Në fillim ishte “veprimi” Goëte
Nëse do të kërkonim të gjenim një përkufizim për letërsinë e shkruar me dialogë dramën dhe komedinë do t’i quanim gjini të vështira, pasi këto kërkojnë që personazhi të shfaqë karakterin e vet vetëm me dialogë dhe lëvizje, por pa komente dhe përshkrime nga ana e autorit. Në dramë dhe në komedi shkrimtari hiqet mënjanë, ndërpriten të gjitha mundësitë e shprehjes dhe arsyetimeve të veta rreth asaj që ndodh. Dramaturgu operon me fjalët e personazheve të tija. Vetëm skena për të cilën shkruhet, është një simbol në të cilën nuk imitohet jeta, por ngrihet e vërteta e cila ka karakter edukues. Veprimi dramatik në skenë nuk është kuantitativ (sasior) thotë dramaturgu kroat, Mirosllav Kërlezha. Intensiteti I veprimeve dramatike , shkruan ai në shënimet e veta për dramaturgjinë, nuk varet nga dinamika e ngjarjeve, përkundrazi. Fuqia e veprimit skenik është ibsenisht konkrete dhe përbëhet nga objeksioni psikologjik I disa subjekteve që në skenë përjetojnë veten dhe fatin e vet.” Sipas Kërlezhës, dramën do ta përkufizojmë edhe si veprime psikologjike të personazheve që përjetojnë në skenë veten dhe fatin e vet. Qëllimi i një vepre dramatike është përjetimi skenik, pra, të luhet prej aktorëve në një skenë teatrale. Drama nuk shkruhet për ta lexuar, por për t’u mishëruar nga një trupë skenike. Skena vetë është një simbol, një platformë e krijuar qysh në lashtësi për t’u imituar ngjarjet jetësore. Grekët e lashtë mbushnin shkallët e amfiteatrove për të ndjekur me interesim skena nga jeta. Sipas Maksim Gorkit – kërkesat e dramës janë tri:
Të jetë sa më aktuale,
të jetë e ngjeshur me veprim
të ketë një subjekt të qartë.
Në të vërtetë, vetë Gorki, si dramaturg i talentuar, ishte i sigurt se në thënien e vet kishte diçka që nuk shkonte. “Mos ndoshta ne po predikojmë kështu romantizmin?” pyeste ai. Dhe pastaj, po vetë përgjigjej: “Po, e predikojmë në qoftë se heroizmi shoqëror, në qoftë se entuziazmi kulturoro-revolucionar gjatë krijimit të kushteve të reja të jetës, në ato forma të cilat po na shfaqet ky entuziazëm tek ne, mund të quhet romantizëm. Në porositë që ai u jepte letrarëve të rinj, më e rëndësishmja ishte :” Në çdo individ të paraqitur, përveç thelbit të përgjithshëm klasor, duhet gjetur dhe ai individual.” Kërkesat e Gorkit dramaturg, si çdo porosi tjetër që vinte nga vendi “i sovjetëve” , u shndërruan në dogmë për të gjithë letërsinë e vendeve socialiste. Kërkesat për krijimin e heroit të ri, ose, siç u quajt te ne, të “personazhit pozitiv” bëri që të kultivohej një dramaturgji skematike. Mbizotërimi i personazheve pozitivë i zbehu mjaft veprat skenike, pasi në skenat tona zunë të ngjiteshin krijesa me personazhe artificialë, si: Sekretarë partie, ose “punëtorë pararojë ,të cilën zhvillonin në skenë luftën e klasave pa asnjë kompromis. Ky skematizëm skenik largoi nga teatri një publik të zgjedhur. Edhe sot, pas njëzet vjetëve, në skenat tona nuk është ngjitur ende drama shqiptare e kohës. Në vend të saj ngjiten komedi keqkuptimesh, ose drama me absurde.
Drama si gjini gjendet më pranë poezisë se prozës,kështu që një poet mund të shkruajë lehtësish një dramë, vështirësia qëndron tek dialogu i cili duhet të jetë “ psikologjik”. Dialogu në dramë nuk duhet të jetë i shtrirë dhe as i qetë. Ai duhet të jetë me ngarkesë psikologjike. Perdja duhet të hapet vetëm pasi të kenë ndodhur përplasja. Këtë gjini do ta shëmbëlleja me një mot në stuhi, me shkrepje dialogu e me bubullima të mekura, me një dialog të tensionuar, në kreshendo të vazhdueshme.
Në dramë personazhet vetëm dialogojnë. Nuk ka mundësi tjetër për ndërhyrje të autorit. Autori përjashtohet nga rrëfimi dhe nga elementët e tjerë të prozës. Letrarët e rinj që synojnë t’i përkushtohen kësaj gjinie duhet të kenë parasysh që gjuha skenike ndryshon nga gjuha e prozës, dhe se gjuha e personazhit duhet ta individualizojë personazhin, në detaje, në zhargone, në timbër të zërit, në huqe, dhe në elementë të tjerë të cilat një prozator do ta bënte këtë gjë me mjete të tjera. Le të kujtojmë komedinë “Karnavalet e Korçës, të S. Çomorës, e cila ka hyrë prej kohësh në fondin e artë të komedisë sonë klasike, jo vetëm për temën që trajton por edhe për karakteret dhe zhargonin korçar. ”Pallati 176” e A.Balashit, është një tjetër komedi karakteresh që ka pasur jetëgjatësi në repertorin e Teatrit Popullor, falë lojës plot nuanca dhe mishërimit skenik që aktorët u kanë bërë figurave të Jovan Bregut, Sandër mafishes, etj. Në kujtesën e spektatorit tonë ende janë të gjallë personazhe si ai i Qazim Mulletit (“Prefekti” B.Levonja ) Jonuz Brukës “Familja e Peshkatarit” S.Pitarka) Figura e Lokes dhe e Tuç Makut (“Toka jonë.”Kolë Jakova) etj..Të gjitha këto figura letrare të dramaturgjisë shqiptare, e të tjera, si ajo e Ollgës ( “Zonja nga Qyteti”R.Pulaha) janë personazhe tipike shqiptare. Në këtë drejtim do t’u rekomandonim letrarëve të rinj, nëse do të lëvrojnë këto dy gjini të vështira, komedinë dhe dramën, duhet të vëzhgojnë në jetën e përditshme për të zbuluar një personazh, dramatik ose komik, mbi të cilin do të ngrënë veprën e tyre skenike. Gjetja e një personazhi të këndshëm, origjinal për spektatorin, dhe tipik për shumë syresh, premton për të bërë përgjithësime dhe është një çelës i sigurt suksesi, me të cilin mund të ngjitesh në tempullin e shenjtë të skenës. Babai i komedisë ruse,Nikolai Gogol, i shkruante Pushkinit : “Digjem nga dëshira për të shkruar një komedi…” Në përgjigje Pushkini i sugjeronte të ngjiste në skenë figurën e një mashtruesi moskovit që shkon në një qytet provincial i shtirur si revizor, dhe fillon të mashtrojë sa mundet, të gjithë me radhë, nga kryetari i Bashkisë e poshtë. Kështu lindi “Revizori”, komedia e famshme e Nikolaj Gogolit. Kjo është pak a shumë historia e një komedie e cila ka mbi 100 vjet që luhet rregullisht në skenat botërore, madje edhe kur është luajtur në skenën e Teatrit Popullor ka njohur sukses të madh. Një lloj tjetër drame u rrit dhe u zhvillua në Kosovë, në kushtet e një klime tjetër. Le të kujtojmë dramat tradicionale të Teki Dervishit “Bregu i fildishtë” dhe “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut, e cila u shfaq me sukses dhe në skenat tona teatrale. Ndërkaq dramat e Rexhep Qoses, “Sfinka e gjallë”, Besalem pse më flijojnë”, “Vdekja e një mbretëreshe”etj., për kohën që u shkruan ishin një novacion letrar. Nuk duhet harruar që teatri është njëkohësisht dhe biznes. Spektakli i ngjan një stadiumi ku spektatorët paguajnë për të parë një ndeshje dhe për t’u argëtuar. Si çdo biznes që priret nga kriteri i konkurrencës edhe teatri duhet parë si një skenë ku spektatori paguan për t’u dëfryer dhe jo për t’i bërë moralizime.
Redaktimi letrar
Mos bëni edhe ju si vjershaxhiu i mjerë
Që nga dokrrat e veta i marrin trutë erë
Dhe pas i ngjitet rrugës kujtdo që të takojë,
pa nisë e i çan kokën një varg t’i recitojë…
Pra, një kritik të zgjidhni me mend edhe me qokë,
që dijen dhe arsyen ka prijës edhe shokë
dhe që me laps të sigurt të gjejë pa ngurruar
të dobësisë vendin që duhet rregulluar.
( “Arti poetik” N.Bualo shek XVII)
Përpara letrës së bardhë je vetëm ti.. .dhe vegimi.
Përpara letrës së bardhë je ti dhe vegimi. Ti ndien në vetvete se zotëron magjinë e fjalës dhe dëshiron të komunikosh diçka. Poeti amerikan Willjams shkruante: “Zemra ime zgjohet kur mendon të sjellë lajme për diçka, që ka të bëjë me ju dhe që ka të bëjë me shumë njerëz.”
Ja një strofë e një letrareje të re që ende nuk ka botuar librin e parë:
Era që vinte nga deti,
sillte një aromë të kripur.
Dhe mua më dukej se në qiell
isha duke u ngjitur.
Këtu mendimi ngec, nuk ikën më tej. Diçka ka ndodhur.
Ka ndodhur procesi i vetë verifikimit. Poeti është larguar nga ai vegim i parë që ka dashur të transmetojë. Ndoshta ka pasur ndër mend të shkruaje me vargje të lira, ndërsa vargjet e mësipërme dolën të rimuara. Në raste të tilla, letrari e ndërpret punën, por kjo nuk duhet ta dekurajojë, pasi, kjo gjë na ndodh të gjithëve. Ajo do ta gjejë kohën dhe mënyrën për t’iu kthyer sërish këtij motivi.. .Mund të jetë një çast… Kur je duke u përgatitur për të shkuar në shkollë… Mund të jetë një çast, kur je duke ecur në trotuar… ose, duke biseduar me një shoqe. Mund të jesh në orën e matematikës, kur mësuesi është duke mbushur dërrasën e zezë me formula.. .Mund të jetë një çast , kur je duke shtruar pjatat mbi tavolinë, ose, pak para gjumit .. Duhet ta kapësh atë çast, pasi dhe e ke pritur. Kur të vjen ky çast duhet t’i lësh gjërat pas dore, pasi ai ngjan me një vetëtimë , ndriçimi i së cilës zhduket përgjithmonë.
Gjatë viteve kam redaktuar shumë libra poetikë, të poetëve të rinj dhe të njohur. Përvoja si redaktor më ka bërë të mendoj se, sugjerimet e redaktorit duhet të jenë dashamirëse dhe konstruktive.
Çdo letrar i ri, në fillimet e veta, e ka të nevojshëm një orientues, një mësues letërsie, një redaktor ose një poet i njohur. Letrari, fillimisht, mund ta gjejë vargun e parë si në vjershën si në rastin e më poshtëm:
Ti do të vish!
Befasuar nga kjo gjallëri,
Rri me shpresën se do vish,
Do vish ti në këtë natë,
Që të ndezim ndjenjën e zjarrtë,
Që këtë ndjenjë ta jetojmë,
Dhe kurrë mos e harrojmë.
Në poezinë e mësipërme vetëm vargu i dytë: “Rri me shpresën se do të vish…” është i goditur,vargjet e tjera janë të përgjithshëm. Dy vargjet e fundit janë letrareske, me rima të puthura foljore, gjë që e bëjnë krijimin të tingëllojë si bejt. Gjithsesi, nuk duhet dekurajuar, pasi vargu i parë : “Rri me shpresën se do të vish “…” është i goditur. Ja dhe një vjershë tjetër e saj, e cila nuk ka mundur të realizohet:
Në sytë e tu shoh zëmrën e vrarë,
që jeta shumë e ka munduar,
Dhe këtu vargu i fillimit është i gjetur. (Të gjesh vargun e parë do të thotë të kesh mundësi për një shtjellim të ri) Në vargjet e mëposhtme:
Në sytë e tu shoh lotët e heshtur,
që shpirtin ta kanë mbushur plot,
në sytë e tu shoh dëshirën e vërtetë,
që nuk mund ta realizoj dot.
nuk krijohet emocion. Eshtë operuar me fjalë të përgjithshme. Letrarja duhet të futet sërish në vegimin krijues, pasi vargu i parë “Në sytë e tu shoh zemrën e vrarë“, qëndron mirë. Vargu i dytë “që jeta shumë e ka munduar” duhet hequr, pasi komenton vargun e parë.
Atje të jetoj e lumtur,
Ku drita hapat të m’i dritësojë,
Të jetoj e mbrojtur, dhe kurrë të mos gaboj.
Shënim : Vetëm vargu i dytë është poetik.
Jetoj e mbushur me iluzione,
mes natës së egër,
jetoj një jetë monotone,
në këtë botë të verbër,
në këtë botë të errët,
të errët si jeta vetë.
Sikur të m’i merrje të gjitha,
do jetoja si në përrallë,
Po sikur të më merrje zemrën,
Çfarë do të ndodhte vallë?l
Shënim: Vjershë sentimentale.
Shikimi yt më lëndon,
Fjalët e tua më vrasin,
Kur simpati për mua nuk tregon.
Asgjë s’të kam kërkuar në jetë,
Vetëm të më rrish pranë,
Dhe të më duash vërtet.
Shënim: Dy vargjet e para janë mirë. Ndërsa rimat “vërtet”dhe “jetë” janë të dobëta.
Ndihma që u duhet dhënë letrarëve të rinj duhet të jetë në përputhje me stilin dhe me kërkesat e moshës, pa ndikuar në shijet e tyre. Nëse ne i imponojmë shijet dhe kërkesat tona do t’i krijojmë tek ai konfuzion, ftohje dhe largim nga poezia.
Të zhvendosur në zonën e heshtjes
(homazh për ata që nuk jetojnë më)
“Poetët mos i lini të lozin me shkrepëse”
Zh.Prevert
Poetët qysh kur nisin të shkruajnë e ndiejnë veten superiorë,duke menduar se zotërojnë një dhunti e cila i bën ata të jenë mbi të tjerët. Dhuntia e zbulimit të ngjashmërive dhe zhbirimeve psikologjike të qenieve njerëzore i vendos ata në zonat më të larta të lirisë, ku s’mund të ngjiten njerëzit mesatarë. Poetët janë të sinqertë dhe të thjeshtë, por brenda tyre lëvizin rryma të cilat i vënë në lëvizje të përhershme, duke i bërë që hera-herës të humbasin vetëkontrollin. Ndoshta kjo është arsyeja që poeti Zhak Prevert shkruan; “Poetët mos i lini të lozin me shkrepse…”Kujtoni Neronin e Romës së lashtë. Neroni ishte dyfish vanitoz, pasi ishte njëherazi poet dhe perandor. Neroni dogji Romën për të provuar një trill të tillë poetik.
Poetët synojnë të ngjiten në zonat e larta e të pashkelura, të lirisë , mirëpo, e gjitha kjo shpesh herë është shpaguar me shpifje ose zhvendosje në zonat e heshtjes. Disa biografë të autorëve të mëdhenj, të nxitur nga një fantazi malinje, rrëmojnë në intimitetet e jetës së autorëve, duke i konsideruar edhe gjenialitetet letrare, si, Bajronin, Lorkën, Bodlerin etj , perversë.
Kjo racë biografësh ka tentuar edhe tek ne të prekë ata shkrimtarë dhe poetë të cilët kanë guxuar të fshikullojnë moralin fals të shoqërisë. Kam parasysh dy autorë me dy vepra të shkruara në kohë të ndryshme, Migjenin me novelën “Studenti në shtëpi” dhe Kadarenë me novelën “Nata me hënë”:
“Unë nuk jam pa moral,- thotë personazhi i Migjenit,-Koncepti im menduer-mos më thanë ideologjik- nuk pajtohet me moralin, të cilin kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj sa për sy e faqe, nësa mbrapa ia loz lojën kur të due. Kështu si unë ia lozin lojën shoqnisë me qindra vetë në vendin tonë. Prandaj shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand. Hiqi bragashat.”
Vite më vonë Kadareja do të shkruante novelën “Natë me hënë”. Me grisjen e recetës qetësisht Mariana ia gris në fytyrë maskën opinionit të rremë shoqëror:” Që nga shtrojet e bardha ajo na vështronte të gjithëve e qetë…”
Kritika letrare e të dy kohëve do të qëndronte në krahun konservator të shoqërisë. Konservatorizmi dhe avangardizmi janë në një duel që vazhdueshëm, një duel i cili zhvillohet midis mozartëve, që kanë privilegjin të prekin zonat e virgjëra të falsitetit shoqëror dhe salierëve, që e mbrojnë këtë imoralitet shoqëror në emër të moralit. Në një shkrim të botuar në gazetën “Zëri i rinisë” kërkohej të mos pranohej morali i novelës atë me Hënë” pasi, “figura e sekretarit të partisë nuk delte e plotë…”
Krijuesit, përgjithësisht, janë tekanjozë dhe ambiciozë. Ata nuk kënaqen kurrë, as me vlerat e krijimtarisë së tyre dhe as me krijimet e autorëve kolegë. Gjithmonë të shqetësuar, duke e ndier veten si në një anije të vetmuar në mes të detit , gjithmonë në udhëtim, gjithmonë në kërkim të vetvetes, gjithmonë të pakënaqur nga shoqëria, nga kolegët , nga shteti, nga krijimtaria e vet…
Krijuesit i kanë shumë të nevojshme fjalët e mira dhe lavdërimet. Fjalët e mira për një krijues janë si ajri për mushkëritë. Një krijues, ashtu siç është i pakënaqur me veprat e tija letrare, po ashtu është i rezervuar në vlerësimin e veprave të kolegëve, ndërkohë që, nga të tjerët, pret çdo ditë t’i thurin lavdërime.
Kjo klimë letrare mund t’i shoqërojë edhe brezat tuaj, të dashur letrarë të rinj, ndaj duhet të përgatiteni për këtë lloj klime e këtë lloj vetmie. Lexuesi shqiptar ka vite që janë të fyer edhe shkrimtarë të shquar që ikën nga kjo botë të shpërfillur e zemërthyer, si Jakov Xoxa, Petro Marko, Sterjo Spase, Fatmir Gjata, Sotir Andoni, Anastas Kondo etj. Ndërkohë që dhe shkrimtarët e tjerë si:Arapi, Agolli e Kadareja e ankohen për këtë shpërfillje të studiuesve dhe kritikës letrare.
Nga bisedat me Sterjo Spasen unë ruaj shumë kujtime, pasi dikur kemi punuar së bashku për disa vjet, në revistën letrare “Nëntori”… Në atë kohë, Sterjoja kaloi tri infarkte radhas, por nuk e dha, i pajisur me një vullnet për ta admiruar, shkruante rregullisht, çdo ditë. Atëherë ai e ndiente veten si “i harruari i gjallë”. U lumturua kur i sollën nga Prishtina kompletin e veprave të tija të botuara në Kosovë.” Kjo do të mbetet dita më e lumtur, nga e gjithë koha e krijimtarisë sime”,- më tha duke më treguar kompletin e veprave, që ia kishin sjellë nga Prishtina. Veprat e tij të plota jo vetëm ishin shtypur bukur, por shoqëroheshin me shënime profesionale dhe dashamirëse.
Edhe Jakov Xoxa, të cilin e kujtoj me admirim të veçantë, e ndiente veten borxhli ndaj botuesve kosovarë, jo vetëm për botimin luksoz të romanit të tij “Lumi i vdekur”, por edhe për parathënien e ngrohtë dhe pa paragjykime, shkruar nga kritika kosovare. Një ditë, pasi isha kthyer nga mitingu i poezisë së Gjakovës (maj. 1978), e takova në rrugë. Jakovi ishte prototipi i shkrimtarit të vërtetë, me një vullnet të pashoq në krijimtari, i sjellshëm, modest dhe fjalë pak.
Ai ishte i interesuar të dinte shumë gjëra për jetën e kosovarëve matanë kufirit.-“Na thuaj ndonjë gjë…?- më tha.
“Kemi takuar shumë qytetarë që na kanë pyetur posaçërisht për ju”,-i thashë…-” Kishte nga ata që e kanë ëndërr të hershme takimin me ju.. .Në të vërtetë, duhet të kishit shkuar ju në Kosovë, jo unë…”Në çastet që i flisja u përskuq në fytyrë, si të ishte një djalosh i ri. Ajo përskuqje më ka mbetur gjatë në kujtesë. Jakovi vdiq i ri, me ëndrra shumë, por, më të madhen ëndërr që s’iu realizua asnjëherë, për të parë Kosovën dhe për të takuar kosovarët, të cilët i kishte përshkruar me aq dashuri te “Lumi i vdekur”.
“Heshtje e plotë në Shqipëri për mua.-Do të thoshte në kujtimet e veta,miku dhe profesori im i letërsisë, Petro Marko,-Në Kosovë më botonin veprën e plotë, më ribotonin veprat e mia, studioheshin veprat e mia në shkolla.” Pse ndodhte në Shqipëri kjo gjë? Ndërsa botuesit kosovarë përgatisnin kompletet e veprave të shkrimtarëve tanë, në Shqipëri ata zhvendoseshin për ditë e më thellë në zonat e larta të heshtjes…
Petro Marko ka ndier gëzim të veçantë dhe e ka konsideruar si një ngjarje të paharruar, botimin e romanit të tij në Japoni, “Qyteti i jugut”, botuesit japonezë, së bashku me një kopje të romanit të përkthyer, i dërguan si dhuratë dhe një televizor të vogël. Ishte vërtet një kënaqësi e madhe, e cila nuk vinte nga bashkë atdhetarët e vet, por nga një vend i largët dhe nga miq të panjohur. Petro Marko, “shkrimtari vizual i ndjeshmërisë së lartë“ bënte pjesë në ata shkrimtarë që përjetoi një liri të kufizuar në dy sisteme, ashtu si Poradeci dhe Kuteli, ndonëse, duhet të dihet nga të gjithë, romani “Qyteti i fundit” është i pari romani modern që prishi skemën. D.Agolli ka thënë:” Po të mos ishte “Qyteti i fundit” as Kadareja nuk mund të kishte bërë veprën e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.Ky roman lindi pasi Kadareja imitoi Heminguejn, si përvojë botërore dhe Petro Markon si përvojë kombëtare.”
Nuk mund të thuash se këtë klimë heshtjeje dhe zilie për autorët e shquar e krijonte vetë sistemi socialist, ajo ishte rezultat i provincializmit ballkanik, trashëguar edhe nga rrethet intelektuale të viteve ’60-të. Edhe në vitet ’70-të-’80, krijues , si: Agolli, Arapi, Koçi, Laço Xhuvani,Drini ,Andoni, etj gjithmonë e më tepër do të ankoheshin për heshtjen dhe denigrimin e krijimtarisë së tyre nga kritika letrare. Po ç’mund të themi ne për brezin tonë, i dashur lexues, ç’mund të thoshte Qurku, Reshpja, Haliti, Zeqo,Vyshka , Gjakova, Istrefi, Petriti, Meçe, etj. Të cilët vegjetonin nën hijen e shkrimtarëve të partishëm. Dhe ç’mund të thoni ju, të dashur letrarë të rinj, që rriteni në një klimë tjetër, me kufij të hapur dhe me liri të pakufishme, për lëvrimin e formave letrare…? Me sa duket, edhe për ju kanë heshtur përgjithmonë kambanat e kritikës letrare. Krijuesi qenka paracaktuar të jetojë brenda burgjeve të ideve dhe imazheve, i zhvendosur përjetësisht në zonën e heshtjes. Miqtë e mi shkrimtarë që sot nuk jetoni më… zoti Sterjo, Petro hokatari, i miri Jakov, i paharruari Viktor, miqtë e mi të veçantë, Faik Balanca Sotir Andoni, Bilal Xhaferi… tani kam përpara një antologji me fosile nga ëndrrat tuaja letrare, të cilat studiohen në shkolla, ndërsa ju nuk jeni midis tyre, por shpirti juaj, shpirti juaj ëndërrimtar ndodhet kudo, ai vërtitet midis këtyre peizazheve që ju i donit aq shumë.
Pas viteve nëntëdhjetë thamë se ,më së fundi doli një antologji e letërsisë bashkëkohore shqiptare, e plotë, cilësore , me përfshirje dhe të shkrimtarëve kosovarë dhe pa paragjykime. Mirëpo, edhe kjo lloj antologjie e pas nëntëdhjetës, e cila iu është shpërndarë shkollave të mesme, këtej dhe andej kufirit, na zhgënjeu shumë. Tekstet letrare të paraqitura në këtë antologji të quajtur “Maja e çelur” nuk pasqyrojnë vlerat e vërteta letrare,,mbi të gjitha, letërsia kosovare është pasqyruar, cektë duke anashkaluar vepra dhe autorë të shquar. Vlerat e një antologjie letrare nuk pasqyrohen me numrin e autorëve, por në përzgjedhjen e autorëve të spikatur e në prezantimin e veprave të veçanta që pasqyrojnë vlerat e një letërsie në një kohë të caktuar.
” Mendimi përforcohet,-thotë në një shkrim kritik Petrit Palushi,- kur vëren se janë përjashtuar apo anashkaluar autorë si: Anton Pashku, Jusuf Buxhovi, Beqir Mysliu, Rexhep Qosja, Hivzi Sulejmani, Mehmet Kraja, Mirko Gashi, Nazmi Rahmani dhe Zejnullah Rahmani, Kim Mehmeti, Ramadan Musliu, Eqerem Basha, etj.”
Degëzimi i letërsisë kosovare, një degëzim i cili ia vlen të studiohet imtësisht dhe në shkollat e Shqipërisë dhe të njihet mirë nga letrarët e rinj, pasi, vet kushtet e trysnisë në të cilat është rritur dhe zhvilluar kjo letërsi, e ndanë atë për ca kohë nga trungu kombëtar. Tashmë është koha të studiohen në shkollat dhe universitetet tona të gjithë ta autorë që përmenden më lart, e sidomos romanet e Nazmi Rahmanit dhe Rexhep Qoses Mehmet Krajës dhe Agim Gjakovës, mikut tim, i cili qëndron me dy këmbë, në të dy anët e kufirit, e njëkohësisht në asnjë antologji serioze. Me romani “Oh” të Anton Pashkut nis moderniteti i letërsisë shqipe,Ndërsa me poezinë e Esat Mekulit nis letërsia e re kosovare. Të vjen keq kur ndjen, se edhe sot pas dy dekadash nuk janë shembur ende muret midis shqiptarëve. Së paku të shembej muri i poetëve dhe shkrimtarëve, të cilët në kohë të vështira mbajtën të ndezur pishtarin e poezisë, të prozës dhe të dramës shqipe.
Për ilustrim po citoj dy paragrafë nga tregimi “Floçka” të Anton Pashkut i cili është i ndërtuar si në poezi mbi metafora:
” Edhe pragun e saj e pa. Atë derë e shtynin valët e frymës së tërbuar, herë këtej, herë andej. Kur e shtynin,ajo karratte. Karrtte si të ishte diçka me të vërtetë e gjallë. Pikëllueshëm. Ajo karratje e pickonte në zemër…”
“… Ato rreze kishën lëbyrë korbat dhe ua kishin djegur krihtë. Shumica kishin cofur pa rënë në pyll. Disa të tjerë kishin mundur të ikin. Ata edhe tash krrokasin. Ato rreze kishin lëbyrë dhe qentë. Nga nxehtësia, shumica e qenve kishin ngordhur. Disa të tjerë kishin mundur të ikin. Ata edhe tash lehin.”
Komentet