VOAL

VOAL

Havzi Nela, i papenduari – Nga BESNIK MUSTAFAJ

August 10, 2018
blank
1 Comments
  • author avatar
    Bedri Çoku 4 years ago Reply

    Rroma per toma…Fyese! Jargavitje…nga nje njeri qe nuk ka qene ne burg, as i internuar…por thjesht zevendes i Nexhmie Hoxhes ne Institutin e Marksizem – Leninizmit, flet per moralin e Havzi Neles…Po…do ta kisha pergezuar nese do t’ i kishte kerkuar falje Martirit, pikerisht sot, ne njezet vjetorin e varjes se Tij dhe t’u bente thirrje te gjithe atyre qe kontribuan sa do pak ne kete masaker te perbindshme…Madje, falje edhe ne emer te Nexhmie Hoxhes, drejtoreshes se tij…

Komentet

blank

Më 27 qershor 1943 lindi shkrimtarja Meri Lalaj

VOAL- Meri Kristaq Lalaj lindi në Pogradec më 27 qershor 1943. Shkollën e mesme i kreu në vendlindje dhe studimet e larta në vitin 1964 në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Punoi për tre vjet në një gjimnaz të qytetit të Korçës, shtatë vjet ishte në internim me ish-bashkëshortin. Më tej ajo punoi si mësuese në një shkollë tetëvjeçare në Pogradec nga ku doli në pension.

Nga viti 1996 Meri Lalaj jetoi në Tiranë.

Gjatë viteve të punës si mësuese ajo botoi shumë shpesh në gazeta dhe revista të ndryshme. Në vitet ’90 e këndej botoi shumë libra dhe përkthime nga të cilët mund të përmenden: “Lasgushi në Poradec” (ditari), “Instituti Nana Mbretneshë” (monografi) “Kapërcyell” (ese për roman), “Nëse” (poezi) “Dashuri e ndaluar” (roman), “Qentë nuk lehin më”(roman),”Gjethet e vjeshtës”(poezi),”Esenini – një jetë”(përkthim monografi), “Betoveni dhe Revolucioni Frëng” (përkthim), “Romeo dhe Xhulieta takohen” (mbresa për Kosovën), “Dashuri e ndaluar” (roman) etj. “Helena, Ismaili dhe unë” (Kujtime).

Meri Lala vazhdoi të bëjë një jetë aktive duke redaktuar libra letrarë, duke ndihmuar autorët e rinj dhe duke shkruar vazhdimisht në shtypin e përditshëm dhe periodik artikuj që trajtojnë problemet jetësore të vendit.

Për krijimtarinë e saj letrare ajo është nderuar me disa çmime në prozë dhe poezi duke filluar nga viti 1978 e në vazhdim çmime për tregime të botuara në revistat “Hosteni”, “Drita” dhe “Ylli”; në vitin 1981 (çmimi kombëtar për vëllim tregimesh), dhe më 2001 dhe 2009 në Vushtrri (Kosovë) për poezinë më të mirë.

Meri Lalaj u nda nga jeta më 10 qershor 2022.

blank

PASHKO VASA (17 shtator 1825 – 29 qershor 1892) In memoriam Tragjedia e Bardhës së Temalit Nga Aristotel Mici

 

(Bardha dukej si një ëngjëll që prehej në një shtrat resh)

Nga romani “Bardha e Temalit”

(Bardha e Temalit si figura më tragjike e heroinave të dashurisë)

Në qoftë se me studimin e tij ”E Vërteta mbi Shjqipërinë dhe Shqiptaret” Pashko Vasa u fliste lexuesve frankofon si publicist dhe analist, me romanin “Bardha e Temalit” , për mes tablove të gjalla të kësaj vepre, ai do t’u rrëfente atyre realitetin shqiptar si shkrimtar. Qëllimi i autorit ishte që t’u bënte të njohur të huajve të vërtetën për Atdheun e tij, në një kohë kur çështja shqiptare ishte sensibilizuar midis fuqive evropiane prej jehonës së Lidhjes së Prizrenit.

Romani “Bardha e Temalit” priti një shekull që t’i jepej publikut në gjuhën shqipe. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë e botoi atë me përkthimin e Sotir Cacit, duke e përfshirë në veprën seriale të Pashko Vasës më 1987.

Edhe pse “Bardha e Temalit” qe botuar frëngjisht një qind e ca vjët më parë, edhe pse iu dha lexuesit me një shekull vonesë, si një nga romanet e parë të letërsisë sonë, ai ishte dhe mbetet një nga krijimet më interesante të traditës. Duke e analizuar këtë vepër të shkruar frëngjisht, Prof. M. Gurakuqi, me gjalljen e tij , theksonte se “ajo asht pjesë përbamëse e letërsisë sonë, ashtu si janë veprat në latinisht të Barletit dhe Bicikemit”

Ky roman, ndër më të parët e llojit, dëshmonte se autorët e Rilindjes po ngriheshin dhe formoheshin nga ana e mjeshtërisë artistike dhe po nisnin, ashtu, edhe gjininë e prozës së gjatë. Romani “Bardha e Temalit” është një pasqyrë e gjallë e jetës shqiptare në shekullit të XIX. Me frymëzimin e tij pasionant autori ka pasqyruar skena të jashtëzakonshme familjare dhe sociale në ambjente tipike shqiptare, përmes një sfondi të theksuar romantik. Po në këtë roman nuk mungojnë edhe pamjet realiste si edhe situatat sentimentale me një dramacitet të ndjerë, që mund të shpjegohen me depërtimin në bodrumin e vetëdijës, pra në subkoshiencën e karaktereve.

Linja krysore e subjektit të veprës ka të bëjë me dashurinë fatkeqe të Bardhës, e cila është një vajzë tipike shkodrane, po paria e fisit të Temalit nuk e kish pritur mirë këtë nuse. Këtë vashë ideale, të ndijëshme dhe tqtë zgjuardelikate e ka martuar familja pa dashuri me bajraktarin e Temalit, duke u nisur nga fama e derës së madhe. Pas një viti martese, kjo nuse e re, e cila pat ardhur më të parë në familjen prindërore, takohet me një djalosh të pashëm, të sjellshëm, dhe shumë tërheqës, Aradin, i biri i Mhillit të Vlashajve. Pa e ditur dhe kuptuar, sakaq, Bardhës i lind një dashuri tronditëse. Ishte pasioni rrëmbyes i nuses së rë të martuar pa dashuri. Ishtë zgjimi i dashurisë së paprovuar.. Që nga ai çast në zemrën e saj femërore filloi një ndjenjë e papërmbajtur dalldisjeje.

Për këtë gjendje emocionale të vashës vetë autori shkruan: “Të mos harrojmë se kjo ishte dashuria e saj e parë, dashuria e parë e një gruaje të martuar. Nga shkëndijimet e syvë të të dy të rinjve sikur qe krijuar një fushë magnetike që u vinte në rezonancë shpirtërat.

Me gjendjen erotike të Bardhës me Aradin Pashko Vasa shpreh edhe pikëpamjen e tij për anën sublime të dashurisë, pa të cilën jeta e njeriut do të ishte e zbrazët, e thatë dhe pa kuptim vazhdimësie.

Autori na rrëfen me naracionin e vetë se në zemrën e Bardhës nis një dramë, që shpjegohët me dilemën për të shkuar me Aradin, a po të ikte te Luli në Temal. Zemra e shtynte në krahët e dashurisë me Aradin, po mendja i kujtonte Lulin. Më Aradin e lidhte pasioni, me Lulin urrejtja reciprokë. Po me Aradin, tok me dashurinë e ndiqte “turpi”; kurse me Lulin, vinte “nderi”, nderi i nuses në derë të madhe.

Bardha, sa herë kujtonte Aradin, ndjente sikur e lëshonte zemra. Ajo e kuptonte se sa lart qëndronte ai i krahasuar me burrin e saj. Ajo e dinte se i shoqi nuk e donte. Po as ajo nuk e donte ,ose më mirë nuk e kishte dashur kurrë. Ku e ku Aradi i dhembshuruar në dashuri, para Lulit moskokëçarës. “Kujtimi i djaloshit i qe skalitur në zemër duke i lënë një nga ato përshtypjet e ëmbla, që i paraprijnë gjithmonë një simpatije të madhe . E mësuar me sjellje të vrazhda prej kapedani të të shoqit, sjellja e njerëzishme e Aradit kishte ngjallur në shpirtin e Bardhës mendime dhe ndjenja krejt të reja. Ajo bënte krahasime, që fatkeqësisht nuk ishin në favor të Lulit.” (f.51)

Shumë prekëse është skena e rikthimit të Bardhës për tek burri i saj në kullën e Temalit. Në udhëtim e sipër ajo e quante veten si një në Temal nuk e kishte pritur mirë martesën e bajraktarit

Zakonet e fisit e çmonin gruan për forcën e saj fizike, guximin dhe numrin e fëmijëve meshkuj që ajo i jepte të shoqit. Pikërisht për këtë pikëpamje nuk pëlqeheshin lidhjët martesore me vajza fushe. Prandaj për këtë arsy Bardhën nuk e shihnin dot me sy dhe e quanin si një të huaj, e cila u kishtë hyrë vjedhurazi në fis.

Burrat e përçmonin si një grua të pazonjën, aq më tëpër që brënda një viti martese nuk zuri dot fëmijë. Kurse shumë gra ia kishin zili pozitën, bukurine, dhe veshjen elegante. Le të sjellim në mendje vëtëm fjalët e një plake të vrazhdë, e cila u thotë të tjeravë pas një ngjarjeje të përmortshme: “Që prej ditës që hyri në fisin tonë ajo mendjemadhe, vetëm kob e gjëmë na ka sjellë. E po kjo s`durohet. Një vajzë e fushës të na jetë përmbi vajzat e malësisë.”

Po më mizore nga të gjitha gratë konservatore është e ëma e Lulit. Ajo nuk e do dhe e urren Bardhën. Ajo nuk e do nusen e djalit para së gjithash, sepse brenda vitit nuk lidhi fëmijë me të birin e saj. Por problemi ishte se Luli për arsye fetare nuk mund ta linte Bardhën, pra ta ndante, dhe të martohej me një tjetër. Ndër kohë, nëna e Lulit kishte menduar një zgjidhje gjakatare. Ajo vendosi ta vriste Bardhën me pisqollë natën, kur të ishte duke fjetur gjumë në shtrat.

E ëma e Lulit, si plak zemërgure, sapo ia doli që ta vriste nusen e djalit të saj fshehurisht, tek po flinte si engjëll , shfryjti me përbuzje për të: “E lava me gjakun e saj gabimin e tim biri”.

Është pikërisht kjo plakë mizore, që do ta luaj pjesën në atë mënyrë që njerëzit të binden se Bardha kishte vrarë veten. Dhe ashtu, krijesa më e pafajshme në botë, Bardha e Temalit, u quajt vetëvrasëse, pra dhe mëkatare. Për këtë arsye vdekja e Bardhës është aq trondtëse. Ajo është më tragjikja nga të gjitha heroinat e dashurisë në letërsi.

Të gjithë malësorët e fisit e dinin se vetëvrasja është krim, që e përjashtonte fajtorin nga bashkësia e besimtarëve. Pak a shumë këtë do t`i thoshte at Leonardi , Anulit, i cili deshte ta varroste të kushurirën: “Ajo vrau veten, – i tha prifti. – Zoti që është burimi i të gjitha të mirave, duhet t’ia ketë falur mëkatet, mirëpo njerëzit dhe ligjet e tyre nuk falin, biri im. Unë nuk mund ta varros atë në tokën e shenjtë.”

Fati i zi kishte vendosur ta ndiqtë përtej vdekjes atë vashë krejt të pafajshme, që nuk arriti ta jetonte ngazëllimin magjik të dashurisë. Kështu, sipas dokeve e zakoneve të kohës në Shqipërinë e asaj kohe, Bardhën e Temalit e shikojmë të dënuar, jo vëtëm fizikisht me vdekje, po edhe shpirtërisht, me mosvarrim në vendin e përmortshëm. Këtë fat të zi nuk e kishin pasur asnjë nga heroinat e letërsisë në temën e dashurisë. Zhulieta e Romeos në Verona vërtet gjeti fundin tragjik nga dashuria e saj e pastër dhe e madhe për Romeon, po nuk u dënua mbas vdekjes. Përkundrazi, me vdekjen e saj ajo i dha një mësim shoqërisë veroneze, se si nuk duhej sjellë më me zëmrat e të dashururarëve.. As Desdemona, as Ofelia, në tragjeditë e Shekspirit, as Luiza Miler në dramën “Intrigë e Dashuri” të Shilerit, as Ana Karenina e Tolstoit, të cilat dhanë shpirt si therore të dashurisë, nuk u ndëshkuan ashtu me mosvarrim pas vdekjes, siç e pësoi Bardha e Temalit.

Po Pashko Vasa nuk është se ka dashur të bënte ekzotikë dhe të fantazonte skena të pa ngjara dhe ireale. Jo. Për fundin tragjik të Bardhës së Temalt ai ka qënë i mbështetur edhe në episode e fakte reale nga jeta shqiptare, që i kanë shërbyer si “maja” konkrete në ngjizjen kompozicionale të romanit. Autori duhet të jetë bazuar edhe tek një krim, që ka pas ngjarë në vitet ‘40 të shekullit të XIX. Lidhur me këtë detaj historik, Prof. V. Bala, duke bërë përqasjen e subjektit të romanit me ngjarjen e ndodhur dikur me të vërtetë, i parashtron lexuesit dy dëshmi dokumentare: “Bibë Doda, Kapidan Pasha i Mirëditës, qe martuar po nuk pat fëmijë. Po të ndahej, si katolik që ishte, nuk duhej të martohej përsëri. Por e ëma, princeshë, në mënyrën e saj, e rregulloi punën shpejt. Ajo mori një çifte dhe e vrau të renë. Dëshmi e dytë është ajo e studjuesit Degrand i cili, nga ana e tij, është shprehur “se Albanus Albano e ka shkruar romanin Bardha e Temalit për të treguar vdekjen e së shoqes së Bibë Dodës” (Nga parathënia e “Veprës Letrare” të P.V.).

Për fatin kaq mizor të Bardhës janë fajtorë doket dhe zakonet prapanike të kohës, që e mbanin të ndrydhur e të shtypur personalitetin e të rejave shqiptare. Me Bardhën e Temalit Pashko Vasa kërkonte ndër më të parët mendimtarë të Rilindjes emancipimin e femrës shqiptare, të paktën të kishte të drejtën e dashurisë dhe të vendoste vetë për fatin e saj. “Nga idetë e shprehura në këtë roman del se çdo përparim shoqëror do të ishte iluzion pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gruas dhe pa ndërrimin e mentalitëtit primitiv të shoqërisë shqiptare”

Nyja lidhëse e ngjarjeve subjektore të romanit është takimi i parë i Aradit me Bardhën. Ky djalosh, në lulen e moshës , qysh në çastin kur iu dha rasti të shihte Bardhën, ndjeu sikur iu muarr mendja. Buzëqeshja e Bardhës po i dukej hyjnore. Sytë e zinjë në formë bajameje, nën hijen e qerpikëve të gjatë, i lëshonin shkrepëtima, që do të ishe e vështirë t`ua duroje shkëlqimin verbus pa atë njomësinë e ëmbël e melankolike. (faqë 40). Nga pamja e vashës djaloshi po e ndjente veten krejt të tronditur. Edhe Aradi po provonte ashtu papritmas ngazëllimin e madhë që të jepte tundimi i dashurisë së parë. Ai kishtë rënë në dashuri pa e ditur as vetë. Aradi nga koha në kohë u dha aq shumë pas Bardhës, sa një ditë i tha shokut të tij të ngushtë:

“Siç e sheh, Anul, unë jam dehur e po flas përçart, si i rënë në një lloj kllapije që po më turbullon mendjen”. (f.. 75)

Po më gjithë tërheqjen magnetike të kësaj simpatie midis dy të rinjve, kjo dashuri mbetet fluide si një idil platonik; lexuesi nuk i sheh ata që ta realizojnë atë dashuri trallisëse që i ka magjepsur…

Vetë autori përpiqet ta sqarojë këtë anë intime të personazheve me idenë se “pasioni i Aradit nuk ishte një nga ato ndjenjat e ulta e të rëndomta, që shuhen si flakë kashet me të kënaqur epshin fizik, po ishte një dashuri e pastër e pafund”. Pra edhe pse i pushtuar prej dashurisë së zjarrtë për Bardhën, Aradi nuk shtyhet nga ngasja tunduse e kupidit për zotërimin fizik të vashës që admiron.

Aradi bije në sy gjatë leximit të romanit për një kulturë e arsimim të ngritur, për një mënyrë të foluri të hijëshëm e plot nderim. Tok me Aradin lexuesi shikon me nënkuptim edhe vetë autoportretin e autorit. Aradi, ashtu si Pashko Vasa, është i etur për dituri. Ai ka lexuar si autodidakt shkrimtarë të njohur si Arioston, Tasson, Ovidin e Viktor Hygoin. Aradi gjykon dhe komenton një lloj si autori.

Drama lirike e romanit mbështetet tek konflikti shoqëror midis të rinjve të kohës, të cilët kërkojnë dashurinë e tyre të vërtetë nga njëra anë dhe njerëzve konservatorë dhe fanatikë nga ana tjetër.

Me brezin e ri, që ëndërron për një jëtë të çliruar nga doket dhe zakonet kanunore, janë Bardha, Aradi, Drandja, Anuli, ndërsa prfaqësues të konservatorizmit më regresiv janë Luli dhe e ëma e tij.

Po vend të veçantë midis dy anëvë të konfliktit zë Mhilli i Vlashajve. Ai ështe dhënë në roman si një figurë kontradiktore. Nga një anë e shohim atë si një qytetar shkodran të ndershëm dhe patriot, që e urren sundimin turk. Ai jo vetëm mban lidhje me malësorët kryengritës, po edhe përpiqet t`i ndihmojë ata. Kurse në jëtën familjare ai nuk i bën lëshim të resë, nuk është aspak tolerant, gjë që e bën karakterin e tij kompleks e të trazuar sidomos lidhur me konceptin e nderit dhe të ndjenjave lirike të të rinjve. Ai u tmerrua kur pa se pas drurëve të kopshtit, një djalë puthi vajzën e tij , Dranden. Me prapanizmin e vetë lidhur me mendimin për dashurinë, dhe “nderin” ai bëhet shkak për tragjedinë e dhimbshme të së bijës.

Po për jetën sociale të Mhillit të Vlashajve autori shkruan me admirim fjalë aq të mira për të. Ai del në vëpër si një burrë fisnik nga derë e pasur, njeri me shpirt të gjërë, i gjendshëm për t`iu ndodhur pranë njerëzve të vuajtur. I gatshëm ta shoqërojë fjalën me sjelljen dhe veprimin e tij, për të zgjidhur probleme të vështira për jetën e njerzëve. Kështu e shikojmë atë, fjala vjen, kur dy malësorë të fisit të Shllakut i erdhën në shtëpi. Mhilli i priti ata me nderim si miq në dhomën e vetë. “Kemi ardhur, – i thanë ata,- t` ju lutemi të shkoni te Pashai dhe të nxirrni lejën që t`i marrim dy të vdekurit tanë nga sheshi i pazarit. Mjaft që na i vrau pa të drejtë, po tani të na kthejnë së paku trupat e tyrë.”

Dhe Mhilli nuk e zgjati. Ju gjend me një herë atyre për ndihmën e kërkuar.. Sakaq shkon tek sundimtari i Shkodrës, Osman Pasha, dhe, me ryshfetin e dhënë, ndërmjetësoi për kërkesën e malësorëve nga fisi i Shllakut.

Atëherë Osman Pasha, pasi mori 5000 piastra, e ndërroi vëndimin për mos lejimin e varrimit.

Ndër kohë Mhilli kthehet në shtëpi i lehtësuar, pse u plotësoi kërkësën malësorëve, po i revoltuar dhe i brengosur nga korrupsioni shtetëror.. Fjalët e tij kundër korrupsionit qeveritar kanë një tingëllim aktual edhe tani për çdo vënd, ku njerëzit nuk janë të barabart para ligjit dhe të korruptuarit nuk dënohen: ”Me para, – thot ai, – mund të arrish gjithçka, drejtësi, favore, mosdënime. Dhe pikërisht njerëz të tillë na qeverisin. Ca maskarenjve të këtij kallëpi iu është besuar Shjqipëria.” (f. 72).

Figurë negative dhe e e padëshiruar del për lexuesin e romanit Luli i Temalit, i shoqi i Bardhës. Edhe pse moshë e re, ai duket krejt i papëlqyeshëm si karakter. Me sjelljen e një “kapedani”, bajraktar kokorosh, ai deshte t’u tërhiqte vëmendjen njerëzve të fisit, që edhe pse burrë malësije, nuk e kishte për gjë të merrte një vajzë nga fusha, a po nga Shkodra, duke shkelur kështu me këtë “proçkë” zakonet e të parëve..

Vërejtjet që do t’i bënin më vonë, një vit pas martese, tre pleq të fisit, do ta bindnin Lulin për veprimin e nxituar që vajti e zgjodhi për të vënë kurorë me një vajzë nga Shkodra. “Nuk duhej të kishja shkelur zakonet e vëndit, nuk duhej të isha martuar me këtë grua, për shkak të së cilës nuk po më duan të mitë…Sigurisht që kam bërë një marrëzi të madhe.” (f.50)

Nga këto fjalë të Lulit marrim vesh se sa konservator dhe sa i prapambetur paraqitet ai në jëtën familjare. Janë këto pikëpamje që e bëjnë atë të tregohet mospërfillës për Bardhën, të mos i rrijë afër dhe të mos i shpreh asnjë farë dashurije; dhe, për më keq, të mos i dalë kurrë në mbrojtje në situatat e vështira që krijonte ambjenti prapanik fisnor.

Po negativiteti i Lulit bie më shumë në sy në lidhjet e tij me orientimin që ka brenda jetës së fisit. Ai është përkrahës i flakët i praktikës së gjakmarrjes si edhe i konflikteve ndërfsinore, ose i luftrave për t’i shërbyer sulltanit turk. Me logjikën e një despoti të vogël, Luli i shkon për ndihmë Ismet Pashës së Pejës. Me malësorët e tij të armatosur ai sulet kundër fiseve të Gashit dhë të Mërturit, që ishin ngritur kundër sundimtarit turk. Dhe përfundimi qe tragjik, tridhjetë të vrarë dhe dyzetë e dy të plagosur ndër tre qind veta që bajraktari kishte marrë me vete. Me gjithë këtë humbje, Luli këmbëngulte për vazhdimin e luftës vllavrasëse.

Kështu me kokëfortësinë e tij, bajraktari i Temalit i solli fisit gjithë atë mynxyrë.

“Flijoi njerëzit e vëtë për t’i shërbyer një të huaji që nuk na do”, – u thotë me të drejtë At Leonardi ca të plagosurve, të cilëve u kishtë vajtur pranë për shërbim shpirtëror.(f.196)

Qendrimi ideoemocional i autorit është kundër këtij despoti egoist në familje, i cili paraqitet edhe një tiran, zëmërgur në fis, që po ju shkaktonte malësorëvë trima e të vuajtur gjakderdhje të kotë, mjerim dhë fatkeqësi në jetën e tyre.

Nga episodi i bashkëbisedimit midis malësorëve të plagosur, të cilët po ktheheshin për në shtëpi, marrim vesh se pakënaqësia për bajraktarin dhe pashallarët ishte duke u përhapur dhe shpirti revoltues po zgjohej. Për vërtetësi të këtij mendimi le të sjellim si shëmbull fjalët e njerit prej malësorëve të plagosur, Geros, i cili i mërzitur ankohet ndaj bajraktarit dhe pashallarëve: Ata na shtien të vritemi, të vuajmë, e pastaj si shpërblim na përzënë si qen” (f. 195). Po në atë moment një i plagosur tjetër do të shtojë me ton protestues dhe të vendosur: “Po kjo do të jetë hera e fundit”.

Duke vënë re dialogun midis malësorëve të plagosur, kuptojmë se Pashko Vasa shpirtin e revoltës kundër sundimit turk e gjen në radhë të parë tek njerëzit e thjeshtë, dhe jo te bajraktarët dhe bejlerët, që bëheshin vegla të pashait turk. Të pakënaqur dhe të revoltuar ndaj sundimtarit turk janë si malësorët e Gashit dhe te Mërturit, si edhe ata të Shllakut dhe të Temalit. Vetëm se revoltat e veçuara nuk ka se kush t’i bashkojë, t’i udhëheqë edhe t’i ngrerë në një front të vetëm në luftën për liri kombëtare. I vetmi intelektual që mund t’i zgjojë malësorët dhe t’i bashkojë me idenë kryengritëse do të ishte At Leonardi. Po fatkeqësisht ai vetëm sa konstanton ndonjë anë negative të bajraktarëve, po nuk ka as guximin as predispozitën që t’i organizojë dhe t’i çojë masat e malësorëve kundër sunduesit turk dhe mbështetsëve të tij.

Personazhi më negativ dhe më i urryer në roman është Osman Pasha, kryeqeveritari i Shkodrës. Ai është përshkruar si një despot i egër, që dominon gjithçka për jetën e banorëve të qytetit dhe të trevave rreth tij. Osman Pasha është një tiran mizor, që vepron në mënyrën më autoritare, pa u mbështetur në asnjë lloj ligji. Ai sillet në atë mënyrë se Shqipërisë nën sundimit turk i mungonte kushtetuta e një vendi që duhej të qeverisej normalisht me rregulla dhe ligje.

Osman Pasha, për t’i sunduar më mirë shqiptarët, nxiste midis tyre dasitë fetare. Kështu bën ai kur thërret në zyrën e tij Mhillin e Vlashajve dhe e kërcënon, duke i thënë:
-“Dua të më dorëzosh tët bir; ai ka plagosur një musliman dhe duhet të dënohet.”

Pra është e qartë mbrapështija e pashajit. Ai nuk do të dijë për shkakun e plagosjës, ndër kohë që i del në mbrojtje një tjetri vetëm pse ai ishte musliman.

Ndërsa Mhilli i Vlashajve, pa e vrarë mëndjen për dinakrinë përçarëse të pashajit, ia kthen atij, dukë i thënë se “im bir nuk është në shtëpi, po edhe sikur të isht, nuk do të isha unë që ta dorëzoja.”

Tek dëgjon ato fjalë, Osman Pasha nuk e mban veten dhe shfryjti me ashpërsi.

“Kryelartësi ! Mendje – madhësi shqiptare ! Roja! Futeni këtë njëri në burg..”

Po Mhilli i Vlashajve, krenar, jo vetëm nuk u step, poi ia ktheu Pashajit.

-“Kjo është e pa drejtë, Shkëlqesë, është kundra ligjit kjo që po urdhëroni”

Atëherë, Osman Pasha, i sigurt në vëprimet e tij dhe me arrogancë si turkoshak, bërtiti përsëri:

“Ligji! Unë jam ligji. Unë jam përfaqësuesi i Sulltanit këtu. Në burg rebelin”

Do të jetë po ky Osman Pasha që do t’i përdor si mish për top shqiptarët, duke i marrë ndën armë e t’i shpjerë në luftë me fqinjët. Nga kjo politikë e tij luftëdashëse shkaktohet edhe një tjetër tragjedi në roman. Vrasja e Jak Kolës, të cilin do ta ekzekutojnë, duke i prerë kokën me sëpatë.

Dhe pse ia dhanë këtë dënim Jak Kolës?….. E vranë në këtë mënyrë, sepse ai edhe një shok i tij i qenë shmangur vajtjes në luftë kundër Malit të Zi. Episodi i vrasjes në mënyrën më barbare i Jak Kolës shënon një nga skenat më tronditëse të romanit. Ngjarja është dhënë me shumë realizëm, në mënyrë bindëse, me një gjendje të ngritur emocionale edhe me një stil të figurshëm, që të rrëmben. Me një fjalë është një tablo e gjallë dramatike, e denjë për t’u futurë në çdo antologji, të luhet në çdo skenë teatri dhe të filmohet nga kineastët për ekranin e madh dhe të vogël.

Ardhja e nënës së Jakut,Gjelës edhe e gruas së tij, Davës në kohën para ekzekutimit të heroit të romanit, është një pamje aq prekëse, sa të ngjeth misht, po edhe të lartson moralisht, siç ndodh në dramat e tragjedive antike. Autori i përshkruan ato dy gra si amazona të regjura më vrasje të përgjakura.

Nuk ka moment më solemn, se sa të shohësh Davën, tek hyn në vëndin, ku po vuante i plagosur orët e fundit i shoqi saj, Jaku: “Ajo shkoi tek i shoqi. Iu afrua pranë në heshtje, u gjunjëzua, mori dorën e tij të larë me gjak, ia ngriti pak sa dhe e puthi me një puthje të gjatë. Ajo vuri në atë puthje gjithë shpirtin dhe zemrën e saj, gjithë shpresat e së ardhmes që ajo po i varroste për gjithmonë.

Prej ketij çasti ajo nuk i përkiste më askujt.”

Po kështu dhe fjalët e Jak Kolës kushtuar nënës dhë Davës, të thëna me një tingëllim epik si në rrëfimet e lashta, të lënë mbresa të pashlyeshme me përkushtimin për fëmijët, familjen edhe atdheun. S’ ka pamje më të dhimbshme se sa të dëgjosh një person si Jak Kola, të plagosur rëndë, që nga çasti në çast pret xhelatin t’i presë kokën me spatë, t’i japë kurajë gruas dhe t’i lërë porosi për fëmijët: “Qendro si burrënesh, oj Dava ime; ti e dije së unë do të vdisja një ditë. E ja pra tek erdhi ora. Po të lë dy fëmijë, dy djem të bukur. Folu shpesh për mua. Mësoi ta duan këtë atdhe të shtrenjtë, që është aq fatkeq, thuaju se kam vdekur si trim.”

Po, siç shikojmë në leximin e këtij episodi, Dava ishte e kursyer në fjalë. Ajo sikur fliste me atë mënyrë me heshtjen e saj para trupit të gjakosur të Jakut. “Ajo uli kokën pa iu përgjegjur, po nuk qau, sepse burimi i lotëvë të saj ishtë shterur. Dukej ashtu si një Niobë e re.”(f.63)

Pra fati tragjik i Jak Kolës dhe i familjes së tij shpreh e nënkupton fatin e tërë një kombi nën robërinë turke. Jak Kola nga Shllaku, e shoqja, Dava, nëna e tij Gjela, formojnë një trinom të veçantë në faqet e letërsisë shqiptare, ku përzihet dashuria për familjen dhe atdheun nga njëra ana , dhe në anën tjetër, qënia e tyre si viktima të Osman Pashës, Shaban Beut, dhe Hasan Agë Hotit, të cilët përfaqësojnë shtypjen e dhunshme të sundimit turk.

Pashko Vasa në mënyrë të qartë stigmatizon në romanin “Bardha e Temalit” zakonin e gjakmarrjes si një dukuri fatale, që po firaste gjat kohës energjitë kombëtare.. Malësorët ishin të këcënuar nga ky gjykim mizor. “Secili prej tyre e ndjente në ndërgjegjen e vetë se kishte borxh një gjak”.

Mungesa e ligjislacionit dhe e institucioneve juridike bëhej shkak për vetëgjyqësi. Ishte koha kur çdo problem zgjidhej me plumb; për një fyerje derdhej gjak. Për mosmarrëveshje nga më të ndryshmet merrte fill gjakmarrja si një veprim i rëndomtë.

Pasojat e kobshme të kësaj praktike, që sillte mynxyrë në familjet e shqiptarëve janë mishëruar në personin e nënës, së cilës iu vra djali në Shkodër, në oborrin e shtëpisë së Bardhës, për një llaf gojë, për një sharjë në një bisëdë në kalim e sipër. Kur kjo nënë mori vesh gjëmën, klithi: “Ku ku e zeza unë, që s’ kam djalë tjetër për t’i marrë gjakun.”

Po pa pritur, çuditërisht, ajo u qetësua sa pak, kur i thanë se i biri e kishte vrarë vëtë kundërshtarin me dorën e tij.Dhe, si e ngushëlluar nga ky lajmë, ajo shpreh dëshpërimin e saj të thellë me një ton ku ndihet tok me pikëllimin edhe psikologjia e gjakmarrjes në zemrën e përvëluar të nënës së mjerë të mbetur kërcure:

-“Zoti qoftë i lavduar! Humba djalin e fundit,…..po të paktën nuk do të thonë se nuk i është marrë gjaku. Gjak për gjak – vdekje për vdekje !”.

Pastaj ajo vuri kujën dhe zuri të vajtonte dhe të thërriste me emër të tre djemtë që kishte humbur njërin pas tjetrit.

Autori, ndërsa pasqyron përmes detajesh konkretë varrimin e djaloshit të vrarë, jep dhe atmosferën e ankthit të gjakmarrjes tek të gjithë njerëzit e fisit. Gratë si në koret e tragjedive antike mblidhen në formë gjysëm rrethi para trupit të të vrarit dhë vajtojnë me ligjërimet epike si në legjenda. Të njëjtin ritual bëjnë burrat e armatosur sipas natyrës së tyre trimërore.

Me të mbaruar lutja për të vrarin “De Profundis”, mbyllet varrimi dhe të gjithë drejtohen për të ngrënë drekën e përmortshme. Autori gjen rast për t’i përshkruar malësorët si trima të cilëve s’u trëmbet syri para vdekjes, po që jetojnë në një varfëri të tejskajshme. Rrëfehet në roman se si kur njerëzit e funeralit shkojnë në shtëpinë,.ku ishte shtruar dreka e përzishme, “ të gjithë u ulën përdhe, përveç bajraktarit dhe priftit që kishin nga një postiqe”. Kështu përmes shumë episodesh realiste Pashko Vasa ka dëshmuar dhe ka kritikuar ashpër doket dhe zakonet e vjetëruara si gjakmarrjen, shpërfilljen e përsonalitetit të vajzave dhe të grave, dasitë fetare si dhe dallimet e përçmimet krahinore.

Gjuha e Pashko Vasës në romanin ‘Bardha e Tëmalit” bie në sy për fjalë të figurshme dhe me ngarkesë emocionale. Fjala vjen për të dhënë gjendjen e lënduar shpitërore të heroinës së veprës, autori shkruan ”Bardha dukej si një engjëll që prehej në një shtrat prej resh” ( f.119). Kurse në një rast tjetër shkruan për të:”…shpresa depërtoi si një rreze qiellore në shpirtin e saj dhe bëri të lindnin dy ëndërrime të ëmbla”.

Sado që vepra është shkruar frëngjisht, autori ka bërë kujdes që të na jap personazhet të individualizuar edhe nga ana gjuhësore; gjë që duket më mirë sidomos te e folura e pleqëve të Temalit dhe te figurat e grave malësore, a po tek dialogu i Jak Kolës me nënën dhe gruan e tij. Kurse me protagonistët positivë të romanit Pashko Vasa të jepë përshtypjen sikur nuk tregon shumë vëmendje për individualizimin e tyre edhe nga ana gjuhësore. Për këtë arsye e folura e Aradit dhe e Anulit nuk kanë ndryshim a po “distancim” nga ajo e autorit. Po a duhet ta marrim për mangësi artistike këtë dukuri në procesin krijues të shkrimtarit ? siç është komentuar… Për të ndriçuar këtë çështje duhet të kemi para sysh se Pashko Vasa ishte i ndikuar kryesisht nga romantizmi siç ishin edhe autorë të tjerë të Rilindjes sonë. Dhe dihet se karakteristika kryesore e kësaj metode krijuese ishte subjektivizmi, me anën e të cilit autori shprehte vetëvehten nëpërmjet heroit kryesor. Shëmbulli më i qëlluar për këtë mënyrë të shkruari është Child Haroldi i G. Bajronit, me anë të të cilit shikojmë se heroi i veprës njësohet me vetë autorin, pra bëhet alter ego i poetit. Kjo praktikë kreative e njësimit të autorit me heroin e veprës duhet parë edhe në rastin e romanit “Bardha e Temalit”, ku Aradi shpesh herë shpreh pikëpamje të vetë shkrimtarit. Pra, për analogji, mungesa e dallimit gjuhësor në të folurin e autorit me atë të protagonistit del si shprehje e metodës së romantizmit se sa si mangësi e mjeshtërisë artistike.

Ekspozicioni, a po treva ku zhvillohen ngjarjet e subjektit të veprës, bëhet i dukshëm nga toponomastika e romanit. Dy janë epiqendrat e skenave vepruese, Shkodra dhe Kulla e Temalit. Kurse midis tyre e për rreth shikojmë emra vendesh si Lagjja e Tabakëve, Fusha e Rrmajit, Arra e Madhe në Perash, Bregu i Kirit, Bërdica, Shllaku, Temali, Shoshi, Gashi , Mërturi dhe më tutje Peja. Pra ajo krahinë e Shqipërisë së Veriut, që do t’i tërhiqte vemëndjen dhe do ta frymëzonte studiusen angleze, Edith Durham, për të shkruar, pak vjet më vonë, librin e saj “High Albania”. Në këto mjedise konkrete Pashko Vasa jep si të gdhëndura në gur karaktere të gjalla me zakonet dhe doket e tyre, brenda psikologjisë kombëtare të kohës, ku ruhej rregullimi fisnor dhe tradita e lashtë tok me zakone të vjetra.

Në kapitujt e romanit pasqyrohen kështu karaktere tipikë si produkt i një kohe të caktuar dhe i një vendi konkret shqiptar, që autori e ka dhënë besnikërisht si një njohës i gjithanshëm i jetës së vëndit të vetë. Sado larg vendlindjes, edhe sado që veprën e shkroi frëngjisht, Pashko Vasa, gjatë porocesit të krijimit, s’ ka qendruar pa menduar edhe shqip. Le të kujtojmë për këtë rast një detaj të faqes 143, ku në origjinal është shkruar ne gjuhen shqipe tog fjalshi “syni i keq”, i shpjeguar pastaj me fjalë frëngjisht.

Duke qenë se “Bardha e Temalit” është një nga dy romanet e pare të letërsisë shqiptare , Pashko Vasa del si një nga nismëtarët e prozës së gjatë. Mungesa e përvojës në llojin letrar nuk e pengoi atë të na jepte një vepër të ngjizur e të kompletuar jo vetëm nga ana ideore, po edhe nga ana e realizimit aristik. Së pari këtë e dëshmon kompzicioni i thurur me mjeshtëri, ku subjekti letrar vendosët në një ekspozicion konkret; nyja a po pika e lidhjes për ngjarjen është gjetur natyrshëm. Zhvillimi i veprimeve përshkruhet me dramacitët në ngjitje, duke mbrrijtur kulminacinin e aksionit si pjesë e subjektit. Dhe, më së fundi zgjidhja tragjike e konfliktit duket si rrjedhojë fatale brenda logjikës së projektimit të romanit.

Këto përcaktime lidhur me procesin e krijimit letrar flasin për mjeshtërinë artistike të autorit, i cili, me talentin e tij në gjininë e naracionit, na ka lënë një vepër shumë interesante në traditën tonë letrare të Rilindjes Kombëtare. Romani “Bardha e Temalit” për mesazhin patriotik dhe idetë shoqërore, që përçon si edhe për realizimin artistik, duhet propaganduar dhe reklamuar siç i takon për t’u njohur sa më shumë nga masa ë lexuesve si brenda territorit të Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe jashtë kufijvejve shtetërorë, ku jeton një pjesë aq e madhe e kombit shqiptar. Me këtë rast le të shpresojmë se shtëpitë botuese do t’ i kthejnë sytë edhe nga romani tërheqës “Bardha e Temalit”. Subjekti i këtij romani duhet të tërheq edhe vëmendjen e dramturgëve si dhe të kineastëve, për të krijuar një vepër skenike ose filmike përmes tablove romantike dhe detajeve realiste , të pikturuara me një atmosferë epike dhe të përziera me një lirizëm erotik delikat, për t’i bërë jehonë, kështu, kohës së Rilindjes dhe ideve patriotike e liridashëse të Pashko Vasë Shkodranit.

Nëntor, 2014

 

 

 

 

blank

Më 27 qershor 1936 lindi poetja e shquar amerikane Lucille Clifton

VOAL- Lucille Clifton (emri i lindjes Thelma Lucille Sayles) (27 qershor 1936 në Depew, Erie County, Nju Jork – † 13 shkurt 2010 në Baltimore, Maryland) ishte një shkrimtare amerikane, më e njohur për antologjinë e saj të vitit 2000 Anthologie Blessing the Boats: New and Selected Poems mori Çmimin Kombëtar të Librit për Poezi.

Vajza e një metalurgu studioi fillimisht në Universitetin Howard në Uashington, D.C. dhe botoi vëllimin e saj të parë me poezi, Good Times, në 1969. Nëna e gjashtë fëmijëve vazhdoi të shkruante Some Days of Everett Anderson (1970), All Us Come Cross the Water (1973), My Friend Jacob (1980), Everett Anderson’s Goodbye (1983) dhe Three Wishes (1992) gjithashtu shkroi kujtimet e saj me titull Generations: A Memoir (1976).

Ajo botoi gjithashtu një sërë vëllimesh të tjera me poezi si Kohë të mira (1969), Lajme të mira për Tokën (1972), Një grua e zakonshme (1974), Grua me dy koka (1980), Gruaja e mirë: Poezi dhe një kujtim: 1969- 1980 (1987), Tjetra: Poezi të reja (1987), Quilting: Poezi 1987-1990 (1991) dhe Libri i Dritës (1993).

Ajo u përfshi në antologjinë Daughters of Africa, redaktuar nga Margaret Busby në Londër dhe Nju Jork në 1992.

Në vitin 1999, ndërsa ishte shkrimtare e ftuar në Universitetin e Kolumbias midis 1995 dhe 1999, ajo shkroi vëllimin me poezi Poems Seven, për të cilin mori çmimin prestigjioz Kombëtar të Librit për Poezinë në vitin 2000. Ajo ishte gjithashtu profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz. Së fundmi ajo ishte profesoreshë e arteve liberale në Kolegjin St. Mary në Maryland. Në vitin 1999 ajo u bë anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave. Elida Buçpapaj /Wikipedia

blank

NJI VJETË – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Shkove në pranverë

kur kumbullat lulojnë mbi kodër

e shelqet gjethen në lum.

Mani n’oborr âsht pjekë si tjera herë

e prroni nën shpi u thà,

xhingalla mbi plep ka britë e britë

e ti s’ke ndie as pà.

 

Vjeshta kur erdh

e strehat e pullazit lëshuen

ujin n’oborr në kusi,

unë ndeja te dera tue mendue për ty.

 

Kur era nga bjeshka ia behi

e prroni nën shpi u thà,

dorën që në zjarm isha tue nxé

e prapova tue mendue ty

të ngrime nën dhé.

blank

ZOGJTË DIGJEN NË AJËR- Cikël poetik nga SHKËLZEN ZALLI

NE (S)JEMI POET
.
Ne përdhunuesit e bimëve dheu që ulëret ujërat
zhagëza e lotit gërryerja e faqeve me thonjë
qytete të brishtë lumenj që u lutemi pemëve
të bëhen më të forta
turmë rebele re të pakapshme e shi në përmbytjen
e buzëqeshjesh
vajzë kofshëdalë vullkani i paralajmëruar i vdekjes
flladi i perdeve e gishtat e thyer të përshëndetjes
flasim me ëngjëj me gurë me baltën e sytë ku mbyten
rrugët fërfëllore gërhamat e etjeve që plaken
urdhëresa pa shkronja ushtare vetvrasës hapsira
mbi opingat e kalbura të turmës
sikur botën ta krijonin poetët
toka do mbetej pa poet.
.
TË LUTEM KU PO SHKON ?!
.
Të lutem, ku po shkon?!
Në male ku barërat grinden me erën,
Te ura e fshehur në zgavrat e lisave shëtitës,
mbi ujëra plot peshq e zigzage varkash të shpejta
nga njëri breg në tjetrin e malësorë që shfaqen
mes dushqeve
dihamat e qenëve e zërin e hollë të ndjekjes
atje ku kaprojtë ulen në oborrin e kullave
të mbetur jashtë me shiun e gjetheve të mugëta
Do të shkojë të shoh arratisjen e djemve
në plisat e qiellit të veshur me xhup e me çizme
shtëpijat e lagëta e orët që derdhen në përrua
qentë e çartun tek grinden në mjegullinë e janarit
Do të shkoj te vjeshta pa çatinë e zakonshme
të vjeshtës
qerrët e hutuara në grykën e janarit të krisur
Po shkoj duke lënë pas qytete të nxira
muzgjet e dehur relikat e parqeve të vdekur
mollët nën këmishën e barit të papjekur të buzëqeshjes
njerëzit me gishta të kafshuar buzë kërpudhës
të harrimit
e puset e fytyrës me ujë të ngrohtë e të qelbur…
Po shkoj por po lë trishtimin e ballkoneve
të heshtura
duartë që zgjaten si kërcenj lulesh të fishkura,
lajmet e pasditës me pluhurin e zjarrfikësve të etur
dyert që vetmbyllen pas flokëve bjond të vajzës
e supeve të zeza të kuletës të një vizitori
të zakonshëm
Do të lë këngët si masturbime të thara
në buzën e këngëtarit e në kasetat e radjos
poetët librat e dënuar në xhamat e shitores
e ndërrimin e gurëve nën qiellin e pambaruar…
Të lutem, ku po shkon?!
.
NËSE JE
.
Nëse je vrapim drenushe me shigjetën e malit,
a hënë e pirë nga tuli i pjeshkës së çarë,
në se je valle e egër pëllumbash në brigjet e malit
të trazuar
a tingull lumi në harpën e lirikave të Naimit,
në se je cicërrima e ngjyrës së pikturës,
a ndjekja e shirave në buzën e dashuruar të plisit,
në se je gjethi i përshëndetjes e kalbëzimi i saj
i gjumit
në se je varrezë thashethemesh
e shkrumbi i tyre në gjuhën e gishtave,
në se je
ky ag në gurrën e vetullës së lagur,
a trembja e harabelit nga gëmusha e gjinjve,
at`here mbi vargjet e mia
shfaqet një rrugë drejt zemrës.
.
ZOGJTË DIGJEN NË AJËR
.
Kur të kujtoj ty lumenjtë kaltrohen.Zogjtë digjen
në ajër.Hapsira shtrihet pranë meje e zënë në faj.
Kur të kujtoj ty, nga bliri bien nuset e degëve,
e vjeshta zgjedh mes dridhjesh fytyrën e vet.
Lëndinat pëlcasin, gjinjtë e kafshuar dhe bari
anemik
rrëzohen mbi degë.
Një fëmijëi vogël kur të kujtoj ty,
u këput trumcakëve shamiat e erës. Pash më pash
vjen lumi. Në vithet e tij Gërzheta sjell peshkun
e artë të mallimit.
Kur të kujtoj ty,flokët i dalin shkëmbit
dhe i lidh me tokën me një rrip ujvare.
Kur të kujtoj ty,prej syve të mbyllur, ditët
që kaluam
dalin brenda meje. Dielli është aty. Mjafton të të
kujtoj që të çel rreth trungut shtatë ditët e javës.
Kur të kujtoj ty, mërzinë dhe cigaren, i shtyp
egërsisht
në hapjen e dritares.
.
… ME PAS QETËSI
Një mjelmë, një liqen,një mbrëmje
e grisur,
Një dru i vetmuar…Skeleti i hënës
po shkrinë përmbi shelgjet e gishtave
të mi.
Një mjelmë,një hapsirë,një shpirt
i trazuar
përballë moskuptimit …Trishtimi i natës
ndez krahët e bardhë
Më pas Qetësi.
.
LUMI RRJEDH NËPËR KRAHUN TIM
Plot dymijë vjet lumi nëpër krahun tim
nëpër gjethet e mia ofshamën dritaret e mia
bie përmbys mbi ikjen e ditëve me peshq të artë
në sy
plot dymijë vjet qytetet kalben në gjak.
vetëm luftërat
shtegtojnë stinëve njerëzore me korbin në
shpinë
unë shkoj nga rrjedha me dyndjet e pyjeve
dhe qeshjen e gurëve të gjetur
plot dymijë vjet lumi vlon në damarët e mi e duart
mblidhen rreth boshtit të muzgut
dymijë vjet janë pak
për të përqafuar vetveten i mbështjellë në ujë
dymijë vjet janë pak për të pështyrë vetveten
me shkumën e dallgëve të krisura
plot dymijë vjet qesha me rrjedhat i lash ato e qava
me lotët e liqenëve të shterur
luftërat mblidhen si zhgaba rreth shekullit të ri
e unë prap atje ku rrjedhin lumenjt e harruar
më lini shtratin rërën e rrënuar
një këngë
ku të var kujtimin e fundit të këtij shekulli
…tjetri shekull ndoshta na gjen më të ujshëm…
26,01.2014
blank

Kërkuesi i Thesarit – Kushtuar poetit Xhevdet Bajraj Poezi nga Julia Gjika

Ai ngjante me një kërkues thesaresh.
Ecte përgjatë shtratit
të një përroi në vendlindje,
buzë Drinit,
kur dielli përvëlonte,
në pikun e ditës.
Ai preferonte të clodhej,
në vreshtat e Rahovecit
dhe kafen ta pinte me Nanën.
Në cdo kohë,
edhe kur Kosova ishte në luftë,
ai ishte kërkuesi i thesareve,
në atë tokë të gurtë shkëmb.
Kur ndjente rahjet e zemrës,
i magjepsur kur gjente floririn
nuk pyeste, por e gdhinte natën
me shkronjat,
zëri i bëhej lutje
pëllumbi bardhë i ulej në dritare.
E të dy zgjonin ditën e re
I ndodhi njëherë kur thesari që kish gjetur,
I humbi nga sytë .
Jo, jo, i patën thënë
floriri nuk humbet,
vec se fshehet, di të fshehet.
Xhevdet Bajraj është këtu
me thesaret e tij.
“Kur flas me Irfanin,”
“Mërgimi,”
“Burri që loste me ëngjej”
“Dallëndyshja”
“Në kafenenë e Ballkanit”
“Tek vajza që i mbijetoi masakrrës”
“Do të kthehem”
Ai, floririri fshehur,
në ca kokrra rrushi të Rahovecit.
6/23/ 2022

blank

UDHTARI – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Gjithditën n’udhtim më lagu shiu i butë

e në muzg drita e fshatit nga larg

nuk më ngushlloi,

kujtimi i drandofiles së kuqe nën diell

s’ma hoq mërzinë: kryet e gjarpnit

të gdhendun në shkop shtrëngova

e fletzat i bâna zhubël

e ranë përdhé.

 

Ti nuk e din si âsht gjumi

mes frymës së grues e zjarmit

në votër.

 

Nesër vêhem për rrugë për të shkelë

të gjitha majet rresht.

blank

Tirana kundërmon nektar protestash Poezi nga Elida Buçpapaj

Tirana kundërmon puhi protestash
parfum pranvere, erë trëndafili
shilarëse rrezesh, trifletësh tërfili
shpirti i shenjtë, ati, biri

Tirana thith nektar protestash
lulemaji fton kangjellash
nëpër parvazë dritaresh
buzëkuqe mullagash zgjimi
Poshtë letargjia! Kikiron gjeli i agimit
Dorëzonja spërkat
me aroma flakërenjash shfrimi

Shpirti i Tiranës zjen protestash
lule bardhoshe kumbullash frymon
në flokët e vajzave kurora festash
Kush ka – ndërgjegjia i kumbon

Parfumi pranveror i kthimit
me qindra mijë tërheq në bulevard
ding dong bie ora e vlimit
fytyra margaritash të dëlira,
pa kamuflazhe të rrejshme pozash
nën prozhektorë lule dielli mimozash

Tirana gjallon aromë protestash
jasemini trupat josh të bëjnë dashuri në sheshe,
të provojnë qejfin, ekstazën e libidos
çlironjëse prej ngricës akullnajore të ferrit
kur sythet shpërthejnë, shprangosen e dalin prej territ,
me eligzir aromash liberatore lumi lëvizin
e në gumëzhitje zgjojesh bijë lulesh ngjizin

Tirana kundërmon stuhi protestash
aroma dehëse me bar rebelimi
trim kush është kushtrim bie briri
në vend të kryqit bekim
katërfletësha blertoshë tërfili
shpirti i shenjtë, ati, biri

blank

Brenda magjisë së poezisë së Xhevdet Bajrajt – Nga Adil Olluri

Poezinë e Xhevdet Bajrajt, e këtij poeti rrëmbyes, do ta lakmonte secili lexues, secili autor veprash, secili botues dhe secila letërsi. Por, ja që letërsia shqipe ka fatin ta ketë të vetin dhe, po ashtu, Armagedoni me lexuesit e vet.

Një ndjesi të rrëmbimit nga vargu i bukur i Bajrajt e përjetova sa lexova dorëshkrimin e veprës së tij me poezi Kafe me nënën, e cila lexuesve shqiptarë dhe të huaj u vjen nëpërmjet shtëpisë botuese Armagedoni nga Prishtina, e cila fokusim të veçantë ka letërsinë e sotme shqipe dhe për këtë interesim duhet lavdëruar dhe përgëzuar.

Ky libër i ri i Xhevdet Bajrajt ka një kryepersonazh lirik. Ajo është nëna e poetit e cila nuk ka më shumë se një vit që ka ndërruar jetë. Poeti e kujton atë, e ndien mungesën e saj, e ëndërron dhe i shkruan poezi përkushtuese dhe përpiqet të bisedojë me të e ta mbajë gjallë në krijimtarinë poetike, pasi që, duke ndier mall për të, e ka frymëzuar shumë. Pra, në shumë poezi të këtij libri nëna është motivi tematik.

Dhimbja dhe përjetimi, si sensibilitet dhe shënjim konceptual, e bëjnë të dallueshëm këtë vepër poetike të Xhevdet Bajrajt nga ato paraprake. Pra, këtu s’e kemi më një Xhevdet Bajraj që në plan të parë i ka reagimin, indinjatën, revoltën me dhe për të tashmen, por një poet që, përpos reagimit individual intelektual ndaj dukurive të këqija në vendin tonë, ndien dhimbje dhe mungesë edhe për qenien më të dashur – nënën.

Ndër poezitë më të bukura në këtë libër, në të cilat figura e nënës është çelësi figurativ, janë: Kafe me nënën (nga e cila vepra e merr titullin), Nëna dhe pëllumbat, Medaljoni, Tetëdhjetë e tri vjet zgjati rruga e saj, Nëna ime dhe lulet, Gjethi që kishte fytyrën e nënës, Mëngjesi në Rahovec dhe shumë të tjera, ku nëna është e pranishme për ta rritur përmasën e nostalgjisë të poetit për vendin e tij, për të kaluarën dhe të tashmen e tij. Pra, mungesa e nënës bëhet e pranishme në realitetin e veprës artistike.

Kafe me nënën ka një sërë poezish që janë të shkruara me mjeshtëri të lartë artistike. Janë krijime antologjike për mënyrën e ligjërimit, sensibilitetin dhe për tablotë e krijuara për të cilat shquhet Bajraj. Lumi i fryrë, Vallëzimi i të marrëve, Shtëpia e zvarranikut, Brenda shtëpisë së braktisur, Është koha, De Niron do ta vrasin në fund të filmit, Medaljoni, Kafe me nënën, Kur prostitutat dhe politikanët i donin poetët, Rruga e diellit nuk janë poezi që shkruhen shpesh, nuk janë poezi që mund t’i shohësh e t’i lexosh në çfarëdo libri, nuk janë poezi që mund të krijohen nga secila pendë krijuese, nuk janë poezi që mund të botohen në secilën stinë. Këto poezi të lartcekura të këtij poeti do të bëjnë jetë të gjatë dhe do të kenë rrugëtim të gjatë në duart dhe mendjet e lexuesve.

Lumi i fryrë është një poezi antologjike, me mesazh të qartë që lidhet me aktualitetin tonë. Në të, përmes gjuhës poetike, poeti tregon se si lumi i marrëzisë njerëzore e izolon individin, njeriun e dinjitetshëm e bën të mbyllur, të jetojë i vetmuar. Përballjen me një lumë e llum të tillë marrëzie në një kohë antivlerash e përjeton secila qenie e dinjitetshme njerëzore.

Vallëzimi i të marrëve është një poezi e bukur, në të cilën poeti revoltueshëm flet për marrëzinë kolektive të qenieve që iu mungon dinjiteti fillestar njerëzor. I godet me penën e tij të paarsyeshmit që janë në gjendje të vallëzojnë e të festojnë pandërprerë për simbolika, koncepte dhe për gjëra që aspak nuk i kuptojnë, por nuk e kanë fijen e empatisë për fqinjin e tyre të mundshëm, plakun e vetmuar, i cili vdes pa përkujdesjen minimale.

Shtëpia e zvarranikut është në vazhdën e poezive revoltuese të Bajrajt. Në të mbizotëron ligjërimi satirik dhe ironik për aktualitetin shqiptar. Në këtë poezi me anë të një ligjërate tallëse goditet mënyra se si njerëzit e kohës sonë e mendojnë dhe e realizojnë jetën e tyre.

Brenda shtëpisë së braktisur është një poezi e ndjeshme dhe e ndjerë, e dalë nga brendësia e shpirtit të poetit. Në të ai flet me mallëngjim dhe nostalgji prej të mërguarit për vendlindjen larg së cilës jeton tash sa vjet. Kjo poezi është në linjë ideore dhe tematike me poezinë Shtëpitë e braktisura, e realizuar me emocion dhe mjeshtëri.

Është koha është mjeshtërore për nga mënyra se si ndërtohet vargu përjetues, se si ndihet mungesa e njeriut të dashur (nënës së poetit).

Medaljoni është antologjike për shkak të shpalimit të dimensionit të mungesës dhe nostalgjisë. Poeti kishte parë ëndërr se si në kthinat e qytetit ku jeton ia kishin vjedhur medaljonin e nënës. Kur pushon së ëndërruari sheh se medaljonin e ka me vete, por i mungon nëna, dhe fillon ligjërimi përjetues dhe nostalgjik i poetit.

Kafe me nënën është në vijë konceptuale me poezinë paraprake, vetëm se këtu kujtimi dhe përjetimi janë më të theksuar. Është poezi antologjike për nënën e vdekur dhe gjendjen pikëlluese të poetit.

De Niron do ta vrasin në fund të filmit, për mendimin tim, është poezia më e veçantë e këtij libri me poezi të Xhevdet Bajrajt. Është mjeshtëri e poetit se si arrin që brenda një poezie të shkurtër ta krijojë një tablo në të cilën përfshihen disa motive tematike e disa koncepte ideore. Është poezi që lë shumë mundësi interpretimi dhe mund të lexohet nga shumë kënde vrojtimi. Vargu Nënë, De Niron do ta vrasin gjithsesi në fund të filmit është një konceptim për fundin e përcaktuar, për fundin që dihet. Është një fund jo i lumtur, jo i bukur për realitetin në Kosovë, një parashikim i zymtë nga poeti. Është një poezi me një brendësi tregimtare në të, ku shpaloset qëndrimi kritik dhe revoltues i Bajrajt ndaj vrazhdësisë së aktualitetit dhe njerëzve të vendit të tij, të cilët, sipas poetit, e respektojnë një vrasës. Një shoqëri që i respekton vrasësit, sipas këtij krijuesi, nuk ka se si ta ketë fundin e lumtur. Po ashtu, në këtë poezi të Bajrajt na jepet një tablo e mallit për qytetin e tij të lindjes, për kafenetë e qytetit dhe llafosjet e zakonshme me nënën e tij që tashmë nuk ekziston.

Kur prostitutat dhe politikanët i donin poetët është një dialog poetik dhe ironik në mes të poetit idealist dhe atij pragmatik. Poeti pragmatik, tashmë i shtyrë në moshë, thotë se e ka shkruar dhe dashur poezinë për shkak se në kohën e tij prostitutat dhe politikanët i donin poetët, ndërsa poeti idealist, tashmë në moshë të mesme (moshë e poetit real Xh. Bajraj), është nxitur të shkruajë nga krejt diçka tjetër, është nxitur të shkruajë nga admirimi për veprat dhe respekti që si i ri kishte pasur për poetin e shtyrë në moshë. Pra, kemi një ballafaqim konceptesh dhe botëqëndrimesh lidhur me artin poetik. Një poezi e veçantë, atipike për letërsinë e sotme shqipe, ku ngrehen dilemat rreth vlerave dhe të vërtetave të poetëve tanë të njohur. Është poezi që synon shembjen e idhujve të padenjë dhe kështjellave prej letre që kanë marrë vlerësime të pamerituara nga kritika konjukturale akademike në Kosovë. Ndërkaq, Rruga e diellit është një poemth i bukur lirik, në të cilën spikat brendësia rrëfimtare që është shenjë karakterizuese në shumë poezi të Bajrajt. Është urim i gjatë i poetit, tashmë gjysh, për nipin me rastin e ditëlindjes së këtij të fundit. Brenda këtij urimi të gjatë shohim këshilla jete për nipin, të cilat mund t’u shërbejnë edhe të tjerëve për nipër dhe mbesa.

Këtë rrugëtim interpretues brenda librit me poezi Kafe me nënën të poetit tonë, tashmë të mirënjohur, Xhevdet Bajraj, e bëra për ta dhënë një tablo sa më të qartë sqaruese dhe vlerësuese për poezinë e këtij poeti, duke qenë i bindur se thelbi i një interpretimi është vlerësimi dhe poezia e Bajrajt e meriton këtë jo vetëm për këtë libër, por për të gjitha librat e tij me poezi. Ai është një krijues që duhet trajtuar me respekt dhe me dashuri dhe të jetë sa më shpesh e sa më i pranishëm në sofrat e lexuesve dhe të kritikëve të poezisë.

Së këndejmi, përpos motiveve ideore dhe tematike, perspektivave të veçanta poetike, ajo që e shquan ligjërimin artistik të Xhevdet Bajrajt është krijimi i tablove, pamjeve dhe sekuencave të veçanta poetike, që e bëjnë atë një nga poetët më të mirë të imazhit jo vetëm të letërsisë së sotme shqipe. Arti i tij poetik është i brumosur me brendësi tregimtare, ku gjërat që thuhen nëpërmjet gjuhës poetike, përpos që lexuesit mund t’i lexojnë e mund t’i ndiejnë, ata mund edhe të krijojnë edhe një perceptim vizual për to dhe rreth tyre. Poezitë e tij Pilati, Gruaja e armatosur, Fishkëllima e vdekjes, Medaljoni etj. shumë lehtë mund të bëhen tregime të shkurtra dhe filma të shkurtër artistikë.

Po e mbyll këtë fjalë, duke shkruar edhe këto: është kënaqësi të flasësh me Xhevdetin për Kafe me nënën dhe po kaq kënaqësi të shkruash për këtë libër shumë të bukur./Telegrafi

blank

Viti i Prustit, 100-vjetori i vdekjes – Nga Feride Papleka

Jo vetëm në Francë, por dhe kudo në botë janë zhvilluar e zhvillohen veprimtari kushtuar jetës dhe veprës së tij

Marcel Proust-i lindi në 10 korrik 1871 në Paris dhe vdiq po aty më 18 nëntor 1922. Vepra kryesore e tij është cikli romanor shumëvëllimësh me titull À la recherche du temps perdu (Në kërkim të kohës së humbur), shtatë vëllimet e të cilit u botuan nga viti 1913 deri më 1927, domethënë një pjesë e tyre pas vdekjes. À l›ombre des jeunes filles en fleurs (Nën hijen e vashave në lule të moshës), vëllimi i dytë i ciklit fitoi çmimin Goncourt më 1919. Ai e mbylli jetën më 1922 dhe u fut në dhé në varrezën Père-Lachaise (Per Lashez) në Paris, i shoqëruar nga njerëz të shumtë që përshëndesnin një shkrimtar të rëndësishëm e që brezat e mëpastajmë do ta ngrinin në një piedestal shumë të lartë duke e shndërruar në mit letrar.

Një jetëshkrim i shkurtër

Prusti rrjedh nga një familje në gjendje të mirë ekonomike, pasuria e së cilës i detyrohej kryesisht punës së të atit, Profesor në Fakultetin e Mjekësisë dhe epidemiolog i njohur.

Jeta e tij u ballafaqua me kufizime qysh fëmijë për shkak të astmës. Shëndeti i tij lidhet edhe me disa privime që iu nënshtrua e ëma gjatë rrethimit të qytetit më 1870 dhe gjatë Komunës së Parisit; për t’u shpëtuar trazimeve që solli lëvizja komunare, prindërit e tij patën shkuar në Auteuil (Otëj). “Para lindjes së Marsel Prustit, gjatë Komunës së Parisit, doktor Prusti pati qenë plagosur, ndërsa po hynte në spital. Zonja Prust, shtatzënë, mezi e përballoi ligështimin që pësoi për rrezikun që mund t’i kanosej të shoqit. Fëmija që solli në jetë fill pas ngjarjes ishte aq i ngathët, sa i ati dyshoi se mos nuk kishte zhvillimin e duhur mendor. E rrethuan me kujdes e ai dha shenjat e një ndjeshmërie të parakohshme, por shëndeti i tij mbeti i brishtë”, shkruan një nga biografët e Prustit.

Ai e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në Paris, por në pushimet e verës shkonte te gjyshërit në Illier, një qendër rrethi, pranë lumit Luarë. Atij nuk i mungoi kujdesi e dhembshuria nga të dy prindërit, por sidomos nga e ëma që ishte e lirë dhe e shoqëroi në udhëtime edhe kur qe në moshë të rritur.

Stina e pranverës mbeti për të voglin një nga stinët më të vështira për të jetuar. Poleni i luleve i shkaktonte kriza të forta astme. Njëherë, kur ishte nëntë vjeç dhe kthehej nga një shëtitje në pyllin e Bulonjës me prindërit, atij iu zu fryma aq shumë, sa i ati mendoi se do të vdiste. Ai shpëtoi me vështirësi. Tashmë kërcënimi do të quhej i pranishëm te fëmija dhe te burri i mëvonshëm.

Mësimet fillore i mori me një grup të vogël privat; bashkënxënës kishte djalin e kompozitorit G. Bizet, gruaja e të cilit do të hapte vite më vonë një sallon ku mblidheshin artistë të ndryshëm të kohës. Prusti do të ishte një nga të pranishmit.

Studimet e mëtejshme ai i vazhdoi në liceun Condorcet (Kondorse) dhe u shqua në letërsi dhe në filozofi. Për herë të parë e vënë në tabelën e nderit në dhjetor 1884. Megjithëse mungonte shpesh për shkak të shëndetit, ai dinte përmendësh shumë krijime të poetëve Victor Hugo dhe Alfred de Musset. Shpesh botoi te revista letrare e liceut.

Dashuria e parë e fëmijërisë dhe adoleshencës së shkrimtarit të ardhshëm ishte vajza e një diplomati polak, me të cilën luante në kopshtet Champs-Elysées. Më 1887 ai nuk e takoi më dhe sipas biografëve dëshira e zjarrtë për të dashur a për t’u dashur nga tjetër kush, veç mëmës dështoi. Eshtë vasha e parë, të cilën ai u përpoq ta gjente më vonë dhe që e ka humbur përgjithmonë.

Përpjekjet e para letrare të Prustit ndodhë në vitet e fundit të liceut. Për adoleshentin letërsia është forma më e përkryer e jetës.

Kur mbaroi liceun, pak a shumë në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, ai shikohej si snob, sepse ishte i pranishëm nëpër sallonet pariziane. Aty ai njihet me borgjezinë e madhe, takon shkrimtarë, piktorë, madje edhe zonja të cilave u pëlqen biseda dhe zgjuarsia e tij.

Prusti vendosi të mos i nënshtrohej traditës familjare (vëllai i tij vazhdoi studimet për mjekësi). Më 1889   shkoi vullnetarisht ushtar dhe ruajti kujtime të bukura nga ajo jetë.

I kthyer në jetën civile, ai ndoqi disa kurse në Shkollën e lirë të shkencave politike. Më 1892, një ish-shok i liceut hapi revistën letrare Banketi dhe ai ishte bashkëpunëtori kryesor. Ndërkohë bisedoi me të atin që të merrte pjesë në një konkurs diplomatik, por pastaj ndryshoi mendje e u regjistrua në Sorbonë, dëgjoi leksionet e Henri Bergson-it dhe mbaroi licencën për letërsi më 1895.

Pas kësaj ai u paraqit në konkurs për një vend pune në bibliotekën Mazarine, fitoi, punoi aty katër muaj dhe më së fundi dha dorëheqjen. Në korrik bëri një muaj pushime në Gjermani me të ëmën, pastaj në një komunë jashtë Parisit ku shkroi një novelë që ia botoi La Revue Hebdimadaire në tetor të po atij viti. Gjatë kësaj vere ai pati nisur edhe një roman me personazh kryesor një të ri të dhënë pas letërsisë që jeton në fund të shekulit XIX. I vështruar si një bocë, romani nuk përbën një tekst të përfunduar. Prusti aty përmend çështjen Dreyfus.

Gjendja e mirë ekonomike i siguroi atij lehtësira për të ndjekur sallonet e borgjezisë e të aristokracisë së re. Lidhi miqësi të ngushtë me Lucien Daudet, djalin e shkrimtarit Alphonse Daudet dhe u njoh me shkrimtarin e famshëm Anatol France.  

Më 1896 botoi Kënaqësitë dhe Ditët, një përmbledhje poemash në prozë, portrete dhe novela sipas stilit të fundshekulli me parathaënie nga Anatole France. Libri kaloi pak a shumë pa u vënë re dhe kritika e priti ftohtë; madje midis kritikëve njëri është shkrimtar dhe tregohet i ashpër. Një ditë ata gjenden ballë për ballë me pistoleta në duar për duel. Gjithçka përfundon pa plagosje, por jo pa trishtim për autorin e ri.Kjo është vepra e parë e shkrimtarit, i cili kërkoi të mos rishtypej sa kohë që merrej me Në kërkim të kohës së humbur.

Megjithëse ishte bir i një babai katolik dhe i një nëne çifute, Prusti përdori të drejtën për mos t’u përcaktuar në bazë të besimit. Në korrespondencë lexojmë se nuk është besimtar. Megjithatë si Dreyfusard i bindur ai ishte i ndjeshëm ndaj antisemitizmit të epokës dhe pësoi edhe vetë sulmet anti-semite të disa prej penave të shquara të Francës. Duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i çështjes Dreyfus, ai shpërndau një peticion që kërkonte rishikimin e procesit, të cilin ia jep për ta firmosur edhe Anatole France-it në mbështetje të kapitenit francez që akuzohej për tradhti të lartë.

Atij i pëlqente të takohej rregullisht me anëtarët e rrethit Noailles-Brancovan, të njihej me estetikën e fillimshekullit, sepse Anna de Noailles ishte një yll në ngjitje i poezisë së re dhe vëllai i saj Constantin de Brancovan sapo kishte themeluar revistën La Renaissance latine, mishërim i kësaj lëvizjeje estetike.

Takimet e Prustit bëhen jo rrallë një shfaqje e vërtetë estetike që i dhurohet një soditësi pasiv. Në një letër ai shkruan: “Takova Lucy Gérand në Cabourg. Ishte një mbrëmje e këndshme, nga ato që perëndimi i diellit nuk e kishte harruar ngjyrën e trëndafiltë, megjithatë fustani i saj ishte krejt trëndafili dhe së largu dërgonte në qiellin e portokalltë ngjyrën plotësuese të muzgut. Unë ndenja gjatë duke vështruar këtë njollë të imët trëndafili, derisa e pashë që u shkri me horizontin; u ktheva në shtëpi me rrufë”. Ndonjëherë mjaftojnë dy rreshta që tregojnë ngazëllimin e tij se ka gjetur formulën e re të suksesit në shkrimtari: “Po shkruaj një skicë; Burzhe zbret, ndërsa Bojles prapset”. (Paul Bourget dhe René Boylesve janë dy romancierë të kohës së Prustit).

Më 1900, përmes një miku të tij diplomat në Londër, ai zbulon estetin anglez John Ruskin, shkruan disa artikuj për estetikën e tij. Ruskin-it i ishte ndaluar ribotimi apo përkthimi i veprës në gjallje. Me vdekjen e estetit po atë vit, Prusti vendosi ta përkthente, por ndërmori së pari një pelegrinazh në vendet e përshkruara në librat e tij e sidomos në Venecie ku shkoi me të ëmën. Duke ndjekur hapat e Ruskin-it, ai vizitoi vepra arti të tjera, të cilat do t’i përshkruajë vetë më vonë.

Për rastësi ai zuri vend në hotelin ku kishin qëndruar për ca kohë George Sand dhe Alfred de Musset. Ndër të tjera ai shkoi edhe në Padovë ku u njoh me një afresk të madh të Giotto-s, komentin për të cilin e futi në veprën e tij të ardhshme Në kërkim të kohë së humbur.

Artikujt e parë për Ruskin-in ai i botoi te La Gazzette des Beaux Arts. Episodi për përkthimin rimerret te romani Albertine disparue (Albertina e zhdukur, apo e Arratisura sipas përkthyeses së Prustit, Edit Kodra). Prindërit e Marselit luajnë një rol përcaktues në punën e tij si përkthyes. I ati, një njeri i qetë që e la të birin ta zgjidhte vetë rrugën e jetës, e vlerëson si mjet për ta vënë në punë. Sepse Prusti ka qenë i panënshtruar nga çdo lloj detyre shoqërore dhe sapo ka dhënë dorëheqjen nga puna në bibliotekë. E ëma e ndihmon shumë; meqë Prusti nuk e zotëron mirë anglishten, ajo i vihet përkthimit fjalë për fjalë të tekstit anglez. “Duke u nisur nga ky material, shkrimtari arriti të krijonte me tekstin një frëngjishte të shkëlqyer”, shkruante një kritik kur u botua përkthimi i parë i librit Bibla e Amienit,1904.

Në vjeshtë të vitit 1900, familja Prust u zhvendos në lagjen 8. Ai u njoh aty me princin Antoine Bibesco (Antuan Bibesko); princesha Helen (e ëma e Bibesco-s), kishte hapur një sallon, në të cilin ftonte muziktarë dhe piktorë (G. Fauré ‘Fore’ është i rëndësishëm për sonatën e Vinteuil në veprën e tij). Princi Bibesco mbeti një nga miqtë e Prustit deri në fund të jetës.

Ai i vazhdoi pelegrinazhet ruskiniane, dhe më 1902 vizitoi Belgjikën dhe Holandën.

Martesa e vëllait, Robert Proust, më 1903 dhe vendosja e tij në një shtëpi tjetër, e ndryshoi jetën e përditshme të familjes. Vdekja e prindërve (i ati më 1903, e ëma më 1905), e keqësoi shëndetin e tij. Me të ëmën ai ishte shumë i lidhur, madje në shumë raste kërkonte kujdesin e saj edhe i rritur, prandaj kjo ngjarje i la gjurmë të thella.

Pas këtyre fatkeqësive, Prusti bëri një pushim në Versajë. Atje njohu poetin bohem Robert de Montesqueu, i cili e ndihmoi të hynte në sallonet më elegante të kohës e të njihte personalitete të tjera.

Universi intelektual i Prustit zgjerohet nga dita në ditë. Por edhe ankthi, vuajtja, xhelozia, sëmundja, vetmia e artistit, po ashtu shtohen. Léon Daudet në një libër të vitit 1905 e përshkruan kështu Prustin që hyn në restorantin Weber: “Rreth orës shtatë e gjysmë erdhi te Veberi një djalë i ri i zbehtë, me sy të zjarrtë duke kafshuar dhe lëmuar me dorë njërin cep të mustaqes së errët e të gjatë, i mbështjellë me rroba të leshta si të ishte një stringël kineze. Ai kërkoi një bistak rrushi e një gotë uji dhe tha se do të ikte, se ishte me grip, se do të shkonte të shtrihej, se i bënte keq zhurma. Hodhi përreth vështrime të shqetësuara, pastaj tallëse dhe më së fundi shpërtheu në një të qeshur të gëzuar dhe qëndroi edhe ca. Shumë shpejt nga goja e tij dolën me një ton ngurrues e të nxituar vërejtje me një risi të jashtëzakonshme dhe konstatime të çuditshme. Imazhet e tij të paparashikueshme për sendet dhe njerëzit, ishin si ajo  muzika siprane që rrëfejnë se dëgjohej në tavernën e teatrit Globus kur hynte Shekspiri me shokët e vet. Ai përmendi Mercutio dhe Puck (dy personazhe, shënim imi, F. P.), shprehu disa mendime njëri pas tjetrit, i shkathët për të kërkuar falje, për të qenë i përzemërt, me një vetëdije ironike, natyrisht të ndërlikuar, i ndjeshëm dhe i butë”.

Shkrimtari i ardhshëm grumbullon lëndën e duhur për hartimin e veprës së tij madhore, një vetëdije krijuese që vështron gjithçka me vëmendje për t’i dhënë jetë më pas. Një punë e ngadaltë e me durim që skicon planin e domosdoshëm e të papërsëritshëm të një lloji që nuk kishte paraardhës, por nuk do të ketë as pasardhës në letërsi, atë të katedrales së kohës.

Veç kësaj letrat e tij dëshmojnë për një njohje të hershme të autorëve; ato na informojnë për leximet e pafundme, për tablotë e pikturës apo ekspozitat, koncertet që ka parë, për personalitetet që ka njohur edhe pse tërësia e bibliotekës së tij, e muzeut të tij imagjinar, e dijes së tij, sigurisht, është e pamundur të parafytyrohet. Të duket se ai ka lexuar gjithçka, ka parë gjithçka, ka dëgjuar gjithçka.

Më 1907 Prusti filloi të shkruante veprën madhore kërkim të kohës së humbur dhe u veçua nga bota. Rikrijimi i të shkuarës paguhej me çmimin e flijimit të përditshëm. Ai dërrmohej në punë natën, flinte ditën dhe dilte rrallë, vetëm në mbrëmje sa për të ngrënë darkë. Për pesëmbëdhjetë vjet, ai jetoi kështu i vetëm në dhomën e tij të veshur me tapë, në një apartament në Bulevardin Haussmann, në të cilin u vendos pas vdekjes së prindërve.  I mbështjellë dimrit me pallto dhe shall, ngaqë nuk ndizte zjarr prej astmës, shkruan dhe përpunon duke shtuar dhe duke ngjitur dta-ditës aq shumë copa letre në faqet e para të dorëshkrimeve, saqë punëtori i shtypshkronjës e ka vështirë t’i lidhë me tekstet.

Vëllimi i parë Du côté de chez Swann (Për Suanin, 1913) nuk u pranua nga Gallimard sipas recensës së shkrimtarit André Gide (Zhid), megjithë përpjekjet e princit Bibesco dhe shkrimtarit Louis Robert.  Një vëllim nga kjo seri Un amour de Swann është përkthyer në mënyrën më të shkëlqyer nga EdmondTupja me titull Kur dashuronte Suani. Gide u pendua pastaj për mendimin e nxituar. Asnjë botues nuk u tregua i interesuar për botimin e tij. Përfundimisht libri u botua me shpenzimet e autorit në shtëpinë botuese Grasset. Vëllimin e dytë À lombre des jeunes filles en fleurs (Nën hijen e vashave në lule të moshës), e botoi më 1918 te Gallimard dhe më 1919 fitoi çmimin Goncourt. Ai botoi gjithashtu Pastiches et Mélanges në NRF, 1919. Në këtë kohë ai ndërroi shtëpi dhe ëndërronte të pranohej në Akademinë franceze, por i kanë mbetur vetëm tre vite për të jetuar.

Stili i Prustit që quhet “kujtesë automatike” vështrohej si shumë i veçantë. Është një strategji shkrimore për ta sjellë të shkuarën në të tashmen me të gjitha emocionet, ndjesitë dhe ndjeshmëritë. Kjo karakteristikë bën që shkrimësia e tij te jetë shumë e hollësishme, madje labirintike.

Sipas Jacques de Lacretelle dy shkrimtarët që kanë ndikuar shumë te Prusti janë Saint-Simon dhe Balzac. Nga shkrimtarët e gjallë ai çmonte së tepërmi Anatole France-in. Në një libër që i ka dhuruar, ai shkruan: “Zotit Anatole France, Mjeshtrit të pashoq, më të madhit, më të dashurit, me mirënjohje të veçantë nga Marcel Proust-i që e thërret gjithnjë Nabi dhe kujtohet për Kohën e humbur”.

Emra dhe pseudonime

E ëma e Prustit e thërriste “floriri im, kanarina ime, budallushi im”. Miqtë dhe shokët e quanin “Lecram (emri i tij i lexuar mbrapsht), Bleta e luleve heraldike, Saturnian dhe herë-herë kur donin të cilësonin mënyrën e tij të të shkruarit përdornin foljen “proustifier (prustifikoj). Darkat e tij në hotelin e madh parizian i dhanë emrin “Prusti i Ritz-it”.

Romancieri Paul Bourget duke iu referuar shijes së tij për porcelanin e Saxe-s, i shkruante mikes së tyre të përbashkët “[…] saksi yt psikologjik, Marseli i dashur […].

Në shkrimet e tij të fillimit Prusti vetë shpesh ka përdorur pseudonime. Në shtyp ai firmoste: Dominik, Mark Antoni, Eko ose thjesht D.

Vdiq më 18 nëntor 1922, nga një pneumoni, kur e kishte shkruar fjalën Fund (Fin) në dorëshkrimin e vëllimit të fundmë të serisë romanore.  Ai tashmë ishte bërë i famshëm me një vepër të shndrruar në monument të letërsisë botërore. “Pasi kishte shkruar apo diktuar, rreth orës tre të mëngjesit, Prusti tepër i lodhur, e mbështeti kokën në nënkresë. Ai kërkoi që t’ia lënë ndezur abazhurin me dritë të gjelbër”. (Jean-Yves Tadié, Biographie, Gallimard, Paris, 1996, f. 908).

“I sëmuri i madh gjenial” e quan George Belmont, i cili ka mbledhur kujtimet e Céleste Albaret, 82 vjeçe, ish-guvernante dhe njeriu i vetën të cilit i hapte zemrën Prusti për tetë vjetët e fundit të jetës. “Ajo që sjell dëshmia e saj e pazëvendësueshme, është imazhi tronditës dhe i papërsëritshëm i së vërtetës, i një Prusti të humbur e më së fundi të rigjetur dhe që del nga kujtimet më besnike, ato të zemrës, për të rijetuar midis nesh” (Nga parathënia e librit Monsieur Proust (Zoti Prust) me kujtimet e Albaret-it.

“Gjatë natës së 17 nëntorit duke u gdhirë 18, ai më thirri në mesnatë […]

-E dashur Selest […] do të punojmë së bashku.

Dhe nisi të më diktonte deri rreth orës dy të mëngjesit.

Në një çast tha:

-Më duket se lodhem më shumë duke diktuar se duke shkruar, për shkak të frymëmarrjes.

E mori penën dhe vazhdoi vetë për më shumë se një orë.

Imazhi i akrepave mbi fushën e orës është gdhendur në sytë e mi përjetësisht në çastin kur pena e tij u ndal së lëvizuri mbi letër […]. Ishte saktësisht ora tre e gjysmë e mëngjesit” (Céleste Albaret, Monsieur Proust, Robert Lafont, Paris, 1973, f. 421, 422.

Një fotografi e bërë nga Man Ray të nesërmen, tregon një Marsel Prust në shtratin e vdekjes, në profil, me mjekër si profetët, mbështjellë me të bardha.

Përjetësimi

Më 1923, një vit pas vdekjes, La Nouvelle Revue Française (NRF) iu kushtua Marsel Prustit.

“Përdorimi letrar […] i përvojës që ka mbledhur nga bota, do të na lejojë të mbërthejmë kalimin e saj në veprën e tij, si portret “me të dhëna jo si të tilla”, por së pari të transpozuara me ato që sjellin një rikrijim të tërësishëm të Kohës së humbur dhe Kohës së rigjetur (Claude Mauriac, Revista e Re Franceze, Paris, 1923, f. 70).

“Koha më mungon të flas për Marsel Prustin, ashtu si do të doja dhe duhen apo jo, vëllime të tëra dhe jo vetëm për veprën, por për jetën e tij, për jetën tonë” (Léon Paul Fargue, Revista e Re Franceze, Paris, 1923, f. 81).

Vepra e tij është botuar në Pléiade. Me qindra studime, libra, konferenca shkencore e takime janë mbajtur dhe mbahen për veprën e tij. Vetëm korrespondenca e tij ka 25 vëllime. Prusti është një pus i pashterrshëm.

Romani i mbetur në dorëshkrim me fragmente, i shkruar më 1895, u zbulua dhe u botua më 1952 me titull Jean Santeuil, sipas emrit të personazhit kryesor.

Kundër Sainte-Beuve-it (Contre Sainte-Beuve), në të vërtetë është një botim postume më 1954 me formën e një përmbledhjeje me fragmente tregimtare dhe ese të shkurtra kushtuar shkrimtarëve që adhuronte Prusti si Balzac, Flaubert dhe të tjerë, në të cilat nuk mungon edhe fryma kritike. Aty ai i kundërvihet Sainte-Beuve-it dhe metodës së tij të analizës, sipas së cilës vepra e një shkrimtari është pasqyrim i jetës së tij dhe mund të shpjegohet prej saj. Kështu Prusti themelon poetikën e tij se vepra ekziston pavarësisht nga jeta e autorit dhe se ajo e ka kuptimin te vetvetja.

Fshati Illiers (Ilier) e frymëzoi Prustin të sajonte Combrey (Kombre) në veprën e tij. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit më 1971, fshati ku ai kalonte pushimet e fëmijërisë, për ta nderuar, e ndryshoi emrin në Illiers-Combrey.

Shtëpia e hallës Leoni të romanit është shndërruar në Muzeu Marcel Proust, dhe administrohet nga shoqëria Miqtë e Marcel Proust-it.

Disa parathënie dhe artikuj shtypi që kishin dalë kryesisht në gazetën Figaro duke filluar nga viti 1908, u përmblodhën në një vëllim më 1999 me kërkesën e Gaston Gallimard.

Dy librat e përkthyer nga Prusti janë përmbledhur në një botim nga shtëpia botuese Robert Lafont më 2015.

Parathënia e përkthimit të Ruskin-it është botuar me titull Sur la lecture (Për leximin) dhe ribotuar me titull Journées de lecture (Ditë leximi) nga Gallimard më 2017.

Në prill të vitit 2021 Gallimard botoi sërish një përmbledhje me dorëshkrime të zbuluara më 2018 me titull Les 75 feuillets et autres manuscrits inédits (75 fletët dhe dorëshkrime të tjera të pabotuara) që i paraprinë dikur serisë romanore À la recherche du temps perdu.

blank

Marcel Proust, “Në kërkim të kohës së humbur” (À la recherche du temps perdu) – Nga Dr. Feride Papleka

Një udhëtim i vërtetë zbulimi nuk do të thotë kërkosh peizazhe të reja, por të kesh vështrim të ri.

Marcel Proust

Vështrim i përgjithshëm

Në kërkim të kohës së humbur, është një përsiatje e gjithanshmepër kohën dhe kujtesën emocionale, por njëkohësisht edhe për muzikën, pikturën, letërsinë, për artin në përgjithësi, për dashurinë dhe xhelozinë, për ekzistencëndhe ndjesinë e dështimit që ngjyros me tone pesimiste vizionin prustian. Koha e tij e romaneve takohet me kohën e vërtetëhistorike, me ngjarjet e mëdha të saj në Francë si Çështja Dreyfus, anitisemitizmi, Lufta I Botërore, ndryshimet e përditshmërisë dhe u bën atyre vend për t’i futur në atë univers të madh krijues.Ai është njëkohësisht rrëfim dhe dokumentar shoqëror, anketë psikologjike dhe kronikë poetike.

Sipas një ndërtimi ciklik në shtatë romane dhe një strukture të ndërlikuar, autori e mbështet unitetin rrëfimtar te përdorimi i vetës së parë, me të cilën ia del të ringjallë ecurinë e kohës që e ka shoqëruar: fëmijë i paqetë dhe i lidhur fort si i sëmurë me tëëmën, adoleshent vëzhgues, pastaj i ri borgjez dhe estet sallonesh… Për shkrimtarin, i vetmi mjet për tëgjetur kohën e humbur me anë tëpërdorimit tëndriçimeve të kujtesës së pavullnetshme,është tëhumbasëmes vuajtjeve deri në vdekje e tëshndërrohet në vepër arti. Duke e kuptuar se “ekziston, padyshim, tjetër gjë dhe jo hiçiqë mund të krijohet nëpërmjet artit”, ai orvatet ashtu si heronjtë e tij: shkrimtari Bergot, piktori Elstir, muziktari Vëntej, të “nxjerrë esencën e ndjesive tona për t’ua bashkuar ngjarjeve të mundshme të Kohës metaforike”.

Prusti ka krijuar një nga analizat e para të shoqërisë dhe të individëve që e përbëjnë atë, duke hartuar një anketë vetjake për të vërtetën e shpirtit njerëzor dhe të esencës së kohës. Gjeneza e motiveve në librat e tij është një proces i veçantë për formësimin e rrëfimit: gjithçka nis me fragmente shënimesh të shpërndara (fletoret e para), pastaj vjen bashkimi i tyre në njësi rrëfimtare me fletore të numërtuara. Për shembull, në një fragment shënimesh në fletoren 57 ai shkruan: “Unë do t’ia arrij, sepse e kam kuptuar që ka të vërteta në esencën e përbashkët të kujtimeve dhe kjo është ajo që dëshiroja të mësoja”. Duke njohur shoqërinëe lartë, aimundi tëjepte botën e vogël snobe tëkohës, ku borgjezia e pasur (rrethi i Verdyrenve) dhe aristokracia (Germantët) fillojnë të shkrihen e të barazohen. I ndjeshëm ndaj ndryshimeve që ndodhin në jetën e brendshme të njeriut, Prusti vuri re se te i njëjti individ dëshirat dhe pasionet u nënshtrohen fuqive të pavetëdijshme e imagjinaredhe mbeten relative e të përkohshme.

Për shembull, faqet e para të romanit Për Suaninme të cilin nis romani i madh Në kërkim të kohës së humburpërshkruajnë kujtesën e vdekur për kohën në Kombre (Combrey), në të cilin rrëfimtari kalonte pushimet e fëmijërisë, që ringjallet pak nga pak; krejt pjesa tjetër e tekstitpërbëhet nga kujtesa e gjallë që i solli atij mahnitja pas kujtimeve dhe rikujtimeve të kohës së ikur duke shijuar madlenën (një lloj ëmbëlsire e vogël me brumë në formë vezake) e zhytur në çaj. Dhe pak a shumë të gjitha librat e ciklit janë rindërtim i së shkuarës përmes kujtimeve.

Ndërtimi muzikor i frazave, përdorimi i hollë i imazheve dhe metaforave, fryma impresioniste e rrëfimit, teknika e monologut të brendshëm, karakteri i mbyllur i tekstit që e trasformon objektin e vet të dukshëm nëesencë të shkrimit, e bëjnë veprën e Prustit, fillimisht të pritur jo mirë nga kritika, një nga piketat themelore të historisë së letërsisë universale.

Shumë studime janë bërë për muzeun imagjinar të Prustit dhe për gjenealogjinë e ideve dhe ende vazhdojnë të zbulohen ide të reja në prozën e tijtashmë të shqyrtuar aq shumë. Si krijim i madh për një unë të prekshëm deri në skaj dhe tepër të vetëdijshëm, Në kërkim të kohës së humbur, është edhe territori i të gjitha ndjesive, i të gjitha pasioneve, i të gjitha debateve filozofike e social-politike, i modës, i zakoneve, i individëve tip dhe i grupeve shoqërore shumë të përcaktuara në kapërcyell tëshekujve XIX dheXX.

Vepra e tij na fton të pyesim për ekzistencën e vetë kohës, për relativitetin e saj dhe paaftësinë e njeriut që të kuptojë të tashmen. Një jetë rrjedh pa qenëtë vetëdijshëm për këtë fakt dhe vetëm një ndijim i rastësishëm: te Prusti shija e madlenës apo pengimi në kalldrëmin e hotelit të Germantëve etj., bëjnë që të brofë në vetëdijen e tij e kaluara me tërësinë e saj. Episode të tilla e mbushin me mrekullira Në kërkim të kohës së humbur dhe bëjnë të kuptosh se vetëm koha që ka ikur, ajo që ka humbur, ka vlerë. Nga lëvizja e mendimit prustian, sillen gjithnjë të dhëna të reja që shpien më vonë në riorganizimin e tërë tekstit ekzistues dhe kështu pafundësisht.

Redaktimi i “Në kërkim të kohës së humbur”

Prusti shkroi Fund (Fin), kur mbaroi së shkruari edhe tekstin e fundit të krejt ciklit romanor Në kërkim të kohës së humbur në pranverë të vitit 1922, por shtypja dhe korrigjimi i bocave para botimit bën pjesë në punën e fundme dhe ndonjëherë vendimtare të shkrimtarit për një vepër. Ja si i shkruan ai mes të tjerash botuesit Gaston Gallimard në qershor 1922: “[…] nuk mund t’ju them […] puna për ribërjen e këtij daktilografimi, në të cilin shtoj kudo dhe ndryshoj gjithçka, sapo ka filluar”.

Ai kishte botuar katër libra të ciklit: Du côté de chez Swann (Për Suanin), 1913, me tri pjesë apo vëllime, njëri prej të cilëve është Un amour de Swann (Kur dashuronte Suani), vënë në një shqipe të përsosur nga përkthyesi Edmond Tupja; À l’ombre des jeunes filles en fleurs (Nën hijen e vashave në lule të moshës), 1918, çmimi Goncourt 1919; Le côté des Guermantes (Për Germantët), me tri pjesë, 1920-1921 dhe Sodome et Gomorrhe (Sodom dhe Gomorr),me dypjesë, 1921-1922. Tre librat e tjerë u botuan pas vdekjes: La Prisonnière, 1923 (përkthyer Robinja nga Edit Dibra, përkthyesja e Prustit, një titull mjaft domethënës dhe i gjetur) – ai sapo kishte filluar së korrigjuari bocat e shtypshkronjëssipas tekstittë tij të hedhur në të pastërdhe u shua kur ishte duke përpunuarpër të disatën herë fragmentin për vdekjen e Bergotit;Albertine disparue (Albertina e zhdukur), 1925 dhe Le Temps retrouvé (Koha e rigjetur), 1927.

Libri i pare është himn për dashurinë e Suanit me Odetën; i dyti himn për rininë,por me një lloj qartësie dhe qetësie që dëshmojnëmë shumëpjekurinë e romancierit se sa realitetin e jetuar nga djali iri; i treti përshkruan betejën midis kohës së shkuar dhe asaj që është duke u jetuar, me zërin që ndryshon në pubertetkur papritmas seroziteti ende ngurrues do të shpërfaqet i lirëdhe gjithçka do tëlëkundet, vdekja do tështrijë tashmë hijen e saj tëerrët. Libri ka lëndë të ngjeshur dhe të gjitha episodet janë të lidhura; i katërti që në titull “vë në dukje simetrinë e dy qyteteve biblike dhe romani do të ishte disi i pakuptueshëm pa prologun në fund të pjesës së dytëtëGermantëve: Sodom dhe Gomorr I, domethënë takimi midis Sharlys (Charlus) dhe Zhypjë (Jupien)”, shkruan Antoine Compagnon në parathënie (Sodome et Gomorrhe, Gallimard, Paris, 1988, p.7) dhe qëështë një nga specialistët e veprës së Prustit; libri i pestëka vetëm dy personazhe Albertinën dhe Marselin me një aventurëtë çuditshme dashurie,një mrekulli krijuese, një vepër monumentale, simfoni, pikturë, poemë ku lulëzon në mënyrën më të përkryer stili prustian dhe qëu botua fill pas vdekjes së autorit. Për këtë libër, në fund të tetorit 1922 Prusti ende i shkruante botuesit:  “Me përkushtimin që tregova për La Prisonnière (gati për t’u rilexuar), […] mirë do të ishte që të më dërgonitbocat e para që t’i korrigjoja; ky përkushtim, veçanërisht në gjendjen time të tmerrshme shëndetësore të këtyre ditëve, i ka shmangur disi prej meje vëllimet e tjera” (Marcel Proust, Correspondance, Gallimard, 1989, p. 90). Por vdekja i tejkaloi qëllimet e tij: ai diktoi, pastaj shkroi vetë ngaqë kishte vështirësi në frymëmarrje dhe mbaroi me penë në dorë kur ishte duke ripërshkruar me imagjinatë një vdekje tjetër, atë të shkrimtarit në libër; libri i gjashtëqëmbyll ciklin për Albertinën,nis me frazën për ikjen e saj, domethënë është një roman që zhvillohet “me një të munguar, në të cilin zotëron një tonalitet prej mugëtire (Anne Chevalier, Albertine disparue, Gallimard, Paris 1989, parathënia f. VIII), pjesa e parëe këtij romani paraqet një dhomë zie me perde të ulura. Kështu lexuesi e ndjek këtë historitë plotë; i fundit, domethënë i shtatiLe Temps retrouvépërshkruan ngazëllimin e krijuesit si një privilegj që transfiguron një ekzistencë, e cila fillimisht i është kushtuar vuajtjes.“Shkrimtari është përkthyes i veprës që mbart brenda vetes”, thotë Prusti, dhe e fton lexuesin që të zgjojë unin në kërkim të botës së vërtetë.

Le të rikthemi paksa te La Prisionière, qëështë libri i parë i botuar pas vdekjes së Prustit dhe përuron serinë e tre librave të mbaruar, por pa korrigjimet e tij përfundimtare në bocat e shtypshkronjës. Ai pa vetëm fillimin e tekstit të daktilografuar sipas dorëshkrimit tëtij e që e ngarkoi me shënime. Me përpunimin e fragmentit për vdekjen e Bergotit përpara tablosë Pamje nga Delfti e Ver Meer-it (Jan Vermeer), autori thekson “idenë e rrugëtimit të shkrimtarit drejt vdekjes, që ndryshon nga rrugëtimi i kundërt i veprës së tij që shkon drejt pavdekësisë. Fitorja e artit ndaj vdekjes fizike”, shkruan Jean Milly në parathënien e romanit La Prisonnière. Pra, botuesi u përball me shtesa dhe ndreqjetë shumta, por megjithatë e vendosi botimin e tij në një kohë sa më të shpejtë. Aq më tepër që një frazë e shkurtër në fund tëSodome et Gomorrhe II lajmëronte emrin e Albertinës. Futja e romaneve për Albertinën në vazhdimësi të tekstit kryesor, përuruar nga vetë autori, ishte një lehtësim i madh për botuesin. Imagjinata e Proustit në këtë libër ka krijuar episode madhështore.

“E ndehur tërësisht mbi shtratin tim, me pamje tënjë natyrshmërie që nuk mund të sajohet, fytyra e saj më dukej sinjë degëz e lulëzuar që e kishin vendosur atje, dhe në të vërtetë kështu ishte: pushtetin e ëndrrës që e kisha në mungesë të saj, e rigjeja nëato çaste që i ndodhesha pranë, sikur duke fjetur ajo ishte kthyer nëbimë. […] Dëgjoja këtë flurim shushuritës, të mistershëm,tëëmbël si një puhi deti, përrallor si dritë hëne, që ishte gjumi i saj. […] Ajo që përjetoja atëherë ishte një dashuri përpara një gjëje aq të kulluar, aq të palëndët dhe aq të pakuptueshme si të kisha qenë para krijesave pa frymë që janë bukuri e natyrës” (La Prisonnière, GF Flamarion, Paris, 1984, f.162).

blank

Mendimi kritik

Në sajë të shkrimit,Prusti propozon botën e tij duke rikrijuar kohën, atë që gjithnjëi shpëton vëmendjes sonë.“Kjo metaforë apo ky model i romanit si peizazh, sinjë territor që e njohim vetëm duke ecur, krijon një fenomenologji të tërë leximi. Përgjatë tridhjetë ose pesëdhjetë faqeve të para të një romani lexuesiështë i hutuar dhe zakonisht ndihet ipështjelluar, i mungojnë pikat e referimit, nuk e di se ku do të shkojë. Pastaj bota e romanit i bëhet më e afërt:lexuesi ndërton një model pritjeje që ecuria e intrigës e vërteton dhe e korrigjon; ai ndihet përherë e më tepër në shtëpinë e vet. Por përvoja fillestare dhe paksa e lodhshme- një ndjesi çorientimi, humbjeje referimi, ndoshta edheankthi,ashtu si ndodh kur ecim me kujdes në një shtëpi të kredhur në errësirë, apo në një qytet të panjohur – është e paçmuar” (Antoine Compagnon, Proust, la mémoire et la littérature ‘Prust, kujtesa dhe letërsia’, Collège de France, Odil Jacob, Paris, 2009, p.15).

Kritika ka shkruar se romani modern fillon me Prustin. Duke thyer modelin me nocionin e intrigës,ai shpik një mënyrë të re të shkruari; në bazë të kujtimeve e meditimeve të rrëfimtarit ndërtohet një univers i madh fiksional. Struktura e ciklit të romaneve me një titull përgjithësues e dëshmon më së miri këtë. Temat qarkullojnë sipas një harte me peizazh gjithëstinor dhe një loje lidhjesh që përafrohet me poezinë filozofike të fjalës. Prusti donte tëjepte jetën në lëvizje pa ndonjë rregull tjetër, veç atij të luhatjeve që karakterizon kujtesën emocionale. Ai ka lënë portrete të papërsëritshme, ka krijuar vende tëreja me imagjinatë, ka dhënë ide të reja përmes imazheve të mahnitshme të një kohe të rijetuar. “Uni ynë përbëhet nga mbivendosja e gjendjeve tona të njëpasnjëshme. Por kjo mbivendosje nuk është e palëvizshme” (Albertine disparue, Flamarion, Paris, 1989, f. 126).

Më shumë se dyqind personazhe marrin jetë nga pena e tij duke përshkruar katër breza. Autori rikrijon vende kujtimesh, bukurish, vende që lidhen me fëmijërinë në Kombreapo në sallonet pariziane me mjediset aristokratike dhe borgjezeplot dëfrime, të përshkruara nganjëherë me një penë të mprehtë prej rrëfimtari ironik. Ky teatër social frymëzohet shpesh nga njerëz të vërtetë, për të cilët Prusti krijon portrete të paharrueshme, por që nuk uafsheh as tiparet komike, veset, dobësitë, çoroditjen. Personazhet që sjell ky vërshim shkrimi prustian, të cilët kanë tipare dhe karaktere të ndryshme, i janë nënshtruar provës së kohës. Kështu në kërkim të kohës së humbur është shndërruar në tablo të gjallë të epokës.Me personazhet si:Odetë, Suan, Zhilbertë, Orianë, Shën-Lu, Morel, Madam Verdyrën, princesha Germante, Albertinë, Sharlys, krijohet një lidhje dhe vazhdimësi nga romani në roman. Njëri prej personazheve, Sharlys (Charlus) është kthyer në hero i fiksionit botëror. Mendje e çuditshme, i mbrujtur me paragjykime feudale, por edhe me kulturë europiane (një emision radioje i këtij viti e quajti “mesjetari i kohëve moderne”), ai është mbase personazhi i parë homoseksual i letërsisë. Prusti është një ndër romancierët e parë europianë që e trajtoi homoseksualitetin në veprën e tij si fenomen.

Koha nuk ekziston as në të tashmen, as në të ardhmen, por vetëm në të shkuarën, kuptimi i vetëdijshëm i së cilës është i afërt me vdekjen, thotë Prusti. Zbritja në shkallaren e Germantëve, gjatë së cilës rrëfimtari nuk i njeh menjëherë ata që kanë qenë bashkëkohës të tij, simbolizon pamundësinë për të parë kohën që kalon mbi ne ashtu edhe mbi të tjerët. Vetëm vetëdija e kohës që ka ikur arrin tëna japë ndjesinëe përditshmërisë së copëzuar.Me këtë vizion Prusti donte t’i shpëtonte ligjit të kohës për të mbërthyer me anë të artit realitetin e fshehur në pavetëdije e të “rikrijuar” nga kujtimet tona.Dhe ne i dëgjojmë e i shohim përmes fjalës së tij kambanoret e Martinville-t, bisedat dashurore të Suanit apo vallen e kokave te Për Germantët…“Irealiteti i tij nuk qëndron vetëm te fakti se ai e shndërronnëstrehëtë errëtdhe të dashur për lexuesin, por edhe te dyzimi. Ai është jo vetëm hero dhe aktor, por edhe shikues i veprimit të tij. Unit empirik që sapo përshkruhet, i kundërvihet uni përtejshqisor (transcendantale) që bën të mundur njohjen nga ana e tij të unit objekt dhe unit qëështësubjekt i perpektivës së rrëfimit” (Jean-Yves Tadié, Proust et le roman (Prusti dhe romani), Gallimard, Paris, 1971, f.31).

Prusti e pagëzon sonatën e kompozuar nga Vëntej si himn të dashurisë së Suanit për Odetën në romain Un amour de Swann. Kjo përgjigje në një letër tregon se sa mbresa të thella kanë lënë Suani dhe Odeta te lexuesit: “Zonjë, Ju deshët të dinit se si duket Zonja Suan e moshuar. Nuk është shumë e thjeshtë që ta përmbledh me pak fjalë, por mund t’ju them se ajo është bërë më e bukur.

Kjo gjëshpjegohet sidomos me atë që ndodh në moshë tëpjekur. Odeta mënë fund u zbulua ose u shpik. Një fizionomi vetjake, një karakter i qëndrueshëm, një bukuri e veçantë. […] Dhe mbi tiparet e saj tëçrregullta që për një kohë të gjatë u dorëzoheshin tekave të rastit […], ajo vuri këtë tip të palëkundur si një rini të përjetshme (Proust, Tekste, Aneks n.1, Gallimard, Paris,1989, f.45).

Analiza e snobizmit dhe e shoqërisë aristokrate dhe borgjeze të kohës së tij e bën veprën e Prustit një pyetje të madhe rreth shkaqeve shoqërore të formësimit tëindividit dhe të lidhjeve të tij me të tjerët, që janëinstrumente të ngjitjes apo të rënies. Ai është moralist, “Por një moralist që ndriçon me një ironi të pamëshirshme veset tona më të fshehta, dashuritë tona më foshnjarake […] Kështu, filozofia bashkëkohore e Prustit, lidhet me një inteligjencë të pavullnetshme, e ngjashme me vullnetin e Qenies, e cila shqipton qartë në imagjinatë ndjeshmërinë, me të cilën përbëhet thellësia e kujtesës. […]  Jeta sekrete e njeriut është roman; një roman i shkruar përjetësisht në trurin e tij […] (Julia Kristeva, Koha e ndjeshme, Gallimard, Paris, 1994, f. 5, 598).

Ashtu si Balzaku, Proust-i ka ditur të krijojë një botë imagjinare, të populluar me personazhe që njihen sot si tipa, në të cilët mishërohet një karakteristikë e veçantë si: ambicia, çinteresimi, epërsia, rrëmbimi, dashuria, xhelozia, zemërimi, mondaniteti, plogështia… Gjithë vepra e tij shquhet për humorin e saj dhe përdorimin e metaforës. “Me shtatë librat dhe vëllimet përkatëse me rreth 3724 faqe (sipas botimeve) À la recherche du temps perdu, romani kryevepër më i gjatë në botë të llahtaris”, thotë Daria Galanteria, shkrimtare italiane dhe profesore e frëngjishtes në universitet. Romanet prustiane mund të lexohen sipas radhës, por edhe të veçuar.

Stili i tij i të shkruarit të kujton shpesh stilin e të folurit, i karakterizuar ndonjëherë nga një frazë e gjatë “që të shastis me shpjegimet në kllapa qëe mbajnë paksa në ajër si ballonat, marramendëseme gjatësinë e tyre, duke të futur në një rrjet ndodhish aq tëngatërruara, sa do tëmbeteshim tështangurnga muzika e saj, nëse nuk do tëna tërhiqte papritmas ndonjë mendim injë thellësie të panjohur. (Charles Dantzig, Dictionnaire égoïste de la littérature française, 2005, p. 700), porsipas “ritmit të një zhdërvjelltësie të pafund. Ai e pasuron tekstin e tij edhe me fraza të shkurtra, sepse ideja e përgjithshme se proza e Prustit përbëhet vetëm nga fraza të gjata është e gabuar (sikur, veç kësaj frazat e gjata të ishin një e metë)”. (Georges Cattaui, Proust, Dictionnaire Laffont-Bompiani, t.III, 1990, p.794).

Gjenia e Prustit qëndron te stili i tij, te fjalitë e gjata, që ndjekin spiralen e krijimtarisë, por edhe të gjendjes së tij shëndetësore, sipas disa studimeve psikanalitike të veprës. Kritika ka arritur në përfundimin se cikli i romaneve Në kërkim të kohës së humbur përfaqëson ripërtëritjen e përvojës letrare, një përpjekje pak a shumë metafizike dhe përbën bashkë me veprat e autorëve të mëdhenj të shekullit XX një etapë themelore në formësimin e prozës bashkëkohore.

Vlerësimi

Për romanin Në kërkim të kohës së humbur (À la recherche du temps perdu) janë shkruar më shumë libra dhe studime se për çdo shkrimtar tjetër francez. Ai është krahasuar me Montenjin (Montaigne). Madje André Gide (Zhid), pasi botoi Prusti librin e dytë shkroi se “për të kuptuar Prustin duhen lexuar Saint Simon dhe Montaigne”.

Eshtë skenarizuar për film gjithë cikli romanor dhe vepra të veçanta të tij, madje njëra prej tyre ka shërbyer si libret për balet.

Me kalimin e kohës Prusti është shndërruar në një nga autorët madhorë të shekullit XX dhe në botë mbahet si njëri nga autorët më përfaqësues të letërsisë frënge në të njëjtën shkallë si Dante, Shekspiri, Servantesi, Gëte, Folkneri në vendet e tyre dhe identifikohet me thelbin e asaj që quhet letërsi.

“Në sajë të artit, në vend që të shohim vetëm një botë, tonën, ne e shohim atë të shumëfishuar, dhe sa më shumë artistë originalë që të ketë, aq botë do të kemi, të ndryshme nga njëra-tjetra, si ato që udhëtojnë në pafundësi dhe që shumë shekuj më pas kur ka shteruar burimi, nga i cili ka ardhur, burim që quhet Rembrandt apo Vermeer, na dërgojnë ende dritën e tyre të veçantë.” (Proust, Le Temps retrouvé ‘Koha e rigjetur’, Gallimard, Paris, 1989, f.75).

Mes autorëve dhe kritikëve të panumërt mund të përmenden: Antoine Compagnon, Jean-Yves Tadié, Gilles Deleuze, François Mauriac, Julia Kristeva, Maurice Blanchot, Albert Thibaudet, George Poulet, Philipe Sollers, Samuel Beckett, George Picon…

Ka një çmim të quajtur Marcel Proust.

Shumë ngjarje letrare, artistike dhe kulturore mbajnë emrin e tij.

Prusti po përkthehet edhe në shqip. Mendoj se ai duhet të futet në programet e Universitetit të Letërsisë për ta pasuruar horizontin e lexuesve të rinj me vizionin e një shkrimtari qëtashmë ipërket imagjinatës kolektive të njerëzimit.

(Marrë nga ExLibris)

blank

Dorëheqja e parë – Nga Marcel Proust – Përktheu Feride Papleka

Dorëheqja e parë është nxjerrë si tregim nga romani Në kërkim të kohës së humbur dhe është botuar me disa autorë të tjerë francezë. Aty tregohet pafajësia fëmijërore dhe pasioni i një mëme të dashur. Duke lexuar tregimin të rrëmben një mallëngjim dhe një emocion i thellë për ato skena të papërsëritshme familjare. Kjo është mënyra me të cilën di të shkruajë vetëm Marcel Proust-i.

Unë nuk ia ndaja sytë mëmës. E dija se kur të uleshim në tryezë, nuk do të më jepnin leje të qëndroja aty gjatë gjithë darkës dhe që për mos ta kundërshtuar tim atë, mëma nuk do të pranonte ta puthja disa herë në sy të të gjithëve, siç do të kisha vepruar po të isha në dhomën time. Gjithashtu, në dhomën e ngrënies kur e ndieja se po afrohej ora e caktuar, unë zija të bëja me atë puthje që do të ishte tepër e shkurtër dhe e shpejtë, gjithçka që mund të bëja fill i vetëm, zgjidhja me sy vendin, përgatitesha që në sajë të këtij fillimi me mend të puthjes, t’i kushtoja krejt minutën që do të më falte mëma, përfytyroja faqen e saj në buzët e mia, ashtu si një piktor që duke siguruar vetëm seanca të shkurtra pozimi, bën gati paletën dhe ravijëzon me mend sipas skicave, tërë atë që gjithsesi mund të vizatonte në prani të modelit. Por, para se të shtrohej darka, gjyshi pati mizorinë e pavetëdijshme të thoshte: “Vogëlushi duket i lodhur, do të ishte mirë të ngjitej për të fjetur. Për më tepër, sonte do të rrimë vonë”. Dhe im atë, që nuk u përmbahej me aq përpikëri rregullave, sa ç’u përmbaheshin gjyshja dhe mëma, tha: “Epo mirë, shko të flesh”. Unë desha ta përqafoja mëmën, por në atë çast u dëgjua tringëllima e zilkës. “Ik tani, lëre mëmën, i keni thënë mjaft njëri-tjetrit natën e mirë kështu, këto gjeste janë qesharake. Hë, pra nisu!”. Dhe m’u desh të largohesha menjëherë e të ngjisja çdo shkallare, siç thotë një shprehje popullore, “kundër dëshirës”, kundër zemrës që vlonte të kthehej pranë mëmës, sepse duke më puthur ajo s’i kishte dhënë leje zemrës sime të më ndiqte pas! Shkallarja e nëmurku më duhej të ngjitesha përherë i pikëlluar, lëshonte një aromë vërniku, që në njëfarë mënyre kishte përftuar dhe shkrirë në vetvete atë lloj të veçantë hidhërimi që përjetoja çdo mbrëmje e që ndoshta ishte ndjeshmëria ime që e bënte të tillë.

Me t’u ngjitur në dhomën time, m’u desh të zija të gjitha daljet, të mbyllja kanatat, të hapja varrin tim duke shprishur mbulesat e të vishja këmishën e natës si qefin. Megjithatë, para se të varrosesha në shtrat, pata një ndjesi kundërshtimi, desha të provoja një dredhi si i dënuar që isha. I shkrova mëmës duke iu lutur të ngjitej për një gjë të rëndësishme, të cilën nuk mund t’ia thosha në letër. U trishtova, sepse Fransuaza, kuzhinierja e hallës, që i kishin thënë të kujdesej për mua që kur ishim në Kombre, nuk pranoi ta merrte letrën. Isha i bindur se ajo e kishte aq të pamundur t’i çonte një porosi mëmës, në mes të bisedës kur kishte njerëz, sa ç’do t’i dukej një portieri teatri që t’i dorëzonte një aktori letër kur luante në skenë. Për gjërat që mund të bëhen ose s’mund të bëhen, ajo kishte një kod të rreptë, me shumë pika dhe me hollësi; si ato ligjet antike që përbri përshkrimeve rrëqethëse siç është masakrimi i fëmijëve të gjirit, ndalojnë me një delikatesë të tepruar zierjen e mishit të kecit në qumështin e së ëmës, apo ngrënien e dellit të kofshës së bagëtive. Duke e gjykuar nga kryeneçësia e beftë që shfaqte për të mos kryer disa porosi që i jepnim, ai kod dukej se lidhej me komplekset sociale dhe me stërhollimet mondane, të cilat nuk ia kishte frymëzuar as rrethi shoqëror e as jeta e saj si shtëpiake fshati. Në ndonjë rast, neni i kodit për të cilin kishte të ngjarë që, përveç po të binte zjarri, Fransuaza nuk do të shkonte ta trazonte mëmën në prani të zotit Suan për një njeri kaq pa rëndësi, siç isha unë, shprehte nderimin që kishte ajo për prindërit – njëlloj si për të vdekurit, priftërinjtë e mbretërit, – por edhe për të huajt, të cilëve u shprehim mikpritje, u tregojmë respekt që mbase do të më kishin prekur po t’i kisha lexuar në faqet e një libri, por që përherë më bezdiste kur e dëgjoja nga goja e saj, nga ai ton i rëndë e mallëngjyes që kishte kur fliste për këtë gjë e aq më tepër atë mbrëmje kur karakteri i shenjtë që i jepte ajo darkës, e shtynte të mos pranonte ta prishte seriozitetin e ceremonisë. Për t’i dhënë të drejtë vetes, unë nuk ngurrova ta gënjeja e t’i thosha që s’isha unë që kisha dashur t’i shkruaja mëmës, por ishte ajo që, duke u ndarë, më kishte porositur të mos harroja t’i ktheja përgjigje lidhur me diçka që m’u lut ta kërkoja; dhe se do të zemërohej shumë keq, nëse nuk i shkruaja dy fjalë. Më duket se Fransuaza nuk më besoi, sepse ashtu siç ishin parandjenjat e njerëzve primitivë më të fuqishme se tonat, ajo e përcaktonte menjëherë të vërtetën që doje t’i fshihje, nëpërmjet disa shenjave të pakapshme për ne; e vështroi zarfin pesë minuta me radhë, sikur shqyrtimi i letrës dhe mënyra e shkrimit do t’i shpjegonin natyrën e përmbajtjes ose do t’i mësonin se ç’neni të kodit të saj duhej t’i referohej. Pastaj ajo doli me një pamje të përunjët që dukej sikur thoshte: “A nuk është fatkeqësi për prindin të ketë një fëmijë të tillë!” U kthye pas pak për të më njoftuar se ishin ende duke ngrënë akulloren dhe se qe e pamundur për kamarierin t’ia jepte letrën tani para të tjerëve, por që, kur të ishin duke larë duart, do ta gjente mënyrën për t’ia dërguar mëmës. Sakaq ankthi im ra; tashmë nuk ishte si pak më parë; pra nuk qeshë ndarë me mëmën për deri të nesërmen; meqë i shkoi letra ime, – sigurisht duke e zemëruar (mbase dyfish, sepse kjo taktikë më nxirrte qesharak në sytë e Suanit) – së paku po hyja i padukshëm e i mrekulluar në atë kthinë ku ajo do t’i fliste në vesh Suanit për mua, në atë dhomë ngrënieje të ndaluar e armiqësore, ku më dukej se rrinin fshehur kënaqësi egoiste dhe tmerrësisht të trishtuara, ngaqë mëma i shijonte larg meje. Ankthi hapej si një frutë e pjekur që zbutet dhe çan lëkurën, derdhej e projektonte gjer në zemrën time të dehur sytë e mëmës duke lexuar fjalët e mia. Tashmë nuk isha më larg saj; pengesat ishin zhdukur: një fill i mrekullueshëm na bashkonte. S’ishte vetëm kjo: mëma do të vinte patjetër!

Sëkëlldia që më kapi atypari, lidhej me mendimin se Suani do të ishte tallur keqas po ta kishte lexuar letrën time dhepo ta kishte zbuluar qëllimin ose në të kundërt – siç e mësova më vonë, atë e kishte bërë të vuante për vite të tëra një ankth i ngjashëm – askush më mirë se ai nuk do të kishte mundur të më kuptonte; ankthin që ndihet kur krijesa që duam është duke shijuar kënaqësi, atje ku nuk jemi ne kur nuk mund të vemi me të, atij ia kishte mësuar dashuria. Dashuria është e paracaktuar për një gjë të tillë; por kur ka hyrë te ne përpara se të na shfaqet në jetë, siç ndodhi tek unë, ajo pluskon duke pritur e vagullt dhe e lirë, pa ndonjë objekt të përcaktuar për t’u vënë në shërbim të një ndjesie sot, në shërbim të një tjetre nesër, herë-herë si dhembshuri prej biri e herë-herë si miqësi për një shok. Dhe gëzimi që provova kur u kthye Fransuaza e më tha se letra do t’i shkonte mëmës – edhe Suani e njihte këtë gëzim mashtrues – qe i madh.

[…] Mëma nuk erdhi dhe, pa pyetur për sedrën time, (duke treguar kujdes që historia me diçkanë të mos përgënjeshtrohej), më dërgoi këto fjalë me Fransuazën: “Mos prit përgjigje”, që unë prej kohësh e kam dëgjuar aq e aq herë në gojën e portierëve të hoteleve luksoze ose në gojën e shërbëtorëve të shtëpive të bixhozit, t’ia transmetojnë ndonjë vajze të gjorë që çuditet: “Si, nuk të tha gjë? Kjo është e pamundur! Sidoqoftë ju ia dhatë letrën time. Epo, do të pres edhe pak”. Dhe – ashtu siç e siguron ajo veten, se s’ka nevojë për ndihmën e portierit e që rri aty duke dëgjuar ndonjë bisedë të rrallë për kohën që shkëmben portieri me ndonjë gjahtar – unë e shkagova ofertën duke ithënë Fransuazës të më bënte shurup ose të rrinte me mua, u shtriva dhe mbylla sytë duke u përpjekur të mos dëgjoja zërin e prindërve që pinin kafe në kopsht. Por pas disa sekondash, ndryshe nga sa kisha besuar, duke u afruar çasti që do ta shihja, po më rëndonte ideja se mund të flija pa e parë mëmëndhe rrahjet e zemrës po bëheshin përherë e më të trishta, sepse unë e shtoja tronditjen duke i këshilluar vetes një qetësi që ishte pranim i fatkeqësisë sime. Papritur ankthi im iku, më pushtoi një lumturi siç ndodh kur fillon të veprojë një ilaç i fuqishëm që na largon dhimbjen: mora vendim të mos bëja asnjë përpjekje për të mbyllur sytë pa parë mëmën; duhet ta përqafoja me çdo kusht, megjithëse isha i sigurt se do të rrija pa folur me të për një kohë të gjatë. Qetësia që erdhi pas ankthit, më mbështolli me një ngazëllim të jashtëzakonshëm. Jo më e paktë se pritja, qe etja dhe frika e rrezikut. Hapa dritaren pa zhurmë dhe u ula në fund të shtratit, nuk bëja asnjë lëvizje, që të mos më dëgjonin ata poshtë. Edhe gjërat jashtë dukeshin të ngrira në një kujtesë memece, si të mos donin ta turbullonin dritën e hënës, e cila, duke dyfishuar dhe sprapsur çdo gjë nga zgjerimi i pasqyrimit të vet, më i ngrydhët e më konkret se ajo vetë, kishte holluar dhe njëkohësisht e kishte zmadhuar peizazhin si një plan të palosur gjer në çastin që e zbulojmë. Ndonjë gjethe gështenje lëvizte, por fërgëllima e saj e përpiktë, e plotë, e nuancuar gjer në ngjyrimet më të imta dhe bukuria e saj e përkryer, nuk bashkohej me pjesën tjetër, nuk shkrihej me të, mbetej e veçuar. Të shpalosura mbi këtë heshtje që nuk përthithte asgjë, zhurmat më të skajshme, ato që duhej të vinin nga kopshtet e anës tjetër të qytetit, hapeshin lehtë – lehtë me një përsosje të tillë, sa dukeshin sikur bënin së largu pianisimon e tyre, si ato motivet nën surdinë që luheshin nga orkestra e konservatorit, që megjithëse i dimë përmendësh, na duket sikur i dëgjojmë jashtë sallës së koncertit dhe se gjithë ata që kishin shkuar dikur – edhe motrat e gjyshes kur Suani u tregonte vendet – zgjasnin veshin, sikur të dëgjonin për fitoret e largëta të një ushtrie në mësymje, e cila nuk duhej ta kishte kaluar ende rrugën Trevis.

Unë e dija se pozita në të cilën e vija veten, para së gjithash, ishte ajo që mund të kishte për mua pasojat më të rënda, në të vërtetë më të rënda sesa mund t’i kujtonte një i huaj, nga ato që ai beson se shkaktojnë gabimet përnjëmend të pafalshme. Por në edukatën që më jepnin, radha e gabimeve nuk ishte e njëjtë si për fëmijët e tjerë, dhe prindërit e mi e kishin bërë zakon të më vinin njëlloj para përgjegjësisë (sepse pa dyshim s’kishte nga ato, të cilave duhet t’u ruhesha më shumë). Ato gabime siç e kuptoj tani, kanë të përbashkët se i bëja teksa i dorëzohesha një shtyse nervore. Gjithsesi kjo fjalë atëherë nuk përdorej dhe nuk përmendej origjina e saj që do të më detyronte të besoja, se më falej të bija në atë gabim, apo ndoshta, isha i pazoti t’i bëja ballë. Sidoqoftë, unë i njihja mirë si ankthin që u paraprinte ashtu edhe seriozitetin e dënimit që i pasonte; e dija gjithashtu se gabimi që kisha bërë pak më parë, ishte njëlloj si të tjerët, për të cilët isha ndëshkuar rreptë. Nëse dilja në shkallë gjatë çastit që mëma do të ngjitej për të fjetur dhe po të më shihte që isha ngritur për t’i thënë përsëri natën e mirë në korridor, nuk do të më mbanin në shtëpi, do të më nisnin që të nesërmen në kolegj. Kjo ishte e sigurt. Mirë, pra! Do të ishte më e thjeshtë të hidhesha nga dritarja pesë minuta më vonë. Ajo që dëshiroja tani ishte mëma që t’i thosha natën e mirë. Kisha shkuar shumë larg në rrugën që më çonte në përmbushjen e kësaj dëshire, prandaj s’mund të kthehesha pas.

Dëgjova hapat e prindërve që përcillnin Suanin; nga zilja e derës e kuptova se ai u nis, prandaj dola në dritare. Mëma pyeste tim atë në i ishin dukur të mirë karkalecat e detit dhe nëse zoti Suan kishte marrë fëstekë dhe akullore me kafe. “Mua nuk m’u duk keq, tha mëma. Kur të vijë përsëri duhet të përdorim një parfum tjetër “. – S’rri dot pa thënë se më duket që Suani ka ndryshuar, tha halla e madhe, ai ngjan si plak!”. Halla çuditej që e shihte më të moshuar nga ç’e mendonte. Ajo ishte mësuar të shihte te Suani atë adoleshentin e dikurshëm. Dhe prindërit e mi veç kësaj filluan ta quajnë jonormale këtë plakje. “Më duket se ai ka shumë telashe me atë shejtankë grua që shoqërohet në sy të të gjithë Kombreit me njëfarë zotërie Sharlis. Tërë qyteti i merr nëpër gojë”. Mëma shtoi se megjithatë kishte ca kohë që ai nuk dukej edhe aq i brengosur. “Sidoqoftë përherë e më rrallë e bën atë gjest që e ka krejt si i ati, të fshijë sytë e të kalojë dorën mbi ballë. Më duket se në të vërtetë ai nuk e do më atë grua.” – Sigurisht që s’e do më, u përgjigj gjyshi.- Ka kohë që kam marrë një letër prej tij për këtë çështje, por iu përgjigja se unë s’mendoja si ai. Ajo letër i shpreh qartë ndjenjat e tij, së paku ato të dashurisë për gruan e vet. Pa shiko! Ju nuk e falënderuat për Astin, – shtoi gjyshi, duke u kthyer nga dy të kunatat? – Si nuk e paskemi falënderuar! Ta themi midis nesh, unë ia kam kthyer me shumë delikatesë, u përgjigj hallë Flora. – Po, ti e bëre këtë në mënyrë të shkëlqyer: ishte e admirueshme, tha teto Selina. – Edhe ti u tregove e shkëlqyer. – Po, jam krenare për ato që thashë. – Si, këtë e quani falënderim ju! – thirri gjyshi. – Unë e dëgjova këtë, por e marrtë djalli, s’e kuptova se ishte për Suanin. Të jeni të sigurta se ai s’ka kuptuar gjë fare. -Por, shiko, Suani s’është i pagdhendur, e them me bindje se ai e ka kuptuar. Megjithatë unë nuk mund t’i numëroja shishet dhe çmimet e verës!”.

Im atë dhe mëma qëndruan vetëm dhe u ulën një çast; pastaj im atë tha:„Mirë! Po deshe ngjitemi të flemë. – Si të duash, i dashur, sidoqë s’kam pikë gjumi; një kafe aq e lehtë me atë çikë akullore ma hoqën fare gjumin; por më duket se drita e aneksit është ndezur e meqë Fransuaza e gjorë është duke më pritur, po i them të ma zbërthejë jelekun sa të zhvishesh ti”. Dhe mëma hapi derën e thurur të tremes që dilte mbi shkallë. Pas pak e dëgjova të ngjitej për të mbyllur dritaren. Unë dola pa zhurmë në korridor; zemra më rrihte aq fort, sa nuk mund të ecja më tutje; sidoqoftë nuk ishin rrahje nga shqetësimi, por nga tronditja dhe gëzimi. Në parmakun e shkallës u duk dritëza që shpërndante qiriri i mëmës. Pas pak e pashë atë vetë e iu hodha në qafë. Në fillim, ajo më vështroi e habitur, duke mos e kuptuar se ç’po ndodhte. Më pas, fytyra i mori një shprehje të ftohtë, s’më tha as edhe një fjalë, dhe, ç’është e vërteta për një gjë më të vogël se kaq, ajo s’më fliste për ditë të tëra. Sikur të më kishte thënë një fjalë mëma, kjo do të thoshte se ishim pajtuar e se mund të flisnim. Por qe e tmerrshme. Më priste heshtja. Grindja do të kishte qenë diçka foshnjarake përpara këtij ndëshkimi të rëndë. Mëma dëgjoi tim atë që ngjitej dhe, për të shmangur skenën që mund të ndodhte, më tha me një zë ku regëtinte mëria: “Ik, ik shpejt, së paku mos të të shohë yt atë duke pritur kështu si i çartur nga mendtë!”. Por unë i thosha: “Eja të më thuash natën e mirë” dhe ndërkohë që shihja i lemerisur mbi mur pasqyrimin e qiririt të tim eti që tashmë po ngjitej, e përdorja afrimin e tij si një mjet shantazhi, sepse shpresoja që mëma, duke më kundërshtuar ngaqë s’donte të më gjente babai ende atje, do të më thoshte: “Shko në dhomën tënde, se erdha”. Por ishte vonë, shumë vonë, im atë ishte përpara nesh. Pa dashur unë pëshpërita me vete këto fjalë që s’i dëgjoi njeri: “Më mori lumi”.

Nuk ndodhi ashtu. Im atë vazhdimisht nuk e shihte shumë të arsyeshme të veproja siç ishte pranuar në marrëveshjet me mëmën dhe gjyshen, sepse nuk e çante kokën për “parimet” dhe nuk mbante me vete librin Të drejtat e njeriut. Për një arsye fare të rastësishme, ose fare pa shkak, ai në çastin e fundit ma ndalonte një shëtitje krejt të zakonshme, aq të shumëpritur që s’mund të ma mohonin, pa shkelur betimin, siç bëri atë mbrëmje kur shumë kohë para orës rituale më urdhëroi të shkoja për të fjetur. Por edhe ngaqë nuk udhëhiqej nga parimet (në kuptimin që i jepte kësaj fjale gjyshja), ai nuk qe nga ata njerëz që s’tunden nga e vetja. Ai më vështroi paksa me një pamje të çuditur e të sertë, pastaj sapo mëma i shpjegoi me disa fjalë të palidhura se ç’kishte ndodhur, ai i tha: “Shko, pra, me të, meqë the se nuk ke gjumë, qëndro pak në dhomën e tij, unë s’kam nevojë për gjë. – Por, i dashur, u përgjigj me gjysmë zëri mëma, në kam apo s’kam gjumë, kjo nuk ngre peshë fare, nuk mund ta mësojmë këtë fëmijë… – S’është fjala për ta mësuar, – tha im atë duke ngritur supet,- ti e sheh se vogëlushi ka një brengë, duket në fytyrë që është i trishtuar ky fëmijë, dale, ne nuk jemi xhelatë! Kur të sëmuret, do të jetë vonë. Meqë ka dy shtretër në dhomën e tij, thuaj Fransuazës të përgatisë shtratin e madh dhe fli sonte pranë tij. Atëherë, natën e mirë! Unë që s’jam aq i shqetësuar sa ju, po shkoj të fle”.

Nuk mund ta falënderonim tim atë; do ta kishim acaruar me atë gjë që ai e quante ndjeshmëri e tepruar. Unë nuk guxoja të lëvizja; ai ishte ende përpara nesh, trupmadh, veshur me këmishë të bardhë nate, nën shallin prej kashmiri ngjyrëvjollcë e trëndafili që e lidhte rreth kokës qëkur i kishte filluar nevralgjia, me gjestin e Abrahamit që i thotë Sarës të niset me Isakun, në gravurën e Benozzo Gozzolit, të cilën ma kishte dhuruar zoti Suan. Ka vite që ka ndodhur kjo. Muri i shkallares ku pashë të ngjitej vezullimin e qiriut të tij, s’është më. Edhe tek unë shumë gjëra që pandehja se ishin të përjetshme, janë shembur dhe kanë zënë vend gjëra të tjera që më kanë sjellë vuajtje e gëzime të reja, të cilat s’do të kisha mundur t’i parashikoja atëherë, ashtu siç e kam vështirë t’i kuptoj tani vuajtjet dhe gëzimet e dikurshme. Gjithashtu ka kohë që im atë nuk mund t’i thotë mëmës: “Shko me vogëlushin!”. Mundësia e orëve të tilla nuk do të përsëritet kurrë më për mua. Por, ka ca kohë që kur mbaj vesh, kam filluar t’i shquaj fare qartë dënesat që arrita t’i përmbaja para tim eti dhe që shpërthyen, sapo mbeta vetëm për vetëm me mëmën. E vërteta është se ato s’kanë për të pushuar kurrë; dhe vetëm ngaqë tani jeta gjithnjë e më tepër vjen duke u fashitur rreth meje, i dëgjoj sërishmi, si ato kambanat e manastireve që nuk i lënë zhurmat e qytetit të dëgjohen gjatë ditës, aq sa kujton se janë ndalur, por që zënë të kumbojnë në qetësinë e natës.

Mëma fjeti atë natë në dhomën time. Atëherë kur kisha bërë një gabim të tillë, saqë prisja të mos më mbanin më në shtëpi, prindërit e mi më dhanë shumë më tepër nga ç‘do të kisha marrë prej tyre për një veprim të mirë. Edhe kur shprehej me një shpirtmadhësi të tillë, sjellja e tim eti ndaj meje prapë kishte diçka arbitrare, sepse përgjithësisht ajo lidhej më tepër me rrethana të rastit, sesa me një plan të paramenduar. Ndoshta edhe ajo që unë e quaj rreptësi, kur më dërgonte të flija, nuk e meritonte këtë emër në krahasim me mëmën dhe gjyshen, sepse natyra e tij, që në shumë pika s’afrohej me të tyren, pas gjase nuk e kishte pikasur deri atë çast, sesa fatkeq e ndieja veten mbrëmave, çka mëma dhe gjyshja e dinin fare mirë; e megjithëse më donin, s’kishin qejf të më lehtësonin vuajtjen, sepse ngulmonin që të mësohesha për ta zotëruar veten që të më pakësohej ndjeshmëria e të më forcohej vullneti. Nuk e di, nëse do të kishte kurajo im atë, i cili kishte njëdashuri krejt tjetër për mua: por me të kuptuar se vuaja, i tha mëmës: “Shko ta qetësosh”. Mëma ndenji atë natë në dhomën time, dhe, si të donte të mos m’i prishte brerja e ndërgjegjes ato orë, të  cilat ishin krejt ndryshe nga orët që kisha pasur të drejtë të shpresoja, kur Fransuaza që e kuptoi se po ndodhte diçka e pazakontë tek shihte mëmën të ulur pranë meje e që e mbante dorën time në dorën e vet duke më lënë të qaja pa zë, e pyeti: “Zonjë, ç’ka zotëria që qan ashtu?”, iu përgjigj: “Por ai nuk e di as vetë, Fransuazë, është pak nervoz; bëma gati shtratin e madh dhe shko të flesh”. Kështu, për herë të parë trishtimi im nuk u cilësua më si një gabim i pavullnetshëm, por u pranua hapur si gjendje psikologjike për të cilën nuk isha përgjegjës; ndihesha i lehtësuar, sepse nuk më vriste ndërgjegjja për lotët e hidhur që derdhja, mund të qaja pa e quajtur mëkat. Nuk kisha më krenari të sëmurë përballë Fransuazës nga ky ndryshim i ngjarjeve, që, një orë pasi mëma s’kishte pranuar të ngjitej në dhomën time e më ishte përgjigjur në mënyrë mospërfillëse se duhej të flija, ngrihesha në dinjitetin e një të rrituri që më kishte bërë të arrija përnjëherësh pjekurinë që sjell hidhërimi dhe shfrimi në lot. Duhej të isha i lumtur, por nuk qeshë. Më dukej sikur mëma më kishte bërë lëshimin e parë që duhej të kishte qenë i dhimbshëm për të, se ishte dorëheqja e parë nga ana e saj përpara figurës sime ideale që kishte sajuar në mendje, dhe se për herë të parë ajo që ishte aq guximtare, e pranonte humbjen. Më dukej që, nëse kisha arritur një fitore, e kisha arritur kundër saj, se ia kisha dalë mbanë t’ia ligështoja vullnetin, siç do të kishin mundur të bënin sëmundja, brengat, ose mosha, se e kisha bërë të lëshonte pe, dhe, nëse atë mbrëmje po fillonte një epokë, ajo do të mbetej si një datë e trishtuar.

(Marrë nga ExLibris)


Send this to a friend