Gjermania dhe Holanda do të krijojnë një staf të përbashkët ushtarak në krahun lindor të NATO-s, në një lëvizje që synon përballimin e kërcënimit rus, njoftoi Ministria gjermane e Mbrojtjes.
Kjo qendër e përbashkët e komandës ushtarake, e quajtur 1GNC (First German-Netherlands Corps), do të marrë një rol drejtues në rajonin e Estonisë dhe Letonisë nga verë, duke forcuar kohezionin e NATO-s dhe aftësinë e saj për t’u përgjigjur shpejt ndaj sfidave ushtarake.
Aktualisht, stafi ka selinë në Mynster të Gjermanisë Perëndimore dhe mund të komandojë deri në 50,000 ushtarë, duke përfshirë planifikimin e ushtrimeve, përgatitjen për konflikte të mundshme dhe udhëheqjen e forcave në rast lufte.
Forcat e NATO-s në rajonin e Baltikut udhëhiqen tani nga një komandë në Szczecin të Polonisë, ndërsa qendra e re synon të rrisë kapacitetet dhe gatishmërinë e aleancës. Përveç Gjermanisë dhe Holandës, edhe 14 vende të tjera të NATO-s do të ofrojnë personel në këtë komandë të përbashkët. gsh