VOAL

VOAL

Zëri i Amerikës: Bisedimet me BE, Franca kërkon shtyrjen për Tiranën e Shkupin

October 10, 2019

Komentet

Foto e Ditës: Foto e Navalny-t e projektuar në Ambasadën Ruse në Londër

Foto e Ditës: Foto e Aleksei Navalny-t e projektuar në Ambasadën Ruse në Londër

Suedia i dhuron Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë 680 milionë dollarë

Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.

Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson.

Pakoja përfshin artileri dhe municion të artilerisë, anije detare luftarake dhe pajisje të tjera, tha Suedia.

Vendimi i Suedisë vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut Perëndimit për ndihmë gjatë një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit të hënën.

Zelensky ka paralajmëruar përsëri se ushtria e tij po përballet me kushte “tejet të vështira” dhe mungesë municioni në vijat e frontit.

“Kjo gjendje është tejet e vështirë tani në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë vendosur rezerva maksimale”, tha Zelensky më 19 shkurt pas një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit në qytetin verilindor, Kupianks.

Ai e vizitoi këtë qytet vetëm pak orë pasi Rusia e mori në dorë fabrikën më të madhe të koksit në Avdivka, ku Kievi e pranoi disfatën javën e kaluar duke i tërhequr trupat nga qyteti.

Rënia e Avdivkës, dikur qytet i rreth 30.000 banorëve por tani kryesisht i bërë rrafsh me tokën dhe shkretëtirë, në rajonin lindor të Donjeckut, shënon fitimin më të madh territorial të Rusisë në nëntë muajt e fundit prej se e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve.rel

E veja e Navalnyt takohet sot me ministrat e Jashtëm të BE-së

“Mesazhi i fortë i mbështetjes për luftëtarët e lirisë në Rusi,” parashikon Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell

VOAL- Të hënën, Yulia Navalnaya, e veja e kundërshtarit rus Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus të premten, takohet me ministrat e punëve të jashtme të BE-së në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell e parashikoi këtë në kujtimin e Alexei Navalny”.

Zonja Navalny tha se ajo e konsideronte presidentin rus Vladimir Putin “personalisht përgjegjës” për vdekjen e bashkëshortit të saj dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet për t’i shkaktuar një disfatë një regjimi që ajo e përshkroi si “të tmerrshëm”.rsi-eb

Orban: Hungaria mund të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Suedisë në NATO

VOA/Marrë nga Reuters

BUDAPEST – Parlamenti hungarez mund të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Suedisë në NATO, kur të fillojë punimet për sesionin e pranverës më vonë këtë muaj, u tha të shtunën mbështetësve të tij kryeministri Viktor Orban.

“Është lajm i mirë që mosmarrëveshja jonë me Suedinë do të zgjidhet së shpejti”, tha zoti Orban. “Po ndërmarrim hapa që me fillimin e sesionit pranveror të parlamentit mund të ratifikojmë anëtarësimin e Suedisë në NATO”.

Parlamenti rimblidhet në 26 shkurt. Suedia aplikoi për anëtarësimin në NATO gati dy vite më parë, duke bërë kështu një ndryshim historik të politikave, për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Zoti Orban tha se së bashku me kryeministrin suedez Ulf Kristersson kanë ndëmarrë hapa për “të rindërtuar besimin” mes dy vendeve. Zoti Orban nuk tha se cilat ishin këto hapa.

Hungaria është i vetmi vend i NATO-s që nuk ka ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë, një proces për të cilin duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Vonesa ka tensionuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe ka krijuar shqetësim mes vendeve aleate.

Partia në pushtet e zotit Orban, Fidesz, ka përmendur ato që i quan akuza të pabaza të Suedisë se ka dëmtuar demokracinë në Hungari, si arsyen përse është shtyrë ratifikimi.

Gjatë javës së fundit, kryeministri Orban është përballur me një periudhë tepër sfiduese për qeverisjen e tij 14-vjeçare, për shkak të faljes së dhënë nga presidentja e vendit për një person që pati ndihmuar për të mbuluar abuzimin seksual në një shtëpi fëmijësh. Skandali solli dorëheqjen e presidentes së Hungarisë dhe të ish-ministrit të drejtësisë, të dy aleatë kryesorë të zotit Orban. Të premten vonë dhjetëra mijëra persona dolën në protestat e thirrura nga personalitete me ndikim në opinionin publik.

Në deklaratën e tij të parë publike që nga dorëheqja e presidentes një javë më parë, zoti Orban tha se qeverisja e tij do të dilte edhe më e fortë, duke u përqëndruar tek ekonomia dhe zgjedhjet parlamentare të BE-së në qershor, ku pritet rritja e pranisë së forcave të djathta politike dhe “sjellja e ndryshimit në Bruksel”.

Ai tha se dorëheqja e presidentes Katalin Novak ishte “si një makth”, por se ishte veprimi i duhur, duke shtuar se qeveria e tij do të hartojë projektligje për të forcuar mbrojtjen e fëmijëve.

Zoti Orban ka patur përplasje me Komisionin Evropian për shkak të masave të qeverisë së tij kundër lirisë së medias dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ, si dhe për politikat e tij për emigracionin. Ai tha se ky vit mund të sjellë ndryshime në Evropë dhe gjetiu.

“Do të dëshironim shumë që Donald Trump-i të rikthehej si president (i Shteteve të Bashkuara) dhe… të vendosë paqen këtu në gjysmën lindore të Evropës”, tha zoti Orban, një mbështetës i hershëm i zotit Trump.

(Video) Falënderimi i Papës për kard. Simoni, “martirin e gjallë” 95-vjeçar të diktaturës në Shqipëri

Kardinali, i cili vuajti burgimin, persekutimin dhe kërcënimet me vdekje për rreth 28 vjet gjatë regjimit komunist, ishte i pranishëm sot në audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI. Françesku e përshëndeti “në mënyrë të veçantë” dhe e falënderoi, sepse edhe sot “ai vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u shkurajuar”

R.SH. – Vatikan

Hera e parë që bota e pa Françeskun, Papën e zgjedhur prej një viti e gjysmë, të derdhte lot, ishte më 21 shtator 2014, kur në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar, në Shqipëri, gjatë takimit me klerin në Kishën Katedrale të Shën Palit, në Tiranë, dëgjoi dëshminë e meshtarit dom Ernest Simoni Troshani. Ai prift i moshuar me zërin e mekët, ardhur nga dioqeza e Shkodër-Pultit, që pak ditë më vonë do të kishte mbushur 88 vjeç, kishte kaluar rreth 28 vjet burg, tortura, kërcënime me vdekje dhe punë të detyruar, gjatë persekutimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili e shpalli Shqipërinë “shtetin e parë ateist në botë”.

Atë ditë, dom Ernesti dëshmoi para Papës për periudhën mizore që kaloi vendi i shqipeve, së bashku me murgeshën tjetër të mbijetuar, motër Marie Kaletën. Papa Françesku, pasi dëgjoi në heshtje dëshminë e tij, hoqi syzet për të fshirë sytë në lot dhe e përqafoi gjatë, duke e mbështetur ballin mbi atë të dom Ernestit. Dy vjet më vonë, në Koncistorin e 2016-ës, Papa e krijoi kardinal, në shenjë mirënjohjeje për këtë dëshmi “martirizimi”.

Martirët e shumtë të sotëm

Paraditen e sotme, 14 shkurt, kardinali Simoni ishte i pranishëm në audiencën e përgjithshme, i ulur në karriget anash Papës, në  podiumin e Sallës Pali VI, ku zakonisht qëndrojnë ipeshkvijtë dhe kardinajtë. Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, në kohën e përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë Bergoglio e ktheu vështrimin drejt tij, për ta përshëndetur “në mënyrë të veçantë” dhe për ta lëvduar para mijëra besimtarëve të pranishëm.

“Të gjithë ne – ngriti zërin Papa, duke e lënë mënjanë tekstin e shkruar – i kemi lexuar, i kemi dëgjuar historitë e martirëve të parë të Kishës, të shumë prej tyre. Edhe këtu, ku tani është Vatikani, dikur ishte varrezë. Shumë u ekzekutuan dhe u varrosën këtu. Kur bëhen gërmime, i gjejnë këto varre”.

“Por edhe sot ka shumë martirë në mbarë botën, shumë, ndoshta, më shumë se në zanafillë. Ka shumë të persekutuar për fenë”.

Kardinali Simoni ende punon për Kishën

Sot, vijoi Papa, “më lejoni të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë”, kardinalin Simoni. “Ai, si meshtar, përjetoi 28 vjet burg, në burgun komunist të Shqipërisë, ndoshta persekutimi më mizor, më mizor”, pohoi Françesku. Sot kardinali shqiptar “vazhdon të japë dëshmi. Dhe si ai, shumë e shumë e shumë të tjerë”.

“Tani, është 95 vjeç e vazhdon të punojë për Kishën, pa u shkurajuar. I dashur vëlla, të falënderoj për dëshminë tënde. Faleminderit”.

Fjalët e Papës, gjatë kthimit nga Tirana

Fjalë prekëse ato të Papës në fund të audiencës, shoqëruar me një thirrje të re për të mos harruar, veçanërisht gjatë kësaj kohe Krezhmësh, “Ukrainën e martirizuar, Palestinën dhe Izraelin, që pësojnë kaq shumë”, si edhe të vuajturit e tjerë të luftrave.  Edhe gjatë kthimit nga Tirana, pas udhëtimit të tij në vitin 2014, Ati i Shenjtë u foli gazetarëve për historinë e kardinalit të mëvonshëm Simoni dhe për motër Kaletën. “Të dëgjosh një martir të flasë për martirizimin e tij është vërtet diçka e fuqishme – pati thënë Françesku. – Mendoj se të gjithë u prekëm nga këta dëshmitarë, që folën natyrshëm, me përvujtëri e, thuajse, dukej sikur po tregonin historitë e jetës së dikujt tjetër”.

Arrestimi, kërcënimet, persekutimi

Don Ernesti u arrestua natën e Krishtlindjes 1963, në fund të meshës në Barbullush. E akuzuan si “armik të popullit”, edhe për shkak të meshës së kremtuar për shpirtin e presidentit amerikan Kennedy, i cili kishte vdekur një muaj më parë. Meshë që, siç tregonte ai vetë, e kremtoi “sipas udhëzimeve të Papës Pali VI për gjithë meshtarët e botës”. Në qelinë, ku qëndroi për 18 vjet, i sollën një shok me detyrën për ta spiunuar dhe urdhëruan të tjerë të raportonin për “zemërimin e tij të parashikueshëm” kundër regjimit.

Por kishte pak gjëra për dom Ernestin, vetëm fjalë faljeje dhe lutjesh dilnin nga goja e meshtarit. “Jezusi na mësoi t’i duam armiqtë dhe t’i falim, duhet të punojmë për të mirën e njerëzve”, vazhdonte të thoshte ai. Fillimisht, u dënua me vdekje, por më pas, dënimi iu ndryshua në punë të detyruar, që e bëri për 25 vite me radhë në tunelet e errëta të minierës së Spaçit dhe më pas, në kanalizimet e Shkodrës.

Meshët dhe rrëfimet fshehurazi në qeli

Gjatë periudhës së burgimit, dom Simoni kremtonte meshën në latinisht, rrëfente të burgosurit, që ia kërkonin atë sakrament, duke u bërë ati shpirtëror i disa prej tyre e duke u dhënë edhe Kungimin. Hosten e piqte në një furnelë të vogël, ndërsa vera ishte lëngu i disa kokrrave të rrushit. Gjithnjë, fshehurazi. Pasi u lirua, më 5 shtator 1990, ai i fali torturuesit e tij, duke kërkuar mëshirën e Atit Qiellor për ta. Më pas, nisi të shërbente nëpër fshatra, sidomos për faljen e gjaqeve. Shërbim, që nuk u ndërpre asnjëherë, as për shkak të moshës dhe as për krijimin e tij kardinal. Pikërisht për këtë nderim, që i bëri Papa, kardinali Simoni thotë gjithnjë se ai është homazh për të gjithë martirët dhe katolikët e përndjekur në Shqipëri. Ashtu siç ishte nderim i tillë edhe krijimi i kardinalit të parë shqiptar në histori, nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1994: Mikel Koliqi (1902-1997), bashkëqytetari i tij nga Shkodra, edhe ai, i burgosur gjatë në burgjet e regjimit, ku kaloi 31 vite të jetës së tij.

Radio Vatikani 14 shkurt 2024

Shërbimi i inteligjencës së Estonisë paralajmëron: Rusia po përgatitet për konfrontim ushtarak me Perëndimin

Rusia po përgatitet për një konfrontim ushtarak me Perëndimin brenda dekadës së ardhshme tha Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Estonisë.

Një numër në rritje i zyrtarëve perëndimorë kanë paralajmëruar për një kërcënim ushtarak nga Rusia ndaj vendeve përgjatë krahut lindor të NATO-s, duke bërë thirrje që Evropa të përgatitet duke u riarmatosur, raportoi Reuters. Shefi i shërbimit të inteligjencës tha se vlerësimi bazohej në planet ruse për të dyfishuar numrin e forcave të stacionuara përgjatë kufirit të saj me anëtarët e NATO-s, Finlandën dhe shtetet baltike të Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

“Rusia ka zgjedhur një rrugë që është një konfrontim afatgjatë… dhe Kremlini me siguri po parashikon një konflikt të mundshëm me NATO-n brenda dekadës së ardhshme apo më shumë”, u tha Kaupo Rosin gazetarëve në publikimin e raportit të kërcënimeve të sigurisë kombëtare të Estonisë. Estonia dhe shtetet e tjera baltike kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake në mbi 2% të vlerës së ekonomive të tyre pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe aleatët e NATO-s kanë rritur praninë e tyre në ato vende.
(BalkanWeb)

Ukraina thotë se shkatërroi 40 dronë të nisur nga Rusia gjatë natës

Pamje prej Kievit, shkurt, 2024.

Ushtria e Rusisë ka nisur në Ukrainë një valë të re sulmesh me dronë, përgjatë natës, përfshirë edhe në kryeqytetin Kiev, kanë thënë zyrtarë ushtarakë ukrainas, më 11 shkurt.

Rusia ka sulmuar me dronë Ukrainën edhe një ditë më parë, kryesisht në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, i cili gjendet në kufi me Rusinë, në pjesën lindore.

Si pasojë e sulmeve të 10 shkurtit janë vrarë të paktën tetë persona.

Sulmet e vazhdueshme ruse vijnë në kohën kur Kievit po i rrezikohen ndihmat ushtarake prej Shteteve të Bashkuara, pasi ligjvënësit republikanë atje po e bllokojnë një pako ndihme në vlerë të 61 miliardë dollarëve, me kërkesën që të bëhen ndryshime të mëdha në politikat kufitare të SHBA-së, për shkak të migrimit.

Forca ajrore ukrainase ka thënë ne Telegram se sistemet për mbrojtje kanë shkatërruar 40 prej 45 dronëve iranianë të nisur prej Rusisë gjatë natës.

“Alarmi në kryeqytet ka zgjatur gati dy orë”, ka thënë Serhiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të Kievit, përmes një postimi në platformën për mesazhe, Telegram.

Popko ka thënë se të gjithë dronët mbi Kiev janë shkatërruar në ajër dhe nuk është raportuar për dëme në kryeqytet.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.rel

Ekspertët: lufta me Rusinë mund të nisë nga ky korridor në Evropë dhe brenda pesë vjetëve

Ministri danez i Mbrojtjes, Troel Lunn Poulsen ka thënë se një konflikt ushtarak midis NATO-s mund të fillojë deri në pesë vjetët e ardhshme.

“Nuk mund të përjashtohet që brenda tre deri në pesë vjet Rusia të provokojë nenin e pestë të NATO-s dhe solidaritetin e aleancës”, deklaroi zyrtari danez, duke shtuar se Kremlini “ka një dëshirë për ta bërë këtë”, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, Danimarka nuk ka gjasa së sulmohet drejtpërdrejt, por mund të përballet me kërcënimin e sulmeve hibride nga Rusia.

Javëve të fundit ka pasur paralajmërime të shumta për një konflikt të mundshëm nga Rusia.

Një zyrtar gjerman paralajmëroi se një konflikt me Rusinë mund të fillojë brenda një dekade. Por, ky nuk ishte alarmi i vetëm, pasi edhe një zyrtar i NATO-s deklaroi se mund të ndodhë një luftë gjithëpërfshirëse me Rusinë.

Duke mos u mjaftuar këto dy parlajmërime nga këto dy vende evropiane, shqetësime të tilla të ngjashme janë ngritur edhe nga Britania e Madhe.

Siç raportohet, konflikti mund të nisë nga korridori Suwalki, midis Bjellorusisë dhe Kaliningradit (koloni ruse).

Çfarë dimë për këtë korridor?

Korridori Suwalki është një brez toke prej 60 deri në 100 kilometra, nga të tria anët ky korridor kufizohet me Bjellorusinë, Lituaninë dhe Poloninë dhe rruga çon deri tek kolonia ruse, Kaliningrad.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska u përpoq të siguronte një kalim në anën polake të korridorit për në territorin e saj të sapo ndarë.

Përpjekja ishte e pasuksesshme. Në vend të kësaj, Rusia negocioi marrëveshje me BE-në për të siguruar transitin e qytetarëve dhe mallrave rusë përmes Lituanisë.

Siç raportohet, ekspertët e kanë përshkruar këtë korridor si “Thembra e Akilit”, “Pika më e dobët”, apo edhe “Vendi më i rrezikshëm në tokë”.bw

Vdes Robert Badinter, udhëhoqi Francën të shfuqizonte dënimin me vdekje

VOA/Marrë nga Associated Press

Robert Badinter, i cili udhëhoqi përpjekjet për të shfuqizuar dënimin me vdekje në Francë, bëri fushatë kundër mohimit të Holokaustit dhe drejtoi një organizëm evropian që trajtonte pasojat ligjore të shpërbërjes së Jugosllavisë, vdiq në moshën 95 vjeçare.

Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi Robert Badinter, një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe ish-ministër i drejtësisë, si “figurë e shekullit”. Ministria franceze e Drejtësisë konfirmoi të premten vdekjen e 95-vjeçarit, pa dhënë detaje.

Një avokat dhe mendimtar, Robert Badinter njihej për përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’i dhënë fund dënimit me vdekje.

Si ministër i drejtësisë gjatë drejtimit të Presidentit të atëhershëm Francois Mitterrand, zoti Badinter mposhti kundërshtitë në radhët e opinionit publik dhe fitoi mbështetjen parlamentare për heqjen e dënimit me vdekje në 1981.

I lindur në Paris në vitin 1928 në një familje hebreje, zoti Badinter ishte dëshmitar krimeve të nazizmit dhe humbi babanë e tij në kampin e vdekjes Sobibor, sipas zyrës së Presidentit Macron.

Zoti Badinter drejtoi Gjykatën Kushtetuese të Francës, shërbeu si senator për 16 vjet dhe konsiderohej nga shumë francezë si një pikë referimi, falë mbrojtjes së tij ndaj të drejtave të njeriut.

Në vitin 1991, zoti Badinter udhëhoqi një organizëm arbitrazhi të krijuar nga Komuniteti Ekonomik Evropian për t’i ofruar Konferencës së Paqes mbi Jugosllavinë këshilla ligjore pasi Sllovenia dhe Kroacia, kishin shpallur pavarësinë.

Ky organizëm u bë i njihur si Komisioni i Badinterit.

Komisioni i Badinterit lëshoi 15 opinione ligjore mes viteve 1991 dhe 1993, mes të cilave një që thoshte se Republika Federative Popullore e Jugosllavisë ishte shpërbërë. Kjo hapi i hapi udhë njohjes ndërkombëtare të Sllovenisë dhe Kroacisë si shtete sovrane në 1992.

Komisioni i Badinterit gjithashtu i shpalli kufijtë midis ish-republikave jugosllave si kufij ndërkombëtarë midis vendeve të reja të pavarura që mund të ndryshoheshin vetëm me diplomaci dhe jo me forcë.

Pavarësisht kësaj, luftërat shpërthyen në vitet 1990 në Kroaci dhe më vonë në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, duke shkaktuar vdekjen e qindra mijëra njerëzve.

Në deklaratën e tij, Presidenti Macron nderoi kujtimin e një “burri të urtë të Republikës”, i cili, “pasi përjetoi tragjedinë e shekullit, mishëroi shpresën”.

Zelensky emëron shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka emëruar gjeneralmajorin Anatoliy Barhilevych, në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ukrainase.

Këtë post, deri më 9 shkurt e mbante Serhiy Shaptala.

Gjatë një video-adresimi më 9 shkurt, Zelensky e përshkroi Barhilevychin si “një person me përvojë që kupton detyrat e kësaj lufte dhe objektivat e Ukrainës”.

Ai tha se ky emërim është bërë me rekomandim të komandantit të ri të përgjithshëm të ushtrisë ukrainas, Oleksandr Syrskiy.

Syrskiy u zgjodh të drejtojë ushtrinë ukrainase të enjten. Ai deklaroi më 9 shkurt se shteti duhet të ndryshojë dhe përmirësojë metodat e tij të luftës nëse dëshiron të mposhtë forcat pushtuese ruse.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ndryshimet në postet kyçe ushtarake ukrainase po ndodhin në një kohë kritike për Ukrainën, shtet që ka dështuar të rimarrë territor të konsiderueshëm nga Rusia që nga fundi i vitit 2022 dhe tani po përballet me mundësinë që të mos marrë një ndihmë të rëndësishme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, pasi që ligjvënësit republikanë kanë bllokuar paketën e ndihmës për Kievin në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.rel

Zelensky emëron komandantin e ri të ushtrisë ukrainase

Komandanti i ri i përgjithshëm i forcave ukrainase, Oleksandr Syrskiy.

 

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ka emëruar Oleksandr Syrskiy në postin e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës. Këtë njoftim Zelensky e bëri disa minuta pasi njoftoi se ishte koha për një “udhëheqje të ripërtërirë” të Forcave të Armatosura të shtetit.

Zelensky u takua me ish-komandantin e përgjithshëm, gjeneralin Valeriy Zaluzhniy, më herët gjatë 8 shkurtit dhe tha se i ka kërkuar që të qëndrojë “në ekipin e tij”, edhe pse nuk specifikoi se në çfarë kapaciteti.

Për javë të tëra ka pasur spekulime se Zelensky po e shqyrtonte mundësinë e largimit të Zaluzniyit, për shkak të dallimeve që kishin në strategji në kohën kur Ukraina po vazhdon luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Tensionet mes presidentit Zelensky dhe gjeneralit Zalunzhniy u vunë re në nëntorin e vitit të kaluar, pasi gjenerali kishte publikuar një ediorial në The Economist, ku deklaroi se lufta kishte hyrë në një ngërç dhe se vetëm përparimi teknologjik do t’i mundësonte Ukrainës që të përmbushë qëllimin e saj për të çliruar territoret e pushtuara.

Pas publikimit të editorialit, Zyra e Zelenskyt menjëherë kishte hedhur poshtë vlerësimet e gjeneralit lidhur me situatën në fushëbetejë.

Ndërrimi i udhëheqësit të ushtrisë ukrainase u bë teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës është afër dyvjetorit të nisjes së tij.rel

Parlamenti Evropian kërkon hetime ndërkombëtare për parregullsitë e raportuara për zgjedhjet në Serbi

Parlamenti Evropian, përmes një rezolute të veçantë, pritet të kërkojë hetime të pavarura ndërkombëtare për parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve në Serbi. Për këtë rezolutë pritet të votohet të enjten, më 8 shkurt, gjatë një seance plenare të PE-së në Strasburg.

Në tekstin e draftit të rezolutës së dakorduar nga disa grupe politike në PE, për të cilin do të votohet, shprehet keqardhje për faktin se Serbia nuk ka siguruar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare. Aty po ashtu shprehet keqardhje edhe për refuzimin nga autoritetet e Serbisë që të pranojnë se kanë ndodhur parregullsi në zgjedhje.

Serbia ka mbajtur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe krahinore më 17 dhjetor 2023.

“Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale, me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për Asamblenë e qytetit të Beogradit”, thuhet në tekstin e draftit të rezolutës.

“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian që të shqyrtojë dërgimin e një misioni ekspertësh në Serbi, për të vlerësuar situatën dhe zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit dhe të bëjë përpjekje për të lehtësuar një dialog shoqëror, i cili do të çonte deri te kthimi i besimit në institucione”, theksohet në draft-rezolutën.

Sipas tekstit të kësaj rezolute të propozuar, PE-ja ka dënuar mungesën e pluralizmit politik gjatë procesit zgjedhor, favorizimin e partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS) nga ana e mediave gjatë fushatës, fushatat e shumta të dezinformimit, në të cilat, sipas përpiluesve të këtij teksti, pos mediave pro-qeveritare në Serbi ishin përfshirë edhe struktura të Rusisë. PE-ja po ashtu dënoi edhe kërcënimet ndaj organizatave joqeveritare dhe gazetarëve të pavarur.

Ndër parregullsitë në zgjedhje në Serbi Parlamenti Evropian përmendi votimin e shtetasve nga vendet tjera, posaçërisht nga Bosnja e Hercegovina për zgjedhjet lokale, sjelljen në mënyrë të organizuar të votuesve në vendvotime nga partia në pushtet, shlyerjen e votuesve nga regjistri në disa raste, joshja e paligjshme e votuesve dhe forma tjera të shkeljeve të parimeve të zgjedhjeve të lira.

Deputetët e Parlamentit Evropian janë të mendimit se një vend si Serbia, që është kandidat për anëtarësim në BE, duhet të respektojë standardet themelore demokratike.

Në draft-rezolutë po ashtu dënohet edhe përdorimi i tepruar i forcave policore në Serbi ndaj protestuesve gjatë protestave kundër parregullsive në zgjedhje.

Po ashtu deputetët e Parlamentit Evropian përmes rezolutës, dënojnë edhe sulmet verbale nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi ndaj vëzhguesve nga BE-ja si dhe pohimet se vende të BE-së ishin përfshira në organizimin e protestave pas zgjedhjeve. Po ashtu është dënuar edhe gjuhën kundër BE-së që është përhapur në Serbi nga mediat e afërta me partinë në pushtet. Në tekst përmendet se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, publikisht i ka falënderuar shërbimet e Rusisë për informata rreth protestave, të organizuara nga opozita në Serbi.

Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të shqyrtojë edhe pezullimin e fondeve të BE-së për Serbinë nëse dëshmohet se autoritetet e Serbisë kanë qenë direkt të përfshira në manipulimin e rezultateve zgjedhore.

“Shprehim keqardhje për mungesën e kritikave të zëshme nga Komisioni Evropian, posaçërisht nga komisionari për zgjerim në një varg dyshimesh për mashtrime zgjedhore në Serbi dhe bëjmë ftesë që Komisioni të adresojë këto çështje që solli deri te dyshimet, pa vonesa”, u tha në tekst.

PE po ashtu kërkoi që edhe negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në të lidhen me reforma, përfshirë edhe me adresimin e problemeve me zgjedhjet. Pa këto, u tha në tekst, nuk do të duhej të vazhdojnë negociatat.

Partitë opozitare në Serbi kanë akuzuar Qeverinë për manipulimin e procesit zgjedhor dhe kanë organizuar protesta pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Nga BE-ja është shprehur shqetësim për raportet rreth parregullsive. Por, më kritik, duke kërkuar edhe masa, ka qenë Parlamenti Evropian i cili edhe i kishte dërguar vëzhguesit në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi. Në Parlamentin Evropian ishte zhvilluar edhe debate rreth këtyre zgjedhjeve dhe tash pritet të miratohet edhe rezoluta. Qeveria e Serbisë i ka hedhur poshtë kritikat e eurodeputetëve dhe ka bërë akuza personale ndaj deputetëve që kanë folur për parregullsi në zgjedhje.


Send this to a friend