VOAL

VOAL

“Paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi!”, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë apelon: Fund luftës në Gaza, të lirohen pengjet!

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i pesë komuniteteve fetare të vendit bën apel të fortë për luftën në Gaza.

Përmes një reagimi, Këshilli Ndërfetar kërkon lirimin e menjëhershëm të pengjeve që mbahen në Bregun Perëndimor.

REAGIMI
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i pesë komuniteteve fetare të vendit, ka ndjekur me vëmendje ndër vite çdo shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka cenuar paqen sociale dhe bashkëjetesën shoqërore. Sot, ne komunitetet fetare në Shqipëri, bashkojmë zërin tonë me thirrjet ndërkombëtare të organizatës Religions for Peace Europe, institucion ku ne bëjmë pjesë, thirrjes së fundit të Patriarkanës Latine dhe asaj Ortodokse të Jeruzalemit, thirrjes së 80 rabinëve ortodoksë nga e gjithë bota, komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, OKB së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ku me apelin e tyre, ata shprehin shqetësimin e thellë
për situatën dramatike humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimit të të gjithë pengjeve. KNFSH kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti.
Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.
Në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe të përgjegjësisë morale që feja mbart, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.
Zoti i bekoftë paqendërtuesit!
Bordi i Presidencës

  • foto galeri
  • foto galeri

bw

Hetimet e SPAK mbi akuzat për korrupsion nuk e ndalojnë ministrinë e Infrastrukturës, nga 15 shtatori tuneli i Llogarasë me pagesë, 10 euro për çdo kalim!

Nga 15 shtatori, qarkullimi në tunelin e Llogarasë nuk do të jetë më falas. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku, ka vendosur të aplikojë një tarifë prej së paku 10 euro vajtje-ardhje për çdo automjet, duke rënduar më tej xhepat e qytetarëve dhe bizneseve që frekuentojnë bregdetin.

Ky vendim ka ngjallur reagime të forta në radhët e qytetarëve, për shkak të tarifës që konsiderohet e lartë në raport me të ardhurat mesatare në Shqipëri, veçanërisht për familjet që udhëtojnë shpesh drejt bregdetit. Kostoja totale e projektit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, sipas të dhënave zyrtare është 150 milionë euro.

INVESTIMI DYFISH

Investimi është prezantuar si një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në vend, por edhe një nga më të shtrenjtat në rajon. Kritikat kryesore lidhen me faktin se pavarësisht kësaj shume kolosale, qytetarët do të paguajnë një tarifë shtesë për ta përdorur tunelin. Tuneli, me një gjatësi prej 5.9 kilometrash, është promovuar si një projekt që do të lehtësonte lëvizjen drejt jugut dhe do të kursente kohë, duke e reduktuar udhëtimin nga 45 minuta në vetëm 7 minuta nga Dukati drejt Palasës. Por ky “shërbim”, që u pagua me taksat e qytetarëve dhe u shoqërua me festime propagandistike nga qeveria, tani kthehet në një biznes fitimprurës për shtetin në kurriz të qytetarëve.

Sipas njoftimeve zyrtare, menaxhimi i pagesave dhe i të gjithë procesit do të bëhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, një shoqëri aksionare me kapital shtetëror nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo kompani do të mbikëqyrë sistemin e tarifimit, mirëmbajtjen e portave automatike, si dhe shpërndarjen e biletave dhe aboneve mujore. Por, fakti që kjo strukturë kontrollohet direkt nga ministria e Ballukut, shton edhe më shumë dyshimet për abuzime dhe klientelizëm politik. Bashkë me tunelin e Llogarasë shkon në tre numri i segmenteve rrugore në Shqipëri me pagesë. Krahas akseve Milot-Morinë dhe ThumanëKashar tashmë do të jetë me pagesë edhe Dukat-Palasë. Me vendosjen e kësaj tarife, qeveria po e çon vendin drejt rrugëve private me taksa të larta, duke u kthyer në një barrë të re financiare për qytetarët.

AFERA KORRUPTIVE

Ky nuk është i vetmi problem me tunelin e Llogarasë. Ndërtimi i tij ka qenë në qendër të akuzave për korrupsion që prej fillimit. Në gusht 2024, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kallëzoi në SPAK aferën e tunelit të Llogarasë, duke pretenduar se në këtë projekt janë abuzuar të paktën 50 milionë euro. Në prill 2025, SPAK nisi një hetim dhe sekuestroi dokumentet e kompanisë “Hill International NV”, e cila ka qenë e përfshirë në projekt. Ndërsa SPAK po heton abuzimet e mëdha me tenderat, qeveria vazhdon t’u kërkojë qytetarëve të paguajnë tarifa shtesë për një rrugë që është ndërtuar me taksat e tyre. Kjo nuk është vetëm një çështje e tarifës, por një model i qartë i grabitjes së qytetarëve përmes projekteve propagandistike, që në fund përfundojnë në kosto marramendëse për qytetarët.

Ministrja Belinda Balluku, e cila prej kohësh është në qendër të kritikave për mënyrën e menaxhimit të projekteve infrastrukturore po përballet me akuza të reja. Ajo akuzohet se ka shndërruar një vepër publike në mjet për të mbushur arkën e shtetit dhe për të favorizuar klientelën politike. Pavarësisht hetimeve të SPAK, Balluku nuk ka dhënë asnjë shpjegim për akuzat mbi abuzimet dhe nuk ka sqaruar pse qytetarët duhet të paguajnë për një tunel, që është ndërtuar me paratë e tyre. Nga ana tjetër, këta të fundit e konsiderojnë këtë tarifë një grabitje të pastër dhe kanë paralajmëruar reagime në rrjetet sociale. “Paguajmë taksa për rrugë, paguajmë akcizë për karburant, tani edhe 10 euro për një tunel”, – shkruajnë qytetarët e revoltuar./Gazeta Panorama 

35 vjet nga vrasja e të rinjve në kufi- Nga Kastriot Dervishi

Në orët e para të mëngjesit të datës 23.8.1990, disa rinj nga Korça bashkë me shokë të tjerë nga Erseka iu drejtuan kufirit me Greqinë në postën famëkeqe kufitare të Rehovës. Njësiti i postës i qëlloi me armë zjarri. Si pasojë, u vranë:
-Petrit Bashkim Ajdini nga Korça, 26 vjeç
-Artur Xhevahir Kërcelli nga Korça, 25 vjeç
-Niko Stefan Joti nga Erseka, 24 vjeç
-Safet Irfan Rrapo nga Erseka, 31 vjeç
U arrestua Avni Sami Rumi, 27 vjeç nga Kolonja, i cili u dënua me 4 vjet heqje lirie. Realizoi arratisjen vetëm Pandush Thanas Nica, 29 vjeç nga Korça.
Kufoma e Safet Rrapos u gjet më vonë pasi kishte marrë edhe dëmtimet e rënies nga shkëmbi. Kufomat iu kthyen familjeve. Ceremonia e varrimit të Petritit dhe Arturit në Korçë, u kthye në një demonstratë të fuqishme antikomuniste. U ndaluan 12 persona. U zhvilluan procese gjyqësore.

Presidenti Begaj mesazh urimi për kryeparlamentarin e ri Dimal Basha: Shpresoj që bashkëpunimi të vijojë në të mirë të Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur zgjedhjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit disa mujor politik në vend.

Urime, z. Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.bw

Babai Nga Artur Zheji

 

Deri sa ndodhi ajo që ndodh, në luftën e gjithë-humbur të jetës me vdekjen, kisha përshtypjen mistike apo fëminore se babai im, ndoshta ishte i “pavdekshëm”. Më pëlqente ta besoja këtë, ndonëse tronditjen e parë, thyese të këtij miti, e mora, kur pak muaj përpara Petros, humba Besën, Nanën time të paepur.

Në moshën që jam unë sot, Petro, bënte të paktën çdo fundjavë 40-50 kilometra ecje, pa pushim. Nuk refuzonte me hundën mbledhur asnjë ushqim, por mund të agjëronte si besimtar, edhe disa ditë pa ngrënë. Dhe nuk ankohej kurrë. As edhe njëherë! As edhe në Fund!

Të gjitha këto cilësi, të marrëdhënies së tij të mrekullueshme që Petrushka (edhe kështu i thërrisnim në familje përkëdhelësisht) kishte me trupin e tij, e bënin atë të pangjashëm me të tjerë.

Do kisha shumë për të shkruar për Babanë që më iku dhe më la “jetim”, pavarësisht se në moshën time “jetimët” janë kaq të shumtë, saqë nuk thirren më të tillë…

Por, duart ngecin dhe sillen si të ngrira. Ndoshta sepse janë tejet të përbaltura nga balta që të detyron të përpunosh, e përditshmja dhe gazetaria që përshkruan epopenë, skuthllëqet dhe bëmat e palavdishme por zhurmëmëdha, të horrave tanë udhëheqës.

Më del parasysh galeria e personazheve që janë ushqyer shpirtërisht dhe intelektualisht në divanin e tij, shumë pak prej të cilëve mirënjohës, ndonëse gatuajnë edhe sot në magjen e të përditshmes, miell nga mielli i tij.

Sepse kush e njihte auto-ironinë para viteve ’90 në Shqipëri?

Askush!

Kush i njihte parabolat, metaforat, kalamburet, nënshtresat e fjalëve, tre a më shumë kuptimësinë e fjalëve, të lëshuara me një goditje të vetme?

Askush ose 2 apo 3 veta gjithsej!

Ishte dhe është një lloj arti i madh, të dish të flasësh dhe jo të gërmëzosh, përmes fjalës.

Të dish të shprehësh çdo ngjyrë, çdo nerv, çdo dridhje apo puhizë ajri, që krijon edhe krahë-përplasja e një krahu dallëndysheje dhe që mund të shpërthejë uragane, në oqeanin e thellë të shpirtrave të ndjeshëm… të qenieve që kanë shpirt sigurisht…

Dhe në ato uragane, me shkas krahë-përplasjen, që për miliona të tjerë është e padukshme, e pandjeshme dhe e kurrëndodhur, por që për të Zgjedhurin, janë në të vërtetë rizgjime të brendshme, nga të cilat fillojnë Udhëtime dhe Fillesa Veprash, që e tejkalojnë jetën njerëzore… kalitet një cilësi e re, e rrallë dhe e pranishme vetëm në kombet e mëdha…

Ky dhe ishte një nga pasionet e mëdha të Babait tim, të krijuarit e Kombit tonë, të pangjizur ende.

Përmes kalitjes mendore dhe nxënies së diturive të thella, nga ca pak djem e vajza me dhunti të rralla dhe me dashuri të patradhëtuar, në kohë dhe hapësirë për Dheun tonë…

I gatuar me Biblën, njohës i Kuranit, qëmtues i Budizmit, recitues në gjermanisht i Gëtes që përkthente, rusisht folës me Dostojevskin që shqipëronte apo i vëllazëruar me Servantesin, me Don Kishotin dhe Sançon e të cilit bashkudhëtonte pa reshtur bisedave, por edhe udhëtimeve të vërteta që ndërthureshin me ato imagjinaret … I rritur me Petrarkën dhe Virgjilin, adhurimin më të madh e kishte për Lao Tze, lindur 600 vjet para Krishtit në Henan…

Petro pra, apo “Bushi”, e kultivonte dhe e shpërndante bujarisht Dijen e tij, të vetmen pasuri që kishte, për këdo që i trokiste në derë.

Dhe sot mund të them, se shumica shkonte aty për të vjedhur!

Dhe ja thoja Petros, “vijnë e të vjedhin o Bush! Të vjedhin dhe nuk e kthejnë më kokën pas!”

“Le të vjedhin! Libri dhe Dija vidhen, nuk mësohen! Edhe unë e kam vjedhur nga librat dhe nga njerëzit e mençur që kam takuar në jetë… Dituria është farë, biri im, nuk hahet dhe nuk pihet, herët a vonë ajo mbillet! Dhe kështu e realizon misionin e saj!”

Shumë nga personazhet që qarkullojnë me njëfarë emri sot në Shqipëri, kanë kaluar mjaft seanca nga “divani psikanalitik dhe diturifalës i Petros”.

“Unë besoj se do të vijë shpejt dita që shqiptarët, do të punojnë më së shumti si mësonjës të Gjuhës Shqipe, që herët a vonë, do të jetë shumë e kërkuar nëpër Botë” më thoshte ai.

Dhe uroj që kjo Profeci të bëhet jetë e vërtetë…

Mirëupafshim “Bush”, librat e tu kërkohen dhe lexohen.

Janë të thellë dhe të humnershëm dhe kërkojnë notarë të mirë dhe këta të mirët janë pak.

Por aní, le të jenë pak, pishtarmbajtësit, pak kanë qenë gjithmonë!…

 

“Po cenohet integriteti ynë” – Deklarata e Unionit të Gjyqtarëve: Gjuhë denigruese dhe presion mbi drejtësinë!

Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar ndaj deklaratave të përsëritura të kryeministrit Edi Rama kundër gjyqtarëve Hazbi Balliu dhe Klement Demiri, për shkak të vendimeve të marra prej tyre në çështje të ndryshme.

Kryeministri i ka akuzuar gjyqtarët për keqpërdorim të pavarësisë gjyqësore dhe ka paralajmëruar masa ndëshkuese.

Mirëpo, Unioni e ka dënuar këtë qasje, duke e cilësuar si ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe përpjekje për t’i ekspozuar gjyqtarët në gjyq publik përmes sulmeve personale.

Reagimi i plotë i Unionit të Gjyqtarëve:

Unioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje pakënaqësitë e shprehura publikisht nga ana e Kryeministrit ndaj disa vendimeve gjyqësore, duke anatemuar personalisht gjyqtarët për vendimmarrjet dhe kthyer ushtrimin e detyrës kushtetuese në një gjyq publik, ku njëra nga palët ndërgjygjëse për shkak të fuqisë, hapësirës mediatike dhe virtuale, jo vetëm denigron figurën e gjyqtarëve individualë, por ushtron presion të hapur ndaj trupës gjyqësore në tërësi, duke përcjellë mesazhin te gjyqtarët se nëse vendimmarrja e tyre nuk do të pëlqehet, do të jenë objektivat e radhës.

Pa dashur për t’u përfshirë në debate virtuale në periudhë pushimesh, dëshirojmë të theksojmë se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por, nga ana tjetër vërejmë se në mënyrë të përsëritur bëhen deklarata, komente dhe ndërmerren iniciativa, të cilat nuk janë aspak parimore, nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor, por cënojnë drejtpërdrejt integritetin e gjyqtarëve, duke i fyer, deformuar dhe keqinterpretuar faktet, çështjet ligjore, apo procedurat e ndjekura, ndërkohë që vendimet jepen “NË EMËR TË REPUBLIKËS” dhe çdo palë që është e pakënaqur, ka të drejtën e ankimit në një gjykatë më të lartë, apo vendosë në lëvizje organet disiplinore për çdo shkelje të ligjit qe pretendon se ka kryer gjyqtari.

Këto deklarata me gjuhë dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e reformës së radhës dhe rreshtuar si gjithmonë gjyqtarët në llogoren e antireformës, kur vetë “Sistemi i drejtësisë”, ende nuk është maturuar pas reformës së thellë që kaloi dekadën e fundit!

Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetute, është një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron demokracia jonë parlamentare dhe zhvillohet shoqëria jonë. Në këtë kuadër kushtetues funksionon edhe sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendimmarrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, sipas të cilit janë përcaktuar saktë subjektet, koha dhe mënyrat e kontrollit të një vendimi gjyqësor, i cili kursesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre.

Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, forcimin e shtetit të së drejtës dhe minon besimin e publikut te drejtësia.

UGJSH dëshiron të theksojë angazhimin maksimal kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse dhe angazhimin e plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.

Së fundmi, UGJSH i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe organi i ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji për të garantuar pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve, që të reagojë dhe mbajë qëndrim ndaj sulmeve që i’u bëhen gjyqtarëve për shkak të detyrës, pavarësisht se nga vijnë ato. bw

Sali Berisha: Rugova ishte pacifist radikal, ai i mësoi elitës politikes të Kosovës doktrinën e shtetformimit dhe shtetndërtimit

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, mori pjesë në promovimin e librit ‘Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës’, i autorëve Besa Tafilaj Pinchotti & Korab F. Kastrati, botim i ShB “Jalifat Publishing” në Huston-Teksas. Gjatë fjalës së tij ai tha se “Rugova ishte pacifist radikal, ai i mësoi elitës politikes të Kosovës doktrinën e shtetformimit dhe shtetndërtimit”.

Berisha: Në këtë tipar, pas lufte… u them unë ju, ishte garanti kryesor i pavarësisë së Kosovës.

Pse?

Sepse nuk ka diskutim që për komunitetin ndërkombëtar, liritë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë ishin një problem madhor.

Se ata nuk luftuan të çlirojnë shqiptarët që të shtypen serbët, malazezët apo etnitë e tjera.

Por njeriu që ishte garant, dhe që nuk mund të vinin në dyshim integritetin dhe vullnetin e tij për të qenë president i të gjithë qytetarëve të Kosovës, për një Kosovë të qytetarëve të barabartë para ligjit, ishte Ibrahim Rugova.

Së dyti, ai tani në të gjitha kancelaritë shpallej si pacifisti radikal.

Çfarë do të thoshte kjo? Kjo do të thoshte se ai nuk heq dorë nga projekti i tij.

Takova në vitin 2005, më priti në Strasburg, Havier Solana i cili kishte njohuri shumë të gjata dhe të thella për Ballkanin.

I parashtroj tezën që vetëm pavarësia e Kosovës i jep fund fluiditetit të faktorit shqiptar në Ballkan.

Por kur ra fjala për Rugovën, tha: Rugova, një pacifist radikal. Se i thashë unë se ai është një garant për liritë e të gjithëve në Kosovë.

Pra, habi tjetër e Ibrahim Rugovës. Pas ndërtimit të shtetit paralel së bashku me Bujar Bukoshin dhe qeverinë e tij, ai bëri çdo gjë për mbrojtjen e këtij projekti.

Por, mbajti një qëndrim të ndryshëm gjatë luftës, në mënyrë të pamohueshme.

Dhe natyrisht lufta çlirimtare përbën faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve nga koha e Skënderbeut gjer sot.

Dhe ajo luftë kishte rol përcaktues për pavarësinë e Kosovës, por prapë nuk ishte baras pavarësi. Duhet të jemi shumë realistë, sepse pas çlirimit të Kosovës filluan të qarkullojnë idetë e konfederatës dhe për fat të keq pati një lëkundje serioze në mbështetjen e këtij projekti nga partnerët evropiane.

Se ç’ndodhi, pak e vështirë të merret vesh, por pas një periudhe që e mbështesnin këtë projekt, filluan të flasin për konfederatë.

Rugova qëndronte përsëri dhe ai ka një meritë të jashtëzakonshme të fundit, do të them, sepse pavarësisht nga kundërshtitë që pati me udhëheqjen politike të UÇK, ai firmosi Rambujenë dhe vendosi një bashkëpunim luajal të shkëlqyer pas luftë.

Duhet të them i mësoi, të themi të vërtetën, elitës politike të Kosovës, doktrinën e shtetformimit, e shtetndërtimit dhe të ndërtimit të Kosovës së pavarur.

Ju u kujtohet, ai kaloi disa kryeministra, me të cilët natyrisht u zgjodh me 70 përqind të qytetarëve të Kosovës.

Berisha rrëfen kujtimet e tij me Rugovën: Ai arriti të krijojë një unitet që Kosova nuk e ka pasur kurrë për projektin e pavarësisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ndarë kujtimet e tij për Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si një figurë të jashtëzakonshme të kombit shqiptar.

Berisha tha se Rugova arriti të krijojë një unitet të paprecedent rreth projektit të pavarësisë, duke zgjedhur rrugën e paqes dhe gandizmit, një qasje unike në historinë politike të rajonit.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Presidenti Ibrahim Rugova është një nga figurat më të ndritura të historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave.

Dhe natyrisht të flasësh për veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, duhet të zgjedhësh planin në të cilin do e trajtosh atë.

Unë nuk do merrem me historinë, por do merrem me disa nga habitë e mëdha të këtij gjeniu të politikës shqiptare.

Më rrafshin filozofik, Ibrahim Rugova është shtetari i habive të mëdha.

Ky pasardhës i një familje atdhetare, i një familje qëndrestare, zgjodhi në krye të radhës jo pushkën, por gandizmin.

Zgjedhje të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë ndonjë shqiptar në histori.

Zgjedhje të cilën ndoshta në Ballkan jo e jo, por edhe në Europë nuk ishte regjistruar.

Dhe me këtë zgjedhje, Ibrahim Rugova zgjodhi çelësin e artë për të hapur çdo derë.

Por edhe mendjet e atyre që e donin dhe nuk e donin.

E atyre që e besonin në projektin e tij dhe e kundërshtonin projektin e tij.

Po e përsëris prapë. Ishte maji i vitit 1992. Në Stamboll, në nismën e Detit të Zi takohem me kryeministrin e Greqisë, Konstandin Micotaqis, një njeri që kishte mbështetur PD në themelimin e saj, por që siç ishte trashëgimia 45-vjeçare e marrëdhënieve, natyrisht kishte edhe problematikat e veta.

Në bisedë e sipër më kërkoi të takoja patriarkun. Jo, i thashë unë, se ne jemi një vend plurireligjioz dhe nuk më shkon mua të bëj vizita përveçse Vatikani që është shtet, tek të tjerat unë respektoj pluralitetin fetar të vendit tim.

Mirë, tha.

Tani, kërkesa ime. Të presësh presidentin Ibrahim Rugova.

Po pse ta pres, më tha. Ta presësh se ai është themeluesi i partisë së parë antikomuniste në Ballkan dhe ti je një antikomunist i njohur.

Ta presësh, i them unë prapë, se ai ka filozofinë e paqes. Ai udhëheq një popull të robëruar, një popull që kështu e ka historinë ai, edhe me luftëra dhe pushtime, por ai ka dalë me mantrën paqësore të zgjidhjes.

I them, e treta, ti nuk mund të injorosh dy milionë shqiptarë aty. Jemi dakord, dakord më tha.

Dhe ky, i ndjerë tani, u bë kryeministri i parë që do priste presidentin Rugova në Selanik.

Habia e dytë e madhe e Ibrahim Rugovës ishte një bashkim i shqiptarëve, i paparë në tërë historinë e tyre.

Në tërë historinë e kombit.

Edhe ato sythe pluraliteti në Kosovën e pushtuar, që të gjitha ishin një mbështetje e presidentit Rugova dhe projektit Rugova.

Pra, arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur.

Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur.

Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov.

Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës.

Një njeri i civilizuar me një kulturë të gjerë, që fliste shumë më pak për politikë se sa për universin kulturor. Ibrahim Rugova bënte për vete të gjithë bashkëbiseduesit, përveçse tek politikanët që nuk binin dakord me projektin e pavarësisë së Kosovës, çka për atë nuk përbënte asnjë lloj obligimi për t’u tërhequr, sepse e ka përshkruar në mënyrën më të shkëlqyer Madlen Ollbrajt, kur thotë se Dhomën Ovale, i thotë presidenti Klinton, që donte ta ndihmonte: Ibrahim, tani atë pavarësinë e kam të pamundur, por kërko diçka tjetër dhe unë jam i gatshëm ta realizoj.

Ibrahimi rri, mendon dhe mendon dhe thotë: president, vetëm pavarësia zgjidh problemin.

Klintoni qeshi.

Berisha: Dënoj me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës nga narkoregjimi i Tiranës

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, mori pjesë në promovimin e librit “Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, i autorëve Besa Tafilaj Pinchotti & Korab F. Kastrati, botim i ShB “Jalifat Publishing” në Huston-Teksas ku gjatë fjalës së tij u shpreh me kritika të forta ndaj autoriteteve vendore.

Berisha theksoi se e dënon me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej pesë vitesh të shtatores së Rugovës nga ajo që e quajti “narkoregjimi i Tiranës”. Ai rrëfeu gjithashtu një histori personale lidhur me figurën e Rugovës, duke theksuar rolin e tij si politikan dhe misionar.

Kreu i PD-së kujtoi se gjatë luftës Rugova ishte rrëmbyer nga Millosheviçi, por ndërhyrja e miqve amerikanë, duke përfshirë ish-ambasadorin Robert Froulik, e shpëtoi atë. Berisha e përshkroi Rugovën si një gjen të kombit shqiptar, krahasuar me figura të shquara si Skënderbeu, Nënë Tereza dhe Ismail Kadare.

Ai vijoi duke theksuar se duhet të nderohet kujtimi dhe vepra e Rugovës dhe riafirmoi dëshirën e tij që shtatorja të rikthehet në vendin e merituar.

FJALA E BERISHËS:

Dhe tani meqë jemi këtu, do u rrëfej edhe një histori të shkurtër.
Gjatë luftës, e rrëmbeu, e mori peng Millosheviçi. Mirëpo miqtë tanë amerikanë, të ndikuar nga elita e UÇK-së, patën një zemërim me të dhe unë për rastësi ndodhi këtu, erdhi ambasador një ish-këshilltar i presidentit Regan, Klinton dhe Bush. Ishte Robert Froulik, një nga diplomatët më brilantë që mund të kem njohur.
Një ditë ulem në kafe më të. Do të them një gjë, i them. Këta, udhëheqja juaj, ka një ftohje me Ibrahimin, por dua t’u përcjellësh një gjë nëse mundesh, që politikani që bën betejë me misionarin, e ka të humbur gjithmonë.
Po të them unë, që Rugova, aq sa është politikan, aq është edhe misionar. Unë kam njohur Nënë Terezën, e cila rri gjithë ditën me të dhe atë botëkuptimin e shpreh me katër fjali.
Këta janë njerëz që përqendrohen në një setap fjalësh dhe i qëndrojnë gjer në fund. Nuk e fiton kush betejën me të.
Kur erdhi nga Roma, do vinte në Tiranë, por këta këtu bënë një akt të turpshëm. Këta kërkonin ta poshtëronin. Do vish, por jo si president.
Ai tha faleminderit dhe shkoi në Maqedoni tek kampet e shqiptarëve atje.
Aty e pritën në mënyrën më të jashtëzakonshme.
Prapë doli habia.
Të gjithë këta që kishin pasur vërejtje për të, që kishin menduar se i ka rënë autoritetin, e kuptuan se ishin gabim.
Njeriu që të nesërmen më thirri ishte Bob Froulik: Sali, më tha, ke pasur të drejtë.
Për ta mbyllur këtë ekspoze time, Rugova ishte një gjeni i kombit shqiptar, një gjeni i papërsëritshëm, siç është Skënderbeu në beteja dhe strategjinë e tij.
Siç është Nënë Tereza në forcën e jashtëzakonshme të moralit dhe parimeve që besonte.
Siç është Ismail Kadare në veprat e veta.
Ibrahim Rugova është në politikë.
Ndaj dhe duhet të përulem me nderimin më të madh para veprës dhe kujtimit të tij.
Të falënderoj edhe njëherë të gjitha këta zotërinj dhe zonjën që kanë organizuar këtë aktivitet në nderim të veprës së këtij vigani të veprimit dhe mendimit politik shqiptar.
Të dënoj me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës nga narkoregjimi i Tiranës.

Këshilli i Evropës: Bllokada policore ndaj News24, akt që bie ndesh me vendimin e Gjykatës – urdhëroi kthimin e gazetarëve dhe dorëzimin e pajisjeve të tyre

Këshilli i Evropës e cilëson bllokadën policore ndaj News24, një akt që bie ndesh me vendimin e Gjykatës e cila  urdhëroi kthimin e gazetarëve dhe dorëzimin e pajisjeve të tyre.

Në një reagim të saj, përmes platformës FOM (Freedom of Media in the Council of Europe) një mekanizëm që ka për qëllim mbrojtjen e lirisë së medias, KiE ka vlerësuar raportimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë AGSH-së mbi situatën e krijuar me News24, ku gazetarëve të saj iu privua puna me heqjen e sinjalit të transmetimit.

Gjithashtu, aksesi në godinë dhe moslejimi i tërheqjes së sendeve personale, kompjuterave dhe dosjeve të punës në godinën e rrethuar nga policia ushtarake, megjithëse vendimi i gjykatës ua lejonte këtë të drejtë.

Shprehje mbështetjeje për AGSH-në dhe Myzyrajn erdhën nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Sekretari i Përgjithshëm i së cilës, Ricardo Gutiérrez, të cilët mbështetën punën e AGSH në intensifikimin e përpjekjeve të saj për të dokumentuar dhe rritur ndërgjegjësimin rreth rastit Fokus Media Group .

“Ky qëndrim i AGSH-së, riafirmon ndihmën për gazetarët, duke inkurajuar ata të luftojnë në mbrojtje të lirisë së shtypit’, thuhet në reagimin e FOM ((Freedom of Media in the Council of Europe). bw

Nuk ka asnjë rikuperim, eksportet reale ranë me 7.4% për janar-korrik

Në pjesën e parë të këtij viti u duk se eksportet po rikuperoheshin, pas tendencës rënëse të dy viteve të kaluara. Të dhënat zyrtare treguan se për 7 mujorin, eksportet në total ishin 238.5 miliardë lekë, me një rritje prej 2.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në korrik, eksportet ishin 35.2 miliardë lekë, me zgjerim 5.7%.

Një pjesë e madhe e rikuperimit lidhej me rritjen e fortë të shitjeve drejt Kosovës, të cilat u zgjeruan me 72.5% për 7 mujorin. “Monitor” ka mësuar se nuk kemi të bëjmë me rritje reale, por thjesht me ndryshimin e metodologjisë, pasi që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri eksporte. Si rrjedhojë, kapitulli “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre” drejt Kosovës ishte 26.4 miliardë lekë në janar-korrik 2025, nga 2.7 miliardë lekë në janar-korrik 2024, me një rritje prej 864%, ose 23.6 miliardë lekë më shumë. Nëse hiqet efekti i tranzitit, rritja do të ishte 12% dhe ky grup do të rezultonte vetëm 3 miliardë lekë.

Nga riklasifikimi i tranzitit edhe si eksporte, eksportet drejt Kosovës janë shtuar edhe me 23.3 miliardë lekë, që në fakt nuk është një rritje reale.

Nëse këtë shumë ia heqim totalit të eksporteve për 7 mujorin (që janë 238.5 miliardë lekë), ato do të zbrisnin në 215.3 miliardë lekë.

Për 7 mujorin 2024, eksportet në total ishin 232 miliardë lekë, sipas INSTAT.

Si rrjedhojë, duke hequr shifrën e tranzitit të karburanteve drejt Kosovës, për janar-korrik 2025, eksportet janë tkurrur me 7.4%, duke vijuar me tendencën negative.

Ndoshta INSTAT, kur raporton të dhënat duhet ta ndajnë, ose të bëjnë një shënim për shifrën e rieksporteve drejt Kosovës, pasi do të krijojë një ide të gabuar për ecurinë reale të shitjeve jashtë vendit, teksa institucionet zyrtare po reklamonin përmirësimin e situatës së eksporteve në vend! bw

“Institucionet do të japin llogari përse vepruan në mënyrë banditeske”, Myzyraj: Do të vijnë misione të huaja faktmbledhëse për atë që ndodhi në News24

Kreu i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, ka reaguar ashpër për situatën e krijuar me bllokadën e godinës së News24, duke paralajmëruar se ky rast do të bëhet objekt i misioneve faktmbledhëse ndërkombëtare.

“Do të kemi misione faktmbledhëse ndërkombëtare, të cilat ndër të tjera do të mbledhin fakte edhe për atë që po ndodh me News24,” tha Myzyraj.

Sipas tij, institucionet shqiptare do të paguajnë koston më të madhe të këtij aksioni, të cilin e cilësoi “kontrovers dhe të paligjshëm”.

“Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në rrugën e integrimit europian dhe do të jetë një sfidë e madhe për t’u tejkaluar, pasi Shqipëria do të duhet t’u përgjigjet institucioneve të huaja se pse ka reaguar në shumë momente në mënyrë banditeske,” shtoi ai.

Myzyraj theksoi se liria e medias po vihet në rrezik, ndërsa veprimet ndaj News24 përbëjnë një sinjal alarmi për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. bw

SPAK, 251 masa sigurie të pa-ekzekutuara! Gjokutaj: Shifër alarmante, tregues se shteti është i kapur

Janë 251 masa sigurie të lëshuara nga SPAK që prej krijimit të saj nuk janë ekzekutuar. Kjo e dhënë u konfirmua nga vetë SPAK në përgjigje të një informacioni të kërkuar nga Syri Televizion.

Bosë të krimit kundër jetës dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, qarkullojnë të lirë brenda dhe jashtë vendit, çështje që në disa raste ka ngritur polemika sa i takon temës mbi dekonspirimet apo influencave të këtyre personazheve.

Në një intervistë për Syri Tv, Avokati Genc Gjokutaj e quan shifër alarmante që nëse nuk do të shkaktonte shkarkime do të kishte dorëheqje. Mos arrestimi i tyre është provë se kokat e krimit janë ata që mbështesin maxhorancën për të fituar zgjedhjet.

“ 251 urdhërarresti të paekzekutuara është një shifër alarmante. Përqindja më e madhe e urdhërarresteve të paekzekutuara janë ajo kategori njerëzish e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Kullat që mbijnë nga dheu janë të këtyre personave dhe parave që vijnë. Pa frikë mund të thuash se është kapje e shtetit.

Kjo maxhorancë i ka ‘krushq’ në zgjedhje këta persona. Kjo shifër në mos shkarkime, duhej të shkaktonte dorëheqje. Urdhrat e ekzekutuar janë urdhrat që vijnë nga jashtë. Kjo polici e prokurori që nxjerr zvarrë ish presidentin nga makina, të jetë kaq e verbër përballë një fenomeni të tillë?! Është provë që kërcet fort” thotë Gjokutaj në një intervistë për Syri Tv.

Nëse ka vullnet janë të gjitha mjetet dhe mundësitë për ta bërë, por mungesa e vullnetit, ose bashkëpunimi me krimin apo kapja e këtij organi, ku u jepet lista e atyre që duhen arrestuar dhe ata që nuk duhen arrestuar. Shkoni në QKB dhe çfarë kanë pasuri këto persona të cilët janë në kërkim, kur aktiviteti në Shqipëri vijon vrullshëm. Janë individë ekonomikisht të fuqishëm” tha Gjokutaj.

 

Kriliminelët që s’u arrestuan

Nuk bëhet fjalë për personazhe të zakonshme, por për bosë krimi që kanë urdhëruar vrasje, kanë korruptuar policë, gjyqtarë e prokurorë deri ligjvënës si Altin Hajri në dosjen “Çyrbja”, por pavarësisht kësaj, ato shijojnë lirinë, dhe për disa prej tyre, ka sinjalizime që vijojnë aktivitetin e paligjshëm brenda dhe jashtë vendit.
251 persona me rrezikshmëri të lartë që ndodhen në kërkim, është një shifër shqetësuese, që jo pak herë ka nxitur polemika publike ose jo mes SPAK dhe policisë.

Berisha: Në SPAK gjeta Elvis Doçin duke dekoruar Altin Troplinin si president nderi të kartelit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) se institucioni që supozohet të luftojë krimin e organizuar, po funksionon në realitet si aleat i tij.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi drejtues të lartë të SPAK-ut, përfshirë kreun e saj Altin Dumani, të cilin ai e ironizoi me emrin “Altin Troplini” për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kartelet e drogës që operojnë brenda dhe jashtë territorit shqiptar.

Berisha tha se gjatë qëndrimit të tij në institucion për shkak të masës “detyrim paraqitje”, gjeti aty Elvis Doçin, figurë që ai e përshkroi si të lidhur me botën e krimit, duke i vendosur në qafë një “pllakatë nderi” Altin Dumanit, në një akt simbolik që e shpallte atë president nderi të një karteli droge, për “shkallën më të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes që i ka dhënë aktivitetit kriminal”.

Pjesë nga deklarata:

Sot unë lashë këtë shënim: Altin Troplini, se çfarë gjeta unë aty, aty ishte Elvis Doçi. Elvis Doçi, po i varte në qafë një pllakatë Altin Troplinit, në të cilën e shpallte president i nderit i kartelit Troplini për shkallën më të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes që ai i dha këtij karteli.

Por shqiptarët duhet ta dinë se ky institucion, në të cilin pa diskutim ka njerëz të ndershëm, ka burra, gra, vajza dhe djem të ndershëm, por ka kriminelë më të poshtër, më të rrezikshëm se Troplinët, se Çelët dhe se shumë të tjerë.

Nga bilanci i një gazetari kurajoz, investigativ, del se bashkëpunëtorët e krimit në këtë institucion, si dëshmi e këtij bashkëpunimi, 250 urdhër arreste ndërkombëtare dhe kombëtare nuk janë ekzekutuar sepse si në rastin e Elvis Doçit, janë mbajtur, janë informuar krerët e karteleve dhe de facto asnjë prej tyre nuk është në burg në Shqipëri.Është një bashkëpunim i shkallës më të lartë me krimin.

Në qoftë se prokuroria e krimeve të rënda kishte një ekzekutim të mandateve të arrestit sipas statistikës së saktë, që shkonte në 85-90 përqind, Altin Troplini dhe pasardhësi i tij, ish-xhelati i policisë sekrete të Enver Hoxhës, kanë një ekzekutim që për bosët nuk shkon as në 10 përqind.

Dhe unë u bëj thirrje gazetarëve, që unë kam respekt për ta, që merren me informacionet e këtij institucioni, të mos bien viktimë e mashtrimeve dhe trillimeve të tyre.
Informuan se janë kapur 17 tonelata drogë.

Tani dëgjoni, dy javët e fundit, lajmet ndërkombëtare të vërtetuara janë se në duart e karteleve shqiptare të Çelajt dhe Ndreut apo atij Hoxhosmanit, kanë qarkulluar 34 tonë kokainë, e barabartë me 6.5 miliardë euro.

Asnjë gram nuk është kapur në Shqipëri dhe dezinformojnë, mashtrojnë se u kapën 17 tonelata.

Pra, pse e theksova këtë moment, e theksova se në qoftë se Altin Troplinin e dekoroi sot, aty po e dekoronte Elvis Doçi, e shpalli president nderi të kartelit Troplini pikërisht për këtë bashjëpunim kriminal të ngushtë që është vendosur mes personave të ngushtë këtu.

Nuk përjashtohet, një pjesë është edhe policia pa diskutim, por rastet janë flagrante, që akuzohen vetë këta prokurorë dhe kjo përbën një problem madhor për rendin dhe sigurinë, pasi unë u them ju që sot padrinot janë të lirë, janë në Xhafzotaj, jetojnë në një territor ku nuk futet policia dhe askush dhe vazhdojnë të qetë njësoj si Suel Çela, i cili në një kohë kur bënte terror në Elbasan për zgjedhjet, Altin Troplini dizinformonte të huajt se ai është në Dubai apo në dhera të tjera. sn

Gazetari Osman Stafa ngre alarmin: Onkologjiku 33 ditë pa brakiterapi. Kjo është kriminale. Kush mban përgjegjësi?

Postimi i gazetarit Osman Stafa:

SPITALI ONKOLOGJIK, 33 DITË PA BRAKITERAPI! KY ËSHTË ALARM!

Prej 33 ditësh me radhë, pajisja e Brakiterapisë në Spitalin Onkologjik është jashtë funksionit. Shkak është mosbërja e procesit të mirëmbajtjes.

Pse nuk iu bë, dhe pse nuk i bëhet mirëmbajtja e kësaj pajisjeje?

Kush është përgjegjës për mirëmbajtjen e kësaj pajisjeje?

Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes teknike, nuk jepet shërbim për gratë që vuajnë nga kanceri gjinekologjik.

Kanceri nuk pret tenderat e ministrisë, nuk njeh burokracitë dhe as paaftësinë kriminale të atyre që e kanë kthyer shëndetësinë në çiflig personal.

Në çdo vend normal, ministri i Shëndetësisë do kishte dhënë dorëheqjen që ditën e parë.

Kjo situatë s’është normale.

Është kriminale.

A kështu ecën karvani përpara?

Turp!

Sali Berisha: Alaska një samit historik, kthesë e mundshme për armëpushim dhe marrëveshje përfundimtare mes palëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar samitin e mbajtur në Alaska mes Trump dhe Putin, duke e quajtur takimin historik.

Sipas Berishës, nënkupton se samiti ka shënuar një kthesë të mundshme në rrugën drejt armëpushimit dhe marrëveshjes përfundimtare midis palëve.

Komenti i Berishës:

Miq, samiti i djeshëm në Alaska midis Presidentit të SHBA Donald Trump, njeriut më të fuqishëm të planetit, me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, ishte historik për këtë kohë lufte.

Samiti pas tre orësh bisedime përfundoi pa marrëveshje, por me ‘progres shumë të madh’ deklaroi Presidenti Trump në konferencën e përbashkët për shtyp me Vladimir Putin. Kjo nënkupton se Samiti ka shënuar një kthesë të mundshme në rrugën drejt armëpushimit dhe marrëveshjes përfundimtare midis palëve. bw

“Qëllimi është gjithmonë paqja”, Ambasada e SHBA në Tiranë ndan mesazhin e Trumpit nga takimi me Putinin: Sot bëmë një përparim të madh…

Ambasada amerikane në Tiranë ka ndarë në rrjetet sociale mesazhin e presidentit të SHBA Donald Trump, pas përfundimit të takimit në Alaska me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Bëmë një përparim të madh sot… Patëm një takim produktiv dhe duhet të kemi shumë pika”, shkruhet në një postim me foto nga samiti, ndërsa në një postim tjetër “Standardi është gjithmonë paqja”. bw

Ekrem Spahiu: Zjarrvënie janë kryesisht për interesa ndërtimore të mafies së pronave

Tiranë, më 15.08.2025

Ekrem Spahiu ka dhënë një konferencë për mediat, ku ka shprehur qëndrimet e ”Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar”:

… ”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh qëndrimin e saj se, shteti e ka detyrë me ligj për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile. Prandaj shteti ka përgjegjësi shumë të madhe …

Deklarata e plotë për media

Shqipëria gjatë kësaj jave, si asnjëherë tjetër më parë është përfshirë nga zjarre masive, ku u dogjën me mijëra hektarë pyje, kullota dhe drufrutorë. Sikur të mos mjaftonte kjo katastrofë mjedisore, humbi jetën dhe një i moshuar, ndërkohë që shumë qytetarë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme apo u plagosën. U dogjën shtëpi, objekte, stalla, gjë e gjallë, bletari e çdo gjë që mori zjarri përpara.

Natyrisht që janë edhe pasojat e grohjes globale, ku temperaturat gjatë këtyre viteve të fundit kanë qenë tmerrësisht të larta, si pasojë e të cilave mjafton një shkëndijë për të përfunduar në zjarr masiv. Edhe pakujdesia sjell pasoja shumë të rënda. Por ajo që nuk mund të tolerohet është se shumica dërmuese e tyre, rezultojnë të jenë zjarrvënie të qëllimshme, të organizuara për interesa kriminale, ku nga më kryesoret mund të veçojmë:

• Zjarrvënie për interesa ndërtimore të mafies së pronave, për të hapur rrugë të reja për ndërtime pa leje si vila, resorte, etj, veçanërisht në zonat turistike dhe malore.
• Zjarrvënie për të zgjeruar aktivitetin e nxjerrjes së gurëve apo materialeve ndërtimore.
• Zjarrvënie për ripërtëritje të kullotave.

”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh qëndrimin e saj se, shteti e ka detyrë me ligj për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile. Prandaj shteti ka përgjegjësi shumë të madhe.

”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” sugjeron që të marren këto masa:
• Kreu i shtetit të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
• Të vendoset gjendja e fatkeqësisë natyrore në zonat më të prekura.
• Dëmshpërblimin e plotë për gjithshka, sipas ligjit për të gjithë të dëmtuarit nga djegiet.
• Qeveria të informojë Kuvendin e Shqipërisë për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten, masat e marra për menaxhimin e situatës, sidomos për masat rehabilituese për komunitetet e prekura
• Qeveria të informojë Kuvendin, opinionin publik dhe mediat se si po ecet me “Strategjinë kombëtare për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë”, se ku përfundojnë fondet e alokuara për këtë qëllim, posaçërisht për fatkeqësitë e natyrës së zjarreve masive.
• Mobilizimin maksimal të kapaciteteve të emergjencës dhe mbrojtjes civile.
• Të zhvillohen hetime të thelluara për autorët dhe nxitësit.
• Të ashpërsohet ligji për dënimin e zjarrvënësve dhe nxitësve të tyre.

”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” mendon se shteti nuk duhet të mbetet thjesht apo vetëm te menaxhimi i fatkeqësisë, por të marrë rolin që i takon për të ndërtuar vizione dhe plane veprimi perspektiv që fatkeqësitë të parandalohen në maksimumin e mundshëm, duke këmbëngulur veçanërisht në zbatimin e ligjit “Për Pyjet”, për mbrojtjen e tyre si pasuri me rëndësi të veçantë, për vlerat e mëdha dhe të pazëvendësueshme në mbrojtjen e klimës, të tokës, ruajtjen dhe përmirësimin e potencialeve prodhuese, të ekuilibrave të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve energjitike dhe regjimit hidrik, si detyrime me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.

”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, shpreh vlerësim e mirënjohje për të gjithë efektivët e Forcave Ushtarake, zjarrfikësit, pilotët si dhe ekipet e Urgjencave, të cilët u përballën me situatat shumë të rënda nga zjarret. Një falenderim të veçante kemi edhe për vendet mike që na ndihmuan me mjete ajrore për fikjen e zjarreve.

Në të njëjten kohë ”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, nuk mund të hesht dhe të mos shpreh indinjatën e saj për trajtimin çnjerzor që j’u bëhet zjarrëfiksëve, ku pas shumë orëve në luftë me zjarrin, flenë rrugëve në tokë. Ato pamje që po bëjn xhiron e botës na turpërojnë si shtet.

Sulmi ndaj News24- “Shqetësuese ndërprerja papritur e aktivitetit mediatik”, OSBE reagon ashpër: Mosmarrëveshjet pronësore s’duhet të ndalojnë transmetimin

OSBE ka reaguar ashpër në lidhje me sulmin e paprecedentë ndaj Focus Media Group dhe mediave të lidhura me të, News24, Panorama, Gazeta Shqiptare, BalkanWeb dhe Radio RASH.

OSBE shprehet se situata rreth ndëprerjes së papritur të oeracioneve të grupit mediatik është shqetësuese.

The situation surrounding the sudden disruption of operations of the Focus Media Group in #Albania is concerning. Property and business disputes should not lead to abrupt halting of media broadcasting.

— OSCE media freedom (@OSCE_RFoM) August 15, 2025

 

Në reagimin zyrtar OSBE vendos theksin duke u shprehur se mosmarrëveshjet pronësore dhe të biznesit nuk duhet të sjellin ndëprerje të menjëhershme të transmetimit mediatik.

“Situata që lidhet me ndërprerjen e papritur të aktivitetit mediatik të Focus Media Group në Shqipëri është shqetësuese. Mosmarrëveshjet mbi pronësinë dhe biznesin nuk duhet të çojnë në ndalimin e menjëhershëm të transmetimit mediati”, thuhet në reagimin e OSBE. bw

Ballukun e paska shpëtuar Ushtria nga Hysenbelliu!- Autori i emisionit ‘Vetting’: Na morën dosjet që do të nxirrnim në Shtator…

Emisioni Vetting në News24, ka ngritur alarmin, pasi drejtuesi i emisionit, Ardian Bushi, deklaron që dosjet e forta që do të dilni në Shtator, janë zhdukur!

Bushi thotë se dosjet kryesore që kishin në ruajtje, kishin si target kryesor Belinda Ballukun, por tani i ka marrë Ushtria. Pra shkurt, Belinda Ballukun e paska shpëtuar Ushtria nga Irfan Hysenbelliu!

Kujtojmë se gjykata urdhëroi që gazetarët të marrin materialet e tyre, ndërkohë që Ardi Veliu ka lajmëruar televizionin se materialet e televizionit janë te Rezervat e Shtetit dhe mund të tërhiqen prej aty.

“Është për të ardhur keq që pjesën dërrmuese të dosjeve që kemi denoncuar janë zhdukur, por dosjet e reja që ishin për të vijuar në shtator e në vazhdim, me zv/kryeministren Balluku që kishte dosjet kryesore. Kjo më bën të dyshoj dhe të theksoj se ky ka qenë qëllimi i kësaj ndërhyrjeje, në mënyrë të kundraligjshme dhe banditeske. Nuk kam arritur ta perceptoj se si godina të rrethohet nga policia, të vijë dhe ushtria dhe civilë të plaçkisin zyrat e gazetarëve. “, tha ai.

Por Bushi shtoi se tani janë akoma më të bashkuar në luftën kundër korrupsionit.

“Ne sot jemi më të bashkuar dhe të vendosur për të vijuar luftën tonë me ata që urdhëruan grabitjen dhe vjedhjen. Nuk jam unë që përfaqësoj Vetting-un, por besoj se do të jemi një zë më i fuqishëm,” tha Bushi.

Ai përfundoi duke e cilësuar situatën si një “grusht shteti”: “Kemi një vendim gjykate ku gazetarët duhet të hynin në godinë, por përmbarimi dhe policia nuk zbatojnë ligjin. Kjo është një ndërhyrje direkte që pengon funksionimin e medias dhe lirinë e shtypit.” sn

“Po investigonim tenderat e Arbër Abazit, bashkëjeton me vajzën e tezes së Ballukut” – Autori i Vetting, Ardian Bushi tregon detaje nga dosja e grabitur: Do rindërtojmë dokumentet

Autori i emisionit investigativ Vetting në News24, Ardian Bushi, ka zbuluar detaje të reja lidhur me ndërhyrjen e autoriteteve në ambientet e uzurpuara të televizionit, duke akuzuar se veprimi ka pasur si synim zhdukjen e materialeve komprometuese për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Bushi tha se ekipi i tij po investigonte lidhjet familjare të Ballukut me bashkëjetuesen e Arbër Abazit.

“Pjesa dërrmuese e dosjeve që Vetting ka denoncuar me prova janë zhdukur, ndërsa dosjet e reja për Ballukun ishin kryesore. Kjo më bën të besoj se ky ka qenë qëllimi i ndërhyrjes banditeske,” u shpreh Bushi.

“Po investigonim lidhjet familjare të Ballukut me bashkëjetuesin e Arbër Abazit, pasi sipas informacioneve që ne kishim bashkëjetuesja e Abazit ka lidhje familjare me Ballukun. Ndërkohë që Arbër Abazi ka dy fëmijë me të afërmen e Ballukut. Sipas informacioneve zyrtare mësohet se vajza e tezes Ballukut bashkëjeton me Abazit dhe pavarësisht se kanë dy fëmijë ata nuk kanë bërë një martesë ligjore me çertifikat martesore.

Kanë ndërhyrë në kompjutera, ua kemi bërë të qartë edhe përmbaruesve. E them këtë me bindje se nuk është zbatuar ligji, por kanë marrë urdhrat e KAYO-s për të vepruar edhe me gazetarët. Pjesën dërrmuese të dosjes që është denoncuara me fakte e prova që ka denoncuar Vetting janë zhdukur. Dosjet e reja për në shtator dhe në vazhdim për zv/kryeministren Ballukun kishim dosjet kryesore dhe kjo më bën të dyshoj dhe ta theksoj me forcë se ky ka qenë qëllimi i kësaj ndërhyrje në mënyrë banditeske.. Ne do të arrijmë sërish të rindërtojmë këtë dosje dhe të vazhdojmë denoncimin. Ne vëertetë na vranë, por jemi më të bashkuar, më të fortë, më të vendosur…”, u shpreh ai. bw

Tirana shënon ditën më të nxehtë në histori

E marta ka hyrë në histori si dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Tiranë, me termometrat që kanë arritur në +43.6°C.

Rekordi është shënuar në kulmin e një vale ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë vendin.

Edhe Durrësi, vetëm pak kilometra larg, ka regjistruar një temperaturë jashtëzakonisht të lartë për një qytet bregdetar, +42.4°C.

Sipas MKWeather, kjo është një nga valët më ekstreme të të nxehtit të viteve të fundit në Shqipëri, duke thyer rekorde historike dhe duke rritur rrezikun për probleme shëndetësore, sidomos te grupet më të ndjeshme të popullatës. sn

Mitropoliti i Volokolamskut viziton Shqipërinë, takim me Kryepeshkopin Joan, i përcjell urimet e Patriarkut të Rusisë Kirill

Me bekimin e Patriarkut të Moskës dhe Gjithë Rusisë, Kirill, Mitropoliti i Volokolamskut Antoni, Kryetar i Departamentit të Marrëdhënieve të Jashtme Kishtare të Patriarkanës së Moskës, mbërriti në Shqipëri më 11 gusht 2025 për një vizitë pune.

Fghfghh

Më 12 gusht, ai u prit në rezidencën zyrtare në Tiranë nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joan. Mitropoliti Antoni përcolli përshëndetjet vëllazërore të Patriarkut Kirill dhe e uroi Kryepeshkopin Joan për zgjedhjen dhe fronëzimin e tij si Primat i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, zhvilluar në mars të këtij viti.

Fghfgh

Gjatë takimit u diskutuan çështje të marrëdhënieve ndërortodokse dhe ndërkombëtare, situata e Kishës kanonike në Ukrainë, si dhe perspektivat për forcimin e bashkëpunimit mes Kishës Ortodokse Ruse dhe asaj të Shqipërisë, sipas njoftimit të ambasadës ruse në Shqipëri. bw

KAYO refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës, mban të zaptuar godinën e Panorama dhe s’lejon drejtuesit e gazetarët të futen në ambientet e punës

Kompania KAYO, e cila prej mëngjesit të së hënës ka zaptuar godinat e News 24 dhe Panorama Group, refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës.

KAYO dhe policia ushtarake kanë mbyllur portën që duke mos lejuar drejtuesit e gazetarët të futen në ambientet e punës në godinën e Panoramës, duke e mbajtur në mënyrë të paligjshme.

Me një vendim të dy ditëve më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur që godina e Panorama të lirohet nga KAYO dhe policia ushtarake, si edhe të lejohen gazetarët të futen brenda ambienteve për të bërë punën e tyre, por kompania që mban uzurpuar ndërtesën refuzon.

https://www.youtube.com/live/t2Yv4NZdRrg?si=2djEn7_wV_Ko3eVO

Shuhet në moshën 84-vjeçare mësuesja e parë e Librazhdit Rabie Xhani

Është shuar  në moshën 84-vjeçare Rabie Isuf Xhani, mësuesja e parë e fshatit Gizavesh në rrethin  e Librazhdit dhe një ndër gratë e para që sfidoi realitetin e kohës për t’u bërë pishtare e dijes në zonat rurale të Librazhdit.

E lindur më 16 prill 1941 në Librazhd-Katund, Rabia përfundoi arsimin 7-vjeçar në qytetin e Librazhdit, duke bërë çdo ditë mbi dy orë rrugë më këmbë.

Në vitin 1959 u martua me Hyqmet Xhanin dhe u vendos në fshatin Gizavesh, ku përkushtimi i saj për arsimimin nuk u ndal.

Ajo përfundoi me sukses Shkollën Pedagogjike në Elbasan dhe në vitin 1961 nisi punën si mësuese në shkollën e fshatit, duke hyrë në histori si e para grua mësuese vendase në Gizavesh dhe një nga të parat në gjithë rrethin.

Për 30 vite, Rabie Xhani qëndroi në misionin e saj me përulësi dhe pasion, duke edukuar dhjetëra breza që sot mbajnë me krenari kujtimin e saj si një mësuese shembullore, humane dhe e përkushtuar. Ajo doli në pension në vitin 1991, por mbeti për dekada një figurë tepër e respektuar në komunitetin e zonës. bw

Situata kritike në Gramsh, flakët shkrumbojnë ‘Liqenin e Zambakëve’, rrezikohen fshatra të tjerë

Situata nga zjarret në njësinë administrative Skënderbegas mbetet kritike. Sipas burimeve zyrtare, ndër zonat e përfshira nga flakët është edhe Liqeni i Zambakëve, një nga atraksionet turistike më të vizituara të zonës, i cili nuk ka shpëtuar nga shkatërrimi.

Aktualisht, mbi 10 vatra aktive zjarri po digjen në territor, duke përfshirë edhe fshatin Ermenj. Forcat e Armatosura, zjarrfikësit e qarkut Elbasan dhe ekipet e bashkisë po punojnë nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve. Era e fortë po favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit edhe drejt zonave të tjera.

Ditën e sotme është kryer evakuimi i fshatit Nartë, ndërsa nën rrezik ndodhen edhe fshatrat Mukaj dhe Sojnik në njësinë administrative Kukur. Sipas burimeve, situata mund të përkeqësohet gjatë mbrëmjes nëse do të ketë erëra të forta.

Nuk dihet ende numri i saktë i bagëtive të ngordhura, por raportohet se shumë prej tyre janë gjetur të djegura në stalla dhe në pyll. Bashkia Gramsh ka ngritur dy ekipe në terren për varrosjen e tyre, me qëllim parandalimin e shpërthimit të ndonjë epidemie.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencës civile, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë pa ndërprerje. sn

Berisha: Ramaduro urdhër që të mos zbatohet urdhri i gjykatës për lirimin e ambienteve të News24

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me moszbatimin e urdhrit të gjykatës për mos lirimin e ambienteve të News24.

Sipas kryedemokratit Berisha, ky urdhër i ‘dëshmon tmerrin e Ramaduros, vëlla Olsit dhe Lubi Ballukut nga dosjet e tyre kriminale në laptop-et e gazetarëve të News24!’.

Reagimi i kreut të PD, Sali Berisha:

Urdhëri i Ramaduros për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës, një akt i rëndë antikushtetues!

Ky urdhër dëshmon tmerrin e tij, vëlla Olsit dhe Lubi Ballukut nga dosjet e tyre kriminale në laptop-et e gazetarëve të News24!

Dënoj me forcën më të madhe urdhërin antikushtetues të Ramaduros dhe kërkoj zbatimin e menjëhershëm të urdhërit të gjykatës! bw

Zjarri i Sopotit rrezikon Gjirokastrën dhe Lazaratin – Banorët në frontin e parë

Një zjarr i fuqishëm që nisi nga Bashkia e Delvinës ka përfshirë malin e Sopotit dhe ka hyrë në territorin e Bashkisë Gjirokastër, duke kërcënuar qytetin dhe fshatin Lazarat.

Era dhe thatësira po e përkeqësojnë situatën, ndërsa zjarrfikësit dhe banorët lokalë po luftojnë flakët pa ndalur.

Çdo moment është vendimtar dhe zjarri mbetet jashtë kontrollit. bw

VIDEO- “Na kërkojnë që të hyjmë në institucion të zhveshur”, shpërthen autori i ‘Vetting’: E kuptoni ça bëhet!

Autori i emisionit “Vetting” në News24, Ardian Bushi, u nxorr sot me forcë nga ambientet e brendshme të godinës së Panoramës dhe News24, ku kishte hyrë të tërhiqte mjetet e tij të punës, sipas vendimit të gjykatës.

Bushi tha se absurditeti ishte kur forcat e KAYO-s i kërkuan që të ishte i zhveshur në ambientet e godinës së Panorama dhe News24. bw

E lanë 5 orë në diell, Drejtori Teknik nxirret me forcë nga ambientet e News24 dhe humb ndjenjat. Ambulanca në vendngjarje

Situata e tensionuar para godinës së News24 ka marrë një tjetër kthesë sot, pasi një prej punonjësve të televizionit, Arkad Bazaiti, i cili ishte futur brenda në kuadër të procedurës për marrjen e sendeve të punës të sekuestruara më herët nga policia ushtarake, është ndjerë keq pas daljes nga ambientet me forcë nga autoritetet.

Menjëherë pas incidentit, para godinës ka mbërritur një mjet i urgjencës për t’i ofruar kujdes shëndetësor dhe ndihmën e parë punonjësit.

Ky zhvillim vjen mes tensioneve të vazhdueshme, ku gazetarët e News24 dhe Panorama vijojnë të mos lejohen të hyjnë lirshëm në vendin e punës, pavarësisht vendimit të gjykatës që u jep të drejtën për të marrë mjetet dhe materialet e tyre. bw

Delvinë- Flakët shumë pranë banesave të fshatit, situata e rrezikshme! Syri TV sjell pamjet

Situata në zonën e Delvinës vazhdon të jetë kritike, me flakë të mëdha që po afrohen shumë pranë shtëpive të banimit, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe pronat e banorëve.

Pamje të reja të siguruara nga gazetari Fatjon Gjinaj në orën 10:40 tregojnë përhapjen e zjarrit shumë pranë zonave të banuara, duke nxjerrë në pah rrezikun e madh që po përballen qytetarët.

Syri TV ka publikuar këto pamje, të cilat kundërshtojnë deklaratat zyrtare të qeverisë që minimizon situatën. Sipas raportimeve dhe pamjeve të transmetuara, gjendja është alarmante dhe kërkon ndërhyrje urgjente për të shmangur tragjedi.

Flakët ‘pushtojnë’ Gramshin, banorët: Na lënë vetëm me rrobat që kishim mbi trup, askush nuk po na jep ndihmë të mjaftueshme

Banorët e Gramshit kanë përjetuar një situatë dramatike pas shpërthimit të një zjarri të fuqishëm që ka përfshirë fshatrat kryesore të zonës.

Zjarri vazhdon akoma, gjysma e zonave janë të djegura. Ka marrë flakë fshatrat kryesore, kanë ngordhur gomarë, dhi dhe kafshë të tjera. Janë djegur 4 fshatra, ne jemi në qendër të Skënderbegasit dhe nuk e dimë fare se si është gjendja më atje, na morën dhe na sollën këtu.

Kemi pasurinë atje, kemi punuar një jetë të tërë, mos e pyet, jemi shumë keq. Ne jemi nga Skënderbegasi, situata është shumë keq, me mall e me shtëpi na janë djegur, gruaja erdhi këtu përmes lumit- tha njëri prej banorëve për Syri TV.

Ata raportojnë se një pjesë e madhe e pasurisë është shkatërruar, duke përfshirë shtëpitë dhe kafshët. Mbi katër fshatra janë djegur dhe banorët janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, duke ardhur në qendër të qytetit.

Një banor i fshatit thotë: “Situata është shumë e keqe, kemi lënë gjithçka pas, duke përfshirë shtëpitë, bagëtitë, pasurinë që kemi grumbulluar gjithë jetën. Jemi këtu pa asgjë, vetëm me rrobat që kemi mbi trup.”

Ata shprehin indinjatë për mosndihmën e duhur, duke theksuar se një avion që ka arritur në zonë nuk ka mundur të bëjë asgjë për ta.

Një tjetër banor shton: “Na morën dhe na sollën këtu, por nuk dimë se çfarë do të bëjmë. Dëmet janë të mëdha, kemi humbur gjithçka dhe askush nuk po na jep ndihmë të mjaftueshme. A i dhamë ne votat atij? Po, po, por tani ku është ai? Çfarë po bën për ne?”

Ata shprehin indinjatën e tyre për mungesën e reagimit nga qeveria, duke theksuar se janë lënë të përballen vetëm me katastrofën. “Na erdhi flaka në këmbë, dhe nuk na lanë asgjë, përveç se shkatërrimin e gjithçkaje. Si mundet që pas gjithë kësaj, askush të mos kujdeset për ne? A i dhamë votat për të qenë të lënë në harresë?”

Në këtë situatë tragjike, banorët kërkojnë një përgjigje të menjëhershme dhe ndihmën e shtetit për të riparuar dëmet dhe për të mbështetur ata që kanë humbur gjithçka.

Zjarret në Delvinë, 10 persona u mjekuan në spital! U largua rreziku afër qytetit por situata mbetet kritike, pritet ndërhyrja nga ajri

Një natë tmerri dhe frike ishte mbrëmja e 12 gushtit për banorët e Delvinës. Forca të shumta zjarrfikëse, të bashkive të jugut por edhe të ardhur nga Tirana, forca të ushtrisë dhe banorë bënë të mundur shuarjen e zjarrit afër qytetit ndërsa flakët vijojnë nga zona e Kakodhiqit.

Gjatë natës rreth 10 persona nga Delvina kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të asfiksisë, në mjediset e Kinotetatrit ku u vendos përkohësisht spitali pas evakuimit të tij nga frika e zjarreve. Katër prej tyre ishin ushtarë të angazhuar për të shuar zjarret, informon gazetari i Syri TV.

Sot në mëngjes situata vijon të jetë kritike dhe pritet ndërhyrja nga ajri.

Tymi ka pushtuar zonën për shkak të flakëve masive ndërsa ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Zjarri rrezikoi edhe puset e naftës.

Flakët, e nisura fillimisht në Finiq pasditen e djeshme kaluan në territorin e Delvinës. Banorët u evakuuan, si dhe u bë edhe evakuimi i pacientëve dhe stafit mjekësor të spitalit të Delvinës pasi flakët iu afruan edhe godinës së spitalit. Nga spitali u zhvendosën edhe bombolat e oksigjenit, pasi rrezikoheshin nga zjarri. Transferimi i pacientëve, mjekëve dhe pajisjeve u bë përkohësisht në Pallatit të Kulturë.

‘Shqipëria, vendi më i ndotur në Evropë’- Eksperti: Rrezikohet kolapsi mjedisor, mungon vullneti i qeverisë për zgjidhje

Eksperti i menaxhimit të mbetjeve, Lulzim Bauman, i angazhuar në çështjet mjedisore dhe ndotjen e lumenjve në Shqipëri, në një intervistë për Edicionin e Mbrëmjes në SYRI TV, ka deklaruar se Shqipëria është shumë e ndotur dhe kjo nuk është më dyshim.

Ai theksoi se Shqipëria është vendi më i ndotur në Evropë dhe ka një nga lumenjtë më të ndotur në rajon, duke përmendur lumin Ishëm si një nga më të ndoturit në botë.

Eksperti u shpreh se sistemi i menaxhimit të mbeturinave në vend nuk është ndërtuar me hapa të sigurtë dhe përmendi dështimin e projekteve të inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, të cilët ose nuk punojnë, ose nuk janë ndërtuar ende.

Bauman vuri në dukje se mungesa e infrastrukturës dhe e veprimeve konkrete është një problem i madh, por shtoi se kjo punë ka zgjidhje dhe nuk mungon as ana financiare, as ajo teknike.

Ai bëri me dije se ka pasur kompani që kanë arritur sukses në menaxhimin e mbetjeve edhe në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se skema e zgjidhjes është e thjeshtë dhe e realizueshme.

Baumman: 

Unë do ta filloja duke thënë se që Shqipëria është shumë e ndotur kjo nuk ka dyshim sepse kemi vëzhgime që ndjekim dhe prej 10 vitesh po merremi me këtë punë.

Që Shqipëria është vendi më i ndotur në Evropë edhe kjo s’ka dyshim, që Shqipëria është vendi më i ndotur në Evropë edhe kjo s’ka dyshim, që Shqipëria ka një nga lumenjtë më të ndotur në Evropë, ose mund të themi lumi i Ishmit që është më i ndoturi në botë, nuk ka dyshim.

Sistemi i menaxhimit të mbeturinave kurrë nuk u ndërtua me hapa të sigurtë, ne kemi folur shumë herë në këtë studio rastin e inceneratorëve, qindra miliona para u hodhën për të zgjidhur problemin e mbeturinave i cili dështoi.

Sot që po flasim, inceneratori i Elbasanit nuk punon, inceneratori i Fierit kurrë nuk u vendos në punë dhe inceneratori i Tiranës kurrë nuk u fillua të ndërtohet.
Është një kolaps që mungon infrastruktura dhe hapat e duhura, janë disa vendime që…

Ajo që më vjen shumë keq është se ka zgjidhje kjo punë dhe nuk mungon ana financiare apo ana teknike, unë vetë personalisht jam marrë shumë me këtë punë, janë disa kompani që kanë dhënë shumë sukses edhe në Maqedoninë e Veriut, është shumë e thjeshtë skema e zgjidhjes. sn

“Gjykata na dha të drejtë, një mesazh i qartë”, Drejtoresha e Përgjithshme Anila Jole: News24 për pak orë ridel në transmetim

Drejtoresha e Përgjitshme e News24, Anila Jole, vlerëson vendimin e sotëm të Gjykatës, teksa vendosi rikthimin në studio dhe redaksi të gazetarëve, duke vendosur si të paligjshëm sekuestrimin e kompjuterave dhe orendive.

Sipas Joles, ishte një mesazh i qartë ky për ata që bënë paligjshmëri dhe për ushtrinë e komentuesve që vollën vrer me të qena e të paqena.

ANILA JOLE: “Ashtu siç e shpreha disa herë publikisht këto ditë, unë e ndieja dhe besoja se ne (News24) kishim të drejtë dhe do ta gjenim atë.

Sot Gjykata vendosi rikthimin tonë në studio dhe redaksi dhe vlerësoi të paligjshëm sekuestrimin e kompjuterave dhe orendive.

Neës24 për pak orë ridel në transmetim dhe për këtë jemi të gjithë shumë të lumtur.

Besova që ka drejtësi, dhe ashtu doli!

Një mesazh i qartë ky për ata që bënë paligjshmëri dhe për ushtrinë e komentuesve që vollën vrer me të qena e të paqena.

Historia e kontratës së godinës sonë është në gjyq, per faj të ministrisë që e dha atë me qira dhe bëri një lëmsh mes qiradhënësve, qiramarrësve dhe pronarëve të tokës, lëmsh që shpresoj të gjendet sërish një gjyqtare me integritet si ajo e sotmja, për t’ia gjetur fillin. Këtë histori, kini durim ta sqarojnë profesionistët në ditët në vijim.

News24 do të vijojë të jetë pranë atyre që e ndjekin dhe duan me besim e sinqeritet! bw

“Gjykata urdhëroi KAYO-n të më kthejë materialet e marra me ushtri”, Klodiana Lala: Vendimi për News24, fitore e gazetarisë

Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës që “Panorama Group” sh.a të kthehet te ambientet të cilat të shtunën në orët e para të mëngjesit u zaptuan nga Policia e Shtetit dhe KAYO e Ardi Veliut. Gjykata vendosi që gazetarët të aksesohen në mjediset e kompanisë dhe brenda 48 orëve të rikthehen sendet dhe materialet që KAYO mori me kamionë.

Në një postim në rrjetet sociale, gazetarja Lala e quan vendimin e gjykatës si fitore e gazetarisë.

Reagimi:

Gjykata urdheroi KAYON te me ktheje kompjuterin bashke me cdo material qe mu konfiskua nga ushtria ne menyre arbitrare dhe te drejten per te kerkuar deshperblim.
Kjo eshte fitorja e gazetarit! bw

Gjykata i dha të drejtë gazetarëve të Focus Media News, AGSH: I bëjmë thirrje organeve shtetërore të zbatojnë vendimin e gjykatës pa zvarritje të mëtejshme

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka përshëndetur fitoren e gazetarëve të grupit mediatik Focus Media News.
Në një deklaratë, AGSH i bën thirrje organ.eve shtetërore të zbatojnë vendimin e gjykatës pa zvarritje të mëtejshme.
DEKLARAT E AGSH
Një vendim i sapo dhënë nga Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë gazetarëve dhe stafit të Fokus Group.
Më konkretisht, gjykata ka vendosur:
1.
Shoqëria KAYO të kthejë brenda 48 orëve me inventar materialet e marra nga ambientet e redaksisë ku përfshihen kompjuterët dhe dosjet e punës së gazetarëve dhe çdo mjet tjetër.
2. Të lejohet menjëherë hyrja e stafit në godinën e “Panorama Group”, kontrata e së cilës vijon deri në vitin 2033.
3. Gjykata fton të dëmtuarit që brenda 15 ditësh të padisin organet shtetërore për cënimin e të drejtës së punës dhe sekreteve gazetareske.
AGSH bëj thirrje të menjëhershme që organet shtetërore të zbatojnë vendimin e gjykatës, pa zvarritje të mëtejshme.

Nga ana tjetër, inkurajojmë gazetarët që sipas rastit, të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga marrja e dokumenteve të tyre të punës nga personat e paautorizuar, dhe t’i referojnë ato në organet kompetente

bw

Gjykata kundër Ardi Veliut- Avokati: Ndërprerja e sinjalit të News24 është e paligjshme! Kontrata e qirasë deri më 2033

Avokati Marash Logu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila urdhëroi kthimin e ambienteve dhe pajisjeve të sekuestruara të Panorama Group SHA, duke e cilësuar aksionin e ndërmarrë më 9 gusht ndaj News24 dhe mediave të tjera të grupit si të paligjshëm.

“Gjykata e Tiranës konfirmoi pikërisht atë që kemi thënë prej fillimit të kësaj historie; nxjerrja e gazetarëve nga godina, ndërprerja e sinjalit të transmetimit dhe sekuestrimi i pajisjeve është i paligjshëm, në kushtet që kompania mediatike ka një kontratë të vlefshme qiraje deri në vitin 2033, prona nuk ka qenë objekt shqyrtimi gjyqësor dhe nuk i është kaluar shoqërisë ‘KAYO’ sh.a.” shkruan Logu ne nje postim ne Facebook.

Ai theksoi se vendimi i gjykatës provon paligjshmërinë e veprimeve të shoqërisë “KAYO” sh.a., Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake.

“Tani që kjo paligjshmëri u provua me vendim gjyqësor, do të ketë ndonjë reagim nga Prokuroria për ndërprerjen e paligjshme të sinjalit të medias informative më të madhe në vend prej katër ditësh?!” shtoi ai.

Reagimi:

Gjykata e Tiranës konfirmoi pikërisht atë që kemi thënë prej fillimit të kësaj historie; nxjerrja e gazetarëve nga godina, ndërprerja e sinjalit të transmetimit dhe sekuestrimi i pajisjeve është i paligjshëm, në kushtet që kompania mediatike ka një kontratë të vlefshme qiraje deri në vitin 2033, prona nuk ka qenë objekt shqyrtimi gjyqësor dhe nuk i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. Tani që paligjshmëria e veprimeve të shoqërisë “KAYO” sh.a., Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake u provua me vendim gjyqësor, do të ketë ndonjë reagim nga Prokuroria për ndërprerjen e paligjshme të sinjalit të medias informative më të madhe në vend prej katër ditësh?! bw

Ardi Veliu konfiskoi dosjet dhe materialet e gazetarëve, Gjykata merr vendimin: Veprim i paligjshëm, sendet të rikthehen. Të lirohet godina e dytë!

Gjykata e Tiranës shpalli të paligjshme veprimet e drejtorit të KAYO, Ardi Veliu, ndaj News24 dhe mediave të “Focus Group”.

Gjykata vendosi që “Panorama Group” sh.a të kthehet te ambientet të cilat të shtunën në orët e para të mëngjesit u zaptuan nga Policia e Shtetit dhe KAYO e Ardi Veliut.

Gjykata vendosi që gazetarët të aksesohen në mjediset e kompanisë dhe brenda 48 orëve të rikthehen sendet dhe materialet që KAYO mori me kamionë.

Gjithashtu, Gjykata e Tiranës vlerëson të paligjshëm ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe pengimin e tyre në ushtrimin e detyrës.

Për katër ditë me radhë, News24 u vendos përpara një presioni të paprecedentë, që nisi me bastisjen e zyrave në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë pa një vendim gjykate, nga Policia e Shtetit dhe punonjësit e kompanisë shtetërore KAYO. Televizionit më të madh informativ në vend iu fik sinjali i transmetimit, ndërsa gazetarët, stafi teknik dhe punonjësit e tjerë u nxorën jashtë dhe nuk u lejuan të aksesonin vendet e tyre të punës.

Ndërsa pasditen e djeshme, kompania KAYO kreu akte të tjera të paligjshme ndaj News24, duke shembur përmes IKMT-së objektin ku ruheshin pajisjet e transmetimit. Në orët e vona u plaçkitën zyrat dhe me dhjetëra kamionë u grabitën dosjet dhe materialet e gazetarëve, vendndodhja e të cilave nuk ende nuk dihet.

Kamionët e ushtrisë mësyjnë tek News 24/ Reagon AGSH: Është shkelje flagrante e lirisë së medias!

Një situatë e paprecedentë po zhvillohet në ambientet e televizionit News24, ku forcat e Policisë së Shtetit dhe ushtrisë kanë rrethuar godinën dhe po marrin pajisjet e punës së gazetarëve. Në një reagim në FB, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka ngritur alarmin për shkelje të rënda të lirive themelore të medias dhe ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë për pasojat e mundshme ndaj lirisë së informimit dhe sigurisë së gazetarëve në vend.

REAGIM URGJENT

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh alarm dhe indinjatë të thellë për situatën e krijuar në ambientet e televizionit News24, tashmë të rrethuar nga forca të Policisë së Shtetit dhe ushtrisë. Sipas raportimeve nga vendngjarja, autoritetet po konfiskojnë dhe po marrin të dhëna nga kompjuterët e gazetarëve, në të cilët ndodhen materiale pune.

Këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të lirisë së medias, të drejtës së informimit dhe mbrojtjes së burimeve konfidenciale të gazetarëve, parime të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe praktika e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Marrja e materialeve të tilla jo vetëm që cënon rëndë punën hetimore të redaksisë, por rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e gazetarëve dhe burimeve të tyre.

I bëjmë thirrje urgjente:

  • Autoriteteve të Përfshira të ndalojnë çdo veprim që cënon punën e gazetarëve.
    • Institucioneve ligjore që të verifikojnë ligjshmërinë e këtyre veprimeve dhe t’i ndalin ato pa vonesë.

 


Send this to a friend