VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Analisti amerikan flet hapur për rrezikun: Ndarja e Kosovës ndihmon Rusinë, shkakton probleme në Ballkan

By | August 21, 2018

Komentet

Atdheu… Nga Fatos Baxhaku (In Memoriam)

– Atdheu është vatra familjare, gardhi, era e mirë e shtëpisë, vendi ku e ndien veten të barabartë dhe të respektuar, bash atje ku të zë gjumi rehat. Do hash ndonjë të sharë, por të jesh i sigurt që e ke pasur hallall.

– Atdheu është gjuha, rrugicat, dialekti, ëndrrat, përrallat, hartimet, dashuritë e para dhe ato të munguara, librat e shkoqur erëmirë.

– Atdheu është dhimbja jote. Është pafuqia dhe fuqia jote. Është pikërisht ajo që ti do të doje të ishte më mirë.

– Atdheu është gjeni yt, mëkatet e tua, mëritë e tua, dashuritë e tua, tradhtitë e tua.

– Atdheu është edhe me ngjyra: Flamuri, Kuqezia, Pavarësia, heronjtë, bëmat… Por mos harro, kanë ardhur kohë të tjera, që kanë nevojë për punë dhe jo për legjenda.

– Atdheu është edhe stinë. Nganjëherë na lodh me zymtësinë, apo me shiun, dhe herë të tjera na ngazëllon me beharin e parakohshëm që vjen befas. Atdheu është ai, vetmitar, i paparashikueshëm.

– Atdheu nuk do brohoritës. Më të famshmit brohoritës nuk kanë pasur fat të mirë.

– Atdheu nuk i do ata që shkojnë nga salla e bilardos drejt e në stadiumin ku mëtojmë të jemi edhe ne. Atdheu na kërkon në radhë të parë punë dhe mend. Si i bëhet?

– Atdheu është ai vend i mrekullueshëm ku na kanë mësuar se më e mbara udhë është të shtojmë miqtë dhe jo armiqtë.

– Nga Atdheu dhe historia e tij e gjatë kemi mësuar se ai nuk do që të fshihemi pas tij. Kjo duhet të jetë e pandershme.

– Atdheu është zemërgjerë, ai na i fal edhe mëkatet tona, dhe të të tjerëve, vetëm e vetëm që njerëzia të jenë mirë.

– Atdheu hera-herës na kujton: Kujdes të korrat!

– Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që thua me krenari “I am Albanian”.

– Atdheu hap punë, shpresë dhe jo sherre.

Sigurisht që edhe Atdheu ka një cak, ka një limit deri në të cilin mund të na falë mëkatet. Mjaft na ka duruar! Më e para nga të gjitha është se ne duhet të jemi më kokunjur në krenarinë tonë të pabazuar në themel.

Është bazike, nisur nga historia e kulturave njerëzore, që popujt që arrijnë të njohin veten e tyre, njësoj si njerëzit, e kanë jetën më të mbarë, përkundrazi, popujt, që merren me lapidarë, himne, simbole lloj-lloj dhe aspak me thelbin e gjësë, ahere atyre do t’u duhet një rrugë e gjatë drejt përparimit.

Sido që të jetë: Rroftë Atdheu ynë! Kjo për ne. Por rrofshin të gjithë për atdhetarët e tjerë!

Zëri i Amerikës – Tiranë: Ndahet nga jeta studiuesi dhe publicisti i njohur Fatos Baxhaku

Fatos Baxhaku

Komuniteti shqiptar i shtypit është në zi në Shqipëri për publicistin e njohur Fatos Baxhaku, i cili humbi jetën të premten në moshën 55 vjeçare nga një sëmundje e rëndë dhe e gjatë. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Tiranës për Histori në fund të viteve 1980, zoti Baxhaku u përfshi thuajse plotësisht si gazetar e analist në shtypin e ri të sapokrijuar në fillim të viteve 90.

Në fushën profesionale ai la të botuara dy studime në gjermanisht “Struktura e popullatës dhe kufitjë etnikë mes shqiptarëve, serbëve dhe maqedonasve në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe fillim të shek XX”, Vienë 1994 dhe “Themeli i shoqërisë në Shqipërinë veriore. Dëshmi dhe kërkime të konsujve dhe studiuesve austriakë”, Vienë 1996.

Gjatë tranzicionit, Fatos Baxhaku u bë shpejt i njohur për punën voluminoze në shtypin e shkruar si reporter i thjeshtë, redaktor dhe drejtues redaksie në gazeta, revista dhe televizione të ndryshme vendase.

Zoti Baxhaku u bë veçanërisht i njohur me serialin e dokumentarëve televizivë “Tunel”, një cikël disavjeçar kronika udhëtimesh të autorit nëpër Shqipëri, ku ai raportoi për jetën e njerëzve të thjeshtë në çdo cep të vendit, traditat, historinë dhe të përditshmen e tyre.

Pasioni për historinë dhe gazetarinë e shtynë zotin Baxhaku të botojë një seri librash të tjerë me studime dhe reportazhe si “Gur”, Tiranë 2008, “Në Mirditë & Rreth e Rrotull”, Tiranë 2009, “Roje: Bestytni shqiptare të Shekullit XXI”, Tiranë 2012, “Çadra e Kuqe”, Tiranë 2013, “Gra të Përgjithshme” Tiranë 2014.

Ai përgatiti prej udhëtimeve të shumta edhe një seri guidash turistike për qytetet historike si Lezha, Berati, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Pogradeci, Saranda, Shkodra, Korça, Durrësi.

Gjatë angazhimit afro 30 vjeçar në botime dhe publicistikë, zoti Baxhaku ishte edhe pedagog dhe mentor i disa breza studentësh të gazetarisë së shkruar dhe televizive, të cilët po e nderojnë sot mësuesin e tyre me një mori vlerësimesh.

Për largimin e parakohshëm nga jeta të Fatos Baxhakut dhanë vlerësime e komente publike edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit, politikës dhe qarqeve akademike shqiptare.

Trumpi duhet të thërrasë një samit Serbi-Kosovë – Nga Dean B. Pineles*

Më 13 gusht, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë për shtyp me fjalë të forta duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të rifillojnë dialogun e tyre të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të mos vendosin më pengesa në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

Kuinti ishte specifik për këto pengesa: “Për Kosovën, kjo do të thotë të pezullojë tarifat e vendosura për Serbinë. Për Serbinë, kjo nënkupton pezullimin e fushatës kundër njohjes Kosovës.”

Deklarata thoshte që nëse Serbia dhe Kosova tregojnë një gatishmëri për kompromis, për të hequr ato pengesa dhe për të rifilluar diskutimet, atëherë Kuinti do të ishte “i gatshëm të rrisim rolin tonë në këtë proces duke mbështetur Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, i cili ndërmjetëson bisedimet Kosovë- Serbi në Bruksel”.

Shumë mirë, por a nuk e kemi dëgjuar edhe më parë këtë?

Që kur dialogu mes dy vendeve ngeci pasi Serbia arriti të prishte kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Interpol vjeshtën e kaluar dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u hakmor menjëherë duke vendosur një tarifë 100 për qind për mallrat serbe, kemi dëgjuar vazhdimisht thirrje të ngjashme.

Megjithatë asnjëra palë nuk është tërhequr dhe akuzat e ndërsjella kanë vazhduar. Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, në një intervistë për Pink TV, e kritikoi deklaratën e Kuintit si të paekuilibruar dhe në favor të Kosovës.

Ai pohoi se deklarata nuk thoshte asgjë në lidhje me gatishmërinë e vendeve të Kuintit për të ndaluar përpjekjet e tyre për lobim në favor të pavarësisë së Kosovës, si një quid pro quo që Serbia të ndalte sulmin e saj kundër njohjes së ish-krahinës së saj. Dhe ai tha që Serbia do të vazhdojë fushatën e saj kundër njohjes sepse ajo po funksionon dhe kjo po shkakton reagime nga komuniteti ndërkombëtar.

Për fat të keq, Daçiç ka treguar se është një njeri shkatërrues kur vjen puna për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën; ai është një pjesë e madhe e problemit, jo zgjidhja.

Dhe Haradinaj ka rezultuar kokëfortë në lidhje me tarifën e cila nuk ka qenë e dobishme, por së fundmi ai dha dorëheqjen si kryeministër pasi u ftua për t’u marrë në pyetje si i dyshuar në gjykatën e re të krimeve të luftës në Hagë.

Megjithatë, Daçiç bëri disa komente interesante në atë intervistë në lidhje me mbështetjen e fortë për presidentin amerikan Trump në mesin e popullit serb: “Askush nuk qe aq i lumtur sa serbët kur panë Donald Trumpin të fitonte zgjedhjet presidenciale dhe të mundte Hillary Clinton, sepse serbët s’e durojnë dot Clintonin dhe Madeleine Albright.”

Bill Clinton dhe Madeleine Albright, sigurisht, drejtuan fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë gjatë pranverës së 1999.

Kosova gjithashtu i vlerëson marrëdhëniet e saj me administratën Trump, siç kanë deklaruar vazhdimisht presidenti Hashim Thaçi dhe Haradinaj.

Kjo dinamikë sugjeron mundësinë e një qasjeje të guximshme dhe të re për normalizimin. Ndoshta ka ardhur koha që BE-ja të tërhiqet dhe të lërë SHBA-në të marrë një rol udhëheqës.

Pavarësisht përpjekjeve të saj më të mira, BE-ja nuk ka pasur sukses në rifillimin e dialogut, kështu që ndoshta ka ardhur koha për një rikalibrim rrënjësor.

Interesi i presidentit Trump lindi vjeshtën e kaluar kur ai u përfshi në diskutim duke i kërkuar të dyja palëve të përfitonin nga mundësia historike për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Dhe ai gjithashtu u ofrua të ftonte presidentin Thaçi të Kosovës dhe Aleksandër Vuçiçin e Serbisë në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë nëse ata e realizonin me sukses këtë gjë.

Por nevojitet veprim më i guximshëm nga ana e SHBA-së, duke pasur parasysh mungesën e progresit të diplomacisë konvencionale, të udhëhequr nga BE-ja.

Duke pasur parasysh kredibilitetin e dukshëm të presidentit Trump me Kosovën dhe Serbinë, ai duhet të ndërhyjë në mënyrë të fortë dhe proaktive për të çuar përpara bisedimet, dhe ta bëjë këtë menjëherë pasi të mbahen zgjedhjet në Kosovë dhe të formohet një qeveri e re.

Unë propozoj që Presidenti Trump të thërrasë një samit që përfshin vendimmarrësit kryesorë nga të dy vendet, i cili të mbahet në Shtetet e Bashkuara, i ngjashëm me samitin e Camp David, të thirrur nga presidenti Jimmy Carter në vitin 1978.

Ai samit historik i Camp David dekada më parë solli një marrëveshje paqeje midis Egjiptit dhe Izraelit që ekziston edhe sot. Nëse Egjipti dhe Izraeli mundën të arrinin një marrëveshje të qëndrueshme pas armiqësive të tyre të armatosura dhe të gjata, atëherë ekziston arsye për të shpresuar që Serbia dhe Kosova mund të veprojnë njësoj, duke menduar që Shtetet e Bashkuara do të lujanë një rol të ngjashëm dhe do ta bëjnë këtë me vendosmëri.

Si parakusht, pasi të thirrej samiti, qeveria e re e Kosovës do të duhej të binte dakord të pezullojë tarifën e importit dhe Serbia do të duhej të binte dakord të pezullonte strategjinë kundër njohjes së Kosovës. Këto pezullime do të vazhdonin ndërsa negociatat për samitin janë në zhvillim e sipër.

Presidenti Trump atëherë mund të angazhohej personalisht me drejtorët ndërsa negociatat e përditshme do të zhvilloheshin nën drejtimin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

Natyrisht që qëllimi do të ishte arritja e detajeve të një marrëveshjeje të qëndrueshme e cila njeh interesat legjitime të të dyja palëve. Dhe, nëse do të ishte e suksesshme, samiti do të përfundonte me një mbrëmje gala të lavdishme në Sjtëpinë e Bardhë në sytë e të gjithë botës, siç premtoi presidenti Trump.

Natyrisht, një propozim i tillë do të kishte edhe kundërshtues. Disa do të pyesin pse SHBA-ja duhet të rrezikojë kapitalin e saj politik duke u përpjekur të zgjidhë atë që ata e shohin si një problem europian. Por SHBA-ja ka në lojë edhe lëkurën e vte, pasi ka shpenzuar me miliarda dollarë në përpjekje për të stabilizuar Ballkanin pas luftërave të viteve 1990.

Është e vërtetë, siç do të argumentonin disa, që kuraja e burrave të shtetit do të duhej të tregohej si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova, diçka që deri më tani ka munguar. Por presidenti Trump mund të ishte shumë bindës në këtë drejtim, sidomos në fushën e vet dhe mund të garantojë stimuj për të dy vendet.

Samiti mund të dështojë, por po sikur të rezultojë i suksesshëm? Kjo do të ishte një goditje të befasishme në politikën e jashtme dhe një sukses për trashëgiminë e administratës Trump, e ngjashme me marrëveshjen e paqes Egjipt-Izrael.

Ai mund të sjellë një paqe të qëndrueshme në Ballkan, diçka që shumica e kombeve do ta duartrokisnin (përveç ndoshta Rusisë).

Kjo do të lejojë që Serbia dhe Kosova të ecin përpara me qëllimet e tyre të integrimit në komunitetin më të madhe europian, me të gjitha avantazhet që do të sillte kjo gjë.

Dhe, më e rëndësishmja, kjo do t’u ofronte fëmijëve të të dy vendeve perspektivën e një të ardhmeje të ndritshme./Reporter.al/

* Gjyqtari Dean B. Pineles është diplomuar në Brown University, Boston University Law School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Ai ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar me EULEX-in nga viti 2011 deri në vitin 2013. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji.

Jozefina Topalli bashkëpunëtore sekrete e Edi Ramës Nga Desada Metaj

Desada Metaj: Fati që zgjedh Topalli, në vend të harresës me nder, kujtesën e turpshme si bashkëpunëtore sekrete e Ramës

Edi Rama është përgjegjësi që Shkodra, ose më saktë socialistët dhe ata pak votues të 30 qershorit, të përfaqësohen nga një person me të shkuar kriminale.

Edhe socialisti më i verbër e di se jo Valdrini, por edhe një drejtor i rëndomtë i administratës, nuk do të kishte guxuar të fshihte një dënim penal, që i heq të drejtën për postin, aq më shuë ekur bëhet fjalë për një garë zgjedhore në të cilën kundërshtari të gërrmon të shkuarën tënde.

Ata që e bëjnë, e bëjnë sepse kanë besim apo garanci se nuk do t’i gjejë asgjë edhe po u zbuluan. Dhe sikurse ka ndodhur me shumë prej të përzgjedhurve të Ramës, kur zbulohen, Partia ka të gatshme për ta formulën e shfajësimit publik: shtiru si i habitur, pretendo se dënimi është marrë në mungesë dhe padrejtësisht, deklaro se do të luftosh si qytetar i lirë për ta korrigjuar padrejtësinë.

Paralelisht, Partia dhe Edi Rama theksojnë se: pëgjegjësia për fshehjen e të shkuarës është personale e zyrtarit, ndaj duhet t’i rëndojë atij personalisht në ndërgjegje, por gënjeshtra e tij nuk mund të njollosë Partinë e madhe dhe të pastër Socialiste.

Nuk duhet thënë asnjë fjalë për përgjegjësinë penale të zyrtarit të dënuar gënjeshtar apo për detyrimin e institucioneve shtetërore për të marrë menjëherë masat e detyrueshme ligjore kundër tij. Natyrisht, prokuroria, e kontrolluar politikisht, do të bëjë shërbimin e saj duke i vonuar ose harruar veprimet hetimore dhe ndëshkimore.

Kjo strategji efektive, e zbatuar me përpikmëri në të gjitha rastet, përfshin edhe një element tjetër të rëndësishëm: nxitjen e menjëhershme të ndonjë debati të brendshëm në PD, me ndihmën e mercenarëve apo inatçinjve të zakonshëm.

Valdrin Pjetri nuk konkurroi në asnjë forum të PS për t’u zgjedhur kandidat për Shkodrën. Përzgjedhja e tij ishte vendim personal i Edi Ramës dhe, për rrjedhojë, përgjegjësi personale vetëm e tij.

Ndaj në përpjekje për t’u distancuar nga zgjedhja që i doli kallp, Kryeministrit i duhej që debati publik për “socialistin” e Shkodrës të konkurohej nga debati brenda PD-së.

E ku ka më mirë se për të ndezur këtë debat të angazhohet ish-numri 2 i demokratëve, politikania e madhe demokrate e Shkodrës, e cila si askush tjetër mund të prekë telat e militantëve dhe të nxisë klikimet e portaleve:

“E vërtetë, Valdrini është personazhi negativ, por fajin e vërtetë për Shkodrën e ka Lulzim Basha. Rama e zgjodhi kriminelin, por PD nuk hyri në zgjedhje dhe i la hapësirë.”

Pra, Basha dhe Rama janë të këqinj njësoj.

Me këtë ekuacion “logjik”, duke dhe e zhvendosur thelbin nga kandidati kriminal i Edi Ramës tek lufta për pushtet brenda partisë, i fituar, sigurisht, del Edi Rama.

Arsyet pse dikush, që ka qenë në majat drejtuese dhe përfituese të PD-së, bën këtë shërbim ndaj Ramës mund të jenë të ndryshme dhe për to po hamendësohet deri në shpjegime historike apo konspirative.

Në të vërtetë, pikërisht, fakti që motivimi i Zonjës Topalli është aq i paqartë, aq i pajustifikuar dhe i debatueshëm, e bën ndërhyrjen e saj shumë efektive për të larguar vëmendjen nga Valdrini dhe Edi Rama dhe tek debatet apo luftrat e brendshme në PD.

Natyrisht, e gjithë propaganda dhe media në shërbim të Edi Ramës e amplifikojnë në maksimum debatin e brendshëm në PD.

Ndërkohë, opozita duhet të lëvdohej dhe të merrte meritat që i takojnë, për miratimin e ligjit të dekriminalizimit që është e vetmja arsye pse Shkodrës dhe demokratëve të saj nuk u imponua një kriminel për kryebashkiak—ligj për të cilin zonja Topalli ka votuar dhe punuar së bashku me ekipin drejtues të PD.

Opozita duhej të lëvdohej se, edhe pa asnjë pushtet, ka arritur të imponojë, të vetmin mekanizëm që ka arritur deri diku të çmontojë sistemin kriminal që Edi Rama ka instaluar në mënyrë të qëllimshme në çdo nivel të pushtetit.

Por, përkundrazi, Edi Rama po arrin ta bëjë këtë sistem të duket i parëndësishëm, duke e zhvendosur vëmendjen tek ca debate partiake, për vlera, të cilat inicohen nga ish-drejtues partiakë që duket sikur kanë qenë eurodeputetë dhe jo shërbëtorë partiakë të bindur të shefit të tyre.

E gjitha kjo taktikë e shpërqendrimit të vëmendjes, është shndërruar në një strategji të konsoliduar të komunikimit publik të Kryeministrit sa herë skandalet (jo rastësisht të shpeshta) përfshijnë qeverinë e drejtuar prej tij.

Nuk ishte e rastësishme që ditën kur PS nuk nxori dot në votime as 15 për qind të votuesve në të gjithë Shqipërinë, zërat (e zakonshëm) kërkonin largimin e kryetarit të opozitës, meqë nuk ja doli të bënte kaos dhe të pengonte votimin njëpartiak.

Nuk ishte e rastësishme që diversionet me pasardhës imagjinarë hidheshin në publik në momentin kur u kuptua se mbështetja për opozitën në mos është sa refuzimi për të votuar, padyshim është ndjeshëm më e madhe se ajo e dy viteve më parë.

Në strategjinë e tij për të mbajtur pushtet me çdo kusht, në kohën kur çdo pushtet e ka tërësisht të vetin, Edi Ramës nuk i mbetet gjë tjetër veç taktikës së vjetër romake: përça e sundo—të cilën ai, me gjasa, e ka mësuar jo nga leximet historike apo filozofike, por nga filmi “Skënderbeu”.

Sigurisht, adhurueset e filmit dhe të personazhit nuk e ndihmojnë dot për këtë përçarje. Formimi i tyre dhe roli qesharak që kanë marrë ja u bën të pamundur misionin që u ka ngarkaur Rama—mision për të cilin ai përdori, me radhë, themelues, drejtues dhe ish-drejtues të PD-së, ish funksionarë dhe ish-qeveritarë të PD-së, pa kursyer në diabolizmin e tij edhe fëmijët e tyre.

Nuk është e vështirë të kuptosh se kujt i përket radha për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e Ramës tek debatet e brendshme në PD.

E vështirë është te besosh se si këta njerëz, që ishin për dekada pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike dhe e qeverisjes së saj, nuk arritën kurrë të kuptonin apo pranonin se çdo detyrë apo post ka qenë dhuratë arbitrare dhe jo meritë me konkurencë.

Për këtë arsye, është më mirë të heshtin dhe të gëzojnë kujtimet dhe ato çka u ka mbetur nga pushteti i dikurshëm.

Përndyshe, në vend që të harrohen, sikurse e meritojnë, do të kujtohen gjithmonë si mercenarë dhe bashkëpunëtorë të fshehtë të Edi Ramës dhe regjimit të tij kriminal.

Exit.al

Telefonata e fundit e Ndriçim Xhepës me Gjergj Xhuvanin: Nuk ka qenë i shtruar në spital

TIRANË– “Liqeni mund të na i japë të gjitha nëse ne dimë se si ta pyesim”. Kështu thotë Kristo, një adoleshent i rritur buzë liqeni, një nga personazhet e filmit të fundit të Gjergj Xhuvanit. Po vetë Gjergj Xhuvani, çfarë mori nga liqeni?! Ndoshta kënaqësinë e fundit të krijimit, të realizimit të një filmi, që si në çdonjërin që ai i dha publikut, fliste për njeriun, për dashurinë. “Liqeni im”, kështu titullohet filmi që e çoi drejt Romës regjisorin, prej nga nuk u kthye më.

Dha frymë pasi e çoi deri në fund filmin, xhirimet e të cilit i kishte realizuar qysh një vit më parë. Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56- vjeçare. Një vdekje e papritur, që shokoi këdo që mësoi për ikjen e tij, e shoqëruar me lajme, shumë herë abuzive mbi rrethanat e vdekjes.

FILMI

Siç rrëfejnë bashkëpunëtorët më të afërt, regjisori Gjergj Xhuvani u nis drejt Romës për të përmbyllur filmin e tij më të ri “Liqeni im”, me produksion të “ON Film Production”, i mbështetur financiarisht nga Qendrat Kinematografike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, por edhe i përzgjedhur nga “Eurimage” si një nga projektet më të mira të paraqitura nga 37 vende të ndryshme.

Filmi me skenar dhe regji të Xhuvanit vendoset në Pustec, në pikëpjekjen e tre kufijve dhe bën bashkë një kast të gjerë aktorësh, mes të cilëve Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Vedran Zivolic, Elia Zaharia, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Miriana Deti etj.

TELEFONATA E FUNDIT

Aktori Ndriçim Xhepa, mik i hershëm i çiftit Xhuvani, i cili ka bashkëpunuar në disa filma me regjisorin dhe shumë herë si partner me bashkëshorten e tij, Luiza, me shumë gjasë ka qenë një nga njerëzit e fundit që ka komunikuar me të.

“Mendoja se ishte kthyer nga Italia dhe e mora në telefon, sepse më duhej ndihma e tij për një numër. Kemi bërë humor bashkë me time shoqe. Ai ishte në Romë për t’i dhënë dorën e fundit filmit të tij, të cilin duhej ta mbyllte brenda gushtit, madje familja e tij ishte nisur me pushime. Atë ditë që ndodhi fatkeqësia, ai kishte lënë një takim dhe fakti që nuk kishte shkuar dhe as përgjigjej në telefon, krijoi shqetësimin. Ai nuk ndodhej në Romë për t’u kuruar, por për punë dhe nuk është e vërtetë që ka vdekur në një spital të Romës. Ndoshta ka ndërruar jetë gjatë natës, por arsyet do t’i thonë mjekët. Ai duhej të kthehej atë ditë, më tha që kishte kryer punë. Me sa duket dha shpirt kur mbaroi filmin”, thotë Xhepa, ndërsa nuk e fsheh tronditjen që i shkaktoi lajmi dhe dhimbjen për humbjen e një miku dhe një bashkëpunëtori, një njeriu që e kishte batutën gjithnjë gati, që i ishin gjendur njëri-tjetrit në ditë të vështira.

Të njëjtën ecuri të ngjarjes konfirmon edhe producenti i filmit të fundit të Xhuvanit, Dritan Huqi, të cilit i ra barra e rëndë e sqarimit të rrethanave.

“Gjergji ndodhej në Romë për të realizuar masterizimin e filmit ‘Liqeni im’ dhe mospërgjigjja në telefon na vuri në alarm të gjithëve, deri në momentin që morëm lajmin e papritur”, thotë Huqi, një nga njerëzit me të cilin Xhuvani kishte komunikimet më të shpeshta së fundi, për të çuar deri në fund tanimë filmin-testament, xhiruar buzë liqenit, atje ku bashkohen tri kufij… Sepse veprat e Gjergj Xhuvanit i bashkonin njerëzit…

Marrë nga Panorama

Zëri i Amerikës – Tiranë, Prokuroria e Përgjithshme verifikon Valdrin Pjetrin

Valdrin Pjetri

Një ditë pasi Valdrin Pjetri njoftoi dorëheqjen nga mandati i kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, fituar në Zgjedhjet Vendore të 30 qershorit, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mbi verifikimet e nisura mbi pastërtinë e figurës së tij. Zoti Pjetri u akuzua të martën nga Partia Demokratike në opozitë se në vitin 2003 ishte dënuar në Itali për trafik droge dhe se ishte dëbuar nga vendi fqinj.

Duke iu përgjigjur një kërkese të Partisë Demokratike të datës 13 gusht 2019, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “më datë 05.08.2019, ka regjistruar kërkesën për verifikim të detajuar të subjektit Valdrin Pjetri, dhe se ka filluar procesin e verifikimit të plotë e të gjithanshëm, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë” dhe se i ka kërkuar shtetasit Valdrin Pjetri “të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore”.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “që në daten 6 gusht ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke u kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri”.

Po sot, Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në twitter, reagoi pas vendimit të Valdrin Pjetrit për t’u dorëhequr nga posti i kryebashkiakut, pas akuzave të Partisë Demokratike. “Fshehja e ngjarjes, – shkruan Rama, – është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!”

Kryeministri Rama, i cili gjatë viteve të fundit është akuzuar vazhdimisht për promovim të figurave të lidhura me krimin, u shpreh sot se është “Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje”.

Për Kryeministrin Rama, rasti Pjetri dëshmon nevojën që të nisë “verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”.

Në formularin e dekriminalizimit, paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri, ka shënuar se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, as brenda e as jashtë vendit. Por, të marten e kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, paraqiti para mediave dokumente të ardhura nga Italia, që dëshmojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali dhe, për më tepër, e ka mbajtur të fshehtë këtë dënim. Valdrin Pjetri rezulton të jetë arrestuar më 27 Janar 2003 në Firence, dhe një ditë më pas, përpara gjykatës, ka pranuar fajësinë.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Sipas këtyre dokumentave, ligji i dekriminalizimit e ndalon Valdrin Pjetri për të ushtruar një funksion publik. Ndërkohë, ai rrezikon të akuzohet për “Falsifikim të dokumentave zyrare” dhe “Deklarim të rremë”.

Valdrin Pjetri ka një karrierë të gjatë në zyrat e shtetit shqiptar. Ai ka punuar në funksione të rëndësishme, fillimisht në qeverinë e demokratëve e, më pas, atë të socialistëve. Ndaj, nuk është e qartë se si ai ka arritur të mbijetojë kaq gjatë duke qenë një person i dënuar nga një gjykatë italiane për trafik të lëndëve narkotike.

Karierën në strukturat shtetërore Pjetri e ka nisur që në kohën e qeverisë Berisha, ku nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka mbajtur detyrën rëndësishme të Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Më pas ka mbuluar disa detyra drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes, deri në vitin 2018 kur u emërua drejtues i Hipotekës e më pas Prefekt i Shkodrës.

Rasti Pjetri shihet si këmbanë alarmi për nevojën e reformimit të sistemit të rekrutimit të zyrtarëve në administratën shtetërore ku faktet tregojnë se vazhdojnë të punojnë njerëz me precedentë penalë, të inkriminuar dhe korruptuar, por edhe njerëz që në të kaluarën kanë qenë pjesë apo bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

Valdrin Pjetri fitoi në Zgjedhjet Vendore të 30 qershorit duke qenë kandidati i vetëm në garën për kryebashkiak të Shkodrës. Opozita nuk mori pjesë në këto zgjedhje duke i cilësuar antikushtetuese, pasi Presidenti Meta kishte tërhequr dekretin për zhvillimin e Zgjedhjeve Vendore me 30 qershor.

Shkodra është bashkia ku, gjatë 28 viteve të fundit të pluralizimit politik, socialistët nuk kanë fituar asnjëherë postin e kryetarit të bashkisë. Vetëm në zgjedhjet vendore të vitit 1996, demokratët u mundën nga një forcë e re politike, e sapo shfaqur në skenën politike, “E Djathta e Bashkuar Shkodrane”. Ndaj demokratët, të cilët pas 30 qershorit, nuk drejtojnë asnjë bashki, po luftojnë fort për të ruajtur bastionin e tyre, Shkodrën.

Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, bëhet i paqartë skenari si do të funksionojë pushteti vendor në Bashkinë e Shkodrës, pasi kryetares së deritanishme, Voltana Ademi, i përfundon mandati më 20 gusht. Pas kësaj, ajo nuk ka të drejtë vendimmarrje dhe as të firmosë për pagat e rreth 1200 punonjësve të bashkisë.

Situata e paqartë pritet të reflektojë edhe në jetën e qytetit dhe qytetarëve të tij. Ndërkohë, forcat politike do të vazhdojnë përplasjet se kush do të drejtojë Shkodrën, qytetin që politika vazhdon ta dominojë prej gati 30 vitesh duke cënuar zhvillimin e natyrshëm të tij dhe vetë jetën e qytetarëve.

Mediat amerikane: Trumpi e ka diskutuar mundësinë e blerjes së Groenlandës

Mediat amerikane po raportojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka diskutuar me ndihmësit e tij, mundësinë e blerjes së Groenlandës nga Danimarka, megjithëse disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë thonë se biseda nuk ishte serioze.

Wall Street Journal më 15 gusht raportoi se Trumpi “ka shprehur vazhdimisht interes” për blerjen e Groenlandës, një territor autonom danez.

“Trumpi ka pyetur këshilltarët nëse SHBA-ja mund të përvetësojë Groenlandën, e vlerësuar si territor me interes për burimet e saja të shumta dhe rëndësinë gjeopolitike dhe, sipas dy burimeve, Trumpi ka kërkuar nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë që të shqyrtojnë idenë”, raportoi WSJ.

Raporti, duke përmendur burime pa emër, thotë se disa nga këshilltarët e Trumpit e kanë mbështetur idenë si një veprim të mirë ekonomik, ndërsa “të tjerët e hodhën poshtë atë”.

Grenlanda ka një popullsi prej rreth 56.000 njerëz dhe është një pjesë vetë-qeverisëse e Danimarkës. Pushteti vendor merret me punët e brendshme, por politikat e jashtme dhe ato të sigurisë trajtohen në Kopenhagë.

Shtetet e Bashkuara kanë tashmë një bazë masive ushtarake në Grenlandë.

Zyrtarët amerikanë ose danezë nuk e komentuan menjëherë raportet.

Në vitin 1946, Shtetet e Bashkuara u ofruan të blinin ishullin gjigant nga Danimarka për 100 milion dollarë, por marrëveshja u refuzua.

Krimi i Organizuar Shqiptar dhe Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, Analiza e fakteve Nga Erl Kodra

Shqipëria ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Është një lloj situate e pazakontë, ku nuk është gjendur më parë ndonjë vend i botës. Argumentat janë të forta, bindëse dhe përtej çdo dyshimi.

1. Historia e Krimit të Organizuar Shqiptar nuk është e re. Pas rënies së sistemit komunist në vitin 1990, strukturat e Sigurimit të Shtetit që deri atëherë ishin arma famëkeqe e terrorit komunist, u kthyen në bazën e burimeve njerëzore për krimin e organizuar. Ish oficerët e Sigurimit të Shtetit ishin individë të trajnuar mirë nga shteti komunist, të pamëshirshëm, djallëzorë, të dhunshëm dhe brutal; të gatshëm të kryenin çdo lloj shërbimi dhe krimi për të bërë para. Në çdo vend të botës kjo kategori njerëzish që kanë shërbyer në struktura të tilla (shërbime inteligjente) shtetet demokratike i mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm, u ofrojnë shpërblime dhe pensione të posaçme, në mënyrë që këta individë të mos afrohen me krimin e organizuar, që gjithmonë ka nevojë për njerëz me aftësi të veçanta. Në të vërtetë, këta individë që kishin kryer krime që në periudhën kur i shërbenin shtetit komunist, ishin bërthama prej nga lindi Krimi i Organizuar Shqiptar.

2. Që në krye të herës Krimi i Organizuar Shqiptar, që sipas të gjitha të dhënave është ish Sigurimi i Shtetit i kthyer në Organizatë Kriminale, kishte nevojë për sasi të madhe parash cash, gjë e cila nuk mund të sigurohej ndryshe, përveçse nëpërmjet fajdeve, një ndër aktivitetet kriminale më të vjetra që mafia ka përdorur në të gjitha vendet, në të gjitha kohët. Fajdet dhe zhvatja janë aktivitetet e para kriminale të krimit të organizuar shqiptar, ku kulmuan me piramidat financiare të viteve 1993 – 1996. Rënia e Piramidave rezultoi skenari më famëkeq, që e vuri në pikëpyetje ekzistencën e shtetit shqiptar dhe tërësisë territoriale të vendit.

3. Me ndërhyrjen e vendeve aleate shteti shqiptar u shpëtua, tërësia territoriale u mbrojt, por aspiratat europiane të Shqipërisë kishin marrë një goditje të pariparueshme. Kjo ishte një fitore e pastër e Krimit të Organizuar Shqiptar, në të vertetë e Sigurimit të Shtetit, organizatës simbol të terrorit komunist në Shqipëri. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, Shqipëria kthehet në bazën e trafikut dhe kultivimit të drogës, trafikut të qenieve njerëzore, trafikut të armëve dhe kontrabandës së mallrave. Agjensitë e Zbatimit të Ligjit bashkëpunonin hapur me trafikantë duke shkëmbyer gjithçka me para, mallra, drogë, armë dhe njerëz.

4. Vrasjet mafioze vazhdojnë me ritme të larta, sidomos përgjatë dhe pas trazirave që shkaktuan piramidat fianciare. Bota e Krimit ka marrë revansh, ajo nuk ndalon para asgjëje, ndërsa ligji pothuaj nuk zbatohet në asnjë rast, përveçse për krime të vogla ose vrasje ordinere të njerëzve jasht grupeve kriminale. Përveç kësaj, program i qartë politik i Krimit të Organizuar Shqiptar fillon të zbatohet masivisht, në çdo zyrë dhe strukturë të shtetit, në çdo komunë ose bashki të vendit, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Gjithçka blihet, shitet, shkëmbehet me para; shërbime jetike për popullatën, drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Parat që sjellin emigrantët shqiptarë dhe parat që qarkullon Buxheti i Shtetit duhet të menaxhohen vetëm nga Krimi i Organizuar Shqiptar, fundja, ata janë njerëzit që kanë sakrifikuar dhe kushtuar gjithë jetën aktiviteteve kriminale, dhe këto janë arsye të forta që të mbrojnë pasurinë e fituar nëpërmjet krimit.

5. Rreth viteve 2000-2005, Krimi i Organizuar mendon seriozisht për politikën. Kjo do të thotë se nëse deri atëherë Krimi i Organizuar kishte operuar nëpërmjet shantazhit, joshjes, blerjes dhe korrupsionit, tani ishte koha që të bënte një hop cilësor; Krimi i Organizuar do të kthehet vetë në një Parti Politike, në mënyrë që të kapë direkt institucionet shtetërore. Ndryshimi cilësorë që kërkonte të bënte Krimi i Oganizuar duhej të jetë i mirëmenduar, një operacion rigoroz dhe i strukturuar deri në detaje, i zbatuar hap pas hapi. Për këtë qëllim duhet të zgjidhet njeriu i duhur; një individ ambicioz, i paskrupullt, që nuk ndalet para asgjëje.

6. Vetëm një njeri e plotësonte identikitin e nevojshëm për të qenë kandidati perfekt si përfaqësues i Krimit të Organizuar, ambicioz dhe egoist, i zgjuar dhe elokuent, me sharmin e nevojshëm për të mashtruar opinionin vendas dhe ndërkombëtar, i gatshëm të bëjë çdo marrëveshje djallëzore, çdo lloj kompromisi me botën e errët. Karriera e tij duhet të fillonte nga Bashkia e Tiranës, kjo pas proves gjenerale si Ministër i Kulturës, sepse Tirana ishte epiqendra e gravitetit ekonomik, politik dhe financiar i Krimit të Organizuar. Në këtë mënyrë fillon karriera politike e Edi Ramës, njeriut që Krimi i Organizuar Shqiptar e projektoi si Kryetar i Partisë Socialiste, dhe prej gjashtë vitesh si Kryeministër i Shqipërisë.

7. Viti 2005 shënon rikthimin e Partisë Demokratike në qeverisjen e vendit, por në të vertetë, kjo përkon me ardhjen e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, e cila duhej pastruar nga profesorët e njohur, profesionistë që besonin vertetë tek idetë së majtës europiane, që i kishin dhënë një imazh ndryshe ish Partisë së Punës. Këta profesorë dhe doctor shkencash, individë me skrupuj moral dhe njerëzorë, do ta shikonin veten njëri pas tjetrit në pension të parakohëshëm politik, të përjashtuar dhe të përbuzur nga njeriu që drejtonte Bashkinë e Tiranës sipas parimeve të njohura tashmë prej të gjithëve si “mister 20 përqindëshi” dhe “një pallat, një votë”.

8. Ndërtimi do të ishte vendi ku do të laheshin paratë e Krimit të Organizuar, ndërsa ky sektor jetik i ekonomisë kombëtare do të gjeneronte me miliarda euro të tjera. Tirana e drejtuar në 11 vite rrjesht nga Edi Rama do të kthehet në një kantier të madh ndërtimesh pa kurrëfar kriteri urbanistik, që do ta shkatërronte përfundimisht strukturën e saj, duke u kthyer në këtë mënyrë në metropolin më të tmerrshëm të Ballkanit, që kurrë nuk do të jetë në gjendje të absorvojë banorët e tij, nuk do t’u sigurojë një jetë normale funksionale, ashtu siç duhet të jetë një qytet normal. Krimet urbanistike kundër Tiranës dhe banorëve të saj tashmë janë të pakthyeshme dhe të parikuperueshme. Pasojat mund të zvogëlohen vetëm nëse harxhohen të paktën edhe 20 miliardë euro të tjera, gjë e cila është e pamundur në kushtet e Shqipërisë.

9. Përgjatë viteve 2005-2013, qeverisja e Partisë Demokratike punoi fort për afrimin me Bashkimin Europian, duke luftuar pa kompromis Bandat dhe Krimin e Organizuar, por për fat të keq, ata ishin vetëm element të djegur tashmë, të ekspozuar në krime monstruoze përgjatë trazirave civile të vitit 1997. Këta individë nuk i hynin në punë askujt, krimet e tyre të përbindëshme i kishin ekspozuar ata ndaj Agjensive Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit. Në të vertetë, Krimi i Organizuar Shqiptar ndërkohë do të riorganizohej, ai tashmë e kishte tejkaluar fazën e krimit brutal, të drejtëpërdrejtë, ai kishte mbledhur ndërkohë mjete financiare dhe burime logjistike (edhe politike) për hapin cilësorë që po bënte nëpërmjet Edi Ramës si Kryetar i Partisë Socialiste.

10. Edi Rama me kohë ka hartuar dhe po zbaton Planin e Kapjes së Partisë Socialiste, dhe jo vetëm. Krahas kësaj, ai punon fort me pikat e tjera të planit; siç është kapja e Medias. Imazhi i fortë dhe mbresëlënës, reklama për punë pa thelb por që bëjnë impact të fortë, përdorimi i ngjyrave dhe propaganda shfrenuese janë armët e tij. Mjeshtrat më të mirë të komunikimit vihen në dispozicion për Planin e Madh, për ta shndërruar Shqipërinë në të parin shtet në Europë të kapur plotësisht nga Mafia. Kështu fillon të lulëzojë epoka mediatike televizive, me gjigantë të tillë si Top Channel dhe shumë televizione të tjera, në shërbim të plotë të Edi Ramës që nuk ndalet, por ngjitet me shpejtësi drejt konsolidimit të pozitave në Partinë Socialiste. Ndërkohë po afronin zgjedhjet e vitit 2013.

11. Kështu, Edi Rama fiton zgjedhjet në aleancë me “vëllain e tij armik”, Presidentin aktual Ilir Meta. Propaganda, paratë, marketingu i jashtëzakonshëm, si dhe sllogani i ri me “Rilindjen”, një emërtim politik që përmblidhte gjithë filozofinë e planit më monstruoz që ka njohur historia e Shqipërisë dhe jo vetëm, funksionojnë. Tashmë, Krimi i Organizuar është përzgjedhur drejtë për së drejti nga Edi Rama në Parlamentin e Shqipërisë, ndërkohë, Partia Socialiste ka pushuar së ekzistuari.

Kështu, Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ra, ajo tashmë zotërohet nga Krimi i Organizuar Shqiptar, me Kryeministër Edi Ramën. Në këto rrethana, Partia Demokratike tani në opozitë, fillon betejën politike, në të vertetë jo vetëm politike, me Krimin e Organizuar, që nuk është illegal, por legal, në Parlamentin e Shqipërisë dhe në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Shënim: Ky shkrim është shkruar me qëllimin e vetëm për t’i shërbyer vendit, pavarësisht konceguencave personale. Në të vërtetë, ky projekt është filluar qysh në vitet 2010, por për shkaqe dhe arsye serioze është pezulluar përkohësisht, por jo ndërprerë. Më 3 Korrik 2013 është publikuar pjesa e parë e këtij projekti, që rezultoi me fillimin e aksionit opozitar për dekriminalizimin e politikës dhe me Ligjin e miratuar në Parlament. Më vonë përgjatë 2015-tës, nga OSCE rrodhi një Raport Konfidencial i mbështetur pothuaj tërësisht nga publikimi i Korrikut 2013. Pjesë të tjera nga ky tekst do të publikohen në vazhdim.

Italia njeh patentat shqiptare, eliminohen testet teorike e praktike

Që prej datës 8 shtator, të gjithë shqiptarët që udhëtojnë në drejtim të Italisë nuk do të kenë nevojë të pajisjen me patentë ndërkombëtare shoferi.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në një postim në rrjetin e tij social Facebook njofton qytetarët shqiptarë me banim apo që vizitojnë Italinë për realizimin e “Marrëveshjes ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit”.

“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin apo pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, shkruan Cakaj.

Gjithashtu, ai njofton shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, se nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit.

Cakaj thekson se të njëjtat përpjekje e hapa Shqipëria i ka ndërmarrë edhe me shtete të tjera ku ka komunitete shqiptare, por për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende.

“Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, shkruan Cakaj.

Ylljet Aliçka: Njohja ime me Xhuvanin kur xhironim “Parullat”

Fatmira Nikolli – 18 vite më parë, karriera e Gjergj Xhuvanit shënonte një kulm, që e ngriti regjisorin në lartësinë e mbiemrit. I ri dhe i përgatitur, mjeshtri i thjeshtësisë merr në dorë skenarin e “Parullave” nisur me të, udhëtimin drejt Kanës. 18 vite më pas, ndërsa ka marrë udhëtimin e fundmë, skenaristi Ylljet Aliçka, teksa gjendet në Turqi, kujton punën me të. “Parullat” është filmi i parë dhe i fundit që ka qenë në Kanë. Mori çmimin e parë në Japoni dhe është përzgjedhur në filmat më të mirë në shumë klasifikime. “Qe një nga regjisorët më të mirë të brezit të ri, që diti të trashëgojë vlerat më të mira të realizmit, i pandikuar nga rrymat snobiste ose ekzibiocioniste. Diti të kapë thjeshtësinë e temat e thjeshta dhe deri diku ironike, kjo qe edhe arsyeja e bashkëpunimit tonë”, thotë Aliçka. Kujton se mbasi kishte botuar librin “Parulat” dhe shkroi skenarin përkatës, producenti francez, i kërkoi që të gjente një regjisor shqiptar nga brezi i ri. “Në atë kohë mbaj mend që Gjergji sapo kishte filluar të dallohej krahas Besnik Bishës, Fatmir Koçit e Artan Minarollit. U takuam dhe folëm.

Në fillim me vështirësi, por më pas e gjetëm gjuhën e përbashkët për filmin. Për fat të mirë, ai vazhdoi në kinematografinë e tij të ishte besnik i një fryme realiste e neorealiste, si në filmin ‘I dashur Armik’”, vëren Aliçka. Mandej shton se takimi me të erdhi pasi i ishte miratuar projekti mbi bazën e skenarit. “Ata donin një regjisor të ri që ta lançonin dhe nuk u zhgënjyen as ata, as unë me Gjergjin. Duke parë tërë veprën e tij, e dallon lehtë fizionominë dhe profilin e tij artistik”, thotë Aliçka. Vitet kaluan dhe krijimtaria e Xhuvanit po ashtu. “Në Euroimazh ku unë kam qenë përfaqësues i Shqipërinë projekti i tij i fundit ‘Liqeni im’ pati mbështetje të madhe. Ndodh rrallë që të ketë aq shumë mbështetje në projektet europiane. Skenari i filmit të tij, ‘Liqeni im’, ishte nga të paktët skenarë që mori shumicën e votave. Thënë kjo, jam i bindur, qoftë për Shqipërinë qoftë për Euroimazhin, vepra e tij do mbetet një vlerë e shtuar në kinematografinë europiane”, thotë Aliçka.

Për të, Gjergji ishte regjisori profesionist me plot kuptimin e fjalës. “Si natyrë të kujtonte babain e tij, Dhimitër Xhuvanin. Ishte njeri i ngrohtë dhe i butë dhe sado që në bashkëpunime kemi pasur këndvështrime të ndryshme, falë zemërgjerësisë së Xhuvanit dhe tolerancës te të dyja palët e ruajtëm miqësinë. Më vjen keq që nuk arrita dot të bëj një bashkëpunim tjetër me Xhuvanin”, vëren shkrimtari Ylljet Aliçka.

Për të, Xhuvani duke qenë njohës i mirë i letërsisë se shkruante vetë dhe kjo jo thjeshtë se “djali i artit”, djali i një shkrimtari, por edhe falë intuitës letrare dhe ndjeshmërisë letrare, Aliçka thotë se mendon që ishte nga të rrallët që hynte në thelbin e tematikës sociale e shpirtërore të vendit të tij.

Zëri i Amerikës: Dorëhiqet Valdrin Pjetri, fitues i mandatit për bashkinë e Shkodrës

Valdrin Pjetri, i cili në zgjedhjet vendore të 30 qershorit fitoi mandatin e kryetarit të Bashkise Shkodër, njoftoi paditen e të enjtes, dorëheqjen përmes një statusi në faqen e tij në facebook,

Valdrin Pjetri u akuzua tri ditë më pare nga Partia Demokratike se, në vitin 2003 ishte dënuar nga gjykata italiane për trafik të lëndëve narkotike dhe se ishte dëbuar nga vendi fqinj. Partia Demokratike paraqiti si provë dokumentet origjinale që dëshmonin dënimin e Pjetrit nga gjykata italiane.

Në njoftimin e tij në facebook, Valdrin Pjetri shprehet se “Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.”

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”.

Po sot, Partia Demokratike, duke paraqitur para mediave një hotel luksoz në Tiranë, ku Valdrin Pjetri është bashkëpronar, kërkoi konfiskimin e pasurisë së tij, me dyshimin se rrjedh nga aktiviteti i tij me trafikun e drogës.

“Corriere della Serra” shkruan për fuqizimin e trafikantëve shqiptarë, lidhjet direkte me ‘narcot’ e Amerikës së Jugut. Çfarë thotë për qeverinë shqiptare

“Brexit apo jo, ne pritje te zgjedhjes përfundimtare të Britanisë së Madhe, që gjithashtu do të revolucionarizojë modalitetet e hyrjes së të huajve ne kete vend, trafikantët e drogës kane bere levizje perpara.

 

Ne menyre te vecante ata shqiptarë, aftësia drejtuese e krimit prej tyre, e ardhur në rritje, është e qartë, jo më nga fjalët e analistëve, por nga arrestimet e policisë”.

Kështu e nis shkrimin e saj gazeta italiane Corriere della Serra në versionin online, me titull “Narkotrafikantët mes Brexit e Milanos. Vjedhje identiteti për drogën”.

Shkrimi vijon duke përmendur arrestimin ditët e fundit, në aeroportin Nënë Tereza, ku “policia aeroportuale ndaloi nëntëmbëdhjetë shqiptarë dhe turq, që kishin prerë bileta për në Malpensa / Orio në Serio, dhe nga atje për t’u nisur përsëri me destinacionin Londër, aty ku tregu i kokainës, heroinës dhe marihuanës po pasuron një gjeneratë shqiptarësh.

Ndarja e udhëtimit me dy pjesë, i përgjigjet qëllimit të tyre për të përfituar pikërisht në këtë periudhë, nga mbipopullimi me udhëtarë në aeroportin e Malpensas dhe Orio al Serio për shkak të mbylljes së aeroportit të Linate, në Milano,

Sipas hetuesve italianë, planet e këtyre nëntëmbëdhjetë personave të kapur në Rinas, shumica shqiptarë, janë që në bashkëpunim me turqit, të shkojnë në mbështetje me grupet trafikante në periferi të Londrës.

Sipas Corriere della Serra, të dhënat në kartat e identitetit që paraqitën ky grup shqiptarësh dhe turqish, nuk ishin false, por nuk u përkisnin atyre.

Dokumentet që ata përdornin për të kaluar kufirin, rezultonin të vjedhura në zyrat e udhëtimeve, ose të blera në këmbim të parave, ose nga çantat e rrëmbyera.

“Aksioni shënon një pikë të fortë në favor të sistemit të sigurisë së qeverisë aktuale shqiptare, e shigjetuar shpesh nga kriza e fundit e politikës së brendshme dhe akuzat që nuk lufton trafikun e drogës, aq sa vëzhguesit e huaj e kanë përcaktuar Shqipërinë si një “narkoshtet”. Sigurisht që askush nuk e përjashton që, para se të ndalohej ky fenomen, të tjerë trafikantë të drogës kanë arritur për në Britaninë e Madhe. Por të paktën, të tjerë nuk do të përpiqen. Jo të paktën përmes kësaj rruge”, vijon shkrimi.

“Në Londër, krimi shqiptar(i cili në përgjithësi ka një strukturë nga lart-poshtë, bazuar në grupe të shumta që shpesh kanë lidhje gjaku), ka dy karakterizime të dallueshme.

Bandat e të rinjve kanë zgjedhur zonat e Parsons Green, Barking dhe Dagenham dhe Kilburn si baza. “Hellbanianz” (me shkurtimin Hb), është një nga bandat më të habitshme, duke marrë parasysh shfaqjen e aktivitetit të saj përmes rrjeteve sociale që sigurojnë mijëra ndjekës.

Këta djem të mbushur me adrenalinë, të cilët në çdo rast trafikojnë sasi të vogla, janë parë me sy të keq nga “të mëdhenjtë”, të cilët mbajnë një profil të ulët dhe nuk shfaqen publikisht e në rrjetet sociale si këta të fundit, dhe që kanë lidhje të forta me bandat kalabriane.

Që nga vitet nëntëdhjetë, kur shqiptarët pushtuan rrugët e Milanos duke i mbushur ato me prostituta, deri sot, kur pushteti i tyre kriminal ka arritur në këtë pikë, ekziston një ndryshim i madh.

Aty ku shumë klane mbështeten tek ndërmjetësit, për të pasur më pak ngarkesa por me një rritje kostosh dhe rënie të pashmangshme të pastërtisë së drogës, një efekt anësor i copëzimit të zinxhirit të furnizimit, shqiptarët kanë filluar të merren direkt me trafikantët e Amerikës së Jugut. Kjo ju lejon të shkurtojnë shpenzimet dhe të kenë një verifikim të drejtpërdrejtë për cilësinë e mallit, të menjëhershëm./Përktheu: PANORAMA