Opinion në lidhje me poezinë e poetit Faslli Halitit
FASLLI HALITI
Faslli Haliti është thinjur duke shkruar poezi. Kjo është mënyra më elegante dhe më sfiduese për t’u rinuar vazhdimisht. Për lexuesit dhe specialistët e poezisë, emri i tij ka një familjaritet afro gjysmë shekullor.
__________________________________________________________________
Para ca kohësh, poeti i shquar Faslli Haliti, kishte 70- vjetorin e lindjes. Kjo gjë nuk u përjetua si një motiv mediatik. Por askush mos të trishtohet. Për lexuesit dhe specialistët e poezisë, emri i Faslli Halitit ka një familjaritet afro gjysmë shekullor. Meqenëse te ne, nuk ekziston semiologjia e debatit, është tepër e vështirë që të mediatizohet një poet i vertetë, gjë që tregon një karakter relativ dhe spektakolar, jo shume poetik të mekanizmave mediatike. Meqenëse njohja ime me Faslli Halitin është e gjatë, mendoj se duhet thënë patjetër diçka për tipologjinë krijuese të këtij poeti krejt të veçantë.
Ai nuk duket si një 70-vjeçar, nga kjo pikëpamje mund ta krahasoja me ato figurat me “semantizëm” të padukshëm. Nuk kam njohur në jetën time njeri tjetër si ai, që i është perkushtuar poezisë, pa i vënë asnjë kusht asaj. Poezia është nje çeshtje dendësie, kërkon muskuj dhe nerv, për të realizuar kështu një delikatesë të brishtë dhe një vizion universal. Rri shpesh me Faslli Halitin, bisedojmë për poezinë, ndonëse unë si më i pakujdesshëm dhe më dembel në raport me të, jam larguar prej saj.
Faslli Haliti është thinjur duke shkruar poezi. Kjo është menyra më elegante dhe më sfiduese për t’u rinuar vazhdimisht. I kujtoj Faslliut, jetën e Montales. Ai shkroi gjithe jeten vetëm poezi. Ndonëse jam skeptik, nuk mund ta mohoj se vetëm esenca poetike, mund ta shpëtojë gjuhën nga standartizimi global rutinor. Faslli Haliti nuk e artikulon këtë ide me fjalë, por fjalët e tij të shkruara e përmbajnë. Shpesh më kujtohen dy vargje te Helderlinit:
Vete tingujt dalin nga pylli profetik i Dodones.
Ndoshta ne shqiptarët kemi më të drejtë në këtë botë, që të ribejmë tingujt dodonas të poezisë mijevjeçarë.
***
Duke mbeërritur në skajin pllenues të një plotërie të dallueshme dhe të spikatur të krijimtarisë poetike, detyrimisht do të interesohemi për fillesat, motivet zanafillore, projektin fillestar. Kjo ka vlerë për cilindo krijues të mirëfilltë, që mbijeton dhe bëhet pjesë e hierarkive artistike. Duke riparë nga optika e mbas dyzet e ca viteve krijimtari, veprën poetike të Faslli Halitit, e kuptojmë se formulat e interpretimit mund të jenë të përafërta, por asnjëherë shteruese, mund të jenë ndihmëse, shtjelluese, por nuk mund të kemi një Ultima Verba. Kjo gjë rrënjësohet në vetëdijen e lexuesit, nganjëherë sipas konceptvështrimeve të tij, por fuqia kritike ndaj një plotërie poetike, synon përherë gjithëperfshirjen cilësore, gjë, që përcakton tipologjinë shkrimore të një autori të rëndësishëm.
***
Faslli Haliti është një poet i shquar i letrave shqipe, që paraqitet me atributet e origjinalitetit të tij të patjetersueshëm. Ai nuk është i ngjashëm me askënd, është plotërisht dhe thellësisht vetvetja. Në peizazhin e poezisë shqipe të shekujve, shpesh ka perafërsira te vetëkuptueshme te grupe autorësh, të shkollëzave, të stileve poetike, pa mohuar megjithatë ndryshimshmerite e epërshme, të qarta, të paanashkalueshme dot, të koncentruara në unët e individualiteteve. Gjithnjë kam menduar, se do ta kisha të lehtë të beja disa përcaktime lakonike dhe të vërteta për poetin Faslli Haliti. Vetë krijimtaria e tij, që madhëron të thjeshtën dhe të vërtetën, të grish me lehtësi, por në substancë është paksa e vështirë të bësh përqasje, domethënë saktësime për poetin dhe të tjerët. Megjithatë mund të them diçka të ravizuar nga një përvojë tepër e gjatë si dhe nga njohja ime (njohje e dyfishtë, pra edhe e vetë Faslliut), një ndersjelltësie intime, çka përbën një pasuri shpirtërore të padyshimtë.
***
Faslli Haliti i shkroi poezitë e tij të para në fillim të viteve 60′ të shekullit Faslli Haliti. Në poetikën shqipe kish ndodhur një ndryshim konceptual i madh. Ismail Kadare kishte ndryshuar sistemin figurativ poetik, ndryshim ky tepër i vecantë dhe i guximshëm, mbas ndryshimit epokal, qe beri Migjeni ne vitet 30′. Të gjithë poetët e rinj, merrnin frymë, duke ndjerë dhe shqisuar erën e ndryshimeve poetike, sipas përmasave të talentit vetjak. Është e habitshme, por tepër interesante të themi se, poetët e rinj ishin të rrezikuar të binin në ndikime, apo dhe në imitime, për t’u vetëparaqitur si modernë.
Flas për talentet e vërteta, jo për mediokrit. Faslli Haliti qe ndër të paktit poetë, i cili që në fillim synoi origjinalitetin dhe jo imitimin, konstruktoi vetveten, për të mos qenë i ngjashëm. Ky projekt përbën thelbin e tipologjisë krijusese të Faslli Halitit. Që në fillim poezitë e tij perfaqësonin fragmente të një moderniteti jo të sforcuar, larg komplekseve, apo kultizimit të modeleve paraardhëse. I çliruar nga komplekset, Faslli Haliti, krijoi stilin e tij, meritë kjo historike. Faslliu është ai, që është i paperkulshëm, unitar në idetë e tij, por edhe i paimitueshëm në stilin e tij. Ai ndoshta mund të jetë i vetmi poet shqiptar, që mund t’i botojë poezitë pa i nënshkruar, por që të gjithë e kuptojnë, se i ka berë vetëm ai dhe askush tjeter.
***
Përditshmëria, jeta e gjallë “Contagium Vivu” (“Kontakti i Gjalle”) ka qenë vizioni i botës për Faslliun. Kjo përditshmëri lidhet me vendlindjen e tij, me Lushnjën, me tokën, me natyrën e gjallë, të kërthnesët, potenciale, plot të papritura figurative dhe metaforike. Faslli Haliti, kurrë nuk ka mëtuar arratisjen ideore dhe përmbajtësore në lashtësi, as në mistikën misterioze, ai nuk e parapëlqen temën okulte, as vjeljen e strukturave të çuditshme dhe hermetike. Këtu qendron humanizmi i tij i madh, humanizmi i perditshmerise. Ka poetë, që e mallkojnë përditshmërinë dhe synojnë botën e eterme, madje mërgojnë edhe në futuristikë, për të shprehur kështu protestën e tyre të thekshme ndaj përditshmërisë ambikuide, të dyshimtë. Faslli Haliti është njeriu krijues, që e shikon ndryshe përditshmërinë, me guxim i zbulon paradokset e saj, ka një demokaci të lindur dhe të gjërë të motiveve, nuk e ndan botën e gjallë në dy pjesë: në atë që pëlqehet dhe në atë, që nuk pelqehet. Instikti dhe ndergjegjja e jetss te ky poet jan të plotfuqishme.
Por përditshmëria e tij ka një karakter të thellë filozofik. Ai i bën monument të thjeshtës, por dihet, që e thjeshta nuk është gjithmonë e thjeshtë. E thjeshta e vërtetë është e nderlikuar, polivalente. Poeti zbulon semantikat inkandeshente, perplasëse me njera – tjetrën. Ai nuk ngurron të hyjë në dialog me botën, me gjithçka, madje dhe me perëndite, duke bërë kriticizmin e teogonisë, duke na dhënë kështu kozmogoninë e tij poetike, ku njeriu është qenia më tragjike, por dhe më madheshtore, ku sistemet politike janë të lëvizshme si dekoret e një teatri, por pertej butaforive ngrihet lart shpirti i njeriut, që njëson poezinë me lirinë, artin me dinjitetin, që lufton të Keqen, të Dëmshmen dhe i jep fuqi të shpirtit dhe gjakun e tij të trupit të Mirës dhe të Bukurës.
Kjo mund të na çojë drejt një përkufizimi më origjinal të së vërtetës si zbulim. Në këtë pikë vepra e artit shfaq më shumë sesa anën e saj të dukshme, ana e padukshme nënkuptohet, artikulohet emocionalisht dhe mendërisht. Ajo që ekziston në vargje është, shumë më tepër sesa kaq. Subjekti krijues është dhe objekti krijues, thelbësorja në krijim është lëvizja me koncepte të fuqishme të zhvillimit, duke parakuptuar kështu rendin konceptual të ëndrrës, apo projektit artistik të autorit.
***
Stili i Faslli Halitit i takon estetikës natyrore dhe jo estetikës artificiale. Eshtë e vërtetë që njeriu lind esteticien, mund ose nuk mund të behet poet. Cdo vleresim i botës edhe te njeriu më i rëndomtë ka karakter estetik, pavarësisht nga kuotat e lartësisë. Poeti lind për ta vërtetuar këtë gjë. Faslli Haliti ka lindur per te krijuar artin e tij. Është vendi të theksoj se Faslli Haliti është nje poet lakonik, stili i tij është i proverbave, që bartin mencuri të madhe në fjalët e shkurtra. Poezite e Faslliut janë si miniatura dramatike, ku hetohet dhe nuk mohohet kontradikta. Stili i tij është muskuloz, ndërtimi i poezive mbaron me një varg të formës së epilogut. Vesku i epigramave është në laboratorin krijues. Poeti ruan koherencën, por jo njëtrajtshmërinë. Poezia e Faslli Halitit, mund te klasifikohet si një poezi moderne, pa paraardhës dhe pa pasardhës. Duke mos qene i imitueshem, ai eshtë i vertetë deri ne fund.
***
Përmbledhja e poezive është një lloj koleksioni. Nuk mund të them se kjo perzgjedhje është gjithçka, por është një mënyrë të paraqituri, pra një lloj përcaktimi konceptual. Faslli Haliti i takon brezit që në fillim të viteve ’70- të të shekullit Faslli Haliti, formësoi disa individualitete poetike. Dogmat e realizmit socialist, dëmtuan, por qenë të pafuqishme per t’i rrënuar, thërrmuar, pluhurizuar dhe zhbërë keto individualitete. Kjo duket mbas hyrjes në portën e shekullit Faslli Haliti, ku vetëm origjinaliteti poetik mund te ketë një kuptim hierarkik të vlerave artistike. Duke u kufizuar në figurën e tipologjisë krijuese në poetike të Faslli Haliti, mund të shtoja se ky autor ka spikatur edhe në fushën e prozës së shkurtër, të eseve dhe sidomos të perkthimeve. Dua ta mbyll ketë veshtrim paraqitës me thenien latine: “Suus cuique mos” (“Secili ka natyren e vet”).
***
Takohem përsëri me Faslli Halitin. Sapo është kthyer nga Dita e Poezise Boterore, qe u zhvillua ne Selanik, ku mori pjesë. Aty u takua me poete të shquar si Nasos Vajanas, Tito Patriqio, Hristoforos Liondaqi, Antonis Fostieri, Anastasio Vistonici etj. Poezite e Faslliut u vlerësuan lart. Me këtë rast, poeti dhe kritiku shqiptar që jeton në Greqi, Dionis Qirinxidhi beri një intervistë të gjatë, tepër interesante dhe substanciale me Faslli Halitin. Kjo intervistë ishte pikërisht ngacmimi për të pikëzuar një dialog të shkurter me mikun tim Faslli Haliti:
-A mund të vdesë poezia, Faslli?
-Po,mund të vdesë, nëse vdes vetë njerëzimi..
-Cili ka qenë libri i parë që ke lexuar në jetë?
“Aleksandri i Madh”., një libër me tre përralla i Selman Vaqarit. Por libri im, përherë i hapur, jo me shkronja, por me zë, ka qenë nëna ime dhe vetëm nëna ime.
-Cili ka qene shkrimtari i pare qe ke takuar?
-Shefqet Musaraj. Pinte shumë duhan. Ishte i thjeshtë. Kishte zë kumbues. Me të mund të bisedonte edhe një fëmijë.
-Kur e ke botuar poezine e pare?
-Më 22 prill 1963, në moshën 27 vjeç, në gazetën «Drita», ku Kadareja ishte redaktor për poezinë.
-A e kishe takuar më parë Kadarenë?
Jo, sepse poezitë e mia ia dërgonte Skënder Kamberi, shoku im i Liceut, të cilin Kadareja kujtonte se ishte ai Faslli Haliti. Pasta unë isha shumë i ndrojtur. Më vonë, Kadareja më më ftoi vetë në Tirane që të bisedonim rreth poezive që kisha dërguar në gazetën «Drita». Shkova menjëherë në Tiranë. E takova Kadarenë para Hotel Dajtit. Ishte me me Dritero Agollin. Pse, “Ti je Faslli Haliti?”, nuk është ai bruni që më sjell poezitë, më tha i habitur Kadareja. Pastaj shpejt e shpejt, si me ngut më tha: “Ti ke talent të veçantë, por poezia jote ka nevojë për pak krehje”. Kaq. Më vonë ai botoi një shkrim për librin tim të pare “Sot” në gazetën «Drita». Shkrimi që pati shumë impakt në qarqet e rrethet letrare, si dhe në Tiranë. Shkrimi i Kadaresë më inkurajoi dhe, mbi t gjitha, më bëri që të vazhdoja të shkruaja besimplotë.
-Ajo që më habit tek ti Faslli, është se ke studiuar për pikturë. Si vallë, nuk të terhoqi piktura më shumë sesa poezia?
– Edhe Lasgushi, ka studiuar për pikture, por u bë poet. Kështu dhe Taras Shevçenko, Majakovski ishte edhe piktor, edhe ti Moikom, Moikom, gjithashtu je vetë piktor. Si duket, poezia sundon mbi pikturën. Por, them se kjo është njera anë, por e vërteta është se në pikturë unë nuk ndihesha i plotësuar si në poezi. Dihet pastaj se pika e madhe e tërheq pikën e voglël.
-Ti, mendon se e kishe më të madh talentin në poezi sesa në pikturë?
– Siç duket…!
Piktura ka qenë e mirë me mua, kurse poezia me hapi telashe, për tëë cilat ti, je në dijeni, Moikom.
Pasi mbarva Liceun Artistik, më1961, u emërova mësues vizatime në Lushnjë. Pashë se rrethohesha nga nxënës të talentuar në të dy fushta e artit; me krijues të rinj shumë të talentuarnë letrsi dhe në artet pamore, si Sherif Bali në poezi, Besim Golemi në pikture, Maksim Bushi në skulptureë etj, disa nga të cilët sot janë piktorë, skulptorë, poetë e shkrimtarë të shquar si Visar Zhiti në letërsi e, Maksim Bushi në artet pamore, etj.etj. Merresha më shumë me poezi. Po pikerisht poezia qe ajo që më degëdisi arave me bel e shat në krah për të prashitur e hapur kanale dhe jo pak, por 4 vjet në kooperativë e 6 vjet në Kmunale.
Kjo qe jeta ime, pak a shumë i dashur Moikom, në ato vite persekutimesh e autodafesh mesjetare.
-Teper e thjeshte, tepër prozaike.
Në vitin 1998 2001, isha deputet në Kuvend. Ky, mbase, ishte për mua një fare kompesimi.
-Pra, jeta jote nuk ka qenë edhe aq prozaike Faslli. E veshtirë po. Mua më habit këmbengulja jote për të punuar. Ke përkthyer gjithe ato libra.
-Po, kam perkthyer librat poetike të Lorkes, Majakovskit, Himenesit, Esseninit, Preverit, Bukovskit, të Nasos Vajanis, si edhe në prozë librin me tregime të Moravisë “Albina”, si edhe romanin “Pastori i Reixhit” të shkrimtares estoneze Aino Kallas. Kam shume dorëshkrime për të botuar. Deri tani kam botuar mbi 20 libra origjinale e mbi 14 libra me përkthime. Edhe më tepër mund ta kisha botuar, por kam patur veshtirësi e mungesa…
-Megjithate, keni patur nje fat, një familje të shkelqyer.
-Po,e vëtetë. Nuk qahem. Vajzat, Manjola dhe Genta janë diplomuar njera për Biologji dhe tjetra për juridik. Gentiana sot është avokate. kurse djali, Helidoni, është piktor.
-Dhe është piktor i shkelqyer.
Me behet qejfi, sidomos kur këtë e thua ti, Moikom.
***
E pamundur, e pamundur ta ravijëzosh të plotë portretin e Faslli Halitit. Mund të biesh në grackën e thjeshtesisë së tij, por jo ta nënvleftesosh. Shpesh më duket si një moshatari imi. Kaq i gjallë është. Plot plane krujuese. Ka perkthyer poetët italianë Aldo Palacevski, Euxhenio Montalen, Xhorxho Kaprionin, Xhuzepe Hungaretin, Salvatore Kozimodon, dhe sidomos poeten e mrekullueshme Alda Marinin. Ka ndërmend të hape një ekspozitë retrospektive me pikturat e tij. Ka shkruar libra me tregime dhe me esse. Pa dyshim, qe Faslli Haliti e meriton ta kalojë moshën e 100 vjetëve. Të thjeshtët si ai, janë të fuqishëm. Dhe kështu duhet. Ai meriton çdo mirënjohje, ai e ka pasuruar poezinë shqipe me origjinalitetin e tij, gjë që ndodh tepër rrallë në rrafshin e krijimtarisë. AMEN!
Komentet