Policia gjyqësore portugeze ka zhvilluar një nga operacionet më të mëdha të vitit, në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe abuzim me kontrata publike në disa bashki të vendit, ku janë arrestuar pesë persona dhe janë shpallur 37 të tjerë si të dyshuar.
Mes të arrestuarve ndodhet Duarte Moral, ish-këshilltar i ish-kryeministrit António Costa dhe një figurë e afërt me drejtuesin aktual të Partisë Socialiste, José Luís Carneiro, si dhe bashkëshortja e tij, Rute Reimão.
Sipas CNN Portugal, operacioni është zhvilluar me rreth 400 inspektorë në terren dhe po heton një skemë të dyshuar korrupsioni në pushtetin lokal të socialistëve, për vepra si shpërdorim detyre, trafik influence dhe përfitim të paligjshëm.
Hetimi lidhet me kontrata të dhëna kryesisht me procedurë të drejtpërdrejtë për kompani dhe persona të lidhur me militantë socialistë, me një vlerë që, sipas autoriteteve, ka kaluar 800 mijë euro vetëm në periudhën 2016–2022.
Në qendër të hetimit ndodhet bashkia e Santa Maria Maior në Lisbonë, e drejtuar më parë nga socialisti Miguel Coelho, e cila dyshohet se ka kontraktuar një rrjet personash dhe kompanish të lidhura me Partinë Socialiste në disa zona të vendit, shkruajnë mediat portugeze.
Sipas hetuesve, një pjesë e kontratave dyshohet se janë lidhur mes kompanive të lidhura me militantë të PS-së dhe institucioneve lokale, për shuma që arrijnë në rreth 800 mijë euro.
Gjithashtu, bashkëshortja e Duarte Moral dyshohet se ka përfituar rreth 70 mijë euro nga kontrata me procedurë të drejtpërdrejtë me një bashki në Lisbonë, ndërsa vetë ai ka pasur lidhje me aktivitete konsulence dhe fushatash politike në disa rajone të vendit.
Autoritetet portugeze bëjnë të ditur se në operacion janë përfshirë edhe 7 prokurorë, të cilët kanë ekzekutuar 60 urdhër-arreste për kontrolle në banesa dhe 32 të tjera në ambiente të ndryshme në Lisbonë, Mafra, Oeiras dhe Coimbra.
Prokuroria konfirmon se vlera totale e kontratave nën hetim arrin në rreth 2 milionë euro.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet theksojnë se po verifikohen pagesa dhe fatura të dyshuara për përfitime të paligjshme përmes strukturave të lidhura me parti politike. Panorama