“Mendoni për romanet e mëdha të kohës sonë, mendoni për Uliksin e James Joyce-it”.
Jorge Luis Borges
L’Art de poésie, Gallimard, Paris, 2000, f. 54.
Është një rrugë në Paris, rruga Odeon, e cila mund të ishte quajtur rruga Uliks, meqë botimi origjinal i romanit monumental Ulysses (Uliksi) i James Joyce-it, u mor përsipër të botohej më 1922 nga Sylvia Beach që kishte aty librarinë Shakespeare & Company; përkthimi frëngjisht (Ulysse) doli shtatë vjet më vonë nga botuesja Adrienne Monnier, mikeshë e S. Beach. Monnier që nga viti 1916 kishte botuar disa autorë francezë, mes tyre edhe Paul Fort, Jules Romain dhe Roger Caillois, pa harruar edhe një revistë jetëshkurtër, ku botuan autorë si: Blaise Cendrars, Jean Giraudoux, Jules Supervielle, Antoine de Saint-Exupéry. Mund të përmenden edhe miqtë shkrimtarë që frekuentonin librarinë si Guillaume Apollinaire, Colette, Jean Cocteau, Jacques Prevert, Saint-John Perse e të tjerë. Me kulturë të gjerë letrare dhe me kuptimësi për rëndësinë e kësaj vepre, ajo ua besoi punën e hollë e të vështirë të përkthimit dy figurave të njohura si përkthyes të anglishtes e që u rishikua i tërë nga shkrimtari Valery Larbaud dhe nga vetë autori.
I cilësuar nga Borges-i si “katedrale e prozës” (Parathënie, Pléiade), ai është çmuar si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë moderne duke zënë vendin e parë në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze në shekullin XX që hartoi The Modern Library më 1998.
Përkthimi në shqip i romanit Uliksi të Joyce-it nga Idlir Azizi dhe botimi i tij nga Shtëpia Botuese Zenit, mbetet një ngjarje kulturore. Sepse kjo vepër e Joyce-it është si një univers i pafund, me regjistrat gjuhësorë dhe stilet e të shprehurit që përmbledh ligjërimi i tij i panjohur më parë në letërsi. Përkthimi i Azizit është një aventurë e guximshme dhe e bukur, por që ka brenda edhe mundimin, si medalje e pakundërshtueshme e gjithë atyre që i kanë hyrë përkthimit të një vepre të vështirë.
Historiku i veprës
Romani Ulysses doli për herë të parë në formën e një rubrike të përjavshme në The Little Review[1], në Nju Jork, gjatë muajve mars 1918 dhe nëntor 1920, para se të botohej i plotë në Paris, në shkurt 1922, nga libraria Shakespeare&Company (ky do të mbetet i vetmi botim me tirazh të madh i librarisë). Që nga botimi i tij me fragmente në Shtetet e Bashkuara, romani nxiti diskutime, sidomos një ankesë nga New York Society për heqjen e pjesëve që u quajtën të turpshme. Madje ajo e cilësoi krejt librin të pabotueshëm. Romani u ndalua në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1933. Pas kësaj ai u komentua pareshtur dhe do të bëhej objekt i studimeve të panumërta.
Uliksi, vepër klasike e shekullit XX
I pari që e vuri re karakterin enciklopedik të veprës së Joyce-it ishte Ezra Pound-i kur shkroi se “Joyce ka ndërmarrë artin për të vazhduar atje ku e ka lënë Floberi” (Literary Essays of Ezra Pound, ed.Faber &Faber, 1920, f. 403). Është e çuditshme kur konstaton sot se edhe Floberi i shkruan të dashurës së tij Luise Colet, një shkrimtare e kohës, kështu: “Librat, prej të cilëve rrjedh një letërsi e tërë, si Homeri dhe Rabëleja janë enciklopedi e epokës së tyre” (Flaubert, Correspondance II, Pléiade, 1980, f. 545).
Uliksi është nga ata romane që i jep formë një bote të tërë. Duke qenë një roman total, ai i shumëfishon nivelet e leximit dhe përmbush një program enciklopedik. Nëse flitet për palimpsest, ai është një roman me shumë palimpseste, sepse çdo kapitull dhe çdo episod, siç i quan autori, ka një teknikë e simbolikë të veçantë si dhe një mënyrë rrëfimtare të ndryshme. Studiuesit e veprës dhe jetës së Joyce-it, të cilët kanë parë edhe dorëshkrimin, janë mahnitur, sepse kanë gjetur aty romanin shumëpërmasor. Joyce-i i ka lëvizur nga vendi praktikat e tjera të shkrimit. Valéry Larbaud që u bë bashkëpërkthyes i botimit dhe që shkroi hyrjen, e rrallë për epokën, pyet: “Atëherë ku është çelësi”; që arrihet të shkohet përtej klisheve. Në vend të lexuesit që i hutuar nga orteku i fakteve nuk di të orientohet, ai përgjigjet : “Eh, pra, ai është, si të thuash te titulli Uliks”.
Ndikimet
Vepra e Joyce-it ka ushtruar një ndikim të madh te shkrimtarë si Samuel Beckett, Borges, Alain Robbe-Grillet, Salman Ruzhdie, Philippe Sollers, Raymond Queneau, William S. Burroughs, Kerouac, Nathalie Sarraute e të tjerë. Flann O’Brien-i, shkrimtar irlandez e ka protagonist në një roman ku hija e Joyce-it hyn në bisedë me Shën Agustinin.
Një numër i madh kritikësh kanë shkruar se vepra e tij ka nxiturfiksionin modern dhe postmodern duke krijuar breza shkrimtarësh që e braktisën gramatikën, thurjen e ngjarjes, ndonjëherë të palexueshme (si në veprën e Burroughs-it dhe të tjerë të brezit të tij). Disa shkrimtarë si Bernard Shaw ose Paule Coelho janë mjaft të rezervuar për veprën e Joyce-it.
Megjithatë, teoricienët e letërsisë strukturaliste Tzvetan Todorov dhe Gérard Genette dhe të asaj poststrukturaliste, ndër të tjerë Umberto Eco dhe Robert Scholes e shohin Joyce-in si një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit. Eco e quan FinnegansWake si një « univers ajnshtajnis[2]. Ndikimi i Joyce-it ka lënë gjurmë edhe në fusha të tjera. Kështu fjala “kuark” Three Quarks for Mister Mark në FinnegansWake, është në origjinë të fjalës quark (kuark) përdorur në fizikë. Fraza këndohet nga një kor zogjsh deti.
*
Vepra e Joyce-it është bërë objekt studimesh në dhjetëra e dhjetëra libra studimorë, seminare, sesione shkencore dhe konferenca.
Filozofi Jacques Derrida ka shkruar një libër për përdorimin e ligjërimit në Romanin Uliksi; filozofi amerikan Davidson e krahason Finnegans Wake me tekstet e Lewis Carrol-it; psikanalisti Jacques Lacan i kushtoi seminaret e viteve 1975 dhe 1976;
Nabokov-i e vlerësonte shumë romanin Uliksi; ai e zhvilloiatë në kurset universitare midis veprave madhore të shekullit XX, si Metamorfoza e Franz Kafka-s apo edh ndonjë tjetër.
Shumë filma janë xhiruar për jetën e Joyce-it dhe Norës, si dhe për vepra të ndryshme të Joyce-it. Midis tyre regjisori amerikan Joseph Strick, më 1983 përshtati për ekranin e madh romanet Ulysses dhe A Portrait of the Artist as a Young Man.
Është orkestruar edhe një pjesë muzikore për fëmijë, me titull Një lule për vajzën time.
Herbert Gorman më 1941 botoi biografinë e parë për Joyce-in.
Richard Ellmann më 1959 botoi një biografi dhe e pasuroi atë më 1982.
Në Dublin, Joyce-i kujtohet duke festuar çdo vit 16 qershorin “Bloomsday”.
Që nga 2011 në Monreal mbahet një festival i quajtur Joyce.
Në Dedham (Massachusetts) të ShBA-së në Shëtitoren Joyce, zhvillohen çdo vit veprimtari sportive dhe lexime të veprave të autorit.
Një kopsht në Paris quhet Kopshti James Joyce.
Për të ruajtur të gjallë kujtimin dhe veprën e shkrimtarit irlandez, në Cyrih ku ai kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës, më 1983 është themeluar nga Fritz Senn Fondacioni James Joyce. Ai ka shkruar edhe parathënien e përkthimit të parë shqip të romanit Uliksi.
Sot është përkthyer në shqip një pjesë e madhe e veprës së Joyce-it.
Kritika francezedhe anglo-saksone
Uliksi (Ulysses anglisht) konsiderohetsotsikryevepër që e ka merituar shugurimin letrar të Joyce-it. Ai është një roman në lëvizje të përhershme, që përshkruan jetën në një ditë të vetme, në universin e hapur të një qyteti të vetëm, Dublin. Ideja filozofike e tij se jeta është një udhëtim, realizohet edhe nëpërmjet monologut të brendshëm të quajtur përroi i ndërgjegjes (stream of consciousness) nga kritika.
Në atë përditshmëri Joyce-i përpiqet të mbërthejë “atë që quhet jetë”, në rrethanat historike të modernitetit në shekullin XX duke kapërcyer pengesat gjuhësore dhe duke e zhvendosur objektin e romanit nga rrëfimi i ngjarjeve, në vetërrëfim. Gjuha, dykuptimësia e ligjërimit dhe teknikat e ndryshme të shkrimit që ndryshojnë në çdo episod, përftuan një jehonë të gjerë qysh në fillim kur romani u botua në Francë dhe ndikuan në çmistifikimin e rrëfimit letrar tradicional. « Detyra që i kam vënë vetes teknikisht, është të shkruaj me tetëmbëdhjetë pikëpamje të ndryshme dhe me po aq me stile të gjithën, atë që duket e panjohur ose e pavënë re nga sivëllezërit e mi”[3]. Këto janë gjithashtu tetëmbëdhjetë orët e atij 16 qershori 1904 në Dublin që nis në orën tetë të mëngjesit dhe vazhdon gjer natën vonë.
Edhe pse një pjesë e kritikës e ka cilësuar romanin Uliksi si një parodi të poemës homerike, kuptimi i tij është shumë më i thellë. Vladimir Nabokov-i në kursin[4] për romanin, më 1980 shkruante: “Uliksi është një vepër e shquar e gjithëkohshme arti, por kritikët janë të interesuar më tepër për konsiderata të përgjithshme dhe ide sesa për veprën në vetvete… Unë duhet t’ju sqaroj se në zhvendosjet e Leopold Blumit atë ditë vere në Dublin, nuk duhet të shihni një parodi të ngushtë të poemës Odiseja, ku punonjësi i reklamave luajtka rolin e Odiseut, ku gruaja kurorëshkelëse e Blumit do të ishte e dëlira Penelopë, ndërsa Stiveni do ta shihte veten si Telemaku. Që ka një jehonë të vagullt të përgjithshme homerike në rastin e Blumit është e dukshme, ashtu si e thotë titulli dhe gjithashtu shohim një sërë nënkuptimesh klasike në libër, por do të ishte fare një humbje kohe, po të kërkoje paralele të ngushta me çdo personazh dhe çdo skenë… Prandaj, pas këtyre interpretimeve në shtyp, Joyce-i u detyrua t’i hiqte titujt pseudo homerikë nga kapitujt, sepse e mendoi se çfarë përfundimesh do të nxirrnin gjithë të mërzitshmit, të ditur dhe të paditur.”
Zanafilla e tekstit
Shqetësimi i Joyce-it për çështjen e formës dhe estetikën e shkrimit është shfaqur mjaft herët. Në fletoret e Parisit ai shkruan: “Ritmi duket se është raporti i parë, domethënë një raport i formës midis pjesëve të ndryshme dhe një të tëre, ose edhe midis cilësdo prej këtyre pjesëve dhe së tërës […] pjesët përbëjnë një të tërë kur ato plotësojnë një qëllim të përbashkët” (25 mars 1903)[5].
Ideja për romanin atij i lindi qëkur ishte duke shkruar Dubliners (Dublinasit) më 1903; ai deshi të shtonte edhe një tregim të titulluar Ulysses. Madje përcaktoi edhe emrat e dy personazheve kryesore: Stiven Dedalus dhe Leopold Blum. Por kjo ide u la për një vepër më të madhe.
Kemi edhe një gjenezë të dytë të romanit në vitet që u ndalua në Amerikë nga viti 1921 deri në vitin 1934 dhe në Britaninë e Madhe deri më 1936. Është një aventurë më vete shpërndarja e romanit në mënyrë të fshehtë. Në shumë tregime moderniste dhe në intervista përshkruhet sesi e kanë kaluar përtej detit romanin e botuar në Francë në një valixhe me fund të dyfishtë apo të ndarë pjesë-pjesë, futur midis rrobave duke përjetuar makthin që i mbërthente nëpër dogana. Madje edhe nga Gjermania naziste, vepra mundi të dilte e të kalonte oqeanin prej një profesori amerikan të letërsisë.
Një përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes
Ngjarja, pra, fillon në mëngjesin e 16 qershorit. Arsyeja përse Joyce-i zgjodhi 16 qershorin është thjesht një datë simbolike e jetës së tij, data kur pati takimin e parë të dashurisë me Nora Barnacle (të cilën e kishte njohur një javë më parë), dhe që u bë bashkëshortja e tij e pazëvendësueshme.
Në dritën e imagjinatës së çliruar nga normat e ngushta letrare, personazhet kryesore jetojnë një ditë të zakonshme në qytetin e Dublinit me detin e tij, me diellin mbi det e me shkollat, me shtëpitë, me kishat dhe varrezat, me gazetat, bibliotekat, baret dhe tavernat, spitalet dhe shtëpitë publike e me të gjithë banorët. Në një anekdotë tregojnë se Joyce-i e ka përshkruar me aq saktësi Dublinin, sa po të ndodhte një apokalips, do të mjaftonte të merrnin romanin e tij për të rindërtuar qytetin ashtu si kishte qenë.
Me tetëmbëdhjetë episodet, ashtu si i ka quajtur Joyce-i, në tetëmbëdhjetë ligjërime përurohen sinoret (vend, pjesë e trupit, ngjyrë, fushë e mendimit ose e veprimtarisë), mënyrat e reja të shprehjes (tregimtari, retorikë, stil gazetarie, vazhdim i formave muzikore, evolucion i gjuhës etj.) si dhe temat që trajtojnë jetën, dashurinë dhe vdekjen, në të cilat përfshihen (shkolla, familja, arti, kultura, tradita, ëndrra, seksi, feja, gjendja politike e shoqërore… ). Uniteti i tekstit sigurohet nga përdorimi i pikave të orientimit hapësirë-kohë dhe me teknikën e monologut të brendshëm, që mundëson sjelljen e së shkuarës në të tashmen.
Stiven Dedalusi është njëri prej personazheve kryesore që shfaqet qysh në romanin Portreti i artistit në rini. Aijeton në kullën Martelo me mikun e vet Bak Maligan dhe një tjetër, pak i njohur nga Stiveni, quhet Hajnes dhe ka ardhur një natë më parë, por që del admirues i folklorit irlandez. Dedalusi është një i ri i zhgënjyer, disi pesimist dhe që e neverit shtirja e bashkëkombësve të vet si dhe rregullat e ngurta, prandaj nuk do që t’i shërbejë asnjë ideologjie, madje tallet me Rilindjen gaelike që vepron në rrethet letrare dublineze.
Kur niset atë mëngjes për në punë duke nxituar në ranishtën buzë detit edhe mendimet e tij lëkunden “si valët e detit”. Përsiatjet filozofike për realitetin e botës dhe krijimin nga exnihilo, vazhdojnë me kujtimet e Parisit kur lexonte Aristotelin dhe Shën Thomas d’Aquin-in. Ai që kishte synim të bëhej doktor apo shkrimtar, i kupton me hidhërim dështimet dhe vetminë që e shoqëron si artist. Duke menduar për ekzistencën e njëkohshme të Atit të përjetshëm dhe unit “terr që shkëlqen në dritë”, ai përhumbet njëkohësisht në vërshimet e ndjesive të një bote në zhvillim të vazhdueshëm. Krenaria e tij e cenuar e shtyn të urrejë trupin, mishin dhe të pohojë një liri të vërtetë shpirtërore. Stiveni është mësues historie. Një nxënës që vjen vonë në klasë, i kujton fëmijërinë duke i ngjallur të kaluarën, dhe e bën të mendojë për dashurinë amnore si të vetmen gjë të vërtetë në këtë botë. Kur mbaron mësimin ai takon drejtorin, i cili i mban një ligjëratë misozhine[6] e antisemite. Në këto rrethana vjen fraza e famshme: “Historia është një makth, nga i cili dua të zgjohem”.
Leopold Blumi, personazhi tjetër, Uliksi modern, shfaqet i heshtur, por plot andralla. Gjatë një dite ai do të përjetojë emocione të shumta e të ndryshme. Autor dhe shpërndarës reklamash, ai kryen një punë si gjithë të tjerët. I ati i tij ka qenë një hebre, i ardhur nga Hungaria dhe i kthyer në protestantizëm; aty në Irlandë ai e pati ndërruar mbiemrin në Blum. Pak pas vetëvrasjes së të atit, Leopoldi përqafoi katolicizmin për t’u martuar me një këngëtare që shëtit gjithë Irlandën me grupin e saj dhe “në ndryshim nga Penelopa e Homerit, ajo kishte pasur shumë dashnorë”, thuhet në një koment, ndër dhjetëra e qindra të tillë që ka ngjallur figura e saj. Ata kanë një vajzë që ka mbushur 15 vjeçe dhe një djalë që jetoi vetëm 11 ditë. Blumi është njeri i thjeshtë, një borgjez i vogël, i sjellë, dashamirës dhe zemërgjerë dhe ne shohim sesi dita e tij ka gëzimet dhe zhgënjimet e saj. Në mbrëmje ai shkon në teatër dhe pastaj në një bordel ku edhe takohet me Stivenin. Aty përjeton disa halucinacione që Joyce-i i përshkruan me mjeshtëri.
Mund të ndalemi në ndonjë temë të poemës së Homerit që autori e risjell me një kuptim të ri bashkëkohor. Bie fjala, tema e Sirenave në të cilën jepet fuqia mizore e kumbimit tingullor, është model i krijimit ku i lihet liri imagjinatës. Për Homerin rreziku e ka burimin te kënga e dy sirenave. Sigurisht te Joyce-i “rreziku” janë dy vajza të reja, por përtej tyre, është krejt episodi që nis e këndon. Lexuesi gjendet i magjepsur si Uliksi i poemës dhe i duhet të kthjellohet që të mos tralliset nga hutimi.
Sylvia Beach dhe James Joyce në librarinë Shakespeare & Company me rastin e daljes nga shtypi të Uliksit (1922)
Struktura
Joyce-i është ruajtur të mos ketë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me poemën Odiseja të Homerit, edhe pse në letërkëmbime ai u ka vënë tituj episodeve për ta bërë sa më të kuptueshëm tekstin. Skemat shpjeguese, të njohura si skema Linati[7] dhe skema Gorman[8] (madje është edhe një emër tjetër më pak i njohur), janë “një lloj çelësi” për të hyrë në vepër. Sipas Genette-it, kjo e bën romanin Uliksi një model të “hipertekstit”.
Rrëfimi i romanit përbëhet nga tetëmbëdhjetë kapituj, të cilat Joyce-i vetë i quajti episode (Pléiade, faqe LXXIV), të ndara në tri pjesë të mëdha: duke rimarrë emrat nga poema Odiseja, si: Telemak, Odise dhe Nostos (Pléiade, f. LXXXI-LXXXIV), ose sipas skemës tjetër me tri metafora: Aurora, Mëngjesi, Mesnata, (Pléade, f. LXXVI-LXXX).
Pjesa e parë Telamakiada (sipas skemës Linati) përmban tri episode. Veprimi përqendrohet rreth Stiven Dedalusit, personazh që përfaqëson fushat shpirtërore dhe intelektuale, pra, atë që është e palëndët te njeriu, figurë që njëjtësohet me Joyce-in, si një vazhdim i jetëshkrimit Portreti i artistit në rini (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV), i cili mbyllej me fjalët e artistit :“Do të farkëtoj në kudhrën time ndërgjegjen e paformuar të racës njerëzore.”
Pjesa e dytë zhvillohet në dymbëdhjetë episode dhe është pjesa më e rëndësishme e veprës. Aty gjejmë personazhin Leopold Blum, zëdhënës i fushës materiale dhe ndijimore të njeriut, Gjatë gjithë romanit, shtegtimet e Uliksit mund të ilustrohen në mënyrë hipotetike me zhvendosjet e Leopold Blumit në qytetin e lindjes. (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV).
Pjesa e fundit, e treta, përbëhet nga tri episode. Aty shfaqe sërish poeti i ri niset në kërkim të fatit. Monologu i fundmë i Mollit është quajtur më tepër një shtojcë sesa një episod.
Nga ndjesia e pikëllimit dhe zemërimit në hapje, kalohet në atë të gjendjes absurde e të lodhur në pjesën e dytë, për t’u mbyllur me pjesën e tretë muzikore. « Qëllimi im është të transpozoj mitin sub specie temporis nostris. Çdo aventurë nuk duhet vetëm ta kushtëzojë, por madje ta krijojë teknikën e vet»[9].
Veprimi në roman realizohet përmes gjuhës, nisur nga një skemë gjigante njerëzore. Disa komentues janë përpjekur ta minimizojnë fare rëndësinë e skemave të Joyce-it (Ezra Pound, kritiku i tij i parë, mendonte se është fjala për kombinime të pjesëve). Nga bisedat me Frank Budgen[10] shpërfaqet ideja se duke u nisur nga skema, Joyce-i kishte parasysh krijimin e një totaliteti imagjinativ historiko-kohor. Një skemë e tillë gjendet edhe te KomediaHyjnore. Lacan-i ishte mahnitur nga kjo lloj skeme. « Që çdo kapitull i romanit Uliksi kërkon të mbahet me një lloj suazimi […] është domethënëse, sepse lidhet me lëndën e asaj që tregon” [11].
Interpretimi
Mëngjes qershori. Ditë me dritë të artë, me qiell të kaltër, me rrugë që zgjohen. Një ditë e re dhe një odise e re për njeriun. Stiven Dedalusi nuk ka shumë kohë që është kthyer nga studimet, ai është edhe i trishtuar edhe i gëzuar.
Ky është epilogu i romanit. Sipas kritikës kemi një lindje plot histori që e marrim vesh jo në një vijë rrëfimtare kronologjike, por në prerje horizontale. Pastaj shfaqet Leopold Blumi. Lexuesi i njeh historinë dhe jetën e personazheve si në një vepër të pikturës baroke në të cilën përdoret “edhe impresionizmi edhe kubizmi”.
Përmes monologut të brendshëm ne takojmë shumë personazhe hije, të afërt dhe miq të këtyre personazheve, të vdekurit e Blumit të atin dhe të birin, miqtë e tij të rinisë, të atin dhe të ëmën e Stivenit dhe figura të tjera episodike. Sido që monologu i brendshëm nuk është mbizotërues dhe nuk përdoret i pashoqëruar me një ligjëratë të zhdrejtë, ai në të vërtetë mbetet shenja më dalluese e romanit. Vetëm monologu i Mollit në mbyllje është mbase i vetmi monolog i pastër.
Tetëmbëdhjetë episodet e romanit që përurojnë një grup të ri elementesh, janë një konceptim i ri të shkruari në fillimet e shekullit XX. Uniteti i veprës sigurohet nga përdorimi i shenjave dalluese, hapësirë-kohë dhe nga teknika e monologut. Romani është gjithashtu shumësi simbolesh dhe nënkuptimesh për historinë e mendimit perëndimor. Uliksi vetëështënjëtitull simbolik, ashtu si edhe personazhi kryesor, Leopold Blumi, i cili shndërrohet nësimbol. Aiështëhebre, përfaqësues injëpopulli me fat dramatik[12]. Në parathënien[13] e botimit të parë, vendosjen e Blumit në qendër të romanit, përkthyesi I. Azizi e quan “akt themelor politik”.
Ndryshe nga bashkëkohësit e vet shkrimtarë, Joyce-i nuk rrëmbehet nga përsiatjet morale dhe shoqërore. Në roman narracioni organizohet si kaos i një subjektiviteti fatmirësisht përparimtar, me një ironi që pastron vetëdijet, me një fragmentim të ngjarjeve dhe kujtimeve, ashtu si në jetë; ky model do të arrijë kulmin me Romanin e ri në Francë. Joyce-i kryqëzon idioma, vende, fjalë, ligjërime nën diellin e patriotizmit irlandez, shtegtime, këngë të trupit dhe shpirtit njerëzor, ngjyra dhe takime qytetërimesh, në të vërtetë të përziera prej kohësh. Të gjitha nën shigjetën sarkastike të deheroizimit të jetës në një përditshmëri natyrore të vjetër sa bota dhe në një vend të përbashkët ku kryqëzohen fatet njerëzore.
Nabokov-i ishte një lexues i vëmendshëm i Joyce-it. Ai e quante dhunti të veçantë shpikjen e fjalëve, lojën dhe tingëllimin e tyre. Por një moment që i kishte lënë shumë mbresa dhe që e komentonte në kurset e tij si një ide që do të formonte breza burrash të emancipuar, është ai kur Blumi i sjell mëngjesin në tabaka Mollit. Këtë pasazh ai e quante si “më të madhin e gjithë letërsisë”. Në këtë cilësim përzihej entuziazmi i shkrimtarit, lexuesit dhe ligjëruesit në katedrën e letërsisë.
*
Kritika thotë se ka një poetikë universale ligjërimi te vepra e Joyce-it. Domethënë se mund të ekzistojë një Libër, forma e të cilit të shpjegojë ide universale. Umberto Eco e ka quajtur vetë titullin një “formë shprehëse” që flet për përmbajtjen. Kur Joyce-i kërkon të dënojë paralizën e jetës irlandeze[14] dhe, përmes saj paralizën dhe shkërmoqjen e botës, për shembull, ai regjistron fjalitë e zbrazëta të mbushura me një vetëbesim të tepruar të gazetarëve, pa dhënë vetë asnjë gjykim. Gjykimi qëndron thjesht te forma e kapitullit, në të cilin rigjejmë të gjitha figurat retorike dhe ku frazat e bisedës u përgjigjen paragrafëve, titujt e të cilëve na kujtojnë ata të artikujve të gazetave; një lloj retrospektive titujsh të gazetës viktoriane të mbrëmjes plot skandale. Umberto Eco e lidh këtë formë rrëfimi me një lloj epifanie. « Nuk bëhet fjalë më për magjepsje nga një epifani vegim, por për një epifani strukturë me përmbajtje të qartë karteziane”[15].
Forma e romanit është “ujdisur” që në kohën e Aristotelit me poetikën e një intrige që sa vjen dhe zhvillohet në kohë. Përkundrazi Joyce-i realizon një formë shkrimore me prerje horizontale, në të cilën brenda një dite ngërthehen kohërat: Antikiteti, Mesjeta, Moderniteti, madje jashtë përsiatjeve dhe bisedave nuk mbeten as Upanishadat që është faza e fundit e Vedave dhe që sipas filozofisë Hindu shpreh te njeriu esencën shpirtërore të ndarë nga trupi.
Te Uliksi veprimet pa ndonjë rëndësi të jetës së përditshme, përftojnë vlera narrative. Perspektiva aristoteliane gjendet kështu e përmbysur; ajo që më parë ishte e dorës së dytë, bëhet kryesore. Aty nuk janë më gjërat e mëdha që ndodhin, por gjërat e vogla që shumohen përbëjnë ngjarjen. Herë-herë në roman ka biseda serioze, herë-herë dëgjohen thirrma vulgare ose shprehje formale, pa kuptim, herë-herë stili kalon në Yiddish ose në një gjuhë të pakuptueshme. Vështrimi i rastësishëm, mendimet dhe gjestet e atypëratyshme, marrin formën e një lloj automatizmi të jetës dhe janë lënda e parë për shkrimtarin. Sepse “arti është mënyra njerëzore për t’i dhënë lëndës së dukshme apo të padukshme një qëllim estetik” (Joyce, Fletoret e Parisit, 1905).
Kritiku Ernst R. Curtius shkruan se “Uliksi ka në bazë një nihilizëm metafizik; te ai makrokozmosi dhe mikrokozmosi prehen në zbrazëti dhe se qytetërimi katandiset në hirnajë si në një kataklizmë kozmike. Nihilizmi i tij është i lidhur me rregullin irracional”[16].
“Çrregullimin” në veprën e Joyce-it disa studiues e quajnë art, sepse çrregullimi aty jepet sipas një rregulli. Me këtë “gjenialitet të formalizmit”, autori ia del të sigurojë ekzistencën e botës së re që ka zbuluar vetë. Pikërisht këtu qëndron shpikja kryesore në roman.
Metoda e Joyce-it që ndërton një monolog të përzier me përshkrimin e gjesteve dhe të historisë, është më afër krijimit poetik. Këtë e ka shpjeguar Budgen[17] që e vlerësonte mënyrën e paraqitjes psikologjike të personazheve te romanit. Në librin me kujtime ai shkruan “ Metoda e thurjes së elementeve në prozën e Joyce-it ishte më shumë ajo e një poeti sesa e një prozatori. Fjalët që përdorte, ai i kishte të gdhendura thellë në mendje, para se të merrnin formë në letër”. Budgen kujton edhe se, ndërsa njëherë e pyeste për ecurinë e romanit, Joyce-i i ishte përgjigjur se “kishte punuar gjithë ditën për të shkruar dy fraza”. Dhe kishte shtuar se “i kishte tashmë në kokë fjalët, por i duhej të gjente rendin ideal”. Ja dhe dy frazat: “A warm human plumpness settled down on his brain. His brain yielded. Perfume of embraces all him assailed. With hungered flesh obscurely, he mutely craved to adore. “ (Ulysses, f. 637). Por përkthimi e ka të pamundur në cilëndo gjuhë qoftë, të ruajë rendin e fjalëve për shkak të zhvendosjes të theksit. Në anglisht fragmenti paraqitet si prozë poetike.
Shembujt e ndryshëm nga romani tregojnë se më shumë është fjala për një poetikë të brendshme të frazës sesa për një teknikë të mirëfilltë poetike. Ai është një art poetik që shpaloset mezidukshëm, një art që trazon dallimet e zakonshme mes poezisë dhe prozës. Valéry Larbaud shihte në këtë teknikë mjetin që Joyce-i të shkruante në mënyrë të natyrshme dhe ta zvogëlonte sa më shumë intrigën.
“Poetika e tij e re nuk ndalet vetëm në shfrytëzimin e sferës së unit lirik në gjendje nistore si në prozën e Woolf-it”, por përfshin një material të shtrirë në hapësirë dhe kohë. Kritika shënon se shqetësimi i Joyce-it për tekstin nuk kishte të mbaruar. Ai dëgjonte me vëmendje dhe shënonte fjalë, të cilat i duheshin dhe kishte besim te ylli i frymëzimit të tij. Gjithçka që grumbullonte, e përdorte në kohën dhe në vendin e duhur. Dhe meqë Uliksi pati si temë jetën në të gjitha pamjet e saj, nuk kishte kufi në përdorimin e elementeve të ndryshme që do të luanin rol në ndërtesën e tij krijuese: ngjyrat e ditës; të qiellit; një parodi; emri i veçantë i një peshku; metodat që përdoreshin për dënimin e marinarëve në anijet shkollore; një frazë e pambaruar; ngërçi nervor i një të ftuari që vizatonte në gotën e tij rrathë bashkëqendrorë; një shaka në një sallë muzike, bisedat nacionaliste… Shkrimtari dhe kritiku Wyndham Lewis thotë: « Kjo është një metodë natyraliste e çuar gjer në makth të përkryer”. Në këtë kuptim Uliksi lajmëron Finnegans Wake. Lexuesi e vë re se gjuha është ajo që shpesh i strukturon perceptimet.
*
Joyce-i ka përfituar nga realizmi psikologjik i personazheve letrare, sidomos i atyre të shekullit XIX, por ai e ndërthur këtë në ekuacionin veprim / monolog. Ne shpeshherë lexojmë mendimet e një personazhi që përshkojnë monologun e një tjetri : përputhje të habitshme bëjnë që Blumi të mendojë atë që Stiveni kishte thënë për Shekspirin. Edhe Lacan-i e përmend këtë gjë. Ndonjë kritik hamendëson se Joyce-i ka për qëllim të vërtetojë një lloj transmetimi telepatik midis Blumit dhe Stivenit. Bie fjala, Stiveni në bibliotekë dhe Blumi në episodin “Sirenat” mendojnë pak a shumë të njëjtën gjë: poetika e trishtimit, roli i muzikës, vargje nga vepra e Shekspirit. Është fjala për një kryqëzim idesh: gjithçka ndodh sikur Joyce-i donte të thoshte se ekziston një nënvetëdije kolektive. Prandaj është e pranueshme për të gjithë kritikët xhoisjanë të flasin për një instancë të një narracioni specifik midis narratorit dhe autorit. Ai shfrytëzon mundësitë që krijon struktura e ligjërimit e bazuar mbi një lloj dialogjizmi me ndërhyrje që janë thyerje logjike në ligjërim.
Për Joyce-in “bota e re”, e re në kuptimin që të ndërmarrësh një punë që nuk është provuar gjer atëherë, është më tepër « më e mira e botëve” të përhershme që rrjedh si lumë. Humori aty është i pranishëm çdo çast edhe pse gjejmë medoemos pesimizëm, hidhërim, keqardhje apo ironi. Humori shërben për të yshtur ankthin e vdekjes. Ndaj edhe dëgjojmë pareshtur të qeshura në të gjitha tonalitetet, një e qeshur që përfshin gjithësinë.
Kjo epope e Uliksit, e simbolizuar me një çifut hungarez, i shtënë pas shkencës, të cilit i bashkohet artisti Stiven Dedalus, i përhumbur në ankthin e Historisë është e jashtëzakonshme. Një pjesë e romanit shquhet për monologun e brendshëm të personazheve, pjesa tjetër për një parodi stilistike dhe autonomie gjuhësore në raport me “subjektet”, derisa gjuha bëhet vetë subjekt. Kështu kur përshkruan një skenë në maternitet Joyce merret me evolucionin e letërsisë angleze. Të gjitha shënimet që ka lënë ai, flasin për një enciklopedi të kulturës dhe historisë. Risjellja e së kaluarës në të tashmen, na kujton formulën e Dekartit : Mendoj, pra, jam[18], mënyrë faustiane për të kapërcyer tmerrin total. Jacques Derrida tregon se Emmanuel Levinas thoshte se Uliksi është “hero shumë hegelian”. Në esenë Uliksigramafon, ndër të tjera, Derrida shkruan: “Nga njëra anë, vepra (Uliksi) e Joyce-it është një makinë shkrimtarie, një korpus, në të cilin shpalosen dhe ndërthuren të gjitha: ligjërimet, gjuhët, dija. […] Nga ana tjetër thjeshtësia e saj dhe mënyrat e tërthorta të paraqitjes, bëjnë që të triumfojë autori dhe gjithçka merr pjesë pastaj për ta bërë të pamundur deshifrimin e tekstit. E shkruar në një përzierje gjuhësh, vepra mban gjallë pështjellimin. […] Ajo lë te lexuesi gjurmë të pashlyera duke e transformuar (nëse ia del ta lexojë; në më të shumtën e rasteve nuk ia del dot).Dhe lexuesi pret nga libri një zë profetik. Libri është si një thirrje në telefon që thotë: “Alo, jam këtu, po të dëgjoj”.
Përfundim
Duke shkruar Uliksin, James Joyce-i kreu një udhëtim gjuhësor që zgjati tetë vjet e që u kurorëzua me një kryevepër botërore. Prandaj krijesat e Joyce-it ia behin nga hapësira e rrëfimit me gjithë plotërinë e tyre duke fituar lëndën prej mishi dhe kocke, jo të një demiurgu, por të një njeriu që është i mbërthyer thellë në “jetën e vërtetë”.
Uliksi është një roman total, me një ndërtim shumëpërmasor që ka bashkuar disa regjistra shkrimorë për të shumëfishuar nivelet e leximit. Duke ecur në gjurmët e Homerit, por nga ana e kundërt e epikës, Joyce-i tregon jetën e zakonshme, komike dhe tragjike njëherësh, betejën ekzistenciale të njeriut. Uliksii sotëm përmbledh në një ditë të vetme në Dublin, dhjetë vjetët e endjes së Uliksit homerik. Epopeja moderne është “parodike […] e mishëruar te personazhi Leopold Blum, i cili nuk ka asnjë përmasë heroike në veprime, por vetëm në ëndrra. Bota në të cilën jeton ai është një pështjellim në vogëlsinë e vet dhe në përmasat mediokre”[19]. Forca e Blumit është të mos mposhtet nga negativja p<r t< siguruar vazhdimësinë e njerëzimit.
Para së gjithash romani është një sfidë vetjake për autorin, e cila mishëron një betejë gjuhësore në kërkim të fjalëve, prandaj është quajtur aventurë gjuhësore. Sintaksë, strukturë, tingull dhe stil, çohen gjer në atë pikë, sa fjalët dhe shkronjat e tyre fitojnë një jetë të pavarur. Simbolizmin që përshkon gjithë romanin dhe portretet psikologjike realizohen me anë të gjuhës. I syrgjynosur vullnetar i vendit dhe i gjuhës së tij, Joyce-i sajon gjuhën e vet, një gjuhë tjetër që e përvetëson, një gjuhë të krijuar prej tij që e shtyn lexuesin deri në kufijtë e të padukshmes. Thyerja e raporteve shkrimore të vendosura nga një traditë mijëvjeçare ishte guxim i madh krijues. Shkrimi i tij imiton shpërfaqjen e një mendimi të vetvetishëm.
Ecuri teknikash dhe lojërash gjuhësore, Uliksi i Joyce-it do të shquhet, ndër të tjera, për përdorimin e shkëlqyer të “përroit të ndërgjegjes”, që mëton të përshkruajë pikëpamjet e personazheve si një barasvlerë të mendimit të tyre.
Të lexosh Uliksin është një përvojë e papërsëritshme, sepse ai është edhe një udhëtim i brendshëm që na përball me një pjesë të unit tonë të panjohur. Joyce-i e vendos subjektin para një pasqyre në të cilën mund të humbasësh ekuilibrin nga e vërteta e zbuluar, por që është edhe e vërteta jonë. Thuhet se Joyce-i e mbrojti njëherë të vetme romanin me thënien e papërsëritshme dhe magjiplote: “Atëherë, po të mos lexohet Uliksi, duket thënë se nuk duhet të jetohet jeta”.
Efekti i “çuditshëm” i romanit lidhet me dendurinë e stilit, i cili është ekstravagant dhe plot kolorit. Këto “ushtrime” stilistike, nëse do t’i quajmë të tilla, nuk mbeten të ngujuara në një botë ëndrrash të ndarë nga jeta: ato hyjnë befasisht në mes të një historie që vazhdon të shtjellohet me gjakftohtësi në mes të një deti kulture. Dhe është kjo lëvizje kontradiktore me rënie dhe ngritje që e shndërron këtë tekst në një stinë të madhe jetësore ku jepen edhe qëndrimet kundër kishës dhe institucioneve, kryesisht ndaj Kishës katolike dhe Shtetit.
“Cilat janë arsyet e një suksesi botëror të Uliksit?”- pyet Typhaine Samoyault, kritike dhe profesore e letërsisë në universitetin Paris 8, e cila ka marrë pjesë në grupin e tetë përkthyesve të romanit për botimin e ri më 2004[20]. “Duke u bërë botëror, Uliksi është shkëputur nga kufizimet kombëtare, por gjithashtu edhe nga pozicioni i tij jashtëqendror duke e transformuar thellësisht idenë e autoritetit letrar. Joyce-i ka emancipuar gjuhën dhe kombin”,- përgjigjet vetë ajo. Kurse Philippe Forest , edhe ky profesor letërsie dhe studiues i vepërs xhoisjane në ditë tona, mendon se “Ulysse” nuk është një libër i palexueshëm”, ashtu si thuhet rëndom, “por një libër i lexueshëm; ai flet për jetën e atij që lexon dhe të atij që shkruan”.
Në të vërtetë, qysh nga botimi i pjesshëm dhe deri në ndalimin e tij të plotë kemi një mungesë perspektive botimi, por njëkohësisht edhe një veprim çlirues, thotë kritika. Censura solli një solidarësi të veçantë me librin. Kemi gra të guximshme botuese si Margaret Anderson në Amerikë dhe Silvia Beach në Francë, postierë që rrëmbejnë kopje të revistës LittleReview pas dënimit ku është botuar Ulysses, ka gjyqtarë dhe botues që e mbrojnë librin. Sigurisht ka edhe doganierë që zbulojnë kopje të librit dhe i djegin.
Por është për t’u theksuar, se botues me emër kanë luftuar ta heqin censurën mbi librin duke marrë pjesë me guxim në një proces të madh gjyqësor në mbrojtje të romanit për vite të tëra. Prandaj mund të thuhet se romani mbarti një fuqi transformuese: “Uliksi ka karakter transformues, ai nuk ka ndryshuar vetëm rrjedhën e letërsisë, por edhe përkufizimin e letërsisë në sytë e ligjit”[21].
Vepra e Joyce-it karakterizohet kryesisht nga një zotërim mahnitës i gjuhës dhe nga përdorimi i formave letrare të reja, të shoqëruara me krijimin e personazheve si Stiven Dedalus, Leopold Blum dhe Molli Blum që janë individualitete të një humanizmi të thellë.
Burimet: Veprat kryesore të Joyce-it, botimet Pléiade dhe arkiva Universalis.
[1] Revistë e avanguardës amerikane me bashkëdrejtues dhe bashkëpunëtorë Gertrude Stein, Shervood Andersom, T.S. Eliot. Romanin Uliksi të Joyce-it e rekomandoi aty Ezra Pound që ishte bashkëpunëtor për Europën. Revista e cilësonte si një nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX, e cila do të transformonte krejt prozën narrative.
[2] Umberto ECO, L’Oeuvre ouverte, ndarja 1: La poétique de l’oeuvre ouverte, Seuil, Paris, 1962, f.97.
[3] Letër dërguar H.Weaver-it, 24 qershor 1921 në Lettres 3 : 1915-1931, Paris, Gallimard, 1981, f. 194.
[4] Vladimir NABOKOV, Littératures, Paris, Robert Laffont, 2010, f. 1214. Në kurset e letërsisë në universitetet amerikane (1941-1958), Nabokov-i ka analizuar vepra nga Dickens, Flaubert, Stevenson, Proust, Kafka, Joyce ashtu si edhe ato të autorëve rusë: Gogol, Tourgenjev, Dostojevski, Tolstoi, Çehov dhe Gorki. Ai ka bërë një studim ikonoklast për DonKishotin. Duke hedhur poshtë shumicën e ideve të pranuara për kryeveprat e letërsisë, Nabokov-i pohon me një humor të shkëlqyer dhe ironi konceptet e veta të pavarura. “Litteratures” nuk arriti të botohej në gjallje të autorit, por në sajë të një pune të paepur dokumentuese të profesorit amerikan Fredson Bowers, skicat e Nabokovit, shpesh në dorëshkrim dhe shënimet në kopjet e librave që i duheshin për citime në auditor, formuan librin e madh të kurseve universitare, që John Updike, në parathënie i quan Ese.
[6] Misogine (fr. me burim grek): Që urren ose përçmon gratë.
[7] Carlo LINATI, shkrimtar dhe kritik italian (në James Joyce, Œuvres complètes, Gallimard, « Bibliothèque de la Pléiade », 1995, v. II, f. 910-911.
[8] Herbert GORMAN, shkrimtar dhe biograf amerikan.
[9] Letër dërguar Carlo Linati-it, 21shtator 1920 (në James Joyce, Œuvres completes… (vepër e cit.). Po aty.
[10] Frank Spencer BUDGEN (1882 – 1971), piktor, shkrimtar dhe veprimtar socialist. Budgen dhe Joyce kanë kaluar shumë kohë bashkë në Zvicër, sidomos gjatë Luftës I botërore. Libri i tij me kujtime James Joyce and Making of Ulysses, 1934, përshkruan diskutimet e tyre të shumta rreth problemeve estetike të krijimit. Si piktor Budgen-i ka realizuar mjaft portrete të James Joyce-it.
[11] Jacques LACAN, Le Séminaire, livre XIII, Lesinthome, Seuil, Paris, 2005, f.65.
[12] Kur botoi Joyce-i romanin, shteti i Izraelit nuk ekzistonte.
[13] Mendoj se ajo parathënie duhet ta shoqërojë librin në të gjitha ribotimet.
[14] “Banorët e Dublinit janë bashkëkombësit e mi… por ata përbëjnë një racë sharlatanësh … Dublinasi e kalon kohën duke dërdëllitur dhe duke shkuar nga kafeneja në kafene, në taverna dhe në bordel…”. Citim nga një letër e Joyce-it në librin e Richard Ellmann-it, Joyce.
[15] Umberto ECO, L’Oeuvre Ouverte, Du Seuil, Paris, f. 221.
[16] Ernst Robert CURTIUS (1886-1956) , një prej figurave të mëdha të kulturës moderne europiane. Filolog dhe profesor letërsie në disa universitete të Gjermanisë, ai bëri studime për shumë autorë si Paul Valéry, Maurice Barrès, Valéry Larbaud, Paul Clodel, Marcel Proust, James Joyce, Emerson, T.S. Eliot, Hugo von Hofmannsthal e të tjerë. Ai është autor i veprës së shquar “Letërsia europiane dhe Mesjeta latine”.
[17] Frank Spencer BUDGEN, James Joyce et la création d’Ulysse, (përkth. nga angl.), Denoël, Paris, 2004, f.137.
[19] Robert LOUIS, James Joyce, Une epopee parodique, Magazine Littéraire, Paris, janar, 2004, f. 55.
[20] Përkthimi i ri i romanit u bë më 2004 nga Shtëpia Botuese Gallimard, Paris, me një grup prej tetë vetësh të formimeve të ndryshme universitare, kryesuar prej Jacques Aubert.
[21] Kevin BIRMINGHAM, The Most Dangerous Book: The Battle for James Joyce’s Ulysses, 2014, f. 92.
-Pse e theve këtë bredhin e vogël ti? – e qortonte kapter Zylfoja, shokun tonë që kishte thyer bredhin e porsambjellë. Dhe, duke i tërhequr veshin i thoshte: -Të dhemb veshi ty? Po, të dhemb, por ta dish vogëlush se dhembje ka ndjerë edhe bredhi i vogël kur ti e theve. Ai s`ka gojë të ankohet, kurse ti fëmijë i prapë, gojën e ke vetëm për të ulëritur rrugëve e rrugicave të lagjes dhe për t`i krijuar shqetësime familjes dhe neve. -Pas këtij qortimi, ai lajmëronte prindin e djalit fajtor që të siguronte një bredh të ri në fidanishte dhe atë bredh ta mbillte së bashku me të birin që e kishte thyer, përndryshe do të gjobitej.
Kapter Zylfoja ishte polici i lagjeve “Skelë” e “Kume” dhe kishte autoritet tek të gjithë banorët, por veçanërisht tek ne fëmijët…Këshillat dhe qortimet e tij për ne ishim mësime, që duheshin zbatuar. Ai na thoshte:
-Do të shkoni të luani nga pylli, hë! Por, kujdes se mos keni ndonjë shkrepëse me vete, se mos ndonjëri nga ju më të rriturit pi cigare! Po kapa ndonjërin që ka vese të tilla, do ta bëj problem në këshillin e lagjes, e morët vesh apo jo?
-Po, – i thoshim ne, – e morëm vesh.
-Me njërin vesh apo me të dy?
-Me të dy veshët xhaxhi Zylfo, me të dy! – i përgjigjeshim ne si në kor.
-Atëherë, pa më thoni si do të veproni? Ja, ma thuaj ti, i biri i Tolit.
Unë dilja përpara të tjerëve, e shihja kapterin në sy dhe nisja të përsëritja porositë e tij, ashtu siç thosha mësimin përpara mësueses:
-Ne, xhaxhi Zylfo, do të shkojmë në pyll vetëm për të luajtur. Ne nuk marrim shkrepëse me vete dhe nuk pimë cigare. Në shkollë ne kemi mësuar se pyjet kanë rëndësi për jetën tonë, sepse e mbajnë ajrin të pastër. Ne do ta ruajmë pyllin, sepse drurët e atij pylli i kanë mbjellë prindërit tanë, por edhe ne kemi ndihmuar në mbjelljen e tyre. Veç të mirave të mëdha që ka, pylli është edhe shtëpia e zogjve, të cilët janë miqtë e vegjël të njeriut…
-Mirë, për pyllin kam besim se nuk do ta dëmtoni, por vetëm do të luani dhe do të argëtoheni. E di edhe se ju nuk do të vrisni zogjtë me llastiqe. Llastiqet kam kohë që jua kam ndaluar, apo jo?
-Po, xhaxhi Zylfo, po, ne nuk kemi llastiqe, ato i kemi djegur dhe i kemi bërë copë – copë…
-Mirë, e mora vesh, por unë kam edhe një merak të dytë, që jua kam përsëritur dhjetëra herë. E dini apo s`e dini merakun tim të dytë? – ngrinte zërin ai dhe mbante veshët ngritur duke pritur përgjigjen tonë.
-E dimë xhaxhi Zylfo, e dimë “ujë” fare!
-Atëherë, fol ti Astrit, nipi i Qaniut.
-Ne xhaxhi Zylfo, – përgjigjej Astriti, – nuk harrojmë asnjëherë porosinë tuaj që të mos futemi në det kur ka dallgë, por nuk do të lejojmë të futen në detin me dallgë sidomos ata fëmijë që nuk e kanë mësuar ende notin. Ti xhaxhi Zylfo na ke mësuar shprehjen: “Po s`dite notin, mos u fut në ujë!”
-Duhet të dini mirë, – vijonte ai,- se ju fëmijët e vegjël, tani e mësoni notin dhe i çani dallgët duke qenë në krahët e prindërve tuaj, por, ama kur të rriteni, do t`i çani dallgët vetë, si notarë të vërtetë. Tani, pa më thoni edhe ato dy këshillat e tjera për detin që ju kam porositur t`i mësoni përmendsh?
Dhe ne përsëritnim në kor: Këshilla e parë: “Deti është i bukur, por nga bregu”; këshilla e dytë, e cila do të na vlejë kur të rritemi, është: “Kapiteni i mirë duket në detin me dallgë e furtunë!”
Atëherë ai largohej i kënaqur dhe ecte serbes nga njëra lagje në tjetrën, herë duke zgjidhur një mosmarrëveshje apo grindje mes banorëve, herë duke gjykuar ndonjë vjedhje, herë duke vendosur rregull kur në lagje qarkullonte me shpejtësi ndonjë makinë, apo kur karrocat me kuaj ndotnin rrugicat e lagjes.
Kapter Zylfoja nuk pranonte asnjë lloj ryshfeti nga banorët. Kur një nga fqinjat tona, që rriste pula dhe kishte vezë me bollëk i ofroi një ditë një shportë të vogël me vezë, ai, jo vetëm nuk e pranoi, po i dha një përgjigje që mbeti e fiksuar fort në kujtesën e banorëve të lagjes dhe përsëritej shpesh në bisedat që bëheshin në klub dhe në mëhallë.
-Ç`po bën moj shoqe, e kupton se në ç ‘rrugë pa krye po më fut? – i kishte thënë fqinjës sonë kapter Zylfoja.
-Ku, o kapter në cilën rrugë po të fut, unë vetëm sa po të japë disa kokrra vezë!
-Faleminderit, moj shoqe, por a e di se çfarë thotë Saadiu?
-Për cilin Saadi e ke fjalën zotërote?
-Për atë poetin e madh arab.
-Eh, ç` punë kam unë me arapin, unë as që e njoh!
-E po ja, do ta njohësh nga këto që do të të them unë. Ai ka thënë: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!” Unë s`jam mbret, por jam polic dhe i plotfuqishëm dhe, këtu në lagje duhet të jem shembull, të mos pranoj asnjë ryshfet nga banorët.
-Uaa, po këto janë vezë të pulave të mia, unë po t`i japë vetë, ti s`po m`i vjedh si ai mbreti që tregove zotërote! Unë po t`i jap me dëshirën time se e kam shpirtin dhe zemrën borë të bardhë. Po deshi ai, Saadiu, i jap edhe atij ndonjë shportë me vezë, meqenëse ti e respekton. Ai sa të shohë këto vezë, ka për t`iu prishur mendja dhe do t`i thotë ndryshe fjalët që paska thënë për mbretin dhe ata ministrat që hanë pula si dhelprat…
-S`ka nevojë Saadiu për vezët e tua, moj shoqe! Nuk i duhen, se ai ka mbi 800 vjet që nuk jeton, por jetojnë e mbretërojnë librat që ai ka shkruar. Vërtetë kjo shporrtë që po kërkon të më japësh nuk është vjedhje, por është ryshfet. Ti ma jep mua me interes, sepse unë jam polic, jam i plotfuqishmi i lagjes. Po të kishe shpirtin dhe zemrën siç po thua, ti do t`i jepje vezë falas familjes së Kenos që ka 12 fëmijë, por t`i i shet vezët dhe druan se mos unë vij e të bëj kontroll.
Dhe duke thënë këto fjalë ai u largua duke e lënë fqinjën si të shastisur, ama në lagje, që atëherë u përhap thënia e Saadiut: “Po vodhi mbreti një vezë, ministrat shfarosin pulat!” 1)
Zylfoja na tregonte lloj-lloj historish nga fshati i tij në Përmet,
i cili quhet Podgoran, në rrëzë të malit të Trebeshinës. Edhe vet emri Podgoran ka kuptimin “fshat rrëzë malit”.
-E dini ju djem se fshati im po ta shohësh nga lart ka formën e një trekëndëshi? Është fshat me lëndina dhe kullota të bukura, me përrenj, me malin që ngrihet mbi të… Trebeshina u ka vlejtur në shekuj bashkëfshatarëve të mi për kullota, për blegtorinë, për lëndë drusore, por edhe si një kala mbrojtëse kur vinin pushtuesit. Atje ajri është i pastër dhe i mbushur me aromat e lule trëndelinave, zambakëve, luleshqerrave, kurse bletët shëtisin nëpër lule dhe mbledhin nektarin. E dini ju sesa punëtore të mëdha janë bletët? Në fshatin tim thuhet: “Ashtu si bleta punon për kosheren e saj, ashtu duhet të punojmë të gjithë ne për atdheun tonë”. Ju jeni të vegjël dhe detyra e parë për ju janë mësimet, por kur të rriteni mos e harroni asnjëherë fjalën e Naimit, që thoshte: “Punë, punë, natë dhe ditë…,
-Që të shohim pakëz dritë!” – plotësonim ne të gjithë në një zë, teksa shihnim sesi kapter Zylfos i ndriste fytyra nga kënaqësia. Në ato çaste ai treste vështrimin diku në hapësirë dhe thoshte:
-E dini ju që fshati Frashër ku ka lindur Naimi dhe vëllezërit e tij të famshëm Samiu dhe Abdyli nuk është larg nga fshati im? Naimi u këndonte maleve të Shqipërisë, fushave me lule, pyjeve me lisa të gjelbëruar, bregoreve dhe lumenjve, barinjve dhe bagëtive. Edhe fshati im i ka të gjitha ato që thoshte me vargje Naimi. Në shtëpitë e bashkëfshatarëve të mi bëhen hardhitë e rrushit, në mal bëhet çaji, i cili ka një aromë që të merr mendjen. Bëhet salepi dhe shumë bimë të tjera mjekësore… Atje mali i Trebeshinës duket sikur takohet me qiellin, kurse gjatë verës kullotat gjallërohen nga këmborët dhe zilet e bagëtive, nga blegërimat e dhënëve dhe te lehurat e qenve roje, nga jehonat e këngëve të barinjve që e hedhin sharkun krahëve dhe mbajnë kërrabë në dorë… Në fshat disa barinj janë mjeshtër të këngëve me fyell, aq bukur këndojnë, saqë edhe zogjtë ndalin këngët e tyre, ata marrosen pas melodive të bukura të barinjve tanë. Atje në fshatin tim, të vegjlit i respektojnë shumë më të rriturit. I madhi i shtëpisë dëgjohet me vëmendje, pranë tij rri vëllai i madh e pastaj të tjerët. Të vegjlit më shumë dëgjojnë. E dini ju pse ne njerëzit kemi vetëm një gojë dhe dy veshë? Pa ma thuaj ti djali i Minait.
-Ne, – niste të përgjigjej Lendi, – duhet të dëgjojmë më shumë sesa të flasim dhe jo siç bëjnë disa fëmijë që nuk lënë radhë të flasin të rriturit, ata “bëjnë zhurmë si fuçia që është bosh”, ata “janë kokëpërpjetë si kalliri i misrit kur s`ka kokrra”, ata…
-Pa më thoni, si quhen ata njerëz që flasin vetë dhe dëgjojnë vetë?
-Ata quhen llafazanë, – i përgjigjeshim ne kapter Zylfos në kor.
Një ditë unë e pyeta:
-Xhaxhi Zylfo, po dasma bëhen atje në fshatin tënd?
-Po mor xhan, si nuk bëhen dasma, kudo bëhen dasma. Në dasmat e fshatit vjen i gjithë fshati, edhe ata që e kanë fis apo nuk e kanë fis atë që martohet. Dasma zgjat një javë. Muzika buçet dhe mali i Trebeshinës e kthen jehonën dhe e përhap në të gjithë luginën. Ke qejf të jesh në një dasmë në Podgoran, të gëzosh apo të këndosh këngën përmetare “A kanë ujë ato burime?”, apo të kënaqesh duke dëgjuar gërnetën e Laver Bariut, apo të kërcesh valle popullore, apo të vallëzosh dans. Atje, nuk ndodh si në një dasmë që pashë vjet, diku nga lagjja tjetër afër jush, që njëri u martua dhe e gjithë lagjja u tërbua! U pinë e u dehën sa s`mbanin dot më dhe e lëshuan gjuhën pa fre. Kësisoj u ndez edhe sherri midis krushqve dhe dasma sikur u kthye në fushë lufte. Arriti sherri deri aty sa krushqit nxirrnin opingat dhe i binin njëri-tjetrit, pastaj me gota, me pjata, me karrige e me çdo send tjetër që ndodhej brenda shtëpisë. Na u desh më shumë se gjashtë muaj që t`i pajtonim krushqit me njëri-tjetrin! Sigurisht ai një rast ishte, por s`duhej të ndodh më. Dasmat janë gëzim dhe mbarësi. Ju e dini se duke u martuar njerëzit krijojnë familje, lindin fëmijë, shtohet familja, fshati, lagjja, qyteti. Shqipëria është e vogël dhe popullsia po rritet. Besoj se e dini edhe atë ligjin që, kur një familje ka 12 fëmijë i jepet falas një lopë. E dini këtë apo jo?
-E dimë, si nuk e dimë! – përgjigjeshim ne.
-Unë kam tezen në fshat, – tha Xhekoja, – kur ajo lindi fëmijën e dymbëdhjetë, që i vunë emrin Fundore, atyre u dhanë një lopë. Të gjithë fëmijët mblidhen rreth lopës dhe gëzojnë, secili përpiqet t`i hedhë sa më shumë bar të freskët, sepse prej asaj ata pinë qumështin çdo mëngjes. Lopa gëzon kur sheh fëmijët, kthehet herë nga njëri dhe herë nga tjetri duke marrë me buzë barin që ata mbajnë në duar, ajo do që t`i gëzojë të gjithë fëmijët, edhe ata të vegjlit që rrinë prapa saj, se lopa shikon edhe prapa, kështu më ka thënë babai.
-Si, shikon edhe prapa?! Na i sqaro këtë. – i tha kapteri.
-Po, kur dikush i shkon prapa lopës që t`i hedh litarin në qafë, ajo pa e kthyer kokën e shikon keqbërësin apo hajdutin dhe i largohet. Ajo i bindet vetëm të zotit.
-Çfarë tjetër të ka mësuar babai për lopën – e pyeti kapter Zylfoja.
-Babai më ka mësuar se lopa është “fabrika e familjes”, ajo është e dashur dhe paqësore. Në disa vende, – na tregon babai, – si për shembull në Indi, lopa quhet e shenjtë. Kur ajo kalon nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër, njerëzit i hapin rrugë me respekt, kurse makinat ndalojnë që ajo të kalojë e qetë. Ai që vret, apo plagos një lopë, dënohet edhe me burg. Lopa ka nuhatje dhe i dallon aromat nga shumë larg, për shembull nga lagjja “Kume” ku jemi ne, deri te “Sheshi i Flamurit”, edhe më larg. Lopa e dallon menjëherë barin që është helmues…
Ne dëgjonim dhe e shihnim Xhekon disi me zili, por edhe me inat. Thoshim me vete: Po sikur kapter Zylfos t`i mbushet mendja dhe të na thoshte që t`i mësonim përmendësh fjalët që po thoshte Xhekoja për lopën!?
Kur Xhekoja mbaroi, kapteri tha:
-Ja, e dëgjuat shokun tuaj se sa bukur foli!, – dhe duke thënë këto fjalë ai e ledhatoi Xhekon, gjë që e bënte shumë rrallë.
Një ditë kapter Zylfoja na tha:
-E dini ju që nga maja e malit të fshatit tim, në kohë të kthjellët duket edhe gjiri i Vlorës, vendi ku jemi ne tani?
-Si mund të ndodh kjo! – u shfaqëm ne të habitur, – Përmeti është shumë larg nga Vlora!
-Çfarë thoni ju, ore, – na ndërpreu Den Dominoja, – ato që thotë kapter Zylfoja janë të vërteta. Edhe nga Kanina, kur është koha e kthjellët, sidomos pas shiut, në mbrëmje, duken dritat e Italisë…
-Or djalë, ç`po thua! – u hodh përpjetë kapter Zylfoja, sikur ta kishte pickuar grerëza. Mblodhi veten dhe ashtu i vrenjtur iu kthye Den Dominosë me ton qortues:
-Nga i ke dëgjuar ti ato fjalë?
Vetëm atëherë Den Dominoja kuptoi se diku kishte gabuar, ndaj duke dashur t`i mbulojë ato që tha nisi të flas përçart, pa e marrë vesh as vet se çfarë po thoshte:
-Ishte një burrë plak, shumë plak, thoshin se ishte nja 200 vjeç, ai thoshte ndonjëherë gjëra të tilla, por ai nuk jeton më, ohu, ka nja 100 vjet që ka vdekur…
-Si, paska 100 vjet që s’jeton dhe ti e paske njohur?!
-Jo, u ngatërrova, më falë, xhaxhi Zylfo, unë vetëm sa kam dëgjuar, por edhe ato që kam dëgjuar i kam harruar.
-E po, ngatërrohesh dhe harron ti se nuk e ke mendjen kur flasin të tjerët. Nuk ta kanë vënë emrin kot Den Dominoja se luan gjithë ditën vetëm domino dhe të duket sikur e gjithë bota e ka emrin domino.
-Jo xhaxhi Zylfo, unë mbaj mend edhe gjëra të tjera.
-Për shembull, çfarë mban mend?
-Mbaj mend fjalët që më tha vëllai i madh përpara dy ditëve. Ai më tregoi për ndërtimin e një hidrocentrali që do të bëj dritë të gjithë Shqipërinë.
-Bravo, ja kështu flitet! – u qetësua disi kapter Zylfoja dhe shtoi:
-Ne nuk na duhen ato dritat e vendeve të huaja, ne kemi dritat tona, që vijnë nga hidrocentralet e Partisë sonë…
Kur vinte koha që do të largohej, Kapter Zylfoja na thoshte:
-Pas pak unë do të shkojë nga lagjja tjetër, por jam i bindur se ju nuk do të vraponi rrugëve, duke ulëritur; nuk do të nxirrni llastiqet e fshehura dhe do të goditni me ato shtëpitë, makinat, karrocat, pëllumbat dhe zogjtë, por as njëri-tjetrin; nuk do të talleni dhe nuk do të fyeni të moshuarit; nuk do të ngacmoni kosheret e bletëve, se bletët do t`jua bëjnë fytyrën gunga-gunga; nuk do të shqyeni gardhet si derrat e egër dhe nuk do të hyni fshehurazi në bahçet e fqinjëve për të vjedhur ftonj; nuk do të ngacmoni qentë e lagjes, sepse mund të jetë ndonjëri i tërbuar edhe ju tërbon edhe juve…
Pas këtyre porosive, ai na thoshte “mirupafshim!” dhe largohej, ashtu trupvogël, i veshur me uniformën e policit, që i rrinte e madhe në trup dhe me koburen që i varej në brez… Ecte gjithnjë i vëmendshëm dhe vigjilent nga njëri skaj i lagjes në tjetrin, futej në rrugë e rrugica, kurdoherë i kudondodhur atje ku sapo ishte bërë një vjedhje apo një grindje dhe, vinte rregull dhe disiplinë, si të ishte jo një polic i vetëm, por një batalion i tërë policësh…
…..
1).Libri i Saadiut “Gjylistani dhe Bostani“, i përkthyer nga Vehxhi Buharaja, u botua për herë të parë në vitin 1961. Ndërkohë, shumë rrëfenja dhe poezi të Saadiut njiheshin përmendësh nga disa breza të asaj kohe dhe më pas.
2).Emrat e personazheve janë thjesht emra artistikë.
Dante Alighieri (sq. Dante Aligieri) lindi në Firence, midis 14 majit dhe 13 qershorit 1265 – vdiq në Ravena më 14 shtator 1321). Ishte poet, shkrimtar dhe politikan italian. Konsidrohet si poeti më i madh i Italisë.
Pati një jetë shumë të mundimshme, vdiq në ekzil larg nga qyteti i tij i lindjes. Dantja është autori i Komedisë Hyjnore (Divina Commedia), e cila merret si kryevepër, si antonomasi e letërsisë të të gjitha kohrave.
Dante Aligieri jetoi në prag të Rilindjes Evropiane, e cila lindi titanë të vërtetë për nga forca e mendimit dhe e pasionit, për karakterin dhe diturinë e shumanshme. “Perëndimi i Mesjetës feudale dhe afrimi i epokës së sotme”, u shënua nga një figurë vigane. Ky është italiani Dante, më i madhi poet i Italisë, një nga figurat më gjeniale të letërsisë botërore, poet i fundit i Mesjetës dhe njëkohësisht poeti i parë i kohës së Re. Konsiderohet si babai i gjuhës italiane. Biografët thonë se jo vetëm letrarët dhe njerëzit e kulturuar, por dhe njerëzit e thjeshtë lexonin dhe mësonin përmendësh pjesë nga Komedia Hyjnore.
Si personalitet krijues, me ndjenja të zhvilluara atdhetare, Dantja udhëhiqej nga besimi se poezia duhet t’i shërbente popullit, të ishte pasqyrim i ngjarjeve politike dhe në funksion të ndërtimit të një shoqërie më të përparuar. Sipas Dantes, njeriu duhej të çlirohej nga kufizimet fetare dhe të synonte drejt shprehjes së lirë të mendimeve dhe të ndjenjave të tij, si dhe drejt zgjimit të vetëdijës qytetare e politike. Vetëm kështu do të mund të zotëronte, sipas tij, humanizëm dhe demokratizim në marrëdhëniet më njerëzit e tjerë. Pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore e politike të Firencës i siguroi Dantes karrierë të shpejtë e të ndritshme, por ndoshta edhe goditjen më të madhe e më të dhimbshme të jetës së tij.
Rruga krijuese
Shumica e quan Danten poetin më të madh italian të të gjitha kohërave, por ai ishte, po ashtu, dhe një shkrimtar i shquar në prozë, mendimtar aktiv politik, filozof moralist e teoricien letrar.
Filloi të krijonte qysh në moshën 15 vjeçare. Si vazhdues i trubadurëve provansalë, që i këndonin “beatriçes dhe rihanas” (vashës) e dashurisë kalorsiake dhe i ndikuar nga krijuesit e shkollës poetike të “stilit të ri të ëmbël”, e veçanërisht nga bolonjezi Guido Guiniçeli, Dantja krijoi një lirikë të hollë, reale, të thellë e të çiltër, ku dashuria tokësore e qiellore shkrihen e behën një. Më 1294 ose ’95 shkruan në gjuhën popullore veprën “Jeta e re” (Vita nuova), historinë e dashurisë së tij me Beatriçen, të parin tregim autobiografik në histroinë e letërsisë së Evropës Perëndimore.
“Rimat” janë një përmbledhje sonetash, baladash e këngësh, që i kushtohen Beatriçes dhe mikut të tij Guido Kavalkanti. Janë shkruar në gjuhën popullore sipas “stilit të ri të ëmbël”.
Në vitet 1306-1308, duke luftuar për krijimin e një gjuhe të përbashkët për popullin italian, shkroi traktatin “Mbi gjuhën popullore”, të parin traktat gjuhësor në Evropë. Në të ai flet për prejardhjen e gjuhëve, sidomos romane, dhe ndalet në 14 dialektet e gjuhës italiane. Ai synon krijimin e një gjuhe që të jetë po aq e përsosur sa latinishtja, që të matet pa frikë me frëngjishten dhe gjuhën provansale. Vepra mbeti e përkryer plotësisht. Këto vepra të tjera janë mjaft të rëndësishme, po ajo që i dha atij lavdinë e përjetshme është kryevepra me titull: “Komedia Hyjnore” (La divina Commedia).
Dante te Ferri: “Jo më pak se dija, dyshimi më pëlqen”.
Komedia Hyjnore
Kjo vepër monumentale është shkruar në një periudhë tetëvjeçare (1313-1321). Dantja e titulloi veprën Komedi, sipas poetikës së moçme, duke dashur të përcaktojë gjininë e veprës: komedia është një vepër që përfaqëson një rrëfim me përfundim fatlum, e kundërta e tragjedisë. Në realitet dhe Komedia e Dantes përfundon fatmirësisht, meqenëse protagonisti e takon Zotin. Më vonë, me sugjerimin e Xhovani Bokaçios, kësaj vepre iu shtua atributi hyjnor, që të lartësohej më fuqishëm madhështia dhe bukuria e saj. Te “Komedia Hyjnore” Dantja shfreu të gjitha pasionet e tij, sulmoi ashpër armiqtë, u sul kundër tiranive dhe korrupsionit të selisë papnore, kundër veseve njerëzore, u tregoi bashkëkohësve të vet se si duhej ndrequr njerëzimi. Vepra paraqet një alegori epike trekëngëshe të shpirtit njerëzor dhe një përmendore, në të cilën me fantazinë e tij të mrekullueshme si arkitekt gjenial ai ngriti ndërtesën e mbretërisë së botës së përtejme. Me fjalë të tjera është një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tre mbretëritë e përjetshme: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Gjatë këtij udhëtimi përfytyror, që zgjati vetëm 24 orë, Dantja provoi të përshkruajë gjendjen e shpirtit të njeriut pas vdekjes. Shtegëtimet nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, dhimbje, pendime, dyshime e gëzime, përfshijnë një botë me njerëz të të gjitha kohërave dhe të të gjitha shtresave.
“Tu se’ lo mio maestro e ‘l mio autore;
tu se’ solo colui da cu’ io tolsi
lo bello stilo che m’ha fatto onore”.
INFERNO I
“Ti je mjeshtri im e autori im;
ti je veç ai nga i cili mora mësim
stilin e bukur që më dha nderim”.
FERRI I
Dantja ka bërë udhtëimin e tij fantastik ne tri etapa:ferrit, Purgatorit dhe Parajsës Kjo vepër monumentale është shkruar në një periudhë tetëvjeçare (1313-1321).
. Struktura e saj mbështetet në numrin tre në raport me numrin një: ka tre kantika (Ferri, Purgatori dhe Parajsa), të ndara secila në 33 këngë.Vargjet janë të ndarë gjithashtu në (strofa me tre vargje). Sipas Dantes, vepra e tij nuk ishte e stilit të lartë, por të mesëm, për shkak të zhvillimit të aksionit (sepse këtu veprimi fillon i trishtuar dhe mbaron i gëzuar) dhe gjuhë te folur italishte jo stilit të lartë). “Hyjnore” ajo u quajt vetëm më vonë nga pasardhësit për vlerat e saj të larta poetike dhe të përmbajtjes.Udhëheqësi i tij nëpër Ferr është Virgjili, i cili e shoqëron atë edhe në Purgator. Pastaj atë e shoqëron Beatriçja, bashkë me të cilën ai ngjitet në sferat e planetëve dhe të yjeve të Parajsës, ku takohet me shpirtrat e bekuar që zbresin për ta përshëndetur.Duke dalë nga pylli i errët i mëkateve, poeti takon Virgjilin, i cili bëhet udhërrëfyesi i tij nëpër Ferr. Ata futen në portat e Ferrit ne vitit 1300. Sëbashku kalojnë nëntë rrathët e Ferrit dhe sosin në qendër të tokës.Tre janë mëkatet kryesore që ndëshkohen në Ferr: mospërmbajtja, dhuna dhe mashtrimi. Sipas Dantes, Ferri është vendi i ndëshkimit të çdo dhune, e cila mund të ushtrohet ndaj Krijuesit, të afërmëve dhe vetëvetes. Në këtë botë të dhimbjes së përjetshme shohim figura historike të të gjitha kohërave, të të gjitha fushave:, Në letrën më lart Dante shkruan: ” … mund të themi shkurt se fundi i të tërës (i komedisë simë) është që të nxirren të gjallët në këtë jetë nga gjendja e mjeruar dhe të udhëhiqen për në gjendjen e bekuar”.Në Komedi u mishërua puna e madhe, e gjatë dhe këmbëngulëse që kishte bërë Dante. Ai arriti të krijojë një kryevepër me vlera artistike, të japë gjykimin për njerëzit e kohës së shkuar dhe bashkëkohësit. Bashkë me Danten endemi nëpër Ferr edhe ne, lexuesit shqiptarë. Mëkatarët që sheh dhe përshkruan ai na përkujtojnë mjaft mëkatarë realë, dhunën e të cilëve ne e përjetuam për një kohë të gjatë, dhe, vetëvetiu, na lind dëshira për t’i parë edhe ata midis akujve të ngrirë. Ne fund te romanit është i dhëne nje shpjegim informativ mbi personazhet, emrat dhe vendet e permendura ne kengë
Referati Vepra : Komedia Hynjore – Purgatori Autori: Dante Aligeri
Purgatori është pjesa e dyt e komedis hynjore te dante aligerit pas Ferrit dhe para Parajses . Kjo veper është e shkruar ne poezi dhe është paraqitur diku n fillim te shekullit 14 . Kjo është nje alegori e rritur nga dante deri ne malin e purgatorit dhe te udhehequr nga poeti romanik virgjili . Ne kete poem purgatory është pershkruar sin je mal ne hemisferen jugore e perber me nje seksion ne fund I quajtur Ante Purgatory. Ishte I perber gjithashtu nga 7 nivelet e vuajtjeve dhe rritjen shpirterore qe lidhen me shtate mekatet vdejkje prurese dhe ne fund parajsa tokesore . Kjo poem paraqet jeten krishtere dhe ne pershkrimin e pare Dante diksuton natyren e mekatit me shembuj zevendsues dhe virtyte . , Poezia pershkruan gjithashtu nje teori qe te gjith mekateet lindin nga dashuria perveq dashuris perverse qe drejtohet ne dem te te tjereve por edhe dashuria e manget apo e qrregullt .
Terraca e pare : Krenaria
E para nga tri terracat e purgatorit kan te bejne me mekatet qe shkaktuar nga nje dashuri perverse . E para prej ketyre është krenaria , ne kete terrace shpirterat krenar bejne spastrimin e mekateve te tyre . Dante dhe Virgjili shikonin skulptura te bukura dhe te cilat shprehnin perulesi ose virtyte te kuderta, Shembulli I pare është I lajmerimit te virgjereshes Mari ku ajo i pergjigjet me engjelli Gabriel Dei me fjalet ja sherbetorja e zotit. Shembull tjeter i perulesis nga historia klasike shte edhe Perandori Trajan i cili sipas nje legjende mesjetare nje her u ndal ne udhetimin e tij qe te jape drejtesi per nje te ve te varfer . Lidhur edhe me perulesi është nje version i zgjeruar le lutja e zotit . Pasi u njoh me perulesi Dante dhe Virgjili takohen me shpirterat krenar te cilet jane te vendosur mbi nga pasha e gureve te medhenje ne shpinë. Si ata ecnin neper tarrave ata jane ne gjendje te perfitojn nga shembujt e skalitur te perulesisë. I pari prej ketyre shpirterave është Omberto Aldobrandeschi te cilit krenaria i qenderon ne prejardhjen e tije ( une kam qene Italian bir i nje toskane te madhe , babai im ishte Guiglielmo Aldrobrandescho, edhe pse ai është mesuar te jet i perulur . Une nuk e di nese e keni degjuar emrin e tije. Oderisi i Gubbio është nje shembull i krenaris per arritjet . Ai ishte nje artist ai vuri ne dukje doreshkrime te ndriquara . Provenzano Salani udheheqes i Ghibellines toskane është nje shembull i krenaris dominuese tek te tjeret . “Kam frikë shumë më të dënimit më poshtë; shpirti im është i shqetësuar, pezull; tashmë Ndjehem peshave të rënda e tarracën e parë Pas bisedave te tij me krenaret dante shikonte shenime me skulptura me tej ne trotuar posht . Kete her duke ilustruar krenari ne vetvete . Keto skulptura tregojne Shejtanin (Luciferri) , Ndertimin e Kulles se Babelit , Ballin e brushat e engjell Dante me Krahet e tije . Kjo ishte ajo sa i perket Terases se par te pjeses se dyt te Komedis Hynjore – Purgator (Wikipedia)
Në studimet e deritanishme që janë bërë për metrikën e epikës sonë legjendare, vihet re se në to ka disa pasaktësi dhe mungesa.
Së pari, nga këto studime të krijohet përshtypja sikur formën e sotme të kësaj epike autorët e tyre e konsiderojnë si një gjendje të dhënë njëherë e përgjithmonë, të ngrirë, të pandryshueshme, sikur këngët tona kreshnike të ishin ruajtur ashtu siç kanë qenë në krye të herës, pa pësuar modifikime gjatë shekujve që ato kanë vazhduar të qarkullojnë në hapësirën shqiptare. Një studiues shkruan: “Por edhe populli shqyptar gjithmonë ka përdorë tetrrokshin nder kangë të veta kreshnike e heroike, në daç të “moçme” të jenë në daç të reja: si mundet me u vërtetue prej botimesh folklorike kombëtare sona ktej e andej ujit e detit – nder italo – shqyptarë, Gegë e Toskë të jenë.”[1]
Ky qëndrim është në kundërshtim të plotë me pikëpamjen e Roman Jakobsonit, i cili thotë se poetika historike duhet të konceptohet si një superstrukturë, e ndërtuar mbi një seri përshkrimesh sinkronike të njëpasnjëshme. Duke folur për poetikën sinkronike, ai shton se në çdo epokë dallohen forma konservative dhe forma novatore.[2] Edhe studiuesi amerikan Gregory Nagy, nxënësi i oralistëve të njohur M.Pary e A. B. Lordes, është i mendimit se metri grek është produkti final i një serie të gjatë rregullimesh në modelet formale të shprehjes poetike tradicionale.[3]
Sidoqoftë edhe midis studiuesve tanë ka pasur ndonjë zë që në mënyrë të tërthortë e ka kundërshtuar poetikën statike: “Vargu i këngëve të kreshnikëve na paraqitet kështu, në thelb, si një varg tonik, që ndodhet në një fazë kalimtare drejt formave më të reja të sistemit silabotonik.”[4]
Duke pranuar se gjendja e tanishme e epikës sonë legjendare është një fazë evoluimi, rrjedhojë e një transformimi të gjatë, nga ky proces nuk mund të përjashtojmë edhe metrikën. Nga kjo del se faza e tanishme është vazhdim i një apo i disa fazave më të hershme, të cilat, ndonëse nuk janë dokumentuar në tekste të mbledhura disa shekuj më parë, prapëseprapë ato kanë lënë gjurmë, veç të tjerash edhe në sistemin metrik.
Botimet e derisotme dhe materialet arkivore na japin mundësi të hetojmë ndonjë gjurmë të hershme, siç është rasti i teksteve ku ka vargje, të cilat ndryshojnë fare pak nga proza, madje fare lehtë mund të strukturohen si prozë:
Me pak ndryshime sintaktike, vargjet e mësipërme mund të prozifikohen kështu: “Hasani e Hiseni kishin pasë një babë. Baba i kish lanë shumë t’voxhël. Baba kish pasë zagarë e langoj. Kish pas najtë xhith në bjeshkë tuj xhatue. (Një) dit prej dit(ësh) baba ish kanë shitue. Baba kish metë çatje n’bjeshkë.”
Në ndonjë tekst tjetër të epikës sonë legjendare hasim dukurinë e kundërt, kur fjalitë e prozës ritmike, të ndara me cezura të qarta, fare lehtë mund të strukturohen si vargje:
“Ishte kanë Arrnaut Osmani, ni gjalë nana ma pat për mall, ene nusen ja kishte marrë. Erdhën shokët për m’e thjerrë, për me dal, tha me shatejtë. Nanën e vet, tha, ma ka pëjtë:/”Kan’ ardhë shokët për me m’thejrrë, a me dalë, nanë, – tha – me shatëjtë?”[6]
Pa bërë asnjë ndryshim sintaktik, këtë fragment proze mund ta renditim në vargje si më poshtë:
“Ishte kanë Arrnaut Osmani,
ni gjalë nana ma pat për mall,
ene nusen ja kishte marrë.
Erdhën shokët për me thjerrë,
për me dal, tha me shatëjtë.
Nanën e vet, tha, ma ka pajtë:
Kan’ ardh shokët, për me thëjrrë,
A me dalë, nanë, – tha – me shatëjtë?”
Në epikën tonë legjendare ka edhe ndonjë tekst në prozë, i cili mund të strukturohet në vargje ku mund të jetë e pranishme edhe rima. I tillë është bie fjala ky fragment i shkëputur nga teksti Në shpellë të kreshnikëve: “Ato tri shpata pikshin gjak. “O Halil, tha, more vlla, po ça janë kto shpata çi pikin xhak?” Foli Muja, i tha, “ore budallë, kto janë shpata tue u shpërla. Kur të lahen shpatat krejt, prap dynjenë do ta bajmë fet.”[7]
Përsëri pa bërë asnjë ndryshim sintaktik, ja si mund të strukturohet në vargje fragmenti i sapocituar:
“Ato tri shpata pikshin gjak.
– O Halil, tha more vlla,
Po ça janë kto shpata çi pikin xhak?
Foli Muja, i tha: – Ore budallë,
Kto janë shpata tue u shpërla.
Kur të lahen shpatat krejt,
prap dynjenë do ta bajmë fet.”
Jam i mendimit se shembujt e mësipërm janë gjurmë të një faze të lashtë, ndoshta mesjetare, kur poezia dhe proza ritmike nuk ishin të ndara me thikë, kur kishte tekste që ndodheshin në kapërcyell midis njërës dhe tjetrës formë letrare.
Për dallimin midis vargut dhe prozës, oralisti Paul Zumthor shprehet kështu: “Në traditën oksidentale, ekzistenca e koncepteve të dallueshme varg dhe prozë është pjesë e trashëgimisë greko-latine dhe ka të bëjë më shumë me idenë metrum-it sesa me një fakt natyror.”[8] Për këtë çështje, studiuesi i larpërmendur i referohet Marcel Jousse-it, i cili qysh në vitin 1925 kishte hedhur poshtë çdo dallim midis prozës dhe vargut. Sipas tij ky dallim kishte kuptim vetëm në tekstet e shkruara.[9]
Më tej, Zumthor-i shton se ritmi nuk mund të identifikohet me vargun, siç e tregon shembulli i gjuhëve europiane moderne ku pasuria ritmike e stileve të tyre letrare është indiferente ndaj vjershërimit konvencional. Sipas Zumthor-it, pyetja se ku kalon kufiri midis vargut e prozës, pothuaj e humbet kuptimin kur ndërhyn kënga: një tekst i hartuar pa strukturim ritmik të veçantë, në qoftë se këndohet, gjatë performancës merr ritmin e melodisë…[10]
Vërejtja e dytë që mund t’u bëhet një pjese të studimeve për metrikën e epikës sonë legjendare është pasaktësia lidhur me llojshmërinë e vargjeve të përdorura në të. Kjo e metë vihet re qysh në titujt e studimeve ku fjala varg përdoret në njëjës, sikur epika jonë legjendare të ishte hartuar me një varg të vetëm, cilidoqoftë ai.[11] Ky paragjykim teorik që nuk i përgjigjet të vërtetës, duhet ta ketë burimin te njohja e pamjaftueshme e traditës sonë epike. Ndonjë autor që është thelluar më shumë te kjo traditë, ka pohuar se në të hasen edhe vargje të tjera: “Pra, vargje nëndërrokëshe me pesë arse (ngritje) e vargje tetërrokëshe e shtatërrokëshe me katër arse. Ka, përveç këtyre, edhe vargje të shkurtra, gjashtë rrokëshe, me tri arse: nana qi m’paditi. – – – -.”[12] Veis Sejko përmend shkarazi se me vargjet e rregullta me 10 rrokje përzihen edhe vargje me 8 dhe 7 rrokje.[13] Megjithatë nuk kanë munguar edhe studiuesit që janë ngjitur mbi kufirin e 10 rrokjeve, që ka thënë se në epikën tonë legjendare janë përdorur edhe vargje me 14 me 16 rrokje.[14] Praktika krijuese dëshmon se në këngët tona kreshnike ndeshen vargje të tilla, por edhe vargje më të gjata, sado të rralla që mund të jenë ato.
Nga një shqyrtim i hollësishëm i botimeve të derisotme dhe i materialeve arkivore, del se, me një shpeshtësi (frekuencë) të ndryshme, e cila ende nuk është llogaritur statistikisht, epikën tonë legjendare janë përdorur këto vargje:
Vargu tetëmbëdhjetërrokësh
E
vërteta është se ky varg është shumë i rrallë, por pikërisht rrallësia e tij na shtyn të mendojmë se ai është mbetje e një vjershërimi të hershëm:
“Krajl i Kotorrit po i ep Krajlit Moskovit vashën Engjelinë,
e Krajl’ i Moskovit Krajlit Kotorrit Llatin Kanebardhën.”[15]
Për të treguar se një varg i tillë nuk është aspak një meteorit i rënë nga qielli, le të përmendim faktin se ai është i pranishëm edhe në poezinë gojore të Shqipërisë së jugut:
“Atij i shkonte e zeza mendje se kishte pallaska të argjenda.”[16]
“Po i shkonte e zeza mendje se kishte fustanellë me treqind kinda.”[17]
“Fshatrave kur dilte, copra buke mblidhte, qentë ç’i godiste.”[18]
Vargu pesëmbëdhjetërrokësh
K
y varg që haset në këngët kreshnike të mbledhura në Shqipëri dhe në Kosovë, është më i shpeshtë sesa vargu tetëmbëdhjetërrokësh:
“Bajlozin e madh, Harambashin, qafet ta kâ hjekë.”[19]
“Edhe krushqit kan’ zhdriq’ tu Plake Jemin Aga, pra.”[21]
“E, he, po, udha e marë, he, po vllaznive po u thotë.”[22]
Vargu pesëmbëdhjetërrokësh përdoret edhe në poezinë gojore të popujve të tjerë, siç është rasti i poezisë demotike greke: “Veç të tjerash, vazhdimësinë midis poezisë së lashtë dhe poezisë moderne e tregon fakti se vargu jambik 15-rrokësh, i njohur me emrin “varg politik”, i cili është vargu më i përdorur në poezinë moderne, është rezultat i evolucionit të tetrametrit të lashtë katalektik.”[23] Sipas Stavro Skëndit, vargu me pesëmbëdhjetë ose gjashtëmbëdhjetë rrokje ka qenë pranuar si vargu tipik i bugarshticave…[24]
Vargu katërmbëdhjetërrokësh
K
y varg ka një shtrirje më të gjerë dhe një përdorim më të dendur sesa dy vargjet e mëparshme:
argu i gjatë dymbëdhjetërrokësh është një nga vargjet më të parapëlqyera të poezisë sonë gojore. Ai mund të jetë një gjashtërrokësh i dyzuar ose mund të mos jetë i tillë.
Përveç epikës legjendare, dymbëdhjetërrokëshi përdoret shpesh që këngët historike të mbledhura në Shqipërinë e Jugut. Ky fakt dëshmon se vargjet e gjata kanë qenë të pranishme edhe në këtë zonë, por përdorimi i tyre ka ardhur duke u rrudhur për shkak të modifikimeve metrike që kanë sjellë me vete kohët e reja.
Gjergj Fishta mbetet një nga figurat më të mëdha të kulturës shqiptare dhe një prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne të kombit.
Poet, dramaturg, publicist, përkthyes, françeskan dhe patriot, ai ishte shqiptari i parë që u nominua për çmimin Nobel në Letërsi, duke e bërë emrin e Shqipërisë të njohur në qarqet më të larta kulturore europiane të kohës. Në vitin 1937, emri i Fishtës u propozua për çmimin Nobel nga qarqe akademike dhe intelektuale gjermane, një vlerësim i jashtëzakonshëm për një autor që vinte nga një vend i vogël ballkanik, por që kishte arritur të krijonte një univers letrar të fuqishëm e krejt origjinal.
Ndonëse nuk e fitoi çmimin, vetë nominimi mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare. Fishta ishte shumë më tepër sesa një shkrimtar. Ai ishte një arkitekt i identitetit kombëtar shqiptar. Kontributi i tij në Kongresin e Manastirit më 1908 ishte vendimtar për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në periudhën kur shqiptarët përdornin disa alfabete të ndryshme dhe identiteti kulturor rrezikonte të mbetej i copëzuar, Fishta u bë një nga mbrojtësit më të mëdhenj të alfabetit latin, duke ndihmuar në krijimin e themeleve moderne të gjuhës shqipe. Por emri i tij lidhet mbi të gjitha me kryeveprën “Lahuta e Malcisë”, epopeja monumentale që konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Në këtë poemë epike, Fishta ngriti në art historinë, legjendën, heroizmin dhe shpirtin e malësorit shqiptar. Me një gjuhë të pasur, të gjallë dhe plot ritëm, ai krijoi një vepër që shpesh është krahasuar me epet e mëdha europiane. “Lahuta e Malcisë” histori, identitet dhe kujtesë kombëtare. Përmes vargjeve të saj, Fishta i dha zë rezistencës shqiptare, kulturës së veriut, zakoneve dhe kodeve morale të kohës.
Ai e ngriti figurën e shqiptarit në dimension epik, duke krijuar një univers poetik që vazhdon të mbetet i pazëvendësueshëm në kulturën shqiptare. Megjithatë, pas ardhjes së regjimit komunist, figura e Fishtës u godit rëndë. Për më shumë se katër dekada, emri i tij u ndalua, librat u hoqën nga qarkullimi dhe veprat e tij u shpallën të papërshtatshme për ideologjinë e kohës. Regjimi komunist e konsideroi Fishtën si figurë të rrezikshme për shkak të bindjeve të tij fetare dhe nacionaliste. Për 45 vjet ai u përjashtua nga tekstet shkollore dhe nga institucionet kulturore shqiptare. Por, ndonëse zyrtarisht i ndaluar, Fishta mbeti gjallë në kujtesën e shqiptarëve. Poezitë dhe vargjet e tij qarkullonin fshehurazi, përcilleshin gojë më gojë dhe ruheshin si një pasuri e ndaluar. Pas viteve ’90, figura e Fishtës nisi të rivlerësohej gradualisht. Studiues, akademikë dhe lexues të shumtë rikthyen vëmendjen tek vepra e tij dhe tek roli i jashtëzakonshëm që ai kishte luajtur në historinë kulturore shqiptare.
LETËRKËMBIMET
Njihen dy letra që Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndier se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë as Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës. Dhe, të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province. Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja qëndron në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcës”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga “Iliada” e Homerit, Molieri etj.
Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, më datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë udhëheqësit, Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane, anëtar i së cilës u bë edhe Gjergj Fishta në 1939, i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me nismën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.
VEPRA DHE CENSURA
Në fushën e letrave Gjergj Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike e satirike, dramën, publicistikën dhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike dhe duke përfshirë metrikën folklorike. Fillimisht u shqua në anonimat në saj të dy këngëve të Lahutën e Malciis (Zarë, 1905 dhe 1907), i ndikuar nga poezia epike e sllavëve të jugut, si dhe nga vargjet e Grga Martiæ dhe poeti kombëtar malazez Njegoš. Me ritmin e poezive popullore, herë-herë u përngjasonin kumteve homerike, duke evokuar përplasjet e deriatëhershme osmanomalazeze ku aktorët shqiptarë nëpër vargjet e tij ishin malësorët (Marash Uci, 1905) dhe shkodranët (Oso Kuka, 1907) përpunohej ideja e armiqësisë kundër sllavëve. Sentimentet antiturke në veprën e tij do t’i shkruante vetëm në këngët që botoi pas pavarësisë së vendit. I financuar nga qeveria austro-hungareze, më 1907 botoi në Sarajevë në mënyrë anonime përmbledhjen me poezi satirike Anxat e Parnasit (rib. Anzat e Parnasit), duke hedhur kështu themelet e zhanrit të satirës në letërsinë shqipe. Ka dëshmi shkrimore që ka lënë pas piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës.
Ka botuar 9 tekste dramatike. Përshtati veprën Le Furberier Escarpet të Molierit në pjesëzën Dredhitë e Patukut, e pabotuar, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër. Si me Skiroin, Konicën me autorë të tjerë të rinj, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall “armik i popullit” dhe si autor u ndalua sepse kryevepra e tij “Lahuta e Malcisë” është antisllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë. Për Arshi Pipën, arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohej fishtofobia e partisë, është sepse ishte gegë dhe prift katolik.
Asnjë tjetër. Titujt e tjerë, të cilët për etikë, s’po i shkruaj, janë të rëndomtë, kotkoti hovje fishkur, kalimtarë të rrezikshëm rrejshëm. Aq kalimtarë të fishkur e të rëndomtë…sa shumë prej nesh i pikasim n’ajri bosh. I spikasim me gishta. Natyrisht, para gishtit, me sy e para syrit me mendje pa gdhend gravura ngjethëse, t’fildishta *
Dashni, (seks) në orën zero ose orë me zero dashniseks janë ca hamendje ca mahnitje, behare
begatirash, pandehma, pllaquritje. Uji fluturon n’hava e kuturu, uji i gjithi lakuriq i ka parë dhe i sheh po lakuriq si gratë si burrat, si urat dhe skulpturat, si të mpakurit e të mpakurat-thëllime e rropatje të thella, të shpejta e të ngadalta.
Uji frymon dashnori i parë më i ndjeshëm,i prekshëm gjithë puthje e ledhe aty ku Zoti i ka hequr kangjellat gardhet, kupolat të gjitha, ndoshta dhe lëkurën prej pafajësie, prej rrezesh resh për ta prekur gjithçka me frymë e me fllad, thurrimë dhe gishta.
Era, vajzërore, zonjëgrua, gruazonjë dritonjëse. Motake urtë, flokët lëshuar, mbledh pas koke, me sythe në buzë. Me sythe xixa, rreze, inxhi. Bota e do vajzëroren zonjëgrua pa borëbotë përbri.
Era, ujëvara …Aty të ndritura, ndonjëherë me vesë loti kur u plas cipa. Prushi me ngjarje, ngjarje të qara, nuk ua djeg krahët, vithjet, trallisjet, përrallat.
Cilat përralla, cilat endje etje ? Aty ato këputen, ikin bohem brenge. Ato aty kërcejnë hov hardhish. Era ndër gishta mban flutura, ujëvara gurgullon kërcinjsh.
Era, ujëvara … plot farëra.
*
Dashni, (seks) vet’per’ndimi mbi valët e gjiret,ngadalë don të shkoj, nuk ngopet nga hiret. Përcillet per’ndimi në ishullin e muzgut, vala gjen e puth bregun, lë bregun e dallgëzon përunjur. Përunjur vala? Vala jetëgjatë. Nata plot hapa peshkatari, peshkatari mbart s’mbart terr-ankth. Nata dhe rrjetat, fenerët dhe peshqit, cimat dhe gongullat afër së ndjeri, ndjeri thellë vrapth, dashnia luan me fatin dhe terrin lojcakë krahëqafë.Ndih e thurr nata gjallnie, pi frikën e çel dritëza të lume për anijet dhe peshkatarët pa tatuazhe gjumi, pa spiranca në kum.
O lumja natë, e lumja Jetë mbi rrudhë!
*
Çka don sonte me dal, me u tret, me u kosit, me u mjaltue në ashtin kërcell pa retorikë? Mjerue? Kush? Gjurma e urnave, honi pa luzmë ? Dashnive s’thinjet kurrgja, veç thirret : “më mba, të të mba’!..”Trishtimi përcillet lumnie nj’itash, trishtohem gazmendit të mos plas!.Në ishullin e gjurmës Ecja vrap hov, në gjumin e urnës hiri veç kollë.
Si m’thue nj’itash ? Bora vjen dimën, dimni rron çast. Sa dimna kokallë u deshëm tej himnit,himnit kallkan.
Verova në bjeshkë, nj’iheri i mbramë, nj’iheri rrezmë. Nj’iheri gaca-gaca, nj’iheri pa buzë, veç plasa, nj’iheri cikma e fushës pa hanë, dy gishta në tëmth, tri gishta kurban. Tespije- tespije pesë gishtat e tjerë, me gurë xhevahiri, me hundën në qiell.
O i mjeri poet, marrosur sosur nga lavdia gërnetë! Gërnetë e saze, o i mjeri poet me xhufka pate…
*
D’shirim gjithku : “ah”, “oh” , “ububu”!
Si m’thue nj’itash : do mpakemi
nesër, pasnesër veç rrasë?
Ç’ka don me u tret : unaza e reve, reja nën det ? Mjerue? Kush? Andrra e Fatit pa pishë, veç mushkë?
Dashni, (seks), mes mpakjeve rroj,mpak po – jo krejt…
Kangjellat me frymë, kupolat me gishta më vijnë përqark, më rrethojnë pa sfinksa. Pa sfinksa, në bregun e Dyrrahut atlet, ku dashnia rrok e rrok perënditë dhe hamenjtë, hamendjet, rrënojat me rreze e bronz, bronz e rreze Moikom…
Kam një shqetësim të rëndë familjar (shqetësim shëndetësor),sa tërë natën gjumin e bëj me copa. Vendosa që t’u vë kryq shkrimeve modeste të mia dhe gati bëj vetgjyqësi. Bëj takime imagjinare me njerëz të njohur,po se po, por dhe me të panjohur. Shumica e atyre që vijnë për”vizitë” janë poetë, miq të mi që,mjersisht, janë ndarë nga jeta. Këto momente disi “aluçinante” më bëhen të pranishme dhe sikur më nxjerrin të”pirët” , pa vënë pikë pije në gojë. Por, gjithmonë,ndodh që,duke qarë hallin me të tjerët, sikur lehtësoshesh, freskohesh dhe harron qoftë dhe për një çast.
Zbardhë , pas një gjumi “hiç”,marr vendim:-Nuk do shkruaj qoftë dhe një rresht,se askush nuk ka hallin tim. Pikërisht,po natën, shfaqen “vizitorët”. I pari shfaqet POETI AMERIKAN ,DEAN FANTE. Dëgjo,- më tha,,sa këshillues dhe pak kërcënues,- po heshte bën një akt terrorist!!! Sa më tronditi,aq sikur më mbushi me kurajo dhe m’u shfaq PROFESORI i Madh,MUZAFER XHXAXHIU: “Gjithmonë nga një vijë/ gjithmonë nga një rresht dhe,pak nga pak,u sos një vjershë”.
–
PAPI! Jam këtu tek libraria e Dajë SULË KURANIT, ta ka ruejt romanin”Ipabesi”! Mend dola nga krevati, se këtë ma shkruante, i miri GENC LEKA që diktatura i mori jetën e bukur vetëm se qe POET! Elbasani… Eh,sa herë më shfaqet në gjumë! Me kujtime për Elbasanin , me bashkëshokët e mi dhe,veçanërisht, PROFESORËT e mi,sa herë jap provim.
– Ndal!Ça trimnie ke ba sot? Eh,mor MUSA VYSHKA,o POETI më i bukur i brezit tonë! Pse duhet të ndaheshe ti kaq shpejt nga jeta? Në kafen e fundit që piva me të, më tha:- Përparim, në këtë moshën tonë, është mirë që çdo familje të ketë një nga fëmijët doktor, Unë,- tha,- e kam djalin doktor. Edhe unë,- i thashë,- kam jo vetëm çupën,por dhe dhëndërrin. Por.në fund të fundit,çfarë do të bëjë doktori,kur fundi varet vetëm nga ZOTI. Dhe me MUSANË që kishte një shpirt prej pëllumbi,sikur e zgjata dhe ca. Tanimë,trokita tek NEUROLOGJIA dhe pyeta për djalin e mikut tim,PROFESOR-DOKTOR VYSHKA. Po ne nuk e kemi vetëm kolegë,por e kemi shkencëtarin me të cilin konsultohemi për diagnoza të veçanta,- më tha doktor REDON URUÇI,një nga specialistët më të mirë të këtij spitali.
Eh, mor MUSA VYSHKA! Prehu i qetë,or mik i mirë se pema ka ra nën pemë.
*
– Profesor! E di që po shkruan akoma. Të thashë dikur që,po të kem lekë, unë vetëm do shkruaj poezi dhe do bëj piktura! Nuk bëra as njërën dhe as tjetrën: ika nga kjo botë me kokë prapa.
SPIRO,- thirra sa munda,- po ti je nxënësi im. Do shkruash e do pikturosh. Dhe tak,u kthiella: SPIRO PALI SOTA,ish-nxënësi im,sado me profesion agronom,qe një POET LIRIKi ëmbël.
SPIRO SOTA më ngriti nga Tirana ku jetoj dhe më çoi në FIERIN tim. Tani” loja ime” në teatrin absurd vazhdon.
Oho,- bërtiti POETI ZOI DASHI. Paske ardhur! Sado qeshë në GREQI dhe bëra”Jetë qeni” ja tani tek mora rrugën pa kthim. Dhe sakaq,Poeti NUREDIN BORIÇI.
-Papi,të kujtohet kur mblidhja donacione për SEJFULLA MALESHOVËN? Ia bëra nderin,sado që erdha nga ferri i diktaturës.Tani po iki nga kjo botë ashtu siç erdha. Këtë fat kanë POETËT në regjimet dikktsatoriale,por dhe kur erdhë demokracia,prapë mbeta me gisht në gojë.
Dhe,me të vërtetë, si mund të fleshë gjumë rehat?
*
PAPI,- më shkruante me duar të dridhura,DRITËROI,- nuk e di a do të pëlqejnë poezitë e mia.kur më dhuroi librin e fundit”Prit dhe pak”. Vetëm ky poshtëshënim i DRITËROIT,më mbushi me kurajo; sikur më hoqi një pjesë të sikletit dhe shkrova këtë ese.
“Çerçiz Topulli në konakun e Ademit”, fillimligjërimi poetik me një monolog të imagjinuar, të cilin e sistemon vargu në mënyrën e tij, në të folmen e tij specifike dhe në formën e shprehjes së kohëve, epokave të ndryshme të të njëjtit ideal. Çerçiz trimi e Adem legjendari ulur këmbëkryq në legjendat e lashta, por që arrijnë deri në të sotmen tonë, llafosen, qajnë halle e shuajnë malle, bredhin nëpër brengat e historisë dhe monumentohen në shtatore.
Janë këto vargjet e para të veprës së Ismet Tahirajt, të cilat hapin portën e motiveve të tij për t`u radhitur në vargjet tjera, në titullëzimet tjera e në fjalët dhe kuptimet që i ka projektuar autori. Duke pretenduar se libri shkruhet për të vegjlit, ai e fillon me dy kolosët e gjurmëve heroike për t`i njohur shpirtat njomëzakë me themelet, mbi të cilat sot ëndërrohet, jetohet, veprohet, këndohet e aspirohet.
“Ibri ishte aq i qetë
Aq i kthjelltë,
Zemër e tij
Kishte veç festë. “
“Sykaltri’ përshëndetë Jonin dhe Rinën, përshëndetë diellin, njëkohësisht dhe brigjet e tij, shpirtrat që i freskon përgjat rrjedhës e me gurgullima melodike. Joni, subjekt poetik përfaqësues i brezit të tij, defilon në poezi në pegasin e imagjinatës fëmijërore, i cili e shpie në ëndërrime fluturuese. Bota fëmijërore shpërfaqet e vargëzuar në poezinë e Ismetit. Ajo ndërtohet me elementet që kërkon një format i tillë krijues. Eksperienca krijuese e poetit di t`i adoptoj momentet imagjinare, kurreshtjen fëmijërore dhe shpjegimet apo informacionet e poetizuara ose të ndërthurura artistikisht, në një mënyrë të përshtatshme dhe lehtësisht të kapshme nga ata, të cilëve u dedikohet.
Si në çdo krijim për fëmijë edhe në këto poezi trajtohen motive të ndryshme me subjekte të ndryshme poetike. Bota shtazore është e pashmangëshme, sepse duhet ta bartë fabulëzimin e dukurive a fenomeneve artistike; kali, viçi, pela, mustaqemurrmi, gjeli, skifteri, vjedulla, lepuri e të tjerë, janë protagonistët që lozin në skenën e tyre, që trajtëzohen ose subjektivohen për ta zënë çastin poetik. Natyrshëm akomodohen në një ambient ku shquhen; përroi i Bulecit, fusha, bregu, hambari, kasollja, foleja, malishta e të tjera skena veprimi. Në përmbledhjen poetike nuk mungojnë aluzionet edhe për skena lufte, aty ku engjëjt e vegjël ngelin të mbërthyer për nënë që ka marrë rrugën drejt qiellit, që është bërë kujtim:
“Këtë mëngjes
Të ftohtë akull,
Shi i madh i plumbave
Derdhet shtëpive
E udhëve, sokakut.”
E ky “shi” i mëngjesit të akulltë kallkanosë nëna, përcëllon fëmijë tek vërshon udhëve e shpirtrave njerëzor. Ai rrjedh në kohë, gjithashtu, në të djeshmen, por edhe në të sotmen, ai grryen maskat e kohës dhe ç`maskon ata që vrasin fëmijë, vrasësit e jetës dhe të ëndrrave.
Por, shiu do ket edhe një mision tjetër. Autori e angazhon, natyrshëm, të rrjedh rrugëve të tij, t`i arrij piketat për të cilat është krijuar dhe bie:
“Me radhë shiu
Ec e nuk ka hile,
Pjepri rritet
Pesë kile.”,
Shiu e lagë elbin, ikën te liqeni, i qaset shalqirit dhe dhuron ylberin, i cili harkon në ballin e fëmijëve dhe në qiellin e poetit.
Kështu, tëban i shtrirjes poetike për fëmijë, bëhet natyra me fenomenet e saj, e cila është infrastruktura e duhur dhe e përshtatshme për këtë lloj poezie. Ismeti e shfrytëzon këtë bukur, estetikisht dhe në kontekst të shtrirjeve motivore, për të sajuar e formësuar frymëzimet e tij. Këtu shpërfaqet mjeshtria e shtjellimit dhe “zanati” i ligjërimit poetik, kur ke parasysh që poezia për fëmijë nuk është e lehtë për t`u shkruar, nuk është e lehtë për të depërtuar në botën e andrrallave të fëmijës, në shpirtin e brishtë dhe në mendjen kurreshtare. Ismeti ia del t`i figurëzojë postulatet poetike që i kërkon kjo mosh, ky nivel perceptues, kjo kategori lexuesish, në përgjithësi.
Në llojshmërinë e ndërtimeve poetike, Ismet Tahiraj relievon edhe poezinë përkushtuese për trimat, për viktimat (si për familjen Duriqi), gjithnjë në nivelin e kapshëm për botën e të vegjëlve:
“Më ai s’u kthye
Atdheu i ka punët e mëdha
Unë për atdhe kam vesh qefin.”
Vrasjet makabre të fëmijëve (e të tjerëve), vendet e tmerrit, ku ato ndodhën, janë shtytje e veçantë e Ismet Tahirajt. Ato përshkruhen disa herë, në disa vende e vargje specifike dhe e pahëzojnë ndjeshmërinë e autorit, sensitivitetin shpirtror të tij, por edhe dëshirën për t`i monimentuar këta fëmijë që nuk e gëzuan jetën.
Poashtu, Ismeti shkruan për Ibrin, si simbol lashtësie, por edhe si vazhdimësi e vuajtjeve dhe e qëndresës së molisur, për Cerajën e poetit Jakup dhe të ngulitjes stoike, qoftë edhe si përmendore. Pra, janë gjurmët e të djeshmes dhe reflektimet e të sotmes, të cilat gërshetohen në krijimtarinë e poetit.
Në këtë kontekst, përmenden edhe emra të përveçëm, bartës të dukurive të ndodhura apo simbole të gjurmëve të kohës; luftëtari, i zhdukuri e të ngjashëm, të degdisurit në Gjerdap a të bërë hi në miniera. Me një fjalë; jeta dhe peripetitë e njerëzve të këtij nënqielli.
Një krijimtari e veçantë, që nuk është poezi, nuk vjen në vargje, janë tregimet për fëmijë: “Çezma e Nekut”. Autori rrëfen për gjetjen e ujit, hapjen e çezmës, mënyrën e hapjes së burimit, dialogun mes personazheve dhe punës që bëhet e shpresës që ngazëllen shpirtrat e njerëzve të etur për një pike ujë. Njëri nga personazhet është Neku i Prekazit, emrin e të cilit e mere çezma.
Edhe si tregimtar, Ismet Tahiraj shpërfaqë origjinalitetin e tij krijues, stilin, mënyrën e të rrëfyerit, gjuhën dhe ndërtimin strukturor;
“Roja e Pyllit është Dakord ta Gjelbrojmë Kodrën me Fidane”, është një tjetër tregim, i cili rrëfen për idenë dhe nismën e nxënësve për të mbjellur fidane. Ata diskutojnë dhe planifikojnë si ta bëjnë këtë punë të dobishme për shoqërinë dhe për përmirësimin ekologjik të mesit ku jetojnë. Autori angazhon personazhet fëmijë për ta ravijëzuar botën e tyre, percepcionin e tyre për jetën e për ambientin, vizionin e tyre për të ardhmen. Tregimi, gjithashtu, shpreh ngjyrimet e mendimeve fëminore dhe panoramën se si ata e shohin botën, si i pranojnë dhe i ndjejnë interferencat e shoqërisë, në përgjithësi.
Edhe tregimi tjetër; “Gimi dhe Shtaga” ka të njëjtin funksion, atë edukativ, ka të njëjtin mission, përgatitjen e fëmijëve për jetën që ata kanë përpara. Kështu, konponenta edukuese është primare dhe dominante, por edhe mesazhet që rrjedhin prej tyre janë poaq të rëndësishme e të dobishme:
“Shih djali im, herave tjera kujdes të veçantë të kesh, sepse ku ka qershi të egër sidomos maleve, atypari gjendën gjarpinjtë dhe është rrezik i madh për njeriun. Pse nënoke?
Sepse gjarëpri e ha lëvorën e kokërres së qershisë, po ashtu sulmon trumcak dhe shpezë tjera.
Pastaj, sa herë shkonte Agimi në Lugun e Blirave, me vete kishte një shtagë thane, për çdo rasat, nëse i kërcënohet rreziku.”
Ndërsa, në fund të librit, Ismet Tahiraj i ofron lexuesit një mori aforizmash për fëmijë, nga thesari popullor. Aforizmat përfshijnë aspekte të gjithanshme të jetës, shtrihen në gjerësi e thellësi dhe janë këshilla të veçanta që i shërbejnë formimit njerëzor dhe edukatës njerëzore. Kjo është filozofia popullore, e cila shprehet në mënyrë lakonike, ofron eksperiencat e përjetuara në mënyrë të figurëzuar.
Ismeti e ka begatuar librin me 105 aforizma të tilla, të cilat janë pasuri artistike dhe udhërrëfim për fëmijtë, për ambiciet e tyre.
Libri për fëmijë “Çezma e Nekut” i Ismet Tahiraj, është konstrukti letrar i radhës i këtij autori, i cili nuk rreshtë së krijuari vlera letrar-artistike të nivelit, nuk ndalon së shfaquri botën e tij të brendshme, shpirtin dhe emocionet e tij, duke i sistemuar në vargje dhe në forma tjera të krijimtarisë.
Autokratët i përkasin një psikologjie unike. Një nga anët karakteriale është dhe dashuria e shpifur kolektive, mbarëpopullore për figurën e tyre.
Ja, shëmbulli tipik në Kosovë ku vogëlsia e saj thotë:
“Kandidimi – kërkesë e qytetarëve, jo ambicie personale”! (V. Osmani)
Një hipokrizi e kulluar!
Gënjeshtra, thonë latinët e vjetër, është nëna e të gjitha të këqijave.
Si ndodhi, në ç’mënyrë, me çfarë barometri politik apo ankete referendare do të zbulohej ky afeksion i turmësve të saj?
E, pra, ajo nuk do të donte, por është dëshira e zjarrtë qytetare. Një detyrim historik që, nga ndjesia e kallur patriotike, nuk mund t’a refuzonte kurrsesi.
Është thirrja e atdheut!
A nuk shpalos, ndaj, pikërisht arsyen e kundërt për refleksion zgjedhor, ky vetëprofilim i shpifur, i njohur, i parë e jetuar nga shqiptarë ndër vite paraindipendente? Nga kohët e farsës së diktaturave dhe pushtimit?
Absolutisht!
Që këtej, një mashtrim i tillë, i lehtëlexueshëm e populist, duhet përballur me murin e ftohtë të ndërgjegjes së zgjuar të njeriut politik të Kosovës!
Ishte një mbrëmje e veçantë pranvere në Ulqin. Galeria e Shtëpisë së Kulturës ishte mbushur plot me njerëz të ardhur nga të gjitha anët: vendas, krajanë, mysafirë nga Kosova, Shqipëria, mërgimtarë dhe dashamirës të trashëgimisë shqiptare nga Podgoricë. Në ajër ndihej një emocion i veçantë, sikur muret e galerisë po prisnin të dëgjonin zërat e së kaluarës.
Në qendër të kësaj mbrëmjeje ishte projekti “Shtëpia që ndërtoi civilizim”, i autorit Arben Berjashi, një njeri që kishte vendosur të mos lejonte që kujtesa e Krajës të zbehej nga harresa. Fotografitë e vjetra, veglat tradicionale, objektet e punuara me dorë dhe rrëfimet e brezave ishin vendosur me kujdes, sikur secila prej tyre të kishte shpirtin e vet.
Mbrëmjen e hapi moderatorja Ardita Rama. Zëri i saj i qetë dhe i ngrohtë mbushi sallën. Ajo nuk foli vetëm si moderatore, por si bijë e Krajës. Me mall kujtoi rrënjët e familjes së saj në Kështenjë, fshatin e gurit, të mikpritjes dhe të nderit. Teksa fliste për oborret plot jetë, për shkollat që dikur gumëzhinin nga zërat e fëmijëve dhe për shtëpitë ku trashëgimia përcillej me krenari, shumë sy në sallë u mbushën me lot.
Më pas u ngrit Ali Gjegjbritaj, mësuesi i vjetër dhe aktivisti i njohur. Ai foli për tezgjahun, ose vekun, siç e quanin dikur krajanët. Për një çast, dukej sikur në sallë dëgjohej trokitja e lehtë e drurit dhe ritmi i duarve të grave që thurnin qilima, mësalla e pajat e nusërisë. Ai tregoi se si vajzat e dikurshme, para se të martoheshin, kalonin net të tëra pranë vekut, duke thurur jo vetëm pëlhura, por edhe ëndrra për jetën e re.
Kur mori fjalën autori Arben Berjashi, ai foli me përkushtimin e një njeriu që e ndien trashëgiminë si amanet. Ai tha se shtëpia tradicionale krajane nuk ishte vetëm vendbanim, por zemra e jetës familjare dhe shoqërore. Gurët e saj, votra, çardaku, ahuri dhe arka e nuses bartnin histori të tëra brezash.
Pastaj në foltore doli Fiqiret Mujeziqi, i cili solli para të pranishmëve figurën e votrës shqiptare. Ai përshkroi me aq gjallëri oxhakun, prushin, saçhakun dhe mashën, sa dukej sikur era e druve të djegura po përhapej në sallë. Votra, tha ai, ishte zemra e shtëpisë; aty gatuhej buka, priteshin mysafirët dhe ruheshin rrëfimet e familjes.
Në vazhdim, Gazmend Çitaku foli për arkën e nuses. Ai e përshkroi atë jo si një orendi të zakonshme, por si një thesar kujtimesh dhe simbolesh. Në të ruheshin qëndismat, veshjet tradicionale dhe mundi i vajzës shqiptare. Rozetat diellore dhe “Pema e Jetës” të gdhendura mbi të dukeshin si bekime të heshtura për jetën e re të nuses.
Kur dritat e sallës u zbehën dhe nisi dokumentari i përgatitur nga Arben Berjashi, galeria u mbulua nga heshtja. Në ekran kalonin shtëpi të vjetra krajane, mure guri të rrënuara, oborre të boshatisura dhe objekte të mbetura në mëshirën e kohës. Ishte një film i bukur, por i dhimbshëm. Shumë njerëz ulën kokën, ndërsa të tjerë fshinë lotët në heshtje. Dukej sikur gjithë ajo trashëgimi shekullore po kërkonte të mos harrohej.
Në fund nisën diskutimet. Dr. Zylfie Gjoni foli me emocione të forta, duke thënë se ajo mbrëmje e kishte kthyer më shumë se gjysmë shekulli pas në kohë. Neki Lulaj solli ndër mend arbëreshët e Itali, të cilët ende ruanin vekun dhe traditat shqiptare në Kalabri. Ndërsa Dokol Dana kërkoi që këto vlera të ruheshin dhe të regjistroheshin në UNESCO.
Në fund, u ngrit edhe Luljeta Dana, gruaja që kishte arritur të regjistronte xhubletën shqiptare në UNESCO. Me zë të sigurt ajo tha se me këmbëngulje dhe besim mund të arrihet çdo gjë.
Kur mbrëmja përfundoi, askush nuk u largua menjëherë. Njerëzit qëndruan pranë fotografive dhe objekteve të ekspozuara, duke folur me mall për kohët e vjetra. Dukej sikur për një natë, Kraja ishte rikthyer përsëri e gjallë mes tyre — me zërat, kujtimet dhe shpirtin e saj të pavdekshëm.
Komentet