Ditën e diel, në kantonin e Bernës u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Parlamenti kantonal ka 160 anëtarë, të cilët u votuan dhe u zgjodhën nga 9 zona zgjedhore.
Mes emrave të rinj është edhe ai i një shqiptareje nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Shasime Osmanit, e cila është e para që zgjidhet deputete.
Shasime Osmani është anëtare e Partisë Socialdemokrate, e cila së bashku me Partinë Popullore Zvicerane, kanë arritur të rrisin numrat e deputetëve të tyre në parlament.
Pas fitores, ajo postoi një foto duke u përqafuar me një mikeshë, shoqëruar me shkrimin: “Po më rrjedhin vetëm lot.“
Gjyshi i saj është vendosur në Zvicër që prej vitit 1979. Babai i Shasimes emigroi në vitin 1993, ndërsa 6 vite më vonë, vetë ajo, asokohe 1 vjeçe dhe nëna e saj, shkuan pranë të atit.
Ajo është studente e drejtësisë në Universitetin e Bernës. Ka përfunduar kualifikimin në biznes dhe ka një diplomë profesionale. Është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës, një zonë ku fëmijët përballen shpesh me vështirësi arsimore dhe sociale.
Osmani është njëkohësisht këshilltare në qytetit të Bernës. Fokusi i saj është i qartë migracioni, arsimi, barazia sociale dhe barazia gjinore.
Mediat zvicerane e prezantuan deputete si “një zë për ata që nuk kanë zë”, dhe qytetarët e Bernës i dhanë besimin e tyre për t’i përfaqësuar.
Në posterin e saj lexohet: Për një sistem arsimor që nuk lë askënd pas dore!
Ndërsa në rrjetin social ajo shkruante me sinqeritet: “Si studente e gjeneratës së parë dhe bijë e një pastrueseje, e di nga përvoja personale se sa të rëndësishme janë mundësitë e barabarta dhe qasja në arsim. Arsimi nuk duhet të jetë privilegj. Unë mbështes mundësitë e barabarta!”
Një kauzë shumë e bukur, që ia vlen t’i kushtohesh!
Voal.ch i uron suksese në rrugëtimin e saj!
