Edi Rama ka zgjedhur rrugën më fatale për të mposhtur shqiptarët:
1.Duke i varfëruar në atë masë sa ata të ndihen skllevër dhe ai skllavopronar.
2.Duke e poshtëruar elitën kulturore me rroga depersonalizuese, që artistët e Shqipërisë të ndihen si lypsarë dhe ai tutor!
3.Duke i rrënuar tempujt e kulturës shqiptare, që shqiptarët të mbeten pa identitet e të rrënuar, ndërsa ai Neron.
4.Duke e çuar në degradim jetën e pensionistëve, të cilët pas 40 vjet punë dhe kontribute jetojnë si kafshët.
5.Duke eleminuar shtetin social dhe kthyer shtresën në nevojë, qindra mijë qytetarë, në një shtresë vulnerabël në skllavëri të plotë, sepse shteti i Edi Ramës nuk i njeh as detyrimet ndaj tyre dhe as mëshirën për ta!
6.Duke e kthyer policinë, një herë herë nën drejtimin e Sajmir Tahirit, tani nën drejtimin e Fatmir Xhafës, ose në mbështetës të trafikantëve të drogës, ose si mjet për të provokuar dhe shtypur shqiptarët.
Policia e Fatmir Xhafës, një sejmen i Edi Ramës, arrestoi studiuesen amerikane Prof.Lori Amy, kur kjo denoncoi në mes të Tiranës provokimin që policia po i bënte qytetarëve, duke mos i lejuar që ata të ushtronin të drejtën legjitime të protestës. Prof.Lori Amy i kërkoi policisë së Fatmir Xhafës që të kryente me përgjegjshmëri detyrën duke devijuar trafikun. Në përgjigje të kësaj, policia e arrestoi shtetasen Amerikane, që është studiuese, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut!
Kur policia e Edi Ramës e kryen këtë akt barbar ndaj një shtetaseje Amerikane, kur kjo nxjerr në pah rolin destruktiv të policisë shqiptare, merret me mend se çfarë mund të bëjë kjo polici kundër shqiptarëve pa mbrojtje!
Ndalimi i shtetases Amerikane Prof.Lori Amy nga policia në shërbimin e Edi Ramës bëhet vetëm disa ditë mbas vizitës zyrtare të Fatmir Xhafës në SHBA, ku ai u premtoi autoriteteve amerikane se do të kryejë detyrën sikur i takon. Autoritetet Amerikane le të shohin vetë se si e e kryen detyrën Fatmir Xhafa, se kur ndalohet një shtetase amerikane, e cila nuk kreu asnjë shkelje të ligjit, merret me mend se Edi Rama është i gatshëm t’i kthejë shqiptarët në mish për top.
Por Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe qytetarët e saj duhet të jenë të mbrojtur jo vetëm nga çdo agresion i jashtëm, por edhe nga çdo lloj agresioni i brendshëm shtetëror, sikur ky që po ushtron kryeministri i Shqipërisë.
Më 21 janarin e vitit 2011 shqiptarët dhe Perëndimi pa se Edi Rama mund ta djegë Shqipërinë.
Edi Rama në janarin e 2011 organizoi protesta të dhunshme, duke synuar një skenar si të Pranverës Arabe.
Protesta e dhunshme e 21 Janarit 2011 degjeneroi në kaos dhe reagimi i policisë shkaktoi 4 viktima të pafajshme që edhe sot e kësaj dite lypin drejtësi!
Sot Edi Rama si kryeministër u dikton shqiptarëve të paguajnë Rrugën e Kombit me tarifa, kur xhepi i tyre është bosh dhe nuk mund të pagujë asnjë lloj tarife, aq më tepër kur për Rrugën e Kombit shqiptarët e kanë paguar ndërtimin dhe mirëmbajtjen për 31 vjet dhe kjo rrugë prej disa vitesh është fitimprurëse! Rruga e Kombit që ka kushtuar 1.2 miliardë Euro gjatë këtyre 9 viteve në funksion ka nxjerrë 2.4 miliardë fitime, dmth e ka larë pagesën e ndërtimit me një përfitim 1.2 miliardë Euro!
Kjo e nxjerr edhe më në pah agresivitetin kundër banorëve të Kukësit, më të varfërit e Shqipërisë që Edi Rama i dënon me tarifa, burgim dhe izolim, i fut në geto, ua ndalon lëvizjen e lirë brenda Shqipërisë, sepse ata duhet të paguajnë tarifë hyrëse dhe dalëse kur duan të lëvizin brenda Shqipërisë! Banorët e Kukësit e kanë paguar Rrugën e Kombit edhe si taksapagues kur kjo Rrugë u ndërtua, edhe si taksapagues kur Edi Rama ka nënshkruar kontratën konçensionare prej 400 milionë Euro.
Mirëmbajtja me konçension përjashton çdo lloj tarife jo vetëm për banorët e Kukësit, por edhe për shqiptarët brenda territorit të Republikës të Shqipërisë!
Në kontekstin aktual, Edi Rama duhet të heqë dorë menjëherë nga kërcënimet me kërcitjen e dhëmbëve që i ka implantuar disa dhjetra mijëra Euro me parate e taksapaguesave të Shqipërisë.
Edi Rama duhet menjëherë:
1.Të largojë policinë e të lirojë të arrestuarit e Kukësit.
2.Të anullojë tarifën e Rrugës të Kombit.
3.T’i kërkojë ndjesë publike studiueses Amerikane Prof.Lory Ami.
4.Të shkarkojë ministrin e brendshëm Fatmir Xhafa. Nëse e shkarkon Fatmir Xhafën, ia atribuon atij respresionin policor kundër shqiptarëve, nëse nuk e shkarkon, atëhere Edi Rama merr autorësinë e plotë të represionit policor kundër banorëve të Kukësit, protestuesve dhe shtetases Amerikane Lori Amy !
Një thirrje edhe opozitës shqiptare: të mos e përdorë Kukësin apo dramat e Artistëve për qëllime personale, sepse nuk kanë besueshmëri, por t’i mbështesë ata përmes detyrimeve kushtetuese!
Komentet