VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Intervistë e Këshilltarit Federal tek NZZ – Alain Berset: Ne nuk jemi në prag të katastrofës. Paniku nuk funksionon.

By | October 30, 2020
blank

Komentet

blank

Nga Karaburuni në Shkodër, Rama bën bilancin: Aktualisht janë 13 vatra zjarri në gjithë vendin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë një bilanc të zjarreve teksa thotë se ka 13 vatra në gjithë vendin.

Sipas informacioneve që jep Rama, zjarre ka nga Karaburuni në Shkodër, por rrezik për banesat ka vetëm në Fushë-Arrëz ku është dërguar një helikopter për ndërhyrje nga ajri.

Po asht kryeministri ka publikuar edhe pamje nga ndërhyrja e zjarrfikësve dhe ushtarëve të FA në 24 orët e fundit për të kontrolluar e shuar zjarret.

STATUSI NGA EDI RAMA

🔴 Aktualisht ka 13 vatra zjarri në të gjithë vendin përkatësisht në;

Gadishullin e Karaburunit. Pa rrezik banesash.

Shkodër, në fshatin Cukal. Pa rrezik banesash.

Në Fushë-Arrëz e cila paraqet rrezikshmëri për kalimin në zona të banuara, është dërguar edhe një mjet helikopter për mbështetje nga ajri.

Gjirokastër, vijon zjarri vatrave në luginën e Lunxhërisë. Nuk ka rrezik për banesat. Po punojnë forcat e FA dhe të tjera nga toka.

Vatra e zjarrit në kodrën e pishave në fshatin “Arshi Lengo”, po punojnë të gjitha forcat operacionale dhe një mjet helikopter.

Në bashkinë Tepelenë. Pa rrezik banesash.

Pyllin e fshatit Shetaj. Pa rrezik banesash.

Në bashkinë Durrës, fshati Manskuri. Pa rrezik banesash.

Dibër, fshati Lukan. Pa rrezik banesash.

Në bashkinë Mallakastër. Pa rrezik banesash.

Elbasan. Fshati Shelcan. Pa rrezik banesash.

blank

Vijon rreziku nga zjarret në Vlorë, gazetari: KLSH nis kontrollin intensiv te MM dhe Emergjencat Civile për të gjithë tenderat e bërë së fundi

Qarku i Vlorës vijon të jetë i rrezikuar nga zjarret. Në një lidhje telefonike për “News24”, gazetari Enrik Mehmeti tha se situata më problematike është në Llogara, por edhe në Karaburun, ndërsa është normalizuar në fshatin Dukat.

Mes të tjerash, gazetari deklaroi se KLSH ka nisur kontrollin intensiv në të gjitha institucionet, që hyjnë tek Emergjencat Civile, që nga Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Emergjencave Civile, etj., për të verifikuar të gjithë tenderat e bëra së fundi për pajisjet e marra për situata të tilla.

“Zjarri nuk është ndalur ende në Karaburun, edhe pse në Dukat është neutralizuar. Gjatë orëve të natës pamë një rrezik të madh në bazën e Pashalimanit, por fatmirësisht zjarri u shua pas 3 orësh. Nëse zjarri do arrinte te magazinat e municioneve, rreziku do të ishte tepër i lartë për të gjithë zonën. Operacioni me helikopter po vijon që prej orëve të mëngjesit. Situata është tejet problematike, me një rrezik, sa i përket pjesës së Llogarasë. Po punohet edhe për vatrat, që janë ndezur dje dhe sot. Janë të gjitha vatra të vendosura nga dora e njeriut. KLSH ka nisur kontrollin në të gjitha institucionet, që po punojnë dhe hyjnë te pjesa e Emergjencave Civile, qoftë te Drejtoria e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes, për të bërë verifikim të të gjitha tenderave të bëra së fundi për pajisjet e marra për situata të tilla. Ky kontroll pritet të kryhet në mënyrë intensive në të gjitha hallkat e këtyre institucioneve. Sipas burimeve nga KLSH, nëse do të hasen shkelje, do të ketë kallëzime në Prokurori”, tha gazetari Mehmeti.

blank

Qendra Wilson: Perëndimi të punojë për forcimin e sovranitetit të Kosovës

VOA

Qendra Wilson, me seli në Shtetet e Bashkuara, tha në një raport se forcimi i sovranitetit të Kosovës, duhet të jetë në qendër të strategjisë amerikane dhe evropiane për integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Këto komente janë pjesë e raportit të kësaj qendre me temën “Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës: pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë?”

Në raportin prej 18 faqesh theksohet se tani ekziston një mundësi unike për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës.

“Populli i Kosovës ka zgjedhur një qeveri me një shumicë të fortë parlamentare me një platformë antikorrupsion dhe progresive. Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti kërkon mbështetje të fortë ndërkombëtare nga aleatët e Kosovës – veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, për të realizuar agjendën e saj të brendshme dhe për të konsoliduar sovranitetin e Kosovës”, thuhet në raport në të cilin janë hedhur edhe propozime mbi veprimet që duhet të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja si dhe vet Kosova dhe Serbia për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet të dyja vendeve.

“Mbështetja e ri-fuqizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, është e nevojshme për të realizuar qëllimin e statusit të pavarur, shumetnik dhe bashkëjetesës paqësore të shoqërive në Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj këtyre parimeve; Serbia nuk është”, thuhet në raport në të cilin bëhet thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja “të përballen me qeverinë “gjithnjë e më autoritare të Serbisë dhe politikën e saj të jashtme destabilizuese”.

Raporti thekson se të shtyrë nga shqetësimet se Beogradi mund të binte nën ndikim më të madh nga Moska, vendet perëndimore janë orientuar t’i japin Serbisë një pozitë të privilegjuar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të këmbëngulin që Serbia të plotësojë të njëjtat standarde-për korrupsionin, kleptokracinë, demokratizimin, të drejtat e pakicave dhe bashkëjetesën rajonale, që u kërkohen të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raport, sipas të cilit, Serbia po lehtëson ndikimin në rritje të shteteve joliberale në Ballkanin Perëndimor. Rusia dhe Kina thuhet më tej, në veçanti po përdorin Serbinë si një mjet për të rritur fuqinë dhe ndikimin e tyre dhe për të dëmtuar arritjet perëndimore në rajon.

“Një angazhim i ripërtërirë për konsolidimin e sovranitetit të Kosovës është një mjet i qartë me të cilin partnerët e Kosovës mund të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj një partneri demokratik dhe një qëndrim parimor ndaj sjelljes joliberale dhe destabilizuese të Serbisë dhe kundërshtimin ndaj lidhjeve të saj ushtarake në rritje me Rusinë dhe Kinën”, thuhet mes tjerash në raportin e publikuar të mërkurën.

Në kuadër të propozimeve për hapat që duhet ndërmarrë nga perëndimi, thuhet mes tjerash se lehtësuesit e bisedimeve duhet të hedhin poshtë idetë për ndryshime kufijsh, të ripërtërihet përkushtimi ndaj një dialogu mes të barabartëve, të punohet për përfshirjen më të madhe të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të hapet rruga për anëtarësimin e saj në NATO deri në vitin 2027.

Kosovës i kërkohet të sigurohet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv si dhe të punojë edhe për nxitjen e dialogut të brendshëm ndërmjet komuniteteve.

Raporti po ashtu kërkon vënien e drejtësisë dhe përballjen më të kaluarën të të dyja palëve, ndërsa i bën thirrje Bashkimit Evropian që t’i jap fund qasjes “neutrale ndaj statusit” të Kosovës.

“Nëse nuk merren masa domethënëse për të forcuar më tej sovranitetin e Kosovës dhe për të mbështetur shoqërinë e saj shumetnike dhe gjithëpërfshirëse, Kosova, në mënyrë paradoksale, do të simbolizojë dështimin e perëndimit”, përfundon raporti.

blank

Nga tkurrja e popullsisë te ndryshimet strukturore të tregtisë, bie numri i bizneseve në 10 vite dhe pesha në PBB

Sektori i tregtisë ka pësuar tkurrje në dekadën e fundit, si në drejtim të numrit të bizneseve ashtu edhe në peshën që ka në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Sipas INSTAT, bizneset aktive në sektorin e tregtisë në vitin 2020 ishin gjithsej 43,668, niveli më i ulët i dekadës që nga viti 2011. Gjithashtu pesha e sektorit në PBB ra me 1 pikë përqindje gjatë 10 viteve të fundit, duke shkuar nga 16.6% në 2011 në 15.5% në vitin 2020.

Sektori i tregtisë po tkurret për dy arsye themelore, që vijnë nga ndryshimet strukturore të sektorit dhe uljes së popullsisë nga emigracioni i lartë. Vitet e fundit, hapja e qendrave tregtare ka ndikuar në përqendrimin e shitjeve me pakicë të veshjeve dhe zgjerimi i rrjeteve të supermarketeve ka përqendruar shitjet me pakicë të ushqimeve nga dyqanet e vogla në njësi më të mëdha.

Referuar të dhënave të INSTAT, nga viti 2011-2020 janë larguar nga vendi 400-600 mijë persona. Tkurrja e popullsisë sidomos në qarqe ka ulur konsumin dhe për rrjedhojë numrin e bizneseve që merren me tregti. Vetëm në vitin 2020, në të gjithë vendin u mbyllën 1.5 % e bizneseve në sektorin e tregtisë ose 656 të tilla. Kjo si rrjedhojë e efekteve negative të pandemisë, ku tregtia ishte ndër më të goditura në disa segmente të veçanta të tregut, sidomos veshjeve.

Falimentet më të mëdha në bizneset e tregtisë u panë në disa bashki të vogla si Fushë-Arrësi, Skrapari, Pusteci, Belsh, Klos, Has, ku mbylljet në përqindje ishin me ritme dyshifrore. Në ana tjetër disa bashki panë rritje të bizneseve në sektorin e tregtisë. Në Konispol vitin e kaluar numri i bizneseve shënoi rritje vjetore 7.3%, në Cërrik 5.7%, në Dibër 4.3%, Urën vajgurore 4.3%, Librazhd 3.6%.

Vitin e kaluar, zgjerimin më të madh e kishin bizneset në sektorin e ndërtimit dhe të bujqësisë. Të dy këta sektorë nuk u ndikuan nga pandemia dhe kanë parë flukse më të larta të aktivitetit se sa në viti normal.

Sipas anketave të Bankës së Shqipërisë në kuadër të Indeksit të Besimit me 2020 rezultoi se bizneset në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit ishin më optimiste edhe në drejtim të punësimit. Në kundërt bizneset, në sektorin e tregtisë ishin më pesimiste./B.Hoxha

blank

Xhudistet “e arta” të Kosovës u pritën në mënyrë solemne pas suksesit në Olimpiadë

Prishtinë

Ekipi i xhudos i Kosovës që u kthye nga Lojërat Olimpike në Tokio me dy medalje ari u prit në mënyrë solemne në aeroport dhe më pas në qendër të Prishtinës, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhudistet Nora Gjakova në kategorinë 57 kilogramë dhe Distria Krasniqi në kategorinë 48 kilogramë fituan medalje ari në Olimpiadën e Tokios, me çka ekipi i Kosovës zuri vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të xhudos, pas Japonisë nikoqire.

Xhudistet u pritën në aeroportin “Adem Jashari” me qilim të kuq, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha në një konferencë për shtyp në aeroport se ekipi kosovar kishte pesë xhudistë të cilët shkuan në Olimpiadë me një normë të plotësuar dhe u renditën ndër dhjetë më të mirët në botë, kështu që, siç tha ai, medaljet ishin të pritura.

Trajneri Driton Kuka tha se prisnin një ose dy medalje, por jo dy të arta.

Xhudistja Distria Krasniqi shprehu falënderime për pritjen dhe tha se këto medalje janë të gjithë Kosovës.

Më pas, ekipi i xhudos me autobus special me fotografi të ngjitur të xhudisteve fituese shkoi në sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës, ku u përshëndet nga një numër i madh i qytetarëve.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila kishte fituar medaljen e artë në Olimpiadën e Rios, me përkushtimin e saj i hapi rrugën Norës dhe Distrisë, të cilat vazhduan në Tokio.

Nora Gjakova tha në shesh se ua dedikon medaljen e saj të gjithë kosovarëve dhe falënderoi të gjithë për mbështetjen. Distria Krasniqi gjithashtu shprehu falënderime për mbështetjen, duke premtuar edhe më shumë medalje të tjera.

Ndryshe, në Olimpiadën e mëparshme Rio 2016, ku Kosova garoi për herë të parë, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen historike të artë për Kosovën.

Me medaljet e fundit, Kosova ka gjithsej tri medalje olimpike, të trija të arta, që kur filloi të garojë në Lojërat Olimpike, pas vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të vitit 2014 për të njohur Komitetin Olimpik të Kosovës.

blank

Kurti: Nuk kemi hequr dorë nga reciprociteti me Serbinë

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria që ai udhëheq, nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Gjatë seancës plenare të së hënës, Kurti deklaroi se për reciprocitetin ka biseduar edhe gjatë takimeve që ka pasur në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Në këto 100 ditët e para (të qeverisjes) ne kemi pasur drejtor të ri të Doganave dhe duhet të përgatitemi sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini, në Kurti 1, ne e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e pastajme e hoqi reciprocitetin. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Kosova dëshiron që reciprociteti i plotë me Serbinë të bëhet në atë mënyrë që të mos zhbëhet më.

“Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndoshë i marrëdhënieve midis shteteve, që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën në të cilën nuk zhbëhet më”, tha kryeministri.

Kosova në fund të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe. Kjo taksë, në Qeverinë Kurti 1, u zëvendësua me reciprocitet, ku u përfshin një sërë masash tregtare.

Por qeveria pasuese e udhëhequr nga Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin, masë kjo që u pa nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

blank

Tregtia me rajonin, Shqipëria bilanc pozitiv vetëm me Kosovën. Me Serbinë, deficitin më të thellë. Çfarë thonë shifrat

Shqipëria realizoi me vendet e rajonit, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut rreth 10% të volumit tregtar (importe + eksporte) në vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor” (të dhënat për Bosnjën nuk janë në tabelat e INSTAT).

Në krahasim me vitin 2016, kjo peshë është rritur me 2 pikë përqindje. Panorama me këto shtete është e ndryshme, teksa Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv (+145 mln euro), ndërsa e kundërta, nga Serbia marrim më shumë importe dhe kemi deficitin më të madh tregtar (-134 mln euro). Me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka një deficit të lehtë.

Në këtë situatë, një marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në një kohë që Kosova nuk është e përfshirë, mund të krijojë një disavantazh për Shqipërinë, duke rrezikuar thellimin e deficitit tregtar, sidomos me Serbinë.

Kosova

Për eksportet, Kosova është partneri kryesor i Shqipërisë dhe shteti ku ne kemi suficitin më të lartë tregtar, që nënkupton se eksportojmë më shumë drejt këtij vendi, sesa importojmë prej tij. Në vitin 2020, eksportet drejt Kosovës ishin 26.2 miliardë lekë (9.7% e shitjeve totale jashtë vendit), ndërsa importet 8.3 miliardë lekë, me bilanc pozitiv 18 miliardë lekë (145 milionë eurosh). Mallrat kryesore që eksportojmë në Kosovë janë materialet e ndërtimit e metalet (kryesisht çeliku, tullat, çimento), lëndë djegëse e energji (naftë) dhe ushqime, pije e duhan. Për të gjitha grupmallrat, vlera e eksporteve është më e lartë sesa e importeve.

blank

Burimi: INSTAT

Serbia

Serbia është burimi kryesor i importeve në rajon. Sipas INSTAT, në vitin 2020 importuam nga ky shtet mallra me vlerë 23 miliardë lekë (3.8% e totalit), ndërsa eksportet ishin vetëm 6.3 miliardë lekë. Bilanci është negativ, me 16.7 miliardë lekë (134 milionë euro), që ikin neto drejt Serbisë. Serbia dominon në shitjet drejt Shqipërisë të ushqimeve, pijeve e duhanit, mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, si dhe materialeve të ndërtimit e metaleve. Në të kundërt me Serbinë, për të gjitha grup mallrat, bilanci tregtar është negativ.

blank

Burimi: INSTAT

Volumet e tregtisë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi janë më të ulëta. Drejt Maqedonisë së Veriut shkojnë 3.3% e eksporteve dhe vijnë 1.5% e importeve, ndërsa me Malin e Zi këto shifra janë përkatësisht  1.95 dhe 0.38%.

Me Maqedoninë, vendi ka një deficiti tregtar të lehtë, ndërsa me Malin e Zi, eksportet janë pak më të larta sesa importet.

blank

Burimi: INSTAT

Marrëveshja rajonale

Pak ditë më parë, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, në kuadër të projektit të Mini-Shengenit ballkanik, ranë dakord për tre marrëveshje:

  1. Marrëveshje për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.
  2. Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.
  3. Marrëveshje për qarkullimin e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.

Qeveria e Kosovës reagoi duke thënë se kjo nismë nuk e ka miratimin e Kosovës. “Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Qeveria e Kosovës në një deklaratë.

blank

Burimi: INSTAT

blank

Burimi: INSTAT

blank

Kosova ndan Medaljen Presidenciale për Beau Biden

Presidentja Vjosa Osmani gjatë ceremonisë të ndarjes së Medaljes Presidenciale për Beau Biden.

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dielën, ka ndarë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur në vitin 2015 nga kanceri në tru.

Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e dhënies së Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, ka deklaruar se me ndarjen e kësaj medaljeje, Kosova njeh kontributin që ai dha për Kosovën.

“Sa i përket Beau, trashëgimi e tij vazhdon të jetojë. Veprimet e tij vazhdojnë të na inspirojnë sot në Kosovë dhe të atyre njerëzve që ua ndryshoi jetën në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Osmani.

Sipas Osmanit, në të gjallë, Beau Biden, me punën e tij preku jetë njerëzish dhe bëri ndryshime.

“Siç është edhe shprehja ‘njerëzit e mirë janë si qiriu. Ata digjen që t’iu bëjnë dritë të tjerëve’. Dhe njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e kuptuar. Besoj se njeriu i mirë matet me gjatësinë e ndikimit që lënë pas. Kjo ka të bëjë me njerëzit që inspironin gjatë jetës tuaj, zemrat që prekni dhe jetët që ndryshoni pa e kuptuar. I ndjeri Beau Biden ishte një njeri i tillë. Ai është qiriu i djegur që ka dhënë dritë për shumë njerëz”, tha Osmani.

Presidentja Osmani tha se ndihmën që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës sa i përket lirisë dhe “të drejtës për të ekzistuar”, kalon përtej çdo partneriteti që mund të shihet në mbarë botën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një video-mesazhi ka thënë se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden” dhe e ka falënderuar Kosovën për medaljen, të cilën e ka ndarë për të birin e tij të ndjerë.

“Ne thjesht duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua”, ka thënë presidenti Biden përmes video-mesazhit.

Ai ka shtuar se i biri i tij Beau ka besuar thellë në pavarësinë e Kosovës dhe se si avokat në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, doli vullnetar për të ardhur në Kosovë, “për të mbështetur pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit”.

Presidenti Biden ka shprehur vlerësimin për përparimin, siç e ka quajtur ai, të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë njëzet vjetëve të fundit, me porosinë që “ka mbetur ende për t’u bërë”.

“Unë angazhohem për ju, dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë drejtim”, ka theksuar Biden.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka pranuar medaljen në emër të familjes Biden.

Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan.

Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteel.

blank

FOTOT – “Unë fitova, tani është radha ime të flas”, fitoi gjyqin ndaj shtetit shqiptar, posterat e Becchetit për 100 mln eurot mbushin Romën

“Unë fitova, tani është radha ime të flas”

Me këtë slogan, Francesco Beccheti ka mbushur ambiente të shumta të Romës, ku promovon atë që ai e quan fitoren ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare.

Posterat ku shfaqet Beccheti janë të shumta në kryeqytetin e Italisë, ku ai i fton italianët që të klikojnë në një web që ai e ka krijuar posaçërisht se si nisi dhe u zhvillua beteja e tij me qeverinë shqiptare. Kujtojmë se sipërmarrësi italian ka fituar në gjykatën e Arbitrazhit gjyqin ndaj qeverisë shqiptare. Kjo e fundit, ka detyrimin për t’i paguar atij plot 100 milionë euro.

Ai e ka cilësuar si të padrejtë mbylljen e televizionit “Agon Channel” në vitin 2015, e për këtë, hodhi në gjyq shtetin shqiptar, gjyq të cilin dhe e fitoi. Asokohe prokuroria publikoi një skemë korruptive, pjesë e së cilës sipas tyre ishte dhe Beccheti.

Kjo ishte dhe arsyeja se përse kërkuan mbylljen e televizionit. Këto pretendime sipërmarrësi si ka pranuar asnjëherë dhe sistematikisht ka pretenduar se mbylla e televizionit ishte e motivuar politikisht.bw

blank

blank

blank

blank

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork: MEMORANDUM KUNDËR TRADHTISË SË EDI RAMËS NDAJ KOSOVËS SHQIPTARE

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork, SHBA, miratoi këtë

          MEMORANDUM KUNDËR TRADHTISË SË EDI RAMËS NDAJ KOSOVËS SHQIPTARE

 

Me indinjatë dhe në mënyrën më vehemente e denoncojmë lidhjen e Antantës së Re Serbosllave me përmbajtje dhe me orientim strategjik lindor të sferës ndikuese politike, ekonomike, tregtare dhe ushtarake  të Rusisë, të nënshkruar nga Aleksandër Vuçiq (president i Serbisë), nga Zoran Zaev (kryeministër i Maqedonisë Veriore) dhe nga Edi Rama (kryeministër i Shqipërisë në  “Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal”, bërë në Shkup, më 29 korrik 2021. Këta themelues, Aleancën e Re Serbosllave nga “minishengeni ballkanik” e riemërtuan në (Ballkani i hapur. Open Blakans). Mirëpo, esenca e brumit politik, ekonomik, tregtar dhe integrues e kësaj Aleance të Re Serbosllave është kundër përcaktimit perëndimor të Serbisë, të Shqipërisë dhe të  Maqedonisë Veriore. Thjesht, është një kundërpeshë dhe injorim i institucioneve dhe mekanzimave strategjikë të agjendës integruese dhe zgjeruese të Bashkimit Evropian në shkallë rajonale ballkanike.

 Formimi i  Antantës së Re Serbo-sllave (së pari si “Minishengen ballkanik”, vetëm me 3 vende ballkanike?!) me emrin e ri “Ballkani i hapur”  nga “arkitektët vizionarë”, treshja Vuçiq-Rama-Zaev, është i dizajnuar dhe llogaritur mirë nga “kuzhina” politiko-diplomatike dhe propagandistike antishqiptare, antiamerikane, dhe antievropiane perëndimore në Beograd.

Shtrohet pyetja, pse kjo ide lindi nga udhëheqësit shtetërorë serbomëdhenj në Beograd ?

 – Sepse Qeveria serbe me Bërnabiqët, me Daçiqët dhe me presidentin e tyre Aleksandër Vuçiq në krye, që moti e kanë të qartë nga liderët drejtues të BE-së, se pa njohjen e Republikës së Kosovës, kurrë Serbia nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian.

Ky është një nga faktorët kryesorë politikë, gjeopolitikë, gjeostrategjikë, gjeoekonomikë dhe tregtarë, që Aleksandër Vuçiqin (qeverinë serbe) e kanë detyruar që të shpikë “Minishengenin ballkanik”, përkatësisht ‘Ballkanin e hapur” me miqtët dhe aleatët e tij prosllavë: Zoran Zajev dhe Edi Rama, si pandan dhe kundërpeshë strategjisë integruese politike, ekonomike,tregtare, ushtarake dhe kulturore të Bashkimit Evropian, sepse, që tani  presidenti Aleksandër Vuçiq e ka të qartë, se Serbia kurrë nuk ka për të hyrë në BE, duke qenë se nuk po e njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Për këtë arsye, Aleksandër Vuçiq ka formuar “Minishengonin-Ballkanin e hapur” me  tradhtarin Edi Rama, sepse haptazi po luftën kundër BE-së dhe kundër Amerikës, që Kosovën ta rikthejë nën sovranitetin kolonial dhe gjenocidal të Serbisë (1912-1999).

 Presidenti Vuçiq nuk po do BE, por po do Kosovën nën Serbi, kurse Edi Rama po do Serbinë dhe Rusinë, jo Kosovën, as BE-në, as NATO-n e as Amerikën, ashtu sikurse Aleksandër Vuçiqi !

 

Ky  veprim i përbashkët kundër BE-së, është guxim i madh, por njëherazi, budallallëk edhe më i madh, sidomos për Edi Ramën, sepse  me riorientimin e tij në zonën e influencës së sferave të interesit serbo-rusosllav, direkt dhe indirekt ka dalë jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër BE-së, kundër Amerikës dhe kundër NATO-s, mbase Shqipëria është anëtare e NATO-s (prill 2009). Kjo tradhti ndaj NATO-s është një humbje e madhe për intereat vitale evropianoperëndimore  të Shqipërisë.

Ndërkaq, për Serbinë edhe për Aleksandër Vuçiqin, është një fitore e madhe politike, gjeostrategjike dhe gjeopolitike, sepse me mbështetjen e Shqipërisë së Edi Ramës po fiton daljen në Detin Adriatik, ëndërr shekullore e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale e kryeministrit  dhe ministrit të saj historik, Nikola Pashiq (1912-1926). Straetgjia nacionale e Serbisë pushtuese “Dalja në Adriatik” ka qenë ide dhe platformë politike serbomadhe e Nikola Pashiqit, që njihet me emrin “Od Dunava do Skadra”. Dhe, ja këtë ide  serbomadhe të Nikola pasiqit, po realizojnë pasardhësit e  tij, treshja Vuçiq-Rama-Zaev me “Ballkanin e hapur”. Ja, kjo është tradhtia e Edi Ramës ka përqafuar edhe Projektin historik të Nikola Pashiqit, duke mos ditur histoirinë tragjike të marrëdhënieve serbo-shqiptare në Ballkan.

Për këtë arsye, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Antantës së Re serbosllave (Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore) në “Forimin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal” (Ballkani i hapur), presidenti serb Aleksandar Vuçiqi tha  “Ta harrojmë të kaluarën, të krijojmë një histori të re progresive dhe të dobishme ekonomike, politike, tregtare, kultuore të bashkëpunimit të popujve të Serbisë, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë Veriore”, duke i “fshirë kufijtë” për të lëvizur dhe qarkulluar lirshëm e pa barriera doganore si njerëzit dhe mallrat e tyre; pa pasaporta dhe, pa kurrfarë kontrolli doganor etj… Kjo është “ide e mirë”, por sakat, sepse të formosh një Aleancë Serbosllave pandan Bashkimit Evropian (vetëm me tri shtete ballkanike: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore), pa Kosovën e pavarur, pa Malin e Zi, pa Kroacinë, pa Greqinë,  dhe pa Turqinë, është çmenduri edhe nacionale, edhe politike, edhe diplomatike, edhe rajonale, edhe evropiane perëndimore, kur dihet se fjalën kryesore në Ballkan e kanë Amerika, NATO-ja dhe BE-ja, jo Serbia e Aleksandër Vuçiqit që me çdo kusht po lufton për “bombardimin” e shtetit të pavarur të Kosovës.

Për këtë qëllim dhe interes afatgjatë serbo-rus-sllav në Ballkkan, Aleksandër Vuçiq(Serbia), Edi Rama( Shqipëria) dhe Zoran Zaev (Maqedonia Veriore), me formimin e “minishengenit ballkanik”, përkatësisht “Ballkani i Hapur”  i kanë shpallur  luftë politike, ekonomike dhe tregtare Bashkimit Evropian (BE-së) në tri (3) shtetet e tyre.

 

 Ne jemi me Kosovën dhe me Shqipërinë që e mbështet Kosovën, Amerikën, BE-në dhe NATO-n. Kjo është historia dhe perspektiva e sotme dhe e nesërme e  shqptarëve dhe gjithë Ballkanit !

 

-Jo me Serbinë  kolonialiste dhe gjenocidale, e cila, edhe sot në shekullin XXI po kundërhton  BE-në dhe OKB-në, që të përballet me krimet e gjenocideve që i ka kryer ndaj shqiptarëve  të Shqipërisë Etnike (1878-1999).

 Prandaj, Akademia  Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve e Nju-Jorkut në SHBA, e mbështet fuqimisht dhe katërcipërisht politikën largpamëse kombëtare, evropianoperëndimore ndërkombëtare dhe patriotike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të kryediplomates së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, që me fakte dhe me argumente të qëndrueshme dhe të justifikueshme kanë hedhur poshtë si të dëmshme dhe shumë të rrezikshme për Kosovën, për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për interesat komplementare strategjike të BE-së, të Amerikës dhe të NATO-s në Ballkan,

Duke qenë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tradhtoi Kosovën, Amerikën, BE-në dhe NATO-n, duke u rreshtuar në  kampin e Antanës së Re Serbo-Sllave(Ballkani i hapur) të Vuçiqit dhe të Zajevit, gjë që kjo Aleancë sllave (edhe pse paqësore) të kujton Traktatin e dikurshëm të Varshavës (1955), i cili qe formuar si kundërpeshë dhe përgjigje Paktit të Atlantikut Verior(NATO), më 1949.

KJo tradhti e Edi Ramës ndaj aleatëve evropianoperëndimorë, dhe posaçrisht ndaj Kosovës nuk është e para në historinë më të re të Kosovës (1989-2021), por e dyta (2) me radhë brenda 30 viteve të shkaura, ngaqë tradhtia e parë ndaj Kosovës u bë gjatë viteve 1989-1999, kur Shqipëria nuk ndërhyri ushtarakisht me Ushtrinë Kombëtare të saj për t’i marrë në mbrojtje mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë nga terrori, nga flaka dhe nga zjarri i gjenocidit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit. Si rrjedhojë, çetnikët fashistë paramilitarë, militarë dhe policorë serbë masakruan dhe vranë mbi “11.800” civilë shqiptarë; i zhdukën edhe “1647” shqiptarë të tjerë, të cilët sot evidencohen si të “pagjetur”;  i dhunuan mbi “20000 mijë” femra shqiptare, si dhe i deportuan jashtë Kosove mbi  “ 1 milion shqiptarë”.

Ja , kjo ishte tradhtia e parë ndaj Kosovës në kohën e historisë së saj më të re (1989-1999). Kjo tragjedi pati për pasojë direkte politikën e gabuar të boshtit Prishtinë – Tiranë, mbase në vend të  politikës inerte dhe të dështuar paqësore, domodo nevojitej ndërhyrje ushtarake të gjithë shqiptarëve në Ballkan, duke qenë se ishin konsumuar të të gjitha të ashtuquajturat  politika pasive paqësore, që  gjithë bota liridashëse trishtohej prej tyre, ngase nuk ndërmorën asnjë veprim ushtarak të përbashkët për shpëtimin e 2 milionë e gjysmë shqiptarëve, ku shumë prej tyre (mbi 13.0000) gjetën vdekjen nga zjarri i gjenocidit serb (1989-1999).

Poshtë tradhtia! Rroftë Kosova dhe Shqipëria Etnike!

Ne jemi me Evropën Perëndiore, me NATO-n dhe me Amerikën, jo me Rusinë e as me Serbinë e Edi Ramës dhe Alekandër Vuçiqit.

 I nderuar z.Kryeministër Kurti,

-Albin ne jemi me Ty , me Kosovën e pavarur dhe sovrane  me bashkimin e saj me Shqipërinë, jo me Serbinë e Edi Ramës!

Me të lexuar se çfarë tradhtie gjithëkombëtare nënshkroi Edi Rama në Shkup, duke u puthur me serbosllavomaqedonët Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev kinse për një “Ballkan të hapur bashkëpunimi e paqeje”, më 29 korrik 2021, ne Bordi i Akademisë Shqiptaro-Amerikane  të Shkenave dhe të Arteve në Nju-Jork, u mblodhëm dhe morëm vendimin e prerë, se jo vetëm ne, por të gjithë shqiptarët në  Mërgatë jemi me kryeministrin Albin Kurti dhe me Qeverinë e tij në Kosovë, jo me asnjë marrëveshje apo Memorandum të Edi Ramës, të nënshkruar në Shkup në emër të “nimishengeni ballkanik” me emër të ri, që për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët, është një tradhti e madhe, sepse me arritjen e saj, kryeministri Edi Rama ia hapi portat Serbisë kolonialiste pushtues dhe gjenocidale të Nikola Pashiqit, të Slobodan Milosheviqit dhe të Aleksandër Vuçiq, që pa asnjë lek të dalë në Detin Adriatik. Ky është objektivi strategjik parësor politik, ekonomik e tregtar i Anshlusit Rama-Vuçiq-Zaev. –Jo assesi zhvillimi dhe mirëqenia e shqiptarëve, as e Kosovës e as e Shqipërisë.

Për daljen në Detin Adriatik, Serbia ka bërë disa pushtime gjenocidale dhe koloniale ndaj shqiptarëve dhe territoreve të tyre etnike (1912-1941). Kjo e kaluar e hidhur historike assesi nuk mund të heshtet e as të amnistohet me asnjë marrëveshje apo traktat tradhtie të Edi Ramës  të lidhur me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, gjoja për të “mirën e shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ky mashtrim dhe kjo tradhti e Edi Ramës nuk duhet pranuar me asnjë çmim, para se Serbia t’i paguajë të gjitha reparacionet jo vetëm të luftërave gjenocidale, por edhe dëmshpërblimin për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore në Kosovë (1912-1999).

(2) Pasi Serbia t’i ketë zbululuar të të gjitha varrezat masive në territorin e saj;

(3) Pasi të ketë kërkuar falje kolektive për “3 gjenocidet ndaj shqiptarëve”, ashtu siç ia keni përplasur në fytyrë në Bruksel, më 15 dhe më 19 korrik 2021;

(4) Pasi Serbia ta ketë njohur Republikën e Kosovës;

(5) Pasi Serbia t’ua njohë të drejtën  e vetëvendosjes shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc e Medvegjë;

(6) Pasi Shqipëria t’ia ketë dorëzuar AP-së së OKB-së, Padinë e  Qeverisë së Kosovës kundër gjenocideve serbe (1878-1999).

Tani, pas nënshkrimit të 2 memorandumeve dhe të 1 marrëveshjeje të Edi Ramës në “Shengenin numër 2” të riemërtuar në “Ballkani i hapur”, u bë çdo gjë e qartë se Shqipëria për të dytën e herë e tradhtoi Kosovën brenda tri dekadave të fundit (1990-2021).

Prandaj, nuk kanë lënë asnjë “deriçkë” të hapur bashkëpunimi derisa kanë përqafuar Serbinë çetniko-fashiste dhe gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, ashtu si Milosheviqi, presidenti Aleksandër Vuçiq po kërcën haptazi para Evropës dhe para botës se “kurrë nuk do ta njohë Kosovën”. Kjo është kryetradhti me vulë të thatë, edhe më e trishtë sesa tradhtia e Esat Pashë Toptanit dhe e Ahmet Zogut me Nikola Pashiqin.

Ne plotësisht pajtohemi dhe e mbështetim Vendimin e Qeverisë së juaj, që  nuk keni pranuar të merrni pjesë, dhe se  nuk do të jeni pjesë e  atijfarë “Minishengeni jugosllav”-tani të riemërtuar në “Ballkani i hapur” për ta fuqizuar dhe zhvilluar Serbinë në një superfuqi ekonomike, gjepolitike dhe gjeostrategjike mbizotëruse në Ballkan.

Ndaj, z. Kryetar Albin Kurti,

Duke ju mbështetur me gjithë zemër dhe me potecialin tonë, ju lusim, që sa më parë të urdhëroni mbajtjen e një Séance të Jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, dhe të nxirrni një Rezolutë a Memorandum për distancimin dhe për denoncimin e Marrëveshjes tradhtare të kryeministrit  të Shqipërisë, Edi Rama të lidhur me Serbinë kundër interesave vitale kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Kosovë.

 

Të  mbështesim pa asnjë rezervë!

Me nderime dhe konsiderata,

Skënder Kodra, akademik,

Mehdi Hyseni, Akademik

 

Nju-Jork, më 29 korrik

blank

Polarizohet zhvillimi i rajoneve- Varfërohet Veriu, Kukësit i duhen 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar dhe 37 vjet kryeqytetin

Nga viti në vit, të dhënat ekonomike të 12 qarqeve të vendit po tregojnë zhvillim të pabarabartë. Sipas INSTAT, në 10 vitet e fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni i Veriut u rrit mesatarisht me 2.4% në vit, ndërsa Jugu me 2.6%. Qarku më i varfër, Kukësi, shënoi rënie të ekonomisë gjatë dekadës me 2.7%, duke u varfëruar më tej. Zhvillimi ekonomik i rajoneve është ndikuar negativisht nga emigracioni i lartë, teksa mungojnë politikat zhvillimore me fokus qarku. Ekspertët bëjnë thirrje për një diagnozë të re të varfërisë dhe projekte që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të qarqeve të varfra

Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare. Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në vitin 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto të Rajoneve në të cilin u rezultoi se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie në vitin 2019, Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%. Në të kundërt, qarqet me rritjen ekonomike të lartë ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25 dhe Tirana mbi 2.5%.

Në rang vendi, ekonomia u zgjerua me 2.1% në vitin 2009. E ndarë sipas rajoneve, qendra ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani u rritën mbi mesataren kombëtare me 2.2%. Rajoni i Veriut me qarqet e Dibrës, Kukësit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës u rrit me 2.1% thuajse në mesataren kombëtare, kryesisht prej zgjerimit të ekonomisë së Durrësit, i cili në 2019-ën u ndikua nga zhvillime pozitive në turizëm. Rajoni i Jugut me qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës u rrit 1.78% me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare, për shkak të ndikimeve negative në ekonominë e Beratit.

Shtesa Renia E Pbb Sipas Qarqeve Me 2019 991
Shtesa Renia E Pbb Sipas Qarqeve Me 2019 991

Gjatë 10 viteve të fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni Veriut u rrit mesatarisht me 2.4%, ndërsa i Jugut me 2.6. Merita Toska, nga Co-Plan, njohëse e financave vendore, tha se, pabarazitë në vend janë të dukshme dhe thellohen çdo ditë më shumë, në disa nivele. Ajo pohoi se diferenca në nivelin ekonomik po theksohen në nivel rajoni, qarku, në nivel bashkie dhe në terma urbanë dhe ruralë. Shpërndarja e burimeve të rritjes në territor, sipas saj, është përcaktuese për këto diferenca, gërshetuar dhe me faktorë të tjerë. Politikat rishpërndarëse janë të vakëta dhe nuk po arrijnë të japin rezultate për t’i zbutur këto pabarazi.

Edhe pse qeveritë tashmë kanë një hartë të rajonalizuar dhe të detajuar për varfërinë që në vitin 2011 nuk kanë mundur të shpërndajnë në mënyrë t’i drejtë burimet ekonomike. P.sh., rajoni më i varfër i vendit, Kukësi, në vitin 2019 kishte një ekonomi më të vogël se në vitin 2009.

Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, ekspert për politikat rajonale, tha se arsyet kryesore të thellimit të varfërisë në qarqet e varfra janë mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Politikat sociale në Shqipëri nuk garantojnë mbështetje reale për të varfrit, pasi ato ofrojnë një mbështetje simbolike financiare, e cila ka mbetur pothuajse e pandryshuar prej më shumë se 25 vitesh dhe indeksimi i saj është disproporcional krahasuar me rritjen e shumëfishtë të kostos së jetesës, tha Shehu.

10 vite ekonomia e Kukësit me rënie, qarku më i varfër, varfërohet më tej
Në vitin 2012, në një anketë të posaçme, INSTAT e mati nivelin e varfërisë në vend. Si kufi i varfërisë u përcaktua një konsum për frymë në 4891 lekë (39 euro) në muaj. Familjet dhe individët që konsumonin poshtë kësaj sasie u konsideruan të varfër, pasi me burimet e tyre të të ardhurave nuk mund të siguronin konsumin e 2200 kalorive në ditë.

Rezultatet e anketës treguan se qarqet Vlorë dhe Gjirokastër kishin shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku i Kukësit kishte shkallën më të lartë të varfërisë, pasi më shumë se 28% e popullsisë në këtë qark konsumonte poshtë kufirit 39 euro në muaj. Harta e varfërisë duhet t’u shërbente qeverive shqiptare më pas për të realizuar ndërhyrje me fokus pikërisht në zonat më të varfra. Por sot, mbas 10 vitesh prej këtyre rezultateve, ekonomia e qarkut më të varfër në vend është thelluar më tej.

Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e Kukësit nga viti 2009 deri në 2019 ka pësuar rënie me 0.3% çdo vit, ndërkohë që ekonomia në tërësi, në këto dhjetë vjet, është zgjeruar mesatarisht me 2.9% në vit. Gjatë dekadës 2009-2019, Qarku i Kukësit ishte vetmi me rënie në shkallë kombëtare, teksa qarqet e tjera, dikush më pak e dikush më shumë, kanë shkuar drejt rritjes.

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Sheqfet Bruka, ekspert i çështjeve vendore, tha se politikat ekonomike dhe sistemi i rishpërndarjes së të ardhurave kanë qenë në disfavor të Kukësit. Sipas tij, Qarku i Kukësit është i pasur me burime natyrore pasi ka minierat, prodhon më shumë se cilido tjetër energji elektrike, ka pyje dhe kullota pafund, resurse turistike, etj. Z. Bruka u shpreh se duhet ndryshuar politika e shpërndarjes së të ardhurave dhe duhen rindërtuar politikat ekonomike. Ai shtoi se, duhet decentralizim dhe njerëzit duhet të jenë pjesëmarrës në ndërtimin e politikave zhvillimit.

Rritja Mesatare Ekonomike Vjetore 2009 2019 991
Rritja Mesatare Ekonomike Vjetore 2009 2019 991

Kukësit i duhen 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar dhe 37 vjet, Tiranën

Në vitin 2008, Prodhimi i Brendshëm për Frymë në Kukës ishte sa 67% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, PBB-ja për frymë në këtë qark ishte sa 60% e mesatares kombëtare. Diferenca në nivelin e jetës është thelluar për më keq.
Sikur ekonomia kombëtare të qëndrojë në vendnumëro, dhe ekonomia e Kukësit të rritet me 2% në vit, do të duhen rreth 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar, ndërsa për të arritur nivelin e Tiranës, do të duhen rreth 37 vite. PBB për frymë në Tiranë është 74% më e lartë, se ajo e Kukësit.

Eksperti i ekonomisë, Sherefedin Shehu, tha se, rënia ekonomike në Qarkun e Dibrës në vitin 2019 dhe rënia më e thellë ekonomike në Qarkun e Kukësit ku Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2019 ishte më i ulët se në vitin 2009, tregojnë më qartë se, shkaku i saj është mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Ndonëse këto dy qarqe kanë burime natyrore më të shumta krahasuar me qarqe të tjera, ato kanë nivelin më të lartë të migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, si rezultat i thellimit të varfërisë, tha ai.

Vitet e fundit, Kukësi u përball me emigracion të pazakontë, ku mijëra qytetarë emigruan duke kërkuar azil ekonomik kryesisht në Francë dhe Gjermani. Ndërsa në vitin 2019, hyri tërësisht në fuqi vjelja e taksës në Rrugën e Kombit, 100 lekë për çdo automjet të qarkut dhe 5 euro për automjetet e tjera.

Në të gjithë dekadën, ekonomia e Kukësit, në pesë vjet pësoi rënie dhe në pesë të tjera, rritje. Rënia më e fortë ishte në vitin 2014 me -14.5%, si pasojë e ikjes masive në emigracion të mijëra qytetarëve, ku lagje të tëra u zbrazën.

Rritja Mesatare Ekonomike Vjetore 2009 2019 991 1
Rritja Mesatare Ekonomike Vjetore 2009 2019 991 1

Rritet numri i qarqeve me rënie ekonomike më 2019, emigracioni shkaktar

Në vitin 2019, numri i qarqeve që përjetuan rënie të ekonomisë u rrit, në tre gjithsej (Dibra, Kukësi dhe Berati) në raport me vitin 2018, ku ishin me rënie vetëm Dibra dhe Berati. Ekonomia e qarkut të Beratit shënoi rënie me 2% më 2019. Ky ishte viti i dytë me rënie. Megjithëse qarku ka potenciale për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, duket se shkak për rënien është bërë emigracioni i lartë që po sjell rënie të konsumit. Qarku i Dibrës pësoi rënie me 2.8% më 2019, pasi një rritje sistematike nga 2012 -2019.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një lidhje të drejtë ndërmjet emigracionit dhe ecurisë ekonomike të rajoneve. P.sh., në vitin 2019, qarqet me rënien më të madhe të ekonomisë kishin edhe humbjet më të mëdha në popullsi.
Në raport me janarin 2020, në janar të këtij viti, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet Gjirokastër (- 2,3%) si pasojë e plakjes, Berat (- 2,1%) dhe Dibër (- 1,9%) si pasojë e emigracionit.

Popullsia në numër shënoi rënien më të madhe në Berat, me një pakësim prej 2500 personash, ndërsa Tirana kishte shtesë më të lartë, me rreth 6 mijë persona plus në vitin 2021. Popullsia e vendit në tërësi, në fillim të vitit 2021, ishte 0,6% më e ulët se më 1 janar 2020.

Zoti Shehu tha se, nëse Qarqeve të Dibrës dhe të Kukësit apo edhe qarqeve të tjera do t’u lihet një përqindje e caktuar e të ardhurave që sigurohen nga koncesionet e hidrocentraleve dhe minierave apo resortet e mëdha turistikë, ato do të shndërroheshin në rajonet më të pasura të vendit.

Ndryshimet e një dekade
Gjatë 2008-2019, të ardhurat për frymë në raport me mesataren kombëtare u rritën më së shumti në Dibër për shkak se ekonomia e këtij qarku pësoi rritje të fortë në vitin 2015, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u investua, duke ndryshuar për herë të parë drejtimin politik nga demokratët te socialistët.

Në vitin 2008, Dibra i kishte PBB-në për frymë sa 55% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, rreth 73% me një rritje 17 pikë përqindje gjatë dekadës. Fieri dhe Gjirokastra përmirësuan të ardhurat për frymë gjatë dekadës në raport me mesataren kombëtare, duke e ngushtuar hendekun me 19 dhe 29 pikë përqindje secili. Në të kundërt, Tirana shënoi përkeqësim me mesataren kombëtare në PBB për frymë.

Në vitin 2008, PBB për frymë e Tiranës ishte sa 165% e mesatares kombëtare dhe në vitin 2019 ishte sa 135% e mesatares kombëtare. Ky ndryshim ka ardhur si pasojë e rritje së popullsisë së kryeqytetit me ritme më të shpejta se sa ekonomia e saj. Tirana e Durrësi janë dy qarqet të vetme në vend me rritje pozitive të popullsisë gjatë tre dekadave të fundit. Siç shihet, shtesa e popullsisë nuk ka qenë aq produktive sa të mbajë nivelet e PBB-së për frymë në ritmet e mesatares kombëtare si para dhjetë viteve.

Ekspertja nga Co Plan, zonja Toska, thotë se hapi i parë për të sheshuar pabarazitë mes rajoneve është një studim i thelluar i pabarazive në vend, shkaqeve dhe parashtrimi i alternativave për ndërhyrje. Më tej duhet të aplikohet një programim i qartë i investimeve të paktën në terma afatmesëm (plan investimesh i qartë dhe i publikuar), për të ankoruar pritshmëritë e biznesit dhe për të ulur nivelin e paqartësive të krijuara nga luhatshmëria e politikave publike. Me vlerë do të ishte ndërmarrja e politikave ekonomike rishpërndarëse (por gjithmonë duke pasur një vizion afatgjatë), shtoi ajo.

Pbb Per Fryme Ne Perqindje Te Mesatares Kombetare Shqiperia 100 991
Pbb Per Fryme Ne Perqindje Te Mesatares Kombetare Shqiperia 100 991

Struktura e PBB-së, në Jug rritet pesha e bujqësisë, në Veri, industria

Struktura e PBB-së së rajoneve gjatë 2014-2019 nuk ka pësuar ndryshime të dukshme. Në Veri është rritur pesha e industrisë, në Jug pesha e bujqësisë dhe në qendër, aktivitetet profesionale. Sipas të dhënave të INSTAT, në rajonin e Veriut, bujqësia ishte sektori me peshën më të madhe në PBB-në e rajonit me 25,3% të totalit në vitin 2019. Pesha e sektorit të bujqësisë në PBB ra me 5 pikë përqindje që nga viti 2014. Pesha e shërbimeve në Veri u rrit me gati 3 pikë përqindje, për shkak të zhvillimit të turizmit në zonën e Valbonës. Në rajonin e Veriut, sektorët që dominojnë ekonominë janë bujqësia, shërbimet dhe industria.

Në rajonin e qendrës, sektorët me peshën më të madhe janë shërbimet me 22% të totalit të PBB- më 2019 dhe aktivitetet e administratës publike, me 15.4% të totalit, për shkak të përqendrimit të institucioneve të qeverisë qendrore dhe aktivitetit me të lartë të administratës publike. Në rajonin e Qendrës, struktura e ekonomisë ka mbetur pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2015, me një ulje të lehtë të peshës së bujqësisë, rritje të lehtë të aktivitetit të administratës publike dhe industrisë.

Në rajonin e Jugut, sektori më i madh në vitin 2019 ishte bujqësia, e cila zuri 40% të ekonomisë së këtij rajoni, me një rritje të peshës me 4.3 pikë përqindje në raport me vitin 2014.

Sektori i shërbimeve ishte i dyti më i madh në Jug me 14.6% të totalit, më pas industria me 14% të totalit dhe aktivitetet e administratës publike me 10%. Nga viti 2014-2019, pesha e sektorit të industrisë në ekonominë e Jugut ra me 6 pikë përqindje. Në Rajonin e Jugut të vendit, edhe pse ka potencial të lartë për turizëm, bujqësia mbetet dominuese për shkak të përqendrimit të lartë të prodhimit bujqësor në Lushnjë, Fier dhe Berat./Monitor/

Pbb I Rajoneve Per Fryme Ne Te Mesatares Se Be 991
Pbb I Rajoneve Per Fryme Ne Te Mesatares Se Be 991
blank

Qeveria e Kosovës ndriçohet me ngjyrat e flamurit kroat në shenjë falënderimi

Prishtinë

Ngjyrat e flamurit të Kroacisë me mbishkrimin “Faleminderit Kroaci/Hvala Hrvatska”, kanë ndriçuar në mbrëmje ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës, nëpërmjet ngjyrave ndriçuese, Qeveria e Republikës së Kosovës ka falënderuar edhe simbolikisht Republikën e Kroacisë “për ndihmën që ajo ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë të cilët udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë”.

“Mirënjohje dhe respekt të veçantë Qeveria e Kosovës shprehë për Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar bashkëqytetarët e lënduar dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje shkruan se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ruajë miqësinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme me shtetin mik të Kroacisë, “që e ka përkrahur shtetin tonë në të gjitha fazat e shtetndërtimit”.

Më 25 korrik në mëngjes, autobusi me targa kosovare i cili po kthehej nga Frankurti për në Prishtinë, devijoji dhe u rrëzua jashtë rrugës në magjistralen afër Slavonski Brodit në Kroaci, ku humbën jetën dhjetë qytetarë nga Kosova, ndërsa mbi 40 të tjerë u lënduan.

Bashkë me pasagjerët, jetën në këtë aksident e humbi edhe njëri nga shoferët, kurse shoferi tjetër po mbahet ende nga policia kroate e cila po hetohen arsyet e aksidentit. Për viktimat dhe të lënduarit të cilët morën trajtim mjekësor në Kroaci disa ditë me radhë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e kishte shpallur 26 korrikun ditë zie në Kosovë.


Send this to a friend