VOAL

VOAL

Berisha: ‘Nuk ia kisha dëgjuar emrin Remzi Hoxhës, dosjen ia zhduku Fatos Klosi’

November 5, 2015
blank

Komentet

blank

U vra nga një sulm terrorist në veri të Kosovës, mbahen në Tiranë homazhe në nder të efektivit Afrim Bunjaku

Te sheshi ‘Nënë Tereza’ në Tiranë u mbajtën homazhe në nder të efektivit të vrarë në veri të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Nga pamjet e siguruara për BalkanWeb, shihen qytetarë të mbuluar me flamujt e Shqipërisë, Kosovës dhe UÇK-së, ndërsa në tokë janë ndezur qirinj në kujtim të tij.

Pjesëmarrës në homazhe ka qenë edhe gazetari Osman Stafa, i cili në një raportim live për News24, tha se numri i pjesëmarrësve ishte i lartë dhe ndër ta ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.

“Po zhvillohen homazhe në nder të kombit, Afrim Bunjakut. Bunjaku u vra nga një sulm terrorist, nga ata që kërkuan destabilitetin e Kosovës. Ngjarja ishte më të vërtetë e rëndë dhe për pasojë kanë reaguar edhe shqiptarët e Shqipërisë. Shumica e pjesëmarrësve janë të rinj, disa mbanë në duar flamujt e Shqipërisë, UÇK-së dhe Kosovës. Pjesëmarrës është dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë”, raportoi Stafa.

blank

Presidentja Osmani kërkon sanksionimin e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator.

Osmani tha se “veprimet terroriste dhe akti i agresionit” janë të orkestruara dhe të mbështetura nga Beogradi.

“Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”, tha Osmani sipas një njoftimi për media.

Presidentja e Kosovës po ashtu tha se veprimet e Policisë në veri janë legjitime dhe janë në kuadër të “realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

Sarrazin është takuar sot edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas ngjarjeve në veri.
Kurti e ka informuar atë për veprimet që po merr Kosova pas ngjarjeve të së dielës.

“Emisari Sarrazin shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe popullin e Kosovës, e dënoi sulmin e djeshëm duke e cilësuar atë si kriminal dhe terrorist mbi Policinë e Kosovës, dhe dha mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës”, u tha në njoftimin e zyrës së Kurtit.

Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona, që dyshohet se janë të lidhur me grupin e armatosur, janë arrestuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.rel

blank

Mijëra qytetarë në varrimin e policit të vrarë, mes tyre Hovenier, Szunyog e Rifat Jashari

Mijëra qytetarë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, policit të vrarë, Afrim Bunjaku, dje në veri të Mitrovicës.

Varrimi i heroit më të ri të Kosovës u bë në fshatin e tij të lindjes, Samadrexhë të Vushtrrisë, duke nis nga ora 16:00.

Ndërkohë, është parë edhe Rifat Jashari, si përfaqësues i familjes Jashari.

blank

U vra në krye të detyrës, përcillet për në banesën e fundit efektivi Afrim Bunjaku

Përcillet për në banesën e fundit, me nderime të larta shtetërore në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, heroi Afrim Bunjaku, efektivi i vrarë në Kosovë. Të shumtë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj kanë marrë pjesë në varrimin e të ndjerit, i cili u vra dje në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Afrim Bunjaku bëri sakrificën më sublime në mbrojte të atdheut, ku dëshmoi se shteti ka nevojë më shumë se kurrë t’i bëhet gardian.

“Teksa po i japim lamtumirën heroit Afrim Bunjaku, duhet ta sjellim në vëmendje guximin dhe vetëmohimin e tij, të cilin ai e tregoi gjatë gjithë karrierës së tij. Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij. Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës. Sepse ai dje e mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, ai mbrojti dinjitetin e shtetit tonë”, -deklaroi Osmani. Edhe kryeministri Albin Kurti u shpreh se rreshter Bunjaku ra si hero për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e vendit.

“Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra në një natë me hënë, teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë në atë rast. Në orët që pasuan gjatë ditës së 24 shtatorit, nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryerësit e këtij akti kriminal dhe terrorist. U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që me profesionalizimin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës. Çdo minutë të një dite të gjatë zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët. Për paqe me siguri, për të gjithë me secilin. Rënia në detyrë e rreshter Afrim Bunjakut, i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës është sakrifica në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, për drejtësi dhe për të drejta për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se ditën e djeshme është rrezikuar dhe cenuar siguria kombëtare.

“Dje jo vetëm që janë rrezikuar, por edhe janë cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Sot, përpara se Afrim Bunjaku të varroset si një hero, portreti dhe profili i Afrimit le të skalitet në kujtesën tonë fotografike dhe në mendjen tonë kolektive, si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori. Afër Afrimi, larg krimi”, shtoi ai. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku ra heroikisht ditën e djeshme sikur paraardhësit e tij, duke e mbrojtur Kosovën.

“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës, si dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor dhe u bë heroi i Kosovës për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të sovranitetit të republikës sonë. Dita e djeshme, ditë e.. për familjen dhe miqtë, për bashkëfshatarët dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është po ashtu dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua. Rreshteri Bunjaku dje mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënia e tij do të frymëzojë brezat se si mbrohet atdheu. Dita e djeshme ishte një ditë e rëndë për Kosovën dhe për demokracinë dhe për paqen në rajon. Serbia edhe një herë për strukturave terroriste paramilitare e sulmoi shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës”, -përfundoi Konjufca.

Sipas tij, Kosova edhe pasluftës po vazhdon që të mbrojë lirinë dhe pavarësinë e vendit me gjakun e dëshmorëve dhe të heronjve. Po ashtu, kryeparlamentari Konjufca u shpreh se dje u dëshmua që Serbia nuk ka ndryshuar dhe mbetet agresore ndaj Kosovës. Në ceremoninë e varrimit, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se është e vështirë që sot të ndahen nga Afrimi, i cili dha jetën për paqe dhe siguri. “Rreshter Afrimi dje ra heroikisht në krye të detyrës në veri të Kosovës. Ai u vra në një prit të organizuar nga grupet terroriste dhe kriminale. Rreshteri Afrimi, heroi më i ri i Kosovës dha jetën tij duke mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sot për ne dhe për ju është një ditë shumë një ditë shumë e vështirë, sepse po ndahemi nga prindi, bashkëshorti, vëllai, miku e kolegu, i cili dha jetën e tij për paqe dhe siguri të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai. Nga Samadrexha e Vushtrrisë, ai u bëri me dije grupeve kriminale e terroriste që dora e shtetit do të luftojë pa mëshirë të njëjtit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë titullin “Hero i Kosovës” policit të vrarë nga terroristët serbë, Afrim Bunjaku. Ai u vra në orët e para të së dielës nga grupe terroriste serbe.bw

blank

Kosova e akuzon Radoiçiqin për sulmin ndaj Policisë

Armë, automjete dhe gjësende tjera të konfiskuara në veri të Kosovës, u ekspozuan gjatë konferencës për media të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, më 25 shtator 2023.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë e kanë akuzuar nënkryetarin e Listës, Serbe, Millan Radoiçiqin, për organizim dhe pjesëmarrje në sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Gjatë një konference për media, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë.

Ai tha se në bazë të dokumenteve që kanë gjetur Radoiçiq, është i lidhur me sulmin.

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.

Armët që Policia tha se i ka konfiskuar në Banjskë.

Armët që Policia tha se i ka konfiskuar në Banjskë.

Sipas tij, në bazë të armëve që kanë gjetur, besohet se ka pasur plan që në sulm të përfshiheshin “qindra persona për destabilizimin e vendit tonë”.

Sveçla tha se, sipas informatave të deritashme, “gjashtë terroristë po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit [qytet në Serbi]”, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës. Ai tha se përveç tyre, edhe pjesëtarë të tjerë të grupit që mund të kenë ikur për në Serbi, duhet t’i dorëzohen Kosovës që të përballen me drejtësinë.

Ai tha se në bazë të informatave, disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, që Kosova i ka shpallur si organizata terroriste më herët gjatë vitit.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në një makinë Mercedes, me targa të Beogradit, është gjetur një leje për armë në emër të Radoiçiqit.

“Dokumenti është i lëshuar nga autoritete serbe, duke ngritur dyshimin e fuqishëm që në mesin e personave të armatosur dhe uniformuar edhe vetë Millan Radoiçiq”, tha Hoxha.

“Ky grup terrorist dyshohet se është organizuar nga Millan Radoiçiq, njeri i afërt me presidentin [e Serbisë] Aleksandar Vuçiq. Grupi terrorist në sigurimin e armëve dhe mjeteve logjistike, përfshirë edhe hyrjen në Kosovë me mbi 26 mjete motorike dyshohet të jetë përkrahur dhe mbështetur në mënyrë aktive nga Qeveria e Serbisë”, theksoi ai.

Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.

Drejtori Hoxha tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë e detonatorë.

Hoxha tha se disa prej këtyre armëve ishin përdorur edhe në sulmet në të kaluarën, siç tha ai, nga “Mbrojtja Civile”.

Drejtori i Policisë së Kosovës tha se në bazë të dokumenteve të gjetura, pesë prej të cilëve i përkisnin “Mbrojtjes Civile”.

Autoritetet e sigurisë thanë se grupi ishte profesional dhe i përgatitur mirë. Përveç armëve, drejtuesit e policisë thanë se kanë konfiskuar 24 automjete, një mjet të blinduar dhe dy motor me katër rrota.

Çfarë ndodhi në Banjskë?

Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.

Autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona, që dyshohet se janë të lidhur me grupin e armatosur, janë arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës.

blank

Presidentja Osmani ndan urdhrin “Hero i Kombit” për Afrim Bunjakun

Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator në përleshjet me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

 

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar në një mbledhje komemorative pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator në përleshjet me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, i ka ndarë rreshterit Afrim Bunjaku urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.

Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“Rreshteri Afrim Bunjaku dhe pjesëtarët e Policisë dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuar nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, mbrojtjen, integritetin territorial dhe sovranitetin dhe vunë në vend dinjitetin e Kosovës”, ka deklaruar presidentja Osmani.

I pranishëm në mbledhjen komemorative ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës nga një grup shumë i armatosur i mbështetur nga Serbia.

“Reagimi profesional i Policisë së Kosovës rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit dhe konfiskimin e shumë armatimeve”, ka theksuar Kurti.

Në mbledhjen komemorative, të pranishëm ishin edhe familjarët e rreshterit Afrim Bunjaku. Vajza e tij, Arbenita Bunjaku, ka thënë se “janë krenarë me punën dhe heroizmin e babait”.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001.

Të dielën më 24 shtator në një përleshje me një grup të armatosur të Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, është vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe disa të tjerë janë plagosur.

Sulmuesit e armatosur, rreth 30 persona, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit.

Autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjës Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi fajësoi zyrtar serbët e Kosovës.rel

blank

Sekretari amerikan i Shtetit dënon sulmet ndaj policisë së Kosovës

VOA

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi sot atë që ai e quajti “një sulm të koordinuar dhe të dhunshëm” ndaj policisë së Kosovës dhe bëri thirrje që “autorët e këtij krimi të mbahen përgjegjës përmes një procesi hetimor transparent.”

Zoti Blinken i bëri thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë “të përmbahen nga veprime dhe retorika që mund të nxisin tensione të mëtejshme dhe menjëherë të punojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për shtensionimin e situatës, të garantojnë sigurinë, rendin dhe ligjin, dhe të kthehen në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.”

Sekretari i Shtetit thekson se “policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për të siguruar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës.”

“Shtetet e Bashkuara e njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si autoritetin që reagon i pari në situata urgjence dhe krize,” shton ai.

Zoti Blinken thekson se “Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse për koordinimin e afërt të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe misionin e NATO-s në Kosovë, në veçanti për ofrimin e sigurisë për civilët në vendin e ngjarjes.”

“Do të vazhdojmë të përcjellim situatën dhe të koordinohemi me të gjithë të përfshirë,” përfundon zoti Blinken.

blank

Amerika i bashkohet Kosovës në ditë zie

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka vënë flamurin në gjysmë shtizë në nderim të policit Afrim Bunjaku i cili u vra dje në një sulm terrorist në veri të Kosovës.

“Presidentja Vjosa Osmani e deklaroi ditën e sotme, 25 shtatorin, Ditë Zie në Republikën e Kosovës”, shkruan ambasada amerikane në Twitter.

“U bashkohemi institucioneve të Kosovës në zinë për humbjen e policit Afrim Bunjaku”.

“Sot flamuri ynë në ambasadën amerikane është në gjysmë-shtizë për nder të tij”.

blank

Nataša Kandić: “Le të përgjigjet Presidenti i Serbisë se kush i organizoi barrikadat dhe dhjetëra serbë, ku i morën armët dhe uniformat!”

Natasha Kandiç, veprimtare serbe e shquar e të drejtave të njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, i është bashkuar situatës në veri të Kosovës me reagimet e saj në Twitter.

Ja disa thekse të Zonjës Kandiç:

Në këtë moment, nuk është normale që @avucic përsërit se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe se serbët u rebeluan. Ai ende thotë se do të jetë më keq. Vuçiq duhet t’ju bëjë thirrje serbëve të dorëzojnë armët.”

Le të përgjigjet Presidenti i Serbisë se kush i organizoi barrikadat dhe dhjetëra serbë, ku i morën armët dhe uniformat!”

blank

Kurti: Vrasja e policit, formacion terrorist i organizuar nga Beogradi

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se situata në Kosovë është planifikuar nga një formacion terrorist. Sipas tij bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është e organizuar dhe përkrahur politikisht, financiarisht dhe logjistikisht nga Beogradi.

“Policia e Kosovës është ajo që informon për të dhënat nga terreni por ajo që duhet tashmë që kemi dhe pjesëtarë të atij formacioni profesionit, ushtarak policor të huaj që kreu sulmin terrorist dhe vra mizorisht Afrimin i kemi edhe të plagosur dhe tre të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar besoj që procesi në vijim do të na japë më shumë të dhëna mbi atë se kush janë këta dhe kush saktësisht janë këta? Si hynë në Kosovë? Kur dhe kush janë urdhër dhënësit e dirigjuesit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e Kosovës? Nga ajo çfarë kemi mësuar janë ato çfarë i kemi menduar edhe më herët që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal profesionist i cili i ka planifikuar gjatë këtë çfarë kanë kryer sot dhe që nuk paraqesin një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht dhe logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

Kurti shtoi se polici i vdekur Afrim Bunjaku me trimërinë e tij ka ndriçuar rrugën e shtetit të Kosovës. Ai tha se do të ndjekim rrugën ligjore të gjithë së bashku deri në fund.

Një natë më parë janë ndezur qirinjtë për nder të policit të vrarë në krye të detyrës në Basnjë të Zveçanit. Të pranishëm në ndezjen e qirinjve ishte kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan dhe shumë policë e qytetarë të tjerë.

Ndërkohë sot Kosova ka shpallur ditë zie kombëtare në dnerim të policit të rënë në krye të detyrës.

blank

Kosova në zi kombëtare

Prishtinë – Dita e hënë (25 shtator) do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Ishte një sulm terrorist.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë,

“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësitet profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht, me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”, tha paraditen e së dielës Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, përmes një kumtese në rrjete sociale.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, grupin e personave që kreu sulm të armatosur në Veri, ku mbeti tragjikisht i vrarë një oficer policie e cilësoi “formacion profesionist” të mbështetur e finacuar nga Serbia. Ai tha se shteti do të ngadhënjejë gjithmonë kundër bandave dhe dhunuesve të rendit e ligjit.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi”, tha kryeministri.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) folën me gjuhën ekzakte. Jeffrey Hovenier, ambasadori amerikan në Prishtinë, dënoi ashpër “sulmet e dhunshme dhe të orkestruara” ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa kërkoi që dhunuesit të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë.

“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, tha ambasadori Hovenier herët në mëngjes.

Reagimi i Bashkimit Evropian (BE) ndaj vrasjes së policit kosovar në krye të detyres nga një bandë e organizuar terroriste fillimisht ishte ngurrues. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kërkoi “vërtetimin e fakteve” për sulmin ndaj policisë.

Megjithatë, ndonëse e dënoi “në termat më të ashpër të mundshëm” sulmin ndaj organeve të rendit dhe kërkoi që “autorët përgjegjës të përballen me drejtësinë”, njëkohësisht bëri thirrje që “të gjitha palët” t’i ndalin “veprimet armiqësore” në veriun e vendit që tash e një kohë nuk gjen prehje.

“Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik nga vijimësia e akteve armiqësore rreth Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, tha kryediplomati evropian përmes një komunikate, derisa bëri thirrje që palët të punojnë në de-përshkallëzimin e situatës.

Në deklaratën e dytë, tonet ishin më të ashpra. U hoqën të gjitha dilemat. Dhuna ndaj Policisë së Kosovës u cilësua “sulm i tmershëm terrorist dhe frikacak”, derisa Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thjesht bëri thirrje që palët t’i kthehen negociatave për normalizimin e marrëdhënieve.

“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës. Dhuna e çfarëdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime shkon për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, tha diplomati sllovak.

Të gjithë ishin njëzëri në dënimin e sulmit ndaj Kosovës dhe shprehjen e solidaritetit, përfshirë shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), derisa nuk munguan as reagimet nga shtetet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, por edhe Kroacinë.

Për sulmin dhe vrasjen e rreshterit policor, përvec niveleve të larta shtetërore, kanë reaguar edhe ish-diplomatë, eurodeputetë, gazetarë, studiues të fushave të ndryshme e vëzhgues të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, duke u pozicionuar krah Kosovës dhe kundër akteve destabilizuese të Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, mohoi cdo lidhje me grupin terrorist që vrau një polic dhe shkaktoi pasiguri të madhe në veri. Ai akuzoi për gjithçka të ngjarë kryeministrin Kurti dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke përdorur retorikë lufte dhe armiqësore.

“Fajtori për atë që po ndodhë në veri – me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare – është Kurti. Gjatë gjithë kohës ka provokuar dhe vazhdon të provokojë. Dhe më vjen keq që një grup i serbëve ka rënë në provokimet e tij. Kurti dëshiron konflikt dhe luftë”, tha ai në konferencën e tij të jashtëzakonshme.

Ai tha ndër të tjera se sulmi i së dielës në fshatin Banjskë, ndodhi për shkak se, ashtu papritmas “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e Policisë së Kosovës. Ua faturoi të gjithën serbëve kosovarë. Megjithatë, vrasjen e “një polici shqiptar” e dënoi.

“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më nga terrori i Kurtit. Në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm”.

Raundi i fundit i negociatave diplomatike nën kujdesin e BE-së përfundoi me pozicione të acaruara nga të dy palët dhe me “pasione të pashuara” dhe ndërsa diplomatët në Bruksel e Uashington po e humbin gradualisht kontrollin, skenën kanë filluar ta zotërojnë bandat krimnale të inkursuara nga Serbia.

Image

blank

Dha jetën për atdhe! Kush është Afrim Bunjaku, polici që u vra nga serbët gjatë detyrës

Afrim Bunjaku është polici i Kosovës që humbi jetën në krye të detyrës, teksa po i bënte ballë serbëve në fshatin Banjska të Leposavçit.

Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën Bunjaku.

50-vjeçari nga Samadrexha e Vushtrrisë, me pozicion rreshter, prej vitesh ka shërbyer në uniformat blu të vendit të tij. Babai i dy djemve dhe një vajze ishte transferuar në Zveçan që pas dorëheqjes së bujshme të serbëve nga strukturat policore.

Vetëm para një jave Afrim Bunjaku mori mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës, lajm i cili u bë i ditur nga kolegët e tij, që sëbashku ndanë edhe një foto në grup.

“Dashtë Zoti që ti të jesh dëshmori i fundit që bie në altarin e lirisë”, kanë shkruar ata.

Ndërkohë reagimin më prekës për viktimën që deri në momentet e fundit ishte në dispozicion të Kosovës e ka bërë i afërmi i policit.

I afërmi teksa shpreh pikëllimin për ngjarjen e rëndë, veçon më së shumti punën e bërë në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit, për të cilin thekson se e ka bërë nder e krenari deri në frymën e fundit.

“Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri”, është shprehja në të cilën familjarët kanë vendosur ta veçojnë që në nisje të shkrimit, frazë që qëndron në një pankartë të vendosur sot në hyrje të qytetit të Prishtinës në Kosovë.


Send this to a friend