-Pse e theve këtë bredhin e vogël ti? – e qortonte kapter Zylfoja, shokun tonë që kishte thyer bredhin e porsambjellë. Dhe, duke i tërhequr veshin i thoshte: -Të dhemb veshi ty? Po, të dhemb, por ta dish vogëlush se dhembje ka ndjerë edhe bredhi i vogël kur ti e theve. Ai s`ka gojë të ankohet, kurse ti fëmijë i prapë, gojën e ke vetëm për të ulëritur rrugëve e rrugicave të lagjes dhe për t`i krijuar shqetësime familjes dhe neve. -Pas këtij qortimi, ai lajmëronte prindin e djalit fajtor që të siguronte një bredh të ri në fidanishte dhe atë bredh ta mbillte së bashku me të birin që e kishte thyer, përndryshe do të gjobitej.
Kapter Zylfoja ishte polici i lagjeve “Skelë” e “Kume” dhe kishte autoritet tek të gjithë banorët, por veçanërisht tek ne fëmijët…Këshillat dhe qortimet e tij për ne ishim mësime, që duheshin zbatuar. Ai na thoshte:
-Do të shkoni të luani nga pylli, hë! Por, kujdes se mos keni ndonjë shkrepëse me vete, se mos ndonjëri nga ju më të rriturit pi cigare! Po kapa ndonjërin që ka vese të tilla, do ta bëj problem në këshillin e lagjes, e morët vesh apo jo?
-Po, – i thoshim ne, – e morëm vesh.
-Me njërin vesh apo me të dy?
-Me të dy veshët xhaxhi Zylfo, me të dy! – i përgjigjeshim ne si në kor.
-Atëherë, pa më thoni si do të veproni? Ja, ma thuaj ti, i biri i Tolit.
Unë dilja përpara të tjerëve, e shihja kapterin në sy dhe nisja të përsëritja porositë e tij, ashtu siç thosha mësimin përpara mësueses:
-Ne, xhaxhi Zylfo, do të shkojmë në pyll vetëm për të luajtur. Ne nuk marrim shkrepëse me vete dhe nuk pimë cigare. Në shkollë ne kemi mësuar se pyjet kanë rëndësi për jetën tonë, sepse e mbajnë ajrin të pastër. Ne do ta ruajmë pyllin, sepse drurët e atij pylli i kanë mbjellë prindërit tanë, por edhe ne kemi ndihmuar në mbjelljen e tyre. Veç të mirave të mëdha që ka, pylli është edhe shtëpia e zogjve, të cilët janë miqtë e vegjël të njeriut…
-Mirë, për pyllin kam besim se nuk do ta dëmtoni, por vetëm do të luani dhe do të argëtoheni. E di edhe se ju nuk do të vrisni zogjtë me llastiqe. Llastiqet kam kohë që jua kam ndaluar, apo jo?
-Po, xhaxhi Zylfo, po, ne nuk kemi llastiqe, ato i kemi djegur dhe i kemi bërë copë – copë…
-Mirë, e mora vesh, por unë kam edhe një merak të dytë, që jua kam përsëritur dhjetëra herë. E dini apo s`e dini merakun tim të dytë? – ngrinte zërin ai dhe mbante veshët ngritur duke pritur përgjigjen tonë.
-E dimë xhaxhi Zylfo, e dimë “ujë” fare!
-Atëherë, fol ti Astrit, nipi i Qaniut.
-Ne xhaxhi Zylfo, – përgjigjej Astriti, – nuk harrojmë asnjëherë porosinë tuaj që të mos futemi në det kur ka dallgë, por nuk do të lejojmë të futen në detin me dallgë sidomos ata fëmijë që nuk e kanë mësuar ende notin. Ti xhaxhi Zylfo na ke mësuar shprehjen: “Po s`dite notin, mos u fut në ujë!”
-Duhet të dini mirë, – vijonte ai,- se ju fëmijët e vegjël, tani e mësoni notin dhe i çani dallgët duke qenë në krahët e prindërve tuaj, por, ama kur të rriteni, do t`i çani dallgët vetë, si notarë të vërtetë. Tani, pa më thoni edhe ato dy këshillat e tjera për detin që ju kam porositur t`i mësoni përmendsh?
Dhe ne përsëritnim në kor: Këshilla e parë: “Deti është i bukur, por nga bregu”; këshilla e dytë, e cila do të na vlejë kur të rritemi, është: “Kapiteni i mirë duket në detin me dallgë e furtunë!”
Atëherë ai largohej i kënaqur dhe ecte serbes nga njëra lagje në tjetrën, herë duke zgjidhur një mosmarrëveshje apo grindje mes banorëve, herë duke gjykuar ndonjë vjedhje, herë duke vendosur rregull kur në lagje qarkullonte me shpejtësi ndonjë makinë, apo kur karrocat me kuaj ndotnin rrugicat e lagjes.
Kapter Zylfoja nuk pranonte asnjë lloj ryshfeti nga banorët. Kur një nga fqinjat tona, që rriste pula dhe kishte vezë me bollëk i ofroi një ditë një shportë të vogël me vezë, ai, jo vetëm nuk e pranoi, po i dha një përgjigje që mbeti e fiksuar fort në kujtesën e banorëve të lagjes dhe përsëritej shpesh në bisedat që bëheshin në klub dhe në mëhallë.
-Ç`po bën moj shoqe, e kupton se në ç ‘rrugë pa krye po më fut? – i kishte thënë fqinjës sonë kapter Zylfoja.
-Ku, o kapter në cilën rrugë po të fut, unë vetëm sa po të japë disa kokrra vezë!
-Faleminderit, moj shoqe, por a e di se çfarë thotë Saadiu?
-Për cilin Saadi e ke fjalën zotërote?
-Për atë poetin e madh arab.
-Eh, ç` punë kam unë me arapin, unë as që e njoh!
-E po ja, do ta njohësh nga këto që do të të them unë. Ai ka thënë: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!” Unë s`jam mbret, por jam polic dhe i plotfuqishëm dhe, këtu në lagje duhet të jem shembull, të mos pranoj asnjë ryshfet nga banorët.
-Uaa, po këto janë vezë të pulave të mia, unë po t`i japë vetë, ti s`po m`i vjedh si ai mbreti që tregove zotërote! Unë po t`i jap me dëshirën time se e kam shpirtin dhe zemrën borë të bardhë. Po deshi ai, Saadiu, i jap edhe atij ndonjë shportë me vezë, meqenëse ti e respekton. Ai sa të shohë këto vezë, ka për t`iu prishur mendja dhe do t`i thotë ndryshe fjalët që paska thënë për mbretin dhe ata ministrat që hanë pula si dhelprat…
-S`ka nevojë Saadiu për vezët e tua, moj shoqe! Nuk i duhen, se ai ka mbi 800 vjet që nuk jeton, por jetojnë e mbretërojnë librat që ai ka shkruar. Vërtetë kjo shporrtë që po kërkon të më japësh nuk është vjedhje, por është ryshfet. Ti ma jep mua me interes, sepse unë jam polic, jam i plotfuqishmi i lagjes. Po të kishe shpirtin dhe zemrën siç po thua, ti do t`i jepje vezë falas familjes së Kenos që ka 12 fëmijë, por t`i i shet vezët dhe druan se mos unë vij e të bëj kontroll.
Dhe duke thënë këto fjalë ai u largua duke e lënë fqinjën si të shastisur, ama në lagje, që atëherë u përhap thënia e Saadiut: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!” 1)
Zylfoja na tregonte lloj-lloj historish nga fshati i tij në Përmet,
i cili quhet Podgoran, në rrëzë të malit të Trebeshinës. Edhe vet emri Podgoran ka kuptimin “fshat rrëzë malit”.
-E dini ju djem se fshati im po ta shohësh nga lart ka formën e një trekëndëshi? Është fshat me lëndina dhe kullota të bukura, me përrenj, me malin që ngrihet mbi të… Trebeshina u ka vlejtur në shekuj bashkëfshatarëve të mi për kullota, për blegtorinë, për lëndë drusore, por edhe si një kala mbrojtëse kur vinin pushtuesit. Atje ajri është i pastër dhe i mbushur me aromat e lule trëndelinave, zambakëve, luleshqerrave, kurse bletët shëtisin nëpër lule dhe mbledhin nektarin. E dini ju sesa punëtore të mëdha janë bletët? Në fshatin tim thuhet: “Ashtu si bleta punon për kosheren e saj, ashtu duhet të punojmë të gjithë ne për atdheun tonë”. Ju jeni të vegjël dhe detyra e parë për ju janë mësimet, por kur të rriteni mos e harroni asnjëherë fjalën e Naimit, që thoshte: “Punë, punë, natë dhe ditë…,
-Që të shohim pakëz dritë!” – plotësonim ne të gjithë në një zë, teksa shihnim sesi kapter Zylfos i ndriste fytyra nga kënaqësia. Në ato çaste ai treste vështrimin diku në hapësirë dhe thoshte:
-E dini ju që fshati Frashër ku ka lindur Naimi dhe vëllezërit e tij të famshëm Samiu dhe Abdyli nuk është larg nga fshati im? Naimi u këndonte maleve të Shqipërisë, fushave me lule, pyjeve me lisa të gjelbëruar, bregoreve dhe lumenjve, barinjve dhe bagëtive. Edhe fshati im i ka të gjitha ato që thoshte me vargje Naimi. Në shtëpitë e bashkëfshatarëve të mi bëhen hardhitë e rrushit, në mal bëhet çaji, i cili ka një aromë që të merr mendjen. Bëhet salepi dhe shumë bimë të tjera mjekësore… Atje mali i Trebeshinës duket sikur takohet me qiellin, kurse gjatë verës kullotat gjallërohen nga këmborët dhe zilet e bagëtive, nga blegërimat e dhënëve dhe te lehurat e qenve roje, nga jehonat e këngëve të barinjve që e hedhin sharkun krahëve dhe mbajnë kërrabë në dorë… Në fshat disa barinj janë mjeshtër të këngëve me fyell, aq bukur këndojnë, saqë edhe zogjtë ndalin këngët e tyre, ata marrosen pas melodive të bukura të barinjve tanë. Atje në fshatin tim, të vegjlit i respektojnë shumë më të rriturit. I madhi i shtëpisë dëgjohet me vëmendje, pranë tij rri vëllai i madh e pastaj të tjerët. Të vegjlit më shumë dëgjojnë. E dini ju pse ne njerëzit kemi vetëm një gojë dhe dy veshë? Pa ma thuaj ti djali i Minait.
-Ne, – niste të përgjigjej Lendi, – duhet të dëgjojmë më shumë sesa të flasim dhe jo siç bëjnë disa fëmijë që nuk lënë radhë të flasin të rriturit, ata “bëjnë zhurmë si fuçia që është bosh”, ata “janë kokëpërpjetë si kalliri i misrit kur s`ka kokrra”, ata…
-Pa më thoni, si quhen ata njerëz që flasin vetë dhe dëgjojnë vetë?
-Ata quhen llafazanë, – i përgjigjeshim ne kapter Zylfos në kor.
Një ditë unë e pyeta:
-Xhaxhi Zylfo, po dasma bëhen atje në fshatin tënd?
-Po mor xhan, si nuk bëhen dasma, kudo bëhen dasma. Në dasmat e fshatit vjen i gjithë fshati, edhe ata që e kanë fis apo nuk e kanë fis atë që martohet. Dasma zgjat një javë. Muzika buçet dhe mali i Trebeshinës e kthen jehonën dhe e përhap në të gjithë luginën. Ke qejf të jesh në një dasmë në Podgoran, të gëzosh apo të këndosh këngën përmetare “A kanë ujë ato burime?”, apo të kënaqesh duke dëgjuar gërnetën e Laver Bariut, apo të kërcesh valle popullore, apo të vallëzosh dans. Atje, nuk ndodh si në një dasmë që pashë vjet, diku nga lagjja tjetër afër jush, që njëri u martua dhe e gjithë lagjja u tërbua! U pinë e u dehën sa s`mbanin dot më dhe e lëshuan gjuhën pa fre. Kësisoj u ndez edhe sherri midis krushqve dhe dasma sikur u kthye në fushë lufte. Arriti sherri deri aty sa krushqit nxirrnin opingat dhe i binin njëri-tjetrit, pastaj me gota, me pjata, me karrige e me çdo send tjetër që ndodhej brenda shtëpisë. Na u desh më shumë se gjashtë muaj që t`i pajtonim krushqit me njëri-tjetrin! Sigurisht ai një rast ishte, por s`duhej të ndodh më. Dasmat janë gëzim dhe mbarësi. Ju e dini se duke u martuar njerëzit krijojnë familje, lindin fëmijë, shtohet familja, fshati, lagjja, qyteti. Shqipëria është e vogël dhe popullsia po rritet. Besoj se e dini edhe atë ligjin që, kur një familje ka 12 fëmijë i jepet falas një lopë. E dini këtë apo jo?
-E dimë, si nuk e dimë! – përgjigjeshim ne.
-Unë kam tezen në fshat, – tha Xhekoja, – kur ajo lindi fëmijën e dymbëdhjetë, që i vunë emrin Fundore, atyre u dhanë një lopë. Të gjithë fëmijët mblidhen rreth lopës dhe gëzojnë, secili përpiqet t`i hedhë sa më shumë bar të freskët, sepse prej asaj ata pinë qumështin çdo mëngjes. Lopa gëzon kur sheh fëmijët, kthehet herë nga njëri dhe herë nga tjetri duke marrë me buzë barin që ata mbajnë në duar, ajo do që t`i gëzojë të gjithë fëmijët, edhe ata të vegjlit që rrinë prapa saj, se lopa shikon edhe prapa, kështu më ka thënë babai.
-Si, shikon edhe prapa?! Na i sqaro këtë. – i tha kapteri.
-Po, kur dikush i shkon prapa lopës që t`i hedh litarin në qafë, ajo pa e kthyer kokën e shikon keqbërësin apo hajdutin dhe i largohet. Ajo i bindet vetëm të zotit.
-Çfarë tjetër të ka mësuar babai për lopën – e pyeti kapter Zylfoja.
-Babai më ka mësuar se lopa është “fabrika e familjes”, ajo është e dashur dhe paqësore. Në disa vende, – na tregon babai, – si për shembull në Indi, lopa quhet e shenjtë. Kur ajo kalon nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër, njerëzit i hapin rrugë me respekt, kurse makinat ndalojnë që ajo të kalojë e qetë. Ai që vret, apo plagos një lopë, dënohet edhe me burg. Lopa ka nuhatje dhe i dallon aromat nga shumë larg, për shembull nga lagjja “Kume” ku jemi ne, deri te “Sheshi i Flamurit”, edhe më larg. Lopa e dallon menjëherë barin që është helmues…
Ne dëgjonim dhe e shihnim Xhekon disi me zili, por edhe me inat. Thoshim me vete: Po sikur kapter Zylfos t`i mbushet mendja dhe të na thoshte që t`i mësonim përmendësh fjalët që po thoshte Xhekoja për lopën!?
Kur Xhekoja mbaroi, kapteri tha:
-Ja, e dëgjuat shokun tuaj se sa bukur foli!, – dhe duke thënë këto fjalë ai e ledhatoi Xhekon, gjë që e bënte shumë rrallë.
Një ditë kapter Zylfoja na tha:
-E dini ju që nga maja e malit të fshatit tim, në kohë të kthjellët duket edhe gjiri i Vlorës, vendi ku jemi ne tani?
-Si mund të ndodh kjo! – u shfaqëm ne të habitur, – Përmeti është shumë larg nga Vlora!
-Çfarë thoni ju, ore, – na ndërpreu Den Dominoja, – ato që thotë kapter Zylfoja janë të vërteta. Edhe nga Kanina, kur është koha e kthjellët, sidomos pas shiut, në mbrëmje, duken dritat e Italisë…
-Or djalë, ç`po thua! – u hodh përpjetë kapter Zylfoja, sikur ta kishte pickuar grerëza. Mblodhi veten dhe ashtu i vrenjtur iu kthye Den Dominosë me ton qortues:
-Nga i ke dëgjuar ti ato fjalë?
Vetëm atëherë Den Dominoja kuptoi se diku kishte gabuar, ndaj duke dashur t`i mbulojë ato që tha nisi të flas përçart, pa e marrë vesh as vet se çfarë po thoshte:
-Ishte një burrë plak, shumë plak, thoshin se ishte nja 200 vjeç, ai thoshte ndonjëherë gjëra të tilla, por ai nuk jeton më, ohu, ka nja 100 vjet që ka vdekur…
-Si, paska 100 vjet që s’jeton dhe ti e paske njohur?!
-Jo, u ngatërrova, më falë, xhaxhi Zylfo, unë vetëm sa kam dëgjuar, por edhe ato që kam dëgjuar i kam harruar.
-E po, ngatërrohesh dhe harron ti se nuk e ke mendjen kur flasin të tjerët. Nuk ta kanë vënë emrin kot Den Dominoja se luan gjithë ditën vetëm domino dhe të duket sikur e gjithë bota e ka emrin domino.
-Jo xhaxhi Zylfo, unë mbaj mend edhe gjëra të tjera.
-Për shembull, çfarë mban mend?
-Mbaj mend fjalët që më tha vëllai i madh përpara dy ditëve. Ai më tregoi për ndërtimin e një hidrocentrali që do të bëj dritë të gjithë Shqipërinë.
-Bravo, ja kështu flitet! – u qetësua disi kapter Zylfoja dhe shtoi:
-Ne nuk na duhen ato dritat e vendeve të huaja, ne kemi dritat tona, që vijnë nga hidrocentralet e Partisë sonë…
Kur vinte koha që do të largohej, Kapter Zylfoja na thoshte:
-Pas pak unë do të shkojë nga lagjja tjetër, por jam i bindur se ju nuk do të vraponi rrugëve, duke ulëritur; nuk do të nxirrni llastiqet e fshehura dhe do të goditni me ato shtëpitë, makinat, karrocat, pëllumbat dhe zogjtë, por as njëri-tjetrin; nuk do të talleni dhe nuk do të fyeni të moshuarit; nuk do të ngacmoni kosheret e bletëve, se bletët do t`jua bëjnë fytyrën gunga-gunga; nuk do të shqyeni gardhet si derrat e egër dhe nuk do të hyni fshehurazi në bahçet e fqinjëve për të vjedhur ftonj; nuk do të ngacmoni qentë e lagjes, sepse mund të jetë ndonjëri i tërbuar edhe ju tërbon edhe juve…
Pas këtyre porosive, ai na thoshte “mirupafshim!” dhe largohej, ashtu trupvogël, i veshur me uniformën e policit, që i rrinte e madhe në trup dhe me koburen që i varej në brez… Ecte gjithnjë i vëmendshëm dhe vigjilent nga njëri skaj i lagjes në tjetrin, futej në rrugë e rrugica, kurdoherë i kudondodhur atje ku sapo ishte bërë një vjedhje apo një grindje dhe, vinte rregull dhe disiplinë, si të ishte jo një polic i vetëm, por një batalion i tërë policësh…
…..
1).Libri i Saadiut “Gjylistani dhe Bostani“, i përkthyer nga Vehxhi Buharaja, u botua për herë të parë në vitin 1961. Ndërkohë, shumë rrëfenja dhe poezi të Saadiut njiheshin përmendësh nga disa breza të asaj kohe dhe më pas.
2).Emrat e personazheve janë thjesht emra artistikë.


ISMAIL KADARE, NJË MUNDËSI E HUMBUR, NE VENDIN I GABUAR, NË KOHEN E GABUAR.
Kadare nuk kërkoi kurrë falje për shtypjen e kulturës shqiptare duke mohuar lirinë shpirtërore, duke e ndarë popullin shqiptar në klasa diskriminuese. Përkundrazi, ai dyfishoi kritikat ndaj kulturës Gege edhe kur ishte në Francë, kur frika nga kërcënimi komunist nuk ishte një arsye e vlefshme. Ai shtoi se gegët nuk e vlerësojnë sepse janë injorantë. Kjo tingëllon si një transpozim frojdian. Duket se Kadareja nuk e vlerëson kulturën gege për shkak të injorancës së tij.
Ismail Kadare luajti bixhoz në qëndresën e përherëshem e sistemit komunist. Ai përqafoi vlerat komuniste dhe mbi to ndërtoi bartësin e tij. Edhe sot Kadareja vazhdon të përshtatet me shkrimin e diskredituar komunist që Ramiz Alia e kishte braktisur me zgjuarsi. Kadareja nuk arriti të shihte fundin e marksizëm-leninizmit dhe rolin e tij e luajti me besnikëri deri në mbledhjen e fundit të elitës komuniste, ku ofendoi shqiptarët që ishin strehuar në ambasadat e huaja.
Ramiz Alia e tërhoqi papritur nga priza komunizmin diktatorial duke përqafuar afrimin me SHBA-në dhe duke e lënë në mënyrë të pabesueshme Kadarenë si ekstremistin i fundit komunist. Është e qartë se Kadareja ishte jashtë realitetit, pasi kishte gjetur ngushëllim dhe shpërblim në sistemin komunist jo fleksibël, por të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Historia lëvizi duke lënë pas Kadarenë dhe duke vënë në dyshim mendjemprehtësinë e tij politike. Ai e gjeti veten të izoluar, pa asnjë alternativë veçse të imitonte refugjatët që i kishte fyer aq rëndë duke i quajtur “jashtëqitjet e kombit”. Sipas përcaktimit të tij, kur Kadare kërkoi azil në Francë, edhe ai u bë ”jashtëqitje”. Roli i Kadarës si intelektali numër një i komunizmit shqiptar po arrinte ndalesën e fundit, por Kadare ende vazhdon në atë rol, duke mos ditur të përshtatet me realitetin.
Kadareja krenohej që ishte më i miri dhe më i ndrituri deri në atë pikë sa mundet, pa përjashtim, të poshtërojë kulturën e një kombi të tërë. Por në të vërtetë, një edukim stalinist rus nuk është shumë për t’u mburrur. Sovjetikët ndëshkuan shkrimtarët e tyre më të mirë duke nxjerrë jashtë ligjit disa nga kryeveprat më të mëdha që bota ka njohur ndonjëherë. Edukimi i Kadaresë ishte më shumë i orientuar drejt marrjes së medaljes Lenin sesa
një çmim Nobel.
Mund të them se ne, me bekimin i Zotit, kemi një edukim më të gjerë, më të lirë, më formues dhe gjithëpërfshirës, në të cili njeriu konsiderohet si qendër të universit, i krijuar ne imaxhin i Zotit, nji edukim që përfshin epokat e historisë njerëzore, me një këndvështrim më të gjerë, jo të kufizuar nga ideologjia totalitare, nga fanatizmi monokulturor i helmuar nga urrejtja marksiste ndaj spiritualitetit, qe e përcakton njeriun si qelizë të organizmit komunist. Ne lexuam autorë që nga koha klasike deri në ditët e sotme, duke përfshirë letërsinë romake, italiane, franceze dhe angleze në gjuhët origjinale.
Kadarenë nuk e lexuam terësisht sepse e kuptuam shumë mirë se ai është antinacionalist në kuptimin etnike, sepse mesazhi i tij nuk përfaqëson shpirtin e pathyeshëm të popullit shqiptar, nuk pasqyron luftën e përjetshme për mbijetesë kundër sllavëve dhe osmanëve, nuk respekton vlerat tradicionale si besimi, nderi, mikpritja, nuk vlerëson ndjenjat e të brendshme dhe virtytet e theksuara, aftësinë e tij për të vuajtur dhe duruar, dashurinë për poezinë, muzikën dhe natyrën, besimin në Zot.
Kadare, përkundrazi, përfaqëson materializmin komunist, patriotizmin e rremë marksist, përbuzjen për lirinë individuale, për fjalën e lirë, për diversitetin dhe pluralizmin kulturor, për fenë. Aj, ne edukimin i tij ishtë i shtrënguar nga barrikadat intelektuale komuniste të ngritura për ta reduktuar njeriun në një gjysmë kafshe vetëm për t’u udhëhequr nga dogmatika ideologjike. Madje Kadareja e përçmoi folklorin shqiptar, sepse në, larminë e tij aj përfaqëson jokonformizmin, shpirtin e lirë, dashurinë për jetën e pavarur për estetiken, për bukurinë e artit të lirë.
Kadare hedh poshtë historinë shqiptare, luftat e saj të lavdishme kundër osmanëve dhe sllavëve, duke preferuar të levdoje një luftë të rreme kundër “gjeneralëve të ushtrive të vdekura” që kishin humbur luftën botërore në kohën kur komunistat ende ishin duke formuar brigadën e parë, të stërvitur dhe të armatosur nga britaniket.
Në të vërtetë, ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Kadarenë, sepse ai është shkrimtari më antishqiptar që ka ekistuar ndonjëherë. Ai dhe Enver Hoxha ishin mallkimi i Shqipërisë. Enveri na vrau trupin ndërsa Kadareja na vrau shpirtin.
Facebook-u është një mjet i shkëlqyer diagnostik për të kuptuar se sa dëme morale, intelektuale, sociale i ka bërë Kadare dhe vazhdon t’i bëjë popullit shqiptar. Është e qartë se ata që mbështesin Kadarenë janë më të shtyrë nga fanatizmi sesa nga interesat dhe dijenia kulturorë.
Për shkak të represionit komunist, Shqipëria humbi tre breza liderësh që mund të kishin bashkuar, frymëzuar dhe ngritur vendin në nivelin që etërit tanë irredentistë ëndërronin. Ne do të ngrihemi sërish si një popull i lirë, i bashkuar dhe përparimtar. Dje na pengoi komunizmi, sot na pengon kleptokracia. Na duhet ndihmë nga Perëndimi për ta rikthyer Shqipërinë në vathën evropiane të cilës i përket si popull indoevropian.