Në dokumenta janë përmenduar Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në takime të ndryshme të organizuara në vende të Evropës dhe Amerikës.
TIRANË– Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore e grupit kriminal, ku të përfshirë janë disa biznesmenë, mes tyre edhe Artur Shehu. Sipas dosjes, autoritetet e drejtësisë spanjolle kanë paraqitur të dhëna në kuadër të një hetimi penal që lidhet me trafikimin ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Në dokumenta janë përmenduar Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në takime të ndryshme të organizuara në vende të Evropës dhe Amerikës. Artur Shehu rezulton të ketë marrë pjesë në disa takime në Belgjikë me Alfredo Hamzain dhe djalin e tij, Arten Hamzai. Në këto takime, sipas autoriteteve, ai shoqërohej edhe nga Elton Memeti.
Sipas hetimeve, ai ka qenë i pranishëm në takime të zhvilluara në Spanjë, Monako, Gjermani dhe Aruba, së bashku me persona të tjerë të përfshirë në dosje. Po ashtu, sipas letërporosisë së autoriteteve spanjolle rezulton se Adrian Rama është hetuar si person që, nëpërmjet ndërmjetësimit të Arben Ismailajt, ka komunikuar me Alfredo Hamzain, i njohur edhe me emrat Genc Bedini dhe Genci Tanasi, për të koordinuar detajet e një operacioni të trafikimit të narkotikëve.
Adrian Rama ka marrë pjesë në takime të zhvilluara në Majorka me Bashkim Osmanin, Toni Lipajn, Artur Shehun, Arben Ismailajn dhe persona të tjerë. Gjithashtu autoritetet spanjolle theksojnë se ai shoqërohej shpesh nga Elton Memeti dhe se ka qenë pjesë edhe e një takimi të zhvilluar në Monako me Artur Shehun, Arben Ismailajn dhe Alfredo Hamzain.
PJESË NGA HETIMI – “Nga autoritetet e Spanjës janë paraqitur të dhëna në lidhje me personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti për shkallën e pjesëmarrjes së tyre në takimet e ndryshme të konstatuara gjatë hetimit, me theks të veçantë te takimet e zhvilluara në lidhje me trafikim të kokainës nga Surinami në Evropë. Ai merr pjesë në disa takime në Belgjikë me shtetasin Alfredo Hamzai dhe djalin e tij, Arten Hamzai. Edhe në këto takime është i shoqëruar nga personi nën hetim Elton Memeti.
Personi nën hetim Artur Shehu, është hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 1069/2018 si pjesëmarrës në takime të ndryshme të zhvilluara në vende të ndryshme në Evropë dhe Amerikë, me qëllim blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të drogës në Evropë. Ashtu si Adrian Rama, Artur Shehu merr pjesë në takime në Spanjë, Monako, Gjermani, Aruba, ndër të tjera, në të cilat është planifikuar blerja, transportimi dhe futja e sasive të mëdha të drogës në Evropë. Në këto takime, ndër të tjera dhe në shkallë të ndryshme pjesëmarrjeje, marrin pjesë shtetasi Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Leonard Bishaj, Bujar Shehaj, Alfredo Hamzai, Pullumb Petriti.
Elton Memeti, është hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 1069/2018 si pjesëmarrës në takime të ndryshme të zhvilluara në vende të ndryshme në Evropë dhe Amerikë, me qëllim blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të drogës në Evropë. Personi i lidhur direkt me Artur Shehun dhe Adrian Ramën, të cilët realizojnë të shoqëruar në takimet e tyre. Ashtu si Adrian Rama, Elton Memeti merr pjesë në takime në Spanjë, Monako, Gjermani, Aruba, ndër të tjera, në të cilat është planifikuar blerja, transportimi dhe futja e sasive të mëdha të drogës në Evropë…
Sipas të dhënave të letërporosisë së autoriteteve të drejtësisë spanjolle përfitohen këto të dhëna për secilin prej personave nën hetim: Personi nën hetim Adrian Rama është hetuar në kuadër të procedimit penal me nr. 1069/2018 si person që nëpërmjet ndërmjetësimit të Arben Ismailajt, ka komunikuar me Alfredo Hamzain alias Genc Bedini alias Genci Tanasi, me qëllim saktësimin e detajeve të një operacioni të trafikimit të narkotikëve. Ai ka marrë pjesë në takime në Majorka me shtetasin Bashkim Osmani (shtetas i Kosovës), Toni Lipaj, Artur Shehu, Arben Ismailaj e të tjerë. Personi nën hetim Adrian Rama është i shoqëruar nga personi nën hetim Elton Memeti, ai ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar në Monako me Artur Shehun, Arben Ismailajn dhe Alfredo Hamzain./Dosja.al
