Escobar, gjatë një konference për media në Beograd më 16 mars, u bëri thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktivë dhe fleksibil gjatë takimit të Ohrit.

“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon”, tha zyrtari amerikan.

“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, shtoi ai.

Propozimi, teksti i të cilit është bërë publik nga BE-ja, përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Lajçak ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kusht për zbatimin e propozimit evropian.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin – më 2013 dhe 2015 – por, kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Megjithatë, së fundmi ai ka thënë se Kosova po trajton 15 modelet evropiane për Asociacionin, që ia ka ofruar BE-ja.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që ta themelojë Asociacionin. Escobar tha në Beograd se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte një muaj më parë.

“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se disa pika të marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me Kushtetutën, por mund të harmonizohen.

Kurti ka shprehur drojën se një asociacion me kompetenca ekzekutive do t’i ngjasonte një Republike Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë. Por Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se nuk duan që në Kosovë të krijohet një entitet serb, ashtu sikurse është në Bosnje.

blank

Aggeler: Në listën e zezë amerikane, më shumë se një shtetas maqedonas

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler. Fotografi nga arkivi.

Isuf Kadriu

Lufta kundër korrupsionit mbetet në fokus të politikës amerikane ndaj Maqedonisë së Veriut. Në këtë kontekst shihet edhe vizita e paparalajmëruar në Shkup të premten e koordinatori global për luftë kundër korrupsionit pranë Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Nephew, i cili në takimin me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, kishte në qendër të vëmendjes luftës kundër korrupsionit, sipas njoftimit të Presidencës.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, në çdo nivel, duke përfshirë edhe korrupsionin e lartë, është jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjet për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe për të fituar besimin e qytetarëve në institucionet”, thuhet në komunikatën e Presidencës maqedonase, pa dhënë detaje të tjera lidhur me këtë takim.

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Aggeler, tha se qëllimi i vizitës së zyrtarit të lartë të DASH-it nuk është “lista e zezë” për të cilët flitet tani një kohë të gjatë.

“Ai nuk është këtu për të zbuluar emra për listën e zezë apo diçka të tillë. Është këtu për të diskutuar proceset, sanksionet, protokollet që ka Qeveria amerikane për çështjen e korrupsionit”, tha Aggeler.

Por ajo pranoi se për këtë çështje po zhvillohen hetime dhe se do të ketë persona që do të gjenden në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion.

“Janë disa lista, sipas të cilave persona të ndryshëm hetohen në kontekste të ndryshme për korrupsion. Unë qëndroj pas asaj që thashë një ditë më parë dhe besoj se është e vërtetë. Megjithatë, informacioni duhet të vijë nga Uashingtoni. Nuk mund t’ju jap asnjë afat kohor, as se sa persona do të jenë në listë”, tha ambasadorja amerikane Aggeler.

Ajo konfirmoi edhe një herë të dhënat e deklaruara se më shumë se një person nga Maqedonia e Veriut do të jenë në të ashtuquajturën, “listë të zezë të sanksioneve amerikane”.

Një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 6 dhjetor 2022 ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, atëbotë kishte thënë se ky ekip do të “do të ndërmarrë një qasje më agresive për aktorët e korruptuar, si ata në të kaluarën dhe ata aktualë”.

Në prill të vitit 2022, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj shtatë personave, që u thanë se kanë qenë të përfshirë në vepra korruptive, ku në mesin e tyre ishin edhe ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov.

Përveç Gruevskit dhe Mijalkovit, në listën e zezë u futën edhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë.

blank

Spasovski: Kërcënimet me bomba vijnë nga Irani dhe Rusia

Isuf Kadriu

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njohuri se kërcënimet me bomba, përveç nga territori maqedonas, vijnë edhe nga jashtë vendit, përkatësisht nga Rusia dhe Irani, përmes Rrjetit Virtual Privat (VPN-Virtual Private Network), që është një mekanizëm për të siguruar lidhje të sigurt në internet.

“Ditët e fundit, sipas forenzikës së kryer në MPB, alarmet kalojnë përmes adresave VPN, por telefonatat fillestare janë nga Irani dhe Rusia. Është e rëndësishme të theksohet se ato adresa VPN janë paguar për përdorimin e kriptomonedhave, gjë që e ndërlikon më tej mundësinë e përcaktimit të autorit të saktë të këtij krimi. Tashmë në procedurë hetimore janë disa persona të cilët e kanë bërë këtë edhe nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai hetim është në fazë të avancuar dhe kur të vijë momenti do ta informojmë opinionin”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Maqedonia e Veriut që nga tetori i vitit të kaluar po përballet me alarme të përditshme për vendosje të bombave nëpër institucione të ndryshme, kryesisht në shkollat fillore dhe të mesme.

Kjo ka bërë që të ketë ndërprerje të shumta të procesit mësimor, pasi alarmet me bomba marrin shumë kohë derisa ekipet kundër terrorit pranë MPB-së të konstatojnë nëse kërcënimet janë të vërteta.

“Kemi punuar me përkushtim gjatë gjithë periudhës së kaluar, sepse për ne siguria dhe qetësia e qytetarëve janë në radhë të parë”, deklaroi Spasovski.

Në objektet shkollore, të premten, më 3 mars, kishte kontrolle dhe prani të policisë, pas çka nuk është regjistruar asnjë alarm për bomba.

Kjo sipas MPB-së është pjesë e masave të reja që tashmë kanë hyrë në fuqi, por ky institucion nuk ka sqaruar nëse drejtuesit e shkollave dhe të institucioneve tjera janë udhëzuar të çaktivizojnë postat elektronike, përmes të cilave edhe janë dërguar kërcënimet.

Paraprakisht, Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut ka rekomanduar që gjatë ditëve që ka paralajmërime për vendosjen e bombave, mësimi të mbahet në distancë me qëllim që nxënësit të mos humbin orët mësimore.

Gjatë javës së kaluar, vetëm brenda një dite të vetme, forcat e policisë në Shkup kanë evakuuar personelin dhe nxënësit nga 14 shkolla për shkak të alarmeve që kishin marrë përmes postës elektronike për vendosjen të bombave.

Alarmet për vendosjen e bombave, drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut i kanë cilësuar si “sulme terroriste hibride” që vijnë nga jashtë.


Send this to a friend