VOAL

VOAL

Parlamenti Evropian miraton rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë

Parlamenti Evropian (PE) ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës.

Teksti i kësaj rezolute, u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Në tekstin e rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.

“Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës, në të cilën u bëhet ftesë të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që deri më tani nuk e kanë dënuar këtë sulm, ta bëjnë një gjë të tillë.

Përmes rezolutës së PE-së u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.

“Bëjmë ftesë që BE-ja të mbështesë hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e [misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit] EULEX-it, duke nënvizuar rëndësinë që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë pa vonesa. Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë”, thuhet në tekstin e rezolutës të votuar nga deputetët evropianë.

Teksti i rezolutës po ashtu i bën ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit në Banjskë. Ai veçse gjendet nën sanksione të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nën dyshime për krim të organizuar.

PE-ja, përmes kësaj rezolute, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.

Po ashtu, kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.

“Bëhet ftesë për autoritetet në Serbi dhe mediat që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrim etnik’ apo ‘pogrom’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi”, thuhet në rezolutë.

Përmes kësaj rezolute po ashtu bëhet ftesë për një rol më pro-aktiv të BE-së në dialogun për normalizimin e raporteve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit – të arritur më herët gjatë vitit – përderisa shprehet keqardhje për rinisjen e fushatës nga Serbia për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe pengesave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nga Kosova kërkohet që të ketë dialog me serbët në Kosovës dhe të organizojë sa më shpejt zgjedhje të reja lokale në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në disa pika të kësaj rezolute shprehet keqardhje për sjelljen e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që sipas eurodeputetëve, destabilizojnë tërë rajonin.

Përmes kësaj rezolute, po ashtu kërkohet që të largohen masat ndëshkuese që BE-ja vendosi ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri, që nisën në fund të majit.

“Shprehim keqardhje për masat negative të cilat Këshilli ka ndërmarrë ndaj Kosovës dhe kërkojmë që ato të hiqen sa më parë që të jetë e mundur. Kërkohet nga Këshilli dhe Komisioni Evropian që të rifillojnë kontaktet e nivelit të lartë me presidenten dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës së miratuar.

Po ashtu, eurodeputetët kërkojnë që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në tekst.

Eurodeputetët po ashtu dënojnë përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkohet që të hetohet roli i mundshëm i Rusisë në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar më herët se po hetohet roli i mundshëm i Rusisë në këtë sulm./REL

Paralajmëron Von Cramon: Nëse Serbia nuk bashkëpunon për hetimin e sulmit në Banjskë, i vendosen sanksione

Viola Von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian ka folur për rezolutën në Parlamentin Evropian, mocioni i së cilës do të votohet nesër në seancën e së nesërme ku kërkohet sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radoiçiçit. “Ne kemi pasur një disponim të gjatë konstruktiv, ku pesë grupe kanë dalë me rezoluta dhe negociuam së bashku sa i përket tekstit të përbashkët për rezolutë, ku kemi dalë me një tekst të fortë e të japim jehonë ndaj Serbisë”, derisa sqaroi se mocioni për rezolutë do të votohet nesër, rreth orës 13:30.

“Së pari kemi një dënim të qartë e të fuqishëm për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës, më 24 shtator”, theksoi ajo, derisa për kërkesën e ekstradimit të Radoiçiçit, sqaroi se ekzistojnë nivele të ndryshme: “Së pari, kemi një kërkesë një dënim të qartë për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës. Kemi qenë të qartë në kërkesën tonë për hetime të thukëta dhe kemi kërkuar përkrahjen e plotë nga ana e Serbisë, në atë që ka ndodhur më 24 shtator në veri të Kosovës;

Së dyti, kemi një indikacion të qartë se shefi këtij grupi paramilitar në veri të Kosovës ka lidhje me individët dhe me vet presidentin e Serbisë, e nëse qeveria dhe institucionet tjera shtetërore serbe qëndrojnë prapa saj ende nuk është e qartë. Pikërisht për këtë është kërkuar hetim të thukët e të pavarura por të mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare, por që, është kërkuar nga përfaqësuesit evropianë, konstatime preliminare të rezultateve deri në fund të vitit;

Së treti, nuk kemi folur për sanksione kundrejt Serbisë. Ne kemi futur në tekst sanksione ndaj pjesëtarëve, individ, sikundër është fjala për Radoiçiçin dhe ne duhet ta bëjmë të njëjtën gjë;

Së katërti, nëse nuk ka bashkëpunim të plotë, sa i përket këtyre hetimeve, sa i përket vazhdimësisë në ndjekje penale e kështu me radhë, do të duhej të kishte masa edhe ndaj Serbisë. E këto masa do të duhej të dukeshin si masa që rëndojnë mbi Kosovën, që nënkupton masa politike, masa financiare, etj”, deklaroi Von Cramon në RTK.

Ajo tha se kjo është vetëm një parapërgatitje dhe që nuk ka ndonjë indikacion konkret që këto masa do të vendosen menjëherë, megjithatë ajo tha se këto masa do të vendosen kur vërehet se nuk ka vullnet politik për të mbështetur hetimet nga ana e Serbisë.

Scholz e dënon sulmin ndaj sinagogës në Berlin dhe zotohet për mbrojtjen e hebrenjve

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, është shprehur i zemëruar të mërkurën me një sulm kundër një sinagoge në Berlin, në të cilën u hodhën dy koktej molotovi, sipas Policisë gjermane.

“Dua të them shprehimisht se jam i zemëruar. Mua më zemëron personalisht ajo çfarë disa po bëjnë dhe po gjuajnë”, tha Scholz gjatë një vizite në Egjipt të mërkurën.

Në një reagim në rrjetet sociale, Scholz shtoi: “Sulmet ndaj institucioneve hebraike dhe aktet e dhunës në rrugët tona janë të neveritshme dhe nuk mund të tolerohen. Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani”.

Dy persona të maskuar hodhën koktej molotovi në një sinagogë në qendër të Berlinit të mërkurën herët në mëngjes, tha Policia, duke shtuar se e ka arrestuar një burrë i cili kishte bërë thirrje antisemitike me zë shumë të lartë derisa ata po e hetonin rastin.

Siguria përreth institucioneve hebraike në Gjermani është rritur dukshëm qëkur Hamasi e kreu një sulm vdekjeprurës ndaj Izraelit më 7 tetor.

Dy shishet, të mbushura me lëndë të djegshme, shpërthyen në trotuar dhe u dogjën, pa shkaktuar ndonjë dëm, theksoi Policia.

Shërbimet e Sigurisë së Gjermanisë janë duke e hetuar sulmin.

Grupet e hebrenjve janë ankuar për një ndjesi të shtuar të pasigurisë që nga ndezja e konfliktit të fundit mes Hamasit dhe Izraelit.

Policia në Gjermani i ka hedhur poshtë shumicën e kërkesave për të mbajtur protestat pro-palestineze pas sulmit të Hamasit, si dhe i kanë shpërndarë një numër tubimesh spontane.rel

Borrel: Izolimi dhe rrethimi i Gazës nga Izraeli nuk është në përputhje me ligjet e luftës

VOA/Marrë nga Reuters

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha sot se izolimi dhe rrethimi i Gazës nga Izraeli nuk është në përputhje me ligjet ndërkombëtare në raste konfliktesh. Ai theksoi se vrasja e civilëve në Gazë duhet dënuar njësoj si sulmet ndaj Izraelit. Deklaratat e tij i parapriu komenteve të Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen e cila tha se Bashkimi Europian mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por kjo duhet bërë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe duke mbrojtur jetën e civilëve.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell nënvizoi nevojën që vrasjet e civilëve në Gazë, të dënohen njësoj siç

po dënohen sulmet ndaj Izraelit. Ai kritikoi ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe nevoja të tjera bazike për civilët në Gazë duke theksuar se veprime të tilla bien ndesh me ligjet ndërkombëtare në rast konfliktesh.

“Ka rregulla për luftën. Rregullat janë përcaktuar në ligjet ndërkombëtare dhe ne e kemi thënë disa herë në të shkuarën në raste konfliktesh, ndërprerja e ujit dhe nevojave të tjera bazike për popullsinë nuk është në përputhje me ligjet e luftës. Tani që flasim nuk ka më ujë në Gazë. Më shume se 3 mijë vetë kanë vdekur, një e katërta e tyre fëmijë. Nuk mund të bëjmë përgjegjës të gjithë popullsinë në Gazë për veprimet kriminale të Hamasit”, tha ai.

Ai tha se rrethimi dhe izolimi i Rripit të Gazës nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar dhe se Bashkimi Europian kishte dënuar raste të tjera të ngjashme.

“I dënojmë sulmet e tmerrshme terroriste, por besoj se po aq duhet të dënojmë vdekjen e civilëve në Gaza. Sepse dënimi i një tragjedie nuk duhet të na pengojë të dënojmë një tjetër. Dhembshuria që tregojmë për viktimat e sulmeve terroriste nuk duhet dhe nuk na pengon të tregojmë të njëjtën dhembshuri për të vdekurit e tjerë”, tha zoti Borrel.

Duke folur pas zotit Borrel, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen rikonfirmoi se Bashkimi Europian mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, duke thënë se Izraeli duhet të bëjë këtë në përputhje me ligjet ndërkombëtare humanitare dhe duke mbrojtur jetët e civilëve.

“Europa qëndron në krah të Izraelit në këtë moment të vështirë. Mendoj se ishte e rëndësishme të përcillja personalisht këtë mesazh solidariteti Izraelit vetëm disa ditë pas sulmit. Vetëm nëse kuptojmë dhimbjen e Izraelit dhe pranojmë të drejtën e tij për t’u mbrojtur do të kemi besueshmërinë të themi se Izraeli duhet të veprojë si një vend demokratik, në përputhje me ligjet ndërkombëtare humanitare”, u shpreh ajo.

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian

Disa zyrtarë dhe ligjvënës europianë e kritikuan zonjën Von Der Leyen, e cila vizitoi Izraelin të premten e 13 tetorit, që nuk deklaroi, njësos siç kanë bërë udhëheqës të tjerë të BE-së, se Bashkimi Europian pret që Izraeli të respektojë ligjet humanitare ndërkombëtare në veprimet në përgjigje të sulmeve të grupit militant Hamas.

Zonaj Von Der Leyen e mbajti publikisht një qëndrim të tillë për herë të parë, gjatë fundjavës.

Sot ajo dënoi shpërthimin në një spital në Gazë që shkaktoi vdekjen e qindra palestinezëve dhe foli mbi përpjekjet e Izraelit për mbrojtjen e jetëve të civilëve si dhe nevojën për të mos penguar zgjerimin e paqëndrueshmërisë në rajon.

“E dimë se veprimet e Hamasit rrezikojnë të ndikojnë afrimin historik të marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe. Por kjo mund të shmanget. Paqëndrueshmëria mund të shmanget. Dialogut mes Izraelit dhe fqinjëve të saj mund dhe duhet të vazhdojë. Ky moment lufte duhet të jetë po aq momenti për vazhdimin e diplomacisë dhe për t’u angazhuar edhe më shumë me Izraelin dhe vendet e tjera në rajon”, tha zonja Von Der Leyen.

Ndërsa Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të unionit kanë dënuar bashkarisht sulmet e Hamasit, që lanë të vrarë 1300 izraelitë, kanë qenë të ndarë në qëndrime të tjera politike dhe veprimet e ndërmarra pas sulmeve.

Kjo ndarje e qëndrimeve ka vënë në dukje ndarjet e vjetra në mesin e Bashkimit Europian mbi Lindjen e Mesme dhe kufizimet e forta për ndikimin e tij në rajon.

Po aq ka minuar edhe qëndrimet e Bashkimit Europian se unioni ka të drejtë të trajtohet si aktor tepër i rëndësishëm gjeopolitik.

Mosmarrëveshje mes Spanjës dhe Izraelit, për shkak të kritikave për ofensivën në Gazë

Anëtarët e Qeverisë majtiste të Spanjës e kanë kritikuar ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke nxitur mosmarrëveshje mes dy vendeve.

Madridi zyrtar i ka hedhur poshtë si “të pavërteta” akuzat e Ambasadës së Izraelit në Spanjës se disa prej anëtarëve të Qeverisë spanjolle janë rreshtuar krah për krah me terrorizmin duke bërë “deklarata të turpshme”.

“Qeveria spanjolle i hedh poshtë kategorikisht të pavërtetat që përmban komunikata e Ambasadës së Izraelit për disa prej anëtarëve të saj”, shkroi Ministria e Jashtme e Spanjës të hënën vonë në X, ish-rrjetin social Twitter.

Ajo shtoi se nuk pranon “asnjë sugjerim të tillë të pabazë”.

Në komunikatën e saj, Ambasada e Izraelit tha se “anëtarë të caktuar të Qeverisë së Spanjës kanë vendosur të rreshtohen në radhët e terrorizmit të ngjashëm me ISIS-in”.

Përveç tjerash, tha ajo, “këto janë deklarata plotësisht të pamoralshme të cilat e rrezikojnë sigurinë e komunitetit hebraik në Spanjë”.

Ambasada izraelite nuk përmendi emra në deklaratën e saj.

Megjithatë, ministrja e Spanjës për të Drejta Shoqërore, Ione Belarra, e cila mori pjesë në tubimet pro-palestineze në Madrid të dielën, i përsëriti kritikat ndaj ofensivës izraelite në Gaza edhe të martën.

Ajo tha se askush nuk e mohon dhimbjen e shkaktuar nga sulmet e Hamasit në Izraelit “por Izraeli po e mohon dhimbjen e palestinezëve”.

“Ne duhet patjetër ta ngremë zërin për t’i dhënë fund përgjithmonë këtij gjenocidi”, tha Belarra në një intervistë për një radio.

Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor.

Ushtria izraelite e mohon se ka krizë humanitare në Gaza duke ngulur këmbë se ka furnizim me ujë dhe rrymë.rel

Macron: Vuçiçi t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit

Jetmira Delia-Kaci

Presidenti e Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës në Tiranë ka thënë se pret që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t’i dënojë prerazi sulmet në Banjskë. Më 24 shtator në Banjskë në një sulm nga një grup i armatosur serbësh u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Kurse në përleshjet që pasuan, u vranë tre sulmues.

Macron ka thënë se ka ndjekur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se është përgjegjësi e të dyja palëve që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës.

“Siç e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogadit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Është përgjegjësi e Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, ka deklaruar Macron në Tiranë.

Ndërkaq, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira, porse Kosova e ka futur veten në një, siç është shprehur ai, kurth.

“Folëm dje, në samit, me Kurtin dhe Bërnabiqin për situatën. Po sjell një fjalë të Mark Rutte kur iu drejtua të dyve. ‘Mos harroni kurrë se një kompromis më shumë se çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh’. Nëse bëjmë një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët, është shumë më e madhe e me kosto më të lartë se llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk i humbim”.

“Shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira. Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes. Do të ishte dramatike të humbiste të drejtën për të hyrë në BE. Të dyja palët kanë një plan, ai franko-gjerman, që është [gjëja] më e mira që mund t’i ndodhë Kosovës”, ka thënë Rama.

Ai ka rikujtuar shembullin që i kishte thënë ish-presidenti amerikan, Bill Clinton kur ishte për vizitë në Shqipëri.

“Thuaju miqve të mi në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës (ende pa nisur sulmet). Arafat kishte në tryezë marrëveshjen më të mirë të mundshme, Izraeli tha se do ta firmosë, të nesërmen ndërroi mendje. Palestina është shkatërruar jo nga Izraeli, por nga klasa e vet politike. E mira e madhe e Kosovës është ta firmosë dhe ekzekutojë gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, pastaj t’ia lërë në dorë BE-së”, ka rikujtuar ai.

Macron: Prania ime në Tiranë, tregues i riangazhimit të Francës në rajon

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi në Tiranë se vizita e tij tregon riangazhimin e Francës ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.

Vizita e parë e një presidenti francez në Shqipëri nisi mbrëmjen e së hënës. Macron është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Rama, ndërsa përfaqësues të dy qeverive kanë firmosur disa marrëveshje.

“Jam i lumtur që gjendem krah jush në një moment kaq delikat në Evropë. Të qenët krah jush është një formë riangazhimi i Francës ndaj jush dhe rajonit. Jam i bindur që vendi juaj është i ankoruar në Evropë. Po hyjmë në erën e re të ribashkimit të kontinentit tonë. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pakthyeshme”, ka thënë Macron.

Ai, gjithashtu, ka premtuar 600 milionë euro mbështetje për Shqipërinë, përmes disa projekteve të përbashkëta.

Ndërkaq kryeministri Edi Rama i ka thënë presidentit të Francës, se Shqipëria do të bëhet Evropa e Ballkanit, edhe pse ka ende shumë për të bërë në lidhje me reformat që kërkohen.

Rama ka theksuar se Shqipëria nuk ka nevojë për “korsi preferenciale” në rrugën drejt BE-së.
“Detyrat duhet t’i bëjmë një nga një. Shqipërisë nuk i intereson një datë, pasi mbetet një takim i parealizuar. Ne e bëjmë këtë proces për të ndryshuar historinë e vendit tonë, edhe jo për të bindur Francën apo një shtet tjetër”, ka thënë Rama.
Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka falënderuar presidentin Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit franko-gjerman.
Ai ka kërkuar mbështetje për dialogun dhe ka nënvizuar nevojën e dënimit dhe të dekurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat në veri të Kosovës.

Macron e ka nisur vizitën në Tiranë duke i akorduar një dekoratë të lartë të Republikës së Francës “Oficer i Madh i Legjionit të Nderi” shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Tuneli Mont Blanc mbyllet për dy muaj

 

Punë të rëndësishme mirëmbajtjeje për tunelin që lidh Italinë me Francën – Rihapja është planifikuar për në 18 dhjetor

 

Tuneli Mont Blanc do t’iu nënshtrohet punimeve të mëdha të mirëmbajtjes deri më 18 dhjetor 2023

 

VOAL- Tuneli Mont Blanc, një lidhje e rëndësishme rrugore me Francën, si për Italinë ashtu edhe për Zvicrën, do të mbyllet për dy muaj duke filluar nga mëngjesi i së hënës në orën 8.00. Puna e rëndësishme mirëmbajtjeje, e planifikuar për disa kohë dhe e shtyrë pas një rrëshqitjeje masive në luginën Maurienne në fund të gushtit, do të kryhet deri më 18 dhjetor. Pritet që rreth 90% e automjeteve të rënda do të devijohen drejt tunelit Fréjus.

Tuneli me dy drejtime është ndërtuar 60 vjet më parë dhe përdoret nga mijëra automjete çdo ditë. Rinovimi i tij është i një rëndësie jetike, siç shpjegohet nga koncesionari francez Autoroutes et Tunnel du Mont-Blanc.

Gjatë nëntë javëve, punimet do të përfshijnë zëvendësimin e elementeve të pllakës në seksionin qendror të tunelit dhe zëvendësimin e ventilatorëve në kasafortë, siç specifikohet nga operatori i tunelit GEIE-TMB më 27 shtator. Këto punime do t’i paraprijnë një “rinovimi provë të kasafortës (…) të shtyrë për në vitin 2024”, sipas të njëjtit burim.rsi-eb

Zgjedhjet në Poloni: Hera e fundit e Jaroslawit dhe Donaldit

 

Nga: Tomas Miglierina, dërguar në Varshavë

Sipas të gjitha gjasave kjo është sfida e tyre e fundit, kjo është ndoshta edhe arsyeja pse është kaq e ashpër. Donald Tusk, 66 vjeç, kryeministër nga viti 2007 në 2014 dhe më pas lider i Këshillit Evropian në Bruksel dhe Jarosław Kaczyński, 74 vjeç, i cili në vend të kësaj ishte kryeministër vetëm për dy vjet dhe shkoi jashtë vendit vetëm një herë në jetën e tij. përplasje për atë që me siguri do të jetë hera e fundit në këto zgjedhje parlamentare, rëndësia e të cilave shkon përtej kufijve polakë, në një Bashkimi Evropian tashmë në një klimë parazgjedhore.

Tridhjetë vjet më parë Tusk dhe Kaczyński u bashkuan nga militantizmi i tyre i përbashkët antikomunist në Solidarność; sot ata mishërojnë dy Poloni që flasin shumë pak me njëra-tjetrën, kuptohen akoma më pak dhe nuk i besojnë fare njëra-tjetrës. “Platforma qytetare” (PO) – e cila është pjesë e familjes popullore evropiane – është pjesa relativisht më urbane e shoqërisë, e cila shikon nga Brukseli dhe Berlini pa urrejtje apo dyshime dhe që, pa mohuar identitetin e vet, ka një marrëdhënie më laike. me ta. “Ligji dhe Drejtësia” (PiS) shpreh atë social-konservatorizëm që dyshon për çdo gjë që mund të dobësojë kombin në magmën globaliste.

Magma padyshim quhet para së gjithash Bashkimi Evropian. Në tetë vjet, PiS Polonia ka grumbulluar një numër rekord çështjesh përpara Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Shumica kanë të bëjnë me reformat që Varshava futi “për të depolitizuar një gjyqësor të trashëguar nga komunizmi”, por që sipas Këshillit të Evropës i ka bërë gjyqtarët të kontrollueshëm dhe të shantazhueshëm nga ata në pushtet pothuajse si në komunizëm. Në kulmin e mosmarrëveshjes me Brukselin, qeveria i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shprehte mendimin e saj për marrëdhëniet midis ligjit evropian dhe atij kombëtar. Dhe Gjykata – ku shumica e gjyqtarëve u zgjodhën nga qeveria – u përgjigj se ligji polak është para ligjit evropian. Mosmarrëveshjet me BE-në i kanë kushtuar Varshavës mungesën e aksesit në miliona euro fonde, por edhe kështu Polonia (anëtare e BE-së që nga viti 2004) mbetet në shifra absolute përfituesi më i madh i fondeve evropiane, por edhe i kontributeve zvicerane.

Jaroslaw Kaczyński është zyrtarisht vetëm një zëvendëskryeministër. Në krah të tij, kryeministri polak Mateusz Morawiecki.

“Kaczyński është i çuditshëm, por ne jemi më mirë me të. Me Tusk paratë shkuan vetëm në Varshavë”, thonë votuesit e PiS, të cilët jetojnë kryesisht në provinca. Madje ata nuk besojnë vërtet se Tusk është një shërbëtor i Gjermanisë ose është bashkëpërgjegjës për rrëzimin e avionit të vitit 2010 që vrau vëllain e Jaroslaw, Lech, i cili në atë kohë ishte president i Republikës. Por nuk është vetëm lideri i PiS që demonizon kundërshtarin e tij. “U ktheva për të luftuar të keqen,” tha Tusk për të në vitin 2021, duke shkuar aq larg sa të pyeste veten nëse nuk ishte gabim të largoheshe nga Polonia për të shkuar në Bruksel. Për më tepër, të dy nuk kanë zhvilluar një debat së bashku që nga viti 2007, dhe ishte Kaczyński mbi të gjitha ai që shmangu kundërshtarin e tij.

PiS është në krye në të gjitha sondazhet, por mund të humbasë një 5% të mirë në krahasim me katër vjet më parë, duke arritur në 36% të votave. Kjo do ta detyronte atë të pajtohej me partnerë më pak se të paraqitshëm, siç është lëvizja e re e ekstremit të djathtë “Konfederacja”, armiqësore ndër të tjera për mbështetjen e Ukrainës. Për të shmangur këtë skenar, qeveria ka vënë në shërbim të partisë sa më shumë pjesë të shtetit. Në të njëjtën kohë me zgjedhjet u thirrën katër referendume për po aq tema që janë tema të forta të partisë, si rritja e moshës së pensionit apo mekanizmi i shpërndarjes së emigrantëve.

Televizioni publik, plotësisht i kontrolluar nga qeveria, tregon çdo mbrëmje raporte të gjata duke përzier imazhe të Gazës dhe Lampedusa-s, më pas kryeministri Morawiecki shfaqet duke siguruar se nuk do t’i dorëzohet kurrë shantazheve të Brukselit ndaj emigrantëve, pastaj imazhet arkivore të Tuskut që synon të shtrëngojë duart dhe përkuluni para Angela Merkelit. Jo i gjithë shteti pranon ta luajë këtë lojë. Duket se dorëheqja shumë e fundit, e papritur dhe pa shpjegime publike, e shefit të Shtabit dhe e Shefit të Operacioneve të Ushtrisë janë të lidhura me përpjekjet e ministrit të mbrojtjes për të përfshirë forcat e armatosura në kauzën elektorale.

Më 1 tetor “Platforma Qytetare” (opozita) solli mbi një milion njerëz në rrugët e Varshavës.

 

Shpresa e platformës qytetare është t’i afrohet një barazimi dhe kjo tashmë do të ishte një mrekulli. Atëherë ndoshta mund të tentohet një aleancë me “Trzecia Droga” (rruga e tretë), koalicioni liberal, i cili megjithatë rrezikon të mos arrijë as pragun prej 8% të nevojshëm për të hyrë në Parlament. Nëse do të ishte kështu, votat e saj do të rishpërndaheshin në listat e tjera, në raport me rezultatet e arritura prej tyre. Do të ishte një dhuratë e bukur sidomos për PiS si parti me shumicë relative. Rregullat zgjedhore polake nënkuptojnë se abstenimi ose fragmentimi i përgjithshëm i ndihmon ata që janë tashmë në pushtet.

Ekonomia ndoshta do të udhëheqë votën mbi të gjitha dhe kjo nuk është e mirë për PiS, sepse inflacioni është ndër më të lartët në BE dhe rritja është ngadalësuar. Kundërshtarët e tyre më pas mësuan të mos përqendroheshin vetëm në qytetet e mëdha.

Ashtu si në Sllovaki, pushtimi rus i Ukrainës është një çështje e rëndësishme edhe këtu, por Polonia është padyshim më rezistente ndaj sirenave të Moskës sesa fqinji i saj jugor. Nëse dezinformacia e Kremlinit është në punë, duhet të përdorë taktika më të sofistikuara këtu. Polonia pret dy milionë refugjatë, por edhe para konfliktit ishte një destinacion i privilegjuar për fuqinë punëtore, tashmë i domosdoshëm për funksionimin e vendit duke qenë se polakët kanë shkuar në perëndim. Marrëdhëniet me liberalin Zelensky nuk janë gjithmonë të lehta – shih nën argumentet për grurin ukrainas, i cili ul çmimet e produktit vendas dhe zemëron fermerët, një rezervë elektorale e PiS – por në fund Kievi është shumë pjesë e historisë polake për të. ndryshim realisht strategji. “Polonia nuk do t’i braktisë ata”, na thotë një diplomat evropian. “Ukraina është në të kaluarën dhe në të tashmen e saj, do të jetë edhe në të ardhmen e saj”.

Cilido qoftë rezultati i sondazheve, është një e ardhme politike e paqëndrueshme që duket se i pret polakët. Një qeveri e mundshme jo e udhëhequr nga PiS, ndër të tjera, do të duhej të bashkëjetonte të paktën fillimisht me një President të Republikës që vjen nga partia e Kacińsky dhe ka të drejtën e vetos ndaj ligjeve. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen vitin e ardhshëm dhe mund të jenë momenti kur fytyrat e reja marrin frenat e politikës kombëtare. Njerëz si kryetari i bashkisë së Varshavës Rafał Trzaskowski, 51 vjeç, i cili drejton një qytet që tani nuk dallohet nga ai në Perëndim dhe është në favor të të drejtave LGBT. Ose Ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Zbigniew Ziobro, 53 vjeç, një katolik fondamentalist që është shpirti i të gjitha reformave të pushtetit gjyqësor. Dy Polonitë do të ndryshonin fytyrën e liderëve që i mishërojnë, por ndoshta do të vazhdonin të flisnin pak me njëra-tjetrën, të kuptonin më pak njëra-tjetrën dhe të mos i besonin fare njëra-tjetrës. rsi-eb

BE-ja do ta trefishojë ndihmën humanitare për Gazën

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen.

Komisioni Evropian ka thënë të shtunën se do ta trefishojë ndihmën humanitare për Gazën.

Ky vendim është marrë pasi Bashkimi Evropian është përballur me kritika për përgjigjen ndaj situatës atje.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres të shtunën, ka thënë Komisioni.

“Komisioni do ta rrisë menjëherë ndihmën humanitare për Gazën për 50 milionë euro”, ka thënë von der Leyen përmes një deklarate.

“Kjo do ta rrisë shumën e ndihmës në 75 milionë euro”.

“Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me OKB-së dhe agjencitë e saj për të siguruar që kjo ndihmë arrin te ata që kanë nevojë në Rripin e Gazës”, ka thënë mes tjerash von der Leyen.

Izraeli e ka ndërprerë ujin, rrymën dhe ndihmat për Rripin e Gazës, pas sulmeve të grupit militant Hamas, në tokën izraelite, një javë më parë.

Ky shtet i ka urdhëruar 1 milion palestinezë që të shpërngulen nga veriu në jug të Gazës, teksa përgatitet për një ofensivë eventuale ushtarake për ta luftuar Hamasin.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë pasditen e së shtunës se “faze e re po vjen”, pas është takuar me zyrtarë ushtarakë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje të shtunën për mbrojtje të civilëve në Rripin e Gazës.

“Teksa Izraeli ka të drejtë legjitime për t’i mbrojtur njerëzit dhe për t’u siguruar që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë, është tepër e rëndësishme që të gjithë të kujdesemi për civilët dhe jemi duke punuar në atë drejtim”, ka thënë Blinken.rel

Ministri italian e krahason Hamasin me nazistët

Militantët e Hamasit marshojnë gjatë një proteste kundër Izraelit në Qytetin Gaza, 8 korrik 2015.

 

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, e ka krahasuar grupin militant palestinez, Hamas, me nazistët, në një intervistë me gazetën La Stampa të premten.

Militantët e Hamasit “nuk janë ndryshe nga nazistët. Ata janë qyqarë. Një ushtar nuk do t’ia hiqte kokën një bebeje dymuajshe. Raketat po vazhdojnë të shkrepen nga Gaza. Hamasi duhet t’i ndalë sulmet me raketa ndaj Izraelit, përndryshe është e qartë se do të ketë kundërpërgjigje”, tha Tajani për gazetën italiane.

Militantët e Hamasit i thyen barrikadat e forta kufitare dhe u futën nga Gaza në jug të Izraelit të shtunën e kaluar, duke i vrarë mbi 1.300 njerëz në qytetet kufitare izraelite, përfshirë mbi 260 në një festival të muzikës, si dhe duke i plagosur 3.000 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me bombardime të mëdha ajrore mbi Gaza, duke i vrarë mbi 1.400 palestinezë dhe duke i plagosur më shumë se 6.600 të tjerë.

Tajani nënvizoi se Hamasi dhe palestinezët nuk janë të njëjtë.

“Palestina është diçka tjetër. Populli palestinez është viktimë e Hamasit”, tha ministri italian.

Tajani bëri thirrje që “terroristët të izolohen. Ne duhet të tregojmë se ka një popull arab e cila nuk ka asgjë të bëjë me ata”.

Ka pasur raportime shqetësuese rreth metodave të përdorura nga Hamasi për të vrarë njerëz në qytetet kufitare izraelite, përfshirë fëmijë. Por, Ushtria e Izraelit tha të enjten se nuk mund t’i konfirmojë as mohojë këto raportime.

Një ushtar izraelit kishte thënë për transmetuesin e Kfar Aza në jug të Izraelit se “terroristët ua prenë kokat fëmijëve dhe grave”.rel

Akullnajat evropiane thyejnë të gjitha rekordet e shkrirjes

 

VOAL- “Alpet evropiane kanë pësuar humbje të paprecedentë të masës së akullit”, thotë Organizata Botërore Meteorologjike (WMO). Dhe jo vetëm në Alpe, pothuajse kudo mbulimi i borës ishte më i ulët se normalja, përveç në disa zona të Amerikës së Jugut.

Alpet evropiane kanë pësuar humbje të paprecedentë të masës akullnajore

Për shkak të ngrohjes globale, “akullnajat dhe mbulesa e akullit po tërhiqen para syve tanë”, raporton Sekretari i Përgjithshëm i WMO, Petteri Taalas.

Përmbytjet dhe thatësirat po rriten në mënyrë dramatike dhe në përgjithësi, më shumë se gjysma e sistemeve lumore të botës kanë përjetuar kushte jonormale. Ashtu si në vitin e kaluar, shumica duhej të përballonin vëllime më të ulëta. Megjithatë, në disa raste, vëllimet ishin “shumë më të larta”, madje duke shkaktuar probleme.

Rryma e ngrohtë e El Niños dhe alarmi për aksesin e vështirë në ujë

“Kërkesa për ujë po rritet” për shkak të rritjes ekonomike dhe prodhimit të energjisë elektrike të gjelbër, u tha Taalas gazetarëve. Në total, më shumë se 70% e ujit të konsumuar nga njerëzit është i lidhur me bujqësinë, dhe deri në 90% në disa rajone të Azisë, tha një zyrtar i WMO. Familjet përdorin rreth 10%.

Aktualisht, më shumë se 3.5 miliardë njerëz nuk kanë qasje në ujë për të paktën një muaj në vit. Sipas OKB-së, kjo shifër pritet të rritet në mbi 5 miliardë deri në vitin 2050. “Shumica dërrmuese e fatkeqësive janë të lidhura me ujin”, nënvizon Taalas.

Së fundi, WMO fton edhe një herë aktorët dhe vendet e ndryshme të forcojnë sistemet e tyre dhe të ndajnë të dhënat e tyre. Vetëm rreth pesëmbëdhjetë vende dhanë të dhëna për raportin e këtij viti, por ai mbulon shtatë herë më shumë vende të motit sesa vitin e kaluar.rsi-eb

Gjermania kërkon zbardhjen e ngjarjeve në Banjskë dhe qetësimin e situatës

Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka thënë të mërkurën se ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës duhet të sqarohen dhe se gjendja duhet të qetësohet.

“Situata aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, e as për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, tha Konrad për gazetën Blic të mërkurën.

Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen kushte për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe zbatimin e dy marrëveshjeve të arritura këtë vit në Bruksel dhe Ohër.

Konrad, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat e Kosovës me shumicë serbe dhe kthimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në institucionet e Kosovës.

Pas sulmit kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, nga Bashkimi Evropian (BE) u dërguan sinjale se masat ndaj Serbisë janë të mundshme, nëse vërtetohet se ajo ka lidhje me këtë sulm.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Më 2 tetor, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Brukseli është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur dhe se, në bazë të asaj, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme kundër Serbisë.

Masa ndaj Serbisë kërkuan në të njëjtën ditë kryeministrat e Kroacisë dhe Shqipërisë, Andrej Plenkoviq dhe Edi Rama.

Paraprakisht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ia ka përmendur një mundësi të tillë në një bisedë telefonike.rel

BE: Serbia të bashkëpunojë pa kushte për ndriçimin e ngjarjeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës

VOA/Edlira Bllaca

Bashkimi Evropian tha të hënën se pret bashkëpunim pa kushte nga Serbia për ndriçimin e ngjarjeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve të kthehen në tryezën e bisedimeve si e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë arritën një shkallë të pashembullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës pas 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se të dyja palët duhet të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve, duke nënvizuar se blloku pret bashkëpunim pa kushte të Serbisë për ndriçimin e ngjarjeve të 24 shtatorit.

Nuk është se thjeshtë presim bashkëpunim të plotë, por presim bashkëpunim pa kushte nga Serbia, dhe kur ka vullnet ka edhe rrugëdalje. Nuk ka nevojë të fshihet askush prapa çështjeve formale si njohja apo mosnjohja e një shteti, ka mjaft mënyra se si mund të ndash të gjeturat tua, si mund të bashkëpunosh dhe të kontribuosh në hetimin e plotë”, tha zoti Stano.

Kosova akuzon Serbinë për organizmin e sulmit ndaj policisë, por Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojcic, nënkryetari i deritashëm i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.

Rrethanat e sulmit, tha zoti Stano, “duhet të sqarohen deri në fund në mënyrë që të kemi një fotografi të qartë rreth asaj se çfarë ndodhi, përse ndodhi dhe kush morri pjesë e kush e organizoi. Duke u bazuar në këto të gjetura Bashkimi Evropian do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në qasjen tonë ndaj Serbisë, Kosovës, ndaj dialogut dhe rajonit në tërësi”, tha ai.

Autoritetet në Kosovë kërkojnë ndëshkimin e Serbisë për sulmin e 24 shtatorit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi të hënën me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s me seli në Napoli, Admiralin Stuart B. Munsch, ritheksoi kërkesën për masa konkrete kundër Serbisë pas atij, që ajo e cilësoi akt agresioni ndaj Kosovës.

Bashkimi Evropian këmbëngul se do ta shqyrtojë mundësinë e vendosjes së masave pasi të kenë përfunduar të gjitha hetimet rreth 24 shtatorit.

Komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia javën e kaluar e vlerësoi situatën në veri të Kosovës si të paqëndrueshme dhe me mundësi përshkallëzimi. NATO-ja tanimë ka filluar shtimin e trupave në terren mes shqetësimeve për gjendjen e sigurisë.

Liderët e BE-së diskutojnë për zgjerimin dhe situatën në Kosovë

VOA

Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen të premten në Granada të Spanjës për të diskutuar për çështjet më sfiduese për bllokun: migrimin, zgjerimin dhe gjeopolitikën.

Muajve të fundit është vërejtur rritje e numrit të migrantëve në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, pavarësisht përparimit të arritur në negociatat për një reformë, migrimi mbetet temë që shkakton ndasi të thella brenda bllokut evropian.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritet të bisedojë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në margjina të takimit, pasi Meloni është shprehur e habitur me ndihmën financiare gjermane për organizatat civile që shpëtojnë emigrantët në zonën e Mesdheut.

Mbetet të shihet nëse liderët e BE-së do të mund të pajtohen për një deklaratë të përbashkët për emigrimin, pas tentimit të fundit të dështuar në qershor.

Një tjetër temë në agjendë është zgjerimi dhe idetë e ndryshme për reforma potenciale, në mënyrë që blloku të mbetet operacional nëse BE-së i shtohen më shumë vende.

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë aplikuar për anëtarësim në BE, duke e rritur në 10 numrin e vendeve që synojnë bllokun evropian.

Shumë liderë të BE-së, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë në prag të takimit se “edhe BE, edhe vendet kandidate, duhet ta kryejnë pjesën e tyre të punës“.

Disa liderë kanë thënë se viti 2030, të cilin e ka përmendur presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, si afat për t’u bërë gati për zgjerim, është një shtytje e mirë politike.

Disa e shohin këtë datë si shumë të largët, të tjerë si shumë të shpejtë.

Kur janë pyetur për vendime konkrete rreth zgjerimit, liderët e BE-së kanë thënë se kjo do të varet nga raportet e progresit që Komisioni Evropian do t’i publikojë në fillim të muajit nëntor.

“Duke shikuar para drejt një bashkësie më të zgjeruar si BE-ja, ashtu edhe vendet e ardhshme anëtare duhet të bëhen gati. Vendet aspirante duhet ta përshpejtojnë punën e tyre në reforma, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me qasjen e zgjerimit, sipas parimit të meritave individuale dhe me asistencë të BE-së. Paralelisht, BE-ja duhet t’i vendosë themelet për t’u bërë gati për zgjerim. Ne do t’i paraqesim ambiciet tona afatgjate dhe mënyrën se si t’i arrijmë ato”, përmendet në draftin e Deklaratës që liderët e bllokut pritet ta miratojnë në Granada.

Ata pritet të diskutojnë edhe për prioritetet strategjike të bllokut për të ardhmen, përfshirë kapacitetet në mbrojtje, sigurinë energjetike, dhe përgjigjen kolektive ndaj krizës klimatike dhe pavarësinë ekonomike të 27 vendeve anëtare.

Diskutime për Kosovën

Burimet diplomatike në BE kanë thënë se në samitin e 6 tetorit do të flitet edhe për situatën në Kosovë dhe tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Të njëjtat burime kanë thënë se ekziston një presion nga shumë vende anëtare që të vendosen masa ndaj Serbisë.

Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

Shumë liderë kanë bërë thirrje që të ulen tensionet dhe që edhe Kosova edhe Serbia të kuptojnë se normalizimi i raporteve mes tyre është po ashtu kusht për përparim drejt integrimit në BE. Këtë e ka thënë para gazetarëve edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Një ditë para samitit të BE-së në Granada, në margjina të një samiti të Bashkësisë Politike Evropiane, janë zhvilluar disa takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, por nuk është arritur që të organizohet një takim mes tyre.

Të paktën 21 të vdekur pas rrëzimit të një autobusi nga ura në Venecia

Të paktën 21 persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur pas rrëzimit të një autobusi nga ura afër qytetit të Venecias në Itali.

Autobusi është përplasur mbrëmjen e së martës në pengesë dhe më pas ka rënë në binarët e trenit në zonën Mestre, e cila lidhet me Venecian përmes një ure.

Në mesin e të vdekurve janë pesë ukrainas, një gjerman, dhe shoferi italian, ka thënë kryetari i zonës Mestre, Michele Di Bari.

Kryetari i Vencias Luigi Brugnaro, e ka përshkruar incidentin si “tragjedi të madhe”.

“Një skenë apokaliptike, nuk kam fjalë”, ka thënë ai në rrjetet sociale.

Autobusi besohet se është marrë me qira për t’i dërguar turistët në Venecia prej një kampi të afërt.

Në disa raportime është thënë se autobusi ka funksionuar me gaz dhe kur ka rënë në kontakt me rrymën e binarëve të trenit, është përfshirë nga flakët.

Shkaku i saktë i përplasjes nuk dihet ende, dhe ekipet e shpëtimit janë duke punuar në vendin e ngjarjes.

Të paktën 18 persona janë plagosur, pesë prej tyre seriozisht.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka thënë se është duke i vëzhguar nga afër zhvillimet dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat.rel

Pas Britanisë, edhe Gjermania e gatshme të nisë trupa shtesë në Kosovë

Berlini zyrtar po e shqyrton mundësinë e forcimit të misionit paqeruajtës në Kosovë, drejtuar nga NATO.

Ata po planifikojnë dërgimin e trupave shtesë në KFOR të forcave të armatosura nga Mbrojtja Federale, (Bundeswehr).

‘Komisioni i Mbrojtjes Federale është duke e vëzhguar çështjen e Kosovës’, shkruan Spiegel.

‘Nëse është e nevojshme, ne do të shkojmë më shumë atje’, thotë Marie-Agnes Strack-Zimmermann, kryetare e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag.

Ky zhvillim vjen si pasojë e aktit terrorist serb në Banjskë, por dhe si shkak i kërcënimeve serbe ndaj Republikës së Kosovës.

‘Gjermania, në konsultim me aleatët e saj, duhet të kontrollojë shpejt nëse mandati i KFOR-it po përmbushet plotësisht dhe të dërgojë më shumë ushtarë në Kosovë’, ka thënë politikani i Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, kryetar i Komitetit të Evropës së Bundestagut.

Derisa edhe kolegu i tij i grupit parlamentar, Philip Krämer, bëri një deklaratë të ngjashme:

‘Republika Federale duhet gjithashtu të shqyrtojë shkallën në të cilën forcat shtesë të Bundeswehr-it mund të vihen në dispozicion brenda kornizës së mandatit aktual, edhe nëse kjo do të nënkuptonte një barrë shtesë duke pasur parasysh misionet e tjera të shumta’.

NATO njoftoi javën e kaluar një shtim të trupave të saj të KFOR-it. Si rezultat, dje Britania e Madhe konfirmoi dislokimin e një kontigjenti të plotë mbretëror prej 200 trupave për në Kosovë.

Bundeswehr aktualisht ka vetëm 85 ushtarë të pozicionuar në Kosovë, por mandati, i cili u zgjat për herë të fundit nga Bundestagu në maj, parashikon deri në 400 trupa të Bundeswehr-it në terren.

‘Kështu që ka ende vend për përmirësim pa pasur nevojë të ndryshohet mandati’, shton Marie-Agnes Strack-Zimmermann, politikanja e FDP-së.

Derisa politikani i jashtëm i SPD-së, Adis Ahmetoviq potencoi se ‘Duhet të sigurojmë mandatin e KFOR-it me më shumë forca të armatosura.’

Qeveria e Serbisë po e vë në rrezik stabilitetin në rajon, thotë ai, dhe shprehu dyshime për perspektivat e Kandidatët e BE-së për t’u bashkuar me komunitetin e shteteve:

‘Kredibiliteti i Serbisë në dëshirën për t’u bërë anëtare e BE-së po vihet gjithashtu në pikëpyetje gjithnjë e më shumë nga ngjarje si këto’, deklaroi ai, transmeton klankosova.tv.

Ndërsa fraksioni i Unionit akuzoi qeverinë e semaforëve se ishte bashkëpunëtore në përshkallëzimin e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës.

‘Semafori ka hequr dorë në mënyrë të panevojshme nga roli udhëheqës i gjatë dhe i suksesshëm i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor’, thotë zëdhënësi i politikës së saj të mbrojtjes Florian Hahn (CSU).

Në Republikën Federale të Gjermanisë, koalicioni i semaforëve (Ampelregierung eine Mitschuld) i referohet bashkëpunimit të tre partive politike SPD, FDP dhe Aleanca ’90/Të Gjelbërit, për të formuar një shumicë qeveritare (e kuqe, e verdhë, jeshile = krahasim me nje semafor).

Kryediplomatja gjermane sërish thirrje Serbisë: Tërhiqni trupat në kufirin me Kosovën!

Mininstria e punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Baerbock, sërish bëri thirrje nga Kievi, që Serbia të reduktojë trupat në kufi me Kosovën. Baerbock tha nga Kievi i Ukrainës, se nuk duhet të ketë “tensione të tjera midis Serbisë dhe Kosovës.” Zvogëlimi i numrit të ushtarëve serbë në kufi është “apeli urgjent këtu sot nga takimi ynë i përbashkët në Kiev”, tha ministrja një ditë pas vajtjes në Prishtinë të të ngarkuarit të saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Por Gjermania ende nuk e ka vendosur nëse do ketë rritje të kontingjentit gjerman të KFOR-it. Një zëdhënës i ministrisë gjermane të Mbrojtjes i tha të hënën DW: “Jemi duke e monitoruar nga afër situatën dhe jemi në kontakt të ngushtë me qeverinë kosovare dhe aleatët tanë të NATO-s për hapat e mëtejshëm të mundshëm. Është e rëndësishme t’i peshojmë të gjitha argumentet.”

Më parë, për shkak të situatës së tensionuar në Kosovë, përfaqësues të SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së janë shprehur për forcimin e forcës paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe po sugjerojnë dërgimin e forcave shtesë të Bundeswehr-it. “Gjermania, duke u konsultuar me aleatët e saj, duhet të shqyrtojë së shpejti nëse mandati i KFOR-it po përmbushet plotësisht dhe të dërgojë më shumë ushtarë në Kosovë”, tha politikani i Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, kryetar i Komitetit për BE në Bundestag, për revistën “Spiegel”. Kolegu i grupit parlamentar të Hofreiterit, Philip Krämer , tha se Gjermania duhet të shqyrtojë gjithashtu shkallën në të cilën forcat shtesë të Bundeswehr-it mund të vihen në dispozicion brenda kornizës së mandatit aktual.

Edhe raportuesi socialdemokrat për Ballkanin Perëndimor, Adis Ahmetoviç, nga radhët e SPD-së, bëri thirrje që mandatit të KFOR-it, t’i jepen më shumë forca të armatosura. Në një deklaratë për media, Ahmetovic ishte shprehur për masa shtesë të Komisionit të BE-së për të parandaluar shkallëzimin e situatës. Ai tha se mobilizimi i forcave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, është një sulm ndaj Evropës liberale.

NATO përforcon trupat në Kosovë

NATO njoftoi së fundmi do t’i rrisë trupat e KFOR-it, pas shtimit të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës. Sipas një zëdhënësi të aleancës së mbrojtjes, në Kosovë do të shtohen rreth 600 forca britanike. Ndërkohë 200 syresh kanë mbërritur në Kosovë, bën të ditur DW.

Bundeswehr-i gjerman ka aktualisht 85 ushtarë të stacionuar në Kosovë. Mandati, i cili u zgjat për herë të fundit nga Bundestagu në maj, parashikon deri në 400 ushtarë, në rast nevoje. Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, Marie Agnes Strack Zimmermann, nga Partia Liberale, FDP, tha se mund të dërgojmë edhe më shumë nëse është nevoja, por jemi duke e monitoruar situatën.

Grupi parlamentar i Unionit Kristiasocial akuzoi qeverinë e koaliciont të qendrës së majtë si bashkëpunëtore në përshkallëzimin e tensiioneve midis Beogradit dhe Prishtinës. “Qeveria aktuale ka hequr dorë në mënyrë të panevojshme nga roli udhëheqës i gjatë dhe i suksesshëm i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor,” i tha revistës zëdhënësi i politikës së mbrojtjes Florian Hahn (CSU).

Serbia nga ana e saj siguroi të hënën se numri i ushtarëve në kufi ishte kthyer në një nivel “normal”. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm tha se numri është reduktuar nga 8350 në 4500./DW/

Partia populiste pro-Moskës fiton zgjedhjet në Sllovaki

Partia populiste pro-Moskës e udhëhequr nga ish-kryeministri, Robert Fico, ka fituar zgjedhjet parlamentare të Sllovakisë, me pothuajse të gjitha votat e numëruara.

Partia Smer-SSD kishte një epërsi të qartë me pothuajse 24 për qind të votave, pavarësisht nga sondazhet që sugjeronin fitoren e partisë liberale të qendrës.

Ai pritet të nisë bisedimet e koalicionit për formimin e qeverisë së ardhshme.

Partia liberale Progresive Sllovakia, e cila në sondazhet kishte dalë se do të fitonte zgjedhjet, mori rreth 17 për qind. Partia pro-evropiane Hlas, e cila mund të vendosë se kush do të formojë qeverinë e ardhshme, doli e treta me 15 për qind.

Ish-kolegu i Fico-s dhe lideri i majtë i Hlas, Peter Pellegrini i mbajti të hapura opsionet e tij për koalicionet e ardhshme.

‘Shpërndarja e vendeve konfirmon Hlas si një parti pa të cilën asnjë koalicion qeveritar që funksionon normalisht nuk mund të bashkohet’, tha Pellegrini, raporton BBC.

Fico mund të bashkohet me Hlas, e cila u nda nga Smer në 2020, dhe Partia Kombëtare Sllovake nacionaliste që fitoi 5 për qind.

Mund të ketë deri në 10 parti në parlamentin e ri, nga libertarianët deri tek e djathta ekstreme, gjë që mund ta bëjë procesin e koalicionit të gjatë dhe të ndërlikuar.

‘Nëse Smer hyn në qeveri, ne nuk do të dërgojmë asnjë ngarkesë të vetme me municione në Ukrainë’, u tha së fundmi Fico mbështetësve.

Kërcënimi ka çuar në shqetësime midis anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa ka fituar mbështetje në mediat sociale midis sllovakëve, të cilët tradicionalisht kanë ndjenja miqësore ndaj Moskës.

Sllovakia ka qenë një aleat besnik dhe i palëkundur i Kievit, duke furnizuar raketa dhe helikopterë tokë-ajër dhe madje duke dhuruar të gjithë flotën e saj të përdorur të avionëve luftarakë MiG-29.

Franca emëron të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor

VOA

Franca emëroi diplomatin Rene Troccaz si të dërguar të posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në një njoftim të ministrisë së Jashtme thuhet se emërimi i tij është në përputhje me përfshirjen e shtuar të Francës në rajon në sfondin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

“I dërguari i posaçëm do të përfshihet në çështjet më të rëndësishme të politikës rajonale, në bahskërendim me homologët e tij evropianë dhe amerikanë. Ai do të vëzhgojë gjithashtu nismat e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht Procesin e Berlinit”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Njoftimin e bëri në një postim në rrjetin X të njohur deri vonë si Twitter edhe vet diplomati Troccaz, i cili mbante postin e Konsullit të Përgjithshëm të Francës në Jerusalem, ndërsa më parë kishte shërbyer si ambasador i Francës në Qipro si dhe kishte mbajtur poste të ndryshme në ministrinë e Jashtme dhe atë për Evropën.

Zoti Troccaz do të jetë i dërguari i pestë perëndimorë për rajonin.

Aktualisht zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar është në postin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Sir Stuart Peach i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe, ndërsa Miroslav Lajçak, në detyrën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor. Manuel Sarrazin është i dërguar i Gjermanisë për rajonin.

Që të gjithë janë pjesë e përpjekjeve për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Emërimi i të dërguarit ndodhë në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi të dielën më 24 shtator një grup personash të armatosur qëlloi mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie dhe plagosur një tjetër.

Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks të fshatit duke vazhduar të qëllojë mbi forcat e rendit. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe diplomatë të vendeve perëndimorë.

Serbia mohoi çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur, ndërsa Kosova akuzon Beogradin për organizimin dhe mbështetjen e tij.

Ngjarja ka nxitur shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit, ndërsa vëzhguesit thonë se mund të ketë dëmtuar rëndë procesin edhe ashtu të vështirë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Deputeti holandez i prerë: Koha për një përgjigje të fortë ndaj lëvizjeve të trupave të Serbisë

Deputeti holandez, Sjoerd Wiemer Sjoerdsma ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dialogun me Serbinë.

Në disa postime në X ai shkruan se është koha për një përgjigje shumë të fortë nga Brukseli dhe NATO ndaj lëvizjeve të trupave serbe. Sjoerdsma thekson se përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme, Josep Borrell ka vendosur me shumë vonesë që të ‘zgjohet’ rreth Serbisë dhe e ka zhgënjyer plotësisht Kosovën.

“Koha për një përgjigje shumë të fortë ndaj lëvizjeve të trupave serbe nga Brukseli dhe NATO. Deri tani, vetëm Blinken ka ndërmarrë veprime. E paralajmëruar që nga vera e tutje se politika jonë për Serbinë ishte krejtësisht e gabuar. Ministria jonë e Punëve të Jashtme vetëm donte t’i shikonte të gjitha. Dhe tani ja ku jemi…”, -shkruan ai.bw

Lëvizje historike, Macron po i ofron Korsikës autonomi pa të drejtë shkëputje nga Franca

Në një fjalim në Asamblenë Rajonale të Korsikës, Emmanuel Macron propozoi një tekst kushtetues që do t’i jepte autonomi Korsikës brenda shtetit francez. Korsika mbajti frymën këtë mëngjes ndërsa Emmanuel Macron iu drejtua Asamblesë Rajonale në Ajaccio.

“Nuk do të jetë autonomi kundër shtetit, as autonomi pa shtetin, por autonomi për Korsikën dhe brenda republikës”, shpjegoi ai. Ky propozim unik vjen pas diskutimeve disamujore mes qeverisë dhe liderëve politikë vendorë. Ajo kulmoi të mërkurën në një darkë në prefekturën e Ajaccio, ku të gjithë hodhën letrat e fundit në tryezë. Diskutimet filluan pas një shpërthimi të dhunës në ishull në vitin 2022.

Vdekja e aktivistit pro-pavarësisë Yvan Colonna, i sulmuar në burgun e Arles, ku po vuante një dënim të përjetshëm për vrasjen e prefektit korsikan, Claude Erignac në Ajaccio në vitin 1998, shkaktoi demonstrata të dhunshme. Nacionalistët, të cilët kontrollojnë Asamblenë e Korsikës, po bëjnë thirrje për pushtet legjislativ, statusin e rezidencës korsike, statusin bashkëzyrtar të gjuhës korsike dhe përfshirjen e nocionit të popullit korsik në Kushtetutë.

Krahu i djathtë i ishullit, nga ana tjetër, thotë se është vetëm në favor të “përshtatjes” së ligjeve franceze me karakteristikat specifike të Korsikës. Macron kishte vendosur vija të shumta të kuqe, duke filluar me refuzimin për të pasur dy kategori qytetarësh në Republikën Franceze, që përjashton statusin e rezidentit dhe statusin bashkëzyrtar për gjuhën korsike.bw

BE: Nuk mund të barazohen terroristët me viktimat e terrorizmit

Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë lidhur me shpalljen e ditës së zisë për sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës më 24 shtator.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për gazetarët se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

Ai shtoi se në zyrat e BE-së në Prishtinë flamuri u ul në gjysmështizë të hënën – pasi në Kosovë ishte ditë zie – për të nderuar policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, por nuk ka vepruar kështu kur në Serbi u shpall ditë zie.

“Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është fundamentalisht kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha Stano.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk mund t’i konsiderojë “kurrë terroristë” sulmuesit në Banjskë. Duke u përgjigjur në pyetjet për këtë deklaratë, Stano tha se sipas BE-së, sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ishte sulm terrorist dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe hetohet.

“Para së gjithash më lejoni të përsëris shumë qartë qëndrimin e Bashkimit Evropian për atë që ndodhi të dielën. Ai ishte një sulm terrorist dhe si sulm terrorist duhet të hetohet. Dhe ata që janë përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë. Secili që ka rol duhet të bashkëpunojë në mënyrë që ky sulm terrorist jo vetëm të hetohet në tërësi, por të ketë përgjigje para drejtësisë për ata që e planifikuan, kryen dhe që qëndrojnë prapa këtij sulmi”, tha Stano.

Ai shtoi se BE-ja “nuk lëshohet në komente për çdo deklaratë apo secilin interpretim”, por theksoi se “duhet të ketë qartësi për atë që ndodhi të dielën”.

Më herët BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur nëse do të ndërmarrë masa, teksa në bllok disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet për rastin në Banjskë të Zveçanit.

Çfarë ndodhi në veri më 24 shtator?

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur – që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash – më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se udhëheqës dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe ai do të merret në pyetje nga organet serbe.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.rel

(Video)Deputeti i Bundestagut Michael Brand: Vuçiq dhe Daçiq, bashkëpunëtorët e ngushtë të Milosheviçit në vitet ’90 nuk janë penduar aspak, përkundrazi

Deputeti i Bundestagut  Michael Brand nga CDU/CSU në fjalën e tij në parlamentin gjerman ve gishtin tek shkaktarët e destabilitetit në Ballkan. Presidenti Aleksandër Vuçiq dhe ministri i jashtëm i Serbisë Daçiq, bashkëpunëtorë të ngushtë të Milosheviçit në vitet ’90 nuk janë penduar aspak, përkundrazi. Ndiqeni më poshtë fjalën e deputetit gjerman:

 

“Në analizën përse KFOR duhet të qendrojë në Kosovë është situatë e qartë për republikën e Kosovës. Shumica e ekspertëce e kanë një mendje se nëse nacionalizmin agresiv të ushëheqjes serbe e heq nga ekuacioni politik, 80% e tensioneve në të gjithë Ballkanin shumë shpejt do të zgjidhen.

Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe ministri i jashtëm Daçiq, bashkëpunëtorët më të ngushtë të kriminelit të luftës Millosheviq gjatë viteve ’90 nuk janë penduar aspak, por e kundërta.

Sot këta kriminelë të luftës i shpallin heronj mohojnë gjenocidet e kryera dhe flasin për vepra heroike.

Mediat e tyre nxisin urrejtje sikur ato të Putinit në Rusi dhe pohojnë kundër të vërtetës që serbët janë të rrezikuar. Këta dy persona e rrezikojnë lirinë dhe drejtësinë në Serbi. dhe rrezikojnë paqen në Ballkan dhe krejt kjo deri më tani nuk ka asnjë pasojë nga BE.

Bashkimi Evropian dhe qeveria Gjermane e nderuara ministre e jashtme Baerbock, verojnë ende ashtu sikur nuk ka asgjë dhe sikur nuk ka nevojë të ndërhyjë askush, por nuk është ashtu.

Udhëheqësit e serbisë kanë ideologji raciste e cila është bërë udhëzues shtetëror që për Putinin është ajo bota Ruse “Ruskimir” e cila sot e kësaj dite është baza për luftën kundër Ukrainës “Serbski sweet” është kopje e botës serbe “Serbski sweet” e cila është krijuar për qeverisjen e presidentit Vuçiq.

Shefi i shërbimit sekret Vulin, po ashtu bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit shprehet se bashkimi i serbëve në Ballkan duhet të bëhet nën udhëheqjen e Vuçiqit.

Opozita serbe paralajmëron që këto ideologji bartin rrezik për luftë.

Mbrojtjen nga kjo luftë e bën NATO-ja dhe SHBA-ja jo BE-ja që është si tigër prej letre.

Pavarësisht të gjitha miliardave BE-ja po e humb besimin dhe ndikimin.

Ndikimi i Rusisë paradoksalisht edhe pas gjenocidit në Ukrainë po rritet në Ballkanin Perëndimor.

Udhëheqja serbe është problemi kyç. Ajo punon aktivisht kundër Perëndimit në bashkëpunim me Putinin.

Prej Vuçiqit vjen ky citim: “Zemra ime është në Moskë”.

Daçiqin e quajnë në Beograd me emrin “Zoti Moskë”.

Edhe pas sulmit në Ukrainë, Serbia ka bërë marrëveshje me Rusinë për t’u koordinuar me politikat e jashtme.

Kjo është shkelje e rëndë e marrëveshjeve me BE.”

 

 

Kryediplomatja gjermane: Serbia të bëjë thirrje për heqje dorë nga dhuna

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, kërkoi nga Serbia që të bëjë thirrje për heqje dorë nga dhuna.

Përmes një postimi në X, kryediplomatja gjermane tha se pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator, “të githë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe”.

“Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe. Në këtë situatë të tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë se çfarë bëhet për shtensionim të situatës. Serbia, në veçanti, duhet të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.

Një grup i maskuar dhe i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe – më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi përleshjen e armatosur me Policinë e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se tre sulmues janë vrarë dhe tetë persona janë arrestuar.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.

Sulmi është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.rel

Von Cramon pas publikimit të videos ku shihet Radojiçiqi pyet Borellin: Kur do të sanksionohen këta njerëz?

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas videos të publikuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ku shihet se pjesë e grupit terrorist ka qenë edhe nënkryetari i Listë Serbe, Milan Radojiçiq.

Von Cramon ka etiketuar kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, Oliver Varhlelyi dhe Ursula Von Der Leyen, duke i pyetur se kur do t’i sanksionojnë këtë persona.

Ajo ka thënë se ata udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.

Kur do të fillojë më në fund sanksionimi i këtyre djemve këtu? Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka nja dy kriminelë të tjerë) që të udhëtojnë në vende? Ky do të ishte të paktën një fillim (siç bëri SHBA disa kohë më parë).” – ka shkruar ajo në platformën X (ish-tëitter).

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje ku shihet Milan Radojçiq si pjesë e grupit terrorist dhe sulmit ndaj policisë, ku mbeti i vrarë një polic.

Lamtumira e fundit Giorgio Napolitanos

Funerali laik i ish-Presidentit të Republikës u bë në dhomën e Romës – ishin të pranishëm disa krerë shtetesh të huaj, duke përfshirë Macron dhe Steinmeier

 

VOA- Në Romë, në Dhomën e Deputetëve, u zhvillua sot (e martë) varrimi laik i ish-presidentit të Republikës, Giorgio Napolitano, me praninë e personaliteteve të shumta italiane dhe ndërkombëtare. Arkivoli u largua vonë në mëngjes nga Palazzo Madama, ku ishte vendosur dhoma funerale.

Mes të ftuarve të shumtë të pranishëm janë edhe disa krerë shtetesh të huaj, si francezi Emmanuel Macron dhe gjermani Franck-Walter Steinmeier, por edhe ish-presidentja franceze Françoise Hollande, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dukesha e Edinburgut, Sophie Helen. Rhys-Jones.

Protagonistët e politikës italiane kanë nënvizuar gjatë fjalimeve të tyre kalibrin e Napolitanos. “Sot i japim lamtumirën e fundit një protagonisti të historisë sonë republikane siç është Presidenti Emeritus Giorgio Napolitano. Me hyrjen në Parlament më 25 qershor 1953, ai mbajti të gjitha rolet më prestigjioze institucionale të Republikës sonë”, tha për shembull Presidenti i Senatit Ignazio La Russa.

Në total, ceremonia zgjati pak më shumë se një orë e njëzet minuta. Deputetët qëndruan në sallë për të lejuar zhvillimin e protokollit ceremonial.rsi-eb

Tajani: Po punojmë për të përforcuar praninë e KFOR-it në kufirin Kosovë – Serbi

VOA

Shefi i diplomacisë italiane Antonio Tajani paralajmëroi përforcimin e pranisë së trupave të NATO-s në kufirin Kosovë-Serbi, për të parandaluar përleshjet e mëtejshme, mes shqetësimeve për ripërtëritjen e dhunës në rajon.

Ai e bëri këtë paralajmërim në rrjetin X, i njohur deri vonë si Twitter, në të cilin tha se ka biseduar me presidentin (e Serbisë Aleksandar). Vuçiç dhe me kryeministrin (e Kosovës Albin) Kurti, duke u bërë thirrje për inkurajim të dialogut mes palëve.

“Në marrëveshje me (ministrin Italian të Mbrojtjes) Guido Crosetto ne punojmë për të forcuar praninë e KFOR-it në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe parandalimin e përleshjeve të mëtejshme”, thuhet në postim.

Paralajmërimi pasoi përleshjet e së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku një grup personash të maskuar dhe me uniforma ushtarake sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër.

Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë, ndërsa gjashtë veta u arrestuan.

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë. Kryeministri Kurti tha se grupi i armatosur kishte mbështetjen e autoriteteve në Serbi, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç, mohoi çfarëdo lidhjeje me grupin.

Të hënën i dërguari i evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan për situatën në Kosovë dhe bisedimet mes palëve.

“Këshillime të ngjeshura dhe shumë thelbësore me këshilltarët kryesorë diplomatikë (të Francës, Emmanuel) Bonne, (të Gjermanisë, Jens) Plotner, (të Italisë, Francesco) Talo dhe të dërguarin Escobar. Diskutuam për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe situatën në veri. Mirënjohës për mbështetjen e tyre”, shkroi zoti Lajçak.

Zyrtarë të BE-së thanë se ai është vënë në përpjekje për takime të reja në Prishtinë dhe Beograd në orvatje për ripërtëritjen e bisedimeve, raundi i fundit i të cilave që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, nuk shënoi ndonjë përparim.

Sulmi i së dielës shënon një nga ngjarjet më të rënda në Kosovë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Nëntë vjet pas përfundimit të luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Franca dënon sulmin ndaj policisë së Kosovës

Ministria e Jashtme e Francës ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Përmes një reagimi Franca thirrje që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë. “Franca dënon ashpër sulmin e papranueshëm ndaj policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator, duke lënë të vdekur një polic dhe dy të tjerë të plagosur. Franca shpreh ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe bën thirrje që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë”, është theksuar në reagim.

Parisi zyrtar ka deklaruar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja mënyrë “për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

 

“Rëndësia e këtyre ngjarjeve nënvizon nevojën urgjente që Serbia dhe Kosova të veprojnë me përgjegjësi për të ulur tensionet dhe për t’u riangazhuar me mirëbesim në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe t’i lejojë ata të bëjnë përparim drejt BE-së”, është thënë në reagim.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Katër sulmues mbetën të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona. Institucionet e Kosovës deklaruan se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.bw

Rohde e kritikon Listën Serbe për mosdënimin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, e ka kritikuar të hënën Listën Serbe, për heshtjen e saj rreth sulmit të armatosur vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit një ditë më parë.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi – ka heshtur deri tani në lidhje me ngjarjet e fundit në veri.

“Kur e tërë bota, përfshirë Kisha Ortodokse Serbe, u trondit nga dhe i dënoi ngjarjet e djeshme: Pyes veten nëse Lista Srpska do t’i japë fund heshtjes dhe do të na bashkohet në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovës”, shkroi Rohde në rrjetin social X.

Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Të dielën, Vuçiqi e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

Kryeministri i Kosovës Kurti, ndërkohë, tha se sulmi është mbështetur nga Serbia.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.rel

Shefi sicilian i mafias Messina Denaro, në “komë të pakthyeshme”

Matteo Messina Denaro.

Shefi sicilian i mafias, Matteo Messina Denaro, i arrestuar pas tri dekadash arratie, është në gjendje kome në spital dhe nuk mund të ushqehet më, kanë raportuar mediat të shtunën.

Ky 61-vjeçar ka vuajtur nga kanceri në zorrë që disa vjet.

Ka qenë vendimi i tij për të marrë trajtim mjekësor, çka më pas ka rezultuar me arrestimin e tij, pas shkuarjes në një klinikë në qytetin italian, Palermo.

Ai përballet me disa dënime me burgim të përjetshëm.

Sipas raportimeve në media, ai tani është në “komë të pakthyeshme”.

Messina Denaro konsiderohet një prej udhëheqësve më të pamëshirshëm të mafias në Itali dhe akuzohet për shumë krime, përfshirë rolin e tij në vrasjen e gjyqtarit kundër-mafias Giovanni Falcone më 1992.

Ai është shpallur fajtor për përfshirjen në disa bombardime në Romë, Firencë dhe Milano më 1993 dhe për kidnapim dhe vrasje të një 12-vjeçari.

Messina Denaro është zhdukur në verën e vitit 1993 dhe është bërë një prej emrave më të kërkuar në Itali.

Ndonëse ka pasur spekulime se është strehuar në vende të ndryshme në botë, ai është gjetur afër vendlindjes së tij në perëndim të Sicilisë.

Borrell: Kosova dhe Serbia dështuan të tejkalojnë dallimet rreth normalizimit të marrëdhënieve

VOA

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan të enjten rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, duke theksuar se pa normalizim nuk ka ardhmëri evropiane për të dyja vendet.

*Materiali është duke u përditësuar…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa ndonjë sukses, duke theksuar se zoti Kurti është duke iu shmangur detyrimeve siç është ai për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të dy udhëheqësit u takuan në Bruksel në një raund të ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, mes tensionesh të larta dhe thirrjeve të diplomatëve perëndimorë për shmangien e veprimeve që mund të nxisin një ripërtëritje të dhunës në rajon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç qëndruan në Bruksel në muajin qershor por nuk pati ndonjë takim të përbashkët pas tensioneve që shpërthyen në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave me mbështetjen e policisë.

Protestuesit serbë u përleshën me forcat e sigurisë dhe 93 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja mbetën të plagosur.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Ajo pret që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri.

Në muajin gusht, ligjvënës amerikane dhe evropianë paralajmëruan se diplomacia perëndimore nuk po ushtron trysni të mjaftueshme mbi presidentin serb Vuçiç, i cili ndonëse pohon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim u tij, vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Moskën dhe refuzon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Vëzhgues perëndimorë tërheqin vërejtjen se Kremlini mund të përdorë Beogradin për të rindezur konfliktet në Ballka, për të tërhequr vëmendjen e botës nga lufta e tij në Ukrainë.

Von der Leyen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës është në BE

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, gjatë një fjalimi për gjendjen e BE-së, para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg më 13 shtator 2023.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha më 13 shtator se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Ukrainës është në Bashkimin Evropian (BE).

Gjatë një fjalimi vjetor për gjendjen e BE-së para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, Von der Leyen tha se unioni “nuk mund t’i lërë vetëm bashkëkombësit tanë”.

“E ardhmja e Ukrainës është në unionin tonë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. E ardhmja e Moldavisë është në BE. Dhe, e di se sa e rëndësishme është perspektiva evropiane edhe për shumë njerëz në Gjeorgji”, deklaroi Von der Leyen.

Fjalimi për “Gjendjen në Union” është momenti më i rëndësishëm vjetor për BE-në. Është fjalimi i përgjithshëm vjetor i presidentit të Komisionit Evropian në seancën plenare të Parlamentit Evropian, dhe mbahet rregullisht në shtator. Fjalimi përfshin veprime që Komisioni Evropian synon të ndërmarrë përmes legjislacionit dhe nismave të tjera deri në fund të vitit të ardhshëm.

Von der Leyen tha se “Evropa përgjigjet ndaj thirrjeve historike. Historia na fton që të përmbyllim ndërtimin e unionit tonë. Në botën ku disa tentojnë t’i nënshtrojnë vendet një nga një, ne nuk mund t’i lëmë vetëm bashkëkombësit tanë evropianë. Në botën ku madhësia dhe pesha janë të rëndësishme, përmbyllja e unionit tonë, pa dyshim, është interes strategjikë i BE-së”.

Ajo e përmendi rajonin e Ballkanit edhe kur foli për bashkëpunimin në menaxhimin e migrimit ilegal.

“Pakti për migrim i BE-së ka siguruar një baraspeshë mes të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së kufijve, mes sovranitetit dhe solidaritetit, mes sigurisë dhe njerëzisë. Kemi bashkëpunuar ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe kemi zvogëluar valët ilegale të migrimit”, theksoi ajo.

Në gusht, edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim, gjatë Forumit Strategjik të Bledit.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në.

“Një vizion për sukses”

Von der Leyen bëri thirrje për një vizion për zgjerimin e suksesshëm të BE-së.

“… Një union i plotësuar, ku më shumë se 500 milionë njerëz jetojnë në liri, demokraci dhe prosperitet. Një union i plotësuar ku të rinjtë mund të jetojnë dhe studiojnë në liri. Union në të cilin ka demokraci, ku gjykatat janë të pavarura, ku opozita respektohet dhe gazetarët mbrohen. Këto do të jenë themelet e unionit tonë në vendet e tashme dhe të ardhme anëtare“, tha ajo.

Ajo rikujtoi se para 20 vjetëve, kur kishte ndodhur zgjerimi i madh, e kishin quajtur këtë si “dita e mirëseardhjes“ dhe prej atëherë ato vende kanë shënuar “përparim të madh në secilin aspekt.”

“BE-ja me më shumë se 30 anëtarë”

Megjithatë, ajo përsëriti se Komisioni Evropian do ta ruajë gjithmonë parimin e meritave individuale në procesin e reformave gjatë procesit të zgjerimit.

Von der Leyen, po ashtu, bëri thirrje që të tejkalohen debatet e vjetra që krijojnë dilema mes reformave të brendshme dhe zgjerimit, sepse, sipas saj, është dëshmuar se këto dy gjëra mund të shkojnë paralelisht.

“Nuk mund t’i presim ndryshimet e traktateve për t’u zgjeruar. Kjo duhet të ndodhë më shpejt, duhet të gjejmë përgjigje në pyetjen se si do të funksionojë BE-ja me më shumë se 30 anëtarë“, theksoi ajo, duke rikujtuar se me 27 vende anëtare BE-ja ka dëshmuar se mund të funksionojë.

Von der Leyen përsëriti disa herë mbështetjen për Ukrainën, e cila është duke u përballur për pushtimin e jashtëligjshëm nga Rusia tash e 18 muaj.

“Do të jemi me Ukrainën deri në fund. Mbi katër milionë ukrainas kanë gjetur strehim në BE. Do të jenë të mirëpritur dhe dyert tona për ta do të jenë të hapura“, nënvizoi ajo.

Ajo tha se bashkë me anëtarët tjerë të Komisionit Evropian i kanë përmbushur mbi 90 për qind të synimeve që i kishte shprehur në fillim të mandatit në vitin 2019.

Ky ishte fjalimi i saj i fundit për gjendjen e BE-së, por edhe fillimi indirekt i fushatës së saj parazgjedhore. Përkatësisht, në qershor të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet evropiane, të cilat do të rezultojnë me një strukturë të re në të gjitha institucionet evropiane.

Ish-ministri i Jashtëm gjerman: Jemi kundër një Republika Sërpska 2 në Kosovë

Ish ministri gjerman për Europën Michael Roth, aktualisht kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag tha se është kundër Republika Sërpska 2 në Kosovë, duke theksuar se një strukturë federale që nuk e prish karakterin unitar mund të jetë opsion.

Në një bisedë me gazetarë kosovarë pas takimeve me krerë të institucioneve ai tha se Asociacionin i Komunave të Kosovës duhet të implementohet por pa kërcënuar unitetin e Kosovës.

“Është shumë e vështirë që të spekulohet për iniciativat e reja dhe për konceptet e reja, idetë e reja. Ishte mesazh imi për qeverinë që të mbetet e përkushtuar ndaj dokumenteve që janë në tavolinë, që ëshë implementimi i Marrëveshjes se Ohrit, që është kyç. Iniciativa franko- gjermane mund të jetë ndihmuese. Përsëri çështja më delikate është implementimi i Asociacionit. Që të jem shumë i qartë jam shumë kundër Republika Sërpska këtu në Kosovë, por një strukturë federale një ndarje e drejtë e kompetencave që nuk është kërcënim apo rrezik për unitetin e Kosovës mund të jetë opsion për t’i kapërcyer kontestet e së kaluarës dhe për t’i përmbushur zotimet që janë në tavolinë që 10 vjet. Dhe mendoj se nuk dua t’i lë në hije bisedimet e nivelit të lartë me spekulime. Dhe të dyja palët e dinë se sa me rëndësi është që të ecet para që të pajtohen për rezultate pozitive”, ka theksuar Roth.

Duke e komentuar deklaratën e Presidentit të Francës  Emannuel Macron i cili heqjen e  vizave e lidhi me procesin e dialogut, Ruth ka thënë se tani është koha që udhëtimi i kosovarëve pa viza  të ndodhë.

“Jam i bindur se tani është koha për liberalizimn e vizave për njerëzit këtu në Kosovë. pezullimi nuk është ide e mençur dhe e mirë. E di që shumë njerëz këtu në Kosovë janë të zhgënjyer dhe kanë humbur durimin sepse BE jo gjithmonë ka luajtur një rol të drejtë kur është fjala për Kosovën. Vetëm sa për ta ilustruar me një shembull, liberalizimi i vizave. Ka qenë shumë e padrejtë dhe shpreh keqardhje për këtë, që njerëzit në këtë vend është dashur të presin kaq gjatë për liberalizimin e vizave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kushtet dhe kriteret shumë vitë më parë. Dhe kjo është arsyeja që shumë njerëz në këtë vend nuk i besojnë BE’së, nuk na besojnë ne”, ka thënë Roth.syri.net

Venecia pritet të votojë për vënien e taksës 5-euroshe për turistët

Qyteti italian Venecia pritet të miratojë një vendim për vendosje të taksës prej 5 eurosh për vizitorët, me qëllim të kontrollimit të turizmit.

Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare do të duhen të paguajnë këtë shumë dhe ta rezervojnë paraprakisht hyrjen në qytet.

Anëtari i Këshillit të qytetit për Turizëm, Simone Venturini, ka thënë se pagesa do të vlejë gjatë pikut të sezonit turistik, vitin e ardhshëm.

“Venecia është ndër qytetet më të vizituara evropiane, dhe vuan më së shumti nga turizmi i tepërt”, ka thënë ai.

Shkalla e lartë e turizmit konsiderohet çështje urgjente për qytetin.

Venecia shtrihet vetëm në 7.6 kilometra katrorë, mirëpo atë e kanë vizituar gati 13 milionë turistë më 2019, sipas Institutit Kombëtar italian për Statistika.

Numri i vizitorëve pritet t’i tejkalojë shifrat e para-pandemisë në vjetët në vijim.

“Synimi ynë është që të kemi turistë që zgjedhin ditët për vizitë jashtë pikut të sezonit”, ka thënë Venturini.

“Dëshirojmë ta testojmë taksën, dhe nëse ka nevojë, ta përmirësojmë. Ne nuk mund të diskutojmë edhe 40 vjet për të mësuar mënyrën më të mirë”.

Më herët gjatë vitit, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNESCO) ka thënë se qyteti duhet të shtohet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, pasi ndryshimet klimatike dhe turizmi masiv kërcënojnë dëmtim të pariparueshëm.

Sipas shifrave të autoriteteve, në Venecia aktualisht janë 49.693 shtretër për turistë dhe 49.308 shtretër për banorë – që nënkupton se shtretërit për turistë i tejkalojnë ata për vendasit.rel

Eksploruesi amerikan nxirret nga një prej shpellave më të thella në Turqi

Eksploruesi amerikan Mark Dickey teksa nxirret nga shpella në Turqi.

Shtetasi amerikan Mark Dickey është nxjerrë me sukses nga shpella e tretë më e thellë e Turqisë, pas bllokimit që e ka përjetuar aty për një javë.

Më shumë se 150 persona janë përfshirë në përpjekjet për ta shpëtuar eksploruesin Dickey, pas rritjes së problemeve me stomak në shpellën Morka, më 2 shtator.

Organizatorët kanë thënë se përpjekjet për nxjerrjen e tij kanë qenë ndër më të komplikuarat ndonjëherë.

Pika më e ulët e shpellës Morka, në pjesën jugore, arrin deri në 1.3 kilometra thellësi.

Sipas Federatës turke për Shpella, Dickey është nxjerrë jashtë në mesnatë, sipas orës lokale.

Carl Heitmeyer nga Ekipi i përgjigjes fillestare Nju Xhersi – grup që e udhëheq Dickey – ka konfirmuar se eksploruesi është shpëtuar dhe i ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndikuar.

Dickey është cituar të ketë thënë se ka besuar që nuk do të shpëtonte, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Në përpjekjet për nxjerrin e tij nga shpella janë përfshirë ekipe nga Kroacia dhe Hungaria.

Dickey, me origjinë nga Nju Xhersi, është eksplorues i shpellave me përvojë mbi 20-vjeçare.rel

Baerbock: Franca dhe Gjermania “grinden me raste si çift i vjetër”

Parisi dhe Berlini “grinden sikurse çift i vjetër”, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke e pranuar se dy vendet janë “miket më të mira në botë”, por, megjithatë kanë mospajtime në disa tema, përfshirë çështjet bërthamore.

“Franca dhe Gjermania njihen si miket më të mira në botë, mirëpo ende grindemi ndonjëherë sikurse çiftet e vjetra”, ka thënë Baerbock për të përditshmen rajonale franceze Ouest-France.

“Shoqëritë tona kanë mendime të ndryshme për forcën bërthamore qe një kohë. Gjermania i ka mbyllur të gjitha centralet bërthamore në prill, derisa ato janë pjesë integrale e energjisë së Francës”, ka thënë politikania e Partisë së Gjelbër.

“Kjo është një situatë që Parisi dhe Berlini duhet ta pranojnë”, ka thënë Baerbock, ndonëse, sipas saj, të dyja vendet besojnë në “neutralitet në karbon”.

Ajo ka thënë se shpreson që dy vendet t’i forcojnë lidhjet përmes “kontakteve mes njerëzve, mes komuniteteve dhe shkëmbimit të punëtorëve përtej kufijve”.

Lufta e Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar i ka rritur tensionet mes Parisit dhe Berlinit pasi dy vendet kanë pasur dallime në qëndrimet për çështje të energjisë, centraleve bërthamore dhe armatimit.rel

Sekretari Blinken vazhdon vizitën në Ukrainë, Rusia vazhdon sulmet

VOA

Sekretari Antony Blinken vazhdoi të enjten vizitën në Ukrainë, ndërsa Rusia vazhdoi sulmet ajrore ndaj saj. Një ditë pasi njoftoi për një ndihmë të re prej 1 miliardë dollarësh, kryediplomati amerikan u shpreh gjithashtu optimist se administrata e Presidentit Biden do të sigurojë vazhdimin e përkrahjes së Uashingtonit për Kievin.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë Ukrainën jo vetëm që t’i mbijetojë agresionit rus, por dhe të lulëzojë si shtet. Zoti Blinken njoftoi një ndihmë shtesë prej 1 miliard dollarësh nga SHBA për Ukrainën.

Sekretari Blinken u takua të enjten me zyrtarë ushtarakë ukrainas duke vëzhguar pajisjet ushtarake të cilat janë dhuruar nga Uashingtoni.

“Ne e çmojmë dhe vlerësojmë shumë guximin dhe fuqinë e forcave kufitare, si dhe të policisë kombëtare dhe jam shumë krenar për faktin që Departamenti i Shtetit ka qenë partneri juaj i ngushtë”, tha zoti Blinken.

Ai vizitoi një bunker të përdorur nga ushtria në rajonin e Kievit.

Kjo është dita e dytë e vizitës së Sekretarit Blinken në Ukrainë. Një ditë më parë ai dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, vizituan një restaurant të firmës amerikane “McDonald’s” të rihapur së fundmi në Kiev.

Por pavarësisht përpjekjeve për të përcjellë një ndjenjë normaliteti, sulmet e intensifikuara ruse mbi Ukrainën që vazhduan gjatë gjithë vizitës së zotit Blinken, shërbejnë si një kujtesë e agresonit të pandalshëm të Moskës. Ushtria ukrainase tha të enjten se ka shkatërruar 25 nga 33 dronët që Rusia përdori për të sulmuar rajonet Sumy dhe Odesa gjatë natës, gjatë të cilave të paktën një person është plagosur.

Pati gjithashtu sulme ajrore ruse në Kiev vetëm tre orë përpara se zoti Blinken të mbërrinte me tren nga Polonia.

Por sulmi më i rëndë të mërkurën ishte ai ndaj një tregu në qytetin lindor të Kostian-tyn-ivkas gjatë të cilit u vranë 17 veta, përfshirë edhe një fëmijë dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

“Dje, ne pamë bombardimin e një tregu, 17 njerëz ose më shumë të vrarë, shumë të tjerë të plagosur. Për çfarë sulmohet një treg? Kjo është ajo që ukrainasit po jetojnë çdo ditë”, tha zoti Blinken.

Zoti Blinken gjithashtu u shpreh optimist që administrata e presidentit Biden do të arrijë të ruajë përkrahjen për Ukrainën edhe në Uashington.

Në Kapitol, senatori republikan Bill Hagerty u tha gazetarëve se do të dëshironte të shihte më shumë mbështetje nga aleatët e SHBA-së për Ukrainën.

“Do të doja të shihja një njoftim nga të gjithë anëtarët e NATO-s, duke thënë se ata janë të gatshëm të rrisin përkrahjen. Sapo u ktheva nga një udhëtim në Evropë dhe ne inkurajuam aleatët tanë të NATO-s që në fakt të rrisin përkrahjen e tyre dhe unë do të doja ta shihja këtë të ndodhte”, thotë Senatori republikan, Hagerty.

Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Por sipas Institutit Kiel, Danimarka, Estonina, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia, Norvegjia, Finlanda, Holanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Republika Çeke, po japin kontribute të mëdha financiare në Ukrainë, në raport me përmasat e ekonomisë së tyre.

Paris 2024: Macron, “Nuk mund të ketë flamur rus”

VOAL- “Natyrisht, nuk mund të ketë flamur rus në Lojërat e Parisit, mendoj se ne jemi dakord për këtë. Sepse Rusia, si vend, nuk ka vend në një kohë kur ka kryer krime lufte, apo ka dëbuar fëmijë”. Kështu presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë për L’Equipe këtë të enjte, kushtuar 2024-ës “vitit të krenarisë franceze”, dhe të cilit iu dha një pasqyrë.

Për praninë e mundshme të sportistëve individualë rusë, pa flamur, Macron tha: “Shpresoj që një vendim të vijë në ndërgjegjen e botës olimpike, nuk është shteti organizator ai që duhet të vendosë se çfarë duhet të bëjë IOC. Unë kam të plotë besim te Thomas Bach”, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.rsi-eb

Hyrja në Venecia pritet të bëhet me pagesë nga viti i ardhshëm

Ekspertët e UNESCO-s propozuan që Venecia dhe lagunat e saj të shtohen në listën e objekteve kulturore të rrezikuara.

Venecia planifikon ta bëjë me pagesë hyrjen për vizitorët ditorë nga viti i ardhshëm, në përpjekje për ta menaxhuar numrin e madh të turistëve që tërhiqen nga kanalet e saj historike, njoftoi të martën këshilli i qytetit.

Pagesa për hyrje në Venecia do të jetë pesë euro për vizitorët ditorë.

Pagesa do të vlejë si eksperiment për 30 ditë vitin e ardhshëm, dhe do të aplikohet në ditët e pushimit dhe fundjavat e verës kur numri i turistëve e arrin kulmin.

Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare duhet të paguajnë hyrjen.

Synimi është për ta gjetur “një baraspeshë mes të drejtave të atyre që jetojnë, studiojnë apo punojnë në Venecia, si dhe atyre të cilët e vizitojnë qytetin”, tha Simone Venturini nga këshilli i turizmit i Venecias.

Ky nuk është vendim për të fituar para, shtoi ai, duke thënë se pagesa do ta mbulojë vetëm koston e administrimit të skemës.

Për datën e saktë të planit dhe se si do të udhëhiqet ai, do të vendoset pas aprovimit përfundimtar të këshillit, i cili pret të ndodhë javën e ardhshme.

Ky plan, për të cilin së pari u njoftua më 2019, u shty fillimisht për shkak të pandemisë së COVID-19, si pasojë e të cilës munguan turistët, e më vonë për shkak të arsyeve teknike dhe procedurale.

Vizitorët, ndërkohë, i janë kthyer bujshëm Venecias, me të huajt që janë duke e mbizotëruar popullatën vendore prej rreth 50 mijë banorëve, duke i stërmbushur rrugicat e saj të ngushta.

Turizmi i tepruar i ka shkaktuar shpesh telashe qytetit të brishtë lagunë.

Në korrik, ekspertët e UNESCO-s propozuan që Venecia dhe lagunat e saj të shtohen në listën e objekteve kulturore të rrezikuara, duke thënë se Italia nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur qytetin nga ndikimi i ndryshimit klimatik dhe turizmi i madh.rel


Send this to a friend