VOAL

VOAL

Gjermani, ky është ekipi i CDU-së i Friedrich Merzit

Johann Wadephul, pro-ukrainas, do të jetë përgjegjës për Punët e Jashtme – Alexander Dobrindt i CSU-së do të jetë përgjegjës për Punët e Brendshme

VOAL- Lista e ministrave të zgjedhur nga kancelari gjerman në detyrë Friedrich Merz dhe kreu i CDU-së është zyrtare. Siç ishte parashikuar tashmë nga media gjermane ditët e fundit, Johann Wadephul është zgjedhur për Ministrinë e Jashtme, duke e bërë atë përfaqësuesin e parë të CDU-së që mban këtë rol në gati 60 vjet. Wadephul është pro-ukrainas dhe njihet për thirrjet e tij për më shumë ndihmë ushtarake për Kievin. Alexander Dobrindt i CSU-së është caktuar në Ministrinë e Brendshme. Ish-deputetja e CDU-së, Katherina Reiche, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë. Patrick Schnieder do të jetë përgjegjës për transportin, Nina Warken do të jetë përgjegjëse për shëndetësinë, Thorsten Frei do të jetë ministër i kancelarisë dhe Karin Prien do të jetë ministre e arsimit. Do të ketë edhe pesë ministra shteti: botuesi Wolfram Weimar për Kulturën, Christiane Schenderlein për Sportin, Michael Meister për bashkëpunimin midis shtetit dhe shteteve federale, Serap Gueler dhe Gunther Kirchbaum për Punët e Jashtme.  ATS/RSI

FOTO/ Funerali i Papa Françeskut, Vjosa Osmani shtrëngon duart me presidentin e SHBA Donald Trump para ceremonisë

Presidentja Vjosa Osmani është takuar shkurtimisht me presidentin amerikan Donald Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump dhe kanë shtrënguar duart para fillimit të ceremonisë së varrimit të Papës.

Nga Kosova, përveç Osmanit atje është edhe kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti.

Të dy ata arritën më herët në sheshin Shën Pjetri në Vatikan.

Vjosa 3 479x600

Në këtë shesh arritën më shumë se 50 liderë shtetesh dhe mijëra besimtarë për nderimet e fundit të Papa Françeskut.

Në Romë janë mbledhur liderë botërorë për funeralin e Papa Françeskut. bw

Zelensky kërkon nga Rusia t’i kthejë fëmijët ukrainas

Një kolazh fotografish që përfshijnë militarizimin e fëmijëve ukrainas në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë.

 

Radio Evropa e Lirë

Vladyslav Rudenko ishte 16-vjeçar kur u kap nga forcat ruse dhe u mbajt për nëntë muaj në kampet për fëmijë në Krimenë dhe Hersonin e pushtuar nga Rusia.

Për dallim nga 20.000 të rinj të tjerë ukrainas, Rudenko u shpëtua nga organizata joqeveritare “Save Ukraine” dhe u kthye në territorin e kontrolluar nga Ukraina pas nëntë muajsh në robëri.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë të tjerë ukrainas, thonë në qendër të vëmendjes së tyre tani është fati i atyre mijëra fëmijëve, shumë prej të cilëve mbesin në zonat e pushtuara nga Rusia, në ato që Moska i quan “qendra rehabilitimi”.

Ky krim duhet të hetohet plotësisht dhe përgjegjësit duhet të japin llogari”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha gjatë fundjavës, si pjesë e nisjes së fushatës #ChildrenAreNonNegotiable.

“Paqja e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon kthimin në shtëpi të të gjithë këtyre fëmijëve ukrainas”, shtoi ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka bërë përfundimin e konfliktit më të gjatë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore ndër synimet kryesore të politikës së tij të jashtme prej se e mori detyrën tre muaj më parë.

Derisa bisedimet zhvilluar në lidhje me çështje të ndryshme dhe ndjeshme, çështja e riatdhesimit të të gjithë atyre që janë marrë nga Ukraina ka qenë ndër temat kryesore të negocimit nga zyrtarë ukrainas.

Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Moskën për orkestrimin e atij që disa grupe e kanë quajtur “dëbim sistematik” të fëmijëve nga Ukraina drejt pjesëve të vendit të kontrolluara nga Rusia, apo edhe përtej, në Rusi dhe aleaten e saj, Bjellorusi.

Prova të mbledhura vitin e kaluar nga Shërbimi bjellorus dhe ai ukrainas i Radios Evropa e Lirë sugjeruan se kampet po përdoren për t’i mësuar të rinjtë ukrainas ta identifikojnë veten me koncepte që promovohen nga Moska dhe Minsku.

Kjo erdhi pas një studimi të nëntorit 2023 nga Laboratori i Kërkimeve Humanitare i Shkollës së Shëndetit Publik të Yale, i cili gjeti se udhëtimet e shoqëruara të nxënësve ukrainas në Bjellorusi po koordinoheshin nga Bjellorusia dhe Rusia si pjesë e të ashtuquajturit Shtet i Bashkuar mes dy vendeve.

Studimi gjeti se ky proces përfshin “riarsimim”, apo “promovim i mesazheve ose ideve kulturore, historike, shoqërore dhe patriotike që i shërbejnë interesave politike” të dyja regjimeve.

Sipas raportit, stërvitje ushtarake, përfshirë nga trupa të Ministrisë së Brendshme, janë zhvilluar me “të paktën gjashtë grupe fëmijësh”.

Rudenko i tha Shërbimit ukrainas të REL-it në fillim të këtij muaji se gjatë kohës sa ishte mbajtur nga autoritetet ruse, rutina e tij e përditshme kishte orientim të qartë.

“Zgjoheshim me himnin rus, ngrinim flamurin, dhe bënim ushtrime. Pas mëngjesit, na tregonin çfarë kishte ndodhur gjatë natës në Rusi. Fjalë për fjalë. Pastaj shikonim filma rusë”, tha ai, duke përshkruar regjimin gjatë qëndrimit në kampe.

Sipas Laboratorit Humanitar të Yale, më shumë se 8.400 fëmijë nga Ukraina janë zhvendosur sistematikisht në të paktën 57 qendra: 13 qendra në Bjellorusi dhe 43 qendra në Rusi apo në territore të pushtuara nga Rusia.

Sipas portalit zyrtar të Qeverisë ukrainase childrenofëar.gov.ua, numri është shumë më i madh – rreth 20.000 – ndërsa vetëm 1.300 fëmijë janë kthyer me sukses.

Ngërçi në Kuvend, BE: Është thelbësore për Kosovën të formojë qeverinë e re me shpejtësi

Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, tha Zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje të shkruar për Radion Evropa e Lirë të premten.

Ajo tha se BE-ja po i ndjek nga afër zhvillimet lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe shpreson se ky proces do të përfundojë së shpejti.

Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.

Të enjten, ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.

Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.

Zyra e BE-së tha se blloku është i gatshëm për të punuar ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet ajo, dhe për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian./ REL

Kosova përfshihet në listën e vendeve “të sigurta” të BE-së

Radio Evropa e Lirë

Kosova është përfshirë në listën e Bashkimit Evropian prej shtatë vendesh që konsiderohen “të sigurta”, në përpjekje për të përshpejtuar kthimin e emigrantëve, dhe duke e bërë më të vështirë për qytetarët e atyre vendeve të kërkojnë azil në bllok, raporton AFP.

Komisioni Evropian tha se po propozon që Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia të shpallen si “vende të sigurta të origjinës”.

“Shumë shtete anëtare po përballen me një numër të madh aplikimesh të papërpunuara për azil, ndaj gjithçka që mund të bëjmë tani për të mbështetur marrjen më të shpejtë të vendimeve për azil është thelbësore”, tha Magnus Brunner, komisioneri i BE-së për migracionin, teksa e paraqiti listën e shteteve.

Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të bien dakord për këtë propozim.

Azilkërkuesit që shkojnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen me refuzimin e kërkesave të tyre dhe potencialisht me një urdhër kthimi, sipas rregullave të reja të BE-së.

Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024.

Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kanë emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.

Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

Brukseli ka qenë nën presion që të frenojë migrimin e paligjshëm dhe të lehtësojë procesin e dëbimit, teksa përkeqësimi i opinionit publik sa i përket migracionit ka nxitur rritjen e të djathtës ekstreme në disa shtete.

Të udhëhequr nga shtete me qëndrim të ashpër si Suedia, Italia, Danimarka dhe Holanda, udhëheqësit e BE-së në tetor kërkuan hartimin e një legjislacioni të ri me qëllim që të rriten dhe përshpejtohen dëbimet e migrantëve, por edhe kërkuan nga Komisioni që të vlerësojë mënyra “inovative” për të luftuar migracionin e paligjshëm.

Si përgjigje ndaj këtyre kërkesave, muajin e kaluar Komisioni prezantoi një reformë të në sistemin e dëbimeve, reformë që i hapi rrugën që shtetet anëtare të krijojnë qendra për kthimin e migrantëve jashtë BE-së.

Aktualisht, më pak se 20 për qind e personave që janë urdhëruar që të largohen nga blloku janë kthyer në vendet e tyre të origjinën, thuhet në të dhënat e BE-së.

Edhe presidenti i Këshillit Europian rrëzon fushatën e Ramës: Këto janë ambicie…

Edhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa rrëzon fushatën propagandistike të Edi Ramës për integrimin.

Kryeministri flet me data konkrete, por Costa tha në Bruksel gjatë një prononcimi për mediat se këto janë thjesht ambicie.

Më herët, kryediplomatja e BE, Kaja Kallas tha të njëjtën gjë, që reformat janë të vështira dhe duhet të jenë gjithëpërfshirës. Sipas saj, pretendimet e Ramës janë ambicie.

“Sot po çelim një grup-kapitull tjetër dhe ambicia është që të çelim edhe më tej grup-kapituj për të negociuar gjatë këtij viti, sepse kemi një kalendar shumë konkret dhe duam që ta realizojmë.

Kjo është shumë e rëndësishme për BE, për Shqipërinë, shenjë mjaft e rëndësishme edhe për të gjithë rajonin sepse mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Europian,” tha Costa. sn

Kallas: Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten

Radio Evropa e Lirë

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, andaj kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, tha Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që mbahet në Luksemburg.

Kallas nuk përmendi shtetet, që sipas saj po rriten tensionet. Por, së voni në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja.

NATO ka thënë se nuk do të lejohet që të rrezikohet paqja në Bosnje, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po shqyrtojnë disa opsione veprimi, duke theksuar se nuk duhet të ndodhë “shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”.

Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë – që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel – janë të larta qysh në vitin 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Ndërkaq, kryediplomatja evropiane tha po ashtu se një natë më parë ka pasur “darkë shumë të mirë me miqtë tanë” nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë darkë, Kosova është përfaqësuar nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Përveç pjesëmarrjes në darkë, Gërvalla dhe Kallas kanë zhvilluar edhe një takim të ndarë.

Kryediplomatja Gërvalla tha se i ka kërkuar Kallasit që të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese”.

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – Kosova është e fundit sa i përket rrugëtimit të saj drejt BE-së.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin”, tha Gërvalla përmes një postimi në Facebook.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Kosova po ashtu është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e shtetit kandidat.

Përdhunues, drogaxhinj, të rrezikshëm për shoqërinë: Ja kush janë 40 migrantët që ka marrë Rama nga Italia

Zbulimet mbi identitetin e emigrantëve të paligjshëm të dërguar në Shqipëri nga anija Libra e Marinës Ushtarake, raportojnë mediat italiane.

Njëri prej tyre është i parregullt që prej vitit 2016 dhe nuk ka dashur kurrë të marrë leje qëndrimi.

Kush janë 40 emigrantët e paligjshëm që janë subjekt i një urdhri dëbimi për shkak se përbëjnë rrezik për shoqërinë dhe për këtë arsye janë transferuar në qendrën e pritjes në Gjader të Shqipërisë me anijen Libra të Marinës Ushtarake?

Sipas informacioneve të para të dala në dritë, të paktën 60% e këtyre migrantëve kanë precedentë penalë për vepra të shumta penale: ka nga ata që janë dënuar për tentativë vrasjeje, pesë prej tyre janë shpallur fajtorë për dhunë seksuale, shumë të tjerë kanë vendime gjyqësore të formës së prerë për joshje të të miturve, trafik droge dhe krime kundër personit ose pasurisë, sipas të dhënave nga baza kombëtare e të dhënave të policisë.

Një gjë kanë të përbashkët: të gjithë, të paktën një herë, kanë dhënë identitet të rremë. Sipas ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, këta emigrantë janë përzgjedhur për t’u mbajtur në qendrat e pritjes (CPR) duke u dhënë përparësi atyre që, përveçse janë të paligjshëm sepse nuk kanë leje qëndrimi, janë të rrezikshëm për shoqërinë për shkak të precedentëve të tyre penalë.

Ligji e përcakton qartë: midis atyre që duhet të mbahen në qendrat e pritjes para dëbimit, duhet të ketë përparësi ata që konsiderohen kërcënim për rendin dhe sigurinë publike, ose që janë dënuar, edhe me vendim jo përfundimtar, për vepra penale për të cilat parashikohet arrestimi i detyrueshëm në flagrancë ose që shkaktojnë shqetësim të madh shoqëror – sqaroi ministri në një konferencë shtypi në Napoli pas një takimi me vendet partnere të Mesdheut (Spanja, Greqia, Malta dhe Qipro).

Prej këtu vjen edhe nevoja për transferimin e tyre me pranga plastike, pasi bëhet fjalë për “persona të transferuar në një gjendje të kufizimit të lirisë personale, edhe si rezultat i një vendimi të marrë nga autoriteti gjyqësor”.

Ndër migrantët e dërguar në qendrën e pritjes në Shqipëri, ka të paktën katër që janë të konsideruar veçanërisht të rrezikshëm për shoqërinë. Njëri prej tyre, me origjinë nga Afrika Veriore, ishte liruar nga burgu më 30 mars për një bashkim dënimesh që përfshinte 1 vit, 5 muaj e 27 ditë burg për armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe rezistencë ndaj punonjësit të policisë.

Ai ka disa dënime për vjedhje, grabitje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë fizike. Mësohet se ka përdorur disa identitete të ndryshme dhe nuk ka tentuar asnjëherë të legalizojë qëndrimin e tij përmes kërkesës për leje qëndrimi – në thelb, ai ka qëndruar krejtësisht në ilegalitet që nga hyrja e tij në territorin italian.

Image

Gjermania furnizime të reja me armë për Ukrainën: Na duhet një Kiev i fortë!

Edhe pse vazhdimisht flitet për paqe të mundshme, luftimet në Ukrainë vazhdojnë. Për të mbrojtur më mirë vendin nga sulmet ruse, Gjermania planifikon të dërgojë një furnizim të ri të madh me armë.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) njoftoi një tjetër paketë furnizimesh me armë për Ukrainën nga Gjermania në një takim të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në Bruksel (11.04.). Nuk ka asnjë provë për ndonjë rënie të luftimeve, tha Pistorius. Prandaj është plotësisht e qartë se duhet një Ukrainë e fortë ushtarakisht dhe që të ketë mbështetje. Vetëm atëherë do të hapet rruga për një zgjidhje paqësore.

Sipas informacioneve në media, Gjermania do të dërgojë brenda këtij viti në Ukrainë katër sisteme të tjera armatimi “IRIS-T” dhe 300 raketa, dhe 100 radarë vëzhgimi tokësor. Priten furnizime me dronë zbulimi, automjete luftarake këmbësorie Marder, sisteme artilerie etj.

Probleme me armët gjermane në Ukrainë?
Pasi SPD dhe Unioni ranë dakord për marrëveshjen e koalicionit, Pistorius foli për një fuqizim masiv të Bundeswehr-it. “Jemi në fillim të një epoke të re dhe do të duhet ta dëshmojmë veten në vitet e ardhshme”, tha ai. “Varet nëse do të arrijmë të bëhemi të aftë për parandalim dhe mbrojtje – dhe ta bëjmë këtë në unitet e në një kohë të shkurtër.”

Pistorius shprehu po ashtu habi për raportimet se ka probleme me armët gjermane në Ukrainë. “I lexova me habi raportet”, tha ai në margjinat e takimit në Bruksel. Ai shtoi se ishte në kontakte të rregullta me partnerët ukrainas dhe “nuk kam marrë asnjë raport si ky apo ankesa për materialet tona”. NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung kishin raportuar, duke cituar një dokument të brendshëm të Bundeswehr-it, se ushtria ukrainase kishte probleme të mëdha me pajisjet ushtarake gjermane./DW

Koalicioni qeverisës në Gjermani hedh në erë propagandën e Ramës me pasaportën

Ndërsa Edi Rama është futur në fushatën elektorale të radhës pa program qeverisës për të disatën herë, dhe po përdor një super mashtrim për shqiptarët duke u premtuar se do u japë pasaportën europaine, koalicioni i ri i formuar në Gjermani, vendit kryesor të BE-së, rrëzon përrallat e Edi Ramës në Shqipëri, raporton media gjermane BILD, përcjell Syri.net.

Në marrëveshjen e lidhur mes CDU dhe SPD në Gjermani për qeverinë e re, një ndër pikat kryesore të marrëveshjes është bllokimi i zgjerimit të BE-së deri në një reformë të thellë brenda unionit.

Siç dihet, premtimi i Ramës është një tallje me shqiptarët të cilët i përze nga vendi prej 12 vjetësh nga keqqeverisja e tij dhe korrupsioni galopant, ndërsa për vete dhe taborin e tij ka krijuar narkoshtetin e vetëm në Europë. Propaganda e tij me pasaportën europiane ka rënë ende pa filluar zyrtarisht fushata, dhe premtimi i tij kryesor e nxjerr atë si një supermashtrues, duke premtuar gjëra që nuk i ka aspak në dorë. Sipas marrëveshjes së koalicionit të ri në Gjermani duket se zgjerimi i BE-së do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, të paktën deri në një reformi të thellë të BE-së. Edi Rama kishte në dorë të ndërtonte një Shqipëri të jetueshme në 12 vjet, por zgjodhi shpopullimin e vendit, vjedhjen e plaçkitjen e shqiptarëve duke menduar se mashtrimet e tij do të ecin edhe në këtë fushatë.

Më poshtë pika e marrëveshjes se koalicionit të ri gjerman publikuar nga gazeta BILD, ku edhe përmendet specifikisht Ballkani:

Asnjë zgjerim i BE-së pa ristrukturimin e BE-së

Kjo do të shkaktojë pakënaqësi, veçanërisht në Ballkan: qeveria e re në thelb po ndalon zgjerimin e BE-së. SEPSE: E bën një reformë thelbësore të BE-së dhe mekanizmave të saj vendimmarrëse kusht për pranimin e shteteve të reja anëtare si Kosova, Serbia apo Shqipëria, të cilat janë në listën e pritjes.

Në marrëveshjen e koalicionit thuhet: “Zgjerimi i BE-së dhe kapaciteti i saj për të thithur anëtarë të rinj duhet të ecin paralelisht. Prandaj, më së voni me zgjerimin e radhës, duhet një konsolidim i brendshëm dhe reformë e BE-së që e forcon atë institucionalisht”./BILD – Syri.net sn

Zelensky denoncon përfshirjen e Kinës në luftën me Rusinë, presidenti ukrainas: Ne kapëm disa ushtarë kinezë!

Presidenti ukrainas, Voldymyr Zelensky, thotë se dyshon se Kina është përfshirë në luftën Rusi-Ukrainë.

Dy shtetas kinezë u kapën gjatë luftimeve në Ukrainën lindore, tha sot Volodymyr Zelensky.

Forcat e Ukrainës luftuan me gjashtë ushtarë kinezë, me dy prej tyre që u morën peng, shtoi ai.

Për rrjedhojë Zelensky ka urdhëruar zyrtarët që të marrin një shpjegim nga Pekini.

Zelensky i bëri këto deklarata në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin belg Bart de Wever, duke theksuar nevojën për mobilizim të menjëhershëm ndërkombëtar dhe një rivlerësim të situatës nga partnerët perëndimorë të Ukrainës.

“Betejat u regjistruan në rajonin e Donetskut, në dy zona. Ushtarët ukrainas u përleshën me gjashtë ushtarë kinezë dhe kapën dy prej tyre. Ne kemi pasaporta, dokumente, madje edhe karta krediti në duart tona. Ata janë shtetas kinezë. Unë mendoj se ky është një element me rëndësi të madhe ,” tha presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi se përfshirja e dukshme e Kinës në luftë në emër të Rusisë, krahas vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani , përbën një fakt të ri gjeopolitik, i cili duhet t’i shtyjë aleatët e Ukrainës të rishqyrtojnë qëndrimin dhe mbështetjen e tyre.

“Koreanët e Veriut po na luftonin në Kursk. Tani, kinezët po luftojnë në tokën ukrainase. Dhe kjo është diçka që duhet diskutuar urgjentisht me partnerët tanë. Ne jemi një vend i fortë, por nuk mund të luftojmë me shumë vende në të njëjtën kohë, të gjitha me objektiva në Ukrainë ,” vuri në dukje ai.

Presidenti ukrainas shprehu shpresën se ky zhvillim do të çojë në përfshirje më aktive të Shteteve të Bashkuara në bisedimet me Kievin, ndërsa kërkoi një përgjigje zyrtare nga Pekini .

“Kam udhëzuar ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes që të kontaktojnë homologët e tyre kinezë, duke kërkuar një shpjegim zyrtar për këto veprime”, tha Zelensky. gsh

“Qeveria ka bllokuar Tik Toku-n”, Sali Berisha denoncon në KE: Është instaluar pajisje DPI në Shqipëri për të kontrolluar internetin

Lideri i Opozitës, Sali Berisha, ka denoncuar para grupit konservator të KE-së faktin se Qeveria shqiptare ka instaluar pajisje DPI për të kontrolluar internetin pikërisht në prag të zgjedhjeve.

Denoncimi i Berishës:

“Ne kemi zgjedhje. Vëzhgimi juaj është shumë i rëndësishëm.

Tani, thashë diçka, por mediat janë 80%, më shumë se 80% të kontrolluara nga qeveria.

Në fund, njësoj si Habibullah-u i Kabulit, ai bllokoi TikTok-un. Dhe tani ka instaluar, ai kishte instaluar pajisje DPI për të kontrolluar gjithashtu internetin.

Kjo është e vërtetë. Kjo është e vërtetë! Sapo të rinjtë filluan ta kritikojnë në TikTok, ai e ndaloi dhe e bllokoi TikTok-un dy javë më parë. Ai bën gjithçka për të kufizuar komunikimin tonë me njerëzit.” bw

Kërkesa e Berishës drejtuar grupit konservator të KE: Sillni një mision vëzhgues në Shqipëri, do të dëgjoni gjëra të pabesueshme

Lideri i Opozitës, Sali Berisha, në takimin me grupin konservator të KE-së, u ka kërkuar një mision vëzhgues në Shqipëri, ku do të dëgjojnë dhe shohin gjëra të pabesueshme.

Fjala e Sali Berishës:

“Së pari, më vjen shumë keq t’i them publikut se të paktën Ambasadori Amerikan ka ndihmuar shumë Edi Ramën në instalimin e shtetit narkotik. Në vitin 2015, kur e gjithë Shqipëria ishte mbuluar me kanabis, ai shkoi dhe lavdëroi policinë, duke u thënë: ‘Ju përgëzoj për punën e jashtëzakonshme kundër kanabisit, kundër drogës.’

Unë shkova dhe e takova. I thashë: ‘Zotëri, kjo është mbështetje. Çfarë është ky teatër që po ndodh?’ Ai më tha: ‘Ne nuk shqetësohemi për drogërat e buta.’ Por unë i thashë: ‘Shikoni, këto drogëra të buta mund të kenë pasoja të tmerrshme për kombin tim. Kjo është krim, sepse kudo ka njerëz që ruajnë parcelat dhe bien pre e tundimeve.’ Dhe kjo është të paktën një shkelje e plotë.

Por Edi Rama ka qenë lideri më i mbrojtur, më i investuar nga George Soros. Dhe problemi im me miliarderin George Soros është i vjetër. Kam qenë shumë konfrontues me të. Prej vitesh kam kërkuar që të ndalohet veprimtaria e tij politike në Europë.

Kam kërkuar që Parlamenti Europian t’ia ndalojë, sepse ai blen politikanë kudo, etj., etj. Ai ka një agjendë ekstreme të majtë. Ai e rikthen modelin e monizmit, duke marrë të gjitha OJQ-të dhe duke i vënë nën ombrellën e Partisë së vjetër Komuniste.

Përplasja ime me të u bë më e madhe kur ai u përfshi në politikën e Ballkanit. Ai u bë faktori kryesor në politikën e jashtme për Ballkanin. Ai deshi ndarjen e Kosovës, një projekt i Millosheviçit, që më është sjellë përmes ndërmjetësve disa herë gjatë kohës që isha President i Republikës. Tani George Soros e vulosi dhe e firmosi projektin si të tijin. Sigurisht që unë e kundërshtova. Dhe ai ishte shumë i pakënaqur.

Një ditë Edi Rama më tha në Parlament: ‘Sali, a e kalon dot Atlantikun?’ I thashë: ‘Po, e kaloj.’ Ai s’e di. ‘Ke marrë një mesazh,’ më tha. ‘S’kam marrë asnjë mesazh,’ i thashë. Por ai u tha njerëzve të tij që Saliu u sanksionua për konspiracion kundër politikës amerikane. Unë nuk kam konspiruar kurrë. Kam qenë gjithmonë publik. Por ata dështuan.

Derisa ishte Sekretari Pompeo në detyrë, nuk dërguan asgjë. Sapo u largua Presidenti Trump nga pushteti, tre javë pas zgjedhjeve, unë u sanksionova për korrupsion dhe minimin e demokracisë nga një njeri që më kishte lavdëruar më shumë se kushdo tjetër për sukseset në luftën kundër korrupsionit kur ishte këshilltari kryesor i Joe Biden. Ky ishte Anthony Blinken, një njeri shumë i afërt me George Sorosin.

I shkrova një letër. I thashë: ‘Zoti Sekretar, sapo të gjeni një provë të vetme të korrupsionit tim, unë tërhiqem përgjithmonë nga politika. Por vendimin e morët mbi bazën e një lobimi të korruptuar nga Edi Rama dhe George Soros.’ Së treti, unë e padita atë në gjykatë, sepse ai plagosi dinjitetin tim dhe unë po mbroj dinjitetin tim dhe e kam paditur. Ata u zemëruan për këtë dhe tentuan, por dështuan. Unë vazhdova betejën time, dhe është një histori e gjatë. Nuk dua t’ju marr kohë, por ata kanë luajtur një rol shumë negativ. Kjo është përgjigjja ime për këtë.

Sa për Sorosin, siç ju thashë më parë: nëse më pyesni çfarë është Shqipëria sot, Shqipëria është një republikë e George Soros. Po.

Për ta ilustruar, zoti President, kryetari i Bashkisë së Tiranës është arrestuar për korrupsion. Para disa ditësh, disa javësh, i dha një udhëzim gruas së tij: ‘Mos shko në Ambasadën Amerikane, pushteti ka ndryshuar atje, prit derisa të vijë Alex dhe gjërat do të ndryshojnë.’ Ishte fjala për Alex Sorosin. Askush nuk ka reaguar, sepse pas kësaj beteje, Departamenti i Shtetit, nën drejtimin e Anthony Blinken, bëri gjithçka për të më izoluar dhe për të kontrolluar çdo kontakt timin, me partinë time. Kjo është e vërtetë. Prandaj njerëzit nuk ishin shumë të prirur të merren me këto çështje.

Po, ju mund të na ndihmoni shumë. Mund të na ndihmoni. Së pari, dërgoni një mision verifikimi, sepse do të dëgjoni gjëra të pabesueshme. Dhe kur të prekni realitetin atje, atëherë mund të gjeni një mënyrë për të ndihmuar kombin tim, për të ndihmuar vendin tim të çlirohet nga kjo narkodiktaturë. Ne do të luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë, por na duhet edhe ndihma e njerëzve të lirë, kudo që janë. Dhe nga qeveritë europiane dhe miqtë tanë kudo. Faleminderit shumë!”bw

“Shqipëria është një narkodiktaturë”, Sali Berisha me grupin konservator të KE-së: U izoluan liderët e opozitës, paratë e drogës po përdoren në zgjedhje

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ishte në një takim me grupin konservator në KE, ku deklaroi se Shqipëria është një narkodiktaturë, ku paratë e drogës dhe krimi po përdoren në zgjedhje

Fjala e Sali Berishës:

Zonja dhe zotërinj, anëtarë të nderuar të Parlamentit Europian. Dua të ju falënderoj nga zemra ime për këtë nder të madh që më keni bërë, të ju prezantoj në këtë seancë, situatën aktuale në Shqipëri.

Kam qenë këtu më shumë se në çdo institucion tjetër.  Kam ardhur si presidenti i vendit. Kam ardhur si lideri i opozitës, për 8 vite me radhë. Kam ardhur si kryeministër.

Por sot pothuajse në 30 vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, fatkeqësisht vendi im është i pari dhe i vetmi shtet narkodikatur në Shqipëri.

Shqipëria në këtë 30 vjetor është një vend i cili para zgjedhjeve, kryeministri synon mandatin e 4-të, duke arrestuar tre liderët kryesorë të opozitës shqiptare.

Më arrestoi mua për 330 ditë pa asnjë fakt penale. Ata më akuzuan për korrupsion pasiv dhe për një faturë për një javë pushime për arsye shëndetësore.

Dhëndëri im për 440 ditë ndodhet në ‘arrest shtëpie’ për një pronë prej 110 metrash që i është lënë trashëgim nga gjyshërit e tij, çdo gjë e dokumentuar me dokumente zyrtare që i përket familjarëve të tij.

Lideri tjetër i partisë së dytë opozita, ish-presidenti, ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, ndërsa po hynte në Tiranë u arrestua në mënyrë brutale, duke u tërhequr zvarrë nga makina dhe pa ju treguar dokumentet identifikuese.

Edhe pse është person nën hetim, ai gjendet në burg, edhe pse nuk ka akuzë ndaj tij. Lideri i tretë i partisë tjetër opozitare është Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes gjatë kohës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe po gjykohet për një çështje që është mbyllur 15 vite më parë pa asnjë fakt konkret.

Gjithashtu edhe Fredi Beleri, deputet i parlamentit Europian u fut në burg pasi, Edi Rama kërkonte të merrte mijëra metra katrorë tokë pranë detit.

Gjithashtu Ervin Salianji, një tjetër deputet u arrestua sepse denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, pasi ishte dënuar në Itali, për arsye se drejtonte trafikun e drogës nga Vlora.

Tani nëse merreni në konsideratë popullsinë e Shqipërisë, vendi humbi edhe të drejtën e pafajësisë, kjo ka ndodhur me drejtësinë. Shqipëria është bërë një narkoshtet, i vetmi vend në Europë. Në 2015 Edi Rama e mbushi Shqipërinë me kanabis, dhe duke implikuar dhe policinë në mbjelljen e kanabisit.

Rreth 12 miliardë euro u krijuan nga trafikantët e kanabisit dhe më pas këta u lidhën me trafikantët Amerikano-latin dhe tani janë shumë të fuqishëm me lidhjet e tyre në kartelet, si psh, ai i Sinaloas.

Të nderuar anëtarë, vetë Edi Rama është i lodhur me këto organizata.

Në zyrën e tij ka një këshilltar, i cili koordinon aktivitete e këtyre organizatave. Ai ka pritur në zyrën e tij, bosin shqiptar të Sinaloas dhe i ka dhënë leje për kazino dhe një hotel me 5 yje.

Krimi i organizuar është shumë i famshëm dhe shumë i përfshirë në zgjedhje.

Autoritet franceze, belge dhe holandeze kanë dorëzuar mijëra e mijëra faqe të mesazheve të krimit të organizuar, të marra nga telefonat e enkriptuar.

Komunikimi arrin deri tek Edi Rama dhe ministrat e tij.

U zbulua se gjysma e komunikimeve ishin të lidhura dhe me dhunimin e zgjedhjeve dhe ne tani jemi në zgjedhjet elektorale.

Kryeministri është duke shpërndarë dhurata për pensionistët, duke u dhënë 100 euro për çdo person, për të siguruar votën e tyre.

Janë mbi 700 shqiptar. Është një vendim i qeverisë për të siguruar bonus pensionesh për votë.

Por janë edhe dhjetëra e qindra miliona euro të kanabisit që janë përdor për të blerë vota, e gjithashtu edhe kërcënimi i mafias ndaj njerëzve që të votojnë për ta.

Shqipëria është në një situatë të dëshpëruar.

Nga 2014-2023, 1 milionë e 99 mijë shqiptarë kanë lënë vendin duke ikur drejt zonës Shengen.

Ekonomia dhe prodhimi industrial po bie.

Eksportet si pasojë e eurove të narkotrafikut është zhvleftësuar me 35% dhe eksportet kanë rënë me 32% dhe mijëra shqiptarë po humbin vendet e tyre të punës.

Një kryeministër që Europa nuk e ka parë kurrë, që drejton një shtet si diktator dhe një narkodiktator.

Ju nuk e kuptoni dot se çfarë ndodh, prandaj dhe unë jam këtu që të ju tregoj të vërtetat e të ju siguroj se njerëzit nuk kanë zgjidhje tjetër, përveç se të luftojnë narkodiktarorin.

Jam i bindur se ai nuk do të ketë të ardhme.

Narkoshteti nuk është i rrezikshëm, por është i rrezikshëm për të gjithë kontinentin  e Europës  dhe ju falënderoj për vëmendjen tuaj.” bw

Kallas: Jemi duke i analizuar gabimet e dialogut Kosovë – Serbi

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, tha të hënën në Podgoricë shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.

E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha gjatë një konference për media se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.

“Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.

Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.

Me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 2 prill, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, kishte thënë Kallas.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

Me vizitën në Podgoricë, Kallas e nisi turin zyrtar në shtetet e Ballkanit Perëndimor – të parin në rajon në cilësinë e saj si shefe e diplomacisë evropiane.

Nga nga 7 deri më 9 prill, Kallas do të qëndrojë edhe Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Ajo nuk ka paralajmëruar vizitë në Kosovë dhe Serbi.

Kallas i bëri thirrje Malit të Zi që t’i përkushtohet reformave

Gjatë konferencës për media, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, Kallas tha se Mali i Zi ka shënuar përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por se ende mbetet shumë për t’u bërë dhe se fokusi duhet të qëndrojë te reformat.

“E përshëndes përkushtimin sepse për procesin e anëtarësimit nevojiten reforma. E dimë se nuk ka rrugë të shkurtëra, reformat duhet të zbatohen. E përshëndes marrëveshjen me opozitën që i mundëson Kuvendit të vazhdojë punën”, tha Kallas.

Ajo shprehu falënderim që Mali i Zi e mbështet Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Ukrainën dhe që e respekton integritetin territorial të saj:

“Është shumë e rëndësishme të qëndrojmë besnikë ndaj këtyre vlerave. E dimë se mund të llogarisim në përkrahjen e Malit të Zi”.

Kryeministri malazias Spajiq tha se viti i kaluar ishte më i suksesshmi për sa i përket integrimeve evropiane të Malit të Zi.

“Mali i Zi nuk ka dilema, Bashkimi Evropian është rruga jonë strategjike dhe nuk ekziston asgjë që mund të na largojë nga ajo”, tha Spajiq.

Ai theksoi se Mali i Zi është lider në procesin e integrimeve evropiane.

“Shpresoj që këtë vit të mbyllim edhe disa kapituj negociues me BE-në. Viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm. Faleminderit për mbështetjen dhe gjithçka që bëni për ne”, tha Spajiq.

Pas Podgoricës, Kallas do të zhvillojë një takim në Cetinjë me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, drejtimin strategjik të vendit dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në BE.

Sipas paralajmërimeve, shefja e diplomacisë së BE-së do të takohet edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe do të zhvillojë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Podgoricë.

Është paralajmëruar gjithashtu se Kallas do të paraqesë në aeroportin ushtarak në Podgoricë mbështetjen e BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe, në prani të ministrit të mbrojtjes, Dragan Krapoviq, do të prezantojë pakon e mbështetjes për Ushtrinë e Malit të Zi nga Fondi Evropian për Paqe.

Mali i Zi është në negociata për anëtarësim me Bashkimin Evropian që gati 13 vjet. Deri më tani, nga gjithsej 33 kapituj, ka mbyllur gjashtë.

Pritet që edhe disa kapituj të mbyllen në takimin e qershorit të Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel.

Deri në fund të vitit, sipas paralajmërimeve të kryenegociatorit me BE-në, Predrag Zenoviq, mund të mbyllen deri në nëntë kapituj.

Tarifat e Trumpit- Vjen kundërpërgjigja e Gjermanisë ndaj SHBA-së, do të tërheqë 1200 tonë ar që i ka në New York

Tarifat e reja të vendosura nga Donald Trump ndaj shumë vendeve të botës kanë sjellë reagime dhe masa të ndryshme nga një pjesë. Edhe Gjermnia së fundmi po bën lëvizjen e saj.

Gjermania po shqyrton heqjen e një rezerve të madhe ari nga një kasafortë në Nju Jork për shkak të shqetësimeve për politikat e paparashikueshme të presidentit amerikan Donald Trump.

Këtë e raporton “Bild”, ku shkruan: Për dekada, Berlini ka mbajtur 1200 tonë rezervë ari, e dyta më e madhe në planet pas asaj të Shteteve të Bashkuara, në një kasafortë në Rezervën Federale të SHBA-së në Manhatan. bw

Ministrja gjermane: Njerëzit e Dodikut më kërcënuan me dhunë gjatë vizitës në Banjallukë

Ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann

 

Radio Evropa e Lirë

Ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann, tha se ajo dhe delegacioni i saj u kërcënuan me dhunë nga përfaqësuesit e Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska, gjatë vizitës së tyre të premten në qytetin më të madh të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës.

Luhrmann – e cila në ditën e njëjtë u shpall person i padëshirueshëm nga Qeveria e Republikës Sërpska – tha në X se u takua me shoqërinë civile dhe opozitën në Banjallukë, të cilën e përshkroi si qytet “të mrekullueshëm me njerëz të mirë”.

“Kah fundi i programit tim në Banjallukë, Dodiku e dëshmoi përsëri qasjen e tij destruktive. Përfaqësuesit e tij na kërcënuan me dhunë mua dhe delegacionin tim. Kjo është shenjë e dobësisë. Dodiku është tejet i izoluar dhe ka mungesë mbështetjeje nga qytetarët e Republikës Sërpska. Veprimet e Dodikut për shkëputje janë të papranueshme”, shkroi ajo.

Vizita e Luhrmann në Banjallukë u zhvillua një ditë pasi Gjermania dhe Austria njoftuan se tre liderët e entitetit serb të Bosnjës: presidenti Millorad Dodik, kryeministri Radovan Vishkoviq dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiq, do ta kenë të ndaluar hyrjen në këto dy vende, për shkak se kanë nxitur krizë kushtetuese në Bosnje.

Të premten, Qeveria e Republikës Sërpska tha se masat e përmendura kundër saj nga Gjermania, si dhe deklaratat publike dhe vizita e sotme në Republikën Sërpska e ministres Luhrmann, janë “ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme dhe shkelje e konventave ndërkombëtare”.

“Për të mbrojtur integritetin politik dhe institucional të Republikës Sërpska, Qeveria prezanton masa reciproke, të cilat përfaqësojnë një përgjigje proporcionale dhe legjitime në përputhje me praktikat ndërkombëtar”, tha Qeveria e Republikës Sërpska të premten.

Ajo tha se për ketë arsye ka vendosur ta shpallë Luhrmannin person të padëshirueshëm në Republikën Sërpska.

Gjermania dhe Austria thanë në vendimin e tyre të enjten se sulmet ndaj integritetit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës nga politikanët kryesorë të Republikës Sërpska, “janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës dhe të gjithë rajonit”.

Në mars, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës lëshoi fletarrestime kombëtare për Dodikun, Vishkoviqun dhe Stevandiqun, duke i akuzuar se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës me veprimet e tyre.

Që të tre i kanë shpërfillur thirrjet e autoriteteve për t’u paraqitur për marrje në pyetje.

Dodik është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, por Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka qenë në gjendje të gjejë gjuhë të përbashkët për sanksione kundër tij, për shkak të kundërshtimit nga anëtarja e saj, Hungaria.

Qeveritë perëndimore besojnë se veprimet e Dodikut kanë për qëllim ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Dodik u dënua në shkurt me një vit burg dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet për shkak të shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Si përgjigje, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi ato ligje më 5 mars.

Republika Sërpska e kaloi në mars një draft të kushtetutës së re, e cila do ta përcaktonte këtë entitet si një shtet të popullit serb, do t’i jepte të drejtën për vetëvendosje dhe do ta themelonte ushtrinë e saj.

Të gjithë këto bien drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjës dhe me Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe, e cila e përcaktoi Republikën Sërpska si njërin nga dy entitetet e Bosnjës.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje.

Këto veprime të Republikës Sërpska janë dënuar pothuajse në mbarë botën, nga sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio, te shefi i NATO-s Mark Rutte dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit. Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.

Gjatë mandatit të tij si president i Republikës Sërpska, Dodik është përballur me kritika për prirje autoritare, minimin e institucioneve demokratike dhe krijimin e një kulture të patronazhit politik.

Hera e parë që nga Lufta e II Botërore, Gjermania dërgon 5000 ushtarë në Lituani për të ndalur Putinin

Gjermania ka nisur dislokimin e parë të trupave të saj jashtë vendit që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, duke dërguar 5,000 ushtarë në Lituani për të përballuar kërcënimin në rritje nga Rusia nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin.

Ky vendim shënon një kthesë të madhe në politikën ushtarake të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, e cila ka refuzuar çdo formë të militarizmit për shkak të traumës që shkaktoi regjimi nazist dhe pasojat e luftës.

Bashkë me aleatët e saj të NATO-s, Gjermania ka vendosur të mbrojë anën lindore të Evropës, duke krijuar një brigadë të re të blinduar, Brigadën e 45-të të Blinduar, të aktivizuar për këtë mision. Kjo njësi e re do të qëndrojë në Lituani dhe ka për qëllim të sigurojë mbrojtjen e aleatëve lituanezë dhe të mbrojë territorin e NATO-s, duke përfshirë edhe Gjermaninë.

Komanda e Brigadës është vendosur në Vilnius, nën udhëheqjen e Brigadierit General Christoph Huber.

Pavarësisht faktit që Lituania nuk ka një kufi të drejtpërdrejtë me Rusinë, ajo ndodhet në një zonë të rrezikuar, duke ndarë një kufi të gjatë me Bjellorusinë, aleatin e Putinit, dhe duke u afruar me enklavën e Kaliningradit të Rusisë. Përveç kësaj, Lituania ka vuajtur nga manipulimet e Rusisë, duke përfshirë një atentat të dyshuar ndaj një dyqani Ikea, për shkak të ngjyrave të logos që janë të ngjashme me flamurin ukrainas.

Aktivizimi i Brigadës së 45-të shoqërohet me një rritje të madhe të investimeve në forcën ushtarake të Gjermanisë. Parlamenti i vendit ka votuar për përjashtimin e shpenzimeve për mbrojtjen nga rregullat strikte të borxhit, duke hapur kështu mundësinë për një investim të madh në infrastrukturën ushtarake.

“Kjo përpjekje për t’u përgatitur përballë rrezikut të mundshëm nga Rusia është thelbësore”, tha gjenerali i lartë gjerman, Carsten Breuer, i cili theksoi se kërcënimi nga Rusia është real dhe se “çdo vonesë në përgatitje mund të jetë fatale”./ A2/

Zëvendëssekretarja e NATO-s takon Sorensenin: NATO-BE, bashkë për stabilitet në Ballkan

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, gjatë një takimi më 31 mars me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

 

Radio Evropa e Lirë

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet NATO-s dhe BE-së për të ruajtuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo e dha këtë deklaratë në një postim në X, pas një takimi të zhvilluar me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sorensen iu përgjigj deklaratës së Shekerinskës duke thënë se “mezi pres të bashkëpunojmë ngushtë së bashku”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ndërsa BE-ja është e angazhuar në lehtësimin e dialogut politik ndërmjet palëve.

Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50.000 trupa, por, pas vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë, ky numër sot ka rënë në rreth 4.600 ushtarë.

Prania e trupave në Kosovë është rritur sa herë që situata ka qenë e tensionuar, sikurse pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Aktualisht, pjesë e misionit të KFOR-it janë 29 shtete anëtare të NATO-s.

Në mes të marsit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Prishtinën, ku tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte stabilitetin dhe sigurinë në mbarë rajonin.

Rreth një javë më vonë, Prishtinën e vizitoi edhe i dërguari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen. Ai vizitoi edhe Beogradin dhe në të dyja vendet theksoi se prioritet i tij është të sigurojë një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë atë funksional.

Bisedime të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.

Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.

Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarë të BE-së dhe zyrtarë amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb.

Kërcënimet ndaj gjyqtares që dënoi Marine Le Penin, policia i vendos roje të armatosur

Gjykatësja që dënoi Marine Le Pen me burg dhe e ndaloi atë të bëhej presidentja e re franceze është marrë nën mbrojtje nga roje të armatosur të policisë pas ‘kërcënimeve personale të shprehura qartë’.

Mbështetësit e së djathtës ekstreme të politikanes 56-vjeçare besohet se kanë shënjestruar gjyqtaren 63-vjeçare, Benedicte de Perthuis.

Një burim policor i tha Le Parisien se gjyqtarja De Perthuis kishte marrë “një numër të madh mesazhesh që përmbanin kërcënime personale të shprehura qartë”.

Gazeta shtoi: ‘Si rezultat, prania e policisë është shtuar pranë shtëpisë së saj.’

Dy gjyqtarët e tjerë që përbënin jurinë profesionale në Gjykatën Korrektuese të Parisit janë kërcënuar gjithashtu, tha burimi.

Ndërkohë, Le Pen ishte mbrëmë duke darkuar në një dhomë private lart në restorantin Laurent në Paris – skenë e festimeve famëkeqe të 50-vjetorit të Kate Moss disa vjet më parë.

Politikania dhe më shumë se 20 zyrtarë të tjerë partiakë u shpallën fajtorë të hënën për vjedhjen e parave të taksapaguesve në vlerë prej miliona paundësh nga taksapaguesi evropian.

Ata e bënë këtë për të paktën një dekadë, ndërsa ishin deputetë që punonin në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe Strasburg.

Në vend që t’i shpenzonin paratë për rolet e tyre evropiane, ata i përdorën ato për të financuar Tubimin Kombëtar (NR) në Paris. sn

Kurti pjesëmarrës në panairin më të madh të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në panairin ndërkombëtar të teknologjisë dhe industrisë “Hannover Messe 2025”, vizitoi stendat dhe pavijonet e disa prej kompanive më të njohura në fushën e teknologjisë dhe automatizimit, si Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP dhe Schneider Electric. Ai pati mundësinë të njohë nga afër punën që këto kompani zhvillojnë në fushat e teknologjisë inteligjente të prodhimit dhe automatizimin industrial.

Kryeministri pati gjithashtu një takim me Steffen Haack, drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, dhe Jochen Köckler, drejtorin ekzekutiv të Deutsche Messe, organizator i panairit, ku diskutuan mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit për të ardhmen.

Në këtë vizitë, ai ishte shoqëruar nga ministrja Rozeta Hajdari, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, dhe Këshilltarja Politike, Fëllanza Podrimja.

Panairi i këtij viti, i cili do të zhvillohet nga 31 mars deri më 4 prill, ka si moto “Shaping the future with technology”. Kosova është përfshirë për të dytin vit radhazi në këtë panair, duke promovuar bizneset vendore dhe mbështetur eksportet dhe gjetjen e tregjeve të huaja për produktet dhe shërbimet kosovare. bw

BBC: Gjermania “hedh” historinë pas krahëve dhe përgatitet për luftë. Çfarë parashikon plani gjigant për investimet në ushtri

BBC paralajmëron skenarë ekstremë në Europë, pas konfliktit në lindje dhe luftës 3-vjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në një artikull, BBC shkruan se ushtria gjermane, Bundeswehr, ka iniciuar kohët e fundit një plan masiv investimesh pasi Parlamenti votoi për të hequr kufizimet e shpenzimeve të mbrojtjes dhe rregullat strikte mbi borxhin.

Një gjeneral i lartë i vendit është shprehur për BBC se rritja e shpenzimeve ushtarake është nevojë urgjente, sepse ai beson se agresioni rus nuk do të ndalet në Ukrainë.

“Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Ne jemi të kërcënuar nga Putin. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar atë (Putinin)”, thotë gjenerali Carsten Breuer.

Ai paralajmëron se NATO duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm ushtarak nga Rusia, brenda 4 vjetësh.

“Nuk ka të bëjë me sa kohë na duhet, ka të bëjë më shumë me atë se sa kohë na jep Putini për t’u përgatitur”, shprehet drejtpërdrejt shefi i mbrojtjes.

Ai vijon më tej: “Dhe sa më shpejt të jemi të përgatitur, aq më mirë”.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar thellësisht mendimin në Gjermani. Për dekada, njerëzit refuzonin fuqinë ushtarake kjo për shkak të rolit që ka luajtur Gjermania në të kaluarën si agresior në Europë.

“Ne filluam dy luftëra botërore. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ideja që gjermanët duhet të qëndrojnë jashtë konflitit është ende në ADN-në e shumë njerëzve”, shpjegon Markus Ziener ngan Fondi Gjerman Marshall në Berlin. bw

Marine Le Penit i ndalohet të garojë në zgjedhjet presidenciale të Francës më 2027

Radio Evropa e Lirë

Politikania franceze, Marine Le Pen, u shpall fajtore për shpërdorim të fondeve evropiane, me qëllim financimin e partisë së saj të ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar.

Gjykata ia ndaloi të mbajë poste publike për pesë vjet, çfarë do të thotë se ajo nuk do të mund të garojë në zgjedhjet presidenciale të Francës, më 2027.

Gjykata ia shqiptoi edhe dënimin me katër vjet burgim – dy prej të cilëve do të pezullohen.

Dy të tjerët, ndërkaq, do t’i kalojë me etiketë elektronike dhe jo në paraburgim.

Ajo, gjithashtu, u dënua me 100.000 euro gjobë.

Me shumë mundësi, Le Pen do ta apelojë dënimin me burg, kështu që ai nuk do të zbatohet tani.

Ajo u largua nga salla e gjyqit derisa gjyqtari lexonte dënimin.

Le Pen, së bashku me më shumë se 20 figura të tjera partiake, u akuzuan për punësimin e asistentëve që punonin për partinë e saj dhe jo për Parlamentin Evropian, që i paguante.

Gjatë gjyqit vitin e kaluar, ajo mohoi se kishte kryer “parregullsinë më të vogël”.

Për zgjedhjet e vitit 2027, ajo tha se do të ishin përpjekja e saj e katërt dhe e fundit për të marrë kryesimin e Presidencës franceze.

Reagimet pas shqiptimit të dënimit

“Sot nuk është vetëm Marine Le Pen ajo që u dënua padrejtësisht: është demokracia franceze ajo që u vra”, tha kryetari i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella.

“Unë jam Marine”, shkroi në X kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, tha se “vendimi kundër Marine Le Penit është një shpallje lufte nga Brukseli”.

Sipas tij, “impulset luftarake” të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, “janë të frikshme”.

“Ne nuk do të trembemi, nuk do të ndalemi”, tha ai.

Për zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, “gjithnjë e më shumë kryeqytete evropiane po shkojnë në rrugën e nëpërkëmbjes së normave demokratike”.

“Natyrisht, ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Francës, nuk e kemi bërë kurrë këtë… Por, në përgjithësi, vëzhgimet tona për kryeqytetet evropiane tregojnë se ato nuk ngurrojnë aspak të shkojnë përtej demokracisë, gjatë proceseve politike”, tha Peskov.

Akuzohej për përvetësim të fondeve të BE, gjykata shpall fajtore lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen

Një gjykatë franceze e shpalli fajtore Marine Le Pen për përvetësim të fondeve të BE.

Ende nuk dihet se cili mund të jetë dënimi i saj dhe si mund të ndikojë në të ardhmen politike të lideres së ekstremit të djathtë.

 

vijon/…

Zelensky i lutet Perëndimit për “reagim të fuqishëm” teksa Rusia shpeshton sulmet

Një makinë e djegur pas një sulmi rus në Harkiv.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar të shtunën vonë “reagim të fuqishëm” nga partnerët perëndimorë, pasi Rusia i ka shpeshtuar sulmet vdekjeprurëse, përfshirë sulmet ajrore në një spital ushtarak në Harkiv dhe në qytetet Dnipro dhe Krivi Rih.

“Partnerët tanë duhet ta kuptojnë qartë: Këto sulme nuk janë vetëm sulme ndaj civilëve ukrainas, por edhe ndaj të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare – ndaj vetë diplomacisë që po përpiqemi të përdorim për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përnatshëm me video.

“Rusia po godet pozicionet e të gjithë atyre që duan ta përfundojnë këtë luftë. Është e pamundur të injorohen qindra dronë Shahed çdo natë”, shtoi ai, duke iu referuar dronëve të prodhuar nga Irani.

“Ne presim një përgjigje – një përgjigje serioze. Po punojmë për një përgjigje. Nevojitet urgjentisht një përgjigje e fortë – mbi të gjitha nga SHBA-ja, nga Evropa, nga të gjithë në botë që kanë vënë bast mbi diplomacinë. Rusia duhet të detyrohet ta pranojë paqen – vetëm trysnia do të kryejë punë”, shtoi ai.

Zelensky nënvizoi se propozimi amerikan për një armëpushim pa kushte ka qenë mbi tryezë për kohë të gjatë “pa një përgjigje të duhur nga Rusia”.

“Kjo tregon shumë”, sipas tij.

Rusia ka kryer sulme të mëdha vdekjeprurëse në 24 orët e fundit.

Mbrëmë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se “terroristët rusë goditën një spital ushtarak në qytetin e Harkivit” me mjete ajrore pa pilot (UAV).

“Si pasojë e goditjes nga UAV-të e tipit Shahed, ndërtesa e spitalit dhe ndërtesat e banimit aty pranë u dëmtuan. Sipas të dhënave paraprake, ka viktima mes ushtarëve që po trajtoheshin në qendrën mjekësore”, thuhet në komunikatë.

Kryebashkiaku i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se të paktën dy njerëz janë vrarë, por nuk është e qartë në cilën pjesë të qytetit janë vrarë ata.

Më herët, një guvernator rajonal tha se një sulm me dronë rusë në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnipro, natën e 28 marsit, vrau katër persona dhe shkaktoi një zjarr të madh në një kompleks hotelesh dhe restorantesh, si dhe në disa shtëpi banimi.

Forcat ruse përdorën më shumë se 20 dronë në sulmin ndaj Dnipros, ku u plagosën gjithashtu 25 persona.

Zelensky tha se mes të plagosurve ishte edhe një grua shtatzënë.

Ndërkohë, të paktën shtatë persona u plagosën në një sulm me raketa në Krivi Rih, sipas shërbimit shtetëror të emergjencave të Ukrainës.

Në anën tjetër, Rusia pretendoi se i ka pushtuar edhe dy fshatra të tjerë në lindje dhe jug të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kanë marrë nën kontroll fshatra në rajonin jugor të Zaporizhjas dhe në rajonin lindor të Donjeckut. Pretendimet e Rusisë nuk ka qenë e mundur të verifikoheshin menjëherë.

Emmanuel Macron njofton paketën e re: 2 miliardë euro ndihmë për Ukrainën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake prej 2 miliardë eurosh për Ukrainën.

 

Kjo u bë e ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin Volodymyr Zelensky në Paris, raporton agjencia e lajmeve Ukrinform.

“Sot dua të shpall një paketë të re të mbështetjes ushtarake për Ukrainën me vlerë 2 miliardë euro”, tha Macron.

Ai shtoi se kjo ndihmë duhet t’u përgjigjet drejtpërdrejt nevojave prioritare të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Sipas Macron, paketa përfshinte raketa antitank MILAN, sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa MICA për aeroplanët Mirage, sisteme raketore anti-ajrore Mistral, automjete të blinduara VAB AMX-10 RX dhe municione, duke përfshirë municion të kontrolluar nga distanca.

“Dhe ky është gjithashtu prodhimi i pajisjeve në Ukrainë përmes partneritetit me kompanitë tona të mbrojtjes”, shtoi presidenti francez. Panorama

Berisha merr ftesë nga PPE, kreu i PD do të mbajë fjalim në Kongresin e Valencias

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë një ftesë zyrtare për të marrë pjesë dhe për të mbajtur një fjalim në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (PPE) 2025, që do të mbahet më 29-30 Prill në Valencia, Spanjë.

Në letrën e firmosur nga Manfred Weber, presidenti i PPE-së, dhe Alberto Núñez Feijóo, kreu i Partisë Popullore të Spanjës, Berisha ftohet të jetë pjesë e këtij eventi, ku pritet të diskutohet për drejtimin e ardhshëm të PPE-së dhe të Bashkimit Evropian.

  • foto galeri

Në Kongresin e PPE-së do të zhvillohen zgjedhjet për presidencën e re të partisë, si dhe votime mbi rezoluta dhe ndryshime statutore për të modernizuar dhe përgatitur PPE-në për sfidat e reja.

Gjithashtu, më 29 Prill, Berisha është i ftuar në Darkën e Liderëve, ku do të marrin pjesë kryeministra, zëvendëskryeministra dhe liderë të opozitës nga vendet anëtare dhe jo-anëtare të BE-së.bw

I dërguari i Trumpit: Ukraina ka rënë dakord të mbajë zgjedhje presidenciale

I dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff pohoi se Kievi ka “pranuar” të organizojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, pa dhënë detaje apo prova që mbështesin pretendimin e tij.

Në një intervistë me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Witkoff deklaroi se “do të ketë zgjedhje në Ukrainë”, duke shtuar se udhëheqja e vendit të shkatërruar nga lufta ishte “pajtuar me të”.

Administrata Trump ka rritur presionin për të detyruar Ukrainën të organizojë zgjedhje në kohë lufte, gjë që vendit i është ndaluar me kushtetutë, shkruan Politico.

Presidenti amerikan e ka përshkruar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, si një “diktator pa zgjedhje”.

Kritikët thonë se zgjedhjet e kohës së luftës do ta ekspozonin Ukrainën ndaj taktikave të destabilizimit të Rusisë dhe do të ishin një makth logjistik për t’u organizuar në një vend që mbron veten nga një pushtim i gjithanshëm. sn

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten: Miqtë tanë në Kosovë të mos provokohen nga Serbia

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka kërkuar që NATO-ja të përkrahë institucionet e Kosovës në kryerjen e detyrave. Rueten tha se në Kosovë gjithmonë ekziston rreziku i provokimit nga ana e Serbisë, duke tentuar të lidhin një çështje me një tjetër.

“E dimë këtë gjë, dhe e kemi parë këtë paraprakisht. Madje kemi parë edhe sulme në territorin e Republikës së Kosovës, që të hiqet vëmendja nga zhvillime të brendshme në Serbi. Gjithmonë duhet të jemi gati, por unë shpresoj dhe u bëj thirrje miqve tanë në Kosovë që të mos provokohen dhe të mos lejohet që kjo të ju udhëheq agjendën tuaj”, u shpreh ai për Klan Kosova.

Eurodeputeti Reuten tha se është e rëndësishme që Kosova të investojë në raportet bilaterale me shtetet anëtare të BE-së, në mënyrë që të fokusohen në reforma në vend e të mos provokohen nga veprime që gjithnjë mund të ndodhin.

“Duhet të qëndrojmë së bashku në këtë: të shmangim çdo tension të panevojshëm në raporte të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se raporti në fjalë nuk do të mbetet i zorshëm për një kohë. Por shpresoj që qasja e emisarit të ri për dialogun Kosovë-Serbi, mund të çojë te rezultate më ndryshe”, deklaroi Reuten.

Ai tha se është e nevojshme një qasje tjetër në procesin e dialogut sepse qasja që e kishin deri tani nuk solli rezultatet që po shpresonin. Po ashtu, eurodeputeti Reuten tha se duhet të procesohet aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat.

BE planifikon të furnizojë Ukrainën me të paktën 2 milionë predha në vit

Bashkimi Evropian planifikon të furnizojë Ukrainën me të paktën 2 milionë predha në vit, njoftoi  shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

 

Këtë e bëri të ditur Kallas gjatë një konference për shtyp në Bruksel, ku Komisioni Evropian prezantoi Librin e Bardhë për të ardhmen e mbrojtjes së BE-së.

Teksti përshkruan një strategji të re për forcimin e mbrojtjes evropiane dhe rritjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Një seksion i dedikuar për Ukrainën thekson planet për të ofruar jo vetëm predha, por edhe sisteme të mbrojtjes ajrore, drone dhe trajnime dhe pajisje për brigadat ukrainase.

Kallas tha se instrumenti i ri SAFE, një mjet kredie prej 150 miliardë euro (163 miliardë dollarë) i propozuar nga Komisioni Evropian, do të mbështesë arritjen e këtij objektivi.

“Ky është një moment kyç për sigurinë evropiane. Është një moment kyç për veprim,” tha Kallas.

Në vitin 2024, BE-ja arriti qëllimin e saj për të dorëzuar një milion predha në Ukrainë, duke përmbushur premtimin që fillimisht kishte premtuar të dorëzonte deri në pranverën e vitit 2024. Panorama

Macroni njofton një takim të ri të koalicionit që mbështet Ukrainën. Presidenti francez: Të sigurohet armëpushimi në luftën me Rusinë

Pas Samitit të djeshëm në Bruksel, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi para mediave se liderët e koalicionit që mbështet Ukrainën do të takohen sërish javën e ardhshme, duke shpresuar të finalizojnë planet për të siguruar një armëpushim të mundshëm në luftën me Rusinë.

Takimi në Paris me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë pas një seri takimesh në nivele të larta dhe pasi Kievi dhe Moska të mbajnë bisedime në Arabinë Saudite me Shtetet e Bashkuara të hënën.

Njoftimi i Macron të enjten erdhi pasi Londra ishte mikpritëse e drejtuesve të lartë ushtarakë nga i ashtuquajturi “koalicioni i të vullnetit” rreth Ukrainës, po ditën e djeshme.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se planet për sigurimin e një armëpushimi të mundshëm po “bashkohen” teksa presidenti i SHBA-së Donald Trump po ecën përpara me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj kundër Ukrainës.

Macron, i cili së bashku me Starmer është i gatshëm të dislokojë trupa në Ukrainë, tha se takimi të enjten e ardhshme do të jetë një shans për të “rregulluar” punën për të siguruar që çdo armëpushim të jetë i qëndrueshëm.

Ndërkohë, Zelensky tha në samitin e djeshëm të BE-së se “asgjë nuk kishte ndryshuar” pasi Moska ka vazhduar bombardimet pavarësisht se ra dakord me Trump për të ndalur sulmet në sistemin energjetik të Ukrainës.

Zelensky tha se presidenti rus Vladimir Putin duhet “të ndalojë së bërë kërkesa të panevojshme që vetëm zgjasin luftën”, duke i bërë thirrje BE-së të rrisë dërgesat e armëve dhe të mbajë sanksionet në fuqi.

Udhëheqësit e BE-së u zotuan në një deklaratë të përbashkët, e cila u ra dakord pa mbështetjen e Hungarisë miqësore me Rusinë, për të rritur mbështetjen ushtarake, pavarësisht nga kërkesat e Moskës për të ndaluar mbështetjen e huaj.

Por ata nuk miratuan një kërkesë nga Zelensky, e shtyrë nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për t’i dhënë Kievit pesë miliardë euro (5.4 miliardë dollarë) për predha artilerie, përballë kundërshtimit nga Franca dhe Italia. bw

Zelensky me liderët e BE-së: Ukrainës i nevojiten 5 mld euro armatime. Duam armëpushim të plotë dhe pa kushte në tokë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori një pushim nga vizita e tij në Oslo për të folur me liderët e BE-së përmes video-telefonit teksa ata u takuan në samitin e Sigurisë.

Zelensky tha se Vladimir Putin duhet të ndalojë kërkesat e panevojshme ndërsa paralajmëroi  se asgjë nuk ka ndryshuar pasi Rusia sulmoi infrastrukturën energjetike, pavarësisht se Putin u zotua të ndalojë sulme të tilla dje.

Ai gjithashtu tha se centralet bërthamore të vendit i përkasin popullit të Ukrainës, pas një sugjerimi nga presidenti amerikan Donald Trump që Uashingtoni të blejë termocentralin Zaporzhizhia.

Zelensky bëri thirrje për të paktën 5 miliardë euro (4.18 miliardë £) nga Evropa për predha artilerie sa më shpejt të jetë e mundur dhe tha se mbështetja në rritje për Ukrainën është vendimtare.

“BE -ja duhet të përfshihet në bisedimet e paqes , tha ai, duke kërkuar unitetin midis vendeve anëtare

Është thjesht anti-evropiane kur vendimet që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose që tashmë janë rënë dakord” bllokohen nga një person , shtoi ai.

Ai i kërkoi Evropës të mos lehtësojë presionin ndaj Rusisë lidhur me luftën  dhe se sanksionet duhet të vazhdojnë

Ai tha gjithashtu se kishte një bisedë produktive me Presidentin e SHBA Donald Trump dhe bëri thirrje për mbështetjen e BE-së për një armëpushim të plotë të pakushtëzuar në tokë.

Më herët, udhëheqësi i Ukrainës Volodymyr Zelensky iu drejtua samitit, duke thënë se është “thjesht anti-evropiane kur një person bllokon vendimet që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose që tashmë janë rënë dakord”.

Ndërsa ai nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë për Orbanin, Zelensky tha se ishte e gabuar që “përpjekjet evropiane që duhet të sjellin më shumë siguri dhe paqe po pengohen vazhdimisht”. bw

“Bisedë pozitive dhe tepër thelbësore”- Zelensky jep detaje nga telefonata me Donald Trumpin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e cilësoi bisedën telefonike me Donald Trump si pozitive, shumë të rëndësishme dhe të sinqertë.

Ai theksoi dakordësinë e tij për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë dhe shprehu mbështetje për propozimin amerikan për një armëpushim të pakushtëzuar në vijën e frontit.

Për më tepër, Zelensky nënvizoi diskutimet për përmirësimin e mundshëm të mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Shtëpia e Bardhë, gjatë konferencës mbi këtë komunikim, bëri të ditur se presidenti amerikan ra dakord të shqyrtonte mundësinë e dërgimit të më shumë sistemeve Patriot, duke pasur parasysh disponueshmërinë e tyre, kryesisht në Evropë.

Postimi i Zelenskyt:

Kam pasur një bisedë pozitive, shumë thelbësore dhe të sinqertë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. E falënderova për fillimin e mirë dhe produktiv të punës së ekipeve ukrainase dhe amerikane në Jeddah më 11 mars  ky takim i ekipeve ndihmoi ndjeshëm në rrugën drejt përfundimit të luftës. Ne ramë dakord që Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të arritur një fund real të luftës dhe paqe të qëndrueshme. Ne besojmë se së bashku me Amerikën, me Presidentin Trump dhe nën udhëheqjen amerikane, mund të arrihet paqja e qëndrueshme këtë vit.

Presidenti Trump ndau detaje të bisedës së tij me Putinin dhe temat kryesore të diskutuara. Një nga hapat e parë për t’i dhënë fund luftës plotësisht mund të jetë përfundimi i sulmeve kundër energjisë dhe infrastrukturës tjetër civile. Unë e mbështeta këtë hap dhe Ukraina konfirmoi se ne jemi gati ta zbatojmë atë. Ekipet tona diskutuan këtë hap në Jeddah. Pala amerikane propozoi gjithashtu një armëpushim pa kushte në vijën e frontit dhe Ukraina e pranoi gjithashtu këtë propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë këtë realitet. Ne besojmë se hapa të tillë janë të nevojshëm për të krijuar mundësinë e përgatitjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes gjatë armëpushimit.

Kam dhënë gjithashtu një përditësim mbi situatën në fushën e betejës dhe pasojat e sulmeve ruse. Biseduam për situatën në rajonin e Kurskut, prekëm çështjen e lirimit të robërve të luftës dhe kthimit të fëmijëve ukrainas, të cilët u rrëmbyen nga forcat ruse. Ne diskutuam gjithashtu gjendjen e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe mundësinë e forcimit të saj për të mbrojtur jetët.

Ne kemi udhëzuar ekipet tona të zgjidhin çështjet teknike në lidhje me zbatimin dhe zgjatjen e armëpushimit të pjesshëm. Ekipet ukrainase dhe amerikane do të takohen në Arabinë Saudite në ditët në vijim për të vazhduar koordinimin e hapave drejt paqes. Ne kemi porositur këshilltarët dhe përfaqësuesit tanë që ta përfundojnë këtë punë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne vumë re punën pozitive të këshilltarëve dhe përfaqësuesve tanë – Rubio, Ëaltz, Kellogg, Yermak, Sibiha dhe Palisa. Në takimet e mëtejshme, grupet mund të bien dakord për të gjitha aspektet e nevojshme të lëvizjes drejt paqes së qëndrueshme dhe garancive të sigurisë.

Falënderova Presidentin Trump dhe popullin amerikan për mbështetjen e tyre. Theksova se ukrainasit dëshirojnë paqen, prandaj Ukraina pranoi propozimin për një armëpushim pa kushte. Theksova rëndësinë e konceptit të Presidentit Trump për paqen përmes forcës. Ne ramë dakord të mbajmë kontakte të vazhdueshme, duke përfshirë në nivelin më të lartë dhe përmes ekipeve tona. bw

Zelensky mbërrin në Finlandë për bisedime mbi luftën dhe marrëveshjet e mbrojtjes

Ndërsa pritet një rezultat nga biseda telefonike mes presidentëve të SHBA dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy zbarkoi në Helsinki përpara një vizite zyrtare në Finlandë të mërkurën. Ai do të diskutojë mbështetjen ushtarake dhe politike për Ukrainën me presidentin finlandez Alexander Stubb. Sipas zyrës së Stubb, bisedimet do të mbulojnë ndihmën e Finlandës për Ukrainën, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe takimet me drejtuesit e industrisë së mbrojtjes. Zelenskyy do të takohet gjithashtu me kryeministrin Petteri Orpo dhe kryetarin e parlamentit Jussi Halla-aho, ndërsa gruaja e tij, Olena Zelenska, viziton shkollat ​​lokale me Suzanne Innes-Stubb, gruan e presidentit finlandez. bw

Bosnja shpalli urdhër arresti ndaj tij, dhjetëra eurodeputetë bëjnë thirrje për sanksione ndaj Dodikut

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian i kanë bërë thirrje shefes së Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të vendosur sanksione ndaj Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Përmes një letre, të nënshkruar nga 28 anëtarë të Parlamentit Evropian, ata i kërkojnë shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ta sanksionojë Dodikun për shkak të veprimeve të tij rishtazi për ta ndarë Republikën Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Dodiku përbën kërcënim serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, e në këtë mënyrë edhe për sigurinë e Bashkimit Evropian, për shkak të veprimeve të tij gjithnjë e më të theksuara secesioniste dhe lidhjeve të ngushta me Kremlinin”, thuhet në letër.

Ata besojnë se përpjekjet diplomatike për të bindur Dodikun të heqë dorë nga politikat e tij të tanishme kanë dështuar dhe se sanksionet janë të nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Letra është nismë e deputetëve Tineke Strik, Thijs Reuten dhe Irena Joveva, e cila ka marrë përkrahjen e deputetëve të dhjetë vendeve anëtare të BE-së dhe pesë grupeve politike.

Ata kanë thënë se veprimet e Dodikut janë në përputhje me interesat e Moskës.

Eurodeputetët besojnë se Dodiku ka ndërmarrë hapa drejt shkëputjes së paligjshme të Republikës Sërpska nga Bosnja në javët e fundit.

Entiteti serb i Bosnjës i mori një sërë veprimesh rishtazi, pasi Dodik u dënua më 26 shkurt nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik, së bashku me liderë të tjerë të Republikës Sërpska, gjithashtu dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare.

Gjykata e Bosnjës urdhëroi më 14 mars vendosjen e Dodikut kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtar Nenad Stevandiq, në paraburgim 30-ditor.

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.

Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit.

Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.

Më 13 mars, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e miratoi një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnjës.

Kjo kushtetutë është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore./ REL

Sorensen: Kompromiset në dialog i përcaktojnë palët

Radio Evropa e Lirë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, ka thënë se prioritet për të do të jetë të sigurojë takime mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, janë vetë palët që pastaj do të vendosin për kompromise potenciale.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha Sorensen, gjatë deklarimit për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Sorensen po e viziton Kosovën për herë të parë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.

Ai e quajti takimin me Kurtin “fillim të mirë”.

“Ishte një takim prezantues, folëm për atë se si mund të vazhdojë procesi përpara. Është një fillim i mirë”, tha Sorensen.

“Sapo t’i kem bërë këto biseda [me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë], mund të ulem dhe të vlerësoj se ku jemi. Por është shumë e qartë që procesi i dialogut mban në vete edhe një numër të madh të zhvillimeve të rëndësishme dhe duhet të merremi edhe me to”, shtoi Sorensen.

Më herët, Sorensen zhvilloi takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit, Osmani tha se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të trajtojë Kosovën në mënyrë “të barabartë” në dialogun e Brukselit.

Në një postim në Facebook, Osmani tha pas takimit se Kosova “është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit”

“Prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, tha Osmani.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Sorensen ende nuk e ka ndërmjetësuar ndonjë takim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por ka punuar kohëve të fundit për mënyrat për ta çuar përpara dialogun, duke takuar ndaras zyrtarë nga të dyja vendet.

Ai e mori detyrën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.

Në takimin e fundit në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçakut, më 17 dhjetor, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha muajin e kaluar se po dëgjonte kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo paralajmëroi se, së bashku me Sorensenin, po shqyrtonte mundësinë për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet ta formojë qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike midis protestash të mëdha të studentëve.

Kallas tha në shkurt se po priste derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.

Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.

Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.

Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.

“Referendumi” i Krimesë 11 vjet më parë, Erdogan mesazh të fortë Putinit: Nuk e njohim aneksimin e gadishullit, dënojmë agresionin rus

Në 11-vjetorin e “Referendumit të Krimesë”, Ministria e Jashtme turke deklaroi se nuk e njeh aneksimin e paligjshëm të gadishullit.

Turqi u shpreh se mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan theksoi se Ankaraja e ka dënuar vazhdimisht agresionin rus.

Po ashtu lideri turk u bëri thirrje të dyja palëve të negociojnë për t’i dhënë fund konfliktit. bw

 

 

 

Macron: Nuk i takon Rusisë të vendosë për paqeruajtësit në Ukrainë

Radio Evropa e Lirë

Stacionimi i forcave paqeruajtëse në Ukrainë, siç është propozuar nga Britania dhe Franca, në rast të arritjes së ndonjë armëpushimi me Rusinë, është çështje për të cilën duhet të vendosë Kievi dhe jo Moska, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron në një intervistë.

Macroni dhe kryeministri britanik, Keir Starmer i kanë rritur përpjekjet për të konsoliduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, teksa presidenti amerikan, Donald Trump çon përpara marrëveshjen për paqe me Rusinë.

Starmer ka mbajtur të shtunën një takim virtual me Macronin dhe me aleatë tjerë të Ukrainës.

“Ukraina është sovrane. Nëse bëhet fjalë që forcat aleate të jenë në territorin e saj, për këtë nuk duhet të vendosë Rusia”, ka thënë Macron në një intervistë të përbashkët për shumë media franceze, që është publikuar të shtunën vonë.

Rusia e ka hedhur poshtë idenë që ushtarë prej vendeve të NATO-s të stacionohen në Ukrainë.

Macroni ka thënë se çdo forcë paqeruajtëse do të përbëhet nga “mijëra trupa të secilit shtet”, të cilat do të stacionohen në lokacione të rëndësishme, dhe që ka shtete evropiane dhe përtej që janë të interesuara të marrin pjesë.

Por, sikurse aspekte tjera të armëpushimit potencial, pak dihet se si mund të formohet forca paqeruajtëse.

Britania dhe Franca kanë thënë se mund të dërgojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë, derisa kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se shteti i tij është i hapur për negociata.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë të enjten se mbështet në parim propozimin e Uashingtonit për armëpushim në Ukrainë, por që forcat e tij do të vazhdojnë të luftojnë derisa të plotësohen disa kushte.

Rusia dhe Ukraina i kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj njëra-tjetrës të dielën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

BE-ja nën presion, kërkohet qasje në arkivat serbe dhe nisjen e gërmimeve për të zhdukurit

Qasja në informata të klasifikuara në arkivat e policisë, ushtrisë dhe inteligjencës serbe, krahas nisjes së gërmimeve në Batajnicë dhe në Kozhle në territorin e Serbisë, janë kërkesa në të cilat këmbëngul kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Këto dhe çështje të tjera, Hoti tha se do t’i diskutojë në takim me Përfaqësuesin e Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, javën e ardhshme në Prishtinë.

Pasi theksoi se përfaqësuesit e kaluar të BE-së në procesin e dialogut “nuk e kishin në fokus dhe prioritet këtë temë aq sa nevojitet”, ai kërkoi që lehtësuesit e rinj të jenë më të prerë.

“Nëse z. Sorensen dhe znj. Kallas vërtetë do ta kenë vërtetë me rëndësi, me prioritet dhe do ta trajtojnë si çështje humane çështjen e personave të zhdukur. Kjo nënkupton që Serbia nuk mjaftohet me ledhatime, që Serbia nuk mjaftohet më me ato presionet e buta e gati hiç presione ndaj saj, tash e katër vjet, prej 2021 prej kur jemi në Bruksel. Por, Serbia duhet të kushtëzohet”, ka thënë Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel, nën kryesimin e BE-së, i paraparë të mbahej më 15 Janar, kishte dështuar si pasojë e bojkotit nga pala serbe – e cila, dy javë më vonë, bllokoi edhe nën-grupet punuese të ndërmjetësuara nga Kryqi i Kuq.

Derisa sipas Termave të Referencës në gjashtë muajt e parë parashihen takime të rregullta, çdo muaj, katër muaj nga dakordimi në Bruksel, emisari Sorensen synon caktimin e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët.

Referuar pengesave dhe zvarritjeve nga pala serbe, Hoti përmendi rëndësinë që BE-ja ta mbajë atë përgjegjëse.

“Në kuadër të Komisionit të Përbashkët, ajo (BE-ja) e ka për obligim të raportojë te 27 shtetet anëtare të BE-së. Po flas ndonjëherë me familjet – kjo prapë nuk do të thotë që kemi rezultat, sepse familjeve u intereson vetëm rezultati. Mirëpo kjo do të thotë që ne jemi një hap para, sepse 27 shtetet anëtare do ta kenë në tavolinën e tyre çështjen e personave të zhdukur të Kosovës dhe për mua besoj se është me rëndësi kjo çështje”, ka thënë Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Edhe zyra e zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislmi, thanë se kanë i kërkuar BE-se të rrisë e presionin ndaj Serbisë, lidhur me këtë temë.

Bashkimi Evropian i konfirmoi Dukagjinit se menjëherë pas vizitës në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm Sorensen do të ftojë në Bruksel takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur./Dukagjini/


Send this to a friend