Nën qiellin e Dukagjinit bie shi duke folur me gjuhën e vet Cikël poetik nga Neki Lulaj
1.
Tek rudina mujte me dal kur d’bora u mbështoll me shall,
unë mujta me dal shkullimesh trajtë e re prej bokërrime.
Me më rrethue u k’put nj’i ortek, desh më ra mos me pas
çik mend, nj’aty ti nën lëvore pjalm ledhesh, e përkorme.
.
Trajtë-trajtë mujte me dal kur d’bora rudine e hupi shall …
.
Fyelli i zanit pak ngri, me një re, mos me e pas zili,
s’ka ngri fyelli trumcak, kotkotkoti ndillet merak,
s’ndillet kotnasikotiki, ai ardh’ nga fis i lotit ku
secili tek ky fis rrjedh vrap arratish, arratish
ma tërpjetë tek pyjet … në një fyell retë
lozin motit e kurrma re s’ngrohin fyejt…
.
Me gjet’ gurrat buzë ojnash…
thirrma tingëllon geg’nisht
geg’nisht m’afrohet bora,
.
me pajtue urnat vjeshtë
u nis shpuza geg’nisht
përmidis syrit haresë
.
me ndez natën buzë dashnish …
geg’nisht tingëllon tan’ flora
borëtimi po shkri geg’nisht.
.
Prej duhive ma i hovshmi
si me ken azgan
prej motit,
.
lumni çel tana majat
si me ken Mari
lulnajash.
.
Miradie me më dal tek kreshtat
kena me u këqyr përtej mnie,
puq jena…jena veç pendesa,
dy kodrina ledhatimesh.
.
Trandafilisht me t’pa tek kodrat
s’ndi se kund turfullon noj bishë,
veç prej teje u tulat borëbota
shkri mos shkri veç një gisht.
.
Veç një gisht
thëthin botëbora
tej mnie me u këqyr,
puq ne pendesa fjollash,
kodrinë ledhesh me një gurrë…
.
Me dal fill, falur faj
me gjet’ gjeth nj’i
dashni maj,
.
gazmend maj
me çel fill,
faj’ vyshk
belbëzim,
.
me gjet’ gjeth
nj’dashni
maj,
.
hire pemëza,
m’u gjegj
sot mue
frut i saj.
.
2.
Kokrra e qershisë me t’u ba vath,
mnia përmidis skuq ndillet gaz.
.
Oh, me plastë mnia, ndijmë
pak ofshamë, oh, me plas
ofshama ku ta gjejmë
një zanë ?
.
Kokrra e qershisë
skuq ndillet gaz,
mnia përmidis …
t’u bëftë
buzëve
xixë.
.
Vathi përmidis
kokrra e qershisë.
.
Pashë nj’iheri ca zymbyla,
erëra ndolla, ndolla frymëra,
pashë nj’iheri përrenj carrokë
herë zbathur, herë toç në kokë,
.
pashë nj’iheri gufmim kurmi,
ëndrra pik’ pa pikur zulmi,
pashë
nj’iheri ca zymbyla,
trumba ndolla, frymëra.
.
Me të ndjek me një zambak, një zambak,
ku ngadalthi, ku me vrap, vrap ngadalth’,
me të ndjek me nji zambak në vrundulli
në vrami me shkri pakndopak dimërthi,
me të ndjek me zambak, zambak florë,
ku me t’gjet me t’lanë me ik dvorë ?.
.
Vrunduj – vrunduj me u shkri…
vrap ngadalth’, tej dimërthi…
.
3.
Bukuria k’cim rrok bukurinē,
q’andej ardhi tjetër flaut
buzë më buzë xixëllimë,
Ujëvara plot lulnaja
duart …
një flaut xixëllime
jetonte tinguj
të shkuar,
K’cimi
nuk u hesht,
jetë e re në kreshtë…
.
Prej bukurive me u begat
po i gjej vjollcat
tek ty dihat,
.
gjeta vjollcat shpejt njitash
sa më mbajnë mend,
.
në ç’gjuhë t’u flas?
.
Sa më mbajnë mend ato dalldie,
sa i mbaj mend fisnikërisht,
me begat prej bukurive…
gjej, s’gjej ma vjollca
dashnish…
.
Si kumbisje hap më hap
duke ndrit’ edhe terrën
duke xan ernat në çark …
Terr dukej dhe rrëpira,
errësira çark
për
erën,
duke dashtun
vetëtima
t’mbillja
shkula
veten degëprerë.
.
Si kumbisje ti hap më hap, …
dimrit pa dimër bjeshkës
shteg kërkoja
të të kqyrja
gjatë …
.
Shpejt të ndolla bukuri,
hupa unë a s’më gjete ti,
a më gjete e s’i the askujt,
ardhe hanë njiherë me bujt?
.
Me e pa, me e gjet
ma t’bukurin
gazmend ?
.
S’hupa unë, s’më gjete ti,
vogëlth endemi
vocërri …
.
4.
C’u dishrush me t’pa, tinëz je … je ti gjithkah ?
C’u dish’rue me të ndih dhe vetmia gaz gurrni.
.
Ti je Zana ?
.
T’kam pa tuj rend, prej rudine t’sjell vah ndërmend,
fjollë e butë, gurrë vrap,…kenka thanë me të dashtë ?
.
Kenka thanë me t’dashtë tej krysh pa i thanë gja kurrkujt
prej natyre frymëz yjesh, trup harlisur pa cen, plot nyje.
.
Jam Zana jo prej hane as përralle, mos më tut më ngit
ke me hup gjithë mirësitë…C’u d’shirush me të thanë
se nj’i lum e don nj’i hanë, se nj’i gaz e don nj’i trill
kenka thanë me të dashtë fjollë frushullimë.
.
Me t’pa ç’u dishrush tej vetmie si askush…
Ku me e gjet dekikën
dekikë t’pabjerrur
tej reve rendjen
më të prushtë,
.
pritur natë parrejtur
rrejt’ sy dhe vetull
tutje nga të tutë ?
.
Ku me e gjet dekikën
bredhje krahëruar
me u ngjit
shpejt
alp…
.
ku s’bien borëra
ku shohim
veç duar
.
gishta të ylbertë, të nartë ?
.
Vetulla jote vetullon çel,
pjergulla jo kacavjerrë,
as vjerr as kacafyt
dora jote
e lumtë,
paqtë shenjti
çdo xixë mbi terr
jo fytas kacavjerrë,
.
jashta, jashta s’gjeta vetull
shkoq shkërmoq
gjithku tash
.
ma e shtrenjta pjergull…
.
Si me ken nj’i sokol prej rrezesh,
gaca gacash nj’aty të qeshet,
nj’aty me t’marr nj’iherë
me t’pa dimër je a çel,
me t’pa në je cullak
me dy – tri gishta
në farkë.
.
Farka vet asht ndez nga cuca,
cuca s’tjerr ma gja
tek furka,
.
bora borës
sytë i mbyll
me ndigjue
zanin zym’yl.
.
Mot’ i ri, me gishta gacash,
sa e pa n’ji sokol prej
rrezesh, sa e pa
nji cucë rudine,
.
nuk la më asnji
gja nga plasat
u përndrit
tisnajë
çeljesh
.
nga kjo farkë shkëndijimesh…
.
5.
Maje gishtave po kumbiset bora
shushurin në bjeshkëtore,
mahnitja, e përkora,
s’din a s’don
të dashuroj
sonte ?
.
Mahnitja
dhembshurisht, …
borëton në bjeshkëtore
më ngrohtë … në çdo gisht…
.
Me u k’put përmidis, përmidis me u tut,
ardhi mbramja me pishë, era erës i gris’
këmishë, bora del me shëtit në shkurt.
.
Me tisnaja vrapoi zalli, ariu me gëzof,
nëse jena njitash së gjalli
jena, s’jena tjetrit mot …
.
S’jena ftohur, tash së gjalli,
përmidis pa k’put e tut,-
bora gishtash alpet
mardhi,
Alpet ia
pinë borës
kupëzat
me qum’sht.
.
N’se jena tash së gjalli
tjetrit jena
gaca mardhurit…
.
6.
Qielli me verige yjesh, oh ç’romantikë !
.
I përkryer shkon me marr
një hanë – nuse
prikë paqtë
pa prikë.
.
Mbramja nusërisht vjen
të takoj shpejt bandill,
.
cili je ti, më thuej krenisht
zambak i gjithi, gjithçkaje
turfullimë.?
.
Romantika tret
plot bistakë yjesh
zjarret e vegjël ende pakryer.
.
Oh, ç’romantikë…Qielli verigë…
.
7.
Ç’don me thanë tek çel, çupit
cipëz vlage, fik ftohma … ik’?.
ç’don me thanë teksa rron
tana fruta, verige hollë ?
.
Ç’don me pri një shkrep bujar ?
sqep orteku gjysma përrallë…
çka më sjell ndërmend risk
ç’don me thanë çel çupit?
.
Dashni të pastra më të fisme,
diku brengëz, diku harlisje,
vezullues me u pa
gaze t’hirta jena
puq e nda,
shumë herët ne ma të rinj
pak zbeh’, pak me u ndih …
.
Shporeti, sy zgjue, fërkon duart gaca
tue prit t’mirat bujtje gazmend natë,
cili më shpejt e braktis me gjasa
frikën, fryme nj’iheri, nj’itash.
.
Dekika bredh ujku rrotull (jo)brenda nesh,
nesh, nji shporet tjetër i ri fërkon gacat,
tue prit t’mirat bujtje nga çdo bjeshkë
frikë k’cen britma, asnjëheri flaka…
.
Sytë tanë vesë, vesë maraku
pikëlojnë nj’i degëz bjeshkë
a po çilet syn’ i agut
a u rrok pendimi
rrezm.?
.
Rreze hanëza lodrive
me u dashtë çelët
me pa si piklojnë
andrrat
me pa si çilen
bjeshkët.
.
Sytë tanë vesë, vesë maraku,
me na mbajt…na mban gjaku.


I dhimbshëm dhe i trishtë lajmi se Inxhinier Mërgim Korça iku… Tani në qiell përgjithmonë. Një jetë me ikje dhe me arritje të mëdha, me vuajtje të mëdha, mendova, por plot me dije, me njerëz dhe libra, me shkencë, shpikje dhe gjuhë… ndërkaq i përndjekur dhe i mbrojtur nga talenti i tij si inxhinier mekanik, duhej për patentat e makinerive bujqësore, që ia njeh dhe bota… ndërsa në Amerikë iu përkushtua dhe një pasioni tjetër…
NË LUSHNJËN E INTERNIMEVE
Aty e pamë inxhinierin dhe ne, të rinjtë e gjimnazit në Lushnjë, dëgjuam për aftësitë e tij, lexonte në disa gjuhë të mëdha, gjermanisht e frengjisht e italisht, etj, burrë fisnik, ashtu shtatlartë, i çiltër deri në buzëqeshje, ndryshe nga të gjithë, qytetar, kurajoz dhe i heshtur, por… seç kishte në biografi.
Dhe e shoqja e tij, doktoreshë Mimoza Selfo Korça, njihej për humanizmin e saj, pa luftë klasash dhe kritikohej në mbledhjet e kokektivit të spitalit në Lushnje: mos na u bëj si Nënë Tereza!, – i thoshin. Edhe ajo ashtu e kishte biografinë… Regjimi i kishte pushkatuar babanë, por njiheshin a kishin lidhje si gjirokastritë me Enver Hoxhen dhe diktatori bëri një lëshim dhe…
Dhe babai i Mërgimit kishte vdekur në burgun e Burrelit, madje me dëshirë tronditëse, me grevë urie, e para në burgjet shqiptare, i dha fund jetës dhe në shenjë proteste… në një popull që shtypej dhe të uritur gjatë gjysmë shekullit diktaturë…
– Krenar me babanë tënd…! – i kishte thënë im atë Inxhinier Mërgimit, do të ma tregonte vetë ai, kur do të miqësoheshim dhe bashkë.
Xhevat Korça kishte mërguar si kundërshtar i monarkisë, u kthye t’i shërbejë atdheut gjatë pushtimit fashist, u bë dhe ministër i arsimit, etj, dhe e dënuan si kolaboracionist.
Njihet polemika e tij në burgun e Burrelit me ministrin e brenshëm të atëhershëm, Mehmet Shehun, qënke i ditur, Profesor, – i tha ai, – pse s’u bëre komunist me ne? – Prandaj, Mehmet, – ia ktheu ai, se e di…
Ndoshta Kryeministri Shehu, ashtu brutal dhe trillan siç ishte, e mbështeti të birin e tij, Mërgimin. Në Lushnje porositi se ne nuk na duhen të deklasur si Mërgim Korça, por na duhen inxhinierë si ai…
TË DHËNA
DHE CA SHËNIME:
Mërgimi lindi në mërgim, prandaj dhe iu vu ky emër, në Graz të Austrisë, në kohë trazirash politike, në 30 dhjetor 1932…
Lexoj në nekrologji që “trashëgoi nga familja e tij (Xhevat dhe Seadet Korça, si edhe vëllai Gene X. Kortsha) një traditë guximi dhe intelekti. Megjithëse u përball me pengesa sistematike në atdheun e tij (Shqipëri) për shkak të përndjekjes së familjes nën regjimin komunist, Korça nuk u dorëzua. Ai u formua si inxhinier mekanik, duke krijuar makineri bujqësore origjinale që avancuan ndjeshëm procesin e mekanizimit në Shqipëri. Përkushtimi dhe zgjuarsia e tij u vlerësuan me titullin prestigjioz “Punëtor i Shquar i Shkencës dhe Teknikës”, i akorduar me dekret shtetëror — një nder i rrallë që qëndronte mbi paragjykimet politike të kohës.”
Pas vdekjes se babait në burg, ndërsa vëllai i tij më i madh, Genci, me të dalë nga burgu, arratiset, vjen në SHBA dhe shquhet si shkecëtar dhe ai dhe për një libër autobiografik, të shkruar në anglisht, Mërgimi mbetet me nënën në atdhe, duke u endur jug e veri, duke bërë punë nga më të rëndat, edhe në gurore thyente gure me varreh, u njoh me të persekutuar të mëdhenj, me të klerit katolik në Shkodër, me mendimtarë e shkrimtare të viteve ‘30, që i kishin lënë gjallë, kryen shkolla nate, duke fshehur dhe identetin, universitetin me korrespondecë, shkëlqen si talent në punë, inxhinier në SMT në Lushnjë, lexues i madh romanesh në gjuhë të huaja, etj, etj.
Me të rënë perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri, – ajo nuk ra, por u shkërrmoq, – thoshte Mërgimi, – ikën në vitin 1991 bashkë me gruan, Doktoreshë Mozën dhe vajzën e tyre të vetme, Bibikën.
Ndalën në Itali. Mërgimi më tregonte se në bisedat e tij me gazetarin e shquar italian, themelues i gazetarisë moderne, Idro Montaneli, babai i të cilit kishte qenë këshillar në Tiranë i babait të Mërgimit ministër, do t’i thoshte se në Shqipëri demokracia po bën një gabim, kuçedrës së diktaturës nuk po i pret kokën vulnerabile dhe, kur i heq një, nxjerr dy koka të tjera. Do të vuajë Shqipëria…
NË MICHIGAN, SHBA
Mërgimi familjarisht mërgon për në SHBA, te i vëllai, Genci, në Michigan. Nisi një jetë të re dhe një pasion të ri. Në të gjashtëdhjetat zotëron gjuhën angleze, “në një moshë kur shumëkush mendon të ngadalësojë ritmin, ai përqafoi një thirrje të dytë si shkrimtar, analist dhe ligjërues publik… ai u shndërrua në një publicist të mprehtë, duke sjellë qartësi dhe guxim në tema shpesh të mjegulluara nga ideologjitë. Përtej shkrimeve të tij, Mërgim Korça njihej për humanizmin e tij të ngrohtë, ndershmërinë intelektuale dhe bindjen e palëkundur se historia duhet të shqyrtohet jo përmes ideologjisë, por përmes fakteve dhe analizës kritike”.
Janë me rëndësi zgjidhjeve që u ka dhënë ai çështjes së kolaboracionizmit në Shqipëri, trajtesat për personalitet kompkekse të historisë moderne, polemikat me akademikë, studimet për Nënë Terezën, Baba Rexhepin dhe Padre Pio-n, adhurimi per at’ Fishtën, drejtimet letrare, epoka e Skenderbeut, posdiktatura, etj, etj.
Unë e takova Mergim Korçën në New York, i ftuar në veprimtarinë e “Shtëpisë së Lirisë”, organizuar nga drejtuesi i saj Muç Xhepa. U bë ajo që s’ishte bërë në Shqipëri, që iu dha emri “Gjyqi i New Yorkut”, ku dënohej diktatura. Mergim Korça mbajti referatin kryesor, ai analizoi në thellësi burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ndërgjegjja dhe përgjegjësitë.
Dhe çudia tjetër për mua do të ishte se ai iu përvesh punës dhe përktheu në italisht të gjithë veprën “Ferri i çarë”, mbi 500 faqe, duke punuar 8-9 orë, 10 në ditë dhe e mbaroi brenda një viti. Miqtë italianë që e kanë lexuar, u pëlqen italishtja e tij, “manzoniane”, më thonë. Botuesi që nxori “Rrugët e ferrit” e pret si vazhdimin…
Pastaj do të takoheshim dhe në Tiranë. Në Ministrinë e Kulturës një sesion përkujtimor per shkrimtarin themeltar Ernest Koliqi. Përsëri fjala kryesore do tẽ ishte nga Mërgim Korça.
Tashmë ai si profesor në Wayne State University, do të jepte mësim gjuhën dhe kulturën shqiptare për studentët e rinj, “duke ushqyer krenarinë për trashëgiminë e tyre”
Mërgim Korça shërbeu si aktivist i komunitetit për Teqenë, Xhaminë dhe Kishën Katolike, duke frymëzuar unitet, dialog dhe nderim të ndërsjellë mes traditave patriotike e fetare. .
Në nekrologjinë anglisht lexojmë që Mërgim Korça u nda nga jeta në 22 shkurt 2026, bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur dhe gjysh i çmuar. Ndërkohë inxhinier i shquar, intelektual me profil publik, mbrojtës i palodhur i së vërtetës historike, një gjurmë e pashlyeshme në diskursin kulturor dhe qytetar. Mërgim Korça dha një krijimtari referuese, libra nyjëtues të çështjeve historike e bashkëkohore me një integritet intelektual.
* * *
Në ditën e fundit të shkurtit dhe të dimrit do të mbahet “Celebration of Life” dhe më pas ceremonia e varrimit në Guardian Angel Cemetery, 4701 N Rochester Rd, ndërsa të nesërmen e tyre do të jetë dita e parë e pranverës. Lulet dhe bari aty do të duken si porosi të bukura nga ëndrra e Mërgim Korçës, ideali dhe përpjekjet ia vlejtën, e dëshmojnë lulet në fund që janë dhe një fillim tjetër i jetës…
HOROSKOPI I MUAJIT MARS 2026
CIA po monitoronte Ali Khamenein për muaj të tërë, si e futën në kurth! Sulmi vdekjeprurës preciz në takimin e pallatit, viktima mbetën edhe vajza, dhëndri e mbesa (DETAJET)
DO HAMË SËNTE* – Tregimth humoristik nga Shkëlqim HAJNO
Kush “e vrau ” Elisa Spiropalin?!- Nga IRENA BEQIRAJ
Intervista- Hasani: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues
Krushku i Spiro Kolekës, dajës së Edi Ramës, 63 vjeçari Simon Zereci emërohet Komandant i Gardës
SPAK ndan mesazhin e kryeprokurorit Braho: Do të godasim krimin e organizuar dhe çdo zyrtar që bashkëpunon
Lufta në Lindjen e Mesme, bisedë telefonike mes Starmer dhe Erdogan: Të krijohet bazë për dialog!- Britania i lëshon bazat SHBA-ve për t’i përdorur kundër Iranit
Goditja e grupit të Inez Hajrullës- zbardhen emrat e personave që SPAK lëshoi urdhër arreste dhe akuzat ndaj tyre
Irani do të bllokojë tranzitin vetëm për anijet amerikane dhe izraelite
Dëmtimet në aksin Librazhd-Përrenjas, kryeministri Rama inspektim: Ishte fatkeqësi natyrore!
“Qeveria duhet të ketë frikë popullin, jo populli qeverinë”- Ish-ministri Bushati me tone kritike
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet