VOAL

VOAL

Pacolli sqaron votën e Labinot Tahirit

August 8, 2017

Komentet

Kosova me nismë të re për ndryshimin e Ligjit për Specialen pas kritikave nga ndërkombëtarët

Radio Evropa e Lirë

Kosova do të ndërmarrë një nismë të re për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, pasi ndryshimet e tanishme në këtë ligj të vitit 2015 s’u miratuan mes kundërshtimeve të ashpra nga ndërkombëtarët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë, u pajtuan për një nismë të re të enjten, në ditën kur votimi për ndryshimet e propozuara në këtë ligj, të cilat do t’ia kufizonin kompetencat kësaj gjykate me seli në Hagë, u shty për herë të dytë brenda ditësh.

Ndryshimet e miratuara në tetor u kthyen në Kuvend për rishqyrtim nga presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, me kërkesën e vet iniciueses, PDK-së. Ato u miratuan pak javë pasi kjo gjykatë i dënoi në shkallë të parë katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti e takoi më herët gjatë ditës ushtruesen e detyrës së kryetarit të PDK-së, Vlora Çitakun, për të biseduar për këtë çështje, pasi ai kishte shprehur ngurrim për ta lejuar të futet në fuqi një ligj që nxiti kundërshtime nga ndërkombëtarët.

PDK-ja kishte ngulur këmbë që ndryshimet të miratoheshin dhe më pas ligji të ndryshohej në dy javët pas hyrjes në fuqi, për t’i adresuar shqetësimet e ndërkombëtarëve, por në fund hoqi dorë nga kjo kërkesë.

Kurti tha gjatë seancës se ai nuk dyshon “në qëllimin e mirë” të PDK-së për ta ndryshuar Ligjin, por shtoi se “nuk mjafton vetëm kjo, duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë”.

“Për këtë na duhet një ligj i cili nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj i cili ka efekt në realitet, në praktikë më pastaj”, tha Kurti.

Çitaku, duke folur më vonë në një konferencë për media, tha se me kryeministrin janë pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet bërë në të.’

“Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Si rezultat, sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim. Nismën e re ligjore menjëherë javën tjetër, me propozime tona konkrete dhe me propozimet e ekspertëve”, ka thënë Çitaku.

Kurti theksoi se pret që javën e ardhshme të dorëzohet një draft i ri për ligjin për Specialen, përmbajtja e të cilit duhet të hidhet në diskutim e më pas edhe në votim.

Ai bëri thirrje që përmbajtja e re të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës, “në mënyrë që të ndihmohet drejtësia”.

Ndryshimet që nuk kaluan

Ndryshimet kryesore, që përfundimisht dështuan të kalonin, synonin ngushtimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale, duke e kufizuar atë kryesisht në pretendimet për trafikim organesh dhe në vrasje, torturë e trajtim mizor që lidhen drejtpërdrejt me këto pretendime. Po ashtu, periudha kohore e juridiksionit do të kufizohej nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa ai territorial vetëm në territorin e Kosovës.

Projektligji parashihte kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, si dhe mundësinë që të dënuarit t’i vuanin dënimet në Kosovë dhe të përfitonin nga falja presidenciale.

Rastet që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të ri do të transferoheshin në sistemin e drejtësisë së Kosovës, bashkë me provat dhe dosjet përkatëse. Ndërkaq, rastet në proces do të vazhdonin në apel në Hagë, ndërsa ndryshimet nuk nënkuptonin anulimin automatik të aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e të dënuarve.

Synimi për t’i kaluar këto ndryshime nxiti reagime nga ndërkombëtarët, me Bashkimin Evropian që tha se ato shkelnin zotimet ndërkombëtarë të Kosovës.

Kosova rrezikonte të shkelte zotimet e marra përmes shkëmbimit të letrave të prillit 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton.

Përmes tyre, Kosova ishte zotuar që të konsultohej me Bashkimin Evropian për çdo ndryshim ligjor që prek mandatin ose procedurat e Dhomave të Specializuara, si dhe të garantonte vazhdimin e punës së Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Këto zotime lidhen edhe me Nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, që përcakton bazën kushtetuese të Dhomave të Specializuara dhe juridiksionin ekskluziv të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për çështjet që lidhen me to.

Ndryshimet e reja

Çitaku theksoi se ndryshimet e reja do të ndërtohen mbi themelet e tekstit me ndryshimet që Kuvendi i kishte miratuar në dy lexime në tetor, para se të ktheheshin mbrapsht nga presidentja. Ajo nuk shpjegoi më shumë rreth ndryshimeve të reja.

“Mbi atë tekst do të bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje konkrete shtetërore”, tha Çitaku.

Çitaku tha se i pranon kritikat për mënyrën se si PDK-ja e kishte trajtuar këtë çështje nga dita e parë.

Ajo u zotua se këtë proces “do ta çojmë deri në fund”, duke shtuar se “projektligjin do ta hartojmë dhe do ta sjellim në Kuvend për votim, më të plotë, më të qëndrueshëm juridikisht, më të zbatueshëm praktikisht”.

Ndërkohë, Kurti tha se beson se “korrigjimi” i aktgjykimit dënues të 16 shtatorit duhet të ndodhë në shkallën e dytë, pra në Gjykatën e Apelit në Hagë.

Ai paralajmëroi se Grupi Punues për Strategjinë Shtetërore për Apelin në Hagë, i themeluar nga Qeveria në tetor, do ta sjellë javën e ardhshme draftin e parë të strategjisë shtetërore për ta ndihmuar ish-katërshen e UÇK-së në apelimin e dënimeve me burgim për krime lufte.

Grupin e udhëheq Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Hashim Thaçi, Kadi Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – të cilët udhëhoqën UÇK-në gjatë luftës së saj kundër forcave serbe më 1998-99 – u shpallën fajtorë më 16 shtator për akuza për krime lufte.

Ish-presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim secili, ndërsa ish-kryeparlamentari tjetër Veseli u dënua me 18 vjet, dhe ish-deputeti Selimi me 13 vjet.

Që të katërtit i kanë mohuar akuzat dhe do të ankohen ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Apelin e Speciales.

INSTITUTI ALBANALOGJIK PRISHTINË: Rexhep Qosja – figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare (me rastin e 90 vjetorit të lindjes) Prishtinë, 25-26 nëntor 2026

 

                                                                                                         

 

Këshilli organizues:

Fadil Grajçevci

Hysen Matoshi

Arbnora Dushi

Angjelina Hamza Hasanaj

Nuridin Ahmeti

Abdurrahim Maxhuni

Adil Olluri

 

 

PROGRAMI

25 NËNTOR, E MËRKURË, NË ORËN 10.00

 

SEANCA PLENARE

 

Drejtojnë seancën: Fadil Grajçevci, Shefkije Islamaj, Agim Vinca, Kudusi Lama

Fjala e hapjes: Fadil Grajçevci, u.d. i drejtorit IAP-it

 

Fjalë përshëndetëse:

Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës

Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Petrit Malaj, ambasador i republikës së Shqipërisë

 

1. Shefkije Islamaj, Ndërtekstorësia – zbulimi i stilit dhe i erudicionit në romanet e Rexhep Qosjes

2.Agim Vinca, Rexhep Qosja dhe kultura shqiptare

3.Kudusi Lama, Krijuesi i madh në universin kombëtar shqiptar

 

Vizitë në zyrën muze të Akademik Rexhep Qosja

Pushim

 

—

25 nëntor 2026, e mërkurë, ora 12.00

 

SEANCA E PARË *

Kryesia e punës: Valter Memisha, Shefkije Islamaj, Paskal Milo

 

1. Paskal Milo, Bashkëpunimi i Rexhep Qosjes me shtetin shqiptar në luftën për çlirimin e Kosovës (1998-1999)

2. Fatmir Toçi, Rexhep Qosja siç e njohëm ne, botuesit e tij

3. Valter Memisha, Gjuha shqipe, paradigmë thelbësore në veprën e Akademik Rexhep Qosjes

4. Isak Shema, Erudicioni letrar dhe shkencor i Akademik Rexhep Qosjes

5. Shpresa Ismajli, Shqipja në veprat e Rexhep Qosjes

6. Qerim Lita, Rexhep Qosja, mbrojtës i çështjes shqiptare në Maqedoni

7. Begzad Baliu, Vajazani: portreti letrar i Rexhep Qosjes – sistemi onomastik i romaneve të Rexhep Qosjes

8. Abdurrahim Maxhuni, Pasuria gjuhësore në veprat e Qosjes sipas studimeve të Shefkije Islamajt

9. Faton Krasniqi, Gjuha e njësuar letrare sipas Rexhep Qosjes

10. Marjan Lulgjuraj, Toponimia në veprën Vdekja më vjen prej syve të tillë të Rexhep Qosjes

Diskutime**

Pushim

 

25 nëntor 2026, e mërkurë, ora 14.30

SEANCA E DYTË

Kryesia e Punës: Pëllumb Xhufi, Shpresa Ismajli, Virion Graçi

 

1. Pëllumb Xhufi, Rilindja Kombëtare, zgjedhja e jetës e Akademik Rexhep Qosjes

2. Nail Draga, Çështja shqiptare preokupim kombëtar e intelektual

3. Sali Bashota, Rexhep Qosja për Naim Frashërin

4. Ag Apolloni, Risemantizimi i baladës ballkanike nga Rexhep Qosja

5. Sadik Mehmeti, Arkivi dhe arkivisti në optikën e Rexhep Qosjes: ndërmjet kujtesës, dokumentit dhe përgjegjësisë historike

6. Zejnepe Alili Rexhepi, Ideali i bashkimit kombëtar të rilindësve (Naimi, Fishta, Noli) në veprën Strategjia e Bashkimit Kombëtar të Rexhep Qosjes

7. Nuridin Ahmeti, Pikëpamjet e Profesor Rexhep Qosjes për (ri)shkrimin e historisë shqiptare

8. Davida Marku, Risemantizimi i fjalës dhe ndërtimi i moderitetit në prozën e Rexhep  Qosjes

9. Besim Qeriqi, Rexhep Qosja, intelektuali që sfidoi propagandën serbe (1980–1989)

10. Albin Mehmeti, Intelektuali dhe diferencimi ideo-politik (rasti i Rexhep Qosjes ndërmjet dëshmisë dhe fiksionit)

 

Diskutime

——

 

26 nëntor 2026, e enjte, ora 10.00

 

SEANCA E PARË

 

Kryesia e Punës: Rovena Vata Mikeli, Hysen Matoshi, Angjelina Hamza,

1. Hysen Matoshi, Korpusi shkrimor i Akademik Rexhep Qosjes

2. Virion Graçi, Paradigma historike në prozën e gjatë fiksionale të Rexhep Qosjes: grotesku si antihero

3. Arben Hoxha, Nga dija te përvoja estetike: e vërteta ndërmjet shkencës dhe letërsisë në veprën e Rexhep Qosjes

4. Edlira Gugu, Kujtesa artificiale dhe harresa kulturore (Rexhep Qosja në kufijtë e dijes së modeleve gjuhësore)

5. Adem Zejnullahu, Mitikja në dramat e Rexhep Qosjes

6. Majlinda Bushaj, Tradita popullore dhe risia leksikore në veprën e Rexhep Qosjes

7. Sami Hajra, Poetika e postmodernizmit te romani Nata është dita jonë

8. Manjola Brahaj Halili, Nga survejimi te vetëkontrolli: mekanizmat e

kontrollit dhe kriza e lirisë individuale në Vdekja më vjen prej syve të tillë

9. Adil Olluri, Rexhep Qosja, shkrimtar erudit

10. Bujar Meholli, Kritika dhe morali në eseistikën e Rexhep Qosjes: kriza e gjykimit në epokën digjitale

11. Besnik Jaha, Bijtë e askujt e Rexhep Qosjes: anatomia e krizës historike dhe identitare shqiptare

12. Rovena Vata Mikeli, Njeriu dhe fjala e tij: etika e krijimit dhe humanizmi naimian në kritikën letrare të Rexhep Qosjes

13. Fatmir Sinani, Rexhep Qosja – kolosi i letrave shqipe

14. Laura Ferizi Haradinaj, Sfinga e gjallë: simbolika e kujtesës, identitetit dhe heshtjes

 

Diskutime

Pushim

 

26 nëntor 2026, e enjte, ora 13.00

SEANCA E DYTË

Kryesia e punës: Arben Hoxha, Emine Shabani, Adil Olluri

 

1. Emine Shabani, Dimensionet estetike dhe diskursi kritik në veprën e Rexhep Qosjes

2. Migena Arllati, Gruaja në universin letrar të Rexhep Qosjes: identiteti, emancipimi dhe përplasja me realitetin shoqëror

3. Eronita Kqiku, Ironia dhe antiteza si mekanizma kritikë të Rexhep Qosjes

4. Alba Gega, Çmitizimi në romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë të Rexhep Qosjes

5. Fadil Grajçevci, Ditari Dëshmitar në kohë historike i Rexhep Qosjes, vepër monumentale e kulturës shqiptare

6. Fatbardhë Hasi, Metamorfoza e personazhit në romanet e Rexhep Qosjes

7. Gentiana Kuqi, Leonita Rexhaj, Mes së vërtetës dhe iluzionit: njeriu, ndërgjegjja dhe koha në universin krijues të Rexhep Qosjes

8. Milaim Delija, Harta emocionale e veprës së Rexhep Qosjes (Analizë kompjuterike dhe lexim sasior)

9. Mirjetë Sadiku, Interpretimi i Kosovës së pasluftës në romanin Nata është dita jonë

10. Granit Sadiku, Poetika postmoderne në romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë

11. Eduart Bardhi, Rexhep Qosja – figurë e kreshtës së parë të letërsisë dhe albanologjisë

12. Blinera Hajdari, Ironia dhe satira në veprën I ringjalluri i penduar

13. Antigona Zeneli, Diskursi në prozën e Qosjes

14. Astrit Jashari, Semantika leksiko-frazeologjike në romanin Një dashuri dhe shtatë faje të Rexhep Qosjes

 

Diskutime

 

Fjala e mbylljes:

Adil Olluri, Sekretar shkencor i Institutit Albanologjik

INSTITUTI ALBANALOGJIK PRISHTINË:

Rexhep Qosja – figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare

(me rastin e 90 vjetorit të lindjes) Prishtinë, 25-26 nëntor 2026

 

 

——–

 

* Koha për leximin e kumtesave 10 minuta

** Koha për diskutim 2 minuta

Programi në pdf

Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Kapetanović, viziton Prishtinën dhe takohet me Presidenten Shiroka-Pula dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca

Kapetanović merr pjesë gjithashtu në diskutimin e Forumit Ekonomik të Brezovicës mbi Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Tregun e Vetëm të BE-së

Prishtinë/Brezovicë – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, vizitoi sot Prishtinën, ku u takua me Presidenten e sapoemëruar Justina Shiroka-Pula dhe Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Në takimin me Presidenten Shiroka-Pula, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së diskutoi për bashkëpunimin rajonal, zhvillimet në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin europian të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në proceset rajonale dhe të shndërrimit të zotimeve politike në bashkëpunim praktik që sjell përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonomitë e rajonit.

Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca, Kapetanović shkëmbeu pikëpamje mbi prioritetet për periudhën e ardhshme, zbatimin e angazhimeve rajonale dhe vazhdimin e bashkëpunimit me RCC-në. Diskutimi përfshiu gjithashtu rolin e bashkëpunimit rajonal në mbështetjen e integrimit ekonomik, ndërlidhjes dhe integrimit më të ngushtë të gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

“Bashkëpunimi rajonal, në fund të fundit, matet me rezultatet që sjell për qytetarët dhe bizneset. RCC do të vazhdojë t’i bashkojë institucionet, të ndihmojë në zhvillimin e zgjidhjeve të përbashkëta dhe të mbështesë zbatimin, në mënyrë që angazhimet e dakorduara të shndërrohen në rezultate të dukshme në të gjithë rajonin”, tha Kapetanović.

Gjatë takimeve, Presidentja Shiroka-Pula dhe Ministri i Punëve të Jashtme Konjufca vlerësuan punën e RCC-së në avancimin e agjendave rajonale dhe përsëritën mbështetjen e tyre për prioritetet e ardhshme të organizatës.

Kapetanović mori pjesë gjithashtu në panelin e Forumit Ekonomik të Brezovicës 2026, me temë “Nga Tregu i Përbashkët Rajonal drejt Tregut të Vetëm të BE-së”, ku theksoi se Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) duhet të vlerësohet gjithnjë e më shumë përmes rezultateve të dukshme dhe të matshme, dhe jo vetëm përmes zotimeve dhe planeve të veprimit. Duke iu referuar arritjeve si roaming-u dhe Zona e Vetme e Pagesave në Euro (SEPA), ai tha se integrimi ekonomik rajonal tashmë po dëshmon se si integrimi europian mund të përmirësojë jetën e përditshme edhe përpara anëtarësimit në BE.

“Kemi dëshmuar se dimë t’i kthejmë fjalët në vepra. Tani duhet ta përshpejtojmë ritmin. Suksesi i kësaj agjende do të matet me atë që qytetarët dhe bizneset do të mund të bëjnë nesër, e që nuk mund ta bëjnë sot”, tha Kapetanović.

Paneli u moderua nga Dardan Sejdiu, drejtor ekzekutiv i Balkan Green Foundation, ndërsa krahas Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së morën pjesë Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit; Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës; Nik Gjeloshaj, Zëvendëskryeministër për Politikë Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik; Gaudencio Luis Costa, ish-Ministër i Turizmit dhe Ekonomisë; Sergiy Maslichenko, përfaqësues i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH); dhe Pranvera Kastrati, Drejtoreshë e Sekretariatit të CEFTA-s. bw

Hagë: Thaçi dënohet me 17 muaj, Smakaj dhe Fazliu nga 12 muaj për pengim të drejtësisë

Ka përfunduar seanca në Gjykatën Speciale në Hagë, ku u shpall aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkakuzuarve të tij në çështjen për pengim të drejtësisë.

Sipas vendimit të gjykatës, Hashim Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, ndërsa Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim secili.

Ndërkohë, Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.

Me shpalljen e këtij vendimi ka përfunduar seanca gjyqësore në Hagë për këtë çështje. bw

Mbahet sot në Hagë seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve për pengim të drejtësisë

HAGA– Gjykata Speciale në Hagë pritet të nisë në orën 10:00 seancën për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij për pengim të dyshuar të drejtësisë.

Përveç Thaçit, në këtë rast akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu. Të pesë të akuzuarve u është kërkuar të jenë fizikisht të pranishëm në seancë, e cila zakonisht transmetohet me dhjetë minuta vonesë.

Sa vite burgim ka kërkuar Prokuroria?

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj për Hajredin Kuçin.

Thaçi është dënuar më 16 shtator, në shkallë të parë, me 25 vjet burgim për krime lufte. Nëse shpallet fajtor edhe në rastin për pengim të drejtësisë, ai mund të marrë një dënim tjetër. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. /Dosja.al

Kënga nacionaliste serbe në aktivitetin e BE-së, reagon Albulena Haxhiu: Presim sqarim nga Komisioni Evropian

KOSOVA– Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Ajo e cilësoi ngjarjen si thellësisht shqetësuese, duke theksuar se kënga promovon pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Gjatë fjalës së saj, Haxhiu theksoi se një veprim i tillë bie ndesh me parimet evropiane të paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve. Ajo kërkoi gjithashtu një sqarim nga Komisioni Evropian për përzgjedhjen e kësaj kënge në një aktivitet zyrtar të BE-së.

“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve. Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, shkruan Haxhiu./Dosja.al

Kuvendi drejt rivotimit të Ligjit për Specialen. Pse pa ndryshime?

Kuvendi i Kosovës pritet ta votojë sërish Ligjin për Specialen, pa asnjë ndryshim nga teksti që presidentja ia ktheu për rishqyrtim. PDK-ja synon që fillimisht ta rrëzojë veton e presidentes dhe më pas, brenda dy javësh, t’i miratojë amendamentet. Por, njohësit e çështjeve juridike vënë në pikëpyetje këtë rend veprimesh dhe paralajmërojnë se ndryshimet mund të kërkojnë deri në tre muaj. Ndërkohë, Bashkimi Evropian thotë se është në bisedime për ligjin, i cili prek drejtpërdrejt mandatin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Më 13 nëntor, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë për të njëjtin ligj që presidentja Justina Shiroka Pula ia ktheu për rishqyrtim në tetor.

Nëse të paktën 61 deputetë votojnë pro, vetoja rrëzohet dhe ligji konsiderohet i shpallur.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila e propozoi si ligjin, ashtu edhe kthimin në Kuvend nga presidentja, është zotuar se ndryshimet në të do të miratohen brenda dy javësh.

Pse po votohet i njëjti tekst?

Vetë PDK-ja i kërkoi presidentes në tetor ta kthente ligjin në Kuvend. Atëherë, partia tha se donte të plotësonte disa dispozita dhe të adresonte çështjet që mund të pengonin zbatimin e tij. Më 12 nëntor, ligji u dërgua për votim pa ndryshime. Sipas PDK-së, meqë nuk pati pajtim me shumicën parlamentare nëse ligji mund të ndryshohej gjatë rishqyrtimit, partia vendosi t’i kërkojë Kuvendit miratimin e tekstit të tetorit dhe t’i propozojë amendamentet përmes një nisme të re pasi ligji të hyjë në fuqi.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila e votoi ligjin më 6 tetor, pritet ta mbështesë edhe këtë herë, ndonëse ka shprehur rezerva për efektet e tij.

Kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, i tha REL-it se PDK-ja e ka shtyrë nismën përpara pa analizën e nevojshme juridike dhe pa konsultime të mjaftueshme institucionale. Ai e përshkroi ritmin e procesit si “një nguti të pashpjegueshme” dhe vuri në dyshim nëse teksti që po shkon në rivotim mund të zbatohet.

“Kam frikë që ligji siç është tani dhe siç ka qenë më 6 tetor, nuk mund të implementohet”, tha ai. Pavarësisht këtyre rezervave, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, konfirmoi për REL se partia do ta votojë sërish ligjin.

Vullnet Bugaqku, njohës i çështjeve juridike nga Instituti Demokratik i Kosovës, vë në pikëpyetje rendin e hapave që po ndjek Kuvendi.

“Pse duhet ta rrëzosh veton? Nëse vetoja thotë duhet ta përmirësoni ligjin? Pse po rrëzohet vetoja për ta lënë ligjin në fuqi që në fund ta hapësh një proces të ri për rishikimin e këtij ligji?”, pyet Bugaqku në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës në sallën e seancave.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës në sallën e seancave.

Çfarë do të hynte në fuqi?

Teksti i miratuar në tetor do t’ia ngushtonte kompetencat Gjykatës Speciale në Hagë. Ai e lidh juridiksionin e saj me veprat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet për trafikim organesh në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Po ashtu, e kufizon periudhën që mbulon gjykata nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 dhe parasheh që rastet jashtë juridiksionit të saj të kalojnë në gjykatat e Kosovës.

Sipas tekstit, trupat gjykues do të duhej ta rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditësh nga hyrja e ligjit në fuqi. Ende është e paqartë se cilat dispozita synon t’i ndryshojë PDK-ja.

A mund të miratohen ndryshimet brenda dy javësh?

Bugaqku i tha REL-it se procedura parlamentare, “nëse shkon sipas procedurës së rregullt, merr kohë deri në tre muaj”, meqë miratimi me procedurë të përshpejtuar kërkon përmbushjen e disa kushteve, sipas Rregullores së Kuvendit.

Neni 85 i Rregullores së Kuvendit lejon shqyrtim të përshpejtuar, me kërkesë të Qeverisë ose të së paku 30 deputetëve, për projektligje që lidhen me sigurinë kombëtare, shëndetin publik ose çështjet buxhetore e financiare. Shqyrtimi i parë bëhet së paku 48 orë pas shpërndarjes së materialit, ndërsa i dyti së paku 72 orë pas miratimit në parim. Neni 86 parasheh procedurë urgjente për projektligje që lidhen me masat gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose emergjente.

Sipas nenit 123, së paku gjashtë deputetë mund të propozojnë shmangien nga afatet procedurale. Për miratim duhen votat e dy të tretave të deputetëve të pranishëm dhe shmangia duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Nëse Kuvendi kërkon t’i shmangë afatet, Bugaqku thotë se “duhet ta arsyetojnë sipas kritereve të rregullores”. Ai paralajmëron se tejkalimi i këtyre kritereve “mund të hap rast dhe mundësi që dikush ta kontestojë këtë rast”, duke përmendur Avokatin e Popullit dhe palët e tjera të autorizuara.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të kontaktonte ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, për të marrë një qëndrim lidhur me këtë proces, por nuk mori përgjigje.

Mbishkrimi "Bac s'u kry" në sheshin pranë Kuvendit të Kosovës.

Mbishkrimi “Bac s’u kry” në sheshin pranë Kuvendit të Kosovës.

Çfarë po diskuton BE-ja?

Për Bugaqkun, konsultimi me Këshillin e Bashkimit Evropian duhet të jetë hapi i parë në hartimin e ndryshimeve të reja. Sipas tij, miratimi i amendamenteve pa konsultim do të shkelte zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe detyrimin që, sipas interpretimit të tij, buron nga neni 162 i Kushtetutës.

Nëse ligji hyn në fuqi, përmbajtja e amendamenteve dhe rezultati i bisedimeve me BE-në do të përcaktojnë nëse rishikimi i paralajmëruar i adreson shqetësimet që ngriti votimi i tetorit.

Bashkimi Evropian i tha REL-it se është në bisedime për ligjin. Në tetor, BE-ja e mirëpriti kthimin e tij në Kuvend dhe tha se priste të konsultohej nëse diskutimet rifillonin. Në vitin 2014, përmes letërkëmbimit që i hapi rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara, Kosova u zotua ta konsultonte BE-në për nismat ligjore që prekin mandatin e gjykatës ose procedurat që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese.

A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Ekrem Idrizi

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare me 46 shtete anëtare, që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

I themeluar në vitin 1949, ai është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe ka selinë në Strasburg të Francës.

Në kuadër të tij funksionon Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku individët mund të paraqesin ankesa kundër shteteve që kanë ratifikuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi të kenë shteruar mjetet juridike vendore dhe të kenë përmbushur kushtet e tjera të pranueshmërisë.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një mekanizëm i paraparë për bashkëpunimin ndërmjet këtyre komunave në Kosovë, në fusha si arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik dhe planifikimi urban.

Themelimi i tij u dakordua në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, ai ende nuk është themeluar, për shkak të mospajtimeve rreth kompetencave dhe mënyrës së funksionimit të tij.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kandidati i Listës Studentore nga Kosova: Nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Kandidati i Listës Studentore nga Kosova, Jugosllav Gashiq, tha më 7 nëntor se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, pasi, siç shpjegoi ai, “me dikë që gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë fajtori kryesor dhe përgjegjës për pozitën në të cilën ndodhen serbët, vërtet nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim”.

Lista Studentore, që doli nga protestat antiqeveritare në Serbi, fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi në fund të tetorit, duke rrëzuar nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe subjektin e tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Për më shumë se një dekadë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka dominuar përfaqësimin politik të këtij komuniteti në Kosovë.

Kjo parti u formua me mbështetjen e SNS-së dhe ish-presidentit serb Vuçiq, me mbështetjen e të cilit ka vepruar deri më tani në Kosovë.

Në Kuvendin e Kosovës, ajo ka nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, ndërsa udhëheq edhe të gjitha komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Gashiq përsëriti qëndrimin që e kishte thënë në fund të tetorit në radion lokale Kim në Kosovë, se Lista Serbe ishte “zbatuesja e politikave të SNS-së” në Kosovë”, duke shuar se “nuk duam asnjë kontakt e asnjë bashkëpunim me ta”.

“Ata kanë pozita të caktuara institucionale, mbi të cilat ne nuk mund të ndikojmë, por këto pozita nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia e mundshme penale për veprimet që kanë kryer. Ekzistojnë mekanizma të ndryshëm, por më e rëndësishmja është se ata do të mbahen nën kontroll”, tha Gashiq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Sipas tij, ata që janë fajtor për “situatën në të cilën ndodhet populli serb” nuk kanë të drejtë morale “të flasin për atë që do të duhet të bëjë dikush tjetër”.

Gashiq porositi serbët që të jenë të qetë “pasi nuk do të ndërpritet asnjë ndihmë financiare”.

“Mesazhi për serbët këtu është që gjatë kësaj periudhe tranzicioni, derisa ne ende nuk e kemi marrë efektivisht pushtetin, të mos bien pre e thashethemeve të ndryshme që vijnë nga Lista Serbe, se do të mbeten pa paga, pa ndihmë sociale, se gjoja ne do ta tradhtojmë Kosovën e kështu me radhë”, theksoi Gashiq.

Duke folur për qëndrimin e pushtetit në largim në Beograd ndaj serbëve në Kosovë, ai tha se autoritetet qeverisëse nga SNS-ja kanë proklamuar se janë kujdesur për serbët në Kosovë, por në të vërtetë, sipas Gashiqit, ky pushtet ka tradhtuar interesat kombëtare të serbëve.

Gashiq foli edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit të ri në Serbi do të rishqyrtojë të gjitha dakordimet e arritura mes palëve përmes Marrëveshjes së Brukselit.

Sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve, bartësi i Listës Studentore, Ilija Srdanoviq, i ka thënë më herët REL-it se vazhdimi i dialogut për “çështjen e Kosovës dhe Metohisë” është pjesë e planit të saj.

Nën rishqyrtim, sipas Gashiqit, do të jenë edhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare, në mënyrë që, sipas Gashiqit autoritetet e reja të mund të korrigjojnë gjithçka negative që është e mundur të korrigjohet.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për mënyrën se si pushteti i kaluar [në Beograd] është sjellë ndaj popullit në Kosovë dhe Metohi. Atyre u është marrë dinjiteti, janë përballur me presion, imponim të vullnetit politik dhe shantazh përmes vendeve të punës. Nëse asgjë tjetër, pres që shumë shpejt, si disa nga rezultatet e para, të shohim çlirimin dhe lirinë e popullit për të shprehur të paktën mendimin e vet dhe, në këtë mënyrë, për të rikthyer dinjitetin që ka humbur”, u shpreh Gashiq.

Lista Studentore fitoi 52.54 për qind të votave në zgjedhjet e 25 tetorit, ndërsa SNS-ja e Vuçiqit mori 39.29 për qind.

Autoritetet zgjedhore në Serbi më herët gjatë javës shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Pritet që Lista Studentore ta formojë e vetme Qeverinë e re të Serbisë, por ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati i saj për kryeministër dhe ajo nuk ka prezantuar një program të qartë politik.

Pas zgjedhjeve në Serbi, Lista Serbe tha se “i pranon” rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke shtuar se mbetet “e përkushtuar” ndaj lidhjeve institucionale me Beogradin.

Keda Kaceli: Iu luta Papa Leo XIV të bekojë rininë shqiptare kundër kesaj të keqeje antishqiptare që ka zaptuar jetën e bashkëkombësave tanë! Intervistoi Elida Buçpapaj

Keda Kaceli është një politikane, gazetare dhe përkthyese shqiptare, si dhe presidente e Fondacionit “Jonuz Kaceli”, që mban emrin e gjyshit të saj, një intelektuali të shquar pushkatuar nga diktatura në Masakrën e 1951, kur diktatura i shpalli një luftë të hapur intelektualëve shqiptarë. Kjo ngjarje tragjike shënon një nga kulmet e terrorit shtetëror të diktaturës, ku u eliminuan fizikisht njerëzit e shkolluar në Perëndim, me qëllim parandalimin e çdo opozite të mundshme intelektuale. Familja jetoi në kushte ekstreme varfërie dhe izolimi shoqëror. Bashkëshortja e Jonuz Kacelit, gjyshja e Keda Kacelit,  tentoi të vetëmbytej nga dëshpërimi në një pus në Tiranë para internimit, por u shpëtua nga fqinjët. Ajo arriti t’i rriste e vetme 7 jetimët mes përbuzjes, urisë dhe persekutimit të vazhdueshëm të rrethit komunist. Dhe persekutimi shkonte nga brezi në brez. Me hapjen e Ambasadave, Familja si refugjate politike u vendos në Itali bashkë. Keda Kaceli ishte tetë vjeçe, ndërsa motra tre vjeçare. Dhe jeta e saj mori rrjedhë tjetër. Ishte një sukses i Keda Kacelit përkthimi në italisht i librit të famshëm autobiografik të At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”, Pjesa e Parë e të cilit e pa dritën e botimit në vitin 2013 me parathënien e Silvio Berluskonit, asaj kohe kryeministër i Italisë. Berluskoni, i prekur thellë nga historia e vuajtjeve të klerit dhe popullit shqiptar nën diktaturën komuniste e pranoi me kënaqësi të autor i parathënies. Në 2025 doli në italisht vëllimi i dytë i “Rrno për me tregue” si vijim i dëshmisë rrëqethëse e vuajtjeve të martirëve të kombit shqiptar persekutuar nga diktatura që Keda e ka amanet nga At Zef Pllumbi t’ju japë zë viktimave që edhe sot e kësaj dite kërkojnë drejtësi. Më 21 tetor Keda Kaceli pati një takim shumë të veçantë. Ajo u takua me Shenjtërinë e tij Papa Leo XIV të cilit i dhuroi librat e At Zef Pllumit, fratit françeskan dhe një nga figurat më të shquara të Kishës Katolike e të kulturës shqiptare që mbetet një simbol i fuqishëm i rezistencës shpirtërore dhe intelektuale kundër diktaturës komuniste në Shqipëri.

Duke përfituar nga ky rast i mora Keda Kecelit intervistën e mëposhtëme:

———-

Pyetje: Sapo jeni takuar me Shenjtërinë e tij Papa Leo XIV, cili ishte qëllimi i këtij takimi:

KEDA KACELI: Si mbesa e Jonuz Kacelit, intelektual i shquar i pushkatuar nga diktatura komuniste në Masakrën e vitit 1951 të bombës në Ambasadën Sovjetike, misioni im në nder të martirëve të komunizmit dhe vuajtjeve të heronjve tanë që ende nuk kanë drejtësi nuk do të ndalet kurrë.

Edhe takimi i shumëpritur me Shenjtërinë e Tij, Papa Leoni XIV në Shën Pjetër lidhej me martirët shqiptarë të diktaturës, 6000 prej të cilëve u mungon edhe sot një copë tokë ku t’ju prehen eshtrat, që familjarët të kenë ku të luten për shpirtërat e tyre apo të sjellin nga një buqetë me lule.

Prej disa muajsh po përgatisja këtë takim dhe me ndihmën e Zotit të madh e arritëm.

Vjet bashkë me Fretnit tanë Françeskanë në Shqipëri tek Botimet Françeskane, botuam vëllimin e dytë në italisht të librit monumental të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”.

Vëllimi i dytë sikurse i pari që pati atë jehonë të madhe mediatike, mban dhe ai një parathënie shumë të rëndësishme ashtu siç e kisha paralajmëruar në vite: fjalët dhe mbështetjen shpirtërore të Eminencës së Tij, Kardinalit amerikan Raymond Leo Burke, i cili është një mik i imi i shtrenjtë që me udhëzon dhe këshillon kurdoherë e që në një farë mënyre ka zënë vendin e Atit tim shpirtëror At Zef Pllumit që aq shumë më deshi dhe këshilloi ato pak vite që e pata fatin të isha bijë e tij në shpirt, saqë më besoi me zemër trashëgiminë e tij, biblën e dhimbjes shqiptare siç e quaj unë teologjinë e tij e cila në vetvete mban si titull amanetin që superiori i tij At Marin Sirdani i la në kohën më të vështirë për Kishën Katolike Shqiptare dhe për besimin fetar të një kombi i cili tek feja sheh edhe rrugëtimin e tij shekullor:

“Zef, dhe sikur të gjithë ne të shkojmë si qeni në rrush dikush duhet me teprue, prandej shko Zef, ti duhet me jetue, dhe sikur kurrgja të mos jesh i zoti me ba veç se me rrnu, shko Zef, rrno, rrno vetëm për me tregue, dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë!“

 

Pyetje: Dhe ti po e vazhdon këtë kallxim?

KEDA KACELI: Po. Kjo fjali është monumentale. Besoj tek forca e saj është drithëruese. Kur e kam lexuar për herë të parë atë fjali një mori me ndjenja e ndjesi pështjelluese me kanë përshkuar shpirtin. E mora dhe unë si mision për veten time sikurse ai foli edhe për mua edhe me mua! Dhe meqë Patër Zefi ma ka lënë amanet veprën e tij, ashtu dhe unë deri sa të kem frymë amanetin do e ruaj e do ta përcjellë atë.

Ndaj sipas këshillës së mikut tim Kardinalit Burke shkrova një letër për të takuar Papën dhe për t’i dhuruar librat e At Zefit me dedikimet përkatëse.

Kërkesa u pranua nga Zyra Papnore dhe m’u kërkua të zgjidhja ditën e njëres prej pritjeve të ditës së Merkure që Shenjtëria e Tij mban çdo javë me besimtarët që vijnë nga gjithë bota.

E imagjinoni gëzimin tim të madh?

Për më tepër kur zgjodha ditën mu tha që do kisha biletën që i rezervohet njerëzve dhe miqve drejt për drejtë të Fesë dhe Besimit apo misionarëve.

Ajo ditë do mbetet, po e përsëris, në kujtesën time si dita më e veçantë e jetës.

Pata fatin që Ati i Shenjtë u ndal me mua disa minuta. Ai më dëgjoi për gjithçka i thashë.

Dhe pasi më bekoi dhe më tha që do të vijë në Shqipërinë tonë.

 

Çfarë i thatë Shenjtërisë së Tij?

KEDA KACELI: Iu luta padyshim që të më bekojë në vazhdimin e misionit në përhapjen e dëshmisë se palëkundur të guximit të martirëve tanë dhe të mesazhit të dashurisë tyre për jetën për atdheun dhe Zotin.

Iu luta ta bekojë rininë tonë Shqiptare në këtë rrugë të mundimshme kundër kësaj të keqe të gjatë antishqiptare që ka zaptuar jetën e bashkëkombësave tanë.

Shenjtëria e Tij pasi më dëgjoi me vëmendje më tha “Bekuar qofshin njerëzit vullnetmirë që luftojnë dhe nuk dorëzohen”!

Ka qenë shumë emocion i madh. I dorëzova sakaq librat me dedikimet përkatëse në italisht dhe anglisht, të At Zefit në italisht si dhe simbolikisht librin e Ratzinger që kam përkthyer në shqip për ta patur Ati i Shenjtë në Bibliotekën e Tij.

Papa Leo XIV më tha se do t’i mbante. “Paçka se nuk di shqip për ta lexuar atë, por librat italisht do t’i lexoj” më tha Ati i Shenjtë.

Më pas Father Edgard i mblodhi librat me premtimin e një përgjigje dhe kontakti të ardhshëm. Ndërsa ne qendruam me përulësi të Puthjes së Dorës me Unazën e Peshkatarit pasi na dhuruan rruzaren e bekuar nga Ati Shenjtë, që e mbaj gjithmonë me vete.

Duke shpresuar që Sigurimi i Shtetit, i cili nuk është ndalur edhe pse thuhet se është ndryshuar sistemi, bashkë me politikanë e gazetarë që punojnë nën rrogoz kundra nesh që mbetëm armiq dhe halë në sy për ata që atdheun dhe kombin e kanë parrullë e slogan jo mendim e veprim, të mos veprojë sërish në prishjen e Planeve siç ka vepruar kur fillova të merresha me realizimin e filmit disa vite më parë apo kur ndali mos përfshirjen e librit të At Zef Pllumit në italisht në Panairin e librave shqip në Itali. Por kjo mua nuk më ka ndaluar të vazhdoj misionin dhe të luftoj për amanetin e Padër Zefit tim.

Ja pra për këto folëm me Shenjtërinë e tij, Papa Leon, takim i paharruar dhe i shënuar i jetës pas takimit me At Zef Pllumin atë 24 Gusht të vitit 2005 në Shkodër, që ka qenë takimi me një martir të gjallë e që mbijetoi për të mbajtur një amanet dhe për të përcjellë memorien e një Kombi nga Djalli i vrarë, por i shpëtuar nga Zoti.

Takimi me Atin e Shenjtë është takimi më i rëndësishëm i jetës time deri më sot pasi ai shëmbëllen dhe është Zëvendësi i Krishtit të gjallë mbi tokë.

Lufta mes Errësirës dhe Dritës vazhdon por e Keqja me emisarët e saj nga portat e ferrit të errët “Non praevalebunt“ – «Nuk do të fitojë»!

 

Pyetje: Pushkatimi i gjyshit, internimet, vuajtjet, privimet, sakrificat, largimi nga Shqipëria deri tek protestat sot?

KEDA KACELI: mendoj se e Keqja e shqiptarëve dhe Shqipërisë ka qenë diktatura komuniste, trashëgimtarët e të cilës po e shpopullojnë vendin tim, sikur Familja ime e la Shqipërinë në 1991, por unë kam besim në Zot dhe tek Shqiptarët se kjo e Keqe “Non praevalebunt“ – «Nuk do të fitojë» dhe i ka ardhur fundi!

 

 

Pas 15 vjetësh, aktakuzë për vrasjen e Diana Kastratit

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pasi ajo u vra me armë zjarri në Prishtinë.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, më 22 tetor 2026.

Përveç veprës penale të vrasjes, A.J. akuzohet edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka ndryshuar në këtë rast pas një dekade e gjysmë dhe çfarë e ka mundësuar ngritjen e aktakuzës pikërisht tani.

Sipas raportimeve të mëhershme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë për arsyet e vonesës së aktakuzës, zhvillimet eventuale në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk mori përgjigje.

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk konfirmoi nëse e ka pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhet procedura gjyqësore.

Rasti i Diana Kastratit është kthyer në një shembull të dështimit institucional në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.

Diana u vra vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj – një mosveprim që Gjykata Kushtetuese më vonë e konstatoi si shkelje të së drejtës për jetë.

Vrasja dhe kërkesa për mbrojtje që mbeti pa përgjigje

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.

Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.

Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.

Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.

Por, kërkesa mbeti pa përgjigje.

Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.

Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.

Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për jetë

Në prill të vitit 2012, prindërit e Dianës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre.

Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë.

Në aktgjykimin e saj, ajo konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente.

Sipas Kushtetueses, ky mosveprim përbënte shkelje të së drejtës për jetë, të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata konstatoi gjithashtu shkelje të së drejtës për mjete juridike, të garantuar me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në aktgjykim përmendet edhe një masë disiplinore ndaj gjyqtarit që kishte trajtuar kërkesën e Dianës.

Nga konstatimi i shkeljes te dëmshpërblimi

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prindërit e Dianës vazhduan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga shteti.

Në nëntor të vitit 2013, Gëzim dhe Makfire Kastrati ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre dhe mosveprimi i autoriteteve për ta mbrojtur.

Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve të Dianës 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore.

Megjithatë, pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën e dëmshpërblimit në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.

Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.

Pse i dyshuari nuk është sjellë para drejtësisë?

Për vite me radhë, pamundësia e ekstradimit të të dyshuarit nga Spanja kishte qenë një nga pengesat kryesore për procedimin e rastit të vrasjes së Diana Kastratit.

Në maj të vitit 2022, organizata QIKA raportoi se Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin konfirmuar se Spanja kishte refuzuar ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë.

Sipas QIKA-s, Prokuroria kishte pezulluar hetimet për këtë rast.

Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ngritja e aktakuzës tani shënon një zhvillim të ri në rastin që ka mbetur pa epilog penal për 15 vjet.

Ajo, megjithatë, nuk nënkupton shpalljen fajtor të të akuzuarit, i cili prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

IKD: Pengesat për ekstradim nuk duhet ta arsyetojnë pritjen e pakufizuar

Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se vonesa prej 15 vjetësh në ngritjen e aktakuzës për vrasjen e Diana Kastratit ngre shqetësime për aftësinë e sistemit të drejtësisë për të vepruar në kohë, ndonëse një pjesë e saj mund të shpjegohet me pengesat për ekstradimin e të dyshuarit nga Spanja.

Sipas saj, institucionet duhet të sqarojnë se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë gjatë këtyre viteve për sigurimin e pranisë së të akuzuarit, përfshirë nëse kanë lëshuar fletarrestim ndërkombëtar dhe nëse kanë shfrytëzuar mekanizmat e bashkëpunimit juridik e policor.

Rezniqi përmend ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Spanja në gusht të këtij viti, si dëshmi se pengesat politike nuk e përjashtojnë domosdoshmërisht bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Pengesat e mëhershme nuk duhet të trajtohen si të pandryshueshme dhe as të shërbejnë si arsyetim për pritje të pakufizuar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Rezniqit, ngritja e aktakuzës në mungesë mund të jetë mundësuar nga ndryshimet në legjislacionin procedural penal, të cilat krijojnë hapësirë që procedura të ecë përpara edhe kur i pandehuri nuk është i qasshëm për organet e drejtësisë.

Ajo paralajmëron se vonesa të tilla rëndojnë vuajtjet e familjarëve, mund të vështirësojnë administrimin e provave dhe minojnë besimin në institucione.

“Pezullimi i hetimeve nuk duhet të shndërrohet në harresë institucionale”, thekson Rezniqi.

Aktakuza në kohën e një tjetër rasti që tronditi Kosovën

Aktakuza për vrasjen e Diana Kastratit vjen në kohën kur Kosova po përballet me reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Pejë, për të cilën dyshohet ish-kunati i saj.

Edhe Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) nxorën në pah një varg lëshimesh në trajtimin e rastit.

Sipas IPK-së, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i 16 tetorit, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.

Po ashtu, drejtuesit policorë në Pejë nuk kishin trajtuar një kërkesë të hetuesit për rivlerësimin e rrezikut dhe shtimin e masave të sigurisë për Zekajn.

Pas vrasjes, një varg zyrtarësh policorë dhe prokurorësh u pezulluan nga detyra, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale.

Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.

Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, të dyja rastet kanë ngritur pyetje për efektivitetin e institucioneve në mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë.

Rusia e zhvendos luftën përtej frontit – sa e sigurt është Kosova?

Valona Tela

Kosova nuk është në luftë, por kërcënimet që po shqetësojnë Evropën mund të mos e anashkalojnë as atë.

Me mijëra trupa të NATO-s në territorin e saj, tensione të vazhdueshme me Serbinë dhe infrastrukturë kritike që tashmë ka qenë objekt sulmesh, vendi përballet me rreziqe që nuk marrin domosdoshmërisht formën e një përballjeje ushtarake.

Në pjesë të tjera të Evropës, ato janë shfaqur përmes sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta, të cilat janë shtuar që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në vitin 2022.

Autoritetet evropiane kanë hetuar një varg incidentesh, disa prej të cilave janë lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës.

Në shënjestër kanë qenë rrjetet e transportit, institucionet shtetërore dhe kompanitë që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.

Përmes këtyre veprimeve, Moska – e cila vazhdimisht e mohon përfshirjen – dyshohet se synon të pengojë mbështetjen për Kievin dhe të krijojë pasiguri në vendet perëndimore, pa hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me to.

Sipas një analize të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), numri i sulmeve dhe planeve për sulme me pasoja fizike në Evropë, të identifikuara si të lidhura me Rusinë, është rritur nga vetëm tri në vitin 2022 në 34 në vitin 2024.

Rritja e këtyre incidenteve ka nxjerrë në pah edhe vështirësitë e parandalimit të tyre.

Një analizë e Këshillit Atlantik, e publikuar në fillim të tetorit, vlerëson se NATO-ja ka forcuar mbrojtjen ushtarake, por ende ka vështirësi në frenimin e operacioneve që mbeten nën pragun e një konflikti të hapur.

Problemi nuk qëndron vetëm te parandalimi i sulmeve, por edhe tek identifikimi i atyre që qëndrojnë pas tyre dhe përcaktimi i mënyrës së reagimit.

“Përgjigjet e NATO-s dhe të vendeve anëtare kanë qenë kryesisht reaktive dhe mbrojtëse. Ato janë përqendruar në zbulimin dhe kundërshtimin e provokimeve të caktuara, por nuk kanë arritur të dëshmojnë aftësi efektive për t’i frenuar ato”, thuhet në analizë.

Përtej dëmeve materiale, operacionet e tilla mund të krijojnë frikë dhe pasiguri, duke i detyruar autoritetet të reagojnë ndaj incidenteve, përgjegjësit e të cilave shpesh mbeten të paidentifikuar.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi gjatë një vizite në Talin, muajin e kaluar, se reagimet e tepruara ndaj çdo incidenti mund t’i shërbejnë Moskës.

Ai ritheksoi, njëkohësisht, vendosmërinë e Aleancës për të mbrojtur territorin e vendeve anëtare.

“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të aleatëve, pavarësisht nëse aty jetojnë njerëz apo jo, pavarësisht nëse ndodhet pranë Parisit, Talinit, Uashingtonit apo Otavës”, tha Rutte.

Nga një mesazh në Telegram te një akt sabotimi

Për të kryer një operacion sabotimi, nuk nevojiten domosdoshmërisht agjentë të trajnuar të inteligjencës.

Ndonjëherë, gjithçka mund të nisë me një mesazh në Telegram, një detyrë të thjeshtë dhe një pagesë prej disa qindra eurosh.

Fotografimi i një objekti, mbledhja e informacioneve apo një akt vandalizmi mund t’i besohet një personi pa përvojë, i cili pranon të veprojë kundrejt pagesës.

Kjo është një nga metodat që, sipas ekspertëve, përdorin shërbimet ruse të inteligjencës për të organizuar operacione në territorin evropian.

Kinga Redlowska, studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), shpjegon se përmes kësaj taktike, organizatorët mund të angazhojnë njerëz me kosto të ulët, duke ruajtur distancën nga veprimet që kryhen në terren.

“Rusia përdor një taktikë shumë të lirë, por efektive, duke angazhuar ata që i quajmë agjentë të njëpërdorshëm. Operativët rusë rekrutojnë banorë të vendeve të Bashkimit Evropian ose të Britanisë, shpesh nga grupe të cenueshme, si studentë apo të papunë që kërkojnë të fitojnë para”, thotë Redlowska për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Detyrat mund të nisin me fotografimin e një objekti ose mbledhjen e informacioneve dhe të përshkallëzohen deri në vandalizëm apo zjarrvënie.

Edhe pagesat varen nga natyra dhe rreziku i detyrës.

“Ekziston pothuajse një listë çmimesh për detyrat. Ndonjëherë shumat janë vetëm 100 ose 200 euro. Për detyra më të mëdha mund të jenë 1.000 euro, ndërsa për misione më të ndërlikuara mund të arrijnë në disa mijëra euro”, thotë Redlowska.

Sipas një studimi të RUSI-t, pagesat kryhen kryesisht përmes kriptovalutave, megjithëse janë dokumentuar edhe transferime bankare dhe pagesa me para të gatshme.

Një mënyrë e tillë organizimi e bën më të vështirë zbulimin e lidhjeve mes atyre që kryejnë sulmet dhe atyre që i urdhërojnë.

Kështu, një incident që në pamje të parë duket i izoluar, mund të jetë pjesë e një operacioni shumë më të gjerë.

Për Alexander Palmerin, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, synimi i Moskës shkon përtej dëmit që mund të shkaktojë një veprim i vetëm.

“Çdo pengesë apo trazirë në një vend të orientuar drejt Perëndimit shihet si diçka pozitive për Rusinë, edhe nëse ajo nuk përfiton drejtpërdrejt. Mendoj se kjo buron nga një mënyrë të të menduari, sipas së cilës humbja e njërës palë është automatikisht fitore për tjetrën”, thotë Palmer për Exposenë.

Por, për të shkaktuar dëme, nuk është gjithmonë e nevojshme as prania fizike në vendin që synohet të goditet.

Sulmet mund të kryhen edhe nga distanca, përmes sistemeve digjitale.

Gjermania dhe Çekia, për shembull, kanë identifikuar sulme kibernetike që ua kanë atribuuar hakerëve të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse.

Në Gjermani, në shënjestër ka qenë Partia Socialdemokrate, ndërsa në Çeki institucionet shtetërore, përmes shfrytëzimit të një dobësie në programin Microsoft Outlook.

Çfarë rrezikon Kosova?

Për Kosovën, kërcënime të tilla nuk janë vetëm çështje e zhvillimeve në pjesë të tjera të Evropës.

Institucionet e saj të sigurisë kanë identifikuar tashmë një varg rreziqesh që mund të shfrytëzohen për destabilizim.

Në dokumentin strategjik SOCTA 2025, Policia e Kosovës përmend operacionet e fshehta, sulmet kibernetike, propagandën dhe përdorimin e grupeve joformale.

Si cenueshmëri identifikohen situata e sigurisë në veri, pakënaqësitë sociale dhe krizat energjetike.

Dokumenti paralajmëron edhe për mundësinë e shtimit të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve, bankave dhe mediave, si dhe të përpjekjeve për të nxitur mosbesim ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Disa prej këtyre rreziqeve kanë marrë formë konkrete në Kosovë qysh më herët.

Në maj të vitit 2024, faqet e internetit të Presidencës, Kryeministrisë dhe disa institucioneve të tjera mbetën përkohësisht të paarritshme pas sulmeve kibernetike.

Incidentet ndodhën pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në mbështetje të Ukrainës.

Disa grupe proruse morën përgjegjësinë për sulmet, ndërsa Qeveria e Kosovës fajësoi hakerët rusë.

Megjithatë, përcaktimi i autorëve të një sulmi kibernetik është më i ndërlikuar sesa identifikimi i adresës nga e cila ai kryhet.

Kujtim Gashi, ish-drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit në Kosovë, shpjegon se sulmuesit mund të përdorin serverë ndërmjetësues dhe pajisje të komprometuara për të fshehur origjinën.

“Fakti që një sulm vjen nga një IP-adresë apo një infrastrukturë e vendosur në një shtet të caktuar, nuk dëshmon 100 për qind se origjina e atij sulmi vjen po nga ajo adresë apo ai shtet”, thotë Gashi për Exposenë.

Rreziqet për Kosovën nuk kufizohen vetëm në hapësirën digjitale.

Në nëntor të vitit 2024, një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili varen furnizimi me ujë i disa qyteteve dhe nevojat e prodhimit të energjisë elektrike.

Autoritetet kosovare e cilësuan incidentin si sulm terrorist dhe akuzuan Serbinë për përfshirje. Beogradi e mohoi përgjegjësinë.

Për rastin janë ngritur akuza ndaj tre personave.

Megjithatë, nuk janë paraqitur prova publike që ta lidhin atë me shërbimet ruse të inteligjencës apo me operacionet e sabotimit të hetuara në Evropë.

Rasti, sidoqoftë, nxori në pah se çfarë pasojash mund të ketë goditja e një infrastrukture nga e cila varen shërbimet jetike.

Por, a kanë identifikuar institucionet kosovare përpjekje për rekrutim, sabotim apo mbledhje informacionesh rreth objekteve të tilla?

Kjo mbetet e paqartë.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga Policia dhe Prokuroria e Kosovës për këto çështje, ndërsa Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe misionit të NATO-s, KFOR, u drejtoi pyetje për kërcënimet kibernetike.

Asnjëri prej këtyre institucioneve nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli.

Ekspertët e sigurisë, ndërkohë, paralajmërojnë se Ballkani Perëndimor ka karakteristika që mund ta bëjnë të cenueshëm ndaj operacioneve destabilizuese.

Palmer vlerëson se Rusia e sheh rajonin si terren të përshtatshëm për to, për shkak të historisë së tij të afërt dhe ndarjeve të brendshme politike.

Ai përmend dyshimet për organizim trazirash, plane për grushte shteti dhe përfshirje të grupeve të armatosura në rajon.

Por, nuk e konsideron domosdoshmërisht praninë e NATO-s si arsyen kryesore që mund ta bëjë Kosovën objektiv.

“Nuk është e qartë për mua nëse prania e bazës së NATO-s është një nga faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të cenueshme. Mendoj se ky rajon perceptohet si një pjesë më e paqëndrueshme e botës dhe Rusia, sipas meje, ka qasje më të lehtë në vende të tilla, për shkak të historisë relativisht të re të institucioneve dhe ndarjeve të brendshme politike”, thotë Palmer.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në dhjetor të vitit 2025, vlerëson se Rusia e shtrin ndikimin e saj në Kosovë kryesisht përmes lidhjeve me popullsinë serbe dhe shfrytëzimit të tensioneve ndëretnike.

Sipas raportit, dezinformimi, ndërhyrjet politike, sulmet kibernetike dhe presioni ekonomik janë ndër metodat që përdoren për të nxitur përçarje dhe për të penguar integrimin euroatlantik të rajonit.

Sa e përgatitur është Kosova?

Nëse një sulm do të ndërpriste funksionimin e institucioneve apo të shërbimeve jetike në Kosovë, sa shpejt do të mund të riktheheshin ato?

Kjo është një nga pyetjet kryesore që shtrohet për kapacitetet mbrojtëse të vendit.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në gusht të vitit 2026, identifikon dobësi në koordinimin institucional, komunikimin gjatë krizave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Në skenarin më negativ për vitin 2030, autorët përshkruajnë një Kosovë të përballur me incidente të përsëritura të sigurisë, sabotime, ndërprerje të shërbimeve nga sulmet kibernetike dhe përhapje të dezinformimit.

Ky nuk është një parashikim, por një skenar që ilustron se çfarë pasojash mund të kenë dobësitë ekzistuese nëse nuk adresohen.

Një nga pikat e ndjeshme është infrastruktura digjitale shtetërore.

Qendra Shtetërore e të Dhënave, e administruar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, strehon platformën eKosova dhe regjistrat shtetërorë.

Një ndërprerje e rëndë e funksionimit të saj mund të ndikojë në shërbimet që qytetarët dhe institucionet marrin përmes këtyre sistemeve.

Ministria e Digjitalizimit thotë për Radion Evropa e Lirë se qendra ka mekanizma të sigurisë fizike dhe kibernetike.

Por, nuk sqaron se sa kohë do të duhej për rikthimin e shërbimeve kritike pas një ndërprerjeje, e as kur është testuar për herë të fundit një plan i tillë.

Sipas Gashit, Kosova ka kapacitete për mbrojtjen e sistemeve, por mbetet problem mungesa e një infrastrukture rezervë sipas standardeve.

“Kosova nuk e posedon sipas standardeve një qendër shtetërore të rimëkëmbjes së të dhënave në rast të fatkeqësive, apo një ‘disaster recovery center’, e cila mund të shërbejë si infrastrukturë për vazhdimësinë e shërbimeve”, thotë ai.

Ministria e Digjitalizimit konfirmon se një qendër e tillë është ende në fazën e projektimit, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Banka Botërore.

Përgatitjet për t’u përballur me kërcënimet kibernetike mbeten të papërfunduara edhe në aspektin ligjor dhe institucional.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i vitit 2025, konstatoi se vendi ka miratuar tetë nga 14 aktet nënligjore për sigurinë kibernetike dhe kërkoi funksionalizimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Këshillit Kombëtar për Siguri Kibernetike.

Një hap përpara u shënua në gusht, kur ekipi qeveritar GovCERT u akreditua në rrjetin ndërkombëtar Trusted Introducer, i cili mundëson shkëmbimin e informacioneve për kërcënimet dhe incidentet kibernetike mes ekipeve të specializuara në Evropë.

Ky bashkëpunim ka rëndësi të veçantë përballë kërcënimeve që nuk njohin kufij.

Në operacionet e sabotimit të hetuara në Evropë, personat që kryejnë sulmet, ata që i organizojnë dhe burimet e financimit mund të ndodhen në vende të ndryshme.

Prandaj, sipas Redlowskës, një nga mënyrat për t’i zbuluar këto rrjete është ndjekja e rrjedhës së parave.

“Autoritetet duhet të ndjekin gjurmët e parave që në fillim. Pagesat mund të lidhin individë që, në pamje të parë, nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Por, kur pagesat kryhen përmes kriptovalutave, hetimi kërkon bashkëpunim edhe përtej kufijve shtetërorë.

“Kriptovalutat nuk njohin kufij. Edhe krimi i organizuar vepron përtej kufijve, ndaj edhe përgjigjja duhet të jetë ndërkufitare. Nuk mund të veprojmë të izoluar, sepse aktet e sabotimit të lidhura me Rusinë janë të shpërndara në gjithë Evropën”, thotë Redlowska.

Sipas saj, ky bashkëpunim duhet të përfshijë edhe sektorin privat, veçanërisht institucionet financiare, të cilat posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e lidhjeve mes personave të përfshirë.

Për Kosovën, tabloja mbetet e përzier.

Kërcënimet janë identifikuar, disa mekanizma mbrojtës janë forcuar, por vazhdojnë të evidentohen mangësi në përgatitje dhe të mungojnë përgjigje për kapacitetet e reagimit.

Në një mjedis ku sulmet mund të organizohen nga distanca, me kosto të ulët dhe pa paralajmërim, adresimi i këtyre çështjeve mund të bëjë dallimin.


Send this to a friend