VOAL

VOAL

Kryediplomatët evropianë takohen me homologët ballkanas

Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.

Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Sipas paralajmërimeve nga BE-ja, temat kryesore do të jenë situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Gjatë arritjes në takim, Borrell tha se takimi i ministrave të Jashtëm me ata të Ballkanit Perëndimor, dëshmon se sa i rëndësishëm është ky rajon për bllokun.

“Do të diskutohen edhe propozimet e Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit dhe do të insistohet në afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”, tha ai.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, tha se zgjerimi i BE-së është një çështje kyçe gjeopolitike për stabilitetin dhe paqen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse sipas saj, nuk duhet të ketë zona të zymta në sigurinë në Evropë.

“Jam shumë e lumtur që ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë këtu me ne përsëri për të shkëmbyer ide. Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit”, tha ajo.

Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit. Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.

Shtetet e tjera, sikurse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka obligim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Kjo gjë është vlerësuar nga BE-ja.

Në prag të takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut evropian.

Këtë letër e kanë nënshkruar Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia. Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit. Po ashtu, ata kanë propozuar edhe pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së.

Në kohën kur rrisin bashkëpunimin me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga BE-ja kërkojnë që edhe brenda rajonit të ketë një bashkëpunim të madh dhe zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit të problemeve që këto shtete kanë mes tyre. Kjo veçmas vlen për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas diplomatëve të BE-së, marrëdhëniet jo të mira mes këtyre dy shteteve e rëndojnë edhe situatën në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Para se të takohen me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, ministrat e Jashtëm të BE-së do të zhvillojnë një takim në Këshillin e Punëve të Jashtme, ku temë kryesore do të jetë konflikti Izrael-Hamas dhe situata humanitare në Rripin e Gazës. Lufta atje ka nisur më 7 tetor, pasi Hamasi – që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuar dhe BE-ja – nisi sulme në jug të Izraelit.rel

Paris, mbi 100 mijë vetë marshojnë kundër antisemitizmit në rritje

VOA/Marrë nga Associated Press

Më shumë se 100,000 persona marshuan të dielën në Paris në shenjë protesteste kundër akteve në rritje të antisemitizmit, nxitur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Në marshimin e zhvilluar nën masa të forta sigurie, mori pjesë Kryeministrja Elisabeth Borne, përfaqësues të disa partive të majta, konservatorë dhe centristë të partisë së Presidentit Emmanuel Macron, si dhe udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Vetë zoti Macron nuk ishte i pranishëm, por shprehu mbështetjen e tij për protestën dhe u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen kundër “ringjalljes së antisemitizmit të shfrenuar” sikurse tha ai.

Ndërkohë kreu i partisë së ekstremit të majtë France Unbowed, Jean-Luc Melenchon, nuk iu bashkua protestës. Në një postim javën e kaluar në rrjetin social X ai shkruante se marshimi do të ishte “një mbështetje e pakushtëzuar për masakrën” në Gazë.

Autoritetet e sigurisë vendosën 3 mijë forca policie përgjatë rrugës ku u mbajt marshimi, mes një rritje alarmante të akteve kundër komunitetit hebre të Francës, që pas 7 tetorit, kur Hamasi kreu një sulm të përgjakshëm ndaj Izraelit.

Në Francë jeton komuniteti më i madh hebre në Evropë, por duke pasur parasysh bashkëpunimin e këtij vendi me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, aktet antisemitike kanë hapur tashmë plagë të vjetra.

Në marshimin e së dielës morën pjesë dhe anëtarët e familjeve të disa prej 40 shtetasve francezë të vrarë gjatë sulmit fillestar të Hamasit, si dhe të atyre që janë zhdukur apo rezultojnë të marrë peng nga grupi militant. Sipas policisë, në marshim morën pjesë 105 mijë vetë.

Ndahet nga jeta ish-diplomati i lartë çek Karel Schwarzenberg

Ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Karel Schwarzenberg – njëri prej figurave kryesore të vendit në kohën pas komunizmit – ka vdekur të dielën në moshën 85-vjeçare, njoftuan zyrtarët çekë.

Schwarzenberg e kishte mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe para se ajo të shpallej nga Prishtina zyrtare në shkurt 2008, ndërsa ishte ministër i Jashtëm kur Çekia e njohu atë në maj 2008.

Schwarzenberg kishte shërbyer dy herë si ministër i Jashtëm i Çekisë mes viteve 2007 dhe 2013 dhe në Kosovë shihej si një mik i vendit.

Në janar të vitit 2008, një muaj para së Kosova të shpallej e pavarur, Schwarzenberg kishte thënë se “në një kohë të duhur Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.

Më vonë, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai kishte treguar vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.

“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti – ne do të punojmë me fakte, dhe jo data”, kishte thënë ai më 19 shkurt të vitit 2008.

Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti i atëhershëm i Çekisë, Millosh Zeman, e që konsiderohej si më i afërt me Rusinë, nuk njihej si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.

“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëve”, kishte thënë Schwarzenberg në shkurt 2018.

Më 2019, ish-presidenti i çek Millos Zeman e kishte shqyrtuar mundësinë për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, për çka ishte kundërshtuar nga Schwarzenberg.

“Nëse një shtet njihet, ne nuk mund të themi më se nuk ekziston”, kishte thënë Schwarzenberg për portalin iDnes atë vit.

Sipas tij, Zeman duhej t’i pyeste futbollistët çekë nëse Kosova ekziston apo jo, duke iu referuar fitores së Kosovës 2:1 kundër Çekisë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 në Prishtinë, në nëntor 2019.rel

Islanda e evakuon një qytet të tërë për shkak të vullkanit

Lava rrjedh pas shpërthimit të një vullkani në Reikjana, Islandë, më 12 korrik 2023.

Autoritetet në Islandë i kanë evakuuar 3.000 banorë nga një qytet në jugperëndimit të ishullit, për shkak të frikës së shpërthimit vullkanik, pas një sërë tërmetesh dhe provave të përhapjes së magmës nën tokë.

Zyra Meteorologjike e Islandës tha të shtunën se ekziston një rrezik i madh i shpërthimit të vullkanit në gadishullin Reikjanës, për shkak të sasisë së madhe të magmës nëntokësore dhe ritmit me të cilin po lëvizte.

“Nuk mendoj se ka mbetur shumë kohë deri të shpërthimi, disa orë apo disa ditë. Rreziku i një shpërthimi [vullkanik] është rritur jashtëzakonisht”, tha për televizionin shtetëror RUV Thorvaldur Thordarson, profesor për vullkanet në Universitetin e Islandës.

Agjencia për Mbrojtje Civile e Islandës urdhëroi të premten mbrëma evakuimin e plotë të qytetit Grindavik.

Në rajonin e Reikjanës kanë ndodhur disa shpërthime vullkanike në zonat e papopulluara në vitet e fundit, por shpërthimi për të cilin druhet se do të ndodhë tani përbën të pashmangshëm për qytetin, sipas autoriteteve.

Të enjten, lëkundjet e rritura sizmik nxitën mbylljen e njërit prej atraksioneve kryesore turistike të vendit, Blue Lagoon spa.

Reikjana është qendër vullkanike dhe sizmike në jugperëndim të kryeqytetit, Reikjavik. Në mars 2021, burimet e lavës shpërthyen në mënyrë spektakolare si pasojë e një carjeje në tokë rreth 500-750 metra e gjatë në rajonin vullkanik Fagradalsfjall.

Aktiviteti vullkanik në atë zonë vazhdoi për gjashtë muaj gjatë atij viti, duke tërhequr mijëra islandezë dhe turistë për ta vizituar vendin e ngjarjes. Në gusht 2022, një shpërthim trejavor ndodhi në zonën e njëjtë, i ndjekur nga një tjetër në korrik të këtij viti.

Presidenti i socialistëve europianë kritika të ashpra për Ramën: Ne nuk propozojmë modele të tilla, siç dëshiron ekstremi i djathtë

Zgjedhja e Shqipërisë për të pritur përkohësisht një pjesë të vogël të emigrantëve që mbërrijnë në Itali po shkakton një luftë të brendshme brenda Partisë Socialiste Evropiane.

Lëvizja e kryeministrit Edi Rama për të “shpëtuar” Giorgia Melonin u prit me jo pak shqetësim brenda familjes PSE, së cilës i përket edhe PSSH.

Presidenti i socialistëve europianë Stefan Loefven kritikoi hapur marrëveshjen mes Romës dhe Tiranës, transmeton IlFattoQuotidiano.

Nga kongresi i Partisë Socialiste Europiane në Malaga të Spanjës, Loefven u distancua nga modeli i paraqitur, duke shtuar se marrëveshje të tilla i kërkon vetëm një qeveri e ekstremit të djathtë.

“Migracioni duhet të menaxhohet duke përdorur një kuadër progresiv. Ne duhet të promovojmë shtigje gjithëpërfshirëse , duhet të gjejmë mënyra për ta bërë atë një fitore për shoqëritë tona dhe për emigrantët, ky është modeli që propozojnë socialistët. Jo siç dëshiron qeveria e ekstremit të djathtë në Itali t’i transferojë kërkesat për azil Shqipërisë”, ka thënë Loefven.

Presidenti i Socialistëve po ashtu u shpreh se kjo politikë si shumë të tjera që janë angazhuar për migracionin, është e destinuar të dështojë.

“Migracioni – shtoi Loefven – ka ekzistuar për aq kohë sa ka ekzistuar njerëzimi dhe e djathta angazhohet në demagogji kur thotë se mund ta ndalojë, këto janë politika të destinuara të dështojnë”.

Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz, nga e njëjta konferencë, ka deklaruar se ishte i gatshëm të shqyrtonte marrëveshjen e Italisë dhe Shqipërisë, për dërgimin e emigrantëve të shpëtuar nga italia në detin Mesdhe, në Shqipëri.bw

Marrëveshja për emigrantët me Italinë, Scholz: Po e shqyrtojmë çështjen nga afër

Kancelari gjerman Olaf Scholz nga një konferencë në Malaga të Spanjës, tha se ishte i gatshëm të shqyrtonte marrëveshjen e Italisë për ndalimin e emigrantëve në Shqipëri.

“Mos harroni se Shqipëria do të jetë shumë shpejt, sipas mendimit tonë, anëtare e BE-së, duke lënë të kuptohet se po flasim për çështjen se si mund t’i zgjidhim së bashku sfidat dhe problemet brenda familje së BE-së. Marrëveshje të tilla, që janë parë atje, janë të mundshme dhe ne të gjithë do ta shikojmë këtë nga afër,” tha ai.

Roma dhe Shqipëria arritën një konsensus të hënën për ndërtimin e dy kampeve për pritjen dhe ndalimin e emigrantëve detarë. Scholz dhe krerët e 16 shteteve të Gjermanisë kishin arritur një marrëveshje të martën për një politikë më të rreptë të emigracionit dhe rritjen e fondeve për refugjatët.

Nevoja për një politikë të qartë evropiane të emigracionit, sipas Scholz, është “të korrigjohen gjërat që nuk kanë qenë të drejta në të kaluarën (dhe) të krijohet një mekanizëm solidariteti në mënyrë që jo çdo vend i vetëm të përpiqet të përballojë sfidat i vetëm.”

Legjislatura aktuale e Parlamentit Evropian duhet të përfundojë rishikimin e ligjeve të bllokut për imigracionin dhe azilin, tha ai.

Scholz shtoi se integrimi duhet të ndodhë “së shpejti” për gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilëve iu ishte premtuar anëtarësimi në BE 20 vjet më parë.

Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina gjithashtu duhet të konsiderohen për anëtarësim.bw

“Rendi ynë i paqes është në rrezik”- Gjermania synon krijimin e një ushtrie “të gatshme për luftë”

Pushtimi rus i Ukrainës po e detyron Gjermaninë ta kthejë ushtrinë e saj në një forcë luftarake të fuqishme dhe të mirëfinancuar, të fokusuar në mbrojtjen e vendit dhe aleatëve të NATO-s, tha të premten kancelari gjerman.

“Sot, askush nuk mund të dyshojë seriozisht në atë që ne në Gjermani kemi shmangur për një kohë të gjatë, domethënë se kemi nevojë për një Bundeswehr të fuqishëm”, tha Olaf Scholz në ditën e dytë të një konference politiko-ushtarake që prezanton ndryshimin e thellë në të menduarit strategjik të Berlinit.

“Rendi ynë i paqes është në rrezik”, paralajmëroi ai, duke përmendur gjithashtu luftën midis Hamasit dhe Izraelit dhe duke shtuar se Gjermania ka nevojë për “një ndryshim afatgjatë dhe të përhershëm të kursit”.

Por për të mbrojtur Gjermaninë dhe aleatët e saj, ushtria gjermane, ose Bundeswehr, “duhet të përmirësohet për këtë. Vetëm një Bundeswehr që është kaq i fortë … në fund mund të parandalojë që të ndodhë më e keqja”, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. “Ne kemi nevojë për një Bundeswehr që mund të mbrojë veten dhe të bëjë luftë për të mbrojtur sigurinë dhe lirinë tonë”.

Se si të arrish atje përshkruhet në një doktrinë ushtarake dhe strategjike prej 34 faqesh.

Ndryshimi në të menduar është i dukshëm nga paragrafi i parë i tekstit: “Lufta është kthyer në Evropë. Gjermania dhe aleatët e saj edhe një herë duhet të përballen me një kërcënim ushtarak. Rendi ndërkombëtar është nën sulm në Evropë dhe në mbarë globin. Ne po jetojmë në një pikë kthese”.

Armiku është gjithashtu i qartë: “Federata Ruse do të mbetet kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë në zonën euroatlantike”. Kina gjithashtu pranon “për pretendimin gjithnjë e më agresiv të supremacisë rajonale”.

Është doktrina e parë e re që nga viti 2011 – një kohë kur Dmitri Medvedev ishte presidenti i Rusisë, Rusia shihej si burimi i energjisë së lirë për të nxitur mrekullinë ekonomike të Gjermanisë dhe shpenzimet e mbrojtjes të Berlinit ishin tkurrur.

Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë, duke vrarë mijëra dhe duke shkaktuar shkatërrime në të gjithë vendin, i ka dhënë fund çdo iluzioni të mbetur në Berlin se Kremlini mund të jetë një partner dhe jo një armik.

“Udhëzimet e para të politikës së mbrojtjes në më shumë se një dekadë janë një përgjigje ndaj këtij realiteti të ri”, tha Pistorius.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Berlini ka humbur objektivin aktual të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 2 për qind të PBB-së për më shumë se tre dekada.

Gjermania do ta arrijë qëllimin këtë vit – falë pjesërisht të fondit special prej 100 miliardë eurosh të krijuar pas pushtimit rus. Scholz këmbënguli se kjo nuk është një rast i vetëm. “Ne do ta garantojmë këtë 2 për qind në afat të gjatë, përgjatë viteve ’20 dhe ’30.

Do të duhen më shumë se vetëm para për ta rikthyer Bundeswehr-in në luftën e duhur.

Doktrina e re thotë se Gjermania do të zvogëlojë misionet e huaja për t’u fokusuar në mbrojtjen evropiane dhe kombëtare për t’u bërë “gati për luftë”.

Ai gjithashtu premton “zgjerimin e kapaciteteve të fuqishme dhe të sigurta të industrisë së mbrojtjes”, si dhe përdorimin e civilëve dhe jo ushtarëve për të kryer funksione ku personeli ushtarak nuk nevojitet, dhe për të shkurtuar burokracinë për të përshpejtuar prokurimin ushtarak.

“Veprimi qendror që pason nga pika e kthesës është tejkalimi i plogëtisë organizative dhe burokratike që ka ngadalësuar trupat për vite me radhë”, tha Scholz.

Ushtria gjermane është zbrazur gjatë viteve të fundit. Në një stërvitje ushtarake dhjetorin e kaluar për të përgatitur një brigadë tankesh për përfshirje në forcën e reagimit të “gatishmërisë së lartë” të NATO-s, të 18 mjetet luftarake moderne të këmbësorisë gjermane dështuan. Probleme ka pasur edhe me gatishmërinë e pjesëve të tjera të ushtrisë.

“Ne duhet të jemi shtylla kurrizore e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive në Evropë”, thotë strategjia. “Popullsia jonë, por edhe partnerët tanë në Evropë, Amerikën e Veriut dhe në botë, presin që ne të përballemi me këtë përgjegjësi. Si shtet dhe shoqëri, ne e kemi lënë pas dore Bundeswehr-in për dekada”.

Spanja zbret në sheshe kundër marrëveshjes me partinë katalane

 

VOAL- Një tjetër natë protestash në Madrid, ku tensioni mbetet i lartë pas marrëveshjes së arritur dje (e enjte) mes socialistëve spanjollë dhe indipendentistëve katalanas për të formuar një qeveri të re të udhëhequr nga kryeministri Pedro Sanchez, marrëveshje e cila parashikon gjithashtu një ligj amnistie për indipendentistët katalanas, të cilët kanë pasur çështje të hapura që nga viti 2017.

Një demonstratë e madhe u mbajt mbrëmjen e së enjtes në Madrid përpara selisë kombëtare të PSOE, e karakterizuar nga incidente të dhunshme, akte vandalizmi, djegie kazanësh, hedhje sendesh, fishekzjarre dhe si pasojë akuza policore. Një shkatërrim i cili, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e konsiderueshme të demonstruesve, mbi 8000 vetë, përfshiu katër rrugë dhe disa blloqe në zonë. 15 janë arrestuar nga policia.

 

“Demokracia spanjolle në rrezik”

Pakti prej katër faqesh mes PSOE-së dhe indipendentistëve, i bërë publik dje, u kritikua ashpër nga e djathta, veçanërisht nga Partia Popullore, partia kryesore opozitare, sipas së cilës teksti rrezikon demokracinë spanjolle dhe është krahasuar me epokën e terrorizmit. Edhe nga e djathta ekstreme, kreu i partisë Vox është shprehur se ky është fillimi i fundit të demokracisë në Spanjë. “Ne duhet të qëndrojmë në rrugë derisa të ndalojë grushti. Ne po përballemi me periudhën më të errët në histori. Ne kemi për detyrë t’i rezistojmë një qeverie dhe një tirani që do të fitojë një investim me të gjithë armiqtë e Spanjës, “tha udhëheqësi i Vox Santiago Abascal, i pranishëm në protestë.

Pak orë më parë, një nga themeluesit e Vox, politikani katalanas Alejo Vidal, mori një plumb në fytyrë pasi hipi në makinën e tij para shtëpisë së tij, në një rrugë në qendër të kryeqytetit. 78-vjeçari është shtruar në spital dhe është operuar dhe është jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, për momentin, të shtënat nuk kanë qenë të lidhura me momentin e tensionit të lartë politik dhe me investimin e Sanchez.rsi-eb

Ukraina thotë se ka dëmtuar anije ruse në Krime

Departamenti i Inteligjencës në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes, ka thënë se ushtria e Ukrainës i ka dëmtuar dy anije zbarkuese ruse në Krimenë e pushtuar, përmes disa sulmeve të nisura në mëngjesin e 10 nëntorit.

“Po, ky informacion është i vërtetë”, ka thënë zyrtari i inteligjencës Andriy Yusov për Radion Evropa e Lirë, pas raportimeve të mediave ukrainase.

Në raportimet e mediave është thënë se sulmi ka ndodhur në Çornomorske, në pjesën perëndimore të Krimesë, dhe se janë shënjestruar dy anije zbarkuese të shpejta ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë se mbrojtja e saj ajrore “i ka shkatërruar” tre dronë ukrainas mbi territorin e Krimesë dhe në rajonin Tula, në jug të Moskës.

Si kundërpërgjigje, zyrtarët ukrainas kanë thënë se dronët rusë i kanë sulmuar rajonet ukrainase Dnjipropetrovk, Harkiv, Mikollaiv, Polltava dhe Kiev.

Ata kanë thënë se i kanë rrëzuar pesë dronë iranianë dhe një raketë lundruese.

Deri më tani nuk ka raportime për të plagosur apo dëme tjera.

Më 9 nëntor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka nënshkruar ligjet që e vazhdojnë gjendjen e luftës dhe mobilizimin e përgjithshëm për 90 ditë shtesë.

Ligjet, të cilat janë miratuar në Parlamentin ukrainas më 8 nëntor, e zgjasin gjendjen e luftës deri më 14 shkurt 2024.

Ligjet e luftës janë zbatuar në Ukrainë prej 24 shkurtit të vitit 2022, ditën kur Rusia e ka nisur luftën ndaj këtij shteti.

Të njëjtën kohë është shpallur edhe mobilizimi i përgjithshëm.

Votimi për ta shtyrë këtë gjendje lufte është i nënti për Ukrainë, prej nisjes së konfliktit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Të shtëna në Madrid, ish-presidenti i PP-së së Katalonjës në gjendje të rëndë

Alejo Vidal Quadras, ish-presidenti i PP-së së Katalonjës dhe bashkëthemeluesi i Vox u plagos në fytyrë nga një armë zjarri

VOAL- Ish-presidenti i Partisë Popullore (PP) të Katalonjës, Alejo Vidal-Quadras, 78 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë pasi u qëllua në fytyrë në rrugën Núñez de Balboa, në qendër të Madridit.

Burime policore thanë më vonë se Vidal-Quadras mbërriti në spital i ndërgjegjshëm. Ai do të ishte jashtë rrezikut.

Ish-deputeti popullor ka qenë duke ecur i vetëm në rrugë kur një person i është afruar dhe e ka qëlluar nga një distancë prej rreth dy metrash. Për momentin, policia, informon EFE, është në ndjekje të një personi që dyshohet se ka qëlluar nga një motoçikletë.

Presidenti i PP-së katalanase nga viti 1991 deri në 1996, Vidal-Quadras ishte gjithashtu ndër themeluesit e partisë së ekstremit të djathtë Vox. Ai ishte gjithashtu anëtar i Parlamentit Evropian nga 1999 deri më 2014 dhe ishte nënkryetar i parë i tij nga 2004 deri në 2007.

Policia e Madridit beson se sulmi ndaj ish-presidentit të PP-së katalanase Aleix Vidal-Quadras ishte vepër e një profesionisti me qëllimin për të kryer një veprim të “planifikuar”.rsi-eb

Austria ia tërheq vëmendjen BE-së: Kosova të njihet nga pesëshja, s’ka mbajtur premtimet

Nëse Bashkimi Evropian dëshiron ta marrë drejtimin në rajonin e Ballkanin Perëndimor atëherë pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga të gjitha shtetet e BE-së. Është ky propozimi i Austrisë përmes ministres për BE-në dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler.

Në një reagim në rrjetet sociale ajo kritikon BE-në se s’ka bërë shumë në mbajtjen e premtimeve për rajonin. Ajo ka shprehur qëndrimin zyrtar të Austrisë që Bashkimi Evropian duhet të marrë drejtimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Deklarata:

Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë iu premtua një e ardhme në BE 20 vjet më parë.

Negociatat e anëtarësimit janë hapur me katër vende, por të katërt janë praktikisht në bllokim. Dy vendet e tjera janë ende në fillim: Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit në vitin 2022.

Kosova e dorëzoi aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor 2022 – pa ndonjë vendim ende nga ana jonë se si do të procedohet me të.

Nuk ka dyshim se shumë nga arsyet e kësaj situate qëndrojnë tek vetë gjashtë shtetet.

Reformat e nevojshme janë ende të pazgjidhura dhe problemet kryesore mbeten të pazgjidhura. Por në fund të fundit, procesi i zgjerimit është gjithashtu një marrie e dhënie. Ndryshimet me shtrirje të gjerë kërkojnë motivim dhe vullnet politik.

Në shumë vende, popullsia në rajon nuk beson më në mundësinë reale të anëtarësimit dhe është afruar më shumë me narrativat ruse ose kineze. Prandaj BE-ja duhet të marrë drejtimin në Ballkanin Perëndimor dhe t’i japë një vrull të ri proceseve të anëtarësimit

Kjo nuk do të thotë se partnerët në Ballkanin Perëndimor nuk kanë nevojë të ecin përpara me reformat dhe t’i zbatojnë ato në terma konkretë – përkundrazi, nuk ka rrugë të shkurtra për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së.

Megjithatë, është absurde kur hapa të tillë drastikë si ndryshimi i emrit të një vendi nuk shpërblehen, por vendosen kushte shtesë, të cilat, mbi të, janë politikisht jo të realizueshme.

Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg dhe unë kemi punuar prej disa kohësh për të sjellë përfitimet reciproke të integrimit në BE me qytetarët. Ne kemi paraqitur propozime për të ofruar stimuj dhe shpërblime të prekshme në këmbim të reformave të dhimbshme, por të nevojshme:

Incidentet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë na kanë treguar se sa e brishtë është situata në rajon.

Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, situata në Nagorno-Karabakh dhe sulmet e fundit terroriste ndaj Izraelit duhet të na kujtojnë se konfliktet në fqinjësinë tonë të afërt janë të mundshme – gjithashtu në Ballkanin Perëndimor. Përparimi, dhe kështu stabiliteti, është çështje sigurie për BE-në.

Në propozimin e saj konkret ministria austriake thotë se gjatë këtij viti duhet të hapen bisedimet për anëtarësim me Bosnje e Hercegovinën, ndërkohë përgjatë vitit 2024 thotë se duhet të organizohen konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Express.

Të bëhet progres real me anëtarësimin e Malit të Zi para zgjedhjeve të brendshme në Bashkim Evropian.

Në pikën katër të propozimit të saj ajo ka përmendur edhe Kosovën dhe dialogun për normalizim me Serbinë.

“Progres në bisedimet për anëtarësimin e Serbisë dhe procesimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim para zgjedhjeve të BE-së ( ndërlidhur me zhvillimet e mëtejme në bisedimet për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës); nëse BE dëshiron të prijë, njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare është imperativ”, thuhet në pikën 4 të propozimit austriak.

“Jam plotësisht e bindur se familja evropiane nuk është e plotë pa gjashtë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Le të tregojmë se Evropa është e aftë të jetë një aktor gjeopolitik të paktën në portat e saj – jo, në oborrin e saj”, ka shkruar ministrja austriake.

Image

Raporti i Brukselit për Shqipërinë: Korrupsioni mbetet shqetësim serioz

VOA/Armand Mero

“Pavarësisht disa përparimeve, lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, mbetet një shqetësim serioz”. Ky është vlerësimi i raportit për Shqipërinë, i cili pritet të miratohet sot në Bruksel. Sipas dokumentit, vendi “ka njëfarë niveli përgatitjeje” në luftën kundër këtij fenomeni, i cili shihet “i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, ndërkohë që “masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorë të cenueshëm të cilët “kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara”. Raporti vë në dukje hetimet e Prokurorisë së Posaçme në disa raste të nivelit të lartë, por megjithatë Komisioni europian thekson se “rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”.

Të njëjtat vlerësime, për “njëfarë niveli përgatitje”, janë dhe për luftën kundër krimit të organizuar, ku kërkohen “më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”. Shqipëria ka miratuar ligjin për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial. Për këtë, asaj i kërkohet që “të sigurojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit në përdorim të paqëllimshëm”. Sipas raportit “progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë”. Nga ana tjetër vlerësohet se “lufta kundër krimit kibernetik, pastrimi i parave dhe parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë. Të dhënat mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej”.

Me një nivel më të mirë përgatitjeje, i vlerësuar si “mesatar”, konsiderohet funksionimi i gjyqësorit. “Zbatimi i reformës në drejtësi vijoi, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së parë. Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi element penalë”, vë në dukje raporti.

Këto çështje janë pjesë e grupkapitullit të parë me të cilin Shqipëria do të duhet të përballet në momentin e uljes në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, sikundër dhe ato që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe administrate publike, apo dhe kriteret ekonomike, prokurimi public, statistikat dhe kontrolli financiar.

Lidhur me kriteret politike, raporti vlerëson se “skena politike vijon të shënjohet nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare” dhe se “mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar”. Ndërsa sa i takon qeverisë, raporti vë në dukje se “ndërkohë që i vendos reformat në lidhje me BE-në në qendër të planifikimit të saj legjislativ dhe të politikave, qeveria duhet të përmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Qeveria gjithashtu duhet të angazhohet në një komunikim më të fortë publik mbi procesin e anëtarësimit në BE”.

Lidhur me administratën publike “Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur. Strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar”, thekson raporti. Ndërsa sa i takon të drejtave themelore, “përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen”.

Raporti flet për një “përparim të kufizuar” në fushën e lirisë së shprehjes, ku vlerësohet se “Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe një shkalle mesatare përgatitjeje”. Shqetësimet mbeten të njejta me të kaluarën, ndërsa theksohet se “ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”.

Kolegji i komisionerëve pritet të miratojë sot, përveç raporteve të veçanta për secilin vend, edhe dokumentin mbi strategjinë e zgjerimit si dhe planin e ri të rritjes të paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Kryeministri portugez jep dorëheqjen pas hetimeve për korrupsion, arrestohen shefi i kabinetit qeveritar, një ndihmës i ngushtë dhe një kryetar bashkie

Kryeministri portugez Antonio Costa ka dhënë dorëheqjen, disa orë pasi policia bastisi rezidencën e tij zyrtare si pjesë e një hetimi korrupsioni.

Më herët, gjatë një bastisjeje të policisë në rezidencën zyrtare të kryeministrit, shefi i kabinetit të tij u arrestua, tha prokurori i përgjithshëm i Portugalisë.

Vetë Antonio Costa ka rënë në përgjimet e autoriteteve, sipas prokurorisë portugeze.

Sipas Politico, kontrollet e policisë në rezidencën e kryeministrit dhe ministritë e Mjedisit dhe Infrastrukturës po vazhdojnë. Përveç shefit të shtabit, policia arrestoi edhe këshilltarin personal të Kostës, Diogo Lacerda, i konsideruar si një nga të besuarit e tij dhe kryebashkiakun socialist të Sines, Nuno Mascarenia. Ministri i Infrastrukturës João Galamba gjithashtu konsiderohet i dyshuar në këtë rast.

Diogo Lacerda, i cili u arrestua, ka vënë bast të madh, sipas Politico, për një sistem të gjelbër të prodhimit të hidrogjenit në portin e Sines, i cili është porti më i madh artificial në Portugali, një projekt i financuar me miliarda euro nga BE.

Operacionet policore vijnë si pjesë e një hetimi për ryshfet dhe korrupsion të dyshuar në kontratat e lidhura me hidrogjenin e gjelbër dhe minierat e litiumit, një metal i përdorur për prodhimin e baterive dhe thelbësor për tranzicionin e energjisë.
Hetimet, në të cilat marrin pjesë rreth 140 hetues, përfshijnë edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës, sipas gazetës Publico.

Costa, nga Partia Socialiste, është kryeministër i Portugalisë që nga viti 2015.bw

 

Komisioni Evropian, propozim për një ndihmë të re prej 53 miliardë dollarësh për Ukrainën

VOA/Arash Arabasadi

Komisioni Evropian ka propozuar një sasi ndihmash prej 53 miliardë dollarësh për Ukrainën. Njoftimi vjen në një kohë kur ushtria e Ukrainës po përgatitet për një dimër tjetër lufte me Rusinë. Ukrainasit po përgatiten për një stinë tjetër me temperatura të ulëta dhe sulme të mundshme të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.

Zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e një zjarri në Kharkiv, që sipas autoriteteve ukrainase, u shkaktua nga një sulm i Rusisë me dronë. Nuk ka patur njoftime për viktima. Ukraina thotë se ky sulm ishte pjesë e një fushate masive të sulmeve ruse me dronë, që filloi të premten dhe ka në shënjestër infrastrukturën energjetike në jug dhe perëndim të vendit.

Fushata e sulmeve të Rusisë me dronë pasoi një video të publikuar të enjten nga Ukraina, që pretendon se tregon përdorimin e dronëve nga forcat ukrainase kundër automjeteve ushtarake ruse. Zëri i Amerikës nuk mund ta konfirmojë në mënyrë të pavarur vendin ku është filmuar ose datën e videos. Ukraina thotë se sulmet me dronë u kryen afër qytetit Avdiivka në rajonin e Donetskut.

Popullsia e këtij qyteti ka rënë në 1500 nga 30 mijë banorë që kishte para luftës. Ndërsa forcat ruse po rrethojnë qytetin Avdiivka, policia ukrainase e rajonit publikoi një video të oficerëve të saj duke evakuuar civilët e fundit nga qytetet përreth. Video tregon një bisedë të një gruaje të moshuar me djalin, i cili i lutet asaj që të evakuohet për shkak të mungesës së “ujit dhe bukës”. Ajo i kërkon atij që “ta lërë rehat”.

Udhëheqësit e Ukrainës vazhdojnë të këmbëngulin për më shumë ndihma ndërkombëtare dhe armë të avancuara. Ukraina gjithashtu vazhdon të kërkojë anëtarësimin në BE dhe NATO.

Këto thirrje u përsëritën gjatë vizitës në Kiev të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila mbajti një konferencë shtypi pasi takimit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.

Zonja Von der Leyen tha se Komisioni Evropian do t’i propozojë BE-së miratimin e një ndihme të re financiare prej 53 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Javën e kaluar në Berlin, ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian zhvilluan një takim për zgjerimin e bllokut. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock shprehu besimin se Ukraina do të anëtarësohej në BE, pas një votimi për këtë çështje në muajin dhjetor. “Ne duam ta shohim Ukrainën të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, shtoi ajo.

Ndërkohë, forcat ukrainase në rajonin e Donetskut kanë njoftuar për një rritje të sulmeve ruse me artileri në muajin e fundit, që shërbimi koreanojugor i zbulimit thotë se është rezultat i furnizimit të ushtrisë ruse me municione nga Koreja e Veriut. Zyrtarët e Koresë së Jugut pretendojnë se Pheniani i ka dhënë Moskës më shumë se një milion predha, duke e rënduar gjendjen si për ushtarët ashtu edhe për civilët në Ukrainë.

“Natyrisht, shumë njerëz në botë janë të lodhur. Kjo është e kuptueshme. Dikush lodhet në betejë, dikush tjetër në vendin e tyre të punës dhe ka të tjerë jashtë vendit që janë të lodhur me këtë situatë. Ata duan që bashkëshortët, ushtarët e tyre të kthehen në shtëpi. Gratë dhe fëmijët janë të lodhur. Disa udhëheqës evropianë janë të lodhur nga mbështetja për Ukrainën. Natyrisht, njerëzit janë të lodhur sepse kjo është një luftë e gjatë”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.

Për ushtarët si ata që shërbejnë në brigadën e 67-të, të cilët njoftojnë se janë angazhuar në një betejë 20 orëshe, duke luftuar pothuaj pa pushim, lufta është vërtetë e gjatë dhe ata duan që sa më parë të vijnë përforcimet diplomatike, përfshirë edhe mundësinë e votimit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian në mes të dhjetorit.

BE: Propozimi i ri për themelimin e Asociacionit është i balancuar

Bashkimi Evropian është në pritje të palëve, në këtë rast të Kosovës dhe Serbisë, për të ecur para në propozimin evropian, i cili, sipas tyre, në parim është pranuar nga palët dhe i njëjti duhet të zbatohet pa parakushte. Një propozim i ri evropian për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për ‘Rrugën drejt Normalizimit’ tashmë është në tavolinën e Kosovës dhe Serbisë. Ajo çka i është kërkuar Kosovës me urgjencë, ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë, përmbajtja e cila u është dorëzuar palëve vazhdon të jetë sekret. Për këtë edhe kryeministri Albin Kurti foli gjatë raportimit në Kuvend për dialogun e ku tha se i është kërkuar të mos flasë në detaje. Megjithatë, sipas tij, drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Për këtë draft janë deklaruar për RTK-në zyrtarë të Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thekson se në takimin e 26 tetorit, në Bruksel, palët kanë pranuar propozimin e liderëve evropianë.

“Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re. Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë ‘parimisht’ për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që të ishin të papranueshme nga pala tjetër. Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme”, tha Stano.

Nga BE thonë se dokumenti i dorëzuar nuk është publik. “Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim dhe ne asnjëherë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e medieve që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”, shtoi Stano. Për më tepër, BE thekson se të dyja palët do të vlerësohen mbi performancën e tyre individuale të zbatimit.bw

Zelensky e fton Trumpin në Ukrainë

Ish-presidenti amerikan Donald Trump në takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky më 2019.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ofrojnë më shumë ndihmë për luftim të Rusisë, dhe e ka ftuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump që të shkojë në Ukrainë për ta parë shkallën e konfliktit me sytë e tij.

Zelensky ka thënë se ushtarët amerikanë mund të përfshihen potencialisht në një konflikt më të madh evropian me Rusinë, nëse Uashingtoni nuk e rrit ndihmën.

“Nëse Rusia na vret të gjithë neve, ata do t’i sulmojnë vendet e NATO-s dhe ju do t’i dërgoni djemtë dhe vajzat tuaja [për të luftuar]”, është cituar të ketë thënë Zelensky në një intervistë për rrjetin NBC, që do të transmetohet të dielën.

Presidenti amerikan, Joe Biden, demokrat, i ka bërë thirrje Kongresit amerikan që ta miratojë një paketë ndihme në vlerë të 106 miliardë dollarëve, dhe një pjesë e këtyre mjeteve është planifikuar të ndahet për Ukrainën.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, ka insistuar që do t’i çojë përpara paketat e veta të financimit.

Ky institucion e ka miratuar javën e kaluar një paketë ndihme në vlerë të 14.3 miliardë dollarëve për Izraelin, mirëpo nuk e ka rritur ndihmën për Ukrainën.

Përgjatë intervistës, Zelensky e ka ftuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, republikan, që ta vizitojë Ukrainën dhe ta shohë shkatërrimin që ka lënë mbrapa lufta e nisur nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.

Trump, i cili synon ta fitojë edhe një mandat presidencial më 2024, dhe është kandidat kyç për ta fituar nominimin e partisë së tij, ka qenë kritik i ashpër i ndihmës amerikane për Kievin, dhe ka thënë se do t’i japë fund luftës brenda 24 orëve, nëse zgjidhet.

“Nëse mund të na vizitojë këtu, më duhen 24 minuta për t’ia sqaruar presidentit Trump që ai nuk mund ta menaxhojë këtë luftë. Ai nuk mund të sjellë paqe, për shkak të Putinit”, ka thënë Zelensky.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Ikën ‘Ciaran’, vjen ‘Domingos’- Stuhia e dytë e fortë godet Europën jugperëndimore

Evropa Jugperëndimore po përgatitet për stuhinë e dytë të madhe që vjen nga Atlantiku. Domingos tashmë po shkakton erëra të forta dhe dallgë të larta në Francë, Spanjë dhe Portugali.

Në Francë, një alarm portokalli është vendosur përgjatë bregut të Atlantikut, dhe gjithashtu në Pas-de-Calais, për shkak të erërave që arritën deri në 150 km/h të shtunën në mbrëmje.

“Po fryn shumë! Por unë jam mësuar me të sepse vij nga Brittany. Ne donim të shmangnim stuhinë atje dhe erdhëm këtu”.

Domingos vjen pas Ciaran, stuhi jashtëzakonisht e fortë, e cili ende nuk është qetësuar plotësisht. Duke u endur në Detin e Veriut, stuhia ka prekur motin në të gjithë kontinentin, me numrin e të vdekurve që u rrit në 19 të shtunën. Ciaran solli reshje rekord në Itali, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në disa provinca të Toskanës, ndërsa probleme të shumta shkaktoi edhe në Shqipëri.

Mbajti peng të bijën 4-vjeçare në aeroportin e Hamburgut, babai i vajzës dorëzohet pas 18 orësh

Policia lokale në Hamburg ka thënë se është liruar një vajzë e vogël, e cila është dyshuar të jetë marrë peng nga babai në aeroportin e Hamburgut.

Për 18 orë, aeroporti ka qëndruar i mbyllur.

Burri e ka drejtuar makinën përtej kufizimit të sigurimit dhe ka hyrë në pistën e aeroportit në mbrëmjen e së shtunës, bashkë me të bijën katërvjeçare.

Ai më pas e ka parkuar makinën nën një aeroplan.

Në fund, ai është dorëzuar para autoriteteve “pa rezistuar”, sipas policisë, e cila e ka arrestuar.

“Fëmija duket se nuk është lënduar”, ka thënë policia përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Incidenti ka rezultuar me shtyrje dhe anulim të dhjetëra fluturimeve./ REL

Kievi sulmon një kantier detar në Krime, dëmton një anije ruse

VOA/Marrë nga Associated Press

Ushtria ruse njoftoi se Ukraina kishte sulmuar me raketa një kantier detar në Krime, e për pasojë ishte dëmtuar një anije ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur të shtunën vonë në mbrëmje, se forcat ukrainase kishin hedhur 15 raketa në drejtim të kantierit Zaliv në Kerch dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore, kishin rrëzuar vetëm 13 prej tyre.

Moska nuk dha detaje mbi anijen apo shkallën e dëmtimit të kantierit.

Në një deklaratë të komandantit të forcave ajrore ukrainase Mykola Oleshchuk, thuhej se në kohën e sulmit, të kryer nga aviacioni taktik ukrainas, në kantier ndodhej “një nga anijet më moderne të flotës ruse në Detin e Zi”. Megjithatë, ai nuk tha detaje nëse ishte dëmtuar pikërisht kjo anije.

Gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, ka qenë objektiv i shpeshtë i sulmeve, që kur Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një sulm në shkallë të Ukrainës 20 muaj më parë. Krimea po shërben si qendër kryesore që mbështet agresionin rus.

Muajt e fundit Ukraina ka goditur gjithnjë e më shumë objektiva detare në gadishullin e Krimesë. Në shtator, një sulm me raketa ukrainase në një kantier detar strategjik në qytetin port të Sevastopolit dëmtoi dy anije ruse dhe plagosi 24 persona. Më vonë, po të njëjtin muaj, u godit selia qëndrore e marinës ruse po në Sevastopol.

Zgjedhjet e 22 nëntorit në Holandë, një qendër votimi do të jetë në shtëpinë e Anne Frank në Amsterdam

Votuesit në Amsterdam që do të marrin pjesë në zgjedhjet holandeze më 22 nëntor, mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një vend të pazakontë, pikërisht në Shtëpinë e famshme të Anne Frank, njoftoi sot muzeu. “Shtëpia e Anne Frank është një nga ato vende që na kujton se çfarë mund të ndodhë kur demokracia dhe sundimi i ligjit zhduken,” shpjegoi muzeu në një deklaratë, duke shpresuar se më shumë të rinj do të shkojnë në votime.

Bashkia e Amsterdamit sqaroi se vendimi është marrë nga muzeu, i cili menaxhohet nga Fondacioni Anne Frank.

Kryebashkiaku Femke Halsema tha dje në një letër drejtuar këshillit të qytetit se “duke pasur parasysh situatën në Izrael dhe territoret palestineze, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë së kësaj qendre votimi”.

Votuesit do të mund të vizitojnë shtëpinë në kanalet e Amsterdamit, një nga atraksionet kryesore turistike të qytetit, pa pagesë. Në teori do të mbetet e mbyllur për vizitorët e tjerë, përveç nëse pjesëmarrja është e ulët.

Muzeu Van Gogh dhe një xhami në pjesën perëndimore të kryeqytetit holandez (Westermoskee) do të jenë gjithashtu qendra të veçanta votimi, sipas autoritetit komunal.

Holandezët shkojnë në kutitë e votimit më 22 nëntor në atë që duket se do të jetë një tërmet politik në vend, me parti të reja që tronditin pushtetin. Kryeministri në largim Mark Rutte ka njoftuar tërheqjen e tij nga politika pas një rekord prej 13 vitesh në krye të qeverisë.

Beteja do të jetë e ngushtë sipas sondazheve, me një parti të re të krijuar nga deputeti Pieter Omzigt që aktualisht mban një epërsi të ngushtë, e ndjekur nga partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë.

Muzeu ruan shtëpinë ku familja hebreje Frank u fsheh nga nazistët dhe ku Anna shkroi ditarin e saj të famshëm, një nga tregimet më të shquara të Holokaustit, i cili ka shitur rreth 30 milionë kopje.

Pas dy vjetësh, Ana Frank dhe familja e saj u arrestuan në vitin 1944. Ajo dhe motra e saj vdiqën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në vitin 1945. Muzeu mirëpret rreth një milion vizitorë çdo vit.bw

“Bota, e lodhur nga lufta në Ukrainë”, shakaja e komedianëve rusë me Melonin shkakton ‘tërmet’ në politikën italiane, kritika nga opozita

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka pranuar hapur se liderët botërorë janë lodhur nga lufta në Ukrainë dhe kërkojnë të arrijnë një marrëveshje me Moskën gjatë një telefonate me disa humoristë rusë.

“Unë shoh se ka shumë lodhje – më duhet të them të vërtetën – nga të gjitha anët. Jemi afër momentit në të cilin të gjithë e kuptojnë se ne kemi nevojë për një rrugëdalje,” i tha ajo Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të cilët po paraqiteshin si diplomatë afrikanë. “Problemi është të gjendet një rrugëdalje e cila mund të jetë e pranueshme për të dy, pa e shkatërruar ligjin ndërkombëtar,” shtoi ajo. Meloni ishte viktima e fundit e rusëve, të cilët më parë kanë bërë shaka me Henry Kissinger, Boris Johnson dhe George W Bush. Në publik dhe në parlament, Meloni i ka dhënë mbështetje me gjithë zemër Ukrainës dhe biseda e saj për lodhjen nga lufta do të kënaqë Rusinë, e cila ka nisur një ‘aksion’ për zbehjen e mbështetjes së ndërkombëtarëve për Ukrainën.

“Kundërofensiva e Ukrainës ndoshta nuk po shkon siç e prisnim”, tha Meloni në regjistrim. “Po shkon, por nuk e ndryshoi fatin e vendit. Të gjithë e kuptojnë se mund të zgjasë shumë vite nëse nuk gjejmë zgjidhje.”. Zyra e Melonit pranoi se kryeministrja kishte marrë një telefonatë më 18 shtator, duke besuar se telefonuesi ishte një zyrtar i Bashkimit Afrikan. Biseda e Melonit u sulmua nga Giuseppe Conte, një ish-kryeministër italian dhe kreu i partisë opozitare Pesë Yjet, i cili akuzoi kryeministren se kishte dhënë një pamje “krejtësisht të ndryshme” të luftës nga ajo në fjalimet e saj në parlament. “Ne meritojmë liderë më të guximshëm,” tha ai. Megjithatë, Giovanbattista Fazzolari, një ministre e re dhe një anëtare e partisë Meloni’s Brothers of Italy, tha se ajo nuk ishte larguar nga pozicioni i saj publik për Ukrainën. “Ajo ka konfirmuar mbështetjen e Italisë për Ukrainën dhe respektimin e të drejtave ndërkombëtare”, tha ai. Ai e hodhi poshtë thirrjen si “propagandë të dëshpëruar ruse”. Tommaso Foti, Vëllezërit e liderit të Italisë në dhomën e ulët të parlamentit, tha se Meloni nuk kishte rënë në grackën e shakave. “Kushdo që donte të krijonte një incident diplomatik zgjodhi objektivin e gabuar,” tha ai.
Politikanët e opozitës vunë në shënjestër personin që verifikonte thirrjet e Melonit. “Kushdo që ka detyrën të garantojë komunikimin e sigurt të kryeministrit tonë, e ka ekspozuar Italinë ndaj rrezikut dhe talljes së madhe”, tha deputeti Riccardo Magi.

Kjo është hera e dytë në javë që Meloni i është dashur të përballet me pasojat nga regjistrimet e publikuara të bisedave private. Muajin e kaluar, ajo u nda nga partneri i saj, gazetari i televizionit Andrea Giambruno, pasi u publikuan një video ku ai i propozonte një kolege femër një marrëdhënie sekuesale treshe. Në bisedën e saj telefonike me rusët, Meloni iu drejtua temës së lundrimit të emigrantëve në Itali nga Afrika, duke fajësuar shtetet e tjera të BE-së për hedhjen e problemit në prehrin e Italisë. “Të tjerët nuk u interesojnë,” tha ajo, duke shtuar: “Ata janë dakord që Italia duhet ta zgjidhë vetëm këtë problem. Është një mënyrë budallaqe e të menduarit.”. Ajo sugjeroi se Franca ishte më e interesuar në minierat e uraniumit në Niger sesa të ndalonte migrimin nga vendi. “Pikëpamja e tyre nuk është domosdoshmërisht e imja,” shtoi ajo.

 

 

 

(BalkanWeb)

Franca arreston një oligark rus nën dyshimet për shkelje të sanksioneve

Oligarku rus, Alexey Kuzmichev, është arrestuar dhe po merret në pyetje në Francë në lidhje me dyshimet për shmangie të tatimeve dhe pastrim parash, si dhe për shkeljen e sanksioneve ndërkombëtare, tha Zyra e Prokurorit për Financa më 31 tetor.

Një ditë më herët, autoritetet kanë kryer bastisje në shtëpinë e Kuzmichevit në Paris dhe në rajonin Var.

Kuzmichev vazhdon të jetë i ndaluar nga autoritetet dhe ende ndaj tij nuk janë ngritur akuza. Avokatët e tij ende nuk janë deklaruar për rastin.

Zyrtarët doganorë francezë vitin e kaluar konfiskuan jahtin “Le Pettie Ourse” të Kuzmichevit. Konfiskimi i jahtit prej 27 metrash ishte pjesë e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian për shkak të lidhjeve të oligarkut me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ky veprim nxiti një betejë ligjore midis autoriteteve dhe Kuzmichevit, i cili është një prej aksionarëve të bankës ruse, Alfa Bank.

Kuzmichev po ashtu në gusht të këtij u fut në listën e sanksioneve amerikane për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.rel

Tanket ruse tentuan të thyenin vijën mbrojtëse të ukrainasve, por e pësojnë keq.

Ushtria ukrainase ka goditur rëndë karvanin e mjeteve ushtarake ruse, që po tentonin të kalonin vijën mbrojtëse të ushtarëve të Volodymyr Zelenskyt, shkruan Newsweek. Pamjet e publikuara më poshtë nga ukrainasit, shfaqin brigadën e 31 të motorizuar të ushtrisë ukrainase, që një sërë tankesh dhe mjete tjera të blinduara të rusëve arrijnë t’i shkatërrojnë.

Videoja është realizuar me fluturake pa pilot, ku shihen goditjet e pandërprera mbi tanket që i braktisnin ushtarët pasi kaploheshin nga zjarri. Madje kur e kuptojnë se nuk kanë nga t’ia mbajnë, dalin nga formacioni dhe fillojnë të bëjnë lëvizje të pakontrolluara.

Sipas ushtrisë ukrainase, tanket ruse kishin tentuar të thyejnë vijën mbrojtëse të ukrainasve rreth qytetit Krasnohorivka në rajonin e Donetskut në veri të qytetit Marinka, ku po zhvillohen luftime të ashpra. Blogeri ushtarak i afërt me Kremlinin ka konfirmuar se forcat ruse janë sulmuar derisa tentuan të godasin pozicionet e ukrainasve në afërsi të Marinkës dhe Krasnohorivkës.bw

Von der Leyen sot në Shkup, nesër takohet me Osmanin e Kurtin në Prishtinë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të nisë një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Më tej theksohet se ky do të jetë një rast për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit Von der Leyen, nesër do të jetë në Prishtinë ku do të zhvilloj takime me kryeministrin dhe presidenten.

“Të hënën ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftim.

Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd. Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me kryeministren, Ana Brnabiq.

Presidentja e KE-së thuhet se do të mbajë konferenca për shtyp gjatë të gjitha vizitave të saj dhe ato do të transmetohen në EbS .

Vizita vjen pas takimeve që Von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.bw

Martin Henze: Kriechbaum është një kukull propagandistike e autokracisë Rama-Basha

Martin Henze, këshilltari për çështjet ekonomike tek CDU-ja gjermane ka reaguar në Twitter, mbi deklaratën e fundit të Kriechbaum ku legjitimon në mënyrë absurde sulmin politik të drejtësisë shqiptare ndaj liderit të Opozitës, Sali Berisha.

Henze shkruan se Kriechbaum është bërë një kukull propagandistike e autokracisë Rama/Basha.

POSTIMI I PLOTË:

Kush është Kriechbaum-i?

E keni fjalën për kolegun e partisë që viziton relativisht shpesh serbët në Mal të Zi apo që viziton Ramën apo Bashën në Tiranë? E keni fjalën për njeriun që ka bërë krahasimin nazist në Shqipëri?

Dhe i cili, siç thotë BILD, uroi qeverinë mafioze të Ramës për rindërtimin e shtetit shqiptar, duke vlerësuar de facto vendosjen e një autokracie, çmontimin e lirisë së shtypit, politizimin e policisë, mosfunksionimin e gjyqësorit dhe legjislativit dhe ekzekutivit më të korruptuar në Europë.

Një vend ku çdo zgjedhje është e manipuluar, ku nuk ka ligj zgjedhor demokratik dhe i sjell dobi vetëm Ramës, vlerësohet prej tij. Duket sikur është zëdhënësi i shtypit i Ramës/Bashës.

Një vend ku nuk ka pothuajse fare liri shtypi si në Shqipëri dhe ku, që kur ka ardhur Rama në pushtet në vitin 2013, ka pasur një rritje eksponenciale të eksporteve të drogës në BE, pastrim parash dhe korrupsion qeveritar, nuk mund të jetë një shtet kushtetues. E keni fjalën për zotin Kriechbaum që, ashtu si zyra e shtypit e Ramës, pretendon se pjesë të mëdha të rezolutës 10-pikëshe të parlamentit gjerman të 2019-ës janë përmbushur?

A ka një ligj zgjedhor demokratik? Jo. A ka liri shtypi? Jo, po kufizohet gjithnjë e më shumë. A është bërë kallëzim ndaj Grupit Rama për mashtrimet zgjedhore të vitit 2017? Jo. A është Shqipëria një demokraci parlamentare? Jo, sepse duhet një shtet kushtetues funksional, i cili nuk ekziston.

Nga ana tjetër, Shqipëria është bërë de fakto një shtet njëpartiak për shkak të shokëve të Ramës që lundrojnë nën një flamur fals në opozitë, të cilët e kanë copëtuar opozitën. A është Shqipëria shtet kushtetues? Jo. Deri më sot, struktura e drejtësisë është de facto jofunksionale dhe në varësi të autokracisë Rama. Lufta kundër korrupsionit bëhet, si në Rusi, me synimin për të neutralizuar kritikët dhe kundërshtarët politikë të administratës Rama.

Dosjet e gjykatës shqiptare janë shqyrtuar dhe administruar në kompaninë private të ish-gruas së Ramës… Më lejoni ta mbyll duke thënë se krahasimi nazist i Kriechbaum-it, dhe këtë e them si dikush familja e të cilit u vra pjesërisht në Aushvic dhe pjesërisht nga komunistët, është një turp për Gjermaninë, i papranueshëm.

Kriechbaum duket se është bërë një kukull propagandistike e autokracisë Rama/Basha…. Ky njeri është intelektualisht i mangët në vendin tonë. Pra, personi e ka përjashtuar veten si konservator dhe demokrat. Nuk  janë interesante gjërat që thotë… Krishtlindja me gjasa është afër për të.

Deklaratat e Kriechbaum- Reagon Doris Pack: Ndihem e turpëruar që deputeti gjerman thotë marrëzira në Tiranë

Pas deklaratave të deputetit gjerman në Tiranë, Kriechbaum, ku legjitimon në mënyrë absurd sulmin politik të drejtësisë shqiptare ndaj liderit të Opozitës, Sali Berisha, ka reaguar ish-eurodeputetja Doris Pack.

Ndihem e turpëruar nga deklaratat e Kriechbaum në Tiranë, shkruan Pack në rrejtin social ‘X’.

Postimi i plotë i Doris Pack:

Më vjen turp që deputeti gjerman Kriechbaum u thotë pallavra televizioneve në Tiranë. E vërteta është kjo: %46 Grundgesetz-it (Kushtetutës) sonë e thotë qartë, që ndjekja penale e një deputeti mund të kryhet vetëm nëse i hiqet imuniteti me votim të Bundestagaut.

 

Udhëheqësit evropianë, thirrje Kosovës të nisë procedurat për Asocacionin; Serbisë për njohjen de-fakto të Kosovës

VOA/Menada Zaimi

Udhëheqësit evropianë i kërkuan të premten Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Thirrja u bë nëpërmjet një deklarate të përbashkët të Presidentit francez Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni e cila u publikua të premten.

Deklarata pason takimet e veçanta me Kryeministrin e Kosovës Kurti dhe Presidentin e Serbisë Vuçiç në Bruksel, të tre udhëheqësve evropianë. Në takime morën pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesi i Posaçëm të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak.

Në deklaratë thuhej se projektstatuti evropian mbi Asociacionin “përfshin një mënyrë moderne për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”.

Ndaj nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Faza e zbatimit, duhet të përparojë në atë që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht, hap pas hapi bazuar në parimin, që duhet të bëjnë diçka, për të marrë diçka në këmbim. Tani vëmendja duhet të përqendrohet në avancimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej në komunikatë.

Më tej udhëheqësit evropianë i bënë thirrje Kosovës që të “nisë procedurën për themelimin e Asociacionit, ashtu siç është parashikuar në projektstatut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto (të Kosovës).

Në deklaratë u kujtohej palëve se në mungesë të progresit për normalizimin e marrëdhënieve, të dyja, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.

Takimet në Bruksel u zhvilluan në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha dje përmes një komunikate se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin perëndimor për Asociacionin, duke akuzuar Presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.

Ky i fundit u tha gazetarëve se Serbia është e gatshme për zbatimin e Asociacionit “në përputhje me propozimin e marrë më 21 tetor”, por theksoi se gjatë bisedimeve më 26 tetor me udhëheqësit evropianë” kishte bërë të qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, apo pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës”.

Në marrëveshjen e Ohrit, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars, kërkohet që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Shefja e BE-së viziton Ballkanin Perëndimor

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë të dielën një vizitë katërditore në Ballkanin Perëndimor.

Atë ditë, shefja e bllokut evropian do të takohet me zyrtarë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa të hënën do të jetë në Prishtinë, për t’u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në ditën pasuese, ajo do ta vizitojë Podgoricën dhe Beogradin, ndërsa të mërkurën do ta mbarojë vizitën në Sarajevë.

Ajo do të takohet me liderët e të gjitha shteteve.

Vizita e saj në këto vende të Ballkanit vjen pas një vizite të saj në Shqipëri, më 15-16 tetor.

Atje, von der Leyen ka marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit.

Në atë samit është bërë thirrje që ky rajon të bëhet sa më shpejt anëtar i Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në një të ardhme.rel

Butikofer: Borrell e harron agresionin serb, përmend Asociacionin

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, ka komentuar deklaratat e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, pas takimeve në Bruksel.

Eurodeputeti ka thënë se Borrell po i fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë duke mos kujtuar aktin e agresionit serb të 24 shtatorit, shkruan RTK.

Përmes një postimi në platformën ”X”, ai ka shkruar se Asociacioni ishte e vetmja pengesë për normalizimin e marrëdhënieve që Borrell ka përmendur, ndërsa nuk është diskutuar për parakushtet që mund të kishte pala serbe.

Butikofer ka ritheksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve ka shprehur gatishmërinë për të pranuar çdo propozim të BE-së, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar një gjë të tillë.

“Kjo është vërtet interesante: 1. E vetmja pengesë, e cila Borrell përmend, është Asociacioni. A nuk kishte pengesa nga pala serbe? A është e drejtë të “harrohet” përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? 2. Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiq refuzoi një gjë të tillë”. Pra, pse atëherë bën Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? 3. A i kujtohet Borrellit që Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Pse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje”, ka shkruar Butikofer.

Ndryshe, Borrell ka konfirmuar se mes Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur një dakordim për normalizim të raporteve. Borrell është shprehur i shqetësuar nga ngërçi politik.

Sipas tij, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër. Ai ka theksuar se kanë paraqitur një propozim serioz dhe të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit.

Shkrimi i fjalorit të gjuhës suedeze përfundon pas 140 vitesh punë

Pas 140 vitesh punë, Fjalori i Akademisë Suedeze (SAOB) i hartuar nga Akademia Suedeze ka përfunduar dhe vëllimi i fundit doli në shtyp javën e kaluar.

Vepra masive përfshin 33,111 faqe dhe përfshin 39 vëllime. Që nga viti 1883, gjithsej 137 punonjës me kohë të plotë kanë punuar në këtë projekt, raportoi botuesi.

Në fakt, fjalori ende nuk ka përfunduar, shkruan Guardian. Vëllimet A deri në R janë tani aq të vjetra sa duhet të rishikohen për të përfshirë fjalë moderne. Për shembull, fjala “alergji” hyri në gjuhën suedeze rreth viteve 1920, por nuk shfaqet në vëllimin A, sepse u botua në 1893.

Kështu gjatë shtatë viteve të ardhshme do të shtohen 10,000 fjalë të reja, si “kukulla Barbie”, “app” (për telefonat inteligjentë) dhe “kompjuter”.

SAOB regjistron gjuhën suedeze nga viti 1521 deri në ditët e sotme. Është në dispozicion online dhe janë botuar vetëm rreth 200 kopje, të cilat përdoren kryesisht nga studiues dhe gjuhëtarë. Akademia Suedeze boton gjithashtu një fjalor të dobishëm të gjuhës moderne suedeze./dita

BE-ja i vazhdon sot diskutimet për Kosovën dhe Serbinë

Këshilli Evropian do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE), pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve me liderët e BE-së të enjten në Bruksel.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në një konferencë të enjten pasmesnate se Këshilli nuk diskutoi dje për marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike, duke shtuar se “ne e mbështesim normalizimin e raporteve dhe shtensionimin [e situatës]. Për këtë do të diskutojmë nesër [e premte] në takimin e Këshillit”.

Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit. Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit – për të cilin Kosova e lë fajtore Serbinë – kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.

“Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.

Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiq këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.

“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.

Sipas tij, kjo “mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane”.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur”, tha kryediplomati evropian.rel

Kurti dhe Vuçiçi në Bruksel për takime me udhëheqësit evropianë

Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u zhvillua më 14 shtator në Bruksel.

Valona Tela

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qëndrojnë sot në Bruksel për një sërë takimesh me udhëheqës të Bashkimit Evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimet e tyre të ndara janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Kurti dhe Vuçiq do të priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, po ashtu, do t’i informojë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së për gjendjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar.

Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë për planin, por pranoi se “takimet e planifikuara nuk do të jenë të lehta”.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si “rrugën e vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ku qëndron dialogu?

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.

Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.

Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.

Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.

Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.

Por, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e rritën së voni trysninë mbi Kosovën për të formuar Asociacionin.

Derisa nga SHBA-ja thonë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për BE-në çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog.

BE: Kemi bërë një propozim modern evropian për Asociacionin

Si rezultat i takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që kanë pasur me palët, Bashkimi Evropian tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Blloku evropian tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve.

Këto deklarata i bëri zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur do të mbahet samiti i BE-së.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Ai shtoi se “priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte”.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave”, tha Stano.

Edhe më herët, BE-ja ka thënë se i ka paraqitur Kosovës dhe Serbisë disa modele evropiane për statutin e Asociacionit.

Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i Kurtit, draft-statuti i Ramës, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor qëndroi Lajçaku, së bashku me katër diplomatë të tjerë: i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.

Pas takimit në Prishtinë, Lajçak tha se diplomatët kanë paraqitur një plan për të cilin kanë biseduar me Kurtin. Nga zyra e Kurtit konfirmuan se është diskutuar për planin e diplomatëve “për ecjen përpara”, por nuk u dhanë detaje për të.

Komuniteti ndërkombëtar po i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, pas rritjes së tensioneve mes dy shteteve.

Tensionet janë rritur qysh në maj në komunat veriore të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që dolën nga zgjedhjet e prillit – të bojkotuara nga serbët.

Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit, të arritur më herët gjatë vitit.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Grevë historike e grave në Islandë

Në grevë merr pjesë edhe kryeministrja Katrín Jakobsdóttir

VOAL- Njëzet e katër orë grevë nga gratë dhe njerëzit jobinarë më 24 tetor në Islandë kundër hendekut gjinor të pagave. Në grevë merr pjesë edhe kryeministrja Katrín Jakobsdóttir. Kjo është greva e parë e këtij lloji në 50 vjet.

Organizatorët shpresojnë se demonstratat e planifikuara do ta bëjnë shoqërinë të reflektojë mbi dallimet në paga gjinore dhe dhunën seksuale të përhapur në vend. Mes pjesëmarrësve të konfirmuar janë punonjëse femra në industrinë e peshkimit, mësuese dhe infermiere. Greva e fundit gjithëditore e grave në Islandë ishte në vitin 1975, kur 90% e grave islandeze refuzuan të punonin si pjesë e “kvennafrí” (dita e pushimit të grave), duke çuar në ndryshime vendimtare dhe duke paralajmëruar zgjedhjen e Vigdís Finnbogadóttir si kryeministër.

Hendeku gjinor i pagave në Islandë

Hendeku gjinor i pagave, ose diferenca gjinore e pagave, është një problem i përhapur në shumë vende të botës. Shtrirja dhe ashpërsia e problemit mund të ndryshojnë nga vendi në vend dhe nga sektori në sektor dhe varet nga faktorët kulturorë, socialë dhe ekonomikë. Disa vende kanë bërë përparim të rëndësishëm në reduktimin e hendekut gjinor të pagave, ndërsa në shtete të tjera kjo pabarazi në paga është ende shumë e theksuar. Ndër vendet më të avancuara, kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, sigurisht që është Islanda: për 14 vite rresht ajo ka qenë në fakt vendi më i mirë në botë për barazinë gjinore në renditjen e Forumit Ekonomik Botëror. Nëse flasim për diferencën e pagave midis burrave dhe grave, me kalimin e kohës vendi ka bërë shumë përpjekje dhe ka aplikuar masa të ndryshme për ta ulur atë gjithnjë e më shumë. Por kur dhe si nisi ky proces?

Greva e vitit 1975

Kthesa e parë reale ndodhi me grevën e 24 tetorit 1975. Nga kjo datë u formua një lëvizje e vërtetë popullore në Islandë e cila dalëngadalë filloi të ndryshojë shoqërinë. Rreth 90% e grave islandeze marrin pjesë në grevë, pikërisht për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e punës së tyre për shoqërinë dhe ekonominë, duke protestuar kundër pabarazisë në paga. Gjatë gjithë ditës gratë nuk shkojnë në punë dhe nuk kujdesen për shtëpinë apo fëmijët.
Rezultati vihet re menjëherë: pesë vjet pas grevës, Vigdís Finnbogadóttir është presidentja e parë femër e zgjedhur në mënyrë demokratike në botë.
Gratë kanë filluar të fitojnë më shumë dukshmëri në sferën politike: prania e tyre në Parlament dhe në administratën publike po rritet gjithashtu. Pasojnë disa ndryshime politike.
Në vitin 1981, Islanda miratoi një ligj që u garantonte punëtorëve 3 muaj pushim të paguar të lehonisë. Në vitin 1988 ai u zgjat në 6 muaj. Padyshim një hap i rëndësishëm për t’u garantuar nënave kohën për t’u kujdesur për fëmijët e tyre pa humbur rrogën e tyre.
Por sado progresiv të jetë ligji, ai inkurajon nënat të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa baballarët vazhdojnë të punojnë, duke përforcuar normat kulturore që qëndrojnë në themel të hendekut gjinor të pagave: janë mbi të gjitha gratë ato që duhet të mendojnë për t’u kujdesur për shtëpinë dhe fëmijët. Pra, Islanda bën një lëvizje tjetër.

Leja e përbashkët prindërore po vjen

Në vitin 2000, Islanda u bë një nga vendet e para në botë që prezantoi një sistem të pushimit prindëror të përbashkët midis babait dhe nënës. Çfarë do të thotë kjo saktësisht? Çdo prind ka 3 muaj leje të garantuar. Nëse njëri nga të dy vendos të mos e përdorë, këta muaj humbasin sepse nuk mund t’i transferohen prindit tjetër. Për më tepër, dy prindërit mund të vendosin se kush përfiton nga 3 muajt e mbetur: as babai dhe as nëna nuk mungojnë në punë për më shumë se 6 muaj, duke marrë afërsisht 80% të pagës së tyre. Me këtë sistem, gratë që vendosin të kenë fëmijë nuk “penalizohen” në sytë e punëdhënësit. Për më tepër, ka bërë një ndryshim për meshkujt islandezë. Sot, baballarët e brezave të rinj janë në fakt të vetëdijshëm se mund të kalojnë kohë me fëmijët e tyre të porsalindur, ashtu si nënat.

Në vitin 2018 Islanda arriti një tjetër rekord botëror

Hyn në fuqi një ligj që kërkon që, çdo 3 vjet, të gjitha kompanitë me të paktën 25 punonjës me kohë të plotë duhet t’i vërtetojnë qeverisë se paguajnë të njëjtën pagë për burrat dhe gratë që kryejnë të njëjtat detyra. Falë të gjitha këtyre masave, hendeku gjinor i pagave në Islandë është ngushtuar me kalimin e viteve dhe vazhdon të ngushtohet. Prandaj, ky komb ka treguar se zvogëlimi i hendekut gjinor të pagave është i mundur, megjithëse nevojiten padyshim politika novatore dhe përpjekje të vazhdueshme.

Pretendimet aktuale

Ndërsa ka pasur greva të tjera të grave të frymëzuara nga kvennafrí që nga viti 1975, greva e sotme është ngjarja e parë gjithëditore. Mobilizimi pritet të jetë masiv: me përjashtim të shërbimeve thelbësore të garantuara, shumica e aktiviteteve të ishullit do të ndalen, duke e shndërruar kërkesën në grevën më të madhe të grave të organizuar ndonjëherë në Islandë.

Edhe pse Islanda ka qenë në vendin e parë në renditjen e Forumit Ekonomik Botëror për luftën kundër hendekut gjinor për 14 vjet rresht, organizatorët e grevës ende denoncojnë një situatë pabarazie: “Islanda përshkruhet si një parajsë e barazisë – thotë Freyja Steingrímsdóttir. , një nga zëdhënëset e mobilizimit -, por një parajsë e barazisë nuk duhet të ketë 21% diferencë pagash dhe të regjistrojë 40% të grave që kanë pësuar abuzim seksual”.rsi-eb

Erdogani nënshkruan dhe dorëzon në Parlament protokollin për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paraqiti sot në Asamblenë Kombëtare një projektligj për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO, njoftoi presidenca turke.

“Protokolli i pranimit të Suedisë në NATO u nënshkrua më 23 tetor 2023 nga presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe u dërgua në Asamblenë e Madhe Kombëtare”, thuhet në postimin e presidencës në platformën X.

Protokolli për anëtarësimin e Suedisë në NATO u nënshkrua nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan më 23 tetor 2023 dhe iu referua Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë.

Në njoftim nuk jepen detaje të tjera.

Kujtohet se më 13 tetor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kishte deklaruar se Turqia i konfirmoi Aleancës së Atlantikut të Veriut angazhimin e saj për të ratifikuar pranimin e Suedisë në organizatën ndërkombëtare, siç parashikohej në një marrëveshje të lidhur në samitin e aleancës në Vilnius në korrik.

Në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s të mbajtur më 11 dhe 12 tetor në Bruksel, u bë presion mbi Hungarinë dhe Turqinë për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në aleancë sa më shpejt të jetë e mundur, tha një burim i AFP-së për informacionin.bw

Ukraina dhe Turqia, diskutime mbi një plan paqeje për t’i dhënë fund sulmit rus

Arash Arabasadi

Presidenti ukrainas tha se Turqia do t’i bashkohet këtë javë procesit të paqes që synon t’i japë fund sulmit të Rusisë në Ukrainë. Njoftimi erdhi pas një sulmi me raketa ndaj një zyre të shërbimit postar të Ukrainës, gjatë të cilit u vranë disa persona dhe u plagosën disa të tjerë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, ky zhvillim pason një vizitë të kryediplomatit rus në Korenë e Veriut.

Gjatë orëve të natës në Kharkiv të Ukrainës, një raketë goditi një zyrë të shërbimit postar. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, gjashtë persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën. Në mediat sociale guvernatori i qytetit të dytë më të madh të vendit fajësoi forcat ruse për sulmin. Sipas shërbimit postar, sirenat e alarmit për sulm ajror kishin rënë vetëm pak momente para sulmit, duke mos u dhënë kohë personave që ishin brenda të gjenin një strehim më të mirë.

Në mëngjes, dëmet u filmuan me dronë nga policia ukrainase. Sulmi pasoi një mesazh të transmetuar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ku ai tha se pati biseduar me homologun e tij turk, Presidentin Rexhep Tayyip Erdogan dhe se dy udhëheqësit kanë diskutuar për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë për paqen javën e ardhshme në Maltë, për t’i dhënë fund sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Pas një sulmi me raketa nga forcat ruse në Kharkiv (22 tetor 2023)

Pas një sulmi me raketa nga forcat ruse në Kharkiv (22 tetor 2023)

Por vetëm pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov vizitoi një aleat të Rusisë në këtë luftë, udhëheqësin suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili mbështet sulmin e Rusisë në Ukrainë dhe të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar se furnizon Rusinë me armatime.

Presidenti amerikan Joe Biden mirëpriti udhëheqësit evropianë të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku së bashku premtuan mbështetje për Izraelin në luftën ndaj Hamasit dhe siguruan Ukrainën se mbështetja për të është e palëkundur.

Ndërkaq, forcat e armatosura të Ukrainës vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë territorin. Marinsat ukrainas përparuan përgjatë Lumit Dnipro për t’u hapur rrugën përforcimeve që zhvendosen përmes rajonit Kherson.

Për civilët në Ukrainë që e kanë kaluar tashmë një dimër lufte, kanë filluar përgatitjet për të siguruar ushqime dhe ngrohje, në rast se luftimet do të ndërprisnin sërish furnizimin me energji siç ndodhi vjet, kur temperaturat ranë së tepërmi.

Po këtë javë, zyrtarët ukrainas njoftuan se kanë rimarrë 14 artifakte që thanë se ishin marrë ilegalisht nga një shtetas rus që u ndalua në një aeroport amerikan.

Zyrtarët ukrainas thanë se shkatërrimi dhe grabitja e objekteve historike që kur filloi sulmi i forcave ruse kanë shkaktuar humbje në vlerën e qindra miliona dollarëve.

Lajçaku pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin: Sulmi në Banjskë të hetohet plotësisht

I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se së bashku me 4 diplomatët e tjerë perëndimorë kanë zhvilluar diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në platformën X, ai ka bërë të ditur se gjatë takimeve ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit duhet të hetohet plotësisht, raporton Klan Kosova.

‘Udhëtuam për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ne theksuam se 24/9 duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut’, ka shkruar Lajçak.

“Rrugët tona morën drejtime të ndryshme”, Meloni i jep fund martesës 10-vjeçare, një mesazh dhe për kundërshtarët politikë

ITALI

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka dhënë fund martesës së saj 10-vjeçare me Andrea Giambruno. Lajmin ka dhënë vetë Meloni me një postim në rrjetet sociale.

“Marrëdhënia ime me Andrea Giambrunon, e cila zgjati gati dhjetë vjet, përfundon këtu. E falënderoj për vitet e mrekullueshme që kaluam së bashku, për vështirësitë që kaluam dhe që më dha gjënë më të rëndësishme në jetën time, që është vajza jonë Ginevra. Rrugët tona kanë kohë që kanë marrë drejtime të ndryshme dhe tashmë ka ardhur koha ta pranojmë atë.

Unë do ta mbroj atë që ishim, do ta mbroj miqësinë tonë dhe do të mbroj me çdo kusht, një vajzë shtatëvjeçare që e do nënën e saj dhe e do babanë e saj, ashtu siç nuk munda të dua unë timin. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë për këtë.

PS. Të gjithë ata që shpresonin të më dobësonin duke më goditur në shtëpi, duhet ta dinë se sado që pika shpreson të gërryejë gurin, guri mbetet gur dhe pika është vetëm një pikë ujë”-shkruan kryeministrja italiane Meloni.

 

  • foto galeri

Prokurori Nicola Gratteri lë Kalabrinë. Nga nesër, në krye të Antimafias së Napolit, Prokuroria më e madhe në Itali Nga Alba KEPI

Prokurori i Antimafias Nicola Gratteri lë Kalabrinë dhe nga nesër ai do të jetë në krye të Prokurorisë së Antimafias së Napolit, që është dhe Prokuroria më e madhe në Itali.

“Largohem nga Kalabria me bindjen se i dhashë njerëzve besim e se nuk jemi më si Afrika e Veriut e Italisë”, ka deklaruar Prokurori i Antimafias së Katanzaros, në ditën e fundit të punës së tij në Kalabri e gjatë një takimi me mediat.

“Unë i njoh mirë fuqitë e forta, e njoh mirë masonerinë e devijuar, e di se cfarë është strekëmbëshi. Për shumë vite kam ngrënë bukë dhe helm. Unë e di shumë mirë se ku po shohin, janë përpjekur dhe do të përpiqen të më godasin, por vitet e fundit kam pasur gjithmonë shpatulla të gjera dhe nerva prej celiku. Dhe unë do të vazhdoj t’i kem ato.”- Kështu është shprheur Nicola Gratteri në takim me gazetarët në ditën e tij të fundit si prokuror i Antimafias së Katanzaros.

Ditën e premten më datë 20 tetor, ai do të transferohet në Napoli e do të bëjë betimin si prokuror i këtij qyteti duke marrë detyrën e tij të re, i zgjedhur e i emëruar nga Këshilli Suprem i Magjistraturës italiane mbajtur në 13 shtator 2023.

“Ata që më njohin mirë, tha Gratteri, e dinë që kam punuar gjithmonë me Kodin Penal në dorë pa e parë askënd në fytyrë dhe gjithmonë e kam kuptuar se cfarë duhet bërë o jo. Unë kurrë nuk kam pasur probleme gjatë kohës sime në krye të Prokurorisë së Katanzaros. Unë kurrë nuk kam bërë faull reagues pavarësisht se jam provokuar shumë herë në të gjitha mënyrat, madje edhe në mënyrë të vrazhdë dhe të dizorganizuar, me qëllim që të humbas durimin. Por nuk e humba kurrë. Në të vërtetë, shumë herë kam buzëqeshur dhe kam menduar: gjëra të gjora. Shpresoj që pasardhësi im të ketë forcën, nervat prej celiku dhe shpatullat e gjera, sepse menaxhimi i Prokurorisë së Katanzaros nuk është i lehtë. ”,

“Tashmë edhe magjistratët e rinj, ata që erdhën 5-7 vite më parë, kanë fituar përvojë të mirë, u shpreh Gratteri. Dhe shoh që këta kolegë janë rritur, po rriten dhe prandaj sigurisht që do të ketë vazhdimësi. Mendoj se gjëja më e rëndësishme që bëmë ishte t’u jepnim njerëzve më shumë besim, unë po largohem nga Kalabria – përfundoi Gratteri – duke lënë idenë se “ne mund të ndryshojmë, se nuk jemi më Afrika e Veriut.”

Nicola Gratteri do të bëj nesër betimin si Kryeprokuror i Antiamafias së Napolit, Prokuroria më e madhe e Italisë e të një prej qyteve më të populluara italiane me 3 milionë banorë.

Nicola Gratteri prej prillit 1989 jeton nën mbrojtjen e shtetit me një skuadër troprojesh prej 8-10 oficerësh që e ndjekin në cdo orë të ditë.

Në një nga intervistat e fundit thotë se “prej 25 vitesh nuk ka mundur të bëj një banjo në det.”

Mbi punën në Katanzaro thotë se për dy gjëra është krenar; “nga ana morale se i ktheu shpresën kalabrezëve e nga ana pratika se mundi të ndërtojë në Katanzaro Prokurorinë Antimafia më të bukur të Italisë në një monaster të 1400 me sallën bunker më të madhe të Italisë.”

“Nuk punoj për para thotë. 7400 euro në muaj e kjo punë nuk bëhet për lekë. Nëse një magjistrat ka zili dikë me Ferrari duhet të zgjedh të bëhet noter. E mendoj se jemi të privilegjuar se rroga e një prokurori është trefish më e lartë se e një nëpunësi.”

antimafia nicola gratteri alba kepi


Send this to a friend