VOAL

VOAL

NË KOSOVË MUNGON SHTETI I SË DREJTËS – Është i domosdoshëm shkarkimi i Shpend Maxhunit – Nga Prof. dr. BINAK MAXHARRAJ

October 22, 2018
blank

Komentet

blank

Pse Beogradit i intereson acarimi i marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut – Nga SHABAN MURATI

Shënim nga blloku diplomatik

Në qarqet diplomatike europiane dhe ballkanike u shokuan nga shpërthimi i histerisë antibullgare të kryeministrit shqiptar. Histeri, që kulmoi në mes të Brukselit në 23 qershor me klithmën antidiplomatike dhe antietike kur në konferencë shtypi iu hakërrua gazetarëve bullgarë për atdheun e tyre: “Ju jeni një turp!”.

Diplomatët po qëmtojnë të gjejnë arsyet personale të këtij shpërthimi kolerik, sepse arsye shtetërore nuk ka. Sepse edhe po të kishte, kryeministri i një shteti nuk mund të flasë në publik me gjuhën e vulgut.

Bullgaria, si anëtare e BE, e ka deklaruar qysh në ditën e parë të vetos ndaj Shkupit se është për hapjen e bisedimeve të pranimit të BE me Shqipërinë. Është zgjedhje e BE, që nuk don t’ia hapë bisedimet Shqipërisë për arsyet e saj, dhe jo për fajin e Bullgarisë. Veto bullgare për Shkupin është për BE thjesht një pretekst.

Edhe Serbisë, që ka bërë katër agresione të përgjakëshme kundër shteteve fqinjë, BE ia dha statusin e shtetit kandidat disa vjet para Shqipërisë. Nuk kishte veto bullgare në atë kohë.

Kryeministri shqiptar shpërtheu një histeri personale kundër Bullgarisë, e cila nuk ka asnjë lidhje me veton bullgare ndaj Shkupit. Inati kryeministror shqiptar lidhet me shqetësimin e madh të Serbisë për efektet e vetos bullgare në raportet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një plotësim i kërkesave historike, linguistike dhe identitare të Bullgarisë nga ana e Shkupit do të rrëzonte gjithë narrativën artificiale të krijimit të republikës virtuale të Maqedonisë nga Serbia në vitin 1945 si kundërvënie ndaj Bullgarisë.

Me plotësimin e kërkesave bullgare nga Maqedonia e Veriut Serbia do të humbte pozitat e forta të influencës, që gëzon nëpërmjet lobit dominant serb në Shkup. Për këtë arsye Beogradi ka nxitur intransigjencën e Shkupit ndaj Bullgarisë dhe acarimin e marrëdhënieve midis tyre.

Lobi serb në Shkup ka bllokuar çdo tentativë të diplomacisë së Maqedonisë për fleksibilitet ndaj kërkesave bullgare. Kryeministri shqiptar ka hyrë si zhol në këto raporte bullgaro-maqedonase, duke mbrojtur interesin strategjik të Serbisë dhe duke sulmuar Bullgarinë. Pra kryeministri shqiptar i ka hipur kalit antibullgar të Serbisë për arsyet e aleancës së tij të fshehtë personale me presidentin e Serbisë Vuçiç.

Naivët e Tiranës duhet ta dinë se edhe në kërcënimin e bojkotit për samitin BE-Ballkani Perëndimor të 23 qershorit, që ishte ide e Vuçiçit, kryeministri shqiptar u bashkua për Vuçiçin, dhe jo për Kovaçevskin.

E keqja është se pasojat e kësaj sjellje skandaloze diplomatike ndaj një aleati atlantik dhe pozitiv ndaj çeshtjes kombëtare shqiptare, i paguan  shteti shqiptar, sepse dëmtohen marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe Bullgarisë për hatrin e Serbisë.

Kryeministri nuk e njeh memorien diplomatike shtetërore shqiptare, por dikush mund t’ia mësojë atij se në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, kur u dha në 22 korrik 2010 verdikti i ligjëshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS OKB, zemërimi më i madh i Serbisë nuk ishte me delegacionin e MPJ të Shqipërisë atje, por me delegacionin e MPJ të Bullgarisë, i cili në paraqitjen e qendrimit zyrtar bullgar i bëri një mbrojtje të jashtëzakonëshme juridike të drejtës së Kosovës për pavarësi.

Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç mbajti një konferencë shtypi atë ditë në Hagë dhe sulmoi ashpër Bullgarinë “pse e mbrojti Kosovën më shumë se Shqipëria”.

Në qeverinë aktuale nuk punon memoria historike. Të paktën kryeministri shqiptar të mbajë kalin e histerisë antibullgare dhe le të vazhdojë në mediat europiane me mercenarizmin apologjetik ndaj Serbisë. Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar nuk kanë nevojë të bëjnë armiq të rij në Ballkan.

Na mjaftojnë armiqtë e vjetër të pakoregjueshëm si Serbia, e cila mban rekordin e borxhit të papaguar të gjakut, që i ka kombit shqiptar.

blank

TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË Nga Frank Shkreli

Disa ambasada Perëndimore në Tiranë, në portalet zyrtare, shprehën pardje mbështetjen e tyre për një media të lirë në Shqipëri dhe në botë. Kjo deklaratë e përbashkët e këtyre ambasadave perëndimore në Tiranë, në mbështetje të lirisë së medias në Shqipëri, mu duk si diçka tepër vonë dhe shumë pak. Deklarata të tilla, në të kaluarën, nuk kanë penguar aspak qeverinë Rama që gjatë këtyre viteve të fuste nën kontroll një pjesë dërmuese të medias shqiptare dhe të kalojë ligje në parliament duke kufizuar tmersisht lirinë e fjalës dhe të medias në përgjithësi, në kundërshtim me normat dhe standardet ndërkomëtare dhe me mos pëlqimin e Venecias.

Ndonëse besoj se edhe kjo deklaratë e ambasadave perendimdore pardje, në mbeshtetje të fjalës së lirë, është si të thuash — më mirë vonë se kurrë — nuk do të kenë asnjë efekt në planet e Kryeministrit Rama për të vazhduar kontrollin e tij mbi lirinë dhe veprimtarinë e medias. Besoj se kjo deklaratë, ashtu si edhe të tjerat në të kaluarën, bëhen dhe janë bërë, “sa për sy e faqe”, ose përputhet me atë thënjen shqiptare, “më ka çue baba sa me la gojën”. Dëmi është bërë tanimë, pasi është dashur të flisnit me kohë — liria e medias shqiptare është e kufizuar dhe ka shumë pak të përbashkët me mediat e vendeve perëndimore që ju përfaqësoni, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Kjo është, pikërisht, edhe arsyeja që organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe vet raportet e qeverive tuaja e cilësojnë gjithnjë Shqipërinë si një vend “pjesërisht i lirë”, 30-vjet “post-komunizëm”.

Megjithë trajnimet që këto ambasada u ofrojnë gazetarëve shqiptarë me fondet e taksapaguesve të këtyre vendeve — brenda dhe jashtë Shqipërisë — aty asgjë nuk ndryshon, se fajin nuk e kanë gazetarët shqiptarë, ndër më të mirët në Evropë — por kufizimet dhe pengesat që ata ndeshin në kryerjen e punës së tyre si rezultat i ligjeve në fuqi dhe presioneve ndaj medias nga qeveria dhe oligarkët e lidhur me qeverinë. Sot, të gjithë e dinë se gjëndja e lirisë së medias në Shqipëri, mjerisht, është më afër vendeve me regjime autoritare, asaj në Turqinë e Erdoganit, Rusinë
e Putinit ose Serbinë e Vuçiqit, se sa t’i përngjas lirisë së medias, siç ushtrohet në vendet perendimore, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Kam drojë, të nderuar diplomatë, se sinqeriteti juaj në lidhje me shqetësimet që shprehni në deklaratën tuaj rreth lirisë së medias në Shqipëri, vuan shumë nga mungesa e kredibilitetit ndaj qendrimeve tuaja në të kaluarën, në lidhje me lirinë e shtypit në atë vedn nga të gjithë ata, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që janë të interesuar për lirinë e shtypit dhe të medias në përgjithësi – sepse kini heshtur kur është dashur të flisni. Ende është e freskët në kujtesën tonë, heshtja e perëndimorëve –me ndonjë përjashtim të, aty këtu — gjatë kohës kur po flitej për ligjin “anti-shpifje” dhe mbi vendimin e qeverisë së Tiranës për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim, që sipas ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm, kufizojnë dukshëm hapësirën e lirisë së medias në Shqipëri. Prandaj në mendimin tim, deklaratat nga përfaqsuesit perëndimorë në Tiranë, në mbrojtje të lirisë së medias në Shqipëri, janë të vonuara, dëmi është bërë tanimë, pa marrë parasyshë mbështetjen e “palëkundur për gazetarët në Shqipëri”, që ofrojnë sot ambasadat perëndimore në Tiranë.

Ja deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe 5 ambasadave të tjera në Tiranë, në mbështetje të medias së lirë në Shqipëri dhe në botë:

blank

Nuk janë marrë parasysh as shqetësimet e orgnaizataave mbrojhtëse të lirisë së medias as e dashamirsve të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri – që janë shprehur shpesh gjatë viteve dhe dekadave – se pa liri të medias nuk ka asnjë liri tjetër, as të drejta të e demokraci të mirëfilltë perëndimore, jo se jo. Mbroni lirinë e medias, të nderuar ambasadorë!  “Liria e shtypit është një prej mjeteve mbrojtëse më të forta të lirisë në përgjithësi dhe nuk mund të kufizohet kurrë, veçse nga qeveritë despotike” (Xhorxh Mejson). “That the freedom of the press is one of the bulwarks of liberty and can never be restrained but by despotic governments.”

Sa i përket lirisë së medias, në veçanti, Shqipëria sot, fatkqesisht, është më afër qeverive despotike të botës, për të cilat ka paralajmëruar Xhorxh Mason-i në Qershor të vitit 1776, se sa pranë demokracive perëndimore të sotëme, përfshir Shtetet e Bashkuara – 30 e sa vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe tranzicionit “post-komunist”.

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Zoti James Baker, Qershorin e vitit 1991, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë, ka deklaruar se vërtetë, “Liria funksionon”. Një thënje kjo që është bërë e famshme tanimë kur flitet dhe shkruhet për atë periudhë në Shqipërinë e posa dalur nga diktatura komuniste e qoftë largut. Por po t’u fliste sot shqiptarëve, Ish Sekretari Baker, ndoshta, do duhej të plotësonte frazën e tij t; famshme të Qershorit (Freedom works’) të vitit 1991, duke thenë se as liritë dhe as të drejtat bazë të njeriut dhe as demokracia e mirëfilltë e vlerave amerikano-perëndimore, nuk funksionojnë pa lirinë e medias dhe pa lirinë e fjalës – të drejta universale këto për të gjithë dhe pa dallim – të kalitura për gjithmonë edhe në amandamentin e parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

blank

Foto nga tubimi i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, në Nju Jork, të djelën që kaloi, me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dhe ndarjes së vlerave të përbashkëta. Në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare, liria e medias dhe fjala e lirë në Shqipëri, mjerisht, nuk janë në nivelin e standardeve ndërkombëtare të botës së lirë, as në përputhje me vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë, që ne gëzojmë në këtë vend – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Frank Shkreli

blank

Së pari, njohja e ndërsjellë, pastaj normalizimi i marrëdhënieve  mes Kosovës dhe Serbisë – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatin

 

 **** Nëse presidenti serb Aleksandër Vuçiq ia arrin që, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, t’i nënshkruajnë ato “30 marrëveshje” të mbetura nga  vitet 2013 dhe 2015, të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës, atëherë  ekziston frika se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ngaqë interesin e saj neokolonialist  shtetëror e ka ndërtuar brenda atyre  “30 marrëveshjeve”. Pra, ky është rreziku, nëse, së pari nuk vihet në “rend dite” shqyrtimi i MARRËVESHJES SË NJOHJESS RECIPROKE!

 

*** Albin Kurti(kryeministër i qeverisë së Kosovës) : “Është lajm i mirë që është arritur dakordimi pas bisedimeve të gjata e takimeve të shumta, kjo është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore. Në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatimin e udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë elektrike të konsumuar edhe në veri të lumit Iber, në komunat atje.” (https://telegrafi.com/marreveshja-serbine-per-energjine-kurti-lajm-mire-vendit-eshte-shkaktuar-dem-madh-nga-mosinkasimi/).

Duhet besuar kryeministrit Albin Kurti se lidhja e kësaj Marrëveshjeje “është një lajm i mirë” dhe në dobi të intereist financiar të Kosovës.

Mirëpo, veç kësaj marrëveshjeje,  mes dy palëve negocieuse paraprakisht janë lidhur edhe 29 të tjera, të cilat pritet të debatohen dhe të nënshkrhen nga palët e theksuara, duke qenë se ato janë nënshkruar nga ish-qeveritë  paraprake të Kosovës (2013 dhe 2015), përkatësisht nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

 

 Gracka  politike e presidentit Aleksanër Vuçiq !

Mirëpo, duhet të jemi vigjilentë dhe vizionar për të mos rënë në të. Naj,  kryeministri Kurti, duhet të kërkojë nga Josep Borreli dhe nga Mirsolav Lajçak, që  të ndryshojnë numrin e pikave të “itinerarit” të shqyrtimit të temave mes palëve negociuese, SË PARI (SI PRIORITET), të debatohet për NJOHJEN RECIPROKE, pastaj të flitet për pikat e tjera, që kanë të bëjnë me finalizimin e “30 marrëveshjeve”, të cilat, ipso facto parashikojnë shkarjen graduale të shtetit kolonial serb në Kosovë. Ky është emëruesi i përbashkët politik i të gjitha marrëveshjeve, që do të nënshkruhen në Bruksel.

Fatkeqësia qëndron në faktin, se të gjitha këto marrëveshje janë RATIFIKUAR nga Kuvendi i Kosovës, ku sipas së drejtës ndërkombëtare, është i detyruar që t’i zbatojë ato, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta në fuqi e Kosovës, e cila në rastin konkret nuk mund të jetë mbi të drejtën ndërkombëtare.

Pra, pavarësisht se çfarë fshihet pas marrëveshjeve të raftifikuara mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruara në Dialogun e Brukselit (2013 dhe 2015), parapëlqehet, që të ndryshohet numri rendor i “itinerarit” të negociatave në Dialogun e Brukselit,  PIKA  1, E PARA dhe me PRIORITET, të jetë-NJOHJA RECIPROKE MES DY VENDEVE, pastaj të debatohen të gjitha marrëveshjet, të cilat, qe 9 vjet po presin për t’u finalizuar mes dy palëve

Të gjitha marrëveshjet e deritashme, të ngelura “pezull”, tash pritet që të nënshkruhen  nga qeveria aktuale e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti në krye.

Në këtë kontekst shtrohet pyetja, edhe sa vite apo edhe sa  muaj duhet të kalojnë dhe të finalizohen  ato 30 marrëveshje të nënshkruara nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrat Thaçi – Mustafa (2013 dhe 2015) ?

Nëse për arritjen e secilës marrëveshje veç e veç, duhet të pritet, të paktën nga një muaj debatim dypalësh, atëherë finalizimi i 30 marrëveshjeve, do të marrë kohëzgjatje 30-mujore, domethënë, duhet të pritet edhe 3 vjet, e mëpastaj të vihet në rend dite NJOHJA E NDËRSJELLË mes Kosovës dhe Serbisë!

Si në kuptimin politik, ashtu edhe në atë juridik e kushtetues, kjo  “ecuri metodologjike” (së pari nënshkrimi i të gjitha marrëveshjeve të Brukeslit), pastaj “tema”-NJOHJA RECIPROKE e dy vendeve, do të ishte një rrezik i madh për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës,  sepse Serbia pas nënshkrimit të marrëveshjeve të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës, të miratuara në Dialogun e Brukselit, më nuk ka asnjë aryse, që ta njohë Kosovën, ngase  marrëveshjet e theksuara, të nënshkruara me qeverinë e Albin Kurtit ( si ajo e formimit të Srpska zajednicës). Pra, për të mos ndodhur diç e tillë (sepse nga Serbia mund të pritet vetëm ndonjë e  keqe për Kosovën, asgjë e mirë. Qëllimi i saj është që, edhe më tej, me vite ta konservojë-ngrijë Dualogun e Brukselit (2011-2022), në mënyrë që kurrë të mos e njohë  Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës.

Sa më shumë të shtyhet afati i NJOHJES RECIPROKE të Kosovës dhe Serbisë, kjo do të jetë në favorin e Beogradit, sepse ndërkohë  në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, mund të shpërfaqen ngjarje dhe zhvillime të reja politike dhe gjeopolitike, ku Serbia kolonialiste mund të përfitojë në krah të tyre, ashtu sikurse pas mbylljes së Krizës Lindore (1875-1878),  kur Serbisë iu njoh pavarësia nga Kongresi i Berlinit (13 korrik 1878). Menjëherë, pas kësaj njhjeje ndërkombëtare, Serbia pati filluar zgjerimin e kufijve të saj territorial, duke pushtuar dhe aneksuar Nishin, si dhe vendet e tjera të Shqipërisë Etnike Lidnore.

Gjithashtu, pas  tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, Serbia së bashku me aleatët e sa, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia kinse në luftërat ballkanike, pushtuan, kolonizuan dhe ankesuan territoret e Shqipërisë Etnike (më se 50%).

 

Fundja, pse të mos arrihen marrëveshje dypalshe a shumëpalëshne paqësore me Serbinë, nëse ato nuk prekin qenien e shtetësisë së pavarur dhe sovrane të Republikës së Kosovës.  Mirëpo, sido që ta gjykojmë përmbajtjne e tyre, ato  të gjitha kanë karakter dhe synim më shumë se politik (jo vetëm karakter ekonomik, tregtar, financiar dhe teknik, siç po përfolet në opinionin publik), përmes së cilave Serbia synon kthimin e sovranitetit kolonial në Kosovë.

Prandaj, së pari, nevojitet të debatohet për arritjen e Marrëveshjes së njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, pastaj si “pika në vijim” për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, le të shqyrtohen “30 marrëveshjet e ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës (2013 dhe 2015).

blank

Bashkojuni. Atdheu thërret! Shqipëria po zhbëhet – shpopullohet, spastrim etnik. Gjenocid – Nga Aurel Dasareti

Shqipëria po zhbëhet – shpopullohet, spastrim etnik. Gjenocid. Kjo është agjenda e fëlliqësirave, bastardëve të pashkolluar por me diploma false të cilët as që e dinë saktësisht se kush është babai i tyre i vërtetë e ku më Kombi, Atdheu dhe politika. Dhe, pikërisht këta dobiçë, nëse popullata nuk vepron menjëherë, praktikisht do ta shpopullojnë Shqipërinë brenda 3-4 viteve. Kjo është fakt. Këtyre fëlliqësirave të shtetit amë, iu janë bashkuar fëlliqësirat shqipfolës të FYROM-it, gjithashtu analfabetëve të pashkolluar dhe me probleme shëndetësore-të trurit, vuajnë nga: Çrregullimi i rëndë i personalitetit dhe Çrregullimi pas stresit traumatik, por me diploma false, të cilët në vend që të shtrihen në spital, apo të “punojnë” për të mirën e shqiptarëve të atjeshëm, sakrifikojnë kombin tonë për hir të pushtuesve sllavo-folës – sepse janë të shantazhuar nga “maqedonët” për pisllëqe (ua ka  zënë dera bishtin), mbështesin me llomotitje të pakuptimta “Ballkanin e Hapur” përkundër faktit se e kuptojnë shumë mirë se ai projekt antishqiptar është në favor të “botës serbe”-ruse, e sidomos kundër shtetit të Kosovës.

Dëgjova se me 7 korrik, nën udhëheqjen e PD nisin protestat për rrëzimin e qeverisë së tiranëve. Bashkojuni. Atdheu thërret!

Shqiptarët e vërtetë, të bashkohen  urgjentisht, të heqin qafe atë bajgën kryesore dhe plehrat më të afërt të regjimit kriminal antishqiptar. Të shpëtojnë Shqipërinë nga shpopullimi. Të shpëtojnë shqiptarinë. 

blank

DEMASKIMET NË POPULL – NJË NGA FORMAT MË T’URRYERA TË TERRORIT PARTIAK – Nga EUGJEN MERLIKA

 

Një problem i përgjithshëm në tërë këto vite të gjata internimi mbeti për ne çështja e strehimit. Nuk mbaj mend gjatë gjithë jetës sime të kem patur një shtëpi sado modeste, por të mjaftueshme. Në Grabian na kishin dhënë një dhomë e një aneks në katin e dytë, pa kuzhinë, pa banjo, pa një vënd ku mund të derdhej një pikë ujë. Gatuanim përjashta në shi e diell, ndërsa banjon e bënim në fund të shkallëve, në një korridor me lartësi pesë metra. Merren me mënd problemet e nevojshme personale të njeriut të sëmurë, të plakut, të fëmijëve, gruas me një WC që ishte në rrugë njëzetë – tridhjetë metra larg derës së apartamentit.
Janë të paimagjinueshme për një qytetar të botës së kompjuterave kushte të tilla primitive inkomoditeti, ndofta shumëkush nuk do t’i besojë. Fatmirësisht e vërteta është e gjallë dhe kushdo mund t’i vërtetojë me sytë e tij po të marrë mundimin të vizitojë Grabianin. Këto shtëpi dykatëshe të
projektuara në Bullgari për familje bujqësore, ishin llogaritur për një familje, lart e poshtë. Por Partia e Pushteti “popullor” mendonin se hapësira e madhe në banesë mund të kultivonte individualizmin borgjez, me gjithë pasojat e tij të dëmshme në formimin e njeriut të ri. Prandaj duheshin mbajtur njerëzit sa më të shtrënguar me njëri-tjetrin, që “uniteti” rreth partisë të ishte më i madh…. Kështu që në një hyrje futeshin dy familje, me të gjitha pasojat që një pjesë e mirë, jo vetëm e të internuarve, por edhe e shumë qytetarëve të lirë i ka shijuar vetë. Në sektorin e Gradishtit, xhaxhai im për vite me radhë e kishte kthyer dritaren e vetme të dhomës së vetme në derë. Një palë shkallë nga jashtë e nga brënda shërbenin për të hyrë e për të dalë. Aty një herë natën, gjyshja e shkretë u rrëzua e theu dorën. Në këtë mënyrë plotësoheshin kërkesat e strehimit në një vend ku vilat e udhëheqësve janë proverbiale, ku harxhohen dyzetë milion dollarë për një muze e ku miliarda lekë groposen në tokë në trajtën e kupolave…
Në kushtet e mia familjare në ato vite, problemin e fjetjes e zgjidha duke ndërtuar dy shtretër prej dërrase me dy kate, ku flinin dy vajzat e vogla dhe nëna me babanë. Pra e ktheva shtëpinë në kazermë ushtarake, duke vënë në jetë parullën e famshme “I gjithë populli ushtar”. Kërkesës së përsëritur disa herë, për të ndërtuar përpara shtëpisë një kuzhinë me kallama e baltë, kryetarja e këshillit popullor, “shoqja” Nurie, një personifikim i koncentruar i së keqes njerëzore, i përgjigjej negativisht me pretekstin se prishej pamja e pallatit, ndërsa vetë “zonja” e ndërronte hyrjen sa herë që bëhej ndonjë pallat i ri. U gjend më në fund kryetarja e këshillit të bashkuar, që na njihte që në Pluk, se e kisha patur brigadiere, që dha urdhrin e shumëpritur prej vitesh, për të ndërtuar një kasolle që do të shërbente si kuzhinë e si vend gatimi dhe dhomë fjetjeje për prindërit. Kështu u zgjidh dhe problemi i strehimit në Grabjan.
Jeta në interrnim në vitet 80 ishte një torturë e vërtetë. Për çdo nevojë, që të dilte jashtë sektorit, duhej të merrje leje në Degën e Punëve të Brëndshme, madje duhej të shoqëroheshe nga polici, qoftë dhe kur do të shkoje tek mjeku. Tek xhaxhai im që banonte në sektorin e Gradishtit, një orë e gjysëm larg nuk kam mundur të shkoj për vizitë as një herë në gjashtë vjet. Tek familja e gruas kam shkuar dy herë për vizitë, një herë kur vjehrri ishte sëmurë dhe të dytën kur vdiq. Simbas rregullores që na lexohej herë pas here, vetëm për vdekje të njerëzve të afërm ose për vizitë mjekësore tek specialisti mund të jepeshin leje. Kjo ishte “vazhdimësia” ramiziane, trampolina nga do të hidheshim drejt Evropës.
Akoma më e rëndë se rregulloret ishte atmosfera terrorizuese, që rëndonte mbi ne për vite të tëra. Ne ishim tabela e qitjes në çfarëdo mbledhje, një gogol që mbahej më këmbë për të trembur zogjtë që të mos hanin farën. Në sytë e popullit të thjeshtë ne servireshim si njerëzit më të këqinj, armiqtë, ata që mundoheshin ta përmbysnin pushtetin popullor, ata që s’e duan Partinë dhe Enver Hoxhën, ata që mund të helmojnë depot e ujit, mund t’i vënë zjarrin stallave apo lëmit, ata që mund të sabotojnë prodhimin duke prerë bimët gjatë prashitjes së tyre, që mund të thajnë bimë nga përmbytja me ujë, që mund… e ky mund zgjatej në pafundësi duke vërtetuar “gojtarinë” e kuadrove të Partisë që i predikonin këto gjëra. Kështu tek shumica që s’mendonin me kokën e tyre, por i besonin verbërisht për një arsye apo për një tjetër propagandës partiake, krijohej urrejta që shfaqej pastaj në shumë drejtime. Ajo shprehej me izolimin e plotë, askush nuk guxonte të hynte e të dilte në shtëpi për çfarëdo rasti, fatkeqësie apo gëzimi, madje ka akoma komunistë që nuk na thonë as mirëmëngjes, megjithëse kemi mbi dhjetë vjet që banojmë në të njëjtën lagje. Madje dhe në fushë, kur uleshim për të ngrënë drekë, nuk duhet të ishim pranë njëri-tjetrit. Çdo fjalë e jona keq interpretohej dhe i raportohej operativit të Sigurimit ose sekretarit të Partisë, që nxitonin t’a përcillnin “lart”. Mbikqyrja ishte e pandërprerë, në format më të ndryshme e në çdo çast; nuk mungonin dhe provokimet e shumëllojshme nga brigadierë apo njerëz të ngarkuar me këto detyra.
Për të qenë objektivë duhet të them se jo të gjithë kuadrot e komunistët i përqafonin dhe i zbatonin me zell këto metoda e porosi. Ndershmërisë dhe korrektësisë së tyre duhet t’u japim meritën që i takon me kënaqësinë që sjell mendimi se jo të gjithë denigruan moralisht e u bënë leva të diktaturës.
Lufta e klasave dhe terrori policor merrnin tonet e tyre më të larta në të ashtuquajturat “demaskime politike”, që herë pas here, në vartësi të gjëndjes politike të Vendit organizoheshin nga komiteti i partisë së rrethit në bashkëpunim, ose më mirë të themi me orientim të Degës së Punëve të Brendshme. Në këto mbledhje demaskimi, ishin të detyruar të shkonin të gjithë. Proçedura e tyre ishte stereotipe. Në fillim e hapte mbledhjen sekretari i Partisë i sektorit dhe ia jepte fjalën të deleguarit të komitetit të Partisë së rrethit, që fillonte paraqitjen e tij. Këto ishin çaste cfilitëse për të gjithë ne, sepse e dinim se nga një çast në tjetrin mund të na thirrej emri për të dalë përpara sallës. Ishte përshtypja sikur një shpatë e padukshme vërtitej nga duar të panjohura mbi kryet e gjithë “të deklasuarve” për të goditur njërin apo tjetrin. Kush e kishte radhën? Të gjithë me zemër të ngrirë ishim si ata lojtarët në ruletë që presin se në ç’numër do ta ndalojë fuga lëvizjen e saj.
Kjo manovër djallëzore ishte taktika e drejtuesve të mbledhjes. Mbasi fliste disa fraza mbi punën e stinës dhe “sukseset madhështore të popullit nën udhëheqjen e Partisë” i deleguari afrohej tek momenti i ankthshëm kur zbulonte se x ose y, ishin në radhët tona armiq dhe njerëz që mundoheshin “të villnin vrer apo t’i kundërviheshin atmosferës revolucionare që mbizotëronte…”.
Më vjen ndot, tani që shkruaj këto radhë, duke kujtuar ato mbledhje famëkeqe, një nga shpikjet më të ndyra e më barbare të organeve të dhunës, shkeljet më flagrante të personalitetit njerëzor e të drejtave të njeriut. Sapo i thirrej emri, njeriu i gjorë duhet të dilte para sallës plot e të qëndronte në këmbë për orë të tëra. Atëherë fillonte akt -akuza e bazuar krejtësisht mbi gënjeshtra të spiunëve ose hamendje të oficerëve të Degës. Këto servireshin me petkun partiak, mbrohej vërtetësia e tyre me frazën bajate “A gënjen Partia?”, një tjetër provokim i hapur i makinës së pushtetit karshi individit të pambrojtur. Mbasi mbaronte akt-akuza, që fillonte me biografinë stërgjyshërore e të farefisit e vinte deri në ditët e fundit me fjalët apo veprimet e të pandehurit, fillonte breshëria e diskutimeve nga populli që përfaqësohej këtu nga disa persona të ulët, pa karakter e servilë.
Është interesante se në të gjitha këto demaskime, në të cilat kam marrë pjesë pa më rënë në kokë personalisht, kam parë gjithmonë të flasin pothuajse të njejtët persona, sigurisht të trajtuar e të indoktrinuar nga padronët e tyre. Motivet e veprimeve të tyre duhen kërkuar në shumë shkaqe, përfitime materiale apo mbulim veprimtarie keqbërëse, karrierizëm pa skrupull e fanatizëm partiak, padije e sadizëm. Në fjalorin e tyre shpaloseshin të gjitha: besnikëria ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës; salla buçiste nga duartrokitjet, me to detyrohej të bashkohej dhe i pandehuri në këmbë. Vazhdonin shpifjet, talljet, mallkimet, propozimet për transferimet në zonat e thella malore, për dhënie gjyqit, për rrahje, pështyrje e deri në dënime kapitale. Por këtu ndërhynte i deleguari ose sekretari, të cilët si përfaqësues të “zemërgjerësisë” së Partisë sqaronin se vullneti i masës së popullit ishte mbi gjithçka, por se Partia nuk dashkërka të dënojë njerëz, por të “edukojë”.
I bukur edukim, ç’frazë mizore e luajtur pa turp mbi shqiptarët e thjeshtë! Ka pasur raste që është kaluar në tepri të paimagjinueshme e të pabesueshme për një qytetar të Evropës së sotme. Familja Tase mbas një demaskimi të tillë, vetëm sepse një pjesëtar i saj nuk përlasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njerëz, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një betejë mes një turme të egërsuar e një familjeje të urtë, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që qe e pranishme në ato skena pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.
Ishin këto disa nga aspektet e dhimbshme të viteve të internimit deri më 1990, kur demokratizimi e hoqi këtë praktikë, sa të shëmtuar e të panevojshme, aq edhe të padrejtë e të paligjshme në aspektin juridik.
Arbitraritet dhe dhunë, kjo qe fytyra e vërtetë që tregoi ndaj nesh Shteti socialist shqiptar për dhjetëvjeçarë të tërë… Kjo qe e shkuara që e mbajtëm mbi supet tona që sa lindëm e deri tani që flokët na u zbardhën e jeta filloi të tatëpjetën drejt fundit të pashmangshëm.
A ishte i drejtë ky qëndrim, a mban përgjegjësi kush për jetën tonë të shkatërruar, për gjymtimin tonë fizik e shpirtëror, pasojë e kësaj jete, a arrin dot ta kuptojë në tërë përmasat e saj tragjedinë tonë Evropa e qytetëruar?
Ç’mund të bëhet për ne që humbëm aq shumë në këtë luftë të pabarabartë me një makinë të përbindshme që shkeli mizorisht ëndrrat dhe iluzionet tona mbi jetën, këtë dhuratë të madhe të Krijuesit? A do të ketë ngushëllim dhe ripërtëritje për ne që u transformuam në kufoma të gjalla, pa i pasur borxh askujt, asnjë fije floku? A do të ketë vënd për ne në një shoqëri që thuhet se po rindërtohet e në një botë që synon drejt së mirës, drejt zhdukjes së diktaturave?
Dhjetëra pyetje godasin pa mëshirë trurin e lodhur që kërkon qetësi në këtë çast bilanci e përkundet në mirazhin e së ardhmes ku hedh shtat pema e bukur e shpresës se fëmijët e mi nuk do të pësojnë në jetë ato që pësova unë.
Grabian, Qershor 1991

Marrë nga “Një jetë në diktaturë”, në vëllimin “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011

blank

Nga Sergio Bitiçi: Ju XHUXHMAXHUXHËT e Vatrës së sotme – E sollet Edi Ramen me na uzurpue Vatrën dhe Diellin !

 

Vëllezërit Bytyçi (Sergio, Mike, John, Joseph) – ajka e Shqiptaro-Amerikanëve të respektuar, janë vendosur në Amerikë prej më tepër se gjysmë shekulli. Prej atëhere ata janë në shërbim të kombit dhe Atdheut. Janë arratisur nga diktatura komuniste dhe kanë arsye që të jenë antikomunistë, demokratë, proAmerikanë. Në SHBA me bujarinë dhe atdhedashurinë e tyre i kanë shërbyer çështjes kombëtare dhe interesit kombëtar shqiptar. Ata janë Vatranë prej gjysmë shekulli, duke i kontribuar shqiptarisë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi e diasporë ku ta ketë lypur nevoja, duke pritur e përcjellë politikanët shqiptarë nga Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, Sali Berisha, Azem Hajdari, Arbër Xhaferri  e të gjithë me rradhë. Gjithë elita politike shqiptare prej 1991 është mikpritur me derën hapur nga Vëllezërit Bytyçi, në restaurantet e tyre të famshme në zemër të New Yorkut. Vëllezërit Bytyçi vetëm kanë dhënë pa e përmendur kurrë. Ashtu edhe për Vatrën, si vatranë prej gjysmë shekulli. Presidenti i Republikës Ilir Meta i dekoroi të katër vëllezërit Bitiçi (Sergio, Mike, John, Joseph) me rastin e 110 vjetorit të Vatrës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Për kontributin e pandalshëm këta shqiptaro-amerikanë të përkushtuar do të meritonin titullin “Nderi i Kombit”, sepse për gjithë jetën ata nuk kanë ndalur duke dhënë kontributin e tyre për kombin.

Voal.ch po sjell më poshtë një letër që Sergio Bitici i ka dërguar anëtarit të kryesisë të Vatrës Besim Malotës. Në këtë letër z.Bitici shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen ku ndodhet sot Vatra, ndërsa Atdheu është në rrezik.

Më poshtë po e shellim të plotë letrën në fjalë:

 

Ju XHUXHMAXHUXHËT e Vatrës së sotme – E sollet Edi Ramen me na uzurpue Vatrën dhe Diellin dhe

I dashtun Besim,

Reagimi yt “mos më ço e mail” po deshmon se mendimi i nji konzervativi në organizatë nuk pranohet, sepse asht mendim ndryshe.

Ti ke qenë patriot i mirë me shokët Kosovar dhe kurrë nuk ju kam ra në qafë, sepse ishte kauza për çlirimin e Kosovës, edhepse ishe si githë shokët tuej i ekstremit të majtë. Në atë kohë lypshi republikë në Jugosllavi. Kjo ka qenë e vështirë për ne dhe e pa kuptim për popullin ma të vjeter në Europë.

Nuk e harroj presionin qe ju yll mbajtësit na keni kritikue e urrejt pse ne konservatorët i kemi qendrue besnikë flamurit të pastër të Skenderbeut. Ti vet ke qenë flamur perlyes, me flamur të flliqun nga ylli i kuq Sovjetik.

Sot fizikisht je në Vatrën patriotike, atdhedashëse, por mbetesh marksist, si tjerët bashkëpuntorët tuej, që të gjithë keni adhurue regjimin kriminel e gjakatar të Enverit. Sot e sollet Edi Ramen me na uzurpue Vatrën dhe Diellin dhe me na tradhëtue Kosovën heroike.

Ju do të mbaheni mend në historinë ma të errët të Vatrës. Asht gja e re se keto katër vjetët e fundit Vatra kërkon lëmoshë me kapuç në dorë, kur sot ka mbetë vetëm në 100 anëtarë që paguejn. Kjo nuk ka ndodhë kurrë në pervojën time si anëtar i Vatrës për ma se gjysëm shekulli. Në kohēn e Fanolit e Konitzes Vatra ishte ma e pasun se shteti i pavarun i Shqipnisë.

E mail i yti i shkruem me gabime edhepse nji paragraf i vetëm, ku shpreh mllef, për çka?

Kundër nji Vatrani, që ka hy në siklet me shfaq opinionin. Welcome to America, where opinion is not punishable.

Sot e kemi Edi Ramën brenda në Vatër, bashkë me Vuçiqin.

Si asht e mundun që nji e mail i paster, pa asnji fyemje personale të nevrikos, por jo veprimet tradhëtare të Edi Ramës, që i bashkohet bandes së Vuçiqit ku e mbron Putinin. De Facto. Nuk po besoj.

Po kur Edi Rama votoi kundër gjenocidit në Srebernicë, ku qe Dielli dhe ju yll dashësit?

As që u ndëgjue ndoj za i jeuej. Po “Ballkanin e Hapun”? Ketë supertradhëti kundër Kosovës. Ku ishit?

Pse nuk u ndëgjue asnji za nga ju XHUXHMAXHUXHËT e Vatrës së sotme?

Unë, antar i Vatrës, me obligime të rregullta, që as më vjen gazeta as kurrfarë komunikimi, plus censura që më bahet tash tri vjet.

Marr të drejtën me sqarue idiotizmat, shkeljet dhe tradhëtitë kombëtare, që po përjetojmë sot.

Sa paknaqësi dhe sa shperdorime keni kontestue apo evidentue, ju si kryesi?

Jeni shum gabim se Kombi duhet udhëheq nga KOLOSËT e jo nga XHUXHMAXHUXHËT.

Atdheu asht në rrezik.

God bless America!

Sergio Bitici
Manhattan

 

 

 

Sergio (Sejdi) Bytyçi në 1968 me ajkën e kombit tek varri i Faik Konicës në Boston

blank

blank

Platforma diplomatike e çështjes çame – Nga SHABAN MURATI

Çeshtja çame është një çeshtje e pazgjidhur e çeshtjes së pazgjidhur shqiptare. Ajo është një çështje e pazgjidhur dhe e hapur në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Përgjegjësia për moszgjidhjen e saj të deritanishme ndahet midis shtetit, që e shkaktoi, dhe shtetit, që kishte detyrën kombëtare të kërkimit të zgjidhjes.

Zgjidhja e saj kërkon tani kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çeshtjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Çdo qeveri e Shqipërisë duhet të ketë në programin e saj qeveritar detyrimin kushtetues të zgjidhjes së çeshtjes çame.

Platforma diplomatike kërkon që çeshtja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve. Ka dy faktorë kryesorë, që determinojnë këtë kompozim të ri të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe për trajtimin e çeshtjes çame.

Faktori i parë është e drejta sovrane e çdo diplomacie dhe çdo shteti që të ngrejë çeshtjet, që i konsideron të hapura, dhe që duhen trajtuar në marrëdhëniet dypalëshe. Kjo e drejtë nuk varet nga pikëpamja e palës tjetër, që bunkerizohet në absurditetin se nuk ekziston çeshtja çame.

Faktori i dytë është faktori perëndimor. Komisioni Europian, pra qeveria e BE, ka pranuar në 29 shtator 2016 nëpërmjet qendrimit të shprehur në emër të Komisionit në parlamentin europian nga një anëtar i tij, Komisioneri i Lartë i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, se çeshtja çame ekziston dhe se ajo është çeshtje për t’u zgjidhur në bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Ka qenë një zhvillim epokal historik, politik dhe diplomatik ky qendrim i Komisionit Europian, i cili për fat të keq nuk gjeti aplikim nga diplomacia dhe qeveria shqiptare.

Arkiva e dobësisë sonë diplomatike dhe shtetërore nuk don të thotë që çeshtja çame nuk duhet shtruar tani në tavolinën e tratativave zyrtare dypalëshe. Ka ardhur koha që çeshtja çame duhet të kalojë nga konferencat e shtypit në bisedimet zyrtare dypalëshe. Rrethanat aktuale diplomatike janë të përshtatëshme.
Faqja e parë DITA, 22 qershor 2022

Së pari, kemi Traktatin e Miqësisë dhe të Sigurisë të vitit 1996, të cilit i skadon në fund të dhjetorit të vitit 2022 afati i shtyrjes pesëvjeçare, që iu bë në vitin 2017, pas mbarimit të afatit të tij kontratual 20 vjeçar. Greqia ka kërkuar shtyrje të re pesëvjeçare 2023- 2028, kërkesë të cilën Shqipëria nuk ka arsye ta pranojë pa pranuar Athina hapjen zyrtare të çeshtjes çame.

Së dyti, është në diskutim e sipër marrëveshja e premtuar Greqisë nga qeveria shqiptare për të paraqitur sëbashku të ashtuquajturën çeshtje të detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çeshtja çame duhet të bëhet pjesë e kushteve shqiptare për arritjen e një marrëveshje të tillë, për të cilën Greqia është e interesuar aq shumë.

Së treti, kemi çeshtjen artificiale të minoritetit grek, që gëzon të gjitha të drejtat, dhe me të cilën Athina terrorizon prej 30 vitesh diplomacinë dhe shtetin shqiptar në të gjitha nivelet dhe llojet e bisedimeve dypalëshe. Ka ardhur koha që diplomacia dhe shteti shqiptar në bisedimet zyrtare temën e kërkesave greke për minoritetin ta ndërvarin me hapjen e çeshtjes çame.

Platforma diplomatike e çeshtjes çame duhet te ketë një bosht qendror, që është statusi i komunitetit çam të deportuar kolektivisht me dhunë nga tokat dhe pronat e veta në Greqi. Çeshtja çame nuk është çeshtje e pronave, sepse pronat janë një derivat i statusit të çeshtjes çame. Çeshtja çame është çeshtje politike e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse lindi si çeshtje politike dhe në këtë gjenezë qendron pikënisja e zgjidhjes së saj.

Çeshtja çame si çeshtje politike kërkon tërheqien e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë. Kërkon që shteti grek të kërkojë falje për deportimin me dhunë të një popullsie të tërë. Kërkon dëmshpërblimin e të gjithë viktimave të terrorit shtetëroro-zervist dhe të dëmeve të shkaktuara në njerzit, në pronat dhe shtëpiat e popullsisë çame atje.

Kërkon rikthimin në trojet e veta, ku kanë jetuar prej dhjetra shekujsh kjo popullsi autoktone e deportuar. Kjo është baza politike e zgjidhjes së çeshtjes çame dhe që përbën themelin e trajtimit diplomatik të saj si pjesë përbërëse e dosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Në platformën dipkomatike të çeshtjes çame qeveria e Shqipërisë duhet të përfshijë disa kërkesa, të cilat i kam rreshtuar edhe në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”:

1- Çeshtja çame të përfshihet në çdo lloj amendimi apo shtyrje të re të Traktatit të Miqësisë së viti 1996 midis dy shteteve, dhe të përfshihet nominalisht në “Deklaratën e e re të Partneritetit Strategjik”, që i është propozuar Shqipërisë nga qeveria greke.

2-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke të abrogojë çdo lloj legjislacioni apo aktesh administrative, që mbështesin akuzat e rreme të fajit kolektiv dhe t’i kërkojë falje popullsisë çame për deportimin e saj me forcë.

3-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke kthimin e popullsisë çame në trojet dhe në shtëpiat e veta.

4-Qeveria shqiptare të kërkojë nga Greqia që komunitetit çam të dëbuar kolektivisht t’i njihet statusi i pakicës kombëtare në Greqi, të cilin e kanë pranuar qeveritë greke para luftës së dytë botërore.
Dinjiteti kombëtar dhe ndërkombëtar i Shqipërisë sugjerojnë që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një moratorium për të ngrirë të gjitha marrëveshjet dypalëshe, që janë në diskutim e sipër me Greqinë (dhe të cilat çuditërisht janë të gjitha në favor të Greqisë), derisa Athina të heqë ligjin absurd të luftës me Shqipërinë dhe të pranojë tratativat për zgjidhjen e çeshtjes çame.

Për Shqipërinë si anëtare e NATO-s koha dhe zhvillimet e sotme kanë zbehur në minumet e veta vlerën dhe efektin diplomatik të kërcënimit për një veto greke ndaj anëtarësimit në BE.

Platforma diplomatike kërkon ndërkombëtarizimin diplomatik të çeshtjes çame. Është absurde që Shqipëria anëtare e OKB nga viti 1955 dhe anëtare e NATO-s nga viti 2009 dhe anëtare e shumë oganizatave të tjera ndërkombëtare nuk ka ngritur kurrë çeshtjen çame dhe të drejtat e popullsisë çame për t’u kthyer në trojet dhe në pronat e veta në Greqi.

Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame kërkon nga diplomacia dhe nga qeveria shqiptare sensibilizimin diplomatik dhe informativ ndërkombëtar. Kërkon sigurimin e një përkrahje nga diplomacitë, nga shtetet dhe nga faktori perëndimor dhe ballkanik për zgjidhjen e saj. Komisioni Europian dhe komisioneri Hahn i dhanë diplomacisë dhe qeverisë shqiptare një rast dhe një kartë të artë diplomatike për ndërkombëtarizimin e çeshtjes çame. Nuk ditën dhe nuk deshën ta shfrytëzojnë. Por ajo kartë diplomatike europiane në favor të çeshtjes çame është në fuqi sot e kësaj dite.

Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame është një faktor i rëndësishëm i strategjisë së realizimit të së drejtës së saj.

Ndaj diplomacia dhe qeveria shqiptare duhet të hartojnë dhe të zbatojnë sa më parë një platformë diplomatike të zgjidhjes së çeshtjes çame, pa të cilën nuk mund të ketë normalizim real të marrëdhënieve midis dy shteteve.

blank

Mungesa në samitin e Brukselit, Vuçiç po çon Ballkanin e Hapur në divorc me BE – Nga SHABAN MURATI

Shënim nga blloku diplomatik

Presidenti i Serbisë Vuçiç deklaroi në 20 qershor se ai ka marrë ftesën për në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që organizohet në Bruksel në 23 qershor, por ai nuk e ka vendosur ende nëse do të shkojë apo jo.

Është një rast i pashembullt që Serbia vë në diskutim nëse do të shkojë apo jo në samitin e BE, i cili i kushtohet integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Vuçiç njoftoi në 20 qershor se për të marrë vendim për ftesën e BE nëse do të shkojë apo jo Serbia atje, ai do të zhvillojë konsultime me anëtarët e qeverisë së tij dhe me kryeministrat Rama e Kovaçevski të dy shteteve anëtare të “Ballkanit të hapur”.

Se ç’punë kanë dy kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut të konsultohen për vajtjen e Serbisë në samitin e BE sikur janë institucione të qeverisë serbe, kjo është një enigmë haremesh politike ballkanike.

Presidenti serb është i tmerruar nga dhënia e llogarisë, që e pret në samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku duhet të japë përgjigje për dy kërkesat e fundit kategorike të BE për Serbinë: që të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë Kosovën.

Vuçiç e ka dashnorin në Kremlin dhe po bën gati divorcin me BE. Por që ta kamuflojë këtë divorc serb dhe t’i verë etiketën si divorc grupi,

Vuçiç thirri në 21 qershor dy delet e “Ballkanit të hapur”, kryeministrin e Tiranës dhe atë të Shkupit, për t’u diktuar bashkimin me qendrimin serb dhe të paraqitjes si divorc i “Ballkanit të hapur” me BE.

Është një dhuratë e artë diplomatike e Serbisë ndaj Rusisë.

Është skandaloze ajo, që njoftoi presidenti serb në 21 qershor, se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka venë edhe ai në diskutim dhe pritet ta vendosë në 22 qershor në drekë nëse Shqipëria do të shkojë apo jo në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Do të ishte një autogol antishqiptar dhe një goditje e rëndë për interesat e integrimit europian të Shqipërisë nëse qeveria shqiptare do të dëgjonte zërin vdekjeprurës të presidentit serb.

Unë shpresoj që në rrethin intim miqësor dhe familjar të kryeministrit shqiptar të ketë mbetur ndonjë me dy pare mend që ta sjellë në vete atë dhe të ndjekë interesin e Shqipërisë dhe jo të Serbisë dhe të shkojë në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Idiotët e inamoruar shqiptarë të “Ballkanit të hapur” serb kanë rastin të shohin live serinë e rreziqeve që paraqet për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane projekti i zi serb i “Ballkanit të hapur”, që po e çon Shqipërinë drejt divorcit me BE dhe me Perëndimin.

blank

Berisha, lideri konservator i opozitës së Shqipërisë, mbetet aleati më i mirë i Amerikës në Ballkan Nga Nikola Kedhi

Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë, ka thënë Winston Churchill. Është një rajon me histori të pasur, ku janë zhvilluar luftëra të përgjakshme, janë bërë padrejtësi të mëdha dhe janë gjunjëzuar Perandori të vjetra. Ballkani është ura mes lindjes dhe perëndimit, vendkalimi i mentaliteteve të ndryshme dhe vendi ku përplasen shumë interesa gjeopolitike.

Më konkretisht, ndërkohë që popullsia sllave e zonës është më e prirur drejt Rusisë për arsye historike dhe kulturore, Shqipëria dhe Kosova janë ndër vendet më proamerikane në botë.
Shtetet e Bashkuara luajtën një rol kyç në dekadat e para të shekullit të njëzetë në sigurimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Me ndihmën e disa administratave amerikane, Shqipëria arriti të mbajë territorin që ka sot, edhe pse rajone të rëndësishme u lanë jashtë dhe u gëlltitën nga fqinjët.

Në vitet nëntëdhjetë dhe në dekadën e parë të shekullit, prania amerikane në Ballkan dhe në Shqipëri ishte konstruktive, madje jetike. Megjithatë, në dekadën e fundit, ka pasur një zhvendosje në fokusin e Amerikës drejt pjesëve të tjera të globit. Administrata Obama u mjaftua me nocionin e stabilokracisë, duke sakrifikuar demokracinë e brendshme të këtyre vendeve për stabilitetin rajonal.

Kjo, së bashku me një ndërhyrje e perceptuar në punët e brendshme të burokratëve dhe diplomatëve amerikanë, duke favorizuar aktorë të veçantë vendas, kanë gërryer masivisht besimin që dikur ishte në Shtetet e Bashkuara edhe në Shqipëri dhe Kosovë – një zhvillim prej së cilit fatkeqësisht mund të përfitojnë vetëm kundërshtarët gjeopolitikë. Gjatë administratës Trump pati përpjekje për të ndryshuar diçka për mirë, përmes të dërguarit të tij Richard Grenell. Megjithatë, nuk mjaftoi për të zhbërë të gjithë dëmin e shkaktuar nga administrata e mëparshme. Deri pak muaj më parë, rajoni dukej i destinuar të shkonte përfundimisht drejt stanjacionit dhe autoritarizmit, për të mos ndryshuar kurrë dhe përgjithmonë peng i autokracisë.

Megjithatë, shtatorin e kaluar, një farë ndryshimi u mboll në vendin më të pamendueshëm. Në Shqipëri, ish-kryeministri dhe presidenti, Sali Berisha, u rikthye në politikën aktive për të shpëtuar të djathtën shqiptare dhe vendin nga rruga socialiste që kishte ndërmarrë. Pasi u përjashtua arbitrarisht nga grupi parlamentar i partisë së tij nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, ai u bë katalizatori për një lëvizje të jashtëzakonshme, të vërtetë, nga poshtë-lart. Elektorati i krahut të djathtë, i zhgënjyer, i dekurajuar dhe gati i pashpresë, kishte nevojë për këtë shkëndijë inkurajimi nga lideri i tyre historik. Premtimi për ndryshim, idetë konservatore dhe karizma e Sali Berishës ishin formula që zgjuan një lëvizje.

Berisha është parë prej kohësh si një figurë karizmatike, një burrë shteti me përvojë, i respektuar brenda dhe jashtë vendit, i aftë t’u bëjë ballë neokomunistëve agresivë dhe të mbrojë njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë, interesin kombëtar dhe liritë individuale. Qeveria e tij nga viti 2005 deri në vitin 2013, veçanërisht në mandatin e parë, shihet si më e suksesshmja që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ishin reformat e tij Reganiste që ulën varfërinë, rritën punësimin dhe forcuan klasën e mesme.

Falë reformave të qeverisë së tij, Shqipëria u bashkua me NATO-n, liberalizoi vizat me BE-në dhe zbatoi reformat e nevojshme që hapën bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Në mandatin e tij të dytë, ai luftoi për pavarësinë energjetike, duke punuar për një tubacion gazi që do të ndihmonte në uljen e varësisë nga Rusia. Një Shqipëri e begatë dhe më demokratike u bë një faktor stabiliteti në rajon dhe një aleat i rëndësishëm amerikan. Presidenti Bush vizitoi vendin në vitin 2007 – i pari president amerikan. Më pas, ishte administrata Obama që vlerësoi reformat kundër korrupsionit të zotit Berisha. Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton tha në vitin 2012 se “nëse doni të shihni demokracinë të funksionojë, shkoni në Shqipëri”.

Pasi humbi zgjedhjet në 2013, Berisha mundësoi një tranzicion paqësor të pushtetit dhe dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike. Megjithatë, ai vazhdoi të bënte një opozitë të fortë kundër qeverisë socialiste. Më shumë se një herë, edhe në opozitë, ai u bë një faktor vendimtar në ndalimin e përpjekjeve për ndryshimin e kufijve në Ballkan – duke siguruar edhe një herë stabilitetin në rajon ndërkohë që vazhdonte luftën për demokraci brenda vendit.

Papritur, pranverën e kaluar, pas 8 vitesh në opozitë, pa mbajtur asnjë post apo pushtet zyrtar, Berisha u shpall i papërshtatshëm për të marrë vizë në Shtetet e Bashkuara nga sekretari Blinken – i njëjti njeri që e kishte konsideruar Berishën kampion të antikorrupsionit kur ai kishte qenë në qeveri. Ish-kryeministri e paditi sekretarin Blinken për shpifje dhe e sfidoi atë dhe të këdo tjetër të jepnin çdo provë në lidhje me motivin e korrupsionit për përcaktimin non-grata. Që nga viti i kaluar, pavarësisht disa kërkesave nga vetë Berisha, kongresmeni Lee Zeldin, ish-drejtori në detyrë i inteligjencës amerikane, Richard Grenell dhe shumë gazetarë, nuk është dhënë asnjë fakt kundër zotit Berisha, i cili denoncoi Fondacionin e Shoqërisë së Hapur si subjekti që loboi kundër tij për emërtimin non grata, si hakmarrje për ndalimin e planit për ndryshime kufijsh në Ballkan. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA duket se i konfirmoi pjesërisht këto pretendime.

Megjithatë, Berisha duket se nuk shqetësohet nga sulme të tilla. Së fundmi, ai u rizgjodh si kryetar i Partisë Demokratike, ka bashkuar elektoratin e krahut të djathtë rreth tij dhe zotohet të transformojë forcën e tij politike në një parti të vërtetë konservatore, pavarësisht të majtëve të fshehur dhe politikanëve mediokër, disa prej të cilëve, ndonëse publikisht aleatë me ish-kryeministrin për arsye personale, sabotojnë përpjekjet e tij.

Konservatorizmi shihet nga njerëzit si një shans real për të përqafuar ndryshimin përmes një vizioni të ri që vendos qytetarët, interesin kombëtar dhe familjet shqiptare të parët, nëpërmjet uljes së taksave, të borxhit dhe shpenzimeve publike, tregjeve më të lira dhe më të drejta, rivendosjes së rendit dhe ligjit, luftës kundër korrupsionit, dhe mbrojtjes së lirive individuale – të gjitha nocione që qëndrojnë në themeë të shoqërisë amerikane.

Duke u mbështetur në atë që ka arritur qeveria e tij e mëparshme, duke përdorur përvojën e konsiderueshme që ka grumbulluar në tridhjetë vitet e fundit dhe duke ofruar një vizion të ri dhe të vërtetë konservator, ai shihet si shpresa më e mirë për një Shqipëri demokratike, duke qëndruar si shembull i lirisë në një rajon të rrethuar nga autokracia. Berisha mbetet i vetmi lider i një partie të madhe në Ballkan që lufton për parimet euroatlantike, argumenton fort kundër ndërhyrjes ruse dhe kineze dhe pro lirisë dhe konservatorizmit.

Do të ishte një mundësi e humbur për Shqipërinë, Ballkanin dhe madje edhe SHBA-në që të braktisin farën e vetme të ndryshimit demokratik në një rajon të rëndësishëm, kaq të ndjeshëm ndaj ndikimeve të rrezikshme ruse dhe kineze.

Një aleancë e tillë vlerash dhe interesash gjeopolitike midis Shqipërisë dhe Amerikës jo vetëm që do t’i japë një goditje të madhe autoritarizmit, por do të stabilizojë më tej rajonin dhe në të njëjtën kohë do të mbajë larg ndikimet e dëmshme. Konservatorët shqiptarë i kanë dhënë edhe një herë besimin e tyre ish kryeministrit Berisha. Tani, besimi te SHBA – të duhet dhe mund të rikthehet në Shqipëri, jo me ndërhyrje burokratike, por duke treguar se Amerika respekton dhe mbështet ata që mbrojnë lirinë, demokracinë dhe patriotizmin.

blank

Z.President, ju kërkoj që ta ç’dekretoni dekoratën që i dhatë Gani Vilës, ish Sigurims! Nga Elida Buçpapaj

Z. President, në prag të mbylljes së mandatit keni patur një aktivitet të ngjeshur diplomatik. Nga Stambolli ju dekretuat online dorëheqjen e shefit të shtabit të përgjithshëm. Nuk e prisnim. Sali Berisha recitoi me këtë rast poezinë e Kadaresë për Ali Pashën “Koka në Stamboll, Trupi në Athinë”. Nuk e prisnim as që partia e çamëve, e futur në listë qyl pa garë, të përfshihej në votimin për Presidentin e Republikës, sikur edhe LSI, veç Petrit Vasili që abstenoi publikisht. Po e si mund të presim moral e besë ne populli i mashtruar e nënshtruar për tri dekada!

Në vazhdën e turit diplomatik ju kaluat oqeanin për të marrë pjesë në kremtimet e 110 vjetorit të Vatrës dhe pastaj udhëtuat në Baku në forumin e IX Global “Sfidat ndaj rendit botëror”.

Më bëri përshtypje një theks i fjalës tuaj në këtë forum ku thoni se”Popujt që flenë në demokraci zgjohen në diktaturë”. Duket jeni nisur nga eksperienca e Shqipërisë. Shqiptarët e shtetit amë janë ende në gjumë ndaj të gjithë shpërdorimit të pushtetit nga klasa politike këto tri dekada.

Problemi është se kjo diktaturë ka shtrirë kthetrat edhe në diasporë.

Për të amortizuar potencialin nga brain drain që ka emigruar në botë sidomos në SHBA, regjimi i Tiranës ka krijuar në Perëndim bandën e tij, me fushë të lirë veprimi, pasi opozita deri tani është inekistente. Kjo bandë pērbēhet nga njerëz me skeletë në sirtarë, profiterë projektesh e fondesh e shkelës ligji, të cilët regjimi hibrido mafioz i vlerëson me të gjitha mundësitë e pashterëshme që ka një pushtet i pakufishëm që ka monopolizuar dhe uzurpuar shtetin.

Njē nga këto mundësi janë edhe dekoratat. Ata që e duan Atdheun dhe demokracinë kontribuojnë gjithe jetën pa pyetur për dekorata. Ata që nuk i meritojnë, duan t’i shiten Amerikës si shembull i komunitetit, për të përfituar ato çka nuk i arrijnë dot as me rrugë të ndershme dhe as me meritokraci.

Në SHBA këto ditë janë diskutuar shumë dekoratat që ju z.Meta i ndatë me rastin e 110 vjetorit të Vatrës.

Ju ishit i pranishëm dhe e patë me sytë tuaj se salla ku u bë konferenca përkujtuese ishte fare fare bosh. Ky bojkot ndodhi, siç mund ta dini, se Vatra po kalon krizën më të madhe të identitetit në 110 vjet histori. Është kapur! Sikur eshte kapur për fyti sistemi politik i Shqipërisë. Timoni i Vatrës ka humbur identitetin, përfaqësimin dhe idealet, ka shkelur mbi dinjitetin e Vatranëve, mbi Kushtetutën e SHBA dhe u ka shpallur luftë gazetarëve, duke mbajtur rreth vetes puthadore! Copy paste me levat e regjimeve të degraduara e të kalbura.

Le të kthehemi tek dekoratat. Për hir të së vërtetës, një pjesë e këtyre dekoratave ishin shumë të meritueshme dhe mund të themi edhe të vonuara sikur për Vëllezërit Bytyqi (Ylli, Mehmet, Agron); për Dom Ndue Gjergjin; për Vëllezërit Bitiçi ( Sergio, Mike, John, Joseph), për Vëllezërit Lekë e Pashko Gojçaj, për Ahmet Giaffo (Xhafo), Marjan Cubi, Zef Balaj (Pas Vdekjes), Lek Mirakaj, Ramiz Tafilaj, Tonin Mirakaj, etj.. Ndërkohë në listën e dekorimeve ishin përfshirë edhe njerëz me kontributin e vetëm se janë pjesë e klanit të kryetarit aktual, i cili e ka shpërfytyruar Vatrën, duke i dhënë profilin e tij në vend të Etërve. Dielli, i thënçin, censuron sikur të jetë Zëri i Popullit i kohës së diktaturës. E keqja është se njerëzit heshtin, flenë ose shiten! Ndihen edhe të kërcënuar! Të kërcënuar, e përsëris! Se levat e pushtetit që nuk mbahet me votë të lirë, mbahet me forcë, me mashtrim, me vjedhje, me korrupsion, duke shkelur e shpërdoruar ligjin dhe me kërcënim.

Gjithmonë heshtja, gjumi, indiferenca janë në krahun e gabuar. Sepse një ditë, kur del gjumi me vonesë, gjendet njeriu ose nën pushtim, ose nën fashizëm, ose nën komunizëm ose nën pushtetin e mafies.

Por le të vazhdojmë me dekoratat. Me propozim të Elmi Berishës, ju keni dekoruar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” edhe Gani Vilën, pronar i Albanian TV of Amerika – Detroit, një pseudotelevizion, që nuk përmbush asnjë kriter të quhet i tillë, në CV e të cilit dallohet kontributi që ka dhënë në armën e Partisë së Punës, në famëkeqin Sigurimin e Shtetit për ushtrinë!

Dua t’ju kujtoj se kryetari aktual i Vatrës e hodhi në gjyq dhe ia mbylli derën deri kur mbylli sytë ish kryetarit i Vatrës, të ndjerit Dr.Gjon Buçaj për pesë dekada Vatran, i arratisur nga regjimi diktatorial enverist dhe, vetëm kur Dr.Buçaj kaloi në botën tjetër, në 14 majin që shkoi, Elmi Berisha derdhi lotë krokodili, por nuk pati kurajon as dinjitetin që të merrte pjesë në përcjelljen që iu bë Dr.Buçajt!

Po të nisemi nga dekoratat dhe Doktorët e shkencave, Shqipëria do të duhej të ishte Zvicra e Ballkanit, sikur edhe e kanë ëndërruar Rilindasit e vërtetë.

Në parim dekoratat shtetërore kanë vlerë të madhe dhe, që ta meritosh, sipas presidentit J.F. Kennedy, duhet t’i japësh Atdheut pa i marrë, sikur plot emra midis atyre që ju keni dekoruar, të cilët kanë sakrifikuar deri edhe jetën, ndërsa puthadorët e Elmi Berishës me në krye ish Sigurimsin Gani Vila nuk kishin asnjë meritë për t’u nderuar!

Ju mund t’i bëni publike propozimet që keni marrë në mēnyrë që komuniteti t’i shohë me sytë e tij.

E si është e mundur që një ish Sigurimis, të dekorohet si pronar i një televizioni në një shtet të SHBA kur ky s’ka asnjë lidhje profesionale me mediat! Unë njoh gazetarë që janë marrë gjithë jetën me televizionin dhe që në SHBA merren me punë të tjera, sepse nuk i afron kush, ose thënë shqip i mbajnë larg, në dëm të informimit. Janë kriteret profesionalë ato që liçensojnë një media, të cilat duhet të drejtohen nga njerëz të fushës, profesionistë të pavarur dhe me integritet! E shihni si është bërë copy paste, ish Sigurimsat kanë tre dekada në shtetin shqiptar – ish Sigurimsat edhe në SHBA.

Dekoratat që jua keni dhënë personave të nderuar që gëzojnë nderim e respekt në komunitet janë pritur shumë mirë, ndërsa natyrisht aspak mirë dekorata për Gani Vilën dhe besnikët e Elmi Berishës. Komuniteti zjen si ato tenxheret me presion që ende nuk i ndihet fishkëllima, por ju ishit dëshmitar dhe e patë me sytë tuaj sallën bosh, ku u mbajt ceremonia e 110 vjetorit të Vatrës. Aty shihej realiteti dhe protesta e Vatranëve. 100 vjetori i Vatrës është festuar me një prani me rreth një mijë pjesmarrësish. Dëshmitarët janë të gjallë.

Mendoj se Presidenca kur i merr propozimet bën vlerësimin sipas dy kritereve themelore, kontributi dhe integriteti. Vlerësim për kontribut ndaj Atdheut dhe komunitetit jo ndaj regjimit, as ndaj veglave të tij dhe sigurisht, as ndaj veglave të ish diktaturës.

I varfëruar skajshmërisht dhe në mëshirë të fatit, populli në Shqipëri ka 30 vjet që ose braktis vendin ose “fle”, i vënë në gjumë nga shpërdoruesit e pushtetit, por diaspora që ka fituar gjithçka me djersën e vet nuk duhet ta lejojë në asnjë mënyrë që regjimi i Tiranës ta fusë në letargji edhe atë.

Në emër të diasporës, ju kërkoj që ta ç’dekretoni dekoratën që i dhatë Gani Vilës, për të qënë edhe këmbanë alarmi për ata që u dekoruan pa i dhënë komunitetit asnjë kontribut, veç si puthadorë e servilë të kryetarit të Vatrës, i cili e ka përçarë Vatrën dhe e ka sjellë në ditën e saj më të keqe.

blank

GËZUAR 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, PËR SHEKUJ TË SHEKUJVE! Nga Frank Shkreli*

KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN DHE 100-VJETORI I  MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-AMERIKË

Përshëndetje të nderuar bashkombas, anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”.

Me këtë emër të të Madhit dhe të Përgjithmonshmit të Kombit, sot dhe çdo ditë, ju kujtoni Gjergj Kastriotin – Skenderbe – Kryetrimin e Kombit shqiptar, udhëheqsin e luftërave heroike kundër perandorisë osmane. Por, përveç luftëtarit dhe meritave të tjera të shumta — në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – kujtojmë gjithashtu Skenderbeun edhe si Kryediplomatin e të gjitha kohërave të Shqiptarëve – themeluesin e institucioneve diplomatike të shtetit shqiptar dhe promovuesin e marrëdhënieve me shtetet evropiane perëndimore të kohës së tij.

Dihet fati i mjerë ushtarak dhe diplomatik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve — pas vdekjes së Skenderbeut – por ja ku jemi sot. “Qe, pra sot po ka Shqypni; Qe, pra sot po ka Shqyptarë”, do të thoshte At Gjergj Fishta.

Por duhej të vinte liria dhe pavarësia që të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri, ashtu që të lulëzonte shteti shqiptar, që të zhvillohej diplomacia por edhe lidhjet e ngushta midis dy kombeve tona. Ky vit shënon 100-vjet diplomaci me shtetin më të fuqishëm në botë sot – mikun e madh historik të shqiptarëve: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si rezultat i kësaj diplomacie – vetëm në 30-vitet e fundit, përfitimet për shqiptarët janë të dukshme – kishim vizitën e parë historike të një Presidenti Amerikan në detyrë, Z. George W Bush, në Shqipëri. Kemi Shqipërinë në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota dhe kemi Shqipërinë vend-kandidat për antarësim në Bashkimin Evropian.

Kemi Kosovën e lirë e të pavarur, në miqësi të perhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shprehej dikur Pesidenti historik i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Kemi arrijtje dhe suksese historike të pafund në fushën e të drejtave të njeriut dhe në trajtimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, në Ballkanin Perëndimor, bazuar në të drejtat universale të njeriut.

Të gjitha këto realizime historike në interes të Kombit shqiptar sot për shqiptarët në Ballkan – si asnjëherë më parë në histori — janë rezultat i një angazhimi serioz diplomatik, politik dhe ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Washingtonit në Evropën Perëndimore, për të ndihmuar Shqipërinë, Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta shekullore. E gjithë kjo, falë diplomacisë amerikane të këtyre 30-viteve të fundit. Merreni me mendë se ku do ishte Shqipëria dhe shqiptarët sot, po të kishte pasur zhvillim normal marrëdhëniesh me një qeveri normale dhe pa ndërprerje të lidhjeve diplomatike Shqipëri-SHBA, për pothuaj gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?!

Sidoqoftë, 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë është një moment i vecantë për të gjithë ne dhe shumë i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Një përvjetor — simbol miqësie dhe bashkpunimi midis dy popujve dhe shteteve tona –pas një armiqësie absurde 50-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara.

 

Roli i Diasporës

 

Pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm, 15 marsi i vitit 1991 shënon edhe lidhjet e para, komb me komb, në pothuaj një gjysëm shekulli. Unë me disa shqiptaro-amerikanë të tjerë kemi patur nderin dhe privilegjin të ishim të pranishëm në ceremoninë historike të vitit 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi, zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona.

Me atë rast tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z. Rejmond G.H. Saitz, ka venë në dukje rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë në ruajtjen e këtyre marrëdhënieve duke u shprehur se: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar.  Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

15 Marsi, 1991, ishte një ditë kënaqësie e jashtëzakonshme shpirtërore për mua dhe për të gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë kudo, por sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ishte një ditë kur, më në fund, flamuri i Kombit shqiptar u vendos në platformën e flamujve të shteteve të botës në Departmentin Amerikan të Shtetit në Washington.  Ishte një ditë, kur Shqipëria komuniste, më në fund, iu përgjigj thirrjes — ndonëse me ngurrim por e detyruar nga ndryshimet gjeopolitike të kohës në Evropë, thirrjes që Shtetet e Bashkuara i përcillnin publikisht, pothuaj, çdo vit Tiranës zyrtare, për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Washingtonin.

Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit – pjesë e të cilit isha edhe unë — arrijti në Tiranë, pas një gjysëm shekulli, një javë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve duke qëndruar në Shqipëri, si fillim, për dy javë, në mars/prill, 1991.

Vizita ime në Shqipëri me delegacionin e parë të Departmentit Amerikan të Shtetit ishte një moment emocionesh të mëdha. U përlota dhe u emocionova shumë, pikërisht, në momentin kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë. U përlota nga mallëngjimi, se më në fund Flamuri i vendit tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po valvitej tani i lirë në tokën e të parëve të mi, ku për pothuaj një gjysëm shekulli, flamuri amerikan ishte i ndaluar dhe urrehej si një simbol armiqsor nga një regjim — ndër më të egrit e diktaturave të komunizmit ndërkombëtar – që ishte regjimi i Enver Hoxhës.

Prandaj, porosia ime sot në këtë tubim të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, është që 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të shërbejë si një moment reflektimi për atë periudhë të zezë në histori. Që të të bëhet ç’mos për t’i ruajtur ato si sytë e ballit dhe për t’u dhënë këtyre marrëdhënieve një hov edhe më të madh përpara. Me qëllim për të rifituar kohën e humbur nën regjimin komunist, por edhe për të siguruar që një gabim i tillë historik katastrofik për interesat e shqiptarëve, të mos ndodhë më kurrë.

Rivendosja e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre ka qenë një objektiv, për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh – nga të gjitha trojet shqiptare — gjatë 100-viteve të kaluara.  Le t’i kujtojmë ata patriotë sot dhe t’i falënderojmë se – sepse megjithë dështimet – për shkak të refuzimit të regjimit komunist — për t’i rivendosur ato marrëdhënie gjatë dekadave të shekullit të kaluar, këta patriotë shqiptaro-amerikanë, nuk u dorëzuan kurrë as nuk u tërhoqën asnjëherë nga ideja e miqësisë së fortë amerikano-shqiptare, megjithë propagandën anti-amerikane që vinte nga Tirana e kuqe. Një fjalë e urtë kineze thotë se, “kur pin ujë, mendo për ata që kanë hapur pusin”.

Uroj që të gjithë shqiptarët kudo, e që kanë përfituar nga këto marrëdhënie, si individë, si familje por dhe i mbarë kombi shqiptar, të kujtojnë — në këte përvjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona — të gjithë ata vizionarë shqiptaro-amerikanë që nuk pushuan kurrë se punuari për këto marrëdhënie diplomatike. Ata u përpoqen tërë jetën e tyre për të angazhuar Shtetet e Bashkuara për bashkpunim me kombin shqiptar, dhe jo për izolim e armiqësi me Amerikën. Fatkeqsisht, disa prej këtyre patriotëve shqiptarë të këtij komuniteti, ende sot — në këtë 100-vjetor të marrëdhënive diplomatike Shqipëri-SHBA — dhe 30-vjet pas rivendosjes së këtyre lidhjeve në Mars, 1991, ata ende konsiderohen si armiq e tradhëtarë në Atdheun e tyre të origjinës, vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës. Kësaj politike anti-kombëtare duhet ti vijë fundi, njëherë e mirë.

Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se është ndër ambasadorët më të mirë që mund të ketë pasur dhe ka Kombi shqiptar gjatë dekadave, duke filluar nga Noli e Konica e deri në ditët e rivendosjes së marrëdhënieve me 15 mars, 1991. Le të kujtojmë në këtë 100-vjetor se në mungesë të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane gjatë komunizmit, komuniteti shqiptaro-amerikan, me dinjitet dhe plot atdhedashuri, ka mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ndërkohë që ka luajtur rolin jo-zyrtar të ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington.

Edhe ky brez i komunitetit shqiptaro-amerikan sot në këtë 100-vjetor — si individë ashtu dhe si organizata — ka përgjegjësinë e vet që ashtu siç kanë bërë brezat e mëparshëm të komunitetit tonë këtu në Amerikë, të luftojë që këto lidhje midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar të mos preken kurrë më nga diktatorë, parti ose regjime anti-amerikane shqiptare në të ardhmen. Këto marrëdhënie 100-vjeçare nuk janë pronë as meritë e vetme e ndonjë kryeministri a presidenti, e madje as edhe e ndonjë ambasadori të vetëm. Ato janë lidhje historike në interes të përbashkët të dy kombeve tona! Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane janë të shënjta, në interes madhor të çështjeve kombëtare që nuk duhet të lejohen kurrë të jenë subjekt abuzimesh, manipulimesh as përfitimesh të përkohëshme personale ose partiake nga autokratë të caktuar ose individë të papërgjegjëshëm, nga cilado palë qofshin.

Si shqiptaro-amerikanë, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sot kemi shumë arsye për të celebruar të gjitha arritjet që përmenda më lartë në fushën e marrëdhënieve dypalëshe dhe që me entuziazëm dhe shpresë të presim dhe të shkojmë drejt zhvillimeve edhe më të mëdha, në të ardhmen, në dobi të marrëdhënieve midis dy popujve tanë.

Më në fund, ju falënderoj për durimin dhe për respektin që kini treguar ndaj meje, duke më ftuar të jem së bashku me ju në këtë përvjetor të shënuar për dy kombet tona të dashura. Gëzuar, pra, të gjithëve 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për shekuj të shekujve! Urimet e mia më të përzemërta të gjithëve!

Frank Shkreli

*Fjala në tubimin e SHOQATËS SHQIPTARO-AMERIKANE, “SKENDERBEJ”, në kuadrin e 100-Vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike: SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS-SHQIPËRI

*Autori ka marrë në ceremoninë e 15 Marsit, 1991 të nenshkrimit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit e Tiranës dhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan që, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit, shkoi në Tiranë për të vendosur kontaktet e para midis dy vendeve, në pothuaj 50-vjet.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Skenderbej Inc. | Facebook

blank
Nga programi artistik i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, Inc. me rastin e festimit të 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane

blank

Autori duke folur me rastin e manifestimit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqiptaro-Amerikane

blank

Përfaqsues të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, në ceremoninë e emrimit të rrugës, “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”, në Bronx të Nju Jorkut, Maj, 2022

 

 

blank

Nënshtrimi dhe bindja e verbër ndaj gjelave të feminizuar Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Shqiptarët mendojnë se po ndjekin yjet, dhe më pas përfundojnë si peshku i artë në një tas. Shqipëria po bëhet më e fragmentuar, e veçuar dhe e plasaritur çdo ditë që kalon. Një shoqëri pa një grup të përbashkët vlerash është e dënuar të shembet.

***
Sa më tepër që kalon koha dhe gjendja në vendlindje (në të gjitha trojet shqiptare) po përkeqësohet, më shumë shqiptarë po luftojnë me mendime që u harxhojnë energji, dhe temat në kokën dhe zemrën e tyre mund të jenë shumë të ndryshme. Pavarësisht nga tema, shqiptari është i rraskapitur nga forcat e vlefshme për të cilat ai ka nevojë nëse kërkon ditë të mira ku është i pranishëm në jetën e tij dhe ndjen që është gjallë. Dhe kush nuk e kërkon atë?

Këshilla ime është të merrni seriozisht humbjen e energjisë duke mbështetur sundimtarët e këqij, dhe të përdorni terapinë e bisedave “sepse e meritoni”, ashtu siç i meritoni politikë-bërësit e juaj dashakeq që i keni votuar nga budallallëku ose sepse ju kanë paguar. Shpirt i shitur. Shqiptarët votojnë bazuar në prioritetet e tyre egoiste dhe personale. Ju jeni shfrytëzuar dhe do të vazhdoni të shfrytëzoheni! Kthejeni, a i meritojnë politikanët votuesit e tyre?

Dialogu me njohuri, i mençur dhe emocionues për gjërat thelbësore të jetës duke ndarë shapin nga sheqeri, është një mundësi për të jetuar jetën e përditshme me më pak humbje energjie! Dhe me shpresë të vërtetë.

Është e lehtë të shpenzosh para për gjërat që duken gjithmonë të nevojshme; orendi shtëpie & makina, pushime verore, veshje për tu dukur mirë etj. Të gjitha gjërat thelbësore për të ruajtur vlerat, por ndaloni me kaq apo fokusoheni vetëm në atë që mund të shihet nga jashtë? Është e lehtë të anashkalosh “brenda këmishës”. Të “harrosh” se regjimi i korruptuar kriminal antikombëtar që shkatërron gjithçka edhe për brezin e ardhshëm duhet përmbysur sa më shpejtë të jetë e mundur?! Ndoshta këtu është me të vërtetë më e rëndësishmja, që ju të keni mundësinë të shkëlqeni dhe t’ju jepet një jetë e gjallë.

Indiferenca është më e rënda nga sëmundjet e shpirtit. Çdo indiferencë e vetme është fajtore për atë që po ndodh. Ju mund të projektoni dhe krijoni, dhe të ndërtoni vendin më të mahnitshëm në botë. Por nevojiten njerëzit për të realizuar ëndrrën. Ku janë njerëzit? Kanë ikur jashtë vendit.

Fatkeqësisht, kjo “demokraci” shqiptare po të kujton gjithnjë e më shumë një diktaturë të xhaxhit. Në sipërfaqe një demokraci. Pra, çfarë është ajo në të vërtetë?

Në këtë “demokraci” të shtetit amë që sundohet nga mercenari i serbëve dhe grekëve, zgjedhjet universale dhe të lira gjoja se mbizotërojnë, liria e opinionit mbizotëron formalisht, por politika dhe mediat masive mbizotërohen nga një elitë pushteti antidemokratik-postkomunist, thënë më mirë, regjim i korruptuar i lidhur me krimin e organizuar, që është i gatshëm të lejojë vetëm shfaqjen e disa shprehjeve të opinionit. Pasoja është se qytetarët jetojnë në një iluzion se atyre u përcillet një përfaqësim i gjithanshëm dhe objektiv i realitetit. Mbyllja e opinioneve fshihet mirë dhe debati i lirë (fjala e lirë) është mbytur. Duhet shtuar gjithashtu se është pjesë e përkufizimit të një “demokracie” që shumica e njerëzve në një shoqëri të tillë nuk e perceptojnë vetë se jetojnë në një demokraci.

Është delja që i përshtatet qeses me tërshërë.

Media (e korruptuar) mbështet regjimin për të marrë sa më shumë subvencione (përfitime-lek). Është kaq çmendurisht banale. Nuk është domosdoshmërish rasti që shtypi prodhon lajme të rreme, por përzgjedhja e temave dhe këndvështrimi i problematikave është i tillë që me kalimin e kohës përfiton regjimi, pra edhe vetë shtypi i regjimit. Mund të duket se shumë njerëz të “opozitës” nuk janë në gjendje apo nuk duan ta kuptojnë këtë, për fat të keq. Prandaj nuk bashkohen. Janë duke e mbytur njëri-tjetrin.

Në çdo popullsi inteligjenca është e shpërndarë me 80% kundrejt 20%. Kjo shpjegon pse demokracia nuk mund të funksionojë kurrë në mënyrë optimale. Unë do të argumentoja se “propaganda” e përmendur mund të quhet edhe shpëlarje truri! Mediat tona “kombëtare” thonë se po e rrethojnë demokracinë, por fatkeqësisht po bëjnë krejt të kundërtën! Me dallaveret e tyre, ata refuzojnë opinione të tjera (nuk i botojnë letrat e mirëfillta që ua prishin pazarin) përveç “të vërtetave” të tyre! Kjo është shumë e dëmshme për lirinë e shprehjes dhe demokracinë! Tradhti ndaj Vendit dhe Kombit.

E vërteta është se ne nuk kemi një parti të vetme konservatore kombëtare me përfaqësim në Parlament.

Politikani: “Një person me veshin në tokë dhe me dorën në xhepin e taksapaguesve”, është një citat me origjinë të panjohur. Rrallëherë është e përshtatshme si këto ditë.

Një nga përfaqësuesit tanë më kryesorë dhe shumë të paguar, të zgjedhur, më ka treguar se lakmia për përfitimin e tij është më e madhe se besnikëria ndaj atyre që ai është caktuar t’u shërbejë.

Askujt nuk i shërbehet me politikanë pa të meta, dhe të gjithë mund të bëjnë gabime. Por ka një ndryshim midis një gabimi dhe mashtrimit të qëllimshëm. Paradoksi është sigurisht që ndërsa njerëzit e thjeshtë përfundojnë në burg për ndonjë vogëlsirë të vjedhur, kryeministri maniak, (sivëllai i serbëve dhe grekëve) mban dorën mbi arkën shtetërore dhe gjithë pasuritë e vendit.

“Karakteri im i keq më ka bekuar me shumë përfitime”, – krenohet ai.

Armiqtë më të rrezikshëm të së vërtetës dhe lirisë mes nesh janë mbështetësit e mercenarëve.

Një thënie e njohur është “ne marrim politikanët që meritojmë”.

Një nga parimet më të rëndësishme të një demokracie është zëri i popullit, i cili manifestohet përmes zgjedhjeve të lira. Në teorinë politike, Revolucioni Francez i 1789 shënoi ndryshimin me fuqinë e mbretit duke u fragmentuar dhe deleguar tek njerëzit. Në demokracinë e pastër ose të drejtpërdrejtë, populli duhet të qeverisë vetë shoqërinë përmes referendumeve.

Demokracia e mirë është një demokraci “konfliktesh”, një shoqëri me aftësinë dhe vullnetin për të lënë dallimet dhe zërat e rinj të dëgjohen dhe thyhen kundër njëri-tjetrit.

Ka një arsye pse njerëzit që shërbejnë në qeverinë tonë (amerikane) i betohen Kushtetutës. Siç e pranuan Etërit tanë Themelues, demokracia është e brishtë. Njerëzit në pozita të besimit publik janë të detyruar ta mbrojnë atë, të ecin përpara kur kërkohet veprim. Në vendin tonë, ne nuk i bëjmë betim një individi apo një partie politike.

“Demokracia është një sistem që garanton se nuk jemi të qeverisur më mirë sesa meritojmë.” – George Bernard Shaw

 


Send this to a friend