VOAL

VOAL

La Revue Diplomatique (1886)- Kur Papa dekoronte Pashko Vasën

March 27, 2022

Komentet

“Zjerm”, poemë e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes- Nga Nekije Shahinasi

Zjerm, kënga më e njohur teknofolk që nga dhjetori i vitit të kaluar, është jo vetëm surpriza e Festivalit të Këngës, por edhe zbulimi i poetik i vitit. Zjerm na kujton se arti sjell ende frymëzim, shpresë, udhërrëfim e poezi.

Kush është Shkodra Elektronike?

Në thelb të këtij projekti që ka mahnitur publikun qëndrojnë Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, dy artistë shqiptarë nga diaspora, të bërë bashkë nga malli për gjuhën amë, dashuria për muzikën dhe inspirimi që iu jep folku. Zjerm është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi.

Zjerm është kënga e tyre më e njohur, përfaqësuese e Shqipërisë në edicionin e 69-të të Eurovision-it, të cilën nuk do ta trajtojmë nën petkut e këngës, por do ta lexojmë si një poemë që bën bashkë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një shoqërie. Është një poemë moderne që i flet së shkuarës, shtrëngon të tashmen dhe vazhdon në një të ardhme që ende luftohet në brendinë e shpirtit njerëzor. Në një kohë ku muzika sa vjen e largohet nga një përmbajtje e mirëfilltë letrare, Zjerm ngrihet si feniksi pas djegies për një rezistencë poetike. Zjerm nuk është vetëm një produkt muzikor, është një poezi e dy poetëve që vë përballë botë paralele që zor se takohen bashkë; dy zëra poetik, Kola i cili i këndon realitetit të përhumbur, vuajtjes dhe territ. Një distopi që përtypet ngadalë nga jeta e përditshme. Zëri i dytë, Beatriçe zjarrit për një botë të re. Një vend idealist, pra një utopi njerëzore dhe shpirtërore.

Të dyja linja të domosdoshme, një rrugëtim i domosdoshëm për të arritur ëndrrën.

Vuajmë faktin se kjo poemë “lufton” mes utopizmit dhe distopizmit. Utopia që kërkojmë përballet me rrezikun e distopisë që mund të zëri rrënjë nga momenti në moment. Jetojmë në një botë ku kërkojmë të monetizojmë dhe politizojmë çdo gjë, ndërkohë natyra i përket natyrës, gjallesave që e duan të pastër siç është, njeriut që do të jetojë në harmoni me të.

Hyrja e këngës nis me idealizmin e Beatriçes, me ëndrrën e saj. “Pas shiut, e ylbertë duket bota”.

Por që në vargjet e para, hasemi me këtë botë utopike që bie në kundërshtim me përditshmërinë e qenies njerëzore.

“S’ka përreth një ambulancë

S’ka kush flet me arrogancë

Imagjino një minutë pa ushtarë, pa jetima,

Asnjë shishe n’oqean, naftës i vjen era jargavan”

Një ëndërr, një realitet i paprekshëm, i cili në vetvete përmban një zhgënjim e një plagë kolektive që ka kapluar shoqërinë. Me këto kontraste nuk ka se si të mos më shkojë mendja te Migjeni dhe këngët e tij të mjerimit, se si Shkodra Elektronike mund të jetë një Migjen i kohëve moderne. Migjeni e ndërtoi poezinë e tij mbi revoltën, ndërkaq Sh.E. na përcjell të njëjtat emocione dhe ndjesi, por nëpërmjet shpërfaqjes së këtij realiteti, të dhuron një botë ideale dhe se sa të lëndon ideja se mund të mos ketë një të ardhme të tillë. A ka diçka më të dhimbshme se të “prekësh” një ideal dhe njëkohësisht të jetë kaq larg teje? A ka diçka më të dhimbshme se të kesh një mundësi të artë dhe të të shkërmoqet para syve?

“Zjerm!

Njerëzit pa emër e njerëzit e dlirë

Njësoj këputen e bijnë

Si shtatë thika që t’ngulen n’shpirt”

Zjermi mes distopisë dhe shpresës; varg që flet për plagën kolektive, se si njerëzit pa emër, të dlirë janë ata, që ndryshe nga ata që krijojnë këto sisteme, goditen e që ngrihen më të fortë se kurrë më parë. Nuk mund të lë pa përmendur referencat biblike, se si këto shtatë thika janë një analogji me shtatë shpatat e Virgjëreshës Mari, shtatë vuajtjet e saj si një reminishencë e sakrificës, vuajtjes e dhimbjes “së shenjtëruar” përpara se të gëzojë drita. Kemi të bëjmë jo më me një vuajtje personale, por me një dhimbje kolektive që përsëritet në histori si një cikël i mbyllur, i cili kërkon një ndalje e fillim të ri. Strofa e Kolës flet për realitetin, ku s’guxon të shpresojë, por mund të ndiejmë një zë revolte brenda tij, sado e vogël tëjetë ajo.

“Shndrit, shndrit, shndrit”

Ati, biri dhe shpirti i shenjtë i Zjerm, kthyer tashmë në një lutje, psalm për këdo që dëgjon e shpreson që drita ka fuqinë mbi errësirën. Këdo që revolta i lind përbrenda si një filiz i shpresës.

Poema i flet së kaluarës me nostalgji e mall.

“Jarna ne ti toka ime,

Ku kam lind s’do të harroj”

Ky varg nuk është vetëm një premtim ndaj vendlindjes, është një premtim kolektiv që tashmë nuk është veçse një çështje kombëtare, por universale e cila fton çdo dëgjues e “bashkëvuajtës” që të besojë me ta dhe t’i bashkohet nismës së tyre. Kujtdo që ndien nostalgji dhe dëshirë për ta ndriçuar rrugën. E

“Jarna ne ti toka ime

Vazhdo me shndrit

është mëma jonë bashkuar me trininë e shenjtë për të dhënë forcë, e një premtim se një ditë drita s’do jetë veç një ëndërr.

Refreni bën bashkë dy botët e poetëve, por si kurrë më parë i bashkon ato për një shpresë të vërtetë, pasi thellë brenda vetes kjo është shpresë e të gjithëve, të cilët e ndiejnë përbrenda vetes ndryshimin.

“N’zemrën teme,

Ky minutë do të vazhdojë

Njerëzit e mirë

Njerëzit pa emër

Kërcejnë valle n’shpirt”

Teksa po shihnim gjysmëfinalen e Eurovision-it me mikeshën time, E.P., dhe po analizonim Zjerm, në bisedë e sipër na kujtohet Portokall me kurdisje, romani që trajtuam në takimin e fundit të klubit të librit Onufri, i cili flet për një shoqëri distopike që manipulon mendimin e një shoqërie moderne dhe programon pjesë të popullit të tyre për të ndjekur një udhë të caktuar. Ama, a nuk është kjo çfarë përjeton njerëzimi tashmë prej shekujsh?

Ironia therëse e “Lirinë e fjalës ta mëson shkolla” na rikujton se në fund të ditës ne nuk jemi veçse një portokall me kurdisje. Liria është një iluzion i programuar, të gjithë jemi të programuar sipas një shembulli, ku mendimi kritik është pothuaj inekzistent dhe i diktuar, por mendimi se një ditë kurdisja mund të ndalojë, zgjon një zjerm brenda teje. Hyrja e strofës së Kolës nis po ashtu me një thirrje për kthim në gjenezën tonë.

“Zjerm!

Bjer mbi vallet tona tribale

Që ushtojnë sa orteku kur bjen n’male”

E teksa shohim vargun

“Yjet s’i shohim se yjet na i shkel kamba

Kur ecim n’jerm”

Na kujton dhe njëherë për programimin e individit, verbërinë që na ka kapluar duke mos qenë të vetëdijshëm për gjithë potencialin që vazhdojmë të hedhim përtokë.

E tani, për të kaluar në pjesën time të preferuar:

“Zjerm!

Jena t’untë për flakë e dritë

E t’kërkojmë n’kyt terr që s’pranë tuej shndritë”

Më në fund vjen kthesa e shumëpritur! Edhe realisti (Kola) pranon këtë thirrje shpirti që kthehet në një ëndërr e shpresë kolektive; këtë thirrje që kthehet në faktorizuesin e shkrirjes së të shkuarës, tashmes dhe të ardhmes.

Zjerm është një Promete, Zjerm është një feniks, Zjerm është unë e Zjerm është ti! Është kushdo që gjen brenda vetes dritën a shpresën për të jetuar e ëndërruar, pasi lufta e vërtetë ndodhet brenda teje!

Sa bukur të dëgjosh vendin tënd të përfaqësohet në gjuhën tënde me një tekst kaq të fuqishëm. Andaj s’më mbetet gjë tjetër për të thënë veçse shndrit, shndrit, shndrit!

(Marrë nga ExLibris)

ZJERM dhe Shkodra elektronike Nga Teuta Sadiku

ZJERM dhe Shkodra elektronike

Teksti i këngës “Zjerm“ është reflektim i fuqishëm dhe i thellë i gjendjes shpirtërore dhe shoqërore të kohës, i shkruar me një gjuhë të pasur ,plot simbolika dhe imazhe të fuqishme,bashkuar këto në dialektin shkodran. Çfarë është ajo që e bën këtë tekst kënge një krijim të veçantë dhe ndikues. Është ndërthurja në vetvete e një bote mitike ,me referenca mitologjike, kulti i të parëve,[]gojëdhënat,gjallimi i shqiptarit nëpër kohë; /edhe sot na thanë që s`prishet koha ] kulti i vendlindjes,[Jarna ne ti toka ime, / ku kam lindë s`do ta harroj ] kulti i zjarrit,[ titulli i këngës Zjerm ] këndimi ungjillor,[aman,/ miserere] ] këndimi alegorik,[transformimi, ndryshimi i botës , por më parë ndryshimi i vetes ;në natën time të dërgoj dritën ] këndimi etnografik.[ kërcejnë valle në shpirt/ përfundova në ujë, s`mu tha goja. / veshja e Shkodra elektronike ] Është krijimi i një sistemi ,dëshirash, ëndrrash,kombinime fjalësh që krijojnë imazhe të fuqishme për botën , realitetin e sotëm ,pa ushtarë, pa ambulancë,pa arrogancë,pa jetima, pa shishe në oqean.Por që të bëhen realitet këto imazhe ,të jetë kjo botë e dëshiruar më parë duhet vetja ndryshuar. Ndryshimi fillon nga vetja ; “krijo në mua një zemër të pastër, në natën , errësirën time të dërgoj dritën.“ Për nga struktura vargjet janë të lirë, pa rregull të fortë metrik, duke i dhënë një ndjesi të rrjedhshme dhe të lirë këngës.

 

Kjo liri në formë pasqyron edhe temën kryesore atë të lirisë shpirtërore dhe sociale. Ndërhyrjet e thirrjeve, si “Aman [të lutem, pasthirmë ] dhe,“miserere”[ po vuaj ,/nga latinishtja misere ], funksionojnë si thirrje për shpresë dhe shpëtim, duke i dhënë tekstit të këngës një ton të fuqishëm dhe të ngulitur në ndërgjegjen e dëgjuesve . “Zjerm“, titulli i këngës ,jo vetëm simbol i pasionit, por është simbol i fuqisë së brendshme shpirtërore, përfaqëson dëshirën për ndryshim dhe shndërrim të brendshëm shpirtëror. Bota duket e ylbertë pas shiut /,më pas vijnë uji ,/oqeani / uji simbol i pastrimit, jetës dhe përtëritjes.

 

Në “ Zjerm “ uji përfaqëson rrjedhjen e kohës, pastrimin nga dhuna dhe murtaja shoqërore. Toka jeme, themel i jetës, identitetit kombëtar dhe stabilitetit. Është vendi ku lindin dhe rriten njerëzit, ku zhvillohet jeta e përditshme, toka ime ku kam lind s`do të harroj, veç ti vazhdo me shndrit.. Shndrit,kjo folje në urdhërore shndrit si diell, si flaka ,simbole të dritës, shpresës, ndriçimit të së vërtetës. Drita përfaqëson forcën e zjermit mbi errësirën, duke sjellë shpresë dhe ndriçim të së ardhmes. “ “Lirinë e fjalës ta mëson shkolla “ njohuritë, arsimi dhe mençuria, mësohen në shkollë Mesazhi është se përmes njohurive, njerëzit mund të ndërtojnë një shoqëri më të mirë.Shkolla është Institucioni i edukimit, vendi ku ndahen dituri dhe vlera. Përmes shkollës, mësohet liria e fjalës dhe zhvillimi i shoqërisë. Në këngë nuk përmendet emri Lufta, Paqja por imazhet që krijohen, figurat që simbolizojnë njerëzimin, ndërgjegjen kolektive, dhe potencialin e mirë janë pikërisht ato që I mbart Drita, Zjarri,fjalë që janë pothuajse nga fillimi deri në fund . Teksti i këngës përcjell një mesazh të fuqishëm të shpresës, lirisë dhe unitetit. Ajo flet për nevojën e ndërtimit të një bote më të drejtë dhe të pastër, ku njerëzit të jetojnë pa frikë, pa dhunë dhe urrejtje. Thekson rëndësinë e edukimit, diturisë dhe ndriçimit të së vërtetës përmes zjarrit të shpirtit .

 

“Ti toka ime , ti vendi im shndrit , shndrit , shndrit ,shndrit “. SHNDRIT ME DRITËN BRENDA SHPIRTIT Drita, zjarri brenda shpirtit është simbol i së vërtetës, shpresës dhe ndriçimit të rrugës së jetës. Mesazhi është , pavarësisht sfidave, ne duam një botë ku dielli i shpresës të ndriçojë jetën tonë, ku toka jonë mbetet e shëndetshme dhe ku njerëzit janë të lirë të kërcejnë vallen e lumturisë dhe haresë. Në fund, kënga thërret të ndërtojmë një të ardhme ku shndrit drita e diturisë, paqja dhe liria, duke e parë njeriun si qendër të këtij procesi transformues. Kënga është një hymn për shpresën dhe ndryshimin shoqëror. Ajo i thërret njerëzit të ndërtojnë një botë të pastër, të lirë dhe të ndritshme, ku vlerat e diturisë, paqes dhe unitetit janë udhërrëfyes. Fjalët kyçe si zjarr, ujë, tokë, diell dhe dritë simbolizojnë forcën, pastrimin, identitetin dhe ndriçimin që kërkohet për të arritur këtë realitet ideal. Fillimi i këngës është një moment i qetë, “Në këtë minutë, në këtë çast”, krijon një ndjenjë të prekshme të aktualitetit dhe të rëndësisë së momentit.

 

Refreni “Njerëzit e mirë,/ Njerëzit pa emër” thekson universalitetin e përvojës njerëzore, duke sjellë në fokus të gjithë pa dallim,feje, fisi atë që na bashkon si njerëz, Humanizmin. Imazhi “pas shiut, e ylbertë të duket bota” simbolizon shpresën pas vështirësive, një kthesë pozitive pas stuhisë. “Pa ushtarë, pa jetima” është një ëndërr për një realitet pa dhunë dhe luftë. Gjuha është e përzemërt dhe e fuqishme, duke përdorur figura të ndryshme stilistike si anafora (“Shndrit, Shndrit, Shndrit”) dhe përsëritja e tyre rrisin ndikimin emocional. Fjalët janë të zgjedhura me kujdes për të përcjellë ndjesinë e urgjencës dhe të nevojës për ndryshim dhe shpresë. Përmendja e “Lirinë e fjalës” dhe “shkolla” thekson rëndësinë e edukimit dhe të lirisë,themele kryesore të ndryshimit shoqëror. Vargjet ,teksti i këngës ka një ndikim të madh emocional, ngjall një ndjenjë të fuqishme të shpresës dhe të bashkimit, duke u drejtuar jo vetëm tek ndjesitë individuale por edhe tek ndërgjegjja kolektive. Thirrjet për ndriçim dhe për krijimin e një zemre të pastër janë thirrje për veprim dhe përkushtim, duke i dhënë këngës një dimension të fuqishëm humanitar.

 

Përmbledhje: Kënga “Zjerm “do të mbahet mend dhe vlerësohet për përdorimin e saj të fuqishëm të figurave stilistike, simbolikës dhe gjuhës së përzemërt për të përcjellë mesazhe të thella shpresëdhënëse. Ajo reflekton një dëshirë për liri, paqe dhe mirëqenie shoqërore, duke bërë një thirrje për ndërgjegjësim dhe ndryshim. Nëpërmjet imazheve të fuqishme dhe thirrjeve emocionale, kënga ngjall një ndjenjë të përbashkët të unitetit,të ndryshimit dhe të besimit në një të ardhme më të mirë. Kënga “Zjerm “, është një dëshmi e fuqisë së artit, tekstit letrar dhe muzikës për të ngjallur shpresë dhe për të frymëzuar njerëzimin, duke u bërë një zë i mbështetjes, ndihmës dhe i shpresës në kohë të vështira. Teuta Sadiku

FISNIKËRIA E POETES DHE ETNOGRAFES NGA VLORA: ZAMIRA AGALLIU E KANINËS- Nga Albert HABAZAJ

 

Vizatimi shkrimor për të mirën Zamirë

E kam parasysh orë e çast sentencën e Emanuel Kantit: “Mosmirënjohja është kuitensenca e poshtërisë”, madje e kam të vendosur në kornizë në Bibliotekën vetiake në shtëpi, prandaj them që Mirënjohja është virtyt njerëzor.

Nëpërmjet këtij vizatimi shkrimor të thjeshtë, por të dëlirë për poeten lirike dhe humanisten e kulturës në Vlorë Zamira Agalliu dua të shpreh mirënjohje për nënën Vlorë, që lind e rrit bija të tilla kaq të denja si Zamira. (Në fakt, bëhen 3-4 vjet, që kam hedhur disa shënime kujtese në fletorkën dixhitale të kompjuterit tim për këtë poete). E vërteta është se me Zamirën jam njohur nëpërmjet vjershërimit të saj, librave që kemi shkëmbyer me njeri-tjetrin, si miq të letrave dhe jemi takuar e kemi biseduar me dashamirësi në veprimtari të ndryshme letraro – artistike të shoqërisë sonë në qytet. Fakti që unë kam nisur një punim për letërsinë femërore në Vlorë para ca vjetësh, ku patjetër dhe Zamira ka ndihmesën e saj në këtë detashment me dritë shkrimore na ka bërë që të jemi miqësisht më pranë njëri-tjetrit, si shërbestarë të misionit fisnik nëpërmjet letërsisë për edukimin letrar në rrafshin artistik dhe estetik, në funksion të edukimit qytetar e kulturor të brezave që rrisim dhe edukojmë.

Në shënimet e para për Zamirën kam shkruar disa mendime për librat e saj që më ka dhuruar. Janë 4 vëllime poetike që ajo ka botuar: 1. “Zemëruar me apostujt”, 2013; 2. “Mall i arratisur”, 2017; 3. “Zjarri i erës;111 grimca poetike”, 2018; 5. librin humoristik për fëmijë “Eni Çamaroku”, 2021. Natyra e saj është e tillë, që nuk nxiton, por shënon. Por pak më tej do të shprehem për këtë ndihmesë letrare të poetes sonë, sepse ajo guxon të udhëtojë edhe në fushën e prozës me tregime, pa hequr dorë nga ëndrrat romanore.

Tri lartësi njerëzore

Vërej 3 piketa të vlerave humane të kësaj zonje, që dua t’i pëcjell nëpërmjet jush.

Lartësia e parë. Vitin e kaluar (2024), u botua përmbledhja poetike “Frymëzim mbi dallgë” (antologji) me vargje nga poetët e Vlorës në kuadër të 80- vjetorit të çlirimit të Atdheut, e cila u mirëprit, se qe një punë e mirë, sa e lavdërueshme, aq e mundimshme. Ndër përgatitësit e antologjisë isha dhe unë. Sigurisht që, ndër të tjerët e mundshëm, kisha nisur edhe 3 poezi të Zamirës, përkatësisht ato me titull: “Sot në Vlorë”, “Vlorë” dhe “Atdheu”, të cilat autorja m’i kishte dërguar në kohën e duhur. Kur shfletoj librin, poezitë e Zamirës nuk ishin. Nuk e keni idenë, si u ndjeva. Aq keq, sa që më duket se jam unë fajtori edhe sot e kësaj dite. Kush e kishte fajin?! Ec ta gjeje. Faji ngelej dje jetim, jo sot. E kërkova dhe, kur u takova me Zamirën, më erdhi rëndë dhe i fola pak, më tepër si reflektim sesa për shfajsim, se sa parà vlente sqarimi i hollësishëm. Ajo më pa me vëmendje, me një buzëqeshje të pastër e vezulluese si trëndelinë Kanine dhe si një zonjë fisnike më tha: “S’ka gjë Berti. Ja që ndodhi”… Dy fjalë tha e mua më lehtësoi shumë, fitoi mirënjohjen time të gjithmonshme, por më dha një mësim të madh për ta kërkuar e kontrolluar dërgesën e saktë në vendmbërritje. Ka forma sa të duash. Veç vëmendje dhe jo besim i tepruar. Pa mëdyshje mund të them se ishte në të drejtën e saj morale të turfullonte, por ajo vuri në plan të parë anën njerëzore dhe gjykoi me gjakftohtësi e mençuri.

Rasti i dytë. Gjatë muajit mars kisha nevojë për një vend xhirim të duhur e përfaqësues me grupin tim të zemrës “10 Shqiponjat e Tërbaçit” për realizimin e një filmi dokumentar mbi traditat lirike burimore të trevës së Vlorës dhe Labërisë. Pikërisht në këtë muaj unë u sëmura dhe nuk kisha mundësi për të kërkuar e parë folezën e ngrohtë folklorike. Strehëz m’u bënë dr. Skënder Spahiu (drejtor i Muzeut Etnografik Vlorë) me specialisten e këtij muzeu, poeten dhe muzeologen Zamira Agalliu. Shqiponjat e Tërbaçit u mirëpritën me bujari e si s’ka më mirë në mjediset e Muzeut Etnografik Vlorë, të dielën e 30 Marsit 2025 (gjatë xhirimeve për dokumentarin folklorik dhe etnografik – nga kuarteti i studiuesve të rinj e të pasionuar, idealistë të përkushtuar dhe të devotshëm: holandezi Juri dhe 3 shqiptaro – holandezet Anisa, Enxhi dhe Eva). Shqiponjat gjetën mbështetjen humane të stafit, sidomos të Mirësisë humane me emrin Zamira për realizimin e misionit të tyre fisnik e qytetar me prurjen në kohë dhe të pasuruar brenda truallit e tabanit të traditave më të mira të nënave, gjysheve dhe stërgjysheve tona, patjetër dhe të tyren, se janë të dhjeta gjyshe. Mirënjohje për Skënderin dhe Zamirën nga unë dhe simotrat e saj “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, sepse ajo u bë natyrshëm edhe pjesë e grupit. Për gjithçka realizoi dhe kurorëzoi si një zonjë fisnike e Kaninës, duke u bërë pjesë e Grupit, pikërisht kur ne kishim nevojë. Zamira është edhe një këngëtare polifonike cilësore, që di t’ja marrë këngës, di t’ja hedhë, t’ia kthejë dhe ta mbushë këngën, të bëjë iso. E ka në gjenezë këngën labe të Kaninës, vendlindjes së saj. Babai i saj Vendigjar Hysenaj ka qenë themeltar i grupit të Kaninës në vitet 1960 me Meleq Kapllanin e pak të tjerë. Së bashku me meteorin e këngës labe, të paharruarin Piro Bregaj, vëllai i saj, Fatjon Hysenaj ka qenë dhe sot është marrësi karakteristik i këngës së shtruar dhe të ëmbël kaninjote, një nga kolonat e grupit “Ismail Qemali” të Kaninës.

Lartësia e tretë në katror. Më datën 4 prill 2025, Zamira boton shkrimin “Ninulla polifonike, Shqiponjat e Tërbaçit dhe Albert Habazaj” në gazetën “Telegraf”, të cilin e publikoi dhe në portalet shqiptare brenda vendit si “Albspirit” e “Gazeta Destinacioni” dhe në ato me emër në botë, si “Fjala e lirë”, “VOAL”, “Dielli”, “Zemra shqiptare”, “Dituria”, “Galaktika poetike “ATUNIS” etj. Është një shkrim shumë i bukur për grupin tonë dhe Ninullën e Djalit, aq të veçantë me prurjen polifonike si jehonë e atij gëzimi në familjen tradicionale, një vështrim objektiv shkruar me vërtetësi e dëlirësi nga muzeologia, etnografja, Zamira Agalliu specialiste e Muzeut Etnografik Vlorë dhe poete lirike, që zbukuron letërsinë femërore të Vlorës dhe të vendit tonë. Është një shkrim impresionues, emancipues dhe motivues për mua dhe grupin folklorik të zemrës sime “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, sidomos për vështrimin e thukët për Ninullën polifonike për Djalin që i nanurit e këndon gjyshja dhe gëzimtaret e familjes i japin jehonë këtij sihariqin të madh tradicional.

Ndërsa më datën 22 prill publikon një shkrim tjetër më të plotësuar deri në imtësitë e nevojshme me titullin “Shqiponjat e Tërbaçit” tek “Fjala e Lirë” në Londër. U ndjeva aq mirë, saqë m’u duk se po shërohesha më shpejt. Ç’befasi e mrekullueshme në portalin e madh shqiptaro-londinez “Fjala e Lirë”! Zamira shfaqet ashtu siç është: një zonjë e nderuar, qytetare, poete, studiuese, muzeologe, etnografe, që misionin e saj krijues dhe profesional e realizon me shumë dashuri humane. Edhe njëherë e falënderoj këtë autore me diell në sy, në shpirt, në fjalë e veprim, me dashamirësinë më të dëlirë në emrin tim dhe të Shqiponjave të Tërbaçit për gatishmërinë, devotshmërinë dhe artin e shpirtit të bukur.

Se e kam parasysh orë e çast sentencën e Emanuel Kantit: “Mosmirënjohja është kuitensenca e poshtërisë”, them që Mirënjohja është virtyt njerëzor. Me shpirt e dashamirësi përsëri them: Mirënjohje mikpritëse, Zonjë e Rëndë e Shtëpisë së Madhe për Miq të Mirë! (Se…, kur je mirë të kanë të gjithë mik, kur je në “hall” rrallohen deri në mosdukje).

Jetëshkrimi letrar dhe poezia e Zamirës. E lindur më 29 dhjetor 1969, cicërimat e para të vargëzimit të Zamirës janë dëgjuar qysh kur ishte nxënëse e shkollës “Rrapo Hasimi” Kaninë, në vendlindjen e saj. Vjershat e para ka filluar t’i shkruaj qysh në moshën 12 vjeçare. Vargu i Zamirës buron nga kënga. E kush është ai poet që piu ujë të kulluar në gurrën popullore dhe nuk pati jetëgjatësi në kujtesën e lexuesve dhe artdashësve?! Edhe poezia e Zamirës ka rrënjë të shëndetshme në gurrën popullore të trevës së saj, të të parëve të saj nga Hysenajt e Kaninës përmbi Vlorë, familjarë korrektë e atdhetarë, dashamirës të kulturës dhe arsimit. Zamira Hysenaj Agalliu është një poete lirike e motivuar, e cila njihet jo vetëm nga bota letrare e Shqipërisë, por ajo njihet edhe nga bota letrare e simotrës Kosovë. Profili i saj plotësohet edhe me shkrime të mira në publicistikë dhe eseistikë. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në Kaninë. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Fakulteti i Shkencave Humane, Master për mësuesi, licensuar me vlerësim të lartë nga Ministria e Arsimit. Zamira punon dhe jeton në Vlorë. Kontributin letrar e vazhdon hijshëm, pa bujë, me dinjitet letrar, me kërkesa serioze ndaj shkrimit. Poezia është ditari i jetës së saj.

Është vlerësuar me çmime në konkurse si dhe poezitë e saj janë bërë pjesë e disa antologjive të ndryshme. Poezia e saj “Të iki apo të vij” mori pjesë në Festivalin e Këngës për Fëmijë, 2023 në sajë të muzikës së kompozitorit të njohur Elvis Peçi. Pret dritën e botimit libri për fëmijë “Dy vëllezërit e adoptuar”.
Zamira është poete e fjalës së lirë sa që shpesh herë na duket si një zog i lirë që fluturon hapësirave për tek të bukurit yje me fjalën e saj të bukur: “Fjeta me yjet, o i dashuri im sonte/ Po ti jo! Aspak mos u bëj xheloz!/ Zhvesha këmishën e errësirës së qiellit/ Mes reve të bardha nisa të vallëzoj e loz”. Ajo është një grimcë e ndritshme në Galaktikën e Dashurisë, me mesazhe drite të dashurisë për njeriun, për jetën, për librin, për Atdheun, për qytetarinë. Veçori e saj është se shkruan shkurt, shpesh herë tepër shkurt; shkruan pastër, me gjuhë të ngrohtë, me figura letrare të befta, të kuptueshme e që mbahen mend: “Fjala e lirë/ ecte lakuriq/ në këmbë/ elegante/ hijerëndë/ e mirë/ e bukur/ e dëlirë./ Shkuan të lënduarit/ i hodhën peshqirë”. Ajo e ka njohur mirë mërgimin (në Itali) dhe ky fakt ka ndikuar më shumë tek autorja, që si poete e ndjenjës dhe e filozofisë së jetës ta shikojë realitetin në sy dhe motivet shoqërore janë fjala e autores e ngritur në art, është vetë përditsmëria shqiptare, ndaj dhe vjershat me tema sociale apo sociopsikologjike të jenë më të mirëpriturat nga lexuesi i kohës. Ajo shfaqet siç është dhe në krijimtari, poete e imazhit filozofik dhe e moralit të shëndetshëm qytetar.

Poetja Zamira Hysenaj Agalliu ka një stil dhe figurshmëri të qëndrueshme, apo stabile, siç e vlerëson shkrimtari kosovar Murteza Osdautaj. Makrostrukturat e tekstit të përpunuara në atë mënyrë që poezinë e kësaj poeteje e bëjnë të funksionojë lirshëm, me harmoni dhe ritëm tejet të veçantë dhe të arrirë. Vargu i saj ka një stil të kujdesshëm e me një fjalor të përzgjedhur, me një diskurs autorial të dallueshëm dhe me një angazhim të veçantë filozofik. Poezia e Zamira Hysenaj Agalliu qëndron mbi katër shtylla themelore tematike dhe stilistike: Dashuria njerëzore qaset në shumëdimensionalitetin e kësaj ndjenje shpirtërore dhe psikologjike të njeriut “heroit lirik”. Atdheu është aspekti tjetër ku Zamira si rrallëkush ka arritur që të krijojë disa krijime poetike të bukura dhe moderne vështruar nga mënyra e këndvështrimit të saj poetik e atdhedashës. Në librat e kësaj krijuese gjejmë një mjeshtëri artistike të admirueshme, një pjekuri shkrimore që vihet re posa ta fillosh leximin, me një sistem simbolesh dhe makrostrukturash, të cilat shënojnë pikën kulminante në pjekurinë artistike të autores. Ndër poezitë më të spikatura të autores mund të veçojmë ato me titull “Ëndrra”, “Libri”, “Atdheu”, “Nën shi”, “Po kthehen dallëndyshet”, “Kënga e bardhë (Babait)” etj., ku ndjenjat njerëzore harmonike dhe përjetësisht të pandara nga njëra-tjetra: dashuria me dhembjen ngrihen me fjalë shpirti e dritëzim artistik në lartësi të dukshme poetike, larg patetizmit të mërzitshëm, figurave bombastike të madhërishme, që të pickojnë si pickonja (mbesa ime evogël, Amaris pickonja u thotë mushkonjave)…

Zamira më ka futur në “sherr” me mbesat…

Ai poet që pëlqehet nga fëmijët është më fatlumi. Nuk kam përse të kërkoj në sëndukun e fjalëve të zgjedhura për Zamirën, sepse mjafton të rrëfej shkurt ç’më ngjau me mbesat. Këto dy muaj që isha në shtëpi (mars – prill), të katër librat e Zamirës i vura tek tavolina e punës para kompjuterit në bibliotekën time. Ngaqë i kam shpirt, më bëjnë shpesh vizita dy mbesat e mia aq të mira që i dua sa bota! Perla, mbesa ime e madhe (në klasë të tretë) e pëlqeu shumë librin “Eni Çamarroku” me humoristika aq të këndshme, ëmbëlsuar shijshëm me alegori, krahasime, metafora, hiperbota e litota, sikur të ishin një shportë me luleshtrydhe të freskta të kopshtit të shtëpisë. Perla ma kërkoi librin. Ia dhashë menjëherë dhe ajo e lexoi vetë. Dhe u kënaq. E vogla, Ami çamarokja, vetëm 3 vjeçe, që rrinte në prehërin tim si milingonë, më kërkoi që t’ja lexoja. “Këndomi le mua Eni çamalokun” – këmbëngulte me besim te “xhushi”. Dhe unë ia lexova me dëshirë dhe intonacion, për ta bërë më zbavitës dhe tërheqës. Mbaroi shpejt, se aq është – libër xhepi. Libri është ndërtuar shumë bukur dhe në formë, në përshtatje të natyrës së fëmijëve të vegjël. Në fakt ëdo lexues mbund ta mbajë fare bukur në xhepin e xhaketës apo në çantën e vogël. Po sa qeshte Ami kur ia lexoja, sidomos kur i këndova (se ashtu thotë ajo) këto 4 vjershëza vogëlushe, që vijnë herë si sheqerka për të qeshur apo akullore që të shkrijnë në gojë, herë si fjalë të urta të mprehta, me thumb kurues e moral fabule në tekst: 1. “Kaposhi: Oh, ndihem kaq i lodhur sot!/ Pula: I gjori, po të bëj shpejt/ Një vezë!…”, 2. “Mësuesja: – Eni, çfarë gjëra të bukura/ Pe në Venedik?/ – Shtëpi që bënin banjë/ mësuese…”, 3. “- Këtë herë nuk po të/ vendos gjobë /- i thotë polici mësueses/ së tij që nuk ka respektuar/ semaforin./ Duhet të shkruash 100/ herë në fletore: “Nuk kalohet me të kuqe”…, 4. “Një automobilist nuk ka/ Lexuar kartelën:/ – “Lejohet kalimi vetëm në/ Ditët e festave”/. Kur e ndalon polici, ai i/ Përgjigjet:/ Sot është festa e ditëlindjes sime zotni polic!…” etj.

Deri këtu jemi shumë mirë, por pas këtij çasti Zamira më ke hapur punë se librin me arush, pra “Eni Çamarrokun” e donte dhe Ami, motra e vogël e Perlës…e donte dhe ma mori. Pa të drejtë kthimi! “Është imi. E ka shkruar për mua teta Zamira – i thotë kompetente motrës së saj dhe se lëshon nga dora, se aq është sa ai libërth simpatik. Po ç’më bëre, moj Zamira Agalliu! Zamira më ka futur në “sherr” me mbesat…

Hë pra, a nuk është i lumtur ai poet/ poete që një vogëlushe apo vogëlush i thotë me entuziazëm të padjallëzuar dhe të drejtpërdrejtë fëminor: “Është imi!” Dhe e shtërngon fort në gjoksin e tij të njomë e të vockë sa të dallëndyshes…
***
Në studimin që kam mbi Letërsinë femërore në Vlorë, patjetër që janë shkruar disa mbresa më shumë për mirësitë e bukura letrare dhe njerëzore që shkruan, jeton, tregon e vepron me devotshmërinë e saj bujare autorja Zamire Agalliu, kjo fisnike e sotme e Kaninës dhe Vlorës, që e ka ndërtuar profiln e saj letrar e kulturor dhe vijon udhëtimin drejt mjeshtërsisë artistike.

Ujë i Ftohtë, Vlorë, e mërkurë, 14 Maj 2025

FAIK KONICA I SHQIPËRISË EUROATLANTIKE, TË CILIN STUDIUESI FOTAQ ANDREA SËRISH NA E VË PËRBALLË… Nga Visar Zhiti

Një Antologji tjetër Koniciane, e madhe dhe tërheqëse si një risi, me vlera dhe rëndësi të veçantë, “Për një Shqipëri Europiane”, e përgatitur me kulturë nga studiuesi i mirënjohur, Fotaq Andrea, që nuk ka shumë kohë që më ka ardhur, por gëzimi dhe i këtij botimi është i tillë që nuk ikën, sa herë e merr ndër duar dhe e shfleton. Leximi i tij është një pasurim i mëtejshëm i historisë kombëtare dhe i estetikës së saj.
Rreth 900 faqe libër nga “Botimet Jozef”, me mbështetjen e Federatës PanShqiorare “Vatra”, ku duket sikur ringjallet ajo traditë që nisi me themeluesit e saj korifej, Imzot Fan Noli dhe vetë i gjithëdituri Faik Konica.
Antologjia “Faik Konica Për një Shqipëri Europiane” përveç fjalës hyrëse të autorit Fotaq Andrea si qëmtues, përkthyes dhe përmbledhës i Veprës, ka dhe një parathënie të thukët nga Prof. Dr. Thanas Gjika, ku theksohet e mira e kësaj “pune madhore”, që, sipas tij, “deri sot ky kolos i mendimit shqiptar nuk është vleresuar sa e si duhet…”.
Konica duket se është i pa shterrshëm në dije dhe shqetësime, në kumte e befasi dhe gjithmonë shfaq faqendriçime ndryshe, me bukuri rilindase…
Nëse veprimtarët e tjerë së bashku bënë Doktrinën e Rilindjes Kombëtare, Faik Konica vetëm bëri Kritikën e saj.
Krerët e librit me rendin e artikujve të Konicës, me përkthime dhe nga origjinali frengjishtja, edhe me shqipen e tyre shenbullore, ku butësia përzjehet dhe me ashpërsinë, njëherësh dhe delikatesa dhe solemniteti, ironia, humori dhe dëshpërimi, por dhe udhërrëfim dhe shpresa rinore etj, duken sikur janë shfletim i vetë kohës, jo vetëm asaj koniciane, por dhe postkoniciane, e tashmja jonë dhe e ardhmja e Shqipërisë.
Dhe të mendosh që në gjysmëshekullin e sundimit të Realizmit Socialist krijimtaria e Konicës u përjashtua dëmshëm dhe emri i tij u la në harresë, kujtohej vetëm për t’u sharë, këtë të drejtë ia jepte vetes me shumicë diktatori Enver Hoxha dhe atyre që përzgjidhte ai dhe që sakatuan letrat shqipe dhe mendimin rilindas shqiptar.
Por kjo s’mund të vazhdonte përgjithmonë, ishte e panatyrshme.
Konica është dhe natyrë e shqiptarit, karakteri qytetar i buçimës së kulturës perëndimore në të, më europiani.
Thënë shkollarisht, dashuria për Shqipërinë, rimëkëmbja e saj shpirtërisht, si komb, popull e shtet, patjeter me kulturë europiane, e bëri Konicën prijëtar moral, e bashkoi me patriotët, me gjithë prapësitë dhe ndasitë e sherrnajën, etj.
Pikërisht kjo vepër më e re nga Fotaq Andrea këtë shpalos, një Faik Konicë që duhet, aktual, por dhe si kundërvënie e kurrupsionit moral, ku duket se dashuria për atdhe, që bashkonte, ndjehet si arkaike, ka sjellë një si përçarje, se janë bërë më të rëndësishme ideologjitë, nostalgjia kriptoenveriste, politika e ditës dhe pasurimi jo i Shqipërisë, por i vetes.
Konica me shokët e tij të lartë pasuruan Shqipërinë shpirtërore.
Nuk mund të rrija pa përgëzuar autorin, studiuesin skrupuloz dhe pasionant Fotaq Andrea,
Më erdhi Antologjia, – i shkruaja, pati mirësinë dhe ma dërgoi z. Thanas Gjika, – vepër dinjitoze dhe e duhur për të gjithë shqiptarët e sidomos për ata që janë larg atdheut, ka dritën e një Yll Polar që i priu ëndrrës, dëshirës, ndjesive, na tregon një rrugë të madhe, një përpjekje, estetikën e saj dhe shijen e bukur të gjuhës amë. Tani falë Jush! Është dije dhe mbetet frymëzim. Duke e patur Librin dhe me autografin Tuaj, ai bëhet edhe më i çmuar për mua.
Me mirënjohje për punën Tuaj të madhe dhe miresinë, duke ju uruar sërish më të mirën,
me besë! – siç thoshin rilindasit.
Vërtet e çmoj shumë këtë “marrëdhënie ndërlibrore”, – po e quaj tani, përhapjen e librit tonë midis nesh nëpër botë.
Ndërkaq në përgjigjen e tij z. Fotaq Andrea ndër të tjera shkruante se “Konica i madh shkëlqen me fjalën e tij në atë vepër dhe shumë pak kemi bērë për të. Është i paarritshem, i pakapshëm, i gjithëgjendur në tërë fushat e albanologisë e të shoqërisë”.
Po edhe shkëmbimi i letrave, mesazheve, ideve, mendimeve dhe shqetësimeve, edhe me ata që nuk je takuar ndonjëherë, vazhdon një traditë të vyer, sot e lehtësuar mrekullisht nga teknologjitë moderne, kur tani në kohë reale krijon opinione dhe i shkëmben ato, përcjell punë e bashkëpunim, mirëkuptim dhe veçime, etj, ndërkaq bëhet dhe më e qartë, mendoj, vepra madhështore e të parëvé tanë, përpjekjet e tyre parake dhe legjendare për dije dhe dritësim.
“Biblioteka lëvizëse” – siç e ka quajtur Konicën shkrimtari francez Guillaume Apollinaire, – rivjen në kohën tonë kudo ku ka bashkëkombas, falë dhe atyre konicianëve të shquar si Fotaq Andrea, duke përhapur shpirtin rilindas me frymën perëndimore duke na bashkuar gjithnje e më shumë me kulturën moderne euroatlantike, duke bërë realitet ëndrrën, por dhe përkatësinë…

Një ese e PIRRO LOLIT- Nga Përparim Hysi

“Duumvirati i një stine që shkoi”
(ese)

PIRRO LOLI është,njëherësh,shkrimtar, eseist dhe poet. Në të tria fushat e krijimtarisë, pa menduar se e”përkëdhel”,është i një”sëre” të lartë, Është autor i 20-librave dhe kushdo që ka lexuar nga PIRRO LOLI,jo vetëm ka mbetur i kënaqur,por dhe është befasuar. Jo vetëm i gjerë,por dhe i thellë. Këto arritje të tij janë fryt i një studimi të thellë apo më saktë:”Ai ka pirë ujë në burimin e dijeve dhe nuk ka bërë gargar”. Poezinë e ka moderne dhe unë e kam pak “inat”,se nuk shkruan me rimë. Për PIRRO LOLIN si krjues cilësor shumë planesh kanë shkruar me vlerësime super shumë shkrimtarë dhe eseistë,si: MOIKOM ZEQO,ZIMO KRRUTAJ,THANAS MEDI; SPIRO DEDE,SHPËTIM KELMENDI;FARRUK MYRTO,ZIKO KAPURANI dhe lista është e gjatë.
*
Pse po qëndroj tek kjo ese? Së pari, mund të them se një esesit si PIRRO LOLI,i zbritur në fushën e “eseve”,distilon pika urtësie dhe i shpërndan o në gazeta,ose siç ka bërë tek libri”Demonët e krijimit”. Nga ky libër,kam veçuar esenë e spërmendur. Dua të them për lexuesit që nuk e njohin cilësinë e shkrimeve të PIRRO LOLIT,se qoftë në prozë,qoftë në poezi a ca më shumë tek “esetë” nuk para është i tretshëm për çdo “stomak lexuesish”. Sidoqoftë, në tërë gamën e krijmeve të tij,përcjell mesazhin e madh:”Shkrimtari ka një vend të vetin në epokën,kur jeton.Asnjëherë nuk duhet të heshtë apo të bëj sikur ç’ndodh,nuk është problemi im apo nuk ka ç’më duhet”. Poeti Amerikan,DAN FANTE,ka shkruar:”Të heshtësh,bën akt terrorist!”. ZHAN POL SARTËR,në kohën e vetë,kritikonte FLAUBERIN dhe EDMOND GONKURIN që nuk shkruan qoftë dhe një fjalë për represionin që pasoi KOMUNËN”.Kur i kundërvu dikushv se nuk qe”punë për ta”,ai përqasi EMIL ZOLA për “Çështjen Drejtfus”. Nëse PIRRO LOLI shkroi këtë ese kaq të guximshme kundër”Dyshes së madhe të Realizmit Socialist”, më duket sikur ka bërë për vete,një thënie të HYGOIT” Asgjë nuk është më e rëndësishme dhe më e fuqishme se sa një ide për të cilët janë pjekur kohët dhe kushtet”.
“Duumvirati i një stine që shkoi” është një ese,në qendër të së cilës,”lakohen” KADARE dhe AGOLLI. Është i pari në fushën e letrave shqipe që me një gjykim të kthiellët vë pikat mbi i. Kur lexoj esenë,PIRRO LOLI, ka një penë vetëtimë. Vetëtima qëllon lartësitë. Duke i bërë objekt të esesë së tij,sikur shtron pyetjen:-Ku ishit ju,ADAMËR,kur bash nga LIDHJA E Shkrtarëve dhe ARTISTËVE, kishte”shurdhim”,ndonjëherë mbështetje,kur burgoseshin,internoheshin,ca më keq:pushkatoheshin si XHAGJIKA,GENC LEKA,VILSON BLLOSHMI apo ca më keq fae: varej POETI HAVZI NELA. Jini fajtorë se me shkrimet tuaja i thurët”oborrin “Tiranit. I kthehem dhe stërkthehem kësa eseje, dhe them se me PIRRO LOLIN ka ndodhur ajo që ka thënë DIANA,PRNCESHA E UELLSIT:”Unë nuk ndjek rrregulloren. Unë drejtohem nga zemra,jo nga koka”. Nga zemra oqean e PIRROS ka dalë kjo ese. Është i pari dhe i vetmi. Ai,përmjet esesë,nuk kërkon as dënim dhe as “linçim” për “Dyshen” e madhe,por duke goditur vjen tek një përggjithësim i madh:”Fajtorë që diktatura zgjati një shekull,të gjithë kemi faj nga pak.
Kur lexoj”Demonët e krijmit” të PIRRO LOLIT,nuk kam si mos pranëvë,atë që ka thënë EZRA POUND:”Disa libra përbëjnë një thesar në themel:duke i lexuat vetëm një herë,të mbetën në mendje për tërë jetën”. Pse është i tillë libri i PIRRO LOLIT më rri në kujtesë e relaksohem me guximin e tij i ntelektual. VIKTOR HYGO thotë:”Letërsia prodhon qytetari e guxim;poezia prodhon idealsitë”.Këto atribute i ka PIRRO LOLI dhe ngaqë është i pari,ai sikur ka bërë të vetën,atë që ka thënë RALF WALDO EMERSON:” Mos shko aty ku është shtegu,por shko hap shtegun dhe lërë gjurmë”. Dhe gjurma e tij është aq e madhe.
PIRRO LOLI! E di pse po shkruaj për ty? SE kemi vjete pa u parë. Sikur ti nuk je në TIRANË,por në MADAGASKAR!!! Por fajin na e ka mosha që unë,më mirë mos qofsha! Dhe për një arsye tjetër,PIRRO:”Vuaj nga “sidroma” e ALFRED DE MUSE që ka shkruar:” Sikur mos më pengonte kurioziteti se ç’do ndodh nesër,kushedi sa herë do kisha vrarë veten!!!
Shëndet e të shkroftë pena PIRRO LOLI!
Tiranë,12 prill 2025

LAURETA REXHA, NJË POETE QË ZBËRTHEN KOMPLEKSET E JETËS NË DIMENSIONE TË NDRYSHME- Nga TAHIR BEZHANI

Libri “Verë me diell të djegur” një kambanë paralajmëruese në cilësinë e vargut poetik.

Laureta Rexha :“ Verë me diell të djegur,” poezi, 2024, botoi ”Logos. A” Shkup.

Para disa ditësh autorja me dhuroi librin “Verë me diell të djegur” me dedikim, të cilin e pranova me kënaqësi dhe dëshirë për lexim. Këto ditë, sipas një “rregulli” të leximit me radhë të librave të miqve dhe mikeshave, krijues-e të artit poetik, lexova librin me një kënaqësi të veçantë, me që përafërsisht, njihja talentin e kësaj poeteje të re e me entuziazëm prej krijueseje me talent të spikatur.

Shkrimtari i madh Kolen thotë: “Njeriu përbëhet nga gjërat që kanë kaluar, para se të arrijë aty”. Në këtë kuptim, dua të them se e njihja që moti familjen e poetes, prindërit intelektualë, gjyshi ishte një gojëtar me autoritet odash, i fjalës së mirëfilltë, me brumin e traditës dhe edukatës familjare. Prandaj, edhe kjo bimë nga trungu i traditës sonë kombëtare, do mbetet një vazhdimësi me të gjitha mirësitë trashëguese e respekt, jo vetëm në Rekën e Keqe, por në mbarë vendin.

Kush është Laureta Rexha?!

E lindur me 1993 në fshatin Dobrosh të Gjakovës, e brumosur me dije universitare, ka mbaruar Bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e “Hasan Prishtina” ,dega në Gjakovë, ku ka vazhduar me Master në letërsi Angleze . Merret me përkthim të poezive dhe hulumtimeve të ndryshme letrare e shkencore. Autore e katër veprave letrare me poezi.

Libri poetik “Verë me diell të djegur,” botuar në vitin e kaluar, është një libër poetik me vlera të veçanta, ku vargjet e poetes të drejtojnë në shumësinë e këndvështrimeve jetësore. Nga ku jeta ka burimin në rrjedhat e normale, pastaj teksa degëzohen përplasjet e valëve të jetës, në shtratin me shumë dredha e me sakrifica për ekzistencë

Intuita e poetes depërton deri në thellësi shpirti, atje ku syri shikon thellësitë dhe zemra dëgjon dhimbjet, duke gjurmuar e shijuar gjithë koloritin e jetës, atë plazmë dedikuese ku përplasen emocionet e brendshme njerëzore, për të mësuar e kalitur strategjinë e një rrugëtimi me plot sfida.

Laureta Rexha, autorja e librit “Verë me diell të djegur”

Autorja e librit, Laureta Rexha që në poezinë e parë, ”Rrethimi”, plas cipën e durimit mbërthyer me vargje alternative, mes dashurisë për vendin, ”ku me lule jam rrethuar” dhe pakënaqësisë së ecurive jetësore, ”nën këmishë të gjatë, të zezë/vetja ime ka zënë vend thellë diku në mua,” dhe guximit për të arritur atje ku synon imagjinata e saj, në emancipimin e kuptimplotë të femrës shqiptare si domosdoshmëri kohe.

Prandaj e mbyll mendimin me vargjet “ Dhe në një udhëtim të shkurtër/ Një premtim shumë kohë më parë asaj ja pata dhënë/Prandaj vetja ime asnjëherë nuk më ka lënë!”

Guximi, durimi e vetëdija janë tipare që mbartin kohën në vargjet e poetes Laureta Rexha. Këtë qëndrim autorja e mban edhe në poezinë “Aromë Lulesh”, duke u përpjekur që ta korrigjojë veten në rrugëtimin e saj, shkruan: ”Kalimi nëpër stinë të jetës/athua më kishte pjekur a venitur!..”

Një tjetër poezi nga libri “Vargje me diell të djegur,” ku poetja i rikthehet të kaluarës së saj me nostalgji , plot krenari për arritjen në dyert e dijes universitare, në atë metropol të universit të dijes . Këtë emocion nostalgjik e lexojmë në poezinë mjaft të ndjeshme, ”Vajza me xhaketë të kuqe ”,ku pos tjerash vargëzon:
“ Do të jam prapë ajo/vajza me xhaketë të kuqe/që vrapon stacionesh/që ëndërron për jetën/ajo vajzë nuk ka frikë për asgjë.”

Padyshim, një guxim dhe vetëbesim në vetveten, për femrën shqiptare, për kohën e re dhe emancipimin e gjinisë femërore në vendin tonë. Një guxim në ecje përpara si shoqëri njerëzore, për t’u futur në rrjedhat e botës përparimtare .

E ngjashme, akoma më brilante është poezia “Këto vajza” përmes së cilës nxjerr krahasimet kohore dikur dhe sot, kur emancipimi i femrës ka arritur kulmin e përparimit njerëzorë.
“Toka ime,” një poezi e denjë ku vargjet rrjedhin spontanisht si një “betim” imanent ndaj vendit, ndaj atdheut posaçërisht në vargjet e fundit:
” Do të shkruaj në tokën time/Në atë vetëdije/Derisa me Tokë të bëhem një”.

Përcaktimi i saj ideor për atdheun e kombin, ka vlerën e padiskutueshme për autoren Laureta Rexha, është çelësi i çdo lëvizje hapësinore, gjë që poeten dhe poezitë e saj e bëjnë të qëndrueshme e të respektuar.

Duke hedhur mendimin vështrues në gjitha poezitë e librit “Verë me diell të djegur” të autores Laureta Rexha, nuk mund të kalohet pa dhënë mendimin personal mbi përcaktimet filozofike të ngjeshura brenda botësisë personale të autores; ose çfarë i paraprin asaj në synimet e saja jetësore.

Megjithëse autorja është në hapat e parë të krijimtarisë poetiko-letrare e kjo nuk do të thotë se nuk do ndryshojë qëndrimet, vlerësimet mbi jetën e tjera gjëra që imponohen me kohën, dua të cek se në këtë libër, por edhe në dy të mëparshmet, temë bosht e qëndrimit e drejtimit të filozofisë jetësore është besimi në Zot. Qëndrimi ndaj shpirtit dhe qëndrimi ndaj materies janë tema të filozofisë së kahershme dhe e drejtë e secilit njeri në rruzullin tokësor.

Në poezinë mjaft përmbajtësore, “Përse nuk e kam të vështirë të jem e fortë,” poetja shpreh gjithë egon e saj ndaj botës që e rrethon nga brenda e jashtë vetes. Vetëm tek ai besim autorja gjen çerdhen e qetësisë se saj shpirtërore. Sa e qetë ndihet shpirtërisht me vargjet e saja kur shkruan:
” Jam mësuar me qetësinë/ Me paqen brenda vetës/ Dhe me një mbretëri shpirtërore/ Që ngritët e forcohet vazhdimisht /Nuk ka qenë çdoherë kështu/ Që stinët që ndryshojnë/ dalëngadalë u bëra gur? As dhimbja shumë nuk më dhemb /Nga ajo ditë /Të jem e fortë nuk e kam problem”.

Mendoj se një portretizim ndaj besimit në Zot paraqet atë plebishitin personal se çeshtja e materies është shpenzuese, ndërsa aspekti shpirtëror si i pavdekshëm.Në këtë prizëm i kuptoj dhe vlerësoj disa poezi të autores nga libri në fjalë.

Libri poetik “Verë me diell të djegur” i autores Laureta Rexha, ka vlerat e padiskutueshme në çdo aspekt letrar, duke u nisur nga gjuha, stili, komponimi i vargnimit, stili si individualiteti përcaktues e autorial e shumë elemente tjera të qëndrueshme. Pra, ky libër është edhe një pasuri në sfondin poetik të poezisë shqipe, një pasuri në bibliotekat tona.

Gjakovë,7prill,2024

Një libër i shkruar në gjermanishten e vjetër më 1774 mbi gjuhën shqipe dhe vllehët (trakët)

Një libër i shkruar në gjermanishten e vjetër në vitin 1774 mbi gjuhën shqipe dhe vllehët (trakët), sjellë në shqip nga Albert dhe Frida Gjoka, i shoqëruar me një vështrim kritik nga Prof. Perparim Kabo. Një nismë personale në një kohë kur shteti ka braktisur shkencën shqiptare. Një vlerësim i lartë për Prof. Kabo, Albertin, Friden dhe për njerëzit e dijes që, me pasion dhe përkushtim, sjellin në atdhe libra që hedhin dritë mbi historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Një reflektim i thellë mbi rëndësinë jetike të investimit në shkencën shqiptare, dhe elitat shkencore të standardeve evropiane!

(Video-Foto)Një mbrëmje gala me yjet shqiptarë duke festuar ditëlindjen e fotografit të shquar Fadil Berisha

Të gjithë yjet shqiptarë me famë kombëtare dhe ndërkombëtare janë fokusuar përpara kamerës të mjeshtrit të famshëm Fadil Berisha, të cilit yjet shqiptare ia kremtuan ditëlindjen me një spektakël të formatit të shkëlqyer.

Në Cipriani 25 Broadway ambient i jashtëzakonshëm në zemër të Distriktit Financiar të qytetit të Nju Jorkut u organizua një mbrëmje e paharrueshme ku morëm pjesë ikona të kulturës shqiptare me aktivitet në Shqipërinë londineze dhe jashtë saj.

Gëzuar ditëlindjen Fadil!” shkruan artisti Raif Hyseni në rrjetin social duke iu drejtuar të famshmit Fadil Berisha. “ Mbrëmë në Cipriani patëm nderin e jashtëzakonshëm të festonim ditëlindjen e një prej fotografëve më të mirë në botë dhe mikut tonë shumë të dashur, Fadil Berisha. Mbrëmja ishte e hatashme e zbukuruar nga prania e të ftuarve të nderuar, përfshirë yllin e Hollivudit, Eliza Dushku. Për të nderuar trashëgiminë e jashtëzakonshme të Fadilit, ne performuam një përzgjedhje këngësh, duke i dhënë një prekje muzikore një nate të paharrueshme artistike dhe festimi.”

Në koncert mori pjesë edhe këngëtarja Parashqevi Simaku.

Midis Artistëve të ftuar ishin emrat e shquar si Inva Mula, David Tukiçi, Genc Tukiçi, Merita Halili, Olen Cezari e të tjerë.

Mjeshtrit të shquar Fadil Berisha ia uroi ditën e lindjes edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

NINULLA POLIFONIKE, SHQIPONJAT E TËRBAÇIT DHE ALBERT HABAZAJ- Nga Zamira Hyseni AGALLIU, Specialiste e Muzeut Muzeut Etnografik Vlorë

 

Shqiponjat e Tërbaçit në Odën e Grave të Muzeun Etnografik

Shqiponjat e Tërbaçit u mirëpritën me bujari në mjediset e Muzeut Etnografik Vlorë, të dielën e 30 Marsit 2025 (gjatë xhirimeve për një dokumentar folklorik dhe etnografik – nga kuarteti i studiuesve të rinj e të pasionuar, idealistë të përkushtuar dhe të devotshëm: holandezi Juri dhe 3 shqiptaro – holandezet Anisa, Enxhi dhe Eva). Shqiponjat gjetën mbështetjen humane të stafit për realizimin e misionit të tyre fisnik e qytetar me prurjen në kohë dhe të pasuruar brenda truallit e tabanit të traditave më të mira të nënave, gjysheve dhe stërgjysheve tona, patjetër dhe të tyren, se janë të gjitha gjyshe. Ato interpretuan, në fakt rilindën Traditën e Madhe me Ninullën e Djalit, gëzuar e kënduar në grup aq bukur, siç dinë gjyshet, aq më tepër gjyshe si Shqiponjat e Tërbaçit, këto heroina të heshtura të jetës e dinjitetit familjar e kulturor. Ato përkundin vërtet nipërit e tyre, domosdo, janë gjyshe të gjitha. Atyre nuk u shkojnë vargjet patetike, nuk i ngrenë dot ato që s’i mban e s’i rrit vendi, se s’janë për to. Shqiponjat e Tërbaçit, si çdo gjyshe, gurgugullojnë me vargje të thjeshta, që u burojnë nga shpirti : “Qumësht blete, mjaltë zgjoi”, thurur me aq ndjenjë e art origjinal nga vëllai dhe drejtuesi i tyre, Alberti. Gjyshja tund djepin e djalit, i nanurit e i këndon ninullë e në këtë gëzim të madh kanë ardhur halla, tezja, kunatat, motrat… Dhe e vogla e shtëpisë. Halla vjen me yshmer, që të rritet i shëndetshëm djali e të ketë bollëk dera. Tezja vjen me asude (ëmbëlsirë tradicionale e Tërbaçit dhe e Labërisë së Vlorës) që nëna e djalit të ketë qumësht e ta ketë jetën të ëmbël bashkë me bebushin që po rrit me aq dashuri. Ne u gëzuam që na erdhën Shqiponjat e Tërbaçit, se ato nuk erdhën për vete por për të përmbushur një detyrë shpirtërore të lartë, si fisnike nga dyer bujare që janë. Dhe ne me përkushtim e dashuri, u përgatitëm Odën e Grave ku do të realizonin Ninullën Polifonike të Djalit, ku gjyshe Shpresa tek tund djepin e tjerr shtëllungën, këndon me zë shpirti aq ëmbël, me ato ngjyra të ngrohta zëri e shprehjesh të fytyrës e trupit, me timbër të qartë e të kulluar, me atë zë të pastër e tingëllues, që na emocionues, sikur tund djepin e nipit tonë… Po ato motrat aq të urta e shembullore; Shqiponjat Lado, Mira, Mejo, Flutura, Bejushja e Neta (me to u bashkova dhe unë nga kënaqësia dhe detyrimi moral) Po erineda e vogël 5 vjeçe, mbesa e Shqiponjës Mira, që vinte rrotull si n jë flutur e bukur, si një ëmbëll fatprurës me atë buzagazin e saj aq të freskët si gonxhe trëndafili. Edhe Liria e Gjena, edhe Havaja, që mungonin për arsye objektive të forta ishin aty e Zoti qoftë me to për t’i ndihmuar e t’i rikthehen “10 Shqiponave të Tërbaçit” – këtij Grupi me Diell!

Suksese pafund 10 Shqiponjave të Tërbaçit!

Një kontribut i vyer i këtyre Zonjave në Trashëgiminë Kulturore të këngëve e valleve të krahinës së tyre!

Ishte kënaqësi për mua të prisja këtë grup të Grave të talentuara, të cilat mbajnë gjallë traditat, këngët, ninullat dhe vallet e të parëve tanë.

Duke parë nga afër sakrificat e tyre, si qepja e kostumeve popullore dhe stolitë deri në detaje, këpucët me xhufka, shamitë me (uja), përparëset lino, xhoket, etj., kuptova sa të rrënjosura janë traditat dhe zakonet e zonës së tyre.

Mesazhi që mora nga Shqiponjat e valles dhe këngës labe

U ndjeva në faj me veten, prandaj mendova me zë të lartë “Pse nuk po organizoj edhe unë një grup grash polifonik ku të shpalosen vlerat kulturore të fshatit tim, Kaninës?!

Pse nuk organizojnë secili fshat nga një grup grash të mbajnë gjallë kulturën, zakonet, traditat e tyre përkatëse, ku të dallojmë veçantinë dhe të përbashkëtat që kemi si fshatra, zona e krahina?!

Ndërkohë që po shkruaj këto, që po mendoj:

Që të realizohet kjo që sapo shkrova, duhet të kemi pasionin dhe talendin e këtyre Zonjave.

Tërbaçi është shquar për Vlera Kulturore Artistike!

Tërbaçi është shquar për Inteligjencë dhe Trimëri!

Tërbaçi është shquar për Patriotizëm!

I palodhuri dhe i papërsëritshmi Albert Habazaj, si një Drejtor i mirë mban gjallë këtë ansambël folklorik me logon e tyre; Grupi i Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.

Bert e Memi, ndoshta Lartësia e Maleve dhe uji i kristaltë ju bënë Juve kaq Artistë në shpirt. dhe arrini të shpërndani këtë dritë Dielli në Art dhe Kulturë!

Thjesht, Ju adhuroj!

Në fakt ju kam edhe zili. Popo, zili se nuk ka të dytë si grupi juaj.

Deri sa të ketë një grup të dytë si ju Shqiponjat e Tërbaçit, e shoh larg …

Ju këndoftë Zemra gjithë jetën Zonja të nderuara!

Ju Adhuroj!

Duke parë e dëgjuar nga afër Ninullën, kupton sa thjeshtë Nëna (Gjyshja) në të njëjtën kohë:
1) tund djepin!
2) këndon ninulla!
3) tjerr furkën!

Dhe këto bëhen kaq natyrshëm sa dashuria që depërton ëmbël nëpërmjet zërit të saj, i cili mbush Odën në çdo qosh si të jetë fllad përkëdhelës.

Herë pas here, gjatë ninullës Nëna “vështron” foshnjën e saj, a e ka zënë gjumi, duke i kaluar lehtë dorën e saj te balli i tij si për t’i treguar praninë e saj…

Pastaj i kthehet boshtit duke mbledhur gjalmin e leshit, pastaj rregullon furkën mirë në brez.

Këmba e saj luan djepin me ritmin e Ninullës së Djalit.

Kaq melodioz ky rit i përkundjes së djepit, sa të vjen natyrshëm në vesh një ritëm troku, të cilin e sjell tundja e djepit dhe dyshemeja.

Të duket se je duke dëgjuar një kalorës, i cili është duke u nisur apo ardhur, një ritëm i ëmbël malli dhe dashurie.

Të duket se Nëna po kërkon prej djalit që ai të rritet shpejt, shpejt, se e pret Kali i Bardhë te niset të marri Nusen, apo të niset në Luftë për të mbrojtur Trojet.

Nëna përkund djepin, ku bashkë me Ninullën Mëkon Dashuri. Mëkon Trimëri.

Mëkon Atdhedashuri!

Bekuar qofshin Ninullat, këngët dhe vallet e popullit tonë!

Jetofshi si Shqiponjat e Tërbaçit Zonja të nderuara !

Gatimet tradicionale kur lind djali

Yshmeri dhe Ëmbëlsira ishin një e veçantë tjetër e traditës kulinare të Zonës së këtyre Zonjave të rralla!
(Me ujë bore larë Zëri)

Ninulla e kënduar prej tyre të ngjallte ndjenjën e dashurisë dhe mirësisë me të cilën rriteshin foshnjat që në djep.

Përmbushja e një Amaneti- Nga Klodi Stralla

Një ditë të diele, fillim nëntori të vitit 1996, kur Rozi, bashkëshortja ime, u kthye nga shtëpia e prindërve të saj, më thotë me shaka se “të kërkon vjehrri, kushedi se çfarë amanetesh do të të lerë!” E prita disi me humor, ndonse më shkoi mendja se do të ishte diçka e tillë.
Prof. Niko Bello, mësuesi im i dikurshëm i Gjeografisë dhe prej 15 vjet edhe vjehrri im, ishte në ditët e fundit të jetës të tij (vdiq pas dy jave). Prej dy vjetësh lëngonte në shtrat, si pasojë e një aksidenti fatal: në moshën 80 vjeçare theu këmbën brenda në shtëpinë e tij dhe kjo e detyroj të zerë përgjithmonë shtratin. I vetëm, pa gruan e tij, që i kish vdekur dy vjet më parë, ai mbeti në kujdesin tonë, veçanërisht të dy vajzave të tij, që i shërbyen me përkushtim shembullor deri në ditët e fundit të jetës.
E gjeta të shtrirë në shtrat, si zakonisht, dhe pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit, më urdhëron të hap dollapin përballë dhe të marr prej aty një fletore me kapak të zi. Veprova ashtu siç më tha dhe s’e pata të vështirë ta gjej atë, mes librave të tjerë.
Ishte një “Ditar”, që profesori e kishte mbajtur në vite, për të cilin, siç më tha, nuk kishte dijeni askush. Më befasoj kur mësova se ai, që nga viti i largët 1945 e në vijim, me periudha ndërprerje, kishte mbajtur Ditar, ku shënonte ngjarje e ndodhi, jo vetëm familjare por sidomos nga ato shoqërore, që shqetësonin një mendje të mprehtë dhe një shpirt fisnik, si i tija. U keqardha kur mësova nga goja e tij se nipi i parë, si fëmijë i përkëdhelur, pa e kuptuar se çfarë dëmi po bënte, kishte grisur shumë fletë nga fletoria e tij e shënimeve dhe kjo “e zeza” ishte e vetmja që kishte ngelur nga ato shënime shumëvjeçare, aq të vyera të tij.
Më shprehu dëshirën që, pas vdekjes të tij, nëse unë do ta shihnja të arsyshme, t’i botoja, duke anashkaluar momente intime, të natyrshme tek çdo familje, dhe që nuk paraqesnin interes publik.
“Ti je i vetmi që mund ta bësh këtë punë – më tha plot mirësi, sidomos tani që jemi në Demokraci dhe është e ligjëruar fjala e lirë. Le të mësojnë, ata që më kanë njohur, por edhe më gjerë, se si kam jetuar, punuar e menduar, si një prej intelektualëve idealistë me kulturë perëndimore, që u detyruam përdhunshëm, për mëse katër dekada, të jetojmë në të ashtuquajturin – Socializëm”
Sigurisht i premtova se do ta përmbushnja një amanet të tillë. Sytë e tij zhbirues u ç’tendosën në çast dhe fytyrën ja mbuloi një buzëqeshje vetbesimi. Kisha edhe një amanet tjetër si ky i profesorit; atë të tim eti: një studim historik mbi Korçën, që edhe ai ma la në dorëshkrim.
Puna për t’u adaptuar me profesionin tim të ri (jurist), preokupimet e përditëshme për mbarëvajtjen e fëmijëve të mij në shkolla, adaptimi me shpërnguljen nga Korça në Tiranë etj, e vonuan disi por s’e harruan kurrë përmbushjen e kësaj detyre familjare. Tani në pension, që kohën e kam me bollëk dhe falë Zotit, me kujtesën ende të pacënuar, nuk kishte asnjë justifikim tjetër veç përmbushjes të amanetit të paraardhësve të mi.
Tani, që libri i tim eti “Në valën e dramës shqiptare, Korça dhe korçarët (1878-1909)” ka disa vite që pa dritën e botimit dhe po ashtu edhe libri im “Kaleidoskop”, me mbresa, kujtime dhe opinione të gjithëfarshme, u botua tani vonë, ndihem vërtet i lehtësuar nga një barrë morale, që po dorëzoj sot për botim, të shoqëruara edhe me shënimet e komentet e mija – “Ditarin” – Amanetin e profesorit dhe vjehrrit tim të respektuar – Niko Bello.

Kateřina Pincová Muzikologe: Sonata Nr.15 e titulluar “Deti” e Aleksandër Peçi një vepër shumë e pasur….

Kateřina Pincová Muzikologe e kompozitore publicistka Prage, shkroi ne 21 03. 2015 per sonata 15 Deti te Aleksander Peçi ne KLASIK PLUS

“……….Pas pushimit erdhi radha për pianon solo. Zgjedhja e Egli Prifti ra mbi Sonatën nr. 15 “Deti” nga Aleksandër Peçi – një vepër shumë e pasurë në shprehje, e cila me tingullin e saj e përmbushi kuptimin e titullit pa rënë në përshkrim të tepërt. Qysh në fillim mund të dallonim lojën me tingujt harmonikë dhe sipërfaqet shumëngjyrëshe në aspektin tingullor, e më pas erdhi edhe dramatizmi i madh. Egli Prifti më në fund doli nga hija e Tereza Horáková-s dhe e shfaqi plotësisht artin e tij: aftësinë për t’ia interpretuar dëgjuesit në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme një vepër kaq të gjatë, për të mbajtur tensionin e saj dhe për të treguar rrëfimin e saj – pa përmendur teknikën bindëse të interpretimit. Si një erëz e veçantë ishin hyrjet e tij kënduese, të cilat plotësonin koloritin e atmosferës së përshkruar.”

Irini Asqeriu: Ftesë për pjesëmarrje në promovimin e ENCIKLOPEDIA E FILMIT SHQIPTAR

Pas një pune të gjatë studimore, shkencore, këmbëngulëse arrita të realizoj ENCIKLOPEDINË E FILMIT SHQIPTAR, që përmbledh gjithë aktivitetin kinematografik (1904-2022). Në datën 24.03.2025 ora 11:00 në Akademinë e Shkencave do të organizohet promovimi.
Ps:
Të nderuar miq jeni të ftuar për të ndarë së bashku emocionet e kësaj dite të paharruar për mua.
Prania juaj na nderon.
Me respekt Irini Asqeri

Send this to a friend