VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Isuf Kalo rrëfen për bijtë e prapë të “Bllokut”: Djali i udhëheqësit të lartë histori rozë me gruan e artistit të njohur

By | July 15, 2019
blank

Komentet

blank

110 VJET ECJE N’ TERR – Nga Fritz RADOVANI

Zoti njëherit me ballin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut shndriti edhe mendjen e të gjithë Atyne Shqiptarve që e mbajtën me nderë këte Emen në gjakun e vet, Atdheun dhe Flamurin, me Shqipen Dykrenare dhe Gjuhen e Bekueme të Imz. Pal Engjullit.

Ajo Gjuhë Shqipe e Bekueme mbi ballin e çdo Shqiptari, provoi se nuk shuhet as, nuk fshihet dhe as nuk humbet as edhe qinda e mija vjetë, nga Toka Ilire! E prova ma e sakta e Historisë së lavdishme të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, asht edhe sot, Ajo rrenojë e vjeter shkodrane, ku u formue Shoqnia Atdhetare “Bashkimi” në 1899.

E nder shkambijt e Shirokës, në shtëpinë e Tom Mark Radovanit, camerdhokët e atij fshati nën kujdesin e Dom Zef Ashtës, mësonin prej vitit 1874 me shkrue Shqip. (Ky material historik i saktë me mësuesa dhe nxanësa u shkrue nga mësuesi i nderuem Gjush Sheldija në vitin 1933.)

Mbas vitit 1902 Françeskanët e vendosun në Shqipni që në Shekullin XIII, i japin një drejtim të posaçëm arsimit, kulturës, shkrimit, revistave, dokumentave historike dhe në bashkpunim me Jezuitët italianë, Shkodra asht nder qendrat kulturore t’Europës.

Në vitin 1908 asht At Gjergj Fishta, që na dha Alfabetin e Gjuhës Shqipe, aprovue ky alfabet nga Shqiptarët e të gjithë Trojeve të Shqipnisë në Kongresin e Manastirit.

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit.  Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue me dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë.

Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hudhi si t’ u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur, ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”.

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1911, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër Ato Malësi, kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

110 vjet ma parë, me 6 Prill 1911, me Dedë Gjo’ Lulin.

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë! Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Emnin e pushken e Tij!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak prej Shqiptarve ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Sejcili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës.

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët.

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut, tue zgjue nga kllapia shekullore mbarë një Europë: “Oooo… Burra bre.., çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!

Në vitin 1994 Profesor Gjon Sinishta, në revistën e drejtueme prej Tij, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco USA, botoi një dokument që u pat shkrue nga amerikani Profesor Dr. Stephen Schwartz:

On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.” Që në gjuhën shqipe domethanë: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” U ngrit për mos me zdrypë kurrma, kurrma!

Tingujt e Lahutës.., vazhdonin Kangët e veta…Ky dokument i randësishëm Historik ka të shenueme datën që u firmue nga Atdhetarët: Gërçe, 23 Qershor 1911.

Sigurisht, kjo lejon me pranue pa kushte edhe pjekuninë e Tyne  politike dhe kulturore, të cilën sot fatkeqsisht e dishrojmë në të gjitha hallkat Shtetin Shqiptar, deri tek Presidenti, që kur pret qeveritarë turq heqë nga zyra e vet bustin e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit..

blank

Me 28 Nandor 1912 Shqipnia fitoi Pamvarsinë vetem me kambnguljen burrnore të Luigj Gurakuqit, i cili me revole mbi tavolinë u tha të gjithë pjesmarrësve n’ Vlonë:

“Sot me 28 Nandor 1912, o do të Shpallet Pamvarsia e Shqipnisë, ose nuk del i gjallë asnjeni prej këtu ku jemi të mbledhun!” Dhe, ashtu u ba!

Eshtnat e Ded Gjo’ Lulit i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se:

Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm pse nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar, tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut! E persa vite, mbas 1912, nuk u gjet asnjë Shkodranë me drejtue  një ditë të vetme Shtetin Shqiptar?

***

Qeveria e parë e Shqipnisë u krijue në vitin 1912 me kryeministër Ismail Qemal beu, nga data 29 nëntor 1912 deri më 1914.

Mbas qeverisë së tij radhiten 44 kryeministra të tjerë deri tek kryeministri i sotëm të cilët kanë ushtrue këtë detyrë për periudha të ndryshme kohore:

 

Mehmed Fevzi bej Alizoti; janar-mars 1914.

Turhan Pashë Përmeti; 15 mars deri më 3 shtator 1914, dhe 1918 deri në vitin 1920.

Esat pashë Toptani; 5 tetor 1914 – 27 janar 1916.

Sulejman bej Delvina; 30 janar 1920 – 14 nandor 1920.

Iljaz bej Vrioni; 10 dhjetor 1920 deri 19 tetor 1921

Pandeli Evangjeli; 19 tetor 1921 deri 6 dhjetor 1921

Qazim Koculi; 6 dhjetor 1921 deri 7 dhjetor 1921

Hasan Prishtina; 7 dhjetor 1921 deri 12 dhjetor 1921

Idhomene Kosturi; 12 dhjetor 1921 deri 30 dhjetor 1921

Xhafer Ypi; 30 dhjetor 1921​ deri 4 dhjetor 1922

Ahmet Zogu; 4 dhjetor 1922 deri 5 Mars 1924

Shefqet bej Vërlaci; 5 Mars 1924 deri 2 qershor 1924

Iljaz bej Vrioni; 2 qershor 1924 deri 16 qershor 1924

Fan Noli; 16 qershor 1924 deri 26 dhjetor 1924

Ahmet Zogu; 26 dhjetor 1924 deri 30 janar 1925

Koço Kota; 10 shtator 1928 deri 5 Mars 1930

Pandeli Evangjeli; 5 Mars 1930 deri 22 tetor 1935

Mehdi bej Frashëri; 22 tetor 1935 deri 9 nandor 1936

Shefqet Vërlaci; 12 prill 1939 deri 4 dhjetor 1941

Mustafa Kruja; 4 dhjetor 1941 deri 19 janar 1943

Eqrem bej Libohova​; 19 janar 1943 deri 13 shkurt 1943

Maliq Bushati; 13 shkurt 1943 deri 12 maj 1943

Eqrem bej Libohova​; 12 maj 1943​ deri 9 shtator 1943

Ibrahim bej Biçaku; 9 shtator 1943 deri 24 tetor 1943

​Mehdi bej Frashëri; 24 tetor 1943​deri 3 nandor 1943

Rexhep bej Mitrovica; 3 nandor 1943 deri 18 korrik 1944

Fiqri Dine; 18 korrik 1944​ deri 26 tetor 1944

​Enver Hoxha;​1 janar 1946 deri 20 korrik 1954​

Mehmet Shehu; 20 korrik 1954 deri 18 dhjetor 1981

​Adil Çarçani ;18 dhjetor 1981 deri 22 shkurt 1991

​Fatos Nano; 22 shkurt 1991 deri 5 qershor 1991

​Ylli Bufi; 5 qershor 1991 deri 10 dhjetor 1991

Vilson Ahmeti; 10 dhjetor 1991 deri 13 prill 1992

​Aleksandër Meksi; 13 prill 1992 deri 11 Mars 1997​

Bashkim Fino; 11 Mars 1997 deri​ 24 korrik 1997​

Fatos Nano; 24 korrik 1997 deri 2 tetor 1998​

Pandeli Majko; 2 tetor 1998​ deri 29 tetor 1999​

Ilir Meta; 29 tetor 1999 deri 22 shkurt 2002

Pandeli Majko; 22 shkurt 2002 deri 31 korrik 2002

​Fatos Nano;31 korrik 2002 deri 11 shtator 2005

​Sali Berisha; 11 shtator 2005 deri 8 shtator 2013​

Edi Rama; 8 shtator 2013 -​Kryeministër në detyrë…

Nga viti 1939 e deri në vitin 1944, 29 Nador Shqipnia asht e pushtueme.

 

 

PRESIDENTA TË SHQIPNISË:

 

  1. AHMET ZOGU, president i 1-rë i Republikës

Ditëlindja: 8 tetor 1895

VENDLINDJA: Burgajet, Mat.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 30 janar 1925  deri më 1 shtator 1928

ARSIMIMI:I paarsimuem në Turqi dhe Austri dhe i padiplomuar në Akademi. PËRKATËSIA FETARE: Musliman

DETYRA TË TJERA SHTETËRORE: Mbret, kryeministër, ministër i Brendshëm, deputet.

VDEKJA: 9 prill 1961, I daignostikuem me kancer. Vorroset në Francë.

  1. OMER NISHANI, presidenti i 2-të i Republikës (President i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 1887

VENDLINDJA: Gjirokastër.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 10 janar 1946 deri më 31 korrik 1953

ARSIMIMI: Mjek, i diplomuar në Stamboll, Turqi.

PËRKATËSIA FETARE: Orgjinë muslimane. Ateist

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Jashtëm, deputet.

VDEKJA:  25 maj 1954 me vetëvrasje.

  1. HAXHI LLESHI, presidenti i 3-të i Republikës (Kryetar i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 19 tetor 1913

VENDLINDJA: Dibër,

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982.

ARSIMIMI: Arsimim fillor, i padiplomuem.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, deputet.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjinë muslimane, atesit.

VDEKJA: 1 janar 1998, natyrore. 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë.

  1. RAMIZ ALIA, presidenti I 4-ët I republikës (Kryetar i presidumit dhe president)

Ditëlindja: 18 tetor 1925.

VENDLINDJA: Shkodër. (Ardhë nga Bosnja)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Që nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992.

ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjine muslimane, ateist.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.

VDEKJA: 17 tetor 2011, natyrore.

  1. SALI BERISHA, presidenti I 5-të i Republikës.

Ditëlindja: 15 tetor 1944.

VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë.

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.

ARSIMIMI: I diplomuar për Mjekësi në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.

  1. REXHEP MEIDANI, presidenti i 6-të i republikës.

Ditëlindja: 17 gusht 1944.

VENDILINDJA: Tiranë

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002.

ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet.

  1. ALFRED MOISIU, presidenti i 7-të i republikës

Ditëlindja: 1 dhjetor 1929.

VENDLINDJA: Shkodër. (Me origjinë nga Jugu)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007.

ARSIMIMI: I diplomuem ushtarak.

PËRKATËSIA FETARE: Ortodoks

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes.

  1. BAMIR TOPI, presidenti i 8-të i Republikës.

Ditëlindja:24 prill 1957

VENDLINDJA: Durrës.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj.

ARSIMIMI: I diplomuem si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor, Kamëz.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje mulsimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet.

  1. BUJAR NISHANI, presidenti i 9-të i Republikës.

Ditëlindja: 29 shtator 1966.

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TJERA SHTETNORE: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet.

  1. ILIR META, presidenti i 10-të i Republikës

Ditëlindja: 24 MARS 1969

VENDLINDJA: ÇEPAN, SKRAPAR.

DITA KUR U ZGJODH PRESIDENT: 28 PRILL 2017, ORA 18.00.

ARSIMIMI: DIPLOMUAR PËR EKONOMI NË UNIVERSITETIN E TIRANËS.

PËRKATËSIA FETARE: Musliman Bektashi.

***

Janë plot 110 vjetë që Shqiptarët kujtojnë se kanë fitue Pamvarsinë Kombtare, me 28 Nandor 1912. Por prej asaj ditë, me 29 Nandor 1912, Shtetin Shqiptar e ka drejtue Ismail Qemal beu i Vlonës që s’ishte dakord me  “Pamvarsi të plotë nga Turqia”.

E Shqiptarët tash 110 vjetë vazhdojnë të qeverisen nga disa“mbeturinat anadollake”!

Shteti ma i mbrapambetun i Europës, dhe gjithnjë jashta Saj, ku sundon korrupsioni, hajnia, imoraliteti, vllavrasja, shfarosja, pabesia, paburrnia, urrejtja, ateizmi, shperdorimi i detyrës, injoranca, mendjemadhsia, kapadailleku, trafikantët e drogës. E gati harrova: Shkatrrimtarët e vertetë të Shtetit Shqiptar!

Melbourne,  21 Janar 2022.

blank

Historia e panjohur e Pashait të Janinës me Kalivaçin e Tepelenës – Me rastin e 200 vjetorit të vrasjes së Ali pashë Tepelenës Nga Prof. Dr. Vezir Muharremaj

 

Ali pashë Tepelena lindi në fshatin Beçisht të Tepelenës në vitin 1744 dhe u vra më 5 shkurt (24 janar me kalendarin e vjetër) 1822 në Janinë.

Ndonëse i ndodhur në skajin veri-perëndimor të trevës së Tepelenës, fshati i Kalivaçit ka pasur të bëjë me Ali pashë Tepelenën, jo thjesht se ka ndjerë shtypjen e regjimit të tij, si krejt vilajeti, por edhe ka disa ndodhì me lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Gjatë kohës së sundimit të Ali Pashës, disa kalivaças përmenden të kenë pasur raporte me Pashanë, sipas tregimeve të transmetuara nga të moçmit e fshatit dhe të tjerë nga krahina.

Ormën Alli Kalivaçi, kapedan në oborrin e Ali Pashë Tepelenës (ka vepruar rreth viteve 1800). Sipas Muharrem Haredin Agaj, Ormëni i parë ka qenë nga lagjja Hasanimeraj (ka vepruar ndoshta para vitit 1750) dhe ka pasur djalë Alli Ormënin (rreth viteve 1775). Alli Ormëni ka pasur tre djem: Ormën Alliu, Mato Alliu dhe Ago Alliu (të cilët mund të kenë vepruar rreth viteve 1800).

Mato Alli Ormëni pati djalë Dulen, prej nga nis fisi Dulaj në fshat.

Nga Ago Alli Ormëni thuhet se rrjedh fisi i Agajve.

Ormën Alliu thuhet se ka pasur një vajzë por nuk la pas djalë tarshëgimtar dhe ajo derë u shua. Ormën Alli Ormëni ka qenë prijës dhe një prej figurave më të rëndësishme të fshatit Kalivaç, nga lagja Hasanimeraj. Sipas tregimeve nga të moçmit (treguar nga Begzo Hysenaj), shtëpitë e fiseve Ormënaj, Hysenaj e Haxhiaj kanë qenë mbi shtëpitë e sotme të Sadik Xhemal Hysenaj (të ndërtuara në vitet 1919-1921), të cilat ndodheshin në oborrin e Ormënit. Edhe sot, murishtet e Ormënit quhen ato ngjitur me të Sadikut. Edhe një arë e vogël mbi shtëpitë e Muharremajve quhej ara e Ormëne.

Sipas Tafil Stafaj nga Ploça e Vlorës, i cili e ka dëgjuar historinë nga i jati (Tafili i intervistuar në video nga poeti popullor Gjergji Hoxha nga Krahësi, në Vlorë, më 21 dhjetor 2021): “Ormën Alli Kalivaçi ka qenë me shërbim në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë me gradë të krahasueshme Gjenerali (kapedan). Në të njëjtën kohë, në shërbim të Aliut në Janinë ka qenë dhe Kapo Kanani nga Sevasteri me një gradë më të lartë se Ormëni. Ali pasha deshi të shtronte një vend dhe zgjodhi Kapo Kananin, i dha ushtri dhe i fali një kalë shumë të mirë dhe i tha: “Ik e do më shtrosh filan vënd”. Në këtë kohë kur Kanani mori ushtrinë dhe kalin, Aliu nuk besonte njeri, mendonte se pasi të shtronte atë vend, Kanani do t’i kthehej Aliut dhe mendohej si t’ja bënte se i dha shumë ushtri, shumë fuqi.

Ormën Alliu kishte kërkuar për të fejuar një vajzë në Sevaster, në Nazaj por nuk ia kishin dhënë hairin. Në të njëjtën kohë, këtë vajzë e kërkonte edhe i vëllai i Kapos, Harizi nga Sevasteri. Plaku i shtëpisë së vajzës i jep llafin Ormën Alliut për të fejuar vajzën. Kurse vëllezërit e vajzës, kur erdhën në shtëpi, nuk deshën për Ormënin e thanë:

  • Do ia japim Harizit, vëllait të Kananit, se është i dyti i Ali Pashait.

Aty filloi divergjenca brenda në familje. Kananajt i shkruajnë letër Harizit në Janinë dhe i

thonë:

–  Ktheu se Ormën Alli Kalivaçi na mori nusen.

Kjo letër për fat të keq, i bie Ali Pashës në dorë. Ali pasha e shfrytëzoi rastin, e thërret Ormën Alliun dhe i thotë:

  • Atë zakonin, bashkë e kemi bërë apo e kam bërë vetëm unë?
  • Jo, iu përgjigj Ormëni, bashkë e kemi bërë, po pse?
  • Po ti ke marrë nusen e Kapo Kananit, i thotë Aliu. Ormëni iu përgjigj:
  • Unë nuse kërkova e nuse fejova.
  • Jo, jo, ke marrë nusen e Kapo Kananit. Jo vetëm që ti ike që ike, por ikën dhe Kalivaçi, çfarë do bësh?
  • Çfatë të bëj? Kërkova nuse, më dhanë hairin dhe e fejova, foli Ormëni.

Sa kishin marrë hairin këta tek Ormëni, por as kishin vajtur e as ardhur.

  • Ti do dalësh filan vënd, do marrësh dhe një tjetër e do vrasësh Kapo Kananin, i thotë Ali pasha, se ndryshe e ke punën keq. Sa të kthehet Kapua këtu, do i paguash të gjitha gjërat.

Me urdhërin e Ali Pashës, Ormëni së bashku me Mënon, zunë pritë në qafën e Memete, nën fshatin Martalloz dhe vranë Kapo Kananin nga Sevasteri.

Vrasja e Kapos ishte ofendim i madh për Kudhësin, kështu që, për të marrë hakun u ngarkua Hysen Luzi nga Shkoza (me nofkën ‘Maçi’). Hyseni ishte trim. Në vitin 1805, në Janinë vrau Kurt Mahmarin, komandantin e togës, ku Hyseni kryente shërbimin. Qeveria turke e futi në burgun e Janinës, por dhe aty Hyseni lidhi çarçafët dhe zbriti nga kati i tretë i burgut e u arratis. Rojet turke s’u besonin syve dhe e thirrën me nofkën ”Hysen Maçi”. Që atëherë i mbeti nofka ”Maçi”. Më pas, Hysen Maçi e vrau Ormën Allinë në Fushën e Kalivaçit, sikurse thuhet në vargjet e këngës popullore:

Në fushë të Kalivaçit,

Lufton palla e Hysen Maçit,

Vuri në vendin e nderit,

Kanunin e Sevasterit”.

blank

Tafili vazhdon: “Ormën Alliu ishte nisur [nga Janina] për të ardhur në Kalivaç, se e dinte që mbas të shtatave do të kishte diçka. I vëllai i Kapos, Harizi, pas të shtatave të vrasjes së Kananit, mblodhi krushqit që bëheshin 500 burra, jo pak. Ndërkohë, Aliu, për të mos u kuptuar urdhëri që kish dhënë vetë për vrasjen e Kapos, emëroi me detyrë të vëllanë Harizin në vend të Kapos në Janinë; me këtë, donte të thoshte që “unë nuk kam punë në këtë ndodhi”. U mblodhën Kudhësi, u hodhën në Kalivaç dhe e kanë djegur fshatin. Kur erdhi Ormëni nga Janina, erdhi me ushtri por fshati ka qenë djegur, është bërë luftë në fushë të Kalivaçit, ushtria bashkë me fshatin, Kudhësi është thyer dhe është hedhur në lumë”.

[Shënim: nuk ka ndonjë të dhënë se është djegur fshati i Kalivaçit ndonjëherë].

Sikurse tregojnë dhe në Shkozë, Ormën Alliu është vrarë nga shkozioti Hysen Maçi në Fushë të Kalivaçit, në hakmarrje për vrasjen e Kapo Kananit.

Historiani Shyqyri Hysi shtjellon një trajtesë tjetër për Ormën Alliun:  “Një tjetër emër prijsi popullor dhe trim i Ali Pashë Tepelenës është ai i Ormën Alliut (Agës) që ka udhëhequr fshatin në kapërcyllën midis dy shekujve. Në mbledhjen që Valiu i Janinës organizoi në Sevaster për mbledhjen e taksave, Ormëni përfaqësoi Kalivaçin. Pas konfliktit me Valiun për taksat e fshatit, Ormëni vendosi t’i zinte pritë në Qafën e Mehmete, në zonën e Sinanajve. Për këtë duhej dhe fshehtësi, ndaj me vete mori vetëm djalin dhe nipin.

Bëmat e trimit kalivaças Ormën Alliu janë përjetësuar, ndër të tjera edhe në këngën “Ormëni ç’i hipi kalit”, e cila është kënduar me mjeshtëri në festivale kombëtare nga Grupi i Këngës Polifonike të Kalivaçit, i drejtuar nga marrësi virtuoz i këngëve Shyqyri Hysi.

Në disa këngë popullore të zonës së Kudhësit përmendet dhe një trim tjetër po me emrin Ormën, por ky është Ormën Dashi nga Golimbasi (dajua i babait të Tafil Stafajt) që ka vrarë Hariz Kananin, të vëllanë e Kapo Kananit nga Sevasteri dhe nuk duhet ngatërruar me Ormën Alli Kalivaçin.

Kundërshtimi i kalivaçasit Rrapo Mustafai ndaj raprezaljeve të Ali Pashë Tepelenës.      

Sipas Xh. Aliut, Rrapo Mustafai ka qenë nga lagja Hasanbegaj dhe kishte dy vëllezër të tjerë. Ky  kalivaças ka kundërshuar Ali Pashë Tepelenën për raprezaljet që ai kryente ndaj popullsisë së pafajshme. Rrapo Mustafai ka vepruar rreth viteve 1800. Ai ka qenë njeri nga tre djemtë e Mustafait, pasardhës i Mato Hasanit, që banonin në pronat e tyre në Leshnje e Mëhallë të Specovës. Kalivaçasi Rrapo Mustafai, si dhe prijësa të tjerë të njohur të krahinës, si Caush e Lame Lika në Dorëz (para se të shpërnguleshin në Specovë të Kalivaçit), Demirajt në Kutë dhe Leskajt në Levan të Tepelenës nuk i kishin mirë punët, por konflikte me Ali Pashën, ndaj të cilit kishin reaguar hera herës. Kur Aliu deshi të dënonte pa të drejtë këta prijësa, fshatarët çorrushiotë vihen në ndihmë të tyre për të mos u kapur nga pashai. Beber Sadikaj nga Çorrushi (i ngarkuar nga Ali Pasha si shef i armatimit për pashallëkun e Janinës, si dhe përgjegjës i depove të armatimit për zonën Tepelenë-Mallakastër), megjithëse shërbente pranë pashait, nëpërmjet angazhimit të bashkëfshatarëve çorrushiotë ndihmoi Rrapo Mustafain nga Kalivaçi me municione e fishekë, që të mos binte në pritën e ngritur nga Aliu.

Çaush Lika e Lame Lika

Fisi i  Çaush Likës dhe të vëllait, Lames u shpërngulën nga fshati Dorëz për në Specovë të Kalivaçit, për t’u shpëtuar raprezaljeve të Ali Pashës. (Çaushnënoficer me gradën e rreshterit në ushtrinë  e Perandorisë Osmane; ushtarak pranë një oficeri të lartë ose një komandanti për të kryer detyra të ndryshme; topçi; por edhe emër që u vihej djemve).

Për këta dy burra të shquar ka disa rrëfenja të treguara dhe këngë të kënduara qysh para më shumë se 200 vjetëve në zonat tona, të cilat kanë mjaft ngjajshmëri midis tyre, por në disa aspekte ndryshojnë nga njera tjetra. Tregimet dhe këngët e kanë burimin nga tradita gojore prej pasardhësve të fisit të Çaushajve në Dorëz (e treguar nga Agron Mema), sipas tregimit të mësuesit Syrja Dalipi dhe tregimit të publikuar nga Xhelil Aliu nga Kalivaçi, në këngët popullore që këndohen në trevën tonë, si dhe në një këngë popullore Kënga e Lame Ligës e marrë nga MBLETA e Thimi Mitkos.

Tek ‘Kënga e Lame Ligës’ (Mitko, Th. 1918, popullore, marrë nga MBLETA e Mitkos, botuar në ‘The Adriatic Review’ September 1918, f. 45)  të Thimi Mitkos: Sipas titullit dhe shënimeve sqaruese del se kënga i kushtohet Lame Ligës nga Mallakastra. Nuk ka dyshim se këtu, për ‘Mallakstër’ duhet kuptuar Kalivaçi, fshat që bënte pjesë në këtë krahinë dhe është e njohur historikisht se këtu kanë ardhur nga fisi Çaushaj nga Dorëza pas konfliktit me Ali Pashën. Po ashtu, në këngë, fjala‘Çaush’  mendoj se ka të bëjë me detyrën që i kishte caktuar Ali pasha Lame Ligës (si nënoficer me gradën e rreshterit, që komandonte grupin e rojeve në kalanë tek Shkëmbi i Ylynecit për kontrollin e rrugës Vlorë-Ylynec-Tepelenë-Janinë dhe marrjen e taksës për rrugën). Kështu që, fjalët  “Çaush Liga’ duhen kuptuar si ‘Çaushi – nënoficeri Lame Liga’.  Kënga e përshkruan Lamen si një  burrë të shkurtër por trim, i cili ka patur djalë Tahirin dhe vajzë Havanë. Në shtëpinë e Lames vjen një mysafir që e ndiqnin armiqt’ e tij t’a vrisnin. Por, sipas traditës dhe besës, i zoti i shtëpisë nuk mund t’a dorëzonte mysafirin dhe lufton me armiqt e tij. Lufta zgjat një ditë e një natë, dhe, megjithëse Çaushi Lame ka vetëm 28 fishekë, arrin të vrasë 7 a 8 armiq deri sa plagoset rëndë duke iu thyer një dorë dhe një këmbë. Tahiri, i trëmbur nga frika e braktisi të jatin, teksa e bija Havaja trime i  qëndroi pranë duke i mbushur fishekët dhe ai qëllonte.

blank

blank

Vrasja e Ali Pashë Tepelenës

Trima nga fshati i Kalivaçit, si dhe Krahësi etj., e mbështetën fuqimisht Ali Pashë Tepelenën. Mjaft bashkëfshatarë kanë qenë oficerë dhe ushtarë në garnizonin e Janinës, në kalanë e Gjirokastrës e gjetkë. Thuhet se edhe në momentet e fundit kur ishte i rrethuar nga ushtritë turke, pasi ishte shpallur ‘fermanlli’ nga Sulltani për synimet e tij për shtet të pavarur, Aliu dërgoi njerëz dhe pyeti nëse Kalivaçi i qëndronte besës dhe a do të vinte në pranverë ta çlironte nga rrethimi (me sa duket mbështetur në besnikërinë e kapedanit kalivaças në shërbim të tij, Ormën Alliut dhe kalivaçasve të tjerë).

Aliu ushqeu synimin për pavarësi të plotë ndaj Turqisë, duke u ngritur hapur kundër saj në vitin 1820, vit në të cilin shpallet “Fermanlli” prej Sulltanit (shkelës i dekretit të Sulltanit dhe duhej ekzekutuar). Për rreth dy vjet ndodh përballja e madhe e Aliut me Perandorinë. Paralelisht, ai ndihmon lëvizjet çlirimtare të popujve të ballkanit e vecanërisht kryengritjen e popullit grek. Megjithëse i tradhtuar prej bijve dhe prej shumë nga trashëgimtarët krahinorë, përballoi me dinjitet perandorinë. I quajtur nga personalitetet më në zë të kohës ‘Pirrroja i ri’, “’Pantera e Epirit’, ‘Asllani i Shqipërisë’, ‘Luan i Janinës’, ‘Napoleoni i vogël’, ‘Skënderbeu modern’, vritet pabesisht te kisha e Pandelejmonit nw ishullin e liqenit tw Janinës, më 24 janar (5 shkurt me kalendarin e ri) 1822, duke i prerë kokën. Trupi i Ali pashë Tepelenës u varros përkrah Eminesë së tij të virtytshme në kështjellën e Litharicës, Janinë ndërsa koka e tij, pasi i bënë të githa nderet dhe e shetitën mbi një tepsi nëpër rrugët e qytetit të Janinës, e treguar nga posta në postë, u dërgua në Stamboll si peshqesh Sulltanit dhe u vendos në oborrin e Sulltanit në ‘Kamaren e Turpit’.

Lidhur me vrasjen e Ali Pashë Tepelenës po përmendim dy raste.

(i) Tregimi i cicerones së Muzeut të Ali Pashë Tepelenës në ishullin e Janinës: gjatë një vizite në shtator 1986, ciceronia e Muzeut tregonte se kjo shtëpi ka qënë pronë e Aliut, por që nuk e dinte njeri. Dukej se nga një derë anësore e brendshme e shtëpisë dilje në një tunel, i cili kishte lidhje me kështjellën e Litharicës, në anën tjetër të ishullit, në Janinë. Kur Aliu ishte i rrethuar në kështjellën e Janinës dhe priste fermanin e faljes nga Sulltani, nëpërmjet tunelit erdhi tek shtëpia e ishullit i shoqëruar nga e shoqja dhe një numër i vogël besnikësh të tij. Për habinë tonë, ciceronia na tregoi se Aliun e tradhtoi e shoqja, Vasiliqia. Vasiliqia ka qenë mjaft e bukur dhe portreti i saj thonë se njihej në Perandori. Kur ushtarët osmanë endeshin duke kontrolluar nëpër ishull, Vasiliqia doli në hajatin e katit të dytë, ku qëndronte me Aliun dhe u bëri shenjë ushtarëve. Kur ushtarët hynë në katin e parë, Vasiliqia goditi me këmbë dyshemenë në vendin ku qëndronte Aliu. Ata qëlluan me kobure që poshtë (tre vrima duken edhe sot në atë dysheme), duke e plagosur Alinë. Pashai së bashku me trimat e tij luftoi egërsisht me ushtarët osmanë, por më në fund, e nxorrën tek shkallët dhe atje i prenë kokën. Vasiliqinë nuk e prekën por i dhanë një çiflik ku jetoi deri në fund.

Mendojmë se kjo rrëfenjë mund të mos jetë pa bazë, përderisa edhe studiuesi A. Baldaçi e përmend tradhtinë e Vasiliqisë.

blank

(ii) Baldaçi, në librin e vet (Baldacci, A Rrugëtime Shqiptare1892, f. 119) shkruan për vizitën e tij “… në nisinë e famshme (ishulli i Pandeleimonit në liqenin e Janinës) për vrasjen e Aliut, kryer në bashkëpunim me bukuroshen e tij të dashur Vasiliqi (e cila rrinte shtrirë me tiranin, ndërsa armiqtë po vërshonin në shtëpi, duke shkallmuar dyert dhe duke kërkuar prenë, që ua tregoi tradhtarja greke, pasi e braktisi menjëherë në fatin e vet)”.

blank

La Quotidienne (1831)- Fjalimi i Mustafa Pashë Bushatlliut para njerëzve më të rëndësishëm të Shkodrës: “Preferoni të qëndroni nën zgjedhën e Portës apo të mbroni lirinë tuaj?”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2022

 

“La Quotidienne” ka botuar, të hënën e 18 prillit 1831, në ballinë, një shkrim në lidhje me fjalimin e mbajtur nga Mustafa Pashë Bushatlliu para njerëzve më të rëndësishëm të Shkodrës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Shqipëri

 

Shkodër, 5 mars. (Korrespondencë nga Gazeta Augsburgut.)

 

Pak ditë më parë, Mustafa Pasha thirri njerëzit më të rëndësishëm të qytetit tonë, për të marrë mendimin e tyre për raportin që kishte marrë se Veziri i Madh kishte marrë vendimin për fillimin e luftimeve kundër Pashallëkut të Shkodrës. Mustafai iu drejtua këtij kuvendi në një fjalim, pasazhet më të shquara të të cilit janë si më poshtë :

 

Veziri i madh (e ka fjalën për Reshid Pashën) dëshiron të ndajë territorin tonë. Tashmë, qoftë me kërcënime, qoftë me premtime të rreme, ai ia doli të nënshtrojë nën pushtetin e tij qytetetet e Elbasanit, Tiranës, Kavajës, Durrësit, Krujës dhe Ohrit.

 

Ju kam thirrur së bashku për t’ju bërë të ditur gjendjen e gjërave dhe për të ditur nëse preferoni të qëndroni nën zgjedhën e Portës dhe t’i nënshtroheni sistemit të ri ushtarak dhe sistemit të ri të taksave, apo të mbroni lirinë tuaj; në këtë rast jam gati të sakrifikoj deri në pikën e fundit të gjakut tim; Më duhet t’ju them se e gjithë forca e Vezirit të Madh përbëhet nga vetëm 16.000 burra. Prandaj nuk është e frikshme dhe nuk duhet të frymëzojë ndonjë frikë serioze.

 

Djali im është vendosur në Dibër me 8.000 burra të fisit të Madganit (Matjanit), gati për të hyrë në fushatë. Boshnjakët, zotërit e Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe një pjesë e Serbisë, më dhanë sigurinë se do të më vinin në ndihmë në luftën që po përgatitet. Unë kam kërkuar një burrë nga çdo familje e pashallëkut tim dhe besoj se jam në gjendje të hyj në fushatë katër ditë pas festës së Bairamit.

 

Ky ligjërim ndërpritej shpesh nga shenja të qarta pëlqimi. Kuvendi njëzëri deklaroi se duhej luftuar për ruajtjen e pavarësisë së vendit.

 

Mësuam se qytetet e përmendura më lart ishin të pushtuara vetëm nga një pjesë e vogël e ushtrisë së Vezirit të Madh, ai vetë ishte ende rreth Korçës me dhjetë mijë burra.

blank

La Clef du cabinet des souverains (1797)- Botojmë kopjet autentike të korrespondencës midis Pashait të Shkodrës dhe Napoleon Bonapartit për lexuesit kureshtarë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Janar 2022

 

Gazeta franceze “La Clef du cabinet des souverains” ka botuar, me 15 shtator 1797, në ballinë dhe faqen n°2, kopjet autentike të korrespondencës midis Ibrahim Pashë Bushatlliut dhe Napoleon Bonapartit, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Korrespondenca midis Bonapartit dhe Pashait të Shkodrës

blank

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Milano, 25 gusht.

 

Këtu qarkullojnë kopje që duken autentike, të letrës së Pashait të Shkodrës drejtuar Bonapartit dhe të përgjigjes së gjeneralit francez. Të dyja pjesët janë të denja për vëmendjen e lexuesve kureshtarë.

 

Kopja e letrës së Pashait të Shkodrës drejtuar gjeneralit Bonapart.

 

Zoti është i madh dhe veprat e tij janë të mrekullueshme: për kryegjeneralin, mbrojtësin e ligjit të Isait, për njeriun e fuqishëm të Republikës Franceze, gjeneralin e gjeneralëve, Bonapartin, fitimtarin sublim të rajoneve të Italisë, gjeneralin e përgjithshëm, besnik, i nderuar, i mëshirshëm dhe mirëbërës.

 

Unë i dërgoj atij këtë shkresë :

 

Unë, princi i gjeneralëve.

 

U plotësofshin dëshirat tuaja; u konsolidoftë miqësia jonë e përjetshme; arritshin përshëndetjet e mia të sinqerta; qofsha i informuar me lajmin interesant për gjendjen perfekte të shëndetit tuaj dhe për shkak të kësaj miqësie që do të na bashkojë përgjithmonë dhe për të cilën dëshiroj t’ju jap provat më të informuara dhe më të shpeshta.

 

Miqësia që bashkon Portën osmane me Republikën Franceze nuk ka reshtur kurrë së qeni besnike dhe e sinqertë.

 

Dora e të fortit, e drejtuar nga dora e Zotit, duke asgjësuar fuqinë venedikase dhe duke e nënshtruar atë në ligjet tuaja, vendosi marrëdhënie të reja midis dy monarkive. Harmonia që ekziston mes tyre rritet kur dy popujt i afrohen njëri-tjetrit; dhe forcimi i ri i lidhjeve që na bashkojnë më detyron t’ju kërkoj një nder të ri. Ai konsiston në mbështetjen nga miku im i sinqertë që nënshtetasit dhe tregtarët e mi që tregtojnë në Venedik, të mbrohen në personat dhe në objektet e tregtisë së tyre; le t’u ofrohet mikpritje dhe le të shikohen me sy të mirë. Kjo është kërkesa ime e vetme; dhe për këtë ju kam dërguar këtë shkresë dhe ia kam përcjellë miqve më besnikë. Pas mbërritjes së këtyre pak rreshtave; pasi të keni kuptuar përmbajtjen e tyre, sipas kuptimit në të cilin i kam diktuar; shpresoj që tregtarët e Shkodrës, nënshtetasit e mi, të konsiderohen mirë, të mbrohen dhe të nderohen. Meqë jam i bindur se do të marr atë që kërkoj nga ju, kjo letër do të shërbejë njëkohësisht për t’ju shprehur mirënjohjen time.

 

Zoti është i madh dhe veprat e tij janë të mrekullueshme.

 

Le të mos reshtë kurrë miqësia që na bashkon.

 

Gjenerali i Shkodrës, Ibrahimi.

 

 

Përgjigjja e Bonapartit është pak më afër lakonizmit republikan.

 

 

Përgjigjjja e kryegjeneralit Bonapart për Pashain e Shkodrës Ibrahimin.

 

Kam lexuar me kënaqësinë më të madhe lavdrimet në letrën e shkruar nga Zotëria juaj. Republika franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë; por ajo ka një konsideratë të veçantë, sidomos, për kombin trim shqiptar, i cili ndodhet nën urdhërat tuaja.

 

Kam dëgjuar me dhimbje fatkeqësinë që i ka ndodhur vëllait tuaj (E ka fjalën për Kara Mahmud Pashë Bushatin) : ky luftëtar i patrembur meritonte një fat më të denjë për trimërinë e tij ; por ai u shua nga një vdekje e guximshme.

 

I dërgoj Zotërisë suaj urdhërin e dhënë nga unë, që i lejon flotës osmane të lundrojë pa shqetësim në Adriatik. Turqit do të trajtohen si kombet e tjera, madje do të përfitojnë disa lehtësime : në të gjitha rastet, unë do të mbroj shqiptarët dhe do të jem i lumtur t’i shpreh Zotërisë suaj respektin e konsideratën e lartë që kam për të.

 

Nënshkruar : Bonaparti

 

Në shenjë miqësie, i lutem Zotërisë suaj të merrni katër arkat me pushkë që ju kam dërguar.

blank

Sokol Sejko ishte vetëm 23 vjeç kur u pushkatua në Berat

Sokol Sejko ishte vetëm 23 vjeç kur u pushkatua në Berat më 6 mars 1974.
E akuzuan se gjoja do të hidhte në erë Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun”.
Ai ishte vetëm 10 vjeç kur i arrestuan babain, Teme Sejko dhe xhaxhain Taho Sejko.
Ishte 11 vjeç kur pushkatuan dhe zhdukën varrin e Temes, 12 vjeç kur pa gjyq dënohet dhe pushkatohet pa u marrë vesh xhaxhai Taho dhe 13 vjeç,
kur vetëvritet për motive politike xhaxhai tjetër Sulo Sejko.
blank

Akuza e Sofo Lazrit: Në Drejtorinë Politike të Ushtrisë, ke qenë një nga kuadrot kryesorë për marrëdhëniet me jugosllavët…

Dashnor Kaloçi

Pjesa e njëzetë e tre

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.  Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

 KOMITETI QENDROR                                                                             Tepër sekret

                                                               -Sektori i Përgjithshëm-

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

 Seanca e dytë

SHOKU ENVER HOXHA: Ku është Ndreçi?

SHOKU NDREÇI PLASARI: Unë kam përgatitur një autokritikë të shkurtër 6-7 minuta, po të ketë mundësi, shokë, të më dëgjoni.

Gabimet e fajet e mia janë të rënda. Ato i kanë shërbyer qëllimeve armiqësore të Mehmet Shehut dhe kanë dëmtuar Partinë. Këto gabime e faje që mu vunë në dukje në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë dhe që unë i kam njohur thellë janë: duke hartuar historikun e Brigadës I-rë, unë kam rënë në pozitat e Mehmet Shehut, i cili ka pasur si pikësynim që, për qëllimet e tij djallëzore, ta paraqiste atë njësi të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare si njësia që ka vendosur fatin e Luftës Nacional-Çlirimtare.

Unë e kam fryrë rolin e Mehmet Shehut, duke shkelur kështu kriteret metodologjike shkencore, marksiste-leniniste. Kam shkelur gjithashtu kriteret shkencore të botimit të dokumenteve, duke lejuar që; tradhtari Mehmet Shehu të fuste në vëllimin e parë të shkrimeve të tij të zeza, pesë materiale të fjalimeve të mbajtura nga tetori 1942 në korrik 1943 në Mallakastër, të hartuar gjoja fill pas çlirimit, gjoja në bazë të shënimeve që ka pas mbajtur.

SHOKËT: Pse t’i dëgjojmë këto? Të na thotë pse i ka bërë këto gabime.

SHOQJA MINE GURI: Pse i ka bërë këto, të na thotë.

SHOQJA TEFTA CAMI: Edhe në plenumin e Komitetit Qendror kur u dënua armiku Beqir Balluku, Ndreçi Plasari është kritikuar nga shoku Enver, lidhur me trajtimin e problemeve historike të Brigadës së II-të dhe të figurës së Beqir Ballukut, pse ai nuk ka nxjerrë mësime nga kjo kritikë:

SHOKU HEKURAN ISAI: Ka ca pyetje konkrete, more shoku Ndreçi: Pse për mikrofilmin e arkivit të Londrës që e ka parë dy vjet përpara, nuk ka informuar?! Pse e deformoi historikun e Brigadës I-rë dhe e nxori Mehmet Shehun ashtu? Këto janë pyetje konkrete.

SHOKU GAFURR ÇUÇI: Ndreçi frynte kultin e Mehmet Shehut dhe Mehmet Shehu lavdëronte Ndreçin. Në aktivin e ushtrisë dy herë Mehmet Shehu e ngriti lart Ndreçin, si njohës i mirë i Artit Ushtarak dhe kërkonte që të thirrej nga oficerët dhe të dëgjonin Ndreçi Plasarin. Edhe në zyrën e Mehmet Shehut, kur ishte këtu, më shumë vinte Ndreçi Plasari, sesa njerëz të tjerë.

SHOKU NDREÇI PLASARI: Unë jam munduar të thellohem gjithnjë e më shumë për shkaqet e këtyre gabimeve dhe fajeve dhe me ndihmën e shokëve unë kam arritur në përfundim se jam treguar oportunist, më ka munguar guximi, jam treguar frikacak dhe miop politikisht.

E them me bindje se këto kanë qenë shkaqet. Unë kam bërë gabim të madh, duke e mbivlerësuar personin e Mehmet Shehut, si një ndër “udhëheqësit kryesorë, sido që unë kam pas njohur tek ai nga dokumentet dhe nga jeta në Brigadën I-rë, gjithë ato gabime e të meta. Kurrë nuk më ka shkuar mendja që ai ishte ose mund të bëhej armik dhe kur mendoj se për atë tradhtar kam pasur konsideratë, më përvëlon gjuha tani.

SHOKU QEMAL BREGASI: Na ke bërë goxha moral dhe tani thua që “jam treguar oportunist”, jam treguar ashtu, jam treguar kështu. Ti kishe në dorë dokumentet.

SHOKU FOTO ÇAMI: Një nga kërkesat e historianit marksist-leninist, është t’i respektojë faktet, dokumentet.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po, historiani duhet t’i respektojë faktet, të vërtetat.

SHOKU FOTO ÇAMI: Ti i ke shtrembëruar ngjarjet, pse e ke bërë këtë?

SHOKU NDREÇI PLASARI: Puna e fakteve është një çikë ashtu, se dokumentet e Brigadës I-rë kanë qenë formuluar kryesisht nga Mehmet Shehu dhe ato nuk përfaqësojnë realitetin historik

(shokët shprehin mos aprovim).

SHOKU PIRRO KONDI: Po dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm dhe veprat e shokut Enver i ka pasur parasysh shoku Ndreçi?

SHOKU NDREÇI PLASARI: Edhe ato i kam pasur parasysh, po kryesisht kam pasur parasysh ato të Brigadës I-rë, se në historikun e saj duheshin hollësirat.

SHOKU FOTO ÇAMI: Po pse i ke shtrembëruar faktet?

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ti ke bërë dhe diçka tjetër, ndofta është shumë e vogël në krahasim me këto të tjerat: në albumin e 40-vjetorit, midis nesh si shtab brigade, ke futur Kadri Hazbiun, i cili nuk ka qenë në shtab, bile ajo ishte dhe fotografi e madhe, duket që është falsifikim.

Po këtë gjë e ke bërë dhe në muze. Nga muzeu e hoqa unë, – i thashë dhe Ramizit, që ky nuk hyn këtu, të thashë dhe ty pse e bëre këtë, kurse ti mu përgjigje: po ja kështu që ta nxjerrim. Ç’të nxjerrim? Ai nuk ishte në shtabin e brigadës, atëherë pse ta vinim? Pse bëhet ky falsifikim?

SHOKU NDREÇI PLASARI: Ka qenë një udhëzim, që të dilte një herë çdo anëtar i Byrosë Politike.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Po kur nuk ka qenë anëtar i shtabit të brigadës, pse duhej bërë falsifikim sikur ka qenë? (shokët shprehin mos aprovim për mendimet e Ndreçi Plasarit).

SHOKU NDREÇI PLASARIUnë i kam bërë këto faje dhe janë faje shumë të rënda. Unë e thashë pse.

SHOKU PIRRO KONDIPo pse pikërisht për këta je kujdesur, për Beqir Ballukun, Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun?

SHOKU NDREÇI PLASARI: Jo për Beqir Ballukun.

SHOKU PIRRO KONDI: Po për Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun pse?

SHOKU NDREÇI PLASARI: Ku është nxjerrë Beqir Balluku?! Fjala këtu është për Mehmet Shehun.

SHOKU PIRRO KONDI: Po pse dhe Brigadën e II-të.

SHOKU NDREÇI PLASARIJo, jo, historiku i Brigadës së II-të është botuar në kundërshtim me dëshirën time dhe unë kam kundërshtuar për këtë botim.

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po aty është emri yt!

SHOKU PIRRO KONDI: Po atë të Elbasanit?

SHOKU NDREÇI PLASARIEdhe për Elbasanin nuk e kam lënë ashtu, e di shoqja Nexhmije.

SHOKU SOFO LAZRI: Në Drejtorinë Politike të Ushtrisë, para se të vije këtu, ti ke qenë një nga kuadrot kryesore për marrëdhëniet me jugosllavët.

SHOKU RITA MARKO: Bashkëpunëtor kryesor.

SHOKU NDREÇI PLASARI: Në Drejtorinë Politike?! Po, e kam thënë unë atë.

SHOKU SOFO LAZRI: Mos Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku të mbrojtën, të bënë gjeneral dhe këto vlerësime ti ua bëje atyre për mirënjohje?!

SHOKU NDREÇI PLASARI: Jo, nuk më ka shkuar mendja kështu. Po Mehmet Shehun e kam konsideruar gabimisht, si një nga bashkëpunëtorët kryesorë të shokut Enver.

Kështu e kam njohur. Ky është oportunizëm, mungesë vigjilence, po dhe frikë kam pasur, e kam thënë,

(shokët shprehin mos aprovim për përgjigjet).

Unë nuk prisja ndonjë gjë nga ata.

SHOQJA VITO KAPO: Strategjinë dhe taktikën e Luftës Nacional-Çlirimtare që e kishit vënë në veprën e parë të Mehmet Shehut, kush do ta bënte, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare apo Mehmet Shehu? Ajo ishte vepër e shokut Enver Hoxha.

SHOKU NDREÇI PLASARI: Për kë? Ku?

SHOQJA VITO KAPO: Në veprën e parë të Mehmet Shehut, kini vënë strategjinë dhe taktikën e Luftës Nacional-Çlirimtare.

SHOQJA TEFTA CAMI: Dhe ajo vepër ishte përpunuar nga Ndreçi.

SHOKU NDREÇI PLASARI: Në atë vepër u botuan materialet që kishte shkruar Mehmet Shehu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kam unë një propozim: Unë mendoj se vendimi i organizatës bazë të Partisë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste është i drejtë. Organizata bazë e Partisë e ka shqyrtuar çështjen e tij në mënyrë marksiste, sepse Ndreçi ka bërë gabime shumë të rënda.

Ai ka mbuluar shumë gjëra që dinte për Mehmet Shehun, nuk i ka qëndruar besnik pikërisht atij parimi të madh të historiografisë marksiste që të bazohet në faktet, në dokumentet.

Ky i ka fshehur dokumentet dhe këtu është dëmi i madh që i ka sjellë Partisë. Prandaj, duke qenë dakord me vendimin e organizatës bazë unë i propozoj plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, të miratojmë përjashtimin e Ndreçit nga Komiteti Qendror i Partisë, se nuk e meriton të jetë në këtë forum të lartë të Partisë.

Përsa i përket përjashtimit nga Partia, mendoj të kemi parasysh që shoku Ndreçi ka bërë këto gabime po edhe ka punuar, ka bërë disa punë të mira, pra, ka pasur edhe rezultate, për shembull për hartimin e Historisë së Partisë dhe dokumente të tjera me rëndësi.

Ne këtu nuk jemi në gjendje të shikojmë dhe t’i masim të mirat dhe të këqijat e punës së tij, por mendoj që ne të miratojmë përjashtimin e tij nga Komiteti Qendror dhe t’ia kalojmë Komisionit Qendror të Kontrollit dhe të Revizionimit ta shikojë çështjen e Ndreçit, të mbetet apo të mos mbetet në Parti.

Domethënë vendimin e organizatës bazë të Partisë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste për përjashtimin e Ndreçit nga Partia, të mos e gjykojmë ne këtu, në kuptimin se siç thashë ka dhe anë pozitive, po ta shikojë Komisioni i Kontrollit dhe i Revizionimit. Shoku Pilo ta diskutojë në këtë komision dhe të vendosin. Këtë propozim kam unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Jeni dakord me propozimin? (Të gjithë shokët shprehen dakord).

SHOKU NDREÇI PLASARI: Të rrojë Partia!

SHOKU ENVER HOXHA: Dëshiron të diskutojë ndonjë shok tjetër? Heshtja do të thotë që nuk ka më kërkesa për diskutime. Atëherë mendoj ta mbyllim këtë seancë dhe të vijmë në orën 16.30 për të diskutuar çështjen tjetër. Memorie.al

blank

AKUZAT- “Mehmet Shehu e dërgonte vetë nusen e djalit, jo vetëm te ai francezi, por edhe…”, plenumi i ’82, kur “kryqëzohej” ish-ministri Hazbiu

Dashnor Kaloçi

Pjesa e njëzetë e dy

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.  Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proces-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

 KOMITETI QENDROR                                                                                Tepër sekret

                                                           -Sektori i Përgjithshëm-

 PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

 Seanca e dytë

VELI LLAKAJ: Kë?

SHOKU RAMIZ ALIA: Atë dokumentin e municioneve që the ti?

VELI LLAKAJ: Jo, nuk e ka.

SHOKU ENVER HOXHA: E kam vetëm unë dhe ministri i Mbrojtjes Popullore.

VELI LLAKAJ: Ju dhe ministri i Mbrojtjes.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë pse ia çove ti Mehmet Shehut?

VELI LLAKAJ: Jo, nuk ia kam çuar unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk të them ty, i them Nazarit.

VELI LLAKAJ: Nuk ia ka çuar, ai më tha mua në fillim se i çova tabelën pastaj më tha që jo, “ia raportova me gojë, se i mbaja mend”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po njësoj nuk është?!

SHOKU ENVER HOXHA: Njësoj është: Ali Hoxha, Hoxhë Aliu. Ngrehu ti Nazar e na fol.

NAZAR BERBERI: Shoku Enver, për tabela municioni, për gjëra të tilla nuk kemi bërë fjalë. Nuk kam folur asnjë fjalë për tabela.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse shpif Veliu?!

NAZAR BERBERI: Për tabela municioni, nuk është bërë fjalë fare dhe as më ka pyetur njeri për tabelën e skalionimit të municionit. Le që unë mund t’i mbaj mend, në qoftë se më kërkohej, unë do kërkoja t’i merrja nga Shtabi i Përgjithshëm, po nuk u bë fjalë për tabela municioni.

SHOKU MUHO ASLLANI: Po pse ia thatë Veliut?

NAZAR BERBERI: Jo, për tabelë skalionimi të municioneve nuk i kam thënë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ç’i ke thënë? (dhe shumë shokë pyesin ç’i ke thënë?).

NAZAR BERBERI: Atë ditë para se të vija te Mehmet Shehu i kam thënë Veliut që nuk e di përse më do Mehmet Shehu, se vija nga Gjadri, mos më do për ndonjë tabelë a për gjë për municionin? E kam shprehur kot, po nuk kam thënë gjë (shokët reagojnë: si kot?).

SHOKU ENVER HOXHA: A nuk e dije?!

SHOKU SIMON STEFANI: Si “kot” e ke shprehur?

NAZAR BERBERI: Jo, nuk është bërë fjalë fare për tabelë municioni dhe as më ka kërkuar një gjë të tillë (reagim nga shokët).

SHOKU HARILLA PAPAJORGJIPo pse the tabelë municioni?

NAZAR BERBERI: Jo, nuk kam thënë, s’është bërë fjalë fare për tabelë dhe as më ka kërkuar njeri. Po të më kërkohej unë do kërkoja patjetër të merrja në Ministri se nuk mund t’i mbaj mend ato të dhëna.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse vajte te Mehmet Shehu?

NAZAR BERBERI: Ai më ka pyetur, shoku Enver, për atë që thashë, nëse kisha qenë në hotel “Tirana”, në kafe. I thashë: Kam qenë. Me kë ishe? – më pyeti. I thashë që isha bashkë me gruan. Vetëm këtë më pyeti, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po për këtë gjë ti na ke thënë se të mori në telefon.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu ke thënë: “më mori në telefon”.

NAZAR BERBERI: Po. Kadri Hazbiut kështu i kam thënë: më mori Mehmet Shehu në telefon.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po.

NAZAR BERBERI: Ai më ka marrë e më ka pyetur për këtë që thashë.

SHOKU ENVER HOXHA: Të ka pyetur në telefon? Nuk të ka thirrur në shtëpi?

NAZAR BERBERI: Po, më ka thirrur, shoku Enver. Hajde këtu, më tha ta sqarojmë se është një problem familjar.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ti e sqarove në telefon, i the që ti nuk dije gjë.

NAZAR BERBERI: Jo, nuk e sqarova dot në telefon, nuk e zgjati bisedën në telefon.

SHOKU ENVER HOXHA: Po sikur ishim atje ne dhe të dëgjuam ty! (të qeshura).

NAZAR BERBERI: Unë isha në zyrë dhe atje kisha dhe njerëz të tjerë në atë kohë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti na the që të pyeti “në telefon” dhe pastaj na thua: vajte në shtëpi.

NAZAR BERBERI: Vetëm kaq, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti i the me gojë Veliut që Mehmet Shehu të pyeti për tabelën e skalionimit të municioneve.

NAZAR BERBERI: Jo, shoku Enver, për municione nuk më pyeti.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Mehmet Shehu ishte ai që udhëzonte vetë nusen e djalit të vinte të takonte jo vetëm atë francezin po t’i takonte edhe të tjerë gjetkë, e gjetkë e gjetkë. Nuk kishte ai nevojë të vërtetonte, (se u shqetësua shumë ai nëse u takua nusja me francezët apo nuk u takua!).

NAZAR BERBERI: Dakord.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ky ishte preteksti që ti të vije në shtëpi. Tani çfarë muhabeti është bërë atje, këtë kërkon plenumi. Nuk ishte çështja për nusen e djalit, se ti e ke marrë vesh tani si e përdorte ai nusen e djalit, pra, nuk kish pse të shqetësohej, se u takua nusja e djalit me francezët?!

NAZAR BERBERI: Shoku Hekuran, ai më tha kështu: “Më thanë: kam informacion se ke qenë ti në kafen e hotel “Tiranës”. Kam qenë, – i thashë. Ke pirë kafe? – më pyeti. Po, kam pirë, – i thashë. Ke parë gjë nusen e djalit tim atje? – më pyeti. Unë nuk e njoh, – i thashë dhe nuk kam parë njeri. Vetëm kaq dhe e kemi mbyllur bisedën, (shokët shprehin mos aprovim për përgjigjet).

Lidhur me detyrën për tanket, unë nuk i kam pasur në vartësi tanket. Për armët e tjera si për aviacionin, flotën, mbrojtjen kundërajrore, ato i di, i njoh, po për tanket nuk më ka dhënë ndonjë porosi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po për ato që ke pasur ti në varësi, të ka thënë gjë?

SHOKU HAKI TOSKA: Po për këto armët në formë bastuni, di gjë ti?

NAZAR BERBERI: Nuk e di atë.

SHOKU HAKI TOSKA: Ti i ke në varësi uzinat që kanë prodhuar këto armë?

NAZAR BERBERI: Unë nuk di gjë për përgatitjen e armës bastun.

SHOKU HAKI TOSKA: Ti e mbulon drejtorinë që i ka uzinat ushtarake?

NAZAR BERBERI: Drejtoria e armatimit i ka ato, po unë pothuaj nuk e di problemin e prodhimit të këtyre armëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Si “pothuaj” nuk e di?!

NAZAR BERBERI: Jo, jo.

SHOKU ALI VUKATANA: Drejtoria e armatimit, nuk bën asnjë veprim pa lejen e zëvendësministrit që e mbulon këtë drejtori.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ashtu është.

SHOKU ALI VUKATANA: Prandaj Nazari duhet të dijë për këtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë, nuk mund të vejë kush të dojë në uzinë dhe të porosisë armë.

NAZAR BERBERI: Për prodhimin e armës bastun, unë po e them që nuk di gjë fare. Këtë çështje e kam marrë vesh tani vonë, kur më tha shoku Ali, (shokët shprehin mos aprovim për përgjigjet).

SHOKU XHEMAL DYMYLJA: Këta askurrkund “nuk kanë qenë”, po në shtëpi të Mehmet Shehut kanë qenë dhe për Mehmet Shehun gjithkund kanë qenë. Dhe logjika më e thjeshtë, e thotë se tërë këto janë përralla me mbret! Një çikë më ashtu, mor Nazar, thuaj që këto i bëra! (të qeshura).

SHOKU ENVER HALILI: Atë që tha shoku Hekuran, të na e thotë shqip. Shoku Hekuran i tha: ne të tërë e dimë çfarë bënte Mehmet Shehu me nusen e me djemtë, tani të tërë e morëm vesh zyrtarisht pra, dhe ti e di që nuk të thirri për atë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse të vinte të kërkonte nga Nazar Berberi, nëse e kishte parë nusen e djalit të tij me francezët, kur unë, Mehmet Shehut, që ishte bashkë me Fiqreten, i thashë: more Mehmet, e di çfarë të bën ajo nusja e djalit tënd? Ajo po të bën kurvëri. Si?! – tha ai. Me të huajt, me francezët, – i thashë. Dhe ai djali yt, – i thashë unë, duhet të rrijë urtë. Ai mu përgjigj: I kam thënë djalit, po ai më thotë: ç’do ti baba, unë kam të drejtën time, vete ku të dua (të qeshura). Edhe këtë ta tha?! – i thashë unë Mehmetit. Po ti ç’bëre? – e pyeta. Të them të drejtën ika, – tha. Pas kësaj bisede, pse u dashkej të vinte te Nazari, ai e ta pyeste për këtë çështje?!!

NAZAR BERBERI: Shoku Enver, ai donte të vërtetonte informacionin. Unë me të shkëmbeva vetëm dy fjalë, shoku Enver, ato fjalë që i thashë pak më lart.

SHOKU ENVER HOXHA: E dinte atë me kohë Mehmet Shehu.

NAZAR BERBERI: Në informacion i thoshin që në kafen e hotel “Tiranës”, kisha qenë dhe unë, (të gjithë shokët i thonë që ai e dinte, nuk do të të pyeste ty).

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse e zgjat këtë punë. Nuk kishte nevojë Mehmet Shehu të të pyeste ty, se ai e dinte, ia kishim thënë ne atë çështje, ia kishte thënë, më duket, dhe Kadriu. Pse të të pyeste ty?

NAZAR BERBERI: Nuk e di, ai atë pyetje më bëri.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ai e dërgonte vetë nusen e djalit me “detyra”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Informacioni që përmendët ju, na erdhi neve dhe ne ia dërguam atij, ia çoi shoku Simon. Ai e pa të shkruar dhe e lexoi.

SHOKU SIMON STEFANI: Po, ia çova unë.

NAZAR BERBERI: Po dhe mua për atë çështje më pyeti.

SHOQJA EMINE GURI: Tani është e qartë. Unë mendoj ta përjashtojmë nga Partia edhe Nazar Berberin. Këta të tërë një gjuhë po mbajnë dhe duket qartë që këta fshihen.

SHOKU ENVER HOXHA: Bukur. E vëmë në votë. Kush është dakord që Nazar Berberi të përjashtohet nga Partia? (Të gjithë shokët u shprehën dakord).

SHOKU ENVER HOXHA: Kundërshtim?… Nuk ka. (Veli Llakaj dhe Nazar Berberi ikin).

SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Me leje, shoku Enver?

SHOKU ENVER HOXHA: Urdhëro, fol. (Në periudhën që presin sa të largohen ata që u përjashtuan nga Partia, shoku Enver thotë: Më mirë mollët të jenë të kuqe e të forta, sesa të jenë të krimbura. Këta na kanë luajtur qindin, (të gjithë shokët shprehin miratim).

SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Organizata bazë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, analizoi gabimet dhe fajet shumë të rënda të anëtarit të saj, Ndreçi Plasari, i cili me punën e tij studimore dhe botuese është përpjekur të mbulojë të vërtetën historike në lidhje me personin e Mehmet Shehut dhe të fryjë kultin e tij.

Prandaj, të gjithë komunistët, të pakënaqur nga autokritika me shkrim që e dorëzoi me dhjetë muaj vonesë dhe jo me iniciativën e tij si dhe nga autokritika me gojë në përgjigje të pyetjeve të shumta që iu bënë, njëzëri e kritikuan rreptë dhe e dënuan atë për mungesë të theksuar të sinqeritetit dhe autokritikë shumë të dobët, lidhur me marrëdhëniet e tij me krye-agjentin Mehmet Shehu.

Gjithashtu organizata e kritikoi atë për oportunizëm dhe mungesë vigjilence, për lëshime në parime, që u kanë shërbyer synimeve të egra të armikut Mehmet Shehu, në dëm të interesave të popullit dhe të Partisë, për shkelje në mënyrën më flagrante të objektivitetit shkencor të dokumenteve në studime, po dhe në botime e në materiale të ndryshme për Mehmet Shehun, duke rënë kështu në subjektivizëm dhe në shtrembërime të së vërtetës historike.

Organizata e Partisë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste mësoi fakte të tjera për mos informimin, nga ana e Ndreçi Plasarit në asnjë instancë të Partisë, për dokumente shumë komprometuese të Mehmet Shehut, të cilët i kanë kaluar nëpër duar shokut Ndreçi Plasari, sidomos një dokument zyrtar i zbulimit anglez, tërhequr si mikrofilm nga arkivi i Londrës, ku, ndër të tjera, për agjentin Mehmet Shehu thuhet: “Ambicia e tij ia kalon besnikërisë ndaj Partisë” dhe kjo lidhej me një opozitë që ata mendonin të krijonin në gjirin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Ndreçi Plasari këtë e dinte prej dy vjetësh e ca përpara dhe nuk e kishte thënë gjëkundi.

Gjithashtu për mosinformim të disa bisedave të Mehmet Shehut me të, të bëra jo pa qëllim si për shembull, për programin demokratik-borgjez të shkruar nga ai më 1942, që përmendet edhe në fjalimin tuaj, shoku Enver “Tablo sinoptike e veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, pa i thënë përmbajtjen e vërtetë, por që Ndreçi Plasari “nuk u kujtua” t’ia thotë Partisë edhe pse kaluan dhjetë muaj pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Ndreçi Plasari ka pasur frikë (siç deklaroi ai) se mos armiku Mehmet Shehu si ministër i Brendshëm, mund të hakmerrej me ndonjë “shpifje”. Kjo si dhe pyetja që ka bërë në Konferencën e Partisë të Tiranës të vitit 1956 për dy udhëheqës të Partisë: “Pse nuk kanë marrë takime me popullin” e vunë organizatën e Partisë në dyshime. Kjo pyetje ishte në vorbullën e tërë atyre pyetjeve që drejtoheshin në këtë konferencë nga elementët e këqij.

Për të gjitha këto, organizata bazë vendosi njëzëri t’i propozojë plenumit të Komitetit Qendror të Partisë që Ndreçi Plasari të përjashtohet nga plenumi i Komitetit Qendror dhe nga radhët e Partisë. E dyta, të largohet nga Instituti i studimeve marksiste-leniniste, të shkarkohet nga të gjitha funksionet e tjera drejtuese të tij dhe organi përkatës i nomenklaturës të vendosë për punën me të cilën do të merret në të ardhmen.

Ky është vendimi i organizatës bazë të Partisë të Institutit të studimeve marksiste-leniniste që unë kam porosi t’ia paraqes plenumit të Komitetit Qendror të Partisë. Memorie.al

                                                             Vijon

blank

“Bisedat që bën Xhavit Qesja me familjarët dhe të afërmit që i shkojnë në shtëpi dhe…”- Raporti i shefit të seksionit të Vëzhgimit të Degës së Durrësit

Pjesa e pesëdhjetë e pestë

Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë  si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

                                                             Vijim

Dokumenti sekret i dy Punëtorëve Operativ të Sigurimit të Shtetit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Gëzim Bejko dhe Arben Mitre, me planin e kombinacionit për survejimin e përgjimin me teknikë operative të internuarit Xhavit Qesja në qytetin e Shijakut

 MIRATOHET                                                                                                        “SEKRET’

KRYETARI I DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME                                          EKZEMPLARE Nr.___

REFIK NANAJ                                                                                            Durrës, me 1.5.1987

                                                                     PLAN – KOMBINACIONI

PËR PËRDORIMIN E MJETEVE TË T. O. TË GRUPIT “AR” NË DREJTIM TË OBJEKTIT XHAVIT QESJA E TAKUESVE TË TIJ.

Nga ana e organit tonë përpunohet në 2/A objekti Xhavit Qesja.

Atij gjatë ditëve të pushimit si dhe të festave i vinë për të takuar shumë persona të afërm të familjes së tij.

Me qëllim për të hedhur dritë mbi pozitën e objektit si dhe të fiksojmë se të cilit karakteri i zhvillojnë bisedat – takuesit më të, do të organizojmë një përgjim me mjetet e T.O.

Për realizimin e këtij përgjimi do të merren këto masa:

  1. Përgjimi do të realizohet rreth orës 13 të datës 1.5.1987, në banesën e tij e cila është e pajisur me mjetet e përgjimit “AR” stacionar.
  2. Punëtori operativ Arben Mitre do të bisedojë me poseduesin e pikës së kontrollit që me datë 1.5.1987, rreth orës 13.00, të na lërë në dispozicion një nga dhomat e banesës se kemi njoftime se mund ta vjedhin.
  3. Në pikën e kontrollit do të rrinë Punëtori Operativ i T.O. Gëzim Bejko dhe Punëtori Operativ që ndjek përpunimin Arben Mitre.
  4. Përgjimi do të vazhdojë për aq kohë sa do të ketë interes operativ.

PUNËTORI OPERATIV                                                           PUNËTORI OPERATIV I T.O.

ARBEN MITRE                                                                              GËZIM BEJKO

Raport-informacioni sekret i Punëtorit Operativ Gëzim Bejko, lidhur me përgjimet e bisedave të bëra nga i internuari Xhavit Qesja, me familjarët dhe të afërmit e tij në qytetin e Shijakut

 DEGA PUNËVE TË BRENDSHME                                                                     “SEKRET”

  DURRËS                                                                                            EKZEMPLARË I VETËM

  Nr.57                                                                                                      Durrës 5.6.1987

                                                                                                             “Ndalohet riprodhimi”

                                                                     INFORMACION I T.O.

MBI BISEDAT E ZHVILLUARA MIDIS OBJEKTIT XHAVID QESJA ME TAKUESIT MË DATË 1.5.1987 ORA 13.000-20.00

Legjenda:

O – Objekti Xhavit Qesja

T 1 – _____________

T 2 – _____________

Zhvillojnë biseda sporti. Bisedojnë për lojtarin Majaci, Bubeqi, Muça etj. Biseda pa interes operativ. Bëjnë një bisedë të gjatë për futbollin e kombëtares tonë. Në bisedë merr pjesë dhe objekti i cili tregon një njohje të mirë për skuadrën e 17 Nëntorit. Në vazhdim flasin për fëmijët, për filmat, për aktoren Margarita Xhepa, e të birin e saj!

T 1 – Dole sot?

O – Dola me ble sheqer, shkumë me ble bukë.

T 1 – Ne shkumë në Durrës, për sandale

T 2 – Po të reja i ka sandalet kjo.

T 1 – Të reja, por do të tjera!

T 2 – Çfarë numëri i ka?

T 1 – 37

T 2 – Dolën pardje por e vranë.

T 1 – Unë përcolla Takun, ai u ngrit në orën 9.00

O – Në orën 9.00 u ngrit ai. (Pauz)

(Bëjnë fjalë për punët shtëpiake që kanë bërë paradite)

T 1 – (Bën fjalë se ka shkuar tek shtëpia e Besimit dhe ky kishte ditëlindjen e vajzës, biseda pa interes operativ).

Bëjnë fjalë për fëmijët se si duhet të bëjnë flokët, disa thonë se duhet të mbajnë me bishtaleca, e tjera).

Në vazhdim bëjnë fjalë se kanë qenë në një ditëlindje (Takuesi parë), e bën fjalë se fëmijët u përlyen me pasta, e bënin shumë rrëmujë. Më vonë takuesit largohen.

Në orën 20.00 regjistrimi u ndërpre.

                              Punëtori operativ i T.O.

                                          Gëzim Bejko

Shënimi i funksionarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, Shkëlzen Bajraktari, për ministrin e Punëve të Brendshme, lidhur me të internuarin Xhavit Qesja               

A mund ta internojmë

në qytetin e Shijakut

më shumë për nënën që

na ka bërë disa lutje?

                      Shënim për shokun Ministër!

Nga verifikimet e bëra për rrethin familjar të të dënuarit Xhavit Qesja, rezulton se ka këto lidhje:

  1. Nëna e tij, Sabrie, është me banim në qytetin e Durrësit, nga një familje me qëndrim të mirë. Një vëlla i saj është dëshmor, ndërsa nipi i saj, Ramazan Ferra, është ‘Hero i Punës Socialiste’ dhe drejtor ndërmarrje. Babai i Sabires është kushëriri i parë me Xhemal Ferrën (Konti Ferra).
  2. Xhaviti ka tre vëllezër me banim në qytetin e Durrësit, të quajtur: Xhaferr Qesja, A.P. Pensionist. Gruaja e tij, Kadria është A.P. Pensioniste, ndërsa njëri nga djemtë e tij, Iliri, në vitin 1978 është këshilluar për agjitacion e propagandë armiqësore, e aktualisht në kontroll operativ 2/B.
  • Vëllai tjetër i quajtur Besim Qesja, ish – i dënuar me 1 vit pune korrektonjëse, aktualisht në kontroll operativ 2/B për agjitacion e propagandë armiqësore. Gruaja e tij, është vajza e Xhemal Pengilit nga Kruja, shtresë e pasur e prekur nga reformat e Pushtetit popullor. Aktualisht, Besimi është me punë punëtor.
  • Vëllai i tretë, Ruzhdiu, është arsimtar po aty, i martuar në një familje me qëndrim të mirë politik. Aktualisht Ruzhdiu jeton së bashku me nënën e tij, Sabirenë.
  • Një motër e Xhavitit, e quajtur Dëshira Kalaja, banon në Tiranë, e martuar me Gëzim Kalanë, me punë inxhinier, baba i të cilit ka qenë i dënuar për veprimtari armiqësore.
  • Xhaxhallarët e Xhavitit, të quajtur Mil e Xhemali Qesja me banim në Krujë, prej të cilëve Mili ka qenë i cilësuar kulak.
  1. Xhaviti ka qenë i martuar me të quajturën Meriban Najdeni, A.P. që nga vitit 1941, aktualisht pensioniste në Tiranë, me të cilën ka dy fëmijë. Djali, Shpëtim Najdeni është inxhinier gjeolog, kurse vajza, Mira Najdeni, arsimtare me arsim të lartë. Të dy me qëndrim të mirë moralo – politik.

Meribani është ndarë me Xhavitin, para se ky i fundit të përjashtohej nga Partia. Si familje, me vendim gjykate Nr.156, datë 25.11.1975, kanë ndryshuar mbiemrin nga Qesja në Najdeni.

Gjatë kohës që Xhaviti ka qenë në burg, është trajtuar vetëm nga nëna e tij e quajtur Sabire, ndërsa vëllezërit e gruaja e tij, nuk kanë mbajtur asnjë lidhje me të.

                                    KRYETARI I DEGËS VIII

                                  SHKËLZEN BAJRAKTARI

Tiranë, më 8.1.1987

Raport-informacioni sekret i Shefit të Seksionit të Vëzhgimit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Ilia Bardhi, lidhur me ndjekjen, vëzhgimin dhe përgjimet e bëra ndaj të internuarit Xhavit Qesja

                                                                                                                 SEKRET

                                                                                                   EKZEMPLAR I VETËM

                                                                                                   DATË 28 – 29/8/1987

                                                  R A P O R T

MBI VËZHGIMIN E OBJEKTIT XHAVIT QESJA I CILI NGA ANA E JONË NJIHET ME PSEUDONIMIN

                                                                 “G O R I L L A”.

Ditën e parë datë 28.8.1987 – Në Orën 7.00’ filloi vëzhgimi në pritje të ardhjes së objektit në Degën e P. Brendshme.

Në Ora.9.00’ shihet që objekti vjen nga drejtimi i rrugës “A. Goga” i shoqëruar nga gruaja e djalit të Ruzhdiut, vëllait të objektit e si vinë para Degës, këtu gruaja qëndron në pritje, ndërsa objekti shkon e futet në Degën e P. Brendshme.

Në Ora 9.30’ objekti del nga Dega e bashkohet me gruan e djalit të Ruzhdiut e që të dy largohen duke vazhduan ecjen në këmbë në rrugën “A. Goga” e në Ora 9.45’ që të dy futen në shtëpinë e Rruzhdi Qeses, në lagjen Nr. II.

Në Ora 12.05’ shihet që objekti del nga shtëpia e Rruzhdiu i shoqëruar nga djali i Rruzhdiut që të dy së bashku kalojnë në rrugët “I. Qemali”, “B. Çelmeta”, “Xh. Hasa”, “Migjeni” e në Ora 12.15’ futen në poliambulancën qendrore në dhomën ku bënë vizita “Otorinollogu”.

Në Ora 12.35’ objekti së bashku me djalin, dalin nga vizita e kalojnë po në të njëjtat rrugë e në Ora 12.50’ futen në shtëpinë e Rruzhdiut.

Deri në Ora 21.30’ që vazhdoi vëzhgimi, objekti nuk është parë që të dalë më. Pas kësaj ore vëzhgimi ndërpritet.

Dita e dytë Datë 29.8.1987. – Në ora 6.30’ filloi vëzhgimi në pritje të daljes së objektit nga drejtimi i shtëpisë së Rruzhdiut?

Në Ora 7.20’ shihet që objekti del nga drejtimi i shtëpisë së Rruzhdiut i shoqëruar nga djali i Rruzhdiut dhe gruaja e djalit të Rruzhdiut e që të tre kalojnë në rrugët “I. Qemali” e në Ora 7.35’ futen në laboratorin e analizave të gjakut e të urinës.

Në Ora 7.40’ objekti i shoqëruar po nga djali e gruaja e djalit të Rruzhdiut, dalin prej këtu e kalojnë po në këtë rrugë e si vinë para shtëpisë së Rruzhdiut këtu gruaja e djalit të Rruzhdiut, ndahet nga objekti dhe shkon e futet në shtëpinë e saj, ndërsa objekti së bashku me djalin e Rruzhdiut kalojnë në rrugën “I. Qemali”, “A. Goga” e në Ora 7.55’ para Degës P. Brendshme, këtu djali qëndron në pritje ndërsa objekti shkon e futet në Degën e P. Brendshme.

Në Ora 9.10’ objekti del nga Dega e bashkohet me djalin e Rruzhdiut e që të dy kalojnë po në rrugën “A. Goga”, “I. Qemali” e në Ora 9.35’ futen në shtëpinë e Rruzhdiut.

Në Ora 10.50’ objekti së bashku me djalin e Rruzhdiut, dalin nga shtëpia e kalojnë në rrugët “I. Qemali”, “B. Çelmeta”, “Xh. Hasa”, “Migjeni” e në Ora 11.10’ futen në qendrën sanitare.

Në Ora 11.20’ dalin nga qendra sanitare e kalojnë po në këto rrugë e në Ora 11.25’ futen në poliambulancë, këtu objekti vizitohet tek dhoma e vizitave për zemër.

Në Ora 12.35’ objekti del nga këtu së bashku me shoqëruesin e kalojnë në rrugët “Migjeni”, “Xh.Hasa”, “B.Çelmeta”, “I.Qemali” e në Ora 12.50’ futen në shtëpinë e Rruzhdiut.

Deri në Ora 21.30’ që vazhdoi vëzhgimi, objekti nuk është parë që të dalë më. Pas kësaj ore vëzhgimi ndërpritet.

U shtyp sipas raporteve origjinale të përpiluara nga grupet e vëzhgimit. Memorie.al

                   PËRGJEGJËSI SEKTORIT VËZHGIMIT

                                     ILIA BARDHI

Vijon

blank

Kur Koçi Xoxe pranonte që kishte kryer 6 vrasje me urdhër të Enver Hoxhës dhe e kërkonte dëshmitar në gjyq

DITA posedon dosjen e deklasifikuar gjyqësore të Koçi Xoxes, një prej personazheve të dënuar të regjimit komunist.

Në seancën e shtatë të gjyqit të datës 18 maj 1949 Xoxe kërkon të vijë dëshmitar Enver Hoxha dhe flet lidhur me ekzekutimin pa urdhër të 6 personave si dhe kryerjen e torturave për të tjerë.

Më poshtë pjesë nga dosja botuar në Dita:

Sekretari: (Lexon shënimin në proces-verbal. Sot në datën 18/5/1949 fillon seanca e 7-të e procesit kundër grupit trockist dhe armiqve të popullit, të kryesuar nga Koçi Xoxe)

Prokurori (Bedri Spahiu): -Vazhdojmë me seancën e shtatë. Keni gjë për sa akuzoheni deri tani ju i pandehuri Koçi Xoxe?

Koçi Xoxe: -Unë dua të flas për ato që u zhvilluan nga akuza dje dhe pardje, megjithëse kisha thënë se nuk do të flisja, do të flas sot.  Por meqë sot nuk jam në gjendje fizikisht se me dashjen time nuk kam ngrënë dy ditë, kërkoj nga trupi gjykues që këto përgjigje t’i jap dhe prandaj, për sot të shtyhet gjyqi.

Kryetari(Frederik Nosi): -Po nga gjendja mendore, a je mirë i pandehur, se shohim se ti flet fare mirë dhe në rregull, prandaj përgjigju duke qëndruar ndenjur.

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe sa të holla ka përvetësuar nga arka e Sigurimit?

Koçi Xoxe: -Në arkën e Sigurimit kam marrë 43.000 lekë që kam thënë edhe në hetuesi. Por tani më kujtohet se nga këto, 11.000 lekë janë shpenzuar duke paguar kooperativën, kështu që mbeten vetëm 32.000 lekë që kam marrë për nevoja të shtëpisë. Këto të holla i kam marrë në bazë të një vendimi të pjesshëm të Byrosë që ishte marrë shumë kohë më parë. Këto të holla i kam tërhequr nga Ndihmës Ministrat sa herë që kam pasur nevojë dhe dëftesë nuk kam lëshuar.

Kryetari(Frederik Nosi): -Po a i di ti i pandehur rregullat e financës se si tërhiqen të hollat nga arka dhe nëse duhet lëshuar dëftesë?

Koçi Xoxe: -Dëftesë nuk kam lëshuar se i kam marrë nga ndihmësit e mi.

Prokurori: -Po në Republikën tonë Popullore, i pandehur, ka rregulla financiare në marrjen e të hollave, që duhen respektuar dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të merret Byroja siç thua ti, vendim për tërheqje të hollash në mënyrë abuzive.

Koçi Xoxe: -E di që ka rregulla financiare. Por unë nuk kam lëshuar dëftesë se i kam marrë nga ndihmësit dhe as më janë kërkuar dëftesa.  Unë nuk kam abuzuar, por janë marrë në bazë të një vendimi të një pjese të Byrosë.

Prokurori: -Po a mundet Byroja të marrë një vendim të tillë arbitrar?

Koçi Xoxe: -Kanë marrë edhe udhëheqës të tjerë. Dhe unë kisha më shumë nevojë sepse kisha familjen më të madhe.

Prokurori: -Kjo është një shpifje me të cilën i pandehuri kërkon të denigrojë udhëheqësit e tjerë. Koçit i duhej kjo për luksin dhe jetën që bënte. Ky mbante katër vetura në dispozicion. Në banjat e Durrësit kishte pallatin më të madh e më të lartë nga gjithë udhëheqësit e tjerë.

Koçi Xoxe: -Ky është një atak moral që më bëhet.

Prokurori: -Kjo është më e vogla, ajo më minimalja, në gjithë vargun e krimeve të shëmtuara të të pandehurit.

Kryetari: -Ju avokat i të pandehurit keni gjë për të thënë?

Spiro Stringa (Avokat): -Kërkoj të pyetet i pandehuri nëse do mbrojtjen time  dhe të caktojë ata që do të thirren për dëshmitarë.

Koçi Xoxe: -Unë do të mbrohem vetë.

Spiro Stringa: – I pandehuri duhet të ketë qetësi dhe pastaj të përgjigjet. I lutem trupit gjykues t’i jepet mundësia të pandehurit që të përgjigjet një ditë tjetër.

Koçi Xoxe: Dhe për sa u përket dëshmitarëve kam kërkuar të thirret Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha) për t’u pyetur në lidhje me dy raste. .. Për ato që tha Prokurori, për vrasjet pa gjyq, kanë qenë 6 raste. Dhe për këto kam pas qenë këshilluar dhe është bërë me urdhër të shokut Komandant(Enver Hoxhës). Dhe për këtë ka pasur edhe vendim të Byrosë. Kurse vetëm për një rast, është bërë duke u këshilluar vetëm me Komandantin(Enver Hoxhën). Për tortura unë nuk kam dhënë urdhër, vetëm për dy raste për Myzafer Pipën dhe një tjetër. Por nuk kam thënë që Myzafer Pipa të torturohej me hekur të skuqur. Me Gjyq Special ka qenë ekzekutuar vetëm Galip Hatipi dhe për këtë mora urdhër nga Komandanti(Enver Hoxha).

Prokurori: -Kërkoj, shokë gjyqtarë, të vazhdojë procedimi kundër të pandehurve të tjerë…

(Pas kësaj u procedua në pyetjen e të pandehurit Pandi Kristo) / dita

blank

Pengu i Profesor Kristo Frashërit për thesaret që presin dritën e botimit Nga Gjergj Kristo Frashëri

 

Dëshiroj të tregoj diçka nga përjetimet, që i biri trashëgon nga marrëdhëniet familjare me të atin. Kam përzgjedhur të tregoj tri mbresa gjurmëlënëse prej një babai, prindit të ndershëm dhe patriot, prej një mësuesi të historisë, i cili e shkriu jetën në sytë e fëmijëve të vet, për të zbuluar të vërtetën e historisë së Shqipërisë dhe të trojeve të banuara historikisht nga shqiptarët në Ballkan.

1. Qysh herët në rininë time e kam pyetur veten: Përse im atë Kristo Frashëri zgjodhi të bëhej historian dhe t’i kushtohej me pasion të pashtershëm Historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve të Ballkanit?

Kristo Frashëri erdhi në jetë më 1920, tetë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë dhe pikërisht në vitin e Kongresit të Lushnjës, atëherë kur, pas pesë shekuj nën Perandorinë Osmane, filloi të organizohej e të mëkëmbej shteti shqiptar i pavarur. Ai lindi në Stamboll në mjedisin e njërës prej familjeve të mirënjohura të Frashërllinjve, pjesëmarrëse në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe me pinjollë veprimtarë dhe sponzorues të Lidhjes së Prizrenit. Ai ishte djali i parë i atdhetarit dhe publicistit rilindas Anastas Josif Frashërit dhe nënës Evdhoksia Tole, gjithashtu edhe ajo prej një familjeje të njohur patriotike nga Ogreni i Dangëllisë të mërguar në Stamboll. I ati i Kristos erdhi i pari nga mërgimi në Tiranë më 1924 me qeverinë e Nolit, ndërsa familja e tij bashkë me Kriston u riatdhesua në Tiranë më 1927. Në Tiranë, Kristo përfundoi Gjimnazin më 1939.

Në fëmijëri u rrit nga prindërit me shqetësimin e asaj kohe – “për të bërë Shqipërinë”. Në vitet pas Shpalljes së Pavarësisë doli në plan të parë detyra patriotike dhe mundësia reale, qe historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, aq e munguar prej shekujsh, të shkruhej nga vetë shqiptarët, ashtu siç kishin filluar ta skiconin rilindësit tanë. Doja të thosha se nuk ishte rastësi që ai qysh fëmijë u nxit duke u mbuluar me dashurinë atërore, që të zgjidhte profesionin e historianit për të kryer këtë detyrë, aq të domosdoshme për mbijetesën qytetare që kishte në ato dekada vendi ynë. Koha tregoi se përkushtimi për historinë u bë frymëzimi i jetës dhe puna e palodhur e tij.

Me gjithë vështirësitë politike që i nxori jeta dhe realiteti i viteve ’40 të shekullit të kaluar, në sajë të punës së tij këmbëngulëse përmes studimeve historike që paraqiti në fillimet e viteve ‘50 dhe me përkrahjen e historianit Aleks Buda, ia doli të rreshtohej në frontin e institucioneve shkencore të vendit për studimet historike. Nuk ka qenë vetëm një herë që kam dëgjuar prej tim eti në bisedat familjare të mbrëmjeve të vona, pengun e madh të tij – atë që i ati i tij Anastasi, vdekur më 1958, nuk kishte arritur të shihte të botuar historinë e parë të plotë akademike të Shqipërisë në dy vëllime më 1959 dhe 1965, ku Kristo kishte shkruar si autor, pjesën e historisë mesjetare dhe të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Madje, nuk arriti t’i tregonte të atit as edhe të parën “Sintezë mbi Historinë e Shqipërisë” që botoi si autor i vetëm në tre gjuhë, më 1964.

Ishte një peng i të birit, i lidhur me një premtim të heshtur të tij, që i kishte dhënë të atit të vet në moshën e pastërtisë fëminore dhe atë rinore, se do të arrinte të bëhej një historian i merituar. I sti nuk arriti që të shihte rezultatin, atë që i biri ishte pranuar tashmë si historian nga qarqet shkencore akademike të Shqipërisë.

Jam i sigurt se Ikona e të atit të vet ishte identifikuar për Kriston me simbolin e atdheut. Ajo e ndoqi atë deri në frymëmarrjen e fundit – në formën e një energjie të palodhur dhe të pashtershme për të punuar, për të hapur dritare të mëdha e të vogla të murosura dhe të padukshme në ndërtesën e historisë së Shqipërisë. Kjo ikonë e ndoqi atë edhe në moralin e ndershmërisë së punës së tij. Njeriut të punës nuk i mjafton jeta, të realizojë të gjithë atë që ka ëndërruar dhe dashur. Në javët e fundit të jetës së tij, në moshë 96-vjeçare, im atë më pyeste në mënyrë të përsëritur, pikërisht si një fëmijë naiv, nëse e kishte plotësuar disi detyrën, që i ati i kishte dhënë qysh fëmijë; nëse kishte bërë mjaftueshëm për të ndriçuar historinë e vendit dhe të shqiptarëve në Ballkan!

Priti me durim deri në fund të jetës një bekim nga i ati – i personifikuar me atdheun – dhe përgjigjen prej tij se a mund të kishte bërë më shumë për detyrën që i dha qysh në rini?

Më mbeti mua t’i përgjigjesha, se im atë Kristo Frashëri u rrit si historian kombëtar dhe u fik si një fëmijë shembullor me detyrën e kryer ndaj atdheut!

2. Dua të tregoj gjithashtu, se arkivi i historianit Kristo Frashëri ka ende thesare që presin dritën e botimit.

Prej temave që ka trajtuar, Kristo Frashërin e kanë cilësuar si historianin e ngjarjeve madhore të historisë së Shqipërisë.

Horizonti i punës së tij shtrihet në autorësinë e monografive të shumta që përshkojnë tejpërtej historinë e këtij kombi, qysh nga përpjekjet për të ndriçuar etnogjenezën iliro-shqiptare prej thellësisë së kohës dhe deri në historinë e ditëve të sotme. Vepra e tij shtrihet edhe në qindra studime shkencore të botuara në periodikë dhe revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Besoj se nuk e teproj duke kujtuar se ai ka dhënë një kontribut të veçantë si ndërtues i historisë së Shqipërisë, në kuptimin e ndërtuesit të pjesëve munguese të saj, në zbulimin dhe ndërtimin strukturor të disa segmenteve të errëta të ngjarjeve dhe fenomeneve, duke hapur dritare të murosura në ndërtesën e saj, veçanërisht në etazhet mesjetare dhe të kohës së re. Mjaft nga studimet e tij janë ndër të parat që kanë shkelur segmente të historisë, duke ndërtuar koncepte për vlerën dhe trajtimin e tyre metodologjik, duke dhënë periudhizime, përpos se ka ndriçuar “skuta” të errëta të historisë, të cilat askush më parë nuk i ka pikasur, se ato janë pjesë e trupit dhe të organeve të historisë sonë .

Në këtë kontekst, në arkivin e historianit Frashëri (sot Arkivi i “Qendrës Frashëri”) gjenden para së gjithash nga dora e tij disa monografi në dorëshkrime në përfundim e sipër, të cilat kërkojnë punë redaksionale shkencore për të mundësuar daljen e tyre në dritë. Përveç tyre, gjenden të ashtuquajtura “intimitete” të panjohura të lëna nga mendja dhe dora e historianit. Ato janë do të thoja parashtresa “zbulimesh” konceptuale të tematizuara, si koncepte për stacione të reja kapitujsh në rrugën e historisë së Shqipërisë, të shoqëruara me dëshmi, argumente dhe interpretime, madje në shumë raste me thellime në hollësira. Një pjesë e mirë e tyre janë pajisur me autorecensione të mëvonshme, të cilat janë plotësuar me paragrafë shënimesh të lëna prej vetë atij, kohë pas kohe. Gjithashtu, midis materialeve të arkivuara veçohen edhe një sasi e konsiderueshme dorëshkrimesh, të cilat janë në vetvete projekte në formë meditimesh dhe që përbejnë programe reale për brezat e ardhshëm, në pasqyrimin e mëtejshëm të historisë së shqiptarëve të bashkuar në Ballkan.

3. Së fundi doja të përmendja, se vepra mbi Skënderbeun prej 10 vëllimesh që kemi sot përpara të botuar, e përbërë nga monografia mbi “Jetën dhe veprën e Skënderbeut” si dhe nëntë vëllimet me burimet dokumentare shoqëruese të saj bashkëkohëse të heroit, nuk është përgatitur nga historiani me një apo dy fushata pune. Ato janë puna e jetës së tij – si të thuash është vepra “Odise” e mundit të tij. Prej vitit 1958 kur doli në dritë studimi i tij monografik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në frëngjisht, janë 22 studime të tjera shkencore nga dora e historianit Frashëri që e ndjekin këmba-këmbës atë, në periudhën midis viteve 1958-2016, të cilat nisin me kapitujt mbi “Luftën e madhe shqiptaro-turke të shekullit XV dhe procesin e formimit të shtetit kombëtar shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut” të botuar në veprën e parë akademike mbi Historinë e Shqipërisë në vitin 1959 dhe deri te monografia “Skënderbeu i shpërfytyruar. Vështrim kritik” i vitit 2009.

Odiseja mbi Skënderbeun dhe luftën e popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij mbyllet me kolanën që sot kemi përpara. Edhe kësaj radhe, ishte përkujdesja e veçantë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që vepra e plotë e lënë nga historiani Kristo Frashëri mbi epokën e Skënderbeut të shihte dritën e botimit. Ky botim ishte amanet i tij i përsëritur deri në orët e fundit të jetës. Autori dëshironte të kujtohej se koleksioni i mbledhur i burimeve dokumentare në këto vëllime prej tij, nuk është kurrsesi i mjaftueshëm dhe aq më pak shterues, për ndriçimin dokumentar të jetës dhe të veprës kombëtare dhe evropiane të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftës heroike të popullit shqiptar në shekullin XV. Por, ai ishte i sigurt se dokumentet e reja që do t’i shtohen pasurisë dokumentare të mbledhur dhe të katalogizuar në vëllimet e tij, do të vërtetojnë edhe më qartë “se nuk ishte Barleti me stilin e vet elegant, klasik dhe humanist që e ngriti Gjergj Kastriotin në piedestalin e historisë shekullore, por është madhështia e veprës së Skënderbeut që frymëzoi bashkëatdhetarin e vet, të shkruante për atë veprën e pavdekshme”.

Dhe, unë dëshiroj t’i them tim eti se është Skënderbeu ai që me madhështinë e veprës së tij, për të cilën ti vetë u binde mes dokumenteve i dashur baba, ajo që të frymëzoi ty të punoje tërë jetën i palodhur dhe i paepur, për të shkruar këtë vepër që kemi sot përpara e cila me siguri do të jetojë gjatë, sa të ketë jetë kombi ynë./GT/2019

blank

blank

blank

Prof.Kristo Frashëri – Gjergj Kastriot Skënderbeu – Jeta dhe Vepra (1405-1468) – Nga Gjergj Kristo Frashëri

Ja çfarë përmban çdo vëllim i dokumenteve të Skënderbeut!

Nga Gjergj Kristo Frashëri* – Jam i sigurt, se Ikona e të Atit të vet – ishte identifikuar për Kriston me simbolin e Atdheut. Ajo e ndoqi atë deri në frymëmarrjen e fundit – në formën e një energjie të palodhur dhe të pashtershme për të punuar, për të hapur dritare të mëdha e të vogla të murosura dhe të padukshme në ndërtesën e historisë së Shqipërisë. Kjo ikonë e ndoqi atë edhe në moralin e ndershmërisë së punës së tij. Njeriut të punës nuk i mjafton jeta, të realizojë të gjithë atë që ka ëndërruar dhe dashur. Në javët e fundit të jetës së tij, në moshë 96 vjeçare, im Atë m’ë pyeste në mënyrë të përsëritur, pikërisht si një fëmijë naiv, në se e kishte plotësuar disi detyrën, që i Ati i kishte dhënë qysh fëmijë, në se kishte bërë mjaftueshëm për të ndriçuar historinë e vendit dhe të shqiptarëve në Ballkan! Priti me durim deri në fund të jetës një bekim nga i Ati – i personifikuar me Atdheun – dhe Përgjigjen prej tij – se a mund të kishte bërë më shumë për detyrën që i dha qysh në rini?

blank

M’ë mbeti mua t’i përgjigjesha, se im Atë Kristo Frashëri u rrit si historian kombëtar dhe u fik si një fëmijë shëmbëllor me detyrën e kryer ndaj Atdhe

Në faqet e bibliografisë së tij tejembanë Historisë së Shqipërisë, duket sheshit, se trajtimi i veprës së popullit dhe të kombit shqiptar në shek. 15 nën udhëheqjen e Skënderbeut është epiqendra e tematikës, ku historiani Kristo Frashëri vendosi qysh në rini, qiriun e tij. M’ë duket domethënëse dhe e rastit të ardhur, t’i tregoj lexuesit, se në raftet e arkivit të tij gjendet një monografi e hartuar prej tij mbi Skënderbeun e shkruar në vitet 1935-36, pra kur ai ishte 15-16 vjeç, nxënës në Gjimnazin e Tiranës. Ajo është e shtypur nga ai vetë në atë kohë, me makinën e daktilografimit të të atit të tij, patriotit Anastas Frashëri. M’ë pati treguar, se e kishte ndërmarrë atë iniciativë për t’a shkruar jo si detyrë shkolle, por për të provuar veten duke punuar në kohën e lirë, për t’ia treguar profesorit të tij të historisë në gjimnaz, se donte të bëhej historian i Shqipërisë në të ardhmen.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu – për Kristo Frashërin dhe për paraardhësit e familjes së tij, ka qenë dhe ishte Shqipëria. Këtë e them për t’a siguruar lexuesin të paktën, se gjithçka në këtë botim prej dhjetë vëllimesh (2018) është bërë prej autorit me seriozitetin më të madh, përveç ndershmërisë shëmbëllore qytetare të historianit Kristo Frashëri për të treguar për Skënderbeun – Zotin e Shqiptarëve! Një vepër e plotë monografike mbi veprën dhe jetën e Skënderbeut ka qenë për Kristo Frashërin, qëkurse ishte fëmijë, ëndrra dhe përkushtimi jetës së tij. Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohës sonë të ré që po vjen – theshte – i duhet Skënderbeu përmes dokumentash, jo një Skënderbe i dalë nga përrallat, nuk mjafton as edhe vetëm nga pasioni letrar.

* * *
Le t’i hedhim një sy nëntë vëllimeve me burime dokumentare. Në vëllimin e dytë me titull “Burime Dokumentare Shqiptare” (91 akte kancelareske dhe dy burime tregimtare) janë radhitur kronologjikisht dokumente kancelareske, diplomatike, epistolare, kronikale në origjinalin e tyre në latinisht, italisht, spanjisht, osmanisht, greqishten bizantine, sllavisht dhe në përkthimin shqip, të cilat janë të prodhuara gjatë jetës së Skënderbeut në periudhën qëkur lindi Heroi dhe deri kur ai vdiq. Të shkruar në gjuhë të huaj, ato kanë për autor të atin Gjon Kastriotin, vetë Skënderbeun, ose dikë prej bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë. Janë sjellë gjithashtu edhe kronika të redaktuara pas vdekjes së Skënderbeut, por hartuesit e tyre janë autorë bashkëkohës të Heroit, pra ata nuk janë ndikuar nga M. Barleti dhe nga tregimet e biografëve të tjerë të hershëm të kryekapedanit shqiptar. Në këtë vëllim dokumentet janë në gjuhën latine, në italishten mesjetare dhe sllavisht. Vëllimi ndahet në dy pjesë. Në të parën janë rreshtuar akte kancelarske të tilla si, katërmbëdhjetë akte të Gjon Kastriotit, nga të cilat tre janë diploma që mbajnë nënshkrimin ose vulën e tij (akte juridike), kurse njëmbëdhjetë akte janë nxjerrë nga përgjigjet ose vendimet e Senatit të Sinjorisë; dhjetë letra janë shkresa të nënshkruara prej Skënderbeut; tridhjetenëntë letra të Heroit ende të pagjetura, teksti i të cilave është nxjerrë indirekt, nga përgjigjet që i janë dhënë Skënderbeut ose nga vendimet që janë marrë në bazë të çështjeve të drejtuara në letrat e tij; gjashtë trakte diplomatike, prej të cilave, katër kanë si palë Skënderbeun, kurse dy të tjerat Gjergj Arianitin dhe Lek Dukagjinin; 4 akte financiare të nënshkruara nga Skënderbeu; tre akte hartuar prej ambasadorëve të Skënderbeut; disa akte noteriale me Skënderbeun si palë; një kërkesë e Skënderbeut në kohën kur ishte spahi i administratës osmane; gjashtë dëshmi për veprime ose opinione të Skënderbeut; Kodeksi i Pal Engjëllit; disa akte të natyrave të ndryshme, siç është premtimi i Muzak Topisë për të kontribuar në bonifikimin e kënetës së Durrësit, kërkesa e Manastirit të Trefandenës për të rindërtuar kuvendin e djegur nga osmanët; një kërkesë prej së vesë së Gjergj Arianitit; tre njoftime për vdekjen e Skënderbeut.

Në pjesën e dytë me nëntitull Burime Tregimtare janë përzgjedhur fragmente nga Memoranda e fisnikut shqiptar dhe Despotit të Epirit, Gjon Muzaka (1443-1525), ku flitet për Skënderbeun dhe familjen e tij dhe për Luftën shqiptaro-osmane në shek. 15 (Memoranda ka titull “Historia e Genealogia della Casa Musachia, scritta da Don Giovanni Musachio, Despoto dell’Epiro”, në: Ch. Hopf., “Chroniques Greco-Romanes, inèdites ou peu connues”. Berlin, Ëeidamann, 1873, ff. 270-340). Siç dihet vepra përmban kujtime të diktuara nga Gjon Muzaka më 1510, përpara një noteri në Napoli, të bëra nga fundi i jetës pasi ai kishte emigruar në Itali, si testament për tre djemtë e tij. Memoranda përmban njoftime të hollësishme për familjen Muzaka dhe për fisnikët e tjerë shqiptarë. Njoftimet e Gj. Muzakës hedhin dritë mbi strukturën shoqërore e politike të Shqipërisë në periudhën e epopesë. Për hir të rëndësisë së madhe që ato kanë, albanologu i shquar i shek.

XIX Johann George von Hahn, Memorandën e tij e ka quajtur “Perla e dokumentacionit historik shqiptar” .
Gjithashtu, për pasurinë e njoftimeve dhe gjykimeve, është sjellë i plotë këtu edhe Tregimi i Dhimitër Frangu-t (1443-1525), i cili i ka shërbyer Skënderbeut si kryefinancier në vitet e fundit të veprimtarisë së Heroit (Tregimi i Dhimitër Frangu-t, ose siç quhej ai nga të huajt Demetrio Franco, i botuar për herë të parë në variantin italisht më 1539: Comentario delle cose dei Turchi e del Signor Giorgio Scanderbeg. Principe di Epyrro. Bernardino de Bindoni, Venetiis, 1539). Edhe pse është botuar 30 vjet pas veprës madhore të M. Barletit, (1508-1510), mendohet se ajo ka qenë shkruar para saj. Ajo është sjellë këtu në përkthimin shqip. Njoftimet e Dh. Frangu-t hedhin dritë mbi strukturën shoqërore e politike të Shqipërisë në periudhën e epopesë. Pavarësisht se dy veprat e mësipërme rezultojnë formalisht të botuara pas asaj të M. Barletit, historiani Frashëri mendon se autorët e tyre si bashkëkohës të heroit nuk duhet të jenë ndikuar nga vepra madhore e humanistit shkodran.

Në vëllimin e tretë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1407-1442” janë rreshtuar burime të natyrave të tilla si, akte të formuluara nga kancelaritë perëndimore evropiane që i drejtohen kryesisht Gjon Kastriotit, në përgjigje ndaj kërkesave të parashtruara prej tij; akte të Republikës së Venedikut drejtuar përfaqësuesve të Sinjorisë në viset shqiptare, mbi marrëdhëniet e tij me Zotin shqiptar Gjon Kastrioti; akte që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tregtare të Gjon Kastriotit me Republikën e Raguzës¸ letra me kërkesa apo letra informative, akte dhurimi dhe blerjeje, vendime senati, përgjigje letrash, vendime me përmbajtje tregtare, etj. Në këtë vëllim dokumentet gjenden në gjuhën latinishte, italishte mesjetare, sllavishte, greko-bizantine, gjermanisht, frëngjisht të tilla si, një letër ku Gjon Kastrioti kërkon ruajtjen e unitetit historik të Peshkopatës së Arbërisë; përgjigja pozitive e Venedikut për çështjen e kishave të Peshkopatës së Arbërisë; shtatë dokumente mbi përpjekjet e Venedikut për të lidhur paqe me Balshën dhe për të bërë për vete Gjon Kastriotin; dhjetë akte me kërkesa të Gjon Kastriotit drejtuar Venedikut dhe përgjigjet e Republikës së Shën Markut; një akt dhurimi nënshkruar nga Gjon Kastrioti dhe zotër të tjerë shqiptarë; një përgjigje e Venedikut dhënë Bashkësisë së Durrësit; dy vendime të Senatit të Venedikut për t’i dhënë qytetarinë dhe privilegjet Gjon Kastriotit dhe më tej, bijve të tij; një akt i kështjellarit Kastriot të Kaninës ku betohet si mik i Republikës së Raguzës; pesë vendime të Senatit të Venedikut për të emëruar provizorë dhe sindikë në viset e Shqipërisë; vendim për dhënien e provizionit për Gjon Kastriotin; për qeveritarët osmanë që nuk lejojnë zhvillimin e tregtisë me zotin e Cossies; për strehimin e Nikollë Dukagjinit në zotërimet venedikase; tetë letra e akte që provojnë se Venediku nuk përkrahu kryengritjet shqiptare kundër osmanëve dhe se ishte për ruajtjen e paqes me sulltanin osman; shtatë dokumente lidhur me marrëdhëniet tregtare që zhvilloheshin ndërmjet Gjon Kastriotit dhe viseve që ai sundonte me Republikën e Raguzës; gjashtëmbëdhjetë letra me të cilat Raguza njoftonte Sigismundin për fitoret e shqiptarëve në luftë kundër osmanëve dhe gjendja e viseve shqiptare; një vendim i Raguzës për t’i dhënë të drejtat e qytetarisë Gjon Kastriotit; tetë akte të ndryshme të hartuara në Raguzë mbi marrëdhëniet me viset shqiptare, kryesisht me ato nën zotërimin e prijësit shqiptar Gjon Kastrioti; dy akte marrëveshjeje ndërmjet Ballabanbeut, sundimtar i Krujës dhe Raguzës për lëvizje të lirë njerëzish dhe mallrash; dy akte dhurimi dhe blerjeje të Gjon Kastriotit dhe djemve të tij me Manastirin e Hilandarit; shpallja e indulgjencës nga Papa Eugjeni IV për ata që ndihmonin shqiptarët në luftë kundër osmanëve; pesë dokumente osmane që japin të dhëna mbi kalatë dhe qytetet që zotëronte Gjon Kastrioti si dhe për plaçkitjet e kryera në viset shqiptare nga ushtritë osmane nën drejtimin e Ali beut; një akt që flet për administrimin e trashëgimisë së Gjon Kastriotit pas vdekjes së tij. Vërejmë se në këtë vëllim janë përfshirë edhe dy dokumente më të hershme që i takojnë viteve 1368 dhe 1406, për të cilat autori mendon se përmbajtja e tyre ka kontekst historik në plotësimin e njohurive mbi familjen Kastrioti.

Në vëllimin e katërt me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1443- 1450” janë mbledhur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane të këtyre viteve drejtuar kryesisht Gjergj Kastriotit si përgjigje ndaj kërkesave të parashtruara prej tij; si edhe akte nga Republika e Venedikut drejtuar përfaqësuesve të Sinjorisë në viset shqiptare mbi marrëdhëniet e saj me Zotin shqiptar Gjergj Kastrioti; njëri prej tyre i hartuar në qytetin e Krujës nga Heroi shqiptar; akte të tjera mbi marrëdhëniet tregtare të Gjergj Kastriotit me Republikën e Raguzës; njoftime mbi emërime përfaqësuesish, letra informuese mbi zhvillimet politike, letra përgëzimi, përgjigje korrespondencash, vendime senati për çështje tregtare, politike dhe ushtarake etj. Në shumicën dërrmuese dokumentet janë hartuar në gjuhën latine, me përjashtim të ndonjë që është shkruar në italishten mesjetare.

Konkretisht këtu janë radhitur dokumente të tilla si, katërmbëdhjetë akte noteriale të hartuara në Raguzë mbi marrëdhëniet tregtare me viset nën zotërimin e Kastriotëve; një letër përgëzimi që Vladislavi, mbreti i Hungarisë, i dërgon Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe vetë përgjigja që ky i dërgon Vladislavit; një letër drejtuar nga Raguza perandorit gjerman Frederiku II mbi fitoret e Gjergj Aranitit kundër osmanëve; një letër që njofton kthimin e Skënderbeut në Shqipëri dhe marrjen e qytetit të Krujës prej tij; tre akte të dala nga Selia e Shenjtë, dy mbi emërimin e nuncëve apostolikë në viset e Shqipërisë, ndërsa njëra indulgjenca e papës Nikolla V; dy vendime të Senatit të Venedikut ku njihen privilegje dhe qytetaria e Gjergj dhe Stanish Kastriotit; përgjigja e Venedikut për të dërguarit e qytetarëve të Lezhës; njoftimi për vrasjen e Lekë Zaharisë; një vendim i lëshuar nga senati i Venedikut për qytetin e Danjës; shtatë vendime të Raguzës që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e disallojshme të saj me Skënderbeun; tre vendime të Senatit të Venedikut për të përforcuar mbrojtjen e qytetit të Durrësit nga frika e sulmeve nga Skënderbeu; njoftimi për Galeaco Maria Sforza-n mbi disfatën e osmanëve në Shkodër; përgjigja e mbretit Alfonsi V i Aragonës kërkesave të Skënderbeut; tre akte të Sinjorisë në dëm të personit të Skënderbeut dhe të shtetit të tij; katër vendime të Senatit të Venedikut mbi marrëveshjeje paqeje me Skënderbeun; dy njoftime për prapaskenat pas shpine të Venedikut në Shkodër ndaj Skënderbeut; njoftim nga Raguza mbi rrethimin e Krujës prej sulltanit osman; fragment i marrë nga referati i Alain Ducellier, etj.

Në vëllimin e pestë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1451- 1456” janë mbledhur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane drejtuar kryesisht Gjergj Kastriotit si përgjigje ndaj kërkesave që ai u kishte drejtuar atyre, të tilla si aktet e Republikës së Venedikut drejtuar përfaqësuesve të Sinjorisë në viset shqiptare mbi marrëdhëniet e saj me zotin shqiptar Gjergj Kastrioti; raporte zyrtare të tij drejtuar Papës Nikolla V; letra midis Skënderbeut me mbretin Alfonsi V, si dhe me Dukën e Milanos; një akt i hartuar në qytetin e Krujës nga Heroi shqiptar; akte të Republikës së Raguzës mbi marrëdhëniet me Gjergj Kastriotin; gjithashtu vendime senati për çështje të ndryshme, korrespondenca, akte noteriale dhe tregtare, letra përgëzimi mbi fitoret kundër forcave osmane, njoftime mbi luftimet ne terren midis forcave osmane dhe atyre shqiptare etj. Dokumentet janë hartuar në gjuhën latine, në italishten mesjetare, në spanjisht, dhe ndonjë në serbisht.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu jeta dhe vepra 1405-1468 – Alterablank

Konkretisht në këtë vëllim janë radhitur dokumente të tilla si, raporti i Gjon Gazullit drejtuar papës Nikolla I; tridhjetë e tetë letra komunikimi ndërmjet mbretit Alfonsi V dhe Skënderbeut mbi çështje të bashkëpunimit të tyre në luftë kundër forcave osmane; një letër e Francisc Filelfit drejtuar Karlit VII ku vlerësohet Arianit Komneni; dy letra të papës Nikolla V për mbledhjen e fondeve në ndihmë të luftës së Skënderbeut; tre akte të Venedikut që tregojnë vështirësitë financiare të Sinjorisë në qeverisjen e qyteteve shqiptare nën zotërimin e saj; dy vendime të Senatit të Venedikut që autorizon Kolegjin të trajtojë çështje të Skënderbeut dhe të princërve shqiptarë; pesë korrespondenca midis Dukës së Milanos dhe Skënderbeut; dhjetë vendime të ndryshme të Venedikut në lidhje me zotërimet e saj në viset shqiptare; një letër e Alfonsit V drejtuar princit të Tarantit për të mirëpritur shqiptarët e emigruar prej terrorit osman; gjashtë vendime të Raguzës mbi marrëdhëniet me Skënderbeun; dy akte të papës Nikolla V mbi peshkopin Pal Dushi si ndërmjetës pajtimi ndërmjet Skënderbeut dhe Dukagjinëve; Papa Nikolla shprehet i lumtur për arritjen e miqësisë ndërmjet Dukagjinëve dhe Skënderbeut; vendim i Sinjorisë për të shpërblyer Skënderbeun për ndihmën e tij ushtarake; përgëzimi i Raguzës ndaj Skënderbeut për luftën e tij ndaj osmanëve; dy vendime të Venedikut për të emëruar provizorë në viset shqiptare; Skënderbeu ofrohet si ndërmjetës pajtimi ndërmjet Venedikut dhe despotit të Serbisë; kërkesë e Skënderbeut drejtuar Raguzës për mbështetje financiare; vendim i Sinjorisë për provizorin e saj të Lezhës që të shoqërojë Skënderbeun gjatë udhëtimit të tij në Itali; vendim i Papës Nikolla për të ndihmuar financiarisht luftën e Skënderbeut; tetë akte mbi marrëdhëniet midis Venedikut dhe Skënderbeut; një memorial i Alfonsit V për strategjinë kundër osmanëve; katër akte mbi vështirësitë e Skënderbeut për të marrë provizionin vjetor të caktuar nga Venediku; pesë njoftime mbi disfatën e Beratit; katër akte mbi dërgimin e kontit Picinino në viset shqiptare; njoftim mbi pushtimin e viseve shqiptare nga forcat osmane; letër e Alfonsit V drejtuar Papës mbi bashkëpunimin e Venedikut me osmanët; tre njoftime mbi luftimet shqiptaro-osmane dhe dërgimin e forcave të përzgjedhura osmane kundër Skënderbeut; lajmërimi mbi vrasjen e zotit të Danjës dhe pushtimi i saj nga Lekë Dukagjini; Alfonsi V indinjohet nga sekuestrimi prej Venedikut i anijeve me kripë drejtuar Skënderbeut; njoftim i Skënderbeut drejtuar kardinalit Kapranika lidhur me përgatitjet e tij kundër forcave osmane; tre letra të papës që përgëzon fitoret kundër osmanëve; një plan-projekt i Karamanit për të dëbuar sulltanin nga viset e Greqisë; njoftim mbi dukën Stefan që përpiqet të kthejë të krishterët në favor të sulltanit; vendim gjyqi që dënon Bartolamuesin për mospagimin e provizionit Skënderbeut; njoftim i Dogjit të Venedikut për rënien e Serbisë në duart e osmanëve.

Në vëllimin e gjashtë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1457 – 1460” janë rradhitur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane të këtyre viteve drejtuar kryesisht Gjergj Kastriotit si përgjigje ndaj kërkesave që ai u kishte drejtuar më parë; akte te ndryshme mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me Sinjorinë e Venedikut, me mbretin Alfons të Napolit si dhe një sërë letrash të papa Kalistit III me të dhëna të pasura mbi Skënderbeun dhe situatën në tokat shqiptare; gjithashtu përfshihen njoftime mbi zhvillimet në terren të luftërave shqiptaro-osmane, akte paqeje, akte financiare dhe tregtare. Dokumentet janë hartuar në gjuhën latine, në italishten mesjetare, në spanjisht, ndonjë në serbisht.

blank

 

Konkretisht në këtë vëllim gjenden dokumente si, njëmbëdhjetë akte ku mësohet mbi marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Sinjorisë së Venedikut, një dokument për marrëdhëniet ndërmjet Alfonsit dhe Skënderbeut; tetëmbëdhjetë letra të papës Kalisti III mbi luftën mbrojtëse që po bën Skënderbeu kundra osmanëve, për ndihmat ushtarake dhe përgëzimet e papës për Heroin; akti i njohjes së privilegjeve të reja dhe të vjetra qytetit dhe qytetarëve të Krujës nga Alfonsi V; dhjetë njoftime mbi luftimet e shqiptarëve dhe fitoret e tyre nën udhëheqjen e Skënderbeut kundra osmaneve; bula papale e Piut II kundër Dukagjinëve kundërshtarë të Skënderbeut; akti i paqes ndërmjet Venedikut dhe Dukagjinëve; tre akte financiare të kancelarit të Skënderbeut me Komunën e Raguzës; njoftimi mbi fitoren e Pjetër Bua Shqiptarit ndaj forcave osmane në More; një projekt për të dërguar ushtarë italianë pranë Skënderbeut; tre njoftime të Papës Piu II lidhur me gjendjen e vështirë të Skënderbeut dhe të krishterëve në viset e Shqipërisë.

Në vëllimin e shtatë me titull “Burime Kancelareske Perëndimore 1460 – 1464 janë mbledhur akte të dala nga kancelaritë perëndimore evropiane të këtyre viteve, si ato mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me Sinjorinë e Venedikut, me mbretin Ferdinand të Aragonës si dhe një sërë letrash të Papa Piut II me të dhëna të pasura mbi Skënderbeun dhe situatën në tokat shqiptare. Në këtë vëllim përfshihen një numër i madh njoftimesh mbi terrenin e luftës së zhvilluar nga Skënderbeu dhe ushtarët e tij shqiptarë në favor të mbretit Ferdinand të Aragonës; si dhe akte paqeje, akte financiare dhe tregtare. Dokumentet janë hartuar në gjuhën latine dhe në italishten mesjetare.

Në këtë vëllim gjenden njëzet e dy dokumente mbi marrëdhëniet financiare midis Skënderbeut dhe Venedikut; gjashtëdhjetë e nëntë njoftime të ndryshme që lidhen me vajtjen e Skënderbeut në Pulje për të ndihmuar mbretin Ferdinand dhe me veprimet luftarake të Skënderbeut dhe ushtarëve të tij, vendimtare për fitoren e mbretit; nëntëmbëdhjetë akte mbi marrëdhëniet financiare dhe politike midis Skënderbeut dhe Raguzës; letra e Johan Ursinit drejtuar Skënderbeut dhe përgjigja e tij; fragmente nga Konstitucionet e kryepeshkopit të Durrësit Pal Engjëlli; dy akte njohjeje të privilegjeve nga Sinjoria e Venedikut për Gjon Kastriotin (e Ri), të birin e Skënderbeut; tre dokumente për punësimin e mjeshtrave muratorë raguzianë nga Skënderbeu; mandati i tij për Martin Muzakën; dy vendime të Sinjorisë për të vendosur Skënderbeun në krye të ushtrive të përbashkëta kundër sulltanit; dy njoftime për kthimin e tij në Shqipëri nga ekspedita e Puljes; disa njoftime mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me dukatin e Milanos.

Në vëllimin e tetë me titull “Burime kancelareske perëndimore 1464-1497” janë mbledhur burimet kancelareske perëndimore të këtyre viteve, si akte të përpiluara në kancelaritë perëndimore evropiane mbi gjendjen në viset shqiptare gjatë shek. 15; akte mbi përpjekjet e Sinjorisë së Venedikut për të lidhur paqe me sulltanin osman; ato që tregojnë përpjekjet e Skënderbeut për t’i tërhequr vëmendjen në veçanti papatit roman mbi luftën e shqiptarëve kundër osmanëve; njoftime mbi vdekjen e Heroit shqiptar; letra me kërkesa apo letra informative, vendime senati, përgjigje letrash, vendime me përmbajtje tregtare e të tjera. Në këtë vëllim dokumentet janë hartuar në gjuhën latinisht, italishte mesjetare, italisht, sllavisht.

Konkretisht në këtë vëllim janë radhitur dokumente të tilla si, njoftime mbi fushatat e kryera nga ushtritë osmane në viset shqiptare; raportime mbi inkursionet e Skënderbeut në krahinat nën zotërimin osman; përpjekjet e sulltanit për paqe me Venedikun me ndërmjetësinë e Skënderbeut; premtimet e Papës Pali II për të ndihmuar luftën e shqiptarëve; njoftime mbi marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Sinjorisë; kërkesa të Skënderbeut për ndihmë në luftën kundër osmanëve; njoftime të ndryshme rreth vizitës së Skënderbeut në Romë; lajme mbi vrasjen e Ballaban pashës para mureve të Krujës; njoftime për vdekjen e Heroit shqiptar; letra ngushëllimi drejtuar bashkëshortes së Skënderbeut dhe djalit të tij; konfirmimi nga ana e mbretit Ferdinand të Napolit për pronat që i takojnë bashkëshortes dhe djalit të Heroit në Mbretërinë e Napolit; dështimi i bisedimeve për paqe ndërmjet Venedikut dhe Stambollit dhe të tjera.

Në vëllimin e nëntë me titull “Burime Dokumentare Osmane” gjenden vetëm fragmente nga kronikat apo prej veprave të kronistëve apo historianëve osmanë, të cilët kanë trajtuar ngjarjet me peshë mbi trojet shqiptare në shek. 15 në përgjithësi, por kryesisht edhe marrëdhëniet e Gjon Kastriotit dhe më pas, të birit të tij Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Perandorinë Osmane. Në këtë vëllim përfshihen një numër i madh njoftimesh mbi zhvillimet në terren të luftës së Skënderbeut dhe ushtarëve të tij kundër pushtuesve osmanë. Dokumentet janë hartuar në gjuhën osmane, ndërsa pak syresh kanë përzierje me atë arabe dhe ndonjë në gjuhë tjetër orientale.

Konkretisht këtu janë radhitur dokumente të tilla si, raporti i sanxhakbeut të Ohrit drejtuar një funksionari në pallatin e sulltanit ku thuhet, se Skënderbeu kërkon t’i jepet nën zotërimin e tij ziameti i Mysjes; relacioni mbi shpalljen e pushtimit të qytetit të Krujës; Defteri i Sanxhakut të Dibrës; kryengritja e Gjon Kastriotit e vitit 1430; fragmente nga Historia e Dinastisë Osmane sipas Oruç ben Adilit, Kronikave Osmane Anonime, të Kemal Pasha Zadesë, të Sollak Zadesë, të Ahmed Vasifit; nga vepra Treguesi Botëror i Mehmet Neshriut; nga Historia e atit të pushtimeve të Tursun beut; nga Vepër mbi fitoret e Sulltan Mehmetit II të Kevamit: prej veprës Tetë parajsat e Idris Bitlisit; nga Libri i udhëtimeve të Evlija Çelebiut dhe ndonjë tjetër.

Në vëllimin e dhjetë dhe të fundit me titull “Burime tregimtare euro bizantine shek. 15” janë zgjedhur vetëm burimet tregimtare euro-bizantine, midis të tjerave, akte që japin njoftime mbi luftën e madhe të zhvilluar ndërmjet popullit shqiptar nën udhëheqjen e Gjon Kastriotit apo të prijësve të tjerë shqiptarë dhe forcave osmane të udhëhequra nga sulltanët më në zë të Perandorisë Osmane; një vend me rëndësi në këto njoftime zë epopeja e lavdishme e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftës që ai udhëhoqi për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga invazioni osman; janë përfshirë edhe dy dokumente historike, njëra Krisobula e Andronikut II Paleolog në të cilën mësohet mbi privilegjet e dhëna qytetit të Krujës, tjetra, diploma e Stefan Dushanit mbi privilegjet për banorët e Kalasë së Krujës; disa vlerësime mbi figurën e Skënderbeut, veçanërisht ai nga Papa Piu II; një biografi kushtuar Heroit shqiptar; gjithashtu përfshihen njoftime mbi zhvillimet në terren të luftërave shqiptaro-osmane, akte paqeje, aleancash, etj. Dokumentet gjenden në gjuhën latine, në italishten mesjetare, në greqishten bizantine, në serbisht dhe një në polonisht.

Në këtë vëllim ndodhen dokumente si, Kronika e Juni Restit mbi fitoret e Gjergj Kastriotit Skënderbeut; dy njoftime për përgatitjet e Skënderbeut për të sulmuar forcat osmane; një dokument që flet për aleancën midis Skënderbeut dhe hungarezëve për luftë të përbashkët kundër forcave osmane; Krisobula e Andronikut II Paleolog për Krujën; Diploma e Stefan Dushanit për banorët e Kalasë së Krujës; një njoftim mbi rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së Skënderbeut në favor të Ferdinandit të Napolit; vlerësime pozitive mbi figurën e Heroit Kombëtar shqiptar nga bashkëkohësit e vet; trajtimi i Papa Piu II ndaj figurës së ndritur të Gjergj Kastriotit Skënderbeut; biografia e Pal Jovi-t i mbi Heroin shqiptar; dokumente të tjera që përshkruajnë përplasjet e fuqishme midis shqiptarëve dhe forcave osmane, si dhe egërsinë e pashpirt që vunë në veprim sulltanët osmanë ndaj popullsisë shqiptare.
* * *
Së fundmi autori vetëshënon, se koleksioni i mbledhur, i vlerësuar, i radhitur dhe i ndarë nën konceptin metodologjik madje i grupuar edhe nën kriterin kronologjik në të nëntë vëllimet me burime dokumentare, nuk është kurrsesi i mjaftueshëm dhe aq më pak shterues, për ndriçimin dokumentar të jetës dhe të veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftës heroike të popullit shqiptar në shek. 15 nën udhëheqjen e tij. Autori është i sigurt, se dokumente të tjera do të zbulohen në të ardhmen, të cilat do t’u shtohen atyre tashmë të botuara për herë të parë në këtë format shkencor në këto nëntë vëllime. Ai beson se, kjo bazë konceptuale dhe ky grupim tematiko-kronologjik i burimeve dokumentare të dhënë prej tij në këto nëntë vëllime, mund të jetë i qëndrueshëm për studimin sistematik shkencor të kësaj teme. Ai shpreson edhe, se dokumentet e reja që do të mbushin më tej arsenalin e burimeve dokumentare të sjella në këto nëntë vëllime të tij, do të vërtetojnë dhe do të ndriçojnë edhe më kthjellët vlerën e veprës kombëtare dhe evropiane të Heroit shqiptar. Ato do të vërtetojnë edhe më qartë, se nuk ishte Barleti me stilin e vet elegant, klasik dhe humanist që e ngriti Gjergj Kastriotin në piedestalin e historisë shekullore, por është madhështia e veprës së Skënderbeut që frymëzoi bashkatdhetarin e vet, të shkruante për atë veprën e pavdekshme – ashtu siç n’a frymëzojnë edhe né burimet dokumentare për njohjen e figurës së lartësuar të Renesancës Europiane, Gjergj Kastriotit Skënderbeut./GSH

*Udhëheqës dhe redaktor shkencor

Tiranë, Prill 2019

blank

 

blank

Shtegëtimi i Armëve të Skënderbeut … NGA ARISTOTEL MICI

Në Belvedere, në Vjenë,/

Sikur pashë Skënderbenë./

Armët e tij kur i pashë./

Lumja ti, moj Shqipëri thashë ./

N. Frashëri/

Çdo shqiptar i vertetë, sa ka dëshirë të shohë armët ë Skënderbeut, po aq është edhe kurioz të dijë udhën e këtyre armëve, shtegëtimin e tyre nga Kruja në Vjenë. Sipas të dhënave muzeale që dalin nga Vjena, dhe hulumtimeve gjurmuese, që kanë bërë historianët, çështja ë shtegëtimit që duhet të kenë bërë armët e Skënderbeut, bëhet më e ndriçuar.

Sigurisht, që lëvizja e parë e këtyre armëvë ka qënë e lidhur ngushtë me emigrimin e Donikes, gruas së Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, pas vdekjes së tij, më 1468. Largimi nga atdheu i Donika (Andronika) Kastriotit me të birin e saj Gjonin u bë nga bregu i Rodonit. Njoftimin më të besueshëm për shpërnguljen e familjes së Heroit e gjejmë te shënimet e Princit Gjon Muzaka, në “Memorien” që ai u la si porosi të bijëve lidhur me gjenealogjinë e fisit si edhe viset e principatës së vëtë. Ai është i sigurt dhe të bind në këtë rast për sa tregon , sepse së bashkui me Andronikën, u nisën për shoqërim edhe dy motrat e tij. Në këtë material historik të Gjon Muzakës, sipas përkthimit të Dhori Qiriazit, është shkruar fjalë për fjalë: ”Zonja Skënderbega, gruaja e tij (pra e Heroit) shkeli në këtë mbrëtëri të Napolit, kur i vdiq i shoqi e vetme me zotin Gjon, të birin, tëpër të ri dhe me të shkuan dhe dy motrat e mia, burrate e të cilave ishin vrarë në këto luftra. Njëra ishte Zonja Maria, e cila është grua e Zot Muzak Komnenit, i thirrur nga populli i Angjelinës dhe tjetra qe Zonja Helena që ishte e martuar me Zotin Gjergj Karlës.”

Në këtë shpërngulje, Andronika, e mbiquajtura edhe Zonja Skanderbega, pa tjetër që midis objekteve më të rëndësishme ka marrë me vete edhe armët e të shoqit, si simbole të heroizmit të tij në luftime.

Si pas një studimi të Prof. Kristo Frashërit, Donika me Gjonin në fillim u vendosën në Napoli, pastaj me shpurën e tyre në Monte Sant’ Angelo. Ndër kohë, Skanderbega u pranua në oborrin mbretëror aragonez. Më vonë ajo u trajtua si “Zonjë Nderi” (Damë d’ Honneur”) e mbretëreshës së Napolit, Johana III, ku jetoi shumë vjet. Më vonë, kur mbretëresha shkoi në Spanjë, e mori Andronikën me vete gjithnjë si “Zonjë Nderi” në pallatin e saj mbretëror në Valencia. Atje Andronika vdiq rreth vitit 1508. U varros në manastirin ë Trinisë së Shënjtë në Valencia. Vite më vonë, Nëna Mbretëreshë Johana III, porosiste që të silleshin nga Valencia në Napoli eshtrat e “së dashurës e të devotshmes Skannalibecha”; gjë që trëgon se ajo e ruajti emrin Skanderbega deri sa vdiq. Pra, sa qe gjallë e veja e Skënderbeut, Andronika, nuk kemi të dhëna se ajo i ka nxjerë nga shtëpia armët e të shoqit.

Atëherë le të shikojmë se cili person mund t’i këtë nxjerrë nga shtëpia e Kastriotëve armët e Skënderbeut.

Gjon Kastrioti, në moshën 14 vjeçare, bashkë me nënën e tij u vendos në feudet që u kishtë dhënë mbreti i Napolit, ku u rrit dhe u edukua . Si trashëgimtari i parë direkt, dhe si fisnik që ishte nuk kish si t’i shpërfillte ato armë me vlerë simbnolike.

Siç dihet nga historia, turqit më 1480 arritën të zbarkonin në portin e Otrantos. Kjo ngjarje tronditi jo vetëm Italinë po edhe Europën.. Po me mobilizim të jashtëzakoshëm forcash liridashëse, rreziku ottoman u shmang.. Në betejen ë Otrantos në krye të shumë arbëreshëve mori pjesë edhe Gjon Kastrioti.

Ai ishte njeri aktiv dhe i edukuar me dashuri për vëndlindjen. Fitorja në Otranto i ngjalli atij shpresa se edhe në Atdheun e tij të parë, në Arbëri, mund të shporrej sundimi turk. Siç pohon Prof. Injac Zamputi, “më 1481, me kërkesat e përsëritura të shqiptareve që ishin hedhur në kryengritje, më ndihmën edhe të mbretit Ferrante të Napolit, Gjoni u nis në krye të një ekspedite për në Shqipëri. Zbarkimi i tij dha shkas për zgjerimin e lëvizjes çlirimtare. Kryengritësit arritën që të çlirojnë një pjësë të trojeve shqiptare që nga Himara e Vlora e dëri në Shqipërinë e Mesme, po përpjëkja për të marrë Krujën nuk pati sukses.”

Nga burimet historike merret vesh se Gjoni që martuar më një vajzë mërgimtare në Itali, me emrin Irena, bijë e një despoti, e cila kishte nënë Helena Paleologun me prejardhje nga dinastia perandorake e Paleologëve. Nga martesa me Irenën ai pati katër djem dhe një vajzë. Djali i parë mori emrin e gjyshit dhe u quajt Gjergj Kastrioti, mori gjithashtu edhe emrin e dytë të gjyshit, Skënderbe. Po për t’ u dalluar nga i gjyshi u emrua dhe Skënderbeu – i Ri. Ai u lind dhe u rrit në oborrin e mbretërisë së Napolit. Doli në skenën historike më 1499, kur me nismën e vetë, donte te shkonte në Arbëri, duke iu përgjegjur thirrjeve që vinin nga populli i Atdheut prindëror që kishte ngritur krye përsëri. Për koniuturat politike të kohës, nuk arriti të vinte me një herë në Arbëri. Por mbas dy vjetësh u lejua që të shkonte në viset e të parëve të tij. U fut në Shqipëri më 1501, kur populli kishtë çliruar Lezhën. U prit me entusiazëm nga vëndasit. Po me gjithë dëshirën liridashëse dhë përpjekjet e tij, nuk mundi të paktën të rimëkëmbte principatën e Kastriotëvë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar shkruhet se Skënderbeu i Ri vdiq në famagustë- Qipro.

Ndërsa studjuesi Eqrem Bej Vlora në kujtimet e veta na njofton për varrin e djalit tjetër të Gjonit, të Kostandinit, për të cilin tregon se ka parë “varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Marisë së engjujve, në Napoli, ku është venë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët.

Sipas informacionit që jep Prof. K.Frashëri te artikulli “Skënderbeu, Vdekja e pinjollit dhe trashëgimtarët jashtë martese”, gjejmë se Skënderbeu i Ri kishte pasur një djalë, të quajtur Alfons. Këtë djalë me sa duket e rriti Andronika, gjyshja. Ajo kur iku në Spanjë, më 1503, e mori Alfonsin ende fëmijë me vete. Atje ai nuk pati jetë të gjatë dhe vdiq më 1508. Kjo fatkeqësi shënohet në pllakën e varrit të tij, ku janë gdhëndur në spanjisht fjalët : “Këtu prehet Alfonsi, biri i të famshmit Gjergj Kastrioti…… Vdiq në moshën 15 vjeçare në qytetin e Valencias, në vitin 1508” .

Në këtë mënyrë nga sa kemi shkruar gjër këtu, arrijmë te mendimi se armët e Skënderbeut nuk janë nxjerrë jashtë shtëpisë as nga Gjon Kastrioti i Dytë, as nga i biri, Gjergj Kastrioti i Dytë dhe as nga i biri i të birit, Alfonsi, që vdiq adoleshent në Valencia.

Djali i dytë i Gjonit ishte Kostandini, i cili në moshën 20 vjëçare, 1497, qe hirotonisur dhespot i Izermias dhe vdiq në vitin 1500. Në varrin që i ngriti e gjyshja, në kishën Santa Maria Nuova në Napoli, atij i është kushtuar një epitaf latinisht: “Mbylli para kohe një jëtë të jetuar me nder”. Si dhespot ai s’ qe martuar dhe nuk pati fëmijë.

Djali i tretë ishtë Ferdinandi, i cili jetoi gjatë. Kursë djali i katërt i Gjon Kastriotit, Frederiku, vdiq i ri, pa lënë fëmijë. Atëherë, i vetmi trashëgimtar i Skënderbeut në linjën mashkullore mbeti Ferdinandi. Me këtë cilësi ai trashëgoi edhe pronat, zotërimet feudale që i ati kishte në San Pietro të Galantinës.

Gjon Kastrioti pati edhe një vajzë, Marien, e cila nuk u martua. Ajo ishtë një grua e kulturuar dhe jetoi gjatë.. Pleqërinë e kaloi me mbesën e saj Irënën, vajzën e Ferdinandit, deri sa vdiq më 1565.

Me një fjalë nga pasardhësit direkt të Skënderbeut jetoi gjatë vetëm djali i tretë i Gjonit, Ferdinand Kastrioti. Ky u martua me Adriana Acquaviva-n, vajzën e Dukës së Nardo-s. Ai pati dy fëmijë më atë, një djalë që i vdiq foshnje, dhe një vajzë Irenën, e cila mori emrin e të gjyshes së saj Irena Paleologu.

Prof. K. Frashëri, duke analizuar hollësisht pinjollët e familjes Kastrioti, tregon se historianët e provincës rrëfejnë se Ferdinandi bënte nga pikëpamja morale një jëtë pak të lirë. Siç del nga kronikat e kohës ai kishte edhe fëmijë të paligjshëm. Midis tyre një farë trajtimi të veçantë pati nga i ati vetëm Akili, djali jashtëmartese që pati me një vajzë 20 vjeçare arvanitase me origjinë nga Korona e Moresë, e nvendosur në Kalabri dhe për këtë arsye të vendlindjes quhej Eleonora Koronika.

Përfundimi është se në familjen e Kastriotëve linja mashkullore e trashëgimisë u mbyll me Ferdinandin . Vajza e tij e vetme Irena mbeti trashëgimtare e pasurisë që la i gjyshi dhe i ati i saj.

Si e vetmja trashëgimtare e Gjon Kasriotit, Irena mori, së bashku me pasurinë , edhe objektet e vyera nga ana simbolike, dy shpatat dhe përkrenaren e Skënderbeut. Ajo perveç pasurisë trashëgoi edhe titullin dukeshë. Irena u martua me Princin Pier Antonio di Sanseverina. Po siç thonë kronikat italiane, i shoqi i Irenës qëlloi të ishte një njeri plangprishës. Me shpënzimet vend e pa vend, brenda një kohe të shkurtër, ai e firasi gjithë pasurinë. Kur vdiq, ai i la Irenës një pasuri të shkatërruar dhe 700,000 dukatë ari borxhë. Për të kapërcyer gjëndjen e vështirësuar ekonomike, ku e shpuri i shoqi , Irena në bashkëpunim dhe me të vëllanë e saj jashtëmartese, Akilin, u detyrua të shiste pasurinë. Me sa duket nga kjo situatë financiare krtike Irena Kastrioti vendosi të shiste edhe objektet me vlere simbolike te Skënderbeut.

Dhe tani, kur e dimë pinjolin e familjes së Kastriotëve që guxoi të shiste armët e stërgjyshit, heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, lë të shikojmë shtegëtimin e më tejshëm të këtyrë armëvë, nga Italia e jugut në Austri. Për këtë na vijnë në ndihmë edhe të dhënat muzeale të Vjënës. Merita kryësore për gjëllitjen e këtyre armëve dhe ruajtjen e tyre me autenticitet të plotë si dhe strehimin e garantuar në shekuj e ka Archduk Ferdinandi II i principatës së Tirolit, dhe në mënyrë të vaçant administratori i tij Shrenk.

Më 1567 Ferdinandi shkoi në Insbruk, kryeqytet i Tirolit, të cilin e kishte trashëgimi nga i ati ; shkoi atje me synimin që të restauronte kështjellën Ambras dhe të ngrinte atje, brenda kështjellës një ekspozitë a po museum armësh. Për këtë qëllim Ferdinandi shkroi një lëtër drejtuar gjithë personaliteteve të njohura, të cilët kishin lidhe me përsonazhe me të kaluar lutarake për shekujt XV dhe XVI., duke ua bërë atyre të ditur se deshte të gjente armë të heronjëve të ndryshëm ndër beteja të kësaj periudhe kundrejt vlerës se tyre.

Ky njoftim i Ferdinandit II të Tirolit sensibilizoi opinionin për grumbullimin e armëve me vlera antike dhe muzeale. Kështu që armët e Skënderbeut, të veçuara, të shitura në dy persona, me anë të kësaj kërkese, do të ribashkohëshin. Deri në vitin ’70 përkrenarja e heroit dhe shpata e shkurtër ndodhëshin në duart e Dukës së Urbinos, kurse shpatën tjetër e mbantë Duka i Arskotit. Po ndërkohë, të dy këta blerës të armëve të Skënderbeut, ua shitën ato blerësve të dytë. Konti Volfang i Sturbenbergut bleu përkrenaren dhe shpatën e shkurtër, kurse shpatën tjetër më të gjatë e bleu Arkiduka i Stirisë, i quajtur Karli, biri i dytë i Perandorit të Austrisë. Ai që do t’i bashkonte përfundimisht e do t’i siguronte këto armë te kryetrimit shqiptar do te ishte djali tjetëri i Përandorit gjerman (vëllai i Karlit), qe e permendem dhe me larte per letren e tij, Arkduk Ferdinandi II i Tirolit, me porosinë etë cilit, kancelari i tij, J. Shrenk, i shtiu ato në dorë me blerje.

Asdministratori i Arkiduk Ferdinandit II, Jacob Schrenk von Gotzing do të pajiste edhe më mirë muzeumin që Ferdinandi kishte ngritur në kështjëllën Ambras.

Përmendja e parë e armëve të Skënderbeut gjatë kohës për kompletimin e muzeumit të kështjellës Ambras figuron në një letër të datës 15 tetor, 1578. Në këtë letër që dërgohej nga Duka i Urbinos për te Arkiduk Ferdinandi shënohej se ai do të dërgonte helmetën dhe shpatën e Skënderbeut në Ambras.

Më 1605 Kështjella Ambras, përfshiu edhe ekspozitën e armëve, i qe shitur Perandorit të Austrisë. Atje shpata e Skënderbeut, dhe helmeta e tij do të qendrojnë për 201 vjet deri më 1806.

Më vonë ato do të transfëroheshin në muzeumin e kështjellës Belvedere. Pikërisht në këtë museum pati fatin dhe kënaqësinë poeti Naim Frashëri t’i shikonte këto armë të Skënderbeut, të prekej dhe të frymëzohej për të shkruar me krënari kombëtare vargjet aq patriotike:

Në Belvedere, në Vjenë,

Sikur pashë Skënderbenë;

Armët e tija kur i pashë

Lumja ti moj Shjqipëri thashë.

Dhë më pastaj , në vitin 1888, armët ë Skënderbeut do të vendoseshin në muzeumin Kunsthistoriches të Vjenës, ku gjenden edhe sot.

Me këtë rast, në mbarim të këtij shkrimi, le të shpresojmë se një ditë këto armë të heroit tonë kombëtar do të marrin rrugën për të shtegëtuar drejt Shqipërisë dhë të qendrojnë përjëtësisht në Muzëumin historik të Krujës.

Literaturë

Frashëri,K. “Skënderbeu, Vdekja e pinjollit të fundit dhe trashëgimtarët jashtë martëse”.

Frashëri, N. “Vëpra” 2, Botimët “Rilindja”, Prishtinë, 1978

Muzaka, Gj. “Memoria” Botimet “Toena”, Tiranë, 1996.

Vlora, E . Bej, “Kujtime”, vol.2 , Tiranë, 2001.

Zamputi, I. “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”


blank
blank
Send this to a friend