VOAL

VOAL

Gjermania mendon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ministri i Mbrojtjes e pranon: Heqja, ishte gabim

Përballë situatës aktuale të sigurisë, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius beson se është i mundur rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ai tha se heqja e tij ishte gabim. Ministri Federal i Mbrojtjes, Boris Pistorius beson se një rikthim i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është i mundur. Politikani socialdemokrat i tha së përjavshmes “Die Zeit” se heqja e tij kishte qenë gabim.

Rivendosja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak vërtet që tani do të çonte në “probleme të mëdha kushtetuese dhe strukturore”. Megjithatë, diskutimi për këtë do të marrë vrull duke pasur parasysh situatën aktuale të politikës së sigurisë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Pistorius theksoi se gjermanët në përgjithësi duhej të jenë gati për një ndryshim në mentalitet. Kohët e përfitimit nga paqja dhe të shpenzimeve të ulëta të mbrojtjes kanë mbaruar. Përkundrazi, tha Pistorius, tani duhet të jemi në gjendje të pengojmë përsëri një agresor të mundshëm – pavarësisht nëse u pëlqen apo jo kjo të gjithëve.

Në këtë kontekst, ministri i Mbrojtjes përsëriti edhe formulimin e tij, që ka ngjallur polemika se Bundeswehr duhet të jetë i “aftë për luftë”.

Debat për rekrutimin

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ishte temë në konferencën e Bundeswehr-it pothuajse një muaj më parë. Shoqata e Bundeswehr-it e kishte përshkruar rifutjen si një “mënyrë të fundit” për rekrutimin e personelit. Por në përgjithësi duhet të ketë edhe kushte më tërheqëse. Përballë kërcënimeve të reja dhe komplekse, është e rëndësishme që të rekrutohet shpejt më shumë personel për trupat. Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë janë ngritur dyshime nëse Bundeswehr-i do ta arrijë objektivin e tij të deklaruar për 203.000 burra dhe gra me uniformë deri në vitin 2031.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u pezullua në Gjermani në korrik 2011, pas 55 vjetësh, nën ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg (CSU). Në praktikë kjo çoi në një eleminim të kryerjes shërbimit ushtarak dhe të shërbimit civil në komunitet. /DW

Vriten dy ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet ruse

Ligjvënësi ukrainas, Illya Kyva, anëtar i Platformës së Opozitës For-Life, në një tubim në Kiev. 9 shtator 2021.

Dy ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet ruse janë vrarë, njëri nga të shtënat në afërsi të Moskës dhe tjetri nga një bombë në makinë në Luhansk të Ukrainës-pjesë e pushtuar nga Rusia.

Burime ukrainase të zbatimit të ligjit i thanë Radios Evropa e Lirë se Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) “likuidoi” ish-deputetin ukrainas Illya Kyva duke e qëlluar për vdekje në një operacion special më 6 dhjetor.

Raportet e mediave në Rusi thanë më herët se Kyva u gjet i vdekur pranë Moskës.

Kyva ishte i njohur për qëndrimin e tij pro-rus. Në muajin nëntor, një gjykatë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, e dënoi atë në mungesë me 14 vjet burg, pasi e shpalli fajtor për tradhti të lartë.

Pasi Rusia nisi pushtimin e saj, të vazhdueshëm, të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, Kyva u transferua në Rusi ku mori pjesë në shfaqje televizive pro-Kremlinit dhe në tryeza të rrumbullakëta.

Vdekja e Oleh Popov, një ish-deputet de facto në një pjesë të rajonit të Luhanskut të Ukrainës të pushtuar nga Rusia, u raportua gjithashtu më 6 dhjetor. Popov u vra nga një mjet që shpërtheu në makinën e tij në qytetin e Luhansk.

Komiteti Hetimor tha në një deklaratë se filloi një hetim për vdekjen e Popov.

Popov kryesoi komitetin qeveritar të instaluar nga Rusia për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit, agjencitë e zbatimit të ligjit, sistemin gjyqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Yury Yorov, një anëtar i parlamentit de fakto në Luhansk, u citua nga Interfax të ketë thënë se në shtator të vitit 2022 u bë një tentativë për vrasjen e Popovit që ai tha se ishte organizuar nga SBU.

Disa shtetas ukrainas, të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet okupuese ruse, janë vënë në shënjestër vitet e fundit dhe disa prej tyre janë vrarë.

Së fundmi, një ligjvënës de fakto i asamblesë rajonale të instaluar nga Rusia në Luhansk, Mykhaylo Filiponenko, u vra muajin e kaluar në një bombë me makinë. Përgjegjësinë për atë vrasje e mori drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ukrainës.

Rusia ka akuzuar shërbimet speciale ukrainase për organizimin e atentateve. Kievi rrallë merr përgjegjësinë për sulmet.

Disa ditë përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj të vazhdueshëm, udhëheqësit separatistë të disa pjesëve të mbështetura nga Kremlini, të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut të Ukrainës i kërkuan presidentit rus Vladimir Putin të njohë pavarësinë e dy rajoneve nga Ukraina.

Ligjvënësit rusë në mesin e shkurtit 2022 gjithashtu i bënë thirrje Putinit të njohë Luhanskun dhe Donetskun- pjesët e kontrolluara nga separatistët, si shtete të pavarura dhe ratifikuan dokumentet përkatëse pasi Putini i nënshkroi ato.

Moska përdori dokumentet për të justifikuar pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës, i nisur më 24 shkurt 2022.

Zelenskiy anulon planin për t’iu drejtuar ligjvënësve amerikanë

VOA/Marrë nga Reuters

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, anuloi planet t’u lidhur drejtpërdrejt me video me ligjvënësit amerikanë për t’u bërë thirrje atyre që të miratojnë ndihmat për vendin e tij, ndërsa një betejë partiake lidhur me politikat amerikane të imigracionit kërcënon të minojë kërkesën e Presidentit Joe Biden për miliarda dollarë ndihma për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Republikanët dhe demokratët kanë debatuar për javë të tëra në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve mbi kërkesën e bërë në tetor nga zoti Biden që Kongresi të miratojë një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, dhe fonde për shtimin e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe interesat amerikane në Indo-Paqësor.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha se fondet për Ukrainën, e cila po lufton agresionin rus që nga shkurti i vitit 2022, duhet të lidhen me një “ndryshim transformues” të politikës amerikane për emigracionin.

Mike Johnson

Mike Johnson

Senati i kontrolluar nga demokratët paraqiti një projektpropozim prej 110.5 miliardë dollarësh që trajton kërkesën e presidentit. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se ai do të përpiqet të thyejë ngërçin duke u ofruar republikanëve mundësinë për të shtuar një amendament për kufirin tek ligji i ndihmave për Ukrainën dhe Izraelin.

Chuck Schumer

Chuck Schumer

“…ishin republikanët ata që e ngritën çështjen e kufirit. Ata kanë përgjegjësinë nëse besojnë se çështja e kufirit duhet të lidhet me paketën e ndihmave për Ukrainën. Le të propozojnë një amendament që mund të marrë 60 vota”, tha zoti Schumer në një konferencë shtypi.

Mitch McConnell

Mitch McConnell

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili foli menjëherë pasi zoti Schumer bëri propozimin për amendamentin, tha se ai do t’i nxiste republikanët e Senatit që të votojnë kundër projektpropozimit të mbështetur nga Demokratët.

“Jemi seriozë kur flasim për ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si e mbrojmë kufirin tonë jugor si pjesë e paketës së plotë”, tha zoti McConnell. “Shpresoj që të gjithë anëtarët tanë të votojnë kundër”, tha republikani McConnell.

Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit morën pjesë në takime informuese me dyer të mbyllura me zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Biden, ku pritej të fliste edhe zoti Zelenskyi përmes një lidhje me video. Por Senatori Schumer njoftoi se udhëheqësi ukrainas nuk ishte në gjendje të merrte pjesë.

“Diçka ndodhi minutën e fundit”, tha për gazetarët zoti Schumer.

Senatorët thanë se takimi i tyre ishte shoqëruar me nota të ashpra. Zoti Schumer tha se një ligjvënës, të cilin ai nuk e identifikoi, i kishte bërtitur një prej gjeneralëve të lartë.

Zëdhënësi i BE-së për draftin e Asociacionit: Kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve. Ndonëse ky draft-statut ende nuk është publikuar zyrtarisht, zëdhënësi i BE-së ka lënë të kuptohet se nuk i zbulojnë dokumentet. Ndërkohë, drafti-statuti nga njohës të Kushtetutës po konsiderohet i pafavorshëm për Kosovën.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano në një përgjigje për Rtv Dukagjinin, ka thënë se propozimi i BE-së për Asociacionin nuk është bërë publik.

Stano ka thënë se nuk i zbulojnë dokumentet dhe nuk marrin pjesë në debatin që bëhet për to. “Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen.” – ka thënë ai.

Stano ka thënë se ndërmjetësimi ndërkombëtar është proces që zhvillohet në konfidencialitet, teksa ka thënë se propozimi i ri është më i balancuar. “Lidhur me draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga EUSR për dialogun e Beogradit në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon në fund të muajit tetor. Më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian.” – ka thënë ai. Ndërkohë, në Kosovë janë publikuar disa drafte por deri më tani nuk janë zyrtarizuar si dhe janë mohuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë këto drafte po komentohen e analizohen nga njohësit e fushës. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka komentuar draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Perëndimi, duke thënë se Rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi, janë ndër pikat e kuqe në këtë draft. Hasani ka thënë se Asociacioni krijon autonomi politiko-territoriale dhe ka kompetenca të theksuar shtetërore.

 

“Kjo përmbajtje e këtij statuti është derivat i drejtpërdrejtë i Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht aneksit të Ohrit. Do të thotë, është i dedikuar për zbatimin e një autonomie politiko-territoriale, e cila ka autorizime të theksuara kushtetuese, përmbajtje shtetërore. Pjesa e kompetencave, që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, kulturor, përfaqësimin politik, të gjitha ato janë përgjegjësi të Republikës së Kosovës dhe përgjegjësi me Kushtetutë, sikurse në të gjitha vendet tjera të rajonit, dhe tani ato kompetenca i uzurpon Asociacioni. Mbi këtë bazë, kjo është tërësisht Kushtetutë e re, bëhet fjalë për shkrimin e një Kushtetute të dytë të Kosovës, që vlen vetëm për serbët.” – ka thënë ai për draftin e Asociacionit.

 

Edhe një gjeneral tjetër i Vladimir Putinit vritet në Ukrainë

Gjeneralmajor Vladimir Zavadsky, zëvendëskomandant i Korpusit të 14-të të Ushtrisë së Flotës Veriore, u vra në zonën e ‘një operacioni special’ ushtarak në Ukrainë, njoftoi sot në kanalin e tij Telegram guvernatori i rajonit Voronezh, Alexander Gusev.

“Zëvendëskomandanti i Korpusit të 14-të të Ushtrisë së Flotës Veriore, gjeneralmajor Vladimir Zavadski, u vra në krye të detyrës në zonën e operacioneve speciale. Para gushtit 2021, ai komandonte Divizionin e 4-të Kantemirov, me të cilin rajoni Voronezh ka kohë që ka marrëdhënie të mira”, tha Gusev.

Ai i shprehu ngushëllimet familjes së Zavadskit, duke shtuar se oficeri ishte besnik ndaj detyrës dhe profesionit të tij si mbrojtës i atdheut.

“Kudo që e dërgoi atdheu, ai tregoi një shembull besnikërie ndaj detyrës, siç e dëshmojnë edhe dekoratat e shumta. Jam i sigurt se emri i Vladimir Zavadskit, oficerit trim, gjeneralit të vërtetë dhe njeriut të denjë, do të mbetet gjithmonë në kujtimi i atdheut të lavdishëm”, përfundoi ai.

Qysh javën e kaluar, disa media pro-Kremlinit raportuan se Zavadski u vra në një shpërthim mine. Të paktën gjashtë gjeneralë rusë besohet se kanë humbur jetën që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e ka komentuar incidentin dhe ka raporte kontradiktore se ku vdiq gjenerali.

Gjermania zgjat kontrollet kufitare me Poloninë, Çekinë dhe Zvicrën

Oficerët e policisë federale gjermane pranë një pike të kalimit kufitar midis Gjermanisë dhe Republikës Çeke në stacionin në Furth am Wald. Gjermani, 10 tetor 2023. Fotografi ilustruese.

Gjermania po zgjat kontrollet e përkohshme kufitare me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën deri më 15 dhjetor, njoftoi të hënën Ministria e Brendshme.

Zakonisht nuk ka kontrolle të rregullta kufitare ose kontrolle dokumentesh në asnjërin prej kufijve të Gjermanisë pasi të gjitha vendet, duke qenë në zonën Shengen, lëvizin pa viza.

Por, në përpjekje për të ndaluar migrimin e paautorizuar, Gjermania ka rivendosur kontrollet kufitare përgjatë kufijve të saj jugorë dhe lindorë.

Një zëdhënës i ministrisë i tha DPA-së të hënën se zgjatja e kontrolleve kufitare do t’i raportohet Komisioniz Evropian në Bruksel, por kontrollet pritet të vazhdojnë, veçanërisht përgjatë kufirit gjermano-polak.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, urdhëroi policinë të fillojë të kryejë kontrolle përgjatë kufirit me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën më 16 tetor.

Kontrolle të ngjashme përgjatë kufirit gjermano-austriak kryhen që nga viti 2015.

Që nga 16 tetori, rreth 3.300 hyrje të paautorizuara janë zbuluar në kufirin me Poloninë dhe 1.100 hyrje të paautorizuara janë parandaluar, tha zëdhënësi.

“Kjo do të thotë se këto masa po funksionojnë dhe do të vazhdojnë të veprojnë kështu,” tha ai duke shtuar se “nëse dikush kapet në kufi dhe e bën të qartë se dëshiron të aplikojë për azil, ai përgjithësisht lejohet të hyjë në vend”.

Qëllimi i përgjithshëm i kontrolleve është “të ndalojë kontrabandën gjithnjë e më të paskrupullt dhe brutale të migrantëve”, shtoi zëdhënësi i ministrisë.rel

Një i vrarë dhe dy të plagosur në një sulm në Paris

VOA/Marrë nga Reuters

Një turist gjerman vdiq dhe dy të tjerë mbetën të plagosur pasi një burrë sulmoi turistët në qendër të Parisit pranë Kullës Eifel të shtunën në mbrëmje, në atë që presidenti Emmanuel Macron e përshkroi si “një sulm terrorist”.

Policia e arrestoi shpejt sulmuesin e dyshuar 26 vjeçar, shtetas francez, u tha gazetarëve të shtunën ministri i Brendshëm Gerald Darmanin.

I dyshuari ishte dënuar me katër vjet heqje lirie në vitin 2016 për planifikimin e një sulmi tjetër, ishte në listën e vëzhgimit të shërbimeve franceze të sigurisë dhe njihej gjithashtu për çrregullime psikike, shtoi ministri i Brendshëm.

Sulmi ndodhi në orët e mbrëmjes kur burri sulmoi një çift turistësh me thikë në Quai de Grenelle, pak metra larg Kullës Eiffel, duke plagosur për vdekje një shtetas gjerman. Më pas ai u ndoq nga policia dhe sulmoi dy persona të tjerë me një çekiç përpara se të arrestohej.

I dyshuari kishte brohoritur “Allahu akbar” (Zoti është më i madhi) dhe i tha policisë se ishte i mërzitur sepse “shumë myslimanë po vdesin në Afganistan dhe në Palestinë” dhe ishte gjithashtu ishte i mërzitur për situatën në Gaza, tha ministri Darmanin.

“U shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të shtetasit gjerman që vdiq këtë mbrëmje gjatë sulmit terrorist në Paris dhe me mendje jam me të plagosurit…”, shkroi presidenti Macron në rrejtin X.

“Nuk do t’i dorëzohemi terrorizmit,” shkroi ndërkaq në rrjetin X, kryeministrja Elisabeth Borne.

Prokurorët francezë të antiterrorizmit po udhëheqin hetimet për incidentin e së shtunës mbrëma.

Sulmi në qendër të Parisit ndodhi më pak se tetë muaj përpara se kryeqyteti francez të organizojë Lojërat Olimpike dhe mund të nxis pikëpyetje lidhur me sigurinë në ngjarjen sportive botërore.

Qyteti po planifikon një ceremoni hapjeje të pashembullt në lumin Seine, me mundësinë qe të tërheqë deri në 600,000 shikues.

Një prej pikave kyçe të luftimeve, ushtria ruse tërhiqet nga qyteza industriale në Ukrainë

Qyteza ukrainase Avdivka, e përballur me sulme të vazhdueshme ruse, ka regjistruar zbehje të ofensivës ruse në 24 orët e fundit, për shkak të humbjeve të mëdha të ushtrisë së Rusisë dhe motit të lig, ka thënë kryetari i qytezës, Vitaly Barabash.

Për gati dy muaj, Rusia ka tentuar të marrë kontrollin e Avdivkas, qytezë industriale afër Donjeckut, e cila është kthyer në një prej pikave kyçe të luftimit.

Ushtarët rusë tani janë në lindje, veri dhe jug të qytezës, e cila është kthyer në gërmadhë.

Ukraina ka thënë se ushtria e saj është duke e kontrolluar atë rajon dhe është duke zmbrapsur sulmet.

“Në 24 orët e fundit, numri i sulmeve tokësore është zvogëluar”, ka thënë Barabash, për një transmetues ukrainas.

Ai ka thënë se luftimet janë zbehur për shkak të tre faktorëve – motit të vështirë, humbjeve të mëdha ruse dhe mungesës së ushtarëve.

“Secilën herë e më pak rusë kanë vullnet që të luftojnë”, ka shtuar Barabash.

Radio Evropa e Lirë nuk i ka konfirmuar këto deklarata në mënyrë të pavarur.

Për shkak të luftës për kohë të gjatë, ukrainasit e konsiderojnë qytezën si simbolin e tyre të rezistencës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL

Zyrtarët ukrainas ndalojnë në kufi ish-Presidentin Poroshenko

VOA/Marrë nga Reuters

KIEV – Shërbimi ukrainas i sigurisë njoftoi të shtunën se i ka ndaluar ish-Presidentit Petro Poroshenko largimin nga vendi, pasi Rusia kishte në plan të shfrytëzonte takimin e planifikuar të tij me kryeministrin e Hungarisë, për të dëmtuar interesat e Ukrainës.

Partia politike e zotit Poroshenko, “Solidariteti Evropian”, tha se ish-presidenti kishte planifikuar takime vetëm në Poloni dhe në Shtetet e Bashkuara dhe paralajmëroi shërbimin e sigurisë SBU të mos përfshihej në politikë.

Zotit Poroshenko iu refuzua në kufi të premten dalja nga vendi.

Shërbimi i sigurisë SBU tha se zoti Poroshenko do të takohej me Kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili mban lidhje të ngushta me udhëheqësin rus Vladimir Putin dhe kundërshton çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Sipas shërbimit ukrainas të sigurisë, Rusia po përgatit një seri provokimesh për të diskredituar Ukrainën tek aleatët, ndërsa lufta vazhdon prej 21 muajsh. Nuk u paraqit ndonjë provë për këto aludime.

Për takimin konkret, shërbimi SBU tha se Kryeministri hungarez Orban “mban sistematikisht qëndrime kundër Ukrainës” dhe se është “mik i Putinit” dhe ka kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Moskës për sulmin ushtarak në Ukrainë.

Sipas legjislacionit për gjendjen e jashtëzakonshme, zyrtarët ukrainas duhet të marrin miratim paraprakisht për të udhëtuar jashtë vendit. Nënkryetari i parlamentit, Oleksandr Korniyenko, tha se leja për zotin Poroshenko ishte anuluar pasi kishte marrë një letër për të cilën nuk komentoi.

Zyra e Presidentit ukrainas Zelenskyy nuk bëri komente dhe zyra e Kryeministrit hungarez Orban nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Zoti Poroshenko ka shërbyer si president i Ukrainës gjatë periudhës 2014-2019. Ai e akuzoi të premten qeverinë e Presidentit Zelenskyy për anulimin e lejes dhe për lojë politike përpara zgjedhjeve. Ata bënë një betejë të hidhur elektorale në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, kur zoti Zelenskyy fitoi bindshëm ndaj presidentit në detyrë Poroshenko.

Presidenti Zelenskyy tha muajin e kaluar se nuk është koha e duhur për të mbajtur zgjedhje presidenciale. Në kushte normale, ato do të mbaheshin në mars 2024, por zgjedhjet ndalohen për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.

Thesaret e Krimesë i kthehen Ukrainës

Thesaret e lashta të Krimesë kthehen në Ukrainë pas një mosmarrëveshjeje pronësie gati dhjetëvjeçare.

Artefaktet ishin huazuar në një muze holandez në vitin 2014 kur Rusia pushtoi Krimenë, duke çuar në një mosmarrëveshje pronësie, në të cilën Ukraina luftoi për t’i mbajtur ato.

Të ruajtura për vite në një muze të Amsterdamit, disa thesare historike nga Krimea më në fund i janë kthyer Ukrainës pas një beteje ligjore gati dhjetëvjeçare me Krimenë e pushtuar nga Rusia. Artefaktet përfshijnë një përkrenare skite prej ari nga shekulli i IV para Krishtit, një bosht spiral nga shekulli i dytë pas Krishtit dhe një zbukurim qafe floriri nga shekulli i dytë pas Krishtit që peshon më shumë se një kilogram.

Fillimisht i huazuar në Muzeun e Antikiteteve Allard Pierson për një ekspozitë të vitit 2014 të titulluar “Krimea – ari dhe sekretet e Detit të Zi”, pushtimi rus i Krimesë çoi në një mosmarrëveshje të gjatë pronësie, në të cilën Ukraina luftoi për t’i mbajtur artefaktet larg agresorit të saj.

Si qeveria ukrainase në Kiev, ashtu edhe katër muzetë e Krimesë që i kishin huazuar muzeut holandez shpata bronzi, helmeta të arta, gurë të çmuar dhe objekte të tjera, kërkuan kthimin e objekteve. “Ky ishte një rast i veçantë, në të cilin trashëgimia kulturore u bë viktimë e zhvillimeve gjeopolitike,” tha në një deklaratë Els van der Plas, drejtor i muzeut historik Allard Pierson.

Në qershor, Gjykata Supreme holandeze vendosi që muzeu duhet t’ia kthejë thesaret Ukrainës dhe jo katër muzeve nga të cilët ata erdhën fillimisht, duke mbështetur një vendim të gjykatës më të ulët se artefaktet ishin pjesë e trashëgimisë kulturore të Ukrainës.

Gjyqtarët përmendën mungesën e njohjes kombëtare për Republikën Autonome të Krimesë të aneksuar nga Rusia. “Megjithëse objektet e muzeut e kanë origjinën nga Krimea dhe për këtë arsye mund të konsiderohen gjithashtu si trashëgimi e Krimesë, ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Ukrainës”, vendosi Gjykata e Lartë. “Ne jemi të kënaqur që kjo çështje u sqarua dhe që ato u kthyen”, tha Van der Plas.

Më 27 nëntor, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ripohoi pikëpamjen e Rusisë se thesari duhet t’i kthehet Krimesë. “I përket Krimesë dhe duhet të jetë atje”, u tha Peskov gazetarëve.

Franca ndalon pirjen e duhanit në të gjitha plazhet…

Por jo vetëm kaq, edhe në pyll, në kopshte publike dhe pranë vendeve publike

VOAL- Dielli në perëndim, ndoshta një aperitiv në lokalin pranë, në shoqërinë e miqve të mirë, por jo cigare. Nga viti i ardhshëm do të ndalohet pirja e duhanit në të gjitha plazhet franceze. Por jo vetëm kaq, edhe në pyll, në kopshte publike dhe pranë vendeve publike, si shkolla. Shkurtimisht, qeveria e Elisabeth Borne, kryeministres franceze, do të hyjë në luftë kundër duhanit, duke rritur gjithashtu çmimin e paketave të cigareve në 13 euro në vitin 2026. E vetmja mënyrë, sipas ministrit të Shëndetësisë, Aurélien Rousseau, për të kufizuar vdekjet dhe ndikimi në financat publike.

Nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm, pra, do të hyjnë në fuqi masat e para për të zbatuar në nivel kombëtar ato ndalime të parashikuara më parë me nismën lokale, nga bashkitë të cilat në total kanë krijuar 7200 vende pa duhan në zonë. Për Ruso këto hapësira duhet të përgjithësohen duke i shtrirë “në të gjitha plazhet, pyjet, kopshtet publike dhe vendet publike, në veçanti shkollat”. Por, ekzekutivi njoftoi edhe rritjen e çmimeve të paketave të cigareve, të cilat në harkun kohor të njëzet viteve nga 4 shkuan në 11 euro aktuale. Ato do të kushtojnë 12 euro në 2025 dhe një euro më shumë në 2026. Në të njëjtën kohë, qeveria planifikon gjithashtu të zgjerojë paketimin neutral në cigaret elektronike, duke kufizuar numrin e shijeve të ofruara, duke lëvizur drejt ndalimit të cigareve të disponueshme të cilat janë veçanërisht tërheqëse për një klientelë të re, “dhe përbëjnë një lajthitje nga pikëpamja shëndetësore dhe ekologjike”, sipas kryeministrit Borne.

Në Francë, vlerësohet se ka të paktën 12 milionë duhanpirës dhe deri në 75,000 vdekje në vit të lidhura me duhanin: shkaku i parë i vdekshmërisë së hershme nën moshën 65 vjeç, si dhe lloji i parë i vdekjes që konsiderohet i shmangshëm. Në total, sëmundjet e shkaktuara nga duhani rëndojnë në llogaritë e shtetit për 12.5 miliardë euro. Ministri Rousseau njoftoi kështu programe ndihme për të ndaluar pirjen e duhanit, si dhe për të shoqëruar duhanxhinjtë drejt aktiviteteve alternative për shitjen e duhanit. Aleanca Anti-Tabac, e cila bashkon shoqatat tregtare, kërkon që qeveria të shkojë më tej, duke vendosur çmimin e paketave të cigareve në një prag më bindës, në 16 euro në 2027. rsi-eb

Zelensky e kujton urinë e viteve ’30 si gjenocid kundër ukrainasve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “tejet e rëndësishme” të kujtohet uria e viteve 1932-33, e cila vrau miliona ukrainas, si një “gjenocid” i kryer nga Bashkimi Sovjetik i mbizotëruar nga Rusia.

“Ata u përpoqën të na zhbëjnë, të na nënshtrojnë, të na torturojnë. Ata dështuan. Ata deshën ta fshihnin të vërtetën nga ne dhe t’i mbulonin krimet e tmerrshme përgjithmonë. Ata dështuan”, tha Zelensky gjatë një fjalimi të shtunën, në të cilin e kujtoi urinë nën udhëheqjen e diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

Ai shtoi se sot “me nderimin dhe pikëllimin më të madh, ne i kujtojmë miliona njerëzve tanë”.

Tragjedia e urisë njihet si Holodomor në Ukrainë, që në shqip e ka kuptimin “vrasje përmes urisë”.

Dita Përkujtimore e Holodomorit u shënua këtë të shtunë në Ukrainë.

Zelensky e nxori një paralele mes urisë së Holodomorit dhe pushtimit të tanishëm të Ukrainës nga Rusia, ushtria e së cilës po i sulmon infrastrukturën dhe depot e eksportimit të drithërave ukrainase.

“Ky është një proces ku linja e politikës totalitare sovjetike dhe linja e politikës moderne ruse e formojnë një shenjë të përbashkët. E liga nuk u ndal. Dhe tani, ne po e ndalim atë”, u shpreh ai.

Pikërisht në ditën e Holodomorit, Rusia e sulmoi Ukrainën me një numër rekord dronësh iranianë, duke i plagosur disa njerëz dhe duke shkaktuar dëme, thanë zyrtarët ukrainas të shtunën, duke e cilësuar këtë si sulmin më të madh rus me dronë prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 71 prej 75 dronëve – rreth 60 mbi Kievin – me të cilët Rusia e sulmoi të shtunën.

Ukraina është duke u përgatitur për sulme më të shpeshta ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike gjatë sezonit të ftohtë, sepse Moska e kishte kryer një fushatë të ngjashme dimrin e kaluar, duke i lënë miliona ukrainas në terr dhe në të ftohtë, pasi ua kishte shkatërruar infrastrukturën jetike të energjisë.rel

BE-ja dërgon roje kufitare në Finlandë

Një pikë kufitare mes Finlandës dhe Rusisë. 15 nëntor 2023.

Agjencia e Bashkimit Evropian për mbrojtje kufitare, Frontex, tha më 23 nëntor se do të dislokojë 50 oficerë në Finlandë, shtet që ka shënuar rritje të emigrantëve në kufirin lindor me Rusinë.

Përveç rojeve kufitare dhe stafit tjetër, Frontex po ashtu tha se do të dërgojë pajisje, sikurse makinat patrulluese “për të rritur kontrollin e aktiviteteve në kufirin e Finlandës”.

Përforcimet pritet të dërgohen në Filalandë “javën e ardhshme”, u tha në njoftim.

Të mërkurën, Finlanda tha se do të mbyllë të gjitha pikëkalimet kufitare në veri me Rusinë, përveç kufirit më verior, pasi regjistroi një rritje të emigrantëve ilegalë.

Helsinki tha se Moska ka faj, me kryeministrin finlandez, Petteri Orpo, që akuzoi autoritetet ruse për lehtësim “sistematik dhe të organizuar” të kalimeve ilegale të kufirit.

Kreu i Frontex-it, Hans Leijtens, nuk përmendi me emër Rusinë, por në deklaratë tha se agjencia po forcon mbështetjen për Finlandë, e cila po përballet “me sfida hibride”.

“Ky bashkëpunim tregon se kur përballemi me sfida të ndërlikuara në kufi, Evropa qëndron e bashkuar dhe ofron ndihmë”, tha ai.

Ftontex aktualisht ka 10 zyrtarë që punojnë në kufijtë e Finlandës.

Finlanda ka një kufi prej 1.300 kilometrash me Rusinë. Raportet e Helsinkit me Moskën janë përkeqësuar që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar, gjë që shtyri Finlandën të anëtarësohej në prill në aleancën e NATO-s.rel

Populisti anti-Islam drejt fitores në Holandë

Kreu i Partisë për Liri, Geert Wilders, pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të përgjithshme në Hagë. Holandë, 22 nëntor 2023.

Populisti i ekstremit të djathtë, anti-islamiku Geert Wilders, po shkon drejt një fitoreje të madhe në zgjedhjet parlamentare në Holandë.

Rezultati e vendos atë në linjë për të udhëhequr bisedimet për formimin e një koalicioni të ri qeverisës dhe ndoshta të bëhet kryeministri i parë i djathtë në një kohë trazirash politike në pjesën më të madhe të kontinentit.

Një “exit poll” i publikuar nga transmetuesi kombëtar NOS, tha se Partia e Lirisë e udhëhequr nga Wilders fitoi 35 nga 150 ulëset në parlament, më shumë se dyfishi i vendeve të fituara në zgjedhjet e fundit. Rezultatet përfundimtare zyrtare priten vetëm të enjten.

Programi zgjedhor i Wilders përfshin thirrjet për një referendum për largimin e Holandës nga Bashkimi Evropian, një ndalesë totale të pranimit të azilkërkuesve si dhe kthimin e migrantëve në kufijtë holandezë.

Ai gjithashtu mbron “de-islamizimin” e Holandës, megjithëse ka qenë më i butë për islamin gjatë kësaj fushate zgjedhore sesa në të kaluarën.

“Votuesit thanë: ‘Ne jemi të lodhur nga kjo. Të sëmurë me barkun tonë”, tha Wilders, duke shtuar se tani ishte në një mision për t’i dhënë fund “cunamit të azilit” duke iu referuar çështjes së migracionit që dominoi fushatën e tij.

“Holandezët do të jenë sërish numër një”, tha Wilders. “Njerëzit duhet ta kthejnë kombin e tyre”, shtoi ai.

Por ligjvënësi, i cili në të kaluarën është etiketuar si një version holandez i Donald Trump, do të duhet të formojë një qeveri koalicioni përpara se të marrë drejtimin e pushtetit.

Kjo do të jetë e vështirë pasi partitë kryesore ngurrojnë të bashkojnë forcat me të dhe partinë e tij.rel

Parlamenti Evropian propozon ndryshimin e traktatit të BE-së dhe heqjen e vetos në vendimmarrje

Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën një raport përmes së cilit propozon ndryshimin e traktatin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që blloku të jetë më i efikas dhe që të reformohet në të ardhmen.

Po ashtu, në propozimin e PE-së është përfshirë heqja e të drejtës së vetos në vendimet e Këshillit dhe që vendimet të mund të kalojnë me shumicë të kualifikuar. Kjo do të evitonte në të ardhmen situata në të cilat ndonjë shtet anëtar do të bllokonte ndonjë vendim, siç ndodh tani.

Ky propozim ka shkaktuar më së shumti ndasi. Propozimet e PE-së janë në përputhje edhe me mendimet që janë shprehur nga qytetarët evropianë gjatë konsultimeve në Konferencën për të ardhmen e Evropës.

Po ashtu, PE-ja ka propozuar që Komisioni Evropian të ketë më pak anëtar sesa që ka vende anëtare të BE-së.

Sipas propozimit, Komisioni më pas do të quhej “Pushteti ekzekutiv evropian” dhe do të kishte 15 anëtarë dhe gjatë formimit të tij do të merrej parasysh edhe balanca gjeografike.

Aktualisht, KE-ja ka nga një anëtar nga secili vend anëtar i BE-së. Sipas propozimit, presidenti i Komisionit Evropian do ta zgjidhte Parlamenti Evropian, ndërsa atë do ta konfirmonin vendet anëtare në Këshill.

Sipas traktatit që është aktualisht në fuqi, është e kundërta, pasi presidentin e zgjedh Këshilli dhe e konfirmon Parlamenti evropian.

Propozimi i PE-së parasheh që të krijohet edhe mundësia e votimit të mosbesimit ndaj komisionarëve individualë.

Shtetet më të vogla janë shprehur kundër këtyre ndryshimeve nga frika se me to do të zvogëlohet ndikimi i tyre, pasi ato duan që secili vend anëtar të jetë i barabartë, pavarësisht nga madhësia e tyre.

Përmes këtyre propozimeve, PE-ja kërkon që të ketë më shumë transparencë në Këshillin e BE-së dhe të bëhen publike edhe qëndrimet individuale të shteteve anëtare.

PE-ja ka propozuar edhe vendosjen e disa politikave që tash janë nën kompetencat nacionale të vendeve anëtare, duke kërkuar që këto të shndërrohen në kompetencë të përbashkët të BE-së. Në këtë kuadër, PE-ja ka kërkuar që të përfshihen fushat sikurse shëndeti publik, ruajtja e mjedisit, mbrojtja civile, edukimi dhe disa të tjera.

Ky raport në Parlamentin Evropian është miratuar me një dallim të vogël votash, me 305 për dhe 276 kundër. Ndërsa dallimi në votimin për një rezolutë që lidhet me këtë raport ka qenë edhe më i vogël, përkatësisht për të kanë votuar për 291 deputetë dhe 274 kundër.

Parlamenti Evropian ka kërkuar që Këshilli, pa vonesa, të nisë procedurën për reformën e BE-së duke pasur para sysh këto propozime.rel

BERZH: Shqipëria, vendi me qeverisjen më të keqe në Europë pas Bosnjes

Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se Shqipëria është vendi me qeverisjen më të keqe në Europë, pas Bosnjes. Në raportin e Tranzicionit për vitin 2023, për treguesin e mirëqeverisjes, BERZH e klasifikon Shqipërinë me 4.71 pikë nga 10 të mundshmet.

Kjo e klasifikon Shqipërinë si vendin e dytë me qeverisjen më problematike në Europë duke lënë pas vetëm Bosnjen, e cila vlerësohet me 4.09 pikë. Në vendin e tretë nga fundit, rezulton Kosova me 4.85 pikë, ndërsa vendet e tjera kanë një vlerësim që luhatet nga 5 deri në 8 pikë.

Indikatori i mirëqeverisjes është një nga treguesit më të rëndësishëm në Raportin e Tranzicionit. Ai mat cilësinë e institucioneve politike dhe ekonomike të një vendi, standardet e integritetit, kontrollin e korrupsionit si dhe sundimin e ligjit. Vec kësaj treguesi mat edhe cilësinë e qeverisjes së korporatave private.

Por vendi i parafundit në Europë nuk është shqetësimi i vetëm për Shqipërinë. Të dhënat historike tregojnë se ky tregues është përkeqësuar nga viti në viti.

Në vitin 2016, Shqipëria vlerësohej me 5.28 pikë në treguesin e mirëqeverisjes. Vitin e kaluar treguesi zbriti në 4.74 pikë, ndërsa për këtë vit ai ka zbritur më tej në 4.71 pikë.

Në raport BERZH vëren se treguesi i mirëqeverisjes është përmirësuar në pjesën më të madhe të vendeve të Europës, ndërkohë që vendet e vetme ku qeverisja ka shënuar përkeqësim të ndjeshëm janë Shqipëria, Bosnja, Libani dhe Polonia./KAPITALI

Maksiprocesi ndaj mafias Ndragheta, 11 vjet për ish deputetin e Forza Italia

VOAL- Në gjyqin më të madh të mafias në Itali në dekada, një ish-deputet i Forza Italia u dënua me njëmbëdhjetë vjet burg. Politikani konservator Giancarlo Pittelli u shpall fajtor se kishte operuar në emër të ‘Ndrangheta’ nga një gjykatë në qytetin e Lamezia Terme (në Kalabri) sot, të hënën. Drejtoria Antimafia e Qarkut (DDA) kishte kërkuar dënimin me 17 vite burg për të.

Kujtojmë se ajo që përfundoi mëngjesin e sotëm në Lamezia Terme është gjyqi i shkallës së parë dhe se akuzat varionin nga vrasja dhe anëtarësimi në organizatë kriminale deri te trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe korrupsioni në kontratat shtetërore. Prokurori publik kishte kërkuar dënime deri në tridhjetë vjet burgim, për të gjithë të pandehurit që do të sillen në gjyq, gjithsej mbi 4700 vjet.

Ndër emrat e shquar të dënuar nga gjyqtarët janë ata të një nënkoloneli të karabinierisë, i dënuar me dy vjet e gjashtë muaj, një ish-financier, i cili do të duhet të kryejë dhjetë vjet e gjashtë muaj dhe një ish-këshilltar qarku, i cili u dha dënim me një vit e gjashtë muaj.

Dënimet më të rënda – tridhjetë vjet burgim – iu dhanë Saverio Razionale, i treguar si bosi i San Gregorio d’Ippona dhe Domenico Bonavota, që besohet të jetë bosi i Sant’Onofrio. Leximi i dënimeve të shumta zgjati disa orë, ku u gjykuan 338 të pandehur.

Në vend të kësaj, gjyqtarët kalabrezë liruan ish-kryebashkiakun e Pizzo Calabro Gianluca Callipo. Për të, DDA e Catanzaro kishte kërkuar dënimin me 18 vjet burg. U shpall i pafajshëm edhe këshilltari rajonal Luigi Incarnato, për të cilin ishte kërkuar një vit e gjashtë muaj burg.

Gjyqi, i cili filloi në janar 2021, u bazua në deklaratat e më shumë se 50 dëshmitarëve të ndryshëm kyç që hoqën dorë nga ‘Ndrangheta’. Ky është një numër i rëndësishëm, duke pasur parasysh se “ligji i heshtjes” zbatohet normalisht në organizatat kriminale mafioze, në bazë të të cilave askush nuk e hap gojën.

Ndrangheta kalabreze dikur ishte vetëm e treta e organizatave të ndryshme mafioze në Itali, pas Cosa Nostra-s siciliane dhe Camorra napolitane. Aktualisht është grupi kriminal më i fuqishëm në Itali, me lidhje në të gjithë botën.rsi-eb

Madrid, 170 000 veta në shesh kundër amnistisë për katalanasit

 

Protestat e krahut të djathtë vazhdojnë në të gjithë vendin kundër ligjit të paraqitur nga kryeministri socialist Pedro Sanchez – lexohet “Tradhtari” në tabelat e protestuesve

Demonstruesit marshuan duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Pedro tradhtar”, “Spanja nuk shitet”

VOAL- Rreth 170 000 njerëz marshuan në Madrid të shtunën për të protestuar kundër ligjit të amnistisë që socialistët miratuan për ata që janë përgjegjës për referendumin separatist të Katalonjës në vitin 2017 për të formuar një qeveri. Demonstrata u zhvillua pasi kryeministri socialist Pedro Sanchez fitoi një mandat katërvjeçar të enjten me mbështetjen e partive nacionaliste katalane dhe baske në këmbim të miratimit të ligjit. Ditët e fundit ka pasur protesta të tjera në të gjithë vendin.

Kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, merr pjesë në protestat kundër amnistisë.

Pjesëmarrësit valëvitnin flamuj spanjollë dhe mbanin pankarta ku lexonin “Sanchez tradhtar” dhe “Mos e shit Spanjën”. Sipas katër shoqatave gjyqësore, partive politike opozitare dhe liderëve të biznesit, ky ligj i ri kërcënon sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve. Alberto Núñez Feijóo, kreu i Partisë Popullore konservatore të opozitës, dhe Santiago Abascal, lider i partisë së ekstremit të djathtë Vox, morën gjithashtu pjesë në marshim.

Pas demonstratës, dhjetëra protestues ecën përgjatë anës së një autostrade drejt Pallatit Moncloa, rezidenca e kryeministrit në Madrid.rsi-eb

Scholz i bën thirrje Putinit të tërheqë trupat nga Ukraina

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndërmarrë hapin e parë drejt një zgjidhjeje paqësore në konfliktin në Ukrainë.

“Ai duhet të tërheqë trupat”, tha Scholz gjatë një vizite në Nuthetal të Gjermanisë më 18 nëntor.

Megjithatë, në pyetjen nëse negociatat e paqes janë të mundura, kancelari gjerman tha se aktualisht nuk ka asnjë sinjal që Putin synon të tërheqë trupat.

Putin nuk duhet të ketë sukses në qëllimin e tij që të përdorë trupat për të aneksuar pjesët e Ukrainës fqinje, tha Scholz.

Kancelari gjerman përsëriti se Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën që të mbrohet kundër pushtimit rus për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Këto deklarata të bëra nga Scholz vijnë në ditën kur ushtria ukrainase njoftoi për sulme masive ruse me dronë në jug dhe veri të Ukrainës, që shënjestruan infrastrukturën e energjisë.

Rusia – që ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022 – dimrin e vitit të kaluar shënjestroi infrastrukturën energjetike, duke lënë miliona ukrainas pa rrymë dhe ngrohje për periudha të gjata kohore.rel

“Mjaft është mjaft!”, kjo është motoja e grevës kombëtare në Itali

 

VOAL- “Mjaft është mjaft!”: greva dhe demonstrata e CGIL dhe UIL po zhvillohen sot (e premte) në Itali për të ndryshuar manovrat dhe politikat ekonomike dhe sociale të qeverisë Meloni. Greva kombëtare zgjat 8 orë ose të gjithë turnin e punës për sektorin publik, shkollat, universitetet dhe punonjësit e kërkimit, shëndetësisë dhe postës.

Për sektorin e transportit, pasi urdhri u vendos jo pa debate nga qeveria dhe në veçanti nga ministri Matteo Salvini për të garantuar shërbimin, nga autobusët dhe metroja tek trenat – duke përjashtuar fluturimet që janë të rregullta – ndalesa është 4 orë, nga ora 9 e mëngjesit deri në 13 pasdite. Si dhe për zjarrfikësit. Edhe punëtorët e rajoneve qendrore kryqëzuan krahët për 8 orë.

Kjo është faza e parë e mobilizimit të shpallur nga CGIL dhe UIL: gjithsej pesë ditë me greva dhe demonstrata në 58 sheshe, me mbi 100 protesta në baza territoriale dhe rajonale, ku më pas do të përfshihen rajonet e Veriut më 24 nëntor dhe ato të Jugut më 1 dhjetor. Siçilia dhe Sardenja do të ndalojnë përkatësisht në datat 20 dhe 27 nëntor.

Ngjarjet janë planifikuar në Firence, Perugia, Ancona, Ascoli Piceno, Pesaro, Fermo, Macerata, Lanciano, Campobasso dhe Romë. Në kryeqytet takimi ishte në Piazza del Popolo: me sekretarët e përgjithshëm të CGIL dhe UIL, Maurizio Landini dhe Pierpaolo Bombardieri, ishin 60,000 njerëz. Por mijëra njerëz demonstrojnë gjithashtu në Torino dhe demonstrata të tjera janë planifikuar në Piemonte duke përfshirë Alessandria, Cuneo dhe Novara.

 

Mobilizimi u promovua nga dy konfederatat “për të rritur pagat, për të zgjeruar të drejtat dhe për të kundërshtuar një ligj buxhetor që nuk ndalon varfërimin dramatik të punëtorëve, pensionistëve dhe pensionistëve meshkuj dhe femra dhe nuk u ofron një të ardhme të rinjve. Në mbështetje të një politike tjetër ekonomike, sociale dhe kontraktuale, jo vetëm e mundshme, por e nevojshme dhe urgjente. Tani ndalo!”.

Studentët protestojnë edhe kundër reformës në shkollë

Në të njëjtën kohë, në ditën e grevës, studentët kthehen në rrugë edhe: në Torino, për shembull, të paktën 500 protestues u larguan mëngjesin e sotëm nga Piazza XVIII Dhjetor, duke iu bashkuar nismave që po zhvillohen në qytete të tjera italiane ku mes dhe studentët e universitetit po protestojnë kundër politikave të qeverisë Meloni dhe kundër reformës në shkollë të dëshiruar nga ministrja Valditara.

Demonstrata e Rrjetit të Studentëve të Mesëm në Romë – Mbështetje e fortë për çështjen palestineze mes studentëve:

 

“Me reformën shkollore të qeverisë Meloni, arsimi publik kthehet 50 vjet më parë dhe një tjetër dhuratë e madhe u jepet kompanive – shpjegon Caterina Mansueto, presidente e Këshillit të Torinos – Reduktimi i kohëzgjatjes së shkollimit në 4 vjet për teknikët dhe profesionistët dhe inkurajimi. e punës shkollore me krijimin e kampuseve shkollore-kompani janë një shuplakë shumë e rëndë për 200 mijë studentët që dolën në rrugë vitin e kaluar pas vdekjes së tre bashkëmoshatarëve të tyre në praktikë”. rsi-eb

“Rusia mund të nisë luftë në Ballkanin Perëndimor”, BE e shqetësuar, Stano: Pajtohemi me presidentin e Ukrainës

Bashkimi Evropian ndan shqetësimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjes se a e ndan BE-ja shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokoj konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka shtuar se pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.bw

Finlanda mbyll pikat kufitare me Rusinë: Të përgatitur për veprime dashakeqe

Finlanda do të mbyllë 4 nga 9 pikat e saj kufitare me Rusinë nga e premtja mbrëma deri të shtunën, duke akuzuar Moskën se i lejon migrantët e parregullt të kalojnë kufirin mes dy vendeve, njoftoi sot qeveria finlandeze. “Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e vendkalimeve kufitare Vaalima, Nuiyama, Imatra dhe Niirala në kufirin midis Finlandës dhe Rusisë”, tha Ministrja e Brendshme Marie Radtanen në një konferencë për shtyp.

Qeveria finlandeze kishte paralajmëruar të martën se po shqyrtonte mbylljen e kufirit me Rusinë, duke shprehur dyshime se Moska po përpiqej të destabilizonte vendin, i cili u bashkua me NATO-n në prill.

“Ne jemi të përgatitur për lloje të ndryshme veprimesh, për veprime dashakeqe nga ana e Rusisë, kështu që situata nuk është befasuese,” tha kryeministri finlandez Petri Orpo.

Finlanda ka parë javët e fundit një rritje në ardhjen e migrantëve të parregullt nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, veçanërisht nga Iraku, Somalia dhe Jemeni.

“Duam që ky fenomen të ndalet, duam që aktiviteti në kufi të kthehet në normalitet”, shtoi kryeministri.

“Nëse situata përhapet në pikat e tjera kufitare dhe bëhet më e vështirë, ne do të marrim masat e nevojshme”, shtoi ai.

Kufiri i Finlandës me Rusinë shtrihet në 1340 kilometra.

Kremlini u zotua në prill se do të marrë “kundërmasa” pasi Finlanda u bashkua me NATO-n, duke e quajtur zgjerimin e aleancës perëndimore një “sulm ndaj sigurisë së Rusisë”.

Finlanda njoftoi në fund të vitit 2022 një plan për të ndërtuar një gardh përgjatë 200 kilometrave të kufirit të saj me Rusinë.

VOA- Raporti europian: Rrjetet shqiptare aktive në “shtëpitë e barit” në disa vende europiane

Raimond Kola

Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor duket se kanë përshtatur një model të ri biznesi që fokusohet kryesisht në kultivimin e kanabisit në mjedise të mbyllura në Bashkimin Europian.

Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Qendra Europiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga (EMCDA) dhe Europol.

Sipas raportit “Tregu i drogës në BE, kanabisi”, bazuar në të dhënat nga disa hetime të përbashkëta ndërkombëtare rrjetet shqiptare dhe serbe, në veçanti, duket se janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në shkallë të gjerë në Bashkimin Europian, veçanërisht në Spanjë.

Në raport përmenden disa raste të goditjes së rrjeteve kriminale, përshirë ato shqiptare në kultivimin e kanabisit në mjedise të mbyllura.

“Në korrik të vitit 2021, një rrjet kriminal i udhëhequr nga një klan shqiptar u çmontua në veri-lindje të Spanjës, ku menaxhonte disa plantacione të brendshme kanabis ku u arrestuan 107 persona, përfshirë shtetas shqiptarë, spanjollë, sllovakë dhe grekë, u çmontuan 51 ferma kanabisi dhe u sekuestruan 25 000 bimë kanabisi. Në përfundim të operacionit nga Europol u vlerësua se ishte vjedhur më shumë se 1.6 milionë euro energji elektrike për kultivimin e kanabisit”, thuhet në raport.

Sipas Raportit të Europol dhe Qendrës së Monitorimit për Drogën, Spanja nuk është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europain ku rrjetet e Ballkanit Perëndimor angazhohen në kultivimin e kanabisit.

“Për shembull, thuhet në raport, 60 anëtarë të një rrjeti kriminal shqiptar u arrestuan në prill 2019 për menaxhimin e të paktën një duzinë plantacionesh kanabisi në Belgjikë dhe në veri të Francës”.

Gjithashtu raporti thotë se “rrjetet belge, holandeze dhe shqiptare duket se janë aktorët kryesorë në kultivimin e kanabisit në Belgjikë”.

“Disa faktorë mendohet se kanë kontribuar në këtë, si afërsia me tregjet e konsumit, si dhe rreziqet dhe kostot që lidhen me trafikimin e kanabisit në Bashkimin Europain nga Ballkani Perëndimor”, vlerëson raporti.

“Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor duket se janë të përfshirë jo vetëm në në kultivimin e kanabisit brenda Bashkimit Europain, por edhe në trafikimin e kanabisit që kultivohet në vendet e Ballkanit perëndimor, madje disa nga këto rrjete mund të përfshihen edhe në trafikun me shumicë të kokainës në Evropë”, thotë raporti.

“Megjithëse shumica e kanabisit bimor të konsumuar në BE ka të ngjarë të jetë prodhuar në BE, rajoni i Ballkanit Perëndimor duket se mbetet një burim i rëndësishëm i kanabisit bimor të trafikuar në tregun evropian”, thuhet me tej.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu furnizues të rëndësishëm të kanabisit për vendet e tjera të rajonit dhe Turqisë.

Sipas paportit të EMCDA dhe Europol “Shqipëria konsiderohej si një burim i madh jashtë BE-së i kanabisit bimor të destinuar për tregun evropian përpara vitit 2018, por që atëherë vendet fqinje si Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut raportojnë reduktime të konsiderueshme në sekuestrimin kanabis me origjinë shqiptare”.

“Megjithëse informacioni i disponueshëm sugjeron një rritje të prodhimit në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deri më sot nuk është vërejtur ndonjë intensifikimi i trafikut ndërkufitar të kanabisit”, thuhet në raport.

Kanabisi bimor i trafikuar nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Europian duket se transportohet kryesisht nga toka.

Sipas raportit “përafërsisht 48% e kanabisit bimor të kapur në Greqi në vitin 2020 mendohej të ishte me origjinë shqiptare, një rënie në raport me shifrat e viteve të mëparshme (62% në 2018 dhe 71% në 2017)”.

Trafikimi i kanabisit bimor drejt Italisë gjithashtu duket se ka rënë në vitet e fundit, siç tregohet nga të dhënat e sekuestrimeve dhe nga numri I ksafeve skafeve që kalojnë detin Adriatik, thuhet në raport.

Megjithatë, sipas raportit, “rrugët detare vazhdojnë të përdoren, si rasti i sekuestrimit të fundit të 1 ton kanabis bimor nga një varkë me vela dhe skafe në brigjet e Vlorës, Shqipëri, në gusht të vitti 2022, që dyshohej se synohej për shitje në Itali.”

Raporti i antidrogës europiane vlerëson se lloje të shumta të produkteve të kanabisit gjithashtu mund të trafikohen nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Raporti përmend një rast në shkurt 2020 ku autoritetet italiane sekuestruan 450 kilogramë kanabis bimor, 75 kilogramë rrëshirë kanabisi dhe 3.5 litra vaj kanabisi në të njëjtën ngarkesë nga Shqipëria.

Në një rast tjetër të përmendur në raport , në prill 2020, forcat e rendit italian arrestuan dy shtetas italianë për kontrabandë te rreth 646 kilogramë kanabis bimor dhe 250 kilogramë rrëshirë kanabisi nga Shqipëria.

Në një numër të kufizuar rastesh, trafikimi i kanabisit nga Ballkani Perëndimor duket se është kryer nëpërmjet avionëve të vegjël dhe mjeteve ajrore pa pilot, thuhet në raport.

Rusia e pranon: Ushtria e Ukrainës ka pozicione të qëndrueshme në bregun e Dnjeprit

 

VOAL- Rusia pranoi të mërkurën për herë të parë se ushtria e Ukrainës kishte arritur të vendoste pozicione të qëndrueshme në bregun e okupuar nga Rusia të lumit Dnjepër në jug të vendit, duke konfirmuar kështu “zyrtarisht” praninë e forcave besnike të Kievit në zonë. Duhet thënë se nëse ushtria ukrainase do të arrinte të thyente linjat ruse në këtë sektor, do të ishte një sukses i madh, pasi kundërsulmja e saj e gjerë në pjesë të tjera të vendit që nga qershori nuk ka arritur ende rezultatet e dëshiruara.

“Rreth një kompani apo më shumë, e ndarë në grupe të vogla, gjendet në shtrirjen që shkon nga ura hekurudhore në fshatin Krynky,” deklaroi Vladimir Saldo, udhëheqës i instaluar nga Moska në pjesën e pushtuar të rajonit ukrainas të Khersonit, në Telegrami.

Sipas blogerëve dhe ekspertëve ushtarakë rusë dhe ukrainas që analizuan inteligjencën në internet, ushtria ukrainase ka arritur të ankorojë disa pozicione që nga fundi i tetorit në bregun e okupuar të Dnipro, veçanërisht në fshatin Krynky në rajonin jugor të Khersonit. Sipas tyre, Kievi arriti t’i dislokonte këta njerëz pak nga pak, duke përdorur varka të vogla lumi dhe gomone.

Për të shpresuar për të depërtuar thellë në këtë rajon të pushtuar nga Rusia, ushtria ukrainase do të duhet të zgjerojë zonën nën kontrollin e saj dhe të vendosë më shumë pajisje të rënda. Kjo zonë ranore, moçalore mbetet relativisht e vështirë për t’u arritur. Nëse Ukraina arrin të konsolidojë pozicionet e saj, ajo mund të shpresojë për një përparim, pasi Dnjepri ka qenë vija e parë në Ukrainën jugore që nga tërheqja ruse nga qyteti i Khersonit në nëntor 2022.

Kievi po i mban të fshehta operacionet e tij: kreu i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Andriï Yermak, u kufizua duke thënë të martën se forcat ukrainase kanë “fituar një terren në bregun e majtë të lumit” dhe se “kundërofensiva vazhdon dhe për këtë arsye mbështetja e aleatëve, Uashingtoni para së gjithash, duhet të ruhet.

Dy të vdekur nga një bombardim rus në një fshat në Donbass

Të paktën dy persona u vranë në një sulm me raketa ruse që goditi një ndërtesë në Ukrainën lindore, thanë autoritetet të mërkurën. Pesë persona të tjerë, përfshirë një fëmijë, u shpëtuan, por të paktën një person besohet të jetë bllokuar nën rrënoja, tha ministri i Brendshëm Ihor Klymenko.

Sulmi në qytetin Selydove, në veriperëndim të qytetit të pushtuar nga Rusia, Donetsk, dëmtoi rëndë një ndërtesë katërkatëshe, tha Klymenko. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, i cili ka nisur prej 21 muajsh, Rusia ka kryer rregullisht sulme me raketa dhe drone kundër qendrave të popullsisë afër vijës së frontit.rsi-eb

Gjykata e Strasburgut për vrasjen e Aleks Nikës: Dy shkeljet e kryera nga shteti

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Strasburgut në lidhje me vrasjen e Aleks Nikës, i cili humbi jetën në protestën e 21 janarit.

Kjo gjykatë ka dalë në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e krimit. Po ashtu në vendimin e argumentuar të Strasburgut thuhet se ka pasur shkelje të detyrimit procedural dhe të pjesës thelbësore të nenit 2 të Konventës, shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës. Gjykata e të Drejtave të Njeriut sqaron se autoritetet kanë dështuar që të kryejnë një hetim efektiv dhe se gjatë protestës politike sipas saj, u përdor në mënyrë të pajustifikuar forca vdekjeprurëse. Mes të tjerash Gjykata nënvizon dhe faktin se teksa ka pasur mangësi specifike në hetimin e rastit në fjalë, bëhet thirrje që të identifikohen dhe ndëshkohen ata që janë përgjegjës për krimin. Po ashtu Strasburgu thekson se ka pasur dhe defekte në ushtrimin e detyrës nga ana e policisë për mbarëvajtjen dhe kontrollin e protestës.

Gjykata thekson mes të tjerash se dëmshpërblimi është një nga masat që shteti duhet të ndërmarrë për familjen e viktimës. “Provat treguan që Garda qëlloi drejt protestuesve. Të shtënat ishin kapur në kamera dhe u transmetuan. Qeveria pranoi dhunën joproporcionale të Gardës”, thuhet në vendimin e Strasburgut.

Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Pas kalvarit të gjatë gjyqësor, familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kujtojmë se më 21 janar të vitit 2011, opozita socialiste thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Pas përplasjes me policinë dhe tentativave për të hyrë brenda në Kryeministri, 4 protestues mbetën të vrarë.

Në protestë humbën jetën Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Sakaq, Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Nga ana tjetër, gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
(BalkanWeb)

Një Ferrari me vlerë 51.7 milionë dollarë

GTO 250 i vitit 1962 shitet në ankand në Nju Jork – Është makina e dytë më e shtrenjtë ndonjëherë

VOAL- Një Ferrari GTO 250 i vitit 1962 u shit në ankand në Sotheby’s në Nju Jork për 51.7 milionë dollarë. Këtë e raporton shtëpia e ankandeve, duke saktësuar se është makina e dytë më e shtrenjtë ndonjëherë.

Më e shtrenjta në përgjithësi ishte një Mercedes-Benz 300 SLR Uhlenhaut coupe i vitit 1955 i shitur në një ankand të menaxhuar gjithashtu nga RM Sotheby’s (dega e shtëpisë së ankandeve që merret me makinat klasike) në 2022 në Gjermani: Çmimi i paguar nga një blerës privat ishte 135 milionë euro.rsi-eb

‘Marrëveshja Rama-Meloni për emigracionin, e papranueshme’/ Eurodeputeti socialist për ‘Euractiv’: Lëvizje e gabuar!

Një marrëveshje për të mbajtur emigrantët në Shqipëri ndërsa presin që kërkesat e tyre për azil të shqyrtohen nga Italia është “e papranueshme” dhe “e papajtueshme me legjislacionin”, tha eurodeputeti socialist spanjoll Juan Fernando Lopez Aguilar për Euractiv.

“Duhet të dimë më shumë për ta vlerësuar siç duhet. Megjithatë, duket sërish një lëvizje e gabuar në drejtimin e gabuar. Nëse është ashtu siç duket, është e papranueshme. Duket një eksternalizim jo vetëm i kufijve të jashtëm të BE-së, por një eksternalizim shqetësues i vetë procedurave të azilit,” tha Aguilar për Euractiv gjatë kongresit të Partisë Socialiste Evropiane (PES) në Málaga fundjavën e kaluar.

“Rama është anëtar i PES dhe marrëveshja me Melonin ka krijuar njëfarë tensioni brenda familjes socialiste europiane”, shkruan Euractiv.

Sipas presidentes së grupit socialist në Parlamentin Evropian Iratxe García Pérez, është “shumë shpejt” për të marrë ndonjë vendim konkret, u tha ajo gazetarëve gjatë kongresit.

Megjithatë, Aguilar komentoi ashpër marrëveshjen duke shtuar se ajo është “absolutisht e papajtueshme jo vetëm me legjislacionin që është tani në fuqi, por me legjislacionin që ne synojmë të vendosim,” vuri në dukje ai, duke iu referuar ligjit ndërkombëtar.

Marrëveshja Itali-Shqipëri është veçanërisht problematike sipas eurodeputetit socialist, pasi vendi ballkanik nuk është i detyruar nga legjislacioni i BE-së, sepse nuk është një vend anëtar i BE-së, por është një vend kandidat për të hyrë në BE.

“Ne vetëm shpresojmë se do t’i japim fund kësaj sekuence keqbërjesh, duke vendosur, më në fund, një pakt migrimi dhe azili në shkallë evropiane si përgjigje ndaj situatës së migracionit,” përfundoi Aguilar.

Gjithashtu Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatoviç shprehu shqetësimin për marrëveshjen: “Marrëveshja Itali-Shqipëri për migracionin krijon një regjim ad hoc ekstra-territorial të azilit të karakterizuar nga shumë paqartësi ligjore”, thuhej në një njoftim për shtyp këtë të hënë.

Francë, stërvitja e ushtarëve ukrainas

VOA/Marrë nga Associated Press

Ndonëse vëmendja globale është e përqëndruar në luftën Izrael-Hamas, aleatët e Ukrainës po vazhdojnë programet e trajnimit, që kanë përgatitur mbi dhjetëra mijëra ukrainas për betejë në vijën e parë të frontit në luftën kundër Rusisë. Stërvitja e luftëtarëve ukrainas nga ushtritë e huaja, po ndihmon Ukrainën të përballet me sulmin në shkallë të gjerë të Rusisë, që është pranë një dimri të dytë. Numri i ushtarëve ukrainas të stërvitur nga Franca pritet të arrijë në 7000 këtë vit, një objektiv që do të ndihmojë Ukrainën në luftën me forcat ruse.

Në një bazë ushtarake franceze, instruktorët javën e kaluar përfunduan një kurs katër-javor stervitjeje me ushtarë ukrainas.

Instruktorët francezë vendosën mbetje kafshësh në kompleksin e llogoreve për të përgatitur ushtarët ukrainas për gjakderdhjen në fushën e betejës.

Vetëm oficerët kishin përvojë të mëparshme në vijën e parë të frontit, thotë shefi francez i trajnimit.

Ai thotë se Ukraina po kërkon nga Franca, që ushtarët ukrainas të mësojnë taktika dhe aftësi, që mund t’u ndihmojnë atyre të çajnë pozicionet mbrojtëse të forcave ruse.

Për shkak të shqetësimeve të ushtrisë franceze për sigurinë e bazës, nënkoloneli Even, është identifikuar vetëm me gradën dhe emrin e tij.

“Në Ukrainë mund të shihet qartë se vija e frontit është relativisht e ngrirë, me dy ushtri që përdorin doktrina shumë të ngjashme. Kështu që sot, po përpiqemi ta thyejmë këtë ngërç, duke krijuar skema manovrimi, që mund t’i krijojnë probleme të mëdha armikut”, thotë nënkoloneli francez.

Përveç taktikave të luftës në llogore, pjesë e stërvitjes është edhe mbrojtja e një fshati nga një sulm i forcave armike dhe operimi në pyje në mot me shi.

Pavarësisht ditëve dhe netëve të gjata, që kalojnë së bashku në zonat malore franceze, ushtarët i ndërpresin kontaktet dhe nuk lejohen të shkëmbejnë adresa apo numra telefoni me njëri-tjetrin pas mbarimit të trajnimit.

“Sigurisht, ju mund të ndjeni frikën e tyre për luftën që i pret. Megjithatë, puna jonë këtu është t’i ndihmojmë ata ta kontrollojnë këtë frikë, këto shqetësime, në mënyrë që të mund t’i kapërcejnë dhe t’i frenojnë ato dhe, do të thosha, të zbatojnë në fushën e betejës të gjitha aftësitë që ua kemi mësuar”, thotë nënkoloneli francez Even.

Numri i ushtarëve ukrainas të stërvitur nga Franca pritet të arrijë në 7000 këtë vit. Një pjesë e tyre janë trajnuar në Poloni dhe të tjerë në bazat franceze, në kuadër të një misioni të ndihmës ushtarake të Bashkimit Evropian për Ukrainën, që filloi në nëntor të vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë trajnuar rreth 18000 ushtarë ukrainas, kryesisht në Gjermani. Sipas Pentagonit, një mijë ushtarë të tjerë ukrainas pritet të jenë pjesë e këtyre stërvitjeve.

Në Britani, 30 mijë ushtarë ukrainas janë stërvitur në 17 muajt e fundit, në kuadër të një programi trajnimi, që qeveria britanike thotë se është i pashembullt, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ushtarët ukrainas i pret një e ardhme e vështirë pas përfundimit të trajnimit në Francë. Por, këta ukrainas, që dikur ishin civilë, tani veprojnë si ushtarë, duke përdorur nofkat dhe gradat ushtarake në komunikimet mes tyre, në vend të emrave.

BE-ja digjitalizon vizat për zonën Schengen

Njerëzit që duan të aplikojnë për vizë për t’i vizituar vendet e zonës Schengen duhet ta bëjnë këtë së shpejti përmes një platforme online. Ky ndryshim u miratua të hënën nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).

Shtetasit kosovarë pritet të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janar 2024, pasi Parlamenti Evropian e miratoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën në fillim të këtij viti.

Zona Schengen përbehet nga 23 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, por edhe nga vende si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Ndryshimi i sotëm i BE-së, pas një procesi të gjatë legjislativ, do të futet në fuqi pasi të ketë përfunduar puna teknike, për të cilën nevojiten disa muaj, dhe pasi të jetë publikuar në gazetën zyrtare të BE-së.

Vendimi drejt digjitalizimit të procesit të vizave ka të bëjë edhe me shfuqizimin e vendimit për vendosjen e një letre ngjitëse në pasaportat e aplikantëve, që nënkupton se nuk nevojitet më caktimi i terminëve nëpër ambasada apo zyra që ofrojnë këto shërbime.

“Sistemi online i vizave do ta thjeshtëzojë procesion e aplikimit për udhëtarët”, tha ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska.

Sapo të jetë funksional, njerëzit që aplikojnë për qëndrime të shkurtra në zonën Schengen do t’i ngarkojnë dokumentet, të dhënat dhe kopjet elektronike të dokumenteve të veta të udhëtimit me të dhëna biometrike, pastaj do ta bëjnë një pagesë – gjithçka përmes platformës online.

Nëse kërkesa e tyre pranohet, atëherë ata do ta pranojnë një barkod të nënshkruar në mënyrë kriptografike, për ta printuar apo për ta ruajtur në mjetet e veta.

Por, ata që aplikojnë për herë të parë, apo ata me pasaporta të reja apo me të dhënat të ndryshuara biometrike, mund të detyrohet prapëseprapë të caktojnë termin fizikisht.rel

Kryediplomatët evropianë takohen me homologët ballkanas

Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.

Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Sipas paralajmërimeve nga BE-ja, temat kryesore do të jenë situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Gjatë arritjes në takim, Borrell tha se takimi i ministrave të Jashtëm me ata të Ballkanit Perëndimor, dëshmon se sa i rëndësishëm është ky rajon për bllokun.

“Do të diskutohen edhe propozimet e Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit dhe do të insistohet në afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”, tha ai.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, tha se zgjerimi i BE-së është një çështje kyçe gjeopolitike për stabilitetin dhe paqen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse sipas saj, nuk duhet të ketë zona të zymta në sigurinë në Evropë.

“Jam shumë e lumtur që ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë këtu me ne përsëri për të shkëmbyer ide. Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit”, tha ajo.

Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit. Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.

Shtetet e tjera, sikurse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka obligim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Kjo gjë është vlerësuar nga BE-ja.

Në prag të takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut evropian.

Këtë letër e kanë nënshkruar Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia. Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit. Po ashtu, ata kanë propozuar edhe pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së.

Në kohën kur rrisin bashkëpunimin me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga BE-ja kërkojnë që edhe brenda rajonit të ketë një bashkëpunim të madh dhe zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit të problemeve që këto shtete kanë mes tyre. Kjo veçmas vlen për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas diplomatëve të BE-së, marrëdhëniet jo të mira mes këtyre dy shteteve e rëndojnë edhe situatën në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Para se të takohen me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, ministrat e Jashtëm të BE-së do të zhvillojnë një takim në Këshillin e Punëve të Jashtme, ku temë kryesore do të jetë konflikti Izrael-Hamas dhe situata humanitare në Rripin e Gazës. Lufta atje ka nisur më 7 tetor, pasi Hamasi – që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuar dhe BE-ja – nisi sulme në jug të Izraelit.rel

Paris, mbi 100 mijë vetë marshojnë kundër antisemitizmit në rritje

VOA/Marrë nga Associated Press

Më shumë se 100,000 persona marshuan të dielën në Paris në shenjë protesteste kundër akteve në rritje të antisemitizmit, nxitur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Në marshimin e zhvilluar nën masa të forta sigurie, mori pjesë Kryeministrja Elisabeth Borne, përfaqësues të disa partive të majta, konservatorë dhe centristë të partisë së Presidentit Emmanuel Macron, si dhe udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Vetë zoti Macron nuk ishte i pranishëm, por shprehu mbështetjen e tij për protestën dhe u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen kundër “ringjalljes së antisemitizmit të shfrenuar” sikurse tha ai.

Ndërkohë kreu i partisë së ekstremit të majtë France Unbowed, Jean-Luc Melenchon, nuk iu bashkua protestës. Në një postim javën e kaluar në rrjetin social X ai shkruante se marshimi do të ishte “një mbështetje e pakushtëzuar për masakrën” në Gazë.

Autoritetet e sigurisë vendosën 3 mijë forca policie përgjatë rrugës ku u mbajt marshimi, mes një rritje alarmante të akteve kundër komunitetit hebre të Francës, që pas 7 tetorit, kur Hamasi kreu një sulm të përgjakshëm ndaj Izraelit.

Në Francë jeton komuniteti më i madh hebre në Evropë, por duke pasur parasysh bashkëpunimin e këtij vendi me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, aktet antisemitike kanë hapur tashmë plagë të vjetra.

Në marshimin e së dielës morën pjesë dhe anëtarët e familjeve të disa prej 40 shtetasve francezë të vrarë gjatë sulmit fillestar të Hamasit, si dhe të atyre që janë zhdukur apo rezultojnë të marrë peng nga grupi militant. Sipas policisë, në marshim morën pjesë 105 mijë vetë.

Ndahet nga jeta ish-diplomati i lartë çek Karel Schwarzenberg

Ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Karel Schwarzenberg – njëri prej figurave kryesore të vendit në kohën pas komunizmit – ka vdekur të dielën në moshën 85-vjeçare, njoftuan zyrtarët çekë.

Schwarzenberg e kishte mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe para se ajo të shpallej nga Prishtina zyrtare në shkurt 2008, ndërsa ishte ministër i Jashtëm kur Çekia e njohu atë në maj 2008.

Schwarzenberg kishte shërbyer dy herë si ministër i Jashtëm i Çekisë mes viteve 2007 dhe 2013 dhe në Kosovë shihej si një mik i vendit.

Në janar të vitit 2008, një muaj para së Kosova të shpallej e pavarur, Schwarzenberg kishte thënë se “në një kohë të duhur Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.

Më vonë, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai kishte treguar vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.

“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti – ne do të punojmë me fakte, dhe jo data”, kishte thënë ai më 19 shkurt të vitit 2008.

Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti i atëhershëm i Çekisë, Millosh Zeman, e që konsiderohej si më i afërt me Rusinë, nuk njihej si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.

“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëve”, kishte thënë Schwarzenberg në shkurt 2018.

Më 2019, ish-presidenti i çek Millos Zeman e kishte shqyrtuar mundësinë për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, për çka ishte kundërshtuar nga Schwarzenberg.

“Nëse një shtet njihet, ne nuk mund të themi më se nuk ekziston”, kishte thënë Schwarzenberg për portalin iDnes atë vit.

Sipas tij, Zeman duhej t’i pyeste futbollistët çekë nëse Kosova ekziston apo jo, duke iu referuar fitores së Kosovës 2:1 kundër Çekisë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 në Prishtinë, në nëntor 2019.rel

Islanda e evakuon një qytet të tërë për shkak të vullkanit

Lava rrjedh pas shpërthimit të një vullkani në Reikjana, Islandë, më 12 korrik 2023.

Autoritetet në Islandë i kanë evakuuar 3.000 banorë nga një qytet në jugperëndimit të ishullit, për shkak të frikës së shpërthimit vullkanik, pas një sërë tërmetesh dhe provave të përhapjes së magmës nën tokë.

Zyra Meteorologjike e Islandës tha të shtunën se ekziston një rrezik i madh i shpërthimit të vullkanit në gadishullin Reikjanës, për shkak të sasisë së madhe të magmës nëntokësore dhe ritmit me të cilin po lëvizte.

“Nuk mendoj se ka mbetur shumë kohë deri të shpërthimi, disa orë apo disa ditë. Rreziku i një shpërthimi [vullkanik] është rritur jashtëzakonisht”, tha për televizionin shtetëror RUV Thorvaldur Thordarson, profesor për vullkanet në Universitetin e Islandës.

Agjencia për Mbrojtje Civile e Islandës urdhëroi të premten mbrëma evakuimin e plotë të qytetit Grindavik.

Në rajonin e Reikjanës kanë ndodhur disa shpërthime vullkanike në zonat e papopulluara në vitet e fundit, por shpërthimi për të cilin druhet se do të ndodhë tani përbën të pashmangshëm për qytetin, sipas autoriteteve.

Të enjten, lëkundjet e rritura sizmik nxitën mbylljen e njërit prej atraksioneve kryesore turistike të vendit, Blue Lagoon spa.

Reikjana është qendër vullkanike dhe sizmike në jugperëndim të kryeqytetit, Reikjavik. Në mars 2021, burimet e lavës shpërthyen në mënyrë spektakolare si pasojë e një carjeje në tokë rreth 500-750 metra e gjatë në rajonin vullkanik Fagradalsfjall.

Aktiviteti vullkanik në atë zonë vazhdoi për gjashtë muaj gjatë atij viti, duke tërhequr mijëra islandezë dhe turistë për ta vizituar vendin e ngjarjes. Në gusht 2022, një shpërthim trejavor ndodhi në zonën e njëjtë, i ndjekur nga një tjetër në korrik të këtij viti.

Presidenti i socialistëve europianë kritika të ashpra për Ramën: Ne nuk propozojmë modele të tilla, siç dëshiron ekstremi i djathtë

Zgjedhja e Shqipërisë për të pritur përkohësisht një pjesë të vogël të emigrantëve që mbërrijnë në Itali po shkakton një luftë të brendshme brenda Partisë Socialiste Evropiane.

Lëvizja e kryeministrit Edi Rama për të “shpëtuar” Giorgia Melonin u prit me jo pak shqetësim brenda familjes PSE, së cilës i përket edhe PSSH.

Presidenti i socialistëve europianë Stefan Loefven kritikoi hapur marrëveshjen mes Romës dhe Tiranës, transmeton IlFattoQuotidiano.

Nga kongresi i Partisë Socialiste Europiane në Malaga të Spanjës, Loefven u distancua nga modeli i paraqitur, duke shtuar se marrëveshje të tilla i kërkon vetëm një qeveri e ekstremit të djathtë.

“Migracioni duhet të menaxhohet duke përdorur një kuadër progresiv. Ne duhet të promovojmë shtigje gjithëpërfshirëse , duhet të gjejmë mënyra për ta bërë atë një fitore për shoqëritë tona dhe për emigrantët, ky është modeli që propozojnë socialistët. Jo siç dëshiron qeveria e ekstremit të djathtë në Itali t’i transferojë kërkesat për azil Shqipërisë”, ka thënë Loefven.

Presidenti i Socialistëve po ashtu u shpreh se kjo politikë si shumë të tjera që janë angazhuar për migracionin, është e destinuar të dështojë.

“Migracioni – shtoi Loefven – ka ekzistuar për aq kohë sa ka ekzistuar njerëzimi dhe e djathta angazhohet në demagogji kur thotë se mund ta ndalojë, këto janë politika të destinuara të dështojnë”.

Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz, nga e njëjta konferencë, ka deklaruar se ishte i gatshëm të shqyrtonte marrëveshjen e Italisë dhe Shqipërisë, për dërgimin e emigrantëve të shpëtuar nga italia në detin Mesdhe, në Shqipëri.bw

Marrëveshja për emigrantët me Italinë, Scholz: Po e shqyrtojmë çështjen nga afër

Kancelari gjerman Olaf Scholz nga një konferencë në Malaga të Spanjës, tha se ishte i gatshëm të shqyrtonte marrëveshjen e Italisë për ndalimin e emigrantëve në Shqipëri.

“Mos harroni se Shqipëria do të jetë shumë shpejt, sipas mendimit tonë, anëtare e BE-së, duke lënë të kuptohet se po flasim për çështjen se si mund t’i zgjidhim së bashku sfidat dhe problemet brenda familje së BE-së. Marrëveshje të tilla, që janë parë atje, janë të mundshme dhe ne të gjithë do ta shikojmë këtë nga afër,” tha ai.

Roma dhe Shqipëria arritën një konsensus të hënën për ndërtimin e dy kampeve për pritjen dhe ndalimin e emigrantëve detarë. Scholz dhe krerët e 16 shteteve të Gjermanisë kishin arritur një marrëveshje të martën për një politikë më të rreptë të emigracionit dhe rritjen e fondeve për refugjatët.

Nevoja për një politikë të qartë evropiane të emigracionit, sipas Scholz, është “të korrigjohen gjërat që nuk kanë qenë të drejta në të kaluarën (dhe) të krijohet një mekanizëm solidariteti në mënyrë që jo çdo vend i vetëm të përpiqet të përballojë sfidat i vetëm.”

Legjislatura aktuale e Parlamentit Evropian duhet të përfundojë rishikimin e ligjeve të bllokut për imigracionin dhe azilin, tha ai.

Scholz shtoi se integrimi duhet të ndodhë “së shpejti” për gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilëve iu ishte premtuar anëtarësimi në BE 20 vjet më parë.

Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina gjithashtu duhet të konsiderohen për anëtarësim.bw

“Rendi ynë i paqes është në rrezik”- Gjermania synon krijimin e një ushtrie “të gatshme për luftë”

Pushtimi rus i Ukrainës po e detyron Gjermaninë ta kthejë ushtrinë e saj në një forcë luftarake të fuqishme dhe të mirëfinancuar, të fokusuar në mbrojtjen e vendit dhe aleatëve të NATO-s, tha të premten kancelari gjerman.

“Sot, askush nuk mund të dyshojë seriozisht në atë që ne në Gjermani kemi shmangur për një kohë të gjatë, domethënë se kemi nevojë për një Bundeswehr të fuqishëm”, tha Olaf Scholz në ditën e dytë të një konference politiko-ushtarake që prezanton ndryshimin e thellë në të menduarit strategjik të Berlinit.

“Rendi ynë i paqes është në rrezik”, paralajmëroi ai, duke përmendur gjithashtu luftën midis Hamasit dhe Izraelit dhe duke shtuar se Gjermania ka nevojë për “një ndryshim afatgjatë dhe të përhershëm të kursit”.

Por për të mbrojtur Gjermaninë dhe aleatët e saj, ushtria gjermane, ose Bundeswehr, “duhet të përmirësohet për këtë. Vetëm një Bundeswehr që është kaq i fortë … në fund mund të parandalojë që të ndodhë më e keqja”, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. “Ne kemi nevojë për një Bundeswehr që mund të mbrojë veten dhe të bëjë luftë për të mbrojtur sigurinë dhe lirinë tonë”.

Se si të arrish atje përshkruhet në një doktrinë ushtarake dhe strategjike prej 34 faqesh.

Ndryshimi në të menduar është i dukshëm nga paragrafi i parë i tekstit: “Lufta është kthyer në Evropë. Gjermania dhe aleatët e saj edhe një herë duhet të përballen me një kërcënim ushtarak. Rendi ndërkombëtar është nën sulm në Evropë dhe në mbarë globin. Ne po jetojmë në një pikë kthese”.

Armiku është gjithashtu i qartë: “Federata Ruse do të mbetet kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë në zonën euroatlantike”. Kina gjithashtu pranon “për pretendimin gjithnjë e më agresiv të supremacisë rajonale”.

Është doktrina e parë e re që nga viti 2011 – një kohë kur Dmitri Medvedev ishte presidenti i Rusisë, Rusia shihej si burimi i energjisë së lirë për të nxitur mrekullinë ekonomike të Gjermanisë dhe shpenzimet e mbrojtjes të Berlinit ishin tkurrur.

Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë, duke vrarë mijëra dhe duke shkaktuar shkatërrime në të gjithë vendin, i ka dhënë fund çdo iluzioni të mbetur në Berlin se Kremlini mund të jetë një partner dhe jo një armik.

“Udhëzimet e para të politikës së mbrojtjes në më shumë se një dekadë janë një përgjigje ndaj këtij realiteti të ri”, tha Pistorius.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Berlini ka humbur objektivin aktual të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 2 për qind të PBB-së për më shumë se tre dekada.

Gjermania do ta arrijë qëllimin këtë vit – falë pjesërisht të fondit special prej 100 miliardë eurosh të krijuar pas pushtimit rus. Scholz këmbënguli se kjo nuk është një rast i vetëm. “Ne do ta garantojmë këtë 2 për qind në afat të gjatë, përgjatë viteve ’20 dhe ’30.

Do të duhen më shumë se vetëm para për ta rikthyer Bundeswehr-in në luftën e duhur.

Doktrina e re thotë se Gjermania do të zvogëlojë misionet e huaja për t’u fokusuar në mbrojtjen evropiane dhe kombëtare për t’u bërë “gati për luftë”.

Ai gjithashtu premton “zgjerimin e kapaciteteve të fuqishme dhe të sigurta të industrisë së mbrojtjes”, si dhe përdorimin e civilëve dhe jo ushtarëve për të kryer funksione ku personeli ushtarak nuk nevojitet, dhe për të shkurtuar burokracinë për të përshpejtuar prokurimin ushtarak.

“Veprimi qendror që pason nga pika e kthesës është tejkalimi i plogëtisë organizative dhe burokratike që ka ngadalësuar trupat për vite me radhë”, tha Scholz.

Ushtria gjermane është zbrazur gjatë viteve të fundit. Në një stërvitje ushtarake dhjetorin e kaluar për të përgatitur një brigadë tankesh për përfshirje në forcën e reagimit të “gatishmërisë së lartë” të NATO-s, të 18 mjetet luftarake moderne të këmbësorisë gjermane dështuan. Probleme ka pasur edhe me gatishmërinë e pjesëve të tjera të ushtrisë.

“Ne duhet të jemi shtylla kurrizore e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive në Evropë”, thotë strategjia. “Popullsia jonë, por edhe partnerët tanë në Evropë, Amerikën e Veriut dhe në botë, presin që ne të përballemi me këtë përgjegjësi. Si shtet dhe shoqëri, ne e kemi lënë pas dore Bundeswehr-in për dekada”.

Spanja zbret në sheshe kundër marrëveshjes me partinë katalane

 

VOAL- Një tjetër natë protestash në Madrid, ku tensioni mbetet i lartë pas marrëveshjes së arritur dje (e enjte) mes socialistëve spanjollë dhe indipendentistëve katalanas për të formuar një qeveri të re të udhëhequr nga kryeministri Pedro Sanchez, marrëveshje e cila parashikon gjithashtu një ligj amnistie për indipendentistët katalanas, të cilët kanë pasur çështje të hapura që nga viti 2017.

Një demonstratë e madhe u mbajt mbrëmjen e së enjtes në Madrid përpara selisë kombëtare të PSOE, e karakterizuar nga incidente të dhunshme, akte vandalizmi, djegie kazanësh, hedhje sendesh, fishekzjarre dhe si pasojë akuza policore. Një shkatërrim i cili, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e konsiderueshme të demonstruesve, mbi 8000 vetë, përfshiu katër rrugë dhe disa blloqe në zonë. 15 janë arrestuar nga policia.

 

“Demokracia spanjolle në rrezik”

Pakti prej katër faqesh mes PSOE-së dhe indipendentistëve, i bërë publik dje, u kritikua ashpër nga e djathta, veçanërisht nga Partia Popullore, partia kryesore opozitare, sipas së cilës teksti rrezikon demokracinë spanjolle dhe është krahasuar me epokën e terrorizmit. Edhe nga e djathta ekstreme, kreu i partisë Vox është shprehur se ky është fillimi i fundit të demokracisë në Spanjë. “Ne duhet të qëndrojmë në rrugë derisa të ndalojë grushti. Ne po përballemi me periudhën më të errët në histori. Ne kemi për detyrë t’i rezistojmë një qeverie dhe një tirani që do të fitojë një investim me të gjithë armiqtë e Spanjës, “tha udhëheqësi i Vox Santiago Abascal, i pranishëm në protestë.

Pak orë më parë, një nga themeluesit e Vox, politikani katalanas Alejo Vidal, mori një plumb në fytyrë pasi hipi në makinën e tij para shtëpisë së tij, në një rrugë në qendër të kryeqytetit. 78-vjeçari është shtruar në spital dhe është operuar dhe është jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, për momentin, të shtënat nuk kanë qenë të lidhura me momentin e tensionit të lartë politik dhe me investimin e Sanchez.rsi-eb

Ukraina thotë se ka dëmtuar anije ruse në Krime

Departamenti i Inteligjencës në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes, ka thënë se ushtria e Ukrainës i ka dëmtuar dy anije zbarkuese ruse në Krimenë e pushtuar, përmes disa sulmeve të nisura në mëngjesin e 10 nëntorit.

“Po, ky informacion është i vërtetë”, ka thënë zyrtari i inteligjencës Andriy Yusov për Radion Evropa e Lirë, pas raportimeve të mediave ukrainase.

Në raportimet e mediave është thënë se sulmi ka ndodhur në Çornomorske, në pjesën perëndimore të Krimesë, dhe se janë shënjestruar dy anije zbarkuese të shpejta ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë se mbrojtja e saj ajrore “i ka shkatërruar” tre dronë ukrainas mbi territorin e Krimesë dhe në rajonin Tula, në jug të Moskës.

Si kundërpërgjigje, zyrtarët ukrainas kanë thënë se dronët rusë i kanë sulmuar rajonet ukrainase Dnjipropetrovk, Harkiv, Mikollaiv, Polltava dhe Kiev.

Ata kanë thënë se i kanë rrëzuar pesë dronë iranianë dhe një raketë lundruese.

Deri më tani nuk ka raportime për të plagosur apo dëme tjera.

Më 9 nëntor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka nënshkruar ligjet që e vazhdojnë gjendjen e luftës dhe mobilizimin e përgjithshëm për 90 ditë shtesë.

Ligjet, të cilat janë miratuar në Parlamentin ukrainas më 8 nëntor, e zgjasin gjendjen e luftës deri më 14 shkurt 2024.

Ligjet e luftës janë zbatuar në Ukrainë prej 24 shkurtit të vitit 2022, ditën kur Rusia e ka nisur luftën ndaj këtij shteti.

Të njëjtën kohë është shpallur edhe mobilizimi i përgjithshëm.

Votimi për ta shtyrë këtë gjendje lufte është i nënti për Ukrainë, prej nisjes së konfliktit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Të shtëna në Madrid, ish-presidenti i PP-së së Katalonjës në gjendje të rëndë

Alejo Vidal Quadras, ish-presidenti i PP-së së Katalonjës dhe bashkëthemeluesi i Vox u plagos në fytyrë nga një armë zjarri

VOAL- Ish-presidenti i Partisë Popullore (PP) të Katalonjës, Alejo Vidal-Quadras, 78 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë pasi u qëllua në fytyrë në rrugën Núñez de Balboa, në qendër të Madridit.

Burime policore thanë më vonë se Vidal-Quadras mbërriti në spital i ndërgjegjshëm. Ai do të ishte jashtë rrezikut.

Ish-deputeti popullor ka qenë duke ecur i vetëm në rrugë kur një person i është afruar dhe e ka qëlluar nga një distancë prej rreth dy metrash. Për momentin, policia, informon EFE, është në ndjekje të një personi që dyshohet se ka qëlluar nga një motoçikletë.

Presidenti i PP-së katalanase nga viti 1991 deri në 1996, Vidal-Quadras ishte gjithashtu ndër themeluesit e partisë së ekstremit të djathtë Vox. Ai ishte gjithashtu anëtar i Parlamentit Evropian nga 1999 deri më 2014 dhe ishte nënkryetar i parë i tij nga 2004 deri në 2007.

Policia e Madridit beson se sulmi ndaj ish-presidentit të PP-së katalanase Aleix Vidal-Quadras ishte vepër e një profesionisti me qëllimin për të kryer një veprim të “planifikuar”.rsi-eb


Send this to a friend