Voal.ch po sjell opinione dhe reportazhe nga Arkivi i tij për të kujtuar ngjarje të ndryshme. Ky opinion është botuar më 10 dhjetor 2010.
—————-
Isa Mustafa do të kujtohet si lideri që u dominua nga ai krah i LDK-së, që ai e dominoi dhe e mposhti me votë në Kuvendin e VII Zgjedhor të LDK-së më 7 Nëntor i cili votoi për të me qëllim reformimin e partisë.
Por sot në LDK nuk ka ndryshuar asgjë, veç largimit të Fatmir Sejdiut, i cili u zëvendësua me Isa Mustafën. Pjesa tjetër ka mbetur si më parë. Fatmir Sejdiu ngjan me një viktimë, ndërsa Isa Mustafa me një renegat. Sepse Isa Mustafa i mashtroi ata që e votuan në Kuvendin e Shtatë, i hëngri me bukë fjalët e tij për reformim të partisë e doli krejt nga fjala që dha.
Problemi i LDK-së nuk ishte Fatmi Sejdiu, por lidërshipi, klani, bajraku, organizimi tribal që e çoi LDK-në në katastrofë në zgjedhjet e 2007, i cili mbeti po aq i fortë edhe në zgjedhjet e 2010. Sot Isa Mustafa është në të njëjtin rol që kishte Sejdiu, me ndryshimin se këtë pozicion e merr nga pozitat e renegatit, pasi i ndryshoi idealet, fjalët dhe flamujt, duke u shitur e trafikuar tek kundërshtarët. Nëse Isa Mustafa ishte kundërshtar me Fatmir Sejdiun, ai do të duhej të ishte kundërshtar edhe me Ekrem Kryeziun apo me ata me të cilët sot del krah për krah e qafë për qafë në fushatë.
Isa Mustafa në vend të ringjalljes të partisë, zgjodhi të kthehet në renegat, sepse iu përvodh premtimeve, i mashtroi ata të cilëve u premtoi reformim e ndryshim, dhe dezertoi duke u bashkuar me ata me të cilët ishte kundër deri në momentin kur u bë kryetar, çka do të ketë çmimin adeguat për Mustafën si lider e për partinë që ai e udhëheq.
Çiftëzimi i Isa Mustafës me Ekrem Kryeziun, duke iu kundërvënë Ukë Rugovës, është mjerimi më i madh për ish-partinë më të madhe të Kosovës, e cila në këtë mënyrë shkon e sigurt drejt një humbje të re, që do ta detyrojë Isa Mustafën të japë dorëheqjen, por do t’i sigurojë atij dhe klanit që mban partinë me dorë të hekurt ndejtëse në Kuvendin e ri të Kosovës, që do të dalë prej këtyre zgjedhjeve.
Orientimi i fushatës së LDK-së në sulme gjoja kundër PDK-së është farsë e mjerë, pasi klani i Sejdiut, i cili e ka bërë sot Isa Mustafën t’i harrojë premtimet e të kthehet në renegat, ishte ai që e qeverisi bashkë me PDK për tre vjet Kosovën, dhe nëse kjo qeverisje ka dështuar, me të ka dështuar edhe klani, i cili e detyron Isa Mustafën të harrojë se është Isa Mustafa, personi që i premtoi elektoratit reformim dhe ndryshim të LDK-së.
Isa Mustafa nga kritikues i metodave përçarëse dhe klanore të Sejdiut, u kthye në trashëgimtar dhe vijues i këtyre metodave dhe këtij stili, të cilat do të vazhdojnë ta tkurrin LDK-në dhe nuk do t’i japin më 12 Dhjetor veç disfatën.
E kam thënë edhe në një shkrim më parë, dhe e përsëris, se Isa Mustafa e kishte fitoren në dorë, se fitorja e Isa Mustafës do të ishte më e lehta, nëse do të distancohej nga kasta e vjetër e do të mjaftohej të shtrinte dorën për bashkëpunim e të hapte derën e partisë e të mirepriste, si zot i shtëpisë.
Por ai në vend se të jetë zot i shtëpisë zgjodhi rolin e maxhordomit, shërbyesit; në vend që të zgjidhte rolin e liderit ndryshe nga ai i humbësit pararendës, liderit me ide dhe vizion gjithëpërfshirës, ai zgjodhi të dalë nëpër fushatë në një duet të papërshtatshëm, bajat dhe anakronik me Ekrem Kryeziun, figurën më të shplarë dhe më intrigante të klanit të Sejdiut.
Isa Mustafa zgjodhi të kthehet në renegat. Në vend që ta bënte këtë fushatë me sa më tepër aleatë e me sa më tepër miq, të cilët i zgjatën dorën, ai zgjodhi të jetë kryetari solitar i LDK-së, duke vazhduar e mbajtur në izolim e karantinë LDK-në, e duke zgjedhur të presë biletën e humbësit./ 10.12.2010
Për lexuesin po sjellim rezultatinqë LDK pati në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 LDK doli me rreth 25 %, një humbje e thellë në vazhdën e humbjeve. Prej 2007 LDK nuk i ka fituar më zgjedhjet parlamentare. Sa ishte Ibrahim Rugova gjallë, Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 2004 kishte fituar 45.42 %, ndërsa të 2001 45.46%.
Komentet