Çdo komb ka heronjtë dhe tradhëtarët e vet, ka martirët dhe vrasësit e tij. Eshtë e pamundur të gjesh një popull të pastër, qoftë dhe në vendin më demokratik apo më të përparuar të botës, pasi nuk është thjesht historia, por vetë geni njerëzor ku përzihet humanizmi me krimin, heroika me mallkimin, e madhërishmja me poshtërsinë dhe ç’nderimin. Më duket e habitshme optika e atyre që kur diskutojnë në media për të shkuarën, historinë e kombit, atë e shohin veç bardh e zi, çka ka ndodhur së fundi dhe me figura si ish mbreti Zog, Esat Toptani, etj, apo në përgjithësi ndarja e historiesë në të mirë dhe të këqinj. Bota ka qenë dhe do të jetë e tillë, gjithnjë komplekse, shumëngjyrëshe, edhe pse në një përpjekje të vazhdueshe për përsosjen morale të tij. Në një debat të mëparshëm në “Gazeta shqiptare” diskutohej për Napoleon Zervën, masakruesin e çamëve në kohën e shfarosjes apo pastrimit etnik të Camërisë nga shqiptarët muslimanë në kohën e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, nëse ai ishte grek apo shqiptar. Ishte ky debat që më shtyu thjesht t’i referohem dy botimeve të hershme greke dhe franceze për të venë në dukje se pse Zerva ishte një suljot, një shqiptar që si shume suljotë e humbën vendin apo Republikën e tyre pas Revolucionit grek të viteve 1921-1827, se si krahas Boçarit e Xavellës kemi dhe një Zerva e të tjerë si ai. Në librin e tij “Kujtime nga lufta e Pavarësisë “, një nga personalitetet e këtij Revolucioni, Konstantin Metaksa, shkruante rreth Marko Boçarit si shqiptar, që fliste gjuhën shqipe, çka e kanë shkruar para tij dhe kronistë të hershëm të shekujve XVII-XIX, apo konsulli francez François de Pouqueville, etj. Ai kujton në librin e tij çastin kur në Misolongji, para betejës vendimtare në Karpenisi, Boçari mblodhi veçmas trimat e tij suljot, duke u folur në shqip, pasi vetëm në shqip kuptonin: “Të nesërmen e bisedës me Boçarin në Misolongj, Marko thirri gjithë kapitenët, oficerët dhe ushtarët suliotë në hyrjen e një shtëpie të madhe turke, duke u folur atyre në gjuhën e tyre shqipe dhe u mbajti një fjalim patriotik dhe shumë entusiazt… Zemra po më plas kur shoh që bashkëpatriotët e mi më dyshojnë padrejtësisht dhe më largohen sikur unë dua t’i komandoj të gjithë. Përçarjet tona do të sjellin shkatërrimin e suljotëve dhe pikërisht këtë duan dhe armiqtë tanë. Ne e humbën atdheun tonë dhe duam të ndërtojmë një tjetër jetë, por duke qenë të përçarë ne s’do mund ta realizojmë këtë. Ne duhet ta ruajmë famën tonë ushtarake, por a mund ta ruajmë atë duke qenë të përçarë? Ne jemi të pakët në numur, por për shkak të famës që kemi, shumë të huaj po bashkohen me ne dhe lavdia e betejave tona na përket veçse neve. Kur të jemi të bashkuar ne do të krijojmë një trupë të vetme ushtarake: do të jemi suljotë!… Pra piksëpari duhet vllazërimi, besa mes nesh, çka është mënyra e vetme përmes të cilës ne mund të nderojmë atdheun tonë dhe të na bëjë njëkohësisht të dobishëm për lirinë e Greqisë…”
Greku Metaksa ishte bashkëpuntor i Marko Boçarit dhe perfaqësues i qeverisë së përkohëshme greke, por ndërkohë do doja të risillja me këtë rast një tekst të konsullit francez në Janinë Eugene Poujade në vitin 1852, kur i shoqëruar nga Zerva bën një udhëtim drejt Sulit. Pikërisht ky tekst, i botuar në kujtimet e tij, në librin “Kristianë e turq – ngjarje dhe kujtime”, hedh dritë se kush ishte në të vertetë Zerva, të cilin grekët e mbajnë si një helen të kulluar e patriot dhe shqiptarët si një kriminel të madh. Ja çfarë shkruan Poujade: “E vizitova aë teatër të heroizmit i shoqëruar nga kapedani Zerva, një nga familjet e para të këtyre maleve, i cili në fëmijërinë e tij kishte parë luftën e dëshpëruar dhe thyerrjen e atdheut të tij. Niko Zerva kishte marrë pjesë në një kryengritje në Greqi kundër qeverisë së mbretit Othon dhe me një grup suliotësh kishte kaluar në shërbim të pashait të Janinës, i cili i kishte besuar ruajtjen e shtigjeve dhe kufijve të Epirit nga kjo anë, në kufirin me Greqinë. Kapedani Zerva ishte vendosur në Kamarina, gjatë rrugës nga Preveza në Sul, në një kështjellë të vogël buzë një kodrine që krijonte një nga rrafshnaltat e fundit të Sulit. Një burim me ujë të ftohtë gurgullonte nga një grup pemësh të mëdha e shekullore, hijet e të cilave binin mbi tarracën nga ku syri të kapte gjithë peizazhin që shtrihej tutje. Që andej shikohej Saint-Maure i cili shfaqej si një korë ne ngjyrë indigo nga deti Jon e po kështu Preveza e Salobora, të cilat lageshin nga ujrat e errta ngjyrë blu të gjirit të Artës. Sapo u ulëm në atë taracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë. Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ato flokë të gjata e të shpërndara në mënyrë të çrregullt: balli i rruar, këmisha e hapur nga ku u shfaqej qafa e gjoksi që nxehtësia e diellit i kishin rrahur fort, ashtu si dhe fytyrat e tyre ku lexohej një kërshëri e madhe, trimëri dhe një dinakëri që binte në sy. Ishin muslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo “skip”, dhe quheshin “skipetares”. Agallarët u vendosën rreth nesh dhe vëzhgonin me një kureshtje fëminore e të vrazhdë armët e mia, hartat gjeografike që kisha, librat dhe nargjilenë time. Ata vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Camëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre. Në prani të vizitorëve të shumtë të ftuar aty, na sollën darkën dhe Zerva i trajtonte ata me dinjitet, çka e lehtësonte shërbimin e tij si një mikpritës që ishte. Askund në Orient, fisi i tij nuk ishte më i respektuar sesa në Shqipëri, ku njeriu vendas quhet “oxhak”, një metaforë e giximshme kjo siç ndodh në poezi.
Zerva ishte shumë i kënaqur të më tregonte si një helen e kristian që ishte për pozitën superiore ndaj një muslimani. Pas darke, kapedani më çoi të vizitoja në majë të kodrinës rrënojat e një qyteti antik, që të mund të admiroja modhështinë e habitshme të atyre blloqeve të mëdha shkëmbore, pa asnjë lloj prerje, të mbështetura pas njëri-tjetrit, mes pllakash gjigande të vendosura njëra sipër tjetrës në mënyrë solide dhe një art të jashtëzakonshëm e në të njëjtën kohë primitive, aq sa e kishin bërë çimenton të panevojshme të përdorej. Ai më tërhoqi me vete që të shikoja kubenë nëntokësore, portat, amfiteatrin që padyshim përdorej për mbledhjet mes tyre. Pastaj, duke më afruar në cep të rrafshnaltës ku ishim unë u gjenda përballë maleve të magjishme të Sulit e të Paramithisë. Të nesërmen, bashkë me kapedanin, e të shoqëruar dhe nga të tjerët, ne u nisëm në këmbë drejt Sulit. Pasi ndaluam në Zalongo për të vëzhguar shkëmbenjtë e egër, plot driza e shkure ku gratë suliote ishin hedhur në humnerën e thellë, ku vdiqën që të mos ç’nderoheshin. Vëzhguam dhe në Karvari, një fshat i krishterë, ku ndoshta asnjë europian nuk kishte shkelur deri në atë kohë, çka e pikasa në sytë e atyre fëmijëve që kishin marrë një dritë të bardhë e verbuese kur ne mbërritëm në perëndim, në hyrje të grykave të Sulit. Kishte shumë vite që Zerva dhe pasuesit e tij nuk e kishin shkelur djepin e familjeve të tyre dhe varrin e kombit të tyre. Ne vendosëm ti ngjitemi hyrjes së asaj “toke të premtuar” ne një vend ku bukuria e qetësia na ftonte të preheshim. U lamë e u pastruam në ujrat e kthejellta të Akeronit që mërmëriste lehtë në shtratin e tij plot guriçka, përroi më i errët i këtyre maleve. Njerëzit e Zervës ndezën një zjarr të madh dhe na poqën një qëngj “alla palikare”, një mish të shijshëm që e hëngrëm nën dritat e pishtarëve që mbanin tre suliotë mbi kokat tona. Pasi mbaruam së ngrëni, suliotët prenë barërat me jataganët e tyre, duke na krijuar një shtrat gjithë aroma, ku ramë të flinim butësisht. Pastaj ishin ata që u ulën pranë zjarrit të madh që kishin ndezur dhe nisën të këndonin. Një nip i Marko Boçarit, një palikar i ri, me shtat të zhdërvjelltë dhe flokë të verdhë, këndoi në fillim këngën luftarake që tregonte bëmat e Karaiskait. Shqiptarët, suljotët, palikarët helenë, i nisin këngët me një murmurimë të shurdhët dhe të zgjatur që shërbente si prelud dhe shoqërim kënge, me të cilën u bashkuan pothuaj të gjithë ata që ishin të pranishëm. Por kësaj murmurime të përsëritur dy-tri herë, ai tha me një zë të ngadaltë: “Karaikaqi përpara me një ushtri prej 15.000 luftëtarësh”. Atëherë të gjithë ia dhanë këngës fuqishëm e po kështu dhe Zerva që ishte shtrirë pranë meje mbi ato barishte plot aroma, i cili më tha: “Nëse trimi Karaiskaqi do kishte mundur të mblidhte 15.000 burra, lufta e Pavarësisë do kishte mbaruar më herët dhe me rezultate shumë më të mëdha se të atyre që e mbaruan këtë luftë.
Pas këngës luftarake nisi kënga e dashurisë, ku zëri here-herë ishte vajtues dhe herë plot forcë, ashtu me pauza, heshtje, murmurima të ëmbla që si të thuash e shoqëronin atë. Ishte historia e një vajze të re e të dashuruar që kishte pritur gjatë të fejuarin e saj… Po e dëgjoja gjithë kënaqësi atë histori dashurie të pastër nën qiellin plot yje të Epirit, disa hapa larg Akeronit që zhurmonte lehtë nëpër natë, nga ata suliotë në shërbim të një pashai turk. Po flija nën ehot e kësaj poezie të kënduar dhe ishte kapedani që më zgjoi në mëngjes: “Nisemi për udhë”, – më tha ai. – Do të shkojmë në atdheun e suljotëve trima!” Ne filluam i ngjiteshim shtigjeve shkëmbore të vargmaleve të Sulit dhe sa më shumë përparonim aq më shumë peizazhi hapej para nesh e bëhej edhe më madhështor.
Poshtë nesh, në thellësitë e luginës, rridhte Akeroni, murmurimën e të cilit nuk e dëgjonim më. Në pjerrësitë e maleve të pyllëzuara vraponin dhitë e cjapët, të cilët ngrinin kokat me mjekrat e tyre për të vështruar karvanin tonë që shkonte. Ndërkohë, barinjtë, ulur nën hije, u binin fyejve të hijnisë Pan…. Shpejt u ndodhëm në mes të rrënojave të fshatrave suljote. Ja Navariko, Somaniva, Kakosuli, Suli i tmerrshëm, fshati Qafa, me të gjitha shtëpitë e rrënuara ku ende një pjesë murresh qëndronin në këmbë plot trisht. Jasminët e egër dhe lulet e tyre plot aromë mbulonin lakuriqësinë e atyre mureve ku dikur banonte një popull i tërë i lirë e i pavarur. Zerva i njihte shtëpitë dhe më tregonte banesat e njerëzve të tij, të familjes dhe miqve të tij, kopshtet ku barishtet e egra dhe kacavjerrëse kapeshin e ngjiteshin në pemët freutore, të cilat duart e tij i kishin ujitur në fëmijëri. ”E sheh, – më thoshte, – atje, nën atë rrap që ka rujtur hijeshinë e gjethes në mes të asaj pamje të trishtë, ishin varrezat e fshatit tim ku duken ende gurët e thyera të varreve dhe kryqi që dergjet mbi tokë. Por në Athinë, kryqi e ka zevëndësuar gjysmë-hënën. A e shikon atje përgjatë brinjës së asaj maje të përpjetë, atë shteg që gjarpëron dhe ku vështirë të mendosh se kalon një dhi? Atje gratë tona e ngjiteshin bashkë me palikarët tanë, të ngarkuara si dhe ata me ushqime për të mbrojtur Sulin kundër Ali Pashë Tepelenës. Ndonjëherë këmba u rrëshqiste nëpër errësirën e natës dhe shumë palikarë apo gratë e tyre të devotshme gjetën vdekjen në thellësitë e humnerës.”… Duke biseduar ne arritëm tek Q afa ku ngrihej një fortesë e vogël në të cilën banonte “muhafuzi”, apo roja e Sulit, një malsor gegë, të cilit i ishte besuar vëzhgimi i atyre shtigjeve tashmë të shkreta. Qëndrova disa ditë me Zervën, duke jetuar jetën e këtyre palikarëve, duke dëgjuar tregimet e tij për luftën e Pavarësisë si dhe mendimet e tij për njerëzit e kësaj epoke, apo duke kundruar bashkë me të, me një admirim të pafjalë, spaktaklin e natyrës plot madhështi, ku kujtimet e historisë përziheshin aq mirë me atë të poezisë. Mikpritësi im nuk i kishte remineshencat klasike, as sytë dhe kujtesën plot me imazhet e bukura të Europës, por ai gëzonte bukurinë e pashtershme të netëve ku qielli shndriste nga yjet e panumurt, në një hapësirë të kaltërt e të errët, me detin jonian, dhe malet e ngjyrosura nga zjarret e perëndimeve. .. Le ta lemë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i të cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur, me familjet rivale dhe prijësat e vegjël feudalë që jetojnë në një frikë të dyanëshme të pritave dhe vrasjeve…”
Konsulli francez Eugène Poujade, i cili qëndroi disa vjet në Janinë dhe i përshkoi viset shqiptare nga Janina në Preveza, Arta, etj., në tregimin e tij thekson përkatësinë shqiptare të familjes Zerva. Duke lexuar këtë libër dhe duke u ndalur në këtë fragment, menjëherë mu shfaq një pinjoll i tij i një shekull më vonë, Napoleon Zerva, veshur me uniformë ushtarake, me kreun e kishës greke në krahë, i cili shkonte rrugës së Filatit, Paramithisë, dhe gjithë Çamërisë me armë në sup për të bërë shfarosjen e madhe shqiptare në tokat e tyre. Shkonin pas masakrës së madhe të çamëve muslimanë në vitet 1944-1945 nëpër rrugët bosh të Filatit, Margaritit, Lopësit, Paramithisë… Ishte e habitshme që ky suljot të kryente masakra të tilla dhe padyshim, ai e bënte këtë shfarosje në emër të fesë… Ky ishte identiteti i një njeriu, i cili nuk përfaqëson popullsinë e Sulit, ashtu siç një pinjoll i Boçarit të famshëm, që organizoi vrasjen e gjeneral Telinit në kufirin greko-shqiptar në vitet 20, që nuk pranoi shtyrjen e kufirit në favor të grekëve, nuk përfaqëson Boçarët, Xavellat dhe heronjtë e tjerë të suljotëve apo arvanitasve që aq shumë i dhanë Revolucionit grek, lavdi kjo që për gati dy shekuj ra në harresë. Padyshim dita po vjen që ky kontribut të dalë në dritë për të rigjetur përsëri miqësinë historike shqiptaro-greke!
o luan o trim leri budalliqet dhe lerja te tjerve historin dhe mos lyej shqiptaret me balt