VOAL

VOAL

NË QOFTË SE SYTË E TU – Poezi nga Pablo Neruda – Përktheu ROLAND GJOZA

June 27, 2020

Komentet

Teksti i këngës “Zjerm” (varianti i saktë)

Në këtë minut
në këtë çast
no paranoia
pas shiut
e ylbertë duket bota
nëpër rrugë
asnjë ambulancë
kurrkush s’të flet
me arrogancë
edhe sot na thanë
që s’prishet koha
.
Përfundova nën ujë
kurrë s’m’u tha goja
imagjino një minut
pa ushtarë
pa jetimë
as një shishe në oqean
naftës i vjen era jargavan
lirinë e fjalës
ta mëson shkolla
.
Krijo në mua një zemër t’pastër
në natën time, të dërgoj dritën
aman miserere
aman miserere
.
Në zemrën time
në zemrën teme
ky minut do të vazhdojë
njerëzit e mirë
njerëzit pa emër
kërcejnë valle në shpirt
jarna ne ti toka ime
ku kam lindë s’do të harroj
jarna ne ti bota ime
vazhdo me shndrit
shndrit
shndrit
shndrit
shndrit
.
Zjerm!
bjer mbi vallet tona tribale
që ushtojnë sa orteku kur bjen n’male
.
Zjerm!
njerz’t pa emën e njerz’t e dlirtë
njësoj kputen e bijnë
si 7 thika që t’ngulen n’shpirt
.
Zjerm!
këtu flen deti, rana e hana
e yjet s’i shohim se yjet na i shkelë kamba
kur ecim n’jerm
.
Zjerm!
jena t’untë për flakë e dritë
e t’kërkojmë…
n’kyt terr që s’pranë tuej shndritë

Shtëpi, e ëmbla Shtëpi!- Poemë nga Përparim Hysi

“O shtëpi! O Shtëpi!”
Të kem një varr si ti”

Popullore

Shtëpi! O e ëmbla shtëpi! A nuk thashë që do kthehem një ditë?
Së shpejti,do jem aty; hap derën e dil e më prit.
Në ika dikur e të”braktisa”,s’e bëra atë për vakancë
Vërtet rrugë të gjatë nisa,por malli nuk m’u nda,m’u vu pas.
2
Nuk doja të ikja,ti vet e pe: a nuk qeshë unë hundë e buzë?
Si një qiell ngarkuar me re(gojëmbyllur,si i mbytur në pus)
Dhe ZOTI ma lexoi dëshirën(rrebeshe e stuhi dërgoi)
E bëri të qajë natyrën dhe mua as që më flitej me gojë.
3
A kini parë një të vdekur të gjallë(i vdekuri qeshë unë atë ditë)
E kujtoj atë ditë dhe ma “shpallë”(atë ditë më qenë mbytur gjemitë)
Sosa në AMERIKË dhe u çudita(nëntori këtu qenka behar)
Gjiri i PERËNDISË është FLORIDA,por unë me mendje në MBROSTAR:::) *
4
Dëgjoja që këndonte bilbili,pas pak xërr-xërr një gjinkallë
OH,por këtu nuk njihet dimri,ndaj ky vend është si përrallë.
Njerëzit dalin me të shkurtëra (me të shkurtëra shtyj karrocën e mbesës)
Po pse me”gropa” është rruga, apo s’shoh mirë prej debulesës?

5
Është malli. Malli nuk më lë:si shpata e DEMOKLEUT mbi kokë
NJë lemëz griq-griq më zë…një lemëz që s’më ndahet:më kot!
Më shpie djali të shohë çudira: në ORLANDO a në BUSH-GARDEN
Ku ka ferra për “iriqa”?Nuk ka dhe nga mendja-ujem!!!
6
Ujem se mendja arratiset;tutje-tutje dhe çan oqeanin
Dhe mu në SHQIPËRI bitiset,se atje dua të jap xhanin.
Erdha këtu për pak (për pak,se sa të rritim mbesën)
Por mbetëm goxha gjatë,por hiç nuk e humb shpresën.
7.
E freskët është shpresa e mallit; e gjallë,e prekshme çdo ditë
Në rritet vëllimi i oqeanit,ndodhë se e mbushin të ikurit me mërzitë.
Mërzia asnjëherë nuk m’u hoq,sado që AMERIKA është e bekuar prej ZOTIT
Shpirti im mbi prush u poq, u poq dhe u dogj prej lotit.
8
Se hyra si doku në ujë dhe koka m’u mbulua me thinja
Çdo ditë nga mendja rrëmujë(me mendje jam nga SHQIPËRIA)
Kam shtëpinë atje në një pallat(në fshatin MBROSTAR-URA në FIER)
E kujtoj dhe zë”hedh shtat”(mjerë,kush përpara më del?!!!)
9
Atje marr fuqi si ANTEU.sa prek me këmbë SHQIPËRINË time
Dhe djalli të dalë nga dheu,unë e bëj copë e thërrime
Pa lëre kur mbrrij në FIER (më ikën mërzia tak-fap)
FIERI është mjaltë e sheqer dhe ëmbëlson shpirtin tim farmak.
10
NË MBROSTAR-Ura ngjitem mbi kodër(kodër plot ullinj e vila) *
Pa zë e bërtas si i vogël:-Ku dallon ky fshat nga ZVICRRA?
Tani po:-Jam i plotë.Tani asnjë gjë nuk më mungon.
Çdo ditë me miq e shokë (Mërgimtar,ku je?A më dëgjon?)

11
Nuk ka si vendi yt;aty ku të ka rënë koka
Mëgimtar nga mërgimi ik(SHQIPËRIA shtë më e bukur nga gjithë bota).

* jam larguar nga Shqipëria më 9 nëntor 2000 dhe jam kthyer më në 4 shkurt 2012.
MBROSTAR_URA-fshati ku kamjetuar 50-vjet tri-katër km larg FIERIT.
4 shkurt 2012
Tiranë,17 maj 2025

ZËRI I NËNËS ( Nga varri) – Poezi nga TAHIR BEZHANI

ZËRI I NËNËS
( Nga varri)

Një zjarrmi e etshme më zuri
Mall i çmendur u fut në zemër
Varri i nënës më vjen para syve
Ka kohë që nuk e kam vizituar
Rrëmujë mendimeve të mia
Palë mbi palë ngarkuar
Dita gdhiu e bukur, me rreze dielli
Përmallshëm ecja rrugës
Mbytur në kujtime….

Arrita te varri me zemër të ganduar
Heq bar të keq, ndonjë rrënjë fier
Një ushtimë dika më vjen, një zë….

Një dredhë pluhuri rrugëve të fshatit
Ngrihej deri në qiell
Më mbështolli në boshtin e saj
Më lidhi si në djep lilak
E një zë i ëmbël ,si në vaj flet:
“ A ishe në Zogaj o biri im
A gjete kënd, a të priten mirë?!
A të thanë ndonjë fjalë
Te varret a ke qenë
Folëm lumi im, folëm çdo gjë?…
Që gjashtëdhjetë vite kam ikur
Akoma shkrumin e kam në buzë
E mallin në sy e mbaj….”

Pasi iki dredha në rrugëtimin qiellor
U shkreha në lot e vaj mbi varrin e saj
Kujtoja vajtimin në dyshekllak të kullës
Kur loti i saj thante dushk e bar
Tani zërit të saj i përgjigjem me radhë
Ia kam plotësuar dëshirën ,amanetin
Radhë me radhë, duke i thënë:
Po e dashura nënë,
Kam qenë në Zogaj e fort jam çmallë
Tërë Bytyçin e Tropojën shëtit i kam
Lule ishte vendlindja ku ke lindë e rritë
Ato boka e kodra, fusha e male
Vizituar të gjitha i kam
Themelet e shtëpisë i gjeta pa kate
Beso ,shumë jam mërzitë!
Dajë të dashur: Alushi, Ademi, Sadiku
E gjithë ajo djalëri
U gëzuan shumë e thanë:
“ O na erdhi nipi, djali i Razës
Pas pesëdhjetë vitesh! Sa lumturi!….”
Lotët e tyre flisnin, gojët ishin ngri!…
U bashkua Bytyçi shpi për shpi…
Nga gëzimi dashin e theren për gosti

Pastaj takova motrën tënde
Hyrën në Padesh
U përqafuam gjatë, qanë zemrat fort nënë
Çdo gjë u tregova për ty, për ne
Gati harrova pa të thënë,
Te varri i gjyshit Zenun u përula në Zogaj
Gjyshja Tahe në Padesh ishte varrosur
Shkova edhe atje
Për hatrin e zemrës sime nënë
Tani fli e qetë nënë e dashur
Kufijtë janë rrënuar
Kudo në Shqipërinë tënde kam shkuar
Më kanë dhënë shumë mirënjohje
Bytyçi e gjithë Tropoja
Kam shkruar libra nënë
Poezi për Zogaj e Valbonën
Me lot i ka qa
Si ti dikur frëngjive të kullës
Kur unë isha fëmijë….

Të gjithë më duan në Tropojë
Kur shkoj edhe gurët gëzohen
Bokat qeshin e natyra gjelbërohet

Mos rënko si dikur, mos fshaj
Ti në jetën e gjatë
Na në të rrejshmen
Një ditë atje do bashkohemi….

Tani dita iku, nata po vjen
Përshëndeta nënën te varri
Një zë si ushtimë sërish dëgjoj
“Faleminderit loke
Shpirtin ma qetësove
Shkrumin ma largove!….”
Ecja si i këputur në brez
Do vite ngarkuar trokasin gjymtyrëve
Do mjeshtër dembelë po punojnë…

Mendimet bluanin ngjarjen e ditës
Ktheva kokën prapa
Sikur diçka nga brenda foli
Natën e mirë nënë, sërish do vij
Nuk di sa vonohem!….

Shtëpia më tërhiqte, edhe fëmijët
Dy botë të ndara
Kaluan bashkë një ditë
Imagjinata ushqen shpirtin e plagosur….
Shkruar në pakohësi!….

EKZISTENCIALE- Poezi nga HASAN MUZLI SELIMI

Ju them të drejtën
Një natë fjeta në stanisht breg detit
Kujtoja të vdekurit, të gjallët i harrova
Në heshtje ngjit me Butrintin, çati me vrima, numëroja yjet
Të nëndheut shëtisnin mbi ne, llafosnin për bëmat
Deti irritueshëm u ngjit në strehën e fjetores time
Të përtej dheut u treten, kapërcyen pragun e galaktikës
U largua ujë, të vdekurit n`dukje pa gjurmë, udhë boshe
.
Mëngjesi erdhi si zakonisht, kullonte çatia, tavani i zhdukur
Të gjallët heshtje, s`shikonin, as nuk dëgjoheshin
Më fytyrë prej qiellit, retë parakalonin, shtypnin mbulojën time
Ëndërroja të jem re, të ec qiellit, të kthehem i gjallë
Një gumëzhitje mbi mua, mendova erdhën të më marrin ato
Vdektinat e panjohura as në të gjallë
Prej lart një pëllumb, mbi jargan shkundi pendët
Nën krah ngjit me brinjë mbante një kartë
.
Përkëdhela shpendin si një foshnje mjerane
Qava për të, sikur të ishte …, në gjirin tim e thava, lëvizi
Dilem e radhës, të lexoj letrën a ta tres, nuk ishte porosi,
Hereoglife të zakonshme, histori
Pulëbardha shikonte, lëvizte kokën, sytë
Donte të tregonte sa herë është përplas në brigje, sa herë është gdhi
.
Lotët e mia derdhen, thajnë detin
S’kam një varkë, ta ndërtoj nuk di
Në fund të botës, të shënoj këtë kartë
Njerëzia të shoh sa kam udhëtuar,
Cilat ishin brigjet, shpend si ky, ku kam takuar
Dielli ngjitej drej diellit, lexoja letrën, përsërisja veten.
.
Sot me datë 17.05.2025
.
Hasan MUZLI Selimi

SURGITE,  MORTUI  ! (ÇOHI, TË  DEKUN !)- Nga AT GJERGJ FISHTA OFM.

 

 

 

  1. Shqyptarë, a ndiet ? Evropa, mrrutë e ndyt,

Shkerdhye me Evrej t’ Parisit e t’ Londonit,

( Se cillës dreqi ia plasi të dy syt

E marren ma s’ e sheh, njitash n’ e s’ vonit)

E bani gjyq, qi t’ nipat e Kastriotit

Shkjevet t’ Balkanit urë t’u rrijn mbas sotit.

  1. Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Evropa,

                                    Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,

Të cillët Kishat rrënue ua kanë me topa

E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:

Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni

E rrugash bamë i kanë me dekun ûni.

  1. E mbas sotit Shqyptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;

E gjaksvet t’ vet do t’ bajn kta t’u ngjatët jeta?

Hajnat lapera zotëni do t’ thrrasin,

E t’ pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;

Me armë shqyptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,

Sogje Shqyptari shkjaut do t’ rrijë sod  m’ kamë.

  1. Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?

                        A ka si i bahet kuj ma teper dhún?…

Ehu! Shka do t’ bajn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:

Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanun:

Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:

Qi sheklli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –

  1. Shka bajn Shqyptarët?… Hán’ fiq e kastraveca:        

E pijn mastikë, e qesin petlla n’ ujë;

E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;

E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej

Palè a kanë ksulen qyp a se kapelë,

A e ka uficiali kalin at’ a pélë.

  1. E armët e t’ Parvet shkojn kta tue kerkue,

Ndo ‘i karajfile t’ gjatë, a ndo ‘i tagan: – 

Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue

Me malazez të shkyem a me serbjan:

Por per me mujtë me xjerrun kund ndo ‘i grosh

Tue rrêjtë me to ndonji hingliz balosh.

  1. Jo, po; Shqyptarët kanë sot të madh kujdes…

Njata, po thom, qi ndo‘i mirás e presin,

E druen se êmta a gjyshi vrik s’ u des:

Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,

S’ çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot

Per shkarpa t’ vjetra, qi kam shkye kahmot.

  1. Ahi! Turp e marre! Burra, lé e rritun

                        Me armë mizore n’ dorë, e qi fatosa

                        T’ Parët i kanë pasë, me ndejë kshtu sod t’ topitun

                        Si t’ dekunt n’ vorre, sod qi i mbrrika sosa

                        Së mjeres moj Shqypni edhe Shqyptarvet,

                        E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’ Parvet!

  1. Ktu, ktu Shqyptarë!… A ndiet?… Ku u kam… Ku jéni?…

                        Mo’ lêni, burra!… M’ armë!… Mbaroi Kosova!…

                        Janina humbi!…e ndoshta, Tepeleni…

                        Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…

                        Vendet ma t’ mirat né na i mori shkjau,

                        E, shk’ asht ma zi, né vlla me vlla na dau!

  1. Ah! M’ kambë, brè burra! Shka jini mshehun

                        Nder furka t’ gravet, si do rrole t’ kqija?…

                        Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prehun;

                        Asht turp, per Zotin! Shurdhë me hupë Shqypnija.

                        Mo’ lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!

                        A gjallë me ndérë, a dekun grue e trim.

  1. Ku jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?…

                        Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!

                        Flamurin e Shqypnis, sod n’ ajr ti shtielle;

                        E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.

                        Ku themra e jote per Atdhé të shklase,

                        Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’ humbase!

  1. Mo’lé’Toptan, qi me shpatë t’ande binde

                        Nji shekull mbarë m ’at maje Taraboshi!

                        Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e,

                        – Ndejun n’voter s’ prarohet jo kondoshi…

                        Mblidh Toskë e Lapë, e sod per Shqyptari

                        Qindro, s ‘i herë qindrove me trimni.

  1. M’ kambë Dedë Gjo’ Luli! Thonë se ‘i  t’ biri t’ shkinës

                        Lekët e Malcis sod t’ dhetat do t’ ia lajn

                        Se edhe do t’ vêjn kapicen e Cetinës:

                        A i mend, thue, ti, kaq marre do t’ a bâjn;

                        Ata sokolat t’u Lekët e Malcis,

                        Qi aq gjak kanë derdhun per Liri t’ Shqypnis?

  1. Jo kurr! Jo kurr! Por mbi Deçiq ti xiri

                        Shka asht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,

                        Aty kufin e ka, per ball me Viri,

                        E ké me pá ti atëherë, se rrokullija

                        Me u çue m’ e zhgulë andej, nuk mund t’ a hjekun;

                        Pse per Shqypni Malcorët janë msue me dekun.

  1. Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,

                        Pse Perendija s’ ka me u lanë me u thye.

                        T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra

                        E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.

                        Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,

            N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!

  1. E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,

                                    Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,

            Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli

            Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –

            Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë

            E nami i sajë per jetë u trashigoftë!

  1. Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri

                                    E porsi krandja e that n’ nji flakadâ,

                                    U shoftë me arë, me farë me mal me vrri

                                    Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me zâ,

                                    Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me uzdajë

                                    Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Sajë!

 

Shenim nga Fritz Radovani:

Asht marrë pa asnjë ndryshim nga libri “LIRIKA” i At Gjergj FISHTES.

Botue në librin “LIRIKA” në 1941 prej At Viktor VOLAJ OFM.

Mundeni me e botue!

Melbourne, 15 Maji 2025.

ARBËRESHET- Poezi nga Neki Lulaj

(Për datëlindjën e Gjergjit)

Nga matanë detit arbëreshët na erdhën të malluar.
Sollën gëzimin nga shpirti i tyre hyjnor
Për datëlindjen e Princit të Arbërit uruan
Veshur bukur me kostum arbëror.

Na i zbukuruan tërë rrugët e Prishtinës
Me plot gaz e hare zgjuan grimcat e dheut
Ka ardhur brezi i ri i gjakut të Arbërit
Bashkë ta festojmë ditëlindjen e Skënderbeut.

Mallin sa një oqean e kemi në sytë e gëzuar
Ky det me dallgë tërbuar na ndanë në mes
Në për ju gjithmonë kemi  menduar
Në Kalabri që prej  gjashtë shekujsh jetojnë si arbëreshë.

-Nuk erdhëm me  Jeronim De Radën
Se ai të gjithë juve atje ju pret
Kësaj radhe erdhi Zefi me Gavril Darën
Ka shumë shekuj qe këtë ditë e pret.

Pa ejani t’i shtrëngojmë bashkë duar e zemra
Se ne ruajmë një gjuhë e një gjak në damar na rrjedh
Fara e arbërit është kaltërsi hyjnore
Pa ejani, vëllezër se Lungëra krahëhapur ju pret.

Schwarzvald 6 maj 2025

Ndoshta kjo foto është shkrepur një ditë të diele. Musine Kokalari, si gjithmonë me libër në dorë

Ndoshta kjo foto është shkrepur një ditë të diele. Musine Kokalari, si gjithmonë me libër në dorë, në çaste pushimi me familjarët.
Ndoshta ishte një ditë maji, kur në oborrin e shtëpisë gëzonin të gjithë bashkë rrezet e diellit pranveror.
Janë dy gjëra me të cilat Musinea ishte lidhur dhe ishin pjesë e qënies së saj: natyra dhe libri.
Këtë që edhe ajo e pohon shpesh në shënimet dhe librat autobiografikë, e gjejmë të pasqyruar në çdo foto të saj, ku Musinea do të ketë gjithmonë në duar një libër, apo një tufë lulesh të egra, apo do të shfaqet duke admiruar peizazhin natyror.
Ajo shpesh herë i bashkonte të dy këta elemente, kur ulej dhe lexonte në stolat e lulishtes së Rrëshenit, ashtu siç tregojnë bashkëkohësit me të në atë qytet të vogël./Muzeu Kokalari

HISTORIA E PATHËNË E PAPËS SË SAPOZGJEDHUR, ROBERT PREVOST: PAPA LEO XIV- Nga Markon Eugenio Alat- Në shqip: Eda Zhiti

Mori një vendim befasues në vitin 1975:
Ai refuzoi Fakultetin Juridik të Harvard-it për t’u shërbyer fshatrave më të varfra të Perusë
Tani, ai është Papa i 267-të.
• Flet gjuhën e lashtë inkase.
• Ecte 8 orë për të ndihmuar të varfërit
• Amerikan i parë i Shteteve të Bashkuara që bëhet Papë.
Në vitin 1975, Robert Prevost ishte në kulmin e suksesit. Mësues matematike në Çikago. Katolik i devotshëm. I pranuar në Fakultetin Juridik të Harvardit. Kishte gjithçka që një i ri mund të ëndërronte. Por pastaj mori një vendim që askush nuk e priste. Ai tha jo për Harvardin.
Jo për një të ardhur me gjashtë shifra. Jo famës. Jo rehatisë.
Dhe po për diçka që pak njerëz guxojnë ta zgjedhin: një jetë dorëzimi të plotë. Ai iu bashkua një grupi misionar dhe u zhvendos në Peru. Jo në qytete. Jo në vendet turistike.
Por në fshatrat më të largëta ku fëmijët vdesin nga sëmundje të shërueshme dhe familjet ecin kilometra për ujë të pastër. Nuk kishte rrugë. As ujë të rrjedhshëm. As WiFi.
Vetëm male. Heshtje. Dhe varfëri. Por ai e përqafoi si shtëpinë.
Roberti nuk jetoi thjesht mes njerëzve. Ai u bë njëri prej tyre.
• Mësoi keçuan—gjuha e inkasve.
• Mbante ushqim për ditë të tëra, teksa ecte në këmbë.
• Flinte në dysheme balte me fshatarët.
• Lutjet i bënte nën yje.
Ai u jepte mësim fëmijëve të zbathur nën çati të dëmtuara. Kur nuk jepte mësim, ai bartte të sëmurët mbi gomarë për të dhënë ndihmë.
Ai dëgjonte, dëgjonte me të vërtetë historitë që askush tjetër nuk i dëgjonte.
Ndërsa miqtë e tij nga Amerika bëheshin avokatë dhe mjekë, ai u bë diçka krejt tjetër:
Një bari,
Një vëlla,
Një luftëtar i qetë i besimit.
Dhe dalëngadalë legjenda e tij u përhap. Veprat e tij nuk transmetoheshin, por jehuan nëpër Ande.
Ipeshkvijtë e vunë re.
Priftërinjtë e vunë re.
Me kalimin e kohës Vatikani e njohu.
Ata e thirrën për të udhëhequr të gjithë urdhrin e tij augustinian. Nga shërbimi në një fshat, tek drejtimi i 2,800 vëllezërve në mbi 40 vende.
Megjithatë—mbante të njëjtat sandale
Ende ecte me të varfrit.
Ende refuzonte luksin.
Pastaj erdhi thirrja që ndryshoi gjithçka:
Roma e donte më afër. Në vitin 2020, ai u emërua Arqipeshkëv dhe iu ngarkua të qeveriste ipeshkvij në nivel global. Ishte e rrallë. Por Roberti kurrë nuk kishte ndjekur thjesht traditën. Ai nuk ishte thjesht i rrjedhshëm në latinisht apo në të drejtën kanonike.
Ai ishte i rrjedhshëm në dhembshuri.
Në përunjësi.
Në dëgjim.
Në prani.
Vatikani nuk pa thjesht një prift. Ata panë një udhëheqës me shpirt. Më 30 shtator 2023, Papa Françesku e bëri zyrtare: Robert Prevost u shpall Kardinal. Vetëm një hap larg Papës.
Dhe pastaj… në vitin 2025
U bë historia. Për herë të parë ndonjëherë një amerikan.
Një ish-mësues matematike.
Një misionar për të harruarit,
U ngrit si Papa i 267-të i Kishës Katolike
Dhe ai nuk harron njerëzit që e formuan. Deri sot, Papa Robert ende kthehet në të njëjtat fshatra.
Ende lutet në Keçuan.
Ende ulet në dysheme balte.
Ende mban duart e të moshuarve në heshtje.
Sepse udhëheqja, sipas tij:
Nuk ka të bëjë me pozitën, por me praninë.
Bota është e fiksuar pas pushtetit.
Por Robert Prevost dëshmon:
• Titujt s’kanë vlerë pa shërbim.
• Dija është e kotë pa dashuri.
• Dhe besimi pa sakrificë është zhurmë.
Ai e la pas botën, për ta ndryshuar atë.

SALI BERISHA MISIONAR NË MES TË MISIONARËVE- Nga HASAN MUZLI SELIMI

Thonë se Cicëroni, babai i gojëtarisë romake, fjalimet e veta i fillonte me një farë rrënqethje që dukej jo në formë, gati-gati belbëzonte. Fabi i pari i fisit Fabius  e arsyeton: “Ky është shembulli i oratorit të vyer, që është i vetëdijshëm ndaj përgjegjësisë” Nuk e mbaj mend sa kohë që e kam lexuar, por është e vërteta është në origjinal. Fjala “Fabius” është përdorur si emër i individëve të zakonshëm, siç është Gajus Fabius Maximus, i njohur për strategjitë e tij gjatë Luftës së Dytë Punike.

Të gjithë do thonë. çka është ky kod i kurthuar për të cilin duhet të mendojmë ku don ta dërgoje këtë ujë, në të cilin mulli. Krejt e thjeshtë, mendova ta përfoli pak Sali Berishën. Të bëj edhe unë si ata që duan të bëhen përsona publik e fillojnë me Saliun. Pata dëshirën, shfrytëzova mundësin sivjet të marr pjesë në takimet e Prof. Dr. Sali Berishës. Një ngarkesë në mendjen time, e vështirë për ta administruar këtë kohë që është tjetërsuar, një punë, vullnet, përkushtim, energji që rrallë e takon tek ndonjë individ.

Fillon takimin me një të grithur të fytit. Ngadalë, sikur me përtesë ai del në skenën e të pa arritshmes. Po e dëgjoja me vëmendje në një takim me shumë të rinj e zonja. Aty vëmendja ishte në maksimum. Bashkëpuntorët e tij civil e me shumë ide, të shkolluar me mjaft vizion, të rinj e plot energji. Ai e mbizotëronte krejt ambientin plot e përplot. Kjo nuk vjen nga funksioni, por nga aftësia administruese e masës. Individi, masat i drejton, i orienton, i ekzalton i dërgon deri në ekstazë. Ky është roli i një individi. Sali Berisha politikan e ka arrit këtë mision.

Ai po fliste, unë mendoja, për vitin 2013, vit kur u dorëhoq nga të gjithë funksionet politike, administrative e shoqërore. Po përpiqem ta them në mënyrën më të përmbledhur deklaratën e tij atë pasdite: “ … edhe njëmijë demokrat po të mbeten unë jam njëri prej tyre, edhe njëqind demokrat po të mbeten unë jam njëri prej tyre, edhe një demokrat po të mbetet unë jam njëri nga ju…”. Nuk e kam zakon të flas, të përbetohem për parashikime, por në fakt iu kam thënë dy miqve të mi atëherë se ky njeri nuk e ka përfunduar misionin. Të dy qeshen, bilës me shpotiten. Situatat erdhën si erdhën, Sali Berisha u ringrit sërish si Sfinks.

Njoftoi për një takim në Rogner, do të takohet me gazetar. Çensura e madhe, por gazetarët morën pjesë kënaqshëm. Në një tavolinë me shumë miq bëhej diskutim për aksionin politik të Sali Berishës. Nuk flisja, dëgjoja me vëmendje deklaratat e një deputeti të suspenduar politikish në këtë rast Sali Berisha. Diskutimet e bashkëbiseduesit që nuk ishin pak për nga niveli, madje as për kah rëndësia në jetën politike.

Unë iu thashë, ju kujtohet sulmi i papritur ajror që shkatërroi fuqinë detare amerikane në Paqësor? Ai sulm nxiti hyrjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Presidenti Frenklin Ruzvelt e quajti 7 dhjetorin “një datë turpi”. Përfshirja e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore shihet si pikë kthese e madhe në konfliktin kundër fuqive të Boshtit nazi-fashist, Gjermanis, Italisë dhe Japonisë. Për këtë është bërë një film, ka marrë shumë çmime. Po,- më thanë, diçka na kujtohet. Unë tani kryej rolin e ushtarakut lart Japonez lidhur me ngjarjen ton, me Dr.Berishen. Do ta përsëris ushtarakun Japonez. Zgjuam Luanin nga gjumi. Qeshen, madje edhe më shpotiten. Sulmi mbi Pearl Harbor ishte planifikuar nga Admirali Isoroku Jamamoto, komandanti i përgjithshëm i flotës japoneze. Jamamoto një aviator i marinës, studiuar në Universitetin në Harvard. Po ashtu gjatë viteve 1920, ai shërbyeu si atashe ushtarak në ambasadën Japoneze në Uashington. Nuk e di arsyet e tij personale, por di të them se pas sulmit tha: “Zgjova Luanin nga gjumi”. Me qetësi prapë këmbëngula. Nëse nuk doni ta shihni Sali Berishën në karrigen e Kryeministrit dilni dhe eliminojeni. Kështu iu thashë atë natë. Koha po afron profetësia ime po heshtë.

Nuk ka mendim të analizoj konjukturat, rrethanat, interesat botërore për rikthimin e tij, sepse pak a shumë dolën më lart, por unë do analizoj Sali Berishën si njërin prej demokratëve misionarë. E kam ndërmend të prek në tre aspekte krejt të dukshme, të njohura, të vërteta që demokratet i janë borxhli.

Sali Berisha e ndjen veten krenar që është njëri prej demokratëve Shqiptar. Ne na kujtohet se si janë trajtuar demokratët në vitin 1990-1992, në vitin 1997-2000, si janë trajtuar demokratët në vitet 2013 e deri tani. Janë rrahur brutalisht në sheshe, janë shoqëruar në komisariatet e policisë dhe troturuare si …, sepse ishin kundër sistemit, janë dënuar për vepra penale të sajuara, kanë vuajtur dënime të pa drejta, janë larguar nga puna vetëm e vetëm se mendonin ndryshe.

Sali Berishën e shoqëruan në 1998 në polici në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. E morën me dhunë, në atë kohë ishte deputet e kryetar opozitë në fakt shumë maxhoritare edhe pse numërimi i votave bëhet gjithmonë nga shteti, është parimi Stalinist. E mbajtën në polici, ushtruan presion psikologjik mbi të, sikur ishte një njeri i zakonshëm që atakohet për hobi me ligjin.

E njëjta si me demokratët në tërësi që i kanë dhunuar në rrugë, kafene, në shtëpinë e tyre sidomos në vitet e para të pluralizmit e në mënyrë të veçantë në vitet 1997-1998. Ne kemi pa të filmuara edhe eksponent të kulturës shqiptare duke u dhunuar, sepse ishin me Sali Berishën. Më kujtohet një që e dhunuan barbarisht afër Ministrisë së Rendit. Nuk mund të nominoj të gjithë ata njerëz që aderonin në partinë Demokratike që  janë pa të filmuar nga televizori të gjakosur me dhunë.

Sali Berisha filloi ofensivën e madhe kundër një shteti që luan e nëpërkëmbë dinjitetin. Organizoi një tubim ditën, kur në Shqipëri, në Tiranë kishte një samit nga e gjithë Europa. Gjithmonë Sali Berisha ka thënë jemi në luftë, kjo është kryefjala e tij që në vitin 1990. E lufta, or lum miku ka viktima, ka edhe plagë që mbeten, jo vetëm fizikisht, por plaga shpirtërore është e pashërueshme. Sali Berishën e goditën në mes të sheshit, përpara gjithë kamërave. Sipas tyre e përdhunuan, menduan se me një gur  vrasim dy zogj. Thonë se lufta është e pamëshirshme. Gjithmonë në luftë ke humbje, kur aty brenda vetes ke të shitur, jo vetëm tek kundërshtari, por tek egoja dhe faktori racial. U plagos Sali Berisha. Njerëzit pranë e larg tij menduan se tani ky po përmbys Tiranën. Në fakt me një të lëvizur të dorës prej tij, gjendja nuk riparohej kurrë. Ai u ngrit më shumë se sa një Politikan, ai u ngrit si një klerik, në anën humane, kaloj përmasat e mjekut, apo të politikanit e shkoi deri tek adhurimi. Në fjalimin e tij tha: Atë mjeran e kam fal. Është i gënjyer, i shpërblyer. Lëreni të ik në shtëpi. Në fakt ai ishte njeri me identitet të sajuar që nuk iu gjet familja kurrë.

Me këtë akt burrëror, prej humani, politikani vizionari dhe ideatori primar shmangu gjithçka mund të ndodhte. Ruajti Shqipërinë, veten, partinë e tij që e krijoi, e mbajti, e rriti, e riorganizoi me aq mund. Figura e tij u naltësua.

Sa e sa demokrat janë burgos me e pa të drejtë ligjore. Sali Berisha u vendos në masën e sigurisë pa kaluar procedurat imunitare të parlamentit. Bëri gjithë atë betejë politike e ligjore të çojë në vend dinjitetin e parlamentit dhe u shpërblye me masën e sigurisë përsonale atë të arrestit shtëpiak. Prej aty u bë zëri i shumicës së shqiptarëve. Bisedat me qytetarët nga dritarja e shtëpisë ishin një aksion vetëmohimi. Prej aty energjia e tij u shndërrua në uraganin që sjell një ortek që fillon sa një kokërr arre.

Ja pra, ky është Sali Berisha. Tani asnjë demokrat nuk mund të thotë se kam heq më shumë se Kryetari i tyre, se misioni nuk arrihet pa vuajtje, pa përplasje. Tani demokratët kanë shumë më shumë arsye ta ndjekin për përmbushjen e këtij misioni biblik.

Gladiatori i familjes demokratike ka hyrë në arenë. Ai betejën e filloi, po e vazhdon në kushte krejt të pabarabarta. Me një shtet që prodhon vetëm terror. Me një sundimtar, siç e thotë vet Berisha narko-shtet. Tani si e vlerësoni Sali Berishën. A është një prej demokratëve me mision për atdheun, për demokracinë?

Me datë 02.05.2025

Hasan Muzli Selimi

PAQJA E ÇARMATOSUR QË ÇARMATOS… – Fjalët e para dhe ditët e para të Papës Leoni XIV – Përgatiti Visar Zhiti

 

FLETORJA E PAPËS SË RI

 

Papa i ri, Leo XIV, kur u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të përshëndetur popullin e mbledhur në sheshin më të bukur të botës katolike, pas shpalljes së tij si Papë, me veshjen tradicionale papale dhe qëndrimi i përulur, çaste solemne dhe historike, – fjalë e parë që tha ishte: paqe. Ajo që duhet botës dhe njerëzimit, çdo qenieje të gjallë.
Vazhdon jehona e fjalës së tij dhe e takimeve të para. Më bëri përshtypje ajo që lexova në gazetën më të madhe italiane, “Corriere della Sera”. Gjëja e parë që godet nuk është fakti, – historikisht i rëndësishëm, – që është i pari papë që zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. As që zgjodhi një emër të vjetër në dukje, i largët në kohë, në realitet tregues: Luan, emri i papës së parë që pajtoi me Rerurm Novarum krishtërimin me modernitetin. As ngulmimi te fjala “paqe” la pax Christina, e domosdoshme për të ngritur ura, etj, E para gjë që na goditi nga Robeert Francis Prevost ishte fletorja. Kurrë ndonjë papë nuk kishte lexuar ndonjëherë nga lozha një tekst të shkruar në fletë, që i shihte herë pas here. Dhe s’ishte prej vështirësisë së gjuhës, ai flet shkëlqyer jo vetëm italisht e anglisht e spanjisht, latinisht, etj. Fletorja i shërbeu për të qenë saktë…
Unë shtoj se dhe është e shkruar ajo që do të duhet të bëjmë, prandaj dhe mund ta themi, qartë dhe me përgjegjësi.
Gjithçka është e shkruar

 

 

CILA PAQE?

Ai lexoi me qetësi e përulësi:
“Le të jemi ndërtues të paqes, duke refuzuar dhunën dhe duke përqafuar përulësinë si rrugën drejt pajtimit. Kërkoj një paqe të çarmatosur, çarmatosëse…”
Janë fjalë që mbajnë peshën e shekujve dhe ëndrrën jo vetëm të krishterimit, por të popujve, të kulturës perëndimore, që drejtësia dhe liritë të mos vijnë më nga shpatat, nga lufta e bombat, por nga paqja dhe puna, krahët e hapur të dashurisë, që besimi të jetë më i fortë se frika.
Paqja “e çarmatosur” është e lirë prej kërcënimeve, të saj dhe kundër saj, është pa helmeta e parzmorë si njeriu i zhveshur. Ndërsa paqja “çarmatosëse” është dhe një thirrje e madhe morale, mund t’u drejtohet kujdo, kombeve dhe pakteve të tyre: hiqni dorë nga armatimet, nga logjika e kërcënimit, nga ekonomia e vdekjes.
Dy fjalë: i çarmatosur dhe çarmatosës. E gjithë strategjia dhe kultura morale që do të duhej…

 

LUANËT ME KRYQ

Ka çaste në histori kur dhe një njeri i vetëm del përballë shkatërrimit dhe thotë: “Jo.” Dhe këtë “jo” nuk e thotë me armë, as me ushtri, por me fjalë, me besim, me fytyrën e tij të kthyer nga qielli dhe me dorën që mban një kryq të thjeshtë.
Kështu ndodhi në vitin 452, kur Papa Leoni i Madh doli përpara Atilës, “kamxhikut të Zotit”, barbarit që digjte qytet pas qyteti dhe kishte mbërritur në portat e Romës. I papajisur me asnjë lloj mbrojtjeje, Papa mbajti vetëm fuqinë e fjalës dhe autoritetin e një besimi që nuk druhej. Dhe Atila u tërhoq.

“Takimi i Papa Leoni i Madh me Atilën” – Rafael (1513–1514)
Kjo freskë monumentale ndodhet në Stanza di Eliodoro në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Piktori i shquar i Rilindjes, Rafaeli, paraqet momentin kur Papa Leoni, i shoqëruar nga Shën Pjetri dhe Shën Pali që shfaqen në qiell me shpata të tërhequra, përballet me Atilën dhe ushtrinë e tij. Afresku

Kjo ndodhi, në kufijtë e historisë dhe legjendës, nuk është vetëm një faqe e lavdishme e Kishës. Është një metaforë universale për atë që ne, njerëzit, e harrojmë gjithnjë: se forca e brendshme, kur është e mbështetur në drejtësi dhe në dashuri, ka më shumë peshë se çdo shpatë.
Sot, bota është sërish nën kërcënimin e Atilëve modernë. Ata nuk vijnë më me ushtarë e shigjeta e kuaj, por me urrejtje të organizuar, me teknologji që ndan, me ideologji që zhveshin njeriun nga dinjiteti, me heshtje përballë vuajtjes. Dhe sërish, para këtyre hijenave të kohës sonë, del një Papë i ri – Robert Francis Prevost, një burrë i heshtur, një bari i butë që vjen nga zemra e Amerikës dhe rrugët e Perusë, ku ka shërbyer mes të varfërve.
Zgjedhja e tij si Papë në këto kohë të turbullta është një përgjigje e heshtur, por e fuqishme: nuk është shtrëngata ajo që flet, por qetësia. Nuk janë zhurmat ato që drejtojnë botën, paratë, forca, dukja, etj, por mendimi, idealet, fjalët e brendshme shpirt:ere. Dhe Papa Roberti nuk ka nevojë të bërtasë. Që në fjalimin e tij të parë ai s’premtoi revolucione, por prani dhe dëgjim, shërbim dhe mirëkuptim, si të donte të na thoshte se Roma e sotme nuk është një qytet për t’u mbrojtur me mure, por një ndërgjegje për t’u ruajtur me dashuri.
Në botë ka luftë, Rusia me Ukrainën. Në Izrael me palestinëzet, etj, Kërcënime ka, urrejtje ka, armatime gjithnjë e më shumë. Dhe djaj t;e armatosur.
Nëse Papa Leoni ndali Atilën me ndërhyrjen qiellore të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, Papa Roberti do të duhet të ndalë Atilat e sotshëm, të dukshëm dhe të padukshëm, me engjëj të tjerë: urtësisë së shenjtë, përulësisë njerezore.
Ai përfaqëson Kishën, që nuk mbron fronin, por plagën. Një udhëheqës që nuk nderohet për atë që zotëron, por për atë që ndan. Një burrë që e ka ndërtuar jetën e tij mbi fjalët e Krishtit: “Mos kini frikë.”.
Selia e Shenjtë me Papa Françeskun, kujtojnë vëshguesit, me SHBA me Trumpin President, por dhe me Biden, – president katolik, nuk kishte mirëkuptimin e duhur, pra marrëdhënie të nderura, një papë amerikan duhet të ndryshojë gjendjen. Presidenti Trump ka acaruar Europën, në Papë në zemër të Europës do të dijë të ndërhyjë. Dhe ai ka përvojën e varfërisë sociale në Peru, të emigracionit në familjen e tij, di Afrikën, Azinë dhe Kinën që gjakon superfuqinë, jo vetëm ekonomike, etj, etj.
Papa Leoni ndaj Atilës kishte në anën e tij mrekullinë. Papa Roberti ka në anën e tij kohën – këtë kohë që ka nevojë për udhëheqje pa detyrime, për shpresë pa iluzione, por me besim. Papa që ndalon me kryq shpatat dhe të keqen…
Dhe sapo ka ardhur një i ri…

DHE PSE PAPA LEONI XIV?
MESAZHE TË TIJ:

E tha vetë:
Mendova të marr emrin e Leone XIV per arsye të ndryshme, por veçanërisht sepe Papa Leone XIII në Enciklikën Rerur Novarum përballoi çështje sociale në kontekstin e revolucionit të parë industrial. Dhe sot kisha u ofron të gjithëve trashëgiminë e saj të doktrines sociale për t’ju përgjigjur një tjetër revolucioni industrial, zhvillimin të Inteligjencës Artificiale, që përfshijnë sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit human, te drejtësisë dhe punës.

Që në ditët e para të pontifikatit të tij, Papa Leone XIV ka dhënë mesazhe të fuqishme që përçojnë shpresë dhe përkushtim, drejtësi sociale, dialog dhe paqe në një botë të trazuar. Tirrjet e tij janë: 1- Për ndërtimin e urave: Në fjalimin e tij të parë publik më 8 maj 2025 theksoi rëndësinë e paqes, unitetit dhe dialogut, duke i bërë thirrje Kishës të jetë më e afërt me të vuajturit dhe të angazhohet në misionin e saj ungjillëzues .  2- Mbrojtja e dinjitetit njerëzor dhe të punës përballë sfidave të revolucionit digjital dhe Inteligjencës Artificiale, etj. 3- Papa Leone XIV ashtu si Papa Françeskut ka theksuar rëndësinë e kujdesit për më të dobëtit dhe promovimin e një dialogu të guximshëm me botën moderne . 4- Papa i ri ka theksuar nevojën për mikpritje ndaj emigrantëve dhe përkujdesje për mjedisin… etj,

TË SHKOSH TE IKONA E SHQIPTARËVE

Papa Leoni XIV në Genazzano, te ikona Zoja e Këshillimt të Mirë, Pajtorja e Shqiptarëve.

Dalja e parë jashtë Romës e Papa Leonit XIV në ditën e dytë si papë ishte në Genazzano në Kishen e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqipërisë.
Është figura e Zojës që iku nga Shkodra në kohët e errta të pushtimit otoman dhe u vendos në afërsi të Romës. Shkodra e Zojës dhe Zoja e Shkodres.
Papa Leone XIV, më parë kardinali amerikan Robert Prevost, është anëtar i Urdhrit të Shën Augustinit. Sanktuari i Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano është një vend i shenjtë i rëndësishëm për këtë urdhër, pra ishte dhe një kthim në rrënjët e tij shpirtërore.   Ikona e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës, ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët dhe për besimtarët katolikë në mbarë botën. Sipas traditës, kjo ikonë mbërriti mrekullisht nga Shkodra në Genazzano në vitin 1467, gjatë pushtimit osman. Vizita e Papës në këtë vend të shenjtë është një nderim për këtë trashëgimi të përbashkët shpirtërore.
Papa Leo XIV përshëndeti besimtarët, të gjithë që kishin dalë për ta pritur e parë e takuar, duke shprehur gëzimin që pati duke iu lutur Nënës së Këshillit të Mirë, “një dhuratë kaq e madhe” për popullin e Genazzanos, që sjell edhe një përgjegjësi të madhe: “Ashtu si një nënë nuk i braktis kurrë fëmijët e saj, edhe ju duhet t’i jeni besnikë nënës suaj”.
Papa përshëndeti të rinjtë, dhe ata që janë të rinj në zemër –
Më në fund, përpara se të largohej nga Shenjtërorja, ai bekoi të pranishmit.
Por duke qenë një ikonë shqiptare ajo ku ai u lut, na duket se vetë Shqipëria, ajo e vjetra, e përjetëshmja, pra dhe e ardhmja, e priti atë dhe e uroi. Është dhe kështu…

NË NDERIM TË 9 MAJIT, DITËS NDËRKOMBËTARE TË NËNËS! NËNAT MBAJNË BOTËN NË DUAR- Nga Albert HABAZAJ

 

HIMN PËR NËNAT SHQIPTARE si një tufëz me lule vjershërore për 9 Majin, Ditën ndërkombëtare të nënës –

 

Dashurinë më të ngrohtë
Që për fëmjët ka nëna,
Asnjë këngë dot s’e thotë
E di zemra e saj përbrenda.

Na dha jetë, qumësht e këngë,
Nën’ e xhanit, durim madhe,
Me rrufetë dhëmb për dhëmbë
Qan e hesht, hambar me halle.

Ju, o nënat shqiptare
Veten harruat për ne,
Testament i Mirësisë
Ikët me yjet mbi rè.

Vendin e nënës askush
Askush s’e mban dot një ditë,
Sytë me ç’dashuri i mbush
O sytë e pastër plot dritë!

Vajza, gra, nëna e gjyshe,
Jeni Shqiponja Tërbaçi,
S’ka se si të jeni ndryshe
O mëllëri nga kulaçi!

Kulaç malli, dashurie
Për shtëpi e për Atdhe,
Mbushur me mjaltë mirësie
Shenjtore me frymë për ne.

Gremisni paragjykime
Luftoni për botë të re,
Ju s’njihni ditë për pushime
Amazona si rrufe.

Sot ne u themi gëzuar,
Pse mos t’u themi përditë?!
Ju mbani botën në duar,
Ju botës i jepni dritë.

Ju jeni urata vetë,
Luftëtare shumë trime,
Pastroni qiellin nga retë
Shqiponja në fluturime.

Kolona virtyti, nderi
Kurora të dinjitetit,
Pasqyra, ku thyhet terri,
Sheh veten sinqeriteti.

Bija, motra, nuse, dada
Nga ju ka frikë ligësia,
Se ju çani barrikada
A u faltë Perëndia!

Lum kush e ka nënën! Në krahë të dritës ato që kanë ikur tek yjet…

Nënat bëjnë botën.
Dashurinë e nënës nuk e shpreh dot kush, aq të ngrohtë, aq të ëmbël, aq të dhembshur.
Ku ka si nëna!
Lum kush i ka!
Shenjtoret e vërteta për ne!
Kurora e dinjitetit.
Mirënjohje të gjithmonshme!

Vlorë, e premte, 9 Maj 2025

Çuditërisht.!- Poezi nga Neki Lulaj

Derisa ne humbim kohë
Dhe grindemi mes veti
Armiqet i fërkojnë duart,
nga gëzimi
Dhe i thonë njeri- tjetrit
Shifi të marrët
Ju ka hyrë mes veti grindja
Djalli e Naleti.

Ata nuk kursejnë
Ata japin para e lira
E për ne hartojn planeplane ugurëzeza
Kurse ne me fudullizëm e kryeneqësi
E kemi zënë presën e jazit
Dhe e kthejmë ujin
Në mullirin e vrasësit…


Send this to a friend