KUR POEZIA NJEHSOHET ME DASHURINË
“Pas çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e madhe”.
Nuk mbaj mend kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë thënie. Nuk jam e sigurt nëse kjo thënie do të mbarte po kaq vërtetësi, nëse emërtimet do të ndryshonin vendet.
Dihet që gratë shquhen për shpirtin e sakrificës. Gratë nuk i tremb dashuria…Ajo i bën më të forta. Ua dhurojnë këtë ndjenjë burrave. Ata bëhen më të ndjeshëm dhe kur qëllojnë të jenë lindur poetë, zbulojnë në shpirtin e tyre, poezinë…
Nuk kam gjetur deri më sot, sikur edhe një vjershë, vlaga e së cilës të mos lidhet me dashurinë. Jo vetëm të vajzës për djalin dhe anasjelltas. Jo vetëm të njeriut për njeriun. Në kuptimin më të gjerë të fjalës; kur vargjet pluskojnë për natyrën, për malet, për një degë peme, për një fije bari… Kur vargjet kumtojnë një dhimbje që buron nga dashuria…
Kjo ndjesi të pushton vrullshëm tek shfleton librin me poezi “Imgur” të poetit Skender Bucpapaj. Ky titull që godet fantazinë, të hedh mes maleve të Tropojës, që është edhe vendlindja e poetit. Duket si ujëvarë e pashtershme dëshira e tij për të pasur brenda vetes çdo gjë që njeh dhe e rrethon. Çdo gjë që e ka të dashur, që ia sheh syri dhe ia do zemra….Që është kaq e pamatë, sa brenda saj marrin strehë me radhë, Planeti, Dheu, Atdheu, Babai, Nëna, Vëllezërit, Motrat, Gruaja dhe Bijtë.
Befas zbulon se hapësira e zemrës së poetit nuk mund të matet. Sepse aty brenda është gjithçka që i jep jetë jetës dhe frymëzim poetit. Pas kësaj, e ke më të lehtë të kuptosh sesi mund të ekzistojë “Guri me flokë të blertë”, me të cilin nis rrugëtimin leximi i librit.
Lexuesi përpiqet të verë radhë në ndjesitë e para dhe për këtë e ndih dhe ngrohtësia që vjen nga “Zjarri i Vatrës”, të cilin autori e shpall: – Nga të gjithë zjarret e shenjtë më është më i shenjti zjarri i vatrës, më i dashuri…-
Pasi ke mbërritur në vargjet e fundit, para të cilave të është dhënë rasti të njohësh të gjithë përkatësitë e zjarrit, thua me vete se kjo poemë, është një Himn për Zjarrin, që vetëm poetë si Skënder Buçpapaj mund ta brumosin ne magjen e fantazisë, pa pasur frikë se djegin muzën në flakët e tij.
E kundërta ndodh. Ato e ndezin më shumë, zjarrin dhe frymëzimin. Në këtë realitet poetik magjiplote, lexuesi përpiqet të kuptojë se si mund të gjelbërojnë sytë e dikujt “Çka tepron prej gjelbërimit të syve të mi” dhe përpiqet ta qëmtojë misterin mes vargjeve.
Tenton përsëri të bëhet pjesë e bashkëbisedimit të poetit me lumin, ku rrëfehet një tjetër sekret: njeriu është lumë dhe lumi është njeri. “Lumbardhit”.
Vjen çasti që lexuesi dorëzohet. Poetin Skënder Buçpapaj mund ta përfytyrojë lehtësisht si borën e re mbi borën e vjetër, si lulëzim të përjetshëm, si ajër dhe ujë, si ortek natën, si ahu i epër, si pajtues të zogjve, si lis i përsëgjallur, si lule lisi dhe si çdo element të qenësishëm të kësaj toke, me qëllimin që të na shpalosë jo vetëm bukurinë, por edhe mesazhet përmes saj.
Ndryshe, ç’kuptim do të kishte poezia? Dhe nëse nuk do t’i bashkonim të gjitha pjesët e dashurisë, poezia përsëri nuk do të ishte poezi. Poeti e di këtë. Prandaj pasi është shmallur me natyrën, me bërjet dhe zhbërjet poetike, e hap shpirtin në skaje të tjera, aty ku pushon që prej krijimit, një tjetër dashuri. Për Hyjninë e tij. “Ke qenë dhe ti vajzë” – shkruan poeti, që guxon të shpikë dhe qiellin e tetë, në natën e parë me të. Në vizatimin për gruan e ndjen si fërgëllon shpirti i tij. Ndihen të njëjta dridhje si në 88 krijimet e vëllimit, dhe që si padashur të shtyjnë drejt padurimit për të njohur vajzën që u shtoi shtatë mrekullive të botës, një qiell të tetë.
***
Një tjetër shpirt poetik, me një qasje disi të ndryshme që e shpalos vëllimi “Ujshëm”, botim edhe ky i shtëpisë botuese “Onufri”, i të njëjtit vit, 2019. Ndjeshmëria e poetes ngërthehet gjithmonë me një ritëm imponues, nga i cili nuk dredhon dot. Rrallë e gjen prehjen te natyra. Por si rrallëkush, me një zotësi që të mahnit, e kthen në poezi, një ngjarje, një fjalim, një përballje, sociale a politike qoftë. Jo se nuk i beson natyrës, krijesave të saj delikate, jo se i druhet ujit të oqeanit, jo se nuk ndjek dot pulëbardhat në fluturimin e tyre.
Bijë e poetit Vehbi Skënderi, ka trashëguar tharmin e lirizmit të tij. Por ka të mbrujtur edhe fuqinë e fjalës së publicistikës, të cilën jo vetëm nuk e shmang, por e bën vertebër të zinxhirit të saj poetik. Poetja i falet Lirisë. Lirisë si metaforë dhe si bjerrje prangash. Ndaj dhe në poezinë “unë jam Amerika”, që hap vëllimin, na bën me dije: – mbeta një lypëse e lirisë/e shkela ligjin/si e vetmja mundësi/për të arritur tek ty/. Poetja përfytyron se dimensioni i Lirisë mund të jetësohet kudo, por asnjëherë më shumë se në qiell. Ajo ka ndjesinë se “qiellin e kanë krijuar pulëbardhat duke marrë pak e nga pak, ujë deti për mijëra vjet – ndërsa – detin e kanë krijuar pulëbardhat duke çukitur me sqepthin e tyre copka qielli pakëz e nga pakëz në mijëra e mijëra fluturime…” Për të “pulëbardhat janë varkëza të vogla/që ngarkojnë frymët/në fluturimin për në qiell/. Lirizmi i kësaj poezie të këndell trup e shpirt, por një tjetër poezi të godet me dhimbjen dhe thirrjen, që poetja nuk mund ta mbajë më të ndrydhur: “ti hajn i Atdheut”.
Është çasti kur Elida Buçpapaj të shtrin para syve hartën e vendit ku ti jeton. Një tablo, e njohur, vjen në vargje si kushtrim. Edhe pse larg, ajo është zgjatim i Atdheut. Ajo ngulmon të mos e harrojmë, se “dashuria dhe malli jonë për Atdheun- i ngjan shkëmbinjve të Alpeve/ është e kahershme, e kamotshme/. Këtë ndjenjë hyjnore për Atdheun, ajo e mishëron në figurat e ndritura të tij, ndër të cilat, spikat Nënë Tereza, për të cilën pohon në vargje se Zoti e krijoi që ajo të lindte dashurinë.
Lexuesi paskëtaj ka ndjesinë se tempit luftarak, një tjetër shpirt poetik i zë vendin. Me të njëjtin emër, Elida Buçpapaj, po me një qasje të butë e ëndërrimtare. Poetja ka vendosur të na shpjerë në skuta të tjera ku vargjet frymojnë ndryshe. Si i magjepsur nga sirenat e Uliksit, lexuesi e pranon se dielli i shëmbëllen një burri të dehur, me frak, që kapërcen mure, nuk begenis të trokasë, kris eshtrat e errësirës dhe përfundon në shtrat…Po në kapitullin “le të prekemi” vijnë radhë radhë “eros”, “erotike” dhe poezia që mban të njëjtin titull si kapitulli, dhe ku në mendje të mbeten vargjet: “le të ngopemi/kur na merr uja/duke u prekë/le ta shuajmë etjen kur na vjen/duke u prekë, duke u prekë/aq sa për qindra vjet/…
Më tej, tematika e poezive është e larmishme deri aty sa bindesh se pendës së poetes nuk i ka ikur asgjë. Udhëtimi me avion Gjeneve-Prishtine e bën të zbulojë “qytetërime resh”. Në këtë botë që vetëm fuqia e poezisë mund ta vizatojë, vjen zhgënjimi i të atit, si dhimbje dhe si prekje flladi. Poetja që ndërton “qytetërime resh” në kupën qiellore, nuk e ka për gjë ta shohë Parisin si Paradis, lumin Aare si shall të mëndafshtë, muajin korrik të piqet e digjet si eshkë prej rrebesheve të diellit, Bernën si qytet alpin me gëzof ariu, por bukurisë së të cilës nuk ia ha hakun as në stinën e verës kur shpërthen gjelbërimi. Në çdo stinë t’i shohësh poezitë, gjallon dashuria. Dhe mes saj, si degëzim dejesh njerëzore, pulsojnë ndjenjat për Kosovën. “Kosovë mon amour” – shkruan poetja. Në pak më shumë se 5 faqe libër, mbartet historia e një vendi që i blatoi lirisë djemtë e bijat e saj, figurat e të cilëve Elida i ka sjellë me nderimin e dikujt, që e di çmimin e vërtetë të lirisë. Kësaj mund t’ia dalësh vetëm kur ke një shpirt të madh, siç krijimtaria e poetes na zbulon. Aty, ajo mban si thesar edhe dashurinë për të atin dhe për të ëmën, së cilës i ka kushtuar një kapitull të veçantë, me të cilën mbyll vëllimin. Dhimbja iu ngjitet vargjeve, si të ishte dredhëz mbi bisqe lulesh, por asgjë nuk e mpak dashurinë e bijës. Që është njësoj e bukur si mami Lil, që në vargje vjen si zambak uji, si motër e si shoqe, si krijesë e hijshme jo vetëm e Zotit, por dhe si kryevepër piktorësh, të të gjithë rrymave e kohëve…
***
Ja kështu, poezi pas poezie, ke zbuluar kush është Elida Buçpapaj, poete, publiciste, përkthyese, autore e disa librave të tjerë, që i kanë paraprirë vëllimit “Ujshëm”. Në kapakun e fundit, libri sjell titujt: “Vij”, “Hiperbola dhe paralelizmi figurativ te Cikli i Kreshnikëve” studim monografik, “Nuk jam e përjetshme” poezi, “Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit” “Unë jam e përjetshme” poezi, “Tirania e Tranzicionit” publicistike, “Traumat e Tranzicionit” publicistike, “Anticirkland” poezi, “Ujshëm” poezi.
Nuk do ta mbyll këtë refleksion, pa sjellë këtu dhe titujt e librave të poetit, publicistit dhe përkthyesit Skënder Buçpapaj. Siç renditen në kopertinën fundore të vëllimit “Imgur”. “Zogu i bjeshkës”, “Poezi”, “Frika nga Atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, “Jubileu i shiut të çmendur”, “Imgur” e të tjerë.
Jo si ballafaqim vlerash, por si një përgjigje për një pyetje të re: Si ia del një çift poetësh të ruajnë ritmin e suksesit të tyre tashmë prej kohësh në sytë e të gjithëve? Kam vetëm një përgjigje: Ndodh kur Poezia njehsohet me Dashurinë…
Raimonda Belli Gjençaj
Tirane, 2 Mars 2022
Komentet