Artist virtuoz me karrierë ndërkombëtare, Florian Vlashi prej pothuajse tre dekadash jeton në La Coruña të Spanjës, duke u bërë një ambasador i kulturës shqiptare, të cilën e përfaqëson denjësisht në skenat botërore, një mision të cilin ai e kryen më së miri nëpërmjet përhapjes së artit dhe kulturës sonë nëpër botë. Po si nisi rrugëtimi i tij?
“Vij nga fëminia ime”, do të përgjigjej ai duke cituar Princine vogël të Antoine de Saint-Exupéry- së, në një prej intervistave për revistën spanjolle “Mundoclasico“[1]. Kjo etapë e parë jetësore, e cila lë gjurmë dhe brumos personalitetin, rrugëtimin dhe proçesin e rritjes përgjatë “këtyre 4000 ditëve që përfshijnë fëmijërinë”, vazhdon më tej Vlashi për “Mundoclasico-n”.
I lindur më tetë nëntor të vitit 1963 në një prej familjeve të nderuara të qytetit të Durrësit, Florian Vlashi kaloi një fëmini të lumtur dhe të ushqyer hap pas hapi nga interesa artistike e kulturore. Ai ishte bir i një mësueseje të përkujdesur dhe i shkrimtarit, regjisorit dhe përkthyesit të njohur Gjergj Vlashi. Duke folur jo pa nostalgji për ato vite të shkuara, ai shprehet se jeta e tij ishte e ndarë midis dy botëve, të asaj bote të madhe që përfaqësonte realitetin e shoqërisë shqiptare të kohës dhe të një mikrobote të kufizuar brenda katër mureve të shtëpisë. Kjo e fundit ushqente tek ai një energji të pashpjegushme, e cila e mënjanonte plotësisht prej asaj çfarë ndodhte jashtë. Nga rrëfimi i tij për vitet e fëmijërisë, kuptohet fort mirë se dashuria e madhe dhe e vazhdueshme për artin nuk i erdhi rastësisht. Pasuria më e madhe që zotëronte familja Vlashi ishte biblioteka e stërmadhe, në raftet e së cilës gjendeshin me mijëra libra, duke filluar nga klasikët grekë e deri tek modernistët e ndaluar, që nga albumet e pinakotekave të mëdha të artit klasik dhe e deri atij bashkëkohor, si dhe mbi 250 disqe të muzikës klasike, po ashtu edhe muzikë të regjistruar nga vetë Gjergji, të koncerteve të RAI-t apo të premierave të veprave bashkëkohore.
Ishte i ati që e këshillonte jo vetëm për librat që duhet të lexonte, por që edhe me shumë durim i shpjegonte artin kubist të Picasso-s, readymade-t e Duchamp-t apo përmbajtjen e baleteve te Stravinskit.
Foto nr. 1
Biblioteka e shtëpisë në Durrës e Gjergj Vlashit
Të dy prindërit më drejtonin me një formulë magjike “… shumë disiplinë dhe shumë dashuri, por gjithmonë duke luajtur” thotë ai në po të njëjtën intervistë. Në shtëpinë e tij ai ishte gjithashtu i rrethuar nga miq të familjes që i ngjallnin kureshtje, muzikantë, shkrimtarë, aktorë, intelektualë të njohur, mes të cilëve edhe Ismail Kadare, i cili e cilësonte shtëpinë e Vlashit si “Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve”. Kjo mikrobotë pra ndikoi në mënyrë mbizotëruese në formimin e interesave të tij të hershme artistike dhe kulturore, duke e futur natyrshëm në universin magjik të artit, në një kohë kur “arti ishte e domosdoshme për të jetuar (Oscar Wilde)”, për të mos vdekur nga e verteta (Nietzsche)”, thotë Vlashi. Por ajo gjithashtu e ruajti prej mediokritetit të një shoqërie të kontrolluar nga ajo dorë e hekurt, e cila i shtynte njerëzit drejt një rryme të vetme, drejt populizmit apo zërit të “masës”. T’i shmangeshe kësaj vorbulle ishte, në mos e pamundur, posaçërisht e vështirë, dhe në rastin e Florianit, arratia më e mirë për këtë ishte zhytja në bibliotekë.
Që do të studjonte edhe muzikë, kjo ishte e zgjedhja e padiskutueshme e prindërve të tij, por vetëm kaq. Violina, instrumenti që do ta lidhte me muzikën që prej fëminisë, u përcaktua pasi kaloi me sukses konkurrimin, në moshën gjashtë-vjeçare, në shkollën e muzikës së Durrësit.
Mbresat e ditës së parë të shkollës si dhe të atyre viteve të para ai i hodhi në letër, dhe rastësisht ato ranë në dorën e Kadaresë, i cili, i entuziasmuar nga shkrimi, vendosi t’i botojë në gazetë nën titullin “Premtimi”.
E mbaj mend si tani ditën e parë të shkollës në Durrës. Ishte klasa e parë djathtas në hyrje. Jam ulur në bankën e fundit në rreshtin nga dera. Shoku i bankës ishte Edisoni. Unë isha i lumtur atë ditë, ndërsa Edi nuk pushonte duke qarë. E shikoja me habi dhe nuk e kuptoja pse qante. Edhe ai më shikonte me habi dhe nuk e kuptonte pse isha i lumtur.
Nga profesorët e violinës, kush më shumë e kush më pak, të gjithë kanë lënë gjurmë tek unë, por nuk e harroj atë që më vuri duart në violinë, Stathi Qehajefin. Mësimet me profesor Stathin më kujtohen shumë mirë. Kishte një metodë interesante për të nxitur fëmijët në studim; në mur kishte vënë një tabelë ku, me kuadrate e kryqe, jepte ecurinë e nxënësve çdo ditë si të ishte një garë sportive.
Një ditë ai më pyet “Si e ke ushtrimin?” “Mirë, veç një masë nuk më del…” “Për një masë nuk ka problem” më thotë dhe ma kalon ushtrimin. Atëhere unë, kur merrja ushtrimin e ri, kërkoja masën më të vështirë dhe studjoja të gjithë pjesën përveç asaj mase. Në këtë mënyrë fitoja mjaft kohë… deri sa një ditë me thotë me një ton të ftohtë: “Për herën tjetër dua të më sjellësh të gjitha masat që ke lënë pa bërë !”. Tronditja ime merret me mend. Duhet të studjoja të gjitha ato “masat e zeza” të të gjitha pjesëve. Një tmerr! Edhe sot e kësaj dite unë filloj të punoj një vepër gjithmonë nga “masat e zeza”.
Ishte mësimi i parë që më dha ai mbi ndershmërinë në profesion e për sforcimin deri në vuajtje për të realizuar diçka. Atë ditë, për herë të parë, pata parandjenjën se violina do të ishte miku dhe armiku im…
Me profesor Stathin u lidhëm shumë. Im atë, që bisedonte shpesh me të për letërsinë dhe shkëmbenin libra, më thoshte se ishte mjaft i kulturuar e fliste shumë gjuhë. Mua, bashkë me dy nxënës të tjerë nga klasa, na mbante shumë afër dhe na thërriste shpesh në shtëpinë e tij. E kalonim shumë mirë dhe, kur iknim, na jepte disa lodra të vogla plastike që për ne ishin mrekullia vetë.
Në vitin tjetër shkollor nuk erdhi më … Na thanë se e kishin arrestuar si agjent… Në një fotografi të madhe ku kishim dalë ne nxenesit me të, fytyrën e tij e prishën me stilolaps. Askush nuk fliste më për të sikur kurrë nuk kish ekzistuar.
Foto nr. 2
Florian Vlashi në klasë të parë, përkrah Fatmir Libohovës (drejtori i shkollës së muzikës). Figura e prishur me stilolaps është e profesorit Stathi Qehajefit (1970)
Disa vite më pas, duke kaluar nga rruga e gjykatës, ndalon para meje një makinë policie nga ku zbresin dy policë që mbanin nga krahët një njeri. Ishte profesor Stathi. M´u duk krejt i bardhë në fytyrë. Unë mbeta pa lëvizur në mes të rrugës dhe m`u mbushën sytë me lot.
Pas disa kohësh na thanë se kish vdekur në burg…
E kujtoj shpesh atë moment para gjykatës. Ishin vetëm disa sekonda. Duhet ti kisha folur, ta përshëndesja, t´i thoja se e kujtonim shumë apo ta falenderoja për lodrat. Sa mirë do kish qenë për të një fjalë e mirë në ato momente. “Për herën tjetër dua të më sjellësh të gjitha masat që ke lënë pa bërë!”… Kësaj here, profesor, e kam të pamundur ta korrigjoj gabimin.
Kur vij për pushime në Durrës gjithmonë shkoj tek shkolla. Në verë aty thuajse nuk ka njeri. Dëgjohet ndonjë nxënës që studion piano dhe unë, nën tingujt e asaj pianoje të çakorduar, shëtis pa ngut duke u futur në të gjitha sallat, klasat, banjot. Ritmi i hapave të mi dhe jehona e tyre në koridoret bosh kanë diçka ndërmjet misterit dhe melankolisë…
Në fund ndaloj tek banka e klasës së parë. Kanë kaluar mbi 40 vjet dhe unë akoma nuk e kam kuptuar kush kishte pasur të drejtë atë ditë, unë që isha i lumtur apo Edisoni që qante[2].
Çdo i vogël që i vihet studimit të muzikës, është i privuar nga gëzimet e moshatarëve të fëmijërisë, nga lodrat dhe argëtime të tjera. Padyshim që asnjë fëmijë i vogël nuk mbyllet brenda katër mureve me dëshirë, i detyruar që të përsërisë disa masa me dhjetëra herë. Por, nga ana tjetër, kjo rutinë e mërzitëshme është një mësim i madh për jetën edhe pse paradoksale për vetë moshën. Ndryshe është kur një fëmijë i vogël merr një lodër një ditë dhe e “hedh” për ta ndërruar me një lodër tjetër, ndërsa me instrumentin ndodh e kundërta, atë e ke po aty. Çdo ditë ke bërë nga katër masa, pas disa kohësh mund të jesh në gjëndje të interpretosh një vepër të tërë. Dhe kështu, mësimi më i madh që merr një fëmijë për jetën është se suksesi arrihet “gurë më gurë” dhe nuk vjen nga rastësia me një shkop magjik. Vështirë që një fëmijë i vogël të ndjejë kënaqësi kur fillon studimin, sidomos violinën, e cila, ndryshe nga piano për shembull, që mjafton të godasësh në tastierë për të nxjerrë tinguj, nëse nuk di t’i biesh nxjerr veçse zhurmë. Pra janë një seri gjërash komplekse, si muskuli, intuita, veshi, pozicionet etj, që të mundësojnë për të nxjerrë një tingull të bukur a një intonacion të saktë.
Siç u përmend edhe më lart, vajtja në shkollën e muzikës për Vlashin nuk ishte rastësi (jo vetëm për faktin e ndikimit të prindërve intelektualë, por edhe afërsia e banesës së tij me shkollën e muzikës), por nuk ndodhi kështu me përzgjedhjen e instrumentit të violinës.
Eshtë i njohur fakti, që instrumenti të izolon dhe kjo gjë bëhet shumë e trishtueshme për një fëmijë (madje Vlashi thekson gjatë një bashkëbisedimi, se nga përvoja e tij personale nuk do ta rekomandonte këtë izolim për një fëmijë të asaj moshe), por është vërtetuar ndërkohë që fëmija ta dashurojë krejt natyrshëm muzikën dhe instrumentin e tij, kjo ndodh kur ai luan me fëmijë të tjerë duke mos e konsideruar më instrumentin si një detyrim, por si lojë. Vetë shprehja “luaj në instrument” është shumë e bukur (ndonëse jo e përdorur në të gjitha gjuhët, p. sh në Spanjë thuhet “prek instrumentin”, në Rumani “tingëlloj në instrument”), është si të thuash një çelës sekret për ta joshur fëmijën në lojën me instrumentin.
Foto nr. 3
Florian Vlashi në klasë të pare (1970)
Në bisdë me të, Floriani rrëfen se në dashurinë e tij të vërtetë për violinën, krahas kalimit të viteve, do të ndikonin edhe faktorë të tjerë. Një prej tyre, ishte pjesëmarrja në orkestrën e harqeve të shkollës, e cila, që në çastin e parë solli një kthesë e madhe në marrëdhëniet e tij me muzikën. Një tjetër fakt i treguar me shumë fanatizëm prej tij, është violina e re që i solli i ati nga Pogradeci në kohën kur atij, tashmë 13 vjeç, i duhej të luante me një violinë 4/4 nga ajo në ¾. Ishte një instrument që tingëllonte aq bukur sa u dashurova me zërin e tij, tregon ai me shumë entuziasëm sikur të përjetonte po të njëjtat emocione të shumë viteve të shkuara.
Pyetjes se kush ka qënë njeriu, që e inkurajonte dhe tek i cili kishte besim që do t’ia dilte, ai, pa asnjë lloj mëdyshje, i përgjigjet se gjatë tetë viteve të para ka patur mbështetjen e familjes dhe sidomos të të atit, që e ushqente me dashurinë për artin, por edhe të së jëmës përsa i takon formimit të dispilinës së punës. Por ai i është gjithashtu mirënjohës mësuesve të tij të shkollës së muzikës, që edhe pse të rreptë, e kanë mbështetur në çdo hap të rrugës së tij, në mënyrë të veçantë profesori i violinës Vaso Papa.
Pasi dëgjon një rrëfim të tillë, pyetja që të lind natyrshëm dhe që të ndjell kureshtje është: nëqoftëse nuk do të ishte violina zgjedhja e Florit, në cilin drejtim do të kanalizohej rrugëtimi i tij? Edhe në këtë rast, pa mëdyshjen më të vogël, ai përgjigjet: sigurisht diçka që do të lidhej me botën e artit, pasi shkencat e sakta më dukeshin të ftohta edhe të largëta, edhe pse në vetvete muzika është shkencë më vete. Por pavarësisht kësaj, ai ndërkohë shprehet me bindje që muzika lidhet në një farë mënyre me shkencat dhe për këtë i referohet disa koncerteve që ka bërë me temën “muzika dhe matematika”, të cilat i vlerëson ndër koncertet më të sukseshme për të rinjtë dhe me shumë interes në llojin e tyre. Duke iu rikthyer idesë se nëse jeta e tij nuk do i kushtohej muzikës, ai flet për dashurinë për letërsinë, e cila mbetet pasioni i tij i dytë. Dhe për këtë përmend intervistën e dhënë në revistën spanjolle, ku në lidhje me pasionin e tij të hershëm për letërsinë kujton se, një nga librat e tij të dashur të fëmijërisë, Fari në fund të botës i Jules Verne-it, në një farë mënyre kishte shënjuar apo paralajmëruar të ardhmen e tij. Prej Durrësit të tij të dashur, ai u vendos në një qytet të bregdetit spanjoll që, siç thotë ai vetë, është qyteti me farin më të vjetër të botës dhe që, si çdo qytet i tillë, është i hapur në të gjitha drejtimet, po ashtu edhe për dashurinë e madhe për muzikën.
Pas përfundimit të shkollës së mesme të muzikës, ëndërra e Vlashit ishte, padyshim, vazhdimi i studimeve në Institutin e Lartë të Arteve. Por kjo dëshirë e zjarrtë u shoqërua nga një gotitje e madhe: iu mohua e drejta të merrte pjesë në konkursin e pranimit për shkak të problemeve biografike. U detyrua kështu të punonte për një periudhë një-vjeçare në prodhim. Duke pohuar me sinqeritet se puna është gjithnjë nder, pavarësisht se çfarë bën dhe ku punon, ai ndërkohë nuk i fshihet faktit që ky detyrim jo vetëm që i humbiste kohë, por shoqërohej edhe me frikën e lëndimit të duarve apo kontraktimit të muskujve, fatale këto për një violinist. Pasi mori një karakteristikë pozitive nga vendi i punës si edhe mendimin që e meritonte të merrte pjesë në konkursin e ILA, erdhi një gotitje e dytë. Përmes një fletë-rrufeje të vendosur në sheshin e qytetit të tij të lindjes, akuzohej se po braktiste punën në prodhim. Trauma ishte e jashtëzakonshme, po aq sa edhe absurdi i mendësisë se ndjekja e studimeve të larta shihej si një mëkat përkundrejt largimit nga gjiri i klasës punëtore. Kjo betejë për shkollim, në të cilën nuk munguan as ndërhyrjet e disa intelektualëve miq të familjes, së fundi përfundoi me dhënien e së drejtës për t’u paraqitur në konkurs. Kundërshtitë dhe vështrirësitë me të cilat iu desh të përballej në këto hapa të jetës, duket se i dhanë më shumë forcë për të ecur përpara. Intuitivisht e ndjeu se erërat e kundërta e bënë edhe më të vendosur për të arritur suksesin. Për të mos folur gjatë për këtë, ai i referohet fjalëve të Nietzche -s, sipas të cilit, “ajo që nuk të vret të bën më të fortë”.
Tensioni që e shoqëroi gjatë kohës së përgatitjes ishte i vetëkuptueshëm për një njeri si ai, i mbrujtur me pikësynimin e paepur për të dalë fitimtar. Ishte rasti i jetës time, thotë Vlashi, duke folur për përgjegjësinë që ndjente jo vetëm ndaj atyre që e kishin mbështetur dhe besuar, por edhe për faktin që do të përballej me violinistë të ardhur nga i gjithë vendi. Lajmin e fitores në konkurs e përjetoi me një krenari të pamasë, pasi ndër 42 violinistët pjesëmarrës ishte renditur i pari me 160 pikë (maskimale), ndërkohë që vendi i dytë kishte siguruar vetëm 90 pikë.
Përshtypja e parë që krijoi te pedagogët e ILA ishte shumë e madhe, lakmohej nga të gjithë për të qenë student i tyre. Ai tregon se Ibrahim Madhi në mënyrë të veçantë kishte rekomanduar Vlashin për të studiuar jashtë vendit, ekzaktësisht në Francë, çka nuk u bë e mundur për shkak të biografisë dhe “dosjes së errët”, e cila i sillte gjithmonë probleme. U caktua me Raimonda Stefin (Koço), nën drejtimin e së cilës i përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera, me mesatare të përgjithshme 9.8. Duke folur për vitet e Institutit, ai përmend se krahas profesoreshës së violinës, në formimin dhe zhvillimin e tij një rol shumë të rëndësishëm kishin të gjithë pedagogët e tjerë të shkollës. Megjithatë, fakti që në Durrës ishte drejtuar në mënyrë të shkëlyer nga pedagogu Vaso Papa, ia bënë më të lehta vitet e studimeve.
Foto nr. 4
Formacioni i ILA drejtuar nga I. Madhi (1985)
Duke spikatur si një ndër studentët më të mirë violinistë, Vlashi u përzgjodh nga Ibrahim Madhi si violinë e parë e Formacionit të harqeve të ILA. Gjatë katër viteve të studimeve, Vlashi thotë se nuk ishte koshient që ajo dosje e mallkuar po e përndiqte këmba-këmbës, “madje e kam shijuar plotësisht atë kohë dhe kam punuar fort me violinën”, pohon ai.
Megjithëkëtë, gjatë rrëfimit të tij ai kujton një ngjarje të trishtë në lidhje me programin e diplomës. Midis veprave që do të luante në diplomë ishte edhe Koncerti Nr. 2 i Prokofievit. Pas një pregatitje dhjetë-mujore plot përkushtim, atij iu komunikua se nuk mund ta luante koncertin, pasi autori i saj, të cilin ai e adhuronte, ishte një kompozitor modernist. I ndodhur përballë faktit të kryer, ai u detyrua që brenda një kohe shumë të shkurtër, gjithësej dyzet ditë, të përgatiste Koncertin e Brahams-it në Re+. Nën shoqërimin e pianistes Anita Tartari, për të cilën flet me shumë nostalgji dhe adhurim, Florian Vlashi realizoi një mbrojtje diplome të shkëlqyer, ku krahas Brahms-it interpretoi dhe Koncertin Nr. 2 të Kujtim Laros. Koncerti i tij i diplomës u regjistrua në radio dhe u trasmetua i shoqëuar me një intervistë të tij në korrik të vitit 1987.
Foto nr. 5
Artikull nga Gëzim Kabashi (1985)
Përfundimi i studimeve me rezultate të shkëlqyera, hapte përpara Florianit të gjitha mundësitë për t’u emëruar në ndonjë prej institucioneve kryesore artistike të vendit, si në ILA, ashtu edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit apo në Orkestrën simfonike të RTSH. Por kjo nuk ndodhi. Betejat e tij duket se nuk kishin të sosur. Fillimisht ishte vendosur që të punonte si mësues në Gjirokastër, por rastësia e solli që të qëndronte në qytetin e lindjes për të zëvendësuar një nga mësueset e shkollës së muzikës.
Duke mos u mjaftuar vetëm me mësimdhënien në violinë, ai ka bërë koncerte recitale të ndryshme duke luajtur në publik një sërë veprash të repertorit tradicional por edhe të autorëve të shekullit XX si Ravel dhe Bartok (ky i fundit interpretohej për herë të parë në Shqipëri). në sajë të përvojës së fituar në orkestrën e harqeve të Ibrahim Madhit, të cilën e vlerëson si një shkollë më vete, Vlashi ngriti formacionin e harqeve të shkollës së mesme artistike “Mujo Ulqinaku”.
Kështu, në vitin 1989 Florian Vlashi krijoi Orkestrën e Harqeve “Jan Kukuzeli” në Durrës (emër të cilin e mori më vonë edhe shkolla e mesme artistike e këtij qyteti), me të cilën luajti “Katër Stinët” e Vivaldit që interpretohej për herë parë në Shqipëri. Përveçse vepra u luajt e plotë me katër koncertet përbërëse të saj dhe sonetet shoqëruese, fakti tjetër me interes është që Vlashi përmend një fakt pothuajse të panjohur. Sipas tij, Konti Durazzo me prejardhje nga një familje fisnike durrsake, kishte blerë pothuajse të gjitha dorëshkrimet e Vivaldit, të cilat ia trashëgoi brez pas brezi pasardhësve të tij, derisa këta të fundit ia shitën Bibliotekës së Torinos në vitin 1924. Pikërisht rreth kësaj kohe dolën në dritë veprat e Vivaldit, një pjesë e mirë e të cilave, përfshi edhe “Katër stinët”, u luajtën për herë të parë në qytetin e Siennas.
Foto nr. 6
Koncerti premierë “Katër stinët” e Vivaldit (1989)
Në dhjetor të 1989 me këtë formacion u luajtën për herë të parë koralet e Jan Kukuzelit (shekullit XIII) dhe Niketë Dardanit (shekullit IV). Kjo ngjarje mjaft e rëndësishme zgjoi interesin e emrave më të njohur të muzikës së kohës, veçanërisht për faktin që muzika kishtare e Kukuzelit, e krijuar rreth 700 vjet më parë, interpetohej për herë të parë në Shqipëri e përshtatur për formacion harqesh. Po në të njëjtin vit, juria e Konkursit të Solistëve dhe Orkestrave Sinfonike të Shqipërisë, e kryesuar nga Çesk Zadeja, e vlerësoi Florian Vlashin me çmimin e parë për lojën solist me Orkestrën Simfonike të Durrësit, nën drejtimin e dirigjentit P. Afezolli.
Foto nr. 7
Pas koncertit me Koralet e Jan Kukuzelit tek Torra. Në foto Gjergj Prevazi, Ramadan Sokoli, Petrika Afezolli, Feim Ibrahimi, Florian Vlashi, Edmond Buharaja dhe Ylli Ademi, Nikolet Vasia (1989)
Tashmë që për Vlashin dukej se çdo gjë po shkonte më së miri, rastësia e solli që ai të largohej nga Shqipëria, kur prej një miku të fëmijërisë mori njoftimin mbi një konkurs të organizuar për zgjedhjen e instrumentistëve që do të bëheshin pjesë e Orquestra Sinfónica de Galicia. Konkursi do të mbahej në muajin shkurt të vitit 1992 në disa qytete të botës, Stuttgart, Londër, New Jork, Bratislavë, San Petersburg dhe A Coruña. Gjatë intervistës me të, Vlashi thotë se vendimin për të marrë pjesë në konkurs e mori pa asnjë dilemë, i udhëhequr nga dëshira e tij e brendëshme – duke nënvizuar njëkohësisht se te të gjithë ne fshihet “sindroma e trubadurëve” – për të udhëtuar në distanca të largëta. Me një ton të lehtë humori, Vlashi rrëfen se vetëm pas arritjes në Stuttgart, për udhëtimin drejt të cilit iu desh të merrte para hua, u informua që konkursi ishte i hapur për instrumentistë nga e gjithë bota, duke shtuar se nëse do ta dinte më parë këtë fakt nuk do ta kishte marrë vendimin për të konkuruar. Por atij iu desh të përballej me një sfidë edhe më të madhe, që kishte të bënte me programin e konkursit. Midis partiturave të veprave të detyruara, dhjetë prej tyre mungonin në Shqipëri. Habia që kjo i shkaktoi sekretares së konkursit ishte më se e natyrshme. Vetëm një ditë para mbajtjes së konkursit, një instrumentist i ardhur nga Shqipëria i kërkonte ndihmë për gjetjen e partiturave! Kjo aventurë e Vlashit, të cilit iu desh që brenda 24 orëve të studionte 10 vepra të reja orkestrale solo, përfundoi me sukses të plotë dhe shërbeu si një gur prove për afirmimin e aftësive të tij.
Lajmin se ishte fitues i konkursit Vlashi do ta merrte pas kthimit në vendlindje, në një prej ditëve kur nuk kishte drita në shtëpi. Por tashmë një dritë tjetër, jeshile, ishte ndezur për të duke i hapur rrugën e drejt një të ardhmeje të re, të panjohur, por shumë premtuese.
Pasi përfundoi me sukses turneun e planifikuar në Itali me orkestrën “Jan Kukuzeli” të Durrësit”, në vitin 1992 Florian Vlashi u bë një prej instrumentistëve të Orquesta Sinfónica de Galicia, e cilësuar nga kritika e specializuar si më e mira në Spanjë.
Sigurisht që kjo arritje ishte shumë e rëndësishme për të, por ai nuk u ndal me aq. Vajtja në Spanjë ishte veçse fillimi i një stadi të ri, që do të vijohej më tej me përpjekjet e vazhdueshme për perfeksionimin e lojës në instrument si edhe me ndërveprimin multi-kulturor me kolegë të tjerë.
Në vitin 1993, Florian Vlashi mban koncertin e tij të parë në Spanjë, një recital me vepra nga Bach, Paganini dhe Stravinski, pas të cilit i erdhën oferta për realizimin e koncerteve të tjera. Ndërsa i nënshtrohet disa kurseve të specializimit me G. Egger (Bachakademi Stuttgart) dhe me L. Müller (koncertmaestër i Orkestrës së Dhomës së Vienës), Vlashi vazhdon aktivitetin koncertal. Midis të tjerash, një ngjarje e rëndësishme e veprimtarisë së tij artistike të kësaj periudhe është interpretimi për të parën herë në Spanjë i veprës së plotë të kompoziotrit vendas Andres Gaus-i, të shoqëruar më pas edhe me regjistrimin në një disk, që u prit mjaft mirë.
Florian Vlashi me Placido Domingue në një nga koncertet e para në Spanjë (1993)
Pas katër vitesh, në shtator 1996, Vlashi themeloi grupin instrumental me emrin sinjifikativ Siglo XX, të vendosur në shenjë nderimi për shekullin, që beri ndryshimin më të madh në historinë e muzikës. Ky ansambël u formua kryesisht me qëllimin për të luajtuar vepra të autorëve të muzikës bashkëkohore. Kjo nevojë lindi, midis të tjerash, për faktin që zona në të cilën Vlashi jetonte nuk kishte një ansambël të mirëfilltë të specializuar për muzikën e shekullit XX. Duke folur mbi këtë çështje në intervistën për gazetën “Mundoclasico“, ai thekson se dy mbeten synimet kryesore të grupit: 1) paraqitja e kryeveprave të muzikës së dhomës të shekullit XX deri në ditët tona; dhe 2) bashkëpunimi dhe mbështetja e krijuesve spanjollë. Ai parashtron gjithashtu se grupi Siglo XX nuk njeh kufizime të përbërjeve instrumentale, të cilat, në varësi të veprave mund të jenë duo, kuartete, kuintete deri edhe me pjesëmarrje të prej dhjetë a njëzet instrumensitëve. Solistët e Siglo XX janë gjithashtu edhe anëtarë të OSG (Orquestra Sinfonica de Galicia), nga të cilët mund të veçojmë: Lilia Chirilov, Stefan Utanu, Caroline Bournaud, Luminita Burca, Mihai Tanasescu, Enrique Iglesias (violinistë); Raymond Arteaga, Arben Llozi, Despina Ionescu, Wladimir Rosinskij (violistë); Ruslana Prokopenko, Gabriel Tanasescu, Rediana Lukaçi, Raúl Mirás (çelistë); Todd Williamson (kontrabas); Claudia Walker (flaut); Juan Ferrer, Pere Anguera Camós (klarinetistë); Casey Hill (oboe): Steve Harriswangler (Fagot); Alejandro Vázquez, Manuel Moya (trompistë); John Etterbeek (trombon); José Belmonte, Alejandro Sanz (perkusionistë); Ayako Zemba (piano); Ramón Carnota (kitarë); dhe Celine Landelle (harpë). Të ardhur nga shkolla, vende e kultura te ndryshme, çdonjëri prej tyre, sipas tij, ka prodhuar energji të jashtzakonshme dhe të gjithë së bashku janë shtresëzuar mes tyre si “një Babel”, shprehet ai në mënyrë metaforike.
Prej koncertit të parë të Siglo XX, të mbajtur në Teatrin Rosalía de Castro (A Coruña) më 8 prill 1997 (me vepra nga autorët F. Poulenc, D. Milhaud, M. Barber, I. Xenakis dhe I. Stravinsky), kanë kaluar plot 25 vite, një rrugë e tërë e mbushur me sfida për përballimin e një repertori të njohur për vështirësitë veçanërisht të mëdha.
Me profesionalizëm dhe përkushtim, grupi Siglo XX i drejtuar nga Florian Vlashi tashmë numëron përmbi 170 “permiera botërore” të autorëve kryesisht spanjollë si: Manuel Alejandre Prada, Fernando Alonso, Ramiro Cartele, Paco Casal, David Cuevas, Julio Montero, Helena Palma, Eligio Vila etj, por edhe të kompozitorëve shqiptarë, si Feim Ibrahimi, Gjon Gjevelekaj, Donika Rudi, Aleksandër Peçi, Haig Zacharian.
Nga numri i madh i veprave të luajtura në koncerte gjatë gjithë këtyre viteve të grupit Siglo XX, Vlashi veçon: Black Angels nga George Crumb për katër instrumenta elektronikë, vepra të muzikës së re të Galicias të paraqitura në Festivalin e Veronës, Pierrot Lunaire nga Schönberg, Qatuore pour la fin du temps nga Messiaen si dhe Historia e ushtarit të Stravinskit, këto dy veprat e fundit janë luajtur edhe në Bienalen e qytetit të Durrësit si vepra premierë në Shqipëri.
Përsa i takon lojës së tij si solist, në intervistën e përmendur Vlashi rrëfen se me violinën e tij ka shëtitur që nga sallat e njohura të Spanjës, Ukrainës apo Italisë e deri në vendet më të paimagjinueshme sikundër janë lagjet e varfra në São Paulo të Brazilt, rrënojat e frikshme të nerofumos në Durrës, në një dasëm apo në varrezat e San Amaros të A Coruña-s etj. Në mënyrë të veçantë ai ndalet te një recital i mbajtur në Logroño, pas të cilit kompozitoria e njohur María Dolores Malumbres, e emocionuar, i dhuron një violinë të çmueshme të shekullit XVIII të trashëguar nga i ati. Disa muaj më vonë, kompozitorja shkruajti për të një vepër interesante për violinë solo, të titulluar Violina e tim eti, që Vlashi e cilëson si një krijim me bukuri abstrakte të rrallë, duke e përfshirë më pas në ciklin “Espacios sonoros”. Duke folur për këtë episod mbresëlënës të jetës së tij, Vlashi shprehet se: “Kjo është nga ato histori aq të bukura e prekëse, për të cilat mendohet që ndodhnin vetëm nëpër libra”. Por Malumbres nuk është e vetmja që ka krijuar posaçërisht për Florian Vlashin (mbi 30 vepra i janë dedikuar atij). Në vitin 2005, Paulino Pereiro i ka dedikuar atij Sonatën nr. 2 op. 118 për violinë solo, të titulluar “Vlashiana”.
Foto e sonatës “Vlashiana” (2005)
Themelimi i Siglo XX nga Florian Vlashi, përveç arsyeve të përmendura, erdhi edhe si një nxitje e brendëshme e tij për të eksperimentuar. Kjo dëshmohet, midis të tjerash, edhe nga një Konferencë-koncert që ai mbajti në universitet, me temën “Historia dhe misteri i violinës”. Duke luajtur me katër instrumente të ndryshme harkorë si lahuta, violina baroke, violina klasike dhe ajo elektrike, ai bën së bashku katër tradita dhe kultura të ndryshme. Lidhur me këtë ndërmarrje kaq interesante, gjatë intervistës së tij ai i referohet si model frymëzimi përvojës së shquar eksperimentale të John Cage-t. Në një shkrim mbi këtë ngjarje, kritiku spanjoll Julio Andrade, duke folur për eksperimentimin e Florian Vlashit, shprehet midis të tjerash: se violina elektrike dukej “si e pa mishtë, gjë që i jepte pamjen e një skeleti… me tingëllim fantazmagorik”, pra, “djalli vetë”, rrëfen Vlashi.
Një tjetër projekt i tij i dashur për të është Bienalia “Netët e Muzikës Klasike”, të cilën e themeloi në 2003 në qytetin e Durrësit (festivali i parë i muzikës klasike në Shqipëri që vijon aktivitetin ende). Ideja për këtë, thotë ai, “lindi në një formë krejt të natyrshme, si të gjitha gjërat e paparashikuara”. I gjendur atë vit në Durrës për të kaluar pushimet verore, me një grup miqsh të shkollës, teksa u përfshimë në biseda dhe kujtime plot nostalgji, filluam të improvizonim dhe të interpretonim me njëri-tjetrin vepra të ndryshme. Të mbështetur nga dashamirësit e muzikës si edhe nga Bashkia e qytetit, në ditët e fundit “menduam që këto vepra t’i luanim në publik dhe aty për aty vendosëm themelimin e aktivitetit nën emrin “Netët e muzikës klasike”.
Shumë shpejt festivali mori formën dhe strukturën e duhur, të përbërë nga shtatë netë me tematika të ndryshme, si një rrugëtim në epoka të ndryshme të muzikës, përfshi edhe një konkurs për talentet e reja, fituesi i të cilit ftohet nga Rediana dhe Florian Vlashi për të luajtur në Spanjë. Vlashi e vlerëson konkursin si një mundësi të artë për të rinjtë, “një mundësi që në moshën e tyre mua nuk ma ofroi njeri”, thekson ai jo pa një ndjenjë dhimbjeje. Festivali përmban në çdo edicion nga një vepër të porositur premierë. Po kështu, krahas muzikantëve shqiptarë aty luan rregullisht edhe Grupi i Vlashit (Siglo XX) duke krijuar një “urë tingujsh” ndërmjet dy vendeve. Ndër vite, koncertet e “Netëve të Muzikës Klasike” janë mbajtur në ambjente të ndryshme të qytetit si: amfiteatri, teatri, muzeu, katedralja deri edhe te një klub apo te rrënojat e një fabrike të braktisur në periferi të qytetit.
Tanimë grupi Siglo XX ka hyrë në vitin e njëzet e pestë të veprimtarisë së tij dhe ndërkohë po përgatitet për një seri koncertesh në Spanjë, të cilat do të kurorëzohet me veprën madhore të muzikës së shekullit XX, “Le Marteau sans maître” (Çekiçi pa mjeshtër) të Pierre Boulez-it dhe me premierën botërore “25 Microsecuencias” (25 mikrosekuenca) të 25 kompozitorëve nga Galicia.
Aktualisht Florian Vlashi është duke punuar për një tjetër projekt, përtej veprimtarisë koncertale. Karriera ndërkombëtare dhe mundësia e krijuar përmes saj për njohjen e përvojave, që zbatohet sot në vende të zhvilluara të botës, e shtynë Vlashin për t’iu vënë punës së hartimit të një fjalorthi terminologjik në gjuhën shqipe (me 47 pjesë të violinës), i cili i mungon shkollës shqiptare të violinës. Vlashi vetë pohon se gjatë kohës kur punonte në Sinfonica de Galicia (një orkestër ndërkombëtare me instrumentistë nga mbi 20 vende të botës), ai vetë nuk ngurronte të konsultohej mbi emërtimet, jo vetëm në italisht e frëngjisht, por edhe në gjuhë më të rralla si finlandisht apo japonisht.
Iniciativa shumë e dobishme e hartimit të këtij fjalorthi për violinistët shqiptarë, e ka përqendruar punën e Vlashit në një angazhim shumë serioz, i cili fillon që nga hulumtimi nëpër biblioteka i literaturës së shkruar për instrumentin e violinës, për luterinë në përgjithësi, pra i një fondi tejet të pasur, një pjesë të të cilit ai e ka njohur dhe seleksionuar përgjatë 30 viteve.
Fjalorth në gjuhën shqipe me 47 pjesë për violinë, nga F. Vlashi.
Dashuria për artin në përgjithësi, e kultivuar që prej fëmijërisë së hershme, mbetet një ndër tiparet më dalluese të botës intelektuale të Florian Vlashit. Krahas lidhjes me letërinë, ai është një pasionant, të themi gati një “fanatik”, i pikturës.
Kjo ka zgjuar tek ai shpirtin e koleksionistit të tablove të autorëve të ndryshëm shqiptarë, të cilat i mban të ekspozuara në sallonin e shtëpisë së tij. Gjatë gjithë këtyre viteve ai numëron në koleksionin e tij më shumë se 100 vepra, ndër të cilat veçon një skulpturë të Nikoletë Vasisë të titulluar Muzika, të cilën e ka ekspozuar në oborrin e shtëpisë së tij.
Është fjala për një skulpturë me orientim disi kubist që, siç e përshkruan Vlashi, ka në epiqendër një instrument bashkë me një kokë njeriu e një kokë kafshe, nga e cila përciellet ideja e Menuinit që violinisti është një qenie e çuditshme, një gjysmë tigri e gjysmë poeti. Ndoshta në koleksionimin e tablove të autorëve shqiptarë të pikturës, Vlashi, krahas dashurisë për artin, gjen edhe mundësinë për të plotësuar gjithë sa i mungon nga vendi i tij.
Foto e Florianit me prindit në Muzeun Guggenheim
Duket sikur dashuria për muzikën është gjithëpërfshirëse në familjen Vlashi, pasi ajo nuk mbaron tek Floriani. Të dy djemtë e tij janë instrumentistë, përkatësisht Danieli luan si violinist solist në orkestrën Deutsches Symphonie-Orchester të Berlinit, ndëra Martini ka zgjedhur instrumentin e violonçelit duke ecur nën gjurmët e së jëmës, Rediana Lukaçit.
Foto e familjes Vlashi, prindërit, djemtë dhe bashkëshortja e Florianit.
Pyetjes se çfarë do të bënte Flori kur të mbaronte misioni i tij me violinën, ai i përgjigjet me shumë thjeshtësi, se ndoshta do t’i kushtohej verërave apo mbase t’i rikthehj figurave në plastelinë, që bënte dikur tek biblioteka e të atit. Por një gjë është e sigurtë. Violina, e cila e ka shoqëruar dhe përmbushur gjithë jetën e tij, do të vazhdojë të mbetet përherë e tillë për të.
Kanë shkruar për të:
Me talentin e kulturën e gjerë që zotëron, jep një imazh të vërtetë të shpirtit të shqiptarit, që mbijetoi përmes diktaturës e indiferencës europiane. Me personalitetin e tij mundohet të zhbëjë, të davarisë sado pak atë perde errësire që kanë hedhur mbi Shqipërinë
Pirro Dollani
Ju jeni shqiptari i dytë që kam takuar në jetën time pas Nënë Terezës
Zubin Mehta, dirigjent
Vlashi luan me shumë elegancë, zhdërvjelltësi teknike e muzikalitet. Loja e tij është thjështë mjeshtërore . Një artist i shkëlqyer.
Ramiro Cartelle , kritik muzikor
Florian Vlashi , një tjetër shqiptar që i bën nder kombit
Gëzim Kabashi, gazetar
Peneli i artë ishte koncerti i Florian Vlashit, interpretim i shkëlqyeshëm, plot virtuozitet, dominim e asimilim të muzikës moderne.
Carlos Blanco Ruiz, kritik muzike
Muzika klasike e re triumfon në duart e Vlashit
O. Castro, kritik muzike
Vlashi është një muzikant i kategorisë së lartë. Ishte një koncert vërtet i mahnitshëm
Enrique Sacou , kritik
Vlashi ka të rralla jo vetëm cilesitë si instrumentist, por dhe ato njerëzore. Është kënaqësi ta kesh pranë edhe si muzikant edhe si njeri.
Juan Duran , kompozitor
Pa të muzika moderne në Galici nuk do të ishte ajo që është. Një person që beson në muzikën e re dhe në kompozitorin e vendit tonë.
Paulino Pereiro, compozitor
nga dedikimi i sonates “ Vlashiana”
Një violinist i jashtëzakonshëm
Miguel Anxo Fernan Vello, poet
Bagazhi artistik e bën Vlashin një nga protagonistët më të mëdhenj të muzikës së re në Galici – Spanjë në këto dekadat e fundit. … ka një teknik të lartë në interpretim, me një ekspresivitet e ndjenjë tepër të përshtatshme. Gishtat e tij janë të përkryer në pasazhet më virtuoze që i përballon me një natyrshmeëri të habitshme. Teknikisht loja e Vlashit më duket verbuese.
Paco Yánez, muzikolog
Shpirti i tij i kultivuar dhe drejtpeshimi i brendshëm, zbuloi një talent të fortë, të aftë për të kuptuar botën e muzikës së re, si dhe rrugën e domosdoshme në artin interpretativ modern. Gjithë edukimi violinistik dhe estetik që ai shprehu shfaqi një univers muzikor te freskët … Një thesar i vyer njerezor.
Luminica Virginia Burca, violiniste dhe muzikologe
Me muzikën, violinisti Florian Vlashi është qiell dhe dritë, frymë dhe dehje, ngjizje dhe krijim, është ai që ribëhet në çdo rast kur interpreton muzkën klasike dhe atë moderne, jo si një moderator shërbyes në rrëfenjë, por si një eskplorator magmash muzikore që për t’i shkoduar duhet talent, mendje, kulturë, genuinitet muzikor, mjeshëtri gati magjike për të hapur portat sekrete të këtij arti që gjithnjë nuk e tregon sekretin e fundit.(…)
Për ata që e kuptojnë dhe e duan me thellësi, muzika nuk është një qejf; është një fe. Kështu shprehej një mendje e ndritur e kombit shqiptar, Faik Koncia. Dishepull i këtij besimi e rituali lutjesh, pra i muzikës si një religjion arti dhe fryme, është violinisti Florian Vlashi. Tempulli është instrumenti dhe psalmi është tingulli tij ekzistencial…e dëgjoj në ajër dhe i them mirënjohje. (…)
Magjia vazhdon me pengje enigmash ndaj vijojmë ta dëgjojmë violinën e Florian Vlashit!.
Përparim Kabo, filozof
Kur Florian Vlashi organizon nje koncert, duke drejtuar Camerata Brigantina apo Grupo Instrumental Siglo XX, kemi bindjen se po asistojmë në një ngjarje muzikore të kategorisë më të lartë
Julio Andrade Malde, kritik muzike
... (koncerti) që trajton në formë qarkore ekzistencën e një jete, me artikulimin e jashtëzakonshëm e plot vitalitet në violinën e Florian Vlashit, nënshkruan plot nerv e shkëlqim, këtë besimin absolut – si në Majin 68 ashtu dhe në atë të 2018 - në fuqinë revolucionare, utopike dhe transformuese të muzikës.
Paco Yañez, muzikolog, kritik muzike
[1] Intervistuar nga muzikologu dhe gazetari i njohur spanjoll Paco Yáñez.
[2] Nxjerrë nga shkrimi “Premtimi”, Gazeta Shqiptarja.com 17/02/2012 Florian Vlashi
VOAL- Në librin “Tregim i një shekulli- Burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX”, botim i vitit 1999, Enzo Biagi (Enco Biaxhi) sillte ndër të tjera edhe tri pyetje që përvijojnë portretin e Gjeneralit Charles De Gaulle (Sharl Dë Gol).
(Charles de Gaulle, i lindur më 22 nëntor 1890, Lille, Francë – vdiq më 9 nëntor 1970, Colombey-les-deux-Églises, ishte një ushtararak francez, shkrimtar, burrë shteti dhe arkitekt i Republikës së Pestë të Francës):
– Çfarë mendonte De Gaulle për gjermanët?
“I njihte mirë, e fliste gjuhën e tyre, mendonte se dalloheshin për dy përbërës kryesorë: atë çfarë ishin krijuar nga natyra dhe atë çfarë ishin shndërruar për faj të Hitlerit.”
– Cilat kritika e lëndonin më shumë gjeneralin?
“Keqkuptimi nga shtypi.”
– E akuzonin se ishte krenar.
“Nuk ishte krenar për veten; ishte i bindur, në njëfarë shkalle, se mishëronte Francën. Kur ai thoshte “Ne, Charles De Gaulle” e bënte këtë, sepse mendonte se ishte simboli i atyre që luftonin.” S.B.
Aktorja-ikonë e skenës teatrore dhe e kinematografisë Roza Anagnosti (Xhuxha), sot në moshë mbi 75-tat, ecën ashtu ngadalë, e menduar, me buzëqeshje të fisme, pakëz melankolike, me një bukuri të pashoqe, e përmalluar, e rrethuar nga plot kujtime…! Ngjit shkallët e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. E ndjekin pas dhe e rrethojnë lulet e bahçeve shkodrane. Aroma, këto, që gjenden veç në Shkodër! Dhe janë për ty, Rozë!
Ashtu thjesht, pa bujë, dinjitetshëm e gjithë fisnikëri, kjo Zonjë nuk ka ardhur si herë të tjera në qytetin e saj. Ka ardhur ndryshe…! Ka ardhur me një mision. I përveçëm ky akt. Shkodrës, ku kaloi një pjesë të jetës së saj edhe artistike, me dashurinë e zemrës, ka vendosur që aktivitetin e saj magjik teatror shkodran, t’ia dhurojë. T’ia dhurojë me qytetarinë e saj që e karakterizon. Mbase duke shlyer një peng. Mbase duke lënë një amanet.
Fotografitë i ka mbledhur me kujdes nëpër vite. Pa u lodhur e pa u mërzitur. Siç janë nënat shkodrane. I ka vënë secilës fotografi një diçiturë. Më saktë i ka qëndisur me fjalë shpirti. Teatrit të qytetit të fëmijërisë e të rinisë po i lë edhe shkrimin e saj plot mall, që ka vlera të pazëvendësueshme. Arkivi mban emrin e nderuar: Roza Anagnosti. Aty fle dhe zgjohet një pjesë e jetës së saj të çmueshme.
Aty flenë dhe zgjohen fëmijëria, adoleshenca, babai, nëna, motra, vëllai, familja e gjyshit nga nëna, kushërinjtë e farë e fisi, mësuesit, shokët e shoqet, regjisorët, kolegët, miqtë, shkodranët…! Aty flenë e zgjohen ëndrrat, të cilat nëpër vite çelën, disa u vyshkën, të tjerat çelën përsëri siç çelin trëndafilat. Malli, kujtimet, buzëqeshjet, ëndrrat, bota e një vajze të bukur!.. Bota me një qiell ëndrrash!..
Arkivi, tashmë ka zënë vend në dhomën-arkivë të teatrit “Migjeni”. Në heshtje lëviz malli. Përmes mallit aktorja (Xhuxha) Anagnosti shuan mallin për Shkodrën. E përqafon. E puth. Fisnikëria dhe sharmi i Rozës i fali qytetit me mirësi një pjesë të kujtesës së saj. Tashmë, kujtesa e Rozës ka zënë vend në hapësirat e kujtesës teatrore e më gjerë të këtij qyteti, të cilin e dashuroi deri në dhimbje.
Ndoshta edhe përtej saj. Dhe e ka një arsye. Po i referohem shkrimtarit Stefan Cvajg, që thotë: “…, që të kuptohet rëndësia e thellë, e fshehur, e këtyre thesareve… dhe pasi t’i kuptosh, t’i duash, që të mrekullohesh prej tyre, të emocionohesh dhe të entuziazmohesh, për këtë duhet, së pari, të mësohesh t’i duash njerëzit, tiparet jetësore të të cilëve janë ngulitur në to përjetësisht”.
Arkivin e dhuruar nga Roza e krahasova me një kurorë. Është e kuptueshme. Roli i saj i parë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës ishte ai i Nurijes në dramën “Kunora e Nurijes” e Kolë Jakovës (1959). Roza, kur e interpretoi, nuk ishte më shumë se 15 vjeçe. Sigurisht, që Roza e ka të shënjuar në jetën e saj si një pikënisje, si një dashuri, si një…!
Veprimi dhurues i Artistes Roza Anagnosti, më kujton një tekst të lexuar shumë e shumë vite më parë, ku në mes të tjerave, shkruhej: “Kujtimet dhe historia janë të lidhura pazgjidhshmërisht, dhe i takojnë një realiteti të caktuar jete e jetese. Kujtimet janë gjithnjë në vetën e parë. Kujtimet janë një peshë e ngrohtë. Janë shumëçka nga ajo që jemi dhe kemi. Kur lexojmë kujtime është si të shëtisësh në një qytet tradicional. Kujtimet janë një botë mes ëndrrave dhe të së shkuarës.
Kujtimet janë zëri tjetër, që nuk dëgjohet nga të tjerët; janë dobësia jonë e pushtetshme”. M’u kujtuan këto pasazhe për kujtimet, teksa shfletoja me kujdes arkivin e Rozës. Fotografitë “flisnin” e komunikonin… Botë e magjishme! Shkrimi “fliste” dhe zëri i tij nuk shuhej. Eh, sa mall!.. Edhe fletët fëshfërinin si kujtime kohe. “Jeton një botë, një botë flet…” – i thashë vetes. Flet zëri i Artistes së Madhe Roza (Xhuxha) Anagnosti.
Zëri i fëmijërisë dhe vitet e rritjes…
Roza Xhuxha – Anagnosti ka lindur, më 27.10.1943, në Tiranë. I ati qe oficer karriere, ndërsa e ëma shtëpiake. Pas vitit 1944, familja Xhuxha vjen të jetojë në Shkodër. Në këtë qytet jetonte familja e gjyshit nga nëna. Në Shkodër, Roza përfundoi shkollën fillore, më pas të mesmen. Që e vogël shquhej si këngëtare dhe balerinë, të cilat do të rrezatonin në vitet që do të vinin. Ajo është mirënjohëse për jetë mësuesve të palodhur, si: Leonard Deda, Hilë Shahini, Tonin Harapi (në Shtëpinë e Pionierit); kompozitorit Prenkë Jakova (në Shtëpinë e Kulturës).
Dënimi i të atit, përjashtimi nga liceu
Në fëmijërinë dhe adoleshencën e Rozës së bukur, të lindur enkas për t’u bërë artiste, këngëtare, balerinë, rënduan privimet të shumta, shpirtërore dhe material, për arsye se i ati në vitin 1950 u dënua me 15 vite burg për akuza politike- me nënën dhe motrën e madhe vuajtën varfërinë dhe të gjitha pasojat e luftës së klasave: Artistes së ardhshme iu ndërpre e drejta për të vazhduar liceun artistik në Tiranë, duke e përjashtuar kur kish vijuar vetëm dy muaj mësimet.
Kjo është goditja e rëndë e ëndrrës së saj, por nuk u mposht dëshira për t’u arsimuar. Roza kthehet në Shkodër ku vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”, por në të njëjtën kohë dha provimet me korrespodencë në Liceun Artistik dega e artit dramatik. Në vitin 1965 u diplomua në degën e dëshiruar, duke çelur njëherësh dritën jeshile për t’iu futur rrugës së artit.
*****
Në kujtimet e saj, Roza shkruan: “… më cilësuan si një vajzë me talent në të ardhmen, ndonëse, më pas ëndrrat nuk i pata të lehta”. Dënimi i të atit, përjashtimi nga Liceu do të ishin tragjike për jetën e Rozës, e cila donte të bëhej artiste dhe kishte plot ëndrra. Mbi të, nënën dhe motrën do të rëndonin varfëria dhe pasojat e luftës së klasave. Roza vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Në të njëjtën kohë jepte dhe provimet me korrespondencë në Liceun Artistik (dega e artit dramatik). Në vitin 1965 diplomohet.
Një rreze drite e ftoi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Bëhej fjalë për vitin 1958, kur ishte nxënëse në shkollën e mesme. E ftojnë në premierën e parë të Teatrit të Estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik, në pjesën “Kunora e Nurijes” e dramaturgut Kolë Jakova, me regji të Lec Shllakut. Në kujtimet e saj Roza rrëfen: “Suksesi që arrita me interpretimin tim në këtë dramë, startoi jetën time në fushën e artit. U emërova aktore në trupën e Teatrit ‘Migjeni’. Tashmë rruga ime ishte hapur.
Do të isha protagoniste në mjaft role e në shumë spektakle të tjera, duke mbërritur tek personazhi i Norës në dramën ‘Nora’ të Andrea Skanjetit, që ishte dhe regjisor i saj. Me këtë rol fitova çmimin; ‘Si interpretuesja më e mirë ndër aktoret femra në Festivalin e dytë Kombëtar të Teatrove Profesioniste të Shqipërisë’”.
Në vitin 1961 babai i Rozës lirohet nga burgu. Artistja Xhuxha (Anagnosti) përveç skenës teatrore, pushton dhe ekranin. Ajo interpretoi plot role që shkëlqejnë në panteonin e teatrit dhe filmit shqiptar, por rrugëtimin e saj artistik që e nisi në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, nuk do ta harrojë…! Dhe mirënjohjen Roza nuk e harroi. Pas shumë e shumë vitesh ajo erdhi për të lënë “dëshminë” e saj përmes arkivit të pasur e lavdiplotë.
Duke kujtuar filmin, Roza rrëfen përsëri: “Bashkëpunimi im i parë me regjisorin Hysen Hakani është në filmin ‘Toka jonë’. Ai mbetet në kujtesën time shumë i veçantë. Në këtë film Dhimitri ishte operator. Në këtë film ne u njohëm dhe në fund të tij u fejuam me Dhimitrin. Më pas krijuam dhe familjen tonë. Është një film që ka shumë poezi në të gjithë drejtimet. Për mua ai ishte një rol shumë i bukur. Më pëlqente shumë.
Regjisori Hysen Hakani kishte shumë humor, ishte kërkues, kishte mënyrën e tij të punës. Në ato vite kishim shumë pak regjisorë. Në fillim kam xhiruar filmin ‘Detyrë e posaçme’ me regjisorin Kristaq Dhamo. Më pas kam xhiruar me regjisorin Hysen Hakani, për të vijuar me xhirime me Viktorin dhe Dhimitrin, e në vijim filma të tjerë…! Po kujtoj një rol tjetër, atë të Files. Roli i Files ishte një karakter shumë i veçantë dhe, unë, pasi bëra kinoprovën, fitova. Në këtë film interpretonte ajka e aktorëve shqiptarë.
Përmend këtu aktoren Tinka Kurti që ishte fantastike dhe unë e ëndërroja në atë kohë. Në kohën kur u xhirua filmi isha vetëm 19 vjeçe. Në atë vit, kur unë kam bashkëpunuar me regjisorin Hysen Hakani, isha aktore në teatrin e qytetit të Shkodrës. Ai më kishte parë në teatër dhe më ftoi të bëja një kinoprovë…! Filmi ‘Ndërgjegjja’ ishte i këndshëm. Në këtë film isha në rolin e një mësueseje të re. Në film kishte skena dashurie të kohës së atëhershme, kishte romantizëm. Përderisa regjisori Hysen Hakani më mori sërish të interpretoja, besoj se kishte mbetur i kënaqur nga unë në këtë film”!
Rolet…
Roza (Xhuxha) Anagnosti vazhdon të ngjit shkallët e teatrit “Migjeni”. Kalon korridorin dhe i afrohet skenës…, skenës së njohur. Si një imazh, që papritur bëhet real e përmallues, nga arkivi që ka pranë vetes “zgjohen” personazhet që interpretoi…! Roza “dorëzohet”… dhe kujton interpretimet në vite, si te: “Dy binjakët Venecianë” (11.01.1959, në rolin e Kolombinës –dublante), “Kunora e Nurijes” (15.03.1959, në rolin e Nurijes. Roza këtë rol e ka luajtur 63 herë.)
“Trumpetjerja” (15.07.1959 roli: Zoja Paramanova), “Maskat” (02.07.1960, në rolin e Martës), “Nora” (28.12.1960, në rolin e Norës), “Histori irkutase” (05.04.1961, Zinka), “Gjuetarët e ujqërve”, (21.06.1961, Barbulla), “Këneta” (06.11.1961, R. Mushi), “Mësuesja” (07.03.1962, Mësuesja), “Bileta e llotarisë” (09.05.1963, Burbuqja), “Përtej pragut” (27.05.1964, Fata).
Dhe pas këtyre shënimeve të çdo fotografie të bërë me aq kujdes nga aktorja e mirënjohur Anagnosti, dua, përsëri, t’i referohem Cvajgut, i cili thotë: “Dorëshkrimet kanë, përveç të tjerash, edhe një rëndësi të jashtëzakonshme morale, sepse ata madhështish na kujtojnë që veprat, të cilat na magjepsin në formën e tyre të përsosur, janë jo vetëm prej dhuntisë së gjeniut, por edhe fryt i një pune sfilitëse, vetëmohuese. Ato na tregojnë fushën e betejës, ku shpirti njerëzor lufton me materien, luftën e përjetshme të Jakovit me engjëllin; ato na shpien në thellësi të mbretërisë së krijimit dhe na detyrojnë dyfish ta duam dhe nderojmë njeriun tek artisti, për hir të veprës së tij të shenjtë”.
Arkivi dhe fotografitë që “flasin” përmes shënimeve të Rozës…
– Roza me Dhimitrin. Roza me Mbretëreshën e skenës së Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Tinka Kurti. Roza me dy vajzat e shtrenjta, Junën dhe Erën. Roza – gjyshe. Roza – nënë për herë të parë. Roza gjatë xhirimit të filmit “Toka jonë”.
– Foto vajzërie e bërë nga Foto Marubi. – Gjatë Spartakiadës në Tiranë me shoqet e gjimnazit. – Me shoqet e gjimnazit në një ditë me borë.
– Në Shtëpinë e Kulturës, me kompozitorin Prenkë Jakova dhe balet maestrin Filip Gjergji.
– Në Shtëpinë e Pionierit, me mësuesen e baletit Leonora Dragusha. – Shfaqja “Kufitarët” (melodramë, muzika: Tonin Harapi, regjisor: Andrea Skanjeti). – Shkolla “Ndoc Mazi”, drejtuese kori Lajde Banushi (Koja), mësuesit e muzikës Kol Gjinaj dhe Leonard Deda. – Shfaqja “Mësimi i pyllit” (përrallë muzikore, muzika: Tonin Harapi, libreti: Gjovalin Çarkaxhija, regjisor: Andrea Skanjeti. Fituese e çmimit të parë në Takimin Kombëtar të pionierëve në Tiranë. Roza me rolin e lejlekut fitoi çmim).
– Fëmijëria. Roza 3-4 vjeçe. -Nxënëse në Shkollën “Ndoc Mazi”. -Me mësuese Verën dhe aktoren dhe këngëtaren Klea Shantoja.
– Në turne: Theth, Malësi e Madhe.
– Pjesëmarrja në estradë:
– Me grupin e estradës, me aktorët Hasan Smaja dhe Paulin Preka, me këngëtarin Ndrekë Gjergji, regjisorin Paulin Sekuj, etj.
– Filmi “Toka jonë” (sipas motiveve të dramës me të njëjtin emër të Kolë Jakovës. Skenari: Peçi Dado, regjisor: Hysen Hakani, kamera: Dhimitër Anagnosti. Koha kur Roza ishte ende aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës).
– Drama “Kunora e Nurijes”. Roli i parë si protagoniste në teatër i Rozës. – Me kostumin e Nurijes para Teatrit “Migjeni”. Roza është me rrobaqepësen e këtij teatri Zina Ashta. -Me aktorët: Klotilda Shantoja, Preng Lëkunda, Vitore Nino.
– Pjesa ruse “Mësuesja”, autori: Kallbakian, regjisor: E. Oktrova. Roza me piktorin dhe skenografin Lec Vuksani. -Roza me aktorin Pistol Soja. -Pas shfaqjes: me Lec Bushatin, Esat Oktrovën, Paulin Lacaj.
– Drama “Këneta”. Roza – Rina, Paulin Preka – Stavri Shkurti. Para shfaqjes, në kabinë, me aktoren Tinka Kurti.,
– Komedia “Bileta e llotarisë”. Roza me aktorin Paulin Preka.
– Drama “Nora”. Roza – Nora. Roza me aktorët: Bep Shiroka (Veli), Ndoc Sheldia, Paulin Lacaj, Lec Vuksani, Jonuz Dini, Vitore Nino, Lec Bushati, Lec Ndreka, Rrok Dajçi.
– Mbas shfaqjes me kolegë e teknikë: Hasan Smaja, Mici (Marija), Lec Vuksani, Teufik Duka, Osoja, etj., etj.
Prova e parë e përgjithshme e dramës “Nora” u dha më 26.12.1960. Teatri “Migjeni” i Shkodrës korri sukses me pjesën “Nora”, dramë në 3 akte, me dy tablo e Andrea Skanjetit, vënë në skenë nga vetë autori. Drama “Nora” u dha premierë më 28.12.1960.
Interpretuan: Roza Xhuxha (Nora), Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lëkunda, Ndrekë Prela, Tinka Kurti, Paulin Lacaj, Violeta Sekuj, Antoneta Fishta, Bep Shiroka, Paulin Preka, Jonuz Dini, Fejzi Spahia, Lec Ndreka, Pistol Soja, Rrok Dajçi, Rrok Sheldia. Asistent regjisor, “Artisti i Merituar” Adem Kastrati. Piktor: Lec Fishta. Muzika nga Prenkë Jakova. Inspektor skene: Çesk Vuksani. Sufler: Leo Prela. Dritat: Teufik Duka e Shaban Prizreni. Marangozë: Lec Prendi e Ndoc Karma. Punëtorë skene: Maliq Sejdini, Osman Gruda, Fehmi Gokovi, Isuf Këltyra. Rekuizitë: Marije Curani. Roza Xhuxha në kujtimet e dramaturgut e regjisorit Andrea Skanjeti
“Drama u shfaq në Shkodër 37 herë dhe disa herë në Tiranë. Do të qëndronte edhe më gjatë në skenë, po të mos shkëputej nga teatri “Migjeni” Roza Xhuxha, e cila u martua në Tiranë me një djalosh me perspektivë të artit tonë skenik. Me gjithë kërkimet e bëra nga regjisori për ta zëvendësuar, drejtoria nuk mori bezdinë të lodhej në këtë drejtim. Rolin kryesor të dramës “Nora” e luajti me sukses të madh aktorja 15 vjeçare Roza Xhuxha, e cila kishte debutuar në rolin kryesor të dramës së Kolë Jakovës, duke qenë jo më shumë se 15 vjeçe. U morën edhe shumë fotografi edhe me sipar të hapur që u shfrytëzuan nga shtypi ndër botime gazetash, revistash të vendit e të huaja, në gjuhë të huaja, si dhe në ekspozita të rastit. …
Dhe aktorja e re Roza Xhuxha “Nora” e Këlmendit… tregoi: “Një ditë para se të dilja në skenë për Norën e ndjeja veten të shqetësuar. Rashë në shtrat shumë herët, por gjumi nuk më zuri veç në orët e vona. Pa gdhirë mirë isha zgjuar. – “Po tani si e ndjeni veten”? – e pyetën fill pas mbarimit të shfaqjes. Aktorja, veshur akoma me kostumin e nuses së Këlmendit e që merrte frymë me të shpejtë nga lodhja e lojës dhe nga emocioni, i qeshi tërë fytyra. “Tani! … Faleminderit shumë spektatorëve që duartrokitën dramën tonë…”!
Artistja e Madhe Roza (Xhuxha) Anagnosti zbret shkallët e teatrit, ngadalë-ngadalë. Si një ikonë. Kthen kokën pas…, si për t’i thënë, përsëri, diçka teatrit… Teatri “Migjeni” shfaqet me madhështinë e tij. Trëndafila të rinj kanë çelur dhe janë shumuar para syve të saj. Aroma e luleve shkodrane si një porosi gjysheje e shoqëron dhe e përcjellë ëmbëlsisht në çdo hap që hedh. Trëndafilat lëvizin ngadalë petalet si krahë fluturash dhe e ngjatjetojnë si një urim i bukur Roza (Xhuxhën) Anagnosti. Kështu ndodh në jetë, prej së vërteti… Si ky çast i papërsëritshëm. Magjia e Rozës i bën “të flasë” edhe trëndafilat, sepse “Dorëshkrimet zotërojnë një forcë magjike…”. Nga Xhahid Bushati
Të gjithë e thërrisnin dhe e kujtojnë edhe sot me emrin “Drejtori”. Se ishte drejtori i parë i gjimnazit të Bajram Currit, u rikthye edhe në vitin 1968. Se ishte i sukseshëm dhe fitoi zemrat e nxënësve që studiuan në këtë gjimnaz. Tërë jetën ishte drejtor: në Bajram Curr, në Fierzë, në Kabinetin Pedagogjik të rrethit.
Idriz Logu lindi në Markaj të Tropojës, më 12 maj 1937. U nda nga jeta në Bajram Curr, më 1 korrik 2001. Shkollën fillore e mbaroi në Bujan, në një nga shkollat e para të rrethit të Tropojës. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Bajram Curr, kurse shkollën e mesme pedagogjike në Shkodër, me rezultate të shkëlqyera. Mbaroi edhe kursin pasuniversitar për drejtues shkolle në Tiranë. U diplomua në Universitetin e Tiranës, dega Histori. Mbante Medaljen “Naim Frashëri të Argjendtë”.
Idriz Logu pati si model Mësuesin e Popullit, Rexhep Shpendi, motrën e tij, Aishe Shpendi nga vendlindja dhe mësuesin Sali Kolgeci. Tropoja është e shquar për mësues të talentuar e të përkushtuar si: Zenun Margjeka, Elez Gashi, Mehmet Margjeka, Niman Zalli etj. Familja e Idriz Logut është një familje mësuesish në tre breza: Idrizi, Lumja, bashkëshortja, Lulzimi bashkë me bashkëshorten e tij, Hedijen dhe djali i Lulzimit, Klajdi pedagog në Tiranë. Lulzimi punon prej vitesh në Zyrën Arsimore të Tropojës, është shkrimtar, studiues dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Tropojës. Një familje intelektuale, atdhetare, e nderuar dhe e respektuar, jo vetëm në Tropojë, por edhe në Kosovë.
* Idriz Logu, drejtues me vizion dhe i suksesshëm në arsim
Drejtori Idriz Logu karakterizohej nga shpirti sulmues dhe aftësia për të zgjidhur në kohë e me sukses problemet. Përqendrohej tërësisht për të kërkuar e gjetur mjetet e rrugët që sigurojnë suksesin. Ishte i motivuar dhe i karikuar në çdo moment. Vetëanaliza javore, mujore dhe vjetore e ndihmonin atë për të ndjekur në vazhdimësi punën dhe për të realizuar vizionin personal. Dallohej për administrimin efektiv të kohës. Atë që ai e bënte për pak kohë, drejtuesit e tjerë harxhonin shumë kohë. Sepse ndërhynte si drejtues në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe bënte ata që ishte e duhura. Përcaktonte qartë qëllimet dhe prioritetet, merrej me gjërat kryesore, u delegonte detyra të tjerëve, nuk i shtynte për më vonë ato që duheshin bërë në kohë, hartonte listën e veprimtarive, i ndante qëllimet e mëdha në detyra të vogla.
Drejtuesin me vizion e karakterizon veprimi gjithnjë në rritje dhe i pandërprerë. I tillë ishte Drejtori Idriz Logu. Edhe kur drejtoi arsimin në rrethin e Tropojës, edhe kur punoi në Kabinetin Pedagogjik. Motoja e punës së tij ishte: Të mendojmë e të punojmë së bashku për të kapërcyer vështirësitë! Gjimnazi i Bajram Currit ishte qendra më e rëndësishme arsimore e rrethit, nga bankat e të cilit dolën kuadro që shkëlqyen në të gjitha fushat, jo vetëm në Tropojë, por edhe në shkallë kombëtare. Janë me dhjetëra me tituj Doktor dhe Profesor. Aty emëroheshin mësuesit më të mirë. Merita e tij është se ai i nxiti, i inkurajoi, i mbështeti dhe i kualifikoi, duke arritur rezultate të larta në procesin mësimor. Mësuesit: Fahri Doçi, Ndoc Papleka, Mehmet Hyka, Ahmet Osja, Kadë Mulosmani, Ibrahim Shabani, Dan Doçi janë krenaria, jo vetëm e Tropojës, por edhe më tej.
Kombinimi i vizionit personal me atë me bazë shkolle i ndihmon mësuesit në transformimin e shkollës tradicionale në një institucion modern. Guximi ka aftësi gjeniale, fuqi dhe magji. Kjo e karakterizoi gjatë gjithë jetës Drejtorin Idriz Logu. Duke marrë pjesë në zhvillimin e vizioneve formohet bindja se njeriu me vullnet të fortë e gjen rrugën për të ecur përpara. Drejtuesi i shkollës ka si masë të vetme për vlerësimin e punë së tij dhe të kolegëve progresin që bëjnë nxënësit. Për drejtuesin vizionar në arsim, transformimi i shkollës në një institucion vizionar është një detyrë urgjente. Këtë e realizojnë forcat e saj të brendshme, të ndihmuara edhe nga ato që veprojnë jashtë saj. Rezultatet e larta në procesin mësimor gjatë kohës, kur Idriz Logu ishte drejtor janë meritë e tij dhe e gjithë stafit pedagogjik. Gjimnazi “Asim Vokshi” është fidanishtja e kuadrove të Tropojës. 80% e nxënësve që mbaronin atë shkonin në shkolla të larta. Kjo bëri që në vitet `80, Tropoja t’i plotësonte nevojat e saj me kuadro vendas në të gjithë sektorët.
Është e njohur aksioma: “Çfarë bëhet brenda klasës, pasqyrohet në nivelin e formimit të nxënësve”. Aktivizimi maksimal i punëve të pavarura të nxënësve brenda dhe jashtë orës së mësimit është punë krijuese, art, është një punë njëzetfish më e vështirë sesa ajo e mësuesit, i cili i ka përvetësuar përmendësh tekstet dhe ka një dekadë ose më shumë që i shpjegon dhe i rishpjegon në detaje gjërat si megafon monoton, duke i mërzitur nxënësit, por edhe veten e tij. Pra, përsosja dhe përpunimi i metodave të të mësuarit aktiv është i pandarë nga punët e pavarura të të gjithë nxënësve. Në këto punë, mësuesi ka parasysh këta elementë didaktikë: përgatitjen psikologjike të nxënësve, aftësimin e tyre për të arsyetuar dhe vepruar në mënyrë të pavarur e për të punuar vetë me burimet e njohurive, të teksteve, të detyrave e për të zbuluar njohuri të reja nën drejtimin e mësuesit dhe për t’i zbatuar njohuritë teorike në praktikë në mënyrë të pavarur. Shembullin për këtë e dha i pari Drejtori Idriz Logu, pastaj mësuesit e tjerë. Në lëndën e kimisë, mësuesi Fahri Doçi jepte elementë të rëndësishëm nga Kimia e Glinës, si plotësim për punët e pavarura, i zhvillonte në një nivel të lartë punët laboratorike, jepte ushtrime dhe problema që përforconin njohuritë e fituara. Mësuesi i matematikës, Mehmet Hyka punonte brenda dhe jashtë orës së mësimit, me ushtrime dhe problema jashtë tekstit mësimor. Kuptimin e hollë të detajeve artistike, aftësia për të krahasuar, për të vënë përballë njëra-tjetrës figurat artistike, personazhet, për të kuptuar thellë nëntekstin poetik e realizonte me sukses në lëndën e letërsisë mësuesi Ndoc Papleka. Punët e pavarura krijuese u bënë sistem pune në procesin mësimor, i aftësuan nxënësit të zgjidhin detyra njohëse sistematikisht, të zbulojnë njohuri në mënyrë origjinale në forma të punëve praktike. Kjo i parapërgatiti ata për vijimin me sukses të studimeve në shkollat e larta. Paraqitja e thatë përshkrimore e materialit mësimor, si nga mësuesi, ashtu edhe nga nxënësi është antipodi i punës së pavarur krijuese të nxënësve dhe e papranueshme në didaktikën moderne. Sa më shumë të mësojë mësuesi për vete, të mendojë për çdo orë mësimi dhe ta masë atë me fuqitë e nxënësve, aq më të lehtë do ta ketë nxënësi. Është kjo arsyeja që nxënësit shkonin me kënaqësi në orët e mësimit në këto lëndë. Kur mësuesi Ndoc Papleka ishte me leje krijimtarie, na erdhi një mësues tjetër, i cili nuk dinte të komunikonte me nxënësit, bënte vlerësime subjektive, i vështirësonte gjërat, nuk pranonte vërejtjet dhe kritikat e nxënësve. Ne i kërkuam Drejtorit që ky mësues të mos na jepte mësim. Drejtori e mori parasysh kërkesën tonë. Na erdhi përsëri mësues Ndoci edhe pse me leje krijimtarie, sepse ishim në prag të provimeve të maturës. Edhe në një rast tjetër ne patëm vërejtje në vitin e dytë për mësuesin e fizikës, i cili ishte i paaftë si nga ana shkencore, por edhe ajo metodike dhe me mangësi në komunikimin me nxënësit. I kërkuam përsëri drejtorit të na e hiqte dhe ai e kaloi në shkollën 8-vjeçare. Si vizionar që ishte Idriz Logu, kishte në qendër nxënxsit dhe vetëm nxënësit, me të cilët vazhdimisht bashkëbisedonte dhe organizonte anketime. I vlerësonte mendimet e tyre. Mendimet e mia si sekretar i Komitetit të Rinisë të shkollës në mbledhjet e kësillit pedagogjik i merrte në konsideratë dhe ishin pjesë e diskutimeve dhe e vendimeve që merreshin.
Drejtori Idriz Logu ishte modeli i organizimit të kontrollit të gjithanshëm, të thellë, konstruktiv, i cili përfshinte në tërësi punën e kolektivit pedagogjik, por edhe të çdo mësuesi. Nuk merrej me vogëlsira dhe kjo metodë pune i siguroi suksesin. Të gjitha problemet e tematikat që i dilnin gjatë kontrolleve shtroheshin për debat e ballafaqim në këshillin pedagogjik, përcaktoheshin detyrat. Mbi të gjitha ai ndiqte në vazhdimësi zbatimin e tyre. Ky është edhe çelësi i suksesit të tij. Përfundimet që dilnin gjatë kontrollit nuk liheshin në harresë, por bëheshin objekt për diskutimin e mëtejshëm të tyre dhe për përhapjen e përvojës pozitive. Përfundimi i një kontrolli shënonte fillimin e kontrolleve te tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me realizimin me cilësi të detyrave që ishin bërë objekt vëzhgimi më parë.
Diversiteti i ideve, që vijon nga një diversitet njerëzish është një nga mënyrat më të mira për të krijuar kushte të favorshme për mësimnxënien. Drejtori vizionar, duke i vënë në lëvizje të gjithë që të mendojnë, të reflektojnë, të debatojnë rreth vlerave të reja që gjejnë, godet stilin: “E di drejtori”. Kjo pengon suksesin. Idriz Logu për disa vite ishte drejtor i shkollës 8-vjeçare dhe i gjimnazit, të cilat ishin bashkë deri në vitin 1971. Një shkollë me mbi 1000 nxënës. Ia doli si askush tjetër të mënjanonte shkaqet që sillnin konflikte, të menaxhonte situatën dhe të ruante ekuilibrin social në shkollë.
* Drejtues i Kabinetit Pedagogjik të rrethit të Tropojës për një dekadë
I dha një pamje të re kualifikimit të mësuesve. Zgjodhi si bashkëpunëtorë specialistët më të mirë sipas lëndëve. Përcaktoi prioritetet kryesorë dhe objektivat, ndoqi nga afër e në vazhdimësi çdo shkollë, çdo komision ndërlëndor dhe përgatitjen e mësuesve në gruplëndët psikologji-pedagogji. Njihte kapacitetet dhe vlerat e çdo mësuesi dhe drejtuesi. Solli një ndryshim rrënjësor, një dimension të gjerë në kuptimin konceptual – funksional dhe përmbajtësor – struktural të arsimit. Puna e mirë në kualifikimin e mësuesve solli rezultate pozitive në përvetësimin e programit mësimor. Kjo u evidentua edhe nga kontrollet e Ministrisë së Arsimit të asaj kohe dhe nga arritjet që patën studentët e Tropojës në shkollat e larta të vendit.
Drejtues shkollash si në atë kohë nuk vijnë më.
Vetëm një kualifikim me cilësi profesionale do të jetë në gjendje të rritë në njërën anë efektivitetin e bashkë me të edhe vlerësimin e rezultateve dhe pjesëmarrjen në kualifikim. Idriz Logu e ndërtoi kualifikimin e mësuesve duke patur parasysh kërkesat dhe nevojat e reja: * Duke pyetur vazhdimisht për çfarë kanë nevojë të kualifikohen, veçanërisht të rinjtë e duke treguar kujdes për plotësimin e tyre. * Duke bashkëpunuar me drejtoritë e shkollave dhe sektorin e kontrollit e të kuadrit në Seksionin e Arsimit. * Duke mbledhur fakte, duke i analizuar ato e duke përcaktuar detyra. * Duke qenë racional në punën e kërkesat e tij. * Duke zgjedhur metodën e përshtatshme të komunikimit për të përcjellë mesazhet. * Duke ndjekur problemet edhe pas seancave trajnuese dhe kualifikuese. * Duke rritur përvetësimin e njohurive të reja dhe aftësitë për t’i përçuar ato te të tjerët.
Epilogu:
Idriz Logu ishte një drejtues i suksesshëm në arsim në të gjitha detyrat që iu ngarkuan, bashkëautor i librit: “Historiku u arsimit në Tropojë”, një kontribues i madh në zhvillimin e arsimit.
Rritja sasiore dhe cilësore e arsimit në Tropojë, solli edhe rritjen e personalitetit të tij si lider në arsim. Ai pati aftësinë për të dalë nga zona e rehatisë dhe për të qenë në ballë të punëve. Atje, ku ishte dhe iu besua detyra bëri më të mirën. Të bësh më të mirën do të thotë të jesh vetëvetja, të riformulosh mënyrën sesi e percepton detyrën për ta bërë atë pjesë të një vizioni më të madh e më emocionues. Vitet `60-`90, në të cilat ai ishte protagonisti dhe drejtuesi real i arsimit në rrethin e Tropojës për pjesën më të madhe të kohës, sollën një progres të paparë. Meriton një vlerësim më dinjitoz në panteonin e arsimit në Tropojë.
Shtypi italian dhe rrjetet sociale nuk pushojnë së treguari xhestin e shqiptarit Elton Zefit që shpëtoi nga mbytja ish sipërmarrësin e tij që dikur i kishte dhënë një punë: “Nuk e dija kur u futa në ujë. Çfarë surprize kur e njoha.”
Elton Zefi u hodh në Kanalin Battaglia ditën e tij të lindjes për të shpëtuar një jetë nga vdekja e sigurt: “Nuk ndihem si hero, thjesht mendova se duhej të hidhesha në ujë.”
E gjitha filloi brenda pak sekondash, në një heshtje të thyer vetëm nga vërshimi i ujit dhe një britmë tmerri. Një mëngjes i ftohtë, një makinë rrëshqiti në Kanalin Battaglia dhe dy kalimtarë të cilët, pa hezitim, e transformuan një aksident të destinuar të përfundonte në tragjedi në një shpëtim që pothuajse i ngjan një mrekullie.
Kjo ndodhi në Padova, të enjten, 20 nëntor rreth orës 11:30 të paradites, fati i një burri dukej tashmë i vulosur, jeta e tij e përpirë nga kanali. Por jo. Në vend të kësaj, instinkti ishte i mjaftueshëm, lloji më i pastër, lloji që nuk e detyron të arsyetojë. Dy burra u zhytën dhe shpëtuan një jetë nga vdekja. Episodi, i kapur në video nga stacioni televiziv Telenuovo, tregon një Toyota Yaris që rrëshqet në ujë pas një manovre të keqe pranë Via Ponte della Cagna. Shoferi është G.S., një biznesmen nga Padua i njohur në qytet dhe ish-punëdhënësi i njërit prej dy “shpëtimtarëve”. Makina fundoset shpejt dhe në atë moment Elton Zefi, 32 vjeç, tani punonjës i një kompanie panelesh fotovoltaike, kupton se nuk duhet të vonohet.
“Rastësisht po kaloja pranë,” thotë ai, “dhe sapo pashë të gjithë ata njerëz që shikonin kanalin dhe makinën që fundosej, e dija se duhej të ndërhyja.” Heroi tjetër i ditës e nxit të mos zhytet menjëherë, të zgjedhë momentin e duhur. Ndoshta pak hezitim, ndoshta një rrezik i llogaritur për të shmangur përkeqësimin e gjërave. Fakti është se ato momente dukeshin të pafundme: “Ai dukej se e kuptonte situatën më mirë se unë,” vazhdon Zefi, “kështu që ndoqa këshillën e tij.” Makina që mbushet me ujë Brenda makinës, i moshuari bërtet. Uji rrit nivelin. Makina anohet, po fundoset. Është koha. «Ne kërcyem», thotë Eltoni, «por nuk mundëm ta nxirrnim jashtë. Makina u anua dhe bagazhi doli në sipërfaqe për një moment. Unë u ngjita sipër; ishte i vetmi vend ku mund të provonim». Ai përpiqet të thyejë xhamin, ndërsa poshtë tij rryma e tërheq automjetin edhe më thellë.
Videoja ndalet para momentit vendimtar, por Eltoni i rindërton momentet e mëposhtme si kjo: “Menjëherë pasi mbaroi videoja, pashë një dorë të dilte nga dritarja e pasme. E kapëm dhe e tërhoqëm me gjithë forcën tonë. Nuk shkoi mirë menjëherë; në fillim dukej e pamundur, por më në fund e pamë të dilte përsëri dhe të merrte frymë. Ai ishte i vetëdijshëm, nuk mund të ndalonte së na falënderuari, sepse e kuptonte rrezikun që kishte marrë.
Zinxhiri Njerëzor Shpëtimi është një përpjekje ekipore e lindur nga askund. Askush nuk e njeh vërtet njëri-tjetrin, askush nuk ka kohë të flasë. Thjesht bëje. Një kalimtar formon një zinxhir njerëzor të improvizuar, të tjerët sjellin peshqirë dhe batanije. I ftohti është therës, uji i akullt pret lëkurën, por ka vetëm një përparësi: ngrohja e burrit të shpëtuar mrekullisht nga shpëtimtarët e tij, të cilët kishin hequr xhaketat për të hyrë në ujë: “Na nxorën menjëherë,” vazhdon Eltoni, “duke na mbuluar sepse bënte shumë ftohtë.” Gjithçka ndodhi shumë shpejt, por pasi u siguruam që burri ishte mirë, u ndjemë vërtet të lehtësuar.” Por ka një detaj që është më prekës se të gjithë të tjerët.
Pasi rifiton qetësinë, Eltoni zbulon se kush është burri që shpëtoi: “E njihja, por nuk mendoja se ishte ai.” Ai kishte qenë punëdhënësi i tij vite më parë. Një rastësi që i shton një shije të papritur një gjesti tashmë të jashtëzakonshëm. Makina rikuperohet më vonë nga zjarrfikësit, por deri atëherë është vetëm një detaj. Videoja qarkullon nëpër telefona, rrjete sociale dhe biseda. Imazhet tregojnë historinë thelbësore; pjesa tjetër u takon protagonistëve ta tregojnë.
Eltoni, ende i ngrirë, përfundon: “Nuk ishte një akt heroik për mua. Erdhi natyrshëm. Kur kuptova se ai burrë po rrezikonte jetën e tij, mendimi im i vetëm ishte, duhet të hidhem. Për një herë, midis kaq shumë tragjedive, mund të themi se kjo histori ka një fund të lumtur.”
Pastaj ai shkoi në shtëpi. Kjo ngjarje ndodhi në ditëlindjen e tij, Eltoni festoi atë mëngjes të pabesueshëm 32 vjetorin, duke shpëtuar një jetë. Në një festë të thjeshtë. Ai ka jetuar në Itali për 15 vjet dhe tani ndihet si në shtëpi këtu. Por ajo që ndodhi ka një rëndësi të madhe.
A është e mundur të fshihet një histori e tillë. Një histori që na kujton se guximi nuk shpallet gjithmonë: ndonjëherë shfaqet në heshtje, në brigjet e një kanali, dhe ndryshon një fat të shkruar tashmë. Të një personi, sigurisht, por, edhe të paktën e dy të tjerëve.
Kjo histori na bëri më të mirë si shoqëri!/Elida Buçpapaj
VOAL- Franz Joseph I (Franc Jozef I) i Austrisë lindi në Pallatin Schönbrunn, Vjenë, më 18 gusht 1830. Ai ishte një nga sundimtarët më jetëgjatë të të gjitha kohërave, ndoshta më jetëgjati, të paktën për sa i përket regjencës efektive, falë gati shtatëdhjetë viteve të tij në fronin austro-hungarez. Perandor i Austrisë nga viti 1848 deri në vitin 1916, Mbret i Hungarisë nga viti 1867 deri në vitin 1916, ai ishte gjithashtu sovran i Mbretërisë së Lombardisë-Venedikut, deri në datën fatale të vitit 1866.
Djali më i madh i Arkidukës Franz Karl të Habsburg-Lorraine, vetë një pasardhës i vogël i Perandorit Francis II të Austrisë, dhe gruas së tij Sophie të Wittelsbach, Princeshës së Bavarisë, Franz Joseph i ri u emërua kolonel në moshën trembëdhjetë vjeç, duke filluar një karrierë ushtarake. Pikturat që datojnë nga kjo periudhë e përshkruajnë atë me uniformën e tij të zakonshme gri, uniformën zyrtare që ai e preferonte si për raste solemne ashtu edhe ushtarake, si dhe në jetën e tij të përditshme.
Nga një perspektivë dinastike, emërimi i Franz Jozefit u vendos kur ai ishte ende pesë vjeç. Në të vërtetë, pas mbretërimit të shkurtër të xhaxhait të tij, Ferdinand I, i cili ishte i sëmurë mendërisht dhe pa fëmijë, Arkiduka Franz Karl vendosi në favor të tij, duke e drejtuar tërë jetën e perandorit të ardhshëm drejt perspektivave mbretërore. Prandaj, nëna e tij e rriti atë, duke e vendosur Franzin e ri, që në moshë të vogël, nën figurën imponuese të gjyshit të tij, Perandorit të atëhershëm Franz II, figurës së vërtetë dinastike dhe ushtarake të të gjithë familjes.
Nga mesi i viteve 1830, fati i Perandorisë, pjesërisht për shkak të ndryshimeve dinastike dhe, mbi të gjitha, lëvizjeve të pavarësisë që përfshinin Italinë dhe Hungarinë, iu besua Kancelarit Metternich, i cili mbikëqyrte praktikisht të gjitha çështjet shtetërore. Kryengritjet e përgjakshme që shpërthyen rreth austriakëve në 1848 e detyruan Metternich të jepte dorëheqjen, duke rezultuar në braktisjen e tij të territorit austriak. Ai u pasua nga Felix Schwarzenberg, i cili u detyrua të jepte një kushtetutë, e cila më vonë u shfuqizua në vitin 1851, duke u përpjekur të mbante nën kontroll situatën e trazuar.
Por viti 1848 ishte pikërisht viti vendimtar për perandorin e ardhshëm, i cili, pas një shqyrtimi më të afërt, e fitoi titullin e tij pothuajse në fushën e betejës. Fillimisht i emëruar Guvernator i Bohemisë, megjithatë pa marrë përsipër përgjegjësitë e postit, si një ushtar i mirë që ishte, në pranverën e vitit 1848 ai u drejtua për në frontin italian, duke ndjekur Marshall Radetzky. Ai mori pjesë në Betejën e Santa Lucia më 5 maj, përpara se të thirrej në Tirol, në qytetin e Innsbruck, përkohësisht selia e mbretërisë për shkak të trazirave të asaj kohe në Vjenë. Atje ai takoi edhe gruan e tij të ardhshme, kushërirën e tij Elizabeth të Bavarisë, por ai do të binte në dashuri me të vetëm më vonë.
Pasi arriti fitoren ndaj italianëve më 2 dhjetor 1848, në Olomouc, selia e përkohshme e oborrit, tetëmbëdhjetëvjeçari Franz Joseph u ngjit në fronin austriak si Perandor Franz Joseph I. Abdikimi i xhaxhait të tij Ferdinand ishte një faktor vendimtar. Që nga ky moment, filloi i pari i mbretërimit të tij 68-vjeçar.
Vitet e para të perandorit të ri nuk rezultuan aspak të lehta. Në Itali, disfata e Piemontes ishte një pikë kthese, të paktën fillimisht, falë pjesërisht ndërhyrjes së përbashkët të Marshallit Josef Radetzky dhe Gjeneralit Felix Schwarzenberg. Lufta e Parë e Pavarësisë, siç njihet në historiografinë italiane, u zgjidh në favor të Austrisë, por kjo nuk zgjati shumë. E njëjta gjë ndodhi në Hungari, me revoltën hungareze të shtypur me gjak në shtator 1849.
Perandori i ri u detyrua të vlerësonte menjëherë pasojat. Më 18 shkurt 1853, ndërsa ecte me Kontin Maximilian Karl Lamoral O’Donnell, Franz Joseph u sulmua nga një nacionalist hungarez, i cili iku nga shoqëruesit e tij dhe u përpoq t’i priste fytin sundimtarit austriak. Tehu u ngatërrua në tokën metalike të jakës së uniformës së perandorit dhe János Libényi, njëzet e dy vjeç, u arrestua dhe u burgos menjëherë, më vonë u var në Burgun Simmeringer.
Megjithatë, vitin pasardhës, në vitin 1854, i verbuar nga dashuria, siç është thënë shpesh, Franz Jozefi zgjodhi të martohej me Elizabetën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, e cila së shpejti do të njihej nga të gjithë si Sissi. Ajo ishte motra më e vogël e Helenës së Bavarisë, e përmendur fillimisht nga nëna e perandorit si një pretendente e mundshme, dhe vajza më e madhe e Princeshës Ludovika të Bavarisë dhe Maksimilianit, Dukës së Bavarisë. Sofia dhe Ludovika, dy motrat, njëra nëna e Franzit dhe tjetra Helena, vendosën t’i bashkonin dy të rinjtë për herë të dytë në jetën e tyre në qytetin Bad Ischl. Për këtë rast, Ludovika solli me vete edhe Elizabetën, më të voglën. Megjithatë, sipas burimeve, sundimtari, sapo pa vajzën magjepsëse, u dashurua marrëzisht me të. Më vonë, gjatë ballos për nder të ditëlindjes së Franz Jozefit, celebruesi, në vend që t’i kërkonte dorën Helenës për martesë, çuditërisht formalizoi fejesën e tij me Elizabetën, duke i dhënë asaj, sipas traditës, buqetën e dasmës. Të nesërmen, ai i kërkoi dorën tezes së saj, Ludovicës.
Dasma midis Françeskut dhe Sisit, një nga më luksozet e të gjitha kohërave, u zhvillua më 24 prill 1854, në Kishën Augustiniane në Vjenë. Gruaja e tij, Elizabeta, u bë një pikë referimi e vazhdueshme për perandorin, një figurë e shquar, këshilltare e tij dhe e aftë të ushtronte një ndikim të fortë mbi të.
Megjithatë, politikisht dhe ushtarakisht, Austria pësoi disa humbje territoriale deri në vitet 1866-1868, për shkak të një qëndrimi tepër të centralizuar, si dhe të orientuar tepër drejt Italisë dhe shteteve të vogla gjermane. Pas vdekjes së Schwarzenbergut, dolën gabime të shumta strategjike, siç ishte dështimi për të ndërhyrë në Luftën e Krimesë, e cila në fakt ia dorëzoi aleancën e Francës dhe Anglisë në duart e Savojave.
Pasoja e drejtpërdrejtë ishte Lufta e Dytë Italiane e Pavarësisë, në vitin 1859, në të cilën Perandori Austriak, pasi mori komandën pasi zëvendësoi Marshallin Ferencz Gyulai, u mund rëndë në Solferino dhe San Martino, duke e detyruar të nënshkruante Armëpushimin e Villafranca-s. Pas kësaj beteje, Austria arriti të mbante vetëm Veneton.
Nga viti 1866 deri në vitin 1871, Franz Joseph humbi vëllanë e tij Maksimilian, i zgjedhur Perandor i Meksikës në vitin 1863, i cili u ekzekutua gjatë kryengritjeve revolucionare të vendit. Më e rëndësishmja, ai humbi Venedikun dhe Veneton në vitin 1866, si dhe një pjesë të madhe të territoreve të Hungarisë në vitin 1867. Perandoria Austro-Hungareze u krijua zyrtarisht, por, mbi të gjitha, Franz pësoi disfata nga Prusia e Bismarkut, derisa humbi plotësisht shtetet gjermane kur Prusia bashkoi Gjermaninë në vitin 1871 nën Shtëpinë e Hohenzollern.
Për të ribalancuar pozicionin e tij politik, perandori kërkoi një sërë aleancash, së pari me Bismarkun dhe më pas me rusët, duke kulmuar në Aleancën e Trefishtë me Mbretërinë e sapoformuar të Italisë në vitin 1882. Disa vite më parë, ai aneksoi Bosnjë-Hercegovinën, megjithëse jo formalisht, por nëpërmjet një kujdestarie, në përputhje me diktatet e Kongresit të Berlinit.
Kështu, deri në shekullin e njëzetë, Perandoria Austro-Hungareze pësoi disa ndryshime politike, nga reformat federaliste deri te kthimi në centralizëm në vitet 1890. Megjithatë, figura e Perandorit Franz Jozef mbeti larg kritikave të drejtpërdrejta, pjesërisht falë figurës karizmatike të gruas së tij, Elizabeth.
Fatkeqësisht, bashkimi i tyre u kërcënua nga vdekja e papritur e fëmijës së tyre të vetëm (pas vdekjes së vajzës së tyre të madhe, Sofisë), Princit dhe Trashëgimtarit Rudolf të Habsburgut, i cili kreu vetëvrasje në Mayerling në vitin 1889. Edhe pse u fol për të dhe të dashurën e tij, Baroneshën Mary Vetsera, këto dy vdekje nuk u sqaruan kurrë, aq sa e gjithë çështja u bë e njohur si “Ngjarjet e Mayerlingut”, duke nënvizuar paqartësinë e saj.
Nëntë vjet më vonë, më 10 shtator 1898, në Gjenevë, anarkisti italian Luigi Licheni vrau edhe gruan e perandorit, Elisabeth. Ai i shpoi zemrën me një limë trekëndëshe të fshehur në një buqetë me lule, pastaj u përpoq të arratisej dështoi, vetëm për t’u ndaluar nga katër qytetarë zviceranë të cilët e dorëzuan menjëherë në polici. Kjo ishte goditja më e rëndë për perandorin austriak.
Politikisht, viti 1907 dukej si një pikë kthese, me të drejtën universale të votës, por shumë nuk e mbështetnin më barrën e një monarkie absolutiste. Shtatë vjet më vonë, më 28 qershor 1914, nacionalisti boshnjak Gavrilo Princip vrau trashëgimtarin e fronit austriak, Franz Ferdinand, në Sarajevë, duke shkaktuar në mënyrë efektive, të paktën zyrtarisht, shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Perandori tetëdhjetëvjeçar nuk ishte i gatshëm të nënshkruante aktin e luftës kundër Serbisë, i cili në mënyrë efektive shënoi fillimin e konfliktit, por u detyrua ta bënte këtë për shkak të presionit të fortë.
Dy vjet më vonë, në moshën tetëdhjetë e gjashtë vjeç, Franz Jozefi I i Austrisë vdiq në Pallatin e tij Schönbrunn më 21 nëntor 1916, pas një mbretërimi të pandërprerë gjashtëdhjetë e tetë vjeçar.Stërnipi i tij, Charles I i Austrisë, e pasoi atë, por Perandoria mori fund me fundin e luftës në vitin 1918, dy vjet pas vdekjes së tij./Elida Buçpapaj
Arkivat Kombëtare të SHBA-ve publikuan një sërë dokumentesh të lidhura me zhdukjen e aviatores së famshme Amelia Earhart mbi Oqeanin Paqësor në vitin 1937, pas urdhrit të fundit të presidentit Donald Trump për të deklasifikuar dhe bërë publik të gjithë materialin që disponon qeveria.
Publikimi i 4.624 faqeve dokumentesh, mes të cilave ditarë të anijeve ushtarake amerikane që morën pjesë në kërkimet ajrore dhe detare për gjetjen e Earhart, u njoftua nga drejtoresha e shërbimeve të inteligjencës së SHBA-ve, Tulsi Gabbard.
Përveç raporteve të Marinës dhe Rojes Bregdetare të SHBA-ve lidhur me kërkimet për Earhart, dosja përfshin edhe një sërë memo-sh, artikuj gazetash, letra dhe telegrame.
Korespondenca përfshin një letër nga një grua që pretendonte se, përmes “telepatisë mendore”, kishte përfunduar se Earhart ishte ende gjallë; një tjetër nga një burrë që këmbëngulte se ajo ishte varrosur në Spanjë; si dhe një seri telegramesh dhe memo-sh qeveritare që hidhnin poshtë thashethemet se aviatorja ishte kapur nga forcat japoneze dhe ekzekutuar.
Earhart dhe navigatori i saj, Fred Noonan, u panë për herë të fundit më 2 korrik 1937, teksa u ngritën në fluturim me avionin me dy motorë Lockheed Electra nga Papua Guinea e Re, me destinacion ishullin Howland, rreth 4.000 km larg, gjatë përpjekjes së tyre për të bërë xhiron e botës.
Kontakti me radio u humb disa orë më vonë, pasi 39-vjeçarja Earhart raportoi se karburanti i ishte mbaruar.
Një operacion masiv kërkim-shpëtimi detar, më i madhi i asaj kohe, rezultoi i pasuksesshëm. Fati i Earhart mbetet një mister i pazgjidhur prej 88 vitesh.
Interesi i papritur i administratës Trump për Earhart dhe urdhri i presidentit më 26 shtator për deklasifikimin dhe publikimin e dokumenteve që lidhen me të, erdhën në një kohë kur ai po përballej me kritika të shtuara për mbajtjen pezull të dosjeve që lidhen me filantropin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Publikimi i kësaj serie të re dokumentesh mbi Earhart erdhi dy ditë pasi një komision i Kongresit publikoi mijëra dokumente që ngritën pyetje të reja mbi lidhjen e Trump me Epstein.
Arkivat Kombëtare të SHBA-ve bënë të ditur se edhe më shumë dokumente do të digjitalizohen dhe do të publikohen gradualisht.
Fati i Earhart dhe Noonan mbetet ende i paqartë. Megjithatë, studiues nga Grupi Ndërkombëtar për Rimëkëmbjen e Aeroplanëve Historikë (TIGHAR) kanë mbledhur prova që sugjerojnë se ata mund të kenë vdekur si të mbijetuar të braktisur në atolin koralor Nikumaroro, në Kiribati, në Paqësorin perëndimor.
Një seri ekspeditash në ishull ka zbuluar një kavanoz kremi kundër njollave të fytyrës nga vitet 1930, copëza rrobash, fragmente kockash njerëzore dhe një thikë xhepi e ngjashme me atë që mbante Earhart. Gjithashtu është gjetur një pjesë alumini që besohet të ketë qenë pjesë e avionit të tyre.
Për më tepër, grupi TIGHAR deklaroi se një imazh sonar i marrë pak larg bregut të atolës së izoluar ka zbuluar një objekt që mund të jetë një krah ose një pjesë e trupit të avionit të Earhart.
Robert De Niro pohon publikisht se është edhe Shqiptar
Në natën e parafundit të Festivalit të 61-të të Këngës Italiane në Sanremo, viti 2011 i ftuari special ishte aktori i famshem Robert De Niro, i cili konfirmoi në Rai 1, me fjalët e tij, prejardhjen e tij të përzier, përfshirë atë Shqiptare.
Robert De Niro i Ftuar në RAI Uno, ndërsa Elisabetta Canalis kishte vështirësi të përkthente pyetjet prezantuesit te Festivalit Gianni Morandi, De Niro deklaroi se prejardhja e tij është siciliane, italiane dhe shqiptare.
Që nga e marta, 4 nëntor, Rama Duwaji, 28 vjeçe, është bërë e para Zonjë e Parë e gjeneratës Z në historinë e Nju Jorkut, pasi bashkëshorti i saj, Zohran Mamdani, u zgjodh kryebashkiak i qytetit më të populluar të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë fushatës njëvjeçare të bashkëshortit të saj 34-vjeçar, Duwaji qëndroi larg dritës së reflektorëve, por luajti një rol vendimtar prapa skenës në organizimin e pranisë virale të Mamdanit në rrjetet sociale.
Sipas CNN, artistja dhe animatorja e re ishte forca shtytëse e fushatës së tij dhe vetë ajo krijoi logot dhe identitetin vizual të kandidatit fitues.
Rama Duwaji lindi në Hjuston të Teksasit nga prindër sirianë, i ati inxhinier kompjuterësh dhe e ëma mjeke. Ajo u rrit mes Teksasit dhe Dubait, ku familja u vendos kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe. Që në fëmijëri tregoi pasion për artin dhe dizajnin, duke ndjekur për një vit Shkollën e Arteve të Universitetit Virginia Commonwealth në Doha, përpara se të transferohej në Universitetin e Richmond në Virxhinia për të përfunduar studimet.
Pas një periudhe të shkurtër në Dubai, u kthye në Nju Jork në vitin 2021 dhe përfundoi studimet pasuniversitare në ilustrim në Shkollën e Arteve Vizuale (School of Visual Arts, NYC) në vitin 2024.
Veprat e Duwajit fokusohen në kulturën arabe, drejtësinë sociale në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht në të drejtat e grave. Që prej vitit 2023, ajo ka krijuar projekte që lidhen me gjenocidin në Gaza dhe luftën civile në Sudan.
Në një intervistë për podcast-in “Tavan Studio in Conversation” në vitin 2019, Duwaji deklaroi se, edhe pse e konsideronte të rëndësishme të ishte amerikane, më vonë kuptoi se “nuk ishte integruar plotësisht” dhe nisi të krijonte vepra që reflektonin “identitetin” e saj dhe “çfarë do të thotë të jesh siriane jashtë vendit”.
Postimet e saj në Instagram dhe puna artistike tregojnë se ajo dhe bashkëshorti i saj ndajnë të njëjtat bindje politike, përfshirë qëndrimet e tyre ndaj krizës humanitare në Gaza.
Në një intervistë të rrallë për Yung Media në prill të kaluar, Duwaji kritikoi presidentin Donald Trump, duke thënë: “Duke parë kaq shumë njerëz të dëbuar e të heshtur nga frika, e vetmja gjë që mund të bëj është të përdor zërin tim për të denoncuar gjithçka që po ndodh, si në SHBA, ashtu edhe në Palestinë dhe Siri.”
Zohran Mamdani, i njohur si “demokrat socialist”, dhe artistja u njohën përmes aplikacionit të takimeve Hinge në vitin 2021. Në tetorin e kaluar, çifti shpalli fejesën e tyre në Instagram, me një postim ku Mamdani e quante partneren e tij “Light of my life” (“Drita e jetës sime”).
Ata u martuan në shkurt të këtij viti në bashkinë e Manhattanit dhe më pas, në korrik, udhëtuan në Ugandë, vendlindjen e Mamdanit, ku zhvilluan edhe një ceremoni tjetër martesore, sipas The New York Times.
Zonja e Parë e re ka punuar më parë për revista prestigjioze si The New Yorker, The Washington Post dhe Vogue. Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me Apple, Spotify dhe me Galerinë e Artit Modern Tate në Londër.
GIUSEPPE VERDI NË SHTRATIN E VDEKJES- HESHTJA E FUNDIT E NJË SIMFONIE NJERËZORE
Në mëngjesin e ftohtë të 27 janarit 1901, Milano u zgjua me një heshtje që nuk kishte asgjë të zakonshme.
Në një dhomë të qetë të hotelit “Grand Hotel et de Milan”, ndodhej shtrati ku kishte ndalur frymën Giuseppe Verdi, një nga shpirtrat më të mëdhenj që kishte njohur në historinë e vet muzika botërore.
I qetë, i mbështjellë me një dritë të zbehtë që depërtonte nga perdeja, fytyra e tij kishte marrë paqen e atyre që kanë dhënë gjithçka për botën.
Ai nuk fliste më, por çdo rrudhë në fytyrën e tij dukej sikur ruante ritmin e një melodie të pambaruar, një frymë të fundit që nuk do të pushonte kurrë së tingëlluari.
Në atë shtrat të bardhë, ku heshtja kishte zëvendësuar orkestrën, qëndronte i pafrymë dhe i pazë jo vetëm një njeri i madh, por edhe një epokë e tërë arti dhe ndjenje.
Verdi kishte qenë më shumë se një kompozitor: ai ishte një gjuhë e mëvetshme, ku në artin e tij përmblidheshin të gjitha gjuhët e botës, një vetëdije kombëtare, një ndërgjegje e Italisë që kërkonte lirinë e saj në shekullin e XIX.
Në notat e tij kumbonin fjalët që s’mund të thuheshin ndryshe, britmat e një populli që kërkonte identitet dhe dinjitet.
Kështu, në heshtjen e vdekjes së tij, sikur pushonte për një çast jo vetëm njeriu, por edhe ajo fuqi që kishte bashkuar një komb përmes artit.
Në fytyrën e Verdit të shtrirë, koha ndalej me respekt. Ai kishte përshkuar një jetë të tërë mes dritës dhe dhimbjes, duke shndërruar fatin e vet në fat të artit botëror.
Pas çdo kryevepre operistike të tij qëndronte një plagë e madhe njerëzore, një dashuri e humbur, një besim i ri në shpirtin e njeriut.
Rigoletto ishte zëri i padrejtësisë që ulëriti në errësirë; La Traviata – himni i një dashurie të ndaluar; Aida – tragjedia e sakrificës mes dashurisë dhe atdheut; ndërsa Nabucco ishte britma e një populli të robëruar që gjeti shpresë në fjalët “Va, pensiero, sull’ali dorate”.
Në to, Verdi shkriu jetën e vet, duke e bërë muzikën një pasqyrë të shpirtit njerëzor.
Pamja e tij e fundit, e qetë dhe fisnike, është një mësim për gjithë ata që kërkojnë pavdekësinë përmes veprës.
Në atë fytyrë paqësore s’kishte frikë, por pranueshmëri. Ishte një qetësi që vjen vetëm pasi njeriu i ka thënë të gjitha të vërtetat deri në fund.
Në heshtje, ai dukej sikur dëgjonte një melodi të padukshme, ndoshta vetë melodinë e përjetësisë që e priste përtej.
Në dhomë ndjehej një solemnitet i thellë, një qetësi që nuk ishte boshësi, por përmbajtje.
Sepse aty, në heshtje, fliste muzika e tij, si një shenjë se arti është mënyra më e lartë me të cilën njeriu përballet me përkohshmërinë.
Në funeralin e Verdit, mbi 200 mijë njerëz ecën në heshtje pas karrocës që mbante trupin e tij. Milano u kthye në një tempull muzike. Askush nuk foli.
Pastaj, papritur, turma nisi të këndonte “Va, pensiero”, korin e skllevërve hebrenj nga Nabucco, që kishte bërë të qante gjithë një komb.
Ishte një nga momentet më prekëse të historisë së artit njerëzor: populli këndonte për njeriun që i kishte dhënë zë shpirtit të vet.
Në atë çast, Verdi u bë përjetësisht njësh me popullin e tij – një njeri që kishte ditur të shkruante muzikë me gjakun dhe shpirtin e një kombi.
Sot, pamja e tij në shtratin e vdekjes nuk është thjesht një kujtim historik.
Është një simbolikë domethënëse e heshtjes njerëzore, një testament i përulësisë përballë përjetësisë.
Ai na kujton se arti i vërtetë nuk përfundon kurrë me autorin e vet.
Muzika e Verdit, si vetë jeta, është një qark i përjetshëm: fillon me ndjenjën, kulmon me dashurinë dhe mbyllet me paqen.
Në fund, nuk mbetet as nota, as fjala, as duartrokitja. Mbetet vetëm fryma e asaj muzike që e ngroh shpirtin njerëzor edhe në heshtje.
Giuseppe Verdi në jetë të jetëve mbetet një emër që nuk mund të shqiptohet pa ndjerë se brenda tij jeton vetë muzika, dashuria dhe dinjiteti i njeriut që e ktheu dhimbjen në simfoni dhe heshtjen në përjetësi.
Pamja e tij e qetë pas vdekjes është një shembëlltyrë e përjetshme e dinjitetit dhe përulësisë përballë fundit. Në heshtjen që rrethon trupin e tij, duket sikur dëgjohet ende një akord i fundit, një jehonë e butë që përzien mortin me madhështinë në çdo teatër, në çdo violinë, në çdo zemër që ndjen.
Në këtë kuptim, Verdi nuk vdiq kurrë….Ai vetëm heshti për t’u dëgjuar më qartë sot dhe në të gjitha kohërat që do të vijnë.
Voal-online – Marlen Ditrih (Marlene Dietrich – 27 Dhjetor 1901, Berlin – 6 Maj 1992, paris ) vdiq hatërmbetur ndaj Berlinit, ngaqë shumëkush në qytetin e saj të lindjes e kishte trajtuar atë si një tradhtare. Por kjo hatërmendje nuk e ka ndalur dot qytetin ta përkujtojë atë me madhështi. Ka një hijeshi të pavdekshme Marlen Ditrih, sepse ajo gjithmonë i ka polarizuar njerëzit dhe gjithmonë ka qenë e zonja t’i shtyjë gjërat në një drejtimtë caktuar Ajo do të jetë gjithmonë ikonë e Shekulli XX.Ajo krijoi rrymë të sajën, ajo ishte trime. Ajo ishte një aktore, një këngëtare dhe një heroinë politike e rëndësishme. Ajo ishte një mikrokozmos i historisë Amerikane-Gjermane në shekullin e kaluar, ka thënë për të Werner Sudendorf, autor i një biografie për Ëgjëllin Blu.
E lindur në Berlin me emrin Marie Magdalene von Losch me 27 dhjetor 1901, aktorja që u bë bjondja bombë kuintesenciale, arriti zenitin e famës dhe të lavdisë në moshën njëzetvjeçare. Ajo luftoi përmes viteve të rrëmujëshme 1920 në teatrot lokale si këngëtare dhe si aktore për një kohë të shkurtër përpara se të kalonte në kinematografi me rolin e saj të paharrueshëm në filmin “The Blue Angel” (Engjëlli Blu ) më 1930.
Emri Engjëlli Blu u bë emër personifikues për artisten gjeniale. Roli në filmin “The Blue Angel”, si këngëtare kabareje e quajtur Lola- Lola, me regjisor Josef von Sternberg, përgatitur edhe në anglisht, edhe në gjermanisht, e afirmoi atë dhe ia hapur rrugën e karrierës në Hollivud. Zëri i saj i fuqishëm, mollëzat e mbushura të faqeve dhe këmbët pakrahasueshëm të gjata elektrizuan publikun e kinemave për dhjetëra vjet.
“Ditrih ishte një yll i latuar me dorë mjeshtërore nga Zoti, një punë artistike e zbuluar nga Josef von Sternberg, por, megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e medaljes,” shkruan gazetat në gjuhën gjermane. “Ajo nuk ishte një objekt i bukurisë femërore, parë nga sytë e burrave, por ishte mishërim i vetë femrës, vetë bukuria femërore e mishëruar në njeriun.”
Ditrih është edhe simbol i guximit femëror përballë botës së burrave. Pa i lëvizur qerpiku i syrit ajo kaloi nëpër situata të tilla që vetëm një natyrë e pamposhtu si ajo mund t’ia dilte me aq guxim. “Ashtu si ajo u realizua në rolin e saj në “The Blue Angel”, ashtu ajo mbeti në mendjen e njerëzimit anembanë botës,” tha Sudendorf. “Nuk ak dyshim se Madona dhe shumë femra të tjera të artit e imituan atë sa mundën. Ne të gjithë i kujtojmë pa gabuar të gjitha skenat me Marlen Ditrih.
Ditrih ka luajtur në filmat “Marocco” (1930 ), “The Dishonored Woman” (Gruaja e çnderuar) 1931, “The Blond Venera” (Venera bjonde ) 1932, “The Spaniard Caprices” (Kapriçiot spanjolle ) 1935, “The Desire” (Dëshira ) 1936, “The International Scandal” (Skandali Ndërkombëtar ) 1948, “Rancho Notorius” 1952, “The Witness of Accusa” (Dëshmitari i akuzës ) 1957, “The Victory and The Winner” (Fitorja dhe fitimtari ) 1961, “Gigolo” (1979), Ka publikuar librin “The Evil and The Woman” (Djalli dhe gruaja) 1961 dhe librin autobiografik me titullin “Marlene D.” 1979.
Marrëdhëniet dashuri – urrejtje në Berlin
Filma të tjerë të famshëm të Marlen Ditrih janë “The Scarlet Empress” (Perandoresha e Lëkuqme ) i vitit 1934, “A Foreign Affair” (Një çështje e jashtme ) i vitit 1948, dhe “Judgement at Nuremberg” (Gjykimi i Nurembergut ) i vitit 1961 – shumë nga këta filma janë transmetuar gjatë muajit dhjetor në televizonet gjermane.
Karriera e Marlen Ditrih është formuar nga filmat dekadentë dhe nga skena e teatrit në Berlinin e paraluftës, por ajo u bë e famshme pas vajtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo mori shtetësinë Amerikane me 1937. Ajo i përballoi presionet e regjimit nazist të Hitlerit për t’u rikthyer në Gjermani dhe më vonë, e veshur me uniformë Amerikane, këndoi dhe luajti pjesë për trupat Amerikane në vijën e frontit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nazistët e paditën Ditrihin se “është kapërthurur me Ebrenjtë”- sikurse edhe shumë aktorë e artistë të tjerë që, si ajo, ikën jashtë Gjermanisë, sidomos në Amerikë – dhe prapë së prapë vazhduan përpjekjet në rrugë të fshehta për të mundur që ta rikthejnë në Gjermani.
Krijimtaria e saj e kohës së luftës për ushtarët e adhuruar Aleatë bënë që të krijoheshin ndjenja zemërimi për të në Berlin. Kur Ditrih u rikthye në Atdhe për një koncert më 1960, ajo u prit nga protesta të fuqishme, madje disa demonstrues bënë edhe gjeste poshtëruese kundër saj, duke e quajtur atë bushtër të ligë dhe duke ia tundur portretet e saj teksa thërrisnin fuqishëm: “Kthehu nga ke ardhur Marlen!” Por ajo qëndroi brenda teatrit në kushtet e një sigurie të supersofisitikuar.
Ditrih mbeti e plagosur në zemër, në mënyrë të pashërueshme, dhe tha: “Unë nuk do të rikthehem kurrë më në Gjermani. Unë kam parë mjaft njerëz që bënin gjeste poshtëruese, unë kam parë mjaft demonstrata kundër meje, unë kam parë mjaft dashuri – urrejtje ndaj meje në Gjermani.” Disa nga komentet e saj më të hidhura i janë lexuar gjatë veprimtarive përkujtimore në Berlin. “Ju duhet të linçoheni, o kriminelë mjeranë të luftës,” ishte komenti i saj i vitit 1960, koment i një gruaje dhe një aktoreje njëherësh.
Edhe pse ajo, pas mërgimit, u rikthye në Gjermani vetëm dy herë, më 1947 dhe më 1960, Ditrih, megjithatë e zgjodhi Berlinin si vendin e banesës së përjetëshme pas rënies së Murit të Berlinit më 1989. Ajo ishte një vetmitare gjatë dekadave të fundit të jetës së saj dhe vdiq në Paris më 6 maj 1992. Ajo u duk, vetëm me zërin e saj, vetëm në një dokumentar të vitit 1985 me autor Maximilian Schell, ku ajo i tregon intervistuesit regjisor pse e ka braktisur ekranin dhe kamerat një herë e përgjithmonë.
“Askush në botë nuk do ta shohë kurrë Marlen Ditrihun të plakur – nuk as foto, as filma për pleqërinë e saj,” thotë Sudendorf. “Ajo la prapa vetes përfytyrimin e saj si një femër fatale që krijon fushë magnetike të papërballueshme me bukurinë e saj femërore dhe për këtë ajo ka mbetur e pakonkurueshme në shkallë botërore.” Varrimi i Marlen Ditrih me 1992 u shënua në frymën e kundërthënieve. Dhe një ceremoni zyrtare qytetare ishte ndaluar për arsye të ndjenjave të përziera ndaj saj në publikun e asaj kohe. Varri i Marlen Ditrih është profanuar në atë kohë nga vandalët. Policët, një herë, gjetën të shkruar në varrin e saj “bushtër e ligë bisht-tundëse”.
Përpjekjet për t’ia vënë një rruge emrin “Marlene-Dietrich-Strasse”
Përpjekjet nga adhuruesit vendas të Marlen Ditrih për t’ia vënë një rruge në rajonin e saj të lindjes Schoeneberg, emrin “Marlene- Dietrich- Strasse” ishin bllokuar më 1996 nga rezistenca e kundërshtarëve konservatorë. Të detyruar pjesërisht nga jehona negative e mediave ndërkombëtare për këtë ngjarje të pakuptushme, zyrtarët e qytetit ia dhanë emrin një sheshi afër Potsdamer Platz në qendër të Berlinit “Marlene- Dietrich- Plaza”. “Janë disa që ende kanë urrejtje ndaj saj,” tha Fred Ostrowsi, që nuk e ka pushuar kurrë betejën që rruga në rajonin e saj të lindjes të marrë emrin “Marlene-Dietrich-Strasse”.
Rajoni Schoeneberg, ku Ditrih u varros sipas amanetit të saj, me rastin e 100 vjetorit të lindjes hapi një ekspozitë me rreth 80 piktura të Ditrih në një lokal-në të njëjtën ndërtesë ku Xhon F. Kenedi, shqiptoi fajlinë e famshme “Ich bin ein Berliner” (Unë jam një Berlinas ) në fjalimin e tij të pavdekshëm të vitit 1963.
Në mënyrë tejet të çuditëshme, Marlen Ditrih kishte pasur një aferë dashurie me presidentin Amerikan në Shtëpinë e Bardhë me 1962, sipas disa ditarëve të një kritiku të filmit të publikuar vitin e kaluar, pra në vitin 2000. Ditrih, nja 20 vjet më e madhe se Kenedi, ia tregoi historinë e saj në Shtëpinë e Bardhë kritikut Kenneth Tynan, të cilën ai e regjistroi në ditarët e tij. “Unë shpresoj se ju nuk ishit në nxitim,” ka cituar Ditrih Kenedin të ketë thënë kur ajo erdhi në përgjigje të një ftese për të pirë së bashku në Shtëpinë e Bardhë. Ditrih i kishte thënë se ishte në nxitim, se nuk kishte kohë më tepër se një orë e gjysmë.
“Besoj se nuk do të na duhet më tepër kohë, apo jo?” kishte thënë Kenedi, të cilit Ditrih kishte replikuar “Jo Xhek, unë mendoj se nuk na duhet më tepër.”
Marlene Dietrich-hipnotizuese fatale e publikut
Me 7 maj 1992, të nesërmen e vdekjes së Ditrih, gazeta “Nju Jork Tajms” shkruante: “Marlen Ditrih, ylli magnetik i filmit dhe këngëtarja që ishte një simbol ndërkombëtar i bukurisë tunduese për më shumë se një gjysmë shekulli, vdiq dje në Paris. ” Më tej gazeta shkruan se Ditrih në filmat e saj dhe në intepretimet e këngës së saj, me art të përsosur projektoi një përvojë të sofistikuar me mjeshtëri, vetëkëmbëngulje dhe të pafundme. Bukuria e saj tunduese ishte dërmuese, zgjuarsia e saj ishte arrogante dhe pamja e saj nuk ka njohur moshë.
Me sharmin e saj botëror të veshjes dhe diapazonin e fustaneve që ia zbulonin këmbët e famshme, ajo ishte dëfryesja kuintesenciale e epokës së Vaimarit (Weimar ) në Gjermani. Imazhi i Ditrih, i përsonifikuar nga Lola-Lola, këngëtarja e kabaresë që i bënte për vete përnjëherësh burrat, portretizuar tek “The Blue Angel”, ishte imazhi i një gruaje të çliruar nga ajo botë që i përzgjidhte burrat për të, që e shikonte jetën e saj dhe bukurinë e saj si një sfidë. Publiku ishte hipnotizuar nga kjo krijesë sa kurrë më herët apo më vonë në botën e artit.
“Ajo iu dukej burrërore grave dhe femërore burrave,” ka shkruar një kritik. “Ditrih është diçka që kurrë më parë nuk ka ekzistuar dhe që kurrë më vonë nuk do të ekzistojë,” ka shkruar një tjetër. Përshkrimin më të pavdekshëm të fytyrës së saj e ka bërë Erih Maria Remark në librin e tij “Harku i Triumfit”: “Fytyra e freskët, e ndrtishme që nuk kërkon asgjë, që thjeshtë ekzistoi, duke pritur – ajo ishte një fytyrë bosh, mendoi ai; një fytyrë që mund të ndërrojë nga çdo erë e shprehjes që do të fryjë. Dikush mund të ëndërojë gjithçka për atë fytyrë. Ajo ishte si një shtëpi e bukur bosh duke pritur qilimat dhe pikturat. Ajo i kishte të gjitha mundësitë – mund të shndërrohej në një pallat ose në një kabare.”
“Bukuria,” thoshte Ditrih, “është një siguri. Ajo është në një farë mënyre siguria jote se ti je në rregull sido që të veprosh apo të sillesh, qoftë nga pikëpamje mendore qoftë nga pikëpamja fizike. Dhe në çdo rast apo në çdo situatë ti je e mirëpritur njësoj.”
Ditrih një armike e pasionuar e nazizmit
Marie Magdalene Dietrich kishte lindur në Berlin me 27 dhjetor 1901. Babai i saj, Louis Erich Otto Dietrich, që ishte një kapter policie dhe një ish major i kalorësisë, vdiq kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe. E ëma, Wilhelmina Elisabeth Josephine Felsing, vajzë e një tregtari, sapo mbeti e vejë u martua me Eduard von Losch, një nëntoger i kalorësisë, i cili u vra në frontin rus me 1918.
Marie Magdelene dhe motra e saj e madhe, Elisabeth, ishin trajtuar si bija të klasës së mesme gjermane. Marie Magdalene ndoqi një shkollë private në Vaimar, studioi frëngjisht dhe mori mësime violine, duke shpresuar për një karrierë këngëtareje. Por kur ishte 18 vjeçe, një plagosje në dorë, e kërcënoi ëndërrën e saj dhe ajo vendosi të provojë lojën e aktores, ndërkohë që e ëma nuk ishte e një mendjeje me të.
Ajo dështoi në provën me Max Reinhardt dhe iu bashkua korit të qytetit. Një vit më vonë, me një dëgjim të dytë të Reinhardt, ajo u pranua në shkollën dramatike. Ajo filloi menjëherë karrierën filmike. I vetmi rol interesant i asaj kohe ishte ai në filmin “Tragedy of Love ” i luajtur më 1923.
Ajo u njoh me Rudolph Sieber një ndihmës producent filmash, u martuan me 17 maj 1924, vitin tjetër patën një vajzë me emrin Maria. Pas viteve të para Sieber gjithnjë e më rrallë u takua me të shoqen. Ata kurrë nuk u divorcuan por jetuan të ndarë për pjesën më të madhe të jetës së saj. Ai vdiq më 1975. E bija e saj, po ashtu aktore, u martua me William Riva, një artist skene, me 1947 dhe patën katër djem.
Marlen Ditrih ishte një mike e ngushtë me njerëz të famshëm, përfshirë Ernest Heminguejin, shkencëtarin Aleksandër Fleming, zbuluesin e penicilinë. Ajo pati aferë dashurie me Erih Maria Remarkun dhe me aktorët Zhan Gaben (Jean Gabin ), Michael Wilding dhe Douglas Fairbanks Junior. “Unë jam tërhequr gjithmonë nga burrat e zgjuar dhe dëfryes,” ka thënë ajo një herë. Unë mund t’i rrëmbej ata ku t’i gjej. Dhe nuk dua t’ia di se ç’moshë kanë.”
Ditrih ishte një armike e pasionuar e nazizmit. Kur Hitleri filloi t’i arrestonte ebrenjtë, ajo financoi ikjen e disa miqve të saj.
Me 1937, kur ajo ishte duke xhiruar filmin melodramë “Knight Without Armour” (Kalorësi pa armë ) në Angli, ajo ishte hetuar nga agjentët e Hitlerit të cilët i kishin ofruar asaj një çek të bardhë për t’u rikthyer në Gjermani dhe për të luajtur në çfarë filmash që t’i tekej asaj. Ajo e hodhi poshtë me zemërim ofertën dhe filmat e saj u ndaluan në Gjermani. Menjëherë pas kësaj ajo kërkoi shtetësi amerikane.
Gjatë Luftës II Botërore, Ditrih u bë simbol i Gjermanisë së lirë. Ajo dha emisione antinaziste radiofonike në gjermanisht, në tri vjet ajo dha koncerte për një gjysmë milioni trupa të Aleatëve dhe për të burgosurit e luftës në Evropë e në Afrikën e Veriut. E palodhur dhe gjithmonë me humor të mirë, ajo pranoi të gjitha kushtet e rënda të qëndrimit në frontin e luftës, përfshirë rrezikun e zjarrit të luftës, borën, shiun, motin e ashpër.
Ajo këndoi këngët e saj të filmave, si dhe baladën e saj ndërkombëtare të kohës luftës “Lili Marlene”, me të cilën magjepste ushtarët në front, të cilët binin që të gjithë në dashuri me të, me Lili Marlenin, “Ëngjëllin Blu” dhe me vetë Marlen Ditrih, sepse ajo për ta simbolizonte gruan, lirinë dhe paqen që do të vinte pas pak. Pas luftës, ajo u nderua me Medaljen e Lirisë, si dhe nga një mori çmimesh më të lartat civile nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Franca e emëroi Kalorëse të Legjionit të Nderit dhe Belgjika e shpalli Kalorëse të Urdhërit të Leopoldit.
Kur e dinte se po ikte prej kësaj bore, “Ëngjëlli Blu” tha: “Unë po vdes, ndërsa jeta do të vazhdojë pas meje.”
Në fakt jeta vazhdon edhe pa Marlen Ditrih, porse mungesa e saj ka krijuar një boshësi të bardhë, të cilën deri më tani nuk e ka zëvendësuar dot askush dhe asnjë “Ëngjëll i ri”.
Është tamam kështu:” “Ditrih ishte diçka që kurrë më parë nuk kish ekzistuar dhe që kurrë më vonë nuk do të ekzistojë”. Për lexuesin e Voal-online po sjellim shqipërimin e këngës Lili Marlen.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës 1998 në repartin “Garda Profesionale – Skenderbeu” në Kalimash/Kukës
Me bacën për herë të fundit u pamë këtu.
Gjat bisedës me oficerët më kërkoi me kokë të dalim jashtë, dolëm dhe biseduam në vete, për gjendjen në Tiranë, për rrumujat që ishin atje. Me vete kur dola jashtë e morra edhe Fatmir Dushakun, baca më shiqoi, duke më thënë me sy se deshta vetëm me ty me bisedu, i thash bacë pa dert Fatmirin e kam shok, është besnik, kto janë ushtarët e tu. Në atë vizitë baca me të vërtet ka qenë shumë i lumtur, i mahnitur me pritjen dhe rrespektin ushtarak, që ju ka bë te Garda Skënderbeu se këtë edhe ma tha.
I kërkova që mos të ktheht në Tiranë për momentin, këtë ja kërkoi edhe Fatmiri. E kishin sugjeru edhe oficerët që të rrijë në repart.
I tregova se ç’ndodhi në Laprakë si na sulmuan rrebelet që ishin të orkestruar nga pushteti Shqiptarë, ç’ndodhi me oficerët si Xhafer Jashari etj, kur u ndaluan nga policët shqipëtarë. Jo më tha, duhet patjetër të shkoj kam edhe diçka me rregullu atje, është punë jave e pastaj kthehem. Po vijë edhe unë me ty bacë, jo më tha, ti rri këtu ne jemi ka e marrim një objekt në Kukës, do vinë krejt oficirët këtu, ata që duan të luftojnë dhe Garda Skënderbeu ka për ta ruajt objektin e ti më duhesh këtu me qëndru.
Më falni që pak e zgjata e bëra për rrespekt të asaj kohe, që historija mos të harrohet e të shkruhet drejtë.
Lavdi bacës e rrespekt për ushtarët dhe oficerët që i qëndruan besnik rrugëtimit të bacës për Liri dhe Pavarsi!
Në foto – Rektori Statovci midis studentëve, ai me flokë të gjata është Albin Kurti.
Voal.ch po sjell nje shkrim nga Albin Kurti i shkruar ne vitin 2008, ne kujtim te rektorit të Universitetit të Prishtinës, Profesor Ejup Statovcit. Për të dalluar politikën paqsore të Ibrahim Rugovës në mbrojtje të popullit të Kosovës nga frika e një Bosnje të re dhe krahu i protestave, si një tipar që Kosova e ka patur gjithmonë. Në dukje kundrathënie, por gjithmonë me të njëjtën domethënie, Pavarësia e Kosovës. Albin Kurti në vitin 1997 ishte vetëm 22 vjeç, me idealet e njëzetvjecarëve, me flokë të gjata duke simbolizuar rebelimin e rinisë, ndërsa Ibrahim Rugova ishte 43 vjeç, ai tregonte pjekurinë për ta mbrojtur popullin e tij. Urtësia dhe rebelimi. Të dyja iu deshën Kosovës.
————–
Ejup Statovci kishte një detyrë titanike, ta mbronte Universitetin nga Serbia por edhe nga LDK-ja ·
Shkruan: Albin Kurti – Prishtinë, 01. 10. 2008
Kur është shkruar ose folur publikisht për 1 Tetorin e vitit 1997, zakonisht janë afirmuar studentët, Universiteti, thyerja e status quo-së politike etj. Në rastin më të mirë, vetëm kah gjysma e tekstit apo fjalimit, ndodhen aty edhe një fjali a dy në të cilat përmendet rektori i atëherëshëm Prof.Ejup Statovci. Sigurisht që kjo gjë nuk është aspak korrekte. Roli dhe rëndësia e Prof.Statovcit ishin shumë më të mëdha se kaq. Prof.Ejup Statovci e ka rimëkëmbur Universitetin e Prishtinës pas dëbimit masiv të të gjithë studentëve dhe profesorëve shqiptarë nga objektet universitare në qershor të vitit 1991.
Ka qenë vështirë që të gjendet në atë kohë ndonjë profesor tjetër i cili do ta kishte guximin për t’u ballafaquar, aftësinë për të planifikuar e koordinuar dhe ndërgjegjen për të marrur përgjegjësi. Rifillimi i Universitetit të Prishtinës mbase ka qenë më i vështirë edhe se vetë fillimi i Universitetit. Pothuajse kushdo tjetër që do ta merrte drejtimin e Universitetit përveç Prof.Statovcit, do të përfundonte si shërbëtor i klikës së Ibrahim Rugovës. Pothuajse askush tjetër nuk do të mund ta mbronte autonominë e Universitetit të Prishtinës nga LDK-ja. LDK-ja nuk i bënte kurrfarë rezistence okupimit të Serbisë – e gjithë rezistenca i ishte lënë sistemit arsimor me në krye Universitetin e Prishtinës.
E gjithë politika e LDK-së ishte politikë për kontroll sa më të madh mbi shqiptarët – që shqiptarët, siç thuhej, të mos binin në provokime të Serbisë (sic.). LDK-ja interesohej për Universitetin vetëm aq sa i nevojitej për ta shfrytëzuar atë si mjet për kontroll politik. Universiteti i Prishtinës me procesin mësimor nëpër shtëpitë shkolla ishte e vetmja rezistencë asokohe. Në vitin 1997, LDK-ja ende shpresonte në Marrëveshjen e Arsimit midis Rugovës dhe Milosheviqit e cila që prej një viti s’po realizohej kurse Prof.Statovci atëbotë vihej në ballë të studentëve në protestën kundër regjimit serb! ·
Prof.Ejup Statovci u arrestua shumë herë përgjatë viteve të ’90-ta nga policia e Serbisë, iu bastis disa herë banesa modeste dhe zyra e Universitetit që udhëhiqte. Kurrfarë trysnie apo kërcënimi nuk e zbrapsi. Ejup Statovci i kishte caktuar vetes një detyrë titanike: ta mbronte Universitetin nga Serbia por edhe ta mbronte Universitetin nga LDK-ja. Gjatë përgatitjeve për protestën e 1 Tetorit i gjithë Universiteti ndodhej në një trysni të hatashme nga brenda e nga jashtë që t’i nënshtrohej Ibrahim Rugovës. Studentë e profesorë të ndryshëm të UP-së e deri te diplomatët e zyrtarët ndërkombëtarë bënin presion që të hiqej dorë nga protestat sepse (edhe) Kryetari ashtu po kërkonte.
Madje, disa ditë para 1 Tetorit 1997, një grup studentësh të instrumentalizuar nga Ibrahim Rugova dhe kreu i LDK-së patën dalur kundër protestës me tendecë që t’i përçajnë studentët dhe ta pamundësojnë protestën.
Përkrahja e parezervë e Rektorit Statovci për UPSUP-në ishte garancioni i unitetit në Universitet. I unitetit në protestë; i unitetit në rezistencë. 1 Tetori i vitit 1997 kurrsesi nuk do të ishte i mundur pa një Universitet të tillë të pavarur politikisht. Ne të UPSUP-së nuk do të mund t’i organizonim protestat pa një Universitet i cili ishte sikurse një bërthamë e ruajtur mirë nga lëvozhga e fortë. Autoriteti njerëzor dhe kapaciteti intelektual i Rektorit Statovci për gjashtë vjet me radhë e kishin mbrojtur Universitetin nga politika. Në Tetorin e 1997-shes, UPSUP-ja ishte e gatshme për organizimin dhe mobilizimin e masës dhe potencialit të ruajtur e të kultivuar në Universitet.
Ne ishim të gatshëm për atë që e gjetëm të gatshme. Përgjatë historisë, ngjarjet mundësohen nga masat e njerëzve dhe institucionet kurse prodhimi i ngjarjes përfundon i identifikuar me një apo fare pak njerëz. Për 1 Tetorin 1997 mund të thuhet e kundërta. Nëse ngjarjen e 1 Tetorit e prodhuam të gjithë ne studentët dhe profesorët e Universitetit, atë ngjarje e mundësoi kryesisht vetëm një njeri – Ejup Statovci.
Komentet