VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Deklaratë e Presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviç: Kroacia s’ka nevojë atë lloj marrëdhëniesh që po bëjnë Serbia dhe Shqipëria!

August 27, 2021
blank

Komentet

blank

Nën frikën e rrëzimit, Krivokapiq merr kompetencat ministrore

RFE/RL

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq më 24 janar mori drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, hoqi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq nga kreu i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe largoi nga drejtuesi i delegacionit shtetëror për negociata me Bashkimin Evropian, ministrin e Jashtëm, Gjorgje Radulloviq.

I pyetur se çfarë dëshiron që të arrijë me shkarkimin dhe heqjen e kompetencave të ministrave, Krivokapiq tha se është “e papranueshme që Qeveria të rrëzohet nga brenda”.

Teksa mori pjesë në një panel diskutimi për mediat në Podgoricë më 25 janar, ai tha se në Mal të Zi po zhvillohet një “grusht-shtet”, por nuk dha më shumë detaje për këtë temë.

Më vonë, Krivokapiq deklaroi për gazetarët se ministri i Jashtëm, Radulloviq për një kohë të gjatë kishte punuar kundër Qeverisë aktuale.

“Unë nuk e kam ngritur çështjen e shkarkimit të asnjë ministri, edhe pse tani shihet shumë qartë se kush ka punuar për kë”, tha Krivokapiq, duke shtuar se pret që ministra të tillë të japin dorëheqje.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, heqjen e kompetencave të ministrave dhe shkarkimet e mundshme i vlerësoi si reflektim të pafuqisë.

“Me Qeverinë do të përfundojë gjithçka në datën 4 shkurt. Nëse mendojnë se ndryshimet i kontribuojnë situatës, nuk ka asnjë problem për mua. Por, nëse dikush do të prekë rendin kushtetues, veçanërisht atë të sigurisë, të provokojë trazira në Mal të Zi apo shpërthen nacionalizmin, do të ketë përgjigje adekuate në të njëjtën sekondë”, tha Abazoviq.

Partia e Abazoviqit, Lëvizja Qytetare URA, së bashku me parti të tjera, ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit. Për këtë mocion do të votohet në Kuvend më 4 shkurt.

Në përgjigje të mocionit, Krivokapiq i ka kërkuar Kuvendit që të mbajë seancë më 3 shkurt për shkarkimin e Abazoviqit nga posti i zëvendëskryeministrit, por edhe për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, që t’i hapet rruga shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Abazoviq ka propozuar krijimin e një qeverie të pakicës. Ndërkaq mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e partisë pro-serbe Fronti Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq, që mban postin e zëvendëskryeministrit.

blank

Të gjitha pretendimet për atentat kundër Vuçiqit

Predrag Urosheviq

Zyrtarët në Serbi kanë kërkuar përmes një deklarate që shteti të marrë masa, për të zbuluar se kush ka tentuar ta vrasë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më herët, Vuçiq, i ftuar nga televizioni privat serb, Pink, ka konfirmuar se informacionet për atentatin kundër tij, i ka marrë nga Europoli – agjencia evropiane e policisë.

Në një deklaratë të Qeverisë rajonale të Vojvodinës, të lëshuar më 24 janar, autoriteteve shtetërore u kërkohet të bëjnë gjithçka dhe t’i zbulojnë ata që kanë përgatitur, siç thuhet, vrasjen e Vuçiqit.

Më herët, ministrja e Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, ka deklaruar se kërcënimet për vrasjen e presidentit të Serbisë, paraqesin problem sigurie për mbarë vendin.

Mihajlloviq: Kërcënimet për vrasjen e presidentit të Serbisë paraqesin problem sigurie.

Mihajlloviq: Kërcënimet për vrasjen e presidentit të Serbisë paraqesin problem sigurie.

Informacionet për tentativën për atentat janë publikuar fillimisht nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Më 21 janar, Vulin ka thënë se përmes Europolit, policia e një vendi evropian e ka informuar Ministrinë e Brendshme të Serbisë për krijimin e një grupi të organizuar kriminal, “qëllim i të cilit është vrasja, përkatësisht atentati ndaj presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

I dyshuari: Zvicer

Siç ka shpjeguar Vulin, pas kontrollit të autenticitetit të informacionit, së bashku me përfaqësuesit e Europolit dhe shërbimet partnere, ka nisur një aksion gjithëpërfshirës për përcaktimin e identitetit të kësaj “organizate kriminale”.

“Në krye të kësaj organizate kriminale është shtetasi malazez, Radoje Zvicer, për të cilin Serbia tashmë ka lëshuar një urdhër arresti; është organizator dhe një nga krerët e klanit të Kavaçit, përgjegjës për kontrabandë dhe shitje të paligjshme të drogës, por edhe organizimin dhe urdhërimin e disa vrasjeve të kryera në territorin e Republikë së Serbisë, Malit të Zi, por edhe në vende të tjera”, ka thënë Vulin.

Ai ka shtuar se hetimet do të përcaktojnë nëse Radoje Zvicer e ka organizuar këtë grup kriminal sipas gjykimit të tij, apo sipas urdhrit të shefit të tij politik.

Vulin nuk ka treguar se për kë e ka fjalën kur përmend shefin politik të Radoje Zvicerit.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

“Deri atëherë, anëtarët e MPB-së dhe Agjencisë së Sigurisë Informative do ta informojnë Prokurorinë për Krim të Organizuar për çdo informacion që do ta arrijnë përmes punës operative”, ka thënë Vulin.

Prokuroria nuk i ka komentuar këto deklarata.

Më 21 janar, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka konfirmuar për televizionin serb, Prva, se është informuar për atentatin e mundshëm kundër presidentit të Serbisë dhe se ai është planifikuar, sipas saj, për në gjysmën e parë të shkurtit.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se shërbimet e sigurisë ushtarake dhe njësia speciale “Kobra” do të bëjnë gjithçka “për të parandaluar çdo kërcënim ndaj presidentit”.

Kush është Zvicer?

Më 21 maj, 2021, Mali i Zi ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Radoje Zvicerin, me dyshimin se, bashkë me nëntë persona të tjerë, ka formuar një organizatë kriminale dhe ka kryer vrasje të rëndë.

Zvicer përmendet në media si një nga krerët e “Klanit Kavaç” – një nga dy klanet e Kotorrit nga Mali i Zi.

Vetë Zvicer i ka mbijetuar atentatit në Ukrainë, në maj të vitit 2020, kur, sipas informacioneve të policisë ukrainase, është qëlluar nga katër ekzekutorë: dy nga Serbia dhe dy nga Mali i Zi.

Sipas raportimeve të mediave, Zvicer është qëlluar me tre plumba në gjoks, por është shpëtuar nga bashkëshortja e tij, Tamara Zvicer, e cila ka qëlluar me armë zjarri.

“Nuk di për atentat”

Prejse është bërë zëvendëskryeministër i parë në vitin 2012, pastaj për tre vjet kryeministër, e deri në janar të vitit 2022, kur ka shënuar gati pesë vjet në presidencë, mediat kanë raportuar për pesë atentate të supozuara ndaj Aleksandar Vuçiqit.

I pyetur nga gazetarët në konferencën vjetore për media për atentatet ndaj tij, Vuçiq ka thënë se nuk di as për një rast të vetëm.

“Ju thoni se ka pasur tentime për atentat, unë nuk di për asnjë”, ka thënë Vuçiq më 29 dhjetor, 2021.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (djathtas), dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (djathtas), dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Snajperi i Belivukut

Pas arrestimit të Velko Belivukut, më 4 shkurt, 2021 – i cilësuar në media si i afërt me klanin kriminal Kavaç dhe i akuzuar për vrasje të rëndë, zhvatje, rrëmbim dhe trafik droge – te pjesëtarët e grupit të tij është gjetur një pushkë snajper me municion.

Dy ditë më vonë, më 6 shkurt, Vulin ka thënë se në grupin e Velko Belivukut ka pasur disa persona të trajnuar për përdorimin e pushkës snajper.

“Snajperi përdoret për të eliminuar objektiva të rëndësishme – disa prej të cilave mund të mos jeni në gjendje t’iu afroheni aq lehtë. Këta zakonisht janë përfaqësues të shtetit”, ka thënë Vulin në atë kohë.

“Nëse do ta kishit vrarë atë, do ta kishit paralizuar gjithë vendin dhe do ta kishit sjellë atë në një destabilitet të rëndë politik, ndoshta edhe do ta kishit ndaluar luftën kundër mafias… I vetmi njeri, vdekja e të cilit do ta ndalonte luftën kundër mafias, do të ishte Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, siguria e presidentit të Serbisë është në rrezik, sepse ai “është përplasur me kriminelët më të fuqishëm në Evropë”.

Në aktakuzën e Prokurorisë për Krim të Organizuar kundër Velko Belivukut dhe 29 të tjerëve, e cila ka hyrë në fuqi më 11 nëntor, 2021, nuk përmendet tentativa për atentat ndaj Vuçiqit.

Bërnabiq për atentatin ndaj Vuçiqit në janar, 2021

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë më 24 tetor, 2021, se gjatë zbulimit të monumentit të princit Stefan Nemanja, në qendër të Beogradit, në janar të vitit 2021, është përgatitur atentati ndaj presidentit Vuçiq.

“Nëse do ta qëllonin Vuçiqin, do ta bënin rrëfimin sikur ajo të ishte një gjë e natyrshme – kushedi se në çfarë ka qenë i përfshirë ai dhe familja e tij… Është monstruoze se sa mirë ka qenë i lidhur ai rrjet”, ka thënë Bërnabiq, për të shtuar se shërbimet përgjegjëse po merren me rastin.

“Nuk do të ketë të mbrojtur, pa marrë parasysh emrin, mbiemrin, funksionin dhe përkatësinë partiake”, ka thënë ajo.

“[Vrasja e Vuçiqit] është planifikuar për një kohë të gjatë dhe në detaje. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë krijuar struktura paralele dhe janë bërë fushata në mediat manjate – të cilat janë transmetuar nga mediat e rajonit – për ta çnjerëzuar Vuçiqin dhe për ta kthyer atë dhe familjen e tij në një klan kriminal”, ka thënë Bërnabiq për Televizionin Pink.

Bërnabiq: [Vrasja e Vuçiqit] është planifikuar për një kohë të gjatë dhe në detaje.

Bërnabiq: [Vrasja e Vuçiqit] është planifikuar për një kohë të gjatë dhe në detaje.

Ajo nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti, ndërsa nuk ka as të dhëna se si ka vepruar Prokuroria në këtë rast.

Hetimet e vitit 2016 – armët në Jajince

Sipas raportimeve të mediave, një “arsenal” armësh dhe kuti municionesh janë gjetur në vitin 2016 në një pyll në Jajince – një vendbanim periferik, rreth 15 kilometra në jug të Beogradit – afër shtëpisë së familjes së prindërve të Vuçiqit.

Radio Televizioni i Serbisë (RTS) ka raportuar në atë kohë se janë gjetur predha, katër granata dore, 100 copa municion 7,62 milimetrash, disa plumba për armë automatike dhe 10-15 plumba të kalibrit të panjohur.

Sipas RTS-së, armët dhe municionet janë gjetur disa qindra metra larg shtëpisë së familjes Vuçiq.

Në atë kohë, Vuçiq ka qenë kryeministër i Serbisë, ndërsa ministër i Brendshëm ka qenë Nebojsha Stefanoviq, aktualisht ministër i Mbrojtjes.

Disa ditë më vonë, në kuadër të hetimeve për atentatin ndaj Vuçiqit, mediat kanë raportuar se policia në lagjen Beogradi i Ri ka zbuluar edhe një automjet të vjedhur, të tipit Renault Megane, plot me armë.

Në këtë automjet janë gjetur: një revole, një hekler (pushkë automatike), sasi e madhe municionesh, në dy vende nga 200 gramë eksploziv Tritol dhe dy celularë që mund të përdoreshin si detonatorë për aktivizimin në distancë të lëndëve plasëse.

Në atë kohë, ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë për RTS-në se armët kanë qenë “në një vend ideal për sulmuesin”.

“Kryeministri [atëbotë Vuçiq] është në një vend të sigurt”, ka thënë Stefanoviq.

“Në një rreze prej një kilometri [rreth fshatit Jajince], në ditën e zbulimit të arsenalit të armëve dhe dy ditë më parë, kanë qenë 97 zyrtarë të lartë të sigurisë – gjë që është shumë e pazakonshme”, ka thënë Stefanoviq në fillim të nëntorit, 2016.

Edhe ky rast ka mbetur pa epilog gjyqësor.

Siç ka raportuar portali serb Insajder, në gusht të vitit 2017, Prokuroria e Lartë Publike ka vendosur se nuk ka bazë për fillimin e procedurës penale për rastin në Jajince.

Sulmi ndaj Vuçiqit në Potoçari

Derisa ka qenë kryeministër i Serbisë, Vuçiq është sulmuar më 11 korrik të vitit 2015 në Potoçari, ku po shënohej 20-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë.

“Në një moment jam goditur me një gur në gojë, asgjë e tmerrshme, më kanë rënë syzet dhe më janë thyer”, ka thënë Vuçiq pas incidentit.

Por, disa media në Serbi e kanë cilësuar këtë incident si atentat: “Atentat ndaj Vuçiqit në Srebrenicë” dhe “Tentativë për vrasjen e Vuçiqit në Potoçari” kanë qenë disa nga kryetitujt e asaj kohe.

Vuçiq në Potoçari, 2015.

Vuçiq në Potoçari, 2015.

Pesë vjet pas incidentit, më 2020, Vulin ka kritikuar autoritetet në Bosnje, duke thënë se nuk kanë gjetur autorët e tentim-vrasjes së Vuçiqit në Srebrenicë.

“Kanë kaluar pesë vjet nga tentativa për vrasjen e Aleksandar Vuçiqit në Srebrenicë, askush nuk është arrestuar apo dënuar”, ka thënë Vulin në korrik të vitit 2020.

Kryeministri serb është vrarë më 2003

Më 12 mars, 2003, në Beograd është vrarë kryeministri i Serbisë dhe lideri i Partisë Demokratike, Zoran Gjingjiq.

Gjingjiq është qëlluar për vdekje në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Serbisë.

Zoran Gjingjiq, 2002.

Zoran Gjingjiq, 2002.

Organizatori i vrasjes, Milorad Ulemek Legija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviq janë dënuar me nga 40 vjet burgim.

Prapavija politike e vrasjes së Gjingjiqit nuk është zbuluar ende.

Përgatiti: Valona Tela
blank

Krivokapiq në kërkim të shumicës që ta rrëzojë Kuvendin

Zdravko Krivokapiq gjatë një adresimi para Kuvendit të Malit të Zi.
Lela Shçepanoviq

Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Mal të Zi që të punojnë për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e situatës aktuale, përmes konsultimeve dhe konsensusit të ndërsjellë, tha kryetarja e delegacionit të BE-së në Podgoricë, Oana Kristina Popa.

“Mali i Zi ka legjitimitet demokratik. Është shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë problemet në institucionet shtetërore dhe jo në rrugë”, tha Popa.

Thirrja nga BE-ja vjen në kulmin e një krize politike të shkaktuar nga një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, i iniciuar nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, si dhe nga propozimi i fundit i kryeministrit Zdravko Krivokapiq, që Kuvendit t’i shkurtohet mandati.

Thirrjes së BE-ja iu bashkua edhe Ambasada gjermane në Podgoricë, e cila me rastin e krizës aktuale politike theksoi se Mali i Zi duhet t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve dhe jo në rrugë.

“Ambasadori Robert Weber pajtohet se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare nuk do të vendosin se kush do të jetë në Qeverinë malazeze, porse shteti duhet të udhëheqë procesin dhe t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve, jo në rrugë”, ka thënë të premten, më 21 janar, Ambasada e Gjermanisë në Mal të Zi, përmes një postimi në Facebook.

Kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiq, për 4 shkurt ka caktuar votimin, fillimisht për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, e më pas për nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Vendimi për shkurtimin e mandatit të Kuvendit ose për rrëzimin e Qeverisë merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Tensione politike përballë votimit

Debati në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, mes deputetëve të dy partive në pushtet, Demokratëve dhe Lëvizjes qytetare URA, tregon se tensionet politike në Mal të Zi janë intensifikuar.

Gjatë diskutimit, deputeti demokrat Vladimir Martinoviq akuzoi drejtuesin e URA-s, Dritan Abazoviq për tradhti ndaj vullnetit elektoral të qytetarëve dhe për bashkëpunim me opozitën.

“T’ia marrësh popullit vullnetin elektoral është tradhtia më e madhe në historinë e Malit të Zi. Më herët u kam bërë thirrje që të mos e bëjnë këtë dhe të mos i detyrojnë qytetarët të dalin në rrugë për të mbrojtur vullnetin zgjedhor”, ka thënë Martinoviq, i cili ka theksuar se është për zgjedhje të parakohshme.

Deputeti i URA-s, Millosh Konatar ka hedhur poshtë vlerësimin se bëhet fjalë për tradhti ndaj vullnetit elektoral dhe u përgjigj duke akuzuar se një pjesë e shumicës parlamentare i trembet humbjes së mandateve.

“I njëjti rrëfim ishte edhe më parë, se është tradhtar ai që është kundërshtar i pozitave dhe i kolltukëve. Tani sërish po rrezikohen kolltukët dhe tani përmendet sërish tradhtia”, tha Konatar.

Ndërkohë, Demokratët kanë mbështetur qytetarët që janë mbledhur për të protestuar kundër, siç është paralajmëruar, ndryshimit të vullnetit elektoral të qytetarëve. Që prej dorëzimit të nismës së mosbesimit ndaj Qeverisë, në disa qytete janë regjistruar protesta njëorëshe, ku janë mbledhur disa qindra qytetarë.

Kryeministri kërkon zgjedhje të parakohshme

Më 20 janar, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, i dorëzoi Kuvendit propozimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, duke shpjeguar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme demokratike për tejkalimin e krizës ekzistuese politike.

Krivokapiq më pas vlerësoi se Qeveria dhe përbërja aktuale e Kuvendit nuk mund t’i ushtrojnë kompetencat e marra me Kushtetutë, për shkak të inicimit të procedurës për rrëzimin e Qeverisë.

Më herët (19 janar), deputetët e Qeverisë së deritashme nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviq, me mbështetjen e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviqit, paraqitën një nismë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Krivokapiqit. Propozimi u mbështet nga partitë parlamentare, të cilat kanë 44 deputetë nga gjithsej 81 në Kuvendin e Malit të Zi.

Porosia ishte që nëse konstatohet se Qeveria nuk ka mbështetje, URA e Abazoviqit t’u ofrojë të gjithë deputetëve një “qeveri të pakicës, pa pjesëmarrjen e DPS-së dhe Frontit Demokratik”.

Megjithëse në qeverinë e pakicës nuk do të kishte vend për subjektin më të fortë opozitar, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviq dhe për partinë që e përbën pjesën më të madhe të shumicës në pushtet, Frontin Demokratik pro-serb (DF), URA kërkoi mbështetjen e tyre në Kuvend për modelin e ofruar nga ajo.

Zëvendëskryeministri dhe kreu i URA-s, Dritan Abazoviq, më pas deklaroi se qeveria e pakicës është “një përgjigje ndaj krizës disamujore dhe faktit që Qeveria aktuale e Krivokapiqit nuk e ka mbështetjen e shumicës parlamentare”.

Lëvizja Qytetare URA me Lidhja e Qytetarëve CIVIS, deri më tash ka qenë pjesë e shumicës aktuale parlamentare, e cila fitoi 41 nga 81 mandate në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, bashkë me DF-në dhe Demokratët.

Përgjigja e Krivokapiqit pasoi në formën e propozimit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit.

Kush do të votojë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar shërbimit për informim të Qeverisë së Malit të Zi, me pyetjen se për cilat vota në Kuvend është duke llogaritur kryeministri Krivokapiq për propozimin e tij për shkurtimin e mandatit të Kuvendit. Por, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Analisti politik Dragisha Janjusheviq nga Qendra për Edukim Politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se Krivokapiq po përpiqet të gjejë një zgjidhje dhe të shkurtojë mandatin e Kuvendit, në mënyrë që të parandalojë synimin e Abazoviqit për mocionin e mosbesimin ndaj Qeverisë. Janjusheviq konsideron se kryeministri po llogaritë në mbështetjen e mundshme nga disa anëtarë të DPS-së, partia më e fuqishme opozitare.

“Me siguri që Krivokapiq po mendon se jo të gjithë në DPS janë shumë të kënaqur me propozimin e Abazoviqit për të mbështetur një qeveri të pakicës, në të cilën ai nuk do të marrë pjesë. Kryeministri mbase mendon që një pjesë e DPS-së më përpara do të votonte për shkurtimin e mandatit të Kuvendit sesa një projekt të qeverisë së pakicës. Sidomos për shkak të njoftimit se qeveria e pakicës do të merret me Ligjin për origjinën e pronës, duke zhbllokuar prokurorinë dhe organet e drejtësisë”, tha Janjusheviq.

Reagimet ndaj propozimit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit

Në reagimin e parë ndaj propozimit të Krivokapiqit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, DPS-ja opozitare e Gjukanoviqit tha se kryeministri nuk e ka mbështetjen e deputetëve për propozimin e tij.

Kështu ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter nënkryetari i DPS-së dhe kryetari i Komunës së Podgoricës, Ivan Vukoviq.

Nga DPS-ja, si dhe nga Socialdemokratët e opozitës, më herët kanë thënë se do të mbështesin çdo nismë që rrëzon Qeverinë e Krivokapiqit.

Ndërkaq, URA, si iniciuese e mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë, mendon se propozimi i kryeministrit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit është një “lëvizje e të dëshpëruarit”.

Për aleancën më të fortë të shumicës në pushtet, Frontin Demokratik, zgjidhja më e pranueshme për tejkalimin e krizës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka bërë të ditur Sllaven Radunoviq në profilin e partisë në Facebook.

Në të njëjtën kohë, Fronti Demokratik nuk ka dashur të komentojë propozimin e kryeministrit Krivokapiq për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, por ka paralajmëruar se do të shqyrtojë bazën ligjore.

Duke theksuar se është e vështirë të vlerësohet nëse kryeministri Krivokapiq do të ketë sukses në synimin e tij për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, analisti politik Dragisha Janjusheviq konsideron se autoriteti i kryeministrit Krivokapiq është cenuar.

“Autoriteti i Krivokapiqit u cenua edhe më shumë nga fakti se ai kishte gjithnjë e më pak mbështetje në Kuvend dhe se kishte një ndarje mes ministrave në Qeveri. Ai nuk ka parti politike, që është një rrethanë specifike dhe nuk e di se si mund të ushtrojë edhe më shumë ndikim dhe të bëjë projeksione politike, ndërkohë që gjendet në një fushë politike serioze dhe komplekse”, tha Janjusheviq.

Në zgjedhjet e gushtit 2020, Zdravko Krivokapiq, si person jopartiak, ishte në krye të listës zgjedhore të udhëhequr nga Fronti Demokratik.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve, Krivokapiq u zgjodh kryeministër më 4 dhjetor 2020, me votat e deputetëve të tre koalicioneve fituese, të kryesuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA.

Që nga fillimi i punës së Qeverisë, deputetët e shumicës parlamentare ishin kryesisht të pakënaqur me punën e saj, e cila nuk kishte ministra nga këto parti politike. Partitë e shumicës parlamentare kanë tentuar dy herë rikonstruktimin e Qeverisë, por për shkak të konflikteve të ndërsjella, asnjë nga propozimet nuk është pranuar.

Përgatiti: Bekim Bislimi
blank

Fotot: Dritan Abazoviç futet mes turmës së protestuesve dhe përballet me to, shihni momentin e tensioneve

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është përballur, mbrëmjen e së premtes, me një turmë protestuesish të tensionuar.

Dhjetëra njerëz janë mbledhur pranë godinës së televizionit publik në Podgoricë, pak ditë pasi Lëvizja Qytetare Ura e Abazoviçit njoftoi se ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin për mosbesim ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiçit.

“Nuk do të tradhtoj vullnetin elektoral të qytetarëve”, mësohet të ketë thënë Abazoviç para protestuesve, të cilët ia kishin zënë pritën.

Janë publikuar edhe pamje, ku thuhet se shumë protestues i drejtohen Abazoviçit me fjalë fyese.

Siç raporton Vijesti.me, njëri nga të grumbulluarit ka bërtitur: “Shqiptarët nuk do të na komandojnë”. Por, kundër një deklarate të tillë kanë reaguar disa protestues të tjerë.

“Dil o vogëlush” dhe “I more lekët Dritan?”, ishin disa nga thirrjet tjera, me të cilat u përball Abazoviç.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, i cili mbrëmë ishte edhe i ftuar në televizionin publik, doli para të mbledhurve, ndërsa policia ka parandaluar incidentin.

Ndërsa ditë më parë kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, deklaroi se ka iniciuar shkarkimin e Abazoviçit nga posti i zëvendëskryeministrit.

blank

blank

Kryeparlamentari i Malit të Zi e cilëson si tentim për puç mocionin ndaj Qeverisë

RFE/RL

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, njëherësh lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiq e cilësoi si “tentim klasik për puç kushtetues” dhe ndaj vullnetit të qytetarëve e demokracisë, iniciativën për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit, Zdravko Krivokapiq.

Më 19 janar, Lëvizja Qytetare Ura, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, dorëzoi në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e Qeverisë.

Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Por Beçiq, partia e të cilit është pjesë e koalicionit aktual qeverisës tha se pjesëtarët e shumicës aktuale kishin deklaruar më herët se nuk do të bashkëpunonin më me partinë e Gjukanoviqit dhe tani kësaj partie po i ofrojnë mundësinë që të formojë shumicën parlamentare.

“Ky quhet mashtrim politik”, tha Beçiq, duke shtuar se është duke u bërë “tradhti me përmasa epike”.

Thirrje për dorëheqjen e Abazoviqit

Abazoviq më herët ka shpalosur idenë për formimin e një qeverie të pakicës, që ka thënë se është një model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi.

Por ministrat e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Milojko Spajiq dhe Jakov Millatoviq kërkuan që Abazoviq të japë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit.

“Abazoviq ose duhet të japë dorëheqje apo duhet ta tërheqë nismën (për mocion). Këshillë miqësore: Mos lejoni që dinozaurët, ju si i ri dhe premtues, t’iu konsumojnë dhe t’iu pensionojnë nga politika, dhe populli të ju kujtoj si tradhtar. Tërhiqeni mocionin, kthehuni aty ku e keni vendin. Nga Uashingtoni me dashuri”, ka shkruar Spajiq në Twitter.

Në rrjetin social Twitter ka reaguar edhe ministri Millatoviq.

“Duke pasur parasysh që zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq paraqiti nismën për rrëzimin e Qeverisë së bashku me ata që janë përgjegjës për ngecjen morale dhe ekonomike të Malit të Zi, gjë për të cilën ai ka folur pafundësisht, ne besojmë se është etike që të japë dorëheqje nga Qeveria të cilin ai po e rrëzon”, tha Millatoviq, duke shtuar në fund të postimit të tij se ky postim ishte nga “ministrat në Qeverinë e Malit të Zi”.

Por ministri i Punëve të Brendshme, Sergej Sekulloviq tha se Millatoviq ka keqpërdorur pozitën e tij si ministër, duke folur në emër të të gjithë ministrave pa u konsultuar paraprakisht.

“Nuk jemi konsultuar dhe nuk kam dhënë miratimin tim, as nuk ndaj mendimin që ka shprehur Milatoviq”, tha Sekuloviq.

Ai shtoi se ishte “i shqetësuar për papërgjegjshmërinë e personave në poste të larta, që de fakto bëjnë thirrje për rezistencë, rrisin konfuzionin dhe dëshirojnë të shkaktohen trazira të përmasave të mëdha”.

Sekulloviq bëri thirrje për qetësim të situatës dhe tha se duhet të pranohet që në një shoqëri demokratike, vendimet merren në përputhje me procedurat e parapara në Kushtetutë.

Edhe ministri i Jashtëm, Gjorgje Radulloviq, u distancua nga qëndrimi i Millatoviqit dhe mbështeti Abazoviqin.

Ai tha se Abazoviqi gjatë vitit të kaluar ka kontribuar më së shumti në punën e Qeverisë dhe “falë guximit të tij politik” ka ndodhur ndryshimi i parë paqësor i një qeverie në Mal të Zi.

Lëvizja Ura tha se nisma për mocionin e mosbesimit do të tregojë nëse Qeveria e Krivokapiqit ka mbështetjen e shumicës së deputetëve apo nëse propozimi i tyre për qeveri të pakicës do të përkrahet nga ligjvënësit.

Për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.

Me mbështetjen e partisë së Gjukanoviqit, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e partisë pro-serbe, Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq, që mban postin e zëvendëskryeministrit.

blank

Erdoğan: Ukraina nuk mund të tolerojë luftë, kjo duhet të jetë një gjë e së kaluarës

Erdoğan u shpreh se Ukraina nuk është një vend i zakonshëm, por është një vend i fuqishëm, duke shtuar se përpara se të ndërmarrë veprime për Ukrainën, “Rusia duhet të rishikojë situatën e saj si dhe situatën në mbarë botën”

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se perspektiva e konfliktit në Ukrainë “nuk është e tolerueshme” dhe se luftërat duhet të mbesin një gjë e së kaluarës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Një pushtim rus i Ukrainës nuk është një qasje realiste”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve gjatë kthimit nga vizita në Shqipëri, duke folur për përplasjen aktuale të tensionuar të Ukrainës me Rusinë.

Ai u shpreh se Ukraina nuk është një vend i zakonshëm, por është një vend i fuqishëm, duke shtuar se përpara se të ndërmarrë veprime për Ukrainën, “Rusia duhet të rishikojë situatën e saj si dhe situatën në mbarë botën”.

Duke vënë në dukje nevojën për të diskutuar situatën me presidentin rus Vladimir Putin, Erdoğan theksoi: “Këto rajone nuk mund të tolerojnë më luftën. Nuk do të ishte e drejtë. Duhet ta fshijmë luftën nga historia e politikës”.

Në kohën kur vërehet grumbullim ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës, ndërsa vendet perëndimore kërcënojnë me sanksione në rast të veprimit ushtarak, Turqia është në një pozicion unik, pasi gëzon marrëdhënie miqësore edhe me Moskën, edhe dhe Kievin.

Erdoğan tha se politika e Turqisë për një pushtim të mundshëm është e qartë, siç mund të shihet në pozicionin e saj për Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Forcat ruse hynë në Gadishullin e Krimesë në shkurt të vitit 2014 ndërsa Putini e bëri zyrtarisht rajonin pjesë të Federatës Ruse.

Turqia dhe SHBA, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e shohin aneksimin si të paligjshëm.

Erdoğan tha gjithashtu se do të konsultohej me presidentin e Azerbajxhanit, Aliyev, i cili vizitoi Ukrainën javën e kaluar.

Gazsjellësi “EastMed”

Duke folur rreth çështjeve tjera, Erdoğan komentoi tërheqjen e mbështetjes së SHBA-së nga gazsjellësi “EastMed”, në të cilin Turqia nuk është partner, duke thënë se Washingtoni thjesht po përkulej para realitetit të situatës.

Presidenti turk tha se vendimi i SHBA-së ishte thjesht ekonomik, pasi pa se “asgjë nuk do të vijë” nga projekti.

“Ky projekt nuk mund të realizohej pa Turqinë. Sepse nëse gazi do të shkojë në Evropë nga këtu, kjo mund të ndodhë vetëm përmes Turqisë”, tha Erdoğan.

Ministri izraelit i Energjisë dikur propozoi që Turqia t’i bashkohej projektit të gazsjellësit dhe madje edhe tani, “mund të diskutohen kushtet”, tha Erdoğan, duke theksuar se vetëm me përfshirjen turke është i realizueshëm një tubacion i tillë.

Presidenti turk gjithashtu theksoi disa përparime në marrëdhëniet e trazuara prej kohësh midis Turqisë me Izraelit, duke thënë se ai ka folur me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog.

“Kryeministri izraelit (Naftali) Bennett dërgon lajme në një nivel tjetër. Siç e dini, kohët e fundit kam pritur anëtarët e Aleancës Rabinike të Vendeve Islamike në kompleksin presidencial (turk) dhe kemi pasur takime me ta”, tha ai.

“Nëse do të bëjmë politikë, politika nuk është një luftë. Ne duhet ta çojmë politikën në vijën e paqes”, shtoi ai.

SHBA më 11 janar tërhoqi zyrtarisht mbështetjen e saj për projektin “EastMed” ndërsa Ambasada e SHBA-së në Athinë tha se Washingtoni “po e zhvendos fokusin tek ndërlidhësit e energjisë elektrike që mund të mbështesin si gazin ashtu edhe burimet e rinovueshme të energjisë”.

Në vitin 2020, Greqia, Izraeli dhe administrata e Qipros Greke nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar një tubacion gazi natyror prej 1.900 kilometrash në Mesdheun Lindor (EastMed).

Shumë ekspertë thanë se kostoja e përllogaritur e transferimit të gazit natyror do të ishte tre herë më e lirë nëse tubacioni kalon përmes Turqisë.

Megjithëse Ankaraja dhe Tel Avivi kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar për një transferim të tillë gazi nëpërmjet Turqisë, bisedimet nuk kanë përfunduar kurrë.

blank

Një ditë pas takimit me Ramën, Erdogan pret Vuçiçin në Turqi

Një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Tiranë ku ishte i pranishëm në një vizitë zyrtare, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan do të presë në Turqi, presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiç.

Në kuadër të vizitës, në kryeqytetin Ankara do të mbahet takimi i tretë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Serbi.

Në mbledhjen e këshillit që do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave përkatës, do të shqyrtohen në të gjitha aspektet marrëdhëniet Turqi-Serbi dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh.

Gjithashtu do të shkëmbehen mendime për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, në radhë të parë në Ballkan, mbi bazën e të kuptuarit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Serbisë kanë arritur nivelin më të mirë në histori, tha ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu gjatë vizitës së tij në vendin ballkanik në gusht./dita

blank

Kroaci, nga shtatori çmimet në euro dhe kuna, monedha zyrtare euro nga viti 2023

Zagreb

Nga shtatori i këtij viti, të gjitha çmimet në Kroaci do të paraqiten në euro dhe kuna ndërsa euro do të jetë valuta e vetme me vlerë nga 1 janari 2023, njoftoi kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri kroat, Plenkoviç dhe ministri i Financave, Zdravko Mariç prezantuan në ndërtesën e Qeverisë projektligjin për futjen e euros si monedhë zyrtare në Kroaci dhe udhëzimet për rregullimin e ekonomisë në procesin e zëvendësimit të kunës kroate me euron.

Ligji do të dërgohet sot zyrtarisht në procesin e konsultimit publik.

Në fjalimin e tij, Plenkoviç tha se më 10 korrik 2020, Kroacia u pranua në Mekanizmin Evropian të Kursit të Këmbimit dhe në Unionin Bankar, i cili konfirmoi reputacionin e vet se ajo i përmbush sistematikisht objektivat për zonën e euros dhe se Kroacia miratoi planin për zëvendësimin e kunës me euron një vit më parë.

Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2022 qeveria kroate do të dërgojë rreth 70 ligje që kanë të bëjnë me futjen e euros, meqë euro do të futet si valutë zyrtare në Kroaci nga data 1 janari 2023.

“Për një vit, mjeti i vetëm i pagesës në Kroaci do të jetë euro”, tha Plenkoviç.

Ai bëri të ditur se ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit do të ndalojë rritjen e pajustifikuar të çmimeve.

Plenkoviç theksoi se gjatë vitit të ardhshëm, duke filluar nga 1 janari 2023, në banka dhe posta kroate, nuk do të ketë shpenzime për qytetarët gjatë shkëmbimit të kunës në euro.

Në pesë, dhjetë ose më shumë vitet e ardhshme, çdo qytetar do të mund të shkëmbejë falas kartëmonedhat kuna në Bankën Kombëtare Kroate për euron.

blank

Tubacioni TAP shpërndau 8.1 miliard metër kub gaz që nga fillimi i tij një vit më parë

Ankara

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) transportoi 8.1 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror në Evropë që nga fillimi i funksionimit të saj më 31 dhjetor 2020 deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e saj në twitter, TAP njoftoi se nga ky kapacitet total mbi 6.8 bcm arritën në Itali, ndërsa rreth 1.2 bcm u dërguan në Greqi dhe Bullgari.

TAP është një pjesë thelbësore e Korridorit Jugor të Gazit, duke ofruar një rrugë transporti të drejtpërdrejtë dhe me kosto efektive për në vendet e Evropës Juglindore dhe më gjerë.

Gazsjellësi transporton gaz natyror nga pellgu i Kaspikut në Evropë, duke u lidhur me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin greko-turk, e cila kalon përmes Greqisë veriore, Shqipërisë dhe Detit Adriatik përpara se të dalë në brigjet e Italisë jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.

blank

Të dhënat e fundit për aksidentin në Serbi: 16 mërgimtarë u lënduan, morën trajtim mjekësor dhe vazhduan rrugën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin tranzit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor.

Siç njofton MPJD, nga ky grup, një udhëtare nuk e ka vazhduar udhëtimin me vetëdëshirë dhe është në pritje të transportit privat.

Tutje, në njoftimin dërguar mediave, thuhet se nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve.

“MPJD-ja me të pranuar informacionin, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd ka komunikuar me autoritetet për ngjarjen dhe për të lënduarit dhe zyrtarët nga Zyra jonë Ndërlidhëse kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në funksion të ofrimit të asistencës dhe përkujdesjes institucionale, zyrtarët tanë i kanë vizituar të lënduarit edhe në Qendrën Spitalore”, thuhet në njoftim.

“MPJD-ja falënderon autoritetet në vendin e ngjarjes për asistencën dhe trajtimin mjekësorë të të lënduarve”, përfundon njoftimi i tyre.

blank

Shënohen incidente dhe provokime përpara ditës jokushtetuese të Republika Srpskas në Bosnjë

Sarajevë

Incidente, provokime dhe fyerje ndaj joserbëve dhe boshnjakëve u regjistruan në disa qytete, duke përfshirë Gacko, Foça, Prijedor, Brçko dhe Janja, në prag të kremtimit të Ditës antikushtetuese të Republikës Srpska, një entitet në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), raporton Anadolu Agency (AA).

Në distriktin Brcko të BeH-së janë regjistruar disa incidente dhe në njërën prej tyre tifozët e grupit “Sindikat” mbrëmjen e së shtunës kanë bërë një kortezh me pishtarë në bulevard, për shkak të së cilës qarkullimi është bllokuar për një periudhë të caktuar.

Anëtarët e të njëjtit grup tifozësh ndriçuan një ndërtesë me imazhin e Shën Stefanit, të cilin ata e konsiderojnë si “mbrojtësin e entitetit të RS”. Gjithashtu, në Brçko u shkatërruan sërish mbishkrimet kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

Ditët e mëparshme incidente dhe provokime të ngjashme drejtuar boshnjakëve u regjistruan edhe në disa qytete të tjera në entitetin e Republika Srpskas të BeH-së.

Të shtunën në Prijedor, një grup i madh njerëzish kënduan këngë në rrugët e qytetit për nder të Ratko Mlladiç-it, i dënuar për krime lufte. Gjithashtu në rrjetet sociale është shfaqur një video në të cilën një grup njerëzish me flamuj ecin nëpër Prijedor dhe këndojnë “Gjeneral, faleminderit nënës tuaj” duke brohoritur emrin e Ratko Mlladiç-it, njërit prej të dënuarve për gjenocidin në Podrinje.

Po ashtu, në Foçë u shpalosën flamuj për nder të të dënuarit për krime lufte Mlladiç, ndërsa në Gacko nga altoparlanti u lëshua këngë e quajtur “Nuk të dua Alija, sepse je i egër”, që nxit urrejtjen dhe intolerancën ndëretnike.

Të enjten, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri para xhamisë Atik në Janja dhe sipas dëshmitarëve okularë, meshkuj nga një kolonë makinash që u ndalën në autostradën Bijeljina-Zvornik fyenin në bazë kombëtare besimtarët që ktheheshin nga lutjet e sabahut. Të shtëna në ajër u lëshuan dhe fjalë të rënda fashisto-shoviniste u shqiptuan nga një grup meshkujsh që transportonin një pemë Krishtlindjesh në makinat e tyre.

Incidenti u raportua në Ministrinë e Brendshme të RS dhe boshnjakët në Janja thanë se ishin të mërzitur dhe të indinjuar nga provokimet, fyerjet dhe kërcënimet.

Entiteti Republika Srpska feston Ditën e RS-së çdo vit më 9 janar, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës që e shpallin atë jokushtetues. Më 9 janar të vitit 1992, Kuvendi i vetëshpallur i Popullit Serb në Sarajevë miratoi “Deklaratën për Shpalljen e Republikës së popullit serb të Bosnjë e Hercegovinës”.

Gjykata Kushtetuese e BeH-së vendosi në nëntor të vitit 2015 dhe mars të vitit 2019 se festa ishte “jokushtetuese dhe në kundërshtim me konventën ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor dhe në kundërshtim me protokollin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore”.

blank

Serbia lavdërohet me armë të reja të blera nga Rusia

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar për një dërgesë të re të armëve nga Rusia megjithë frikën se investimi i madh i shtetit në ushtri mund të dërgojë në tensione të reja në rajon.

Vuçiq mori pjesë në trajnim të ushtrisë në një bazë ushtarake afër Beogradit në të cilin ushtrim u përfshinë raketa anti-tanke “Kornet” që i kanë blerë së fundmi, raporton AP.

“Jam i gëzuar që ushtarët tanë janë të kënaqur për blerjet e Kornetëve nga Rusia. Është ndoshta një ndër armët më të mira anti-tank në botë”, tha Vuçiq.

Ai tha se “Kornetët janë një mjet i rëndësishëm mbrojtës për të larguar ndonjë agresion të mundshëm ndaj shtetit”.

Serbia së fundmi është akuzuar se se po punon me Rusinë për të destabilizuar fqinjët: Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën.

Së fundmi, Serbia është armatosur kryesisht me aeroplanë ushtarakë rusë dhe kinezë, dronë dhe sisteme anti-raketore.

Në muajt e fundit, Rusia i ka dhënë Serbisë 30 tanke luftarake dhe 30 transportues të blinduar.

Serbia gjithashtu ka blerë sistemin ajror të mbrojtjes të sofistikuar nga Rusia si dhe helikopterë transportues dhe dronë nga Kina.

Vuçiq tha të hënën se Serbia “mbetet në rrugën e saj evropiane” por shtoi se do të vazhdojë të ushqejë lidhjet miqësore me Rusinë dhe Kinën.

Për t’u bashkuar me BE-në, Serbia ka nevojë për mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, por qeveria ka mbajtur marrëdhënie të ftohta me vendin tjetër ballkanik, Kroacinë, anëtari i fundit i ri i pranuar në bllok.

Kroacia, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s, është në një mini garë armatimi me Serbinë, e cila së fundmi ka marrë gjashtë avionë luftarakë MiG-29 të përdorur nga Rusia dhe katër të tjerë të këtij lloji nga Bjellorusia. Në nëntor, qeveria kroate njoftoi blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca.


blank
blank
Send this to a friend