VOAL

VOAL

Berna dhe Europa përballë barbarisë së një kryeministri të lajthitur! Nga Elida Buçpapaj

September 9, 2018
2 Comments
  • author avatar
    Shkambi 7 years ago Reply

    Jemi të uritun Zj. Buçpapaj për ndergjegjsimin e kombit me fenomenin kryeministri i sorosit!

Komentet

Zgjedhje po, zgjidhje jo- Nga ARIF EJUPI

(Reflektim mbi papërgjegjësinë politike të deputetëve tanë)

Në Kosovë, zgjedhjet e rregullta Parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti. Mirëpo, sa herë që përfundon numërimi i votave, fillon numërimi i krizave të reja.
Fituesit sillen si humbës që nuk dinë ç’të bëjnë me fitoren, ndërsa humbësit sillen si fitues që nuk dinë të pranojnë humbjen.
Parlamenti është shndërruar në barrikadë bllokimesh politike, ndërsa Qeveria në një fantazmë institucionale. Votuam në dimër, e siç duket, po na zë vera pa Parlament funksional dhe pa Qeveri të konstituuar.
Derisa qytetarët planifikojnë pushimet, politikanët kalkulojnë pazaret e radhës për poste dhe ndikim.
Takimet e njëpasnjëshme, kinse për konstituimin e Legjislativit dhe të Ekzekutivit, deri më tani kanë qenë vetëm lojë politike. Në sfond krijohej përshtypja se marrëveshjet ishin afër, por në realitet, rezultati çdoherë përfundonte 0 me 0.
Në këto maratona të neveritshme dhe monotone nuk shihet asgjë serioze, përveç retorikës dhe lakmisë për pushtet.
Mbase nuk gaboj kur them se mazhoranca nuk po ngutet për të marrë përgjegjësi qeverisëse, nga frika e ballafaqimit me vendime të rënda, që pashmangshëm do të krijonin pakënaqësi te elektorati.
Ndërsa opozita, dikur në pushtet, nuk mund të flasë me integritet për luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe keqpërdorimit të pushtetit, kur vetë është e zhytur në këto dukuri.
Kjo rrëmujë politike i shkon për shtati Listës Serbe, një subjekt që historikisht ka penguar funksionimin demokratik të shtetit. Ajo ka punuar dhe punon hapur kundër sovranitetit të Kosovës.
Nga mosmarrëveshjet e partive tona më së tepërmi përfiton Lista Serbe. Ajo forcon ndikimin e saj përmes bojkotit dhe bllokadës.
Mirëpo, përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e brendshme. Bashkësia Ndërkombëtare mban një pjesë të madhe të fajit.
Duke ditur se drejtuesit e kësaj Liste kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin dhe rrezikojnë sigurinë dhe integritetin territorial të vendit, ajo duhej të kërkonte përjashtimin e saj nga skena politike, në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.
Tolerimi i vazhdueshëm nuk është neutralitet, por stimulim në heshtje.
Në këtë situatë absurde, habit fakti se disa propozojnë zgjedhje të reja, pa marrë parasysh koston financiare që ato i sjellin buxhetit të Kosovës.
Në një vend ku ka zgjedhje, e s’ka zgjidhje, çdoherë fitojnë ata që duan mjegull dhe rrëmujë.
Loja e papërgjegjshme e atyre që morën votën e popullit fare lehtë mund të çojë në zemërim qytetar dhe në humbje të shpresës për ditë më të mira.
Andaj, nuk duhet të çuditemi që Kosova po mbetet pa të rinj, sepse loja me ta ka filluar kaherë.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 14 qershor 2025

EDHE PSE ISHE ERUDIT E ATDHETAR I KULLUAR, PAFAJSHËM TË GODITI KOMETA OGURZEZË- Nga ARIF EJUPI

Ymer Adem Llugaliu, ai djali njëzetvjeçar që i hipi krahut të ëndrrës dhe fluturoi në Krujën e Kryeheroit të Arbanisë, duke pandehur parajsën, befas ra në kthetrat e djajve të kuq, ku edhe vetë Dante do t’ia kishte zili ferrin nëpër të cilin kishte kaluar.

Edhe pse i zhytur deri në fyt në llucën e galerive të thella dhe të errëta të Spaçit, e më pas në rrëshirën katran të Ballshit, dashurinë e akumuluar në thellësitë e zemrës për Budin, Bogdanin, Bardhin, Fishtën e veçanërisht Migjenin, e ruajti pa e dridhur qerpikun nga gardianët trushpërlarë e pansllavistë.

Kur ngadhënjeu demokracia mbi diktaturën dhe shqiptarët u çliruan nga thundra e Faraonit, fuqishëm brohoriti:
“Rroftë Shqipnia natyrale!
Vdekje pushtuesve dhe tradhtarëve!”

Sytë i shkëlqyen!

Fytyra i shndriti porsi rrezet e diellit në agim!

Kraharori iu mbush me forcë dhe vullnet rinor!

Hapi iu shpengua!

Pas tridhjetë e katër vjetësh u kthye në Llap, ngjashëm me Ago Ymerin e baladave tona, ku rininë njomështake e pati lënë të ndryme. I madh e i vogël i bënë pritje madhështore.
Kur, Kosovës deshi me ia përkëdhelë shtatin dhe me i thur vargje trimërie, njëthundrakët shumadianë, me pranga në duar, e dëbuan përtej Bjeshkëve të Nemuna, ku pati hequr të zitë e ullirit.

Mirëpo, çdoherë i këndellur dhe i gatshëm me u flijua për Dardaninë dhe Flamurin me Shqiponjën dykrenore të ngritur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, me tërë qenien u dha pas Rilindjes Demokratike.

Edhe pse e shigjetuan nga të gjitha anët paranojakët diktatorialo-proletarë, asnjëherë nuk u gjunjëzua e as nuk u zhgënjye me vetveten.

Ymer Adem Llugaliu, identik me Sokratin e vuajtur, nuk u nënshtrua, as nuk kërkoi lëmoshë nga “Derri i kënaqur” gjirokastrit, vëlla ideologjik i kuco-sllavëve Stalin e Popoviq.

Vdiq në moshën 86-vjeçare në Besianën e tij të dashur, në mbrëmjen e 13 qershorit të vitit 2022, me fjalën në gojë:
“Mirditë, hallall mundi dhe djersa ime, se edhe Ti, së bashku me mua, ishe e persekutuar dhe e burgosur!”

Me shpirt dhe dashuri të papërshkruar kontribuoi në arsimimin e shqiptarëve, andej dhe këndej Atdheut të ndarë në dysh.

Andaj, përherë do të kujtohet si mësues i kombit, me lapsin pushkë dhe fjalën shpatë!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 13 qershor 2025

Kur pasioni për Kiminë kthehet në model suksesi kombëtar- Nga ARIF EJUPI

Fadil Haliti – mësuesi që e bëri Podujevën kampione të kimisë në Kosovë

Falë punës së palodhshme dhe përkushtimit të rrallë të pedagogut Fadil Haliti, nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës prej shumë vitesh janë bërë sinonim i suksesit në lëndën e Kimisë, qoftë në Testin e Maturës Shtetërore, qoftë në provimet pranuese në fakultetet më të kërkuara të Universitetit të Kosovës.

Dikur kjo lëndë i trembte shumë nxënës. Mungesa e laboratorëve, e pajisjeve, madje edhe e përgatitjeve teorike cilësore, e kthente Kiminë në një “gogol”. As vetë përpjekja e nxënësve nuk mjaftonte për ta kuptuar thelbin e serive kimike apo për të lexuar saktë strukturën e tabelës periodike.

Por ardhja e z. Fadil Haliti dhe përvoja e tij mbi 35-vjeçare e kanë shndërruar orën e kimisë në një përvojë tërheqëse dhe të dashur për nxënësit. Sot, çdo orë kimie në “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës, është si një “kopsht i lulëzuar”, ku gërshetohen kurioziteti, guximi dhe pasioni për të mësuar përmes eksperimentimit.

Puna e tij nuk është kufizuar brenda orarit zyrtar. Për vite me radhë, Haliti ka organizuar kurse jashtëshkollore me dhjetëra nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës, e madje edhe për shqiptarë të diasporës.

Një nga shembujt e këtij përkushtimi është Selma Myrta, e lindur në Doha të Katarit, e cila ka ndjekur online kurset e kimisë me Halitin dhe ka arritur të fitojë pikët e plota për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Rezultatet flasin vetë: çdo vit, nxënësit e këtij gjimnazi kryesojnë listat e pranimeve në Universitet, sidomos në drejtimet e mjekësisë, ku kimia është vendimtare.

Emra si Shpëtim Bahri Thaçi (pulmolog i njohur), Florim Selim Zejnullahu (kirurg vitreoretinal dhe drejtues i repartit të syve në QKUK) dhe Blend Fidaim Ejupi (mjek i ri, bursist i Universitetit) janë të gjithë produkt i kësaj shkolle dhe këtij mësuesi.

Edhe brezat e viteve 2018–2022 kanë ndjekur këtë rrugë suksesi, duke realizuar rezultate kulminante në testime dhe provime pranimi.

Por ajo që mbetet e hidhur është heshtja e institucioneve: me gjithë këto arritje, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, nuk ka ofruar asnjëherë një shpërblim, një mirënjohje publike apo qoftë edhe një falënderim zyrtar për mësuesin që ka ngritur lart imazhin e arsimit në Kosovë.

Në një kohë kur arsimimi cilësor është më i nevojshëm se kurrë, figura si Fadil Haliti duhen vlerësuar, nderuar dhe bërë model i sistemit tonë arsimor.
Përjetësisht mirënjohës, z. Haliti!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 11 qershor 2025

Në Gjenevë, mes heshtjeje dhe lotësh, iu dha lamtumira e fundit të riut Astrit Abdullahi- Nga ARIF EJUPI

Në varrezat Saint Georges të Gjenevës, familjarë, shokë dhe miq i dhanë lamtumirën, mes lotësh dhe dhembjeje të papërshkrueshme, të riut Astrit Abdullahi.


Prindërit e tij Enveri dhe Zahidja të përndjekur nga pushteti i atëhershëm i Jugosllavisë, komuniste u detyruan të migrojnë në Gjenevë të Zvicrës, në fillim të viteve 1980.
Ata krahas përpjekjeve për t’u integruar sa më shpejt në shoqërinë zvicerane punuan pandërprerë për çlirimin dhe mëvetësinë e Kosovës nga zgjedha serbe.
Si Enveri ashtu edhe Zahidja ishin cilësuar nga regjimi komunist i asaj kohe si armiq të përbetuar të Jugosllavisë . Deri në çlirimin definitiv të Kosovës, ata ishin të privuar nga e drejta për ta vizituar Atdheun e tyre.
Nga ky dënim absurd dhe çnjerëzor u goditën edhe dy fëmijët e tyre të lindur në Gjenevë, Albani dhe Astriti.
Enveri dhe Zahidja, jo vetëm në Gjenevë por kudo në vendet e Perëndimit, njihen si çift që mori pjesë në të gjitha demonstratat dhe manifestimet në mbështetje të çështjes shqiptare.
Madje, Zahidja u doli në ndihmë të gjithë mërgimtarëve tanë që ende nuk kishin arritur nivelin e nevojshëm të komunikimit në gjuhën frënge.
Në arkivat e shoqatave dhe klubeve shqiptare në Gjenevë dhe qytete të tjera të Zvicrës, kudo figuron emri i tyre, i lidhur me kontributet e dhëna jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trojet shqiptare nën pushtimin serbo-sllav.
Dashurinë për vendlindjen dhe të afërmit e tyre e kultivuan edhe tek të dy djemtë e tyre Albani dhe Astriti.
Të gjithë të pranishmit në ceremoninë e varrimit, përveç shtrëngimit të duarve në shenjë ngushëllimi, nuk mundën të nxirrnin nga gojët e tyre asnjë fjalë, ngaqë lotët dhe dhembja i kishin pllakosur thellë.

Astritit, të gjithë i kemi borxh lutjet që shpirti i tij të prehet në paqe, sepse padrejtësisht regjimi gjakatar i Serbisë ia mohoi atij dhe të vëllait, Albanit, të drejtën për t’i shijuar bukuritë e vendlindjes, vetëm pse prindërit e tyre, Enveri dhe Zahidja, luftuan me ngulm për shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 7 qershor 2025

 

PËRJETËSIA E NJË LEGJENDE- Nga ARIF EJUPI

Me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit (9 qershor 2018)
Ky dokumentar i plotë rikujton rrënjët e tij familjare, vitet rinore në Podujevë, hapat e para në futboll, rrugëtimin e jashtëzakonshëm në Francë dhe Turqi, si dhe kontributin e tij, të pazëvendësueshëm në pavarësimin e sportit të Kosovës.

Vdekja e parakohshme e Fadil Vokrrit, kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, është pritur kudo me dhembje dhe pikëllim të thellë.
Vokrri lindi më 23 qershor 1960 në Podujevë. Origjina e familjes së tij është nga fshati Sfeqël i kësaj komune. Rizahu, gjyshi i Fadilit në Llap, njihej si njeri i urtë e arsimdashës.
Në mënyrë që katër djemtë e ti, Bejtullahu, Abdullahu, Selatini dhe Muhameti, të kenë një jetë më të lehtë dhe më të begatët ai me familjen e tij të ngushtë në fillim të viteve 50-të, largohet nga Sfeqla dhe vendoset në qytezën e Podujevës.

Me gjithë vështirësitë e shumta të asaj periudhe djem dhe vajza të kësaj familje tregohen të suksesshëm si në edukim ashtu edhe në sport.
Abdullahu, babai i Fadil Vokrrit, është njëri nga pedagogët e parë në Llap. Ai së bashku me vëllezërit Nexhmi dhe Shefki Sejdiu, Ramush Rama, Ramadan Salihu, Nazmi Rrahmani, Murat Blaku, Kadrush Rama dhe intelektualë të tjerë të kohës konsiderohen pionierë të gjimnazit të përgjithshëm “8 Nëntori”të Podujevës.
Ai një kohë të gjatë punoi si redaktor dhe drejtor i Entit të Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës. Tani ky institucion i Arsimit dhe Shkencës, njihet si “Libri Shkollor i Republikës së Kosovës”
Pas dëbimit të Serbisë nga Kosova ,Abdullahu, kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe si ligjërues i lëndës së Pedagogjisë, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Kosovës.

Veç kësa ai ka lënë pas vetes edhe dhjetëra studime dhe vepra të botuara mbi Shkollat dhe Arsimin Shqip në Llap e Kosovë.
Krahas punës edukative Abdullah Vokrri shquhej edhe si futbollist e arbitër. Ai diku rreth viteve 1958-1959 luajti në Llapin e Podujevës, së bashku me Ejup Bektesh Bekteshin,Rifat Rexhep Blakun,Hajrush Ramën dhe humoristin e mirënjohur Fitim Domi-Mixha Ramë.
Rrugën e tij e ndoqën edhe dy vëllezërit e tij më të rinj Selatin dhe Muhamet Vokrri.
Selatini në pozitën e qendërsulmuesit me lojën e tij të bukur, gjatë e mbajti Llapin në grupin e skuadrave më të mira të Kosovës.

Në periudhën kur Vëllazërimi i Gjakovës, zhvillonte gara në Ligën e Dytë Futbollistike të ish-Jugosllavisë, grupi i Lindjes, Selatin Vokrri dhe Luan Vokshi, si lojtarë perspektivë të këtij ekipi lakmoheshin nga skuadra të njohura dhe me renome të futbollit jugosllav.
Arsyeja që Selatini refuzonte çdo ofertë të klubeve jashtë Kosovës, qëndronte në faktin se ai ishte dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav për pjesëmarrje në demonstratat e 68-ës.
Në popull këto demonstrata njiheshin edhe si demonstrata në kërkim të Simboleve kombëtare edhe hapje të Universitetit në Gjuhën Shqipe.
Prandaj me të drejtë ai druante edhe në kurdisjen e ndonjë procesi të montuar politikë.
I pathyeshëm në mbrojtjen e Llapit u tregua edhe Muhamet Vokrri, i cili dydhjetvjeçarë të plotë u solli adhuruesve të këtij ekipi momente gëzime e hareje.

Muhameti, pa mëdyshje ishte njëri nga mbrojtësit më të mirë në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës.
Vëllezërit Selatin dhe Muhamet Vokrri, po ashtu u dalluan me punën e tyre të mirë prej mësimdhënësi në shkollën ”Naim Frashëri” të Podujevës.
Famën e kësaj familje pedagogësh dhe futbollistësh të dalluar e ngriti në zenit Fadil Vokrri,i cili më 4 shtator të vitit 1977,si 17 vjeçar debuton vrullshëm në njëmbëdhjetëshin e parë të KF“Llapi“atëbotë anëtar i Ligës së Parë të Kosovës.

Vokrri së bashku me axhën e tij Selatinin, dhe dajën Emin Simnica, si dhe me mesfushorët Shukri Shabani, Islam Ajeti e ndërkohë edhe Basri Muçolli, përbënin sulmin më efikas të kësaj lige.

Falë lojës së mrekullueshme të Fadilit ende fëmijë Llapi ua prishte llogarit edhe skuadrave si: KF“Liria”të Prizrenit, KF”Vëllazërimi” të Gjakovës, KF“Budiçnost”të Pejës, KF”Cervena Zvezda”të Gjilanit, KF”Ramiz Sadiku të Prishtinës, KF“KEK-u” të Kastriotit,ekipe këto në periudha të ndryshme kohore anëtare të Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë në futboll.

Pakkush mund të besojë edhe të vërtetën tjetër që Fadil Vokrri, krahas shkëlqimit në fushatë e futbollit ishte i suksesshëm edhe në mësime.
Ai në shtator të vitit 1974 u regjistrua në gjimnazin e atëhershëm“8 Nëntori “të Podujevës, të cilin e kreu në qershor të vitit1978 me sukses të shkëlqyeshëm.

Fadili posedonte si virtyt të rrallë modestinë që vështirë e gjeje tek të tjerët. Ai vazhdimisht kohën e lirë e ndante me shokët dhe shoqet e tij të fëmijërisë si: Xhevrije Shala-Bajgora, Nurije Toplica, Minire Demiri, Lulejtë Muçolli, Astrije Blakçori, Besim Hoti, Nehat Gashi, Bajram Havolli, Behxhet Blakçori, Nazmi Beshiri, Fatmir Aliu, Muhamet Hoxha,( të cilin e kishte edhe bashkëlojtarë në KF Llapi) Ibrahim Gashi, Sami Xheladini,Hamit Halil Dërvisholli, Bislim Selmani, Hizdri Demiri, Rifat Syla, etj.

Nga e majta Fadil Vokrri,Xhevrije Shala dhe Muhamet Hoxha,qershor 1978,si maturantë të gjimnazit “8 Nëntori “të Podujevës. Kjo fotografi postohet me lejen e zonjës Xhevrije Shala-Iljazi.

Paharruar për asnjë çast respektin dhe mirësjelljen edhe ndaj shokëve dhe shoqeve të gjeneratës. Fadili në mbarë Llapin njihej edhe me emrin përkëdhelës si“Cira”
Fadil Vokrri, me shokë dhe shoqe semimaturën e kryen në shkollën 8-vjeçare “Vëllazërim-Bashkim “të Podujevës.
Nxënësit e kësaj shkolle si gjuhë të huaj mësonin rusishten, andaj edhe në gjimnazin “ 8 Nëntori” të Podujevës, të gjithë ishin të pandarë dhe me një klasë.
Kurse ne që vinim nga fshatrat e komunës së Podujevës, dhe mësonin gjuhën frënge, ishim të shpërndarë nëpër paralele prej-II- deri në VIII-të.
Në vitet 1974-1976 ,Fadil Vokrri e kishte kujdestar klase z. Nazif Vesel Lepaja,profesor i gjuhës shqipe.
Kurse në vitin e-III- dhe të -IV- z. Shefki Toplica, i cili në këtë gjimnaz ligjëronte Gjuhën shqipe dhe Bazat e Mbrojtjes Popullore.
Lepaja dhe Toplica duke e parë talentin e rrallë të Fadilit në futboll e lironin nga orët e mësimit të shtunave në mënyrë që t’i lihet kohë për përgatitje. të duhura.

Katër vite aq sa edhe luajti në KF”Llapi”të Podujevës, të shtunat dhe të dilet e gjithë rinia e Llapit, pa përjashtuar edhe të moshuarit si: Sherif Hajdari,Ymer Blaku, Xhafer Meta, Jetish Rekaliu, Halil dhe Ibrahim Demiri, Ejup e Alush Bekteshi, Zeqir Visoka,Nexhip Ragip Ejupi, Sylejman Babatinca, Bejtullah Tahiri, vëllezërit Sylejman dhe Ajvaz Demiri etj, i duartrokitnin lojës së bukur e plotë aksione të Fadil Vokrrit.

Është e pamundur që të përshkruhen lëvizjet e shpejta vetëtimë të Vokrrit, dhe shmangia me aq mjeshtëri e mbrojtësve kundërshtarë. Këto paraqitje të shkëlqyera të tij në skuadrën e Llapit, joshën udhëheqësit e KF“KEK-u”(ish-Obiliqi i Kosovës)që në radhët e veta të angazhojnë Fadil Vokrrin, duke i siguruar edhe vend pune në Administratën e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Fadili këtu qëndron vetëm tre-katër muaj dhe rikthehet në Llapin e hapave të tij të parë, ngaqë kjo skuadër pas shumë viteve gara në Ligën e Parë të Kosovës, rrezikonte rënien në rang më të ultë.
Rikthimi i Fadilit në Llap siguron mbetjen e skuadrës në mesin e ekipeve më të mira të Kosovës.

Vokrri përveç golave të bukur krijonte edhe spektakël të vërtetë . Ai me driblimet e tij të papara i çonte në këmbë mijëra shikues. Thjesht ishte i lindur për të dhuruar gëzim dhe kënaqësi.

Në momentin kur KF”Llapi” zgjodhi problemin e qendërsulmuesit me dy-tre kadetë, të formuar brenda këtij Klubi, fidanishte talentesh, pa ndonjë brengë të madhe për të ardhmen e skuadrës së tij të fëmijërisë Fadili, vendos të kalojë në KF“Prishtina, e cila ato vite me tërë potencialin që kishte synonte inkuadrimin në Ligën e Parë Federative të ish-Jugosllavisë.

Vokrri së bashku me bashkëlojtarët e tij gjatë viteve të 80-ta, stadiumin e qytetit në Prishtinë e ktheu në vendin më të preferuar të rinisë shqiptare.
Në gjitha anët e stadiumit dëgjohej në kor kënga “Besa-Besë”e përcjell me daulle e surle. Kjo atmosferë e paparë festive bartej edhe jashtë stadiumit.

Kremtja e fitoreve të Prishtinës, vazhdonte deri në orët e vona të natës. Fadilit kjo përkrahje e pakursyer e tifozërisë së zjarrtë të Prishtinës, sikur i jepte forcë e kurajo. Ai asnjëherë nuk ndiente lodhje. Në ndeshjet e radhës kthehej me energji të ripërtërira dhe tejet i disponuar për lojë.
Atij edhe pse i viheshin pas dy-tre mbrojtës kundërshtarë nuk e ndalnin dot. Bile herë-herë ata tejkalonin edhe rregullat e lojës, duke startuar brutalisht ndaj tij.

Mirëpo, Vokrri me energji të pashtershme sa hap e mbyll sytë aftësohej për vazhdimin e lojës.
Të gjithë mbrojtësit e skuadrave kundërshtare i kalonte me lehtësi të paimagjinuar. Ai ishte në gjendje të shënojë nga çdo pozitë.
Në periudhën kur Prishtina bënte gara në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë Fadili në 84 ndeshje aq edhe sa luajti i detyroi portierët kundërshtarë që nga rrjetat e tyre të nxjerrin topin hiç më pak se 33herë.

Falë lojës së tij brilante Prishtina më 1983 pas një pritje prej 10 vjetësh inkuadrohet në elitën e futbollit jugosllav, në të ashtuquajturën Ligë e Parë Federative e Jugosllavisë.

Kjo Ligë pa diskutim ishte nga më të fortat jo vetëm në ish-Jugosllavi por edhe në Evropë.
Vokrri edhe këtu tregohet i suksesshëm. Në asnjë mënyrë nuk mbetet nën hijen e sulmuesve me namë si: Dragan Xhaiq, Dushan Bajeviq, Vahid Halilhoxhiq, Zlatko Kranjçar, Safet Sushiq, Nenad Bjekoviq, Zlatko Vujoviq, Dejan Saviçeviq etj.

Ai në 88 paraqitje me fanellën e Prishtinës, shënoi 22 gola ,duke mposhtur portierët reprezentues të ish-Jugosllavisë: Stojiq, Omeroviq, Pudar, Ivkoviq, Janjush, Panteliq etj.
Më 1984 selektori i atëhershëm i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, Milosh Milutinoviq, duke parë formën e shkëlqyer të Fadil Vokrrit e fton atë në 11-shin e parë të kësaj skuadre.
Kjo ftesë i gëzoi të gjithë, sepse Fadili ishte shqiptari i parë nga Kosova, që luajti në një reprezentacion kaq të fortë, të futbollit, siç ishte ai i Jugosllavisë.

Me këtë përfaqësuese Fadil Vokrri zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 6 gola. Po ashtu më 1984 Vokrri ,ishte bartës i flamurit në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Meqenëse ai vazhdonte me formën e tij të shkëlqyeshme Klube të mëdha si Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit, Partizani i Beogradit, madje edhe skuadra të njohura jashtë Jugosllavisë, si Juventus i Torinos u vunë në garë për ta sjellë në radhët e veta.

Me siguri sikur të mos paraqiste problem shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Armatën e ish-Jugosllavisë, Vokrri do të shkonte tek gjiganti i njohur italian Juventus. Pas shumë hamendjesh ai më 1986 kalon tek Partizani i Beogradit, kampion i disahershëm i Jugosllavisë.
Edhe pse i gjendur në një ambient aspak të favorshëm Vokrri manifeston në mënyrën
më të mirë aftësitë e tij prej futbollisti me emër. Ai në petkun e Partizanit luajti 27 ndeshje dhe shënoi 13 gola.
Ata që e jetuan këtë periudhë e dinë fare mirë se në çfarë konkurrence shpallej futbollisti i vitit në ish-Jugosllavi.
Edhe pse në konkurrencë të denjë epiteti i më të mirit më 1987 iu dha legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrri, qendërsulmues i KF. Partizan të Beogradit.
Fadili ishte mjaft inteligjent dhe me shumë vëmendje përcillte e analizonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë e ish-Jugosllavi.
Atij moskryerja e shërbimit ushtarak që ishte obligative i sillte pengesa të shumta. Sikur ta kishte të rregulluar këtë detyrim Vokrri edhe si anëtar i KF. Prishtina,do të kalonte pa ndonjë problem në skuadra elitare të Evropës.
Me kusht që të vazhdoi karrierën e tij të ndritur jashtë ish-Jugosllavisë, i ati Abdullahu dhe xhaxhallarët Selatini dhe Muhamet i sugjerojnë Fadilit, shkuarjen në Armatën e ish-Jugosllavisë.
Edhe Fadili e kishte fare të qartë që pa kryerjen e këtij shërbimi do ta rrezikonte seriozisht karrierën dhe do t’i humbte shanset për afirmim të mëtutjeshëm.
Fadili plotësisht pajtohet me këshillat e babait të tij dhe të xhaxhallarëve. Ai më 1988 shkon në shërbim ushtarak në Novi-Sad të Vojvodinës.

Kjo fotografi është marrë nga blogu i Lulzim Agush Blakçori, bashkëpronarë i fotostudios “ Nikon” në Podujevë.

Vokrri pas kryerjes së këtij obligimi duke hetuar përshkallëzimin e situatës i heshtur dhe pazhurmë më 1 korrik të vitit 1989 largohet nga Partizani dhe kalon në FC “NIMES OLYMPIQUE”të Francës.

Dokument identiteti i Vokrrit, marrë nga Arkivi i Klubit Futbollistik” Nîmes Olympique “ i Francës

Ai në këtë skuadër qëndron deri më 1 korrik 1990. Fanellën e saj e vesh 28 herë dhe shënon 15 gola.
Një karakteristikë e veçantë mbase e pabesueshme Vokrri, në këtë Klub , që nuk e diskutoi fare-fare çmimin e tij, dhe që e priti zemërhapur përveç lojës së mrekullueshme tregon edhe disiplinë të veçantë. Ai asnjëherë nuk u ndëshkua nga gjyqtarët me karton të verdhë e mos të flasim për atë të kuq.
Fadili tepër modest dhe me natyrën e tij të butë kudo krijonte shokë e miq. Pézard një adhuruesi i flaktë i Fadil Vokrrit, që lojën e tij e përcolli brenda edhe jashtë Nimes, thotë ”Vokrri ishte dhe mbetet lojtari më i suksesshëm në historinë 87 vjeçare të Klubit Futbollistik” Nîmes Olympique” të Francës.

Besim Jahiu,Hysen Bilalli,Nexhat Xhymshiti, Halil Rrahmani,Muharrem Lutfiu, Bajrush Shaqiri, Fatmir Ibrahimi dhe mërgimtarë të tjerë shqiptarë në Gjenevë të Zvicrës, duke rrëfyer dhembjen e tyre për vdekjen e hershme të Vokrrit, thonë” Disaherë në mënyrë të organizuar kemi shkuar në Nimes të Francës, për ta përkrahur idhullin tonë Fadil Vokrri që me lojën e tij të shkëlqyer na bënte përherë krenar”

 

Vokrri ulur në rreshtin e parë, i treti nga e djathta në Klubin Futbollistik ” Nîmes Olympique “ të Francës ( edhe kjo fotografi është eksponat i kësaj skuadre )
Fadil Vokrri, më 1990 arrin kulmin e sukseseve duke kaluar tek Fenerbahçe e Turqisë, e cila përveç rezultateve brenda vendit të saj, ka shënuar rezultate të kënaqshme edhe në arenat ndërkombëtare.
Forma e shkëlqyeshme e Vokrrit, dhe shënimet e tij në çastet vendimtare bëjnë që kjo ekip gjatë viteve 1990 -1992 të jetë Nënkampion i Turqisë dhe pjesëmarrëse e garave në Ligën e Evropës.

Fadil Vokrri duke manifestuar gëzimin e tij, pas shënimit të një euro-goli në fanellën e FC.Fenerbahçe të Stambollit. ( marrë nga Arkiva e këtij Klubi turk )

Pas përfundimit të Kampionatit të Turqisë në fund të vitit 1992, Fadil Vokrri rikthehet në Francë.

Meqë jetën e shihte të mangët pa futbollin disa muaj luan në FC ”Bourges 18“ E, më 1993 kalon në FC “Montluçon”të regjionit Auvergne—Rhone-Alpes të Francës, ku luan 39 ndeshje dhe shënon 12 gola. Vokrri në këtë skuadër luan deri në vitin 1995. Ai të njëjtën kohë e bënë me sukses edhe punën e trajnerit. Fadil Vokrri e përfundon karrierën e tij prej futbollisti ikonë e futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar në klubet e përmendura të Francës, ku përherë është kultivuar lojë e nivelit të lartë.

Fadili edhe pse e kishte të rregulluar qëndrimin në Francë, pas përfundimit të luftës kthehet së bashku me familjen e tij në Kosovë, me dëshirën e vetme që të kontribuojë në zhvillimin dhe masivizimin e futbollit shqiptar.
Fillimisht e kryen funksionin e Drejtorit ekzekutiv në ish-Klubin e tij të dashur KF”Prishtina” S’duhet harruar që gjatë viteve 90-të,në KF”Llapi “ dhe KF “Prishtina “luajti edhe i vëllai Adil Vokrri.
Persona që njihnin në thelb profesionalizmin e Fadil Vokrrit,më 2008 këmbëngulin që ai të marrë timonin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Fadili edhe pse i vetëdijshëm që kjo pozitë kërkon punë dhe angazhim pranon drejtimin e kësaj Federate.
Menjëherë nis rikonstruktimin e brendshëm të saj, duke emëruar njerëz kompetentë në pozitat e lëna bosh goxha gjatë. Pastaj pandërprerë lobon për anëtarësimin e Kosovës në instancat më të larta të Futbollit evropian dhe atij botëror.

Fadil Vokrri në cilësinë e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, disaherë vizitoi Zvicrën, ku i shoqëruar nga Z.Naim Malaj, ish-Ambasador i vendit tonë në Bernë të Zvicrës, bëri takime pune me Josef Sepp Blatter, president i FIFA-s.

Malaj plot nostalgji dhe emocion kujton këto takime, duke thënë që Vokrri, ishte njeri i dialogut dhe mirëkuptimit. Ai si i tillë gëzonte respekt të veçantë tek Blatter dhe Platini, i pari president i FIFA-s, kurse i dyti i UEFA-s.

Pamje nga takimi i Vokrrit dhe Malajt, me Josef Sepp Blatter president i FIFA-s.

Malaj, shpjegon në hollësi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Fadil Vokrrin. Në mes tjerash kujton edhe takimin e vitit 2013, kur ai dhe Vokrri u pritën ngrohtësisht në selinë e FIFA-së, në Zyrih të Zvicrës, nga Presidenti i atëhershëm i kësaj organizate Blatter.

Me këtë rast thotë Malaj, kryetari i Federatës së Futbollit tonë z. Fadil Vokrri, ofroi argumente të bazuara në prova që Kosova, duhet të jetë anëtare e 210-të, e këtij mekanizmi të rëndësishëm të futbollit botëror.
Në mënyrë që të zbuten reagimet e Serbisë dhe aleatëve të saj fillimisht anëtarësimit të Kosovës në UEFA DHE FIFA, i parapriu e drejta e zhvillimit të ndeshjeve miqësore.
Kombëtarja e Kosovës në një atmosferë që s’harrohet kurrë më 25 maj të vitit 2014, në stadiumin “La Praille” të Gjenevës të mbushur në të katër anët me mërgimtarë shqiptarë luajti me Senegalin. Edhe pse humbi 3:1 bëri paraqitje tejet mbresëlënëse.

Foto.Arif Ejupi i cili atmosferën e këtij takimi miqësor ndërmjet Senegalit dhe Kosovës e përcolli nga vendi i ngjarjes edhe për dëgjuesit e shumtë të Radio Kosovës.

Mirëpo, Vokrrit kyfarë statusi as mish e as peshk nuk i pëlqente gjithaq. Ai nga frika që kjo e drejtë e kufizuar mund të vazhdojë në kohë të pacaktuar intensifikoi takimet me krerët udhëheqës të këtyre dy institucioneve elitë në Evropë dhe Botë.

Ëndrra e kamotshme e Vokrrit u plotësua kur ky status i përkohshëm më 13 maj të vitit 2016, u avancua në të rregullt. Kështu Federata e Futbollit të Republikës së Kosovës, e drejtuar plot një dekadë nga Fadil Vokrri, përmbushi me sukses objektivat e saj.

Vdekja e fshehtë dhe tinëzare e mori shumë herët Vokrrin, cili ishte në kryerje të mandatit të tretë si Kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Të gjithë mendojnë që prirjet e tij, për lojën dhunti nga Zoti, Fadil Vokrri,i shfrytëzoi maksimalisht,duke vënë gjithçka në të mirën e futbollit të Kosovës.

Andaj, emërtimi i stadiumit të Prishtinës me emrin e tij, as që duhet të diskutohet. Veç kësaj duhet të krijohet edhe ndonjë çmim prestigjioz dhe me vlerë me emrin e tij, me çfarë i bëhet nder Kosovës dhe sportit shqiptar në përgjithësi.

Kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetojë prore ! Fadil që madhështinë e talentit tënd e shndërrove edhe në Art, të qoftë i lehtë dhèu i Kosovës, të cilën e prezantove kudo në mënyrën më të mirë të mundshme!
ARIF EJUPI

 

Rrëfimi i Taulant Xhakës: De Biazi na përloti me videon e gjenocidit para ndeshjes në Beograd, rrezikuam jetën (E PLOTË)

“De Biazi na përloti me videon përpara ndeshjes”. Kështu e kujton një nga protagonistët kryesorë të 14 tetorit 2014 në Beograd, aty ku ndodhi edhe incidenti me lojtarët e Kombëtares shqiptare, në ndeshjen kundër Serbisë.

taulant-xhaka (1)

Taulant Xhaka ishte i pari që iu drejtua flamurit dhe ua rrëmbeu serbëve nga dora dhe ishte nga lojtarët e fundit që iu drejtua dhomave të zhveshjes. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-mesfushori që nuk i trembej syri kollaj, thyen heshtjen e gjatë dhe kujton edhe njëherë se çfarë ndodhi atë natë. Si i motivoi trajneri Xhani de Biazi, duke u vendosur një video nga gjenocidi i bërë prej serbëve ndaj kosovarëve dhe çfarë mendoi në momentin që e kuptoi se në atë dron ishte flamuri i Shqipërisë.

Në fund, Xhaka ka edhe një mesazh për lojtarët që do të luajnë kundër Serbisë nesër në fushë. Ai thotë se futbollistët duhet të luajnë të qetë dhe të bëjnë lojën e tyre, sepse kështu kanë për ta mposhtur Serbinë.

Taulant, ke qenë një nga futbollistët e Kombëtares shqiptare që ishte në fushë atë mbrëmje të 14 tetorit në Beograd. Kanë kaluar vite, por si e kujton Xhaka atë ditë?
Kujtoj që para se të shkonim në stadium, De Biazi bëri një mbledhje në hotel për të na treguar se cili do të jetë formacioni që do të luajë. Dhe më kujtohet që italiani kishte marrë një video shumë emocionuese, kur serbët kishin bërë gjenocid më përpara ndaj kosovarëve. Kjo bëri që çdo lojtar i Kombëtares të kishte lot në sy.

taulant xhaka

Sa në rrezik ishit vërtet atë ditë?
Ne ishim shumë të fokusuar për të luajtur futboll. Realisht. Po luanim një lojë shumë të mirë dhe patëm disa mundësi për të bërë gol. Por pastaj erdhi ai dron dhe në disa momente ne nuk e kishim parë se çfarë ishte ai flamur. Pas disa sekondash, u shfaq flamuri dhe aty erdhi puna që u bë situata e rrezikshme për ne.

Çfarë mendove në ato momente?

Në atë moment, unë doja vetëm ta mbroja atë flamur, për të qenë i drejtë. Sepse ai flamur ka shumë vlera dhe në çdo sekondë doja ta mbroja. Por, kur hynë tifozët e Serbisë në fushë, aty gjithçka doli jashtë kontrollit.

Më pas u drejtuat në dhomat e zhveshjes…

Po, aty u shokuam, sepse nuk e kuptuam direkt se çfarë ndodhi në stadium. Kishim qëndruar një orë aty dhe kapiteni i Serbisë, Ivanoviç, erdhi dhe na pyeti nëse do të vazhdonim ndeshjen apo jo. Por lojtarët kishin pasur pasoja dhe ishin lënduar. Lorik Cana i tha direkt që nuk kishte shans që ta luanim atë ndeshje. Sepse ata dëshironin që ta luanim edhe pjesën e dytë. Mua m’u duk qesharake kjo dhe mendova si kishte mundësi që kërkonin të luhej, kur gjendja kishte kaluar limitin. Plus që kishim dëmtime në fytyrë dhe në kokë, disa nga lojtarët e Kombëtares.

Nesër Kombëtarja do të përballet sërish me Serbinë, a keni një mesazh për lojtarët që do të zbresin në fushë?

Kam një mesazh. U them që të rrinë të qetë dhe të luajnë lojën e tyre, sepse ashtu mund të fitojnë. Shpresoj shumë që të bëjnë një rezultat të mirë.

Nesër Kombëtarja do të përballet sërish me Serbinë, a keni një mesazh për lojtarët që do të zbresin në fushë?

Kam një mesazh. U them që të rrinë të qetë dhe të luajnë lojën e tyre, sepse ashtu mund të fitojnë. Shpresoj shumë që të bëjnë një rezultat të mirë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

 

 

Shqipëria e mposht Serbinë vetëm me disiplinë dhe lojë cilësore- Nga ARIF EJUPI

Ndeshja e 7 qershorit kundër Serbisë, e vlefshme për kualifikim në Botërorin 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, nuk është vetëm një sfidë sportive, por është edhe një provë e karakterit tonë si komb dhe si qytetarë të një shteti evropian, demokratik e të civilizuar.
Jemi të vetëdijshëm se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, me qëllim të qartë politik, dëshiron të provokojë me deklarata e qëndrime që nxisin tensione, për të shfrytëzuar qoftë edhe incidentin më të vogël si alibi për propagandë dhe destabilizim
Prandaj, le të mos i japim asnjë pretekst. Le t’i tregojmë botës se ne shqiptarët dimë të festojmë me pasion dhe maturi.
Fuqia jonë nuk është në fishkëllima, ofendime apo konfrontime, fuqia jonë është në dinjitetin tonë, në dashurinë për fanellën kuqezi dhe në përkrahjen e pastër për ekipin tonë kombëtar.
Le ta fitojmë këtë ndeshje me etikë sportive, me përkrahje korrekte nga tribunat, pa asnjë veprim që mund t’u shërbejë provokatorëve dhe politikave të vjetra armiqësore të Serbisë.
Shqipëria është Evropë ! Shqipëria është qytetari!. Shqipëria është krenari!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 5 qershor 2025

Kombëtarja shqiptare e futbollit e konsoliduar dhe cilësore- Nga ARIF EJUPI

Shqipëria nisi daljen nga vetizolimi i gjatë politik dhe kulturor, me ngadhënjimin e demokracisë në fillim të viteve ’90. Ajo sikurse shumë vende të tjera të bllokut ish-komunist gradualisht iu bashkua Perëndimit në shumë fusha, përfshirë edhe sportin.

Megjithatë, futbolli si sporti më i popullarizuar në botë kishte mbetur për një kohë të gjatë i margjinalizuar dhe pa ndonjë vizion të qartë zhvillimi.

Stadiumet ishin në gjendje të mjerueshme, strukturat drejtuese joprofesionale, po ashtu mungonin politika të mirëfillta pune me pionierë dhe juniorë.

Kaluan dekada të tëra me paraqitje të dobëta dhe mungesë suksesi, derisa erdhi momenti historik: Kualifikimi në Kampionatin Evropian “Francë 2016”, që përfaqësonte ngjarjen më të madhe në historinë e futbollit shqiptar deri atëherë.

Kjo pjesëmarrje në këtë ngjarje të rëndësishme nuk ishte vetëm një arritje sportive, por edhe një shpërthim krenarie kombëtare për shqiptarët kudo që janë.

Kombëtarja jonë, e udhëhequr nga trajneri i atëhershëm italian Gianni De Biasi dhe e përbërë nga një brez futbollistësh të përkushtuar, dëshmoi se Shqipëria, kishte arritur më në fund të thyente “murin e inferioritetit ” që e kishte penguar vite të tëra.

Ky sukses historik u ndërtua me moral të lartë dhe besim në vetvete. Pa dyshim, rrugëtimi drejt Euro 2016 u shënua në ndeshjen dramatike të zhvilluar në Beogradit, më 14 tetor 2014, ku huliganët serbë sulmuan brutalisht futbollistët shqiptarë, duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes.

Në një vendim të shumëpritur dhe të drejtë UEFA, regjistroi fitoren në tavolinë për Shqipërinë me rezultat 3:0, duke sanksionuar dhunën dhe urrejtjen e shfaqur në atë përballje të turpshme. ku serbët shfaqën çmendurinë e tyre.

Ky vendim ishte më shumë se teknik: ishte një dënim i qartë ndaj racizmit dhe një njohje e qëndresës së kombëtares sonë.

Pas Euro 2016, Kombëtarja shqiptare vazhdoi rrugëtimin e saj me luhatje, por me tendencë të qëndrueshme drejt konsolidimit.

Në dekadën e fundit, janë hedhur hapa të rëndësishëm në profesionalizimin e trajnerëve, reformimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërtimin e infrastrukturës moderne (si “Air Albania Stadium” në Tiranë), si dhe përfshirjen e diasporës shqiptare në përbërjen e ekipit kombëtar.

Kombëtarja është pasuruar me futbollistë të talentuar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora në Zvicër, Gjermani, Suedi, Angli etj.

Zaten kjo e ka shndërruar kombëtaren shqiptare në një çerdhe të bashkimit të shqiptarëve në një ideal të përbashkët sportiv dhe kombëtar.

Sot, Kombëtarja shqiptare është një skuadër konkurruese, cilësore dhe e respektuar në Evropë, e aftë të përballet denjësisht me çdo kundërshtar. Shpresojmë se këtë do ta dëshmojë edhe më 7 qershor 2025, në një ndeshje të veçantë kundër Serbisë, e vlefshme për Botërorin 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Kjo përballje, përveçse një sfidë sportive, ka edhe simbolikë të veçantë për ne shqiptaret, ngase është edhe një rast për të treguar maturi, dinjitet dhe nivel futbollistik, ndaj një kundërshtari me të cilin kemi përvoja mjaft të hidhura.

Në prag të kësaj ndeshjeje, Kombëtarja shqiptare është më e bashkuar se kurrë, me një grup lojtarësh të talentuar dhe të motivuar për të shkruar kapituj të rinj suksesi.

Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk është më “e harruara” e Evropës, ajo tashmë është bërë pjesë e denjë e elitës së futbollit evropian dhe atij botëror.
ARIF EJUPI

UEFA DHE FIFA TË POLITIZUARA PËRBALLJA SHQIPËRI- SERBI; ËSHTË FYRJE PËR VIKTIMAT- Nga ARIF EJUPI

Më 7 qershor 2025, Shqipëria do të përballet me Serbinë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Për shumëkënd, kjo duket si një ndeshje e zakonshme në kalendarin sportiv evropian.

Por, për çdo shqiptar me kujtesë të gjallë historike, kjo ndeshje është një acarim i plagëve të hapura që ende kullojnë gjak.

FIFA dhe UEFA, si dy institucionet më të larta dhe më kredibile të futbollit, është dashur të tregojnë ndjeshmëri minimale historike dhe politike.

Në një kohë kur mbi 1.600 shqiptarë të Kosovës ende figurojnë si të zhdukur nga lufta e fundit – shumë prej tyre në varre masive në Serbi,përballja Shqipëri–Serbi, është jo vetëm e papërshtatshme, por moralisht e turpshme.

Si mund të flasim për “normalizim marrëdhëniesh përmes sportit”, kur ende nuk janë kthyer eshtrat e mijëra shqiptarëve të masakruar nga policë e paramilitarë serbë.

Në këtë rast të paprecedentë, Shqipëria është dashur të kundërshtojë fuqishëm përfshirjen e saj në të njëjtin grup me Serbinë, e jo të zgjedhë heshtjen.

Kjo ndeshje i shërben vetëm Serbisë, e cila përpiqet të mbulojë krimet e saj në fushën e futbollit.

Takimet sportive nuk mund të shërbejnë si fasadë për një barazi të rreme midis viktimës dhe agresorit.

Të mos harrojmë ndeshjen e 14 tetorit 2014, kur kombëtarja shqiptare u sulmua në Beograd. Lojtarët tanë u rrahën, u përndoqën nga forcat speciale serbe dhe asnjëherë nuk ka ndodhur një kërkimfalje zyrtare nga shteti serb.

Përkundrazi, atë atmosferë urrejtjeje e kanë promovuar figurat më të larta politike të Serbisë, si Vojislav Sheshel, i dënuar për krime lufte dhe Tomislav Nikoliq, atëherë president i vendit.

Në vend të reflektimit dhe kërkimfaljes, Serbia e shndërroi dhunën në krenari.

Presidenti aktual i saj, Aleksandar Vuçiq, në prag të kësaj ndeshjeje i kërkoi trajnerit të kombëtares së tij, Dragan Stojkoviq, që “ta mundë Shqipërinë me çdo kusht”.

Kjo nuk është thjesht një dëshirë, por një mobilizim politik dhe nxitje e urrejtjes.

Edhe në deklaratat e mëhershme, shihet qartë se Vuçiq është vazhdues i politikës së Millosheviqit, vetëm me një petk tjetër.

Futbolli, në asnjë mënyrë, nuk mund të jetë më i rëndësishëm se drejtësia. Nuk mund të ketë sport mbi eshtra të paidentifikuar, mbi dhembje të pashëruara e mbi histori të pambyllura.

Shqipëria nuk është dashur të qëndrojë indiferente ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme.

Ajo duhej të kishte reaguar dhe të kishte kërkuar përjashtimin nga përballjet me një shtet që ende glorifikon krimin dhe fsheh të vërtetën.

Kjo ndeshje nuk është shpresë për pajtim, është dëshmi e një heshtjeje të turpshme.

Dihet botërisht që UEFA dhe FIFA kanë ndaluar ndeshjet ndërmjet përfaqësueseve të vendeve me konflikte të hapura ose tensione të thella politike.

Rasti më i freskët është ai i Rusisë dhe Ukrainës, të cilat nuk lejohen të përballen në asnjë garë ndërkombëtare që prej aneksimit të Krimesë dhe fillimit të agresionit rus.

Po ashtu, Armenia nuk lejohet të luajë kundër Azerbajxhanit për shkak të konfliktit në Nagorno-Karabakh.

Edhe Spanja nuk është lejuar të përballet me Gjibraltarin për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale.

Një tjetër rast domethënës është ai ndërmjet Turqisë dhe Qipros, të cilat nuk lejohen të përballen në gara zyrtare për shkak të ndarjes së ishullit që nga viti 1974.

Atëherë, si mund të eksperimentohet me Shqipërinë, kur motrat dhe vëllezërit e saj në Kosovë ende nuk i dinë varret e më të dashurve të tyre. Plagët e tyre janë ende të gjalla nga politika gjenocidale e Serbisë.

Kjo përballje nuk ndihmon paqen, përkundrazi, rrezikon dinjitetin e shqiptarëve kudo që janë.

Standardet e dyfishta dhe politizimi i skajshëm i institucioneve të futbollit ndërkombëtar lehtë mund të çojnë në ngjarje me pasoja të paparashikueshme.
ARIF EJUPI

Lamtumirë, mësuese Urti Osmani! Qoftë i përjetshëm kujtimi yt!- Nga Nexhmije Mehmetaj

Fotografi Urti Osmani 2003, Bernë, Zvicër
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Mësueses së Popullit, Urti Osmani, më 26 maj 2025. Kjo humbje nuk është vetëm një dhembje personale, por një dhembje e madhe për mbarë arsimin dhe kulturën shqiptare. Urti Osmani ishte një figurë e ndritur, një grua me vlera të rralla njerëzore, intelektuale dhe atdhetare, një grua që gjithë jetën ia kushtoi dijes, përhapjes së saj, edukimit të brezave dhe ruajtjes së gjuhës shqipe.
Ajo nuk ishte thjesht një mësuese dhe një autore librash; ishte një dritë e pashuar në rrugën e arsimimit, një udhërrëfyese shpirtërore për shumë kolegë dhe nxënës që patën fatin ta njihnin, ta dëgjonin, ta lexonin apo të punonin pranë saj. Në të shihje urtësinë që përmbush emrin që mbante, modesti e thellë, por edhe një vendosmëri e jashtëzakonshme për të ecur përpara dhe për të bërë dritë aty ku kishte errësirë.
Me mësuesen Urti më ka lidhur profesioni, dashuria për gjuhën dhe kulturën tonë dhe veçanërisht përkushtimi ndaj arsimit shqip në mërgatë. Takimi ynë i parë ndodhi në Bernë, në qershor të vitit 2003, gjatë Konferencës së parë Kombëtare të Shkollave Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër, të titulluar “Bashkërisht”. Në atë ngjarje të rëndësishme, ku morën pjesë mësues të SHSHMP nga e gjithë Evropa si dhe personalitete të njohura nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, të pranishëm ishin prof. dr Shefik Osmani dhe mësuesja Urti, një figurë që rrezatonte përkushtim, qetësi, përvojë dhe thellësi shpirtërore.
Gjatë gjithë jetës, ajo ishte në krah të bashkëshortit dhe bashkudhëtarit të saj të pandashëm, prof. dr Shefik Osmanit. Ata të dy ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër dhe kontribuues të palodhur në hartimin e teksteve shkollore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, jo vetëm në Zvicër por edhe në Gjermani, Suedi e shtete të tjera të Evropës. Nuk kishin luksin të akomodoheshin në hotele të shtrenjta, por gjithnjë gjenin ngrohtësinë e mikpritjen shqiptare në shtëpinë e atdhetarit prof. Mahir Mustafa, një figurë e shquar e LAPSH-it- e Shkollës shqipe në Zvicër.
Kam shkruar edhe më parë për kontributet e tyre të jashtëzakonshme, por me mësuesen Urti ruajta një lidhje miqësore që zgjati me vite. E kam vizituar në Tiranë, kemi shkëmbyer letra deri para katër vitesh. Në ato letra, ajo më jepte jo vetëm përditësime mbi jetën e saj, por edhe mendime, këshilla, ide për tekstet mësimore, kujtime nga jeta e saj dhe e bashkëshortit, duke ndarë gjithnjë me mua pasurinë e saj të pamat shpirtërore dhe intelektuale. Por, edhe shfaqte shqetësime se shtetet shqiptare nuk po përpiqen sa duhet për shkollat shqipe në diasporë.
Urti Osmani ka lindur në vitin 1928 në Libohovë, një familje me tradita të thella intelektuale dhe atdhetare. Ishte bija e Eqrem Qanos, një nga mësuesit e parë që në vitin 1943 dha mësim në shkollat shqipe në Prishtinë. Ajo vetë më ka treguar me emocione të mëdha se si babai i mori të gjithë familjen me vete në atë mision të shenjtë kombëtar. Kur vizitova Prishtinën në vitin 1997, ato rrëfime më erdhën përpara syve si një film i gjallë, si një pjesë nga kujtesa jonë kolektive.
Në çdo përpjekje për edukimin e fëmijëve shqiptarë në diasporë, Urti Osmani ishte aty: me lapsin në dorë, me zemrën plot dashuri për fëmijët dhe për gjuhën shqipe. Ajo nuk ishte vetëm mësuese në Shqipëri, ishte edhe një autore e bashkautorë e palodhshme për fëmijët shqiptarë. Në një letër që më dërgoi në tetor të vitit 1999, shkruante: “Unë u ndihmova shumë për tekstin ‘Plotësori i abetares’. Vendosa profilet e tingujve, formulova fjalitë përkatëse, gjeta fotografitë dhe skicat e nevojshme…” Në fakt, ajo kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ndërtimin e një abetareje të veçantë që ndihmonte fëmijët shqiptarë të lindur në mërgatë të mësonin më lehtë gjuhën amtare.
Ndër veprat e saj më të çmuara është edhe “Abetarja e posaçme”, një libër i hartuar me shumë kujdes e dashuri, që mbetet një pikë referimi për mësimdhënien e gjuhës shqipe jashtë atdheut. Ajo punonte me një përkushtim që nuk njihej nga orari, por nga zemra. Veprimtaria e saj është një monument i gjallë i përkushtimit arsimor e kulturor.
Urti Osmani jetoi në Tiranë, do të kujtohet gjithmonë si një grua e urtë, e mençur, e dashur, e qetë, por gjithmonë e pranishme, gjithmonë e gatshme të ndihmonte. Ajo u bë një emër i dashur për të gjithë ata që punuan në fushën e arsimit shqip, brenda dhe jashtë kufijve. Emri i saj është pjesë e historisë së arsimit kombëtar dhe kujtimi i saj do të mbetet i paharruar në ndërgjegjen tonë kolektive.
Qoftë i përjetshëm kujtimi yt, e dashur dhe e paharrueshme Urti!
U prehsh në paqe, në dritën që ti vetë e përhapje me zemër e mendje!
Malli është një valë që të përplas në bregun e kujtimeve. Një fotografi me mësuesen Urti, Tiranë 2018, me rastin e mbajtjes së Seminarit për mësuesit e Diasporës, erdhi enkas të takohet me mësueset e gjuhës shqipe larg atdheut.
Gjenevë, 28. 05. 2025              Nexhmije Mehmetaj

Xhaka është lojtari i gjashtë më me ndikim në botë

 

Thotë studimi i CIES, bazuar në performancën e sezonit të kaluar

VOAL- Vetëm Mohamed Salah, Lamine Yamal, Pedri, Michael Olise dhe Joshua Kimmich janë më të mirë se… Granit Xhaka. Kjo është sipas një analize të thelluar nga CIES, qendra ndërkombëtare për studime sportive me seli në Neuchâtel, e cila ka vënë nën vëzhgim lojtarët më me ndikim të sezonit 2024-25 të 60 ligave më të mira në botë. Në fakt, doli që kapiteni i Zvicrës është absolutisht në pozicionin e gjashtë, përpara kolegëve të kalibrit të Florian Wirtz, Raphinha, Trent Alexander-Arnold dhe Cole Palmer, dhe i treti për sa i përket mesfushorëve mbrojtës. Llogaritja mori në konsideratë gjashtë fusha të ndryshme: lojën ajrore, kontrastin në tokë, shpërndarjen e topit, driblimin, rastet e krijuara dhe përfundimin e ndeshjes. RSI

NË ZVICËR PËRUROHET LIBRI ENCIKLOPEDIK “SALI ÇEKAJ – LUFTËTAR I ORËVE TË PARA TË LIRISË SË KOSOVËS”

NË ZVICËR PËRUROHET LIBRI ENCIKLOPEDIK “SALI ÇEKAJ – LUFTËTAR I ORËVE TË PARA TË LIRISË SË KOSOVËS”


Send this to a friend