VOAL

VOAL

Gjermania përgënjeshtron Listën Serbe për integrimin e institucioneve

Radio Evropa e Lirë

Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgënjeshtruar deklaratat e Listës Serbe lidhur me integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në sistemin e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rohde tha se deklarata e bërë një ditë më parë nga Lista Serbe se integrimi i këtyre institucioneve nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë negociate apo marrëveshje, “thjesht nuk është e vërtetë”.

“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013 përfshiu gjashtë pika për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq në marrëveshjen e fundit të Ohrit lidhur me udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 2013 qartë thuhet se integrimi i këtyre institucioneve në sistemin e Kosovës do të bëhet nën patronazhin e Asociacionit”, tha Rohde.

Sipas ambasadorit gjerman, interpretime të tilla “me kaq dykuptimësi” të dokumenteve ndërkombëtare, që janë ligjërisht të detyrueshme “shtojnë tensionet, nënjë kohë kaq të ndjeshme para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, kur komunitetet lokale serbe pritet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.

“Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklaratat e tilla arbitrare, dashakeqe që mund të dëmtojnë proceset demokratike, sikurse janë zgjedhjet e ardhshme”, tha Rohde.

Rohde iu referua Marrëveshjes së vitit 2013 për themelimin e Asociacionit dhe Marrëveshjes së Ohrit të arritur më 2023. Kosova ende nuk e ka themeluar Asociacionin, ndërkaq Marrëveshja e Ohrit – që po ashtu parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë – ende nuk është zbatuar.

Më 18 shtator, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se “të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare flasin qartë se këto janë sisteme të ndara”.

Të gjitha institucionet shëndetësore në mjediset serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista Serbe tha se shëndetësia dhe arsimi janë “shtyllat e mbijetesës së popullit serb dhe ashtu do të mbeten”.

Ndërkaq, kreu i Listës Serbe, Zllatan Ellek, gjatë një proteste të mbajtur të premten përsëriti qëndrimin e partisë se nuk do të ketë asnjë integrim të sistemit shëndetësor e arsimor të Serbisë në sistemin e Kosovës, duke shtuar se një gjë e tillë nuk është paraparë në asnjë marrëveshje ndërkombëtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

Por, Kosova po punon që këto institucione të integrohen në një sistem të vetëm, pohoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi më 18 shtator.

Autoritetet e Kosovës javën e kaluar e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut, me arsyetimin se ky institucion nuk kishte dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë.

Njëkohësisht u pezullua edhe puna e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Këto vendime nxitën reagime nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian, të cilët i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës të përmbahen menjëherë nga “shënjestrimi” i institucioneve shëndetësore që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Ato kërkuan të mos ndërmerren hapa të njëanshëm, duke theksuar se është e domosdoshme konsultimi me komunitetin serb.

Pas këtyre reagimeve, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, mohoi se Prishtina zyrtare synon mbylljen e institucioneve shëndetësore, duke theksuar se inspektorët lokalë kishin ndërprerë “përkohësisht” punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë paralele dhe të jashtëligjshme institucionet e Serbisë në Kosovë. Mbyllja e tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, por këto veprime kanë hasur në kundërshtim të komunitetit serb dhe janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, më 4 shtator deklaroi për një grup mediash që raportojnë në gjuhën serbe se të gjitha institucionet paralele të Serbisë, përfshirë ato arsimore dhe shëndetësore, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

“Arctic Light 2025″- Danimarka zhvillon stërvitjen më të madhe ushtarake në Groenlandë pa pjesëmarrjen e SHBA

Pa praninë e Shteteve të Bashkuara, Danimarka po organizon stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë moderne të Grenlandës, me emrin Arctic Light 2025, në një kohë kur aleatët e NATO-s po forcojnë bashkëpunimin e tyre mbrojtës në Arktik, mes interesit të shtuar amerikan për këtë ishull strategjik.



Komandanti për rajonin Arktik të Danimarkës, Soren Andersen, konfirmoi se edhe pse Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishte ftuar, nuk është kërkuar pjesëmarrja e asnjë njësie të forcave të armatosura amerikane.

“Ne bashkëpunojmë me kolegë nga Baza Hapësinore amerikane në Pituffik, por nuk janë ftuar njësi të përbashkëta në këtë stërvitje,” deklaroi Andersen për Reuters.

Më parë, SHBA kishin marrë pjesë në ushtrime të ngjashme nën drejtimin e Danimarkës në Grenlandë.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Kopenhagë theksoi: “Edhe pse nuk marrim pjesë në këtë stërvitje të veçantë, vijojmë bashkëpunimin e fortë ushtarak me Mbretërinë e Danimarkës dhe aleatët tanë në Arktik.”

Mesazh politik nga Kopenhaga përmes stërvitjeve?

Sipas analistit të pavarur ushtarak, Hans Peter Michaelsen, ushtrimet “dërgojnë një sinjal të fuqishëm politik”, duke treguar mbështetjen e Danimarkës për Grenlandën, së bashku me aleatët e NATO-s.

“Këto stërvitje janë dizajnuar për të treguar amerikanëve se Danimarka kujdeset për Grenlandën dhe e bën këtë me ndihmën e vendeve të tjera të fuqishme të NATO-s,” vlerësoi Michaelsen.

Megjithatë, Andersen hodhi poshtë sugjerimet se stërvitjet synojnë të dërgojnë një mesazh të drejtpërdrejtë në drejtim të Uashingtonit.

Danimarka ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe aktivitetet ushtarake në Grenlandë, rajon gjysmë-autonom, pas komenteve të ipresidentit amerikan Donald Trump për blerjen e ishullit.

Marrëdhëniet mes Kopenhagës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar këtë vit, veçanërisht pas refuzimit të Trump për të përjashtuar publikisht mundësinë e një aneksimi me forcë të Grenlandës.

Vetëm muajin e kaluar, Danimarka thirri ambasadorin amerikan për sqarime, pas raportimeve për operacione të fshehta ndikimi nga qytetarë amerikanë në Grenlandë.

Ushtrimet Arctic Light 2025 zhvillohen nga 9 deri më 19 shtator dhe përfshijnë mbi 550 trupa, përfshirë forca speciale nga Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia dhe Norvegjia.

Sipas komandantit Andersen, gjatë stërvitjeve analizohen skenarë që përfshijnë rritjen e aktivitetit rus dhe kinez në Arktik, një zhvillim që po shkakton shqetësim në radhët e aleatëve perëndimorë.

Nga ana e saj, ambasada amerikane përshëndeti përpjekjet e aleatëve të NATO-s për të garantuar gatishmërinë për mbrojtjen e rajonit arktik.

gsh

Merz: Kritikat ndaj Izraelit në Gjermani janë bërë pretekst për urrejtje ndaj hebrenjve

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, duke folur në një ceremoni për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të Këshillit Qendror të Hebrenjve në Berlin, 17 shtator.

 

Radio Evropa e Lirë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha të mërkurën se kritikat ndaj Izraelit po përdoren gjithnjë e më shumë në Gjermani si pretekst për të nxitur urrejtje ndaj hebrenjve.

Duke folur në një ceremoni për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të Këshillit Qendror të Hebrenjve, Merz tha se antisemitizmi është bërë “më i zëshëm, më i hapur, më i pacipë dhe pothuajse çdo ditë më i dhunshëm” që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izrael, i cili e shkaktoi luftën në Gazë.

Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“‘Kritika ndaj Izraelit’ dhe përmbysja më e vrazhdë e marrëdhënies viktimë-agresor po shndërrohet gjithnjë e më shumë në pretekst përmes të cilit përhapet helmi i antisemitizmit”, tha ai.

Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin pas Shteteve të Bashkuara, dhe ka qenë kamotshëm një nga mbështetësit më të fortë të tij, kryesisht për shkak të fajit historik për Holokaustin nazist – një politikë e njohur si “Staatsraison”.

Megjithatë, muajin e kaluar, Gjermania pezulloi eksportin e armatimit që mund të përdoret në Rripin e Gazës për shkak të planit të Izraelit për ta zgjeruar fushatën ushtarake në enklavën palestineze.

Kjo është hera e parë që Gjermania ka pranuar t’i mohojë mbështetje ushtarake aleatit të vet të kamotshëm.

Ky vendim erdhi pas rritjes së trysnisë nga publiku dhe partneri i vogël i koalicionit qeveritar mbi krizën humanitare në Gazë, ku Izraeli ka kufizuar rëndë furnizimin me ushqim dhe ujë.

Në fjalimin e tij në Berlin të mërkurën, Merz përmendi këtë kthesë, duke thënë se kritika ndaj Qeverisë izraelite “duhet të jetë e mundur”, por shtoi:

“Vendi ynë pëson dëm në shpirtin e vet kur kjo kritikë bëhet pretekst për urrejtje ndaj hebrenjve, ose madje nëse çon në kërkesën që Gjermania t’ia kthejë shpinën Izraelit”.

BE-ja shpalos planin për tarifa dhe sanksione të reja kundër Izraelit shkaku i luftës në Gazë

Komisioni Evropian paraqet në Bruksel një paketë masash për Izraelin, 17 shtator.

 

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian (BE) e ka shpalosur të mërkurën planin e tij më të ashpër deri tani për t’i bërë trysni Izraelit që ta përfundojë luftën në Rripin e Gazës, ku palestinezët po detyrohen të ikin nga tanket, dronët dhe trupat izraelite që po futen gjithnjë e më thellë në enklavën bregdetare të shkatërruar nga lufta gati dyvjeçare.

Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, u bëri thirrje 27 vendeve anëtare t’i rrisin tarifat ndaj disa mallrave izraelite dhe të vendosin sanksione ndaj 10 drejtuesve të Hamasit, kolonëve izraelitë dhe dy anëtarëve të kabinetit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu: ministrit për Siguri Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të Financave Bezalel Smotrich.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne po i propozojmë këto masa jo për ta ndëshkuar Izraelin apo popullin izraelit, por për të ushtruar trysni mbi Qeverinë izraelite që të ndryshojë kurs dhe t’i japë fund vuajtjeve të njerëzve në Gazë”, tha Kallas.

“Lufta duhet të përfundojë, vuajtjet duhet të ndalen dhe të gjitha pengjet duhet të lirohen”, shtoi ajo.

Sanksionet do të nënkuptonin ngrirje të aseteve të individëve në Evropë dhe do t’ua ndalonin atyre udhëtimin brenda BE-së.

BE-ja është partneri më i madh tregtar i Izraelit, prandaj tarifat mund të kenë pasoja të mëdha në ekonominë izraelite, e cila tashmë është tronditur nga kostoja e një lufte të gjatë.

Rreth 32 milionë euro fonde dypalëshe të kontrolluara nga Komisioni Evropian do të pezulloheshin menjëherë. Komisioni gjithashtu e mbështet edhe Autoritetin Palestinez.

Izraeli mohon se në Gazë ka bie buke dhe thotë se lejon hyrjen e ndihmave të mjaftueshme humanitare.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i dërgoi një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke u zotuar se Izraeli nuk do t’i nënshtrohet fushatës evropiane.

“Trysnia përmes sanksioneve nuk do të funksionojë. Shteti i Izraelit është komb krenar dhe sovran, dhe ne nuk do të përkulemi përballë kërcënimeve, ndërkohë që siguria e Izraelit është në rrezik”, shkroi ai në letër.

Anëtarët e BE-së të ndarë rreth Izraelit

Bashkimi Evropian, me 27 vende anëtare, ka qenë i ndarë gjatë 23 muajve të fundit të luftës në Rripin e Gazës.

Nuk është e qartë nëse shumica e tyre do të pajtohen për t’i miratuar sanksionet dhe masat tregtare.

Gjakderdhja në Gazë ka nxitur protesta në qytete të shumta evropiane, nga Amsterdami në Barcelonë, dhe ka shtuar kritikat ndaj burokracisë së Brukselit për paaftësinë e perceptuar për të ushtruar trysni të mirëfilltë mbi Izraelin që të ndalojë operacionet ushtarake dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare.

Numri i të vrarëve në Gazë ka kaluar shifrën mbi 67.000 palestinezë që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, sipas zyrtarëve shëndetësorë të enklavës.

Lufta nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

“Pezullimi i pjesshëm i propozuar është përgjigje e menduar mirë ndaj një situate gjithnjë e më urgjente”, tha Maros Sefcovic, përfaqësuesi tregtar i Komisionit Evropian.

Çfarë përmban propozimi

Nëse mjaftueshëm vende të BE-së pajtohen, atëherë do të vendosen tarifa në vlerë rreth 230 milionë euro ndaj 37 për qind të mallrave izraelite, të vlefshme 15.9 miliardë euro, që i importon BE-ja, tha Sefcovic. Aktualisht, BE-ja nuk vendos tarifa mbi këtë kategori mallrash izraelite falë një Marrëveshjeje Asociimi.

Një shqyrtim i bërë nga korpusi diplomatik i BE-së në qershor gjeti se Izraeli kishte shkelur komponentin e të drejtave të njeriut të kësaj marrëveshjeje, të quajtur Neni 2.

Kritikët evropianë të Izraelit kanë kërkuar që e gjithë marrëveshja tregtare të pezullohet për shkak të luftës në Gazë.

Por, tani për tani, komisioni propozon të heqë preferencën për zero-tarifë për një sasi të zgjedhur mallrash izraelite dhe të zbatojë tarifat e Organizatës Botërore të Tregtisë, të cilat variojnë nga 8 për qind në 40 për qind për produkte të ndryshme.

“Ne nuk po propozojmë të pezullojmë tregtinë me Izraelin, por po propozojmë të pezullojmë preferencat tregtare”, tha një zyrtar i lartë evropian i ngarkuar me komunikimin për Komisionin Evropian, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht sipas politikës së komisionit.

Propozimi pasoi njoftimin e javës së kaluar nga von der Leyen se ajo do të kërkonte sanksione dhe një pezullim të pjesshëm tregtar ndaj Izraelit për shkak të fushatës së tij ushtarake në Gazë, duke u hequr dorë nga qëndrimi i saj tradicionalisht proizraelit.

“Ne duhet të kemi një drejtësi të pavarur”, Fatos Lubonja: Evropa në historinë e saj është në periudhën më të zezë

Në emisionin Log i moderuar nga Endri Xhafo ishte i ftuar analisti Fatos Lubonja i cili diskutoi për seancat plenare që u zhvilluan ditën e sotme. Lubonja u shpreh  me tone kritike ndaj mënyrës se si po trajtohet procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, qeveria shqiptare po përdor integrimin si një iluzion për të mashtruar qytetarët dhe për të zbehur arsyet reale të largimit masiv nga vendi. Lubonja theksoi se Europa është vetë në një nga periudhat më të errëta të historisë së saj.

“Ne duam të hyjmë në Evropë që të bëhemi pak a shumë me standarte evropiane.Të kemi një shtet të së drejtës dhe të kemi një drejtësi të pavarur. Evropa në historinë e saj është në periudhën më të zezë dhe këtu bëhet edhe shkelje e parlamentit. A do ta ngrejnë ata zërin kundrejt kësaj Amerike dhe Evrope? Kjo është thelbi i gjësë. Kjo është një mashtrim i Edi Ramës që ne mos të ikim nga vendi”, tha Lubonja. bw

“Do t’ju mbështesim”, Marta Kos tregon detyrat e shtëpisë: Shqipëria duhet të japë rezultate me reformat!

Komisionerja për Zgjerimin Evropian, Marta Kos, mbajti sot fjalën në Konferencën e 6 Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që zhvillohet në Bruksel.

Ajo tha se BE do të ofrojë mbështetje për Shqipërinë, ndërsa kjo e undit duhet të japë rezultate me reformat.

“Shqipëri duhet të japë rezultate me reformat. Duhet të sjellë gjithçka që është e nevojshme. Vizioni i ekipit tuaj është që përmbyllen negociatat në fund të 2027-ës. Ne duhet t’i mbështesim me gjithë fuqinë që kemi ne si BE.”, tha ajo. bw

“Trumpi mund ta bëjë Putinin të ketë frikë”- Zelensky kërkon qëndrim të qartë nga Presidenti i SHBA

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka kërkuar publikisht nga Donald Trump një qëndrim të qartë dhe të vendosur në lidhje me një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën, si mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës dhe për të ndalur presidentin rus Vladimir Putin.



Në një intervistë ekskluzive për Sky News, Zelenskyy theksoi se ndalimi i luftës është i mundur vetëm nëse vendosen paraprakisht garanci të mirëfillta sigurie për Kievin, një proces që, sipas tij, kërkon vendosmëri të madhe nga presidenti amerikan.

“Shpresoj shumë që Presidenti Trump të ketë një pozicion të qartë. Për të ndalur Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës, ne kemi nevojë për hapa personalë të fortë,” tha Zelenskyy.

Ai shtoi se pret nga kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, që gjatë vizitës shtetërore të kësaj jave në Britani, të trajtojë në mënyrë konkrete çështjen e të ardhmes së sigurisë për Ukrainën.

“Para se të përfundojmë luftën, dua të kemi një marrëveshje të plotë – një dokument të mbështetur nga SHBA dhe të gjithë partnerët evropianë. Kjo është shumë e rëndësishme,” theksoi ai.

“Trump mund ta bëjë Putinin të ketë frikë”

Zelenskyy u shpreh gjithashtu se SHBA ka kapacitetin për të forcuar më tej mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe për të goditur rëndë ekonominë ruse përmes sanksioneve të reja.

“Besoj se Donald Trump mund të na sigurojë sistemet e mbrojtjes ajrore që na duhen – SHBA ka sa të duash,” u shpreh ai. “Ai ka forcë të mjaftueshme për ta bërë Putinin të ketë frikë prej tij.”

Zelenskyy përmendi se Bashkimi Evropian ka miratuar tashmë 18 paketa sanksionesh kundër Rusisë, ndërsa pritet që një paketë e fuqishme amerikane të plotësojë përpjekjet për izolimin ekonomik të Kremlinit.

Polonia kundërshton reagimin e Rusisë ndaj ndërhyrjes me dronë: Nuk ishte aksidentale, kërkojmë nga NATO mbrojtje më të fortë

Polonia nuk ka dyshim se dronët që fluturojnë në territorin e saj nuk ishin aksidentale, tha ministri i jashtëm i vendit.

Radoslaw Sikorski u tha gazetarëve se incidenti ishte një sulm i paprecedentë ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka kërkuar mbrojtje ajrore më të fortë.

Kjo vjen pasi ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se “nuk ishte planifikuar asnjë objektiv në territorin e Polonisë për t’u goditur”. BW

Kancelari i Gjermanisë, Merz: Ukraina është vetëm fillimi i planeve pushtuese të Putinit

Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se “plani imperialist” i Presidentit rus Vladimir Putin “nuk do të përfundojë me pushtimin e Ukrainës, por është vetëm fillimi”.

Duke folur në një konferencë të ambasadorëve gjermanë, Merz deklaroi se “po vuajmë çdo ditë sulme hibride ruse gjithnjë e më intensive, përfshirë edhe infrastrukturën tonë”, dhe theksoi “provokimet” e Moskës në Detin e Veriut dhe Detin Baltik.

Gjermania është vendi më aktiv evropian që po merr masa konkrete në mbrojtje, që nga rekrutimi i ushtarëve, deri tek investimi në armatim. Merz gjithashtu e ka përsëritur disa herë se Rusia duhej ndaluar shumë më herët, që ku sulmoi Gjeorgjinë dhe Krimenë. BW

Shtete baltike në alarm- Bjellorusia zhvillon manovra me pjesëmarrjen ruse, Lituania përgatitet për shkelje të mundshme kufitare

Për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në Bjellorusi po zhvillohen manovra me pjesëmarrjen ruse. Lituania fqinje po përgatitet për shkelje të mundshme kufitare.

Një zonë neutrale vetëm rreth 15 metra e gjerë shënon kufirin midis Lituanisë dhe Bjellorusisë, e cila konsiderohet aleate e Rusisë. Rripi i tokës prej 600 kilometrash kufizohet nga dy gardhe metalike. Ai në anën lituaneze është i kurorëzuar me tela me gjemba. Sipër tij janë kamera mbikëqyrjeje që rrotullohen rregullisht nga e majta në të djathtë me zhurmë. Lituania është e shqetësuar për shkeljet e mundshme kufitare, veçanërisht që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ky shqetësim tani është përkeqësuar nga të ashtuquajturat manovra “Zapad”. Në shqip, emri do të thotë “perëndim”.

Disa dhjetëra mijëra ushtarë nga Rusia dhe Bjellorusia do të marrin pjesë në to nga 12 deri më 16 shtator. Ata do të stërviten me tanke dhe mitralozë, por edhe me raketën e re ruse supersonike Oreschnik, e cila thuhet se mund të pajiset edhe me koka bërthamore. Edhe pse këto ushtrime të përbashkëta janë mbajtur rregullisht që nga viti 2009, ato janë të parat e këtij lloji që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

Në përgjigje, rojet kufitare lituaneze kanë marrë trajnime shtesë në javët e fundit dhe do të kryejnë patrullime shtesë gjatë ushtrimeve, shpjegon gjenerali Rustamas Liubajevas i shërbimit të kontrollit kufitar të vendit.

“Që nga lufta në Ukrainë, ne e shohim Rusinë edhe më shumë si një agresor potencial”, tha ai për DW. “Ne presim shkelje kufitare, për shembull, përmes shfrytëzimit të migrantëve, siç ka ndodhur në të kaluarën”. Sipas disa raporteve, Rusia mund të ketë sjellë mijëra migrantë në Bjellorusi në vitin 2022 dhe t’i ketë dërguar ata përtej kufirit në Poloni, ndër vende të tjera. Besohet se Moska dëshiron të destabilizojë vendet evropiane në këtë mënyrë.

Për më tepër, Lituania po përgatitet që ushtarët të jenë në gjendje të kalojnë kufirin pa leje ose të dërgojnë dronë në ditët në vijim, sipas Liubajevas: “Ka pasur tashmë disa sulme të tilla hibride”. Vendet baltike raportojnë vazhdimisht dronë që shkelin hapësirën e tyre ajrore. Në korrik të këtij viti, dy prej tyre fluturuan nga Bjellorusia në Lituani dhe u rrëzuan. Në gusht, një dron që mbante eksplozivë u rrëzua në Poloni.

Lituania riarmatoset
Ndërkohë, Lituania po demonstron gjithashtu forcën e saj ushtarake. Në ditët në vijim, ajo do të zhvillojë stërvitjet e veta ushtarake me Poloninë, Estoninë dhe Letoninë, duke përfshirë deri në 40.000 ushtarë. Për më tepër, Lituania planifikon të rrisë buxhetin ushtarak në më shumë se 5 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2026. Në vitin 2021, buxheti i mbrojtjes ishte ende më pak se 2 përqind e PBB-së.

Linas Kojala, drejtor i Qendrës së Gjeopolitikës dhe Sigurisë, një qendër kërkimore me seli në Vilnius, kryeqytetin lituanez, beson se rreziku është kryesisht afatgjatë. “Rusia na konsideron si territore që duhet të jenë nën kontrollin e Kremlinit”, i tha ai DW. “Edhe pse nuk mendoj se Rusia do ta pushtojë Lituaninë në të ardhmen e afërt, ne do të monitorojmë nga afër nëse trupat e stacionuara aktualisht në Bjellorusi do të mbeten atje pas manovrave dhe nëse Moska ndërton infrastrukturë afatgjatë atje që mund të shërbejë si bazë për një skenar sulmi shtatë ose dhjetë vjet më vonë prej tani.”

Shqetësimi për skenarë të tillë ka qenë i përhapur midis lituanezëve që nga lufta nëUkrainë, thotë Margarita Šešelgytė, drejtoreshë e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin e Vilniusit. “Menjëherë pas fillimit të luftës së agresionit rus, shumë donin të emigronin,” i thotë ajo DW. “Disa madje pyesnin veten nëse duhet të largoheshin nga vendi me familjet e tyre gjatë manovrave të ardhshme.”Në fund të fundit, lufta në Ukrainë filloi në një mënyrë të ngjashme. “Së pari, në fund të vitit 2021, Rusia dërgoi trupa në kufirin ukrainas për manovra, dhe më pas nuk i tërhoqi ato, kështu që ata më në fund ishin në gjendje të pushtonin Ukrainën në fillim të shkurtit 2022,” thekson Šešelgytė.

Megjithatë, edhe politilogia beson se rreziku i një pushtimi rus është më afatgjatë. “Për sa kohë që Ukraina nuk humbet ose nuk nënshkruhet një traktat i keq paqeje, ne jemi pak a shumë të sigurt. Megjithatë, nëse lufta në Ukrainë do të mbaronte në një moment, ne mund të ishim në radhë”, beson Šešelgytę.
Shtetet Baltike “janë në të njëjtën barkë”
Vendi fqinj i Bjellorusisë ndan këto shqetësime. Tre shtetet baltike, përfshirë Estoninë, janë “në të njëjtën barkë”. “Ne e konsiderojmë veten një njësi kur bëhet fjalë për Rusinë”, thotë Karlis Bukovskis, drejtor i Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare në Riga, kryeqytetin e Letonisë për DW. Bukovskis flet për një “traumë të përbashkët”. “Nëpërmjet Paktit fillimisht sekret Hitler-Stalin të vitit 1939, Gjermania naziste ia la ​​Shtetet Baltike Bashkimit Sovjetik, i cili më vonë pushtoi vendet tona midis viteve 1944 dhe 1991”.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Rajhu Gjerman dhe Bashkimi Sovjetik i ndanë më pas Shtetet Baltike dhe Poloninë në një sferë ndikimi gjermane dhe një ruse. Një pjesë e Polonisë do t’i transferohej Gjermanisë. “Kjo është arsyeja pse këto lloj manovrash ushtarake ruse na shqetësojnë të gjithëve”, thotë Bukovskis.

Megjithatë, sipas politologut, sot ka edhe arsye për optimizëm: “Vlerësohet se më pak trupa do të marrin pjesë në manovra këtë vit sesa në të kaluarën, ndër të tjera sepse ushtria ruse është e angazhuar në Ukrainë. Për më tepër, sot ka mijëra trupa të NATO-s – nga Britania e Madhe, Gjermania dhe madje edhe Franca – të stacionuara në Detin Baltik. Kjo na jep shpresë. Nuk jemi më vetëm!”

Aida dhe Meçislav Tarashkeviçi vazhdojnë të kenë frikë nga stërvitjet e ardhshme ushtarake. Çifti ka jetuar për gati dy dekada në njërën nga shtatë shtëpitë në fshatin lituanez Gulbine, vetëm shtatë kilometra larg kufirit me Bjellorusinë. “Stërvitjet ushtarake janë shumë afër, kështu që të gjithë në fshatin tonë janë shumë të shqetësuar. Edhe më shumë sepse shohim se çfarë po bën Rusia në Ukrainë”, tha për DW Meçislavi, 59 vjeç, i cili, ashtu si gruaja e tij, punon në një fabrikë lokale mishi pule. Gruaja e tij, Aida, shton: “Nuk e kuptoj pse njerëzit duhet të luftojnë. Ne të gjithë duam të bëjmë jetë normale, të bëjmë punët tona dhe të jetojmë në paqe në shtëpitë tona.”/DW

Rusia sulmon Kievin gjatë natës, 1 foshnjë midis tre të vrarëve dhe 18 të plagosur. Në flakë dhe selia e qeverisë së Ukrainës

Një foshnjë ishte midis tre personave që vdiqën në sulmet e Rusisë gjatë natës në Kiev, të cilat plagosën 18 persona dhe i vunë flakën dhjetëra ndërtesave në kryeqytet, përfshirë selinë e qeverisë, thanë zyrtarët ukrainas të dielën.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një zjarr shpërtheu në ndërtesën qeveritare në qendër të qytetit pas sulmit, i cili filloi me dronë që binin poshtë, të ndjekur nga sulme me raketa.

Dëshmitarë të Reuters panë tym të dendur që ngrihej nga ndërtesa në lagjen Pecherskyi të qytetit.

Sulmet me dronë vranë foshnjën dhe një grua të re, tha Klitschko në aplikacionin e mesazheve Telegram, ndërsa një grua shtatzënë ishte midis pesë të plagosurve të shtruar në spital.

Më parë, Klitschko kishte thënë se një grua e moshuar vdiq në një strehë bombash në lagjen me gjethe Darnytskyi në lindje të lumit Dnipro, vendi i dy vdekjeve të tjera.

Zyrtarët e emergjencës shtetërore thanë se një zjarr shpërtheu në dy nga katër katet e një ndërtese banimi në lagjen e goditur nga sulmi me dron, me strukturën e saj të shkatërruar pjesërisht.

Në lagjen perërndimore të Sviatoshynskyi, disa kate të një ndërtese banimi nëntëkatëshe u shkatërruan pjesërisht, thanë Klitschko dhe zyrtarët e emergjencës.

Mbetjet e dronit që binin shkaktuan zjarre në një pallat 16-katësh dhe dy ndërtesa të tjera nëntëkatëshe, shtoi kryebashkiaku.

Tymi dilte nga ndërtesat e apartamenteve, disa me dysheme pjesërisht të shembura dhe fasada të shkatërruara, në fotografitë e postuara në mediat sociale nga zyrtarët e emergjencës.

Rusia “po godiste qëllimisht dhe me vetëdije objektiva civile”, tha në Telegram Timur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit.

Dhjetëra shpërthime tronditën qytetin qendror të Ukrainës, Kremençuk, duke ndërprerë energjinë elektrike në disa zona, tha kryebashkiaku Vitalii Maletskyi në Telegram.

Sulmet ruse në Krivyi Rih në të njëjtin rajon shënjestruan infrastrukturën e transportit dhe urbane, tha në Telegram Oleksandr Vilkul, kreu i administratës ushtarake, por nuk u raportua për të lënduar.

Në qytetin jugor të Odesës, infrastruktura civile dhe ndërtesat e banimit u dëmtuan, me zjarre që shpërthyen në disa blloqe apartamentesh, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper në Telegram.

Moska nuk dha menjëherë komente. Të dyja palët mohojnë se kanë synuar civilët në sulme, por mijëra njerëz kanë vdekur në luftën që Rusia nisi me një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ndërsa Ukraina perëndimore përballet me kërcënimin e sulmeve ajrore, Polonia aktivizoi avionët e saj dhe të aleatëve për të garantuar sigurinë ajrore, tha komanda operative e forcave të armatosura polake.

Raportimi nga Pavel Polityuk dhe Valentin Ogirenko në Kiev dhe Lidia Kelly në Melbourne; Redaktimi nga William Mallard dhe Clarence Fernandez.

“S’mund të shkoj në kryeqytetin e një terroristi!”- Zelensky refuzon propozimin e Putinit për takim në Moskë: Nëse do, le të vijë në Kiev

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka folur për vendimin e tij për të refuzuar ftesën e presidentit rus Vladimir Putin për të udhëtuar në Moskë, ku do të diskutonin një marrëveshje të mundshme paqeje.


Në një intervistë për ABC News, Zelensky tha se nuk e sheh të mundur një takim në këto kushte.

“Nuk mund të shkoj në Moskë kur vendi im sulmohet çdo ditë me raketa dhe bombardime. Nuk mund të shkoj në kryeqytetin e një terroristi”, deklaroi Zelensky. Ai shtoi se, “ai mund të vijë në Kiev”, duke iu referuar presidentit rus. Sipas Zelenskyt, Putin e di shumë mirë këtë.

Gjatë intervistës, presidenti ukrainas theksoi disa herë se Putin nuk ka një interes të vërtetë për të realizuar një takim, duke qenë se lufta në Ukrainë vazhdon ende.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin kishte deklaruar më herët se “kurrë nuk ka qenë kundër një takimi me Zelenskyn”.

“Nëse Zelensky është i gatshëm, le të vijë në Moskë”, kishte thënë Putin të mërkurën. “Ky takim do të ndodhë”, kishte shtuar ai.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur si prioritet të tij një takim mes dy liderëve, në përpjekje për të ndërmjetësuar për një marrëveshje paqeje.

“Në fund, do t’i fus të dy në një dhomë”, kishte deklaruar Trump në gusht për Fox News.

Trump kishte planifikuar organizimin e një takimi trepalësh mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës gjatë samitit që zhvilloi muajin e kaluar në Alaskë me presidentin Putin. Ai më pas deklaroi se një takim dypalësh mes Putinit dhe Zelenskyt do të pasonte pasi presidenti ukrainas të vizitonte Shtëpinë e Bardhë.

“Takimi trepalësh do të ndodhë”, theksoi Trump javën e kaluar në një intervistë për The Daily Caller. “Për dypalëshin, nuk jam i sigurt”, shtoi ai. gsh

Meloni në telashe për emigrantët, gjyqtarët italianë miratojnë masa të rrepta ndaj qendrave në Shqipëri

Një vendim i Gjykatës së Kasacionit hedh dyshime mbi një dispozitë të sponsorizuar nga qeveria. Sipas gjyqtarëve, nëse ndalimi në një qendër nuk vërtetohet, azilkërkuesi duhet të lirohet menjëherë.

Operacioni “Albania” përballet me një tjetër pengesë. Qeveria Italiane është goditur nga një pengesë e madhe në frontin e emigrantëve. Vendimi i një gjyqtari vë në pikëpyetje një nga dispozitat që lejoi rihapjen e qendrave të ngritura sipas protokollit të nënshkruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Rregullorja qeveritare që u kritikua ashpër

Një vendim i Gjykatës së Kasacionit ka shënjestruar një nga masat e përfshira në dekretin e miratuar nga Parlamenti Italian në muajt e fundit, i cili lejoi rihapjen e objektit në Gjadër, i cili aktualisht merret me emigrantët e mbajtur në qendrat e paraburgimit të riatdhesimit. Sipas gjyqtarëve, nëse paraburgimi në një qendër nuk vërtetohet, azilkërkuesi duhet të lirohet menjëherë. Prandaj, ai nuk mund të qëndrojë në një qendër deri në 48 orë, siç përcaktohet në dekretin e nënshkruar nga Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi.

Ligji është shqyrtuar nga Gjykata e Kasacionit

E gjitha filloi me një ankesë të paraqitur nga një emigrant i transportuar në qendrën e Gjadrit në Shqipëri dhe më pas, pasi ndalimi i tij nuk u vërtetua, u transferua në qendrën e Barit. Burri qëndroi në objektin në kryeqytetin e Puglias nga 4 deri më 5 korrik, duke shkaktuar kështu një “shkelje të qartë të së drejtës parësore të lirisë personale”.

Referimi në Gjykatën Kushtetuese

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë pretendojnë se janë shkelur gjashtë nene të Kushtetutës dhe synojnë ta sjellin ligjin e qeverisë në vëmendjen e Gjykatës Kushtetuese. Në vendimin e tyre, gjyqtarët e konsiderojnë “çështjen e legjitimitetit kushtetues si relevante dhe jo haptazi të pabazuar”, me referencë të veçantë për masën në lidhje me “mosvleftësimin e urdhrit të ndalimit”. Gjykata e Lartë e Kasacionit e konsideron këtë si një kufizim të lirisë personale të futur me ligj: prandaj ligji do të ishte në kundërshtim me parimet kushtetuese, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe normat mbikombëtare.

Meloni në telashe me emigrantët pas vendimit të BE-së: çfarë po ndodh?

Disa parti opozitare nxituan të komentonin mbi vendimin. “Dyshimet e ngritura nga Gjykata Supreme e Kasacionit para Gjykatës Kushtetuese tregojnë, nëse nevojiteshin, se qeveria Meloni është e paaftë për të menaxhuar fenomenin e emigracionit në Itali. Propozimet e miratuara nga Vëllezërit e Italisë, Lidhja dhe Forza Italia prodhojnë rregullore që jo vetëm janë joefektive, siç demonstrohet nga mbërritjet masive dhe në rritje të vazhdueshme, por edhe në kundërshtim me ligjin evropian dhe kombëtar”, denoncoi Alfonso Colucci, kreu i Lëvizjes Pesë Yje në Komitetin e Çështjeve Kushtetuese të Dhomës së Deputetëve. bw

Zelensky thotë se mijëra trupa mund të vendosen në Ukrainë në bazë të garancive të sigurisë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten se mijëra trupa mund të vendosen në Ukrainë në përputhje me garancitë e sigurisë të propozuara nga aleatët e saj, pasi të ketë përfunduar lufta e Rusisë kundër vendit të tij.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten se 26 vende kanë premtuar garanci sigurie për Ukrainën pas luftës, duke përfshirë një forcë ndërkombëtare në tokë, në det dhe në ajër.

Fillimisht, Macron tha se këto vende do të dërgojnë trupa në Ukrainë, por më pas sqaroi se disa prej tyre do të ofrojnë garanci duke qëndruar jashtë Ukrainës, për shembull duke ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen e forcave të Kievit.

“Është e rëndësishme që po i diskutojmë të gjitha këto … patjetër do të jenë mijëra, jo vetëm disa [trupa]”, tha Zelensky pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Uzhhorod të Ukrainës, të premten.

Zelensky theksoi se është ende herët për të folur për hollësitë.

Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se çfarëdo trupe perëndimore e vendosur në Ukrainë do të jetë shënjestër legjitime për Moskën.

Në Uzhhorod, Zelensky tha se me Costen ka “koordinuar hapat” në bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Kievi e sheh anëtarësimin në BE si thelbësor për sigurinë dhe rimëkëmbjen e vendit pas luftës.

Zelensky pritet gjithashtu të takohet të premten me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico.

Zëvendësministri i energjisë, Roman Andarak, tha në Kopenhagë se Zelensky pritet të diskutojë me Ficon për ndërprerjen graduale të furnizimeve me naftë ruse përmes Ukrainës.

Sllovakia varet shumë nga furnizimet me naftë nga Rusia përmes tubacionit Druzhba, infrastruktura e të cilit është sulmuar nga dronët ukrainas, duke shkaktuar ndërprerje të përsëritura të furnizimit që kanë zemëruar Bratislavën.

Fico u takua me Putinin të martën në Pekin dhe tha se Bratislava dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Moskën.

Ukraina u ka bërë thirrje vendeve të tjera të mos blejnë më naftë ruse, për t’ia mohuar Moskës fitimin e parave për luftën e saj.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tha udhëheqësve evropianë të enjten se ata duhet të mos blejnë më naftë ruse, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Shërbimet e Google-it jashtë funksionit në një pjesë të Evropës, përfshirë Kosovën

Disa shërbime të gjigantit Google, përfshirë platformën YouTube, nuk kanë qenë të qasshme në Kosovë dhe disa pjesë tjera të Evropës në paraditen e së enjtes.

Edhe kompania IPKO, e cila ofron shërbime të telekomunikimit në Kosovë, i ka njoftuar klientët e saj se kompania Google po përjeton ndërprerje.

Asociacioni për Liri të Shprehjes, që monitoron censurën lokale në internet në Turqi, ka thënë se shërbimet janë ndërprerë prej orës 10:00.

Autoritete turke kanë thënë se kanë kërkuar raport teknik nga kompania Google për të mësuar më shumë.

Aksidenti tragjik me tramvaj, Portugalia shpall sot ditë zie kombëtare

Portugalia shpalli sot një ditë zie kombëtare, një ditë pasi një teleferik i Lisbonës doli nga shinat në një nga zonat turistike më të njohura të kryeqytetit , duke vrarë 15 persona dhe plagosur 18 të tjerë. Autoritetet kanë hapur një hetim për aksidentin, i cili ndodhi në teleferikun Gloria , i cili lidh sheshin Rossio me distriktet Bairro Alto dhe Principe Real .

Shkaku i aksidentit është ende i panjohur.  Disa metra më poshtë, një tjetër teleferik është ndalur. Kalimtarët shikojnë të tronditur aksidentin që sapo ka ndodhur.

Të gjitha viktimat u nxorën nga rrënojat e përplasjes që ndodhi pak pas orës 18:00  u tha gazetarëve në orët e para të mbrëmjes Thiago Augusto, kreu i shërbimit të ndihmës së shpejtë, duke sqaruar se midis viktimave ka edhe të huaj, pa qenë në gjendje të specifikojë kombësinë e tyre.

Ky teleferik, i cili mund të mbajë rreth 40 pasagjerë (gjysma e të cilëve në këmbë), është një mjet transporti i përdorur nga turistë të shumtë që vizitojnë kryeqytetin portugez.

“Është një tragjedi që nuk ka ndodhur kurrë në qytetin tonë”, tha kryebashkiaku i Lisbonës, Carlos Moedas. bw

Zelensky takohet me udhëheqësit evropianë në Paris

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësit evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, takohen më 4 shtator në Paris, në një përpjekje të re për të rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, pasi ai u zotua se vendi i tij do të luftojë në Ukrainë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje.

Në Perëndim është rritur zemërimi për atë që udhëheqësin thonë se është mosvullnet i presidentit rus për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që Moska nisi kundër Ukrainës tre vjet e gjysmë më parë.

Samiti, që do të udhëhiqet nga liderët e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, synon që të forcojë planet për garancitë e sigurisë për Ukrainën nëse ose kur të arrihet një armëpushim, por edhe që udhëheqësit të kenë një pamje më të qartë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, Rusia i ka hedhur poshtë këto garanci dhe vetë Putini ka thënë se Moska është e gatshme “t’i zgjidhë të gjitha detyrat tona ushtarakisht” në mungesë të një marrëveshjeje.

“Ne jemi gati, ne evropianët, që të ofrojmë garanci të sigurisë për Ukrainën dhe ukrainasit në ditën kur të nënshkruhet marrëveshja e paqes”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, të mërkurën mbrëma duke folur përkrah Zelenskyt.

Macron tha se detajet e garancive janë “konfidenciale”, por “përgatitjet kanë përfunduar” gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes të mbajtur më herët.

Udhëheqësit evropianë kanë qenë të rezervuar lidhur me natyrën e garancive, të cilat pritet të përfshijnë vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë, trajnime dhe mbështetje nga SHBA-ja.

Zelensky, nga ana e tij, tha se ishte i bindur që aleatët e Kievit do të ndihmojnë “të rritet presioni mbi Rusinë për të shkuar drejt një zgjidhjeje diplomatike”.

Por, ai shtoi po ashtu se “fatkeqësisht, ende nuk kemi parë asnjë shenjë nga Rusia se ajo dëshiron ta përfundojë luftën”.

Disa orë para se të nisnin bisedimet, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se garancitë për Ukrainën ishin “absolutisht të papranueshme”.

“Nuk ka garanci për sigurinë e Ukrainës, ato janë garanci për rrezikun ndaj kontinentit evropian”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova gjatë margjinave të një forumi ekonomik të mbajtur në Lindjen e Largët të Rusisë.

Ajo shtoi se Rusia nuk do të pranojë të diskutojë për dislokimin e trupave të huaja në Ukrainë “në asnjë format”.

Çekia rrit fuqinë ushtarake, blen 44 tanke Leopard nga Gjermania me vlerë 1.4 mld euro

Me intensifikimin e tensioneve në Evropë, Republika Çeke po forcon fuqishëm kapacitetet e saj ushtarake, duke porositur 44 tanke Leopard 2A8, të prodhuara në Gjermani, në një marrëveshje që kap vlerën e 1.4 miliardë eurove. Ministrja e Mbrojtjes, Jana Černochova, njoftoi se dërgesat e këtyre tankeve janë të planifikuara të realizohen nga vitet 2028 deri më 2031.

Përveç kësaj, Çekia ka siguruar një opsion për të blerë edhe 14 tanke të tjera Leopard 2A8, një marrëveshje që do të konfirmohet në javët në vijim. Shteti i Evropës Qendrore po ashtu ka kërkuar 19 versionet e specializuara të këtij modeli, duke çuar totalin e mundshëm të tankeve në 77, përfshirë edhe një porosi nga Kroacia për 50 të tillë.

Ky përforcim i forcave të armatosura është pjesë e një plani më të gjerë për modernizimin e ushtrisë, i cili përfshin gjithashtu blerjen e armëve perëndimore si helikopterë dhe radarë. Vitin e kaluar, Çekia kishte miratuar blerjen e tankeve Leopard 2A4 dhe kishte marrë tanket shtesë në kuadër të një marrëveshjeje me Gjermaninë, ku ky i fundit kompensoi për tanket që Praga kishte dërguar në Ukrainë.

Po ashtu, Republika Çeke ka porositur avionë luftarakë amerikanë F-35, si pjesë e përpjekjeve për të avancuar kapacitetet e saj të mbrojtjes.

Ministrja Černochová bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes do të vijojë me planin për të blerë armë të vogla nga prodhuesi çek Česká Zbrojovka, ndërsa vendi do të armatoset edhe me 18 automjete motorike Supacat Extenda, nga kompania çeke LPP. bw

Kaja Kallas: Takimi Xi-Putin-Kim në Pekin është një sfidë për rendin ndërkombëtar

“Takimi i presidentit të Kinës me udhëheqësit e Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut në Pekin përbën një “sfidë të drejtpërdrejtë ndaj rendit ndërkombëtar.” Kështu tha sot Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, gjatë një konference për shtyp në Bruksel.

Duke iu referuar takimit të presidentit Xi me udhëheqësit e Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut në Pekin, numri njw i diplomacisë evropiane tha se ajo që po shohim është “një aleancë autoritare që kërkon një proces të shpejtë drejt një rendi të ri botëror”, i cili “nuk është vetëm një perspektivë anti-perëndimore, por një sfidë për rendin ndërkombëtar të ndërtuar mbi rregulla”.

Kaja Kallas nuk mungoi të theksonte se Kina e ka mbështetur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, duke vënë në dukje se e gjithë kjo është një realitet i ri me të cilin Evropa do të duhet të përballet.

Konkretisht në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, K. Kallas deklaroi se “Rusia nuk dëshiron realisht ta përfundojë këtë luftë”, duke theksuar se për Evropën kjo do të thotë më shumë mbështetje ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për Kievin.

Ajo deklaroi gjithashtu se në rast të një armëpushimi, “një Ukrainë e fortë ushtarakisht është garancia më e fortë e sigurisë”. bw

Kryeministri spanjoll: Përgjigja e Evropës për luftën në Gazë ka qenë një dështim

Radio Evropa e Lirë

Përgjigja e Evropës ndaj luftës në Gazë ka qenë “një dështim” dhe rrezikon të minojë besueshmërinë e saj në botë, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Para takimit të tij me kryeministrin britanik, Keir Starmer, në Londër, Sachez– udhëheqësi i parë evropian që e ka akuzuar Izraelin se po kryen gjenocid në Gazë – tha për The Guardian se lufta paraqet “një nga episodet më të errëta të raporteve ndërkombëtare në shekullin 21”.

“Është një dështim”, tha ai. “Absolutisht. Po ashtu është e vërtet që brenda BE-së ka shtete që janë të ndara rreth mënyrës se si duhet të ndikojnë në Izrael”.

“Por, sipas mendimit tim, është e papranueshme dhe ne nuk mund ta zgjasim më shumë nëse duam të rrisim besueshmërinë tonë përballë krizave të tjera, si ajo që po përballemi në Ukrainë”.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi zyrtarët shëndetësorë thanë se 31 persona u vranë nga sulmet në mbarë Rripin e Gazës, në kohën kur Izraeli po përgatitet për një ofensivë të re ushtarake.

Të hënën, sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha para Parlamentit britanik se Mbretëria e Bashkuar ende synon që në shtator të njohë shtetin palestinez, duke iu bashkuar Spanjës dhe shteteve të tjera evropiane.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 63.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.

KE konfirmon ndërhyrjet në sinjalin GPS të avionit të presidenten von der Leyen: Jemi të mësuar me këto lloj kërcënimesh nga Rusia

Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS të avionit që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë afrimit të tij në aeroportin e Plovdivit në Bullgari.

 

Zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podestà, bëri me dije se sipas autoriteteve bullgare, ndërhyrja ka qenë një akt i qëllimshëm dhe i hapur nga Rusia. Megjithatë, pavarësisht pengesave teknike, avioni u ul në mënyrë të sigurt.

“Konfirmojmë se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul i sigurt në Bullgari. Autoritetet bullgare dyshojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje të hapur nga ana e Rusisë,” deklaroi Podestà, duke konfirmuar raportimin e Financial Times.

Sipas saj, incidenti është pjesë e një strategjie më të gjerë frikësimi.

“Jemi të mësuar me këto lloj kërcënimesh dhe përpjekjesh për frikësim, të cilat përbëjnë element të sjelljes armiqësore të Rusisë. Ky episod forcon më tej vendosmërinë tonë të palëkundur për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën”, tha ajo.

Komisioni Evropian thekson se vizita e presidentes von der Leyen në vendet që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë merr një domethënie edhe më të madhe pas këtij incidenti, duke vënë në dukje rreziqet e përditshme me të cilat përballen ato.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të investojë në mbrojtje dhe gatishmëri ushtarake, veçanërisht pas këtij incidenti,” shtoi Podestà. Panorama

Zelensky thotë se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e politikanit ukrainas

Policia rrethoi zonën ku u vra Andriy Parubiy në Lviv.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një person është arrestuar për vrasjen e ish-kryetarit të Parlamentit, Andriy Parubiy.

Ai u qëllua me armë zjarri në një rrugë të qytetit perëndimor të Lvivit.

“Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, dhe kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Maliuk, sapo raportuan për arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e Andriy Parubiyt”, shkroi Zelensky në X, mbrëmjen e 31 gushtit.

“Veprimet e nevojshme hetimore janë duke vazhduar. Kam urdhëruar që informacioni i disponueshëm, t’i prezantohet publikut. I falënderoj oficerët tanë të zbatimit të ligjit për punën e tyre të shpejtë dhe të koordinuar. Të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje të tmerrshme duhet të bëhen të qarta”, shtoi ai, pa dhënë detaje të tjera.

Sipas një korrespondenti të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, i cili ishte në vendngjarje, Parubiy u qëllua për vdekje rreth mesditës më 30 gusht, në rrugën Jefremova, pranë banesës së tij.

Autoritetet e zbatimit të ligjit konfirmuan se 54-vjeçari vdiq menjëherë nga plagët e marra.

Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës tha se ka nisur hetimet për vrasje dhe se sulmuesi është në kërkim për “vrasje me paramendim”.

Disa bashkëpunëtorë të Parubiyt e fajësuan Rusinë për vrasjen.

Ligjvënësi Mykola Knyazhytskiy tha se beson se vrasja e Parubiyt është “hakmarrje e Rusisë për qëndrimet e tij”.

Ai tha se Parubiy është bërë objektiv për shkak të mbështetjes së tij ndaj sovranitetit, sigurisë dhe unitetit të Ukrainës, përballë pushtimit rus.

Parubiy kishte rol të rëndësishëm në protestat e Maidanit gjatë viteve 2013-2014, të njohura në Ukrainë si Revolucioni i Dinjitetit.

Këto protesta u zhvilluan për shkak të vendimit të presidentit të atëhershëm, Viktor Yanukovych, për ta larguar Ukrainën nga Bashkimi Evropian dhe për t’u afruar me Rusinë – një vendim ky që çoi në rrëzimin e tij dhe arratinë drejt Rusisë.

Von der Leyen: BE po përgatit dërgimin e trupave në Ukrainë pas luftës, SHBA pjesë e garancive të sigurisë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Europian është duke hartuar plane të qarta për dërgimin e trupave në Ukrainë, si pjesë e garancive të sigurisë pas përfundimit të luftës. Deklarata u bë gjatë një interviste për Financial Times, ku ajo nënvizoi se çështja është “kritike dhe me rëndësi madhore” për të ardhmen e sigurisë europiane.

Sipas saj, ekziston tashmë një “hartë e qartë rruge” dhe një marrëveshje paraprake me Shtëpinë e Bardhë, e cila garanton mbështetjen amerikane në këtë proces.

“Presidenti i SHBA na ka siguruar se do të ketë prezencë amerikane si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën, dhe kjo është konfirmuar në mënyrë të përsëritur,” deklaroi von der Leyen.

Këto deklarata vijnë në një moment kritik, teksa debati për arkitekturën e sigurisë së Ukrainës pas mbarimit të luftës me Rusinë është intensifikuar. Vendet europiane dhe aleatët perëndimorë janë në diskutime për të shmangur një përsëritje të agresionit rus, dhe për të siguruar një prani ndërkombëtare të qëndrueshme në territorin ukrainas. gsh

“Krimi ishte planifikuar me shumë kujdes” Policia ukrainase shqyrton përfshirjen e Rusisë në vrasjen e ish-kryeparlamentarit Parubiy

Policia thotë se po shqyrton disa hipoteza në lidhje me vrasjen e ish-kryetarit të Parlamentit ukrainas Andriy Parubiy, përfshirë një lidhje ruse.

Në një njoftim të raportuar nga mediat ukrainase, shefi i policisë rajonale të Lvivit, Oleksandr Shlyakhovsky, deklaroi se identiteti i vrasësit nuk është përcaktuar ende.

“Në orën 11:37 të paradites në rrugën Yefremov, vrasësi qëlloi afërsisht tetë herë nga një armë zjarri me tytë të shkurtër. Krimi ishte planifikuar me shumë kujdes”, tha ai.

Shlyakhovsky konfirmoi se policia po kërkon një person që mban rroba të ngjashme me ato të një kalorësi dhe ka mbajtur helmetë.

Vritet ish-kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Parubiy

Trupi i Andriy Parubiy, i cili u vra këtë mëngjes, shtrihet përtokë në Lviv.

 

Radio Evropa e Lirë

Ish-kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Andriy Parubiy, është vrarë me armë zjarri në qytetin perëndimor të Lvivit të shtunën dhe kërkimet për ta kapur dorasin e dyshuar janë filluar, njoftuan autoritetet ukrainase.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm bëri të ditur se një burrë i armatosur ka qëlluar disa herë ndaj Parubiyt, duke e lënë të vdekur në vend. Sulmuesi u arratis dhe është shpallur në kërkim.

Parubiy, 54 vjeç, ishte anëtar i Parlamentit dhe kishte shërbyer si kryetar i tij nga prilli 2016 deri në gusht 2019, dhe ishte një nga udhëheqësit e protestave të viteve 2013–14 që kërkonin lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.

Ai gjithashtu kishte qenë sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës nga shkurti deri në gusht 2014, në periudhën kur nisi lufta në lindje të vendit dhe Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë.

Zyrtarët nuk treguan nëse vrasja lidhet drejtpërdrejt me luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Ministri i Punëve të Brendshme Ihor Klymenko dhe prokurori i Përgjithshëm Ruslan Kravçenko sapo raportuan për rrethanat e para të një vrasjeje të tmerrshme në Lviv. Andriy Parubiy është vrarë”, shkroi presidenti Volodymyr Zelensky në X.

Zelensky i shprehu ngushëllime familjes dhe të afërmve të Parubiyt, duke shtuar: “Të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme janë angazhuar për hetimin dhe kërkimin e vrasësit”.

Policia kombëtare tha se të shtënat në Lviv u raportuan rreth mesditës. Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi, deklaroi se gjetja e autorit dhe zbardhja e rrethanave të sulmit janë me rëndësi jetike.

“Kjo është një çështje sigurie në një vend që ndodhet në luftë, ku, siç shohim, nuk ka vende plotësisht të sigurta”, shkroi ai në Telegram.

Zelensky kërkon takim me Trumpin dhe aleatët evropianë javën e ardhshme: Rusia po përgatit një ofensivë të re, ka mobilizuar 100 mijë trupa në front

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi po kërkon një takim të ri me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe aleatët evropianë qysh javën e ardhshme, duke shtuar se Rusia është përgatitur ta nisë një ofensivë të re në lindje të Ukrainës.

“Rusia ka përqendruar atje deri në 100 mijë trupa”, tha Zelensky mbrëmjen e së premtes, duke iu referuar vijave të frontit pranë qytetit tejet strategjik, Pokrovsk.

Pokrovsk, në rajonin jugor të Donjeckut në Ukrainë, kishte një popullsi prej 60.000 banorësh para luftës. Shumica e banorëve kanë ikur, pasi forcat ruse e kanë rrethuar qytetin për muaj të tërë, por nuk kanë arritur t’i thyejnë vijat mbrojtëse dhe ta marrin nën kontroll qytetin.

Pak pasi Zelensky i bëri këto deklarata, kreu i administratës ushtarake rajonale në Dnipropetrovskut tha se rajoni po përballet me “sulm masiv”.

Serhiy Lysak shkroi në Telegram se “po dëgjohen shpërthime. Ka goditje në Dnipro dhe Pavlohrad”.

Autoritetet në Zaporizhja raportuan se edhe ky rajon ishte nën sulm mëngjesin e së shtunës, dhe se mund të ketë viktima.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Andrei Belousov, u mburr me përpjekjet ushtarake të vendit të tij në Ukrainë, pavarësisht se për vite të tëra kanë pësuar humbje të mëdha në njerëz dhe dëme të rënda për ekonominë ruse.

Belousov gjithashtu lavdëroi fushatën e Rusisë me sulme vdekjeprurëse me raketa dhe dronë mbi Ukrainë, të cilat kanë vrarë mijëra civilë dhe janë dënuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai theksoi se 35 sulme ajrore kundër 146 objektivave strategjikë këtë vit kanë shkaktuar dëme të rënda në infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.

Këtë javë, Ukraina vajtoi humbjen e 22 njerëzve, përfshirë katër fëmijëve, vetëm në një ndërtesë që ishte shembur nga një sulm rus në Kiev.

Zelensky tha se zyrtarët ukrainas duan të takohen me Trumpin dhe aleatët evropianë javën e ardhshme, në një kohë kur përpjekjet për një armëpushim dhe përfundimin e luftës – e cila filloi në shkurt të vitit 2022 kur Rusia e nisi pushtimin e plotë – po hasin vështirësi.

Trump, i cili e ka bërë përfundimin e luftës prioritet kryesor të mandatit të tij presidencial, ka shprehur zemërimin e tij ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili nuk po i pranon thirrjet e amerikanëve për bisedime ballë për ballë me Zelenskyn.

Një javë më parë, Trump tha se do të vendoste brenda dy javësh për hapat e ardhshëm nëse nuk do të caktoheshin bisedime të drejtpërdrejta, megjithëse ai më herët ka dhënë afate por është zmbrapsur.

Më 26 gusht, ai ngriti mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Moskës.

“Nuk do të jetë një luftë botërore, por do të jetë një luftë ekonomike,” tha Trump. “Një luftë ekonomike do të jetë e keqe, dhe do të jetë e keqe për Rusinë, dhe unë nuk e dua këtë.”

Por, ai shtoi se “as Zelensky nuk është plotësisht i pafajshëm. Unë tani kaloj mirë me të, por kemi një marrëdhënie shumë ndryshe sepse tani nuk po i paguajmë më para Ukrainës”, tha Trump, duke iu referuar një marrëveshjeje në të cilën anëtarët e NATO-s blejnë armë amerikane për t’u përdorur nga Kievi.

Ukraina ka pranuar një propozim të SHBA-së për armëpushim dhe thirrjet për një takim mes Putinit dhe Zelenskyt, por Moska nuk është pajtuar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 29 gusht përsëriti qëndrimin e Moskës se Putini “nuk e ka përjashtuar” një takim me Zelenskyn, por se takimi mund të ndodhë vetëm pasi të ketë përparim “në nivel ekspertësh”./ REL

Liderët evropianë diskutojnë krijimin e zonës tampon mes Ukrainës dhe Rusisë, Moska pranon, SHBA distancohet

Liderët evropianë po diskutojnë krijimin e një zone tampon prej 40 kilometrash mes Ukrainës dhe Rusisë, si pjesë e një nisme më të gjerë për paqe.

Sipas Politico, plani ka marrë mbështetjen e Moskës, por ende nuk është pranuar nga Kievi dhe do të kërkonte angazhim të gjerë ndërkombëtar për mbikëqyrjen e një armëpushimi.

Franca dhe Britania e Madhe pritet të udhëheqin praninë e huaj, ndërsa Polonia dhe Gjermania shfaqen hezituese apo kundërshtuese, nga frika se një hap i tillë mund të dobësojë mbrojtjen e NATO-s në lindje.

Nga ana tjetër, SHBA është distancuar nga ideja, duke mos planifikuar prani të drejtpërdrejtë ushtarake, por vetëm mbështetje të kufizuar në inteligjencë dhe mbulim ajror.

Propozimi pasqyron rritjen e shqetësimeve mes aleatëve teksa lufta hyn në vitin e katërt dhe Rusia vijon agresionin, përfshirë një sulm të fundit me raketa në Kiev. Megjithatë, zyrtarët evropianë paralajmërojnë për rreziqet politike dhe sfidat ushtarake të një zone të tillë, sidomos në kushtet kur Moska nuk jep shenja të vullnetit të sinqertë për negociata dhe Kievi duhet të mbetet palë vendimmarrëse për integritetin e saj territorial. bw

Zelensky e quan sulmin masiv rus në Kiev “goditje” ndaj presidentit Trump

Pasojat e sulmit të madh rus në Kiev në ndërtesat e banimit, 28 gusht.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar sulmin e Rusisë me raketa dhe dronë në Kiev – ku u vranë të paktën 21 njerëz – si “goditje nga Rusia” kundër presidentit amerikan, Donald Trump, i cili vetë ishte “i pakënaqur” me sulmin, sipas Shtëpisë së Bardhë.

“Rusia tani po e godet këdo në botë që dëshiron paqe”, tha Zelensky në adresimin e tij të natës të enjten.

“Është një goditje kundër Ukrainës… Dhe është gjithashtu një goditje nga Rusia kundër presidentit Trump”, theksoi Zelensky.

Mungesa e përparimit drejt një armëpushimi në luftën në Ukrainë ka filluar ta zemërojë Trumpin, i cili e ka kërcënuar Moskën me sanksione dhe tarifa të reja.

“Ne kemi dëgjuar në Uashington se [presidenti rus Vladimir] Putini gjoja është gati ta përfundojë luftën… Por, në vend të kësaj, ai zgjedh raketat balistike para çdo hapi të mirëfilltë drejt paqes”, shtoi Zelensky.

Zelensky tha se pret që të përcaktohet një kornizë për garancitë e sigurisë për Ukrainën javën e ardhshme.

Aleatët evropianë janë zotuar se do t’i ofrojnë Ukrainës garanci për sigurinë, në rast të një armëpushimi, me mundësinë e përfshirjes së SHBA-ve gjithashtu.

Zelensky u tha një grupi liderësh evropianë në një takim virtual se është “e rëndësishme që presidenti Trump të shohë se ne në Evropë jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për ta përfunduar luftën”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha se Trump ishte i pakënaqur për shkak të sulmeve të Rusisë të enjten, si pasojë e të cilave gjithashtu u plagosën dhjetëra njerëz në kryeqytetin ukrainas.

“Ai nuk ishte i kënaqur me këtë lajm, por nuk ishte as i befasuar. Këto janë dy vende që janë qenë në luftë për një kohë shumë të gjatë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një konferencë për media.

Liderët evropianë, amerikanë dhe të OKB-së e dënuan sulmin rus kundër Kievit, ndërsa Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian thirrën diplomatët rusë për ta shprehur pakënaqësinë e tyre.

Udhëheqës të lartë ukrainas pritet të takohen me të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Steven Witkoff, në Nju Jork, për të diskutuar mënyra shtesë për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet dhe për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

Të paktën 21 njerëz u vranë në Kiev në sulmin rus me raketa dhe dronë, gjatë të cilit gjithashtu u shkatërruan ndërtesa banimi dhe shtëpi në kryeqytet.

Një nga zonat më të goditura ishte në qarku Darnitsia të Kievit, ku një pjesë e një ndërtese banimi pesëkatëshe u godit drejtpërdrejt.

Në Kiev dhe rajonin e tij, e premtja u shpall ditë zie për të nderuar viktimat e sulmit rus.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja do ta miratojë së shpejti një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, të 19-tën që nga nisja e pushtimit të plotë në shkurt 2022.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një mbledhje urgjente për sulmet ajrore në pasditen e së premtes, me kërkesë të Ukrainës dhe pesë anëtarëve të Këshillit Evropian, Britanisë, Francës, Sllovenisë, Danimarkës dhe Greqisë.

Mediat: Italia ngre në ajër 2 avionë luftarakë për të kapur avionë zbulues rusë

Italia ka ngritur në ajër 2 avionë luftarakë në ndjekje të një avioni rus.

Komanda ajrore e NATO-s tha se dy avionë italianë F-35 u ngritën në ajër nga Estonia.

Burime të NATO-s thonë se kjo është hera e tretë që avionët janë ngritur në ajër në më pak se dy javë.

Dy avionë luftarakë gjermanë Eurofighter u ngritën dje në ajër për të kapur një avion zbulues rus që fluturonte mbi Detin Baltik.

Dyshohet se Moska përdor avionë të tillë për të mbledhur informacione rreth aktivitetit ushtarak të NATO-s në bregdetin Baltik, veçanërisht në Poloni, Gjermani, Danimarkë dhe Suedi. bw

Gjermania miraton ngritjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare! Takime në kohë krize dhe planifikim strategjik

Qeveria gjermane ka miratuar rregulloret e brendshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas Kancelarit Merz, organi i ri do të jetë platforma qendrore për diskutimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së qeverisë.

Një zyrë administrative për Këshillin e Sigurisë Kombëtare është krijuar tashmë në Kancelari. Një organ që do të revolucionarizojë politikën gjermane të sigurisë. Sepse, siç argumentoi Friedrich Merz kur ishte ende kandidat për kancelar: “Strukturat e viteve 1960 nuk janë më mjaftueshëm efektive për të përmbushur kërkesat komplekse të kohës sonë.”

Takime në kohë krize dhe planifikim strategjik

Në parim, Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mbledhë informacion mbi sigurinë e brendshme, të jashtme, digjitale dhe ekonomike. Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet në rast krize, por gjithashtu do të zhvillojë strategji për situata kërcënimi. Qëllimi është të jetë në gjendje të bashkojë, përpunojë dhe koordinojë më mirë kompetencat dhe njohuritë në të ardhmen, sipas burimeve qeveritare. Kjo do t’i mundësojë qeverisë federale të marrë vendime bazuar në një bazë informacioni gjithëpërfshirëse dhe të fortë.

Një njësi administrative u krijua për këtë qëllim brenda Zyrës Kancelarore, e kryesuar nga Jacob Schrot, shefi i stafit të Merz-it. Fillimisht ajo do të përbëhet nga 13 vende pune dhe do të shërbejë si ndërlidhëse midis Këshillit të mirëfilltë, ministrive, autoriteteve të sigurisë, landeve federale dhe ekspertëve të jashtëm.

CDU/CSU dhe SPD kishin njoftuar krijimin e një Këshilli të Sigurisë Kombëtare që në marrëveshjen e koalicionit. Ndër të tjera, ai do të marrë përsipër funksionet e Këshillit Federal të Sigurisë, i cili mblidhet kryesisht për të diskutuar çështje që lidhen me eksportet e armëve, dhe të Kabinetit të Sigurisë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të jetë në gjendje të marrë vendime përfundimtare, përveç rasteve kur Kushtetuta ose një ligj federal kërkon një rezolutë nga qeveria federale.

Kush bën pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare?

Kryetari do të jetë Kancelari gjerman Merz, dhe zëvendësi i tij do të jetë Zëvendëskancelari Klingbeil. Anëtarë të tjerë përfshijnë ministrat e Financave, Punëve të Jashtme, Mbrojtjes, Brendshme dhe Drejtësisë, Ekonomisë dhe Energjisë, Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Digjitalizimit dhe Modernizimit të Shtetit, dhe kreun e Kancelarisë Federale. Anëtarë të tjerë të qeverisë federale do të konsultohen sipas nevojës. Përfaqësuesit e autoriteteve gjermane të sigurisë gjithashtu mund të marrin pjesë.

Si një zhvillim i ri, mund të thirren edhe përfaqësues të landeve federale, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Përveç një zyre administrative, njësia administratvie përfshin gjithashtu departamente për përgatitjen e një pasqyre të integruar të situatës dhe parashikimit strategjik.

Nuk do të ketë këshilltar sigurie si në SHBA

Nga ana tjetër, nuk do të ketë këshilltar sigurie kombëtare si në SHBA. Megjithatë, Mair, drejtor i Fondacionit të Shkencës dhe Politikës (SWP), foli në favor të krijimit të këtij pozicioni. Krijimi i Këshillit të Sigurisë është vetëm një hap i parë. Në planin afatmesëm, ai beson se është e përshtatshme të ketë një këshilltar sigurie kombëtare në nivelin e ministrit ose sekretarit të shtetit, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters./DW

Gjermania drejt rikthimit të ushtrisë së detyruar, kancelari Merz: Rusia do të mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë e Europës

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Rusia “është dhe do të mbetet” kërcënimi më i madh për sigurinë e Evropës për një kohë të gjatë.

Komentet e tij vijnë pasi kabineti i Gjermanisë miratoi sot një projektligj që do të prezantonte një shërbim ushtarak vullnetar, i cili mund të çonte në rekrutim ushtarak të detyruar nëse nuk arrihen objektivat e rekrutimit.

Projektligji ende duhet të marrë miratimin parlamentar.

Gjermania dëshiron të rrisë numrin e ushtarëve në shërbim nga 180,000 në 260,000 deri në fillim të viteve 2030 për të përmbushur objektivat e reja të forcës së NATO-s dhe për të forcuar mbrojtjen e saj, pjesë e një rritjeje të planifikuar të shpenzimeve ushtarake.bw

Vetoja e presidentit polak kundër ndihmave për refugjatët ukrainas shkakton stuhi politike

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, e ka përdorur veton kundër një projektligji për ndihma për refugjatët ukrainas, duke shkaktuar stuhi politike në këtë vend të Evropës Qendrore, i cili është një nga aleatët më të afërt të Kievit në luftën kundër pushtuesit rus.

Nawrocki, i cili shpesh ka ngritur çështje të ndërlikuara historike midis Varshavës dhe Kievit, e përdori të martën veton ndaj një projektligji që, duke filluar nga 1 tetori, do t’ua mohonte refugjatëve ukrainas në Poloni të drejtën për të punuar.

Sipas kritikëve, ky veprim i tij do të bëjë që refugjatët të bëjnë punë të padeklaruar dhe Qeveria polake do të humbë të ardhura nga taksat si pasojë.

Të hënën, Nawrocki paraqiti gjithashtu plane për ta kufizuar qasjen e refugjatëve ukrainas në përfitimet për fëmijë dhe kujdesin shëndetësor.

I zgjedhur pas një fushate që pasqyronte disa prej politikave të presidentit amerikan, Donald Trump, Nawrocki ka premtuar një politikë “Polonia e Para”, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve për të drejtat e të huajve në vendin që është anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Politikani konservator u zgjodh pasi mposhti ngushtësisht në rundin e dytë kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, në zgjedhjet e 1 qershorit.

Rezultati i zgjedhjeve përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin Donald Tusk, i cili është aleat i ngushtë i Trzaskowskit dhe mbështetës i zëshëm i Ukrainës.

Edhe vetë Nawrocki ka shprehur mbështetje për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Por, ai ka thënë se i është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një qëndrim që duket se polakë po e ndajnë gjithnjë e më shumë.

Megjithëse në përgjithësi e mbështesin betejën e Kievit kundër Rusisë, shumë polakëve u ka humbur durimi me fluksin e rreth 1.5 milionë refugjatëve të luftës nga Ukraina dhe kostot e lidhura me ta.

Vendimet e Nawrockit kanë nxitur kritika nga mbështetësit e Ukrainës brenda Qeverisë polake.

“Vendimi i tij minon stabilitetin e ekonomisë, kohezionin social, detyrimet ndërkombëtare të Polonisë dhe sigurinë e të gjithë vendit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Polonisë.

Ministria shtoi se vendimi për të vënë veton ndaj projektligjit për ndihmën për refugjatët ukrainas mund të krijojë shpenzime shtesë prej 2.18 miliardë dollarësh, duke ushtruar trysni shtesë mbi një buxhet tashmë të tendosur.

“Askujt nuk do t’i sjellë përfitim kjo veto. Të ardhurat e buxhetit do të jenë më të ulëta dhe shpenzimet më të larta se tani”, thuhet më tej në deklaratë.

Zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski shkroi në X se “në Rusi janë të lumtur me përpjekjet e presidentit Nawrocki për ta bllokuar mbështetjen për Ukrainën!”

“Nuk na është dashur të presim gjatë për veprimet e presidentit të ri që mbështesin imperializmin rus”, shtoi ai.

Pjesë e tryezës edhe Fatmir Mediu, Zelensky vlerëson ndihmën e vendeve europiane: Asetet e ngrira ruse të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky shprehet se vijon të mbajë kontakte të vazhdueshme me vendet perëndimore, sidomos ato europiane, të cilat mbështesin fuqishëm Kievin – siç tha ai dhe përveç ndihmës, në mënyrë permanente kanë vendosur sanksione kundër Rusisë.

Presidenti ukrainas dhe në takimin e fundit me delegacionin e rrjetit ndërkombëtar parlamentar, kërkoi që asetet e ngrira të Rusisë në të ardhmen të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës pas luftës.

Zelensky postoi në X, pamje nga takimi ku duken në tavolinën e diskutimit me parlamentarë të vendeve të ndryshme, mes tyre edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

“Sot u takova me delegacionin e rrjetit ndërkombëtar parlamentar ‘Të Bashkuar për Ukrainën’. I falënderova për mbështetjen e tyre të vazhdueshme politike për vendin tonë. Kjo është shumë e rëndësishme tani, gjatë luftës, dhe nuk do të jetë më pak e rëndësishme më pas. Ne të gjithë duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Diskutuam të ardhmen e Ukrainës, garancitë e sigurisë dhe rezultatet e takimeve në Uashington. Veçmas, u përqendruam edhe në mënyrën se si asetet e ngrira ruse mund të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës.

Një zë i bashkuar dhe një qëndrim i përbashkët në Evropë janë me rëndësi të veçantë. Jam mirënjohës ndaj parlamentarëve për mbështetjen dhe vizionin e tyre të përbashkët se Ukraina duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. bw

“MSC World Europa” me 8,585 persona në bord përjetoi një defekt 

Sot në mëngjes, anija turistike hasi një problem elektrik me motorët e saj afërsisht 8 milje detare larg ishullit të Ponzës, por arriti të nisej përsëri pasdite.

 

VOAL- “MSC World Europa” përjetoi një defekt afërsisht 8 milje detare larg ishullit të Ponzës në orën 7:25 të mëngjesit të sotëm.

Anija turistike, që lundronte nga Gjenova në Napoli me 8,585 persona në bord (6,496 pasagjerë dhe 2,089 anëtarë të ekuipazhit), raportoi se përjetoi një problem elektrik me motorët e saj.

Megjithatë, anija arriti të nisej përsëri pasdite. Sipas raportimeve, teknikët në bord arritën të rifillonin sistemin e shtytjes dhe anija tani po ecën ngadalë por në mënyrë autonome drejt portit të Napolit.

MSC po shoqërohet nga anije patrullimi të Rojës Bregdetare, të cilat janë në kontakt të vazhdueshëm me kapitenin e anijes dhe dy rimorkiatorë nga Napoli dhe Gioia Tauro po mbërrijnë gjithashtu në zonë. Agjencitë/RSI

Franca e thërret ambasadorin amerikan për shkak të letrës “së papranueshme” për rritjen e antisemitizmit

Radio Evropa e Lirë

Franca ka thirrur në takim ambasadorin amerikan në Paris, Charles Kushner, pasi ai ia dërgoi një letër presidentit francez, Emmanuel Macron, duke pretenduar se Franca nuk po bënte mjaftueshëm për ta luftuar antisemitizmin.

Ministria e Jashtme e Francës njoftoi të dielën se kishte thirrur Kushnerin të paraqitej të hënën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropa, duke thënë se akuzat e tij “janë të papranueshme.”

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, të dielën në mbrëmje tha se qëndron pas komenteve të Kushnerit, duke shtuar: “Ambasadori Kushner është përfaqësuesi ynë i Qeverisë amerikane në Francë dhe po bën një punë të shkëlqyer në avancimin e interesave tona kombëtare në atë rol”.

Thirrja e ambasadorit është shprehje formale dhe publike e pakënaqësisë.

Kushneri është babai i dhëndrit të presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Ministria e Jashtme e Francës, në deklaratën e saj, tha se “Franca i hedh poshtë akuzat” nga Kushneri dhe se autoritetet franceze janë “plotësisht të mobilizuara” për të luftuar rritjen e akteve të antisemitizmit që nga sulmi i Hamasit në Izraelin më 7 tetor 2023, duke i cilësuar këto akte si “të patolerueshme.”

Në letrën e publikuar vonë të dielën, Kushner shkruan se “deklaratat publike që qortojnë Izraelin dhe gjestet drejt njohjes së shtetit palestinez u japin guxim ekstremistëve, nxisin dhunë dhe rrezikojnë jetën hebraike në Francë”.

Kushner i bën thirrje Macronit “të veprojë me vendosmëri: t’i zbatojë ligjet kundër krimeve të urrejtjes pa përjashtim, të sigurojë mbrojtjen e shkollave hebraike, sinagogave dhe bizneseve … dhe të heqë dorë nga hapat që i japin legjitimitet Hamasit dhe aleatëve të tij”.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Akuzat e Kushnerit shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi tjetër, tha Ministria franceze.

“Ato gjithashtu bien ndesh me cilësinë e partneritetit transatlantik midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara dhe me besimin që duhet të mbizotërojë mes aleatëve”, theksoi ajo.

Ky përplasje ndodh pas refuzimit nga Macron javën e kaluar të akuzave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se qëllimi i Francës për të njohur shtetin palestinez po nxit antisemitizmin.

Franca vendi me popullsinë më të madhe hebraike në Evropë, me rreth 500.000 hebrenj, që është popullsia e tretë më e madhe hebraike në botë pas Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Ajo përbën afërsisht 1 për qind të popullsisë kombëtare.

Franca dhe SHBA janë gjithashtu ndarë për çështjen e mbështetjes ndaj Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, por ndarja është zbutur pasi Trump ka shprehur mbështetje për garancitë e sigurisë dhe ka zhvilluar një takim miqësor me Macronin dhe liderët e tjerë evropianë në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Në fund të mandatit të tij të parë si president, Trumpi e fali Charles Kushnerin, i cili vite më parë ishte shpallur fajtor për evazion fiskal dhe dhënie donacionesh të paligjshme për fushata.

Djali i tij, Jared, është ish-këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë në mandatin e parë të Trumpit dhe është i martuar me vajzën më të madhe të Trumpit, Ivanka.

Zelensky ende i cilëson bisedimet direkte me Putinin si mënyrën më efektive për të arritur paqe

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një takim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, do të ishte “rruga më efektive përpara”, pavarësisht përpjekjeve të ngecura për t’i dhënë fund luftës dhe sulmeve të vazhdueshme me dronë nga të dyja palët.

Zelensky, duke folur të dielën në një ceremoni për të shënuar Ditën e Pavarësisë së vendit, u zotua se do “ta shtyjë Rusinë drejt paqes”.

Gjenerali më i lartë i Kievit tha të dielën se trupat ukrainase kanë rimarrë tri fshatra në rajonin e Donjeckut. Njëkohësisht, Ukraina nisi sulme me dronë ndaj Rusisë, duke shkaktuar një zjarr në një termocentral bërthamor që u shua shpejt të dielën.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha të hënën në mëngjes se njësitë e mbrojtjes ajrore ruse shkatërruan dy dronë që po fluturonin drejt kryeqytetit rus.

Ai tha se shërbimet e emergjencës po punonin në vendin ku ranë mbetjet e dronëve.

Një sulm rus mbrëmjen e së dielës la disa vendbanime në rajonin e Sumit pa energji elektrike, tha kreu i administratës ushtarake rajonale. Trupat ruse sulmuan gjithashtu infrastrukturën civile në rajonin e Sumit duke përdorur bomba të telekomanduara dhe dronë sulmues, shtoi zyrtari. Nuk u raportua për viktima.

Sulmet me dronë dhe betejat tokësore kanë vazhduar pavarësisht përpjekjeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta ndërmjetësuar një takim mes Ukrainës dhe Rusisë. Nuk ka pasur asnjë përparim në këtë drejtim prej se Trump e priti Putinin për një takim në Alaskë, më 15 gusht.

Zelensky tha se një “format bisedimesh mes liderëve është rruga më efektive përpara”, por ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ngriti një pengesë të re për bisedime direkte gjatë një interviste me transmetuesin amerikan NBC.

“Reagimi ndaj takimit në Anchorage [të Alaskës], mbledhja në Uashington e këtyre përfaqësuesve evropianë dhe ajo që bënë ata pas Uashingtonit tregon se ata nuk duan paqe”, tha Lavrov për NBC.

Ai shtoi se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë garantuesit e sigurisë së Ukrainës.

Kievi dhe aleatët e tjerë deri nuk e kanë pranuar idenë që Moska të jetë mes garantuesve të sigurisë për një marrëveshje për paqe, dhe Zelensky ka hedhur poshtë mundësinë që Pekini të luajë ndonjë rol.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, gjatë një vizite në Kiev të dielën, tha se nuk është “në dorën e Rusisë mënyra se si garantohet e ardhmja e sovranitetit, pavarësisë dhe lirisë së Ukrainës”.

Carney shtoi gjithashtu se nuk do ta përjashtonte praninë e trupave kanadeze në Ukrainë si pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë, hollësitë e të cilave Kievi dhe aleatët e tij evropianë ende po i shqyrtojnë.

“Ne e dimë se Putinit nuk mund t’i besohet kurrë”, tha Carney në fjalimin e tij në Sheshin Shën Sofia të Kievit. “Ne e dimë se paqja dhe siguria e vërtetë do të kërkojnë garanci sigurie për Ukrainën”.

Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht vendosjen e trupave perëndimore në Ukrainë.

Nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, foli gjithashtu me transmetuesin amerikan NBC të dielën, ku tha se Rusia ka bërë “lëshime të rëndësishme” për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ata kanë treguar vullnet për të qenë fleksibil në disa prej kërkesave të tyre kryesore. Ata kanë folur për atë që do të ishte e nevojshme për të përfunduar luftën”, tha Vance në intervistë.

Vance tha se Moska ka pranuar “që Ukraina do të ketë integritet territorial pas luftës. Ata e kanë pranuar se nuk do të jenë në gjendje të instalojnë një regjim kukull në Kiev”.

Në fjalimin e tij në ceremoninë për përvjetorin e pavarësisë së Ukrainës, Zelensky tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa pajtohen se Ukraina “ende nuk ka fituar plotësisht, por sigurisht nuk do të humbasë. Ukraina ka siguruar pavarësinë e saj”,

“Ukraina nuk është viktimë; është luftëtare”, përfundoi ai.

“Qëndroni larg kufijve tanë”, Ukraina paralajmëron Bjellorusinë para stërvitjes së përbashkët me forcat ruse

Ukraina i ka thënë Minskut të qëndrojë larg kufijve të saj gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Rusinë që do të mbahen në Bjellorusi. Paralajmërimi erdhi përpara stërvitjes ushtarake ‘Zapad-2025’, të planifikuar për 12-16 shtator.

Bjellorusia lejoi forcat ruse të përdorin territorin e saj kur nisi pushtimi ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Që atëherë, Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko ka thënë vazhdimisht se Minsku nuk ka ndërmend të sulmojë Kievin dhe do të përdorë veprime ushtarake vetëm nëse vendi i tij sulmohet.

Në një deklaratë të premten, Ministria e Jashtme e Ukrainës akuzoi Bjellorusinë për ndihmë ndaj Moskës dhe lëshoi ​​një paralajmërim.

“Ne e paralajmërojmë Minskun kundër provokimeve të pamatura dhe e nxisim atë të mbetet i kujdesshëm, të përmbahet nga afrimi i kufijve dhe të shmangë provokimin e Forcave Mbrojtëse të Ukrainës”, tha Ministria e Jashtme e Kievit.

Stërvitjet ushtarake të këtij viti, të cilat përfshijnë operacione kundër-sabotimi, luftë me dronë, skenarë ndërhyrjesh elektronike dhe sulme, do të përfshijnë gjithashtu raketën hipersonike ruse Oreshnik me rreze të mesme veprimi, sipas Ministrit të Mbrojtjes të Bjellorusisë, Viktor Khrenin. E testuar për herë të parë në betejë në nëntor 2024 në një sulm ndaj objektit Yuzhmash të Ukrainës në Dnepr, zyrtarët rusë e kanë krahasuar fuqinë e saj shkatërruese konvencionale me atë të një sulmi bërthamor me rendiment të ulët.

“Ky është një element i rëndësishëm për parandalimin tonë strategjik – siç kërkon kreu i shtetit, ne duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë”, tha Khrenin për agjencinë shtetërore të lajmeve Belta. Ai paralajmëroi se NATO po e përdor Zapad-2025 si pretekst për stërvitjet e veta, duke përmendur si shqetësimin kryesor vendosjen e 30,000 trupave të Polonisë pranë Bjellorusisë.

Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë, nënshkroi një traktat dypalësh sigurie me Moskën në dhjetor 2024. Marrëveshja i angazhon të dy vendet të mbrojnë sovranitetin e njëri-tjetrit me të gjitha mjetet në dispozicion. Në vitin 2023, Rusia vendosi armë bërthamore taktike dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në territorin bjellorus, duke përmendur tensionet me Perëndimin. Lukashenko ka bërë thirrje gjithashtu për përshpejtimin e dorëzimit të sistemeve Oreshnik, të cilat mund të vendosen në Bjellorusi para fundit të vitit 2025. bw

Fatmir Mediu në Kiev me grupin e parlamentarëve europianë: Mbështetje Ukrainës në ditën e saj kombëtare

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ndodhet në Kiev të Ukrainës, së bashku me 32 deputetë nga vende të ndryshme të Europës si Gjermania, Italia, Suedia, Spanja, Irlanda, Britania, Hungaria, Çekia, Letonia, Estonia e Lituania. Vizita zhvillohet në kuadër të grupit “Friends 4Ukraine”, në mbështetje të luftës së Ukrainës kundër agresionit rus.

Në ditën kombëtare të Ukrainës, Mediu mori pjesë në ceremoninë protokollare të zhvilluar në Sheshin Sofia, ku Presidenti Volodymyr Zelensky dhe Kryeministri i Kanadasë mbajtën fjalimet e tyre. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe i dërguari special i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, Gjeneral Kellog.

Mediu ka paralajmëruar një sërë takimesh zyrtare në Kiev, përfshirë atë me Kryetarin e Parlamentit, Ruslan Stefanchuk, krerët e komisioneve parlamentare, Ministrin e Jashtëm dhe Ministrin e Mbrojtjes, ndërsa është në pritje të konfirmimit për një takim edhe me Presidentin Zelensky.

Gjithashtu, delegacioni është ftuar në një pritje të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev.bw

Zelensky: Garancitë e sigurisë për Ukrainën do të jenë gati në ditët në vijim!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi të shtunën (23 gusht) një bisedë telefonike me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, ku diskutuan mbi situatën aktuale në Ukrainë, iniciativat diplomatike dhe mbështetjen ndërkombëtare.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky falënderoi kryeministrin holandez për “fjalët e ngrohta mbështetëse”, duke vlerësuar ndihmën dhe solidaritetin e vazhdueshëm të Holandës për popullin ukrainas.

Presidenti ukrainas theksoi se biseda përfshiu zhvillimet më të fundit diplomatike, kontaktet në Uashington dhe perspektivën për përfundimin e luftës. Ai përsëriti gatishmërinë e Ukrainës për të ndërmarrë “hapa konstruktivë për paqen”, por vuri në dukje se Rusia “nuk tregon asnjë prirje” dhe vazhdon bombardimet ndaj qyteteve ukrainase.

“Ne i interpretojmë të gjitha sinjalet që vijnë nga Moska në të njëjtën mënyrë. Nevojitet presion për të ndryshuar qëndrimin e saj, si dhe një takim në nivelin më të lartë për të diskutuar të gjitha çështjet,” deklaroi Zelensky.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishin garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sipas Zelenskyt, ekipet e Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë po punojnë në ndërtimin e arkitekturës së re të sigurisë, e cila pritet të jetë gati në ditët në vijim.

Gjithashtu, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes ishte në fokus të bisedës. Zelensky bëri të ditur se janë arritur marrëveshje të rëndësishme në këtë drejtim dhe paralajmëroi një takim të ardhshëm me përfaqësues të qeverisë holandeze për të avancuar më tej bashkëpunimin. Panorama


Send this to a friend