Data dhe vendi i lindjes: 13/03/1958, Zaskok-Ferizaj
Shkollimi: Shkollën fillore e kreu në Zaskok, shkollën e mesme të makinerisë në Ferizaj, ndërsa fakultetin teknik të makinerisë në Prishtinë.
Ka botuar karikatura nga viti 1981, duke filluar në Gazetën e Studentëve ‘’Bota e Re’’ në Prishtinë dhe vazhdon edhe sot të merret me këtë aktivitet.
Shkruan poezi, prozë dhe mledh e krijon anekdota.
Ka te botuara libra me poezi, karikatura, romane dhe anekdota.
“Ligjërata e Kabilit”, poezi, Shkup 1996
“Kakafizma“, bashkautor me Bardh Frangun (karikatura dhe aforizma humoristik), Ferizaj 2003
“Kohë e uritur“, poezi, Ferizaj 2006
“234 anekdota“, Prizren 2016
“Kapërcimi përtej Urës së Siratit“-roman, Ferizaj 2016
”78 ditë ankth dhe shpresë”-ditar, Prishtinë 2022
Në vitin 2021 ka qenë bashkëthemelues i bibliotekës në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të Humorit e Satirës “Niko Nikolla” në Pogradec.
Ka hapur ekspozitë të pavarur të karikaturës, të parën e këtij lloji në Ferizaj në vitin 2001, shumica të botuara më parë në gazetën lokale ‘’FerPress’’ dhe ‘’Rozafa’’ në Ferizaj dhe ekspozitën e dytë personale në vitin 2021.
Ka fituar mirënjohje për karikaturë në festivalet e karikaturës në këto festivale ndërkombëtare:
– Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, vizatimit dhe kaligrafisë në Tbilisi të Gjeorgjisë, 2016
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës në Eskishehir të Turqisë, nëntor 2016
– Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës në Tunizi, 2017
-Euro-Kartoenale Kruishoutem – Belgjikë, 2019
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, Filipine 2020
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës ‘’Cairocature’’- Edicioni i Dytë, Kairo, Egjipt 2020
– Ka qenë finalist në Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës në Kyrenia të Qipros në vitin 2021 etj.
-Është anëtar i rregullt i revistës satirike të përmuajshme ‘’BirKitapBinDost’’ në Stamboll, Turqi, ne Bashkent Postasi dhe ne shumë gazeta elektronike të karikaturës nëpër botë.
Është njëri nga themeluesit e Shoqatës së Karikaturistëve ‘’HiTHi’’ në Ferizaj në vitin 2016 dhe drejtor ekzekutiv i saj nga fillimi e deri më sot dhe drejtues i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës që organizohet çdo vit në Ferizaj.
Ishte mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj, prej ku është pensionuar.
LIBRASHITËSI
Në shesh, flejnë librat mbi tavolinë
Librashitesi me një strajcë bukë
U rri pranë e ma kujton
Bariun me tarçuk varur në sup
Një ditë nuk mora bukë me vete
Dhe ngela i urutur, tha
Se nuk shita asnjë ekzemplar
Dielli ngrihet e bie kupës së qiellit
E librashitësi qëndron në shesh
I ekspozuar para librave
E vazhdon të besoj
E vazhdon të shpresoj
Në bukën e librave
Si sharraxhiu dikur moti
Për fëmijët përtej shtatë bjeshkëve
Simitet kah i ëndërronin
IN MEMORIAM PËR KURBETÇIUN
Rrahu e rrahu shtigjet
Shko e eja
Ngrohtësi solli në veri
Ferski në jug
Pastaj dikush tha: Vdiq
Dikush tha: U shkri
Balsam iu bë Tokës së vet
Vetes i hapi plagë
Tjerëve t’ua mbyll
MUSË TAHIRI
Musë Tahirit
Iu prenë gjunjtë
Iu këput shpresa
Kur dora e hasmit
Ia shkretoi
Kullë e plang
E mbështetje t’vetme
Kërkoi kanunin
Po as hasmi
Nuk e përvëloi
As Kanuni
Sa kanunxhinjtë
Kur shpërtheu
Dufi i zhgënjimit
Jehoi kënga:
“Musë Tahiri e fshinë synin
E për faqe e p’shtetë martinën”
Kur Kanuni bënë leqe
Lindin musëtahirë
Leqet t’i drejtojnë
QENI
Kafshon qeni
Zbaton urdhërat
E kryeqenit
Mungesën e ujkut
Kur heton
Ai qen bir qeni
KRYEQENI
Ulur në bisht
Kokën nuk e kthen
Mbërthyer nga ishiasi
Qafë e kurriz
Ashtu rri
I zhytur thellë
Në strategjinë e kafshimit
Qenqe
BESA E QENIT
Historia nuk di
Se u pre kush
Në besë të qenit
Njeriu
Kurrë nuk u betua
Në besë të qenit
Po në besën e vet
Të pabesë
UJKU
Përditë e më pak ujqër
Përditë e më shumë qenë
Kur mungon ujku
Vërshojnë qentë
Të bijtë e qenit
LUANI
Lehin qentë
Ulërijnë ujqit
Diku larg
Ai në fron
I zhytur
Në krenarinë e vet
Lehjen nuk e kthen
As syrin nuk e tremb
TUFANI
Toka dridhet
Minjtë të zënë ngushtë
Dalin fushës
Për tu fshehur
Copëtohen këmbësh
Gjëja e gjallë
Qielli
Nuk i mban shpezët
Struken llugave
Njeriun nuk e mban toka
Qielli ngushtohet
Vaj medet
ORA E APOLLONISË
(Ora e Apollonisë
Nuk përfillka kohë
Nuk përfillka stinë)
Dhëmbi i kohës
E brenë vetveten
Në këta gurë
Në amfiteatrin antik
Dy mijë e treqind vjet
Jepet shfaqje
Është kohë tjetër
Janë tjerë aktorë
Shëtitorja antike
Dymijë e treqind vjet
Pret e përcjell
Është e njëjta rrugë
Është tjetër kohë
Koha ndërroi
Dymijë e treqind vjet
Por Ora e Apollonisë
Nuk përfillka kohë
Nuk përfillka stinë
Apollonia
Dritare e kohës
Në lashtësi
ALPINIZËM
Përgatis
Kunja hekuri
Shkallë litari
Çizme alpine
Dhe nisem përpjetës
Majën ta pushtojë
Copa akulli e gurësh
Shembje dheu e bore
Rrugën ma vështirësojnë
As çizme alpine
As shkallë litari
As kunja hekuri
Nuk më ndihmojnë
Ta pushtojë
Majën e Poezisë
KALORËS TË PËRJETSHËM
Botës së paanë
Kalërojmë
Nëpër shekuj
Oazën e lumturisë duke kërkuar
Vorbulla pluhuri të pista
tornado
Na mbështollën
Ne vazhduam udhëtimin
Dhe kërkuam
U thinjëm mbi kuaj
Kinse po kalëronim kohën
Gjersa koha na kalëroi
E vesh s’e morëm!
ASGJË E RE
Këngëtarë çirren kafeneve
Të dehur nga paraja
Këpusin tela
Thyejnë instrumente
Lypsarë rrugëve
Mallkojnë acarin e ditës
Diellin që nuk i nxehë
Gazetarë prostituta
Nxijnë faqe gazetash
Nxijnë fate njerëzish
Dhe, nata e dita
Ndërrohen si më parë
Universi zgjërohet si më parë
Zemrat tkurren si më parë
Asgjë e re
Në shekullin e ri
UDHËKRYQI
Eci pafundësive
Me shpejtësinë e dritës
Gjithë jetën
Askund s’arrijë
Të kthehem prap
Kohë nuk kam
Të vazhdoj
Prap nuk kam kohë
Më duket të gjitha rrugët
Përfundojnë në këtë udhëkryq
FJALA E KRIPA
E mora kripën
Ia dhash fjalës
Veç ma shtoi etjen
Nga etja nxitova
Në lumë fjalësh
De kripën e mori lumi
DIÇKA QË DJEG
Rrugët e bukës
Çojnë dikah larg
E rrugët e kthimit
Përditë ngushtohen
Midid dy rrugëve
Midis dy flakave
Kalitet e digjet zemra
Njëra dëbon
Tjetra tërheq
E në mes tyre
D i l e m a
Në këtë duel që djeg
Duart e vogla të Dardanit
Prapa më tërheqin
Në nënkulmin e shtëpisë
Ta mundim skamjen me durim
Kjo botë na lindi
E po na han
Përditë ngapak
VETËM ME BISHAT
Këtu larg shtëpisë
Me duar e sopatë
Gatuhet buka
Fëmijët përtej bjeshkëve
Ëndërrojnë simite
Babit i besojnë shumë
Dhe sopatës së tij
Një flakë më pushton
Midis ahishtës
Ku gdhihem e errem
Vetëm me bishat
LOJË E VIRGJËR
Ju shoh kah luani
Të padjallëzuar
Të bartur mbi krahët e këngës
Nuk u brengosin:
Vërshimi i sëmundjeve
Mungesa e barërave
Çfrenimi i epsheve
Mungesa e arësyes
Tërbimi i inflacionit
Mungesa e bukës
I rrënqethur
Lotëtt’mos m’i shihni
Shpinën ua kthej
Lotët vazhdojnë
Në njërën anë
Vaji në anën tjetër
E Toka megithatë sillet
N’orbitën e vet
e s’trazohet
KOKA TË BRONZTA
Të gjithë u thurin himne
Për së vdekuri
Për së gjalli ua pijnë gjakun
Proletariatit i flini në zemër
Byrokracisë i flini në gjuhë
Me kokat tuaja të bronzta
Në fushën tetë herë tetë
Luftë e tmerrshme zhvillohet
NDARJE
1
U ndamë
Ti në klinikë
Unë në autobus
Dhembja na brente
Ty në asht
Mua në zemër
Pamjet turbullonin
Lotë në klinikë
Lotë në autobus
Kështu ndaheshim
Përditë ngapak
NDARJE
-2-
Atë ditë
Ditë ishte
Po terr ishte
Qielli terr
Zemrat terr
Rigonte
Shi qiellit
Shi faqeve
Fjalët ishin lidhur nyjë
Kuptoheshim me shikime
E rigonte
Shi qiellit
Shi faqeve
Në ndarje
Era frynte
Zemra ç’frynte
E rigonte
Rigonte shi
Shi në qiell
Shi në tokë
Shi në sytë e mi
UDHA QORRE
Largësitë më rriten
Përditë e përditë
Dhembja më ulet
Këmbëkryq në kokë
Lëkurën shtroj
Me lëkurë mbulohem
Rrugëve e trotuareve
Nëpër mjegull
Horoskopi më bëhet
Busullë rrugëtimi
NË FUND TË FUNDIT
Eci mes binarësh
Ata sikur bashkohen diku
Në fund të fundit
Eci, eci, eci…
Prap e njëjta rrugë
E njëjta pamje
E unë mes binarësh
RUAJU KOHËS, KALA
Shekujve
Bedenave
Mureve
Shëtiste vdekja
Portave
Nuk kalonte
Njeri i gjallë
Tani ajo
As që mbyllet
Bedenat kanë zënë myk
Brenda shëtisin
Njerëz racash të ndryshme
Gjuhësh të ndryshme
E kaluara
Paloi qafën në cung
Dhe shkoi
Por kohët ndërrojnë
Dhe, ruaju kohës
Kala
NË REPARTIN ONKOLOGJIK
Kthinë e qetësisë
Stacion i fundit
I fjalës sa
Ku memec u bëre
Ciceron
Në dyluftim me vdekjen
Fjala t’u bë fli
Kështu si sonte
Kurrë s’ke belbëzuar
Ciceron
I tillë paska qenë fati yt
Medet,
medet,
medet!
NË RRETH
Në rreth përsëritet çdo gjë
Qeshim, qeshim, qeshim
E harrojmë
Me thikat e xhelatit në dorë
Muzat i bëjmë të heshtim
Qajmë, qajmë, qajmë
E prap harrojmë
Në rreth çdo gjë përsëritet
SHPELLA E GADIMES
Paska fshehur dosjet
Shumëçka paska fshehur
Kjo shpellë
Paska mësuar nga Sodoma
Shumëçka paska mësuar
Kjo shpellë
Paska përvetësuar
Shtatë pash nëntokën
Mbitoka e paska tmerruar
Këtë shpellë
Këtë galeri artesh
Këtë muze antik
MALLKIMI
Kalin e rëndon mallkimi
për krimin e njeriut të panjerëzi
Trojën nuk e pushtoi kali
As Rexhën nuk e shqelmoi
Po njeriu i panjerëzi
Pushtoi Trojë e vrau njeri
Pastaj shpifi dhe mallkoi
Kalin e quajti të zi
Atë ditë e sot
Mallkimi shëtitë në gjithësi
Dhe kërkon të përplaset
Në kalë a në njeri
RROTË MBI STUPC
N’atë luftë të përhershme
herë uji herë zjarri
ngadhnjejnë
(Mirko Gashi)
sillet rrota
sillet bota
rrugës sinusoidë
sa bie
ngritet
e prapë bie
për t’u ngritur
hidhet fara
mbillet ara
sa korret
prapë mbillet
e vazhdon rrota
të sillet
ara të korret
e prapë të mbillet
çdo gjë që ngritet
sërish zbritet
herë majë Lybeteni
herë poshtë te liqeni
rrotë mbi stupc
KRAHASIM
Kur t’i pash sytë
E kuptova sa i verbër jam
Kur ta dëgjova ligjërimin
E kuptova sa memec jam
Kur ta pash hapin
E kuptova sa statik jam
Kur e kuptova sa i vogël jam
E kuptova madhështinë time!
NJË COPË BUKË
(Pesë punëtorë kosovar, humbën jetën tragjikisht në një kantier ndërtimi në Kazakistan)
Dora e vogël e një fëmije
E rrëmbeu një tas kosi
N’tjetrën dorë një gurabie
E n’valixhe i vendosi
S’desh ta mbante sall për vete
Po me babin desh ta ndaj
K’shtu janë rrugët e k’saj jete
Me pak g’zim e me shumë vaj
Pa e ditë se ku po shkonte
I tha babit udhë e mbarë
Ai vajzës s’i tregonte
Se po bëhej mërgimtarë
Thellë, shumë thellë, n’zemër e mbylli
S’desh ta shfaqte jashtë mërzinë
Si q’m’shehë n’vete shumëçka pylli
Kurrë për fushë s’e çet brendinë
Një lëmsh vreri brenda i vloi
Shtrëngoi dhëmbët e nuk foli
Bukë as ujë teposhtë s’i shkoi
Vreri i vet për hund’sh i doli
Në një skutë dikund u struk
Me valixhe n’aeroplan
Bashkë me Të dhe një copë bukë
Fluturoi n’Kazakistan
Mëngjes i hershëm i 10 marsit 2015, Aeroporti i Prishtinës
NËNËS SIME
Unazat iu deformuan
Shtëpinë duke bartur
Mbi kurriz
Sytë iu verbuan
Ecjen time kah dielli
Duke parë
Flokët iu zbardhuan
Në derë të oborrit duke më pritur
Kohëve me brymë
Veç gojë e saj
S’u helmua kurrë
Balsam ishte fillim e fund
Shkallares së jetës
U ngrita e rashë
Se më ndiqte pas
Nënën nuk e pashë
LULE PËR NËNËN
Lule nuk të bleva
Se një zë më pëshpëriti:
O injorant
A e din ti
Se nuk dilet
Nga koha e hapësira
Pa ardhur Dita?!
Ai që të solli këtu
Edhe të nxjerr
E lulet
As ti
Nuk i merr me vete
As trupin tënd
Asgjë, asgjë, asgjë
Kur të vie Dita
Lule për nënën do të jesh ti
Buqetë lulësh për ty
Do të jetë ajo!
tetë mars 2014
NËNA IME
1/
Fjalën e fundit nuk e the
Se fundin nuk e pranove si fund
Veç si fillim të ri
Unë nuk mbeta veç Robinson i Tokës
Por edhe më keq
Mbeta jetim
Deri në çlirim
Nga ky ngujim
NËNA IME
2/
Sa ishe
Me t’dashtë
Nuk dita
Tani që s’je
Të kërkoj
Mbi varr
Lulet e Blinës e të Jonit
Era i përkëdhel
Erë blini
E fllad Joni
Të ofojnë
‘’TAKIMI’’ ME NËNËN”
Foton ta zbrita nga muri
N’korrnizë më dukeshe e kufizuar
Ti je e madhe, gjithë shëndritë nuri
Si yll n’gjithësinë n’yje praruar
Në mendjen time të shohë përherë
Ashtu ballëlartë, me sy kah dielli
T’shëndritë fytyra gjithë shend e verë
Duket prej teje merr dritë dhe qielli
Ashtu na sheh kah vijmë e shkojmë
Duke shijuar të mirat mbi dhe
Këshillat tua i përjetësojmë
Kur ike tutje e ne na le
Atë çast pafuqie s’do ta kujtoj
Pa lamtumirë kur nga këtej ike
Unë fare mirë tash të kuptoj
Nuk quhet ndarje, ndarja fizike
Gjithkah tek endem, do t’jem me ty
T’dalë përtej kohës, t’kthehem përsëri
Gjithë ç’ma thotë mendja, ta shohë me sy
A s’është kjo mbi t’gjitha një mrekulli?
Kjo do të ndodh kur te Ti të vijë
Kur pesha ime më s’do t’m’pengoj
Shpejtësinë e dritës kur ta arrijë
Dalja prej kohës do t’jetë vetëm lojë
KUR VIE FESTA E VITIT TË RI
Saherë kaloj përreth varrezave
Nuk shikoj andej kah zhvillohet jeta
Po nga varri yt, nënë
Saherë vie festa e Vitit të Ri
E shkrepin fishekzjarret
Dal në borën e acartë
Se kam temperaturë
Kur më kujtohet pafuqia jote
Kur Ti luftoje me vdekjen
E tjerët festonin
Edhe atëherë ishte dimër
Por gropat e syve t’u bënë puse djerse
As akulli s’të jepte fresk
Për herë të parë u ndjeva i dobët
Dhe ika nga dhoma e përpëlitjeve të vdekjes
Të mos rëndoj me lotët e mi
Ti ike në tjetrën botë
Pa na thënë lamtumirë
Dhe bëre mirë
Që ndarjen nuk e pranove
Ende e kam ndjenjën se jam me Ty
Dhe vërtetë jam me Ty
Veç ngohtësinë e prehërit nuk ta ndjej
Tani as dielli kur nxenë
Akullin në zemër, nuk ma shkrinë
Dimër, as verë!
NUK RRËFEN GJË KËNGA, RRËFEN VETËM LOTI
Te dyertë e oborrit na përcillte nëna
Kur niseshim me babën t’hënave për n’Prishtinë
Pa dhënë vi mëngjesi, dhe pa ikur hëna
Verë e dimër, në borë a në shi me vetëtimë
S’kthehej, deri te kthesa e zabelit sa arrinim
Pastaj menjëherë, përvilte këmbë e duar
Ajo e dinte mirë, ashtu si ne e dinim
Se jeta ka shumë fronte, herët kishim mësuar
Gëzohej se me të gjitha, na kishte përgatitur
Si dy alpinistë kur nisen thik pjerrinës
Njërin rrugës së dijes, që do për t’u ngjitur
Tjetrin t’i prekë retë, n’rrokaqiej t’Prishtinës
Në fund të javës kthehesha me dëshirë
Se e gjeja nënën, aty ku e kisha lënë
Ra shi, ra borë a ishte kohë e mirë
Ishte ditë me diell, a terri kishte rënë
Asnjëherë, pesha e kohës zezonë
S’ia përkuli dot atë trup pehrri
Na priste ditën, a n’mbrëmje deri vonë
Për punën që bënim, na e kishte lakmi
Teksa m’përqafonte, i ndërronim njëmijëenjë fjalë
Njëqind hapa udhë ende pa i kaluar
Nga larg e ndjeja erën e lakrorit valë
Në sofrën që priste, darkën për ta shtruar
Pasdarkave kur plaste kënga në sharki
Shpejt na ikte koha si rrjedha e lumit
Ajo e buzëqeshur na rrinte karshi
Që n’mbrëmje lamtumirën, ia jepnim gjumit
Ah nënë! Iku ajo kohë, ike edhe Ti
Ëndërroj se m’pret ende te oborri
Saherë që largohem, prapë kthehem e vi
S’të gjejë më aty, as s’ndjej erë lakrori
Tani kur Ti pushon në lëndinë
Kohën ta rikthej, mundohem kot së koti
Që ta shuaj mallin e rrëmbej sharkinë
Nuk rrëfen gjë kënga, rrëfen vetëm loti.
Komentet