VOAL

VOAL

E prezantoi me Jared Kushner, Lordi Rothschild kritikon Ramën: Po vepron në kundërshtim me detyrimet ndaj UNESCO-s dhe BE-së

Lordi Nat Rothschild, personi që prezantoi Edi Ramën me Jared Kushner në jahtin e tij, ka shprehur mospajtimin me mënyrën se si qeveria shqiptare ka vepruar ndaj Parkut Kombëtar të Butrintit, si edhe me legjislacionin për investimet strategjike.

Ai argumenton se këto veprime janë në kundërshtim me Konventën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me angazhimet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si edhe me frymën e mbrojtjeve mjedisore të ndërtuara gjatë tre dekadave të fundit.

“Edi Rama është një politikan unik, dikush që unë e admiroj, dhe ka bërë kaq shumë gjëra të mira për Shqipërinë. Por reduktimi me 800 akra i Parkut Kombëtar të Butrintit në vitin 2022 dhe legjislacioni i vitit 2024 për investimet strategjike, ashtu siç zbatohet për parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura, është në kundërshtim me detyrimet e Shqipërisë sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, angazhimet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe frymën e mbrojtjeve mjedisore që janë ndërtuar me kaq kujdes gjatë tre dekadave të fundit”, thekson Lordi Rothschild. gsh

Kallëzimi për librin e Ramës “The Albanian File”, Braho: Jemi në fazë verifikimi. Dy materiale kanë mbërritur në Prokurori

Kreu i SPAK Klodian Braho në komunikimin e zhvilluar ditën e sotme me gazetarët është ndalur në një sërë çështjes, ndërsa ka bërë edhe bilancin e punës së SPAK nga 1 janari deri më 15 korrik 2026.

Gjatë fjalës së tij, Braho u pyet edhe për “Albanian File”, për të cilën nuk dha shumë detaje, por theksoi se janë dy materiale që kanë mbërritur në Prokurori dhe se janë në fazë verifikimi.

“Ka dy materiale që kanë mbërritur ne prokurori jemi në fazë verifikimi nuk mund te jap më tepër detaje”, tha ai.bw

“Në Beograd flitet ende për spastrim etnik në Kosovë” Konsullata serbe në Shkodër, Ditmir Bushati me reagim të fortë: Vendoset padrejtësisht shenjë barazimi me shqiptarët në Luginën e Preshevës

Ministri i Jashtëm serb, Marko Djuriç, njoftoi të mërkurën se Serbia dhe Shqipëria arritën një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Mbi lajmin ka reaguar ish- ministri Ditmir Bushati, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se një vendim i tillë është i gabuar në planin strategjik, ndërsa ka shtuar se pesha e pakicës serbe në zonë është shumë e paktë.

“Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë.

Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”, shkruan ai. bw

Konsullatë serbe në Shkodër? Reagon deputetja Koçeku: Nuk i shërben interesave shqiptare! S’bazohet aspak në nevoja reale të komunitetit

Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar pas raportimeve se Shqipëria dhe Serbia do të hapin zyra konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale. Koçeku shkruan se shpreson që lajmi të mos jetë i vërtetë, ndërsa vuri në dukje se në njoftimin zyrtar të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd përmendet vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc dhe jo një konsullatë serbe në Shkodër.

Koçeku kërkoi që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të sqarojë publikisht nëse ka një marrëveshje të tillë, duke argumentuar se hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk duket të mbështetet në nevoja konsullore të lidhura me praninë e një komuniteti të konsiderueshëm serb në zonë.

Reagimi i plotë

Mediat serbe këto ditë kanë fillu me përhapë nji lajm që shpresoj nuk asht i vërtetë. Ministri i Jashtëm i Shqipnisë, z. Ferit Hoxha, dhe homologu i tij serb, z. Marko Gjuriq, paskan hy në bisedime për hapjen e nji konsullate serbe në Shkodër, mbas kërkesës dhe nevojës së kahershme për hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ku gjysma e popullsisë atje asht shqiptare.

Këtë e ka konfirmu vetë ministri serb për mediat, tue deklaru se, në parim, palët kanë ra dakord për këtë projekt diplomatik. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Ambasadës Shqiptare në Beograd përmendet vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka asnji referencë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër.

Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe asht e nevojshme, por hapja e nji konsullate serbe në Shkodër asht e çuditshme.

Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo konsullatë? Këtyne dhe shumë pyetjeve të tjera ministri jonë i jashtëm z. Hoxha duhet me iu dhanë përgjigje sa ma parë, nëse ky lajm asht i vërtetë.

Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe praktikës ndërkombëtare, hapja e konsullatave lidhet zakonisht me ekzistencën e nji komuniteti të konsiderueshëm të shtetasve të shtetit dërgues, me interesa të rëndësishme ekonomike, tregtare apo kulturore, si edhe me nevojën për ofrimin e shërbimeve konsullore, për shkak të fluksit të udhëtimeve apo shkëmbimeve. Në rastin e Shkodrës, të paktën në të dhanat publike, këto elemente nuk rezultojnë me qenë të pranishme në përmasa që me e justifiku hapjen e nji konsullate serbe.

Në censusin e vitit 2023, në tanë qarkun e Shkodrës rezultojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruem si serbë, ndërsa 106 janë të deklaruem si malazezë. Po ashtu, 90 janë të deklaruem boshnjakë, 20 maqedonas dhe 26 bullgarë. Në total, në tanë qarkun e Shkodres janë 296 persona të komuniteteve sllavishtfolëse, ma pak se 0.2% e popullsisë, prej të cilëve vetëm 54 janë serbë.

Kjo don me thanë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk bazohet aspak në nevoja reale të komunitetit. Përkundrazi, e ban krejt të arsyeshëm dyshimin se kena të bajmë me nji lëvizje me interes gjeopolitik nga ana e Serbisë.

Megjithatë, para se me ndërmarrë hapa të tillë, Serbia ka ende çështje të rëndësishme të pazgjidhuna me Kosovën, sidomos në dritën e deklaratës së fundit të ministres serbe Paunoviq kundër Kosovës, e cila ngjalli reagime dhe shqetësim. Do kishte qenë e udhës që edhe autoritetet shqiptare të kishin mbajtë nji qëndrim ma të fortë. Por kjo nuk ka ndodhë dhe më bajnë jashtë mase përshtypje politikat e buta kundrejt Serbisë.

Përvoja historike na ka mësu se çdo zhvillim në marrëdhëniet me Serbinë duhet me u trajtu me kujdes dhe me vlerësim të plotë të pasojave. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërmarrje e tillë diplomatike meriton transparencë, debat publik dhe nji analizë të kujdesshme në funksion të interesit kombëtar.

Hapja e nji konsullate serbe në Shkodër nuk kishte me u shërby aspak interesave të shqiptarëve, por vetëm interesave të Serbisë, tue ia forcu edhe ma tej pozitat në rajon. Kjo nuk asht në përputhje as me interesat tona kombëtare, as me aspiratat euroatlantike të Shqipnisë.

Serbia nuk mund të konsiderohet nji partnere e afërt politike përderisa vazhdon me mbajtë qëndrime dhe me ndjekë politika që shpesh bien ndesh me interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës. Prandaj, Shqipnia duhet me e trajtu me kujdes çdo hap që mundet me ndiku në balancat politike të rajonit, tue u udhëheqë gjithmonë nga interesi kombëtar, mbështetja për Kosovën dhe aspiratat tona identitare për të ardhmen.

Thellohet tragjedia në Shkodër, policia konfirmon: Digjen nga zjarri nëna dhe dy fëmijët e saj të mitur

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e së mërkurës në fshatin Domen të Shkodrës, ku një zjarr që përfshiu një banesë i mori jetën një gruaje të re dhe dy fëmijëve të saj të mitur.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 13:10 është raportuar një zjarr në banesën në pronësi të shtetasit B. Ç. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se si pasojë e flakëve kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç.

Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. bw

Seanca në GJKKO “Kam qenë kundër monopoleve”, Meta: Kërkoj që Rama të thirret si dëshmitar

Seanca gjyqësore ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u shoqërua me akuza të forta të ish-presidentit ndaj SPAK, të cilin e akuzoi për manipulim të provave dhe veprime të qëllimshme kundër tij.

Në seancën gjyqësore në GJKKO, Ilir Meta deklaroi se prokuroria “në mënyrë recidiviste mashtron” lidhur me çështjen dhe përsëriti se mbrojtja ka kërkuar thirrjen e disa dëshmitarëve, mes tyre edhe kryeministrin Edi Rama.

“Jam rrëmbyer më 21 tetor 2024 mbi bazën e një letërporosie të falsifikuar. Kjo çështje është ngritur që në vitin 2018 dhe lidhet me zhvillime që pasuan zgjedhjet në SHBA”, u shpreh Meta.

Ai përmendi edhe ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, duke pretenduar se ai është i përfshirë në hetimet ndaj tij dhe se kjo, sipas Metës, është konfirmuar nga gjykatat amerikane. Sipas tij, para ardhjes në Shqipëri, McGonigal kishte zhvilluar takime në Vjenë, ku.

Meta deklaroi gjithashtu se pas këtyre zhvillimeve në skenë doli Rome Kara, i cili bëri kallëzimin ndaj tij, ndërsa theksoi se ai ka dhënë shpjegime për këtë çështje dhe se u qëndron deklarimeve të tij.

Ish-presidenti kundërshtoi edhe mënyrën se si janë administruar provat që lidhen me telefonat celularë të sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e tij. Ai tha se një prej telefonave është identifikuar prej tij si telefon personal, ndërsa sipas tij, është trajtuar gabimisht si telefon i Fatime Kryemadhit.

“Këto janë veprime të qëllimshme kundër Ilir Metës,” deklaroi ai.

Meta u ndal edhe te çështja që lidhet me Adrian Shatkun, duke mohuar se kishte dijeni për veprimet e tij.

“Nëse do ta dija se çfarë kërkonte të bënte Adrian Shatku, do të reagoja. Do t’i kisha kërkuar ministrit Haxhinasto të ndërmerrte një akt normativ ose do të kisha iniciuar ndryshime ligjore në Kuvend. Nuk kam pasur asnjë interes personal,” tha ai.

Në përfundim, Meta deklaroi se ka qenë gjithmonë kundër monopoleve dhe se çështja po përdoret për të ushqyer, sipas tij, “propagandën dhe gënjeshtrat”, ndërsa shprehu besimin se procesi gjyqësor do të zbardhë të vërtetën.

Në fund të seancës, trupi gjykues vendosi të ndërpresë shqyrtimin e çështjes dhe ta shtyjë atë për 10 shtator, në orën 11:00, kur do të zhvillohet seanca e radhës. bw

“Po flisja me nënën në telefon!”- Nga shkelja gjatë fluturimit mbi centralin bërthamor te 3 “AirTag”-ët e fshehur, si u arrestua biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK, Ermal Beqiri

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e “AKSHI-t”, është ndaluar në Francë pas një incidenti të pazakontë pranë centralit bërthamor të Penly, në Seine-Maritime.

Ndaj Beqirit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas mediave franceze, ndalimi i tij erdhi pasi ai drejtonte një avion të vogël civil që kaloi mbi një zonë të ndaluar ajrore pranë centralit bërthamor të Penly. Avioni po fluturonte në një lartësi rreth 1200 metra, por piloti, vetë Beqiri, uli papritur hundën e mjetit duke zbritur në rreth 1060 metra, duke shkelur kufirin e lejuar për kalimin mbi një objekt strategjik.

Pas sinjalizimit për incidentin, Forcat Ajrore franceze dërguan një mjet për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në Somme. Menjëherë pas uljes, piloti, Ermal Beqiri u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet i gjetën tre pajisje gjurmimi “AirTag” të fshehura në veshjet e tij. Hetuesit po verifikojnë arsyet e mbajtjes së këtyre pajisjeve dhe nëse fluturimi mund të ketë qenë i porositur apo i kryer nën ndikimin e një personi tjetër.

Përballë autoriteteve franceze, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Megjithatë, shpjegimet e tij janë konsideruar të paqarta nga hetuesit.

Itinerari i fluturimit ka ngritur gjithashtu dyshime, pasi avioni ishte nisur nga Alberti, kishte fluturuar drejt Calais dhe më pas drejt Bretanjës, përpara se të kalonte mbi centralin bërthamor të Penly.

Beqiri u gjobit me 7 mijë euro për fluturim të ndaluar mbi një zonë të mbrojtur dhe më pas iu dorëzua Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Ai pritet t’i nënshtrohet procedurave për ekstradim drejt Shqipërisë.

(Video) NGA NJË SHESH NË TJETRIN Nga Elsa Demo

27 July 2026

 

Unë vij nga një vend për të cilin do doja të ishte folur në shesh, sepse edhe ai vend meriton të jetë pjesë e zemërimit dhe të drejtave që kërkoni dhe ju sjellin këtu çdo natë: ai vend është Patos-Marinza me fushat e naftës ku kanë punuar breza gjyshërish, prindërish, vëllezërish e motrash. Pasuritë natyrore janë në kontrast me gjendjen e njerëzve, me papunësinë, pensionimin e parakohshëm, pasojë e administrimit të keq të pronës shtetërore. Më të rinjtë pranojnë kushtet e një mesjete moderne nga kompanitë e huaja dhe drejtësia bën sikur heton evazionin fiskal shumëvjeçar të Bankers Petrolium.

Por, jam sot këtu për një tjetër vend, që m’u bë po aq i dashur sa vendlindja: Teatri.

Nuk do merrem me kujtimet, por me pas-teatrin.

Pas Teatrit njerëzit u ndanë në ata që u zgjuan dhe ata që thanë: teatri? e ç’është kjo gjë? Nuk është halli ynë.

Pas Teatrit, në zonat e mbrojtura si qendra historike në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë morën hov përbindësha betoni për ta nxitur një pakicë të pasurohet më tej dhe turistëve t’u thuhet se bëhet jetë mëse normale në këtë vend, paçka se 80% e popullsisë jeton për mbijetesë, nuk ia del të sigurojë një strehë me kursimet e jetës dhe sa për t’u zbavitur i mjafton një kafe-ujë në ditë.

Pas teatrit u dogjën hektarë pyjesh në Darëzezë dhe Pishë-Poro për t’i bërë gati për resorte për Kushnerët albanezë, ndoshta jo aq luksozë sa projekti i Zvërnecit, por prapë askush e nuk e di çfarë do bëhet me detin, rërën, pishat dhe erën që s’ka kush t’i mbrojë në plazhin tim të fëmijërisë. Kanë shkatërruar pyjet njëlloj si bibliotekat që s’kanë ç’iu duhen më, sepse fëmijët po ikin, do ikin, bashkitë do të shkrihen. Kështu që as varrezave nuk iu dihet. Po për të vdekurit tanë kush do kujdeset?

Pas teatrit, Kinostudioja iu fal mediave që regjimi i ka bërë investitorë strategjik me hektarë tokash në jugun e bukur, mediat që thoni se duhen bojkotuar, por nuk ua zini emrat me gojë atyre klaneve, top kanaleve, neokolonialistëve barezë e të tjerë. Goditini me bojkotin tuaj aty ku i kanë pikat të dobëta: tek plehërat e propagandës që s’ka incenerator t’i djegë; bojkotojuani bigbradherat dhe fermavipët që i duan për vdekjen tuaj mendore, sepse ata besojnë se është injoranca juaj dhe dembelizmi juaj historik që ua xhiron lekun, biznesin, spektaklin, madhështinë, që pastaj të bëjnë biografinë tuaj, të shpifin për ju dhe të thonë se ju nuk meritoni më shumë se një kafe në ditë dhe një ekran telefoni për të vrarë kohën.

Kanë vite që e besojnë këtë dhe ia kanë parë hajrin.

Që ju të mos kërkoni më shumë se një qebaptore në shesh, u krijua Nata e Bardhë (ju kujtohet?), festivali i Dritave, industria e koncerteve që Rama-Veliaj e bënë pjesë të programit politik për kapjen e qytetit dhe mbajtjen e pushtetit. Kanye West ishte thjesht zbavitja e radhës e ofruar më me arrogancë se të tjerat.

Pas teatrit janë artistët që i kishim quajtur ajka e kombit dhe që për një kohë të gjatë do t’i kujtojmë si turpi që duhet t’i mbetet në ballë shoqërisë, sepse besuam se edhe ata ishin shoqëria dhe do ishin në krahun e saj kur politika t’i godiste, korruptonte, zhvishte nga profesioni dhe bënte të papërfillshëm sa për një pjatë supë a një kredi të butë.

Pas teatrit Akademia e Shkencave iu dorëzua ministrit të Ramiz Alisë, Skënder Gjinushit. Në këmbim ai i shiti partinë Tom Doshit që ky të hynte në Parlament dhe historia dihet: e kundërta e elitës ka zënë vend në shkencë, Kuvend, biznes; zaptim tokash me të fortë ka ndodhur; Velipoja ka ndodhur, Baks-Rrjolli ka ndodhur, pasi kishin ndodhur njëherë Kakomeja, Palasa, Porto Palermoja.

Një shoqëri e traumatizuar gjithmonë e zbulon me vonesë lirinë e vërtetë dhe ky shesh po i jep kuptim kësaj lirie që çmimin e ka të lartë dhe joshjen të fortë e të magjishme.

Në mes jush duhet të ketë nga ata që ju flasin për lirinë që një ditë të kërkojnë pushtet mbi ju, por ju tani keni për t’i dalluar, sepse e keni identifikuar më në fund me gjithçka modelin e tridhjetë e pesë viteve. Po e zhvishni gjuhën e demagogut që ka folur pa pushim për lirinë, emancipimin dhe të ardhmen duke i vrarë përditë nga pak të gjitha këto, sepse e ka menduar veten të paprekshëm.

Keni dëgjuar edhe zonjën e tij t’u shpëlajë trutë fëmijëve përmes ekranit kur thotë: Edin, edhe kur të mos jetë më, do ta kujtojnë pensionistët e ardhshëm, turistët që nuk kanë lindur ende, do ta kujtojnë kur të shëtisin lungomares apo nën velierë.

Zero negociim me këtë njeri që nuk njeh respekt për popullin që drejton, zero tolerancë për gjuhën e tij të dhunës dhe moralin e tij që fyen edhe shtazët.

Pas Teatrit vuajtja e shqiptarëve nuk duhet lënë vetëm në dorë të spitaleve, se aty dihet si shkon. Tek ajo që po kërkoni dhe i keni vënë emrin “Shqipëri e re”, duhet hapur vend në radhë të parë në mendimet dhe dëshirat tuaja për bibliotekat, libraritë, skenat, kinematë, galeritë e artit që janë shkatërruar apo që u premtuan dhe nuk u ndërtuan kurrë, sepse udhëhiqemi nga një njeri që merr kënaqësi kur poshtëron tjetrin, nga një njeri që me shpurën e të ngjashmëve si ai, qeveris duke mashtruar, përçmuar kulturën shqiptare, i kapur pas kultit për artistin dhe turistin e huaj. Ringritja e këtyre vendeve që janë edhe shpirtërore mund ta përpunojnë dhimbjen që u është shkaktuar shqiptarëve, si atyre që e kanë ndjerë syhapur këtë dhimbje edhe atyre që nuk e kanë akoma mundësinë të zgjohen. Revolta juaj do t’i zgjojë ata një ditë, zemërimi juaj i drejtë po se po, aq edhe dashuria juaj.

 

Fjalë e mbajtur në protestën në bulevard, natën kur u përkujtua okupimi kulturor i Teatrit Kombëtar

 

© 2026 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

 

 

 

SPAK “shkund” Bashkinë e Tiranës, kontrolle dhe sekuestrime

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar kontrolle në ambientet e Bashkisë së Tiranës, në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Veliaj 2”.

Gazetarja Klodiana Lala tha për “News24”, se nga ana e SPAK janë kryer kontrolle, por edhe sekuestrime në Bashkinë e Tiranës.

Sipas burimeve, gjatë operacionit janë marrë dhe sekuestruar udhëtime zyrtare të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe dokumentacion që lidhet me dietat.

Mësohet se hetuesit e SPAK kanë kërkuar dokumentet përkatëse si pjesë e veprimeve hetimore, ndërsa materialet e sekuestruara do të analizohen në vijim.

Kontrollet janë kryer në kuadër të hetimit që lidhet me çështjen “Veliaj 2”. gsh

“Rama kriminalizoi ekonominë dhe politikën” Ish-ministri Malaj: Për të mbijetuar po nxit urrejtjen, qëndrimi i një politikani në panik

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka reaguar sërish nërpërmjet një postimi në Facebook për zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur te protesta si edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama.

Ai thotë se kryeministri Rama po përdor një gjuhë që nxit konfliktin, dhe se po provokon me referenca të pavërteta.

Reagimi në Facebook;

Mirëdita, Rama, për të mbijetuar, po nxit urrejtjen politike midis shqiptarëve.

Churchilli keshillonte se nuk fokusohem tek e kaluara sepse nuk dua te humbas tê ardhmen.

Rama provokon me referenca te pa verteta te 1943 ose 63 vite me para.

Asnjë politikanë dhe aq me pak nje kryetar partie, kryeministër dhe kryetarë parlamentit nuk duhet në asnje rast dhe per asnjë sekonde tê ushqej urrejtje brenda popullit te tij.

Mjaftojnë dy rastet e fundit.

  1. Rasti me deputetin Agron Shehaj, i cili përfaqëson një parti që është kushtetuese. Rama e krahason marrjen e shpejtuar të një dokumenti pas një shkrese zyrtare me, sipas Ramës: “ballistët që futeshin në kotecin e pulave dhe vidhnin pulat”./Lexoni artikullin.

Ky është një qëndrim i një politikani në panik. Rama beson se shqiptarët janë të gjithë të majtë, ndaj i kthehet retorikës së luftës.

Kjo nxit rritjen e agresivitetit politik në vend, të cilin e provokojnë vetëm politikanët e dështuar dhe që për pushtet deri kriminal i hedh benzinë ndarjeve që historia i ka zbutur.

Rasti i dytë dhe më i madh është etiketimi “agjent rus, iranian etj.”, “pula” dhe “sorra” dhe çdo banalitet ekstrem kundër protestuesve paqësorë dhe atdhetarë.

Duhet masivizim për ta ndalur këtë gjuhë flakëhedhëse të urrejtjes midis shqiptarëve.

Fati politik i Ramës është përcaktuar nga vetë Rama si kriminalizues i ekonomisë dhe politikës shqiptare.

Ditë të mbarë!

bw

Shkolla nuk “vlen”- INSTAT: Mbi 17 mijë persona me arsim të lartë nuk gjejnë punë, shumica të rinj

TIRANË- Edhe pse tregu i punës në Shqipëri vijoi të përmirësohej gjatë vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme e personave me arsim universitar mbeten jashtë tregut edhe pse janë në kërkim të punës. Të dhënat e publikuara në raportin “Tregu i Punës 2025” të INSTAT tregojnë se 17,800 persona me arsim të lartë rezultonin të papunë, ndërsa pesha më e madhe e tyre i përket grup-moshave të reja, duke treguar vështirësitë që hasin të diplomuarit në gjetjen e një vendi pune pas përfundimit të studimeve.

Sipas statistikave, nga 17,800 të papunët me arsim të lartë në kërkim të punës, 5,370 janë të moshës 15-24 vjeç, ndërsa 4,323 i përkasin grup-moshës 25-29 vjeç. Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç. Kjo tregon se sfida më e madhe është hyrjen e të rinjve të diplomuar në tregun e punës.

Grupi më i madh pas të rinjve është ai i moshës 25-54 vjeç, me 11.284 persona, ndërsa numri i të papunëve me arsim universitar mbi 55 vjeç mbetet shumë më i ulët.

Në total, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107.548 persona të papunë, nga të cilët 45,764 kishin arsim të mesëm, 43,984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo do të thotë se personat me diplomë universitare përbëjnë rreth 16.5% të të gjithë të papunëve në vend që duan të punojnë por nuk gjejnë punë.

Fakti që mbi gjysma e tyre janë të rinj nën 30 vjeç tregon se kalimi nga arsimi i lartë drejt punësimit vazhdon të jetë një nga hallkat më problematike të tregut të punës në Shqipëri, pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm të treguesve të punësimit.

Arsyet kryesore lidhen me mospërputhjen mes diplomave dhe kërkesës reale të tregut. Ekonomia shqiptare vijon të gjenerojë më shumë vende pune në sektorë si shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia, ndërsa shumë të diplomuar dalin nga universitetet me profile që nuk përkojnë gjithmonë me nevojat e bizneseve.

Një tjetër faktor është mungesa e përvojës, pasi të rinjtë me arsim të lartë shpesh hyjnë në treg me diplomë, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkohen nga punëdhënësit.

Po ashtu, një pjesë e të diplomuarve përballen me pritshmëri më të larta për pagën dhe pozicionin, duke mos pranuar punë që nuk lidhen me profesionin apo që ofrojnë paga të ulëta dhe kjo e zgjat periudhën e papunësisë pas diplomimit.

Kryesore mbetet mungesa e lidhjes se arsimit me nevojat e tregut. Praktikat profesionale, orientimi i karrierës dhe bashkëpunimi me kompanitë nuk janë ende të mjaftueshme për ta bërë kalimin nga shkolla në punë më të shpejtë./Monitor.al

Aktivisti Edison Lika: Polici tentoi të godasë me thikë Gent Prognin! U bë kallëzim dhe ankesë ne AMP! Bizneset ‘zhdukën’ kamerat! Nuk ju kemi frikë, por dhe nuk ju falim!

Aktivisti Edison Lika ka reaguar pas incidentit të denoncuar gjatë protestës, ku një efektiv i policisë, civil, ka nxjerrë thikën ndaj aktivistit Gent Progni.

Ai tha se për ngjarjen është bërë kallëzim penal dhe ankesë në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa shtoi se personi i dyshuar nuk e ka përdorur thikën vetëm si mjet kërcënimi, por ka tentuar të godasë Prognin.

“Një polic privat, pak para se të fillonte protesta, i ka nxjerrë thikën njërit prej protestuesve. Nuk nxori thjesht thikën për ta kërcënuar, por tentoi t’i binte Gent Prognit me thikë”, tha aktivisti.

Lika bëri të ditur se pas incidentit kanë kërkuar kamerat te biznese pranë vendit të ngjarjes, por ato janë përgjigjur duke thënë “nuk kemi kamera”.

“Më pas, siç do të duhej të ndodhte kudo në botë, shkuam të kërkonim kamerat pranë ambientit ku kjo kishte ndodhur. Tre argjendari, që duhet të jenë bizneset më të mbrojtura në vend, na thanë që nuk kemi kamera. Kjo nuk është heshtje, është bashkëpunim me policinë e krimit.”, u shpreh ai.

Aktivisti Edison Lika: Ne kemi qenë të vetëdijshëm se sa më shumë ata ta kuptojnë që po u vjen fundi, aq më agresivë do të bëhen. A i keni parë protestat e fundit te Parlamenti? Policia ka një lloj agresiviteti të shtuar dhe duket sikur nuk e di më se çfarë po bën. Dhjetëra qytetarë, aktivistë, janë marrë peng nga kjo polici vetëm se po qëndronin në trotuare dhe po filmonin. Të enjten e kaluar, u mora unë vetëm se isha në trotuar dhe po jepja një intervistë, dhe sot u mor Genc Shehu vetëm se po filmonte. Ama ne me këtë nivel ishim mësuar dhe e kemi përballuar me dinjitet dhe me kryelartësi.

Por sot ka ndodhur diçka që nuk e kthen më situatën siç ishte më parë. Një polic privat, pak para se të fillonte protesta, i ka nxjerrë thikën njërit prej protestuesve. Polici i krimit, polici i krimit. E në fakt, ai nuk nxori thjesht thikën për ta kërcënuar, por tentoi t’i binte Gent Prognit me thikë.

Ajo thikë sot nuk i është drejtuar vetëm Gent Prognit, por na është drejtuar të gjithëve ne. Nga ky shesh dua t’ju them që as ju kemi frikë, por as nuk ju falim. Sigurisht, kundër atij polici është bërë kallëzim penal dhe ankesë në AMP. Më pas, siç do të duhej të ndodhte kudo në botë, shkuam të kërkonim kamerat pranë ambientit ku kjo kishte ndodhur. Tre argjendari, që duhet të jenë bizneset më të mbrojtura në vend, na thanë që nuk kemi kamera. Kjo nuk është heshtje, është bashkëpunim me policinë e krimit.

Ndaj, nga ky shesh u bëjmë sot thirrje organeve hetimore të arrestojnë një minutë e më parë policin bandit që nxori thikën ndaj një protestuesi sot.

Një shprehje ka qenë edhe pjesë e kësaj proteste: “Kur polici na drejton thikën, kush duhet të na mbrojë?” Kjo është vijë e kuqe, kjo nuk duhet të ndodhë. Kjo është e pafalshme. Polici i krimit! Ne do t’i qëndrojmë në krah mikut tonë dhe protestuesit që prej ditës së parë, sepse në këtë shesh ne kemi vetëm njëri-tjetrin. Dhe duhet ta dinë: atyre po u vjen fundi. Ju erdhi fundi. gsh

“Prostuesit ishin me fëmijë, i kapën në mënyrë brutale”- BIRN: Aktivistët paqësorë shoqërohen dhunshëm nga policia!

Aktivistët dhe qytetarët që iu bashkuan protestës së thirrur para Parlamentit të hënën u përballën me kordonët e policisë, të vendosur deri në qindra metra larg godinës ku deputetët ishin mbledhur në seancë plenare.

PROTESTA

Rreth orës 08:30, protestuesit u mblodhën me thirrjet “nuk na përfaqësoni”, “deputetë të krimit”, por qindra punonjës policie, përfshi dhe ata të Ndërhyrjes së Shpejtë kishin krijuar disa radhë në secilën prej rrugëve që të çojnë drejt godinës së Parlamentit, duke e bllokuar aksesin në të. Po ashtu, dhjetëra atoblinda, automjete që përdoren për shpërndarjen e protestuesve me ujë dhe mjete të tjera të Policisë së Shtetit gjendeshin brenda territorit të rrethuar.

Bllokimi i rrugëve solli pengesa për qindra qytetarë, të cilët kishin nevojë të arrinin në punë apo në destinacionet e tyre, të cilëve punonjësit e policisë u sugjeruan të përshkruanin rrugë disa herë më të gjata.

Radhët e gjatë e të gjeshura të punonjësve të policisë, tregonin se numri i tyre ishte disa herë më i madh se ai i protestuesve. Këta të fundit u ndanë në dy grupe, ku disa qëndruan pranë Xhamisë së Namazgjasë dhe të tjerë pranë Ministrisë së Brendshme. Kur protestuesit marshuan nga Ministria e Brendshme, për t’iu bashkuar të tjerëve tek Rruga e Elbasanit, ata u shoqëruan gjatë gjithë rrugës përgjatë bulveardit “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardit “Zhan d’Ark”, nga punonjës policie të shumtë.

Kur mbërritën pranë Rrugës së Elbasanit rrreth orës 10:00, postblloku i policisë u shty në anën tjetër të urës, duke e zgjeruar rrezen e rrethimit, ndërkohë që brenda këtij territori mbetën disa protestues që ishin aty më parë.

Protestuesit u afruan, ndërkohë që policia shoqëroi disa protestues, mes tyre dhe aktivistin Arben Kola, i cili u ngrit pupthi në ajër nga katër punonjës policie, të cilët e kishin kapur prej duarsh dhe këmbësh.  Shoqërimet u kryen forcërisht, ku disa u shtrinë me forcë në tokë ose u tërhoqën për t’u vendosur prangat, për t’u shoqëruar më pas drejt komisariatit nr. 1.

Kur një gur u hodh në drejtim të punonjësve të policisë, ata u kundërpërgjigjën me spraj me piper, duke dëmtuar disa protestues dhe fotoreporterin Malton Dibra, i cili ishte duke ushtruar detyrën e tij. Një i ri u shoqërua për në spital me autoambulancë, si pasojë e dëmtimeve të shkatuara nga spraj me piper.

Protestuesit hodhën vezë ndaj efektivëve të policisë, por disa prej aktivistëve bënë thirrje për qetësi. Protestuesit u rikthyen pranë Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që një pjesë vijonin protestën e tyre pranë qendrës tregtare Toptani. Rreth ores 11:30 u mblodhën në Sheshin Skënderbej, e prej andej marshuan drejt Komisiariatit nr.1 duke kërkuar lirimin e pesë të shoqëruarve.

Pasi u lirua nga komisariati, aktivisti Kola tha se nuk kishte bërë asgjë, përveç thirrjeve si zakonisht në çdo protestë. Ndërkohë, katër aktivistë të Lëvizjes Bashkë si dhe tre të rinj u shoqëruan nga policia rreth orës 15:30 të së hënës, teksa ishin duke qëndruar në trotuar, në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Përmes një postimi në llogarinë e kësaj lëvizjeje në Facebook, bëhet me dije se katër të shoqëruarit “nuk po bënin asgjë, përveçse po rrinin në trotuar”.

Një prej aktivistëve në këtë protestë, Edison Lika pohoi për BIRN se për shkak të dhunës dhe arrestimeve të shumta të mëparshme të policisë, gjatë protestës së të hënës kishin marrë më pak vezë, me qëllim shmangien e çdo përplasjeje me punonjësit e Policisë së Shtetit. “Megjithatë, … ata kishin ardhur sot me një urdhër të qartë, përsëri për të ushtruar dhunë. Pati disa arrestime edhe duke mos pasur asnjë lloj përplasjeje me policinë. Njëri prej djemve u arrestua për shkak se po flimonte, tjetri u arrestua sepse kaloi Lanën. Është paradoksale…. Edhe disa të tjerë u dëmtuan me peper spray,” tha Lika duke e konsideruar dhunën të pajustifikuar.

Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj i tha BIRN se kishin bërë thirrje për tubim paqësor, por ishin pritur në terren nga një numër i jashtëzakonshëm punonjësish policie, absolutisht jo në proporcion me numrin e protestuesve, e as me rrezikshmërinë e tyre.

“…Po bëhet disa herë që protestuesit po shoqërohen në mënyrë të dhunshme, të turpshme, pa asnjë protokoll, pa u bërë nga protestuesit asnjë akt i dhunshëm apo jashtë ligjit, por vetëm sepse janë në të drejtën e tyre paqësore për të protestuar,” tha Vatnikaj.

Forcat e shumta të policisë, dhuna ndaj protestuesve dhe shoqërimi i tyre, ka lënë të njëjtën përshtypje dhe për aktivisten Fatma Paja.

“…Kishte më shumë policë se protestues, pavarësisht se protestuesit ishin me fëmijë, aspak të dhunshëm. I kapën në mënyrë shumë brutale, shumë të dhunshme. … Duhet ngritur zëri edhe ndaj kësaj dhune që iu drejtohet qytetarëve dhe protestuesve paqësorë,” tha Paja./BIRN

fatma paja
Aktivistja Fatma Paja gjatë protestës. Foto: Edmond Hoxhaj.
sidorela
Sidorela Vatnikaj duke protestuar përballë komisiariatit nr.1 në Tiranë. Foto: Edmond Hoxhaj

Ish-ministri socialist – Arben Malaj: Tetë arsyet kryesore pse Rama dhe qeveritarët e babëzitur nuk e meritojnë besën e shqiptarëve

 

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, ka publikuar një reagim të ashpër në rrjetet sociale, ku akuzon kryeministrin Edi Rama se ka tradhtuar besimin e shqiptarëve gjatë viteve në pushtet.

Në një postim të titulluar “Nuk ka ‘BESË’ me të ‘PABESËT'”, Malaj rendit tetë arsye pse, sipas tij, Rama dhe qeveria e tij nuk e meritojnë më besimin e qytetarëve, duke e akuzuar për premtime të pambajtura, kapje të shtetit, favorizim të oligarkëve, dështim në luftën kundër korrupsionit dhe nxitje të emigracionit të të rinjve.

Sipas ish-ministrit, “nuk ka besë për të pabesët”, ndërsa argumenton se qeverisja 14-vjeçare e Ramës ka prodhuar një Shqipëri më të varfër dhe më të zbrazur nga qytetarët.

Positimi i Malajt:

Nuk ka “BESË” me të “PABESËT”.

Tetë arsyet kryesore pse Rama dhe qeveritarët e babëzitur nuk e meritojnë besën e shqiptarëve.

Sepse : 1. Ramës shqiptarët ia dhanë besën në vitin 2013 dhe per 14 vite ai e shkeli me këmbë. Gjithçka qe premtonte ne fushata elektorale rezultuan mashtrime.

2. Rama pêr pushtet absolute deri kriminal promovoj kriminalelê ne ekonomi dhe politikë.

3. Rama ka vërtetuar se është i paaftë të luftojë krimin dhe korrupsionin. Duke shkelur besën ndaj të gjithë shqiptarëve, Rama lejoi kapjen e shtetit.

4. Rama për 14 vite vërtetoi se e shkeli besën, i shkeli shqiptarët në shërbim të oligarkëve qeveritarë, që vetë i krijoi, vetë i keqpërdori dhe me paratë e tyre shtyp konkurrencën e lirë në ekonomi dhe politikë

5. Rama e keqpërdori besën e shqiptarëve për pushtet personal, për të mbijetuar sa më gjatë në politikë, jo si një lider demokrat, por si një. “mbret kryeministror”.

6.Rama do pushtet për të mos bërë shtet funksional. Do pushtet. absolut për skllevërit dhe manekinët personalë, pa kulturë shtetformuese, pa integritet profesional dhe politik, të cilët e shesin atë duke ofruar mundësi të pabarabarta dhe duke dëbuar shqiptarët nga Shqipëria.

7.Ramës nuk mund t’i japësh besën që të vazhdojë modelin. ekonomik te investitorëve strategjike personalisht Preferencial, modelin ekonomik oligarkik. Ku Shqipëria bëhet përditë e më e shtrenjtë dhe shqiptarët gjithnjë e më të varfër.

8. Ramës nuk mund t’i japësh besë për ta zbrazur gjithnjë e më. shumë Shqipërinë, ku 67% e të rinjve para dy muajve deklarojnë se duan të largohen si të pashpresë nga vendi i tyre. Po, nuk ka besë për të pabesët!

“Je turpi i Policisë së Shtetit”- Shefi i komisariatit 1 përballet me protestuesit: Palaço burrë, ti e do vezën prapë

Shefi i Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, Ervin Hasrama është shfaqur sërish në protestën e radhës para Kuvendit, pas incidentit të ndodhur pak ditë më parë, ku u godit me vezë.

Sot ai është përballur me protestuesit, ndërsa ata kanë hedhur thirrje kundër ti, duke i thënë se “është turpi i policisë së shtetit”.

“Turp të të vijë, ti ke arrestuar, ti je turpi i policisë së shtetit. Ti e do vezën prapë. Palaço burrë, nuk të mbrojnë dot nga populli këta”, dëgjohen ti thonë protestuesit.

Ndërkohë në momentin që qytetarët hedhin thirrje kundër ti, Hasrama nxjerr nga xhepi një spraj. Panorama

“E dinim se ishin përgatitur për arrestime”, Edison Lika: Shoqërimet e protestuesve u bënë me përzgjedhje

TIRANË- Aktivisti Edison Lika u shpreh se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Duke folur për News 24 para komisariatit 1, Lika theksoi se ishin në dijeni se efektivët ishin të përgatitur për arrestime. Në fund të fjalës së tij, Lika theksoi se kryeministri duhet t’i përgjigjet protestuesve, duke nisur me dorëheqjen

“Ne sot kemi qenë më të qetë dhe jo shumë të armatosur me vezë. E dinim se ishin të përgatitur për të na arrestuar. U përgjodhën dhe janë marrë. Një prej djemve është marrë vetëm sepse po filmonte, bëni sepse thjesht ka kaluar Lanën. Kryeministri duhet ta dintë që para 13 vitesh se kur je kryeministër nuk përfaqëson vetëm 800 mijë për të gjithë vendin. Por sot e di që nuk i ka më ato 800 mijë. Dhe kryeministri duhet t’i përgjigjet protestuesve, dhe duke nisur me dorëheqjen”, tha ai./Dosja.al

Policia i hodhi spraj, i riu transportohet me ambulancë drejt spitalit

TIRANË- Policia ka sulmuar qytetarët me spraj edhe në tubimin e sotëm. Mësohet se pasi policia ka hedhur spraj, një i ri ka shfaqur shqetësime në tubimin para Kuvendit.

Pas tensioneve policia ka hedhur spraj, duke bërë që i riu të shfaqë probleme shëndetësore, ku më pas është shoqëruar me autoambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore./Dosja.al

Protestuesit ‘rrethojnë’ nga çdo cep Kuvendin- Tentojnë të çajnë kordonin e efektivëve, shoqërohet Arben Kola dhe një tjetër protestues

Policia ka shoqëruar Arben Kolën pasi ka tentuar të çajë kordonin e efektivëve.

Protesta vijon para Kuvendit, e cila nisi që prej orës 08:30 të ditës së sotme. Gjithashtu nga policia është shoqëruar edhe një person tjetër. bw

“Pula në burg! Është fabrikë e ‘armëve’” 58 ditë revoltë për dorëheqjen e Ramës, protestuesit ironi me pankarta

Qytetarët janë mbledhur këtë të hënë përpara Kuvendit të Shqipërisë në ditën e 58-të të protestës, duke vijuar kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, vëmendje tërhoqi një pankartë me mbishkrimin “Pula në burg, është fabrikë e armëve”, një ironi që lidhet me ngjarjet e protestës së të enjtes, kur deputetët dhe ministrat u goditën me vezë gjatë hyrjes në Parlament.

Protestuesit kanë shoqëruar tubimin edhe me thirrje kundër klasës politike, duke brohoritur: “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Parlament i krimit!” , “Parlament analfabet!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”

Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën masa të forta sigurie, me prani të shtuar të forcave të policisë përreth godinës së Kuvendit, ku po mbahet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar. bw

“Arresto Belindën” Protestuesit vijojnë marshimin drejt rrugës së Elbasanit, tensione me policinë: Mos ecni krah nesh!

Pas vendosjes para Ministrisë së Brendshme, protestuesit tashmë kanë nisur marshimin drejt Rrugës së Elbasanit.

Ata kanë hyrë në kundravajtje në rrugë duke krijuar kështu edhe tensione me policinë.

Ndërkohë në një moment ka pasur edhe përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve, pasi qytetarët kanë kërkuar që policët të mos marshojnë krah tyre.

Ndërkohë vijon të artikulohet thirrja: “Rama në burg” dhe “Arrestoni Belindën”. bw

Pensionisti prek me mesazhin e fortë: Në protestë do dal deri da shpirti të më dalë!

Ndërsa kryeministri Edi rama u përgjigjet me arrogancë qytetarëve shqiptarë që protestojnë prej 57-të ditësh në bulevardin para godinës së qeverisë dhe me marshimet e përnatshme në Tiranë, nuk ndalet rezistenca popullore.

Madje në ‘detin’ e thirrjeve, parullave dhe pankartave, spikasin ato më të goditurat.

Një prej tyre është kjo që përmban mesazh të fortë dhe prekës nga një i moshuar që del përnatë në protestën polullore për largimin e qeverisë, kryeministrit Rama dhe ndryshimit të sistemit të vjetër politik.

Me një pankartë që mban në dorë, pensionisti ka shkruar qartë dhe prerë:

“Në protestë do dal deri sa shpirti të më dalë!”.

Në protestë nuk kanë munguar edhe parullat si “I pabesë”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Arrestoni Ramën”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe të tjera.

Panorama

Protestuesit i refuzuan “besën”, Rama humb qetësinë dhe sulmon qytetarët: Sorrat dhe korbat të mos lodhen hiç, të vijnë poshtë dritares deri më 2029

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X pas protestave masive që sot ka hyrë në ditën e saj të 57, ndërsa teksa sulmon protesutesit, pohon se nuk do të japë dorëheqjen. Ai tha se nuk ka bërë kontratë me sorrat dhe korbat, por me flamingot.

Kryeministri theksoi se kërkesa për dorëheqjen e tij nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij, duke argumentuar se mandati i qeverisë së tij buron nga vota e qytetarëve. Rama sqaroi se metafora e “flamingove” në fjalimin e tij u drejtohej atyre që, sipas tij, kanë dhënë mësime nga protesta, ndërsa i cilësoi kritikët e tij si “anën e errët të protestës”.

REAGIMI I RAMES
Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:

Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.

Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!

Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.

Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.

Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.

Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike🇦🇱🤝🇪🇺

bw

Kryeministri iu kërkoi “besën” shqiptarëve: Ish-zv.ministri socialist, Arben Isaraj “shpërthen” ndaj Ramës: E ka thyer besimin e shqiptarëve, si qelqi që nuk ngjitet më!

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, ka publikuar një mesazh kritik ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë theksin te rëndësia e besës, besimit dhe ndershmërisë në qeverisje. Në reagimin e tij, Isaraj shprehet se çdo shoqëri e qytetëruar ndërtohet mbi besimin, të cilin e cilëson si një kapital moral të pazëvendësueshëm.

Sipas ish-zv.ministrit socialist, besimi nuk fitohet me fjalë, por ndërtohet me karakter, ndershmëri dhe përgjegjësi, ndërsa gënjeshtra mund të sjellë përfitime të përkohshme, por dëmton marrëdhëniet njerëzore dhe integritetin moral. Isaraj thekson se në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi, ruajtja e besës dhe e besimit mbetet një detyrë etike thelbësore.

“Vetëm mbi themelin e së vërtetës, ndershmërisë dhe përgjegjësisë mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme, institucione të besueshme dhe një shoqëri e drejtë. Si qelqi i pastër, besimi duhet të ruhet me kujdes, sepse një çarje e vogël mund të mos zhduket kurrë plotësisht”, përfundon reagimi i tij.

“Besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin”.
Çdo shoqëri e qytetëruar ndërtohet mbi një kapital moral të padukshëm, por të pazëvendësueshëm: besimin.
Institucionet, ekonomia, drejtësia, familja dhe marrëdhëniet ndërpersonale funksionojnë vetëm atëherë kur individët besojnë te fjala, ndershmëria dhe integriteti i njëri-tjetrit.
Në kulturën shqiptare ky besim mishërohet në një nocion të veçantë etik – besën, e cila përfaqëson jo vetëm mbajtjen e fjalës së dhënë, por edhe përgjegjësinë morale për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm.
Thënia popullore me natyrë ndërkombëtare: “Besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin” përmbledh një nga të vërtetat më të rëndësishme të etikës njerëzore (Aristoteli, Publilius Syrus, Konfuci, Kanti, Kanuni i Lekë Dukagjinit).
Besimi nuk fitohet me fjalë, por me karakter; nuk ndërtohet brenda një dite, por përmes një historie të gjatë ndershmërie dhe përgjegjësie.
Ndërsa gënjeshtra mund të sjellë një përfitim të përkohshëm, ajo lë plagë të thella në marrëdhëniet njerëzore dhe cenon integritetin moral të individit.
Në një botë ku komunikimi është i menjëhershëm dhe informacioni qarkullon me shpejtësi, ruajtja e besës dhe e besimit mbetet një detyrë etike me rëndësi të veçantë.
Vetëm mbi themelin e së vërtetës, ndershmërisë dhe përgjegjësisë mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme, institucione të besueshme dhe një shoqëri e drejtë.
Si qelqi i pastër, besimi duhet të ruhet me kujdes, sepse një çarje e vogël mund të mos zhduket kurrë plotësisht.”, shkruan Arben Isaraj. bw

“Na larguat fëmijët nga vendi” Ish-kryetari i PS së Korçës, i kthehet ashpër Ramës: Krijove administratën më të korruptuar në 114 vite shtet

Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama flet për “Besë” dhe administratë që do të ndryshojë, ndryshe janë mendimet e atyre që kanë punuar edhe afër tij ndër vite.

Një prej tyre është edhe ish-kryetari i PS në Korçë, Muharrem Meko, i cili me një postim në rrjetin social, thekson se administrata e Ramës është më e keqja në 114 vite shtet, madje duke konkurruar edhe atë të Berishës.

Ai thotë se kjo qeveri ka larguar edhe të rinjtë nga vendi, kurse përgjegjës për “çorbën” është vetëm kryeministri.

“Oooo i Modh! Askujt mos iu anko; ti je përgjegjësi i vetëm për këtë zallamahi e çorbë që ke gatuar nën logon; Administrata Shtetërore …e që mjerë kujt i bie të ketë punë e të zgjidhë hall me të!”, shkruan ai mes të tjerash në postimin e tij në Instagram.

Meko vë në dukje edhe shprehjen e mendimeve dhe objeksioneve të tij për Administratën ndër vite, duke i deklaruar problematikat edhe publikisht:

“Personalisht jam shprehur hapur e prej kohësh se, në historinë 114-vjeçare të shtetit shqiptar, administratë të korruptuar e analfabetë të këtij standardi si kjo e sotmja, as ka patur e as do të ketë! Për hir të së vërtetës s’kishte se si të ishte ndryshe nga një gatesë bajate dhe e pështirë prej brumi të zënë, midis ish-administratës së Berishës, (keqfunksionimi i saj e ndëshkoj Saliun në vitin 2013 me 1 milion vota) dhe peshqesheve sorosjane; llumit G-99 e Mjaftistat që dikur si pelikanët e sotëm ulërinin rrugëve të Tiranës;- Nano ik-PS, ik!”, thotë ai.

Postimi i plotë i Muharrem Mekos:

“Më në fund “i modhi” e paska kuptuar se Administrata na paska qenë shkaktarja e sherrnajës…dhe rebelimit të ‘Pelikanëve’!

Pra s’janë shkaktarët e vërtetë, as korrupsioni marramendës, as ikjet e fëmijve të Shqipërisë, as shitja e trojeve e pronave publike buzë detit nga striptistët , as mungesa e drejtësisë, as mungesa e shëndetësisë…

-Asnjëra, asnjëra prej tyre….përveçse Administrata!

Fatkeqësisht, gjithçka që sot më shumë se kurrë po bëhet së prapthi, apo edhe s’bëhet fare, bëhet keq apo djallëzisht, në dëm të shqiptarëve e deri për interesa të dyshimta në emër të antishqiptarizmit, apo edhe milionave të zeza që djeg e përvëlon zemrat e shqiptarëve, ka pikërisht këtë emër të neveritshëm!

…kur duhet të ishte ndryshe, krejtësisht ndryshe, përderisa përceptimi qytetar për administratën është si ai një fëmijë për prindin; ndërkohë që korrupsioni galopant e kanë ulur tejmase besimin ndaj saj, e meritokracia në kufijte e analfabetizmit ia kanë ulur kokën shqiptarit, të përgjëruar për “prindin” e munguar, si asnjë populli tjetër në Europë!

Personalisht jam shprehur hapur e prej kohësh se, në historinë 114-vjeçare të shtetit shqiptar, administratë të korruptuar e analfabetë të këtij standardi si kjo e sotmja, as ka patur e as do të ketë!

Për hir të së vërtetës s’kishte se si të ishte ndryshe nga një gatesë bajate dhe e pështirë prej brumi të zënë, midis ish-administratës së Berishës, (keqfunksionimi i saj e ndëshkoj Saliun në vitin 2013 me 1 milion vota) dhe peshqesheve sorosjane; llumit G-99 e Mjaftistat që dikur si pelikanët e sotëm ulërinin rrugëve të Tiranës;- Nano ik-PS, ik!

Oooo i Modh !

Askujt mos iu anko; ti je përgjegjësi i vetëm për këtë zallamahi e çorbë që ke gatuar nën logon; Administrata Shtetërore …e që mjerë kujt i bie të ketë punë e të zgjidhë hall me të!

…e për ty personalisht, si koka e saj ??

– S’ mund të them asgjë, përveçse; -të zënçin sytë përpjekjet, mbështetja e qëndresa e atyre mijëra socialistëve të orëve të para, që shkel”.

Zbulohet zgavër 70 m e thellë në Parkun e Llogarasë, ja çfarë u gjet brenda saj

Një ekspeditë speleologjike në shpellën “Sterra e Kujunxhiut”, brenda Parkut Kombëtar të Llogarasë, ka zbuluar një zgavër me thellësi rreth 70 metra, pothuajse tërësisht vertikale. Hyrja e zgavrës ndodhet ne nje lartesi prej 750 metrash mbi nivelin e detit.

Sipas eksploruesve, në fund të shpellës është gjetur një grumbull i madh gurësh, i cili dyshohet se ka bllokuar vazhdimin e galerisë. Gjatë eksplorimit është konstatuar edhe prania e një numri të madh eshtrash kafshësh të egra, mes tyre të derrit të egër, drerit, ujkut, dhelprës dhe specieve të tjera. Sipas grupit të ekspeditës, zbulimi pritet të nxisë eksplorime dhe studime të mëtejshme, me qëllim përcaktimin nëse shpella ka vazhdim, si edhe dokumentimin e vlerave të saj natyrore dhe speleologjike.

Zgavra e rralle ne parkun kmbetar te llogarisë u zbulua nga Shoqata Speleologjike Shqiptare, e cila thekson se çdo eksplorim zbulon nje pjese te panjohur te trashegimise sone natyrore dhe nenvizon rendesine e studimit, dokumentimit dhe mbrojtjes se shpellave shqiptare. bw

“Qytetit i duhet një drejtim i lirë nga interesat partiake”- Arben Malaj shpall kandidaturën për Bashkinë e Vlorës

Ish-ministri socialist Arben Malaj ka konfirmuar se do të kandidojë si kandidat i pavarur për kryetar të Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Përmes një postimi në Facebook, Malaj tha se vendimi vjen pas kërkesave dhe mbështetjes së marrë nga qytetarë, miq dhe dashamirës në Vlorë.
“Po! Unë do të kandidoj në 2027 si i pavarur për kryetar i Bashkisë Vlorë. Kjo është përgjigjja për çdo mbështetës dhe dashamirës, por edhe për çdo qytetar që më pyesin gjithnjë e më shumë”, shkroi ai.

Malaj theksoi se kandidimi i pavarur do t’i garantojë liri në vendimmarrje dhe pavarësi nga strukturat partiake.
Sipas tij, një nga avantazhet kryesore është se nuk do të ketë detyrime ndaj “klaneve politike” apo interesave të ngushta, ndërsa vendimet do të merren vetëm në funksion të interesit të qytetarëve të Vlorës.

Ish-ministri premtoi gjithashtu një administratë të bazuar në meritokraci, fundin e favorizimeve politike dhe transparencë në vendimmarrje, duke shtuar se punonjësit e bashkisë nuk do të jenë objekt i presioneve politike.

Në platformën e tij, Malaj shprehet se synon të krijojë një lëvizje qytetare që do të bashkojë intelektualë, aktivistë, bizneset e vogla dhe shoqërinë civile, duke e cilësuar kandidimin si një alternativë ndaj politikës tradicionale.

“Aseti ynë më i madh është kapitali moral dhe liria. Nëse arrijmë ta kthejmë këtë liri në një lëvizje bashkuese qytetare për Vlorën, mund të thyejmë apatinë elektorale dhe ta bëjmë Vlorën qytetin e barazisë së mundësive për çdo banor të saj”, përfundon Malaj në reagimin e tij.

Reagimi në Facebook;

Mirëdita- Po! Unë do të kandidoj në 2027 si i pavarur për kryetar i Bashkisë Vlorë.
Kjo është përgjigjja për çdo mbështetës dhe dashmirës, por edhe për çdo qytetar që më pyesin gjithnjë e më shumë.
I falënderoj të gjithë,
edhe ata që hezitojnë
apo janë të vendosur të votojnë edhe kundër.
Kjo do të jetë demokracia vlonjate.
Ja disa nga avantazhet e kandidimit si i pavarur për Bashkinë e Vlorës:
1. Liria e Plotë dhe Paanësia
Mungesë Raportimi te “Padronët”:
Nuk kam detyrim t’u shërbej interesave të klaneve politike në Tiranë apo të bëj kompromise me emra të korruptuar brenda listave partiake.
Vendimet do të marrin parasysh vetëm interesin e banorëve të Vlorës.
Vendimmarrje e Pavarur: Nuk jam i detyruar të zbatoj urdhrave jo ligjorë nga kryeministrat dhe oligarket, që dëmtojnë komunitetin lokal për llogari të pushtetit të KM.
2. Moraliteti dhe Besueshmëria e Paprekur

  • foto galeri

 

  • foto galeri

Alternativë e Pastër:
Përballë një sistemi të kalbur nga korrupsioni, statusi i të pavarurit më pozicionon si një kandidat të paprekur nga mëkatet e pushtetit apo dështimet e opozitës zyrtare.
Atraksion për Votuesin e Zhgënjyer: Kapitalizoni mbi abstenimin e madh elektorat — qytetarët që nuk duan më të votojnë “të keqen më të vogël” partiake mund te përzgjedhin një opsion dinjitoz.
3. Fleksibilitet dhe Agjilitet në Fushatë.Mesazh Direkt dhe i Sinqertë:
Fushata ime nuk ka nevojë për fjalor agresive dhe banal ; do të respektoj sinqerisht dhe plotësisht cdo kandidat potencial, dotë flas hapur, me emra konkretë, për problemet reale të qytetit (prona, turizmi, infrastruktura, shërbimet).
Bashkim i Komunitetit: Mund të krijojë një koalicion të gjerë qytetar me intelektualë, aktivistë, biznese të vogla dhe shoqërinë civile, pa barrierat e simboleve partiake.
4. Efekti i Sfiduesit të Drejtpërdrejtë
Thyerje e Monopolit:
Si kandidat i pavarur do të shpërbëj ligjërisht patronazhistët abuzues.
Do të ul agresivitetin e qeveritarëve që e kanë më të lehtë të sulmojë një parti kundërshtare tradicionale sesa një figurë lokale me mbështetje organike qytetare.
Zëri i Protestës Qytetare:
Do të kthehem në simbolin e revoltës paqësore ndaj autokracisë dhe “kapjes së shtetit”.
5. Çlirimi i Administratës dhe Barazia e Mundësive
Meritokraci në Administratë:
Punonjësit e aftë të bashkisë do te çlirohen nga presionet politike dhe kërcënimet me vendin e punës për llogari të patronazhistëve.
Asnje kryetar partia apo kryeministër nuk do të urdhëroj shkarkime dhe doreheqje inatçore të drejtuesve dhe punonjësve të bashkisë Vlorë.
Barazi në Shërbime dhe Biznes:
Fund favorizimeve selektive, tenderave të paracaktuar dhe bllokimeve burokratike për qytetarët e thjeshtë dhe sipërmarrësit e ndershëm.
Llogaridhënie Direkte: Transparencë e plotë ku çdo vendim merret në sy të publikut dhe jo në zyrat e mbyllura të partive apo oligarkëve.
Aseti ynë më i madh është “kapitali moral dhe liria”.
Nëse arrijmë ta kthejmë këtë liri në një lëvizje bashkuese qytetare për Vlorën, mund të thyejmë apatinë/abstenimin elektorat dhe ta bëjmë Vlorën qytetin e barazisë së mundësive për çdo banor të saj. bw

“Ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe…” Marjana Koçeku ironizon Ramën: Nuk ia ka idenë çka asht besa

Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi u bëri thirrje shqiptarëve t’i japin “besën”.

Në reagimin e saj, Koçeku shprehet se besa është një koncept i shenjtë dhe i lidhur ngushtë me traditën, tokën dhe vendlindjen, duke theksuar se nuk mund të përdoret si slogan politik.

“Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa. Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish dhe, si e tillë, asht thellësisht natyrore,” shkruan ajo.

Koçeku thekson se të parët e kanë lidhur besën me tokën, malin, gurin dhe vendin ku jetonin, duke i konsideruar ato dëshmitarë të fjalës së dhënë. bw

“Kulmi i cinizmit”- Zhupa reagon pas deklaratës së Ramës: Detyra e një shteti është të mbrojë më të pambrojturit, jo t’i poshtërojë ata. I ka ardhur fundi

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestën e djeshme ku mori pjesë një nënë me fëmijën e saj me autizëm, duke i cilësuar ato si “kulmi i cinizmit”. Zhupa akuzoi qeverinë se ka braktisur familjet që përballen me autizmin, ndërsa dënoi edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, duke theksuar se problemi nuk është protesta, por një qeverisje që, sipas saj, ka humbur ndjeshmërinë ndaj qytetarëve më në nevojë.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Kulmi i cinizmit!

Kur një nënë del në protestë me fëmijën e saj me autizëm, nuk e bën për politikë. E bën sepse nuk ia del më të jetojë, sepse shteti e ka lënë vetëm, sepse ndihma nuk mjafton dhe dinjiteti i është mohuar.

Nuk e morën në proteste as korbat e as sorrat. Paratë e saj dhe të mijëra familjeve sot në nevojë, i kanë marrë derrat e majmur të pushtetit, ata që prej vitesh qeverisin pa u interesuar për hallet e qytetarëve. Dhe pasi u kanë vjedhur të ardhmen, tani duan t’u mohojnë edhe të drejtën kushtetuese për të protestuar, duke i dhunuar me polici.

Vetë prania e asaj nëne me fëmijën e saj dëshmoi qartë se protestuesit nuk përbënin asnjë rrezik. Asgjë nuk e justifikon sjelljen brutale dhe të paligjshme të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që ushtronin një të drejtë demokratike.

Një kryeministër që duhet të mbante përgjegjësi pse një nënë me një fëmijë me autizëm detyrohet të dalë në rrugë për t’u dëgjuar, zgjedh të sulmojë qytetarët që i dhanë mbështetje dhe ta etiketojë atë si të manipuluar. Kjo nuk është vetëm mungesë përgjegjësie; është humbje e plotë e ndjeshmërisë njerëzore.

Detyra e një shteti është të mbrojë më të pambrojturit, jo t’i poshtërojë ata. Kur një nënë me një fëmijë me autizëm ndihet e detyruar të protestojë për të kërkuar minimumin për një jetë me dinjitet, problemi nuk është protesta. Problemi është qeverisja. Problemi është Edi Rama që nuk do ta kuptojë që i ka ardhur fundi”, shkruan ajo. bw

Protesta para Kuvendit- Lirohen 21 nga 23 të shoqëruarit, dy persona mbeten ende në qeli

TIRANË– Janë liruar 21 nga 23 personat e shoqëruar nga Policia pas protestës së zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit. Sipas informacioneve paraprake, nga 23 protestuesit e shoqëruar vetëm dy persona janë arrestuar, ndërsa 21 të tjerët do të hetohen në gjendje të lirë.

Shoqërimet u kryen gjatë ndërhyrjes së Policisë në protestën e zhvilluar para Kuvendit, ku u regjistruan përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe efektivëve. Ndërkohë, për dy personat e arrestuar vijojnë procedurat ligjore, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave dhe veprimeve të ndërmarra gjatë protestës./Dosja.al

Ditmir Bushati i rrëzon tezën Ramës: S’ka ndikim iranian në Shqipëri. Ky është një vend që jeton i lumtur në orbitën e SHBA-së!

The Atlantic

Revista prestigjioze amerikane The Atlantic i ka bërë jehonë protestave masive për dorëheqjen e Edi Ramës. Media shkruan se demonstratat në shkallë të gjerë filluan në Shqipëri në fund të majit, pasi qarkulloi një video e rojeve private të sigurisë që grushtonin dhe zvarrisnin një protestues përgjatë një plazhi në Zvërnec, enklavën bregdetare ku është planifikuar një pjesë e projektit të familjes Trump. “Kjo ishte pika kthese”, tha Ditmir Bushati, një ish-ministër i jashtëm shqiptar. “Filloi si një mosmarrëveshje për aksesin në det dhe aksesin në natyrë, dhe u transformua brenda disa ditësh në një protestë rreth asaj se kush duhet të vendosë për të ardhmen e vendit”.

Mijëra njerëz u mobilizuan në Tiranë, kryeqytetin, me pankarta që shpallnin se kombi nuk ishte në shitje dhe deklaronin, “Nuk e dua Shqipërinë si Dubai”. Rama gjithashtu u ndal, duke lëshuar një deklaratë ku thuhej: “Nuk ka absolutisht asnjë shans që investimi të ndalet për sa kohë që unë jam këtu”. Ndërsa protestat u rritën, ato u bënë një platformë për spekulime të tërbuara dhe teori konspiracioni. Disa protestues panë paralele me mbështetjen e Kushnerit për një “Riviera të Gazës” të propozuar, nga frika se toka shqiptare do të përdorej për të zhvendosur palestinezët. Më tej, komentuesit online e quajtën zhvillimin “një tjetër ishull Epstein”, një referencë për strehimet e ish-sulmuesit seksual Jeffrey Epstein në Ishujt Virgjër të SHBA-së. Një polemikë e veçantë, mbi planet e mbështetura nga qeveria për një koncert të Kanye West jashtë Tiranës, iu shtua pakënaqësisë. Vëmendja erdhi nga të gjitha anët ideologjike. Senatori Bernie Sanders i mirëpriti protestat si një mospajtim kundër “oligarkisë globale”. Alex Jones, teoricieni i konspiracionit të krahut të djathtë, u entuziazmua për një “luftë civile” të afërt.

Kryeministri argumentoi se protestat ishin rrëmbyer nga aktorë të huaj, duke fajësuar “urrejtësit e Trumpit”, si dhe “armiqtë e Izraelit dhe Shqipërisë”. Shqipëria, ku rreth gjysma e popullsisë është myslimane, ka lidhje të forta me Izraelin të rrënjosura në vullnetin e mirë historik. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e motivuar nga një kod i lashtë nderi i quajtur besa, fjalë për fjalë “për të mbajtur premtimin”, fshehën mijëra refugjatë hebrenj; ishte i vetmi vend evropian me më shumë banorë hebrenj pas Holokaustit sesa më parë.

Në këtë shekull, Shqipëria e bëri veten një shënjestër të regjimit iranian kur pranoi, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara në vitin 2013, të strehonte anëtarë të mërguar të grupit disident Mujahedin-e-Khalq, ose MEK. Në vitin 2022, Shqipëria dëboi diplomatë iranianë pasi arriti në përfundimin se Teherani ishte pas një vale sulmesh kibernetike që synonin institucionet qeveritare dhe infrastrukturën kritike. Në javët e fundit, Rama e ka akuzuar Iranin se po zhvillon një “luftë hibride” duke përhapur dezinformata në lidhje me zhvillimin dhe duke nxitur kundërshtimin ndaj planeve të qeverisë së tij. Irani i ka mohuar akuzat.

Protestuesit duket se janë të vendosur të vërtetojnë se kryengritja është autentike dhe vendase.

Bushati, ish-ministri i jashtëm, i ka cilësuar protestat si “investimi më i mirë në imazhin tonë si popull dhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”. Ai tha se deri në 200,000 njerëz u mobilizuan gjatë fundjavës së 4 korrikut dhe hodhi poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaja. “Irani nuk ka ndikim në Shqipëri”, tha ai. “Ky është një vend që jeton i lumtur në orbitën e SHBA-së”.

Ndikimi iranian vështirë se duket i nevojshëm për të destabilizuar planet e resortit. Toka në të cilën është planifikuar një pjesë e projektit është e kontestuar. Sazani, ishulli, është në pronësi të shtetit, kështu që një kontratë qiraje do të ishte në fund të fundit e nevojshme; konsorciumi i lidhur me Trump aktualisht ka atë që quhet statusi i “investitorit strategjik”, i cili ndihmon në përshpejtimin e lejeve dhe negociatave për një marrëveshje afatgjatë.

Megjithatë, toka bregdetare në Zvërnec është private. Entitetet e lidhura me çiftin Trump e blenë atë nga një biznesmen me bazë në Miami, Artur Shehu, i cili këmbëngul se pretendimi i familjes së tij mbi tokën daton që nga koha osmane. Vendasit në Zvërnec argumentojnë se ata janë pronarët e ligjshëm. Është një pamje e çrregullt sepse toka u rekuizua nga shteti gjatë periudhës komuniste; kur pronat u kthyen në duar private në vitet 1990, pronësia shpesh u kontestua. gsh

“Rama duhet të japë llogari”- Partia Demokratike Europiane dënon sulmin mbi protestuesit, shpërndan pamjet e nënës me djalin me autizëm që u goditën nga gazi lotsjellës

Një reagim i fortë ka ardhur nga Partia Demokratike Europiane, e cila ka ngritur shqetësime për trajtimin e protestuesve në Shqipëri gjatë tubimeve kundër projekteve të zhvillimit në zonat bregdetare.

Në një deklaratë të publikuar prej saj, partia shkruan se një nënë mban në krahë djalin e saj autik, pasi protestuesit që mbronin bregdetin shqiptar u përballën me gaz lotsjellës dhe spraj djegës nga policia.

“Pas kësaj përqafimi qëndron një zgjedhje brutale politike: qytetarët që kërkojnë transparencë dhe mbrojtje të mjedisit u përballën me forcë, ndërsa një zhvillim luksoz i lidhur me Jared Kushner mori mbështetje nga qeveria”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike Europiane.

Sipas saj, qeveria e kryeministrit Edi Rama duhet të përballet me kërkesa për më shumë përgjegjshmëri demokratike, hetim të pavarur dhe respekt të plotë për të drejtën e protestës paqësore.

“Një nënë mban në krahë djalin e saj me autizëm pasi spraji me piper i policisë përfshiu protestuesit që mbronin bregdetin e Shqipërisë.
Pas këtij përqafimi qëndron një zgjedhje brutale politike: qytetarët që kërkonin transparencë dhe mbrojtje të mjedisit u përballën me forcë, ndërsa një zhvillim luksoz i lidhur me Jared Kushner mori mbështetjen e qeverisë.

Shqipëria e Edi Ramës meriton llogaridhënie demokratike, kontroll të pavarur dhe respekt të plotë për protestën paqësore”, thuhet në deklaratë. bw

NJOFTIM PËR SHTYP Drejtësia për Dritan Zaganin merr kthesë. Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e kthen dosjen për rigjykim Nga Av. Dorian Matlija

NJOFTIM PËR SHTYP

Drejtësia për Dritan Zaganin merr kthesë. Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e kthen dosjen për rigjykim

Më 21 korrik 2026 (mbërritur sot) Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e saj me të cilin ka pranuar ankimin e Dritan Zaganit, duke shfuqizuar vendimin e datës 18 shkurt 2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shënon kthesën e parë reale të drejtësisë shqiptare në një nga çështjet më simbolike të persekutimit të një oficeri policie që denoncoi lidhjet e niveleve të larta të pushtetit me krimin e organizuar.

Dritan Zagani, ish-shef i Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Ai nuk u akuzua kurrë se kishte përfituar nga detyra apo se kishte favorizuar trafikantë. Përkundrazi, episodet e përdorura kundër tij lidhen me operacione të suksesshme që sollën sekuestrimin e 109 kilogramëve kanabis në Shqipëri dhe arrestimin në Itali të një personi me 6 kilogramë kokainë. Megjithatë, gjykatat e dënuan pa identifikuar ndonjë ligj konkret të shkelur, ndonjë dëm të shkaktuar apo ndonjë qëllim kriminal të Zaganit.

Çështja nuk mund të ndahet nga konteksti politik. Zagani kishte denoncuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me grupin Habilaj, trafikimin e drogës dhe dekonspirimin e operacioneve policore. Përpara se gjykatat të vendosnin për fajësinë e tij, Kryeministri Edi Rama e shpalli publikisht kriminel dhe bashkëpunëtor të trafikantëve të drogës, si dhe person që dekonspironte operacionet e policisë. Edhe ministri i Brendshëm e sulmoi publikisht dhe i paraqiti denoncimet e tij si shpifje të një personi që kërkonte të fitonte azil politik.

Koha tregoi se denoncimet e Zaganit nuk ishin fantazi. Grupi Habilaj u bë objekt procesesh penale dhe ish-ministri Tahiri u dënua penalisht. Ndërsa Zagani, i shpallur fajtor publikisht nga Kryeministri përpara vendimit të gjykatës, u detyrua të largohej nga vendi dhe sot jeton nën mbrojtjen e azilit politik.

Akuza kryesore lidhej me një operacion në Levan të Fierit. Sipas dëshmive dhe provave të paraqitura në proces, Zagani siguroi informacion të saktë dhe ia raportoi informacionin eprorit të tij të drejtpërdrejtë, Skënder Hita. Operacioni u drejtua nga ky i fundit, me dijeninë e drejtuesve të tjerë të policisë. Sipas prokurorisë, ky operacion solli anomali në një operacion tjetër për arsye se eprorët e Zaganit nuk u koordinuan me qendrën. Për habi të të gjithëve, Dritan Zaganit iu ngarkua një përgjegjësi penale e fabrikuar, ndërsa drejtuesit e operacionit nuk u proceduan kurrë.

Madje, Skënder Hita, ish eprori i Zaganit në atë episod, sot është promovuar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 30 mars 2026. Ky kontrast është tregues i fuqishëm i karakterit selektiv të akuzës. Nëse operacioni në Levan kishte krijuar probleme, përgjegjësia nuk mund të ndalej te oficeri vartës që vetëm solli informacionin e vlefshëm dhe të harroheshin pikërisht eprorët që morët vendimin dhe drejtuan aksionin dhe nuk siguruan koordinimin e duhur me qendrën. Nëse drejtuesit nuk kishin kryer vepër penale, atëherë nuk shpjegohet se si i njëjti veprim u kthye në shpërdorim detyre vetëm për Dritan Zaganin. Kjo forcon bindjen se akuza ishte fabrikuar keq për të diskredituar dhe neutralizuar personin që kishte prekur interesa politike dhe kriminale.

Gjykata e Lartë e mbylli çështjen me një formulë standarde, tipike prej atyre që synojnë të ulin shpejt dhe pa cilësi stokun e dosjeve me qëllim fshehjen e dështimit katastrofik të reformës në drejtësi, pa iu përgjigjur pretendimeve themelore të mbrojtjes në një çështje kaq delikate. Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo e kishte bërë aksesin e Dritan Zaganit në drejtësi vetëm formal dhe kishte cenuar të drejtën e tij për proces të rregullt ligjor.

Tani, pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, detyra e Gjykatës së Lartë është që të shpjegojë konkretisht:

• cili ishte ligji i shkelur nga Zagani;

• si mund të përgjigjet penalisht për një operacion të drejtuar dhe kryer nga eprorët e tij;

• cila ishte pasoja reale, kur ai vetëm furnizoi me informacion të vlefshëm eprorët për qarkullimin e lëndëve narkotike;

• përse u shpërfillën provat shfajësuese dhe konteksti i presionit publik të ushtruar nga Kryeministri dhe ministri i Brendshëm.

Vendimi kushtetues më në fund rrëzoi murin procedural që e mbante të paprekur dënimin e tij. Pritshmëria e ligjshme tashmë është që Gjykata e Lartë të zhvillojë një shqyrtim real dhe të përballet me pyetjen që drejtësia shqiptare e ka shmangur për më shumë se një dekadë në këtë çështje: A u përdor procesi penal për të ndëshkuar dhe heshtur një oficer policie që denoncoi lidhjet e pushtetit me krimin?

Çështja Zagani ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për mbrojtjen e sinjalizuesve. Mbrojtja e tyre duhet të jetë efektive kur denoncimi prek drejtuesit e vetë institucionit ose nivelet politike dhe kur përdorimi i kanaleve të brendshme mund ta ekspozojë sinjalizuesin ndaj hakmarrjes, diskreditimit publik apo ndjekjes penale.

“Do të ktheheni vasalë e lypsarë të dikujt tjetër”- Neomalësorja ‘godet’ Ramën dhe paralajmëron banorët për “Paketën e Maleve”: Pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja

Një reagim i fortë ka ardhur nga deputetja Marjana Koçeku, në lidhje me përfshirjen e zonave të Shalës, Shoshit dhe Pultit në “Paketën e Maleve”. Përmes një postimi në rrjetet sociale drejtuar banorëve të këtyre zonave, ajo ngre shqetësime për mënyrën se si mund të ndikojë kjo nismë në pronësinë dhe identitetin e këtyre trevave.

Sipas Neomalësorjes, “Paketa e Maleve” nuk përbën një zgjidhje për zhvillimin e zonave malore, por rrezikon të sjellë një “tjetërsim” të tokave. Ajo u bën thirrje banorëve që, para se të pranojnë premtime për zhvillim, të kërkojnë garantimin e të drejtave të tyre mbi pronën.

Postimi i plotë:
Të dashtun banorë të Shalës, Shoshit e Pultit,
Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.
Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.
Unë e di se, çfarëdo çmimi që ata munden me ju ofru, ju nuk i lëshoni tokat e t’parëve, qoftë edhe veç për faktin pse janë t’parëve… se malsori ka qenë dhe asht zot n’tokë t’vet.
Por tash e vetmja mënyrë me jua marrë, asht tu spekulu përmes ligjit me pretekstin se ju do mundeni ma n’fund me i zhvillue ato toka, a ndërkohë nuk keni as tituj pronësie, as rrugë, as energji e as kushtet e nji infrastrukture që jua siguron nji gram jetë të mirë. S’keni ditë kurrë me i kërkue ato kushte!
Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë. bw

Protestuesit presin mbylljen e Kuvendit, u zënë “pritë” deputetëve me vezë para godinës!

 

Seanca plenare në Parlament po shkonte drejt fundit, ku u kalua në votim të përshpejtuar për shkak të tensioneve dhe bllokimit të foltores nga opozita, qytetarët janë ulur në afërsi të Kuvendit dhe po presin daljen e deputetëve.

Ata u kanë zënë pritë duke renditur “armët” e tyre para hyrjes së institucionit.

Ashtu si edhe paradite ata kanë marrë me vete vezë për t’i hedhur në drejtim të deputetëve pasi ashtu siç e kanë artikuluar ligjvënësit nuk i përfaqësojnë, por përfaqësojnë krimin e organizuar.

Ajo që ka rritur më tej pakënaqësitë kanë qenë 11 shoqërimet që policia ka bërë më herët, ku i fundit, Edison Lika u prangos teksa ishte live në intervistë për News 24.

“Jep dorëheqjen”- Tensione në Kuvend, Bardhi tenton të lagë me ujë Ramën, Peleshi e përjashton!

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar, është përjashtuar nga kryeparlamentari Niko Peleshi gjatë seancës së sotme, teksa votohej për të gjithë pikat e rendit të ditës për shkak të bllokadës së foltores që bëri opozita.

Gjatë momentit të votimit të mazhorancës me procedurë të përshpejtuar dhe pa diskutime, opozita shkaktoi debate, zhurmë duke i rënë tavolinave dhe duke hedhur akuza.

Më aktivi ka qenë deputeti Gazment Bardhi, i cili i ka kërkuar Ramës dorëheqjen në sy, vetëm pak metra larg tij në seancë. Në një moment ai tentoi ta lagte me ujë kryeministrin dhe kjo nuk kaloi pa u ndëshkuar.

Kryeparlamentari Niko Peleshi ndërhyri dhe njoftoi përjashtimin e Bardhit.

“Zoti Bardhi, je i përjashtuar nga seanca, ju përjashtoj, largohuni nga salla”, tha ai.

Gjatë votimit pati përsëri ndërprerje për 5 minuta, pas kërkesës së Taulant Ballës në lidhje me një nga amendamentet e radhës, pasi kërkoi konsultim me grupin. Panorama

Përplasja te dera e Parlamentit, momenti kur punonjësit e Gardës shtyjnë me forcë Agron Shehajn dhe s’e lejojnë të hyjë brenda

Ky është momenti i përplasjes së kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj me punonjësit e Gardës së Republikës te dera e Parlamentit.

 

Në pamje shihet që deputeti, teksa tenton që të hyjë brenda për seancën, shtyhet me forcë dhe nxirret jashtë nga punonjësit e Gardës.

Deputeti tha se masa disiplinore e përjashtimit prej 30 ditësh nga punimet e Kuvendit kishte përfunduar më 22 korrik dhe se kishte të drejtë të merrte pjesë në seancë.

Ndërkohë për ngjarjen ka reaguar edhe Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar socialist, i cili ironizoi përmes rrjeteve sociale:

“O Gone po nuk është vila 15 milionëshe kjo, ku ti hyn e del edhe pse thua e ke shitur. Po si produkt i Lulit, nuk di as të numërosh deri në 30”.

© Panorama.al

Efektivët “të pamëshirshëm”, nuk kursejnë me ujë me piper as fëmijët

TIRANË– Efektivët e policisë janë treguar “të pamëshirshëm” edhe ndaj fëmijëve, duke hedhur ujë me piper me presion. Në disa moment ka përplasje fizike, hedhje uji dhe spraj vetëm se disa protestues tentuan të kalojnë gardhin metalik.

Ndërkohë ujë me presion është hedhur dhe ndaj mediave, të cilët po raportonin kaosin para Parlamentit. Më pas, protestuesit janë kundërpërgjigjur duke hedhur vezë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa tensionet vijojnë përpara godinës së Parlamentit./Dosja.al

Përplasjet gjatë protestës te Parlamenti- Qytetarët bllokojnë kryqëzimin e Unazës te Rruga e Elbasanit

Më herët, ata hoqën dy gardhe metalike të vendosura në anën e sipërme nga qendra, ndërsa një tjetër është vendosur te Kryqëzimi i rrugës së Elbasanit.

TIRANË- Protestuesit kanë tentuar që të bllokojnë kryqëzimin e Unazës te rruga e Elbasanit, pasi nuk u lejuan nga policia që të afrohen te Parlamenti.

Më herët, ata hoqën dy gardhe metalike të vendosura në anën e sipërme nga qendra, ndërsa një tjetër është vendosur te Kryqëzimi i rrugës së Elbasanit./Dosja.al

Protestuesit thirrje SPAK-ut para Kuvendit: Arrestoni Ramën

Qytetarët i kanë bërë thirrje SPAK-ut “Arrestoni Ramën!”, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë së tij. Kjo është protesta e 54 që mbahet sot kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike në vend.

 

TIRANË– Protestuesit janë mbledhur para Kuvendit, ndërkohë që policia ka blinduar zonën duke vendosur gardhë metalikë.

Qytetarët i kanë bërë thirrje SPAK-ut “Arrestoni Ramën!”, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë së tij. Kjo është protesta e 54 që mbahet sot kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike në vend./Dosja.al


Send this to a friend