ARRATISJA E POETIT NGA HAKMARRJA….
Pas tërheqjes zvarrë të monumentit të Diktatorit të Madh, populli fitoi lirinë bashkë me të burgosurit e të internuarit dhe poetët e burgut të cilët fituan lirinë e në të njejtën kohë u arratisën nga ndjenja e hakmarrjes. Sipas meje tre janë argumentet më substanciale:. S ë p a r i : u realizua ideali i tyre i lirinë. S ë d y t i : vuajtja, tortura dhe izolimi i ka bërë poetët më të ndjeshëm, më njerëzorë ndaj jetës së njeriut. S ë t r e t i, nga natyra poeti është një qënie njerëzore fisnike, paqtore, humane. Armën e hakmarrjes nuk e merr në dorë. Duart poeti i ka të zëna me penë e kartë duke shkruar e kumtuar për dashurinë njerëzore dhe drejtësinë univërsale. Edhe kur i del përpara torturuesi i tij i egër, poeti nuk e sheh si armik, nuk bën vetëgjyqësi, gjykimin ndaj bëmave kriminale të tij ia lë në dorë drejtësisë dhe Perëndisë. Poeti nuk vret. Diktatorët vrasin poetët…
***
Diktatura enveriste vrau poetët e lirisë dhe të dashurisë. Ata që me art shprehën ndjenjat dhe mendimin e lirë u pushkatuan, burgosën, ca vdiqën në burg të tjerë në internim jetuan ferrin për sëgjali. Poezia e tyre i këndonte lirisë duke sfiduar parimin e partishmërisë komuniste. U pushkatuan poetët Trifon Xhaxhika, Vilson Blloshmi e Genc Leka; U dënua me vdekje në litar Avzi Nela. Në burg vdiqën Ethem Haxhiademi poet e dramaturg, Mirash Ivanaj linguist e poet. Ndërsa numri i poetëve të burgosur ështe i madh: Vincens Prenushi, Arshi Pipa, Pano Taçi, Visar Zhiti, Frederik Rreshpja, Zyhdi Morava, Ahmet Kolgiini, Piro Kuqi e të tjerë, e të tjerë..Poezitë e tyre transmetonin mesazhe për lirinë e privuar, për drejtësinë e munguar dhe urrejtjen ndaj çdo dhune.
FILOZOFIA E NDËRTIMIT TË URAVE…
Poezia e ish-të burgosurve dhe të internuarve në kampe izolimi, shpreh me art filozofinë e ndërtimit të urave midis njerëzve, etnive dhe popujve. Poetët si racë fisnikësh, mposhtën ndjenjën e hakmarrjes dhe kërkuan e kërkojnë fijet e dukshme e të padukshme të dashurisë njerëzore duke përcjellë m e s a z h e: tolerance e mirëkuptimi, mesazhe dashurie; mesazhe drejtësie si sfidë ndaj vetëgjyqësisë. Kjo frymë ndjehet në poezitë më të spikatur të tyre.
Ja si e shprehin poetikisht këtë filozofi vargjet e Jorgo Bllacit: “Askënd nuk e kujtoj për keq në botë / Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka: / Mjafton një fjalë e çiltër, fjalë e ngrohtë / që të më bësh prapë mik e prapë vëlla”. Ndërsa te poezia e Visar Zhitit “D a s h u r i” shquaj qasjen artistike të poetit për ta kërkuar me çdo mënyrë dashurinë, kur netët e errta ngrihen si male midis poetit dhe dashurisë: “Nisi rrugën të shkojë dashurinë, por rruga nuk e gjeti atë dhe u kthye prapë te poeti. Nisi k a p r o l l i n, por atë e qëlluan gjahtarët dhe u kthye mbrapsht. Nisi e r ë n, e ngatërruan në shpellat e dhimbjes dhë u kthye e verbër”. Megjithatë poeti me gjuhën e poezisë thotë: “Bie shi i rrëmbyer shprese” Ndaj mendon të nis YLBERIN, po ai “vetëm një mal mund të kapërcejë”. Atëhere niset vetë të kërkojë dashurinë: “Vetë po nisëm nëpër natë / dhe vetëm / do të kërkoj, / do të kërkoj, / do të kërkoj. / Si dora që endet nëpër dhomë, / në errësirë, / për të gjetur qiririn e shuar.” (Qaf-Bar,1983)
Autori i mbyllur në burg, i privuar nga liria & drita, ëndërron dhe kërkon dashurinë, në kuptimin konkret dhe universal. Edhe në errësirë e kërkon që të ndez qiririn e shuar, sepse beson te shiu i rrëmbyer i shpresës: se do ta gjejë dashurinë për njeriun dhe lirinë që janë burim paqeje, tolerance e mirëkuptimi.
*** Mjerisht ka dhë njerëz-ujqër të uritur që nuk kërkojnë fijet që të çojnë te dashuria njerëzore, por kërkojnë ca fije të tjera nëpër labirinthët e errta të ndërgjegjes që të shpien te urrejtja që ndez zjarre konfliktesh dhe armiqësishë. Ç’kontrast me filozofinë e poetëve të burgut komunist të cilët duke sfiduar “detin e hidhur” të jetës së tyre, dhunën fizike e psikologjike që ishte ushtruar mbi ta, kërkojnë njerëzoren te njeriu, dashurinë, të bukurën dhë progresin. Ja si shpreh poetikisht këtë filozofi Zyhdi Morava në poezinë “T ë g j i t h ë v e ” : “U them ta dini, më dhimbsen;/ një kalë i rrahur, drurët e rënë,/ fëmijët që qajnë, njerëz që grinden,/ netët e ftohta pa hënë./ Sytë që më dha dashuria / Pas njerëzores më mbetën lidhur, / Ndaj dolën të ëmbla këngët e mia/ Edhe pse piva detin e hidhur.”
REVOLTA E POETIT
I dhunuar në burgun komunist, i zhgënjyer nga psedodemokracia, në poezinë “Kolltuku” poeti dramatik Pano Taçci vë në shinjesten e satirës kolltukun e larte si simbol i dhunës dhe mjerimit te popullit nga politikanët gangster e të korruptuar. Citoj: “O Kolltuk, të rëntë një tënjë / Kaq të ëmbël, kush të gdhendi / Ulet djalli e zë rrënjë / E s’ka vinç ta zhgul nga vendi./ Shkon një djall vjen një zullap / Njëri zbrit e tjetri ngjit, / Ne me gisht në gojë prapë, / Prapë se prapë me lak në fyt. / Ecim, e s’dijmë ku mbrrijmë / me rrasën e varrit mbi shpinë!
Satira therëse godet fronin e lartë të lidërve gangster që mbi gjithçka kanë vënë idealin e kolltukut për të cilin ata përdorin çdo mjet, për të ardhur në pushtet apo për të qëndruar në fronin e lartë., ndërsa populli “me gisht në gojë” e “lak në fyt” zvarritet, zvarritet i pa shpresë. Vargjet: “Ecim, e s’dijmë ku mbërrimë, me rrasën e varrit mbi shpinë!” janë britmë poetike për zgjim e revoltë që populli me guxim të guximshëm, fatin e vet ta marrë në duar, kolltukun ta çojë në muze, shkaktarët e mjerimit të japin llogari para drejtesisë së vërtetë dhe jo drejtësisë si a l i b i.
*** Frederik Rreshpja, poeti unik i pa krahasueshëm, në poezinë “Mësim historie”, nga një këndvështrim krejt origjinal, stigmatizon njerëzit mjeranë shndërruar në skllevër, të cilët pas rrëzimit dhe thyerjes së statujës së Diktatorit të Madh, coprat e stataujës i mblodhën dhe i mbanin si hajmali… Poezinë e mbyll më vargun: “Të vjen të ulurishë “
*** Ndërsa poeti Visar Zhiti me fantazi të arsyeshme që është mrekulli e artit, siç do të thoshte Francisko Goja, krijon poezinë “Dëshpërim”: Ujqërit,/ nuk hapin varre për ujqërit / as nuk djinë t’i denoncojnë/ ulurimat e uritura mbi borë./ Kurse ulurimës së njeriut/ i ka mbetur një kockë në fyt./ Ka frikë lejleku i bukur, shtegtar si mendimi,/ t’ia heqë me sqepin e gjatë…/ do t’ia hanin kokën.”. Nëpërmjet metaforave dhe simboleve poeti Zhiti akuzon shkaktarët e mjerimit dhe stigmatizon mungesën e guximit për ta tërhequr kockën e ulurimës që i ka mbetur njeriut në fyt
*** I veçantë poeti Ahmet Kolgjini me një këndvështrim poetiko-flozofik dhe me gjuhë poetike të pastër shqipe, shpreh luftën e të kundërtave brenda un-it poetik duke përcjellë mësazhin e lirisë dhe të dashurisë: Citoj: “Kështu vazhdon luftimi pa mbarim / E shesh beteje bahet shpirti im/ Dhe zemrën time krejt si në përrallë / liria,,dashuria e rrëmbejnë me mall…”Dueli midis asaj që “më robnon e s’më lë shteg” dhe asaj që “më çliron dhe më ngre peshë”, – është pikërisht triumfi i së mirës në kuptimin univërsal dhe i lirisë e dashurisë në konkretësinë poetike.
REALITETI I PËRJETUAR DHE REALITETI POETIK
Poezia e ish-të burgosurve është realiste, konkrete, dramatike, lirike dhe satirike. Kur e lexon me vëmendje atë, të emocionon, të vë në mendim, të bën ta ndjesh vuajtjen, dhimbjen, dashurinë dhe urrejtjen; të befason me fisnikërinë e poetëve që sfidojnë hakmarrjen: – ndonësë të dhunuar nga diktatura fizikisht e psikologjikisht; ndonëse poezitë e tyre i kanë përodorur si akt-akuzë për t’i burgosur; ndonëse shumë poezi të tjera ua kanë shkelur me këmbë, grisur e djegur. Është e ndjerë dhe e vlertë poezia e tyre, realiste, e thjeshtë dhe tronditëse; formësuar jo prej fantazisë frelëshuar përtej realitëtit, përkundrazi ajo buron nga të vërtetat e hidhura dramatike e tragjike që ata kanë përjetuar realisht. Është reflektim i realitetit jetësor, shndërruar në realitet artistik i clli është më i përsosur, ndonësë ngjajnë si dy pika uji. Kjo vërtetësi: realitet jëtësor-realitet artisitk, vjen ngaqë poetët e burgut komunist duke shprehur vetvten në poezitë ë tyre, arrijnë në përjetime vetjake të fuqishme nga realiteti i egër diktatorial. Lexusi e ndjen dhe përjeton këtë poezi e cila është e pasur në larminë e detajeve, situatave, mjediseve, gjendjeve traumatike, episodeve të dhunës, të qëndresës, depresionit, por edhe të dashurisë së madhe për jetën, për lirinë, njeriun, për dritë e shpresë, çka pasuron poezinë shqipe në tërësi, me motive, tema, optika dhe vizione të reja. Madje kemi dhe një larmi formash artistike të shprehjes figurative të realitëtit.
*** M a k s V e l o njihet si piktor dhe arkitekt modern, me personale artistike të spikatur, – vëzhgues i hollë i jetës. Syri i mprehtë i piktorit, i tillë është edhe te syri i poetit Velo i cili vëzhgon dhe qëmton nga realiteti detaje, episode, ngjarje, objekte, mjedise, të veçanta, të zakonshme e jashtëzakonshme të cilat janë lënda e parë e poezisë së tij, ku burojnë kumtet poetike. Autori duke paraqitur me vërtetësi një realitet të ashpër, të egër e të dhunshëm brenda burgut, por edhe jashtë tij, komunikon besueshëm dhe emocionalisht me lexuesin dhe e çon atë natyrshëm te përjetimi i asaj që duhet të dashurojë & asaj që duhet të urrejë. ALBUMI i tij poetki, i titulluar “KOKËQETHJA” pasqyron jetën e burgut, me thjeshtësi e konkretësi, nëpërmjet detajeve, përqasjeve, kontrasteve, krahasimeve, metaforave e simboleve, ku mesazhet janë të fuqishme. Poezia shquhet edhe për satirën e hollë.
Nga poezia “Kokëqethhja citoj: “Kokën na e qethin çdo fund muaji, / pa flokë dukemi si burra –fëmijë ./ Bagëtinë e qethim çdo vit, / pa leshin duken lakuriq / Në flokët e shkurtër që bien / shkurtohet jeta jonë. / Në thinjat që shtohen / ngjyrat ë vuajtjeve gri. / Kështu duan të na kenë, / përjetësisht kokëqëthur, / ata që, si bagëtinë / qethnin çdo vit Shqipërinë.”
*** Poetët dhe prozatorët që kanë përjetuar ferrin në burgun enverist, kanë shansin ta përshkruajnë me vëtetësi realitetin dramatik e tragjik, ndërsa të talentuarit, kanë dy herë shansin që atë ferr ta japin më të përsosur artistikist, duke përcjellë mesazhe që e keqja të mos harrohet e përsëritet. Në të njetën kohë jepin mesazhe njërëzore, drite e shprese.
*** Poeti P a n o T a çi i zhgënjyernga realiteti postkomunist, gjoja demokraci , ( që ashtu siç erdhi, mos ardhtë kurrë,) – me super-realizëm jep një tablo varfërie të skajshme. Nga poema “O vendi im” shkëpus këto vargje: “Ikin vitet, shkelur nga këmbët / Rudhen ditët e shuhen orët. / Atdheut tim i kërcasin dhëmbët / Tek vjell zorrët. / E, ne, siç jemi të uritur, / si bishat që dalin nga shpellat / shtyhemi të babëzitur / të hamë të vjellat…” No, coment!.
VËSHTRIMI PESIMIST I REALITETIT nga poeti Piro Kuqi
Larmia e poezisë së poetëve të burgut është një veçori e saj. Çdo poet e përcepton dhe konfiguron realitëtin në mënyrën e vet. Kështu edhe poeti Piro Kuqi ka unin e vet poetik. I traumatizuar nga diktatura komuniste, nga vuajtja e mjerimi, po edhe nga pseudodemokracia, shpreh poetikisht botën e tij, dramën individuale dhe dramën shoqërore si të kohës së luftës së klasave, ashtu edhe të kohës sonë. Ë veçanta e krijimtarisë së së tij është vështrimi i realitetit me pesimizëm, trishtim e dhimbje, i cili është sjellë egërsisht me të. Po ai nuk mallkon, nuk urren, gjithçka e mban përbrenda, e ndryn në shpirtin e plagosur. Një fisnikëri e heshtur. Duke studjuar librin “B o t ë ë p a n j o h u r” të Piro Kuqit, e konsideroj poet i pesimizmit, trishtimit dhe akuzës ndaj botës së egër e të pistë. Ja, disa vargje nga poezia Ujqërve: “Përse ulurini ujqër, netëve/ Nën qiell të kaltërt, nën qiell me re? / Në terrin e natës të tokës mëmë / Ulurima juaj zgjatet posi gjëmë!” . Ujqërit : “Eja me ne, eja / O vdis nga uria / Ose nga rrufeja”. Poeti: ”O të dashur ujqër, s’mund të vij me ju / Në lulen e moshës, dergjem unë këtu,/ Bota më kapiti, bota më sëmuri, / O, ky shtrati im, është vetë qivuri!”
Çastet e pesimizmit dhe të rënies shpirtërore janë të shumtë në poezinë e Kuqit, por ato janë momente të veçanta dramatike e të ndryshme brenda vetes, por ka dhe momente që e ndjen të këqen edhe jashtë tij, për të ndezë fitilat e shpërthimeve ndaj padrejtësisë, për të ndezë dritë e shprësës të ëndrrave të bukura të cilat kurrë nuk shuhen, sepse ato jetojnë thellë diku në shpirtin dhe zemrën e poetit. Këtë kumton poezia “Koha ikën”: ”Vitet që kanë ikur,/ Rinorët plot me fletë,/ Në ëndrra jetojnë / në jetën e vërtetë.
POEZIA OPOZITARE E VËRTETË KONSTRUKTIVE
Letërisa & arti si dhe poezia – janë opozita më konstruktive dhe objektive në kritikën ndaj realitetit. Thelbi i opozitarizmit është misioni për të paraqitur realitëtin jëtësor, njeriun dhe botën e tij poetikisht në ndryshim e zhvillim, për të lartësuar vlerat dhe stigmatizuar antivlerat. Si të tilla lëtërsia dhe arti, janë të angazhuar në përcjelljen e mesazhve artistike që burojnë nga shqetësimi poetik qytetar dhe nga idealet e larta për liri, demokraci, drejtësi njërezore dhe progres. Duke e studjuar sipas kësaj optike poezinë e ish-të burgosurve dhe të internuarve e izoluarve në kampe përqëndrimmi, konstatoj një larmi të pafund mesazhesh për dashurinë, urrejtjen, lirinë, drejtësinë; për tolerancën e mirëkuptimin, harmoninë dhe për gëzim jetës, për arratinë nga hakmarrja primitive; siç e cika më sipër; mesazhe për braktisjen e vetmisë. Një pafundësi kumtesh përmbajnë poezitë nga individualitetet më të spikatura të poezisë, ku do të veçoja poetët Arshhi Pipa, Visar Zhiti e Pano TAçi, të cilët shquhen për fantazi krijuese të begatë dhe të arsyeshme, me mendime e ide të fuqishme. Taçi duke kultivuar një poezi dramatike me shpërthime emocionale e mentale të forta. Ndërsa Zhiti shquhet për një poezi rebele, tronditëse unike, me shtresa e nënshtresa kuptimore, shumëdimensionale dhe me kolorit të ndezur. Citoj disa vargje të poezisë së Zhitit “Gishtërinjtë si gjarpinjtë” nga libri poetik “Hedh një kafkë te këmbët e tua”: “Unë dua që edhe gjarpinjtë / t’i çgjarpërizojmë / t’i bëjmë gishta të blertë të natyrës, / ta shkulim rrezikun, / t’ia heqim thumbin e helmit! / Fati të bëhet / dorë dashurie / e bardhë, lakuriqe, e ngrohtë / të zgjatet drejt teje, / të kërkojë dorën tënde / ta marrë ta puthë. / (thonjtë të jenë petale jete që s’shkunden) Çdo njeri t’i ketë të tijat / duart e gjithë botës”. Poeti brenda hëkuravë të burgut, kërkon dashuri njerëzore: njeriu t’ia zgjat dorën njeriut, çka do të thotë të mbretërojë dashuria jo urrejtja e hakmarrja. Poeti kumton që edhe armiqëve t’ua heq helmin, armiqësinë. Duart e gjithë botës, t’i ketë të tija çdo njeri. Po, siç theksova më lart, mesazhet janë të larmishme, nga çdo poezi e secilit. Janë kumte origjinale, të ndryshme e të larmishme: kumte për dashurinë, njerëzit, jetën, urrejtjën, dhunën, diktaturën, të keqen e të mirën; arratisjen nga hakmarrja personale & thirrje për drejtësi, mirëqenie dhe progres dhe ndryshi, që të lulëzojë demokracia e vërtetë, pa neodiktatorë, politikanë të korruptuar e inkriminuar që për fronin e lartë dhe pasurinë e tyre, shesin Shqipërinë.
KONKLUZË :
Poezia e poetëve të pushkatuar, te vdekur në burgje, të internuar dhe izoluar në kampe përqëndrimi, është poezi e LIRISË. Sfiduese e poezisë së politizuar dhe ideologjizuar të realizmit socialist. Është një kapitull i ri që i shtohet historisë së poezisë shqipe. Mjerisht shkrimtarët, poetët kritikët e studjuesit e socrealizmit që akoma nuk janë u divorcuar me të, kanë krijuar një Monizëm të Ri Letrar që nënvlefteson poezinë dhe prozën e poetëve dhe prozatorëvë burgut. Vlerat e larta të saj, sipas meje, mund t’i zbulojë dhe evidentojë kritika profesinale modene. Ndër përfqsuesit më më cilësorë shquhen: At Zef Pëllumi me kryeveprën “Rrno për me trgue”, poeti e prozatori i klasit të pare Visar Zhiti, poeti elitar Frederik Rreshpja,, poeti rebel Pano Taçi, liriku Jorgo Bllaci etj e tj. Pozia e burgut është poezi e lirisë & dashurisë njerëzore, që stigmatizon të keqen e të shëmtuarën & kumton të mirën e të bukurën, që shtegton në rrugën estetike që të #on te liria siç do të thoshte Shileri.
DOSTOJEVSKI thoshte: “Estetika është zbulimi i momenteve të bukura të shpirtit njerzor nga shkon njeriu (edhe poeti e poezia M.P.).për vetëpërsosje”
Komentet