KOSOVA– Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Ajo e cilësoi ngjarjen si thellësisht shqetësuese, duke theksuar se kënga promovon pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu theksoi se një veprim i tillë bie ndesh me parimet evropiane të paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve. Ajo kërkoi gjithashtu një sqarim nga Komisioni Evropian për përzgjedhjen e kësaj kënge në një aktivitet zyrtar të BE-së.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve. Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, shkruan Haxhiu./Dosja.al