VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

3 milionë emigrantë presin “dritën jeshile” për të kaluar detin Egje, ja si binden nga trafikantët

Rreth 3 milionë emigrantë që ndodhen në Turqi presin nga trafikantët të ndizet “drita jeshile” për të kaluar detin Egje dhe të arrijnë në Greqi.

Pavarsisht situatës e tashme në Greqi dhe në Idomeni, 3 milion emigrantë janë në pritje për të nisur udhëtimin e tyre me destinacion shtetet e Europës. Numri i sirianëve në turqi është 2.587.000 ndërsa bashkë me shtetasit nga Afganistani, Irani dhe Pakistani numri shkon në 3 milionë, raporton gazeta turke Hurriyet.

Sipas artikullit të gazetës turke, trafikantët u thonë emigrantëve se “Një ditë do të rrini në ishullin grek Hios, ose në Mitilini. Pastaj dy ditë në Athinë dhe që ajte do të niseni me tren në Gjërmani”. Sipas gazetës, emigrantët nuk kanë besim tek asnjë njeri, përveç trafikantit që i drejton ata dhe i ndihmon për të shkuar në Europë.

‘Super e diela’ gjermane, në test politika e kancelares Angele Merkel mbi refugjatët

Në tre rajone federale të Gjermanisë sot mbahen zgjedhjet parlamentare, rezultatet nga të cilat pritet të ndikojnë jo vetëm mbi politikën lokale, por edhe në atë në nivel federal

BERLIN – Në tre rajone federale të Gjermanisë sot mbahen zgjedhjet parlamentare, rezultatet nga të cilat pritet të ndikojnë jo vetëm mbi politikën lokale, por edhe në atë në nivel federal.

Rreth 13 milionë qytetarë do të votojnë në Baden-Wurttemberg, Rheinland-Pfalz dhe Sachsen-Anhalt.

Këto janë zgjedhjet e para të tilla në Gjermani që prej kur Evropa u përfshi nga kriza me refugjatët, të cilat në të njëjtën kohë paraqesin test për politikën e kancelares Angele Merkel mbi refugjatët.

Në fushatat parazgjedhore tema kryesore ka qenë politika e sigurisë dhe ajo e refugjatëve.

Politika e dyerve të hapura të cilën vitin e kaluar e promovonte Merkel ka shkaktuar reagime negative te shumë politikanë lokal, madje e njëjta ka qenë e kritikuar edhe nga pjesëtarë të partisë CDU, lider i së cilës është vet Merkel, mirëpo për këtë të fundit nuk flitet shumë në opinion.

Nga ana tjetër, partia e Unitetit Kristian Social (CSU) i është kundërvënë hapur politikës të cilën e zbaton Merkel, ndërkohë që disa kërcënuan se do ti drejtohen gjykatës Kushtetuese. aa

(video) Martin Schulz përjashtoi deputetin racist Eleftherios Synadinos nga mbledhje e Unionit Europian

Në mbledhjen e pardjeshme të Parlamentit Europian kryesuesi i saj gjerman Martin Schulz përjashtoi deputetin racist Eleftherios Synadinos nga mbledhje e Unionit.

Deputeti grek i partisë naziste “Agimi i Artë”, i shau turqit si racë barbare, duke thënë: “Siç kanë shkruar shkenctarët osmanë: Turqit janë barbarë në frymë, të mallkuar nga Zoti, mashtrues dhe të ndyrë. Turku është si qeni, i cili luan të egrin, mirëpo kur i duhet të luftojë me armikun ikë. E vetmja mënyrë për ta trajtuar turkun mbetet vendosmëria dhe grushti”.

Këtë deklaratë të nazistit Eleftherios Synadinos nuk e duruan kampet tjera të partive në europiane.

Gjë që çoi deri në vendimin e atypëratyshëm të kryesuesit, Martin Schulz duke përjashtuar ekstremistin grek me arsyetimin: “Vazhdimisht ka tendenca që këtu racizmi të bëhet i lejueshëm dhe salonik. Jo me mua. Jo këtu”, kështu vota kategorike e parlamentarit gjerman.

Po aq ashpër dhe me komente reaguan edhe mediat e sferës perëndimore, të cilët riaktualizuan dilemën e kamotshme karshi PE se pse lejon, legalizon pjesëmarrjen edhe të partive naziste brenda tij kur dihet se ato as që mund të prodhojnë retorikë tjetër.

“Kësaj çështjeje duhet t’i qaset PE sa më seriozisht”, reaguan mediat gjermane.

Ndërsa Ansa shkruan se deputeti grek u largua nga salla vetëm kur e larguan pasi nuk plotësoi për të katërtën herë kërkesën që të largohej nga aula e Parlamentit Europian.

Largimi i Eleftherios Synadinos nga salla u shoqërua me duartrokitje.

Arrestohet një gjerman te Ambasada Amerikane në Berlin; thoshte se ka bombë

Një gjerman 23 vjeçar po mbahet nën masën e arrestit, pasi rrejshëm ka deklaruar se ka me vete një bombë të vendosur në çantën e tij dhe se po përpiqej që ta çonte atë në Ambasadën Amerikane në Berlin, njoftoi sot policia.

Incidenti ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit, në kohën kur djali u largua nga dera e Ambasadës, e cila ndodhet në qendër të qytetit, në afërsi të Portës së Brandenburgut.

Personeli i sigurisë i Ambasadës e kishte larguar të dyshuarin, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë, Jens Berger.

Policia e ka identifikuar të riun si shtetas gjerman, por Ambasada Amerikane, përmes një deklarate, tha se i riu i është paraqitur personelit të sigurisë së Ambasadës me një pasaportë amerikane, duke thënë se dëshiron që ta zgjasë afatin e saj.

Më pas, ai e kishte grushtuar rojen, kur ky i fundit i kishte thënë se ai duhej të shkonte në një lokacion tjetër për ripërtritjen e pasaportës, njofton ambasada.

Në kohën kur ai po arrestohej nga policia, Berger tha se ai u kishte thënë atyre se kishte një bombë në çantën e tij, e cila ndodhej para hyrjes së ambasadës.

Sipas Berger, “ka shumë indikacione që ai mund të ketë probleme psiqike”, duke shtuar se hetimet janë duke vazhduar.

Refugjati nga Siria në kampin Calais: ‘Pyes veten çfarë Evrope qenka kjo’

“Nuk e kam menduar asnjëherë kështu Francën. Jetojmë brenda një mjerimi në të ftohtë dhe në baltë. Qëllimi im kryesor është të kaloj në Britani”, thotë turkmeni Muhammed nga Alepi

CALAIS – Vazhdon evakuimi dhe prishja e një pjese të kampit të refugjatëve në qytetin port francez Calais i cilësuar ndryshe si “xhungël”. Kampi ndodhet në qytetin francez Calais në afërsi të bregut të Detit La Mansh. Ky det ndodhet në rrugën kryesore të kalimit të refugjatëve drejt Britanisë së Madhe.

Ekipi i AA-së i cili ndodhet në Calais ka ndjekur procesin e evakuimit dhe të prishjes së pjesshme të kampit nga makineritë e punës të cilat punojnë nën sigurinë e policisë ku refugjatët e evakuuar nga pjesa jugore e kampit të cilët janë vendosur nëpër kontejnerë kanë theksuar se këtu nuk dëshirojnë të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

Në pjesën jugore të kampit ku me vështirësi lëvizet për shkak të baltës, motit me shi dhe të ftohtit vërehet se sërish çadrat dhe tendat e ngritura nga organizatat humanitare britanike po ngarkohen në mjete nga punonjësit humanitar dhe refugjatët.

Turkmeni nga Halepi 59 vjeçari Muhammed thotë se në pjesën e kampit të evakuuar ka qëndruar për 5 vite.

Muhammed edhe pse shpreh se kontejnerët në krahasim me çadrat janë më të mirë thekson se asnjë refugjat nuk e ka ndërmend të qëndrojë në Francë.

“Nuk e kam menduar asnjëherë kështu Francën. Jetojmë brenda një mjerimi në të ftohtë dhe në baltë. Qëllimi im kryesor është të kaloj në Britani dhe të shpëtoj familjen time. E kam provuar 5 herë duke u fshehur në tuba por qentë e policisë na nuhatën dhe na gjetën”, thotë Muhammed dhe ka shtuar se brenda disa ditësh do ta provojë sërish shansin.

Muhammed i cili pasi është larguar nga Halepi dhe ka lënë familjen e tij në kampin në Liban ka shpjeguar se i vetëm ka vajtur në Izmir të Turqisë dhe më pas me gomonet e trafikantëve ka kaluar në Greqi.

Ai thotë se ende e sheh në ëndërr udhëtimin me gomone, Muhammed ato momente i përshkruan me fjalët: “Në mes të detit na mbaroi karburanti. Në një gomone me kapacitet prej 10 personash ndodheshim 50 persona. Në mendje më erdhën fëmijët dhe nëna. Mendova, nëse mbytemi a do ta gjejnë trupin. Por patëm fatin e mirë që një barkë greke na dha karburant dhe arritëm në breg”.

Kiev: Protestuesit e sulmuan Ambasadën e Rusisë

Pamje e aktivistëve që kanë protestuar para Ambasadës së Rusisë në Kiev të Ukrainës

Qindra protestues janë mbledhur dje afër Ambasadës së Rusisë në kryeqytetin Kiev për të kërkuar lirimin e pilotes urkainase, Nadia Savchenko.

Protestuesit kanë hedhur vezë dhe gurë ndaj ndërtesës, duke i thyer disa dritare, shkatërruar disa makina dhe e kanë djegur flamurin rus.

Oficerët policorë në vendin e ngjarjes nuk kanë intervenuar.

Një zëdhënës i ambasadës tha se ndërtesa ishte “sulmuar” gjatë natës dhe se njerëz me shkopinj të bejzbollit i kanë dëmtuar veturat e ambasadës dhe kanë hedhur bomba tymi në territorin e ambasadës.

Pitotja ukrainase, Nadia Savchenko, ishte arrestuar në Ukrainë në korrik të vitit 2014, dhe ishte dërguar në Rusi kundër vullnetit të saj për proces gjyqësor lidhur me vrasjen e dy gazetarëve rusë që raportonin për luftimet në pjesën lindore të Ukrainës.

Sllovakia mban zgjedhjet, nazistët hyjnë në Parlament

Janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshmë në Sllovaki dhe fituese është shpallur partia e majtë e drejtuar nga kryeministri Robert Fico. Smer ka fituar 28.4 përqind të votave, ose 49 vende në parlamentin 150 anëtarësh.

Parti e dytë është renditur “Liri dhe solidaritet” që ka siguruar 12.1% të votave, ose ndryshe 21 deputetë.

Por në Parlamentin sllovak ka hyrë edhe partia naziste “Sllovakia Jonë”. Ajo ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash, 8%, ose 14 deputetë. Kjo parti e konsideron NATO-n si organizatë terroriste dhe sulmon vazhdimisht Bashkimin Europian.

Sllovakia ndodhet në qendër të Europës dhe është pjesë e NATO-s, BE-së dhe zonës Shengen. Ajo së bashku me 4 shtete të tjera të BE-së, nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Papa Françesku: Mëkati të qërron, tundimet të verbojnë shpirtin

Papa rrëfehet në Shën Pjetër – ANSA

Sot mbasdite, Papa kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin pendestar kushtuar nismës “24 orë për Zotin”. Nisma për zbulimin e Sakramentit të Pajtimit gjatë Kreshmëve, u ndoq nga mbarë bota. Papa u rrëfye vetë i pari e, më pas, rrëfeu edhe disa besimtarë. Me këtë rast, shumë kisha ishin të hapura pa asnjë ndërprerje, për t’u kujtuar besimtarëve mundësinë e rrëfimit.“Ma kthe, o Zot, dritën e syve!” (MK 10.51) – ky, lajtmotivi i homelisë që mbajti Papa gjatë kremtimit pendestar, duke pasur parasysh figurën ungjillore të Bartimeut të verbër, të cilit Krishti ia ktheu dritën e syve.  E kjo edhe kërkesa, që duam t’i drejtojmë Zotit, shtoi Papa, ne, njerëz me sy e pa sy. Të shikojmë përsëri, pasi mëkatet tona na bëjnë të mos e shikojmë të mirën e na shkëpusin nga bukuria e thirrjes sonë, duke na shtyrë të ravgojmë larg cakut.

Papa shpjegoi kuptimin simbolik të këtij fragmenti ungjillor, me që secili nga ne ndodhet pak a shumë në gjendjen e Bartimeut. Atë e kishte verbuar sëmundja, ne, mëkati, që të varfëron e të izolon më keq se vetë verbëria. Është verbëria e shpirtit, e cila të pengon të shikosh themeloren e t’ia ngulësh sytë dashurisë, që jep jetë. Sa tundime t’i errësojnë sytë e zemrës e ta bëjnë miope. E sa e gabuar është të mendosh se jeta varet nga gjërat që ke, nga suksesi, admirimi; se ekonomia varet vetëm nga fitimi e konsumi, se dëshirat vetjake duhet të kenë epërsi mbi përgjegjësitë shoqërore. Duke parë vetëm veten, bëhemi të verbër, mbyllemi në vete, humbasim gëzimin  e harrojmë ç’është liria e vërtetë, tha Papa Françesku.

Ta ndjekim Zotin  si dishepuj besnikë, për t’i bërë të gjithë ata, të cilët i takojmë, pjesëtarë të gëzimit të Tij e të dashurisë së Tij.

Nisma “24 orë për Zotin” në Romë, u kryesua nga vetë Papa, i cili, që në edicionin e parë, deshi  të rrëfehej vetë i pari, si dëshni për gjithë të tjerët. E pastaj edhe të rrëfente disa besimtarë. Sivjet, edhe një nismë e re romake, që duhet pasur parasysh: shumë besimtarë laikë dolën rrugëve për t’i ftuar pendestarët, por edhe njerëzit që kalonin andej pari rastësisht e që ishin të interesuar për këtë kremtim Pajtimi me Zotin. Shenjë, kjo, e thjeshtësisë, e guximit dhe e besimit në propozimin e Sakramentit të Pajtimit, me të cilin shumëkush rifillon rrugën drejt Zotit.

Politikani gjerman jep dorëheqje pasi iu zbulua një sasi droge

Gazeta “Bild” thekson se Beck ka dhënë dorëheqje pasi tek ai është gjetur droga

Politikani i njohur gjerman i Partisë së Gjelbër dhe përfaqësues shumëvjeçarë në Bundestag, Volker Beck, është tërhequr nga të gjitha funksionet politike në Parlament pasi tek ai është gjetur drogë, metamfetamin.

Gazeta “Bild” thekson se Beck ka dhënë dorëheqje pasi tek ai është gjetur droga. “Mund të them vetëm se gjithmonë jam përpjekur për një politikë liberale ndaj drogave. Për akuzat kundër meje avokati im do të prononcohet në kohën e duhur”, theksoi Beck në njoftimin e shkurtër në faqen e tij të internetit.

Politikanin gjerman, siç pretendohet, të martën mbrëma në Berlin e ka ndaluar policia, ku tek ai gjetën 0.6 gramë drogë metamfetamin.

Pasaporta gjermane më e forta në botë – ja renditja

Të kesh pasaportë gjermane, ke privilegjin të shkosh në 177 vende nëpër botë pa pasur nevojë të marrësh vizë. Ndërsa me atë të Kosovës mund të shkosh në 38 vende pa pasur nevojë për vizë.

Me pasaportën e Shqipërisë, ai që e ka mund të udhëtojë pa vizë në 98 shtete. Shqipëria renditet e 53-ta për këtë mundësi.

Sipas “Henley and Partners” rezulton se gjermanët kanë pasaportën më të fuqishme në botë. Ata që e kanë këtë dokument mund të udhëtojnë pa viza në 177 shtete nga 218 të mundshme. Në vendin e dytë renditet pasaporta suedeze, me një vend më pak, ndërsa me 175 vende të lejuara pa pasur nevojën e një vize, vendin e tretë e ndajnë Finlanda, Franca, Italia, Spanja dhe Britania.

Mbajtësit e pasaportës amerikane mund të lëvizin në 174 shtete, njësoj si ata me pasaportë të Belgjikës, Danimarkës dhe Holandës.

Ndër vendet e rajonit, më së miri renditet Serbia, e 43-ta, e cila ndiqet nga Maqedonia e 45-ta, Mali i Zi i 47-ti, kurse BeH është e 52-ta.

Renditja e bërë nga firma e konsultimeve globale “Henley and Partners”, e cila është e specializuar në planifikimet e çështjeve rezidenciale dhe të shtetësisë, mbyllet me Afganistanit, shtetasit e të cilit mund të lëvizin lirshëm vetëm në 25 shtete në botë.

Renditja, vendi, udhëtimi pa viza:

  • 1. Gjermania, 177
  • 2. Suedia, 176
  • 3. Finlanda, Franca, Italia, Spanja, Britania, 175
  • 4. Belgjika, Danimarka, Hollanda, SHBA 174
  • 5. Austria, Japonia, Singapori, 173
  • 6. Kanadaja, Irlanda (Republic of), Korea (Republic of, South), Luksemburgu, Norvegjia, Portugalia, Zvicra, 172
  • 7. Greqia, Zelanda, 171
  • 8. Australia, 169
  • 9. Malta, 168
  • 10. Hungaria, Czech Republic, Islanda, 167

Alarm në aeroportin e Gjermanisë, anulohen të gjitha fluturimet

Një alarm sigurie është dhënë në aeroportin ndërkombëtar të Këlnit në Gjermani. Autoritetet kanë udhëzuar pasagjerët që të anulojnë fluturimet për shkak të një alarmi sigurie.

Nuk dihen ende detaje të sakta rreth kësaj ngjarje, ndërkohë që një helikopter policie po patrullon mbi aeroport. Autoritetet mbyllën terminalin A dhe B të aeroportit dhe më pas nisën kontrollet. Këto terminale u hapën sërish më vonë, megjithatë disa fluturime u shtynë e të tjera u anuluan. Nuk ka një deklaratë zyrtare se çfarë ka ndodhur.

Cameron: Referendumi britanik për BE-në organizohet më 23 qeshor

David Cameron në fund të takimit të mbrëmshëm me liderët e BE-së në Bruksel

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, tha sot se referendumi historik për anëtarësinë e Britanisë në Bashkimin Evropian, do të organizohet më 23 qershor të këtij viti. Kjo deklaratë u bë vetëm një ditë pas përfundimit të një samiti me liderët e BE-së për reforma në Bruksel.

Zoti Cameron tha se votimi “do të jetë njëri nga vendimet më të mëdha që ky vend do të ballafaqohet gjatë jetës sonë”.

Pas një takimi të sotëm të qeverisë britanike, u miratua qëndrimi me të cilin rekomandohet që Britania të mbetet në Bashkimin Evropian të reformuar.

David Cameron tha se Britania do të jetë më e sigurt dhe e fuqishme brenda BE-së së reformuar.

Pas dy ditëve të negociatave të gjata e intensive, mbrëmë vonë Cameron e ka arritur marrëveshjen me liderët e BE-së për parandalimin e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, duke e fuqizuar një “status special” për vete.

Por, fati i Britanisë në BE do të përcaktohet në referendum.

Arrihet marrëveshja mes Britanisë dhe BE-së

Në Samitin e Liderëve të BE-së që ka përfunduar diskutimi kryesor ka qenë për reformat e Unionit që kishte kërkuar Britania për qëndrimin e saj në BE, ku si pasojë e diskutimeve të gjata negociatat rezultuan me marrëveshje

BRUKSEL – Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka njoftuar se kanë arritur një marrëveshje e cila forcon “statusin e veçantë” të Britanisë.

Theksohet se në Samitin e Liderëve të BE-së që ka përfunduar diskutimi kryesor ka qenë për reformat e Unionit që kishte kërkuar Britania për qëndrimin e saj në BE, ku si pasojë e diskutimeve të gjata negociatat rezultuan me marrëveshje.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në një fjalim në fund të Samitit tha se marrëveshja e arritur nuk trondit vlerat e BE-së dhe gjithashtu plotëson shqetësimet e Britanisë së Madhe. Tusk ndër të tjera ka transmetuar se marrëveshja është arritur me miratimin e 28 anëtarëve dhe se kjo marrëveshje forcon “statusin e veçantë” dhe është ligjërisht e detyrueshme. Ai ka vënë në dukje se ata kanë diskutuar deri në detajin më të vogël.

“Besoj thellësisht se Britania për BE-në dhe BE-ja për Britaninë kanë nevojë për njëra-tjetrën. Thyerja e kësaj lidhjeje do të jetë plotësisht në kundërshtim me interesat tona të përbashkëta. Tani rradhën për të vendosur e ka populli britanik”- u shpreh Tusk.

Duke iu referuar shprehjes së fjalimit të Kryeministri britanik Cameron “Nuk e dua Brukselin, dua Britaninë”, Tusk fjalimin tij e përfundoi me shprehjen “E dua Brukselin, e dua Britaninë”.

Ndërsa Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker fjalimin tij e ka nisur me shprehjen “E dua Brukselin më shumë se pjesët e tjera të Europës”. Ai duke vënë në dukje se sot kanë ardhur në fundin e një udhëtimi të gjatë u shpreh: “Kjo marrëveshje e arritur është një marrëveshje e drejtë. Një marrëveshje e drejtë për Britaninë, për vendet e tjera anëtare dhe për BE-në. Marrëveshja në njëjtën kohë i përgjigjet shqetësimeve të Britanisë dhe në të njëjtën kohë respekton edhe principet e themelore të bashkimit tonë. Marrëveshja nuk thellon krizat në bashkimin tonë, përkundrazi ndërton ura. Që të gjithë kanë treguar besim të mirë dhe fleksibilitet”.

Italia shënon natalitetin e saj më të ulët në histori

Ilustrim

Në vitin 2015, në Itali kanë lindur më pak foshnja se kurrë, prejse është themeluar shteti modern 154 vjet më parë.

Të dhënat e fundit po asht tregojnë se popullsia është tkurrur për herë të parë në tri dekada, ndërsa numri i vdekjeve është rritur më shumë se 9 përqind.

“Me rënien e ekonomisë, rënia e produktivitetit ka prekur gjithnjë e më shumë prindërit eventualë”, ka thënë zyra e statistikave kombëtare ISTAT.

Italia ka dalë nga recesioni vitin e kaluar, por normat e rritjes mbeten të dobëta dhe papunësia e lartë.

Numri i lindjeve ka rënë në 488,000 në vitin 2015 – 3 përqind më pak se në vitin paraprak.

Shpërthim i fuqishëm godet Asociacionin kulturor turk në Stokholm

Shpërthimi ndodhi në të njejtën ditë me sulmin terrorist mbi automjetet ushtarake në Ankara

BRUKSEL – Media lokale suedeze informojnë se një shpërthim i fuqishëm ka goditur Asociacionin kulturor turk në Stokholm.

E përditshmja suedeze Aftonbladet shkruan se të gjitha dritaret e ndërtesës ishin thyer.

Lidhur me shpërthimin policia ishte njoftuar në ora 21:35 minuta sipas kohës lokale, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kishin shkuar disa vetura të ndihmës së shpejtë dhe ekipe zjarrfikësish.

Nuk janë raportuar dëmtime në njerëz, ndërkohë policia po heton shpërthimin. aa

Cameroni në Bruksel për bisedime lidhur me reformat në BE

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, sot në Bruksel do të bisedojë me zyrtarët e lartë të Parlamentit Evropian dhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke shpresuar se do të fitojë mbështetje për kërkesën e tij për reforma të Bashkimit Evropian.

Zoti Cameron ka thënë se reformat do t’i mundësonin atij që të bënte fushatë në Britani për mbetjen e vendit të tij në BE, para referendumit i cili pritet të organizohet në fund të vitit 2017.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, dje ka tërhequr vërejtjen se rreziku i shkatërrimit të bllokut prej 28 shteteve, “është real”.

Zoti Tusk tha se samiti i ardhshëm i BE-së, që fillon pasnesër do t’i trajtojë “dy sfidat në të mëdha për të ardhmen e BE-së: mbetjen e Britanisë në BE dhe krizën e migrimit”.

Një avion detyrohet të kthehet në Heathrow pas incidentit me lazer

Avioni me 267 pasagjerë pa problem zbriti në Heathrow, ndërsa pasagjerët janë vendosur në hotel dhe për në New York do të duhet të nisen me fluturim të ri sot pasdite

LONDËR – Një avion pasagjerësh i kompanisë Virgin Atlantic për shkak të incidentit me lazer u detyrua të kthehej në aeroportin londinez Heathrow, menjëherë pas ngritjes për në New York.

BBC-ja raporton se ekuipazhi i avionit me rastin e fluturimit të mbrëmshëm mbi brigjet perëndimore irlandeze lajmëroi kullën e kontrollit se njëri nga anëtarët e ekuipazhit nuk ndjehet mirë pasi vërejti një dritë lazeri në avion dhe më pas avioni u kthye në aeroportin në Londër.

Jens Stoltenberg: Rusia po destabilizon Evropën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Rusia është duke destabilizuar Evropën dhe se retorika e Moskës për fuqinë e saj bërthamore ka për qëllim të frikësojë fqinjët e saj.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Stoltenberg ka thënë se NATO nuk do “konfrontim me Rusinë” apo Luftë të Ftohtë të re, porse përgjigjja duhet të jetë e fuqishme.

Ai ka thënë se vendimi i NATO-s për të forcuar mbrojtjen në krahun e saj lindor nuk synon të nisë luftë, por të parandalojë luftë.

Stoltenberg po ashtu ka thënë se deklaratat e Moskës për fuqinë e saj bërthamore janë shqetësuese.

Ai ka thënë se askush nuk duhet të mendojë se armatimi bërthamor mund të përdoret në një luftë konvencionale.

Rusia ka pushtuar dhe ka marrë kontrollin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014.

Ajo po ashtu vazhdon t’iu japë mbështetje separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Ish roja i Aushvicit del para drejtësisë

Në Gjermani një ish-roje 94-vjeçar i kampit më famëkeq të përqëndrimit në Evropë doli përpara gjyqit, ku ai përballet me akuza për vrasje.

Reinhold Hanning tha se ka shërbyer në kampin e Aushvicit si SS 20 vjeçar, por këmbëngul se ai ka shërbyer në një pjesë të kampit ku ka ka patur shfarosje me gaz.

Auschwitz është kampi famëkeq, ku u bë shfarosja me gaz e shumicës së hebrenjve, romëve, polakëve, homoseksualëve dhe të burgosurve të tjerë në kampet e përqendrimit. Më shumë se një milion njerëz besohet të jenë vrarë në Aushvic gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ministër i Jashtëm i Francës u emërua Ayrault

Jean-Marc Ayrault Derisa ishte kryeministër i Francës

Presidenti i Francës, Francosi Hollande, e ka emëruar ish-kryeministrin, Jean-Marc Ayrault, për ministër të jashtëm, pasi ky post mbeti i zbrazët me largimin e ministrit të deritashëm, Laurent Fabius, i cili është zgjedhur shef i Këshillit Kushtetues të Francës.

Ky zëvendësim u bë në kuadër të ndryshimeve në qeveri nga ana e presidentit, Francois Hollande.

Postet e tjera kryesore qeveritare kanë mbetur të pandryshuara, përfshirë ministrin e mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, atë të financave, Michel Sapin, dhe minsitrin e ekonomisë, Emmanuel Macron.

Ministri i ri i jashtëm, Jean-Marc Ayrault, 66 vjeçar, ishte kryeminsitër i Francës në periudhën 2012 – 2014.

NATO: Ministrat e miratuan forcën e re për krahun lindor

Ministrat e mbrojtjes sot në selinë e NATO-s në Bruksel

Ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s i kanë miratuar planet për shtimimin e pranisë së aleancës në krahun e vet lindor.

Duke folur sot në Bruksel, para takimit dyditësh të ministrave të vendeve anëtare të NATO-s, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ky shtim në Poloni dhe aleatët e tjerë afër Rusisë, “do të dërgoj sinjal të qartë”.

Mëtutje, ai ka theksuar se përbërja shumëkombëshe e forcës së re do ta bëjë të qartë se “një sulm kundër një aleati do të jetë sulm kundër gjithë aleancës” dhe ka shtuar se njësitet e reja do të ndërrohet në mënyrë rotative në dhe jashtë shteteve anëtare të Evropës Lindore, por nuk do të vendosen atje.

NATO-ja i ka shqyrtuar edhe masat e tjera përfshirë vendosjen e pajisjeve ushtarake dhe ndërtimin e insfrasturkturës së re.

Nuk është e qatë se çka është vendosur lidhur me këto çështje.

Vendosje e kësaj force të re është pjesë e planit të përpiluar nga NATO-ja në përgjigje të krizës në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë në vitin 2014.

Të paktën katër të vdekur në një përplasje trenash në Gjermani

Policia gjermane tha se të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 100 të tjerë janë plagosur nga pasojat e përplasjes së dy trenave në Gjermaninë jugore.

Përplasja ka ndodhur afër qytetit Bad Aibling, rreth 60 kilometra në juglindje të Munihut.

Një zëdhënës i policisë federale u tha gazetarëve se përplasja ka ndodhur në një terren “të vështirë” dhe ekipet e shpëtimit ende janë në përpjekje për të nxjerrë udhëtarët nga trenat.

Të paktën dhjetë nga të plagosurit janë në gjendje shumë të rëndë.

Tash për tash nuk dihen hollësi rreth shkaqeve të përplasjes.

Çeki: Qendra e refugjatëve u sulmua pas protestave kundër myslimanëve

Pamje nga protesta e djeshme kundër emigrantëve dhe myslimanëve në Pragë

Policia e Çekisë thotë se një grup prej afro 20 sulmuesish të panjohur ia kanë vënë zjarrin një qendre të refugjatëve në kryeqytetin Pragë, vetëm disa orë pasi mijëra njerëz kanë protestuar kundër myslimanëve dhe emigrimit.

Sulmuesit e shkatërruar qendrën Klinika, që dikur ishte qendër mjekësore në lagjen Zhizhkov në Pragë, dhe kanë hedhur koktej Molotovi.

Autoritetet thanë se së paku një person është lënduar nga sulmi.

Aktivistët që punojnë në këtë qendër të refugjatëve thanë se sulmuesit ishin neo-nazistë.

Protesta kundër myslimanëve e organizuar para presidencës së Çekisë, ishte njëra nga shumë demonstratat e mbajtura dje në gjithë Evropën nga grupi PEDIGA, që është shkurtesë e lëvizjes Patriotët evropianë kundër islamizimit të perëndimit.

Ky grup është shumë tërheqës për personat me ndjenja të forta të së djathtës ekstreme dhe kundër emigrantëve, prej vitit 2014, kur ishte formuar në Drezden të Gjermanisë.

Spanja sfidon krijimin e ministrisë së Jashtme të Katalonias

Mbështetës të Katalonias së pavarur, foto arkivi

Qeveria spanjolle është duke u bërë gati të sfidojë ligjërisht, krijimin e ministrisë së punëve të jashtme nga ana e qeverisë rajonale në Kataloni, e cila për synim ka shkëputjen nga Spanja.

Ministri spanjoll i drejtësisë, Rafael Catala, u ka thënë gazetarëve të premten se avokatë të angazhuar nga qeveria do të kërkojnë Gjykata Kushtetuese që të urdhërojë pezullimin e kësaj ministrie, qëllimi i së cilës është të sigurojë mbështetje te komuniteti ndërkombëtar për pavarësinë e Katalonias nga Spanja.

Qeveria rajonale e Katalonias ka miratuar muajin që shkoi themelimin e kësaj ministrie dhe ka emëruar politikanin separatist, Raul Romeva, në krye të saj.

Kerry-Lavrovit: Ndalni sulmet në Siri

LONDËR – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka kërkuar nga Moska që të ndalojë bombardimin e grupeve rebele siriane.

Komentet vijnë një ditë pasi bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, për paqe midis qeverisë dhe opozitës siriane, janë ndërprerë në Gjenevë. Kerry, në një bisedë telefonike, ka kujtuar homologun rus, Sergei Lavrov, se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së bën thirrje për armëpushim të menjëherëshëm në Siri, në mënyrë që ndihmat humanitare të arrijnë në qytetet e rrethuara.

Kerry, duke folur në konferencën e donatorëve për Sirinë në Londër, po ashtu ka thënë se ai dhe Lavrov janë pajtuar për nevojën e diskutimit se si të zbatohet armëpushimi. Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri, në mbështetje të forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, qysh në muajin shtator.

Gjermani: Një shqiptar dënohet për vrasjen e një izraeliti

Një shqiptar është dënuar me 8 vjet e gjysmë burg për vrasje të paparamenduar të një izraeliti, trupi i pajetë i të cilit ishte gjetur në një kishë të rrënuar në Berlin, vitin e kaluar.

Gjykata shtetërore në Berlin ka vendosur dje se i dyshuari e kishte vrarë shtetasin izraelit, Yosi Damari, 22 vjeçar, pasi këta të dy ishin takuar në një bujtinë dhe kishin pasur mospajtime për shkaqe që mbesin të paqarta, ka raportuar agjencia DPA.

I dyshuari, emri i të cilit nuk është publikuar në harmoni me ligjin për privatësinë në Gjermani, ishte arrestuar disa ditë më vonë në Çeki.

Shqiptari 28 vjeçar, i cili kishte arritur në GjerMANI për shkak të ofertës për punë, u tha gjyqtarëve se ishte sulmuar nga izraeliti dhe pastaj e kishte goditur duke e rrëzuar në tokë.

Trupi i pajetë i personit të vrarë ishte gjetur nga kalimtarët e rastit në muajin prill të vitit të kaluar. Ai kishte pësuar lëndime masive në kokë.

Suedi, shpërthim i fuqishëm në një shkollë të mesme

Gazeta “Expressen” në versionin elektronik të saj ka shkruar se shpërthimi është dëgjuar në të gjitha pjesët e qytetit

GOTEBORG – Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur sot qytetin Karlstad në Suedi, ndërkohë që njoftohet se ka ndodhur në një shkollë të mesme.

Gazeta “Expressen” në versionin elektronik të saj ka shkruar se shpërthimi është dëgjuar në të gjitha pjesët e qytetit. Burimet lokale thonë se pas shpërthimit ndërtesa është përfshirë nga zjarri.

Akoma nuk ka detaje për viktima të mundshme, ndërkohë që ekipet për shpëtim kanë shkuar në vendin e ngjarjes. “Gjendemi në vendin e ngjarjes dhe po përpiqemi të zbulojmë arsyet e shpërthimit” tha Ola Akesson nga ndihma e shpejtë.

Hyrja e xhihadistëve në Evropë

Sipas një studimi për terrorizmin ndërkombëtar, më shumë se 40 xhihadistë janë përpjekur të hyjnë ose kanë hyrë në Evropë në tetë muajt e fundit duke u paraqitur si refugjatë sirianë.

Zbulimi i operativëve terroristë të maskuar si azilkërkues, me sa duket do të vështirësohet, pasi numri i refugjatëve të fillojë të rritet me përmirësimin e motit në pranverë.

Në tri javët e para të janarit, në Evropë hynë 36.000 refugjatë lufte nga Lindja e Mesme dhe emigrantë kryesisht ekonomikë nga Afrika, sipas statistikave të Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, një organizatë ndihmash humanitare.

Rastet e dokumentuara të xhihadistëve që përpiqen të hyjnë fshehurazi në Evropë, e kanë shtuar alarmin e shërbimeve evropiane të inteligjencës. Autoritetet belge konfirmuan javën e kaluar se kunati i radikalizuar i një xhihadisti që luftonte në Siri pritej të bëhej mbikqyrës në një central bërthamor të Belgjikës, para se të zbuloheshin lidhjet e tij radikale.

Parisi pret Kastron në një vizitë historike

Presidenti i Kubës Raul Kastro, i cili ndodhet në Paris që nga e shtuna, filloi sot një vizitë zyrtare shtetërore në Francë.

Ministrja franceze e energjisë Segolene Royal i uroi mirëseardhjen udhëheqësit kuban në Harkun e Triumfit.

Presidenti francez Francois Hollande do të presë 84-vjeçarin Kastro sonte me një darkë shtetërore në Pallatin Elize.

Hollande ishte udhëheqësi i parë evropian që vizitoi Kubën pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes saj dhe Shteteve të Bashkuara.

Zoti Hollande thotë se vizita e presidentit kuban në Francë shënon “një fazë të re në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.”

Europol: 10 mijë fëmijë emigrantë të zhdukur në Evropë

Agjencia evropiane për bashkëpunim në zbatimin e ligjit, thotë se së paku 10 mijë fëmijë emigrantë që kanë qenë të pashoqëruar, janë zhdukur pasi që janë regjistruar tek autoritetet evropiane gjatë dy viteve të fundit.

Gazeta britanike “The Observer” e ka cituar shefin e Europolit, Brian Donald, të ketë thënë se disa nga ta mund të kenë takuar anëtarët e familjes, por se ata thjeshtë nuk kanë informacione për fatin e tyre.

“Por ne thjeshtë nuk e dijmë se ku janë ata, apo çfarë bëjnë”, ka thënë ai.

Organizata bamirëse e fëmijëve, Save the Chlidren, thotë se rreth 26 mijë fëmijë emigrantë, të pashoqëruar nga familjet e tyre, kanë arritur në Evropë në vitin 2015.

Ekziston frika se fëmijët e pashoqëruar dhe të rinjtë mund të tërhiqen për tu bërë punëtorë seksi apo pjesë e aktiviteteve ilegale.

NATO reagon për shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë nga një avion rus

Stoltenberg, në një deklaratë në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë nga avioni rus, tha: “Ngjarjet e mëparshme treguan se sa i rrezikshëm është një veprim i tillë”

BRUKSEL – Sekretari i Përgjithshëm, NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar se edhe pse i kanë tërhequr me herë të tëra vëmendjen Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, e ftoi atë të respektojë hapësirën ajrore të NATO-s si dhe të bëjë lëvizje të përgjegjshme.

Stoltenberg, në një deklaratë në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë nga avioni rus tha se: “Ngjarjet e mëparshme treguan se sa i rrezikshëm është një veprim i tillë”. Duke bërë përgjegjës Rusinë Stoltenberg e ftoi atë të jetë më e përgjegjshme në veprimet e saj.

Në vazhdim të deklaratës se tij thuhet: “Në mënyrë që të mos përsëriten më raste të tilla Rusia duhet të marrë masat e nevojshme. Krijimi i një kontakti të drejtpërdrejtë mes Turqisë dhe Rusisë është një hap i mirëpritur. Bëj thirrje për gjakftohtësi. NATO mbështet tërësinë territoriale të aleatit të saj. Ndërkohë që vendet anëtare të NATO-s vazhdojnë të forcojnë kufirin e Turqisë është marrë vendimi për rritjen e pranisë së avionëve monitorues AWACS në dhjetor. Ky vendim është marrë përpara zhvillimit të kësaj ngjarjeje”. aa

Shitet në ankand për 82 mijë dollarë Fiat 500L i Papës

Në vizitën e Papa Francescos në Amerikë shtatorin e kaluar, për ta shoqëruar atë në Philadelfia ishte një Fiat 500L. Një zgjedhje tradicionale ajo e Papës, i cili nuk preferoi të lëvizte me një makinë të shtrenjtë dhe luksoze. Tani ekzemplari i Fiat 500L, me targë SCV1, është shitur për 82 mijë dollarë.

Gjermania e akuzon Rusinë për sulm kibernetik

Një sulm kibernetik gjashtëmujor kundër parlamentit të Gjermanisë në vitin 2015, ishte organizuar nga qeveria ruse, thuhet mes të tjerash në një raport të publikuar nga e përjavshmja gjermane Der Spiegel.

Revista ka njoftuar sot se autoritetet gjermane janë të sigurta se virusi Trojan kundër rrjetit kompjuterik të Bundestagut, në gjysmën e parë të vitit 2015, është kryer nga një grup i hakerëve të mbështetur nga qeveria ruse, të njohur si Sofacy dhe APT28.

Sulmi kibernetik e kishte ndërprerë për disa ditë rrjetin në faqen e parlamentit gjerman ndërsa i kishte komprometuar një numër të madh të të dhënave të qeverisë gjermane.

Një zyrtar i lartë i qeverisë gjermane i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë revistës me bazë në Berlin, se është “e qartë” se sulmi ka lidhje me “shërbimin e intelegjencës së ushtrisë ruse”.

Ai tha se sulmi kishte pasuar një metodë të ngjashme të sulmeve tjera kibernetike kundër Gjermanisë dhe vendeve të tjera të NATO-s.

OKB: Trupat evropiane abuzuan me fëmijët afrikanë

Bangui, Republika e Afrikës Qendrore

Kombet e Bashkuara kanë thënë se kanë akuza të reja për abuzimin seksual të fëmijëve nga trupat evropiane në Republikën e Afrikës Qendrore.

Një numër vajzash, nga mosha 14 deri në 16 vjeçe, kanë thënë se janë përdhunuar nga pjesëtarët gjeorgjianë të Eufor-it të BE-së, ka deklaruar OKB-ja.

Sipas burimit të njëjtë, një vajzë shtatë vjeçe dhe një djalë nëntë vjeç kanë thënë se janë abuzuar nga trupat franceze.

Trupat janë dërguar në Republikën e Afrikës Qendrore për të frenuar dhunën midis milicive të krishtera dhe rebelëve myslimanë.

Rebelët kanë marrë pushtetin në mars të vitit 2013. Në përgjigje, milicitë kanë kapur armët kundër tyre.

Abuzimet seksuale dyshohet se kanë ndodhur pranë një kampi për persona të zhvendosur, pranë aeroportit në Bangui, më 2014, por kanë dalë në dritë në javët e fundit, gjatë intervistave me një ekip të OKB-së.

 

Berlini: Përdhunimi i 13-vjeçares ruse është sajuar

BERLIN- Autoritetet gjermane kanë thënë se pretendimet për përdhunimin e një vajze 13 vjeçe, me origjinë ruse, në Berlin, janë sajuar. Vajza, e cila është zhdukur për disa orë më 11 janar, i ka thënë policisë se është rrëmbyer dhe përdhunuar nga, siç kanë thënë familjarët e saj, emigrantë nga Lindja e Mesme.

Një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit në Berlin ka thënë se të dhënat nga telefoni mobil i vajzës kanë treguar se ajo ka kaluar natën në fjalë në shtëpinë e një shoku. Djali 19 vjeç ka pranuar se vajza ka qenë me të atë natë. Disa nga gjërat e saj janë gjetur në banesën e tij, por nuk ka prova për “lojë të pistë”, ka thënë zëdhënësi.

Ai po ashtu ka thënë se nuk është ngritur asnjë akuzë kundër 19-vjeçarit, i cili tani është duke vepruar si dëshmitar. Rasti ka shkaktuar tensione midis Rusisë dhe Gjermanisë. Berlini ka paralajmëruar Moskën që të mos e politizojë atë, pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se autoritetet gjermane mund ta fshehin realitetin për arsye të brendshme politike.

Linkevicius: Në Ukrainë më shumë tanke ruse se sa vëzhgues të OSBE-së

“Rusia po bën agresion ushtarak, ekonomik dhe politik ndaj Ukrainës. Pajisja ushtarake ruse ende gjendet në rrugët e qyteteve Donjeck dhe Lugansk”, tha Linkevicius

VILNIUS – Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë Linas Linkevicius, në lidhje me punimet në lindje të Ukrainës tha se “Rusia po bën agresion ushtarak, ekonomik dhe politik ndaj Ukrainës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Linkevicius shkroi një artikull për gazetën “The Wall Street Journal” me temën: “Siguri, para politikës në Ukrainën Lindore”.

Në këtë shkrim ai duke treguar se përleshjet në rajon ende vazhdojnë, vlerësoi se “tanket të cilat lirish mund të lëvizin në rajon (në lindje të Ukrainës), është më i madh se sa numri i vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”.

“Rusia po bën agresion ushtarak, ekonomik dhe politik ndaj Ukrainës. Si mund të zbatohet reformë politike dhe lokalizimi i qeverisjes në rajon, kur pajisja ushtarake ruse ende gjendet në rrugët e qyteteve Donjeck dhe Lugansk dhe kur vëzhguesit ndërkombëtar nuk kanë qasje në këto vende?”, thotë ministri i Jashtëm i Lituanisë.

Linkevisius thekson rëndësinë e sigurimit të kushteve të nevojshme në Ukrainë për qasjen e vëzhguesve të OSBE-së në rajon. Sipas tij, duhet të arrihet armëpushim dhe të bëhet tërheqja e armëve të rënda nga rajoni.

Disneyland Paris: Arrestohet një person me armë dhe Kuran

Policia franceze ka arrestuar një person që ka mbajtur dy armë, në hyrje të një hoteli në Disneyland të Parisit.

Personi, i moshës 28-vjeçare dhe jo i njohur për shërbimet e sigurisë, ka pasur edhe një kopje të Kuranit dhe një kuti me municion, ka thënë policia.

Çanta e tij thuhet se ka ndezur detektorët e metalit, derisa ka hyrë në hotelin Nju Jork në parkun Disneyland.

Franca mbetet në gjendje të jashtëzakonshme, pas sulmeve terroriste në Paris, në nëntor të vitit të kaluar.

I ashtuquajturi Shtet Islamik ka thënë se ka kryer sulmet e koordinuara, në të cilat kanë mbetur të vrarë 130 veta.

E dashura e personit të armatosur është arrestuar po ashtu, por ajo ka qenë e paarmatosur.

Disneyland Paris është në mesin e destinacioneve më të popullarizuara turistike në Evropë.

Rreth 10 milionë njerëz e kanë vizituar atë në vitin 2014.

Nuk ka pasur ende ndonjë koment zyrtar nga Disneyland-i, por parku mbetet i hapur.

Rohani bën marrëveshje 22 miliardë eurosh me Francën

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 22 miliardë eurosh, për të blerë 118 avionë civilë nga firma franceze Airbus.

Marrëveshja është shpallur të enjten në Paris, në një ceremoni të ndjekur nga Rohani dhe presidenti i Francës, Francois Hollande.

Prodhuesi francez i makinave Peugeot-Citroen ka shpallur po ashtu një sipërmarrje të përbashkët me prodhuesin iranian të makinave, Khodro, për të prodhuar 200,000 makina në vit në Iran, nisur nga viti 2017.

Udhëtimi i Rohanit në Evropë vjen pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit.

Sanksionet janë hequr në bazë të një marrëveshjeje, e cila fillimisht ka obliguar Republikën Islamike që të frenojë aktivitetin e saj bërthamor.

Vizita pesëditshe e Rohanit në Itali dhe Francë është e para e një presidenti iranian në gati dy dekada.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka thënë se vendet duhet të harrojnë inatet e kaluara.

“Franca është në dispozicion për Iranin dhe Irani mund të llogarisë te Franca”, ka thënë ai.

Mbyten 24 emigrantë pranë ishullit grek

Njëzetekatër emigrantë janë mbytur pranë ishullit grek Samos, pasi anija e tyre është fundosur.

Në mesin e viktimave janë raportuar edhe fëmijë.

Kjo është anija e dytë që është fundosur këtë javë në këtë rajon. Të mërkurën, shtatë njerëz janë mbytur në incidentin pranë ishullit Kos.

Nacionaliteti i viktimave të fundit nuk dihet ende.

Shumica e atyre që rrezikojnë jetët, në përpjekje për të arritur në Evropë nga Turqia, janë shtetas të Sirisë, Irakut dhe Afganistanit.

Vetëm vitin e kaluar, mbi 850,000 njerëz kanë arritur në ishujt grekë nga Turqia.

Gjatë këtij muaji, ndërkaq, 46,000 veta tashmë kanë arritur në Greqi.