Të gjallë e të vdekur, të mirë e të ligj,-
Liri të lidhura lëmsh te një ligj!
‘16
M’i nis qiejt
E lamë të ndaheshim pa plagë.
Sot, vis më vis, ti qiejt e mërzisë m’i nis,
T’u jap për ty një buzagaz,
Si pak sheqer për kafen e zisë,
Si be në rrenë për të vërtetën,
Si dritë për shpirt të dashurisë.
“Një buzagaz ma nis këtej”!
Po ku ta gjej!?
Në pus të jetës,
Ujë pis!
Baladë murimi
– Vers-ion –
Veshur me misterin tënd,
Si fara në pemën me lëng.
As “gushë gastare”,
As “ballë sërma”,
As “sy i zi”,
As “vetull gajtan”,
As “flokë korb”,
As “dhëmbë inxhi”,
As “llërë shandan”!
S’e di si më sheh
Dhe ndjen se të ndjej!
As unë s’di ç’kam,
Që po t’i këndoj
Baladat e lashta
Të Fatës nën urë
Me buzët në mur
E gjirin përjashta!
Kisha
– Përshpirtje –
Kisha,
Një frikë prej gurësh dhe Zoti.
Kisha,
Një dhimbje prej kryqi dhe loti.
Kisha,
Një pamje që s’dija si hapej.
Kisha,
Një dashje që s’dija si shfaqej.
Kisha,
Një shpirt që vdiste e ngjallej.
Kisha,
Një mit që s’dinte ç’është
Kisha,
Se vetë ishte Kisha!
Herë-herë
Befas ti pikon,-
Lot nga syri i verbër
Dhe ma sjell shikimin!
Papritur veton
Në ajrin e kthjellët.
Ma rikthen gjëmimin!
S’di se si gjethon,
Në ikje të vjeshtës.
Më mbulon me prillin!
Dhe, siç erdhe, shkon!
Loti shpon shpirtin,
Rrufeja djeg prillin,
Gjethi fsheh krimin…
Dilemë
Ka humbur në pyllin e errët!
Kërkon drurin e (v)arkës
Për në botën tjetër.
Zgjedh ahun e vjetër,
I vjen keq për jetën!
Gjen bredhin e gjelbër,
Pret t’i zhvishen degët…
Veç
Rrojmë pranë dritë e hije.
Ndarë si syri me syrin!
Në dy anë Gjithësie,
Ndezur si ylli për yllin!
Udhën kisha humbur…
M’u shfaqën buzët e tua
Në fytyrë tjetër!
Vrapova t’i puth…
Sy të tjerë më panë
E më trembën,
Atje, në fundudhë…
Dy vetmi
Në udhën për tutje, dy shina,
Dënuar të jemi të dy!
As fryma jote, e imja,
As hija ime mbi ty!
Vijnë trenat nga larg me gulçima,
S’ndalojnë të marrin njeri!
Rënkojmë nën ta ne, dy shina,
Siç mund të rënkojnë dy vetmi!
Më pe!
Gjithë kjo ditë,
Sa largësitë,
Që s’do të ishin as sa një hap,
Pa syrin tënd, që u hap,
Si qielli kur nuk është,
Ngaqë vetë ndjehem qiell!
Syri që më rri përballë
Më shih fshehtas, sy i ulur!
Nga enigmat mund ta nisim një rrëfenjëz dashurie,
Që tani!
M’u shfaq heshtas, shpirt i bukur!
Që tani mund t’ia nisim me një shenjëz, me një ndjenjëz!
Pastaj flaka, pastaj malli… edhe ndarja, edhe tretja!
Më tej lotët, lutja, lufta dhe urrejtja!
Më shih tinëz, vetëtimës!
Mē shih!
Për të tjerët mund të jemi historizë dashurie
Me shkrumb në fund:
Ti e unë!
Shëntereza
Në kulm të dëshpërimit,
Ia plas gazit,
Në duf të zemërimit,
Ia them kēngēs,
Në fund të greminës,
Vështroj qiellin.
Predhave ua shkul plumbat,
I bëj bilbila,
Kohën e hakmarrjes,
Ia fal orës së faljes,
Lotin e dhembjes,
Ia jap prehjes,
Se ti, shenjtëri,
Më the: “O njeri,
Mos mallko errësirën,
Ndiz në të një qiri”!
Një ditë dhe një natë
-Përrallëz-
Na rronin kaq pranë një ditë e një natë…
Dita për ty e nata për mua.
Ç’nuk bëmë të ishin të dyja një datë,
Shenjuar me Festën e Fjalës: “Të dua”!
Lënda
Lënda është e errët!
Qëllon hera-herës
Të fshihet në dritë,
Dhe ta shpallë praninë
Thjesht si një gënjeshtër,
Që s’jemi të verbër!
Ti dhe retë
Sot jam te retë
Dhe, ndryshe nga dje,
Kur isha nën hijet e tyre,
Si nën fuqitë e Zotit,
Shoh se s’janë më shumë se re!
Nesër do të jem me ty
Dhe ndryshe nga tani,
Që po të mendoj hyjni,
Do të them:
“Thjesht je vetja ime,
Që hyn e del mes nesh”!
Pasnesër do të lagem në shi…
Për t’u bindur përsëri,
Se retë janë Ti
Dhe Ti, perëndi!
Ars!
Lypësi shtrin dorën ndanë udhës, në shi.
Piktori përballë bën artin e tij!
Telajo po mbushet me zhele e rrudha,
Të zezën e skamjes e sjell nga larg udha.
Artisti e kryen pikturën e ikën!
Lypësi në qesen e zbrazët mbyll ditën.
Dhe prapë përulet të nesërmen ndanë udhës…
Ankandi i pikturës,… miliona në Luvër.
Uria dhe rrudhat,… korniza prej ari…
Dorështrirë jep frymë i mjerë lypsari!
Hi-je!
Dielli në lindje…
Druri udhëton për te ëndrra me
Hije.
Dielli në vdekje…
Druri mes flakësh të gjelbra, në djegie…
Flet me vete:
– Hi je!
– Hije!
Më thotë dita që bëhet e djeshme.
– Hi je!
Kuis harresa, hi-je-në… e rrejshme.
Mjaft…
-Tekst për Isuf Myzyrin-
Vjen një kohë e plaket, ikën, shuhet bota,
Vjen një orë dhe dita ngryset, thërret gjumin.
Ka një çast, kur themi: tani mjaft, u lodha!
Dhe kërkojmë shtratin, të qetojmë trupin.
Mundemi në sofra, na vë poshtë gota,
Armët ndodh t’i hedhim dhe pas dashurisë!
Udhëtojmë gjatë, ndalemi te porta,
Ku ndez zjarr e zemër Zoti i shtëpisë!
Veç përpara vdekjes lutemi me frikë:
“Zot, na lerë të rrojmë, qoftë edhe një ditë”!
Dihet, se njeriu ngopet nga kjo jetë,
Aq sa mund të nginjen detet nga lumenjtë!
Poezia për ty
-Alegro-
Tek fryve si flladi ndajnatë,
Ti shpirtin ma shkunde ngadalë,
Behar në motin e mbarë,
Mbi heshtjen e kartës së bardhë.
Shkretimit të letrës memece,
Krijohet një botë më vete
Me stinë, ujëvara, insekte,
Me rrugë, portale, tërmete.
Me zjarre, savana, aroma,
Me fruta pa bërë akoma,
Me ditë e mesnata të vona,
Me djajtë dhe shtrigat në koma!
Hapësira e letrës së heshtur,
Po mbushet me festa e tempuj,
Ku ti të baresësh ndër shekuj
Parajsës prej shpirti të endur.
Xixa syri
Janë pikat,
(Jo oqeani),
Që më lagin!
Vetëtimat
(Jo tufani),
Po më shtangin!
Janë krismat,
(Jo nishani),
Që më vrasin!
Janë ninëzat,
(S’është shtati),
Që më flasin!
I ndjej xixat
(Dhe jo zjarrin),
Të ma ngjallin
Mallin!
Dua të them…
Dua të them
Atë që Qeliza dhe Rruzullimi
Thonë për veten!
Por s’kam as shqisa për t’i shquar,
As gjuhë për t’i shqiptuar!
Ato që kam thënë,
Janë tryeza,
Që Ti më ke shtruar
“Me këto që na ndodhen…”!
Orient
Dy faqe,
Dy sy,
Dy buzë
M’u shfaqe…
Pashë
Një natë
Të gjatë
Në flakë!
Mundja e së keqes
-Kënga e fundit e Evës dhe Adamit-
Në betejën me të keqen,
Pamë ç’pamë, i hodhëm armët.
Nisëm me mundim tërheqjen,
Trup e frymë përmbys nga plagët.
Ballëpërballë s’i mposhtëm dot,
Kurthe, prita, dinakëri.
Ndeshja ishte krejt e kotë
Me këtë fuqi-lubi.
Dalim plagë nga bark i natës,
Vijmë në Eden, te vetvetja.
Vend i vetëm i parajsës,
Ku s’na ndjek dot më e keqja.
Veshur nga një bluzë qielli,
Kthejmë bashkë një kupë mëngjes,
Në flur rendim pas një shpendi.
Vetëshpallur univers!
Prapë u pamë!
Për mua
Udha
Nuk shkon kund,
Gjersa
Ndalesa
Je ti,
Si hiret e lules
Për bletën!
Udhës për Kosovë
- Milot
M’i lot vetullat
Mbilot,
Herë kot
E herë plot!
- Peshkopi
Peshko, pi
Peshkop i ri.
Peshk i rrallë
Në Dri të zi,
Peshon
Sa një grusht flori!
- Kukësi
Kukësi
Më jep miqësi…
Ku? Kë? Si?-
Më pyet ti.
Punë me dru
Thellë pyllit të errët,
U ndodha brenda një masakre drurësh.
Tragjike ishte bukuria!
Mbi trupa të parritur trungjesh;
Frutave, rozetave, brirëve, flatrave, zogjve,
Flokëve të tu e lianave.
Ku mund të vallëzonin ajri, limfa dhe gjaku,
Frikshëm fekste llaku!
Dyfish i errët nga kafja,
Lashë mënjanë dhé e dërrasa!
Pashë përjashta…
Pylli hante hijet e lashta!
-Bar “Ilirikum”, Viti, ’16-
Dadaizëm
– Da-da!
Ec da-da te mami!
– Da-da?
Bebi hedh hapat së pari!
Ç’ka s’e shpreh me fjalë goja,
Nis e thotë me hapa foshnja:
Da-da! Da-da! Da-da!
Asgjë!
Asgjë, ngado që ta kthesh kokën,
Asgjë nga lart, asgjë nga poshtë!
Të duket se je ti për botën,
E vetmja pikë, i vetmi bosht!
E marr me mend pse kjo më ndodh:
Sepse dhe ti, atje ku je,
Kthen kokën anash, lart e poshtë,
Dhe s’ndjen asgjë që nuk më sheh!
Sonet për sonte
Shpirt i ndeshur në shtatë fronte,
Që nga katër horizonte,
Përgjërohej, më kërkonte
Një ninullë-sonet për sonte.
Nëpër dhera, ujëra, qiej,
Në një fjalë si shpend në shenjë,
Nisa frymë e zë andej,
Të të vijnë e të të gjejnë.
Të më ndjesh muzikë në dej!
Zonjëz…
E fundit ré e jetë-shtrëngatës,
E para hije e ndajnatës!
Tek unë le një fron, një flakëz!
Një fron, ku ndrit kurora jote,
Një flakëz që më ndjek në mote,
Me lojna zoge, hire zonje!
Zonjë-zogëz, foshnjë e rritur!
Visesh, vitesh arratisur!
Çerdhja me një zog të mitur,
Vjeshtë-dimrit frymëfikur!
Në fund të udhës (481)
As kjo ditë s’të solli dot,
As kjo rrugë nën qiell të ftohtë.
Në s’vjen dhe nesër, do të thotë,
Se përgjithmonë për ne është vonë!
Në është vonë vërtet për ne,
Atëherë s’ka dyshime se,
Një verë që shkoi të sheh atje,
Një vjeshtë që vjen këtej më fsheh.
Çelësi i humbur..
– E dëgjuar –
Nur në katër mure,
Fat i saj i ngratë!
Zemrës gur i vure,
Portës, kyç të artë!
Pa ditë e pa natë.
Zog pa krahë, zemra.
Porta, dru i thatë,
Mbyllur jashtë e brenda!
Myshku shkreton muret,
Hapës-humbur porta.
Dheut shuhen nuret,
Qiejve, zemër-korba!
Komentet