VOAL

VOAL

Kryediplomati gjerman kërkon që Kosova të ketë një qeveri stabël

Radio Evropa e Lirë

Kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, kërkoi që Kosova sa më shpejt të ketë një Qeveri të aftë për të vepruar brenda dhe jashtë.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Jashtëm gjerman tha se një pritje e tillë pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit është e arsyeshme.

Sipas tij, për disa në rajon, Kosova konsiderohet simbol i demokracisë dhe shoqërisë së fortë civile.

“Në mënyrë që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet që sa më shpejt të ketë një qeveri të aftë për veprim si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muaj. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë edhe një qeveri stabile”, tha ai.

Thirrja e tij për një qeveri të re vjen vetëm një ditë para se të përfundojë afati kushtetues për Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit.

Konjufcës, që është mandatari i dytë për formimin e Qeverisë, i duhen 61 vota për të formuar Qeverinë e re. Udhëheqësi i partisë së tij, Albin Kurti, paraprakisht kishte dështuar që të siguronte këto vota në Kuvend.

Wadephul tha se Gjermania e mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por pohoi se ky proces së voni ka ngecur.

“Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë shumë shpejt përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, që i përmban të gjithë elementët relevantë për normalizim, duhet të zbatohet shpejt dhe në plotni. Këtë e presim nga të dyja palët dhe për këtë nevojitet më shumë angazhim nga Kosova dhe Serbia”, tha ai.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por pakti nuk është zbatuar ende.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

Sipas kryediplomatit evropian, në këtë drejtim, Kosovës i kërkohet që të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sa i përket dialogut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendi mbetet i përkushtuar në këtë proces.

“Përderisa Kosova mbetet nën masa të vetë BE-së, as dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të konsiderohet i balancuar, parimor apo i barabartë”, tha ajo.

Osmani kërkoi heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur Kosovës në verën e vitit 2023 për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, por edhe ndihmën e Gjermanisë për integrimin evropian të vendit.

Wadephul, që po zhvillon vizita në rajonin e Ballkanit Perëndimor, u zotua se Gjermania do ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane, teksa tha se zgjerimi i BE-së është “urgjencë gjeopolitike”.

“Ne të gjithë, qofshim anëtar të BE-së apo jo, duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë që destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Përpjekjeve për destabilizim iu përgjigjemi me një Evropë të bashkuar. Në këtë kuadër, zgjerimi i BE-së tani është një urgjencë gjeopolitike. Për këtë, për herë të parë prej shumë vitesh ka një perspektivë realiste”, tha ai.

Nga vendet e rajonit, vetëm Kosova ka ngecur në procesin e integrimit evropian, pasi është vendi i vetëm që nuk ka as statusin e vendit kandidat. Shteti ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

Macron dhe Zelensky nënshkruajnë në Paris kontratën për furnizimin e Ukrainës me rreth 100 avionë “Rafale”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron, nënshkruan sot në Paris (17 nwntor) një deklaratë qëllimi për blerjen e ardhshme të deri në 100 avionëve luftarakë Rafale nga Kievi, duke i hapur rrugën furnizimit të parë të avionëve francezë Forcave Ajrore të Ukrainës.

 

Sipas Parisit zyrtar, marrëveshja, e cila është caktuar për një periudhë prej rreth dhjetë vjetësh, parashikon perspektivën e kontratave të ardhshme për furnizimin me pajisje të reja mbrojtëse franceze. Këto përfshijnë “blerjen e rreth 100 Rafale, me sistemet e tyre përkatëse të armëve”, si dhe armë të tjera të tilla si sistemi anti-ajror SAMP/T i gjeneratës së re në zhvillim, radarë të përparuar dhe mjete ajrore pa pilot.

Nënshkrimi i deklaratës së qëllimit u zhvillua në një ceremoni në bazën ushtarake Villacoublay, në prani të dy udhëheqësve. Përmbajtja e plotë e marrëveshjes nuk u bë menjëherë publike, në pritje të një konference të përbashkët për shtyp që do të pasonte në Elize.

Megjithatë, burime qeveritare franceze konfirmojnë se kjo sinjalizon qëllimin e Kievit për të forcuar në mënyrë drastike fuqinë e saj ajrore duke futur avionë luftarakë francezë për herë të parë.

Plani i Ukrainës për të blerë deri në 100 avionë luftarakë Rafale është pjesë e strategjisë së saj për të rritur gradualisht flotën e saj luftarake në një total prej 250 avionësh, duke përfshirë avionë amerikanë F-16 dhe Gripen suedezë.

Miratimi i avionëve luftarakë francezë konsiderohet thelbësor për forcimin e aftësive operacionale të forcës ajrore ukrainase, veçanërisht në një kohë kërcënimesh në rritje për shkak të pushtimit të vazhdueshëm rus.

Angazhimi i Francës për mbështetje ushtarake afatgjatë për Ukrainën përfshin gjithashtu promovimin e sistemeve të përparuara kundërajrore, të tilla si SAMP/T i gjeneratës së re, i cili është në zhvillim e sipër, si dhe teknologjitë e mbikëqyrjes dhe zbulimit përmes sistemeve të radarëve dhe dronëve.

Pallati Elize vëren se ky bashkëpunim synon të forcojë mbrojtjen e Ukrainës dhe të sigurojë furnizime të qëndrueshme me pajisje mbrojtëse me kalimin e kohës.

Shqipëria nis kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në BE

Flamuj shqiptarë dhe të BE-së në Tiranë.

 

Radio Evropa e Lirë

Shqipëria hapi më 17 nëntor kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Grupkapitujt “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” u hapën gjatë konferencës së shtatë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e cila u mbajt në Bruksel.

“Vetëm pak kohë më parë, kjo ishte diçka që dukej e pamundur”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama, në konferencë me ministren e Jashtme daneze, Marie Bjerre, dhe komisionaren për zgjerim të BE-së, Marta Kos.

“Jam absolutisht i frymëzuar nga të gjithë këta muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit apo procesi i ribashkimit të Evropës po merr. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, me të njëjtën disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe, për të dhënë rezultate dhe për t’u siguruar që ky proces i përbashkët që po e ndërtojmë me partnerët tanë këtu në Bruksel dhe me partnerët tanë në shtetet anëtare, të mos ndalet”, tha Rama.

Komisionarja Kos, në anën tjetër, e vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria, e cila, sipas saj, solli hapjen e grupkapitujve të fundit.

“Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE. Suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteteve për zbatimin e reformave të rëndësishme”, tha ajo.

Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014, ndërsa negociatat për anëtarësim i nisi zyrtarisht në vitin 2022.

Konferenca e sotme shënoi përmbylljen e ciklit të hapjes së gjashtë grupkapitujve dhe pritet t’i hapë rrugë finalizimit të procesit teknik deri në vitin 2027.

Pas kësaj faze, Shqipëria do të kalojë në procesin politik të integrimit, i cili kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

BE-ja shpreh optimizëm se Shqipëria mund ta përfundojë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa Rama e ka bërë tashmë anëtarësimin në BE prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt.

Optimizëm ka edhe për rrugëtimin e Malit të Zi, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë më prapa.

Kosova është e vetmja prej tyre që nuk e ka ende as statusin e vendit kandidat.

Çelja e grupkapitullit të fundit, Marta Kos: Shqipëria, shembulli më i mirë i fuqisë transformuese! Jeni frymëzim në Ballkan

Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin, në konferencën për hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave me BE, u shpreh se ky është një gur kilometrik për Shqipërinë.


Gjatë fjalës së saj, ajo u shpreh se Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese dhe se është frymëzim në Ballkan.

Marta Kos: Sot tregon se BE mund të mbështetemi tek Shqipëria në të ardhmen.

Jam mirënjohëse presidencës daneze për ta bërë të mundur këtë gur kilometrik. Jemi të përkushtuar ta sjellin Shqipërinë në BE. Reformat e BE-së sjellin ndryshime në shoqërinë shqiptare duke e bërë europiane, Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese, jeni frymëzim në Ballkan.

Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real.

Hapi tjetër është që Shqipëria të përmbushë piketat, por ju keni mbështetjen e gjerë të vendeve kandidate. Punoni me opozitën dhe shoqërinë civile.

Jemi të përkushtuar, jam personalisht e përkushtuar. gsh

Wadephul paralajmëron Ballkanin: Sundimi i ligjit e lufta ndaj korrupsionit, të panegociueshme – Vizita në Rajon e kryediplomatit gjerman

Vizita në Rajon e kryediplomatit gjerman

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul u ka kërkuar shteteve të Ballkanit Perëndimor të zbatojnë reforma të mëtejshme, duke thënë se kjo është thelbësore për të çuar përpara përpjekjet e tyre afatgjata për anëtarësim në BE dhe për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë dhe Kinës për të ushtruar ndikim në rajon.

“Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave themelore janë të panegociueshme”, tha Wadephul të dielën përpara se të nisej për një udhëtim në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Ai tha se angazhimi ndaj vlerave të përbashkëta është një parakusht për anëtarësimin në BE.

Në vitin 2003, Bashkimi Evropian ra dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin të pranueshme për t’u bërë anëtare pasi të kishin përfunduar një numër reformash.

Sot, shtetet janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, me zhgënjim në rritje për shkak të procesit të gjatë, i cili për disa vende është zvarritur prej dekadash.

BE-ja ka frikë se kjo mund t’i shtyjë disa të kthehen drejt rivalëve politikë si Kina dhe Rusia.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë një pjesë integrale e familjes evropiane”, tha Wadephul, duke shtuar: “BE-ja nuk është një premtim i largët, por një perspektivë konkrete”.

Ai tha se Mali i Zi dhe Shqipëria në veçanti kanë bërë përparim të dukshëm, ndërsa vendet e tjera kanë ende shumë për të bërë.

Mali i Zi konsiderohet vendi më i përparuar në procesin e pranimit në BE, por ende nuk ka një datë në horizont për t’u bashkuar me bllokun.

BE-ja ka zhvilluar negociata pranimi me Malin e Zi dhe Serbinë që nga viti 2012 dhe 2014, përkatësisht.

Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut filluan në vitin 2022, ndërsa Bosnja-Hercegovina mban statusin e kandidatit, por ende nuk ka hyrë në negociata. Kosova është një vend kandidat potencial.

Shumë janë të gatshëm të zbatojnë reforma të gjera për një të ardhme në BE, tha ministri i jashtëm gjerman. “Sepse kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e kësaj bashkësie ligjore dhe zone ekonomike duhet të marrë përgjegjësi – edhe nëse kjo kërkon hapa të vështirë.”

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, në mënyrë që të forcojnë pavarësinë dhe sovranitetin e tyre.

“Ne në Gjermani e dimë sa e dhimbshme dhe në të njëjtën kohë e nevojshme mund të jetë kjo”, shtoi ai, duke kujtuar se si Gjermania u shkëput nga furnizimet me gaz rus pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska.

Turneu i Wadephul fillon të dielën në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë, ku ai planifikon të takohet me tre anëtarët e presidencës, të përbërë nga një përfaqësues nga grupet etnike boshnjake, serbe dhe kroate.

Ai është planifikuar gjithashtu të takohet me Christian Schmidt, Përfaqësuesin e Lartë të bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjën dhe Hercegovinën sipas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund një lufte civile trevjeçare në vitin 1995.

Të hënën, Wadephul do të udhëtojë për në Mal të Zi dhe Shqipëri, dhe më pas do të fluturojë për në Serbi në mbrëmje./ DPA News.

Kallas: Europa duhet të përgatitet për luftë, nëse duam paqe

“Nuk ka vendime”. Kjo është formula e përdorur në Bruksel për të përshkruar qëndrimin e zgjedhur të Evropës përballë ofensivës ruse në Ukrainë.

Një rrezik paralize që u materializua qartë të premten e kaluar pasdite në Berlin, gjatë samitit të “Grupit të Pesë” (ministrat e mbrojtjes të Italisë, Gjermanisë, Francës, Polonisë dhe Britanisë së Madhe).

Edhe midis pesë vendeve që e mbështesnin më shumë Kievin, nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm ndaj avancimit rus. Edhe në atë rast dolën disa divergjenca.

Italia, për shembull, nuk e fshehu njëfarë hezitimi, edhe për shkak të dyshimeve që kishin lindur brenda shumicës qeverisëse, dhe konkretisht brenda Lidhjes së Matteo Salvinit.

Komisioni Evropian pritet të formulojë një strategji ligjore në ditët në vijim për të shfrytëzuar në mënyrë të sigurt “pusin” e aseteve të Moskës të ngrira në Kontinentin e Vjetër. Dhe më pas vendimi do t’i lihet Këshillit Evropian në fund të dhjetorit.

Megjithatë, deri atëherë, BE-ja nuk duket e gatshme të bëjë asgjë tjetër. Sepse asnjë nga shtetet anëtare nuk e di me siguri nëse do të duhet të buxhetohen burime shtesë në vitin 2026 për të mbështetur Kievin. Në përgjigje të kërkesave të Volodymyr Zelensky -t për ndihmë , është Gjermania dhe Franca në veçanti që po përgjigjen vazhdimisht.

Nuk është rastësi që i vetmi mesazh konkret i dërguar nga “Grupi i Pesësheve” ka të bëjë me “bashkëpunimin e partnerëve euroatlantikë duke forcuar lidhjet midis industrive të tyre përkatëse të mbrojtjes dhe duke shkurtuar burokracinë e prokurimit”. Dhe pastaj angazhimin për t’u mbrojtur nga sulmet hibride të Moskës. Këto nuk mund të shihen si një “normalitet i ri”.

“E vërteta”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, në një videomesazh dje në maratonën e paqes të organizuar në Romë nga CISL (Sindikata Italiane e Punëtorëve), “është se nëse fillojmë të investojmë në mbrojtje kur kemi vërtet nevojë për të, është tashmë tepër vonë, dhe është ende tepër vonë sot. Nëse duam paqe, duhet të përgatitemi për luftë”.

Dhe “nëse nuk jemi të përgatitur, do të rrezikojmë çdo euro që shpenzojmë për shkolla, spitale dhe sektorin kulturor.”

Në të njëjtën kohë, NATO dhe BE po mbështeten në idenë se ofensiva ushtarake e Putinit mund të përfundojë në ditët në vijim. Dimri ka ngadalësuar vazhdimisht operacionet ruse dhe kjo duhet t’u japë furnizimeve evropiane kohë për të fituar vrull pas kësaj periudhe stanjacioni./bn

A është Gjermania “bordello” e Evropës? Analiza e DW: Si mund të përmirësohet situata me prostitucionin dhe çfarë është “Modeli Nordik”?

Prostitucioni i detyruar dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë në rritje në Gjermani. Politikanët, ekspertët dhe viktimat po diskutojnë se si mund të përmirësohet situata. “Modeli Nordik” është një temë me rëndësi.

 

A është Gjermania vërtet “bordello e Evropës”? Presidentja e Bundestagut gjerman, Julia Klöckner (CDU), ka rindezur një debat rreth mënyrës se si vendi duhet të merret me prostitucionin në të ardhmen me këtë etiketë.

Në një fjalim të martën, Klöckner kritikoi legjislacionin aktual në Gjermani. Sipas saj, prostitutat nuk janë të mbrojtura në mënyrë të mjaftueshme. “Jam e bindur fuqimisht se më në fund duhet ta ndalojmë prostitucionin dhe blerjen e seksit në këtë vend”, deklaroi Klöckner dhe menjëherë mori mbështetje nga kolegia e saj e partisë Nina Warken.

“Ashtu si vendet e tjera, Gjermania ka nevojë për një ndalim të zbatueshëm ligjërisht për blerjen e seksit”, tha Ministrja Federale e Shëndetësisë për Rheinische Post. “Prostitutat duhet të mbeten të pandëshkuara dhe të marrin mbështetje gjithëpërfshirëse për t’u larguar nga profesioni”.

Cila është situata aktuale ligjore në Gjermani?
Sipas ligjit aktual, prostitucioni është i ligjshëm në Gjermani. Me Aktin e Prostitucionit, i cili hyri në fuqi në vitin 2002, puna seksuale nuk konsiderohet më “imorale” siç ishte më parë, por më tepër një shërbim ligjor. Kjo u jep të përfshirëve një të drejtë ligjore për pagesën e dakorduar.

Në vitin 2017, u miratua edhe Akti për Mbrojtjen e Prostitucionit për të përmirësuar më tej situatën ligjore dhe sociale të punonjësve të seksit. Individët që punojnë në prostitucion duhet të regjistrojnë aktivitetin e tyre tek autoritetet. Bordello duhet të marrin një leje për të vepruar. Kjo jepet vetëm nëse përmbushen disa kërkesa minimale në lidhje me sigurinë, higjienën dhe mjediset.

Çfarë kritikash ekzistojnë për rregulloret aktuale?
Krimi nuk është frenuar nga legalizimi i prostitucionit. Përkundrazi, sipas “Raportit mbi Trafikimin e Qenieve Njerëzore”, të publikuar çdo vit nga Zyra Federale e Policisë Kriminale, trafikimi i qenieve njerëzore dhe prostitucioni i detyruar në veçanti janë rritur.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në Gjermani ka gjithsej 32.300 punonjës të regjistruar të seksit, nga të cilët vetëm 5.600 janë shtetas gjermanë (deri në fund të vitit 2024). Një në tre prostituta vjen nga Rumania (11.500) dhe 3.400 të tjera nga Bullgaria. Megjithatë, ekspertët supozojnë një numër shumë të lartë prostitutash të paregjistruara. Shumica e vlerësimeve variojnë midis 200.000 dhe 400.000, e disa burime flasin madje për një milion.

Gratë e huaja me aftësi të pamjaftueshme të gjuhës gjermane thuhet se përbëjnë shumicën dërmuese. Meqenëse ato dinë shumë pak për të drejtat e tyre, ato praktikisht nuk kanë qasje në shërbimet ekzistuese shëndetësore dhe mbështetëse. Shumica dërmuese e këtyre grave janë në prostitucion pa dashje – ose për shkak të varfërisë ose sepse detyrohen ta bëjnë këtë nga prostitutat.

Kritikët e legjislacionit aktual argumentojnë se legalizimi i prostitucionit në Gjermani ka shkaktuar shpërthimin e tregut të seksit, konkurrenca është rritur ndjeshëm dhe çmimet kanë rënë ndjeshëm. Kjo, pretendojnë ata, tërheq gjithnjë e më shumë klientë që janë të gatshëm të kryejnë abuzim seksual.

Çfarë është “Modeli Nordik” dhe ku zbatohet?
Në këtë sfond, Julia Klöckner dhe Nina Warken kanë mbështetur futjen e të ashtuquajturit “Model Nordik”. Megjithatë, debati nëse një rregullore e tillë është e arsyeshme apo jo ka vazhduar në Gjermani për vite me radhë.

“Modeli Nordik” është quajtur sepse u prezantua për herë të parë në Suedi në vitin 1999 dhe në Norvegji në vitin 2009. Më vonë, Islanda, Kanadaja, Franca, Irlanda dhe Izraeli, ndër të tjera, ndoqën shembullin. Modeli ndalon blerjen e shërbimeve seksuale të ndërmjetësuar dhe organizuar, por jo shitjen e tyre të drejtpërdrejtë. Kështu, ai kriminalizon klientët dhe tutorët, ndërsa prostitutat mbeten të pandëshkuara.

Në të njëjtën kohë, u ofron punonjësve të seksit mbështetje gjithëpërfshirëse dhe programe për dalje nga prostitucioni. Klientët përballen në raste të caktuara me gjoba. Në Suedi, në skenarin më të keq, madje edhe dënime me burg deri në një vit. Norvegjia gjithashtu ndjek penalisht qytetarët e saj për blerjen e shërbimeve seksuale jashtë vendit.

Cilat janë argumentet pro dhe kundër?
Kritikët e këtij modeli në përgjithësi e shohin prostitucionin (vullnetar) si një punë “normale”. Ata duan të forcojnë të drejtat e punonjësve të seksit në mënyrë që ata të mund ta bëjnë punën e tyre në mënyrë autonome. Ata besojnë se prostitucioni i detyruar mund të luftohet duke forcuar të drejtat e atyre që preken. Ata duan të destigmatizojnë punën seksuale dhe kanë frikë se kriminalizimi i blerjes së seksit do ta çonte prostitucionin më tej në zona të paligjshme, më pak të mbrojtura, siç është sfera digjitale.

Mbështetësit e modelit thonë se shumica e prostitucionit tashmë zhvillohet në fshehtësi dhe kështu në një lloj shoqërie paralele. Punonjësit e seksit nuk duhet të ndëshkohen më tej me ligj për detyrimin e tyre në punë seksuale.

Dekriminalizimi do të lehtësonte rarpotimin e klientëve në polici ose në sistemin e drejtësisë, sepse atëherë do të kishin një të drejtë të sanksionuar për mbrojtje dhe ndihmë. Nëse blerësit e seksit do të ishin të ndëshkueshëm, kjo do të çonte në një rënie të përgjithshme të prostitucionit.

Nuk është rastësi që në vendet që kanë zbatuar Modelin Nordik, si numri i prostitutave ashtu edhe i klientëve të tyre ka rënë ndjeshëm. Një studim i publikuar së fundmi nga Universiteti i Tübingen arrin në përfundimin se futja e modelit kontribuon në një ulje objektivisht të matshme të numrit të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, madje edhe në planin afatgjatë.

Vetëm ligji nuk mjafton
Megjithatë, vetëm futja e një ligji të tillë nuk mjafton për të përmirësuar situatën e prostitutave të detyruara, paralajmëron Shoqata Federale për Modelin Nordik.

Nevojiten fonde gjithëpërfshirëse për programet e daljes dhe një forcim i ndjeshëm i të drejtave të viktimave. Duhet të sigurohen fonde për mbështetje sociale holistike, duke u mundësuar të prekurve të përballojnë strehimin, kujdesin psikologjik dhe trajnimin profesional, argumenton Shoqata.

Financimi për parandalimin dhe edukimin, si dhe ndjekja e vazhdueshme penale e prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore, janë gjithashtu thelbësore për tkurrjen e tregut të prostitucionit në përgjithësi./DW

Komisioni Evropian shqyrton mënyrat për lëvizjen e pajisjeve ushtarake në rast lufte

Ushtarët duke i trajnuar trupat ukrainase në një bazë në Gjermani, si pjesë e misionit të EUMAM-it. 5 maj 2023.

 

Rikard Jozwiak

Evropa po i rrit shpenzimet e saj për mbrojtjen. Por një çështje është lënë kryesisht pas dore: mënyra e lëvizjes së pajisjeve ushtarake nga një vend në tjetrin sa më shpejt të jetë e mundur në rast lufte.

Një “Shengen ushtarak”, që do të nënkuptonte një zonë në të cilën armët dhe trupat mund të lëvizin rreth bllokut po aq lehtë sa mund të lëvizin zakonisht civilët brenda zonës Shengen pa pasaporta, është diskutuar ndër vite, por deri tani ka mbetur i parealizuar si nga BE-ja, ashtu edhe nga NATO-ja, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Më 19 nëntor, Komisioni Evropian do ta paraqesë përpjekjen e tij më të fundit për ta arritur këtë synim deri në fund të dekadës.

Një kopje e avancuar, e parë nga Radio Evropa e Lirë (REL), flet për dy mënyra për ta arritur këtë: së pari, investime të mëdha në qindra “pika ngushtimi” nëpër kontinent, si linja hekurudhore, porte dhe ura, duke përfshirë edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE, si Ukraina dhe Moldavia, të cilat dokumenti i cilëson thelbësore për t’i integruar në strukturat e transportit ushtarak të BE-së.

Dhe, së dyti, ulja e burokracisë, pasi legjislacionet e ndryshme kombëtare dhe procedurat burokratike besohet se e pengojnë çdo përpjekje për t’i lëvizur shpejt dhe lehtësisht pajisjet ushtarake nga një vend i BE-së në tjetrin.

Ideja e një “Shengeni ushtarak” është diskutuar në Bruksel prej kohësh. Qysh në vitin 2017 u bë një “fushë prioriteti” dhe plane veprimi mbi këtë temë u hartuan nga Komisioni në vitet 2018, 2022 dhe 2024. Por, përparimi ka qenë i vogël.

Diplomatët e BE-së, duke folur në kushte anonimiteti për REL-in, kanë theksuar se kjo temë zakonisht është afër të jenë në krye të agjendës kur diskutohet bashkëpunimi BE-NATO, por se asnjëra organizatë nuk e ka përqafuar plotësisht.

NATO-ja ka shpresuar për kohë të gjatë se Bashkimi Evropian do të kushtojë më shumë fuqi ligjvënëse dhe fonde për lëvizshmërinë ushtarake, sidomos tani kur 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së janë gjithashtu pjesë e aleancës ushtarake, dhe lufta në Ukrainë ka krijuar urgjencë më të madhe për të intensifikuar të gjitha çështjet e lidhura me mbrojtjen.

Njëkohësisht, në BE ka pasur pakënaqësi se NATO-ja është përqendruar shumë te shpenzimet për pajisje të shtrenjta ushtarake dhe shumë më pak në mënyrën se si t’i lëvizë ato ose t’i vërë në dispozicion të anëtarëve të tjerë të aleancës.

Qëllimi i ri i NATO-s për të arritur 3.5% të PBB-së në pajisje ushtarake deri në vitin 2035 dhe 1.5% shtesë në investime joushtarake, si lëvizshmëria ushtarake, e adreson disi këtë problem.

Por, ende mbetet në duart e vendeve individuale, siç e thekson dokumenti i Komisionit.

“Derisa Shtetet Anëtare mbeten të lira të vendosin nëse do të lejojnë forca të armatosura të huaja të kalojnë territorin e tyre si pjesë e sigurisë dhe mbrojtjes së tyre kombëtare, BE-ja duhet të ketë një kornizë për lëvizshmërisë ushtarake që baraspeshon nevojat ushtarake dhe civile”, thuhet në dokument.

Qëllimi i këtij Komisioni Evropian, mandati i të cilit përfundon më 2029, është të “krijojë një Zonë Lëvizshmërie Ushtarake në gjithë BE-në deri në fund të vitit 2027, si hap i parë drejt arritjes progresive të një ‘Shengeni Ushtarak’ në dimensionet rregullatore, infrastrukturore dhe të kapaciteteve”.

Pyetja është nëse këtë herë fondet do të jenë të mjaftueshme. Në buxhetin e fundit shumëvjeçar të BE-së (2021-2027), rreth 1.7 miliard euro u caktuan për infrastrukturë transporti me përdorim të dyfishtë civil/ushtarak, duke u fokusuar në 95 projekte në 21 vende.

Por, siç thekson dokumenti: “kërkesa për financim nga BE-ja tejkaloi ndjeshëm fondet e disponueshme dhe të gjitha thirrjet ishin të mbingarkuara”.

Për buxhetin e ardhshëm afatgjatë (2028–2034), Komisioni Evropian ka propozuar 17.65 miliardë euro për infrastrukturën e transportit me përdorim të dyfishtë, duke u fokusuar në 500 “projekte kritike”, ku transporti i pajisjeve ushtarake duhet të bëhet më i shpejtë dhe më i rrjedhshëm.

Por, pyetja është nëse kjo do të pranohet, pasi shtetet anëtare zakonisht e ulin propozimin fillestar të Komisionit dhe preferojnë të ridrejtojnë fondet e BE-së në “fitues votash” si bujqësia, peshkimi dhe shpenzime të tjera sociale.

Hekurudha është gjithashtu mënyra e transportit ku janë shpenzuar më shumë para për lëvizshmërinë ushtarake. Dhe, kjo pritet të vazhdojë. Më herët këtë vit BE-ja ra dakord për katër korridore të prioritetit të lartë për lëvizshmërinë ushtarake, veriore, jugore, lindore dhe qendrore.

Korridori verior, që lidh kryesisht Holandën me Gjermaninë e Poloninë dhe më tej me Ukrainën, është për arsye të qarta më i avancuari.

Dokumenti vë në pah një shtrirje hekurudhore 22 kilometra, që lidh Ukrainën Perëndimore me Sllovakinë dhe pjesën tjetër të Evropës Qendrore me gjerësinë standarde evropiane të shinave, e cila u hap në shtator 2025.

Gjithashtu, ai thekson se “punimet përgatitore janë në zhvillim për të vendosur gjerësinë standarde të shinave evropiane në Korridoret Evropiane të Transportit që lidhin Moldavinë dhe Ukrainën me Shtetet Anëtare të BE-së”.

Ideja është që e gjithë BE-ja, duke përfshirë vendet kandidate, të operojë me gjerësinë standarde të shinave në të ardhmen.

Komisioni Evropian dëshiron gjithashtu të investojë në elementë të tjerë që janë jetikë për lëvizjet ushtarake por që përshkruhen si “të pakët” në klub; avionë të mëdhenj transporti, tragete me përdorim të dyfishtë dhe veçanërisht vagonë për trena, në të cilët mund të transportohen pajisjet më të rënda ushtarake si raketat dhe tanket.

Megjithatë, në fund, ndryshimet më të mëdha që BE-ja mund t’i bëjë janë në legjislacion për të lehtësuar lëvizjen e trupave dhe pajisjeve.

Problemi paraqitet qartë në dokument: “Rregullat e BE-së nuk zbatohen për transportin ushtarak ose nuk zbatohen në mënyrë koherente, rregulloret kombëtare ndryshojnë dhe transporti ushtarak nuk merr prioritet të mjaftueshëm”.

Teksti vë në dukje se ndonjëherë duhen 45 ditë për të marrë leje për transport ushtarak për të kaluar nga një vend i BE-së në tjetrin. Synimi i vendosur nga Brukseli është tri ditë.

Në mënyrë të habitshme, rregullat e harmonizuara të BE-së për transportin e mallrave të rrezikshme nuk zbatohen për transportin ushtarak, që do të thotë se shpesh duhen marrëveshje ad hoc. Kjo pritet të ndryshojë.

Dhe, Komisioni Evropian synon të kërkojë më shumë. Lejet për të lëvizur pajisjet ushtarake mes shteteve anëtare nuk do të duhet të rinovohen më çdo vit. Ato do të mbeten të vlefshme derisa të tërhiqen.

Edhe vendet joanëtare të BE-së mund të jenë pjesë e këtij ndryshimi.

Propozime të tjera përfshijnë mundësinë për të përjashtuar transportin ushtarak nga disa rregulla civile, si ndalimet e trafikut gjatë festave dhe rregullat e kabotazhit në BE – legjislacion specifik që favorizon kompanitë kombëtare të transportit kundrejt atyre nga shtetet e tjera të BE-së.

Çelësi do të jetë një “Sistem Evropian i Reagimit të Përforcuar për Lëvizshmëri Ushtarake (EMERS)” i cili mund të aktivizohet brenda 48 orësh pas një propozimi nga Komisioni Evropian ose një shtet anëtar të BE-së.

Kur të aktivizohet, në rast të një emergjence të mundshme ushtarake, transporti ushtarak ndërkufitar do të kërkojë vetëm një njoftim me një afat të shkurtuar paraprak të lëvizjes ushtarake dhe shmangien e procedurave standarde, përveç formaliteteve doganore.

Të gjitha këto propozime do të duhet të miratohen mes shteteve anëtare të BE-së, shpesh duke kërkuar njëzëshmëri.

Duke pasur parasysh urgjencën në rritje që BE-ja ta forcojë fuqinë e saj ushtarake mes luftës në Ukrainë, kjo mund të jetë mundësia më e mirë për të arritur “Shengenin ushtarak”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Pas Italisë, edhe gjermanët flasin për narko-shtet; dokumentari që vë në lupë Edi Ramën dhe klanet e kokainës

Arte.TV ngre alarmin për kapjen e shtetit nga trafikantët…

Pas artikujve nga mediat italiane që e përshkruanin Shqipërinë si narko–shtet, ka ardhur një goditje edhe nga Gjermania.

Arte.TV publikoi një dokumentar të gjerë që sjell një panoramë të errët të trafikut të drogës në Evropë dhe vendos Shqipërinë në qendër të strukturave kriminale që furnizojnë tregun e kokainës. Autorët japin të dhëna që tregojnë se klanet shqiptare kanë krijuar një sistem të organizuar që nis nga Amerika Latine dhe përfundon në portet kryesore të Bashkimit Europian. Europol i rendit si një nga pesë grupet më të rrezikshme në qarkullimin e drogës.

Dokumentari paraqet shifra që konfirmojnë këtë ndikim. Kapjet e kokainës në Evropë arritën në 419 tonë gjatë vitit 2023. Klanet shqiptare shfaqen si lojtarë të pandashëm në tregun e Anversës, Roterdamit, Hamburgut dhe në bashkëpunim me rrjetet kriminale të Italisë dhe Spanjës. Rasti i 200 kg kokainë të kapura në Torino, të fshehura në dronë nënujore të drejtuar nga dy vëllezër shqiptarë, shërben si ilustrim i metodave të sofistikuara që shohin sot agjencitë e sigurisë. Europol shkatërroi edhe një rrjet që transportonte tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të BE-së. Në një nga dërgesat u provua se marrësi kryesor fitoi mbi 40 milionë dollarë. Autoritetet sekuestruan vila dhe një hotel dhe arrestuan dhjetë persona në Shqipëri dhe Belgjikë.

Arte.TV shkon më tej dhe fokusohet në lidhjet me politikën. Hetimet e gazetarit zviceran Antoine Harari ngrenë dyshime të forta se disa struktura qeveritare nuk kanë funksionuar si filtër kundër krimit të organizuar. Ai përmend kryeministrin Edi Rama si figurë që ndodhet në qendër të këtij rrjeti ndikimesh. Dokumentari sjell disa episode që kanë krijuar debatin publik në Shqipëri.

Hetimi i Hararit përfshin edhe dyshimet për përdorimin politik të reformës në drejtësi dhe SPAK. Ai thotë se qeveria mund ta ketë shfrytëzuar procesin për të larguar figura të padëshiruara brenda sistemit gjyqësor dhe brenda partisë. Rasti i ish zvëndëskryeministrit Arben Ahmetaj mbetet një shembull i debatit mbi pavarësinë e hetimit. Transparency International e rendit Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara në kontinent pavarësisht investimeve të BE në reforma.

Autorët vendosin këtë panoramë në raport me integrimin europian. Shqipëria shihet si një nga vendet kandidate më të avancuara. Komisioni Evropian e ka vlerësuar reformën në drejtësi. Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen e përmendi këtë progres gjatë vizitës së saj në Tiranë në tetor 2024. Kritikët në dokumentar argumentojnë se Brukseli mund të tolerojë probleme të brendshme për arsye gjeopolitike. Pozita e Shqipërisë në Adriatik dhe roli që vendi luan me NATO-n bëjnë që BE të preferojë stabilitet politik. Vendimi i Shqipërisë për të hapur dy qendra për procesimin e emigrantëve të ndaluar nga Italia shihet si pjesë e këtij bashkëpunimi. Qendrat sot qëndrojnë bosh.

Në dokumentar paraqitet edhe eksperimenti i qeverisë me inteligjencën artificiale për administrimin e prokurimeve publike. Ministrja virtuale Diella ka për detyrë të monitorojë tenderimet. Qeveria e prezanton si zgjidhje për korrupsionin. Autorët pyesin se kush e kontrollon këtë mekanizëm dhe si mund të garantojë pavarësi në një mjedis institucional me dyshime të shumta.

Arte.TV sjell një pasqyrë që bie ndesh me narrativën zyrtare të Tiranës. Dokumentari e lidh rritjen e trafikut të kokainës me varfërinë e lartë, papunësinë e të rinjve dhe mungesën e kontrollit institucional. Analistët e cituar në film thonë se paratë e drogës hyjnë në ekonomi me tolerancë politike. Ata e përshkruajnë këtë si një pakt që sjell investime artificiale. Për ta, klanet shqiptare kanë krijuar një model ekonomik që shtrembëron tregun.

Dokumentari

Kokainë, kanabis, heroinë. Mafia shqiptare kontrollon një pjesë të madhe të trafikut të drogës në Evropë, dhe nuk heziton të përdorë dhunën, duke zgjeruar rrjetin e saj të ndikimit përtej kufijve të vet dhe madje deri në rajone aq të largëta sa Amerika Latine, por edhe deri në zemër të vetë shtetit.

Evropa është e politikanëve, dhe trafikantët e drogës, për më tepër, janë një pjesë e tyre.

Shqipëria sot është vendi më i favorizuar për t’u anëtarësuar në BE, dhe Brukseli e paraqet si shembull reformash dhe stabiliteti. Por a është ajo një kandidate model, apo “Kali i Trojës” i narkotrafikantëve në Evropë?

Për shumëkënd, Shqipëria duket një vend i largët dhe pothuaj i panjohur. Ndodhet në Ballkanin Perëndimor dhe ka pak më pak se tre milionë banorë. Këtu, menjëherë mbi Greqinë dhe shumë afër brigjeve italiane.

Në paketën më të fundit të zgjerimit, Komisioni Evropian e vlerësoi Shqipërinë si një nga vendet kandidate më të avancuara dhe më të përgatitura për anëtarësim të ardhshëm në BE. Vendi i 28-të? Kush e di.

Megjithatë, ndërsa procesi ecën përpara, shfaqet edhe një rrezik në rritje. Sipas Europolit, mafia shqiptare është ndër pesë rrjetet më të rrezikshme të trafikut të kokainës në kontinent, arsye për të cilën disa tashmë e quajnë “Kolumbia e Evropës”.

Në dekadën e fundit, sasia e kokainës së kapur në bllok është shumëfishuar me pesë, dhe në vitin 2023 u arrit një rekord i ri për të shtatin vit radhazi: 419 tonë. Dhuna e lidhur me narkotrafikun vazhdon të rritet. Një pjesë e madhe e këtyre prurjeve varet nga bandat shqiptare që kanë fituar gjithmonë e më shumë pushtet dhe ndikim.

Ky është Dritan Rexhepi, i njohur si Gramoz, kapo shqiptar ndër më të fuqishmit në trafikun botëror të kokainës, i shoqëruar nga policia në aeroportin e Stambollit. U arrestua në Turqi pasi u përpoq të hynte në vend me pasaportë kolumbiane dhe u ekstradua në Shqipëri në janar, në pritje të gjykimit.

45-vjeçar, konsiderohet ‘mbreti i kokainës’ dhe rivalizon me kartelet meksikane. Serialet për narkotrafikun nuk janë asgjë përballë realitetit. Sipas SPAK, 16 grupe kriminale operojnë brenda vendit.

Por ndikimi i tyre nuk mbaron këtu. Kjo mafie vendase kontrollon tregun më të madh të kokainës në Evropë, me prani në Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në Spanjë dhe Itali, autoritetet konfirmojnë rritjen e tyre, me kapje gjithmonë e më të mëdha dhe metoda gjithnjë e më të sofistikuara. Në maj 2024, policia e Torinos kapi 200 kg drogë të fshehura në dronë nënujore. Operacioni drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë që vepronin në disa vende evropiane.

Këtë verë, Europol shpërbëri edhe një rrjet të gjerë shqiptar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Krimet e hetuara përfshijnë transportime me shumë tonë kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së. Është provuar se vetëm në një nga këto dërgesa, marrësi kryesor mori mbi 40 milionë dollarë. Dhjetë anëtarë kyç u arrestuan në Shqipëri dhe Belgjikë, dhe u sekuestruan disa pasuri, përfshirë një hotel e disa vila.

Por pse Belgjika? Sepse aty ndodhet qyteti port i Anversës, pika strategjike e hyrjes së kokainës në Evropë, sot nën kontrollin e mafies shqiptare. Dhe jo vetëm kaq: ata operojnë drejtpërdrejt edhe nga disa prej vendeve kryesore të prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, si Kolumbia dhe Ekuadori.

Pikërisht gazetari zviceran i investigimit Antoine Harari ka përqendruar punën e tij në analizimin e fuqisë së mafies shqiptare. Hetimi i tij, i publikuar në platformën e pavarur “Follow the Money” dhe në median franceze “Blast” zbulon diçka tronditëse.

Bandat e drogës në Shqipëri jo vetëm që lëvizin shuma të mëdha parash, por kanë shtrirë ndikimin e tyre deri në nivelet më të larta të shtetit, duke prekur qeverinë dhe sistemin gjyqësor. Në krye të këtij ndikimi ndodhet socialisti Edi Rama, i rizgjedhur për herë të katërt si kryeministër.

Mandati i tij ngre dyshime; opozita dhe disa vëzhgues ndërkombëtarë vënë në pikëpyetje transparencën e zgjedhjeve. Dhe më shqetësuese akoma: Rama dyshohet se të paktën mbyll sytë ndaj aktivitetit kriminal të klaneve. Rreth tij skandalet janë shtuar: vëllai i tij është implikuar në një çështje narkotrafiku, kryetari i Bashkisë Tiranë arrestuar për pastrim parash, dhe disa njerëz të afërt të tij lidhen me vetë kartelin Sinaloa.

4 tetor 2020, zyra e kryeministrit Edi Rama. Aty e viziton një biznesmen i njohur shqiptar, Luftar Hysa, magnat i lojërave të fatit, i akuzuar për pastrim parash dhe me lidhje të dyshuara me kartelin Sinaloa. Nuk dihet saktësisht se për çfarë folën, por vetëm dy muaj më vonë, Hysa merr dritën jeshile për të hapur dy kazino të reja, një në Tiranë dhe një në Vlorë, e konsideruar kryeqyteti tjetër i pastrimit të parave.

Në fillim, Rama e mohon se e njeh, por më vonë pranon se takimi është zhvilluar.

“Kokaina është plani Marshall i Shqipërisë”, thotë një prej kritikëve. “Është një lloj pakti që Edi Rama ka bërë, një pakt me djallin, që i lejon, megjithëse ekonomia është në recesion, të ketë rritje dhe investime, sepse janë këto para që fryjnë tregun”.

Shqipëria është një nga vendet më të goditura të Evropës për shumë arsye. Një në pesë banorë jeton nën pragun e varfërisë, që do të thotë të mbijetosh me rreth 220 euro në muaj. Shto këtu papunësinë e lartë të të rinjve dhe situatën që i shtyn familjet të varen nga klanet e drogës. Dhe mbi të gjitha, me bekimin e njerëzve më të fuqishëm, të cilët duket se e mbrojnë gjithnjë e më shumë këtë ekonomi të nëndheshme.

Një tjetër incident, këtë herë në vitin 2013. Polici Dritan Zagani ndalon një automjet që transportonte drogë. Por ka një detaj shumë domethënës: makina i përkiste Saimir Tahirit, atëherë ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Në timon, kushëriri i tij, një trafikant droge i dënuar në Itali.

Ironia e fatit: në burg nuk përfundon ministri, por polici. Vite më vonë, në 2022, pas hetimeve të reja në Itali, vetë ish-ministri dënohet me 3 vite e gjysmë burg. Kryen vetëm një vit dhe lirohet me kusht. Ndërkohë, Zagani arratiset në Zvicër dhe kërkon azil. Për të, situata është pa logjikë.

Zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin, të lidhur me mafien. Zyrtarisht qeveria shqiptare është e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, një kusht kyç për anëtarësimin në BE. Rama u ka premtuar qytetarëve se vendi mund të bëhet anëtar i plotë deri në vitin 2030.

Rama di si të bëjë efekt mediatik kur i nevojitet. Shembulli më i fundit: ministrja e re e prokurimeve publike. A e vutë re? Ajo është në fakt një inteligjencë artificiale. Diella, e cila ka për detyrë të menaxhojë tenderët publikë dhe të garantojë procese 100% të pakorruptuara. Një eksperiment që ndoshta edhe funksionon. Por pyetja është: kush e kontrollon atë?

Në dukje, Brukseli është më se i bindur. Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë po ecin për mrekulli. Ose mos vallë fshihen arsye të tjera pas këtij entuziazmi?

Sepse Evropës i leverdis të ketë marrëdhënie të mira me këtë vend të vogël ballkanik. Për shumë kritikë brenda dhe jashtë vendit, Brukseli po mbyll sytë ndaj një “narko-shteti” të mundshëm për arsye gjeopolitike: pozita strategjike e Shqipërisë në Adriatik dhe bashkëpunimi i saj gjithnjë e më i madh me NATO-n.

Kandidate zyrtare që prej vitit 2014, Shqipëria nisi negociatat në 2022, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht se priste integrimin që prej 2009-s, sot Tirana dhe kryeministri Rama duket se gëzojnë favorizim. BE-ja e ka mbajtur këtë qasje, si gjatë vizitës së Ursula von der Leyen në Tiranë në tetor 2024, ashtu edhe në raportin më të fundit të zgjerimit.

9 nga 10 shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE. Rama madje u gjunjëzua para kryeministres italiane Giorgia Meloni gjatë vizitës së saj në maj, një gjest për të fituar simpatinë e evropianëve.

Homologia e tij italiane është gjithashtu e impresionuar: një vit më parë, Tirana pranoi të hapte dy qendra për përpunimin e emigrantëve të parregullt të ndaluar në ujërat italiane. Qendra që ende janë bosh, por disa liderë evropianë kanë shprehur interes ta kopjojnë modelin. Shqipëria zë një pozicion strategjik në Mesdhe për filtrimin e flukseve migratore.

Ndërkohë, në mars 2024, vendi rihapi një nga bazat e tij ajrore për forcat e NATO-s, duke shtuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë në kohë lufte në Ukrainë, për të balancuar ndikimin rus. Është logjike: Brukseli do ta mbajë Shqipërinë në orbitën e vet, sesa ta lërë të rrëshqasë drejt Rusisë, siç ka ndodhur në disa vende të tjera të Ballkanit.

Komisioni Evropian ka theksuar shpesh mangësitë në luftën kundër korrupsionit, por gjithashtu thekson reformat e ndërmarra, përfshirë reformën në drejtësi që u nis në 2016 nën presionin e BE-së dhe SHBA-së.

Por ky proces nuk është pa polemika, ashtu siç nuk është pa polemika as vetë SPAK-u. Sipas hulumtimeve të gazetarit Antoine Harari, qeveria mund ta ketë përdorur atë për të larguar gjyqtarë dhe politikanë të padëshiruar, madje edhe brenda partisë së vet.

Në fakt, ekziston një lloj censure, ose autocensure, për të mos shkuar shumë thellë në disa dosje. Një shembull tipik: ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i ndjekur penalisht për korrupsion. Por deri tani, çështja e ngritur ndaj tij nuk duket bindëse.

Sipas Transparency International, Shqipëria mbetet një nga vendet më të korruptuara të Evropës, megjithëse ka vite që punon për t’u integruar në BE, dhe Brukseli ka dhënë miliona euro për reforma strukturore. Kritikët paralajmërojnë: nëse Shqipëria anëtarësohet plotësisht, do të vijnë edhe më shumë fonde. Çfarë garancie ka BE-ja se këto para nuk do të përfundojnë në duart e mafies?

E vetmja që nuk do të shohë asgjë nga këto para është ministrja e krijuar me inteligjencë artificiale.

Meloni konferencë të përbashkët me Ramën: Ndajmë të njëjtin vizion në arenën ndërkombëtare, Shqipëria sillet si një vend i BE-së

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka vlerësuar marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, duke theksuar se dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët edhe në arenën ndërkombëtare. Sipas saj, Shqipëria po tregohet si një partner i besueshëm dhe po vepron tashmë “si një vend i Bashkimit Evropian”.

Meloni njoftoi se pas pak ditësh pritet të hapet kapitulli i fundit teknik për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke e cilësuar këtë si një hap vendimtar në procesin e integrimit.

 

“Do të ishte e rëndësishme që negociatat të përfundonin gjatë periudhës kur Italia do të mbajë kryesinë e Bashkimit Evropian, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026,” – u shpreh Meloni.

Ajo shtoi se për Italinë, procesi i zgjerimit të BE-së duhet parë jo si një shtim i vendeve anëtare, por si një ribashkim i Evropës. “Shqipëria është një vend evropian. Detyra jonë është të ndjekim këtë proces me seriozitet dhe me ritëm sa më të shpejtë,” – përfundoi Meloni. bw

EUROPOL-i arreston pjesëmarrës në komplotin për rrëmbimin e një trafikanti shqiptar të drogës

Radio Evropa e Lirë

Agjencia Evropiane e Policisë [EUROPOL] ka bërë të ditur se më 12 nëntor ka ofruar ndihmë në një hetim të kryer nga gjermanët, lidhur me një grup mercenarësh, të angazhuar nga një rrjet kriminal, me qëllim të kidnapimit të kreut të një bande rivale shqiptare për trafikim droge.

Kreu i kësaj bande shqiptare – emri i të cilit nuk është bërë i ditur – dyshohet se e ka orkestruar vjedhjen e disa tonëve të kanabisit, në vlerë të miliona eurove.

Aksioni i koordinuar është fokusuar në shtetas të Letonisë, disa prej të cilëve ishin me prapavijë në Legjionin e Huaj Francez.

EUROPOL-i ka thënë se në operacion janë përfshirë autoritetet për zbatim të ligjit prej Danimarkës, Francës, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Këta individë shumë të trajnuar kanë qenë të pajisur me pajisje profesionale dhe kanë qenë aktivë në emër të grupit të krimit të organizuar”.

Në ditën e operacionit policor janë arrestuar katër individë në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretëri të Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, që janë arrestuar në tetor të vitit 2014 në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykatat.

Mercenarë me pagesë

EURPOL-i ka thënë në njoftim se ky operacion është i lidhur me fenomenin e ashtuquajtur “Dhuna si shërbim”, që do të thotë se kryesit e krimit ofrohen për t’i kryer aktet e dhunshme në emër të rrjeteve tjera kriminale.

Për organizatën evropiane, ky është një trend shqetësues, i cili është edhe rezultat i luftës në Ukrainë.

“Ukrainasit e trajnuar nga forcat amerikane, legjionarët dhe mercenarët rusë, të gjithë ish-ushtarë të zonave të luftës, po kthehen nga fronti dhe po i shfrytëzojnë aftësitë e tyre për krim të organizuar. Teksa lufta në Ukrainë vazhdon dhe potencialisht intensifikohet, Evropa mund të përballet me numër në rritje të këtyre individëve të përfshirë në aktivitete kriminale”.

Prandaj, EUROPOL-i ka bërë thirrje që të vëzhgohen këto veprimtari dhe të bëhen përgatitje për sfidat që mund t’i sjellin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Macron paralajmëron se çdo aneksim i planifikuar i Bregut Perëndimor është një ‘vijë e kuqe’

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të martën se çdo plan izraelit për aneksim në Bregun Perëndimor do të ishte një “vijë e kuqe” dhe do të provokonte një reagim evropian.

Ai foli ndërsa presidenti palestinez Mahmoud Abbas vizitoi Parisin një muaj pas fillimit të një armëpushimi të brishtë midis Hamasit dhe Izraelit, pas dy vitesh lufte të shkaktuar nga sulmi i grupit militant më 7 tetor 2023 kundër Izraelit.

Abbas, 89 vjeç, është kreu prej kohësh i Autoritetit Palestinez, i cili ushtron kontroll të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe po konsiderohet të marrë qeverisjen në Gaza sipas marrëveshjes.

Macron, vendi i të cilit në shtator njohu një shtet palestinez, paralajmëroi kundër çdo plani izraelit për aneksim në Bregun Perëndimor pas një rritjeje të dhunës në territorin palestinez.

“Planet për aneksim të pjesshëm ose të plotë, qoftë ligjor apo de facto, përbëjnë një vijë të kuqe ndaj së cilës ne do t’i përgjigjemi fuqishëm me partnerët tanë evropianë”, tha Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me Abbasin.

“Dhuna e kolonëve dhe përshpejtimi i projekteve të vendbanimeve po arrijnë nivele të reja, duke kërcënuar stabilitetin e Bregut Perëndimor dhe përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, tha presidenti francez.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur ndjeshëm që kur shpërtheu lufta në Gaza në tetor 2023.

Të paktën 1,002 palestinezë, përfshirë militantë, janë vrarë në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite ose kolonët që nga fillimi i luftës në Gaza, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë.

Gjatë së njëjtës periudhë, 43 izraelitë, përfshirë ushtarë, janë vrarë në sulmet palestineze në Bregun Perëndimor, sipas shifrave zyrtare izraelite.

Pas takimit të tyre për të diskutuar hapat e mëtejshëm pas armëpushimit në Gaza, Macron dhe Abbas njoftuan krijimin e një komiteti të përbashkët “për konsolidimin e shtetit të Palestinës”, tha udhëheqësi francez.

Ky komitet “do të kontribuojë në hartimin e një kushtetute të re, një draft të së cilës Presidenti Abbas ma paraqiti”.

Abbas ripërtëriu angazhimin e tij për “reforma”, duke përfshirë “mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare pas përfundimit të luftës”.

“Ne jemi afër përfundimit të një drafti të kushtetutës së përkohshme të shtetit të Palestinës dhe ligjeve mbi zgjedhjet dhe partitë politike”, shtoi ai.

Sipas planit të paqes prej 20 pikash të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, një forcë ndërkombëtare sigurie e përbërë nga aleatë arabë dhe myslimanë do të stabilizonte Gazën ndërsa trupat izraelite tërhiqeshin, ndërsa një autoritet kalimtar do të merrte përsipër administrimin e territorit nga Hamasi derisa Autoriteti Palestinez të kryente reforma.

Trump tha javën e kaluar se priste që një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi e ngarkuar me monitorimin e armëpushimit të ishte në Gaza “shumë shpejt”.

Armëpushimi i muajit të kaluar është vënë në provë nga sulme të reja izraelite dhe pretendime për sulme palestineze ndaj ushtarëve izraelitë.

Sulmi i Hamasit në tetor 2023 rezultoi në vdekjen e 1,221 personave në anën izraelite, kryesisht civilë, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

Fushata hakmarrëse e ushtrisë izraelite që atëherë ka vrarë më shumë se 69,000 palestinezë, kryesisht civilë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës, shifrat e së cilës konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.

Apeloi vendimin, Gjykata e Parisit liron me kusht ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy

Gjykata e Francës ka pranuar ankimin e ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, duke e lënë atë të lirë me kusht.

Lirimi me kusht i Nicolas Sarkozy-t, i cili ndodhet në burg prej rreth një muaji, u propozua nga prokurori në Gjykatën e Apelit të Parisit.

Ai do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së rreptë gjyqësore dhe do t’i ndalohet dalja nga Franca.

Ish-presidenti i Francës u dënua në rastin e financimit të fushatës së tij presidenciale nga regjimi i Gadafit në Libi në vitin 2007.

Vetë ish-presidenti deklaroi sot gjatë shqyrtimit të kërkesës së tij nga gjykata e apelit se qëndrimi i tij në burg është “shumë i ashpër”, “dobësues”, “një makth”.

Kujtojmë se dënimi i tij me burgim pesëvjeçar nisi më 21 tetor, pasi u shpall fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Hera e fundit që i ka ndodhur diçka e ngjashme Francës ka qenë viti 1945, kur ishte burgosur lideri kolaboracionist nazist Philippe Petain me akuzat për tradhti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sarkozy, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, qëndroi në burgun La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.

Sarkozy është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të. Panorama

Forcat speciale ukrainase sulmuan një depo ruse të naftës në Krime me dron

Forcat Speciale të Ukrainës njoftuan sot (10 nëntor) se kanë sulmuar një depot të naftës ruse pranë fshatit Gvardeyskoye në Krimenë e okupuar vonë mbrëmjen e 9 nëntorit, raporton kanali rus Telegram ASTRA.


“Depoja e naftës në Gvardeyskoye është një element i rëndësishëm i sistemit të furnizimit me karburant të autoriteteve të okupimit në Krime. Ajo është e domosdoshme për furnizimin e bazave ushtarake dhe rrjetit të transportit të ushtrisë armike,” thuhet në njoftimin e forcave speciale ukrainase në Telegram.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se mbrojtja ajrore rrëzoi 10 dronë ukrainas mbi Gadishullin, ndërsa ushtria ukrainase nuk ka komentuar ende mbi sulmin e pretenduar.

Depoja e naftës ka qenë objektiv i sulmeve ukrainase në muajt e fundit. Më 17 tetor, Forcat Speciale të Ukrainës konfirmuan se dronët e tyre kishin shkaktuar dëme në depot e naftës dhe në një fabrikë në Gvardeyskoye, duke publikuar edhe një video që pretendonte të tregonte sulmin nga këndvështrimi i dronit.

Depoja ndodhet pranë bazës ajrore të Gvardeyskoye, e cila përdoret si bazë nisjeje për disa aeroplanë rusë të përdorur në sulmet ndaj Ukrainës.

Ukraina kryen rregullisht sulme të thella ndaj objekteve ushtarake dhe industriale në Rusi, duke përdorur kryesisht dronë të zhvilluar brenda vendit.

Prodhimi i naftës dhe gazit në Rusi vazhdon të goditet, pasi Kievi synon të paralizojë burimin kryesor të financimit të Moskës për luftën në Ukrainë. gsh

Polonia do t’i stërvitë ushtarakisht rreth 400.000 trupa më 2026

Një ushtar polak gjatë stërvitjeve të ushtrisë. (Fotografi ilustruese nga arkivi).

 

Radio Evropa e Lirë

Polonia do ta fillojë këtë muaj zbatimin e një programi të ri për stërvitje ushtarake, si pjesë e një plani më të gjerë për t’i stërvitur rreth 400.000 njerëz në vitin 2026, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes.

E nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Polonia tani shpenzon për mbrojtjen më shumë nga prodhimi i brendshëm bruto (PBB) se çdo anëtar tjetër i NATO-s.

Ajo tani ka ushtrinë e tretë më të madhe në aleancë, me një personel prej 216,000 vetash, dhe synon ta rrisë edhe më shumë ushtrinë në dekadën e ardhshme.

Programi “Në Gatishmëri” do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët, nga nxënësit e shkollave, tek të rriturit e punësuar, kompanitë dhe të moshuarit.

Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e ka cilësuar këtë program si “stërvitja më e madhe mbrojtëse në historinë polake”.

Programi do të ofrojë kurs bazik për sigurinë, stërvitje për mbijetesë, udhëzime mjekësore dhe mësime për higjienën kibernetike.

“Vetëm në nëntor dhe dhjetor (…) ne do të trajnojmë rreth 20.000 njerëz në trajnim individual, por numri i përgjithshëm…, për të gjitha format e trajnimit, është rreth 100.000 njerëz”, tha në një konferencë zëvendësministri i mbrojtjes, Cezary Tomczyk.

Ministria synon t’i stërvitë vitin e ardhshëm afërsisht 400.000 njerëz “individualisht, në grupe, si pjesë e programit ‘Edukimi me Ushtrinë’, në trajnimin e rezervës dhe në shërbimin ushtarak të detyrueshëm dhe vullnetar”, shtoi Tomczyk.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Polonisë, Wieslaw Kukula, tha se programi ka dy synime kryesore; të forcojë qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe komuniteteve, dhe të rrisë disponueshmërinë, gatishmërinë dhe kapacitetin e rezervave.

Programi u bë i ditur për herë të parë nga kryeministri Donald Tusk në mars për të “ndërtuar një ushtri rezervistësh” mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Picula: Qëndrimi i KE-së ndaj autoriteteve në Serbi ka qenë padrejtësisht i butë

Radio Evropa e Lirë

Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur flet për Serbinë”.

Picula tha për televizionin N1 se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.

“Për një kohë të gjatë, qëndrimi i Bashkimit Evropian – në fakt, para së gjithash i Komisionit Evropian – ndaj Beogradit të Vuçiqit ka qenë padrejtësisht i butë. Brukseli për vite me radhë ka injoruar shenjat gjithnjë e më të qarta të forcimit të autokracisë në Serbi dhe dukuritë që lidhen me të, si korrupsioni, dobësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës dhe braktisja e vlerave themelore mbi të cilat mbështetet rendi evropian”, tha Picula.

Ai shtoi se Vuçiq për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.

“Unë pres që nesër, të martën, gjatë publikimit të raportit të përbashkët të Komisionit Evropian për gjendjen në vendet kandidate, këtë herë ai të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur të flasë për Serbinë, gjë që nuk ka ndodhur vitet e kaluara”, tha Picula.

Komisioni Evropian në raportin e tij për përparimin e Serbisë ka theksuar se vendi vazhdon të mbetet prapa sa i përket përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, pasi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Po ashtu, është vënë në pah polarizimi gjithnjë e më i madh në Serbi, si pasojë e valës së protestave masive që po zgjasin që një vit.

Parlamenti Evropian në tetor miratoi një rezolutë mbi polarizimin dhe represionin në Serbi, me të cilën mbështetet e drejta e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësore dhe dënohet ashpër vala e dhunës nën patronazhin e shtetit, aktet e frikësimit dhe arrestimet arbitrare.

Në rezolutën “Për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, vlerësohet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, tha për televizionin N1 se “reagimi po bëhet gjithnjë e më shumë përmes represionit, dhunës ndaj të gjithëve që shprehin mendimin e tyre në rrugë, por jo vetëm në rrugë.”

“Mua më duket se kjo është një nga fazat e këtij revolte qytetare, dhe çdo vonesë në gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë krizë – për këtë gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur në Serbi – mund ta çojë gjithë vendin në rrezik më të madh nga ndonjë përplasje serioze, që thjesht mund të përfundojë me ndonjë tragjedi”, tha Picula.

“Para disa muajsh kam thënë se më shumë se gjithçka i frikësohem viktimës së 17-të, pra, përveç 16 personave që humbën jetën nga shembja e strehës prej betoni, nëse ndodh ndonjë rast tragjik edhe gjatë vetë protestave, atëherë situata do të bëhet vërtet jashtëzakonisht serioze”, shtoi ai.

Në lidhje me kërkesat e studentëve që po mbajnë bllokadën, që pushteti të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Picula tha se nuk ka arsye të besohet se zgjedhjet e mbajtura në këto rrethana do të ishin të lira dhe të ndershme, pasi autoritetet në Serbi nuk kanë përmbushur “thuajse asnjë” nga 25 rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Sepse në Serbi, në këtë moment, ekziston ende një dominim i plotë i partisë në pushtet, përkatësisht i një njeriu, të cilit me siguri nuk i intereson të përmbushë atë që pritet prej tij, para së gjithash nga qytetarët e Serbisë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit Serbia deklarohet se dëshiron të jetë”, u shpreh Picula.

Një ditë më parë, Vuçiq deklaroi se zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen para afatit, por nuk specifikoi se kur.

EUROPOL: U shkatërrua rrjeti i mercenarëve rusë, në mesin e tyre edhe shtetas të Bosnjës

Radio Evropa e Lirë

Më shumë se 650 anëtarë të formacioneve paraushtarake ruse Wagner dhe Redut, të përfshirë në operacionet luftarake në Ukrainë – përfshirë edhe shtetas të Bosnjë e Hercegovinës – janë zbuluar në një aksion të EUROPOL-it, tha kjo agjenci evropiane për bashkëpunim në sundim të ligjit më 31 tetor.

Kjo fazë e hetimit, e zhvilluar në bashkëpunim midis EUROPOL-it, Moldavisë dhe Ukrainës, përfshiu edhe kërkimin e provave për krime lufte, nga ekzekutimet e civilëve deri te dhuna seksuale.

Në hetimin e udhëhequr nga ekipi i EUROPOL-it për krime ndërkombëtare, janë identifikuar 654 anëtarë të grupeve private ushtarake ruse Wagner dhe Redut që kanë marrë pjesë në operacione luftarake kundër Ukrainës, bëri të ditur EUROPOL-i.

Sipas njoftimit, në mesin e të dyshuarve ka shtetas të Ukrainës, Moldavisë, Kazakistanit, Uzbekistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Azerbajxhanit, Armenisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Gjatë aksionit, i cili u zhvillua më 29 tetor, policitë kryen 70 bastisje në objekte në Moldavi dhe Ukrainë dhe konfiskuan armë, municion, uniforme ushtarake, simbole të Wagner-it dhe pajisje elektronike.

Gjatë operacionit u mblodhën edhe video-incizime e fotografi që tregojnë pjesëmarrjen e qytetarëve të Moldavisë dhe Ukrainës në luftime në Ukrainë dhe në Republikën Demokratike të Kongos si pjesë të këtyre formacioneve paraushtarake ruse, tha EUROPOL-i.

Autoritetet ukrainase, përmes kanaleve të sigurta të EUROPOL-it, ndanë 280 emra të shtetasve të huaj të dyshuar për pjesëmarrje në luftime.

Që nga fillimi i hetimit, sipas të dhënave të EUROPOL-it, janë zbuluar kampe trajnimi dhe rekrutimi, janë lokalizuar strukturat komandues, dhe janë dokumentuar shumë krime lufte – ekzekutime të civilëve, përdorimi i armëve të ndaluara dhe sulme ndaj qyteteve ukrainase.

Derisa tani 11 shtetas ukrainas janë akuzuar për tradhti të lartë, pasi iu bashkuan grupeve Wagner dhe Redut.

Prokurorët në Moldavi dhe Ukrainë kanë konfirmuar bastisjet përmes njoftimeve të ndara për media.

“Policët ukrainas po gjejnë kriminelë rusë të luftës në vende të ndryshme në mbarë botën dhe po bëjnë gjithçka që munden për t’u siguruar që secili prej tyre të marrë dënimin e merituar”, tha Policia Kombëtare e Ukrainës përmes një deklarate.

Është e paqartë se sa prej 654 personave që EUROPOL-i tha se ishin implikuar në krime të supozuara të luftës janë arrestuar apo ku ndodhen ata.

Autoritetet ukrainase kanë krijuar një njësi të posaçme të prokurorisë, e cila është ngarkuar me mbledhjen e provave për krimet e luftës të kryera gjatë pushtimit rus të Ukrainës që po zgjat më shumë se 45 muaj. Kësaj përpjekjeje i janë bashkuar hetues dhe ka mbështetje edhe nga shtete të tjera.

EUROPOL-i, përveç mbështetjes analitike dhe teknike, krijoi një qendër virtuale komandimi për të lehtësuar komunikimin midis shteteve të përfshira dhe për të krahasuar të dhënat operative në kohë reale me bazat e veta të të dhënave dhe burimet e hapura, u tha në njoftim.

Agjencia e Bashkimit Evropian theksoi se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Ukrainën dhe Moldavinë në kuadër të marrëveshjeve operative të nënshkruara në 2014 dhe 2016, të cilat mundësojnë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e hetimeve ndërkufitare.

“Qëllimi është të shkatërrohen rrjetet që kërcënojnë sigurinë e Bashkimit Evropian dhe fqinjëve të tij”, tha EUROPOL-i.

Pas vdekjes së themeluesit të tij, Yevgeny Prigozhin, në një aksident të mistershëm ajror, grupi Wagner në masë të madhe u shpërbë, me njësi të ndryshme ushtarake që u bën pjesë e formacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes ose u përfshinë në organizata të tjera paramilitare.

Redut, entiteti tjetër i identifikuar gjatë bastisjeve, është një rrjet rekrutimi që drejtohet nga agjencia e inteligjencës ushtarake ruse, e njohur si GRU. Besohet se disa nga njësitë e Wagner-it janë rekrutuar nga Redut.

Erdogan, Merzit: A s’po e sheh Gjermania gjenocidin izraelit në Gazë?

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka kritikuar Gjermaninë lidhur me atë, që ai e quajti injorancë ndaj “gjenocidit të Izraelit” dhe sulmeve në Gazë.

Këto deklarata ai i bëri gjatë konferencës së përbashkët për media me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Ndasitë mes aleatëve të NATO-s ishin të dukshme gjatë vizitës së parë të Merzit në Turqi, që kur mori detyrën e kancelarit.

Merz tha se Qeveria e tij ka qëndruar pranë Izraelit që nga sulmi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor 2023 dhe se beson se Izraeli po ushtron të drejtën e tij për vetëmbrojtje.

“Do të mjaftonte një vendim i juaj për të shmangur viktima të shumta të panevojshme. Hamasi është dashur që më herët t’i lironte pengjet dhe të dorëzonte armët”, tha ai, duke shtuar se shpreson që lufta ka përfunduar me marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të mbështetur nga Turqia.

Erdogan, një prej kritikëve më të zëshëm të ofensivës së Izraelit në Gazë dhe një lojtar kyç në bisedimet për armëpushim, tha se nuk pajtohet me kancelarin Merz.

“Hamasi nuk ka bomba e as armë bërthamore, por Izraeli i ka të gjitha këto dhe i përdor këto armë për të goditur Gazën, për shembull ka sulmuar me këto bomba sërish mbrëmë”, tha Erdogan.

“Ju, si Gjermani, a i shihni këto? Ju, si Gjermani, a nuk i ndiqni këto ngjarje? Përveç se sulmon Gazën, Izraeli po ashtu gjithmonë ka synuar që të shtypë Gazën përmes urisë dhe gjenocidit”, tha udhëheqësi turk.

Një hetim i Kombeve të Bashkuara ka konstatuar se Izraeli ka kryer gjenocid në Gazë, duke argumentuar se vrasjet, rrethimet dhe shkatërrimet janë kryer me qëllim “shkatërrimin e palestinezëve” në këtë enklavë. Disa grupe të tjera izraelite dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dalë me një përfundim të ngjashëm.

Izraeli mohon akuzat për gjenocid, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe thotë se fushata e tij ushtarake ka në shënjestër Hamasin, e jo popullatën civile të Gazës. Ai po ashtu pretendon se merr masa për të minimizuar dëmet te civilët.

Merz ka kritikuar veprimet e Izraelit në Gaza dhe këtë vit Gjermania pezulloi eksportet ushtarake atje, duke përmendur si motiv situatën e përkeqësuar humanitare në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ai nuk ka shprehur mbështetje për akuzat për gjenocid, duke argumentuar se kritika ndaj Izraelit nuk duhet të shndërrohet në një pretekst për antisemitizëm.

Erdogan tha se ende beson se Gjermania dhe Turqia mund të bashkëpunojnë për t’i dhënë fund zisë së bukës dhe për të siguruar dërgesa me ndihma për Gazën.

Ai gjithashtu përmendi mundësinë që aleatët e NATO-s të përqendrohen në projekte të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes dhe përsëriti dëshirën e Ankarasë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Merz tha se sheh Turqinë si një partnere të ngushtë të BE-së dhe se dëshiron të zhvillojë marrëdhënie dypalëshe ekonomike, përfshirë në sektorin e transportit dhe migracionin.

 

Tensione në rritje, Rusia provokon përsëri! Polonia kap një aeroplan spiun mbi Detin Baltik

Avionët luftarakë polakë MiG-29 interceptuan një avion zbulues rus mbi Detin Baltik, incidenti i dytë i tillë këtë javë, tha ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosciniak-Kamysz.

 

Ushtria polake tha të mërkurën se avionët luftarakë polakë kishin interceptuar një avion rus që po kryente një fluturim zbulues në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin Baltik.

“Sot, avionët luftarakë MiG-29 interceptuan një avion zbulues rus mbi Detin Baltik”, tha Kosyniak-Kamysz , duke thënë se ishte një incident i ngjashëm me atë të djeshëm.

Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake e përshkroi incidentin në një postim në platformën e rrjeteve sociale X.

“Më 30 tetor 2025, para orës 09:00, avionët luftarakë MiG-29 që shërbejnë me Forcat Ajrore Polake kryen një tjetër interceptim këtë javë të një avioni zbulues Il-20 të Federatës Ruse që fluturonte mbi Detin Baltik”, tha ajo në një deklaratë.

“Avioni, i cili po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa një plan fluturimi të paraqitur me transponderin e tij jashtë funksionit, u kap, u identifikua dhe u shoqërua jashtë zonës së përgjegjësisë. Nuk pati shkelje të hapësirës ajrore polake”.

Vendet në krahun lindor të NATO-s kanë qenë në gatishmëri të lartë për shkelje të mundshme të hapësirës ajrore që nga shtatori, kur tre avionë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, ditë pasi më shumë se 20 dronë rusë kishin hyrë në hapësirën ajrore polake. Panorama

Grabitja spektakolare në muzeun e Luvrit, 5 të arrestuar të rinj

Pesë persona u arrestuan nga policia mbrëmë rreth orës 8 të mbrëmjes në arondissementin e 16-të të Parisit, si pjesë e një hetimi për vjedhjen sensacionale në Muzeun e Luvrit 11 ditë më parë.
Gazeta Le Figaro shkruan për këtë.

“Të pestë personat janë në paraburgim, përfshirë një nga të dyshuarit kryesorë në grabitje”, i tha gazetës këtë mëngjes një burim policor. I dyshuari i parë, një shtetas algjerian 34-vjeçar, u arrestua të shtunën, më 25 tetor, në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle, pak para se të nisej për në Algjeri pa biletë vajtje-ardhje.

I dyti, një burrë 39-vjeçar, u arrestua gjysmë ore më vonë pranë shtëpisë së tij në Aubervilliers, një periferi të Parisit.

Sendet me vlerë 88 milionë euro (76 milionë paund; 102 milionë dollarë) u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë më 19 tetor, kur katër hajdutë hynë me forcë në ndërtesë në mes të ditës.

Bizhuteritë nuk janë gjetur ende dhe banda e përfshirë mund të jetë më e madhe se katër personat e kapur në kamerat e sigurisë, tha zyra e Laure Beccuau. bw

EMRA QË KTHEHEN Voldemar Ivanovich Bisenek (1884–1938) Nga Vladimir Kara-Murza, Politikan, autor, historian, ish-i burgosur

EMRA QË KTHEHEN

Voldemar Ivanovich Bisenek (1884–1938).

Letonez, Social Demokrat, pjesëmarrës në Revolucionin e vitit 1905, i burgosur politik, punonjës financiar dhe pensionist personal.

U arrestua në Moskë më 3 dhjetor 1937 dhe u transferua në Leningrad.

Më 28 gusht 1938, një komision i NKVD-së dhe Prokurorisë së BRSS-së e dënoi me vdekje sipas Nenit 58-6 të Kodit Penal të RSFSR-së si “spiun letonez”.

Ai u ekzekutua në Leningrad më 6 shtator 1938.

Ai u rehabilitua pas vdekjes më 12 korrik 1957, me një vendim të Kolegjiumit Ushtarak të Gjykatës Supreme të BRSS-së për shkak të mungesës së corpus delicti.

Stërgjyshi im. 

Zelensky thotë se ka nevojë për mbështetjen evropiane dhe për “dy-tre vjet luftime”

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij ka nevojë për ndihmë financiare të Evropës për të vazhduar luftën kundër forcave ruse për dy apo tre vjet të tjera.

Kievi është varur kryesisht nga mbështetja ushtarake dhe financiare e aleatëve për të mbajtur nën kontroll ushtrinë e Moskës, e cila nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

“Unë e theksova këtë përsëri për të gjithë udhëheqësit evropianë. U thashë atyre se ne nuk do të luftojmë për dekada, por ju duhet të tregoni që për një kohë do të mund të siguroni mbështetje të qëndrueshme financiare për Ukrainën”, tha Zelensky në komente të publikuara të martën.

“Dhe pikërisht për këtë ata kanë këtë program në mendje – 2-3 vjet”, tha Zelensky, duke iu referuar planeve të Brukselit për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Kievin.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian e ngarkuan Komisionin Evropian të vazhdojë me opsionet për financimin e Ukrainës për dy vjet të tjerë, duke lënë hapur mundësinë për një kredi të madhe që do të përdorte disa dhjetëra miliarda euro nga asetet shtetërore ruse që Brukseli i ka ngrirë.

“Nëse lufta përfundon brenda një muaji, do t’i shpenzojmë këto para për rikuperim. Nëse nuk përfundon brenda një muaji, por pas një kohe, atëherë do t’i shpenzojmë për armë. Thjesht, nuk kemi zgjedhje tjetër”, shtoi Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas po ashtu bëri thirrje që presidenti amerikan, Donald Trump, që t’i ushtrojë presion homologut kinez, Xi Jinping, që të ndërpresë mbështetjen për Rusinë kur të takohet me të më vonë këtë javë.

“Mendoj se kjo mund të jetë një nga lëvizjet e forta të [Trumpit], veçmas nëse, pas këtij hapi vendimtar të sanksioneve, Kina është gati të reduktojë importet” nga Rusia, tha Zelensky për gazetarët, përfshirë AFP, gjatë një konference për gazetarë, komentet nga e cila u publikuan më 28 tetor.

Javën e kaluar, Trump vendosi sanksione ndaj dy kompanive kryesore të naftës ruse dhe udhëheqësi amerikan ka bërë thirrje që blerësit e energjisë ruse – konkretisht Kina dhe India – të ndalin blerjet, pasi të ardhurat nga energjia, sipas Uashingtonit dhe Kievit, po e financojnë luftën kundër Ukrainës.

Grabitja në Luvër, ADN-ja që zbuloi autorët! Ende asnjë gjurmë e bizhuterive me vlerë 88 mln euro

Një gjurmë ADN-je ishte ajo që “zhbllokoi” hetimet dhe çoi te autorët e grabitjes në Luvër, duke rezultuar në arrestimin e dy prej tyre të shtunën në mbrëmje.


Sipas BFMTV, duke cituar një burim pranë grupit hetimor, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua falë një gjurme ADN-je  në vendin e grabitjes.

Që kur përfundoi “grabitja e shekullit”, policia mjeko-ligjore ka qenë duke kërkuar në zonë për çdo të dhënë të mundshme.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha të enjten se nga vendi i ngjarjes ishin mbledhur më shumë se 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash dhe gjurmë të tjera.

Në muzeun e Luvrit , autorët lanë pas disa sende që mund të përmbajnë gjurmë, si një helmetë, radio dore, jelek të verdhë dhe prerëse metalesh.

Paa testeve të ADN-së, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua dhe më pas u arrestua.

Dy të arrestuarit janë rreth 30 vjeç dhe vijnë nga Aubervilliers. Roli i tyre në grabitje nuk dihet ende, por konsiderohen “të dyshuarit kryesorë”.

Njëri nga dy të dyshuarit, i cili sipas gazetës franceze “Le Monde” ka shtetësi franceze dhe algjeriane, u arrestua në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle ndërsa po përgatitej të nisej për në Algjeri. Personi tjetër i arrestuar ka shtetësi franceze.

Megjithatë, operacioni u përshpejtua kur ata kuptuan se njëri prej të dyve kishte ndërmend të arratisej. Prandaj, bizhuteritë me vlerë 88 milionë euro ende s’janë gjetur. gsh

Arrestohen dy të dyshuar për grabitjen në Luvër

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet franceze kanë ndaluar dy nga personat e dyshuar për grabitjen e bizhuterive të çmuara nga Muzeu i Luvrit, në një vjedhje që tronditi botën, thanë zyrtarët të dielën.

Një numër i madh hetuesish ishte mobilizuar për të ndjekur gjurmët e hajdutëve që grabitën në muzeun e famshëm botëror në mes të ditës më 19 tetor, duke u larguar brenda vetëm disa minutash me bizhuteri të vlerësuara rreth 102 milionë dollarë.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha se “arrestimet u kryen të shtunën në mbrëmje”.

“Njëri nga burrat e arrestuar ishte gati të largohej nga vendi nga aeroporti Paris-Charles de Gaulle”, tha Beccuau.

Një burim i afërt me rastin i tha AFP-së se burri ishte gati të hipte në një avion për në Algjeri.

Burri i dytë u ndalua jo shumë kohë më pas në rajonin e Parisit, raportuan mediat.

Dy burrat u morën në paraburgim nën dyshimin për vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal. Ata mund të mbahen deri në 96 orë.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Beccuau shprehu keqardhje për zbulimin publik të arrestimeve, të cilat u publikuan fillimisht në media, duke paralajmëruar se ato “mund të pengojnë përpjekjet e 100 hetuesve të mobilizuar” në kërkim të bizhuterive dhe autorëve të grabitjes.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, gjithashtu bëri thirrje për ruajtjen e konfidencialitetit, duke përgëzuar hetuesit “që kanë punuar pa u lodhur”, në një postim në X.

Në grabitjen e ndodhur të dielën e kaluar, hajdutët u ngjitën në një shkallë të një kamioni transporti të vjedhur dhe, duke përdorur pajisje prerëse, hynë në një galeri në katin e parë që strehon gurë të çmuar.

Ata hodhën një kurorë të zbukuruar me diamante dhe smeralde teksa iknin poshtë shkallëve dhe më pas në skuterë, por arritën të vidhnin tetë bizhuteri të tjera, përfshirë një varëse smeraldi dhe diamanti që Napoleon Bonaparti ia kishte dhuruar gruas së tij, Perandoreshës Marie-Louise.

Kjo vjedhje ka bërë jehonë në mbarë botën dhe ka nxitur debat në Francë për sigurinë e institucioneve kulturore.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Drejtori i Luvrit ka pranuar se hajdutët kishin përfituar nga një “pikë e verbër” në sistemin e mbikëqyrjes së jashtme të muzeut.

Por, Beccuau tha se kamerat e sigurisë publike dhe private në zona të tjera u kanë mundësuar detektivëve të ndjekin gjurmët e hajdutëve “në Paris dhe rajonet përreth”.

Hetuesit gjithashtu arritën të gjenin mostra ADN-je dhe gjurmë gishtash në vendin e ngjarjes nga objekte të lëna pas nga hajdutët gjatë arratisjes, përfshirë doreza, një jelek reflektues, një pishtar për prerje metalesh dhe mjete elektrike.

Ata gjithashtu hodhën një kurorë që dikur i përkiste Perandoreshës Eugenie, bashkëshortes së Napoleonit III, e cila u dëmtua dhe ka nevojë për restaurim.

Pjesët e tjera nuk janë gjetur ende dhe rrezikojnë të copëtohen, me mbajtëset e tyre prej metalesh të çmuara që mund të shkrihen.

Nunez shprehu “shqetësim për bizhuteritë” në një intervistë për javoren franceze La Tribune Dimanche të dielën, duke thënë se grabitja duket se është kryer nga një grup i organizuar kriminal, por shtoi se “hajdutët përfundimisht gjithmonë kapen”.

“Plaçka fatkeqësisht shpesh fshihet jashtë vendit. Shpresoj që këtë herë të mos jetë kështu — mbetem optimist”, shtoi ai.

Grabitja në Luvër është më e fundit në një varg vjedhjesh që kanë pasur në shënjestër muzetë francezë.

Më pak se 24 orë pas thyerjes në Luvër, një muze në Francën lindore raportoi vjedhjen e monedhave prej ari dhe argjendi pasi u gjet një vitrinë e thyer.

Muajin e kaluar, kriminelë hynë në Muzeun e Historisë Natyrore në Paris, duke grabitur copa ari me vlerë mbi 1.5 milionë dollarë. Një grua kineze është arrestuar dhe akuzuar për përfshirje në këtë vjedhje.

Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, tha të premten në X se kishte kërkuar rezultatet e një hetimi mbi sigurinë e Luvrit deri në fillim të javës së ardhshme, për të “shpallur masa konkrete për sigurimin” e muzeut.

“Rusia po bëhet çdo ditë e më e paturpshme në agresionin ndaj civilëve” Si u shpëtuan 48 fëmijë nga sulmi rus në një çerdhe në Kharkiv

Një imazh tronditës nga qyteti lindor i Kharkivit është bërë simbol i rezistencës dhe humanizmit në Ukrainë, pasi Gjeneral Major Oleksandr Volobuev, nga Shërbimi i Mbrojtjes Civile, u fotografua duke mbajtur në duar një xhup të mbështjellë me kujdes, nga e cila shiheshin dy këpucë të vogla rozë – një vajzë e shpëtuar nga rrënojat e një çerdheje të goditur nga një dron rus Shahed.

Në imazhin që është bërë viral në rrjetet sociale, Volobuev ecën mes tymit dhe mbetjeve të shkrumbuara, me trupin e përkulur sikur të përpiqej të mbronte fëmijën nga ajri i helmuar që ende qarkullonte.

“Morëm telefonatën se kishte pasur një sulm ndaj kopshtit,” tha Volobuev për mediat lokale. “E dinim që aty kishte fëmijë, ndaj u nisëm menjëherë, të kapluar nga ankthi.”

Në çerdhen e quajtur “Akademia e Mjaltit”, e ndodhur në lagjen Kholodnohirsky të Kharkivit, 48 fëmijë ishin strehuar në bodrumin e ndërtesës dykatëshe në momentin e sulmit. Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi zjarr në çati dhe ndërtesa u mbush me tym e pluhur, por falë reagimit të shpejtë të ekipeve të emergjencës, asnjë fëmijë nuk humbi jetën.

Një tjetër oficer, Fedir Uhnenko, i cili zakonisht shërben si oficer shtypi në Shërbimin e Mbrojtjes Civile, këtë herë la kamerën për të ndihmuar në terren. Ai u fotografua duke mbajtur një djalë të vogël, përmes rrënojave dhe flakëve.

“E sigurova gjatë gjithë rrugës se gjithçka ishte në rregull,” tha Uhnenko. “Kur dolëm, pamë një makinë në flakë. Fëmija nuk qau – kishte frikë, por më kapi fort, si të kërkonte siguri.”

Fotografitë dhe pamjet e shpëtimit, të regjistruara nga ekipi i tij, janë transmetuar në mbarë botën, duke shfaqur trimërinë e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve ukrainas përballë një lufte që po prek gjithnjë e më shumë civilët dhe fëmijët.

Qeveria ukrainase e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar të qëllimshëm dhe pa asnjë objektiv ushtarak në zonë.

“Nuk ka asnjë justifikim për një sulm ndaj një kopshti fëmijësh,” deklaroi Presidenti Volodymyr Zelensky. “Rusia po bëhet çdo ditë e më e paturpshme në agresionin e saj ndaj civilëve.”

Dronët Shahed, të prodhuar nga Irani dhe të ngarkuar me rreth 50 kilogramë eksploziv, janë përdorur gjerësisht nga Rusia në sulmet ndaj qyteteve ukrainase. Edhe pse zakonisht synojnë infrastrukturën energjetike, autoritetet thonë se numri i madh i dronëve të lëshuar bën që shumë prej tyre të devijojnë dhe të godasin ndërtesa banimi.

Fëmijët e shpëtuar u dërguan në një qendër emergjente të sigurt, disa qindra metra larg vendit të ngjarjes. Të gjithë dolën të padëmtuar – por historia e tyre është tashmë një simbol i dhimbjes dhe guximit ukrainas në një luftë që vazhdon të prekë më të pafajshmit. bw

BE-ja intensifikon përpjekjet për të ulur varësinë nga mineralet e rralla të Kinës, Von der Leyen: Qëllimi është të sigurohet qasja në burime alternative

Bashkimi Evropian po zhvillon një plan të ri për të frenuar varësinë nga materialet e papërpunuara kineze, tha të shtunën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa kritikoi Pekinin për kufizimet e zgjeruara në eksportin e metaleve të rralla.


Bashkimi Evropian për vite me radhë është përpjekur ta zvogëlojë varësinë nga Kina për mineralet që janë të nevojshme për kalimin drejt energjisë më të pastër, sektorin e mbrojtjes dhe prodhimin e automjeteve elektrike.Von der Leyen tha se BE-ja do të kërkojë t’i përshpejtojë partneritetet për materiale kritike të papërpunuara me vende si Australia, Kanadaja, Kili, Grenlanda, Kazakistani, Uzbekistani dhe Ukraina.

Plani do të përfshijë gjithashtu përpjekje më të mëdha për riciklimin e materialeve kritike të papërpunuara në produktet që shiten në Evropë, shtoi ajo.

“Qëllimi është të sigurohet qasja në burime alternative të materialeve kritike të papërpunuara në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë për industrinë tonë evropiane”, tha ajo në një konferencë në Berlin.

Sipas saj, skema, e quajtur RESourceEU, do të jetë e ngjashme me planin që BE-ja zhvilloi pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 për të ulur varësinë nga energjia ruse, të njohur si REPowerEU.

“Ne do të fokusohemi në gjithçka, nga blerjet e përbashkëta deri te krijimi i rezervave. Do të rrisim investimet në projekte strategjike për prodhimin dhe përpunimin e materialeve kritike të papërpunuara këtu në Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.

Më 9 tetor, Kina vendosi kufizime në eksportin e metaleve të rralla dhe materialeve për bateri. Qeveritë perëndimore dhe analistët e shohin këtë si pjesë të reagimit të Kinës ndaj tarifave tregtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

“Nëse merrni parasysh që mbi 90% e konsumit tonë të metaleve të rralla vjen nga importet nga Kina, e kuptoni rrezikun që ekziston këtu për Evropën dhe për sektorët e saj më strategjikë industrialë”, tha ajo.

“Në afat të shkurtër, ne po përqendrohemi në gjetjen e zgjidhjeve me homologët tanë kinezë. Por jemi të gatshëm të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për të reaguar, nëse është e nevojshme”, shtoi ajo./rel

“Kemi një vit që po përballemi me dhunë të tmerrshme”- Vuçiçi: Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por s’do ta pranoj kurrë pavarësinë e Kosovës

Gjatë intervistës, ai tha se Serbia mbetet e rrezikuar politikisht nga situata gjeopolitike dhe se rreziku më i madh do të vinte nga një “luftë e vërtetë” midis Evropës dhe Rusisë. Udhëheqësi serb foli edhe për protestat masive studentore që kanë tronditur vendin, ku tha se po zhvillohet një luftë hibride. Ai tha se janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara.

 

SERBI- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka folur lidhur me anëtarësimin e vendit BE. I ftuar në radiotelevizionin publik RTS, Vuçiç deklaroi se Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por tha se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Gjatë intervistës, ai tha se Serbia mbetet e rrezikuar politikisht nga situata gjeopolitike dhe se rreziku më i madh do të vinte nga një “luftë e vërtetë” midis Evropës dhe Rusisë. Udhëheqësi serb fili edhe për protestat masive studentore që kanë tronditur vendin, ku tha se po zhvillohet një luftë hibride. Ai tha se janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara.

“Unë besoj se ekzistojnë shanse të tilla. Por ekziston një çështje tjetër, çështja e Kosovës. Unë nuk mund dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Nëse do të shpërthente një luftë e vërtetë midis Evropës dhe Federatës Ruse, ky do të ishte rreziku më i madh.

Ne duhet të shmangim përfshirjen në çdo mënyrë dhe duhet të ruajmë neutralitetin tonë ushtarak. Në çdo mënyrë ne do të shmangim çdo konflikt rajonal. Pra, nuk kemi frikë nga askush. Ne jemi mjaftueshëm të fortë, njerëzit kanë pasur mundësinë ta shohin këtë, por unë nuk dua të marr pjesë në luftëra”, theksoi presidenti serb. 

Kemi një vit që po përballemi me dhunë të tmerrshme. Njerëzit janë ndaluar në lëvizjet e tyre në rrugët e Serbisë qindra mijëra herë. Janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara, të cilat, në fund të fundit, ne madje i siguruam dhe shpenzuam një sasi të madhe parash për to”, tha Vuçiç./Dosja.al

Erdogan: SHBA-ja t’i bëjë trysni Izraelit për zbatimin e armëpushimit në Gazë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duhet të bëjnë më shumë për të detyruar Izraelin ta ndalë shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Ai theksoi se ato madje duhet të përdorin mbase edhe sanksione apo ta ndalin shitjen e armëve në Izrael.

Turqia, anëtare e NATO-s dhe një nga kritiket më të zëshme të luftës së Izraelit në Gazë, i është bashkuar bisedimeve për armëpushim si ndërmjetëse, pasi më parë ishte përfshirë kryesisht tërthorazi.

Roli i saj i shtuar erdhi pas një takimi muajin e kaluar ndërmjet Erdoganit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

“Si Turqi, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta siguruar armëpushimin. Hamasi po e respekton armëpushimin dhe madje po e shpreh haptas zotimin e saj për këtë. Ndërkohë, Izraeli po vazhdon ta shkelë armëpushimin”, tha Erdogan për gazetarë.

“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që Izraeli i zbaton plotësisht armëpushimin dhe marrëveshjen”, tha ai, sipas një komunikate nga zyra e tij të premten.

“Izraeli duhet të detyrohet t’i mbajë premtimet e veta përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjeve të armëve”, sipas tij.

Ankaraja ka thënë se do t’i bashkohet një “task-force” që do ta mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit, dhe se forcat e saj të armatosura mund të shërbejnë në kapacitete ushtarake apo civile sipas nevojës.

Ajo gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në rindërtimin e enklavës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet të mërkurën se Izraeli e kundërshton çdo rol të forcave turke në Rripin e Gazës.

I pyetur për komentet e Netanyahut, Erdogani u përmbajt nga kritikat e zakonshme ndaj liderit izraelit dhe duket se zbuti angazhimin e tij të mëparshëm për një rol aktiv në terren në Gazë, duke thënë se bisedimet për këtë çështje janë ende në zhvillim.

“Bisedimet për task-forcën që do të punojë në Gazë janë ende duke vazhduar. Modalitetet e saj nuk janë ende të qarta. Meqë kjo është një çështje me shumë dimensione, po zhvillohen negociata gjithëpërfshirëse. Ne jemi gati t’i ofrojmë Gazës çdo lloj ndihme në këtë drejtim”, tha ai.

Marrëdhëniet midis dy ish-aleatëve, Izraelit dhe Turqisë, janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë luftës në Gazë, pasi Ankaraja e akuzon Qeverinë e Netanyahut për “gjenocid”, një akuzë që Izraeli e ka mohuar vazhdimisht.

SHBA-ja godet me sanksione kompanitë ruse të naftës, BE-ja miraton pakon e re

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën vonë sanksione të reja që në shënjestër kanë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil – në përpjekje për t’i bërë trysni Moskës të ulet për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.

Ky vendim erdhi pak pasi BE-ja e miratoi të paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës, të mërkurën, për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm natyral të Rusisë (LNG).

Masat e Trumpit pasuan gjithashtu vendimin e Britanisë javën e kaluar për t’i sanksionuar Rosneftin dhe Lukoilin.

“Sa herë që flas me [presidentin rus] Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk të shpien askund. Thjesht nuk shpien askund”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, me të cilin bisedoi lidhur me negociatat e paqes.

Njoftimi për sanksionet erdhi një ditë pasi Trumpi njoftoi se takimi i planifikuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Budapest, do të shtyhej për kohë të papërcaktuar.

Vetëm disa orë para sanksioneve, Rusia kreu bombardime të fuqishme mbi Ukrainë, duke i vrarë të paktën shtatë njerëz, përfshirë fëmijë.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se është i gatshëm të ndërmarrë masa të mëtejshme, duke i bërë thirrje Moskës ta pranojë menjëherë një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.

“Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Putin për ta përfunduar këtë luftë të pakuptimtë, Thesari po sanksionon dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

“Ne inkurajojmë aleatët tanë të na bashkohen dhe t’i respektojnë këto sanksione”, shtoi ai.

Sipas analistes Rachel Ziemba nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane, sanksionet e SHBA-së pasojnë një lëvizje të ngjashme nga Britania javën e kaluar.

Këto janë sanksionet e para të mëdha kundër Rusisë nga administrata Trump dhe duhet të kenë ndikim më të madh sesa ato të vendosura vetëm nga Britania, sipas saj.

Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën se e anuloi takimin e planifikuar në Hungari me Putinin, sepse nuk ndiente se ishte koha e duhur.

Kjo ishte një tjetër shenjë se durimi i Trumpit po soset.

“Nuk më dukej e drejtë. Nuk ndjeva se do të arrinim aty ku duhet të arrijmë”, tha Trump.

Paketa e 19-të e BE-së

Vendet e Bashkimit Evropian të enjten miratuan edhe formalisht paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Të gjitha 27 shtetet anëtare e kishin miratuar paketën qysh të mërkurën në mbrëmje, pasi Sllovakia hoqi dorë nga bllokimi i saj.

“Është një paketë e rëndësishme që synon burimet kryesore të të ardhurave të Rusisë përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare”, tha presidenca daneze e BE-së.

Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh, ndërsa kontratat afatgjata nga 1 janari 2027.

Sanksionet po ashtu përfshijnë futjen e cisternave ruse të naftës në listën e zezë dhe kufizime udhëtimi për diplomatët rusë.

Kjo është paketa e 19-të e sanksioneve që BE-ja ka vendosur që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Ato u prezantuan muajin e kaluar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se blerja e karburanteve fosile nga Rusia po financon luftën ruse.

Kryeministri Kurti u mirëprit nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper

 

 

Londër, 22 tetor 2025

 

Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

 

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner i yni.

 

Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin.

 

Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha kryeministri.

 

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

 

Kryeministri theksoi se Kosova tashmë është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon. Sipas Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për sundimin e ligjit, ndërsa në indeksin e Transparency International është përmirësuar me 31 vende. Rritja mesatare ekonomike në katër vitet e fundit ka qenë 6%, asnjëherë nën 4%, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara.

 

Prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja.

 

Kryeministri kujtoi që përgjegjësit për sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit, terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë. Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës.

 

Gjatë diskutimit, kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të njeriut në rajon dhe të trajtimit të barabartë të pakicave. Ai vuri në dukje se ende ekziston një mospërputhje e theksuar midis vendeve të rajonit, ndërsa Kosova mbetet shembull me garanci të forta ligjore dhe me mbrojtje të avancuar të të drejtave të pakicave.

 

Në lidhje me migracionin, Kryeministri tha që Kosova nuk është burim i migrimit, por që ka vullnet të ndihmojë një shtet mik dhe partner si Britania e Madhe, të menaxhojë rrjedhën e migracionit. Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar.

 

I shpallur në kërkim për krime lufte në vitet ’90, arrestohet në Poloni 79-vjeçari serb

Rojet kufitare polake ndaluan një shtetas 79-vjeçar serbo-kanadez të kërkuar nga Kroacia sipas një urdhër-arresti evropian për përfshirjen e tij të dyshuar në krime lufte në vitin 1991, thanë prokurorët të mërkurën.

Kroacia thotë se i dyshuari dha urdhra dhe mori pjesë në akte duke përfshirë ndalimin e paligjshëm, torturën dhe vrasjen e civilëve, si dhe plaçkitjen dhe zjarrvënien ndërsa shërbente në forcat paraushtarake serbe në luftërat ballkanike.

Burri, i identifikuar vetëm si Zivko Z. për shkak të ligjeve polake të privatësisë, u ndalua në Aeroportin Chopin të Varshavës. Ai u deklarua i pafajshëm për veprat penale të listuara në Urdhërin Europian të Arrestit, thanë prokurorët.

Prokurorët polakë i kanë kërkuar gjykatës leje për të transferuar Zivko Z. në Kroaci, ku ai përballet me deri në 20 vjet burg nëse shpallet fajtor. bw

PE miraton rezolutë për “polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi”

Radio Evropa e Lirë

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë lidhur me polarizimin dhe represionin në Serbi, përmes së cilës mbështeti të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për të drejtë paqësore. Kjo rezolutë po ashtu dënon ashpër valën e dhunës nga autoritetet, frikësimet dhe arrestimet e protestuesve.

Në rezolutën “për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, thuhet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.

Gjatë seancës plenare të mbajtur më 22 tetor, rezoluta u miratua me 457 vota për, 103 kundër dhe 72 abstenime.

Përmes rezolutës gjithashtu dënohen veprimet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet për organizimin e kampit me tenda në Parkun Pionier, si dhe përdorimi arbitrar dhe politikisht i motivuar i faljeve presidenciale për persona të ndjekur për dhunën ndaj studentëve protestues.

Ndër të tjera, thuhet se eurodeputetët mbështesin dërgimin e një misioni ad hoc për verifikimin e fakteve në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, dhe i bëhet thirrje Komisionit Evropian të ndërmarrë një nismë për sanksione që do të shënjestronin personat përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Serbi.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë debatit të së martës, tha se Bashkimi Evropian pret që veprimet policore dhe sjellja gjatë protestave të jenë proporcionale dhe që të respektohen të drejtat themelore të njeriut.

“Prioritet është që të hetohen të gjitha pretendimet për përdorim të tepruar të forcës”, u shpreh Kos.

Ajo theksoi se Brukseli dënon çdo akt urrejtjeje, vandalizmi apo dhune gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.

“Ne presim që vendet kandidate për anëtarësim në BE t’i respektojnë të gjitha vlerat që janë themeli ynë – respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha Kos.

Ajo shtoi po ashtu se Serbia duhet të respektojë lirinë e tubimit, lirinë e medias dhe liritë akademike.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi gjatë debatit se rezoluta nuk përbën sulm ndaj Serbisë.

Ai vlerësoi gjithashtu se Evropa nuk e ka tradhtuar Serbinë, por se pushteti në Serbi i ka tradhtuar qytetarët e vet.

“Tragjedia në Novi Sad tregon se korrupsioni nuk është një krim i zakonshëm — korrupsioni shkatërron institucionet dhe merr jetë njerëzish”, theksoi ai.

“Kjo fatkeqësi pasqyron disa nga problemet kryesore strukturore në Serbi: përfshirjen jotransparente të aktorëve të huaj në projekt [për renovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad], mungesën e kontrolleve që do të mundësonin përdorimin e objektit pasi standardet e sigurisë nuk janë respektuar, pengimin e hetimit dhe të pavarësisë së gjyqësorit pas tragjedisë, si dhe represionin ndaj qytetarëve që kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim”, vlerësoi raportuesi për Serbinë.

Për muaj të tërë, në Serbi po mbahen protesta të udhëhequra nga studentët, pasi nëntorin e vitit të kaluar, 16 persona vdiqën pas rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protestuesit kërkojnë nga institucionet përgjegjësi politike dhe penale për këtë rast.

Ata besojnë se ka pasur korrupsion në projektin e rindërtimit të stacionit. Ndërkohë i kanë rritur kërkesat, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Paris, Luvri rihapet pas vjedhjes së Xhevahireve të kurorës

 

VOAL- Pas tri ditësh me dyer të mbyllura, përfshirë të martën tradicionale të ditës së pushimit javor, Luvri rihapi dyert e tij të mërkurën në orën 9 të mëngjesit. Muzeu parizien më i vizituar në botë (9 milionë vizitorë në vitin 2024, 80% e të cilëve janë të huaj) është rihapur për vizitorët pas vjedhjes sensacionale të Xhevahireve të Kurorës Franceze gjatë fundjavës nga një bandë prej katër kriminelësh. Plaçka, me vlerë 88 milionë euro, është e paçmuar në vlerën e saj historike.

Shumë turistë kishin pritur në radhë një orë para se të hapeshin dyert. Galeria Apollo, ku ndodhi vjedhja, e vendosur në katin e parë me pamje nga Sena, është ende e paarritshme. Tetë pjesë u vodhën nga një total prej afërsisht 800, pasi hajdutët hynë nga jashtë duke përdorur një ashensor mallrash. Midis tyre është diademja e Perandoreshës Eugénie, gruas së Napoleonit III.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, por ende nuk ka gjurmë të mallrave të vjedhura apo kriminelëve, drejtoresha Laurence des Cars thirret të flasë para Parlamentit. Në orën 16:30, ajo do të dëgjohet nga Komiteti i Senatit për Kulturën. Deri tani, ajo ka heshtur publikisht. Sipas Le Figaro, ajo ka paraqitur dorëheqjen e saj, e cila është refuzuar. Ajo që ka folur deri më tani ka qenë Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, e cila ka përjashtuar mangësitë e sigurisë brenda muzeut, duke pretenduar në vend të kësaj se masat mungonin jashtë. Një raport paraprak nga Gjykata e Auditorëve, megjithatë, shpreh keqardhje për një vonesë në instalimin e masave për të siguruar mbrojtjen e veprave të artit.

Tani, siç u përmend, është radha e des Cars për t’iu përgjigjur pyetjeve. Gruaja e parë që drejtoi Luvrin, ajo më parë kishte kryesuar muzetë Orangerie dhe Orsay. RSI

Zelensky sot në Suedi, nënshkruan marrëveshjen për eksportet e armëve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të udhëtojë sot për në Suedi, ku të dy vendet do të lidhin një marrëveshje për “eksportin” e armëve, njoftoi qeveria suedeze të martën.

Zelensky dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson do të takohen në qytetin Linköping, selinë e grupit Saab që prodhon avionin luftarak Gripen.

“Pas takimit të tyre, zotërinjtë Kristersson dhe Zelensky do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp për të bërë një njoftim në fushën e eksporteve të mbrojtjes”, tha qeveria. bw

Evropa thotë se vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja e bisedimeve për paqe

Liderët evropianë gjatë një takimi me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gusht 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësit evropianë kanë thënë të martën se vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja për çfarëdo bisedimesh për paqe.

Kërkesa e tyre vjen teksa përgatitjet për një takim mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, duket se kanë hasur në pengesa.

Trump – i cili javën e kaluar foli në telefon me Putinin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky – ka thënë se synon ta takojë liderin rus në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, brenda dy javësh, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Por përgatitjet për takimin mes tyre duket se janë pezulluar, pasi një takim paraprak mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shtyrë.

Ky takim pritej të mbahej në Budapest të enjten.

Lavrov dhe Rubio folën në telefon të hënën. Zëvendësi i Lavrovit, Sergei Ryabkov, tha të martën se është ende herët për të folur për kohën e ndonjë takimi ballë për ballë mes tyre.

Evropianët duan që Trumpi të sigurojë lëshime këtë herë

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ishte të martën në Uashington, ku shkroi në Facebook: “Na presin disa ditë shumë serioze përpara”.

Aleatët evropianë të Ukrainës janë shprehur të shqetësuar se Trumpi mund të takohet për herë të dytë me Putinin pa siguruar ndonjë lëshim të rëndësishëm nga lideri rus. Putini nuk e kishte pranuar thirrjen e Trumpit për armëpushim kur ky i fundit e priti në Alaskë në gusht.

Në një deklaratë të martën, udhëheqësit e fuqive kryesore evropiane, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe BE-në, thanë se “mbështesin fuqishëm qëndrimin e presidentit Trump se luftimet duhet të ndalen menjëherë dhe se vija e tanishme e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave”.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë prej kohësh kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijave të tanishme të frontit para fillimit të bisedimeve për paqe – një qëndrim që Trump e mbështeti publikisht të premten e kaluar pas takimit me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.

Moska ka thënë se dëshiron që Ukraina t’i dorëzojë asaj më shumë tokë si pjesë e disa kushteve që Rusia ka vënë për arritjen e armëpushimit.

Reuters dhe media të tjera raportuan se takimi i Trumpit me Zelenskyn me dyer të mbyllura javën e kaluar ka qenë i tensionuar, dhe se presidenti amerikan kishte përdorur herë pas here fjalor të ashpër dhe e i kishte bërë trysni Zelenskyt t’i pranonte disa prej kërkesave të Rusisë.

Megjithatë, Zelensky e ka paraqitur takimin si sukses, pasi ai përfundoi me mbështetjen publike të Trumpit për armëpushim në vijat e tanishme të frontit – që është qëndrim i kahershëm i Kievit.

Udhëheqësit evropianë pritet të takohen këtë javë me Zelenskyn si mysafir i tyre, fillimisht në një samit të BE-së dhe më pas në një takim të “koalicionit të vullnetit” të vendeve që po diskutojnë krijimin e një force sigurie për të garantuar një marrëveshje pas luftës në Ukrainë.

Rusia e kundërshton një forcë të tillë ndërkombëtare.

Dushe private dhe televizor me pagesë- Nis sot dënimin me 5 vite burg, Sarkozy do të mbahet në qeli të veçanta larg nga të dënuarit e tjerë

Nicolas Sarkozy fillon sot dënimin e tij me pesë vjet burg, duke u bërë ish-presidenti i parë francez që mbahet mend që burgoset.

Ish-presidenti francez ka të ngjarë të mbahet në njësinë e izolimit, ku të burgosurit janë të vendosur në qeli të veçanta dhe mbahen të ndarë gjatë aktiviteteve në natyrë për arsye sigurie.

Kushtet janë të ngjashme me pjesën tjetër të burgut: qelitë kanë një sipërfaqe prej 9 deri në 12 metra katrorë dhe, pas rinovimeve, tani përfshijnë edhe dushe private.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se Sarkozi do të ketë qasje në një televizor – për një tarifë mujore prej 14 eurosh (16 dollarë amerikanë) – dhe një telefon fiks. bw

“Nuk duhet të harrojmë që Rusia është agresori dhe Ukraina viktima”- Kallas: Presioni ndaj Ukrainës nuk është rruga e duhur

 

BRUKSEL- E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas tërhoqi vëmendjen, që të mos i imponohet Ukrainës shkëputja e territoreve në favor të Rusisë. “Ne nuk duhet të harrojmë, që Rusia është agresori dhe Ukraina viktima”, tha Kallas pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg. “Nuk është rruga e duhur, të ushtrohet presion ndaj viktimës, Ukrainës”, shtoi ajo.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të premten (17.10. 2025) priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Sipas njoftimeve në media Trump i ka kërkuar Zelenskyjt, që t’i japë fund luftimeve dhe të pranojë pushtimin rus të një pjese të Ukrainës.

Berlini pret nga samiti i BE-së një “sinjal të qartë mbështetjeje” për Ukrainën

Në sfondin e takimit të paralajmëruar ndërmjet presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Budapest, qeveria e Gjermanisë pret nga samiti i BE-së këtë javë një “sinjal të qartë mbështetjeje” për Ukrainën. Veçanërisht në sfondin e një takimi të ,mundshëm Trump-Putin në Budapest vlen motoja “ne nuk e lemë Ukrainën në baltë”, thuhet në qarqet qeveritare në Berlin.

Në takimin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të enjten dhe të premten (23.10. – 24.10. 2025) në Bruksel fokusi do të jetë konkretisht një “financim afatgjatë i Ukrainës”, mësohet më tej. Qeveria gjermane pret, që në samit të ketë një “vendim politik” lidhur me pasuritë ruse të ngrira në Europë. Pavarësisht “një sërë” çështjesh të hapura teknike, po konturohet një “konsensus i gjerë” për përdorimin e pasurive të ngrira ruse për një të ashtuquajtur kredi reparacioni për Ukrainën./DW

Macron pret ish-presidentin Sarkozy në Pallatin Presidencial pak para se të dërgohet në burg

Emmanuel Macron ka konfirmuar se e kishte ftuar paraardhësin e tij, Nicolas Sarkozy , në pallatin presidencial disa ditë para se Sarkozy të bëhej ish-kreu i parë i shtetit në historinë moderne franceze që burgosej .

Takimi u zhvillua të premten e kaluar, raportoi Le Figaro.

“Ishte normale, në një nivel personal, të prisja një nga paraardhësit e mi në këtë kontekst”, u tha Macron gazetarëve gjatë një udhëtimi në Slloveni.

Ai theksoi se vizita nuk kishte për qëllim të cenonte pavarësinë e gjyqësorit francez.

Sarkozy tha gjatë fundjavës se do të fillonte të vuante dënimin e tij të martën në burgun Santé . Nuk dihet se sa gjatë do të mbetet i burgosur.

Me vete, tha ai, do të marrë “Konti i Monte Kristos” të Alexandre Dumas (heroi arrin të arratiset nga burgu pasi është burgosur padrejtësisht) dhe një biografi të Krishtit.

Ish-presidenti u dënua në shtator me pesë vjet burg për lejimin e bashkëpunëtorëve të përpiqeshin të siguronin mbështetje financiare nga regjimi i Muamar Gadafit në Libi në këmbim të favoreve ekonomike dhe diplomatike. Kjo ndodhi pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2007, të cilat ai i fitoi.

Ai është kreu i parë i shtetit francez që burgoset që nga Philippe Petain, një bashkëpunëtor famëkeq me nazistët gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore. bw

BE ndalon tranzitin e gazit rus në territorin evropian: Jemi më të fortë dhe më të sigurt

Këshilli Evropian ka njoftuar se anëtarët e BE-së kanë rënë dakord të ndalojnë tranzitin e gazit rus përmes bllokut.

Nënshkrimi i marrëveshjeve të reja të importit për gazin rus do të ndalohet nga blloku që nga 1 janari 2026, tha këshilli në një deklaratë të hënën. Marrëveshjet afatshkurtra të arritura para 17 qershorit 2025 do të lejohen të jenë në fuqi deri më 17 qershor 2026, ndërsa kontratat afatgjata do të lejohen të jenë në fuqi deri më 1 janar 2028, thuhet në deklaratë.

Sipas këshillit, rregullat e reja lënë hapësirë ​​për “fleksibilitete specifike për shtetet anëtare pa dalje në det të prekura nga ndryshimet e fundit në rrugët e furnizimit”, të cilat do të lejohen të bëjnë ndryshime në kontratat e tyre ekzistuese me Rusinë.

Ndalimi i gazit rus u njoftua ndërsa ministrat e energjisë të BE-së u mblodhën në Bruksel, ku mbështetën propozimin për të hequr plotësisht naftën dhe gazin rus deri në janar 2028.

Ministri danez i Energjisë, Lars Aagaard, shprehu kënaqësinë që legjislacioni që “do të ndalojë përfundimisht gazin rus nga hyrja në BE” ka marrë mbështetje “dërrmuese” nga ministrat. “Një Evropë e pavarur nga ana e energjisë është një Evropë më e fortë dhe më e sigurt”, pohoi ai. bw


Send this to a friend