Shkrimtari i madh
nuk hoqi kurrë dorë
nga dashnorja
me trupin e Deas
e aroma ambroz hojesh
që e joshi gjithë jetën
posa i dilte nga shtrati
Helena e Trojës
shkrimtari i madh u plak
por orgazmat
nuk i braktisi
që provoi si asnjë mashkull
me dashnoren
e gjithë jetës
që i rrinte gati
prej kur e burrëroi
në qytetin me qiell guri
ku në vend
të shiut me gishtrij
binin marshe shirash
me gjarpërij
nga sistemi në sistem
nga regjimi në regjim
dashnorja asnjëherë
nuk ia ndali ledhatimet
as nuk e tradhëtoi
me turmat e mëtimit
apo oficerët
e policisë sekrete
të ish Sigurimit
shkrimtari i madh
u plak por libido s’iu shterr
kur dashnorja
me përkujë i ledhej
jeta e tij si Kulla e Pizës
pjerrej
në jerm, Marsian,
asket i vetmuar,
Homerik
bota pa sy e verbuar
ai bethovian
bota pa gojë, memece
pa veshë e shurdhuar
nën korin e zhabinjve kënetorë
në pellgjet e llumta moçalore
ku bimësia kalbet
nga vendndejta e ndotja
çirren zëçjerrë, të ferrë
homeriku, bethoviani
i tretuni, i mbetuni
në pyllin e terrun
i humbuni, i pagjetuni
Virgjili e përcolli,
nuk iu nda
deri kur të dy
tek një bar-kafè
me emrin Juvenilja u ndalën
atje ku ndahet
terri nga drita
vdekja nga poezia e jeta
aty ku pret poeti melodioz
Dom Ndre Mjeda
gati me një formulë supreme
vetëm për shpirtlarët
shkrimtarin e madh
me gjithë vollë e lutje
e pret krahëhapët
********
Poezia është botuar në librin poetik të autores Skaterr, Onufri, 2024